Wednesday, November 7, 2012

Konventa 2-ditore e LSI-së

Nga Konventa 2-ditore e LSI-së veçojmë:

- LSI ndryshon statusin. Tani kryetari i saj (lexo I. Meta) nuk mundet të mbajë vetëm 2 mandate, por mundet ta mbajë mandatin e Kryetarit, përjetë.

- Themeluesit dhe emblemës të partisë së LSI-së, i reduktohet mbështetja nga 100% në 85% përballë kandidatit të tij të fortë, Z. L. Rama


- Prioriteti i kësaj force politike është punësimi i të gjithë militantëve që e mbështesin, me kusht që mos bëhen më shumë se sa vendet e punës ekzistente.

- Mosha për anëtarësimin në LSI nuk do të jetë më 18-vjeç, por do të mund të bëhen pjesë e saj edhe 16-vjeçarët.
Ndoshta nuk do ishte shumë e gabuar, nëse do ndiqnim këtë linjë, që të hapej një Medrese e LSI-së ku të merrnin programin dhe idetë integruese brez pas brezi fëmijët e Shqipërisë.

Nëse e keni harruar ju të vjetrit dhe nëse nuk e dini ju të rinjtë, kryetari i rizgjedhur në krye të LSI-së, Z. Ilir Meta, ishte po ai që në video-rregjistrimin Meta-Prifti urdhëronte ministrin D. Prifti që të punësonte në një sektor të rëndësishëm një mikun e tij të vjetër, i cili jo se nuk kishte arsimin e lartë përkatës, por nuk kishte arsim fare.

Për aq kohë sa Shqipëria do të mbetet e paintegruar, LSI do të mbijetojë.

Shkroi: Stop Injorancës !

Berisha: Të lutemi sa më shumë në shqip dhe të përkrahim islamin europian.

E tillë ishte edhe deklarata e ish Presidentit B. Topi në Prill të 2010-ës kur ai kërkoi që "Perëndia të flasë shqip".
http://stopinjorances.blogspot.com/2010/04/perendia-te-flase-shqip.html

Kur do fillojnë Institucionet fetare në Shqipëri të flasin shqip, sepse nuk ka asnjë kuptim gjuha arabe e xhamive (kur as 2% e popullsisë nuk di arabisht) dhe as gjuha greke e Janullatosit?!

Një tjetër problem që duhet të merret sa më parë në trajtim është ndotja e madhe akustike që shkaktohet prej altoparlantëve shurdhues dhe çongave drobitëse, që vijnë prej ngrehinave të kulteve fetare.
Nëse këto institucione fetare e kanë të pamundur të pranojnë reduktimin e zhurmave të tyre (siç ka ndodhur psh. në Egjipt ku altoparlanti thërret vetëm një herë në ditë) atëherë zgjidhja tjetër që mbetet është shpërngulja e këtyre kulteve jashtë zonave të banuara.
Shpërngulje që realizohet nëpërmjet peticioneve të banorëve të lagjes.
P.s Islami tradicional shqiptar, apo siç e quajti kryeministri shqiptar "Islami Europian" do të thotë të qenit fetar vetëm për festa, siç shprehej edhe Konica 100 vite më parë.
Shqiptarët, shumica prej tyre janë shpirtrobër. Për dëfrim. Janë shqiptarë që kanë fe.

Read more: http://stopinjorances.blogspot.com/2009/11/ceshte-liria.html#ixzz2AOUhjYzf

Ai sigurisht që nuk është islami i vërtetë, por është shumë më i mirë se islami i vërtetë.

Shkroi: Stop Injorancës !

Tifozi fantazëm i ndeshjes Porto - PSG

U bënë ditë që përflitet tifozi fantazëm i ndeshjes Porto - PSG që u fotografua gjatë festimit të golit të futbollistit Xhejms Rodriguez.
http://www.youtube.com/watch?feature=player_embedded&v=hs7SI-gw664

Sipas Gazetës shqiptare Shekulli, ekspertiza (cila ?) e paska verifikuar më në fund se nuk bëhet fjalë për një montazh, por për një fantazëm që nuk i bën zemra të humbasë ndeshjet e futbollit.

Në gjithë këtë katrahurë mediatike që çmendurisht gjen prehë edhe nëpër mediat serioze për të tërhequr vëmendje, një gjë është e sigurt:
"Ai djaloshi i vogël në të djathtë të fantazmës tifoz, duhet të ketë përjetuar gjendje shok-u padyshim, duke parë në mijëra fotot në internet, se kush ishte ulur përbri."
(S.I)


Këtu mund të shikoni fotot e "fantazmës":
http://comunidade.xl.pt/Record/cfs-filesystemfile.ashx/__key/CommunityServer.Components.ImageFileViewer/CommunityServer.Blogs.Components.WeblogFiles.bolanaarea/6888.fantasminha.jpg_2D00_550x0.jpg

http://www.101greatgoals.com/blog/so-it-turns-out-there-was-no-ghost-celebrating-james-rodriguezs-goal-for-porto-v-psg/

Shkroi: Stop Injorancës !

Ish- presidenti Stefanopullos: Korça është greke

Ish- presidenti i Greqisë, Kostis Stefanopullos, deklaron për herë të parë se është me origjinë nga një fshat mes Delvinës dhe Sarandës. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë punimeve të sesionit të gjashtë të Konventës Panepirote.

“Kam një krenari të madhe, të cilën nuk nguroj ta bëj publike tashmë dhe mendoj se duhet ta them që tani, kam origjinë nga E

piri i Veriut, për të cilën jam shumë krenar. Jam nga një fshat që quhet Dhrovjan, në Epirin e Veriut, një fshat që nuk e kam vizituar kurrë, gjendet mes Delvinës dhe Sarandës, dhe shpesh mendohem të shkoj atje”, ka deklaruar ai.

Ai është shprehur se për Epirin e Veriut, si grekët dhe shqiptarët kanë pretendimet e tyre kështu që: “Këto gjëra tashmë kanë mbaruar dhe nuk duhet t’i kthehemi më kohës së vjetër”, ka nënvizuar Stefanopullos në shkrimin e përkthyer nga “Shekulli”.

Ndërsa për vllehtë shqiptarë, ai është shprehur se Shqipëria duhet t’i njohë si minoritet grek nga Himara deri në Korçë.

“Vllehtë duhet të fitojnë dhe kërkojnë njohjen si minoritet grek, madje dhe me vendndodhjen gjeografike të tyre, gjeografikisht nga kufiri i Greqisë drejt krahut të Korçës. Aty ku pikërisht duhet të njihet edhe Korça si zonë minoritare, siç dihet njihen si zona minoritare në Shqipëri jo vetëm ato zona që janë njohur më herët nga qeveritë e reja dhe të vjetra, por të gjitha në bazë të ligjeve dhe konventave aktuale mbi minoritetet. Jam i sigurt se qeveria dhe shoqëria greke do të kthejë vëmendjen për përkujdesjen në drejtim të këtyre grekëve të harruar,” ka deklaruar ish- presidenti.
G. Shekulli

Me mariuanë ti bën mrekullira, me mariuanë ti je Mbret, je Perëndi!

Sipas një studimi amerikan të publikuar tek "Guardian" Jezusi i bënte spektakël hashashit, bashkë me të gjithë dishepujt e tij, (nga janari dhe deri tek dhjetori).

Sipas studimit vaji që përdorte Jezu Krishti dhe dishepujt e tij përmbante një përbërës të quajtur 'kaneh-bosem' që prej atëherë konsiderohet si ekstrakt kanabisi.

Sipas një artikulli nga Chris Bennett në revistën High Times, temjani i përdorur nga Krishti për ceremonitë përmbante një ekstrakt kanabisi.

Nën efektin e hashashit ata bënim mrekullira dhe shërime të pabesueshme.
Me shumë gjasa edhe ecja mbi ujë ka qenë produkt i kanabisit. (Shënim imi)

"Sot persekutimi i atyre që përdorin kanabis konsiderohet antikrishter",- përmbyll Bennett.

Burimi i informacionit: http://www.guardian.co.uk/world/2003/jan/06/science.religion


BBC http://news.bbc.co.uk/2/hi/health/2633187.stm
Përshtati: Stop Injorancës !

Toka foli...

Një sforco, së bashku!

Kriza e antibiotikëve dhe revolucioni në mjekësi


Vite më parë, falë kuriozitetit tim gati fëminor për çdo gjë që ka lidhje me jetën dhe sëmundjen, duke lexuar librin “Science and Religion”, më ka bërë përshtypje “beteja” konceptuale mbi origjinën e jetës ndërmjet mbështetësve të teorisë së Darvinit që mendojnë se të gjitha format e jetës kanë evoluar nëpërmjet proceseve të seleksionimit natyral dhe mbështetësve të teorisë së krijimit të botës nga një Arkitekt Inteligjent (Zoti).  Interesante është se, si argument në mbështetje të…  teorisë së tyre, këta të fundit marrin një mikrob që quhet E. Coli, përgjegjës për 90% të infeksioneve urinare. Pikërisht, struktura perfekte e këtij mikrobi njëqelizor, Flagyli i famshëm i tij, që lejon lëvizje të ngjashme me një motor uji, është aq e përkryer, aq komplekse, edhe pse nuk është bërë nga seleksionimi natyral, duke aluduar që gjëra të tilla mund të bëhen vetëm nga një Arkitekt apo Dizajn Inteligjent. Përsosmëria e tij nuk mund të jetë e rastësishme – këmbëngulin ata – duhet të jetë një inteligjencë superiore, pasi vetëm një e tillë mund të gjenerojë një mrekulli dhe përsosmëri të tillë siç është E. Coli.
Një vit më parë do të ishte pikërisht ky bakter, E. Coli, ky nxitës debatesh filozofike, që do t’i merrte jetën një biznesmeni të suksesshëm shqiptar, nga një infeksion i rrugëve urinare, ose me mirë, nga rezistenca bakteriale, edhe pse u trajtua në një nga klinikat më prestigjioze në Europë. Në dukje, e çuditshme të humbësh jetën nga një infeksion, por në fakt, një fenomen shumë i shpeshtë, pasi të paktën 40 000 njerëz, përfshirë moshat e reja, vdesin çdo vit në Amerikë nga rezistenca bakteriale duke konfirmuar atë që revista Science shpreh në një nga numrat e saj të fundit: “Betejën e radhës ndaj antibiotikëve do ta fitojnë bakteret”.
Betejë e gjatë kjo, që do të fillonte rreth një shekull më parë, ekzaktësisht 87 vjet, me zbulimin e penicilinës nga Flemingu, i cili, së bashku me Howard Florey dhe Ernst Boris Chain, do të realizonin zbulimin më të rëndësishëm të mjekësisë moderne. Rezultatet e shkëlqyera të mjekimit me penicilinë jo vetëm do t’i kurorëzonin të tre shkencëtarët me çmimin “Nobel”, por do të gjeneronin një optimizëm të paparë në luftën e përjetshme ndaj infeksioneve.
Natyrisht, edhe bakteret do të reagonin duke modifikuar profilin e tyre gjenetik, konkretizuar kjo me sintetizimin e një enzime që lidhej me penicilinën dhe e bënte atë joefikase. Shpejt (flakë për flakë) industria farmaceutike do të përgjigjej me zbulimin e një peniciline sintetike, të quajtur meticilinë, e cila do të neutralizonte mbrojtjen bakteriale dhe me të drejtë do ta çonte në qiell entuziazmin e shkencëtarëve: ”Fituam. Mbaroi era e baktereve rezistente”.
Por, siç duket, sa herë që shkenca i sfidon, pra sa herë shkenca përpiqet të sfidojë natyrën, bakteret modifikohen e kthehen akoma më të forta e më rezistente ndaj antibiotikëve. ”I’ll be back”, do të kthehem përsëri, shprehja e famshme e Shvarcenegerit te filmi “Terminator”. Realisht ato janë kthyer fuqishëm, pasi dukuria e rezistencës është një problem me përmasa gjithnjë në rritje. Pikërisht nga këto përmasa progresive të rezistencës bakteriale merr jetë pesimizmi i mikrobiologut Joshua Lederberg, mbajtës i çmimit “Nobel”, i cili shprehet se në luftën e njerëzve ndaj baktereve ”do të fitojnë bakteret”, duke çuar në fundin e dominimit të njeriut në tokë. Duhet të ketë të drejtë, nëse vazhdohet kështu.
Kemi abuzuar me përdorimin e antibiotikëve duke i përdorur ato pa kriter. Për çdo rrufë të zakonshme, dhimbje të lehtë të fytit, kollë apo temperaturë, qoftë ajo pak mbi 37 gradë, në mendjen e mjekut apo farmacistit menjëherë profilizohet lloji i antibiotikut, pa marrë parasysh se është infeksion apo virozë, fëmijë apo plak, mjaft që “të jetë brenda”. Për më tepër, edhe pacientët apo familjarët ndjehen më të qetë dhe shpesh janë ata që insistojnë për antibiotikun, duke menduar se marrja e tij do të përshpejtojë shërimin. Për çdo infeksion urinar, jo vetëm farmacisti, por edhe ekografisti nuk ngurron të të mbushë recetën plot me antibiotikë, pa menduar se pjesa më e madhe e të sëmurëve që bëjnë dializë apo janë transplantuar, në fillimet e hershme të tyre kanë pasur infeksione urinare të keqmjekuara. Pse ndodh kjo? Mungesë profesionalizmi, apo presion i dhjetëra antibiotikëve që na ofron marketingu i kompanive farmaceutike? Ndoshta të dyja bashkë.
Por, akoma më e tmerrshme është se i kemi përdorur antibiotikët edhe për rritjen e kafshëve dhe të bimëve, duke rrezikuar kështu shfaqjen e epidemive të rrezikshme pasi mendohet se bakteret e pranishme në zorrët apo dhe në mishin e këtyre kafshëve janë shumë rezistente nga mjekimi.
Kemi abuzuar e po abuzojmë me mbajtjen e kafshëve shtëpiake. I mbajmë nëpër apartamente me sipërfaqe të vogla, jetojmë me ta, flemë me ta, hamë me ta. Nëse është e vërtetë ajo që vë në dukje Calvin Schwabe në librin e tij ”Mjekësia veterinare dhe shëndeti i njeriut”, botuar pak kohë më parë në Amerikë, se mjekimi i infeksioneve është si veza e Kolombit: Kuro kafshët që të kurosh njeriun.  Atëherë, ne dhe fëmijët tanë po jetojmë frymë më frymë me burimin e infeksionit. Pasi lanë Afrikën e Lindjes për të kolonizuar tokën, njerëzit e parë do të bëheshin barinj duke mësuar të zbusnin kafshët. Por, për këtë u duhej që gjenet e imunitetit të zhvilloheshin së bashku me këtë aktivitet të ri të njeriut, për ta mbrojtur atë nga mikrobet që kishin lopët, kuajt apo delet. Më pas, me përshtatjet e njeriut nëpër qytete, me lindjen e qytetërimit – venë në dukje studiuesit e Oksfordit dhe Nju Jorkut – njeriu filloi të humbasë një pjesë të këtyre aftësive mbrojtëse  duke u gjendur i papërgatitur nga rikontakti me kafshët.
Nga ana tjetër, avionët kanë kapërcyer çdo barrierë gjeografike. Nëse nëpërmjet zogjve shtegtarë mikrobeve u duheshin muaj për të kaluar nga një kontinent në tjetrin, nëpërmjet avionëve, sot e realizojnë në pak orë. Ndërsa nobelisti Luc Montaigner shkon akoma më larg kur pretendon se duke shfrytëzuar kujtesën e ujit për ADN-në e baktereve. Nëpërmjet valëve elektromagnetike mund të kemi një përhapje të tyre brenda pak sekondash. Vitet e fundit, fokusi i studimeve të nobelistit ka qenë pikërisht ”teoria e ujit”, e zbuluar që në vitin 1988 nga Jacques Benveniste, i cili për vite ka qenë në qendër të polemikave shkencore, pasi kjo teori e konsideron ujin ruajtës të kujtesës së substancave që ka në përmbajtje. Sipas kësaj teorie, ADN-ja e baktereve jo vetëm ruhet, por dhe ndihmohet nga uji për t’u shumëzuar dhe, më pas, nëpërmjet valëve elektromagnetike, mund të emetohet në çdo cep të botës.
Nuk mjaftojnë të dhënat e mësipërme, por, pak kohë më parë, revista “Lancet”, me një titull bombastik që realisht të fut frikën, ”The crisis of no antibiotics”, (Kriza nga mungesa e antibiotikëve), do të përpiqej të shpjegonte mungesën e antibiotikëve të rinj përballë këtyre baktereve rezistente ndaj antibiotikëve. Industria farmaceutike nuk ka më interes të financojë në sektorin e antibiotikëve, këmbëngulin artikullshkruesit. Kushtojnë shumë dhe fitimet janë modeste, pasi për një infeksion të çfarëdo natyre qoftë, i sëmuri merr vetëm disa ditë, qoftë edhe javë, mjekim. Fokusi i tyre janë sëmundjet kronike ku medikamentet përdoren gjatë gjithë jetës, si diabeti, hipertensioni apo nivelet e larta të yndyrave në gjak. Gjatë dhjetë viteve të fundit, prodhimi i antibiotikëve të rinj është ulur jashtëzakonisht: nga 1940-ta deri në vitin 1962 janë zbuluar 15 klasa antibiotikësh, por që prej asaj kohe e deri më sot, këtij zbulimi i janë shtuar vetëm 3.
Siç duket, e kishte parashikuar Jack London në romanin e tij ”The Scarlet Plague”, botuar për herë të parë në “The London Magazine” më 1912-n. Një murtajë e tmerrshme shfaros njerëzimin. Ata pak që mbesin kthehen në epokën e gurit, fëmijët e tyre që tashmë jetojnë me rrënjë pemësh dhe fruta të egra e marrin vesh çka ndodhur nga një plak i vjetër që tregon gjithçka.
Edhe artet të tjera nuk kanë qenë indiferente ndaj këtij problem: ”Dita e Pavarësisë”, film fantastiko-shkencor. Bill Pullman, Mary MacDonnell. Sulmi alien është më pranë se kurrë! Me një teknologji të jashtëzakonshme ata janë gati të shkatërrojnë tokën. Tani, e vetmja armë në duart e njerëzimit mbetet dëshira për mbijetesë.
Duhet reflektuar sa nuk është vonë. Realiteti, faktet dhe fantashkenca janë larg njëra-tjetrës, por, nëse neglizhojmë, s’është çudi që një ditë të konvergojnë së bashku. E atëherë do të jetë vonë.
Megjithatë, revista shkencore më e famshme në botë, ”Nature and Science”, një zgjidhje e ka, zgjidhje kjo që kushtëzohet nga të bërit e një revolucioni biologjik, shkencor. Robespieri biologjik mendon se qeniet njerëzore nuk duhet të konsiderohen si një organizëm i vetëm, por si një superorganizëm i përbërë nga një numër i madh organizmash të vogla, edhe bakteresh, që punojnë në harmoni dhe si një pjesë e pandarë me organizmin e njeriut. Pra, sipas kësaj teorie, e cila mund të duket perverse, të konsiderohen edhe bakteret, edhe gjenet si pjesë të domosdoshme të një trupi. Industria farmaceutike duhet të prodhojë lloje të tjera antibiotikësh me parime të tjera. Aktualisht, antibiotikët janë përdorur kryesisht për të vrarë infeksionin. Në të ardhmen të kenë një funksion më fin – të manipulojnë bashkekzistencën e mikrobeve me organizmin, dhe jo t’i vrasë ato, pra të shtohen bakteret e mira në raport me të këqijat. E nëse ky revolucion do të rezultojë i suksesshëm, atëherë: Vive la révolution!

MYFTAR BARBULLUSHI - G. Panorama

Përse i duhet filozofia shoqërisë?

Përse i duhet filozofia shoqërisë?

nga Stop Injorancës më 2012-11-04 në orën 5:06.MD ·

Ta lexosh dhe ta kuptosh filozofinë
Filozofia është dashuria për dijen! Kush nuk e kupton dhe nuk e lexon dot filozofinë, padijen dhe injorancën e vet shpesh ia ngarkon filozofisë, duke e etiketuar artificialisht si një disiplinë abstrakte, që nuk ka se ç’i duhet shoqërisë, apo si një teori pa vlerë etj. Prandaj dhe ironia sokratike zë vend me thënien “Unë di një gjë, që nuk di asgjë” dhe se e keqja vjen nga padija dhe injoranca. Në fakt, këtë konstatim të keq për filozofinë e bën ajo kategori e njerëzve që as provojnë të lexojnë një vepër filozofike, aq më tepër të mund ta shijojnë atë, sepse kush lexon filozofi dhe e kupton atë që filozofia të “hap” mendjen dhe nuk mund ta lexosh pa u menduar, pa reflektuar duke t’u përpunuar dhe “sofistikuar” më tepër kështu mendimi.
Kush lexon filozofi, e shijon atë, sepse shijon atë “stërvitje” që i bën kjo disiplinë trurit dhe mendimeve të njeriut në mjaft aspekte, si p.sh. njeriu kupton si të jetojë mirë dhe duke lexuar Aristotelin me etikën e tij e gjen rrugën e të jetuarit mirë, sipas virtytit si një veti e çmuar e karakterit të mirë. Nëse zgjedh të jetosh sipas vesit, thjesht jeton si kafsha për të mbajtur frymën gjallë, por nuk jeton mirë.
Filozofia formon qytetarin, njeriun, me vullnetin e lirë
Filozofia prodhon qytetari, edukon njeriun qytetar dhe sidomos shoqërisë shqiptare me këtë përplasje sistem vlerash dhe antivlerash që përjeton sot, i duhet më tepër se kurrë përgatitja e njeriut qytetar me virtyte dhe e njeriut antikonformist. Kush lexon filozofi, mëson se rruga e suksesit nuk është konformizmi ndaj çdo pushteti por vlerat individuale që ka njeriu, energjitë e tij të pashtershme që e bëjnë atë të dobishëm për shoqërinë dhe që të kapërcejë vështirësitë.
Filozofia formon qytetarin, njeriun me mendim qytetar, antikonformist, skeptik, vetëkritikun që nuk lejon ta “tërheqin prej hundësh” as ndonjë epror me urdhra të jashtëligjshëm, as politikani “sharlatan”. Pse? Sepse sa më shumë të lexosh filozofi, aq më tepër filozofia formon dhe aftëson njeriun për të bërë një gjykim kritik, një gjykim moral, dhe duke qenë kështu i aftë të gjykosh në këto forma, sigurisht që këtë njeri me formim filozofik vështirë ta manipulosh. Me filozofi kulturojmë shoqërinë dhe me kulturë filozofike zor se manipulohet qytetari, sepse me kulturë filozofike individi gëzon autonomi mendimi.
Kush lexon filozofi, e kupton rolin e tij si individ dhe në raportin e tij me shtetin, duke kuptuar dhe krahasuar se si ai ka qenë në gjendjen e tij natyrore dhe se si u organizua me të drejtat e tij kundrejt kontratës sociale, dhe duke lexuar filozofi ai nuk bën sjellje si në gjendjen e tij natyrore duke fituar përmes seleksionimit natyror, përmes grabitjes, plaçkitjes; “rrëmbe, gllabëro, vrit dhe ik”, por bën sjellje racionale, sepse gjykon racionalisht.
Përmes leximit filozofik njeriu kupton se gjërat duhet të arrihen mbi bazë merite në marrëdhënien e tij me shtetin, dhe se gjërat duhen fituar sipas të drejtave.
Filozofia prodhon ide
Filozofia prodhon ide dhe mbi bazën e ideve, institucionet ndërtojnë filozofinë e tyre të institucioneve, kompanitë ndërtojnë strategjitë e tyre, organizatat po ashtu, dhe sigurisht, pa ide nuk mund të ketë strategji dhe zhvillim.
Filozofia dhe aktualiteti i sigurt
Aktualiteti i filozofisë është i sigurt jo vetëm se kontribuon me meritë në konstituimin e vlerave dhe kulturës së shoqërive europiane, si racionalizmi, individualizmi, liria, e drejta, të drejtat e njeriut etj., por edhe se e edukon njeriun të reflektojë me një mendim autonom përmes lirisë së mendimit dhe shprehjes. Koncepti i lirisë është aktual, pasi ka të bëjë me dinjitetin njerëzor, dhe në këtë aspekt është i lidhur ngushtë me përgjegjësinë dhe drejtësinë sot.
Filozofia si reflektim mendimi
Kush lexon filozofi, e kupton që mendimi im është mendimi im, dhe i tjetrit është i tjetrit. Se nuk ka një kriter absolut të së vërtetës që të bëjë ta gjykosh mendimin tënd të drejtë se është mendimi yt dhe të tjetrit të gabuar vetëm se mendon ndryshe nga ty. Pasi filozofia vetë është liri mendimi dhe e pranon mendimin e lirë ndryshe nga ideologjitë që janë imponim mendimi, prandaj dhe kush lexon filozofi, pranon mendimin e “tjetrit ndryshe”, atij “tjetri ndryshe” që ndan kultura, zakone, vlera, opinione, besime të ndryshme nga ty, dhe që përballon sfidën aktuale sot duke komunikuar me  “tjetrin ndryshe” edhe në kushte diversitetesh mendimi. Kjo është një sfidë, pasi përgjithësisht njerëzve u pëlqen të shoqërohemi me “të ngjashmin tonë”, dhe jo aq me të “ndryshmin tonë” apo me “të kundërtin”.
Kush lexon filozofi, kupton mendimin filozofik të Sartrit, se pse “njeriu është i dënuar të jetë i lirë”, duke kuptuar kështu që duke e “hedhur” njeriun e lirë në këtë përplasje kulturash dhe qytetërimesh, i duhet të zgjedhë rrugën e tij. Por cilën rrugë? Sipas imperativit moral të filozofit Kant, që “kryej detyrën tënde sipas moralit dhe ky është një ligj moral”, apo sipas konceptit të mbinjeriut të Niçes, që njeriu duhet t’u besojë energjive të tij të pashtershme pozitive që posedon, duke luftuar për ta rinovuar vetveten pa reshtur dhe që në sajë të vetive të tij të mund të përballojë sfidat e jetës, apo të jetë pragmatist, apo të synojë që të jetë racionalist, apo t’u besojë vetëm instinkteve të tij dhe ndjesive emocionale, apo çfarë? Filozofia të ndihmon të gjesh rrugën e duhur duke ndërtuar një filozofi tënden, së cilës do t’i besosh, dhe jo të përvetësosh atë që duan të tjerët. Filozofia ndihmon jo vetëm individin, por i shërben edhe institucionit për të ndërtuar një filozofi institucionale që i shërben kontekstit aktual.
Kush lexon filozofi, aftësohet që të “përqafojë një filozofi të tijën”, të besojë një filozofi të tijën që i shërben më së miri në të jetuarin sipas së mirës, dhe jo sipas së keqes, duke qenë konsekuent në atë filozofi që beson pa pasur frikë nga paragjykimet apo gjykimet e të tjerëve. Kështu, filozofia formon njeriun qytetar antikonformist dhe jo atë që konformohet gjithë kohën ndaj pushtetit, (sidomos atij politik).
Shumë njerëz bëjnë asocimin e filozofisë me atë filozofi që është servirur në kohën e diktaturës, por të mos ngatërrojmë filozofinë me ideologjitë, por filozofia është liri mendimi, ndërsa ideologjitë janë imponim mendimi dhe filozofia që në antikitet i ka dhënë mesazhe të vyera shoqërisë si në konceptin e të jetuarit sipas virtytit, vlerave morale, lirisë, ndërtimit të shtetit, ekzistencës, artit të të jetuarit, raportin e tij me Zotin, me botën përreth, të reflektuarit etj.
Filozofia në kurrikulat universitare
Filozofia sot në kurrikulat e degës së Filozofisë u jep njohuri studentëve në shumë dimensione, si në lëndë të tilla që shërbejnë me njohuri edhe për formimin qytetar, por janë edhe atraktive për tregun e punës, si p.sh. Filozofi politike, Etikë, Filozofi e shkencës, Filozofi e gjuhës dhe e komunikimit, Filozofi e së drejtës, Filozofi e artit, Filozofi e historisë, Filozofi e fesë, Filozofi e zgjidhjes së konflikteve, Filozofia e integrimit etj., pra një kurrikul universitare, e cila e pajis individin me kulturë të pasur filozofike, dhe sa më shumë njerëz të kenë kulturë filozofike, aq më shumë kulturohet shoqëria në tërësi, dhe aq më tepër njerëzit ngrenë nivelin e arsyes që do të thotë më tepër dashuri për dijen, më tepër dashuri për njeriun, më tepër dashuri për vlerat morale, më tepër respekt ndaj parimeve morale, më pak krime dhe sjellje devijante.
Është e pamundur që me një shkrim të shpjegohet roli i filozofisë, por të paktën t’u shërbejmë lexuesve me disa njohuri mbi filozofinë, duke shërbyer njëkohësisht edhe si një apel që sa më shumë të lexojmë filozofi, aq më tepër kulturohemi, dhe se vetë njeriu, duke lexuar filozofi, rrit nivelin e tij të të arsyetuarit dhe të menduarit në mënyrë reflektive, gjë që ndihmon në vetëkontrollin ndaj shpërthimit të ndjenjave emocionale, në menaxhimin e vetvetes, duke u sjellë kështu si një qenie racionale, dhe jo thjesht emocionale apo irracionale.
Filozofia në integrimin në BE
Po ashtu, edhe si një apel ndaj ministrit të Arsimit, që Filozofinë ta vendosë si lëndë të detyrueshme në kurrikulat e arsimit parauniversitar, ashtu siç e kanë vende të BE-së, sepse kompetencat e BE-së për edukimin plotësohen duke i dhënë vendin e duhur filozofisë, e cila formon mendimin kritik dhe reflektiv, prandaj kjo kompetencë e edukimit nuk mundet pa filozofinë.

MANDETA MINXHOZI
Shefe e Departamentit të Filozofisë, Universiteti i Tiranës Burimi:http://www.panorama.com.al/2012/11/01/perse-i-duhet-filozofia-shoqerise/


Bullgari, zbulohet qyteti më i vjetër prehistorik në Europë


Arkeologët në Bullgari thonë se kanë zbuluar qytetin më të vjetër prehistorik në Europë.
Sipas BBC, ngujimet e fortifikuara, pranë qytetit Provadia, mendohet se kanë qenë një qendër e rëndësishme për prodhimin e kripës. Zbulimi i këtij qyteti mund të shpjegojë edhe sasinë gjigande të arit që është gjetur aty pranë 40 vjet më parë.
Arkeologët thonë se qyteti ishte vendbanimi i rreth 350 njerëzve dhe daton në vitet 4700 dhe 4200 përpara Krishtit. Kjo do të thotë rreth 1500 vjet përpara se të niste civilizimi i vjetër grek.
Banorët zienin ujë nga një burim lokal dhe e përdornin për të krijuar kripën, të cilën e tregtonin ose e përdornin për të ruajtur mishin. Kripa ishte një mall me shumë vlerë në atë kohë, çka shpjegon edhe faktin pse qyteti kishte mure kaq të mëdha mbrojtëse. Gërmimet kanë filluar që në vitin 2005 dhe kanë zbuluar mbetjet e një shtëpie dykatëshe, një seri tempujsh për rituale si dhe një portë dhe strukturat e një bastioni. Është gjetur edhe një nekropolis, që përdorej për të varrosur njerëzit.
Pranë vendit ku ndodhet qyteti është bërë zbulimi i sasisë më të vjetër me objekte ari që është gjetur ndonjëherë në botë. 


Skeleti i një burri dhe 2 foshnjeve, gjetur aty pranë
Burimi: http://www.mirror.co.uk/news/world-news/the-oldest-prehistoric-town-in-europe-unearthed-1409458

Ndryshimi fillon nga ti


Leonard Dedej është 36 vjeç. Është me origjinë nga Kavaja. Që në fëmijëri ka emigruar drejt Amerikës. Kujton se atë kohë ishte 13 vjeç. Vitet kaluan, ai u arsimua dhe edukua në Londër. Studioi Menaxhim Biznesi dhe dalëngadalë ndjeu nevojën të kthehej në vendlindje. Kur u rikthye pas shumë vitesh e pati shumë të vështirë të ambientohej. Ishin dy realitete të ndryshme dhe Leonardi e kishte të vështirë të gjente veten në këtë mes. Por ajo që i bëri shumë përshtypje ishte varfëria e shumë familjeve, të cilat mundi t’i vizitonte. Kuptoi që ndryshimin duhej ta fillonte ai.E fillova nga vetja, unë mund të bëj diçka për këto familje të cilat nuk kanë mundësi të ushqehen”. Në Londër kishte takuar njerëz të varfër, por këtu janë ekstremisht të varfër. “Njerëz që nuk kanë ç’të hanë, nuk i dërgojnë dot fëmijët në shkollë, flenë në të njëjtën çati me bagëtinë... Këtu është një jetë shumë e vështirë”, - shprehet ai. Kjo e nxiti Leonardin të merrte një mision në vetvete, vetë ai do të ndryshojë diçka, për këtë qëllim punon prej tre vjetësh. Ndihmon njerëzit që kanë nevojë, njerëzit, të cilët kanë humbur shpresat për një jetë më të mirë. Aktualisht kujdeset për 15 raste të ndryshme me të cilët është takuar rastësisht apo thjesht është njohur me problemin e tyre nëpërmjet medieve vizive apo të shkruara. “Rasti i parë të cilin e kam ndihmuar e kam parë në një kronikë në televizor. Ishte një vajzë 17 vjeçe, e cila i kishte veshkat e bllokuara. Familja e saj ishte në gjendje shumë të vështirë ekonomike. Ajo ishte nga malësia e Gramshit dhe tre herë në javë i duhej të vinte në Tiranë për të bërë hemodializën. E vetmja gjë që më vajti në mendje ishte t’i dhuroja makinën time dhe ashtu bëra. Nga ana ime ishte një akt human, por që asaj i shërbeu për të kryer transportin”,- kujton rastin e parë që ka ndihmuar, i cili ka lënë gjurmë tek ai. Është ndjerë i lumtur që ka mundur të tregojë se di dhe mundte të jetë human. Leonardi udhëton vazhdimisht në qytete të ndryshme të Shqipërisë për të takuar personazhet e tij. “Kam parë raste nga më të ndryshmet. Njerëzit vërtetë vuajnë shumë, për gjërat më elementare. Ajo që bëj unë është diçka që më jep forcë dhe më bën të ndihem mirë, e bëj në kuadrin humanitar dhe njerëzor. E dyta ne kemi nevojë të shikojmë akte humanitare dhe pozitive në shoqërinë tonë që fatkeqësisht për shkak të politikave anti-sociale jemi kthyer në një shoqëri ku dominon anti-vlera. Shqiptarët mbartin shumë vlera në vetvete dhe ka ardhur koha t’i tregojmë këto vlera, sepse jetesa është bërë shumë e vështirë dhe është e domosdoshme t’i zgjasim dorën njëri-tjetrit”,- shprehet personazhi ynë. Në fakt Leonardi nuk është pjesë e asnjë shoqate humanitare. Çdo gjë e bën me iniciativën e tij dhe duke shfrytëzuar të ardhurat personale. Ato që ai ka mundur të fitojë ndër vite i shpenzon duke ndihmuar ata që kanë nevojë. Aktualisht kujdeset për 15 raste në tërësi, të cilat kanë probleme të ndryshme. Një ndër rastet e tij është edhe një vajzë vetëm 7 vjeçe e cila vuan nga leucemia. “Ndoshta unë nuk mund të bëj shumë, por bëj aq sa mundem. U blej ilaçe atyre që janë të sëmurë, dhuroj ushqime dhe aty ku është e domosdoshme edhe një sasi parash. Nuk e bëj se jam i pasur, por sepse e ndjej se kjo është gjëja e duhur”. Projektet e Leonardit janë të shumta dhe janë kryesisht në fushën e sensibilizimit dhe humanizmit. Ndërsa kur e pyesim për projektin më të madh të tij ai përgjigjet: “Të ndryshojmë Shqipërinë për më mirë”. Kërkon që njerëzit të jenë më të kujdesshëm ndaj atyre që kanë nevojë por edhe të ngrënë zërin kur të drejtat e tyre shkelen. Të jenë aktiv, në mënyrë të veçantë të rinjtë pasi ata janë e ardhmja e vendit
Çast i vështirë
Një nga rastet që Leonardit i ka ngelur në mendje është një familje në Mat. Familja përbëhej nga katër pjesëtarë, fëmijët ishin të vegjël, 8 dhe 10 vjeç. “Do më mbetet gjatë në mendje kjo familje për kushtet katastrofike në të cilat jetonte. Me shumë vështirësi hanin një vakt bukë në ditë dhe shtëpia e tyre ishte gati për t’u rrëzuar për shkak të amortizimit. Por më e keqja ishte se këta fëmijë jetonin dhe flinin bashkë me bagëtitë, në të njëjtën dhomë... Çfarë të të them , nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë”. Pikërisht momente të tilla e bëjnë Leonardin të ndihet i pafuqishëm, sepse kjo familje ka nevojë për shpi, për punë... dhe ai nuk mund t’ia plotësoj. “Mund ta ndihmoj me një shumë para, por kjo nuk e zgjidh gjendje e tyre përfundimisht”.  Shekulli Leonard Dedej është momentalisht Drejtori ekzekutiv i forumit “Rinia Aktive”http://www.riniaaktive.org/