Babagjyshi i Vitit të Ri ka mijëra vjet që ekziston dhe shpërndan
dhuratat e tij tek fëmijët e gjithë botës. Por padyshim nuk ka sesi
babagjyshi t'iu japë dhurata ju të rriturve që gjatë gjithë vitit
mundoheni ti nxini vitet njëri-tjetrit. Nuk ju mbetet asgjë tjetër veçse
ta urreni dhe ta mohoni Babagjyshin e Vitit të Ri.
Por përsëri ne
fëmijët as nuk iu lusim ta besoni Babagjyshin, as nuk ju detyrojmë të
faleni çdo ditë para Pemës së Vitit të Ri, as nuk ju tallim e nuk ju
mallkojmë që t'iu shkelin drerët me këmbë dhe as nuk trokasim në dyert
tuaja me libra mbi Babagjyshin nëpër duar.
Ju e nisni edukimin ndaj
nesh me gënjeshtra që kur jemi të vegjël duke na vendosur një biberon
fals në gojë për ta mbajtur atë burimin tonë të qumështit, për veten
tuaj.
Ju quajnë të rritur, ju quajnë të maturuar, por as një Babagjysh nuk e di pse-në!
Ne fëmijët kur zihemi të nesërmen kemi harruar e jemi pajtuar, ndërsa ju kur ziheni arrini deri në çmendurira.
Jeni aq perversë sa herën e parë kur na shikoni na pyetni se kujt i
ngjajmë, por fiskojeni njëherë e mirë që ne i ngjajmë vetëm vetes sonë.
Po sa të ligë duhet të jeni kur pyetjen e parë që na bëni është se cilin prej prindërve duam më shumë?!
Ne fëmijët shpërndajmë letra urimesh e miqësie me të gjithë fëmijët
anembanë botës, kur ju të rriturit nuk flisni me komshiun, me kolegun e
punës, me motrën apo vëllain tuaj.
Ju na mësoni se si lodrat mos ti
ndajmë me shokët, ju na mësoni se si atij që na godet, t'ia kthejmë
2-fish pas dhe të mos kemi besim asnjëherë tek askush. Na kërkoni t'iu
rrëfejmë gjithçka dhe nga ana tjetër flisni fshehurazi nesh nëpër shtëpi
nga frika se mos ju dëgjojmë, sepse ne nuk kemi turp ti themi të gjitha
ato që mendojmë dhe ashtu siç i mendojmë, ndërsa ju ballë për ballë
takoheni e përqafoheni e pas krahëve shaheni e mallkoheni.
Ne
fëmijët gjejmë gjithmonë diçka me çfarë të merremi, ndërsa ju të
rriturit zakonisht ju sheh me këmbë përmbi këmbë. Ne nuk dorëzohemi kur e
duam diçka, paçka se detyrohemi të shtrihemi edhe përdhe duke qarë për
të. Ju i gjeni 1000 arsye pse nuk mundeni, para se të guxoni. Ne jemi
gjithmonë të qeshur, juve ju shqetësojnë qeshjet e njëri-tjetrit.
Ne nuk pijmë alkool, duhan apo drogë, por dehemi në çokollata, akullore e limonata.
Ne fëmijët edhe pse luajmë gjithë ditën me njëri-tjetrin kurrë nuk na
shkon mendja tek budallëqet. Ju të rriturit mjafton t'iu shikosh kur
ngjisheni nëpër urbanë.
Shikoni gjithë ditën në televizor lajme nga
bota që ju mërzisin dhe ndiqni deklaratat e njerëzve që nuk i doni. Ne
fëmijët shikojmë vetëm filmat që na pëlqejnë.
Futeni në mendje njëherë e mirë se nuk mund të na kultivojë dashurinë një edukatore që nuk na përkëdhel asnjëherë me dorë.
Nuk mund të na mësojë korrektësinë një mësues/e që kur mungon mungon pa arsye dhe kur vjen në mësim është gjithmonë me vonesë.
Nuk mund të jetë një prind i dytë për ne fëmijët një mësuese që bën një
shpjegim të çalë me qëllim që ne të rregjistrohemi në kurset private të
saj.
Nuk mund të na tregojë bashkëbisedimin një baba nevrik që
ndërpret e nuk i le rradhë të flasë as gruas së tij e aq më pak të na
mësojë si të organizojmë kohën një mama që ditën e kalon në parukeri e
netët i gdhin në internet.
Mjaft u munduat të na impononi ne fëmijëve atë botën tuaj të kalbur e të krimbur. Ne jemi e ardhmja, e ju e shkuara!
Dhe mjaft u ankuat se punoni për ne, që të na siguroni një shtëpi përrallash. Ne duam vetëm një shtëpi ku jetojnë njerëz.
Nuk ju kërkuam të na sillni në jetë, ndaj na lini të jetojmë fëmijërinë tonë, si fëmijë.
Babagjyshi është i vërtetë. Ju ta shpifni!
Shkroi:
Stop Injorancës !
http://youtu.be/0kRAKXFrYQ4