Monday, January 24, 2011

Përse e hodha gurin tim më 21 janar?

- Sa nga 180 sindikatat e rregjistruara në Shqipëri kanë protestuar ndonjëherë për të drejtat e grupeve të tyre të interesit?
- Sa organizata e OJQ?
- Sa njerëz kanë mbështetur protestat e ambjentalistëve, rrënimin e monumenteve natyrore e kulturore, dhunën e grave?
- Sa njerëz kanë protestuar për skandalin qeveritar në Gërdec, ku humbën jetën 26 qytetarë shqiptarë e qindra të tjerë u plagosën?
Shikoni pjesmarrjen qytetare...
- Sa qytetarë kanë mbështetur protestat kundra çmimeve stratosferike të kompanive telefonike në Shqipëri?
- Sa qytetarë kanë protestuar për rritjen abuzive të çmimit të bukës, të energjisë elektrike, të karburantit, të gazit, të të gjitha produkteve ushqimore, etj, etj?

Përgjigjen e dimë të gjithë.

A mos vallë jemi vendi më i lumtur në planet?
A jemi vallë qytetarët me nivel jetese më të lartë, nën rregjimin më ideal të krijuar ndonjëherë nga shoqëria njerëzore?

Sot për sot në Shqipëri, mundësinë dhe aftësinë për të organizuar protesta e demostrata e ruajnë ekskluzivisht vetëm forcat e ndryshme politike, të cilat me anë të damarëve të tyre mund të thërrasin  e lajmërojnë njerëz edhe nga zona më e pashpresë e Shqipërisë, atje ku infrastruktura e qytetërimi nuk ka mbërritur ende. Ky është një fakt i pakundërshtueshëm. Vetëm politika mund të përdorë apo zgjojë njerëz.

Shoqëria civile, në Shqipëri ka vdekur edhe nëqoftëse në disa momente të caktuara historike mund të ketë lindur.

Askush pra të mos tentojë të gjykojë njerëz që protestojnë, askush prej atyre që ato pamje i kanë ndjekur virtualisht.

Banditë, kriminelë, hajdutë, puçistë e mercenarë janë të gjithë njerëzit me qëndrim indiferent, që nuk janë ndërgjegjësuar për rolin e kontributin e tyre në shoqërinë ku bëjnë pjesë.

Do ti pështyj në surrat të gjithë ata frikacakë e njerëz të vegjël që u përpoqën dhe ende tentojnë të përbaltin shqiptarët që demostrojnë, shqiptarët e pakënaqur, shqiptarët që duke jetuar në një vend të begatë marrin asistencë 2 karta telefonike në muaj, shqiptarët që shpresojnë, besojnë e luftojnë për ditë më të mira për të gjithë bashkë.

A mos vallë ato miliona euro para të pista të korrupsionit elitar rëndojnë vetëm mbi xhepat dhe fëmijët e njerëzve që protestojnë? A mos vallë të vjedhësh, të gënjesh, të abuzosh e të mbrosh krimin paska hyrë tek kategoria e vlerave?
A mos vallë ky realitet gri do të lodhë vetveten e do të ndryshojë vetëvetiu?

Ajo demostratë ishte një shpresë që Shqipëria po rilind, që njerëz që mjerimi u ka mbetur në grykë e padrejtësia u dhemb gjer në palcë u bashkuan për ti thënë Stop kësaj talljeje kombëtare, kësaj parodie dhimbjeje e hipokrizie, këtij sistemi të ndyrë që na ka korruptuar deri në shpirt dhe ende nuk ndalet duke na përbuzur.
Nuk quhen drejtues njerëzit që drejtojnë shtetin shqiptar, quhen vartës, të varur direkt nga vullneti i popullit, i cili ashtu si i ngre të kryejnë detyrën në shërbim të tij, po ashtu i zbret, i rrëzon në raste të ndonjë rezistence kokëfortë e qesharake.

Protesta e demostrata të tilla ka në gjithë botën e qytetëruar ku përpiqemi të shkojmë, sepse protesta dhe demostrata është e drejtë e pamohueshme e të gjithë njerëzve të planetit. Nëpërmjet tyre dhe presionit që ato ushtrojnë bien diktatura, ligje të gabuara, figura të shtrembta e të korruptuara. Me anë të demostratave kanë fituar të drejtat njerëzit me ngjyrë, gratë, e qindra e qindra shoqëri të ndryshme anembanë globit.

Në një Shqipëri ku ende festohet Festa e 1 Majit, sponsorizuar nga shteti, mbushur forcërisht me punonjës së administratës shtetëtore, nuk mund të flitet më për demokraci. Në një Shqipëri ku hipokrizia ka mbytur vlerat dhe korrupsioni meritokracinë, duke vënë një shkop të trashë në rrotën e zhvillimit, nuk mund të flitet për drejtësi.
3 qytetarë shqiptarë dhe pikërisht Hekuran Dede, Faik Myrto dhe Ziber Veizi kanë humbur jetën në një demostratë të rëndomtë që ndodh në çdo shtet të sotëm europian dhe një kryeministër faqezi dhe shkaktar i të gjitha fatkeqësive postkomuniste del dhe gënjen pa iu dridhur qerpiku para të gjithë botës së qytetëruar.

Ky kryeministër është kudo dhe di gjithçka. Ai ka dhe luan cilindo rol që ia jep ajo mendje e shkretë, prokuror, gjykatës hetues, thashethemexhi, e gjithçka të dojë.
Ai deklaroi para të gjitha mediave shqiptare e të huaja, fill pas mbylljes së përgjakshme të demostratës, se viktimat ishin qëlluar me plumba nga afër, pas kokës e bythë veshit nga vetë protestuesit, për të ndezur situatën.

A e kuptoni se deri ku arrin pafytytyrësia dhe mizoria e këtij diktatori?

Po ashtu siç doli dhe mbrojti turpërisht e në mënyrë kriminale skandalin filmik Meta-Prifti (fitilin e kësaj demostrate), me të njëjtën djallëzi shkon dhe mbron ende vrasësit e 3 heronjve të parë, të fundit të tij.

Në asnjë vend të botës së qytetëruar nuk vriten demostrues, edhe sikur këta të fundit të hyjnë  e djegin institucionet shtetërore, sepse shteti nuk është pronë private dhe jeta e një qytetari vlen më tepër se çdo institucion guri e tulle. Në asnjë vend të botës kryeministri nuk del të mbrojë kriminelët e të pështyjë mbi të vrarët, pabesisht.
Këtë nuk e kreu as miku i tij Ramiz Alia, kur qytetarët u dergjën të hidhnin bustin e ish diktatorit Hoxha.
As Fatos Nano nuk përdori armë, kur Sali Berisha me arkivolin e heroit të demokracisë në krahë, e tanqe pas krahësh dogji, shkrumboi e rrëzoi kryeministrinë në një grusht shteti.

Kaq i pabesë është ky njeri, sa arriti të përdorë edhe të vdekur A. Hajdarin, të cilin sa ishte gjallë kish bërë çmos për t'a shkelur.

Kush iu tha more njerëz hipokritë, të ndyrë, injorantë fondamentalë, se ndokujt në këtë botë i pëlqen dhuna?

Cila është ajo paqe në botë, e cila është ngritur pa dhunë?

Si mundet vallë ky popull të shprehë vullnetin e tij, nëse votën ia vjedhin, ia djegin, nëse zërin ia mbytin, nëse mendjen ia infektojnë, nëse i shkatërrojnë çdo nyje ku mbahet një shoqëri demokratike. Si mundet vallë qytetari të gjejë drejtësi kur prokuroria e gjykatat e kanë humbur pavarësinë?

Ky diktator është më i keqi që prej periudhës otomane në Shqipëri. Ky përbindësh quajti sharlatan zotërinë e nderuar M. Pasha, i cili i vetëm mbrojti në Gjykatën Kushtetuese tradhëtinë kombëtare të dhurimit të ujërave detare me shtetin grek.

Si e shpjegoni që Z. Pasha ky akt qytetarie i pashembullt e shpalli Personazh të Vitit dhe kryeministri shqiptar e quajti sharlatan?

Cilat interesa mbron e shfaq Berisha?

Si tallet me këtë popull me shpërblime për gardistët (praktikisht jo profesionalë) dhe la gjithë pensionistët pa shpërblim për Vit të Ri?
Po rekruton mercenarë kundra popullit shqiptar?

Si tallet ky skizofren me mitingje kundra dhunës? Kundra asaj dhune të cilës i doli avokat mbrojtës.

E duhet të dini se ndërkombëtarët nuk na duan kurrë më tepër se sa ne, duam veten.

Unë i kam ende shenjat e shkopave të gomës në shpinë dhe në brryl, për të mbrojtur kokën, por gurin tim e hodha ndaj këtij shteti, jo ndaj policëve të gjorë.
Ato gurë që hodha, i hodha edhe për të drejtat e atyre policëve, që nuk kanë gojë të flasin nëse rroga u vonohet, nëse vështirësitë e punës nuk iu shpërblehen, nëse kontrata e punës iu shkelet dhe ata nuk mundet të gjejnë një vend ku të kërkojnë të drejtat e tyre.
Pjesmarrja qytetare në homazhet e 3 të rënëve të parë, të hapit të fundit drejt demokracisë, ishin panorama e qartë e ndërgjegjësimit qytetar. Ngushëllime dhe shkoftë deri në fund kauza e tyre!

113 qytetarë shqiptarë (ku mes tyre, për fare pak, mund të isha edhe unë) janë arrestuar nga ky rregjim dhe shumica prej tyre mbahen padrejtësisht brenda qelive, ku mbi ta ushtrohet dhunë e njëtrajtshme, në mënyrë krejt të paimagjinueshme për një shtet demokratik. Ata janë të burgosur politikë, në një sistem totalitar.

Shqipërët, sot duhet të tregohen vëllezër e motra me njëri-tjetrin dhe të nxjerrin para drejtësisë shkaktarët, që nuk po iu dridhet syri t'a sakrifikojnë këtë popull, duke e çuar në një luftë civile.
M O S   U   P E R D O R N I !
Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Mos ma vrit fëmijën zoti kryeministër!

Mëngjesi lindi si fëmijë. Qante shtruar. Piklat e ngrohta që derdheshin trotuareve zbusnin dimrin. Hapat trokisnin njëlloj; shkonin-vinin, iknin dhe mbeteshin po aty. Askush nuk dinte gje për varret.
Ishin hapur e prisnin. Piklat derdheshin qetesisht mbi to.

Nuk e di ende zoti kryeministër, nese dita lindi vajzë apo djalë. E çfarë rëndësie ka kjo. Orët po i prisnin kërthizën, kur filloi të ecë. Më beso, nuk po qante më nga orët e drekës. Dielli edhe pse ishte zhdukur qiellit dhe tavolinës së punës tënde, ishte diku lart.
Nuk guxonte të zbriste poshtë dhe t’i ndërronte pelenat. Herë-herë, djali apo vajza-ditë shurronte. Si çdo ditë-fëmijë tjetër Zoti Kryeministër. Jam dëshmitare për këtë. Jemi të dy bashkë dëshmitarë, të paktën në këto 20 vitet e fundit. Ua kemi ndërruar njëlloj pelenat. Veçse TI i ke hedhur tutje pa u kujtuar për to. Une i kam akoma palosur në komonë e mendjes. Jemi nunë të mëngjeseve-fëmijë që nuk u rritën. Mos thuaj jo. Mbase do të doje që të ishe vetëm TI. Por ja qe nuk je.

Erdhën të pisët, Zoti Kryeministër. Dhe fëmija i djeshëm. Ishte i pakët, i zverdhur, i palarë, i pagjak që në lindje, i pa shpresë për të ecur. E pashë vetë fëmijën që edhe dje u shua paemër. E pamë bashkë. Ndryshe nga TI dhe NUNET e tjerë që ke rrotull, veshur me ngjyrë blu apo rozë, unë nuk dija gjë për varret.

U druhesha atyre prej kohësh. Dhe atëherë kur TI nuk ishe Kryeministër, por pranë Oborrit që pagëzon djalë apo vajzë-ditët. Vonë pasdite fëmijës i mbyllëm sytë. E mbështollëm me qefin të kuq. Po po të kuq dhe së bashku e dërguam tek varret. Kortezhi ishte i gjatë. E çfarë rëndësie ka se kush u bëri ftesën. Ishte kurbani JOT dhe Oborrtarëve të këtij vendi. Nuk dua tua them emrat. Emrat tuaj i kam fshirë me kohë. Më duhet që të të thërras thjesht Kryeministër.

Fëmija-ditë ishte se një vajzë afrikane, më e bukura e fisit dhe duhej medeomos të ngjyhej me të kuq. Duhej medeomos të bëhej fli dhe të shtriqej në ato varre.  
E pe kortezhin Zoti Kryeministër?
Çirrte flokët. Të shante TY. Dhe jo vetëm Ty. Të tjerë që nuk ishin në atë kortezh të mburrnin TY, për të sharë atë TJETRIN.
 Por i gjithi një Popull-Fëmijë ishte aty. Më beso për këtë. Mos beso gjithnjë veten. Pamë së bashku sesi u shkulën trotuaret. Sesi copat e kalldrëmta goditën mbi muret e zyrës TËNDE. Mos thuaj që nuk i pe. Mos thuaj që dita-fëmijë ishte mallkim. Mallkimin duhet ta shohësh nganjëherë dhe nga vetja Zoti Kryeministër. Se fëmija, vajzë apo djalë, lindi i uritur. Nuk mundi të shkonte në Europë. Me vizën që ia dhurove TI, nuk mbërrin deri tek furgoni i fshatit apo i lagjes. Më beso për këtë Zoti Kryeministër. Unë vetë nuk mund t’i gëzohem asaj vizës TËNDE. E çfarë rëndësie ka viza. As që më bie ndërmend për të. E harrova kur pashë fëmijë, burra, gra dhe pleq të pjekur në fytyrë nga ai gazi që ua lëshove para dyerve të Kryeministrisë. E harrova, kur pashë shumkënd me kokë të çarë dhe të gjakosur. Qava dhe vetë nga shtëllungat e tymit të zi, Zoti Kryeministër. Nuk kisha qarë ashtu, veçse sa kisha parë nëpër filma. Doja të vija tek zyra JOTE dhe të të tregoja lotët dhe qyrrat që më shkonin, doja të të thoja mos e vrit FËMIJËN. Ndërkohë, e kishe vrarë Zoti Kryeministër.

Thua se nuk e ke zemrën e keqe. Dua të të besoj Zoti Kryeministër. Mos më thuaj se ai funeral ishte njëlloj si çdo funeral tjetër. Nuk mund të jetë kështu gjithmonë Zoti Kryeministër. Nuk mund të jetë kështu as për ZOTAT e tjerë. Duhet të më besosh për këtë. Të paktën beso njëherë të vetme se dhe ti linde FËMIJË!  

Mos ma vrit FËMIJËN ZOTI KRYEMINISTËR!

Nga:Trendafile Visha

Friday, January 21, 2011

Demonstrata e 21 janarit

Demonstrata e paralajmëruar nga opozita për ditën e premte më 21 janar nuk do të jetë njësoj si organizimet e mëparshme të saj.
Ajo ndryshon nga emri, demonstratë dhe jo protestë, nga mënyra se si do të fillojë me grumbullimin dhe njerëzve dhe si do të vazhdojë më tej.

Në këtë rast nuk do të ketë një pikë takimi të caktuar, por demonstruesit do të grumbullohen në orën dy në rrugë të ndryshme të kryeqytetit për t’u drejtuar më pas në bulevardin “Dëshmorët e kombit”.

Një tjetër ndryshim me organizimet e mëparshme është fakti se këtë herë në vendin ku do të bashkohen turmat në bulevard nuk do të ketë të vendosur asnjë qendër zëri, podium apo gjithçka tjetër që ka të bëjë me formën normale të manifestimeve të shkuara.

Në demonstratë nuk do të ketë fjalime nga krerët e opozitës, çka në një mënyrë është pohuar në daljet e fundit edhe nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i cili ka theksuar se PS dhe opozita do të jenë në rrugë bashkë me njerëzit jo si drejtues, por si pjesë normale e popullit.
Në demonstratë nuk do të ketë flamurë partiake apo pankarta forcash të ndryshme pasi, sipas organizatorëve, ajo do të jetë tërësisht jo për marrje pushteti politik, ndaj i është bërë thirrje për t’u bashkuar jo vetëm të majtëve, por edhe të djathtëve.

Një tjetër ndryshim me organizimet e mëparshme është fakti se kjo demonstratë nuk parashikohet të paktën deri në këto momente të jetë maratonë, pra të zgjasë me ditë.

T. Channel

Prifti: Kam frikë të vazhdoj i vetëm

Ish-ministri i Energjitikës, Dritan Prifti ka deklaruar se do t’i shkojë deri në fund denoncimit të aferave të paligjshme që mbajnë firmën sipas tij të Ilir Metës.

“Është një betejë historike kundër korrupsionit, për një politikan të korruptuar që me tre vota mban në këmbë qeverinë më të korruptuar dhe më hajdute që po rrënon popullin”, ka pohuar Prifti.
Sipas tij, justifikimi i Metës dhe i qeveritarëve të tjerë se videoja është e montuar janë një farsë.

“I vetmi justifikim i Metës dhe qeveritarëve të tjerë është se videoja është një montazh. Ata nuk guxojnë të përballen me të vërtetën që zëvendëskryeministri i vendit bën afera duke ofruar 7%, ose bën anulimin e një ankandi, atë të naftës, që të fitojë miku i tij”, është shprehur Prifti.

Ish-ministri ka theksuar se videoja është tërësisht orgjinale dhe këtë e vërteton transmetimi i saj nga Top Channel, ku nuk ka pasur asnjë ndërprerje.

“Videoja që unë kam regjistruar është e paprekur dhe e pamanipuluar. Loja e montazhit nga Meta bëhet vetëm për të fituar kohë, për të blerë mediat dhe drejtësinë. Unë mbaj përgjegjësi morale, politike dhe penale nëse videoja është sadopak e prekur. Për fat të mirë, regjistrimi tregon orën dhe sekondat dhe kur TCH e dha të plotë, asnjë sekond nuk lëvizi. Prandaj, nuk ka nevojë për prokurorë nga Amerika apo Evropa, pasi shqiptarët e kanë orën në ekran”, ka nënvizuar Prifti, i cili ka reaguar edhe ndaj akuzave të bëra dje nga Meta në Parlament.

“Ka nxjerrë edhe një shënim që unë kam bërë një memo muaj para videos. Unë për shkak të hetimit nuk i bëj publike datat. Nuk ka asnjë jurist, nuk ka asnjë shans që ai të gënjejë shqiptarët”, ka theksuar Prifti.

Ai ka paralajmëruar se në ditët e ardhshme do të dorëzojë në prokurori materiale të reja që tregojnë pasuritë e paligjshme të Metës, brenda dhe jashtë vendit.

“Unë këto ditë do të shkoj sërish në prokurori me një dosje të re për Metën, ku do denoncoj aferat e tij në 3 muaj kur unë kam qenë ministër. Ai ka bërë kërdinë. Do tregoj pasuritë e tij të paligjshme brenda dhe jashtë Shqipërisë”, ka deklaruar Prifti.

Ai ka ripohuar se qeveria aktuale është më e korruptuara dhe ka ritheksuar se koalicioni mes PD dhe LSI-së duhet të prishet sa më parë.

Sipas Priftit, korrupsioni mban në këmbë qeverinë aktuale, me Metën që i bën shantazhe Berishës me votata e tij në Parlament.

“I bëj thirrje edhe Berishës që të vërë interesat e kombit mbi të tijat. Koalicioni me LSI duhet të prishet. Mjaftojnë vetëm provat e mia që ky koalicion të prishet. Meta i bën shantazhe Berishës me 3 votat e tij në Parlament. Meta e di që nuk e voton më njeri partinë e tij dhe po përgatitet të blejë votat në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar Prifti.

Më tej ai ka folur edhe për një marrëveshje të fshehtë që Meta kishte bërë me Ramën, përmes komunikimeve të fshehta me sms.

“Meta ka pasur marrëveshje me Ramën, por nuk mendonte që vota ime do të ishte për PD-në. Kam një sms në celular. Meta dhe Rama komunikonin me sms përmes një korrieri dhe ajo thotë: “Vëlla, si e degjeneruam Tan Priftin do t’ia u bëjë të gjithëve sepse janë të korruptuar”. Por pasi unë ia dhash votën time PD-së, Meta ndryshoi qëndrim”, ka shtuar Prifti.

Por nga ana tjetër, ai ka bërë të ditur se edhe vetë ka komunikuar me Ramën dhe nuk e ka përjashtuar një bashkëpunim të mundshëm me PS.

“Jam takuar me zotin Rama dhe me disa deputetë të PS. Kam disa variante, të bashkohem me PS, të krijoj një forcë të re opozitare, si dhe të largohem nga kjo politikë e qelbur dhe të shoh hallet e mia”, ka shtuar Prifti.

Por ai ka kërkuar mbështetje për t’i shkuar më tej kësaj cështjeje, pasi përpara ka shumë rreziqe. “Unë po bëj një politikë opozitare dhe kam nevojë për mbështetjen e të gjithëve.  
Po bëhet një plan për eleminimin tim fizik”, është shprehur ai.

T. Channel

Intervistë ekskluzive e Dik Martit

Dik Marti është me origjinë nga Tessina. Është këshilltar në Këshillin e Kantoneve (i përbërë nga përfaqësues të Kantoneve të Zvicrës). Më parë ka qënë këshilltar Shteti. Gjithashtu, ai ka pasur një karrierë të rëndësishme si Prokuror i përgjithshëm dhe parapëlqen veçanërisht dosjet e ndjeshme, siç ka qenë për shembull raporti mbi burgjet sekrete të CIA-s, i bërë publik më 2006.
Ai është një personalitet shumë i respektuar në Zvicër, e gjithashtu edhe në shkallë ndërkombëtare. Prej vitit 2010, është kryetar i Këshillit të Universitetit të Neuchatelit, si dhe është emëruar kryetar i Asamblesë ndër-jurasiene, një punë që nuk është e lehtë në konteksin e Zvicrës. Në  intervistë ai përgigjet për akuzat që ka ngritur ndaj disa pjesëtarëve të UÇK-së dhe Hashim Thaçit.

Rraporti juaj shkaktoi polemika të shumta, dhe në vend që të shuhen, ato vazhdojnë të shtohen, në lidhje me akuzën sipas së cilës, përgjegjësit politikë kosovarë janë të përfshirë në trafikimin e organeve. Por para se të hyjmë në thelbin e debatit, në hyrjen e raportit tuaj ju i referoheni Rezolutës 1244 të OKB-së. Ndërkaq, ajo (rezoluta) nuk përbën më ndonjë referim as edhe për Beogradin. Për më tepër, në verën e vitit 2010, me kërkesë të shtetit serb, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës dha mendimin e saj, duke vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare. Pyetja jonë është kjo: pse nuk flitet në raportin tuaj për GJND, dhe as lidhur me nocionin e Shtetit të Kosovës; përveç kësaj, ju flisni për administrim të kosovarëve?
-Në radhë të parë, më lejoni t’ju falenderoj që më dhatë mundësinë që t’iu drejtohem qytetarëve dhe qytetareve të Kosovës dhe të Shqipërisë, shqiptarëve në përgjithësi. Kështu unë jam shumë mirënjohës për rastin që më jepet, sepse mendoj se është e nevojshme që disa pohime dhe përshtypje të korrigjohen.
Ky raport dhe veprimtaria ime, dhe për këtë ju siguroj, nuk kanë qenë kurrë dhe nuk  duhet kuptuar kurrë si diçka kundër bashkësisë kosovare, ose kundër bashkësisë shqiptare. Në të kundërtën, unë mendoj se jam përpjekur të bëj një punë që më ishte kërkuar. Nuk e kërkova unë këtë mandat, por u ngarkova për ta kryer atë. E bëra me ndërgjegje të plotë. E di se kërkimi i së vërtetës mund të shkaktojë dhembje, mirëpo kurrë nuk kam pasur për qëllim të kritikoj, dhe aq më pak ta kriminalizoj një bashkësi. Kam shumë miq dhe të njohur kosovarë dhe shqiptarë. Shumë prej tyre jetojnë në Zvicër dhe Zoti e di, por unë nuk kam pasur asnjëherë ndonjë problem me ndonjërin nga Kosova apo Shqipëria. Kam pasur vetëm marrëdhënie respekti dhe miqësie.

Por pikërisht Z. Marti, pjesa më e madhe e kritikave vijnë nga qarqet politike, por edhe nga shoqëria civile kosovare dhe qarqe të ndryshme, duke përfshirë edhe ato akademike, të cilët ju kritikojnë se jeni autor i këtij raporti, ndërkohë që më parë qëndrimet tuaja politike ishin kundër, përsa i përket ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Pra, sipas jush, a është i justifikuar mendimi politik kosovar dhe shqiptar, që ka shprehur dyshime serioze lidhur me paanshmërinë tuaj?
-Mendoj se edhe këtu është një keqkuptim. Unë kam shprehur vetëm kritika të natyrës esencialisht juridike. Më pati ardhur shumë keq që ndërhyrja e NATO-s nuk qe kryer në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, domethënë me mbështetjen e Këshillit të Sigurimit.Është aq e vërtetë, sa që Zvicra pati ndaluar fluturimin e aeroplaneve mbi territorin e saj, sepse kjo nuk ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kur e them këtë, unë isha gjithashtu i bindur se duhej ndërhyrë në Kosovë. Se politika kriminale dhe e marrë e Milosheviçit, e pastrimit etnik, ishte krejtësisht absurde. Ja përse unë mendoja, dhe mendoj përsëri, se nëse do të ishin bërë gjërat në mënyrë të qartë nga pikëpamja juridike, do të kishim pasur shumë më pak polemika.
Përsa i përket pavarësisë, unë nuk e kam kundërshtuar asnjëherë pavarësinë si të tillë, kam kundërshtuar dhe kritikuar nga pikëpamja juridike, duke u mbështetur në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, bazuar mbi vlerësimet juridike të profesorëve të njohur ndërkombëtarisht, që na patën dëshmuar se mënyra se si ishte shpallur pavarësia nuk ishte krejtësisht korrekte. Dhe unë mendoj se, nëse kjo pavarësi, të cilën nuk e kundërshtoj si të tillë, po të ishte përgatitur ndoshta më mirë, ne do të kishim shumë më pak probleme dhe ndoshta popullsia kosovare do të kishte mundur të jetonte më mirë. Pra unë vura për diskutim dhe kritikova kushtet e veçanta dhe jo thelbin. Përveç kësaj, një nga kritikat e mia mbi modalitetet e veçanta, fatkeqësisht, u dëshmua.
Unë kisha thënë se kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm, sepse do të ketë nga ata që do t’i referohen këtij precedenti. Kjo ndodhi me Abkazinë dhe Osetinë e Jugut, të cilat, me të drejtë, ose pa të drejtë, iu referuan këtij precedenti. Mirëpo po e përsëris, nuk është pavarësia si e tillë, por unë kritikova mënyrën se si u vendos ajo. Do të kisha preferuar më tepër që të jenë kosovarët ata që do të kishin vendosur vetë, dhe jo që ky vendim të ishte marrë nga Uashingtoni, Berlini apo Parisi.
Gjithashtu, jam po ashtu paksa kritik për këtë gjendje perfuzioni që ekziston tani me ndërkombëtarët në Kosovë. Mendoj se kosovarët do të ishin në gjendje të bënin shumë më shumë gjëra vetë dhe atje do të kishte më pak efekte negative, se sa me këtë prani të madhe ndërkombëtare.

Me të vërtetë ju keni thënë se deklarata e Pavarësisë nuk ka qenë vendosur në Prishtinë, por në fund të fundit ajo çoi në një seri marrëveshjesh …
-Dëgjoni. Unë nuk e vë më Pavarësinë në diskutim. Ajo nuk përbën më temë për mua. Kosova e pavarur, unë do të uroja që ajo të jetë me të vërtetë e pavarur. Që të mund të ecë me këmbët e veta, dhe për mendimin tim, kjo nuk vihet më aspak në dyshim. Për mua, ishte çështja e modaliteteve të atij moment, të çështjes së nxitimit të Zvicrës në lidhje me njohjen e saj dhe që është në kundërshtim me praktikën që ajo kishte ndjekur deri më tani, kjo ishte e gjitha. Unë jam realist: kosovarët e duan padyshim pavarësinë dhe besoj se tani duhet respektuar kjo pavarësi. Për mua, ky është një kapitull i mbyllur dhe duhet të them se ai nuk ka të bëjë aspak me këtë raport. Unë kam bërë një raport tjetër tejet kritik për Rusinë dhe politikën e saj në Kaukazin e Veriut; megjithatë nuk do të thotë se mbajta një qëndrim në favor apo kundër pavarësisë së Çeçenisë. Kjo nuk është detyra ime. Detyra që mu caktua është një detyrë që shkon në drejtim të respektit të parimeve të Konventës Evropjane të të Drejtave të Njeriut, kjo është e gjitha.

Meqenëse flisni për Rusinë, a është e vërtetë se autori i mocionit, që ishte pikënisja e këtij raporti, është një deputet rus, me emrin Konstantin Kosachev? Shumë analistë kosovarë e të rajonit i bëjnë pyetje vetes lidhur me synimin e kësaj nisme, duke e ditur se Rusia nuk është model përsa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe se ajo është e njohur si aleati tradicional i Beogradit. Pra, a nuk dyshonit se mos kjo nismë ishte objekt i qëllimeve politike?

-Z. Kosachev ishte një nga nënshkruesit e këtij mocioni. Mirëpo, që mocioni të jetë i vlefshëm, ai duhet të nënshkruhet nga 20 deputetë dhe duhet të përfaqësojë, në mos gaboj, pesë vende të ndryshme. Pra, ishin deputetë të partive dhe vendeve të ndryshme që e firmosën ate. Midis të tjerash, ju informoj se unë nuk e firmosa atë.

Mirëpo, a ishtë ai nismëtari i këtij mocioni ?
-Nuk e di nëse ai ishte iniciatori. Mua nuk më është kërkuar kjo dhe nuk isha në dijeni të kësaj nisme. Procedura është kjo. Kur ka një mocion, ai shqyrtohet nga zyra e Asamblesë, e cila vendos për vlefshmërinë e tij. Në këtë rast, ajo vendosi që ai ishte i vlefshëm dhe ia kaloi Komisionit të Çështjeve Juridike të të Drejtave të Njeriut. Ky komision duhet të caktojë një raportues dhe ai vendosi të ma ngarkonte mua këtë raport. Duhet të ju them se nuk isha patjetër i entuziazmuar me këtë, dhe mund t’ju siguroj se nuk isha unë që shkova ta kërkoja këtë punë.

Meqenëse po flasim për këtë raport, propozoj që të futemi në thelbin e çështjes. Më parë, ka pasur dy raporte të GJPN dhe të EULEX-it mbi ish-Jugosllavinë. Dy anketa që u realizuan në bazë të thënieve mbi trafikun e organeve. Çfarë sjell më tepër raporti juaj, në lidhje me atë që është bërë deri tani?

-Të flasësh për hetimin e GJPN dhe të EULEX-it, në lidhje me këto raste, është e tepërt të pretendohet se bëhet fjalë për hetim. Në vitin 2002 apo 2003, GJPN kishte një mision në  «Burrel» dhe në këtë kuadër, ajo mblodhi një numër provash teknike, si gjurmë gjaku, ilaçe etj, dhe nuk ka pasur asnjë vazhdim pas kësaj vizite atje. Bile, këto prova, që sot do të mund të shfrytëzoheshin në suazat e një hetimi të vërtetë, janë asgjësuar, gjë që është mjaft e çuditshme. Sepse unë nuk njoh asnjë autoritet gjyqësor, asnjë ministri publike, e cila, edhe në rastin kur ajo pranon se nuk është kompetente, asgjëson për më pak se dy vite, elemente të provave që mundeshin të ishin në të ardhmen thelbësore. Pra, thënë shkurt, nuk ka pasur kurrë ndonjë hetim të vërtetë mbi këto ngjarje. Gjithashtu, sepse Shqipëria, dhe këtë ma kanë thënë ministri i Drejtësisë dhe ai i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, ishte e mendimit se nuk kishte asnjë arsye për të hapur një hetim mbi ngjarjet eventuale që kanë mundur të ndodhin në territorin e saj, sepse ajo vlerësonte se nuk ishte pjesë e konfliktit të ish-Jugosllavisë dhe nga ky fakt, ajo nuk shihte se në emër të cilit motiv duhej të hapte një hetim.
Sot ne jemi në dijeni dhe EULEX-i është duke e dëshmuar, ekziston një akt-akuzimi, se një kamp sekret i të burgosurve mbahej në territorin e Shqipërisë së veriut nga ana e forcave të UÇK-së. Gjithashtu, edhe këtu, më lejoni të ju them se nëse lexohet me kujdes raporti im, nuk është UÇK si e tillë që kriminalizohet apo kritikohet. Bile dua të theksoj se ka anëtarë të UÇK-së që u angazhuan në mënyrë të lakmueshme për atdheun e tyre. Nuk besoj se mund të konsiderohet UÇK-ja si një ushtri e strukturuar, në kuptimin klasik, me një gjeneral etj. Mirëpo, për mendimin tim, ka pasur abuzime dhe krime që janë kryer nga disa grupe, të cilat, sipas mendimit tim, duhet të jenë objekt i një hetimi. Ajo që kam sjellë unë në këtë raport nuk është në fund të fundit diçka shumë e re. Qoftë UÇK-ja, disa forca të UÇK-së apo z. Thaçi, të gjithë tashmë kanë qenë të cituar në shumë raporte të shërbimeve informative, në studime që janë realizuar, ose edhe në artikuj të hartuar apo nga një hulumtim i detajuar i BBC-së. Pra, ajo që ne arritëm të bëjmë në kërkimet tona, ishte se na u dha mundësia të gjejmë dëshmitarë shumë të besueshëm, që kanë mundur të japin hollësira që figurojnë në raport.
Por ne nuk jemi një autoritet hetimi dhe akoma më pak gjykimi. Ne jemi një autoritet denoncimi. Ne denoncojmë dhe kërkojmë që të kryhen hetime për ngjarje që tregojnë indicje për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Dhe ne e kemi bërë këtë në shumë raste. Pak më parë ju folët për raportin mbi burgjet sekrete të CIA-së; ju them se edhe në atë rast kam cituar emra, si atë të ish-presidentit të Rumanisë, të këshilltarit të sigurisë të Polonisë, që ishin në dijeni se çfarë ndodhte. Dhe në qershor 2007, paraqita këtë raport, për të cilin po ashtu më kërkuan dëshmi dhe kësaj iu përgjigja se u përkiste atyre që t`i kërkonin dëshmitë. Detyra ime është të denoncoj dhe mund t’ju them se tre vite më vonë, nuk ka pasur asnjë fjalë të raportit tim që është përgënjështruar. Dhe sot, mendoj se ky raport konsiderohet si diçka që është dëshmuar në të gjitha elementet e tij.

Pikërisht, juve ju qortojnë për faktin se sillni shumë akuza të rënda dhe të ashpra, kurse dëshmitë për t`i mbështetur ato ju mungojnë. Ndjenja e përgjithshme është se raporti juaj i ngjan një gjykimi, para hetimit juridik…
-Jo! Duke cituar shumë burime dhe dokumente, unë them se ka aq indicje, pa i harruar dëshimtarët që kam dëgjuar që rrëfejnë ngjarjet, dhe nuk mund të shtiresh se nuk ka ndodhur asgjë. Prandaj, duhet bërë një hetim. Ndërkaq, unë konstatoj se autoritetet gjyqësore të rajonit, fatkeqësisht nuk janë në gjendje t`i mbrojnë dëshmitarët. Dhe për këtë arsye, dëshmitarët nuk flasin. Ju e dini shumë mirë se ka dëshmitarë që janë kanosur apo vrarë.
Ju e dini shumë mirë që ka dëshmitarë që kanë bërë deklarata akuzuese në procesin e hetimeve dhe që nuk kanë folur pastaj gjatë gjykimit. Ju e dini shumë mirë se nuk ka akoma, ashtu siç ka kërkuar bashkësia ndërkombëtare, një ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve. Do të thotë, nuk është një popullatë që është kriminalizuar. Për mua, shumica e kosovarëve kanë qenë viktima dhe kanë qenë të detyruar të paguajnë një haraç të rëndë. Do të dëshiroja, që për këta burra dhe gra, e ardhmja e tyre të mos ndërtohet mbi dyshime dhe gënjeshtra, por mbi të vërtetën. Është e vërtetë se kërkimi i së vërtetës shkakton dhembje, por nuk duhet reaguar sikurse serbët. Serbët reaguan kur pati akuza kundër Milosheviçit dhe krimeve të tmershme të kryera kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve. Ata protestuan duke thënë se duan dëshmi. Nuk duhet reaguar në mënyrë të tillë.
Më duket se reagimi i drejtë është të thuash:  ju bëni akuza shumë serioze, tani duam që autoritetet kompetente të bëjnë gjithçka që është e mundur që të zbardhet e vërteta. Sepse e vërteta është në interes tonin. Ka shumë shembuj, bile edhe në Zvicër, me të mirat dhe pasuritë e lëna nga hebrenjët në bankat tona. Për vite të tëra ne bëmë sikurse nuk e shihnim këtë problem, ndërsa historia ne na kapi shumë kohë pas luftës. Dhe kjo i shkaktoi shumë dëm vendit tonë.
Në Austri ishte një president që ishte përzier me nazizmin dhe për shumë kohë bënim sikurse nuk e dinim. Edhe në atë rast, na kapi historia. Në Kosovë kam qenë vetëm një herë, por jam habitur nga ngrohtësia dhe pritja e popullatës, një pritje që e gjeta edhe në Shqipëri. Pra, unë u uroj atyre një të ardhme të mbarë, por kjo e ardhme është e mundshme vetëm nëse përballemi me të kaluarën duke kërkuar të vërtetën. Kjo vlen edhe për vendin tim dhe për çdo shoqëri tjetër.

Por, raporti juaj megjithatë, u fillua pas botimit të librit të ish-prokurores së GJPN, zonjës Karla del Ponte. Lidhur me këtë, zëdhënësja e saj, zonja Florence Hartmann, i cilëson fjalët e saj të papërgjegjshme, sepse ajo paraqet si fakte të sigurta hipoteza të thjeshta. Duke e ditur se raporti juaj bazohet mbi këtë libër, shqiptarët e Kosovës kanë përshtypjen se ju u kërkoni atyre ta dëshmojnë pafajësinë e tyre, sepse ju nuk keni mundur ta dëshmoni fajësinë e tyre…

-Zotëri, unë jam në fund të karrierës sime politike dhe jam pak a shumë i moshuar, për të mos thënë njëfarë moshe. Kam shërbyer në tri fusha të shtetit: drejtësi, ekzekutiv dhe tani në ligjvënie. Ju nuk do të mendoni vallë se unë do të rrezikoj të hedh poshtë karrierën time duke shkruar një roman në vend të një raporti. Unë besoj në një ndërgjegje dhe aftësi profesionale. Për më tepër se 15 vite kam qenë prokuror dhe jam marrë sidomos me kriminalitetin e organizuar ndërkombëtar.
Ndërkaq, kam marrë dy çmime nderi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, dhe kjo nuk është për t’u mburrur, por për të dëshmuar njëfarë aftësie që zotëroj. Unë e di se si duhet pyetur një dëshmitar, se nuk duhet të bazohesh në një deklaratë të vetme dhe se duhen bërë prova të kryqëzuara.
Mirëpo, nëse e lexoni me kujdes raportin tim, unë nuk them në asnjë rast se Z. Thaçi është i implikuar drejtpërdrejt në një trafik organesh, por them se njerëz shumë të afërt të z. Thaçit janë të implikuar.
Pra, është e vështirë të mendosh se ai nuk ka dëgjuar kurrë për to. Për ndryshim nga zonja Karla del Ponte, unë saktësoj shumë aspekte. Nuk them se bëhet fjalë për qindra transplantime të paligjshme. Flas vetëm për një grusht rastesh.

Po, por e përmendni tërthorazi…
-Por është e shkruar. Unë nuk kam shkruar të kundërtën. Besoj se mjafton që të vërtetat duhen deklaruar njëherë. Kur fillon të deklarosh shumë shpesh një të vërtetë, kjo fillon të bëhet e dyshimtë.
E gjithë kjo, për të thënë se unë do të uroja që dikush që është profesionist, të përkthejë këtë raport. Sepse ky raport nuk është lexuar nga 99,9 % e njerëzve që janë sot të indinjuar. Janë lexuar vetëm disa pjesë nga shtypi.    /kosovalbaner.com/


G. Tema

Wednesday, January 19, 2011

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Hero Kombëtar i shqiptarëve (1405-17 janar 1468)

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-17 janar 1468) personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij: luftën më se njëshekullore të tyre kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV - fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë.
Nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë e të organizuar, shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre.
Figura e tij paraqet një nga ato raste, jo të shpeshta në histori, kur shtresat e ndryshme shoqërore të një kombi takohen me një personalitet të shquar, në të cilën gjejnë shprehjen e vet aspiratat e vetitë e tyre më të mira dhe që për këtë arsye bëhet simbol i bashkimit kombëtar dhe i luftës së tyre të përbashkët.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai e kuptoi, më qartë se kushdo tjetër, detyrën që shtronte çasti historik: nevojën e bashkimit politik si kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e interesave të të gjitha shtresave shoqërore, të pasura e të varfra, të kërcënuara tashmë prej pushtuesve osmanë në çështjet jetike.
Njohja e thellë e jetës, e botëkuptimit, e traditës dhe e luftës së shqiptarëve kundër pushtimit të huaj si dhe e organizimit të shtetit e të ushtrisë osmane, i dhanë mundësi Skënderbeut të ndërtonte me efektivitet të lartë gjithë veprimtarinë e tij si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak i shquar. Ai arriti në përfundimin se, përballë një pushtuesi të fuqishëm, siç ishte Perandoria Osmane, shqiptarët nuk mund të arrinin në fitore, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh, pa një bazë organizative të qëndrueshme, pa bashkërendimin e mjeteve dhe të burimeve njerëzore, ekonomike, ushtarake e materiale, pa bashkërendimin e të gjitha veprimeve që zhvilloheshin në rrafsh të brendshëm e të këtyre me veprimet e ndërmarra në rrafsh ndërkombëtar. Një nga hapat e parë në këtë drejtim qe themelimi, me nismën e nën drejtimin e tij, i Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës, që përbënte të parin bashkim të gjerë politik të shqiptarëve.
Duke njohur zhvillimin e ngjarjeve e perspektivën e tyre, Skënderbeu e kuptoi me kohë se nuk mund të mbrohej vendi, të çliroheshin viset e pushtuara dhe të zhdukej përfundimisht rreziku i pushtimit osman, duke qëndruar mbi bazën e Besëlidhjes Shqiptare si aleancë politike vullnetare, karakteristikë që ajo e kishte pasur në fazën e saj fillestare. Prandaj në gjirin e koalicionit të fisnikëve shqiptarë u krye dora-dorës një zhvendosje në raportin e forcave (që karakterizon etapën e dytë të veprimtarisë së Skënderbeut si burrë shteti), dhe që çoi në fund të viteve 50 në krijimin e një pushteti të vetëm shtetëror për të gjitha viset e lira shqiptare. Ai u bë themeluesi i shtetit të pavarur shqiptar.
Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, mbi të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug të viseve të lira, ai u dha mundësi nënshtetasve të tij të zhvillonin një veprimtari ekonomike e tregtare deri diku normale. Prandaj, ashtu si më parë, edhe në këto vite vazhduan të eksportoheshin nga portet e Adriatikut drithëra e prodhime të tjera.
Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu u kushtoi vëmendje viseve të pushtuara. U mbajtën kështu të gjalla dhe u forcuan më tej lidhjet me banorët e këtyre viseve, gjë që ndikoi në forcimin e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve dhe në konsolidimin e mëtejshëm të kombit shqiptar, duke i dhënë mundësi të mbijetojë e të zhvillohet më pas në kuadrin e Perandorisë Osmane.
Procesin e bashkimit të shqiptarëve e favorizoi shumë edhe toleranca e lartë fetare e Skënderbeut. Si i krishterë i rritur në ambientin mysliman, ai qëndroi mbi dallimet fetare. Ai bashkëpunoi ngushtë dhe pa asnjë paragjykim me klerin e riteve të ndryshme dhe dërgoi si ambasadorë të tij në vendet e huaja priftërinj katolikë dhe ortodoksë. Respektimi i besimeve e riteve fetare ndikoi pozitivisht në procesin e bashkimit të shqiptarëve.
Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut.
Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Ai e vlerësoi drejt rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, si kusht i nevojshëm për të përballuar agresionin osman. Duke patur të qartë se rrezikut osman mund t'i bëhej ballë me sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu iu drejtua pareshtur shteteve evropiane dhe kërkoi pjesëmarrjen e tyre në luftën kundër armikut të përbashkët, si dhe përkrahje materiale për luftën e popullit shqiptar.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti është i pandarë nga veprimtaria e tij si udhëheqës ushtarak i talentuar.
Në kushtet e pabarazisë, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij ushtarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Këtë parim, të ndjekur prej tij, e shprehin me vërtetësi edhe fjalët që Barleci ka vënë në gojë të Skënderbeut, se "kush nuk është në gjendje ta mundë armikun me një ushtri prej 8 deri 12 mijë vetash, nuk do të mund ta bënte këtë edhe me një ushtri shumë më të madhe".
Në kushtet e epërsisë së theksuar të ushtrive osmane në luftëtarë e në armatime, Skënderbeu për t'i mposhtur ato i mbante në alarm të përhershëm, i shqetësonte me sulme të vogla e të papritura. U priste rrugët e furnizimit dhe, pasi i kishte futur në kurth, i godiste me sulme të fuqishme e të befasishme dhe i shkatërronte përfundimisht. Skënderbeu zbatoi një strategji të mbrojtjes aktive sipas parimit "mbrohu duke sulmuar". Në betejat e ndryshme ai ndërthuri mjeshtërisht operacione të mëdha taktike-strategjike me tërheqje e sulme, me pusi e befasi të luftës guerile.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princët evropianë të kohës. Ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre, që bazohej mbi trupat mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi. Edhe ai vetë luftonte i pangarkuar me armatime të rënda e me krah të shpërvjelur si një ushtar i zakonshëm. Në betejë ai ishte, në të njëjtën kohë, komandant i talentuar dhe ushtar i guximshëm, që me shembullin e tij bëhej burim frymëzimi për luftëtarët shqiptarë. Edhe në jetën e përditshme Skënderbeu ishte i thjeshtë dhe kohën e kalonte kryesisht me bashkëluftëtarët e tij, duke bërë jetë ushtari.
Skënderbeu gëzonte dashurinë nga bashkëkombësit e vet, jo vetëm sa qe gjallë, por edhe pas vdekjes. Figura e tij mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i asaj lufte që habiti botën me fitoret e saj legjendare dhe u bë krenaria për një të kaluar, të cilën donin ta përsërisnin. Këngët që shqiptarët i thurën Skënderbeut, të cilat i këndonin me krenari edhe përpara pushtuesve, gojëdhënat e lidhura me vendet ku veproi e luftoi ai dhe me vise të tjera të banuara prej tyre, i dhanë atij tiparet e një luftëtari me forca vigane, të pajisur me trimëri të pashoqe, i cili i kalonte caqet e realitetit dhe merrte cilësitë e një figure që mishëronte aspiratat e një populli të tërë për liri e pavarësi.
Kujtimi i Skënderbeut jetoi jo vetëm në zemrën e popullit që e lindi. Ai pati një shtrirje që kalonte kufijtë e Gadishullit të Ballkanit, kishte një rëndësi evropiane. Skënderbeu i detyroi të gjitha kohërat të flisnin për të.

Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj.

Këtu e ka burimin ajo literaturë e shumëllojtë dhe shumëgjuhëshe, që i është kushtuar figurës së këtij Heroi, në të katër anët e botës. Kur vërshimi osman qëndronte si një shpatë mbi Evropën Qendrore, kur në Gadishullin e Ballkanit shpërthyen lëvizjet për çlirimin kombëtar etj., historianët, shkrimtarët e poetët e përdornin figurën e Heroit shqiptar si flamur frymëzues për mobilizimin e popujve të tyre në luftë për liri.
Dëshmi e përhershme e vlerësimit dhe e respektit të thellë që kanë popujt e tjerë për Skënderbeun, krahas botimeve të shumta për të, janë sheshet dhe rrugët e Romës, të Parisit, të Brukselit, të Gjenevës dhe të qyteteve të tjera të vendeve të ndryshme, ku janë vendosur monumente e buste të tij ose që mbajnë emrin "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu".

Shqiperia.com

U flet shqip, maqedonasit e Prespës sulmojnë diplomaten

Syhëna Qerimi-Balliu, sekretare në Ambasadën e Maqedonisë në Ankara, është vënë në shënjestër të sulmeve të grupit folklorik të Pustecit-Prespa e Vogël-Shqipëri, për shkak se ajo ka komunikuar me ata në gjuhën shqipe e jo maqedonase, që është konsideruar "fyerje e rëndë diskriminuese dhe poshtëruese".
Sipas mediave në gjuhën maqedonase, sekretarja e Ambasadës së Maqedonisë në Ankara-Turqi, Syhëna Qerimi-Balliu, "paska ofenduar rëndë" pjesëtarët e ansamblit folklorik të Pustecit-Shqipëri, sepse u paska fol shqip!

Ky "ofendim" nuk ka kaluar pa bujë mediatike, duke marrë nismën dhe bekimin nga Tv "Sonce" (Dielli), televizion i maqedonasve në Shqipëri, sipas të cilit për këtë "ofendim', ose siç e quajnë ata "sjellje skandaloze të sekretares së Ambasadës Maqedonase në Ankara", interesim ka shfaqur edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë.
Duke iu referuar deklarimeve dhe pohimeve të tyre, Ansambli nga Pusteci-Shqipëri, gjatë pjesëmarrjes në Festivalin Ballkanik të Folklorit në Izmir të Turqisë, së bashku me 11 vende tjera pjesëmarrëse, janë ankuar se ditën e dytë të Festivalit, kanë filluar "problemet" me Syhëna Qerimi-Balliu.

"Sekretarja e tretë në Ambasadën e Maqedonisë në Turqi, Syhëna Qerimi-Balliu, si përfaqësuese zyrtare e vendit (Maqedonisë) në "Ballkaniadën folklorike" që është mbajtur gjatë muajit dhjetor në Izmir të Turqisë, i është "vërsulur" anëtarëve të grupit folkloristik nga Prespa e Vogël dhe i ka pyetur pse flasin në gjuhën maqedonase dhe luajnë valle maqedonase e jo shqiptare.
Për këtë incident, për të cilin ka informuar televizioni i maqedonasve në Shqipëri "Sonce", janë interesuar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë.
Sipas televizionit "Sonce", Syhëna Qerimi-Balliu, me ton të ashpër diskriminues dhe poshtërues iu ka thënë përfaqësuesve të Prespës së Vogël, se ata janë shqiptar e jo maqedonas dhe se vijnë nga Shqipëria për të prezantuar kulturën shqiptare.
Ndaj kësaj paraqitje kanë reaguar ashpër përfaqësuesit e maqedonasve nga Prespa e Vogël. "Ne menjëherë reaguam dhe u drejtuam deri tek ushtruesi i detyrës në Ambasadën e Maqedonisë në Ankara, Jasmin Qahil, i cili ishte shumë fatlum që jemi prezantuar me folklor burimor maqedonas, por ai nuk ishte në dijeni për incidentin. Prandaj kemi informuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe presidentin Gjorgji Ivanov. Nuk mundet kryebashkiaku i Izmirit të na presë me të gjitha nderimet, ndërsa përfaqësuesi ynë maqedonas (fjala është për Syhëna Qerimi-Balliu), të na ofendojë për atë pse kemi luajtur valle maqedonase dhe pse kemi folur në gjuhën maqedonase",- ka deklaruar për gazetën ditore në gjuhën maqedonase "Vreme" dhe TV "Alfa" ne Shkup, zëvendës kryetari i komunës së Pustecit, Vasil Sterjov, i cili është edhe drejtor i Televizionit të maqedonasve në Shqipëri "Sonce".

Për rastin në fjalë, siç e quajnë "sjellje skandaloze të sekretares së Ambasadës së Maqedonisë në Ankara, Syhëna Qerimi-Balliu", nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, kanë kërkuar informacione plotësuese nga Ambasadat e RM në Ankara dhe në Tiranë, si dhe nga përfaqësuesit e shoqërisë kulturore artistike, pjesëmarrës në festivalin e Izmirit, duke pas parasysh se ambasadori i RM në Turqi, Goran Taskovski, sapo e ka marrë detyrën dhe nuk ka qenë në rrjedhë të ngjarjeve.
Syhëna Qerimi-Balliu, sekretare e Ambasadës së RM-së në Ankara-Turqi, pasi ka takuar pjesëmarrësit e vendeve ballkanike në festivalin e Izmirit, ka takuar dhe është përshëndetur edhe me grupin nga Shqipëria, natyrisht duke iu drejtuar në gjuhën shqipe, që "ka ofenduar" zotërinjtë nga Shqipëria, pse ajo u flet shqip! Ajo vetëm natyrshëm ka mbrojtur gjuhën shqipe, duke qenë pjesëtare e komunitetit shqiptar në Maqedoni dhe duke komunikuar me shtetas të Shqipërisë.
Vasil Sterjov, zyrtar i pushtetit vendor në Pustec (zëvendës kryetar i komunës) dhe drejtor i Televizionit të maqedonasve në Shqipëri "Sonce", së bashku me grupin folklorik, a kanë udhëtuar drejt Izmirit si përfaqësues të Shqipërisë, e pasaporta shqiptare, apo kanë udhëtuar si përfaqësues të Maqedonisë nga Shqipëria me pasaporta maqedonase? Vasil Sterjov dhe të tjerët, a kanë pas synim pjesëmarrjen në festivalin folklorik apo kanë pas për detyrë kodoshllëkun dhe spiunazhet e shantazhet ndaj kuadrove shqiptare, detyrë që mbase ua ka besuar ndonjë shërbim që mbase edhe u paguan rroga të majme. Komunikimi i Vasil Sterjov me presidentin e Maqedonisë, Gjorgji Ivanov vetvetiu flet se kanë komunikim dhe relacione të afërta, duke anashkaluar të gjitha nivelet e komunikimit të presidentit të një shteti me qytetar-shtetas të një vendi tjetër jashtë protokollit. Së fundmi, autoritetet e shtetit të Maqedonisë, qoftë MPJ, qoftë edhe presidenti Gjorgji Ivanov, kujt duhet ti referohet: zyrtarit të akredituar të Maqedonisë, në rastin konkret Syhëna Qerimi-Balliu, apo kodoshëve e spiunëve të kurdisur nga jashtë-në rastin konkret Vasil Sterjov e të ngjashëm?.

Kush është Syhëna Qerimi-Balliu
Syhëna Qerimi-Balliu, është mbesa e mësuesit të ndjerë gjirokastrit, Myfit Agush Sinojmeri, i cili është vrarë nga dora e zgjatur e UDB-së famëkeqe jugosllave në fshatin Zhitoshe, të komunës së Dollnenit-Maqedoni, më 14 shkurt 1954, vetëm e vetëm pse ka qenë mësues i shkollës shqipe dhe ka arsimuar popullin shqiptar! Për punën e misionin e tij fisnik, Myfit Sinojmeri është nderuar nga President i Shqipërisë, me Urdhrin "Naim Frashëri i Klasit të Parë" dhe nga Ministria e Arsimit të RM-së me Mirënjohje, për kontributin e tij në arsimin shqip në Maqedoni.

Shekulli

O prindër të mirë, përse bëheni fëmijë të këqinj?!

Një vajzë 12 vjeçare, në klasë të 6-të, nga komuna Luftinjë e Tepelenës, u gjet e vrarë, e vetvarur me litar në qafë, në kasollen e bagëtive, dje rreth orës 17:40.
Ajo kishte marrë këtë vendim fatal, pasi ishte ndjerë e dëshpëruar në një ngarkesë të papërballueshme psikologjike, nga rezultatet e dobëta që kishte arritur në mësime gjatë simestrit të parë.

Nuk më dhemb se ajo vajzë e gjorë e donte aq shumë shkollën dhe mësimet, por sepse donte atë që në shkollë nuk do t'a mësonte kurrë.

Ajo ndërroi jetë, në një akt fatal, nga ndjesia e përgjegjësisë, e fajit, nga ndjesia e korrektësisë, e ndëshkimit...

Ndjesi, që njerëzve që ajo la gjallë në këtë jetë, u mungojnë.

Ajo shkoi, pa e ditur se bota që la pas ishte shumë më e papërgjegjshme, hiç më pak e pafajshme, shumë më shumë e ndyrë.
Aq e ndyrë sa gjen forcë për të të gjykuar, për të të tallur, pa e kuptuar se vdekja jote, është vdekja e saj.

O prindër të mirë, përse bëheni fëmijë të këqinj?!
Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Dalin përgjimet e reja, Prifti regjistron Fazlliç, kaseta në dorë të Berishës

Kur Ilir Meta përfundoi emisionin “Opinion” kur kishte kaluar mesnata e të enjtes duke u gdhirë e premte, nuk kishte asnjë qëllim të largohej nga detyra e tij e zv.kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë. Por çfarë ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit deri në orën 10.00 të paradites së djeshme kur ai u paraqit te kryeministri për t’i dorëzuar dorëheqjen?
Ka dy palë zërash për këtë fakt: nga opozita thuhet nën zë se ishte Sali Berisha që i ka kërkuar dorëheqjen, por dje, si në orën 12.30 kur Meta doli në konferencë për shtyp, ashtu edhe në orën 14.00 kur Berisha doli në konferencë për shtyp, të dy funksionarët deklaruan se kjo ishte një dorëheqje e parevokueshme e Ilir Metës dhe mandej edhe zëvendësimi nga strukturat e LSI ishte i detyrueshëm.

Kaseta 1: Prifti përgjon Fazlliç
Në orët e para të mëngjezit, telefonatat e shumta që u bënë nga të gjitha palët, konfirmuan se ekzistojnë edhe kaseta të tjera të regjistruara, por këtë radhë, jo vetëm nga Prifti, por edhe regjistrime nga Meta. Lufta e kasetave dhe brendia e tyre tashmë është bërë një “luftë” brenda llojit.
Dritan Prifti në “Top Story” të enjten deklaroi se ka kaseta të tjera të përgjuara mes tij dhe Metës. Ilir Meta te “Opinion” deklaroi se nëse i ka duhet t’i nxjerrë. Sipas burimeve afër ish-ministrit Prifti, bëhet fjalë për një regjistrim të realizuar në tetorin e vitit të kaluar, por këtë radhë jo në Shqipëri, por në Vjenë. Pas shkarkimit nga detyra në shtator, Dritan Prifti ka qenë në Vjenë. Aty është takuar me Damir Fazlliç, i cili është një personazh i njohur tashmë në Shqipëri si mik i kryeministrit Sali Berisha. Fazlliç ka shkuar në takim me Priftin, duke i thënë se ka qenë i dërguar në këtë takim nga kryeministri Sali Berisha. Që në tetor, të gjitha palët kanë qenë në dijeni të kasetës së parë, por ajo që nuk dinte Damir Fazlliç është se po me të njëjtën mënyrë që Prifti regjistroi Metën, po ashtu po regjistronte edhe Damir Fazlliçin.
Ky i fundit i ka folur në emër të kryeministrit ish ministrit Prifti. I ka kërkuar garanci Priftit që të mos ndryshojë qëndrim, të mos bëjë asnjë veprim, të mos largohet nga maxhoranca edhe për shkak të numrave dhe se gjithçka do të zgjidhej shumë shpejt. Por, ndërkohë që Fazlliç i shprehte gjithë këto mendime të kryeministrit, Prifti heshtte, duke mos dhënë asnjë premtim. Ndërkohë i është kërkuar të mos bënte gjë me kasetën e parë, atë që tashmë është transmetuar në “Fiks Fare” dhe për të cilën të gjitha palët kishin dijeni.
Dritan Prifti, i pyetur nga Gazeta Shqiptare për vërtetësinë dhe përmbajtjen e një kasete të re, deklaroi “no comment”.

Kaseta 2: Përgjimi 2 Meta-Prifti
Këtë radhë, bëhet fjalë për një takim mes ish.zv.kryeministrit Ilir Meta, dhe ish ministrit Dritan Prifti, në restorant Piazza, kohë pas shkarkimit të Priftit. Përmbajtjen e kësaj kasete, pak a shumë Ilir Meta e deklaroi edhe në emisionin “Opinion” të së enjtes, për ofertën që Prifti i kishte bërë atij në emër të Edi Ramës. Prifti ka përmendur në këtë takim një ofertë të Edi Ramës, Gramoz Ruçit e Tom Doshit, për kreun e LSI. Ky i fundit, duhet të rrëzonte Berishën nga qeveria, dhe pas kësaj, oferta të ishte që Ilir Meta të bëhej kryeministër, dhe Dritan Prifti sërish ministër. Sipas asaj që është biseduar, Prifti ka shprehur shumë dyshime dhe për Berishën madje, mendohet të ketë deklaruar, sipas asaj që flitet, se Berisha do ta shesë shumë shpejt Ilir Metën.
Meta nuk e ka pranuar këtë skemë të Priftit, ndërsa ky ka thënë se do të bëhet ministër brenda 3 muajve. Meta i ka thënë se për tre muaj nuk e bën dot ministër, dhe se Prifti do të duhet të punojë me strukturat e partisë derisa të mbarojnë të paktën zgjedhjet vendore të majit 2011. Edhe kjo nuk është pranuar nga Prifti. Ai ka kërcënuar për publikimin e kasetës së parë nëse nuk bëhej një gjë e tillë, gjë që ka çuar në prishjen e atij takimi. Ashtu sikurse e konfirmoi Meta publikisht, vetëm një javë para publikimit të kasetës në Fiks Fare, Dritan Prifti, i ka bërë një telefonatë Ilir Metës, dhe ky i fundit nuk ka pranuar të flasë me ish ministrin. Kjo kasetë, me këtë brendi pak a shumë, është sot në duart e kryeministrit Berisha.
Fazlliç në mbledhje qeveritare mbi sigurinë kombëtare !!!
Enigma

Nuk dihet nëse pas dorëheqjes së Metës ndonjë nga këto kaseta, të të dy palëve, që janë në dispozicion si të Ramës ashtu edhe të Berishës, do të bëhen publike nga aktorët përgjegjës, apo do të shfrytëzohen para fushatës zgjedhore. Ajo që bëhet e qartë, është se Prifti ka deklaruar se kasetat e regjistruara ekzistojnë. Ashtu sikurse, të dy palët, nuk marrin përsipër të komentojnë nëse materialet janë këto që përfliten poshtë e përpjetë në ambientet e politikës.

Ajo që është e qartë, është se frika e publikimit të këtyre kasetave, tashmë ka tronditur qeverinë dhe gjithë politikën.


G. Shqiptares

Friday, January 14, 2011

Video-skandali, Ilir Meta jep dorëheqjen nga postet qeveritare

Zv. Kryeministri, njëherësh Ministër I Ekonomisë, Tregtise dhe Energjitikes Ilir Meta jep dorëheqjen e parevokueshme në të dyja postet e tij në qeveri.
Në një konferencë për shtyp Meta bëri publik vendimin duke e quajtur një vendim personal.



"Jap dorëheqjen e parevokueshme si ministër i Ekonomisë dhe si zëvendëskryeministër. Dorëheqjen ia kam komunikuar kryeministrit Berisha dhe pas këtij momenti jam në dispozicion të prokurorisë për hetim"-tha Meta





Sipas Metës, Shqipëria nuk mund të merret peng nga krimi i organizuar dhe monstra si Dritan Prifti, për të cilin u shpreh se ka një të kaluar kriminale.


Dorëheqja e ministrit Meta vjen 3 ditë pas publikimit të video-skandalit nga 'Fiks Fare'.

Shekulli