Monday, April 29, 2013

Citat mbi divorcin

Të divorcohesh vetëm pse nuk e do më burrin tënd, është po aq budallëk sa të martohesh me të, vetëm pse e do. Zsa Zsa Gabor

Gjyshit tim!

Do doja të të fusja një plumb në kokë. Fisnik! Ti e meriton
një vdekje të shpejtë.

Asgjë e drejtë.
Agonik është edhe respekti.
Asgjë e lehtë
nuk meriton dolli.
E vrertë jotja duhet të ish'...

Vdis!
Shkëputu nga larmia drejt njësisë.

Përmes dhimbjes
unë ndjehem heroinë.
Ti?
Ndoshta do jesh energjia
që do zjejë ujin
të rrjepim zogun
që na sollën miqtë.

Ndërgjegja është aksidentale.

Shko tani!
Të puth në ballë
për hall.
Plumbat
duket se i gëlltita unë më parë.


Lamia Crusade

Kushtuar gjyshit të saj të dashur, të cilin e ka ndjerë baba dhe që mbrëmë në mesnatë ka ndërruar jetë.


Shikojmë Hënën,
na duket kaq pranë,
në një shtrat mbërthyer bashkë,
një botë sikur na ndan!

Shkroi: Stop Injorancës !

Mary Wortley: Besoj se nuk ka asnjë racë tjetër të njerëzimit që të ketë një mendim kaq modest për aftësinë e vet.

Por nga të gjitha krahinat që kam parë, arnauti (shqiptari) më është dukur më i veçanti. Ata janë vendasit e Arnautisë, Maqedonia e lashtë dhe edhe pse ata e kanë humbur emrin e maqedonasve, diç ruajnë ende nga guximi e trimëria, duke qenë milicia më e mirë në perandorinë turke dhe të vetmit që kontrollojnë jeniçerët. Ata janë këmbësorë; kemi pasur një roje prej tyre, të ndërruar në çdo qytet të konsiderueshëm që kemi kaluar: të gjithë ata vishen e armatosen me shpenzimet e tyre, përgjithësisht djem të rinj e të fuqishëm, veshur në fustanella të pastra, që mbanë armë me një gjatësi të jashtëzakonshme, duke vrapuar me to ngarkuar mbi shpatulla aq sa duket se ata nuk e ndjejnë fare peshën e tyre, i pari ndër ta duke kënduar një lloj melodie të vrazhdë - jo të pakëndshme - dhe pjesa tjetër duke e ndjekur në kor.
Këta njerëz, që jetojnë mes të krishterëve dhe myslimanëve dhe që nuk shquhen për zënka, deklarojnë se janë krejtësisht të paaftë për të gjykuar se cila fe është më e mira, por, për të qenë të sigurt se nuk do të hedhin tërësisht poshtë të vërtetën, ata me shumë urtësi ndjekin të dy fetë dhe të premteve shkojnë në xhami e të dielave në kishë, duke u justifikuar, se në ditën e gjykimit ata do e kenë të sigurt mbrojtjen nga profeti i vërtetë, por, që se cili ai është, ata nuk janë në gjendje ta përcaktojnë në këtë botë.

Unë besoj se nuk ka asnjë racë tjetër të njerëzimit që të ketë një mendim kaq modest për aftësinë e vet.

Letters from the Right Honourable Lady Mary Wortley Montagu 1709 to 1762
Montagu, Mary Wortley, Lady, 1689-1762
London: J.M. Dent & co.; New York, E.P. Dutton & co., 1906



Nga Besir Bajrami


Sunday, April 28, 2013

Kam patur një herë një të dashur.
Ngordhi!

Mbaj mend kur erdhi
pa fytyrë.
I krijova një,
nuk i pëlqeu.
Më tregoi atë të vërtetën.
Nuk më pëlqeu.
Ja qepa në mish
atë prej fantazie
me thonj e kore plagësh.
Filloi të mi lëpinte
derisa iu trash gjuha.
Ja preva.
Ose nuk e kishte patur kurrë,
kush e mban mend!

Mbaj mend pastaj
kur e ushqeja,
më kafshonte dorën
dhe buzeqeshte.
C'kafshëz e lezetshme!
I kafshoja bishtin,
më kthente kurrizin
dhe dhiste muret.

Gjithë ai mut!
I pata thënë që do të vriste.

Lamia Crusade

Thursday, April 25, 2013

VERBIMI



Dy djem aty rreth të njëzetepesave,shtynë me furi derën ndarëse të korridorit të kirurgjisë së atij spitali.Rezet e vjetra te derës lëshuan një tingull gërvishtës.Ajri kundërmonte një erë duhani bllokuese dhe dukej se aty dhe pse muret ishin mbushur me tabela sensibilizuese ku njerëzit viheshin në dijeni se ndalohej duhani,përceptohej lehtë krejtësisht e kundërta.Aty askush nuk kishte nge të lexonte tabelat,tymosnin gjithsekush me moskokëqarje të pafshehur.Muret që kushedi se kur nuk kishin njohur lyerje,vende-vende ishin rjepur nga suvaja dhe instalimet elektrike ishin në gjendje të vajtueshme.Një konglomerat telash e çelësash elektrikë vareshin jo vetëm në lartësinë e njeriut,por gjendeshin dhe fare ulët dhe gati sa nuk preknin dyshemenë.

Dy djemtë i hidhnin hapat me nxitim,gati-gati me vrap.U ndalën për një moment kur u gjenden thuajse në mesin e atij korridori.I pari,një djalosh shtat mesëm me flokë te gjatë gështenjë të lidhur mbrapa si bisht kali,hodhi sytë rreth e rrotull me shpresën të dallonte atë që po kërkonte.Pas tij djaloshi tjetër,një bjond me faqe të parruara por që qimet ishin të mbajtura me kujdes hodhi gjithashtu sytë në drejtimin që po shikonte shoku i tij.Morën për pak sekonda frymë dhe si nuk panë as infermiere as mjek që po kalonte në ato momente nëpër korridor u drejtuan për tek një krevat-barrelë e braktisur aty në korridor.Tri gra qëndronin të ulura në ndenjëset përballë vendit ku ndodhej barrela,në një distancë prej dy-tre hapash.Ishin tri gra në moshë të thyer.Njëra nga gratë me ca flokë të thinjura e të gjata të tërhequra lart me një mbajtëse të errët në formë gjysmë hëne po i pëshpëriste diçka fare afër fytyrës,njërës nga gratë,e cila ndodhej në mes të dy të tjerave.Tjetra një flokë shkurtër dhe të ngjyer me një ngjyrë ndryshku,po e dëgjonte me shumë vëmendje.Herë pas here shtynte lart me gishtin tregues syzet me lente të trasha që i rrëshqisnin hundës dhe pastaj bashkonte sërish duart në pëqi.Gruaja e tretë e cila mbante një shall të zi në kokë nuk ishte më pak e vëmendshme në bisedë sesa dëgjuesja e mesit por duke qenë në anën tjetër të folëses,për të dëgjuar më mirë i duhej të përkulej herë pas here pak përpara, veprim që e lodhte disi prandaj ishte e detyruar që sërish të drejtohej që të mbështetej në mbështetësen e ndenjëses dhe keshtu humbte fillin e bisedës.Ishin disi të përhumbura në bisedë kur vërejtën që në atë korridor u shfaqën dy djem të rinj që ecnin me hapa të shpejtë dhe seç mbanin në duar.Vetëm kur u afruan tek barrela afër tyre gratë vërejtën që djemtë mbartnin në një batanije të hollë një trup njeriu.Ato ndërprenë bisedën dhe shikuan të tronditura atë pamje ngjethëse.Një trup njeriu dergjej mbështjellë në atë batanije dhe vëreheshin njolla të mëdha gjaku kudo nëpër mbulesë.Trupi ishte krejtësisht i mbuluar dhe dallohej vetëm krahu i djathtë që i varej poshtë jashtë mbulesës.Dy djemtë e shtrinë trupin e mbuluar mbi barrelë dhe hodhën sërish vështrimin përqark se mos dukej ndokush nga personeli i spitalit.Si nuk shquan askënd iu drejtuan tre grave që tashmë kishin ndërprerë bisedën dhe vështronin të lemerisura pamjen që u kishte rënë përpara.
-A mund ta lëmë këtu për pak momente sa të gjejmë ndonjë doktor që të vijë e ta shikojë?-kishte folur djaloshi me flokë të lidhur mbrapa.
-Sigurisht!-thanë të tria thuajse njëzëri.-Po çfarë i ka ndodhur?-mori guximin e pyeti gruaja me flokë të thinjura.
-Aksident me makinë!Makina e tij u përplas me një kamion.Eshtë në gjendje kritike sepse ka plagë të shumta dhe ka humbur tepër gjak.
Gruaja me shami të zezë në kokë,lëshoi një klithje që e bllokoi rrufeshëm me njërën dorë duke e vënë shpejt tek goja,për ta mbyllur klithmën brenda vetes.Gruaja me syze të trasha bëri shenjën e kryqit dhe me gjysmë zëri pëshpëriti më shumë për vete sesa për ta dëgjuar të tjerët.-O Zot,ç’po dëgjojmë e shohim përditë!Flokëgjata dhe pse e shokuar u shty akoma më shumë në pyetje.-Eshtë i afërmi juaj?
-Jo!Por u ndodhëm aty në momentin e aksidetit dhe e sollëm menjëherë pa lajmëruar as ambulancën sepse duke parë gjendjen e tij,mbërritja e ambulancës mund të ishte e vonuar dhe fatale për të.-përgjigjej vetëm djaloshi flokëlidhur.Ai fliste dhe lëviste sytë vazhdimisht në kërkim të dikujt që mund të shfaqej nga hyrja.Ai u kërkoi dhe njëherë grave se nëse mund të shfaqej ndonjë doktor ndërkohë që ata po shkonin t’i kërkonin,ato mund t’ua shpjegonin situatën.Gratë tundën kokën në shenjë pohimi.Ndërkaq të dy djemtë u kthyen nga hyrja dhe dolën me të njëjtin nxitim me të cilin kishin hyrë.
Gratë nuk ia ndanin sytë batanijes që mbulonte të aksidentuarin.-I shkreti!-ofshani gruaja me syze.
-Shshshsht!Mund të na dëgjojë.-i foli rrëzë veshit gruaja me shall të zi.Ato tashmë e kishin harruar fare që kishin ardhur për analizat e tyre në atë spital.Ato shikonin vetëm barrelën.Krahu i lëshuar jashtë batanijes linte të kuptoje se i aksidentuari ishte një mashkull në moshë të re.Sporadikisht dëgjohej ndonjë rënkim i lehtë i tij.Rënkim që ngjasonte më shumë me një gërhitje të paqtë gjumi.Sytë e grave u ngulën mbi atë pjesë të batanijes ku duhej të ishte koka.Një lëkundje mezi e dallueshme nga frymëmarrja e tjetrit linte të kuptonte që ai ishte gjallë.
Befas dera nga ana e djathtë e korridorit andej nga ishte dhe hyrja u lëkund lehtas dhe u hap përgjysmë.Gratë vërejtën me ngazëllim të shfaqej silueta e një burri me flokë të thinjur dhe me një palë syze me skelet të shndritshëm,me duart futur në xhepat e uniformës së spitalit.Gruaja me shall të zi në kokë u turr e para drejt tij.Pas saj lëvizën dhe dy të tjerat.
-Doktor!Jeni doktor?!-Nga mënyra sesi ajo grua lëshoi ato fjalë jo me shumë sens,tjetri e kuptoi që ajo ishte e mbërthyer nga ankthi.
-Po doktor jam!Si është puna?-pyeti qetë ai,pa u impresionuar shumë nga tensioni i tjetrës.
-Eshtë këtu i shtrirë në barrelë një i aksidentuar.A mund ta kontrolloni sepse duket rëndë.
-Eshtë i afërmi juaj?-pyeti tjetri pa e humbur qetësinë e mëparshme.
-Jo e sollën dy djem të rinj që u larguan të kërkonin ndihmë.
-Tek unë s’ka ardhur njeri!-deklaroi indiferent ai dhe u drejtua për nga barrela.Kapi dorën që gjendej jashtë batanijes dhe me mollëzat e gishtërinjve të tij shtypi pulsin e tjetrit.Ai rrihte.Doktori lëshoi dorën dhe pa ia zbuluar fytyrën u drejtua nga gratë.-Sapo të vijnë ata dy djemtë u thoni të vijnë tek unë.Dhoma ime është dera e parafundit majtas.Pa qenë ata ose dikush i afërm i këtij nuk mund të bëj asgjë.U largua me hap të ngadaltë përgjatë korridorit në drejtim të kundërt nga kishte hyrë.Ai e njihte mirë këtë situatë.Vinin e ta linin të sëmurin tek dera si pa gjë të keq dhe zhdukeshin nga frika se mos u kërkoje para.Po dhe ai nuk kishte ndërmend të lëvizte as gishtin nëse nuk dilte gjë.I kujtohej kur kishte shkelur fillimisht në spital,plot entuziazëm e pasion për profesionin e tij.Kishte parë kolegët më të vjetër tek fusnin kartmonedha nëpër xhepa pas çdo shërbimi që kryenin dhe ishte shokuar.Si mundet vallë njeriu të arrinte deri në atë pikë.Por kur me kalimin e kohës,kolegët e tij blinin vila,ndërronin makinat e vjetra me makina të sapo dala në qarkullim,bënin pushime në plazhe ekzotike ndërsa ai vazhdonte të jetonte me atë rrogë shtetërore,filloi të ndjehej një dështak.Nuk duhej humbur më kohë me idealizma.Koha nuk do t’ia falte.Gruaja nuk mund të toleronte më që ajo të ishte bashkëshortja e një doktori tashmë shumë të kërkuar dhe të mos bridhte plazheve ekzotike,të mos rinovonte garderobën për çdo stinë,e të mos drekonte apo darkonte në lokalet shik.Kështu ta shihnin shoqet e saj që ajo mundej dhe ato le të plasnin po të donin.Fëmijët po rriteshin.Do rriteshin dhe kërkesat.Dhe ai ia kishte filluar.Në fillim skuqej kur të afërm të të sëmurit i fusnin shukun e parave në xhep,por me kalimin e kohës kjo iu kthye në rutinë dhe nuk skuqej as nuk zverdhej më.Një kolegu i tij i kishte shpjeguar se nuk duhej të ndjente brerje të ndërgjegjes,ndryshe do ta kishte të pamundur të punonte.-E shikon sesi shtetin nuk e bren ndërgjegja për ne!Pse duhet të sikletosemi ne.Në fund të fundit këtë mundësi na e dha jeta që jo të gjithë e kanë,pse të mos e shfrytëzojme në të mirën tonë?!-Madje kolegu kishte shkuar më tej në shpjegimet e tij.Ai i kishte thënë që çdo shërbim kishte tarifat e veta dhe se nuk duhej bërë ulje të shifrës së përcaktuar mes kolegësh sepse nuk do të ishte korrekte në marrëdhëniet me kolegët.
Tashmë ai kishte mësuar t’i njihte dhe pacientët.I dallonte ata që në pamje të parë dhe nga paraqitja e tyre ishte në gjendje të përcaktonte nëse dilte gjë dhe sa mund të ishte përfitimi që mund të nxirrej.Dora-dorës që ushtronte profesionin,ia kishte dalë të rregullonte mirëqenien duke vënë pasuri.Tani gruaja ishte e kënaqur nga ai,pasi tani kalonin pushimet në plazhet që dikur i shihnin vetëm nëpër revista apo në TV.Frekuentonin lokalet më shik dhe gruaja blinte veshjet e saj të modës së fundit të porositura online.Ia kishte dalë të paguante studimet e vajzës në një nga universitetet më të lakmueshme të kontinentit.Djalit para pak muajsh i kishte blerë makinën e tij të preferuar sportive.E ardhmja e tij dhe familjes së tij ishte e shndritshme.Ai e ndjente këtë.Një kolegu i tij po e thërriste nga mbrapa.-Do vish të pimë një kafe?
-Pse jo!-iu përgjigj njëherësh ai ftesës së tjetrit,pastaj u kujtua dhe i foli.-Ore di gjë ti për një të aksidentuar që ndodhet në korridor.
-Jo!-ngriti supet tjetri.-Si ishte?
-Nuk e di!Dukej rëndë,por nuk e pashë në fytyrë.
-Nuk ishte njeri me të?
-Ca gra që ndodheshin aty rastësisht më thanë që e sollën dhe e lanë aty dy djem dhe po kërkonin një mjek.
-Mua s’më ka thënë njeri gjë.Derisa të paraqitet ndonjë i afërm aty le të rrijë.-foli moskokëçarës kolegu.-Ikim ta pimë atë kafe?
Më prit poshtë sa të kthehem tek dhoma e të marr cigaret.-foli doktori dhe u kthye mbrapsht duke u rishfaqur në korridorin e gjatë.Aty qëndronin akoma ato tri gratë dhe i aksidentuari ndodhej po aty sipër barrelës por asnjë njeri nuk ishte pranë tij,çka e bëri të kuptonte se asnjë i afërm i të aksidentuarit nuk kishte ardhur akoma.Nëpër korridor kalonin infermiere dhe mjekë por askush nuk ia hidhte sytë barrelës.Tek afrohej pa sërish atë gruan me shall të zi në kokë t’i zinte rrugën.
-Ju lutem doktor,bëni diçka!Ky i shkreti nuk po jep më shenja jete.Bëni diçka!Ju lutem!Eshtë gjynah!
Doktori kapi sërish me bezdi të shfaqur pulsin e tjetrit.E shtrëngoi në heshtje dhe priti për pak sekonda.Pulsi nuk rrihte më.E shkundi krahun lehtë por nuk mori asnjë reagim.Nga brenda qenies së tij nisi të ngjitej lart një alarm.Zgjati dorën për nga duhej të ishte fytyra e tjetrit.Tërhoqi mbulesën.Shtangu i tëri.Trupi iu ngurtësua.Gjunjët filluan t‘i dridhen a thua se kishte ngarkuar një peshë super të rëndë.Shtrëngoi dhëmbët aq fort saqë ndjeu kërcitjen e tyre të thatë dhe iu bë se i theu të gjithë.Fytyra e mavijosur e të aksidentuarit ishte imazhi më i shtrenjtë për të.Para tij dergjej i biri.U plandos mbi trupin e të birit dhe e mbuloi me krahët e tij.Lot të mëdhenj i rrëshqitën mbi mollëza dhe një tis i zymtë i mjegulloi trurin.Sytë iu veshën nga një hije e zezë.Ndjeu se po verbohej.Aty për aty e kuptoi që verbimi kishte kohë që e kishte pushtuar,por vetëm tani po e ndjente dhimbjen e tij të tmerrshme.Tashmë ishte teper vonë për të larguar atë hije që i kishte veshur shikimin.Nëpër veshë i oshëtinë ca zëra që i dukej se i thërrisnin nga një tjetër univers.
-Doktor!Doktor!doktor!
Ishin zërat e tri grave që i qëndronin mbi kokë si tri magjistrica.

Shkroi: Gëzim Murajza

Thursday, April 18, 2013

Falja, ky gjest hyjnor kushtuar djajve

Nga 2006-a e deri më sot janë ndërtuar dhe 80 mijë ndërtime të tjera pa leje, në mijëra mijëra hektarë të tjerë troje të zaptuara në mënyrë ilegale. 
Dëgjojmë thuajse për çdo vit të ri amnisti për të burgosurit, ulje dënimesh për kriminelët, falje gjobash për evazorët, tolerime për kundravajtësit, lehtësira për hajdutët, etj, etj.

Në rregull, po për atë pjesë të shoqërisë, për atë pjesë e cila në mes kësaj amullie e kaosi të pashembullt ka guxuar të sillet me korrektësi duke respektuar një më një, të gjitha ligjet në fuqi, a kemi menduar?
Si e kemi subvencionuar këtë pjesë qytetare të shoqërisë tonë?
Si i kemi inkurajuar këta qytetarë që besuan tek ligji?
Si ua kemi shpërblyer ndershmërinë këtyre njerëzve?


Përgjigja është vetëm një:

"Ju që i keni respektuar ligjet jeni komplet budallenj. Ju jeni viktima. Idealistë të shkretë e të mashtruar. Të mjerët ju që besuat se shteti ishte ndërtuar për ti shërbyer qytetarit e mbi të gjitha, pa dallime.
Ju që nuk guxuat të vidhnit, zaptonit, mashtronit apo kërcënonit keni mbetur trokë, me gisht në gojë. Të vetmen gjë e cila ju dallonte prej të tjerëve ishte arsimi, por tani edhe diplomat i kemi liberalizuar dhe nuk ju ka mbetur asnjë rrugë tjetër mbijetese, vetëm të shtrini dorën për mëshirë. Por matrapazi nuk njeh mëshirë e as të drejta.
Mos t'ua dëgjojmë më zërin për asgjë. Mos na bezdisni më qaravitjet e ankesat tuaja të dëshpëruara.

Kultura, edukata e qytetaria, ishte shkatërrimi juaj!"

Shkroi: Stop Injorancës !


“The Economist”: Shqipëria regjim hibrid, një hap larg diktaturës

Korrupsioni, interesat personale të kastës politike shqiptare, mungesa e një kulture të mirëfilltë politike, ka bërë që në sytë e botës, Shqipëria të karakterizohet si një vend që i përket një regjimi hibrid, me një demokraci të brishtë. 
Manipulimi i proceseve zgjedhore, mosrespektimi i institucioneve të pavarura, uzurpimi i pushtetit në dorën e një individi të vetëm, ka bërë që Shqipërisë t’ia kalojë edhe Tunizia sa i përket konsolidimit të një demokracie të shëndoshë. Prestigjiozja britanike “The Economist” përmes insertit të saj analitik ‘The Economist Intelligence Unit’, shprehet se Shqipëria është një regjim hibrid, dhe nga shtetet europiane lë pas vetëm Bosnjën. Ky është konkluzioni i indeksit për demokracinë nëpër botë, reflektim i situatës në fund të vitit 2012, që bën prestigjiozja britanike “The Economist”. Prestigjozja britanike del në përfundimin se ka pasur një lloj gjendje në vendnumëro; që do të thotë as progres i qenësishëm, por as regres i demokracisë për vendin në fjalë, duke marrë zhvillimet deri në fund të vitit të kaluar. Në vëzhgimin e saj, “The Economist” merr në analizë gjendjen e demokracisë për 165 shtete të pavarura dhe dy territore, çka mbulon thuajse të gjithë popullsinë e botës. Indeksi i demokracisë mbështetet në 5 kategori: procesin zgjedhor dhe pluralizmin; liritë qytetare; funksionimin e qeverisë; pjesëmarrjen politike dhe kulturën politike. Në total, indeksi dallon katër lloje regjimesh: demokracitë e plota, demokracitë me të meta, regjimet hibride dhe regjimet autoritare. “The Economist” e rendit Shqipërinë tek regjimet hibride; në një klasifikim që përfshin 37 shtete dhe 14 për qind të popullsisë së botës. Ne këtë liste Shqipëria mbetet pas shumë shteteve të Amerikës Latine, Azisë dhe Afrikës, duke u renditur poshtë Bangladeshit, Siri Lankës e Tunizisë dhe sipër Nikaraguas.
Demokracia
Sipas “The Economist”, shtete si Hong-Kongu, Malavi, Timori Lindor dhe Senegali janë përmirësuar më shumë se ne, duke mundur të klasifikohen këtë radhe si një kategori më lart se Shqipëria si vende me “demokraci me të meta”. Po çfarë janë regjimet hibride? “The Economist” shpjegon se regjimet hibride kanë probleme të thella me parregullsitë zgjedhore që shpesh nuk i lejojnë zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. Presioni qeveritar mbi partitë e opozitës dhe kandidatët, mund të jetë shumë i përhapur si fenomen. Dobësitë serioze këtu janë shumë më mbizotëruese sesa në demokracitë me të meta si në drejtim të kulturës politike, funksionimit të ekzekutivit dhe pjesëmarrjes politike. Korrupsioni është shumë i përhapur dhe sundimi i ligjit konsiderohet i dobët. E tillë është edhe shoqëria civile. Tipike e këtyre regjimeve është trysnia mbi mediat dhe fakti që gjyqësori nuk është i pavarur. Përkrah Shqipërisë në këtë listim janë edhe vende si Venezuela, Mali, Egjipti, Pakistani e Libia, shtete që kanë përjetuar luftë, ose të paktën trazira të forta në dy vitet e fundit.
Liria e medias
Në raportet e çdo viti, Shqipëria është renditur në vendet e fundit sa i përket edhe lirisë së medias. Në Shqipëri vijon të mos respektohet liria e medias, tipike e vendeve me regjim hibrid. Raporti më i fundit i Freedom House tregon se liria e shtypit në Shqipëri është përkeqësuar me një vit më parë, duke rënë në vend të 107 në botë, me një vlerësim prej 51 pikësh në kuptimin negativ. Shqipëria ishte në vendin e 102 me 50 pikë. Media në vendin tonë cilësohet si pjesërisht e lirë. Të njëjtin vlerësim me Shqipërinë ka edhe Libani, Maldivet dhe Libani. Por ajo që bie në sy është se na ka parakaluar edhe Kosova, që tani ndodhet në vend të 97-të. Një vit më parë ata ishin në vend të 104-të. 
Eneida Jaçaj

Ndryshon gjuha shqipe, ikin 2 zanoret e ngjitura, shkruhet: alkol, vakum, asocim

Rreth 15 gjuhëtarë janë ngujuar dje në një hotel pranë Fakultetit të Mjekësisë për të diskutuar në “shtet-rrethim” disa propozime mbi rishikimin e standardit. Mbledhja e radhës e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën, u mbajt me dyer të mbyllura, por burime të “Gazeta Shqiptare” pranë këtij organi thanë se shumë nga kërkesat e parashtruara për miratim kanë rënë poshtë. Kështu, është ruajtur ë-ja e patheksuar në shumë prej fjalëve që pritej të binte. Kjo ka qenë dhe tema kryesore dhe më e nxehtë e mbledhjes, dhe sigurisht që debatet nuk kanë munguar. Në vazhdë të kësaj ideje, nuk bie kjo shkronjë tek fjalët vetëvendosje, vetëvrasje, vetëvarje, ndërsa është kërkuar që të shtohet tek fjalët si vet(ë)vetiu, etj. Përveç ë-së, Këshilli Ndërakademik (i cili merr vendime jo të detyrueshme për zbatim) është marrë edhe me: drejtshkrimin e disa fjalëve me l ose me ll; drejtshkrimin e disa fjalëve që kanë dyshkro-njësha dhe disa fjalëve me togje zanoresh, ua, ue, oo, si zooteknik; si dhe me drejtshkrimin e shkronjës së madhe në disa raste.
Mbledhja

Ka filluar në orën 9 të mëngjesit dhe ka zgjatur deri në orën 19:30 të mbrëmjes. Kanë qenë të pranishëm 15 gjuhëtarë, ndërsa kanë munguar për arsye personale, Shezai Rrokaj, Besim Bokshi, Shaban Demiraj, Emil Lafe (i dorëhequr), Idriz Ajeti etj. Disa vendime kanë qenë të njëzëshme e disa të tjera pas shumë debatesh. Burime të “GSH” bënë me dije se në përgjithësi fryma ka qenë paqësore dhe vendimet e marra nuk bien në kundërshtim me shtyllat e standardit, porse kanë të bëjnë me fjalët që janë përjashtime nga rregulli. Pra, është kërkuar që të ketë sa më pak përjashtime e veçanti, në mënyrë që t’iu jepet zgjidhje përmes përmi-rësimit, dhe që rregullat të jenë sa më të përgjithshme.
Janë diskutuar sigurisht, dy rastet e ë-së së patheksuar.
E para, tek disa fjalë që mbarojnë me -një, si për shembull: foshnjë, ose tek disa emra paratheksorë të tipit opera-operë, kamera-kamerë; në të dy modelet ë-ja ruhet…
E dyta, tek disa mbiemra që ë-ja sipas modelit nuk është në vendin e duhur, si tek fjalët: i prapmë, i sivjetmë. Ato bëhen: i prapëm, i sivjetëm…
Vendimet
Në takimin e mbajtur dje, janë diskutuar këto çështje dhe janë marrë këto vendime:
-shkrimi i ë-së fundore tek fjalët Lushnjë, Zaloshnjë, foshnjë, nëse duhet të mbetet ë, apo duhet të bëhet –e. Pas diskutimeve është vendosur të mbetet me–ë; (Kjo është shoqëruar me debate);
- nëse disa fjalë duhen shkruar me r apo me rr, si fjalët kitarë, e mërkurë etj., dhe në fund është vendosur të ruhet r-ja, jo siç qe propozuar rr-ja;
- është ruajtur l-ja në fjalë që propozohej që të shkruheshin me ll, si, balonë e jo ballonë;
- fjala ngadhënjej bëhet nga-dhënjej (mbetet e paqartë nëse ka raste të tjera si ky);
- një pjesë të mirë të kohës për diskutim e ka zënë drejtshkrimi i emrave të përveçëm;
- kanë mbetur pa u diskutuar toponimet dhe nuk janë diskutuar fjalët përrallë, kërrabë, gërryej, kërrus – nëse do ta ruajnë ë-në e rrokjes së parë, apo do ta humbin;
- është diskutuar nëse duhet thënë bulmet apo bylmet (s’u mor vendim);
- u diskutua nëse duhet shkruar mobilie apo mobilje etj.;
- u diskutuan fjalë me shkronjat: l-ll, r-rr, z-zh, x-xh, rastet kur duhet përdorur njëra e tjetra.
Këshilli Ndërakademik

Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe u themelua më 2004-ën nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë (AShSh) dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK), si organ me autoritet shkencor për shqyrtimin e të gjitha çështjeve që lidhen me përdorimin dhe zhvillimin e shqipes standarde. Këshilli drejtohet nga një Kryesi prej pesë akademikësh, (tre akademikë nga AShSh dhe dy nga AShAK). Këshilli përbëhet nga 22 anëtarë, profesorë, akademikë e studiues të njohur të gjuhës shqipe.
Nga AShSh janë anëtarë: Shaban Demiraj, Jani Thomai, Ethem Lika, Kolec Topalli, Seit Mansaku, Enver Hysa, Emil Lafe (i dorëhequr); Shezai Rrokaj, Gjovalin Shkurtaj; Tomorr Osmani dhe Mehmet Çeliku. Nga AShAK janë anëtarë: Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Idriz Ajeti, Shefkije Islamaj, Bardh Rugova, Isa Bajçinca, Fadil Raka, Abdullah Zumberi, Imri Badallaj. Shqiptarët e Maqedonisë përfaqësohen nga Remzi Nesimi dhe arbëreshët e Italisë nga Francesco Altimari.

er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb

Vetëvendosje, ja pse refuzuam ftesën e Ramës

Lëvizja Vetëvendosje refuzon ftesën e kreut të PS-së, Edi Rama për takimin që do të mbahej në datë 14 prill në orën 17.00 në Prishtinë. Në një deklaratë për mediat, Vetevendosje ka sqaruar arsyet e këtij refuzimi dhe gjithçka tjetër që e motivon të mos jetë pjesë e këtij takimi.

Qëndrimi pro dialogut, vlerësimi i qeverisë së Thaçit, qëndrimi për 21 janarit e koalicioni me LSI dhe qëndrimi për nacionalizimin janë arsyet pse vetëvendosje nuk do të jetë në takim dhe që e ndajne me politiken e Rames.
“Shqiptarëve ju duhen organizime progresive politike që politizojnë shoqërinë, ekonominë e kombin, e jo konjuktura shtesë të pushtetit që privatizojnë shoqërinë, ekonominë dhe idenë kombëtare. Me këto struktura politike tashmë e kemi të qartë se Shqipëriadhe Kosova edhe pas 23 qershorit do të jenë të njëjta sikur ato të 21 e 22 qershorit”- thote Vetevendosje.
Deklarata e Vetevendosjes
Njoftojmë publikun se e kemi refuzuar këtë ftesë, për arsyet e mëposhtme:
Së pari, siç e kemi bërë të qartë përmes dokumenteve statutorë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ne si subjekt parimisht jemi të hapur për bashkëpunim,pjesëmarrje dhe ftesa nga subjektet politike që organizojnë takime tematike, që përkojnë me programin tonë politik, siç janë bashkimi kombëtar, zhvillimi ekonomik i bazuar në prodhim, subjektivimi politik i qytetarëve, emancipimi shoqëror, drejtësia dhe barazia. Këto tema për ne janë prioritare, dhe ndaj tyre na lidh një besnikëri politike, për hir të së cilës vijojmë të mbetemi këmbëngulës për bashkëpunime që i çojnë përpara ato, dhe jo në tubime partiake ku përqendrimi është te organizatori e jo te tema.






Së dyti
, rreshtimi dhe elozhet për kah Kryeministri aktual i Kosovës si dhe partia të cilën ai drejton, na bën me dije se një keqkuptim i madh qëndron në  mes. Të mbështetësh sot, pa nevojë, dialogun e padrejtë politik midis Prishtinës dhe Beogradit si dhe të afirmosh një forcë politike e cila e ka futur Kosovën në një qorrsokak politik, ekonomik dhe shtetëror, për shkak të papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit, do të thotë qëndrim në të kundërt të interesit të Kosovës dhe atij kombëtar. Në ditën kur populli në Kosovës solidarizohej me shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc përmes një demonstrate masive, PDK-ja e kryeministrit Thaçi mbante Konventën e vetë të Gjashtë Zgjedhore ku u profilizua si parti e djathtë me parullën “Familja,Prona, Shteti” dhe në të cilën z.Rama mori pjesë e thuri lavde për Thaçin.

Së treti, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes një komunikimi publik të kohës, ka bërë të ditur qëndrimin e saj për çka ndodhi në Protestën e 21 janarit 2011 në Tiranë, pas vrasjes së katër protestuesve. Aso kohe theksonim, siç theksojmë ende edhe sot se në institucionet e shtetit shqiptar zakonisht i shohim partitë pa popull kurse me 21 janar e pamë popullin pa parti, të zemëruar me pozitën dhe të braktisur nga opozita. Ajo demonstratë tregoi hendekun midis qytetarëve të pakënaqur dhe qeveritarëve të vetëkënaqur, por edhe konfirmoi hendekun tjetër midis popullit dhe opozitës. Shqiptarët e pakënaqur, kudo që janë, duhet të organizohen për ta shprehur pakënaqësinë e tyre me gjuhën e vullnetit dhe interesit të tyre. Përndryshe, pa organizim politik ka veçse përfitime partiake e humbje kombëtare.
Në këtë frymë edhe qëndrimi më i fundit i Partisë Socialiste të Shqipërisë për koalicionin e ardhshëm është i papajtueshëm me vetë atë çka protesta shenjoi.
Shqiptarët kanë arsye të forta për të protestuar për shkak të jetesës së mjerë, nëpërkëmbjes së dinjitetit kombëtar dhe mungesës së perspektivës si qytetarë. Koalicionet që zbusin apo mënjanojnë këtë frymë nuk janë në shërbim të kombit shqiptar i cili është më i varfëri dhe me papunësinë me të lartë në Evropë përderisa i ka politikanët më të pasur se gjithë kolegët e tyre në Evropë krahasuar me buxhetin e shteteve përkatëse.
Së katërti, disa konsiderata në lidhje me çështjen e nacionalizmit mes shqiptarëve. Ne jemi të shqetësuar nga retorika që po përdoret diku për arsye elektorale, diku për arsye ideologjike e cila njëson nacionalizmin me konservatizmin, anakronizmin e prapambetjen duke deklaruar madje se nacionalizmi është primitivizëm. Është e udhës të theksojmë se nuk ekziston “një nacionalizëm”,të cilin të mund ta përdorësh si vend grumbullimi për etiketime negative. Mes shumë shfaqjeve të nacionalizmit, mund të dallojmë qartë dy grupe të mëdha, nacionalizmin represiv pra, desubjektivues, shoven, imperial etj. dhe nacionalizmin çlirimtar atë subjektivues, vetëvendosës, emancipues, anti-kolonial që mëton barazinë mes kombeve.
Në rastin e Lëvizjes Nacionaliste Shqiptare, për vetë kushtet e krijuara, ndjenja frymëzuese që ka çuar përpara lëvizjen, e mbështetur gjerësisht prej popullit, është kjo e dyta, pra nacionalizmi çlirimtar.
Po ashtu, termi i preferuar si korrekt, “atdhedashuria”, nuk mund të themi se është koncept emancipues, apo më i dobishëm, se nacionalizmi çlirimtar. Nëse nacionalizmi çlirimtar qëndron për fuqizimin e shoqërisë dhe komb-shtetit si mënyrë që siguron rezistencën ndaj shtypjes së padrejtë në relacionet ndërkombëtare, “atdhedashuria” na rikthen në një situatë vetëm emocionale, romantike, individualiste, e cila përgjithësisht nuk themelon kurrfarë politike e dobie kolektive.
Atdhedashuri apo nacionalizëm? Kjo është kundërthënie e rrejshme. Në SHBA, si një ‘melting pot’ që është, flasin për patriotizmin meqë nacionalizmi i nxjerr njerëzit irlandezë, polakë, shqiptarë etj. Në Evropë, kemi nacionalizmin, dhe ai mund të jetë i ndryshëm nga patriotizmi, deri diku, vetëm në ato pak shtete si Zvicra e Belgjika (çfarë nuk është Shqipëria, natyrisht). Kjo kundërthënie e rrejshme është edhe më e dëmshme seç duket sepse zbërthehet kështu: atdhedashuria është dashuri për Shqipërinë administrative, kurse nacionalizmi dëshirë a vullnet për bashkim kombëtar. Atdhedashuria e vendos kombin (shqiptar në Shqipëri) në funksion të shtetit (të Shqipërisë londineze). Nacionalizmi e vendos shtetin (e Shqipërisë e të Kosovës) në funksion të kombit (shqiptar në Ballkan dhe kudo që ai është). Pra, nuk ka të bëjë me pushtetin e lirinë, por me horizontin e vetëpërcaktimit dhe të vetëpërfytyrimit. Atëherë, çfarë lloj nacionalizmi? Nacionalizëm shovinist-hegjemonik (si ai i regjimeve në Serbi e Greqi), apo nacionalizëm çlirimtar-antikolonialist (si ai shqiptar) ? Kjo pra është kundërthënia e vërtetë.
Te shqiptarët në përgjithësi kemi shumë subjekte politike, tepër shumë. Por në tërë këtë spektër grupimesh shohim pak progresivitet. Pra, shqiptarëve ju duhen organizime progresive politike që politizojnë shoqërinë, ekonominë e kombin, e jo konjuktura shtesë të pushtetit që privatizojnë shoqërinë, ekonominë dhe idenë kombëtare. Me këto struktura politike tashmë e kemi të qartë se Shqipëria dhe Kosova edhe pas 23 qershorit do të jenë të njëjta sikur ato të 21 e 22 qershorit.

http://www.panorama.com.al/2013/04/14/vetevendosje-refuzon-ftesen-e-rames-ja-arsyet/