Friday, November 5, 2010

...atë natë 4 nëntori

Si do mundem t'a harroj
Atë natë 4-nëntori
Kur vetmia lë
ngoi

E nje klithmë mortore kumboi...

Si do mundem ti harroj duart e tua

Tentakula shpirtgllabëruese

Që një çast e përgjithmonë

Më joshën mua.

E buzët e tua që me aq ëndje i vëreja

Pranë tyre dridhesha i tëri

Por të ftohtin nuk e ndjeja.

Dhe te dy u perqafuam

Si dy trumcake te trembur

Te etur, te lire e te bashkuar.

Une tashme isha alkoolizuar

Ndersa ti droga ime,

Une rendja si i marre

Per tek ti, mberritja ime intime.

Si do mundem vallë

Të harroj natën tonë të parë

Përpëlitje hormonesh deri në agim

Kur buzët tona kishim çarë.


Si do mundem ti harroj

Lotet e pafajshem feminore te tua

Une isha shkaktari

E ato me druheshin mua

Si ti harroj netet kur ti

Rropateshe aq shume

Qe parajsa qe me ofroje

te mos me prehte ne gjume

harroje se ti ishe paqja

e paketuar ne nje doze valium

tejet emocion apokalipt

per nje djale si une

ndonese ndizeshim ne seks

sepse per njeri-tjetrin

kishim cmendurisht oreks

e une shkrihesha tek ty

dhe epshi rinor

na dehte qe te dy.


Si mund te harroj

sa eger ishe xheloze

pse une qeshja ne shoqeri vajzash

ty te bente fort nervoze

por valle harrohet

ajo aftesi qe kishe ti

kur une te pyesja i shqetesuar

ti zgjidhje te vuaje ne fshehtesi

edhe pse syte te tradhetonin

apo tregonin ciltersi

s'te bindej as zeri

qe dridhej gjithe kersheri

e pas cdo debati

gjeje kurajo ne ndonje mesazh te ri

nje akustike qe u shnderrua

ne miken e neteve-larg

te mallit, te pasionit.



Me një shqipe emocionalisht të gjymtuar

Më the : "TE DUA"

Kjo frazë që rend mes mijëvjeçarësh

Ndali botën për mua.
Kur ti ktheje goten e veres

te blere me para hua

Me aq delikatese

Keto caste nuk i zhduk dot

Nuk mund ti zhyt ne harrese


Hej, ti më bëre

Duhanin ta le

Dhe unë të bëra

Ta nisësh atë.
 

Te shtrire ne gjelberim

Prane insekteve qe kishe fobi

Yjet veshtronim

E kalimtaret jo perhere te rastesishem

Me xhelozi na shikonin

Se nga larg gjithcka duket magjike

Por nga prane me magjike

Ne te dy e jetonim

Kur ti prekje trupin tim

Bota rritej e tkurrej tek ne

Koha humbiste sens e logjike

Dhe si e marre nxitonte

Priste te ndaheshim per takimin e rradhes

E te c'lodhej te perfitonte.


Nje meteor une pashe

Dhe shpreha fshetaz per ty nje deshire

Je nje vajze fantastike

Meriton dicka me te mire

Dhe une ta urova

Kur ti quaje mekat

te shuhej kjo histori

une cuditshem mekatova

vrava lotet e mi

qe per here te pare

per ne te dy u derdhen

i injorova

dhe ata me urrejne

qetesi nuk gjejne

emocionet me rrembejne

kur kujtoj si ledhatoja

lekuren tend qe renqethej

e pushtoja

per buzeqeshjen tende

ne zemer renkoja

ti më do

dhe unë kam frikë të të dua

sepse të dua

e çdo gjë që dua më largohet

e imagjinoja

te dy te perqafuar me zerin qe na dridhej

jo nuk doja...

E lotet tona u bene zjarr

fjalet tona magjike

te putha dhe njehere

e kerkova te me mbetesh mike

se s'mund ta perballoj

te te humb plotesisht

ndaj dy fjale te mekura

le ti ndajme shoqerisht.

sepse une dua

ate qe me ben te vuaj

sepse lumturia deri me sot

per mua ka qene fjale e huaj

dhe unë jam një frikacak

që kam frikë të jem dy

që kam frikë të ta them në sy

që kam frikë që të dua

"Vetem ty"!



Kjo poezi është shkruar në vitin 2002, dedikuar datës 4 nëntor, kur një puthje e rrëmbyer pa rezistencë më dhuroi mikeshën e jetës, në krahë.
Uroj të gjithë njerëzit që me nëntorin i lidh diçka dhe të shpresojmë që pas 4 ditësh Europa do vendosë të lejojë qytetarë shqiptarë të lëvizin lirshëm në Europën e tyre.

Shkroi: Stop Injorancës - Ndal Paditurisë http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Kur gratë shqiptare 'mbyllin njërin sy..'

Shqiptaret gjithnjë e më shumë po i tolerojnë burrat që divorcojnë gratë e tyre për t'u martuar përkohësisht me të huaja që të marrin status rezident në Perëndim. Prishtinë, Pejë, Skënderaj, Beograd dhe Shtutgart

Sa herë që shkon të flejë, Valbona 35-vjeçare sheh foton e saj të martesës marrë 13 vjet më parë. Përbri vetes sheh burrin e buzëqeshur. Sot, ai moment i përket historisë. Dy vjet më parë i shoqi u martua me një grua gjermane. J
o vetëm që Valbona, nëna e katër fëmijëve të tij me moshë nga 4 në 11 vjeç, e dinte planin e tij, por edhe e miratoi. Kjo sepse Valbona nuk është e ndarë me të vërtetë në sytë e familjes së saj apo bashkësisë së gjerë. Shumë shqiptarë të Kosovës i ndajnë gratë e para me pajtim të përbashkët, duke u larguar për në Evropën Perëndimore ku gjejnë nuse të reja që ua mundësojnë marrjen e letrave rezidenciale. Ata i lënë fëmijët në Kosovë që të hiqen si beqarë dhe të martohen shpejt. Sapo të kenë rezidencë të përhershme në Gjermani apo shtetet tjera të BE-së, ata i ndajnë gratë e dyta, kthehen tek e para dhe e marrin familjen me vete në Perëndim. Gjermania është destinacion popullor për kosovarët që kërkojnë gra të huaja dhe me gjasë një pasaportë evropiane, sepse aty jeton një popullsi e madhe shqiptare. Gratë, me të cilat martohen këta shqiptarë të Kosovës besojnë se kanë gjetur bashkëshortin ideal e besnik. Gjithsesi, sapo fitojnë rezidencë të përhershme në vendin pritës, pas pesë vjetësh martesë me një qytetare gjermane, ata shpesh kërkojnë divorcin. Valbona ka besim se i shoqi do të bëjë të njëjtën gjë: ta braktisë gruan e re mbas tre vitesh dhe të kthehet në Kosovë që ta marrë atë dhe fëmijët për t'i çuar në Perëndimin e pasur. "Ishte i vështirë 'divorci', por ngaqë të dy e dinim qëllimin e tij, u bë disi më i lehtë", - shpjegon Valbona, e cila jeton te dera ngjitur me vëllezërit e të shoqit bashkë me fëmijët. "Është sakrificë e madhe por po e bëj për hatër të një të ardhme më të mirë për mua e fëmijët", - shton ajo. Pa dijeninë e gruas gjermane, Valbona ka kaluar një pushim veror me ish të shoqin në Kosovë.


Përfitimet mposhtin tabunë
Në të kaluarën, familjet shqiptare nuk e pranonin divorcin kaq lehtë. Por tabuja është harruar tashti që shqiptarët e Kosovës kanë zbuluar dobinë e divorcit dhe martesës me të huaja për të marrë letrat që të jetojnë në Evropën Perëndimore. Sigurisht që jo të gjitha bashkëshortet e huaja janë njëlloj të pranueshme. Një martesë e dytë me një jo-shqiptare shihet e pavlerë në mos pastë nusja e re shtetësi të Bashkimit Evropian. Por, nëse burrat i ndajnë gratë kosovare për atë arsye, shoqëria mbyll njërin sy. Çdo muaj ish-burri i nis Valbonës para për fëmijët. Dërgesa të tilla vlejnë shumë në një vend të varfër si Kosova, ku 40 për qind e popullsisë është e papunë dhe paga mesatare mujore e atyre që punojnë është rreth 200 euro. Kosovarët që janë zhvendosur në vendet e Evropës Perëndimore sjellin në shtëpi 530 milionë euro çdo vit. Këto remitenca llogariten si rreth 13 për qind e PPB-së së vendit, sipas Bankës Qendrore të Kosovës. Sokol Havolli, zyrtar i lartë në këtë bankë, thotë se 30 për qind e ekonomive shtëpiake kosovare marrin rregullisht para nga të afërmit që jetojnë jashtë. Në sfondin e vështirësive të tilla ekonomike, shumë njerëz kërkojnë me dëshpërim të kenë të drejtën të jetojnë e të punojnë në Evropën Perëndimore. Por marrja e një vize për të hyrë në BE është e vështirë. Ndryshe nga fqinjët e tyre ballkanikë, kosovarët nuk gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza brenda zonës Shengen të BE-së. Nuk shihet në horizont ndonjë zbutje e afërt e regjimit të vizave. Është pothuajse e pamundur që kosovarët të marrin shtetësi gjermane në mos të kenë lindur aty apo të kenë hyrë të vegjël dhe të kenë ndjekur shkollën aty. Por, kosovarët e rritur, si të huajt e tjerë në BE, mund të kërkojnë status rezident në Gjermani, apo Niederlassungserlaubnis, nëse kanë qëndruar legalisht në Gjermani për më se pesë vjet, arsyet për të cilën normalisht janë ose studimet e arsimit të lartë apo martesa me një shtetas gjerman.


Rritje e përqindjes së divorceve
Në kryeqytetin kosovar të Prishtinës, një qytet me popullsi rreth 600.000 banorë, zyrtarët regjistruan 127 divorce në 2007-ën. Ky numër mund të duket i ulët sipas standardeve evropiane, por është i lartë për kosovarët. Zyrtarët komunalë në Prishtinë regjistruan vetëm 36 divorce në vitin 2003. Paralelisht me numrin në rritje të divorceve, martesat me shtetas të huaj janë rritur, kryesisht me rezidentë në vendet perëndimore. Në 2009-ën, zyrtarët në Prishtinë regjistruan 98 martesa të tilla mes kosovarëve dhe grave nga Perëndimi. Shefqet Buqaj, zyrtar i komunës, pranon që di raste ku kosovarët janë rimartuar me gratë e tyre, pasi janë divorcuar nga gratë e huaja. Aftësia e zyrtarëve të monitorojnë motivet pas martesave me të huaj është e dobët, pranon ai. Kur kosovarët duan të rimartohen me gratë e para, çifti thjesht duhet të deklarojë se janë pajtuar. Por Buqaj këmbëngul që kur ata dyshojnë në motivet pas martesës së një kosovari me një grua të huaj, ata bëjnë pyetje. Një rast veçanërisht i dyshimtë përfshinte një burrë që po martohej me një të huaj e cila ishte 15 vjet më e madhe se ai, kujton ky zyrtar. Bashkime të tilla janë praktikisht të panjohura në Kosovën patriarkale, ku martesa me një grua më se një dekadë më të madhe i dhunon të gjitha traditat. Por Buqaj thotë se nuk mundën të gjenin asnjë arsye bindëse për ta penguar martesën. "Folëm me ta dhe u bindëm që nuk ishte martesë e trilluar", - thotë ai.


Gra të vetmuara perëndimore
Sonja, gjermane nga Shtutgarti, ishte cak i një shqiptari të Kosovës që kërkonte rezidencë të përhershme në Gjermani. Tashti në moshë të hershme tridhjetëvjeçare, ajo u martua me një shqiptar nga Mitrovica e veriut të Kosovës 13 vjet më parë. E papunë dhe paksa e vetmuar në atë kohë, ajo u mrekullua kur një burrë i pashëm, zijosh, pak vjet më i madh se ajo, iu afrua në një kafene në Shtutgart dhe i tha: "tung". Ajo nuk ia kishte idenë që ky burrë me gjasë beqar, në fakt, ishte martuar në moshën 18-vjeçare në Kosovë dhe ishte divorcuar para se të vinte në Shtutgart. Ajo, gjithashtu, nuk e dinte se ai kishte dalë në kërkim të një gruaje gjermane për arsye që pak kishin të bënin me dashurinë. Ata së shpejti bënë martesën, pas së cilës Sonja u zhyt në mësimin e shqipes dhe në përvetësimin e mënyrës modeste të jetesës së një shtëpiakeje kosovare, duke mos dalë më nga banesa për të takuar shoqet për kafe. "U bëra më shqiptare se një grua shqiptare", - kujton ajo. Në mënyrë të pazakontë, burri i Sonjës nuk kërkoi divorc pas pesë vitesh. Me sa duket për arsye se atëherë kishin një djalë të vogël, i cili i ndërlikonte punët. Burri i Sonjës donte të sigurohej që ai do të gëzonte kujdestarinë e plotë të të birit para se të largohej. Ata më në fund u ndanë dy vjet më parë, mbasi Sonja u pajtua t'ia linte djalin, atëherë dy vjeç të shoqit. Ai u rimartua shpejt me të shoqen e parë dhe tashti jeton jashtë Shtutgartit me të dhe djalin që ka bërë me Sonjën. Sonja nuk e di krejt historinë e martesës së saj, por disa shqiptarë të Kosovës që jetojnë në lagje i dinë mirë sekretet e ish-të shoqit të saj. Ajo di vetëm që ish-bashkëshorti i saj u martua me "një grua shqiptare që nuk kishte letra". Ajo ende beson se ajo grua u martua për dashuri dhe nuk e kupton se çka shkoi gabim.


Tradita e mënjanuar
Shumë shqiptarë të Kosovës e mbrojnë praktikën e burrave që shkojnë jashtë për të kërkuar gra të huaja të përkohshme për të përmirësuar perspektivën e tyre. Valdrin Hoxha, 23-vjeçar i papunë nga Prishtina, tha se do të bënte të njëjtën gjë po të mundte. "Do t'ia shpjegoja familjes se pasi të merrja dokumentet (e BE-së) do ta divorcoja gruan e huaj dhe do të martohesha me një vajzë kosovare", - thotë ai me vetëbesim. Vite më parë, vetëm steriliteti mund të legjitimonte ndarjen e çifteve, thotë 71-vjeçari Hamdi Veliu, nga Polaci, fshat në Kosovën qendrore. "Nëse gruaja s'mund të lindte fëmijë ajo kishte dy alternativa, të divorcohej ose të rrinte", - shpjegon ai. "Por, nëse vendoste të rrinte, duhej ta pranonte faktin se bashkëshortit i duhej një grua e dytë". "Nëse pranonte se të shoqit i duhej një grua tjetër dhe qëndronte në të njëjtën shtëpi, ajo mund ta mbante rolin kryesor në shtëpi", - thotë ai. "Sot gjendja është shumë e keqe", - thotë Veliu, duke folur me keqardhje për një kosovar që njeh, familja e gruas së parë të të cilit i bëri presion ta merrte bashkëshorten para se të ishte divorcuar nga gruaja e dytë gjermane. Ai thotë se di raste të tjera të ngjashme ku bashkëshortet kosovare jetojnë diku në Gjermani ndërsa burrat e tyre janë diku tjetër me gratë e dyta gjermane. "Situata të tilla nuk bazohen në traditën tonë", - ankohet ai. Veliu thotë se zotërimi i letrave të rezidencës në BE i jep burrave prestigj të paparë në Kosovën moderne. Me to, një burrë në të dyzetat mund të zgjedhë vajzën që do edhe nëse është 20 vjet më e re se ai. Burra të tillë shpesh përdorin mesitët për të gjetur një nuse të re. Smajl Shatraj, 60-vjeçar nga Llausha, e ka bërë këtë detyrë shpesh në të kaluarën. "Tani që shumica e vajzave duan të jetojnë jashtë, është shumë më e lehtë të bëhet [kur burri ka letra të BE-së]", - thotë ai. Në kohët e vjetra, shton Shatraj, zgjidhnin çifte që ishin pak a shumë në të njëjtën moshë dhe që dukeshin të përshtatshëm për njëri-tjetrin. Sot faktori më i rëndësishëm është nëse burri i ardhshëm i ka dokumentet e duhura. "Po e mënjanojnë traditën në favor të interesave", - psherëtin ai. Në fakt, martesat e përziera dhe veçanërisht martesat për të përmirësuar perspektivën shoqërore dhe ekonomike të burrave nuk janë krejtësisht të reja në mesin e kosovarëve. Më parë, këto martesa prireshin të bëheshin brenda kornizës së shtetit të vjetër jugosllav. Ato zakonisht ishin në formën e kosovarëve që martoheshin me serbe, të para si pjesëtare të bashkësisë më të fuqishme etnike në ish-Jugosllavi. "Përmes një martese në ish-Jugosllavi, mund të fitoje prestigj shoqëror", - shpjegon Anton Berishaj, profesor sociologjie në Universitetin e Prishtinës. Disa njerëz i hynë këtyre martesave edhe për të provuar besnikërinë e tyre ndaj idesë multietnike jugosllave, kujdeset të shtojë ai. Një dallim i rëndësishëm mes këtyre martesave dhe atyre që po bëhen me gjermanet sot, është që burrat nuk kishin shtysë të divorconin gratë pas një periudhe të caktuar. Mbesnin bashkë, shpesh duke u zhvendosur në kryeqytetin jugosllav, Beograd. Disa, si Selimët, ende jetojnë bashkë. Por, ndërsa martesa shqiptaro-serbe ishte lëvizje me përfitim shoqëror në vitet 1960 - 1970, për të cilën as që bëhet fjalë sot, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe rënies së marrëdhënieve serbo-shqiptare në përgjithësi. "Sot këta çifte jetojnë të stigmatizuar", - thotë profesoreshë Nada Raduski e Qendrës së Kërkimeve Demografike në Beograd.


"As morale, as të sakta"
Anton Berishaj, profesor sociologjie në Universitetin e Prishtinës, i dënon ashpër kosovarët që martohen me gra të huaja, me qëllim të marrjes së rezidencës së përhershme në Perëndim. "Një martesë 'e dyfishtë', ku njëra palë nuk e di situatën e plotë dhe ku familjet pretendojnë se s'po ndodh asgjë nuk është njerëzore, as morale e as e saktë", - shprehet ai. Drejtuesit e të gjitha besimeve kryesore në Kosovë gjithashtu e dënuan me forcë këtë prirje. Shumica e shqiptarëve të Kosovës janë myslimanë, por ka edhe një pakicë të vogël katolike. Kleri i të dy besimeve e sheh martesën si të shenjtë. "Martesa është e përhershme dhe nuk ka kufij kohorë, ajo është e përjetshme", - thotë Bedri Syla, imam nga Skënderaj. Imami i quan të ashtuquajturit "të divorcuar", të lidhur kryesisht për të marrë letra, si tallje dhe sakrilegj. "Këto janë lojëra që shpërbëjnë familjet dhe moralin", - thotë ai, duke cituar vargje nga Kurani. Punë të tilla nuk mund të justifikohen kurrë në Islam, shton, pavarësisht nga përfitimet potenciale. Pikëpamjeve të tij i bën jehonë plotësisht Don Shan Zefi, prift katolik në Prishtinë. "Martesat si këto nuk janë të lejueshme moralisht, psikologjikisht apo ligjërisht", - thotë ai.


"Sakrifica ia vlen"
Megjithatë, Agroni 40-vjeçar thotë se ia vlen kompromisi për moralin dhe traditat me qëllim të arritjes së ëndrrës evropiane. Gdhendës i gurëve të varreve, ai tashti jeton me të shoqen në një fshat rreth 30 km larg Shtutgartit, duke pas kaluar një proces të gjatë e të vështirë të divorcimit të gruas së tij të dytë gjermane me qëllim të rimartesës me gruan e parë kosovare. Agroni përpiqet ta harrojë faktin se i është dashur ta lërë gruan e parë dhe fëmijët në Kosovë për pesë vjet ndërsa ishte i martuar me një grua gjermane. "Sakrifica ia vlen për sa kohë që nuk e harron gruan [e parë] dhe fëmijët në Kosovë", - shprehet Agroni. "Për mua, të jetosh këtu është si në parajsë", - shton ai, duke iu referuar fshatit të vogël gjerman që tashti është shtëpia e tij. Me qëllim të arritjes së një "parajse" të ngjashme, Valbona dhe katër fëmijët e saj duhet të presin edhe të paktën tre vjet të tjerë.

Duke shpresuar për një jetë të re jashtë, ajo nuk shqetësohet për kombësinë e të huajës, me të cilën është martuar burri i asaj, për sa kohë që përfundimisht ajo të shkojë në Perëndim. "Për mua, thjesht nuk më intereson", - thotë ajo. "Kushtet e mjera ekonomike na detyruan ta bëjmë këtë." 


Shekulli, Jeton Musliu

Prefekti: Mos na prishni me grekët...

Boboshtica

Andrea Mano dënon djegien e kurorave. Bën të paditurin për dhunimin e varreve
Prefekti i Korçës, i cili qëndroi gojëmbyllur kur banorët e Boboshticës denonconin dhunimin e varreve të të parëve, ka reaguar fort dje kundër djegies së disa kurorave me lule në memorialin e një ushtari grek, që është ngritur mbi varre shqiptarësh.

Andrea Mano kërkoi dje një takim me mediat për të dënuar aktin e djegies së kurorave. Ai e konsideroi ngjarjen e dy ditëve më parë si veprim të nxituar të një grupi individësh të caktuar, ndërsa dhunimin e varrezave për ngritjen e memorialit grek e konsideroi një produkt të medias.
Prefekti Mano tha se nuk kishte dijeni për daljen e eshtrave nga varret dhe për dhunimin e varrezës së Boboshticës, duke u shprehur se nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për këtë çështje. Mano tha se prefektura po ndjek nga afër këtë situatë, por sipas tij, nuk ka të dhëna që të në pjesën e betonuar të ketë eshtra të banorëve të zonës.
Ai e cilësoi skandalin e tjetërsimit të varrezave të fshatit, shpikje të mediave, edhe pse Komuna e Drenovës deklaroi zyrtarisht se dhjetë varre të vjetra ishin betonuar. Të njëjtin fakt e pranoi publikisht edhe prifti i Boboshticës, Atë Jani Trebicka, por as kjo nuk i ka mjaftuar prefektit.

“Çështja e varrezave të Boboshticës është një produkt i disa mediave për të ngritur në mënyrë artificiale pretendime për dhunim. Ndërtimi i atij objekti ka qenë i vitit 1996 dhe nuk e kuptoj pse tani pas 14 vjetësh në mënyrë artificiale hapet kjo çështje për të qenë titull i disa gazetave. Ne jemi duke hulumtuar çështjen dhe nuk kemi asnjë informacion që të ketë një dhunim në këto varreza, por ne do të zbatojmë ligjin. Kam qenë në kontakt me kryetarin e komunës dhe banorë, të cilët nuk më kanë konfirmuar të jenë dhunuar varret siç thuhet në media, por në momentin përfundimtar kur të bëjmë të gjitha verifikimet tona do të mbajmë një qëndrim”, tha prefekti.

Ai theksoi më pas se “institucioni i prefektit dënon veprimet e nxituara të disa përfaqësuesve, të cilët janë anonimë, për djegien e disa kurorave që janë vendosur në këtë monument, veprime të cilat janë të nxituara, spontane, nga njerëz që unë kam kërkuar të identifikohen nga policia se çfarë përfaqësojnë.
Këto janë veprime të veçuara nga individë të veçantë dhe unë garantoj se nuk mund të cenojnë marrëdhëniet shumë të mira që populli shqiptar ka me popullin grek dhe që qeveria shqiptare ka me qeverinë greke”.

I pyetur nga gazetarët për deklaratat e zyrtarëve të Komunës së Drenovës, prefekti Mano tha se “Nuk kemi dokumente që të vërtetojnë se aty ka eshtra. Me të marrë informacion do të mbajmë një qëndrim. Në këto moment qëndrimi im ka të bëjë me djegien në mënyrë të dhunshme të disa kurorave dhe kam kërkuar informacion dhe nga policia për këtë çështje dhe jam në pritje të përfundimit të hetimit për këtë rast. Nuk kam informacion të ketë eshtra në vendin ku është hedhur betoni apo që të ketë varreza”.

Prefekti i Korçës doli në mbrojtje edhe të deklaratave të bëra nga ana e organizatës së minoritetit grek, “Omonia” dhe konsullatës greke. Mano i konsideroi të drejta edhe deklaratat e konsullit grek të bëra pak ditë më parë për popullsinë greke në Korçë, gjatë ceremonive të zhvilluar për festën e çlirimit të Greqisë. Sipas tij konsulli grek u është referuar grekëve që jetojnë dhe punojnë në këtë qytet kur ka uruar “popullsinë greke të Korçës”. “Nuk shoh asnjë problem në deklaratat e konsullit grek. Fakti që ai i drejtohet popullsisë greke nuk ka asgjë të keqe, pasi këtu jetojnë dhe punojnë mësues grekë dhe ka dhe një sërë biznesmenësh grekë që kanë aktivitete e tyre këtu”, tha Mano.

Sakaq, ai nuk harroi të kritikojë mediat se interesohen më shumë për kurorat dhe varrezat e Boboshticës sesa për rrugët e qytetit dhe qendrën e tij, edhe pse në deklaratat e veta është shprehur se është interesuar për informacion për djegien e kurorave, por s’ka informacion për ekzistencën e varrezës dhe të punimeve që janë bërë rishtas mbi të.

Reagimi i prefektit ka ardhur pas tensionimit të situatës së dy ditëve në parë në fshatin Boboshticë.

Ceremonia e organizuar për nder të ushtarëve grekë nga organizata “Omonia” dhe konsullata greke, është shoqëruar me përplasje mes banorëve të fshatit, që ishin ndarë në dy grupe pro dhe kundër grekëve.

Pamje nga zhvarrimet e eshtrave të të vdekurve në Përmet, të falsifikuara si ushtarë grekë

Juliana Dhimitri, Shqip

Sarandë, gjykata konverton një shqiptar në grek çdo dy javë

Kombësia
Në Sarandë, të paktën 1 person çdo 15 ditë zyrtarizon ndryshimin e kombësisë nga shqiptare në greke, edhe në rrugë gjyqësore.

Në Gjykatën e Sarandës dhe në gjendjen civile të bashkisë, pohojnë se këto kërkesa vijnë nga shtetas që njërin prej prindërve e kanë me kombësi jo shqiptare, sikurse pranon edhe ligji.
Kryetari i Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela, thotë se kjo praktikë mbështetet mbi ligjin e Parlamentit shqiptar, nr. 10129 të vitit 2009 “Për gjendjen civile”, që ka përfshirë edhe rubrikën e kombësisë, e cila nuk ka ekzistuar më parë. Në interpretim të këtij ligji, kreu i Gjykatës së Sarandës shpjegon se ndryshimi i kombësisë kërkohet dhe pranohet për ata fëmijë, që vijnë nga prindër me kombësi të ndryshme dhe ai ka të drejtën të zgjedhë kombësinë e njërit prej tyre, kur arrin në moshë madhore. Më tej kreu i gjykatës sqaron se deri sa të arrihet mosha e pjekurisë, këtë të drejtë e kanë prindërit me marrëveshje të përbashkët. Në rastet ku prindërit nuk janë marrë vesh për kombësinë e fëmijës së tyre, ligji i njeh atij të drejtën e ndryshimit dhe të marrjes së kombësisë që dëshiron të njërit prej prindërve, me të arritur moshën madhore. Me këtë argument dhe interpretim të ligjit, zoti Çela shpjegon kërkesat që i drejtohen Gjykatës së Sarandës për ndryshim kombësie. I pyetur në se ka ndodhur që edhe shtetas madhorë e kërkojnë ndryshimin e kombësisë së tyre nga shqiptare në greke, zoti Çela shprehet: “Po, ligji e parashikon, madje ka edhe fuqi paravepruese, pasi është e drejtë personale jo pasurore, por vetjake e tij dhe ka të drejtë të kërkojë kombësinë që ai dëshiron”.
Më tej Çela shton se ky qëndrim është mbajtur edhe nga Gjykata e Lartë në disa raste. “Por, nëse nuk ke një prind me kombësinë që kërkon, ligji nuk të favorizon. Nuk parashikon ligj që kur ke prindërit me kombësi të njëjtë, të kërkosh kombësi të ndryshme nga ajo e tyre”, sqaron kreu i Gjykatës së Sarandës. Ndërkaq, Çela ka mohuar që t’i jenë drejtuar gjykatës me kërkesë për marrje të kombësisë greke shtetas me prindër shqiptarë. Edhe pse pranohet se sistemi i mëparshëm ka bërë edhe tjetërsime të qëllimshme të kombësisë së disa njerëzve, Çela thotë se njihen zonat e minoritetit dhe veç kësaj, si bazë përdoren regjistrat e vjetër.

Sipas Çelës, çdokush që provon me dokumente se një nga prindërit ose të dy kanë qenë me kombësi greke, ligji ia jep edhe atij atë. “Po nuk pati dokument të trungut familjar, që janë regjistrat e vitit 1930, me të cilin ta provojë këtë, pretendimi rrëzohet nga ligji dhe gjykata”, thotë Çela, duke shtuar se meqë në regjimin e Zogut kombësia ka qenë element i gjendjes civile, regjistrat e asaj kohe kanë vlerë burimore. Çela përjashton çdo mundësi dhe hapësirë abuzimi apo manipulimi të së vërtetës përmes avokatësh.
Ndërsa drejtoresha e gjendjes civile në Bashkinë e Sarandës, Rajmonda Zholi, thotë se “vendime gjykate për ndryshim kombësie nga shqiptare në greke kanë ardhur dhe vijnë në këtë drejtori, por të rralla”.

G. Shqip

Intervistë me S.I

Përshëndetje! T'iu drejtohem me Stop, S.I apo dëshironi të tregoni emrin tuaj të vërtetë?

Përshëndetje! Do të ndalem pakëz gjatë tek kjo pikë për të sqaruar njëherë e mirë këtë çështje. Shpeshherë më kanë akuzuar rreth anonimatit e përgjithsisht anëtarët që pasi janë përjashtuar për thyerje rregullash, e nuk kanë patur guximin të rifuten me emrin e tyre të vërtetë.
Duke ditur pozicionin që kam në këtë faqe, e cila po arrin në 40 mijë anëtarë, por me 55 mijë njerëz realisht vëzhgues (sipas statistikave që u përditësohen drejtuesve) dhënie e identitetit mund të përbënte vërtetë një shqetësim dhe mund të krijonte shumë situata të pakëndshme.
Formati i Faqeve në rrjetin social FB, drejtuesi i faqes komenton nën emrin e faqes. Psh nëse kemi 10 faqe të ndryshme me emër Gjergj Fishta, kur drejtuesit e këtyre faqeve të komentojnë, ne do na jepet ideja sikur të ishte Fishta ende gjallë, veçse ka harruar gegërishten...

Pra dhënia e këtij identiteti është një zgjedhje e lirë për këdo. Duke parë aktivizimin, gjallërinë dhe shpërhapjen e faqes, larminë e temave që preken, nga temat më të nxehta e tabu, e duke përfunduar  tek aktualiteti nga vendi e bota, shfaqja e identitetit nuk është një zgjedhje e zgjuar. Anëtarët që qëndrojnë më tepër aktivë në faqe, pothuajse janë në dijeni të këtij identiteti. Para disa muajsh, disa prej tyre më raportuan profilin tim personal duke e mbyllur atë. Rrjeti Fb, mbyll një profil vetëm duke u nisur nga numri i raportimeve dhe jo arsyeja e raportimit, jo nga shkelja reale, por merr të mirëqenë raportimet pa i analizuar praktikisht shqetësimet. Pra, nëse I. Kadare do të hapë një profil këtu, me shumë gjasa ne shqiptarët mendjendritur, do ia kishim mbyllur. Ky është serioziteti i FB-së.

Faqja shpëtoi pa u zhdukur, pasi aksidentalisht kisha shtuar një profil të dytë inaktiv si drejtues (administrator).

Megjithatë, jo padashje janë lënë disa shtigje të ngushta informacioni, që kush realisht kërkon fort e është i dehur në kuriozitet, mund t'a gjejë emrin e drejtuesit të saj.
Ermi është thjeshtë një bashkim shkronjash dhe është njeriu me tiparet e virtytet e tij që i jep peshë dhe kuptim, jo e anasjellta.
Pra këto tipare, kjo botë shpirtërore, ky formim intelektual, shprehet shumë qartë përmes këtij komunikimi.

Për të shuar aq sa mundem atë kuriozitet që natyrshëm mund të krijohet, dua të them veçse se jam një qytetar i thjeshtë, i panjohur si shumica e qytetarëve shqiptarë, pa asnjë funksion publik. Kam bindjet e idetë e mia të cilat i përball çdo ditë, për t'i përmirësuar, jo për të mbetur peng i tyre, e për të humbur njerëz për të ruajtur ato, siç ndodh rëndomtë.
Anëtarët janë të detyruar të pranojnë e mirëkuptojnë zgjidhjen time. Tek e fundit pse mos t'a pranojmë që anonimati i drejtuesit të faqes, në mënyrë të tërthortë apo të drejtëpërdrejtë, rrit më tepër interesin dhe i mirëdrejton debatet nga individi, për tek bindjet e tij.

Po për sa i përket anëtarëve me nofka, çfarë qëndrimi keni mbajtur dhe çfarë qëndrimi do të mbani?


Anonimati ul seriozitetin e diskutimeve. Si mund të citosh dikë, ku ai mban një emër qesharak, të huaj etj?!
Përgjithsisht anëtarët me nofka janë ata më problematikët. Zakonisht janë anëtarë të përjashtuar më parë dhe që aktivizohen në faqe vetëm për të shfryrë mllefin e tyre.
Disa nga këta anonimë, kanë treguar se dinë të përshtaten mirë me diskutimin në komunitet dhe e kanë fituar vetë imunitetitn, ashtu si disa të tjerëve nuk u mjafton identiteti për të qëndruar në këtë faqe.
Anëtarët e tillë do të përjashtohen pa përjashtim, pasi është bërë e papërballueshme vendosja e rregullit në faqe, pikërisht prej tyre dhe kjo bezdis edhe anëtarët e tjerë.

(vazhdon) http://www.facebook.com/NdalPaditurise2