Showing posts with label Analiza. Show all posts
Showing posts with label Analiza. Show all posts

Friday, November 30, 2012

Një kokërr vezë për prapësi


Gjatë ditëve në vigjilje të festës së 100-vjetorit të pavarësisë si dhe ditën e festës, të gjitha mediat e Shqipërisë, pa përjashtim, ato të shkruarat dhe ato elektronike, e vunë në dukje dhe e përsëritën faktin se Presidenti i Maqedonisë, Shkëlqesia e tij Gjorge Ivanov, kishte anuluar vizitën e tij në Tiranë për të marrë pjesë në kremtimet e shekullit të parë të pavarësisë së shtetit tonë. Arsyet e këtij anulimi në çastin e fundit, gjithnjë sipas mediave shqiptare, të cilat u referoheshin mediave maqedonase, lidhen me një apo dy vezë, që një grup të rinjsh, pjesëtarë të shoqërisë civile, kanë hedhur mbi veturën e Kryeministrit të Maqedonisë Gruevski gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë para pak ditësh.
Goditja me vezë e veturës së një vizitori të një niveli të tillë nga një apo disa qytetarë shqiptarë, ndërkohë që ai është bujtës i Kryeministrit tonë, është pa dyshim një gjest i pahijshëm, me të cilin unë vetë nuk pajtohem. Por ky është një incident krejtësisht i papërfillshëm për t’u marrë në konsideratë nga një kryetar shteti, aq sa ai të gjejë aty një arsye të mjaftueshme për të anuluar një vizitë protokollare për një rast të papërsëritshëm gëzimi te një vend fqinj dhe mik, siç ishte festa jonë e kësaj here. Në qoftë se do të nisej nga kritere të tilla vlerësimi, Presidenti i SHBA nuk do të dilte kurrë jashtë Uashingtonit. E vërteta është se çdo President amerikan, qoftë edhe gjatë një mandati të vetëm, ka parë të hidhen mbi veturën e tij aq shumë vezë, domate të kalbura e sende të këtij lloji, të cilat nuk shkaktojnë lëndime fizike, sa po të mblidheshin e të ruheshin diku, në krye të katër vjetëve do të nevojiteshin kamionë të tërë për t’i transportuar. Kjo i ndodh atij deri në qytetet e Europës Perëndimore dhe kryhet përtej masave të jashtëzakonshme të sigurisë, që shoqërojnë, siç dihet botërisht, lëvizjet e njeriut më të pushtetshëm të botës.
Përmenda përvojën e Presidentit amerikan thjesht sepse është më e dukshme, domethënë më e lehtë për t’u kuptuar se si ky burrë, i cili drejton shtetin më të fuqishëm të botës, nuk ndikohet aspak nga ca vezë apo ca kokrra domate që hidhen mbi veturën e tij kur është fjala për të përgjithësuar ndjenjat që ushqejnë popujt e tjerë ndaj popullit të tij. Sepse veprimi i Presidentit të Maqedonisë kësaj here, ngado që ta shohësh, nuk mban erë miqësie ndaj Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, përfshirë këtu edhe një të tretën e qytetarëve të Republikës që ai udhëheq e që janë etnikisht shqiptarë. Nga ana tjetër, na mbetet të besojmë se ai është ndjerë sinqerisht i fyer nga kokrra e vezës së hedhur mbi veturën e kryetarit të qeverisë së vendit te tij. Kaq është në të drejtën e tij njerëzore, politike dhe diplomatike. Më tej, përgjithësimi nga ana e tij, aq sa të shtyhet të anulojë pjesëmarrjen në festimet e shqiptarëve në Tiranë, tregon, gjithsesi, një cektësi gjykimi që nuk i bën nder personalitetit të tij dhe as institucionit të tij presidencial.
E përsëris: veza e hedhur mbi veturën e një bujtësi të tillë, siç është kryetari i qeverisë së një vendi fqinj dhe mik, është një gjest i pahijshëm. Por nuk do harruar se një gjest i tillë – i pahijshëm – ndodh vetëm në një vend të lirë dhe mund të kryhet vetëm nga njerëz që ndjehen të lirë për ta shprehur pakënaqësinë apo edhe zemërimin. Shqipëria është një vend i tillë, ashtu siç është edhe Maqedonia e lirë. Reagimi nervoz e radikal i Presidentit Ivanov në këtë rast nxjerr në pah një deficit të pakëndshëm në konceptet e tij për demokracinë. Kryeministri Gruevski, me aq sa u pa në media, pati një vizitë të suksesshme në Shqipëri. Do të thosha madje se në një rast, gjatë konferencës së përbashkët të shtypit me Kryeministrin Berisha, ai dëshmoi një vetëpërmbajtje prej burri shteti. Kryeministri Berisha tha përpara gazetarëve se integrimin europian të Maqedonisë e pengon Greqia, kurse integrimin europian të Shqipërisë e pengon Edi Rama, domethënë opozita. E përkthyer qartë e thjeshtë, kjo ishte: Maqedonisë po ia prish të ardhmen europiane armiku i jashtëm e Shqipërisë armiku i brendshëm, një mënyrë arsyetimi kjo thelbësisht e vjetër, e kapërcyer me kohë në realitetet socio-politike si të Shqipërisë edhe të Maqedonisë. Rrjedhimisht, është një e folur krejt pa kuptim për gjuhën me të cilën shprehet Brukseli. Kryeministri Gruevski nuk e ndoqi mikpritësin e tij në këtë retorikë të pavend dhe vazhdoi të përqendrohet te problematika e denjë për një dalje të tillë në publik dhe që përputhej me çfarë pritej nga të dy kryetarët e qeverive.
Më e pakta: Presidenti maqedonas duhej ta shpërfillte atë vezë, që la gjurmë me të bardhën e të kuqen e vet mbi xhamin e veturës së Kryeministrit Gruevski. Sepse është një gjurmë që pastrohet me ujë. Më e mira: Presidentit maqedonas i takonte t’u kushtonte një moment reflektim arsyeve që e shtynë një të ri shqiptar të gjuante me vezë Kryeministrin Gruevski gjatë vizitës së tij në Tiranë. Dhe do t’i jepte kështu rast vetes të kuptonte më mirë se çfarë ndodh brenda kufijve të Republikës që ai vetë udhëheq. Sepse zemërimi i vezëhedhësit nuk ka të bëjë aspak me ndonjë përgjegjësi të Kryeministrit Gruevski brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Dhe, duke kuptuar më mirë çfarë ndodh brenda Republikës që ai udhëheq, Presidenti Ivanov, me pak më shumë vullnet të mirë, do të mund të bëhej edhe më i dobishëm për kohezionin e shoqërisë multietnike maqedonase, që do të thotë se do të mund ta kryente më mirë misionin për të cilin është zgjedhur demokratikisht.
Nuk e bëri. Sa keq për të në radhë të parë! Ne e kryem festën tonë.
Besnik Mustafaj - Panorama
Këtu mund të shikoni çastet kur është goditur automjeti i kryeministrit maqedon:http://youtu.be/nFZVyrVoz5QTaulant Capa rrëfen arsyet e këtij veprimi. Ai thotë se qëlluan me vezë makinën e kryeministrit maqedonas për "hir të diskriminim të shqiptarëve në Maqedoni". Sipas tij, edhe pse është vitit 2012 ende nuk zbatohet “marrëveshja e Ohrit” e vitit 2001.

Berisha: "Ëndrra e bashkimit etnik të shqiptarëve, në Europë"


Berisha në Ceremoninë 50-vjetorit të krijimit të gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë, pasi ka thurur lavdet përkatëse mbi arritjet e qeverisë së tij dhe pasi ka shtuar premtimet e reja elektorale, i ka kapur syri hartat e Shqipërisë etnike, vendosur prej nxënësve në koridoret e shkollës.


Aty ai ka shtuar se ëndrrra e bashkimit kombëtar të shqiptarëve duhet të realizohet në Europë. Të njëjtën pikëpamje ka shfaqur edhe Kryetari i Opozitës Edi Rama në takimin e tij përballë Albin Kurtit në Kosovë
Të thuash se Bashkimi etnik i shqiptarëve do të bëhet kur të bëhemi të gjithë pjesë e Bashkimit Europian, do ishte njësoj si të thuash që bashkimi i copave të gotës së thyer shqiptare do të bëhet kur ti hedhim (të fundit) të gjitha, atje tek koshi i plehrave, aty ka ka lloj e lloj gotash të tjera, të thyera apo të pathyera, të mëdha apo të vogla, origjinale apo prej kauçuku, gota, apo shishe...

Shkroi: Stop Injorancës !

Ai ishte Zogu mbret?


Mik i dashur,Bertolt Brecht shkruante: Gjithë pushteti buron nga populli – por ku shkon ai?” dreqi ta hajë. Tek ne pushteti shkon nga edhe ka ardhur. Herë në Beograd, herë në Athinë, herë në Romë, së fundi edhe në Ankara. Krejt varet se cila qendër na e gozhdon në karrige një politikan. Ndonjëherë edhe dy qendra së bashku. Ju reaguat pas mendimit tim, ku shkrova te një mike në “fb” vetëm këtë fjali: “Zogu nuk është mbret. Më kundërshtuat me email, privatisht, prandaj edhe nuk po përmend emrin Tuaj, por nga respekti për titullin, që kishit shënuar në fund, jo edhe pa arsye, po ju përgjigjem publikisht. Jo nga perspektiva e një historiani, por e një njeriu të rëndomtë, që përpiqet ta kultivojë një shqisë dhe ndjenjë drejtësie, duke u bazuar vetëm në veprat penale të politikanëve, vepra që duhet t’ i dijë çdo njeri i zakonshëm, madje edhe një doktor i shkencave.


Ta zëmë se Ibrahim Rugova është akoma president i Kosovës dhe ta zëmë se ime motër, pas këmbënguljes time, martohet me Rrahman Morinën, bashkëpunëtorin e madh të Millosheviçit. (Shembujt e sotëm më shërbejnë për ta bërë të qartë peshën e çështjes, ecurinë dhe gjykimin tonë aberrativ ndaj personaliteteve negative historike si dhe rehabilitimin e tyre pa u pas penduar, rrjedhimisht pasojat në shoqëri deri më sot...)


Nejse, të vazhdojmë: Millosheviçi më ndihmon me para dhe unë grumbulloj rreth meje shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Serbia na armatosë mirë dhe unë zotohem se nuk do të interesohem për shqiptarët atje, se do të vrasë patriotët e intelektual shqiptarë, si për shembull: Adem Jasharin, Thaçin, Adem Demaçin etj. Përveç kësaj, zotohem me shkrim se do ta pranojë pushtetin serb dhe do të punojë për integrimin e Kosovës në Serbi. Me cuba shqiptarë apo mercenarë serb e rus, unë futem në Kosovë dhe rrëzoj Qeverinë demokratike të Rugovës.
Meqenëse unë futem me ndihmën e Millosheviçit, unë meritoj ekzekutim apo burg të përjetshëm për tradhti të madhe ndaj atdheut dhe për puç. Kapërcimi ilegal i kufirit me një bandë cubash të armatosur, mund të jenë akuza shtesë.
Në një vend normal, të shëndoshë nga ana mendore mendoj, këtu do të përfundonte karriera ime politike, por, meqenëse populli im nuk bënë dallime semantike në mes patriotizmit dhe tradhtisë, unë përpunoj, zhvilloj dhe rris ambiciet e mia dhe zhvilloj lakminë për pushtet të përjetshëm. Nga frika se një ditë më rrëzojnë kosovarët e mi, unë me ata cuba dhe shërbëtorë të Millosheviçit që u futa brenda, organizoj edhe shpalljen time mbret dhe kështu i siguroj vetes të drejtën absolute dhe serike të pushtetit: domethënë edhe kalimin e kësaj prone private në duar e pinjollëve të mi. Unë falënderoj Millosheviçin për ndihmën dhe katapultimin tim në fron mbretëror dhe i fal Mitrovicën me rrethinë Serbisë. Ky është çmimi i parë i fronit, pa llogaritur edhe të vrarët për ta marrë pushtetin...
Këtu konsumohet akti i tradhtisë së lart i sanksionuar në çdo kushtetutë të shteteve tokësore dhe cenohet sovraniteti i vendit për përfitim vetjake, si pasojë e lakmisë sime të sëmurë. Në një vend normal, të shëndoshë nga ana mendore mendoj, nëse jo pas puçit, këtu do të përfundonte karriera ime politike: Cenimi i sovranitetit të vendit!
Edhe spiunit serb Rrahman Morina, i jap një post ministri. Pasi të shpallem mbret i Kosovës, unë betohem se do ta mbrojë atdheun dhe do të punojë për të mirën e tij. Natyrisht për ta arsyetuar veprën time, puçin dhe blerjen e pushtetit me troje shqiptare, unë përpiqem të bëjë edhe diçka për popullin, që i hipa në qafë me armë dhe me ndihmën e Serbisë. Unë di se nuk rrihet në pushtet duke qenë kundër popullit, por vetëm duke vrarë e dëbuar nga vendi ata shqiptarë, që i sulen fronit dhe që mund të organizojnë popullin. Natyrisht se krijoj edhe një administratë sepse përndryshe bota nuk do të më konsideronte Mbret i Shqiptarëve, por Cub. Po, pse i shqiptarëve? I shqiptarëve sepse me ndihmën e atyre, që nuk i kam nën pushtetin tim, u bëra mbret!
Shtetin tim do ta pranojë fqinjët, mirëpo jo të Nolit. Noli nuk i konvenon Ballkanit, unë po! Noli ishte tepër i madh për Ballkanin e vogël. Shumë i mençur për Ballkanin primitiv. Ortodoks me besim, por vendet fqinje ortodokse nuk do ta pranojnë shtetin e tij, por do ta pranojnë timin, sepse vija nga një familje bejlerësh...
Çdokush që synon rrëzimin tim, është tradhtar i kombit, puçist dhe kundër shtetit tonë, i them popullit. Merre me mend zoti doktor i shkencave, edhe pse unë kam falur troje, e them këtë! Unë tradhtari, patriotët e vërtet i quaj tradhtarë! Në fakt, ata që dëshirojnë rrëzimin tim, janë vetëm kundërshtarë të mi, patriot e idealist, por unë për ta siguruar pronësinë e shtetit, e trishtoj atë se kundërshtarët e mi janë tradhtarë, pa marrë parasysh kush janë: Adem Jashari, Rugova, Thaçi apo Demaçi. Konceptit të lakmisë sime të sëmurë i shkojnë për shtat ngatërrimi semantik i patriotizmit dhe tradhtisë, sa të shkrihen deri në mosdallim në mes vete. Këtu arrijmë tek mendimi i shkrimtarit austriak Karl Kraus i cili thotë:“ Disa gjëra janë aq të rrejshme, sa edhe e kundërta e tyre nuk është e vërtetë!” Ngatërrimi është i përkryer dhe ja pse tek ne e kundërta e rrenës është përsëri rrenë. Dhe, e kundërta e tradhtisë është tradhti, e jo patriotizëm, si kudo në botë!


Megjithëkëtë, të vazhdojmë me veprat e mia penale. Sapo të sulmojë ushtari i parë i huaj atdheun tim shumë të dashur, unë arratisem për ta shpëtuar familjen time, duke lënë popullin në luftë pa udhëheqës dhe pa mbrojtje. Në një vend normal me mendje të shëndoshë mendoj, edhe këtu do të kishte përfunduar karriera ime politike dhe do t’ isha dënuar për shkak dezertimit: me ekzekutim apo burg të përjetshëm. Unë jo vetëm që dezertoj para se të marrin vesh ushtarët e mi sulmin, por duke konsideruar veten mbret, më duhen edhe shumë lekë për ta mbajtur oborrin tim gjallë dhe çka bëj unë? Unë vjedh floririn e atdheut, që më mbajti si mbret dhe ia mbath, ku sytë, edhe këmbët. Këtu konsumohet akti i vjedhjes kriminale duke zbrazur arkën e shtetit. Edhe pse mbret i vendit, i betuar, unë do ta shikoj luftën në televizor me plane të reja për ta rrëzuar qeverinë sapo të çlirohet vendi. Fqinjët mirëpo, nuk do të tregojnë interes të më sjellin përsëri në fron, sepse mua më pason një tjetër, që u konvenonte atyre dhe me ndihmën e tyre u ngrit dhe u gozhdua në karrige si diktator.


Këtu doktor i dashur thjeshtësova historinë gati deri në banalizim, me shembuj aktual për të kuptuar nocionin tradhti edhe doktorët si Ju. Tradhtia është tradhti dhe nuk mund ta zhbëjnë veprat e mira aty këtu. Sepse unë para se të bëhem mbret, isha vrasës, puçist, vasal i huaj dhe derisa posedoj titullin mbret, bëhem edhe dezertor edhe hajdut.
Sikur ne të ishim një vend normal, me aftësi gjykuese të shëndosha, atëherë nga pasardhësit e mi të pafajshëm, do të kërkohej së paku floriri i vjedhur. Nëse Tirana nderon me një rrugë Ahmet Zogun, është për t’ u tmerruar pse nuk nderohet edhe spiuni i Serbisë Ceno Kryeziu( Cërnoglaviç) dhe Nikola Pashiçi me një bulevard, që na prodhoi një mbret! Edhe Esat Pashë Toptani duhet nderuar nga familja e së cilit vinte nëna e mbretit Zog. Edhe ai kishte ndërmend t’ i falë Serbisë veriun, kurse jugun Greqisë. Zotimi ndaj mbretërisë së Karagjogjerviqëve, puç me një bandë tradhtarësh, vrasje e patriotëve shqiptarë, dezertimi, vjedhja e arkës së shtetit, nuk janë çështje botëkuptimi dhe pikëvështrimi, por fakte që i ka prodhuar “mbreti”, që Ju adhuroni. Veprat kriminale, nuk mund t’ i zhbëj askush, sepse ai i ka prodhuar vet. Me vetëdije dhe me pasion të sëmurë ndaj pushtetit dhe karrierës. Pajtimi me ato vepra, është krim. Injorimi i atyre veprave kriminale, është pajtim me tradhtinë dhe ngatërrim i normave morale.


Nderimi i Zogut me një rrugë, flet edhe për Qeverinë e sotme shqiptare. Nuk mund të nderohet Noli, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Avni Rrustemi, Hasan Prishtina, e Ahmet Zogu, sepse këta nuk mund të futen në një kallëp. Ose të parët janë patriot, ose i dyti. Ose të parët janë tradhtarë, ose i dyti. Së bashku nuk shkojnë. Në asnjë shtet të botës nuk mund të gjenden rrugë, ku bartin emra të tradhtarëve. Propozimi për këtë emërtim, aprovimi i tij nga administrata e qytetit, flet për gjendjen tonë psikike. Flet për ata që sundojnë sot vendin. Për ata që sundojnë, sepse këta nuk qeverisin, por manipulojnë dhe dominojnë. Jo vetëm kjo, por dëshmon edhe për ata që shëtisin nëpër këtë rrugë dhe lexojnë për ditë emrin e atij, që kërkoi azil politik në Jugosllavi dhe me kunatin e vet Ceno Kryeziun, sulmoi atdheun.
Një vend që nderon një personalitet të tillë negativ, nuk mund të jetë normal, as natën e as ditën, as kur është duke fjetur, as kur është i zgjuar. Ai popull është në vegjetim e sipër. Aty ku nderohen njëlloj si patrioti, po ashtu edhe tradhtari, është e pamoralshme të flitet për norma morale. Apo për etikë në politikë.

Ministri i Mbrojtjes në Gjermani dha dorëheqje për plagjiaturë në doktoratën e tij. Politikani duhet të jetë i padamkosur, thjesht i padamkosur dhe shembull i së mirës, i moralit dhe qëndrimit korrekt, jo shembull i maskarait, i hajnit, i tradhtarit dhe i vrasësit. Karl-Theodor zu Guttenberg u dënua me një gjobë prej 20.000 €, që duhet t’ ia falë një organizate që lufton kancerin tek fëmijët, edhe atë për 23 pasazhe të vjedhur, ku kishte cenuar të drejtën e autorit. Çfarë dënimi ka paguar Zogu për puçin, vrasjen e qindra vetave, cenimin e integritetit të vendit, dezertimin, vjedhjen e arkës dhe bashkëpunimin me vendin që kishte pushtuar gjysmën e territoreve shqiptare?


Politikani që ka një episod negativ në jetën e vet, ku shquhet tradhtia, vrasja, vjedhja, nuk mund të jetë shëmbëlltyrë për kombin. Kur një politikan vret vetëm një njeri padrejtësisht, ai është vrasës, kriminel, edhe nëse nesër bëhet doktor i shkencave. Një njeri është tradhtar, edhe nëse fal një metër të atdheut pa pajtimin e popullit, edhe nëse nesër bëhet kryetar apo kryeministër. Një njeri është dezertor, edhe nëse është mbret. Historia as nuk guxon t’ i harrojë veprat negative, as t’ i zbukurojë ato, sepse kjo neglizhencë, prodhon tradhtarë të rinj në pushtet. Siç kemi edhe sot...
Këto ishin arsyet e mia mik i dashur dhe më habit edhe një: Pse adhurojmë personalitete që dëmtojnë Shqipërinë? Është në pyetje injoranca jonë e madhe, oportunizmi, paaftësia e ndarjes së patriotit nga tradhtari apo patriotizmi folklorik apo parapëlqejmë despotizmin rural? Apo pse ne gjykojmë kështu: Gjarpri që nuk më pickon mua, jetoftë 100 vjet!” Unë mendoj se kjo e fundit vlen për ne, por edhe për një arsye: neve na pëlqejnë krenaritë boshe dhe të rrejshme. Neve na pëlqen ta gënjejmë veten, injorojmë aq shumë vepra penale, sepse na eksiton iluzioni se duke pasur mbret, bëhemi disi anglez, prandaj aleluja për atë gjarpër. Ai nuk na ka helmuar neve, por të tjerët...


Faktet e numëruara, nuk janë gjykim komunist i historisë, por tradhtia është tradhti, edhe në feudalizëm, edhe në monarki, edhe në komunizëm, edhe në demokraci dhe edhe aty ku jetohet akoma në struktura fisnore dhe ku nuk ekziston një ngrehinë qeverisëse si shteti. Kur Gjermania fashiste sulmoi monarkitë tjera në Europë, asnjë monark nuk dezertoi. Arsyetimin e tij se nuk kishte armatim për rezistencë, e rrëzoi pasuesi i tij, diktatori Enver Hoxha.
Nëse nxënësit tanë mësojnë në shkollë se Zogu ishte i mirë, e jo siç e meriton në bazë të veprave të veta, atëherë ne nuk kemi historian, por njerëz që shkruajnë përralla, ku edhe tradhtari glorifikohet. Me libra të tillë, edhe në 100 vitet e ardhshme do të prodhojmë vetëm tradhtarë në krye të qeverive, sepse ne nuk jemi në gjendje të dallojmë me mes tradhtisë dhe patriotizmi, ne mes ditës dhe natës, moralit dhe pamoralit, Shtëpisë Publike dhe Qeverisë. Ja pse politikanët tanë i ngjajnë shumë plehut. Mund të ketë dobi anësore, por askush nuk duhet ta durojë në shtëpi. Ali Podrimja në poezinë e tij “Ti dhe dielli” thotë: “Me Plehun mos u pajto: nxirre në gjysmë të natës, në pikë të vapës..!” Ne mirëpo kemi një shprehi të keqe. Ne i mbyllim hundët dhe shtiremi se nuk po e shohim dhe bashkëjetojmë me të.


Summa summarum: Kush ishte Ahmet Zogu? Ai ishte karrieristë i paskrupullt, tradhtar, dezertor, vrasës, hajn, copëtues i vendit dhe punoi vetëm për veten. Vendimi i gjykatës jo në emër të popullit, sepse populli nuk brengoset shumë për këtë, por në emër të drejtësisë: pesë herë burg i përjetshëm! Po e vërteta? Ai shpërblehet. Në Tiranë ka një rrugë që quhet “Rruga e Ahmet Zogut!”
Ky vështrim u nisë me Bertolt Brecht dhe ta mbyllim me gjykimin e tij: “ Kush nuk e di të vërtetën, është njeri torollak. Mirëpo, kush e di këtë, por e quan gënjeshtër, ai është kriminel!” Qëndrimi jonë injorues dhe përkëdhelës ndaj plehut, ka ndihmuar në prodhimin e diktatorit, pastaj edhe të despotit... Burimi: Lis Bukuroca http://letersi-perkthime-artikuj.blogspot.com/2011/11/ai-ishte-zogu-mbret-gazeta-shekulli.html?spref=fb

A është vallë rastësi rivarrosja e eshtrave të Zogut më 17 nëntor?



“Pas 19 ditë luftimesh, lufta për çlirimin e Tiranës i kushtoi armikut më tepër se 2000 të vrarë, ndër të cilët 3 kolonelë të identifikuar, veç të plagosurve; më tepër se 300 robër, 25 topa në gjendje të mirë, përmbi 100 mitraloz, 200 automjete, 250 karro me material të ndryshëm, 120 kafshë të gjalla, 300 kafshë të vrara, municion, ushqime, veshmbathje të panumërta si dhe 4 tanke. Veç këtyre shpëtuan pa u prekur centralet e elektrikut, stabilimentet e radios, ura e Farkës dhe e Erzenit si edhe të gjitha ndërtesat e mëdha të Tiranës që ishin të minuara. Në veprimet e spastrimit u arrestuan përmbi 400 kuislingë dhe të dyshimtë për bashkëpunim me okupatorin. Në luftën për çlirimin e qytetit dhe të popullit të Tiranës, ranë dëshmorë 127 partizanë dhe u plagosën 290 të tjerë. Ndër të vrarët ishin dy nënkomandantë batalionesh, dy komisarë kompanie, dy zv/komisarë kompanie, dy komandantë kompanie, dy, zv/komandantë kompanie dhe tre skuadër-komandantë”. Ziqiri Mero

Në të njëjtën ditë kur festohet Çlirimi i Kryeqyteti Shqiptar nga forcat nazifashite, pikërisht në atë ditë të vitit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, Qeveria shqiptare zgjedh të rivarrosë eshtrat e Ahmet Zogut.

Do ishte shumë naive të mos nuhasnim prirjen për të eklipsuar 17-nëntorin, festën e Çlirimit të Tiranës.

Mbreti Zog duhet nderuar ashtu siç duhet nderuar çdo figurë që ka bërë pjesë në historinë e shtetit shqiptar, pavarësisht se ai u vetshpall mbret, pavarësisht faktit se erdhi në pushtet me anë të falangave sllave, apo u largua me trasta të arta nga Shqipëria, në ditët e saj më të vështira. Ai mbetet pjesë e historisë shqiptare.

Por nga ana tjetër, të lesh në harresë njerëz që dhanë jetën e tyre, duke përdorur si justifikim një mbret që iku me bishtin ndër shalë, pa shkrepur qoftë edhe një revole të vetme në luftë, kjo është një ironi shumë cinike, e rrezikshme dhe e pa menduar.

Çfarë edukimi, çfarë fryme po i japim brezave të sotëm? Të shkelin mbi gjakun e martirëve, apo të shkelë harresa dhe indiferenca për ta?

A u këndua himni shqiptar në nderim të figurës së Ahmet Zogut, e përkatësisht vargjet:
"Prej lufte veç ai largohet
që është lindur tradhëtor
Kush është burrë, nuk frigohet
Por vdes, por vdes si një dëshmor…"


Kryeministri Berisha deklaron se me këtë akt rivarrimi i japim fund manipulimeve historike të periudhës komuniste.

Personalisht, jam edukuar me librat historikë të shkruara gjatë periudhës komuniste dhe me aq sa mbaj mend, kam lexuar mbi Mbretin Zog të plotë, me dritë-hijet e figurës së tij, me meritat si dhe anët e errëta të sundimit të tij. Ç'kam lexuar më pas nuk ka ndikuar aspak në rivlerësimin e kësaj figure historike.
Kështu nuk mendojnë vetëm qytetarët që nderojnë sot e kësaj dite, Hasan Prishtinën apo dhe Bajram Currin, besoj...

E gjitha kjo urrejtje ndaj komunizmit, sikur të ishte e vërtetë dhe jo një pretekst i ndyrë, do të ishte e pasqyruar sadopak tek e veja e Kryediktatorit Hoxha, e cila u burgos vetëm për shpërdorim të kafesë, apo tek i ndjeri R. Alia, që ditët i ngrysi i qetë dhe pa antiplumb veshur, në mes të kryeqytetit...

Por si mundet të flasë për manipulime historike kryeministri shqiptar, ku vitin, jo të largët, 1997-ë na e ka trajtuar në librat e historisë të programeve mësimore, si rebelim komunist?

Sa mizor dhe i pashpirt duhet të jesh të tentosh të shuash përkujtimin e dëshmorëve shqiptarë, duke përdorur një figurë aq me dritë-hije, sa ç'është figura e Zogut?

Në rivarrosjen e eshtrave të Zogut morën pjesë mbretër të rajonit, Presidentët e dy shteteve shqiptare si dhe krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri.
Kujtojmë këtu se Z. Nishani në çdo 3 fjalë, njërën e kishte Perëndia, por i ndjeri mbreti Zog, hoqi me ligj perçen muslimane tek gratë shqiptare, ndaloi kategorikisht faljen me të pasme përpjetë, pasi sipas kodit moral shqiptar ai qëndrim shprehte ç'burrërim, ndërsa sot komunitetet fetare në Shqipëri, nuk kanë filluar të flasin ende shqip.

Mbreti Zog në kohën kur Greqia dhe Turqia në marrëveshje mes tyre po spastronin Çamërinë prej shqiptarëve, kërcënoi Greqinë se do të bënte të njëjtën gjë me ato pak fshatra minoritare në Shqipëri. Kërcënim që përkohësisht, pati rezultat.

E pra, në vend që të ngrini kot në piedestal e të thurni elozhe ndaj figurës së Mbretit shqiptar, mësoni prej tij.

Shkroi: Stop Injorancës !

Thursday, November 15, 2012

SHUPLAKE E FORTE E MINISTRIT TE JASHTEM PANARITI, NDAJ PROVOKIMEVE GREKE


“Shqipëria është një vend paqedashës, që nuk kërkon të kërcënojë ose të frikësojë njeri me politikën e saj të jashtme të drejtë dhe korrekte.
Shqipërisë ka synuar kurdoherë që me të tre fqinjët e saj që ka rreth e rrotull të rrojë në fqinjësi normale. Në qoftë se ndonjërës prej tyre nuk i pëlqyeka kjo fqinjësi normale dhe korrekte, atëherë aq punë na prish.
Monarkofashistët grekë kanë gati 69 vjet që deklarojnë se janë në gjendje lufte më Shqipërinë për arsyen bindëse, se Italia fashiste që sulmoi me armë dhe pushtoi Shqipërinë në 1939, sulmoi dhe Greqinë. Duhet një logjikë fashisti grek që të gargariset 69 vjet me radhë me këtë ide gjeniale dhe unikale. Por ne u themi fashistëve grekë, nuk e shikoni, iu prish gjiza Shqipërisë se ju deklaroni se jeni në gjendje lufte.

Por ne e kemi për detyrë t’i paralajmërojmë:- Uleni bishtin, se në rast se do të hyni në aventura do t’ju ndëshkojmë rëndë, në qoftë se ju do të godisni kufijtë tanë ne do t’ju kthejmë në kërma, në qoftë se mendoni se jeni eprorë në njerëz dhe në armatime dhe Shqipërinë do ta gëlltisni shpejt e shpejt, provojeni sa ju vlen lëkura.
Në qoftë se ju mendoni të sillni zjarrin në kufijtë tanë, ne ju themi se zjarri që ju ndizni do të përvëlojë vatrat tuaja dhe atëherë do të qërohen mirë hesapet.

Do të vihen medoemos në vend padrejtësitë e mëdha që i janë bërë Shqipërisë gjatë historisë nga klikat shoviniste të Ballkanit dhe imperialistëve e Ndryshëm.”
Deklarata e mësipërme nuk është e lëshuar prej Ministrit të Jashtëm shqiptar Edmond Panariti, por e solla në këtë mënyrë si në formë të një eksperimenti për të kuptuar prej jush, se çprovuat gjatë leximit të saj. Në të vërtetë është deklarata e Enver Hoxhës në 1968-ën në njërën prej mbledhjeve të Frontit Demokratik, ndaj provokimeve të njëpasnjëshme greke në jug të Shqipërisë. 

STOP INJORANCES!  


Videon mund ta ndiqni këtu
: http://youtu.be/dSozU9uXq7c ose http://www.youtube.com/watch?v=dSozU9uXq7c

Sunday, September 30, 2012

"Habiten se pse ky popull "idiot" nuk qenkësh i lumtur!"

Gati tre javë më parë, një modele izraelite, gjatë një seance fotografimi, u kafshua nga një gjarpër në gjoks. Fati i mirë i modeles dhe fati i keq i gjarpërit u bënë bashkë në mënyrë të pabesueshme duke prishur radhën dhe rendin në zinxhirin e evolucionit dhe duke ndërruar vendin mes viktimës së parashkruar dhe agresorit natyral: silikoni me të cilin ajo kishte harkuar dhe zmadhuar gjoksin, helmoi gjarprin, i cili ngordhi më pas.



"Të bëhet drejtësia, pa të përmbyset bota", i mësojnë juristët e rinj që në semestrin e parë, të vitit të parë të jurisprudencës. Bota e vogël shqiptare është përmbysur shpesh herë pikërisht sepse ka munguar drejtësia.

Dhe nëse javën që shkoi, një valë arrestesh për kontrabandën e naftës tronditi vendin, çdo qytetar është ndjerë edhe i vjedhur, edhe i grabitur, edhe i tallur. Eshtë ndjerë edhe i helmuar nga tymi mbytës i makinave.
Do të jetë i tallur dhe helmuar nëse e gjithë historia do të shfryhet në ndëshkimin e disa fakirëve që drejtonin autobotët e naftës, do të jenë të tallur e të helmuar të gjithë qytetarët edhe nëse do të ndëshkohen disa nga bosët që shumëfishuan milionat e eurove.
Do të jenë të tallur e të helmuar sa kohë nuk shpjegohet gjithë ky zinxhir krimi që nuk mbyllet me të arrestuarit dhe nuk ndëshkohen të gjitha hallkat e të njëjtit zinxhir.
Si në rastin e Diverolit të fishekëve kinezë, këtij profeti të së keqes që paralajmëronte dikur: gjithçka ka vajtur shumë larg e lart. Kafshët kanë dalë nga kontrolli.

Në fakt, pushteti kontrollohet kafshërisht. Pushteti është fotografia që tentohet të shitet si realitet.
Gjarpri i modeles izraelite që fotografohej me zvarranikun i nguli dhëmbët aty ku është mësuar t´i ngulë sytë njerëzia. Për fatin e tij të keq dhe për fatin e mirë të modeles u vetëhelmua nga silikoni i gjoksit të saj.
Shoqëria shqiptare nuk është gjoks izraeliteje. Edhe pse e kanë mbushur me silikon lumturie dhe i kanë mpirë nervin që e bën të dallojë viktimën nga xhelati, të vërtetën nga gënjeshtra, krimin nga dëmshpërblimi.  
Sepse sot shqiptarët janë "romë" në vendin e tyre dhe vetë romët, trajtohen siç trajtonin hebrenjtë nazistët.
Nazistët kishin bindjen e verbër se për pushtetin ishin në të drejtën të tyre edhe kur vrisnin, edhe kur digjnin, edhe kur shkelnin me zjarr të drejtën elementare të tjetrit për të jetuar.

Kështu, sot në Tiranë, ca jetojnë si patricët romakë në Romë, shumë të tjerë trajtohen si "romë" periferie: i duan shumë në letra, kurse në të vërtetë i vrasin edhe në mes të Bulevardit si në 21 janar.
Aleks Nika, prostestues i 21 janarit, i vrarë në mes të bulevardit!!!
Për hir të pushtetit, në emër të pushtetit, që habitet se pse ky popull "idiot" nuk është i lumtur!

Shekulli

Tuesday, August 14, 2012

Hipokrizia!

Rasti i I-rë
- Humba celularin, kisha një Iphone 4 të bardhë, por më tepër m'u dhimbsën kontaktet që humba.
- Po çfarë dreq kontaktesh humbe ti?!
Kush është i interesuar të telefon përsëri, ose të kontakton nëpërmjet rrjeteve sociale. Ti gjysmat e kontakteve i kishe numra picerie... Thuaj që t'u këput shpirti, se s'ke me çfarë shet më mend e s'të blen më babi Iphonin...

Rasti i II-të
- Humba portofolin. Varja lekëve që kisha aty, se për t'u prishur atë natë i kisha, por humba të gjitha kartat që kisha.
- Po normalisht që s'do të të dhimbsen lekët se ndoshta nuk ke patur më shumë sesa ka kushtuar portofoli, po ç'ne të qenkan dhimbsur karta e identitetit, kartivizitat e mobilerive apo kalendari i 2012-tës?!
Shkroi: Stop Injorancës

Thursday, July 12, 2012

Paraja nuk është gjeneza e të këqijave, por gjeneratori i tyre.

Eshtë interesante sesi në kaq vite bashkëjetesë me paratë, nuk krijoj dot një lidhje shpirtërore me ato. Madje edhe paratë që momentalisht më gjenden sot në portofol, nuk i ndjej si pronën time, nuk i ndjej si të miat dhe nuk më imponojnë kurrfarë respekti ndaj tyre.
E vetmja arsye pse më bie ndërmend të diskutoj rreth parave, është se ato janë të famshme.
Thuhet se me paratë mundet të blesh gjithçka, por edhe një pistoletë në dorë, nuk blen më pak.
Dikush padyshim do të thoshte se të kërcënosh me armë dikë, të bëjë diçka jashtë vullnetit të tij, është kriminale.
Jam dakord, por më thoni se sa herë na ndodh që të jenë pikërisht paratë, ato të cilat na detyrojnë të dalim jashtë parimeve tona, jashtë natyrës tonë, jashtë qëllimeve e bindjeve tona?
A nuk përbën dhe kjo shkelje e vullnetit një krim, ndaj individit fillimisht dhe vetë shoqërisë rrjedhimisht?

Përse i duhen paratë shoqërisë njerëzore? Për të punuar?
Shoqëria jonë kanë punuar edhe kur nuk kishte para.

A ka shtrembërim më mizor mbi konceptin e punës, sesa të punosh për para?
P.sh, një mjek të shërojë një të sëmurë, jo sepse kjo është detyra e tij, por sepse i duhet rroga në fund të muajit. Apo, një polic të kap një keqbërës, jo sepse ai ka shkelur ligjin, por sepse i duhet rroga. Një politikan të drejtoj një shtet, jo sepse e do vendin e tij dhe mendon se mund të bëjë më të mirën për të, por sepse i duhet rroga...

Po nëse këtyre njerëzve që punojnë t'iu japin më tepër para se rroga e tyre, a legjitimohet fakti për të devijuar nga puna e qëllimi i saj?

Ka ardhur koha që njeriu të krijojë (apo rikthehet) në një sistem, ku paratë nuk qëndrojnë në krye të hiearkisë, mbi vlerat e ndjenjat njerëzore.

Shkroi: Stop Injorancës

http://stopinjorances.blogspot.com/2010/09/na-kane-mposhtur.html

Tuesday, June 26, 2012

S T I L

Stil, është një fjalë mbarëkombëtare që nënkupton një mënyrë të hijshme në të veshur, në të sjellur.
"STIL", ata që kuptojnë sadopak prej etimologjisë, e kuptojnë lehtësisht se kjo fjalë përbëhet prej 2 rrënjësh, prej foljes "është" dhe fjalës më të ndritur njerëzore"Yll".
Pra eshtë+yll, (e)st+il, duke ruajtur sigurisht edhe kuptimin logjik të fjalës.

Stil nuk është vetëm mënyra se me çfarë rrobash vishesh, por më tepër se si i vesh dhe si i heq rrobat prej trupit.
Stil është mënyra se si një njeri shtrydh pastën e dhëmbëve, mënyra se si ai tërheq derën me shpejtësi dhe e ndal me delikatesë pak para se të përplaset. Stil është mënyra si hidhesh në krevat dhe si çohesh prej tij. Si i heq çorapet, këpucët. Stil është mënyra se si ti kap një shishe uji dhe si e pi atë. Si e ndez cigaren dhe si e shuan atë. Si ushqehesh dhe si përtypesh. Stil është mënyra se si buzëqesh, mënyra si flet dhe si e intonon zërin e volumin e tij. Stil është edhe mënyra si reagon pasi nevrikosesh. Stil është mënyra si merr frymë dhe si e nxjerr atë.
Nuk janë të rrallë njerëzit, që nuk e kanë për gjë të t'a përplasin në fytyrë gjithë frymën e tyre, pavarësisht nëse aroma e gojës së tyre, është apo jo e mirëpritur...
Stil, janë të gjitha lëvizjet e pandërgjegjshme të gishtërinjve. Mënyra si pushpurit flokët, si pastron cepat e buzëve. Stil është mënyra si përshëndetesh, si ecën, si vrapon, si noton.

Stil është çdo lëvizje e mimikës së fytyrës dhe e trupit, me anë të së cilave, shprehin rrethin e gjerë të emocioneve që provojmë.

Janë pikërisht këto elementë, për të cilat nuk na flasin dhe nuk flasim thuajse kurrë, këto detaje në dukje të vogla, me anë të së cilave jo vetëm perfeksionojmë sjelljen, por bëhemi edhe më të dashur, më të pranueshëm dhe më të vyer, në shoqërinë tonë.

Shkroi: Stop Injorancës !


Tuesday, June 5, 2012

20 vjet pa Enverin, 20 vjet me Berishën.

20 vjet me pare, ashtu si ne vendet e tjera te bllokut komunist, edhe ne Shqiperi, rrezimi i komunizmit u be jo me dhune, por me forcen dhe deshiren e njerezve per liri, me deshiren per te vendosur parimet e demokracise liberale: respektimin e te drejtave te njeriut, ekonomine e tregut, shtetin ligjor dhe globalizmin.

 Por, endrra evropiane, optimizmi i tejskajshem, idealizmi per nje sistem te ri demokratik bene qe te mos mendonim per shume vite per rrezikun e se keqes se vjeter, e cila u fsheh pas perdese se ndryshimeve drastike te kohes. Nen euforine e mendimit per shkaterrimin e komunizmit mashtruam veten, duke menduar që koniunkturat komuniste mund te ndryshonin. Por, gabuam rende.Lidhjet biologjike, me diktaturen komuniste jane shume te forta. ADN-ja e komunizmit u mbart ne menyre konstante dhe sistematike tek bijte e eterve komuniste. Shqiperia ishte vendi i fundit qe 20 vjet me pare shembi regjimin komunist duke i hapur rrugen pluralizmit me themelimin e Partise Demokratike, forces se pare politike qe lindi ne vend.

Te gjithe pranojne se Shqiperia ka pesuar ndryshime te thella dhe ka realizuar nje kapercim te madh, por gjithashtu ajo mund te kishte perparuar me shpejt nese tranzicioni i saj nuk do te ishte shoqeruar me trauma qe e vonuan ne kohe. Me 20 shkurt te ketij viti u mbushen 20 vjet nga rrezimi i diktatures komuniste. Sali Berisha  ftoi te gjithe qytetaret qe te beheshin pjese e koncertit festiv, qe u  mbajt te dielen, me rastin e 20 shkurtit, diten ne te cilen 20 vjet me pare, u rrezua shtatorja e diktatorit Enver Hoxha ne Tirane. 20 vjet pas 20 shkurtit 1991 kryeministri ka thënë se Shqiperia eshte nje vend ku funksionojne institucionet.

"Sot Shqiperia eshte nje vend me nje kushtetute thellesisht demokratike. Shqiperia eshte nje vend me ligje thellesisht demokratike. Gjithçka dhe çdo gje ne kete vend eshte e mundur dhe duhet te zgjidhet ne respekt te plote te kushtetutes” ka thene pasuesi i Enver Hoxhes, Sali Berisha. Them pasuesi se ka  ca si teper ngjashmeri Enveri me Saliun.

Qe te dy thone: “Degjomeni mua, une di, ju s’dini, do behet si them une”. Opozitarin Enveri e varroste ose e burgoste, Saliu e heq nga puna. Servilet Enveri i paguante kot, po kete bene edhe Saliu, ju jep edhe pozite. Enveri kishte shume spiune, Saliu ka prape spiune me shumice. Familjaret e Enverit benin jete disi me te mire se te tjeret, familja e Saliut deklaron miliona euro luksi. Vetemburrjen Enveri e ngriti ne qiell, Saliu e çoi ne hene. Median Enveri e kishte personale, Saliu e komandon me  Fariun etj.

Ata te dy i ndane vetem sensi se”njeri ish grure, tjetri KASHTE”. Kashta kashte mbetet…Te dy menduan se po u ngjite ne maje te shtetit je burre shteti. Me i ndershmi,me i drejti,me i afti,me i kulturuari.Keto jane cilesit e nje burri shteti qe meren qe ne familje,ndersa,Enveri urente te jatin,Saliu ka sekret gjithe jeten familjare te pa ardhesve te tij.

Nëse nje shoqeri mbart krimet e se kaluares te ndrydhura ne vetvete ajo eshte shoqeri  jo e shendetshme, qe vuan pasojat e krimit te djeshem duke mos gjetur dot energji per te sotmen e per te ardhmen. Historia po i ndeshkon shqiptaret, po i ndeshkon pse nuk ndeshkuan kriminelin, pse jo vetem e lane te lire te bridhte rrugeve, por edhe e veshen me pushtet dhe me arme. Ishim edhe ne ne demostraten tragjike te 21 Janarit dhe protestuam paqesisht.
Mund te kishim marre nje plumb edhe ne. Syte na pane njerëz te pafajshem, te cilet moren Kushtetuten e te drejtave te njeriut me vete ne varr.U vrane pa gjyq. Ishin te paarmatosur. Arma me e fuqishme qe kane pasur ka qene zemerimi qe iu vlonte ne shpirt. Kryeministri i Shqiperise nuk diti as kete here te mos e çoje popullin e vet deri ne ate menyre te skajshme. Tregoi edhe një herë se nuk i dhimbset asgjë, përveç kolltukut. Sot ndihemi sikur po rijetojmë në kohën e Enver Hoxhës. Në fakt, gjendemi edhe më keq se atëherë. Enver Hoxha të vriste pa firmosur asnjë kontratë për të drejtat e njeriut me botën e qytetëruar dhe demokratike. Ndërsa sot ndodhin turpe dhe tmerre “në emër të demokracisë”, dhe kur janë nënshkruar të gjitha kartat e të drejtave të njeriut. E në vend të drejtësisë, sot na duhet të dëgjojmë fjalimet e Sali Berishës. Përditë e më shumë i ngjajnë fjalimeve të Enver Hoxhës...

Shqipëria po ndryshon me vrasje e tmerre. Por edhe më parë ka qenë kështu. Veç në dukje ishte pak më e qetë, por në brendësinë e vet ky pushtet e ka pasur të fjetur krimin, i cili zgjohet sa herë e ngacmojnë aty ku nuk i pëlqen.


Geraldo Durdaj
Shënim: Autori është gjimnazist, banor i Gërdecit.

Tuesday, March 20, 2012

Parashikimi i ëndrrave

Dje po shihja tek Kanali T, një dokumentar nga Nadir Murra, mbi misterin e Endrrave, në ciklin e dokumentarëve ENIGMA.

Ajo teori, të cilën dokumentari e mbështeste fuqimisht, nëpërmjet intervistash me njerëz të shkencave të ndryshme, ishte ideja se ëndrrat kanë një domethënie, kanë një kuptim, japin disa mesazhe, disa kode, të cilat duhet mësojmë ti lexojmë.

Sipas besimeve më të lashta të njeriut madje deri tek Bibla, ëndrrat trajtohen si pika takimi me krijuesin.
Me sa miliard ëndrra shikojmë, sa i lartë është propabiliteti që diçka që e shohim në ëndërr, të na ndodhë realisht?

Sa është numri i ëndrrave të cilat nuk realizohen?
Sa është numri i ëndrrave ku nga dhoma jote del në një pyll dhe aty pas një liqeni të shfaqet tregu i zarzavateve dhe brenda një shoku yt i fëmijërisë që shet armë...
A duhet domosdoshmërisht ti japim ndërgjegje të pandërgjegjshmes?
Fundja ç'kuptim ka të parashikosh të ardhmen, kur ti përsëri nuk do ta ndryshosh dot?

Sepse në rast se e ndryshon, nuk quhet më parashikim.


Sipas opinionit tim, nqs ëndrrat kanë një domethënie, atëherë edhe prapanica i ka të gjitha arsyet të nisë dhe të pretendojë deshifrimin e të gjithë tingujve të saj...


Shkroi: Stop Injorancës

Njeriu i Ri socialist vs Njeriu i Ri kapitalist

Shqipëria gjatë 50 viteve të regjimit komunist, luftoi dhe krijoi Njeriun e Ri socialist. Sot, në 2 dekada të rënies së sistemit njëpartiak, në Shqipëri ka lindur dhe po rritet Njeriu i Ri kapitalist.
Le të hedhim një vështrim pas, për të krahasuar këta 2 Njerëzit e Rinj shqiptarë, dje dhe sot.

Njeriu i Ri socialist nuk mundej të abortonte një fëmijë, për asnjë arsye, as pse gjinia e foshnjës ishte femër, as pse foshnja ishte jashtë planifikimit familjar, pasi shteti shqiptar aplikonte politika që të nxiste lindshmërinë.
Njeriu i Ri kapitalist në Shqipëri, kryen me përafërsi(pasi klinikat private nuk raportojnë çdo abort që kryejnë) rreth 10 mijë aborte në vit, ose e thënë ndryshe 1 në 4 shtatëzani.

Njeriu i Ri socialist kishte të siguruar një vend në çerdhe, apo në kopësht për fëmijën e tij.
Njeriu i Ri kapitalist, duhet të korruptojë drejtoreshën e çerdhes për ti siguruar fëmijës së tij, një vend dhe një uturak.

Njeriu i Ri socialist mundej ta linte fëmijën e tij për të luajtur poshtë pallatit, në gjelbërim, pa patur frikë se do ta rrëmbente ndokush, pa patur frikë se do ta shtypte ndonjë makinë, pa patur frikë se do ia drogonin...
Njeriu i Ri kapitalist poshtë pallatit ka vetëm pluhur dhe beton, qindra makina të mpleksura bashkë që nuk pushojnë duke i rënë burive, për të dalë nga parkimi i improvizuar.

Njeriu i Ri socialist arsimin 8-vjeçar e kishte të detyruar dhe familja ndëshkohej fillimisht me gjobë dhe më pas edhe me burg nëse nuk dërgonte fëmijët në shkollë.
Njeriu i Ri kapitalist nuk i jep llogari askujt. Rrugët janë të mbushura me fëmijë që lypin, që shesin fara, gazeta, paketa e gjithçka tjetër, në atë orë në të cilën duhej të ishin të ulur, në bangat shkollore.

Njeriu i Ri socialist, në çdo fshat kishte një shkollë.
Njeriu i Ri kapitalist, në çdo fshat sot ka një kishë a një xhami.

Njeriu i Ri socialist e kishte të ndaluar të lypte.
Njeriu i Ri kapitalist, duke lypur mundet të fitojë edhe më tepër se një inxhinier.

Njeriu i Ri socialist vendin e punës e kishte të garantuar prej shtetit.
Njeriu i Ri kapitalist edhe vendin e punës, është i detyruar ta blejë me para.

Njeriu i Ri socialist të gjithë shërbimin shëndetësor e kishte falas.
Njeriu i Ri kapitalist paguan para edhe tek Spitalet Shtetërore.

Njeriu i Ri socialist shtëpinë e kishte të sigurt prej shtetit.
Njeriu i Ri kapitalist blen një shtëpi, as kur ajo nuk ka hipotekë.

Njeriu i Ri socialist dilte dhe e pastronte ambjentin e përbashkët ku jetonte.
Njeriu i Ri kapitalist i hedh plehrat ku t'ia ketë qejfi dhe askush nuk guxon ti thotë një fjalë.

Njeriu i Ri socialist i linte dyert hapur mes komshinjve.
Njeriu i Ri kapitalist nuk përshëndet dhe nuk njeh as komshiun që ka përballë prej vitesh.

Njeriu i Ri socialist i kalonte pasditet duke parë teatro, koncerte, cirk, duke bërë shëtitje, apo ulur mbi trotuare.
Njeriu i Ri kapitalist, kafeneve, pubeve, xhiro në makina ose në facebook.


Njeriu i Ri Socialist ushqehej dhe konsumonte kryesisht prodhime shqiptare.
Njeriu i Ri Kapitalist investon paratë e tij tek produktet greke, serbe, malazeze, maqedonase, italiane, turke, kineze etj,etj...

Njeriu i Ri Socialist nuk protestonte, nga frika se regjimi do ta vriste.
NJeriu i Ri Kapitalist nuk proteston, sepse regjimi e ktheu frikën e tij në realitet.

Njeriu i Ri Socialist festonte 1 majin, pasi punonte gjatë gjithë vitit.
Njeriu i Ri Kapitalist, feston ende 1 majin, sepse është i papunë...

Njeriu i Ri Socialist nderonte dëshmorët e 5 majit, Çlirimin më 29 nëntor.

Njeriu i Ri Kapitalist ka harruar ç'është 5 maji dhe 29 nëntorin e kanë kthyer në një ditë ndarjeje, mes 28-ës dhe 29-ës.
Njeriu i Ri socialist merrej me art, me sport, me industri, me bujqësi etj.
Njeriu i Ri kapitalist është shterpë, luan kalçeto, mbahet ende gjallë me shitjen e skrapit të këtyre industrive dhe tokat i ka lënë djerrë.

Njeriu i Ri socialist, nuk kishte të drejtë të fliste kundra sistemit.
Njeriu i Ri kapitalist mundet të thotë gjithçka kundra sistemit, por askush nuk ia vë veshin.

Njeriu i Ri socialist gjithçka e kishte shtetërore.
Njeriu i Ri kapitalist, edhe shtetin e ka pronë private.

Kjo listë mund të jetë shumë e gjatë dhe me kahe të ndryshme, pasi sigurisht jo gjithçka ka ndryshuar për keq, prandaj do e lija në dorën tuaj ta plotësonit panoramën, se si dhe sa ka ndryshuar Njeriu i Ri shqiptar.

Shkroi: Stop Injorancës

Monday, March 19, 2012

Lindja e një feje në Perëndim

Islami ka kaluar përfundimisht në Perëndim. Jo në formën e një pushtimi, as të ndërrimit masiv të fesë, por nëpërmjet një zhvendosjeje vullnetare të popullsive myslimane, e cila vjen në Perëndim për të kërkuar punë ose kushte më të mira jetese. Kjo gjendje në pakicë e islamit nuk është krejt e re, por sot ajo merr më shumë rëndësi, sepse globalizimi po përshkon dhe vetë hapësirën tradicionale myslimane.


Në një kohë kur kufijtë mes qytetërimeve të mëdha po fshihen, shohim të shfaqen teori dhe lëvizje që synojnë pikërisht t'u rijapin jetë fantazmave të tyre: që nga "përplasja" te "dialogu" i qytetërimeve, duke kaluar nëpër komunitarizmin në të gjitha trajtat e tij, etnike ose fetare, duke vendosur kësisoj kufij të rinj, që s'kanë kurrfarë lidhje me një territor konkret. Ato nguliten në mendjet, sjelljet dhe ligjërimet. Dhe me t'u sajuar, për to nis lufta edhe me më shumë egërsi.


Në këtë kuptim, çështjet që po shtrojmë këtu nuk janë mirëfilli vetëm të islamit. Ato mund t'i formulonim kështu: rishpikja e një komuniteti fetar ideal, që bazohet vetëm mbi ushtrimin e besimit dhe përkushtimin vetjak, duke përjashtuar kështu traditat dhe kulturat specifike që lidhen me një vend apo hapësirë të caktuar gjeografike; krijimi i një fetarie që shihet si një mënyrë realizimi të vetes; pranimi tërësor dhe brutal i një jete që bazohet vetëm mbi praktikën fetare; perceptim i grupit të vet fetar si një pakicë e kërcënuar prej një mjedisi armiqësor (qoftë kur është fjala për fe të tjera, apo të mungesës së fesë); kërkesa ndaj shteteve të ndryshme për të njohur identitetin e një komuniteti fetar si të tillë, edhe kur ky përbën shumicën; kërkesa për ta gjetur kuptimin te një rikthim në bazat e Zbulesës, duke shmangur kështu filozofinë, kulturën dhe historinë; dhe, së fundi, parja e fetarisë vetjake dhe e besimit (atij të born again) si një e vërtete absolute, duke iu kundërvënë dijeve mondane.


Të gjitha këto i gjen sot edhe te krishtërimi. Objekti i këtij libri është pikërisht të studiojë transversalitetin e formave të evoluimit të islamit bashkëkohor: sesi, duke u nisur nga një Zbulesë dhe një histori vetjake, islami përshkohet prej prirjeve që i gjen dhe në fetë e tjera të mëdha? Është i njëjti transversalitet që shtrihet edhe në format e dhunës së radikalëve islamikë që janë më shumë shprehje e një kundërshtimi anti-imperialiste sesa e ndonjë tradite fetare.


"Riislamizimi" i mjedisit nuk është aspak vetëm një protestë identitare (siç thuhet kur bëhet fjalë për efektet që ka patur konflikti izraelo-palestinez në opinionin e myslimanëve të Francës), as ndonjë sintezë që bën të mundur të pajtohen së bashku besnikëria ndaj origjinës, moderniteti dhe autonomia individuale (siç dëshmohet në çështjen e perçes). Ai është edhe pjesë përbërëse e një procesi akulturimi, domethënë zhdukje e kulturave të origjinës në dobi të një forme oksidentalizimi.


Riislamizimi shoqëron këtë proces akulturimi, aq më tepër kur në të vërtetë, më shumë sesa një mënyrë reagim ndaj tij, ai ofron një mundësi për të jetuar e për t'u përshtatur me të.


Riislamizimi është vetëdija se identiteti mysliman, deri këtu i konsideruar thjesht si vetvetiu i kuptueshëm, sepse ishte pjesë e një tërësie kulturore të trashëguar, nuk mund të mbijetojë po s'u riformulua shkoqur, jashtë çdo konteksti kulturor specifik, qoftë ky europian ose lindor. Ai është i lidhur me vullnetin për të përcaktuar një islam universal, përtej kulturave specifike, brishtësia dhe karakteri historik i të cilave befas janë bërë të qarta.


Sigurisht, epoka e artë e qytetërimit arabo-mysliman mbetet e vlerësuar në të kundërt me periudhën koloniale: por kjo nostalgji supozon se ka pasur dekadencë. Ëhat ëent ërong?, siç thotë titulli i një libri të Bernard Leëis-it - Çka nuk eci? Përse "më e mira e feve është sot pasuri e popujve dikur masivisht të kolonizuar dhe sot rregullisht të poshtëruar, sa prej epërsisë ushtarake të kundërshtarëve të tyre (nga Palestina tek Iraku) aq edhe nga autoritarizmi dhe paaftësia e regjimeve të tyre politike?


Përse Islami është në Europë feja mbizotëruese në hapësirat ku ka përjashtim social? Ligjërimet nostalgjike, që sjellin ndërmend epokën e artë të islamit të kalifëve, nuk ofrojnë asnjë shpjegim, në mos atë të komplotit (kolonial apo sionist) aq më tepër që ky qytetërim klasik arabo-mysliman nuk është tamam një kulturë origjine, por një rindërtim pak mitik dhe ndonjëherë shkollor.


Sot shohim pra një vullnet për të bërë tabula rasa dhe për këtë ligjërimi i fondamentalizmit përbën një instrument të shkëlqyer: ai refuzon të kaluarën, tejkalon ndarjet bashkëkohore dhe propozon një model universal që shkon në kahen e akulturimit të përgjithshëm të shoqërive aktuale.


Zhvendosja shpreh më shumë një kërkim të universales sesa nostalgjinë për një vend ose një shoqëri që sidoqoftë, nuk janë modele pozitive (si Algjeria ose Pakistani sot), nga të cilët largohen për të gjetur një jetë më të mirë në Europë ose në Amerikë.
Si t'i lidhësh së bashku mërinë ndaj Amerikës dhe radhët përpara konsullatave amerikane për të marrë një vizë?


Ky kërkim universaliteti bëhet kundër kulturës së origjinës, por edhe kundër "kulturës perëndimore", që përpiqen ta sjellin edhe atë në një rast historik specifik. Kritika ndaj mëtimeve të qytetërimit europian të Iluminizmit se është universal (sidomos për përkufizimin e të drejtave të njeriut) është diçka që e gjen shpesh tek intelektualët e sotëm myslimanë, siç gjen dhe distancimin ndaj kulturave specifike të historisë arabo-myslimane, që nuk duan t'i ngatërrojnë me mesazhin kuranik.


Islami në Europë jepet njëherësh si "i pamishëruar" në pikëpamje kulturore dhe sociale, domethënë që nuk pranon të jetë një fe "etnike" dhe shprehje e një kulture të importuar, çka do të ishte në kundërthënie me mesazhin e tij të universalitetit. Myslimanët ushtrues të fesë nuk duan të përcaktohen si arabë, turq apo pakistanezë, por si myslimanë duke iu shmangur me këtë edhe diferencimit social dhe ekonomik, që njëherësh i ndan ndërmjet tyre dhe i veçon nga pjesa tjetër e shoqërisë. Por, duke e bërë këtë, ata shtrojnë nga ana e vet pyetjen e thekët që i ka munduar antropologët dhe historianët perëndimorë: a ka një thelb të islamit përtej mishërimeve të tij kulturore?


Përktheu nga frëngjishtja Aleko Minga

Autori
Olivier Roy (1949), që vjen në botimet shqip nga IDK, Tiranë 2011, me të parën vepër në fushën e politologjisë "Globalizmi i Islamit", është ndoshta shkrimtari më provokues dhe më novator sot për islamizmin. Me përhapjen e islamit në mbarë botën, është bërë vështirësisht e dallueshme lidhja që bashkon një fe me një shoqëri a territor të caktuar. S'duhet harruar se sot, kryesisht në sajë të emigracionit, pothuajse një e treta e gjithë myslimanëve jetojnë në vende ku ata përbëjnë një pakicë. Siç na shpjegon O.Roy, sot në botën myslimane vërehet një skizmë mes lëvizjeve tradicionale myslimane, nga njëra anë, dhe militantëve rrënjëdalë, të cilët rreken të krijojnë një umma (apo bashkësi myslimane) imagjinare, që s'ka lidhje me ndonjë shoqëri apo territor të caktuar, nga ana tjetër. Olivier Roy sjell një tablo të detajuar të universit kompleks të lëvizjeve të shumta ekzistuese islamike.
I njohur si një ndër autoritetet më me emër në botë për Islamin politik, si dhe Lindjen e Mesme, Olivier Roy është aktualisht drejtor i studimeve i Shkollës së Studimeve të Larta në Shkencat Sociale, në Paris.

Tuesday, March 6, 2012

Të ngrihet një muze për genocidin ndaj shqiptarëve



Berisha: Në Tiranë duhet të ngrihet një muze për genocidin ndaj shqiptarëve

Eshtë e domosdoshme që Tirana, kryeqytetin e vendit, të ketë një muze të veçantë për kalvarin e shqiptarëve këto dy shekuj, sepse për ne, harresa do të ishte turpërim i madh, do të ishte e pafalshme!
Ne flasim dhe njohim disa nga masakrat, por ju garantoj se në çdo territor të këtij vendi që kufizohet me të tjerë kalohet mbi të vdekur, të rënë vetëm e vetëm se ishin shqiptarë. Kjo është mënyra më dinjitoze për të ndërtuar marrëdhëniet e reja me kombet e vendet përreth, për të ecur të sigurt drejt së ardhmes që meritojmë. Ndaj, edhe Tirana duhet të ketë një muze të genocidit kundër shqiptarëve, në mënyrë që brezat, fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë të shohin se cilat ishin sakrificat e paraardhëse të tyre, cila është drita që i udhëheq ata drejt së ardhmes që meritojnë”.

“Asnjë komb tjetër, pas kombit hebre, nuk ka njohur genocide, spastrime etnike, krime kundër njerëzimit, siç kanë njohur shqiptarët, të paktën që nga Lidhja e Prizrenit, deri në fund të shekullit që lamë pas. Por sot, ne jemi të lirë e kjo liri është e tëra e ndërtuar mbi një sakrificë mbinjerëzore, mbi një përpjekje titanike të një kombi të vogël për të mbijetuar, në të drejtën, në tokën, në trojet e tij. Sot, ne jemi të lirë dhe kemi një vështrim të kristaltë drejt të ardhmes sonë. Kemi besim të madh se si komb i lire lamë mbrapa periudhën e përpjekjeve për mbijetesë e ekzistencë dhe kemi hapur kapitullin e ndërtimit të së ardhmes që meritojmë, e një të ardhmeje në liri, në prosperitet, në bashkëpunim dhe miqësi me kombet e tjera të rajonit e të Europës,” tha Berisha.

P.s Si ta bëjmë Z. Berisha që vetëm gjatë qeverijes suaj janë përdhunuar të gjitha varret, bustet e statujat e figurave të kombit shqiptar? Janë shkatërruar të gjitha shtëpitë muze, të gjitha monumentet e kulturës, çdo shenjë nga e kaluara jonë e mundimshme, nga trashëgimia jonë kulturore.
Si t'ia bëjmë që ti edhe pse me PDIU-në në kualicion, nuk gjete kurrë guxim të trajtosh çështjen çame me analogun grek?
Si është e mundur që fërkon supet e Janullatosit, kur çdo e zezë në jugun shqiptar mban vulën e tij?
Si t'ia bëjmë që janë vrarë sërish shqiptarë, vetëm pse ishin shqiptarë? Mbi 2000 të rinj u vranë atëherë kur ti po vetzgjidheshe President.
26 të tjerë në një shpërthim të tmerrshëm tek një prej bizneseve të tua dhe sot ende nuk iu është dhënë drejtësi. Dikush madje u aksidentua duke shkuar për gjah...
Janë vrarë shqiptarë, në mes të bulevardit dhe janë quajtur edhe qafëpalarë e mercenarë? Madje ti i dhe 4 rroga vrasësve të tyre...
Janë quajtur faqezinj ata që janë ngritur për ti thënë NDAL akteve të tua antikombëtare, janë quajtur sharlatanë, thashethemexhinj.
Janë quajtur Aleancë Plehu ata që refuzuan ardhjen e plehrave nga jashtë. Kjo lloj vrasjeje, edhe pse më e ngadaltë, është më tepër e dhimbshme.
Vriten edhe sot çdo ditë shqiptarë në Greqi, Maqedoni apo Serbi, pikërisht sepse janë shqiptarë. Ndërkohu ju shtrëngoni duart, fqinjësia shembullore, krijoni minoritete të paqena, furnizoni me naftë makinat e vdekjes...

Në Shqipërinë tonë të lirë, zhvarrosen varret e të parëve tanë dhe trajtohen me miratimin tuaj si ushtarë grekë.
Në Shqipërinë e duarve të tua të pastra, vriten qytetarë ditën kur votohet për demokracinë.

E di ç'keni Z. Kryeministër, vazhdoni më mirë përgatitjen për festimin e 1 majit siç festuat edhe vjet dhe urojmë që Shakira të mbetet e kënaqur me 5 milion eurot që ia rrëmbeni popullit shqiptar.

Kur të ngrihet Muzeu ndaj genocidit kundra shqiptarëve, figura juaj do të zërë një vend shumë të rëndësishëm... Urojmë të jeni gjallë deri atëherë.


Shkroi: Stop Injorancës  https://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Thursday, January 19, 2012

Akuzat publike ndaj prokurorisë



“Lipset të deklarojmë se Prokuroria në kërkesën e saj, provoi edhe njëherë se mbeti në mjerim të thellë profesional dhe ligjor për argumentet dhe pseudo-provat ku u mbështet.
E shtrënguar nga mungesa e tyre, por edhe paaftësia, ne pamë se asaj gjatë gjithë procesit gjyqësor, ju rrëzuan të gjitha pseudo-argumentet, prej të cilave ajo dhe vetë hoqi dorë, duke e parashëmbur kalanë prej rërë, të ndërtuar me pasion kriminal .
Ajo që pamë dhe dëgjuam sot në këtë seancë , në të cilën ajo duhet të reflektonte, ishte që për të shpëtuar nga mbytja Prokuroria u kap me dhëmbë në gomonen e çpuar të mashtruesit të vitit.
Fatkeqësi për këtë institucion, i cili na u shfaq edhe njëherë si kollovar dhe shërbëtor i politikës së rrugës dhe jo i ligjit.
Mund të themi pa më të voglin dyshim se pafajësia e Ilir Metës, e kërkuar nga mbrojtja në seancën e sotme është evidente sepse e tillë është e vërteta”


Komunikata për shtyp e Spartak Brahos - përfaqësuesit ligjor të I. Metës, pasi dëgjoi pretencën që kërkonte 2 vjet burg e 1 milion lekë gjobë ndaj Metës.

A mendoni se të tilla sulme ballore në deklarata për shtyp ndaj institucioneve të pavarura, kryer nga avokatë, që presupozohet se duhet të mbrojnë institucionet prej ku marrin edhe profesionin, nga avokatë që presupozohet se betohen për të punuar vetëm për të vërtetën dhe vetëm të drejtën, duhen dënuar ligjërisht, nëse provohet nga gjykata se i akuzuari i tyre, është fajtor?!


Shkroi Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Sunday, August 14, 2011

Shock to the system

Perandoritë po bien. Njeriu, po ngrihet. Diçka ka në ajër.
Në fillim vendet arabe, tani Anglia. Nuk dua të them, Britania. Dua të them Anglia. Nuk jam britanik dhe e kuptoj vetëm së jashtmi nevojën e tyre për të thënë “jemi britanikë”, në vend të “jemi anglezë” apo “skocezë”, apo “uellshë”. Perandoritë, po bien. Kombet po ngrihen.
Ka diçka që më tremb e ka diçka që më ngjall shpresë në tërë këtë që po ndodh, dhe desha ta ndaj me ju.
Në fillim desha ta quaja këtë Tartë, “leksione angleze”. Por, meqë po e shkruaj duke dëgjuar një cyberpunk të lashtë të vitit 1992 nga Billy Idol, mendova, në dreq me titujt politikisht korrektë. Le të flasim për shpirtin. Për shpirtin e zjarrit, të revoltës, e të huliganizmit. Për gjërat që po digjen e që do të digjen. Në 1992, revoltat në Los Angeles ishte një shock për sistemin. Tani është më shumë. Mund të jetë fundi i sistemit. Fillimi i fundit.

Ahh riot, rape, race and revolution…
Kështu e fillon Billy Idol, këngën që e ngriti fill pasi Los Anxheles u dogj nga protestat disa ditëshe më 1992, nëse nuk gaboj. Në atë kohë, sistemi ka qenë ndryshe. Bota ka qenë tjetër dhe muzika po ashtu. Vitet ‘80, të cilat përkufizuan një nocion tepër të lartë të lirisë po mbylleshin e bashkë me to edhe përkufizimi i lirisë. Sikur perëndimi të mos kishte qenë ai që ishte në vitet ‘70 e ‘80, ndryshimi i madh politik në lindje mund të mos kishte nisur. Por, magneti i lirisë ishte shumë i fortë. Perëndimit i duhej ky magnet për të thithur lindjen komuniste e për të dëshmuar superioritetin e sistemit. Kur flas për sistem, e kam fjalën pikërisht për atë, perëndimorin, që u standartizua në vitet ’80 me demokracinë dhe kapitalizmin, lirinë dhe të drejtën e revoltës, me sindikatat e studentët.

Pa qenë ekspert, e pa dashur të stërholloj teorira të përgjthshme, s’mund të rri pa vënë re që në lindje demokracia nuk arriti të funksionojë. Dhe kur them për lindje, nuk e kam fjalën për ne. Politikisht, ne jemi në lindje të lindjes së Lindjes.  Ne jemi dhe më në lindje se Kina, po qe për atë punë. E kam fjalën për vendet e lindjes europiane, me një traditë të mëparshme qytetarie e demokracie, me lidhje organike të vjetra me kontinentin. Me vende, ku demokracia ka lindur, e nuk është importuar. Nëse dhe Hungaria e Çekia nuk arritën ta marrin standartin e lirisë e ta aplikojnë pa probleme, atëherë vetë sistemi ka probleme.
Pasi magneti i thithi, i la aty. Sot, ato kanë probleme. Jo si tonat, por kanë.
Pas viteve ’90, sistemi nisi të përsosej. Jo për njerëzit, por kundër njerëzve. Edhe vetë perëndimi nuk kishte nevojë për aq shumë liri sa në vitet ’80. Magneti nuk i duhet më edhe aq. Kina është tepër larg për tu menaxhuar me magnetë. Gjiri persik manaxhohet me metoda të tjera. Sistemi, pas viteve ’90 filloi ta mbyllë pak nga pak dritaren e lirisë edhe në Perëndim. Makineritë me rreze X në aeroporte, e drejta për të të hyrë në emailet e tua pa të pyetur, Londra – qyteti më i survejuar në botë, ku dhe në banjë të ndjekin kamera sigurie, e plot të tjera, gjëra në dukje të vogla, gjëra “për të mirën tënde”, vetëm se e kufizuan lirinë. Ndërrimi i kitaristëve flokëgjatë me femra shalëgjata, i teksteve kundër sistemit me pop e R’nB, imponimi i asaj muzike që dëgjoni sot dhe i zhdukjes nga qarkullimi i rebelëve si Billy Idol, është pjesë e sistemit që po përsoset. Sistemi as në muzikë nuk promovon më rebelizmin, se nuk i duhet. I duhet një rini idiote që e sjell për hunde dhe një elitë intelektuale e mbytur në kredira bankare. Sistemi, po tenton të mbyllet që pas viteve ’90 dhe pasojat e saj po i shohim sot.

Më 1992, revoltat e Los Anxhelesit lindën për arsye të ngjashme me këto të Anglisë. Policia, e cila vret një zezak që mund të ishte dhe hajdut, dhe trafikant. Por, liria e nënkupton revoltën.
Sot debati i zjarrtë mes shumë njerëzve, është ky: A lejohet revolta e atyre që djegin. Huliganët që dogjën Totenhemin e më pas krejt Londrën, a duhen lejuar të protestojnë? Nëse një grua vdes nga flakët, a ka kuptim e drejta e tyre për të bërtitur.
Ky debat, është i rremë. Ky debat, nuk është thelbi i asaj që po ndodh. Ky debat, tenton t’ju çojë në rrugë pa krye.

21 janari i Londrës
Arsyeja pse shumë vetë duan ta ngrenë në plan huliganizmi revoltën e Londrës, është ose se janë naivisht racionalë, ose, sepse kërkojnë tërthorazi të legjitimojnë 21 janarin. Po hodhe gurë, do hash plumba! Kjo është logjika. Në Londër të tolerojnë se “ashtu e kanë ata”, por e kanë gabim. “Ç’faj kam unë mor zotëri, se ti do të protestosh e më djeg makinën që kam parkuar poshtë?”. Ruhuni nga ata që përdorin fjali me “mor zotëri” brenda, sepse do të thotë që kanë dëgjuar shumë fjalime të një diktatori.
Duan ta drejtojnë debatin tek “a duhet policia të vrasë”. Dikush thotë, policia e Londrës është standarti që duhet aplikuar. Një polici që nuk të vret, por të arreston. Sigurisht, duke nënkuptuar 21 janarin tonë jashtë çdo stadarti njerëzor. Dikush tjetër, bindet se revoltat të çonkan te huliganizmi, e huliganizmi të djeg makinën tënde. Pra, ti duhet të jesh kundër huliganizmit.
Por, ky është debati i gabuar.
Tema, nuk ëshët kjo.
Vërtetë, ngjarjet e Londrës kanë huliganizëm. Ato janë akte huliganizmi, por revolucionet nuk vijnë me dorashka të bardha. Revolucionet vijnë nga poshtë, në to ka llum e erë të keqe. Por, askush nuk ka faj se e kanë lënë të jetoj në llum e ndyrësi. Rebelizmi, të ndihmon të shohësh çfarë ka në të vërtetë në themelet e kësaj shoqërie.
Ngjarja  e Londrës, sipas dikuj që jeton në Londër është pak a shumë kjo:
“Motivi fillestar ishte që u vra një baba me katër fëmijë (i cili ishte i armatosur në fakt po nuk e kishte nxjerrë armën drejt policëve). Familja nisi një protestë paqësore që u injorua nga policia e Totenhamit- njëra nga lagjet më të varfra në Londër. Meqë s`po bëhej asnjë deklaratë, protesta nisi të bëhej e dhunshme. Më pas nëpër gjithë Shtëpitë e Këshillit (shtëpitë në të cilat shteti strehon ata që kanë nevojë) nisën papritur të organizohen banda dhe grupe gangstere nisën ta përdorin këtë për anarki, për të sulmuar e vjedhur nëpër dyqane etj. Jo rastësisht, vendet më problematike nga këndveshtrimi i rendit kanë qenë ato më të varfrat. Familja e viktimës nisi ta dënojë dhunën por tashmë gangsterët e kishin marrë kontrollin duke vjedhur dyqanet e shtrenjta, elektroshtëpiake, bizhuteri, celularë, etj. Depoja e Sony-t pasi u dogj iu vu flaka. Në ditën e dytë problemet nisën në Manchester, Birmingham dhe qytete të tjera. Rebelët thonë që qeveria – e cila po përpiqet të mbajë nën kontroll borxhin publik – me uljen e defiçitit po godet më shumë klasën e ulët duke ulur ndihmat dhe kështu ata nuk mund të përballojnë më jetesën e shkollën dhe detyrohen të vjedhin. Shteti nuk po kujdeset më për shtetasit ndaj plasi anarkia. Dhuna e policisë ishte arsye në fillim, por kur protesta u bë e dhunshme të gjithë harruan për të.”

Revolucione me dorashka të bardha nuk ka. Me dorashka të bardha janë vetëm hajdutët VIP, ata që po e shtrydhin sistemin në mënyrë të ligjshme. Ata me dorashka të bardha nuk kanë nevojë të bëjne revoltë, se u trembet lopa që po mjelin. Fëmijët e pashkollë a të rinjtë e papunë, nuk kanë para për dorashka të bardha, madje, s’besoj se ua ndjen. Ata kanë një mllef kundër sistemit. Vjedhjet, djegiet, mund të quhen edhe huliganizëm, por, tregojnë një të vërtetë të madhe. Njerëzit, e urrejnë sistemin.
Nga lajmet londineze, më interesanti ishte njëri që tregonte se ndër të arrestuarit nuk ishin të tërë “huliganë”. Kishte mësues, studentë, madje dhe e bija e një milioneri apo njerëz të tjerë që nuk knaë arsye të vjedhin.
Sepse, çështja nuk është “a kanë të drejtë të djegin e të vjedhin”. Çështja është, se sistemi nuk funksionon, nuk riparohet, dhe se e vetmja mënyrë e mbetur është ta djegësh.
Ata që djegin e që vjedhin, ata që godasin policinë, kanë me vete një të vërtetë të verbër:
Ky sistem nuk funksionon më.

Manipulimi i sistemit
Ka një barcaletë italiane, jo shumë etike, por që unë do ta shkruaj. “Një rus, ngrihet në mëngjes, mbush shishen me vodka e shkon në punë. Një skocez, ngrihet në mëngjes, mbush shishen me uiski, e shkon në punë. Një italian, mbush shishen me urinë, e shkon të paguajë kredinë.” Kështu ndjehen italianët, ndrësa Italia mban rradhën për krizë. Në fakt, ajo shishja e veçantë vlen për të tërë ata, për tërë botën.
Ajo makinë që digjet në Londër dëmton një njeri që nuk ka asnjë faj. Një njeri, që ndoshta po e paguan akoma ATË MAKINË me kredinë që nuk mbaron kurrë.
Dhe vera angleze, po ndodh, shi për këtë!
Njeriu i viteve 2010-të po vdes nën çizmen e të pasurve pa e kuptuar pse. Nuk ka njeri nga ata që unë njoh që mos ketë të paktën një kredi. Bankat, janë skllavopronarët modernë. Ndërkohë që populli gjerman paguan taksa që bankat gjermane mos humbasin para në falimentimin grek. Ndërkohë që Obamës, republikanët ia lidhën këmbët, e detyruan që barrën e borxhit ta mbajnë prapë të varfrit. Një grup i paidentifikuar të pasurish lëvizin fijet e botës, dhe fijet e informacionit tonë me anë të mediave. Shteti u shërben vetëm të pasurve, dhe masat kundër krizave mbrojnë vetëm ata që kanë shumë para. Në Somali po vdesin me mijëra në javë nga uria. Po vdesin tani. Tani! Tani që ti po lexon. Ky është sistemi global.
Duket qesharake kur unë ankohem për muzikën. Kjo muzikë që mbizotëron sot, është një rraketake boshe e që nuk të thotë asgjë. Dëgjoni tekstet e Rihanës e krahasojni qoftë dhe me ato të Madonës në vitet ’80 (që mos them me tekstet e Pink Floyd). Sistemi, e ka përsosur rrjetin shtypës.
Londra është shumë afër qendrës, por dhe aty, media mund ta injorojë vrasjen e një babai apo të revoltës së familjarëve. Atëherë, të digjet Londra!
Një shkrim interesant tek saktivista.com ngrinte problemin se pse media hesht për revoltat që vazhdojnë në Egjipt? Sepse medias, ose dikujt pas saj i interesonte të hidhte Mubarakun, por nuk i intereson të tregojë që Egjipti zien akoma. Atje, protestat vazhdojnë. Sepse, pranvera arabe nuk ishte kundër një njeriu, ishte kundër sistemit. Por, mediat janë bërë palë me sistemin.
Tani, trazirat po mbërthejnë zemrën e tij. Vera angleze, jep shpresë dhe dhimbje.


Londra shqiptare
Deri para pak ditësh, isha nga ata që thonin, “të kesh të ikësh nga ky vend e të jetosh në Londër”. Londra, është parajsë krahasuar me këtë Miss-in tonë pabukse. Por ja që dhe në Londër, sistemi nuk funksionoka. Edhe në Londër, mund të digjet makina jote.
Shumë londinezë, njerëz të trembur nga ideja e dhunës, janë në të njëjtin qerthull debati, sa na duhet dhuna.
Këta që sundojnë botën e shtetet, me atë e përjetësojnë pushtetin, duke i trembur njerëzit me idenë e dhunës. Me frikën, se ja, do të ta djegin makinën. Kjo frikë gjendet kudo ku ka njerëz, por, kjo nuk e fsheh të vërtetën. Sistemi, është i kalbur. I tërë sistemi. Dhe në tërë këtë kalbësirë, ne jemi cepi më i kalbur i ngrehinës, ku çfarëdo të ndodhë, nuk i intereson kujt, në zemër të sistemit.

Kam qenë i pezmatuar deri dje me paaftësinë e njerëzve të mi për të qenë qytetarë, para se të jenë partiakë, për të qenë të lirë, para se të jenë militantë. Më habit fakti që nuk ndjej reagim qytetar ndaj problemeve të shumta të sistemit. Më tremb mungesa e solidarizimit me kauza njerëzore si ajo e minatorëve, me kauza ekonomike si abuzimi i vazhdueshëm i kompanive të mëdha me abonentët e klientët, me kauza shpirtërore si fëmijët e Ziver Veizit, apo me kauza të së ardhmes si ajo e derdhjes së naftës në Zvërnec. Heshtja e tyre, më tremb.
Por pranvera arabe dhe vera angleze, treguan që sistemi nuk ka ende armët perfekte për ta dhunuar shpirtin, dhe se durimi njerëzor ka një kufi.
Londra ishte një parajsë para pak ditësh. Shqipëria është një oaz qetësie tani.

Nuk dua të bëj si profet e as si vizionar, por ka gjëra që mund të ndjehen. Kur vjen tërmeti, të parët e ndjejnë peshqit. Jo breshkat që mban dikush në zyrë, por peshqit. Nëse dikush në këtë vend ka mend, do kuptojë që peshqit e kanë dhënë sinjalin. Tërë kjo qetësi e rreme, nuk është e mirë. Nuk e di a ka akoma kohë për të ndrequr diçka në këtë sistem. Kohë mbase ka, po s’di a ka më njerëz në këtë shtet që të kuptojnë se duhet bërë diçka që mos të presim verën tonë angleze. Dhe kur them “diçka” jo të blejmë helikopterë. Helikopterë kishte dhe Mubaraku.

Vera angleze nuk është çështje huliganizmi, është çështje e sistemit. Nuk do habitesha, po të shihja ndonjë ditë mësuesen time të vjetër të letërsisë duke hedhur molotov. Edhe ajo, duhet të jetë kundër sistemit.
Siç këndon Billy Idol, It was a night / Hell of a night, L.A., it really was / Oh what a riot / I said yeah, come on / It makes my life feel real / Fear police and civil corruption oh yeah / Is there a man who would be king / And the world stood still…
You can rock this land baby!
Nuk ka nevojë t’jua përkthej. Kur të vijë dita, do ta kuptoni se çfarë është.
Ti mund ta shkundësh këtë tokë!

Nga Koloreto Cukali

Wednesday, June 1, 2011

ÇUDIA/ Të gjitha krimet e Berishës ndodhin… “1 herë në 100 vjet”



Në këto 20 vite nuk kam dëgjuar në asnjë rast që SALI BERISHA të pranoj dhe të jap përgjigje të sinqerta e konkrete pranuese për ndonjë gabim, skandal ose krim që ndodh në pushtetin e tij. “Tradita” e SALIUT është kjo: Ose hesht, ose anashkalon faktin, ose justifikohet me “pakujdesi të procesit”, ose mashtron publikisht, ose thotë “nuk di asgjë, sot po e dëgjoj”, ose i konsideron krimet “dukuri natyrore dhe çudira hyjnore, të cilat ndodhin rrallë në këtë botë”.
Por, nëse i referohesh fakteve e autorëve të këtyre ngjarjeve, “çuditërisht” të gjitha ndodhin vetëm në pushtetin dhe politikën e SALI BERISHËS! Këto ditë, kam shfletuar disa shënime për ngjarje kryesore që kanë ndodhur në Shqipëri dhe kam konstatuar këtë çudi: Të gjitha krimet e pushtetit dhe politikës “SALI”,na është thënë se “nuk janë përgjegjësi e pushtetit, por janë fenomene, dukuri e rastësi që ndodhin përherë vetëm nga 1 herë në 100 vjet”. Po flasim konkretisht, sipas deklarimeve të bëra prej SALI BERISHËS dhe “përforcuesve” të tij politikanë e ministra.

Firmat piramidale: “Ndodhin 1 herë në 100 vjet”

SALI BERISHA: Kjo që ndodhi në Shqipëri me firmat piramidale është një katastrofë kombëtare në aspektin financiar të familjeve të shqiptarëve dhe në aspektin shoqëror konsiderohet humbje e koshiencës qytetare si komb. Kjo u ka ndodhur dhe kombeve të tjerë, por siç e dimë nga të dhënat që kemi, kjo është një dukuri, që ndodh 1 herë në 100 vjet. Edhe vetë lulëzimi i firmave piramidale nuk është proces qeverisës, por është një ç’ekuilibrim i pa vullnetshëm, që çdo shteti i ndodh 1 herë në 100 vjet.


TRITAN SHEHU: Kjo katastrofë që ndodhi ndaj vendit e mes shqiptarësh, nuk ishte thjesht një dramë kombëtare, por një dukuri shoqërore me zanafillë tek historia e formimit njerëzor e cila ka vërtetuar se vetë-shpërthime të tilla kundër vetes ndodhin 1 herë në 100 e 200 vjet në të gjithë popujt e vendeve në zhvillim.

RITVAN BODE: Kjo ishte një çmenduri popullore. Nuk ishte çështje humbjeje e lekëve të shqiptarëve në piramidat, por një humbje e kontrollit të logjikës qytetare, e daljes jashtë arsyes, fenomen ky që ndodh rrallë, me probabilitet të këtyre rasteve me shfaqje 1 herë, në 100 vjet.
GENC POLLO: Me sa e njoh unë historinë e popujve të 100 viteve të fundit, ky zemërim popullor me pasojë shkatërrimin e vetvetes, nuk cilësohet reagim logjik i komunitetit, por dukuri shoqërore që ndodh 1 herë në 100 vjet. Për këtë arsye, shqiptarët nuk mund të bënin përjashtim nga kjo dukuri njerëzore.

JOZEFINA TOPALLI: Puna e piramidave rentiere ka ndodhur edhe në Maqedoni, Bulgari, Rumani, Itali e deri në SHBA. Ndodhi edhe tek ne, por një gjë duhet mbajt parasysh e duhet ta dinë shqiptarët: Nuk ishte punë qeverie, por një fenomen njerëzor që ndodh 1 herë në 100 vjet.


Shpërthimi i Gërdecit: “Ndodh 1 herë, në 100 vjet”

SALI BERISHA: Ju them sinqerisht, që unë nuk dija gjë fare për Gërdecin nëse ekzistonte ose jo si qendër demontimi municionesh. Por sa e mësova ngjarjen, u konsultova me ekspertët më të mirë të qeverisë time e ata të vendeve fqinje dhe ata më thanë se është një moment teknik i paparashikueshëm, që ndodh 1 herë në 100 vjet. Sipas të dhënave, kjo ka ndodhur dhe në disa vende të tjera me teknikë e ushtri të avancuar, por që ciklin e rastësisë për t’u përsëritur e ka 1 herë, në çdo 100 vjet.

FATMIR MEDIU: Gjeneralët ushtarakë të NATO dhe ekspertët e fushës së demontimeve me të cilët kam kontaktuar, konfirmojnë se shpërthime të tilla të municioneve vijnë prej krijimit të temperaturës konservuese të trupave të lëndëve municion. Këto kanë ndodhur dhe në bazat demontuese e bazat stërvitore ushtarake të botës, por janë raste që përsëriten vetëm 1 herë, në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Askush nuk e dëshironte të ndodhte kjo tragjedi, por sipas ekspertëve të municioneve, kjo nuk ndalej sepse nuk parashikohej. Jo vetëm qeveria e Sali Berishës, por edhe qeveria e çdo vendi tjetër më modern, dorëzohet përpara fenomeneve të tilla, pothuajse apokaliptike, që ndodhin 1 herë në 100 vjet e që nuk dihet se kur dhe ku ndodhin. Këtë nuk e them as unë, as Sali Berisha, as Fatmir Mediu e asnjeri prej deputetëve të mazhorancës, por e konfirmojnë studiuesit dhe ekspertët e fushës së demontimeve.

ARBEN IMAMI: Kjo që ndodhi në Gërdec, nuk është vepër e qeverisë Berisha, as e Ministrit të Mbrojtjes, zotit Mediu, por është vetëm një gabim njerëzor që nuk është çudi të përsëritet prapë pas 100 vjetësh, sepse historia ka treguar, që edhe pushka mbushet vetë 1 herë në 100 vjet. Kështu edhe shpërthimi i municionit në Gërdec.


Vrasja e Trebickës: “Rasti ndodh 1 herë, në 100 vjet”

SALI BERISHA: Me sa kam dëgjuar dhe me sa jam njohur këto ditë nga ekspertët, për raste të tilla aksidentesh, një spostim i tillë i trupit të viktimës me afro 100 metër nga makina, ka lidhje me forcën shtytëse që i ka dhënë trupit mjeti gjatë rrotullimeve. Sipas ekspertëve të fushës, kjo cilësohet si fenomen tepër i rrallë në historinë e aksidenteve rrugore, mbasi ndodh pothuajse 1 herë në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Ky është aksident si gjithë aksidentet e tjerë rrugorë, por që ka si veçanti faktin, se ka një dukuri e cila nuk ndeshet shpesh në aksidentet e zakonshëm që ndodhin. Distanca e spostimit të trupit të viktimës aq larg mjetit me të cilin udhëtonte, nuk përbën shkas për dyshime për krim, mbasi sipas specialistëve dhe ekspertëve, kjo ka ndodhur dhe në vende e raste të tjera të botës, pavarësisht se ndodh shumë rrallë, për të mos thënë se aksidente të tillë të çuditshëm ndodhin 1 herë, në 100 vjet.

BUJAR NISHANI: Ekspertët po merren me këqyrjen e aksidentit në fjalë. Por sipas kontakteve të para me ekspertët e linjës, rezulton se kjo është një mospërputhje e rrallë mes trupit të viktimës dhe vendit të ndodhjes së mjetit të aksidentit. Janë raste të rralla, por historia e aksidenteve në botë, tregon dhe konfirmon se këto ndodhin vetëm 1 herë, në 100 vjet.


Përmbytja e Parë e Shkodrës: “Hëna, kishte pozicionin e saj 100 vjeçar”

SALI BERISHA: Përmbytja e Shkodrës nuk ka lidhje me ato që thotë opozita për hapje digash e mungesë investimesh në lumin Drin dhe Bunë. Por ju garantoj, se e gjithë kjo tragjedi është natyrore dhe ka lidhje vetëm me Hënën. Sipas studimeve, ditën që uji vërshoi dhe përmbyti Shkodrën, rezultoi se Hëna kishte pozicionin agresiv ndaj lumenjve, pra kishte ciklin e saj hënor 100 vjeçar. Pozicioni i Hënës ishte i tillë, që provokon shpërthime ujërash përmbytje ujore katastrofike. Sipas kalendarit hënor, kjo ndodh 1 herë në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Përmbytjen e Shkodrës nuk e bëri qeveria e Sali Berishës, por një dukuri natyrore që ka lidhje me pozicionin dhe veprimin eklipsor të hënës. Siç thonë specialistët dhe faktet nga historia e njerëzore e përmbytjeve, Hëna gjendet në pozicion të disfavorshëm me tokën, vetëm 1 herë në 100 vjet dhe ky pozicion nxit vërshime lumenjsh, që krijojnë përmbytjet.


Përmbytja e dytë e Shkodrës: “Kjo ka ndodhur edhe 100 vjet më parë”

SALI BERISHA: Nuk është mungesë e kujdesit të qeverisë time, për të frenuar e disiplinuar lumenjtë e digat e hidrocentraleve, se atë e kemi bërë me kujdesin më të madh. Ky është një fenomen natyror i pa parashikueshëm. Një banor i vjetër i Shkodrës, më dërgoi sot një mesazh, ku më thoshte: “Zoti kryeministër, nuk na përmbyti qeveria juaj, por fenomeni natyror, sepse Shkodra është përmbytur edhe në vitin 1913”. Pra, kjo është punë e Zotit, ne jemi të detyruar të nënshtrohemi përballë fuqisë dhe vullnetit të tij.

JOZEFINA TOPALLI: Çdo familje shkodrane, ka në kujtesë historinë marrëdhënieve të qytetit më Bunën e Drinin. Digat e hidrocentraleve nuk kanë asnjë lidhje me këtë situatë, sepse ato janë menaxhuar me kujdes dhe eficencë. Ky qytet është përmbytur edhe 100 vite më parë nga lumenjtë. Fotografitë dhe rrëfimet e shkodranëve, flasin se kjo përmbytje ndodh vetëm 1 herë, në 100 vjet.


21 Janari: “Rikoshetat plumb-trung peme, ndodhin 1 herë në 100 vjet”

SALI BERISHA: Ekspertët po bëjnë punën e tyre. Nga informacionet e para të laboratorit të ekspertimit të predhave të gjetura në trupat e viktimave, rezulton se ata janë vrarë pasi plumbat kanë bërë rikoshetë në trungjet e pemëve përballë të cilave ata qëndronin. Unë nuk jam ekspert që të them se si ndodh kjo rikoshetë, por specialistët më kanë konfirmuar me prova shkencore e historike se rikosheta e plumbit nuk ndodh vetëm në gurë, beton e metal, por 1 herë në 100 vjet ndodh edhe në trungjet e pemëve.

JOZEFINA TOPALLI: Analizat balistike të armëve dhe ekspertiza e plumbave tregon se viktimat janë shkaktuar nga vrasjet nëpërmjet rikoshetës së plumbave. Pasi kanë dalë nga armët, plumbat kanë ndeshur në trungjet e pemëve përballë Kryeministrisë e Kryesisë së Kuvendit dhe kanë përfunduar në trupat e viktimave. Kjo nuk është shpikja jonë. Sipas fakteve historike të kriminalistikës botërore dhe sipas mendimit të specialistëve, kjo ndodh 1 herë në 100 vjet.

LULËZIM BASHA: E gjitha është shkaktuar jo nga shënjestrat e policëve të Gardës së Republikës e të policisë së shtetit, por nga rikoshetat e plumbave me pemët, të cilët janë rikthyer e kanë goditur viktimat. Kjo ka ndodhur dhe në raste të tjera në botë. Sipas ekspertëve, një rikoshetë e tillë specifike ndodh 1 herë në 100 vjet.


Rezultati me 10 vota diferencë: “Ndodh 1 herë, në 100 vjet”

SALI BERISHA: Ky rezultat i ngushtë në garën elektorale mes dy kandidatëve, mund të quhet çudi, por ja që është fakt dhe ne jemi të detyruar ta pranojmë edhe po të ishte fitore për rivalin. Në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Studiuesit dhe ekspertët thonë, se kjo ndodh rrallë, pra vetëm 1 herë në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Kjo fitore e zotit Basha me rezultat kaq të ngushtë në 250 mijë vota, mund të quhet rast historik. Pas interesimit tim për këtë rast unikal konkurrence zgjedhore, mësova se një fenomen i tillë ka ndodhur dhe në vende te tjera, por mundësia është, që kjo dukuri të ndodh vetëm 1 herë, në 100 vjet.

Nga Kledian Lula, kledianlula@yahoo.com

G. Tema

Wednesday, April 27, 2011

A kemi fuqi ta refuzojmë të keqen?

“Nëse harrojmë gabimet e së shkuarës, jemi të dënuar t’i përsërisim ato”, ka thënë George Santayana.
Apo mund ta kenë thënë të tjerë përpara tij?Ndoshta.
Në fakt, është një nga ato fraza, të cilën nuk ka mundësi t’mos e ketë thënë dikush tjetër përpara. Historia e njerëzimit ka lindur tok me gabimin e me harresën, e prandaj gjithëherën duhet të ketë qenë dikush që mund të ketë thënë përpara dikujt, se “kush harron një gabim të bërë, do ta përsërisë se s’bën atë”. Madje, është një frazë, që do duhej të thuhej më së pari nga ndonjë banor i vendit të shqipeve. Në çdo kohë. Sidomos sot. Dhe me këtë kam dalë aty ku doja.

Viti 2011. Anno domini. Shqipëria qeveriset nga Sali Berisha.
Kush është ky?
Mos është ai që në vitin 1992 erdhi në pushtet me premtimin për demokraci, e që më pas nuk lejoi opozitën të dilte të manifestonte në sheshe, burgosi udhëheqësin e opozitës, ndërtoi një shtet, institucionet e të cilit, që të gjitha, i kontrollonte ai vetë, përndoqi gazetarët, vodhi votat, lejoi dhe inkurajoi krijimin e piramidave financiare, i bëri karshillëk zemërimit popullor prej humbjes së kursimeve në këto piramida, hapi depot e armëve dhe rrëzoi shtetin për të krijuar konfuzionin e madh, mes të cilit mund të humbte gjurmët e krimeve të kryera e mund të mbrohej prej protestave? Mos është ai që, tok me karriken e pushtetit, la pas dhe nja 2-3 mijë të vrarë në konfuzionin që mbolli? Po, mor po, ai është. Shqiptarëve iu deshën tetë vjet për të harruar se kush ishte, e për ta risjellë në pushtet. Me Votë. Sic!

Pasi ritentoi pa sukses për tetë vjet me radhë (1997-2005), në stilin e tij të njohur e të frikshëm (me këtë stil ua bënte të lehtë shqiptarëve harraqë që të mos e harronin se kush ish), të rimerrte pushtetin e humbur, ai i dha karar të merrte një tabletë a një porcion nga ilaçi i Stevenson-it, dhe fap, u shndërrua, për një copë herë, nga i frikshëm në babaxhan e shpirt njeriu, dmth nga Mr. Hyde në Dr. Jekyll. Por le t’u ikim paraleleve me personazhe fiction. E le të hyjmë drejt e në temë.
Më kujtohet, se atëmot (2005) ishte dikush që, teksa dëgjonte ca të tjerë që thoshin, se “Sali Berisha është ai që është, nuk ndryshon kurrë, por nuk duhet ta kemi frikë, pasi tani kemi institucionet në rolin e gardianëve”, doli e tha: “ju po na thoni që bisha është bishë, por nuk ka pse të shqetësohemi, pasi kemi kafazin e institucioneve”?
Ky dikush (F.Ç) sot i lëpin bythën Berishës.
Si është e mundur? Ka harruar ç’ka thënë? Ka harruar se kush është “bisha”?
Jo, jo, s’është soji i atyre që harrojnë. Përkundrazi, është nga një soj tjetër, ndoshta më i madhi në tribunë e shqiptarëve, nga soji i atyre që për ideal kanë të mos kenë ideal. Dhe nuk është vetëm ky. Një e nga një kaluan pothuaj të gjithë në kampin e Sali Berishës. Dhe këtu nuk e kam fjalën për njerëz si Lulzim Basha e të tjerë që dolën nga hiçi, e të cilët, sidoqë të shkojnë gjërat, e kanë të hazërtë në çdo kohë justifikimin: “po unë s’dija gjë; unë thjesht zbatoja urdhërat”.
E kam fjalën për të tjerë që ca gjëra i dinë mirë, ja, si puna e F.Ç-së.
Cilët janë këta?
Janë shumë. Të zë frika kur mendon sa shumë janë. Doni t’ju them ca? Po ja, A.I, G.R, G.P, B.F, A.F, F.Xh, A.Zh, A.H, N.C, N.L, e deri tek këta të ditëve të fundit, si Y.M, K.Ç, etj. Nuk është se më dalin nga mendja të tjerë, që sot janë me opozitën; dhe as që më shkon në mendje t’i përligj në kërcimet e tyre sa andej, këtej; por të jesh në opozitë është kokëçarje e telash, ndërsa këtu po flas për atë pjesë të intelligentsia-s, që nuk po lë gjë pa bërë në mbështetje të regjimit që, si të gjitha regjimet, ka në dorë të ofrojë mbrojtje, komfort, status, pushtet, ndikim, favore, pará, prona. Kanë arritur deri atje sa kanë nënshkruar peticione (në stilin e peticioneve të kolektivave punonjëse në kapërcyell të vitit 1990) në mbështetje të regjimit, që po e mbrojtka rendin publik e kushtetues nga opozita. Së fundi kanë ngritur grupe e skuadra elektorale në mbështetje të kandidatit të tyre për kreun e bashkisë së Tiranës.

Kam “zbuluar” një gjë që i dallon të gjithë këta: Sa më shumë Berisha e trash zullumin, aq më shumë këta i falin mbështetje. Këta janë sot me Berishën më të vendosur se sa kanë qënë në vitin 2005. E kanë motivuar qysh në krye të herës këtë sjellje me faktin, që në krahun tjetër na qënka Edi Rama. “Ai është më i keq se Berisha”, kanë recituar e recitojnë, ngaqë u hyn në punë, një patologji të vjetër të F.L-së, si të ishte arsyetimi më i sofistikuar e më solid mbi faqe të dheut.
-Ndodhi ploja e Gërdecit (mbetën të vdekur gati 30 vetë) për shkak të një afere korruptive, në qendër të së cilës ishte djali i Sali Berishës (të gjithë e dinë që është kështu), por edhe pas kësaj ata vijuan të thonë, se “dakord, Berisha është i korruptuar, por Rama është më keq”.
-Pamë të gjithë në programin Fiks Fare, se si Ilir Meta, zëvendësi i Berishës, fliste për tangjente të marra e të dhëna, por reagimi i të këtillëve ishte po ai: “dakord, korrupsioni s’ka qënë kurrë në këto nivele, por Rama është më keq”.
-Ndodhi 21 janari, u vranë katër vetë krejt të pafajshëm, të paarmatosur, të parrezikshëm, por në vend të tronditeshin e të ngrinin zërin në kupë të qiellit, ata zunë të thoshin: “ka faj ai që i vrau, por ka faj dhe ai që i çoi përpara kryeministrisë (!!!); rrjedhimisht, Berisha është vrasës, por Rama është më keq”.
-Erdhi post-21 janari, dhe dëgjuam të na hidhen në surrat çmendurira të padëgjuara, si “protestuesit janë vrarë nga vetë protestuesit, se këta të fundit kanë bërë stërvitje diku afër Tiranës për të përmbysur me dhunë një pushtet të ardhur me votë, etj, etj”, por prapë nuk doli asnjë të thosh: unë nuk dua të jem pjesë e këtij zhgani.

Kudo e kurdo që një regjim vret, dalin dy a tre nga brenda regjimit, dy a tre më pak cipëtrashë se sa të tjerët, dy a tre që kanë, megjithatë, një minimum dinjiteti e ndërgjegjeje, e thonë stop, deri këtu jo, jo, jo.  
Para dy a tri ditësh edhe në Siri dolën dy deputetë e një klerik, dhe thanë se jemi kundër regjimit të Bashar al-Assad-it, që po vret njerëz të pafajshëm, ndërsa në Tiranë nuk doli qoftë dhe një nga kampi i maxhorancës të thosh: qysh nga ky moment unë jam në opozitë me këtë pushtet.
Përkundrazi, doli njëri syresh, ministër (A.I), që iu tha deputetëve të opozitës, se “ju jeni të gjithë Ziverë” (!!!).


Ndërsa të tjerët vijuan t’i bien të njëjtit avaz: dakord, por Rama është më keq.






Ou, po si qënka kjo punë kështu? Sa i keq na qënka ky Rama?
Po le të na thonë, se çfarë tjetër duhet të bëjë Berisha, që ata vetë të mos e kenë mendjen tek përbindëshi Rama? Mos duhet që Berisha të përdhunojë nja tridhjetë vajza të shkollave tetëvjeçare të Kamzës? Apo duhet të nxjerrë snajperat majë kryeministrisë me detyrën për të vrarë të gjitha kalimtarët atypari në një ditë të zakonshme? Apo duhet të vërë cluster bombs në tubimet elektorale të opozitës, e ta pranojë më pas, se “i vuri ai”? Apo duhet të lidhë një marrëveshje të re mbi regjimin ndërkufitar me Greqinë, me anë të së cilës kufirin greko-shqiptar ta vendosë në Tomorricë të Skraparit? Apo duhet të marrë Fazlliçin e ta bëjë anëtar të Këshillit të Ministrave të Republikës sonë? Apo duhet t’i thotë kryeprokurores “lavire bulevardi”? Apo duhet të dalë e të thotë se “protestuesit më 21 janar kishin ardhur të armatosur me thika me helm e me stilolapsa pistoletë”?
Ah, më falni, më duket se këto të fundit i ka thënë.

Epo çfarë dreqin duhet të bëjë? Le të na e thonë. Ta dimë.
E dini çfarë?
Unë po pres të humbë Edi Rama. Mezi po pres. Jo vetëm po pres, por edhe po lutem.

Ta marrë Berisha dhe Tiranën, ta marrë dhe Durrësin, dhe Elbasanin, dhe inshallah Korçën, Gjirokastrën, Lushnjën, Fierin, deri dhe Vlorën, e kështu të qërojmë hesapet me Edi Ramën, ta qërojmë nga politika, pa dhembje fare ta qërojmë. Dhe kështu këta nuk do kenë më alibi?
Hm, puna është se gjithmonë do ta kenë një alibi. Sepse ata në të vërtetë nuk kanë asgjë kundër Ramës. Puna është se ata janë me pushtetin. Do jenë dhe me Ramën nesër (kuptohet, nëse lutja ime shkon për lesh, dhe Rama vjen në pushtet). Do t’i trokasin në derë, dhe Rama ka për t’ua hapur katërkanatash. Me ta do t’i bëjë punët. Dhe zullumet. Por jo krimet, e vrasjet, e çmendurirat e markës Berisha. Apo ju do më thoni, se kush futet në rrugën e zullumeve, do të kalojë se s’bën nga stacioni i krimeve? Edhe mundet, edhe mundet. Por ç’del nga kjo? Që jemi mirë me këtë regjim që vret, e prêt? Qofshi ju që jeni! Pa Edi Ramën. Me Sali Berishën. Sa të jetë jeta. Amen!

Po tallem?
Jo, asnjë çikë. E di që është cinizëm i pashoq, por do t’i gëzohesha një fitoreje të Berishës në këto zgjedhje, bash si ata që e votojnë atë. Ndoshta ngaqë pres një konfermë të fundit të faktit, se në këtë vend të gjitha të këqijat ndodhin ngaqë duam ne të ndodhin. Ose ndoshta, ngaqë dua që Berisha t’i marrë praktikisht të gjitha njësitë e pushtetit e institucionet e shtetit, dua që ai të marrë mot dhe postin e kryeprokurores, dhe atë të presidentit, dhe atë të kreut të shërbimeve sekrete, dua që ai ta blejë dhe News 24-ën, dhe Top-channel-in, dhe Shekullin, dhe Vizion Plus-in, dua që të bëhen tok me intellighentsia-n që është vënë në mbështetje të tij edhe ca që kanë rezistuar deri më sot, në mënyrë që…. në mënyrë që çfarë? Në mënyrë që të merret vesh se hesapet i kemi me një regjim. Apo kush e ka marrë e ka marrë, kush s’e ka marrë s’mund ta marrë? Nuk e di. Ndoshta mund ta di pas 8 majit.
Mustafa Nano