Showing posts with label Arsimi. Show all posts
Showing posts with label Arsimi. Show all posts

Sunday, May 9, 2010

Prishtinë, protestë në mbrojtje të shamisë së kokës

Arlinda Zekaj është ndaluar të shkojë në shkollë me shami koke, sipas traditës islame. Zekaj ndjek shkollën e mesme në Ferizaj.



Para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës sot është protestuar në shenjë kundërshtimi me përjashtimin nga shkolla të 16 vjeçares, Arlinda Zekaj. Zekaj është ndaluar të shkojë në shkollë me shami koke, sipas traditës islame. Zekaj ndjek shkollën e mesme në Ferizaj. Protestuesit mbanin në dorë parrullat “Stop diskriminimit” dhe “Mbulimi i mendjes është i ndaluar, jo i kokës”. Kushtetuta e Kosovës i garanton liritë fetare, por nuk lejon shaminë e kokës apo simbolet e tjera fetare në shkollat publike tw cilat konsiderohen laike.

Burimi: http://www.ikub.al/1005070127/Article_Prishtine-proteste-ne-mbrojtje-te-shamise-se-kokes.aspx

Ndiqni videon e protestës: http://www.top-channel.tv/video.php?id=15109

Saturday, April 3, 2010

Shkollat e jugut, propagandë pro "Vorio Epirit"

Përfaqësues të shoqatës së rinisë vorioepiriote kanë ardhur në Shqipëri duke propaganduar në shkolla e kopshte.

Hanë bukën e Shqipërisë dhe bëjnë duvanë e Greqisë.

Dhjetëra manifestues që kërkuan në qendër të Athinës çlirimin e Vorio Epirit, pra të Shqipërisë së Jugut, shpesh herë vizitojnë qytetet dhe fshatrat në jug të Shqipërisë ku madje propagandojnë lirinë e asaj që e gjuajnë "Vorio Epir".

Sipas faqes zyrtare të rinisë vorio-epirote www.neb.gr, ky është rituali i përvitshëm i këtyre shtetasve grekë. Një herë në vit, kërkojnë në qendër të Athinës autonominë e Shqipërisë së Jugut, të cilën ata e quajnë si në 1914-ën, Epiri i Veriut.

Sipas dokumenteve filmike që posedon gazeta "Shekulli", shumë prej atyre protestuesve që në 21 shkurt 2010 kërkuan, si çdo herë, pavarësinë e Epirit të Veriut, kohët e fundit janë parë shpesh herë në Shqipëri. Madje ata janë parë në shkollat e hapura për minoritetin grek në jug të Shqipërisë dhe në rolin e mësuesve ata kanë propaganduar idenë e Greqisë së Madhe.
Provat filmike tregojnë se ata kanë kryer vizita si mësues në shkollën greke të Sarandës, në atë të fshatit Aliko, apo edukatorë kopshti, institucione këto që financohen nga një shoqatë e minoritarëve që jetojnë në Greqi.

Manifestimi i përvitshëm, ku morën pjesë edhe pjesëtarë të rinisë vorioepirote, organizohet në Athinë çdo 21 shkurt dhe përkujton shpalljen e të ashtuquajturit Shtet i Pavarur i Epirit të Veriut në 17 shkurt 1914. Organizatat e vorioepirotëve, pas homazheve në kishë, të drejtuar nga banda frymore e bashkisë së Athinës, me flamuj të Epirit të Veriut dhe të rinj e të reja të veshur me kostume popullore, ndaluan para statujës së Ushtarit të Panjohur ku vendosën kurora nën himnin kombëtar grek. Drejtuesit e organizatës kërkuan respektimin e Protokollit të Korfuzit dhe pavarësinë eventuale të Epirit të Veriut, i cili sipas tyre është territor i pushtuar nga Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore. Organizata e rinisë vorioepirote është organizuar në vitin 2003 nga shtetas grekë që mbështesin financiarisht shkollat greke në Shqipëri.

Ajo mbështetet edhe nga SFEVA, shoqatë e krijuar që drejtohet nga mitropoliti grek i Konicës, që mbulon me mitropolinë e tij edhe zonën e Dropullit, edhe pse kjo zonë i takon Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe jo asaj greke. Kjo shoqatë disa herë u ka kërkuar qeverive greke që të nisin luftën për "Vorio Epirin".

Shekulli

Wednesday, March 24, 2010

Shkollat më të ndotura në Europë, efekte negative në shëndet

Sipas monitorimit të 10 shkollave 9-vjeçare nga projekti SEARCH, financuar nga REC, nxënësit kanë hapësirën më të vogël për m2 dhe mjedisin më të ndotur.

Alarmi


Alergji, kollë ditën dhe natën, fishkëllima në kraharor dhe bronke. Këto janë disa nga pasojat që vuajnë fëmijët e shkollave 9-vjeçare për shkak të ajrit të ndotur brenda në ambientet e shkollave.

Monitorimi i 10 shkollave 9-të vjeçare, ku u përfshinë 1023 nxënës nga projekti SEARCH, financuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), tregon shifra alarmante sa i takon ndotjes në ambientet e brendshme të shkollave, ndotës këto duke filluar që nga pluhurat deri tek gazrat e rëndë.

Ekspertja pranë REC në Shqipëri, Rahmije Mehmeti, theksoi se rezultatet e monitorimit tregojnë se duhen marrë masa për minimizimin e ndotjes. Ndërsa specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Elida Mata, theksoi se ndotja në mjediset e brendshme të shkollave sjell disa pasoja mbi shëndetin.

Monitorimi

Nxënësit në vendin tonë kanë hapësirën më të kufizuar ndër vendet e Europës në shkollë. Kështu, specialistja e REC, Rahmije Mehmeti, shpjegoi se nëse një fëmijë në vendin tonë ka hapësirë 1.26 m2, në Serbi kjo hapësirë është 2.5 m2 për fëmijë, në Itali është 2.08 m2 për fëmijë, në Hungari është 2.06 dhe akoma më e madhe në vende të tjera. Por, si të mos mjaftonte hapësira e pamjaftueshme për fëmijët, ambientet e brendshme janë shumë të ndotura.

"Zakonisht përmbajtja e lartë e CO2 bëhet shkak i anoksemisë (pakësimi i oksigjenit në gjak, d.m.th., nën nivelin fiziologjik) dhe paralizon frymëmarrjen, sistemin muskulor dhe ndryshon ekuilibrin acido-bazik (acidoza).

Ajri i kufizuar i klasave të mbyllura është i dëmshëm kur përqendrimi arrin 3000-5000 ppm", shpjegon specialistja, duke shtuar se NO2 (Dioksidi i Azotit) është problematik për ambientet e brendshme, pasi është element toksik që merret nga frymëmarrja. "Ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj NO2 në përqendrimet mbi 40-100 µg/m³ shkakton sëmundje me efekte të pashërueshme.

NO2 formohet kryesisht nga proceset e djegies së brendshme, të cilat përdorin ajrin si oksidues. Këtu përmendim, mostrat me djegie të brendshme, stacionet me djegie termike", shpjegon specialistja Mehmeti, duke shtuar se në klasa ka edhe ndotës të tjerë të ambientit që janë shumë të rrezikshëm për shëndetin.

Ndotësit

Nga pluhurat deri tek ajri i frymëmarrjes, të gjitha këto mundojnë fëmijët e shkollave 9-vjeçare. Sipas specialistes, Rahmije Mehmeti, vërehet që niveli i PM10 mbetet i lartë, pasi fëmijët lëvizin në ambientin e klasës, për nevoja personale, ndërrojnë librat, ngrihen në tabelë për të zgjidhur detyra klase, bile në kohë me shi, në mungesë të palestrës, bëjnë edhe mësim kulture fizikë në klase.

Në fund të orëve të mësimit, sipas specialistes, krijohet një re pluhuri që me ventilim natyral thyhet me vështirësi.

"Temperaturat gjatë kësaj periudhe janë luhatur nga 10-20°C, kështu që nuk është ndjerë shumë të ftohtit, por në disa klasa ku dritaret kishin ngecur të mbyllura (të prishura), ose hapjet ishin të llogaritura vetëm në ndarjet e sipërme, gjë që e vështirësonte manovrimin e tyre, niveli i CO2 ka kaluar 5000ppm, madje ka në disa raste edhe 7000 ppm", pohon specialistja Mehmeti, duke shtuar se gjendja e mikroklimës (temperaturë, lagështi relative, lëvizje e ajrit) luhatet në vlera jo të qëndrueshme. Kjo, sipas saj, për faktin se nuk ka sisteme ngrohje, ventilimi artificial, kondicionimi që vlerat e mikroklimës të jetë në nivele optimale.

Monitorimi i shkollave tregon se ngrohja bëhej me soba gazi, përveç ndotjes së ajrit bombolat përbënin një rrezik për shpërthim zjarri

Problem mbipopullimi i nxënësve, dritaret nuk funksionojnë.

Në të gjitha shkollat 9-vjeçare, ku u krye monitorim, orari i mësimeve ishte i ngjeshur në kuptimin që nxënësit gjithë kohën qëndronin në klasë. Por, si të mos mjaftonte kjo, vihet re se vlerat e temperaturave gjatë gjithë periudhës së monitorimit, janë 10-20 oc, kështu që kur vlerat e CO2 rriteshin ndjeshëm.

Kështu shprehet specialistja e REC, Rahmije Mehmeti, e cila thekson se disa mësues kanë shkruar në ditar se këtë e bëjnë për arsye të sigurimit të fëmijëve, disa për arsye të errësimit të shpejtë të ditës në sezonin e dimrit.

Sipas saj, në një pauzë prej 10 minutash, brenda në klasë fëmijët ushqeheshin, ndërronin librat, lëviznin në klasë, duke ngritur pluhur apo shkonin për të kryer nevoja personale duke rënduar ajrin. Specialistja thekson se një problem në të gjitha shkollat paraqet pastrimi i klasave.

"Meqenëse koha ndërmjet mbarimit të mësimit të klasave të mëngjesit dhe fillimit të mësimit në klasat e pasdites është 30-40 minuta, pastrimi i klasave shpesh bëhet nga nxënësit, dritaret pothuajse nuk hapen dhe për një farë kohe pluhuri qëndron pezull, punonjëset e pastrimit lajnë me detergjent në fund të ditës ose gjatë kohës që nxënësit janë në mësim, korridoret, shkallët etj.", shpjegon specialistja Hehmeti, duke shtuar se në të gjitha shkollat e Shkodrës dhe në një të Durrësit, ngrohja bëhej me soba gazi, përveç ndotjes së ajrit brenda, bombolat përbënin një rrezik për shpërthim zjarri në një rast banal të paparashikuar.

Gjithashtu, vihet re se në të gjitha shkollat punohet në tabela të zeza me shkumës dhe fshirja bëhet me sfungjer të thatë dhe jo me markera në tabela të bardha, çka sjell evitimin e pluhurit të shkumësit. E. Bardhi

MASAT

• Shkollat duhet të ndërtohen në vende ku të mos ketë trafik të rëndë, stabilimente që ndotin, afër.

• Numri i lartë i nxënësve në klasë duhet të zvogëlohet.

• Një regjim i përshtatshëm ventilimi natyral duhet rregullohet në klasë gjatë gjithë orëve të mësimit në shkollë.

• Mbulimi i dyshemesë së klasave duhet të jetë prej materiali të zgjedhur me kujdes, që të mos ndikojë në shëndetin e aparatit të frymëmarrjes së fëmijëve.

• Lyerja me boje zmalti e mureve, nuk duhet të bëhet për asnjë arsye.

• Në lidhje me pastrimin e klasave dhe ambienteve të brendshme të shkollës duhet të bëhet një instruktim mbi praktikat e pastrimit punonjësve që merren me këtë punë


Disa konsiderata mbi problematikën e vërejtur

1. Numri i madh i nxënësve për një klasë
2. Mësim me 2 turne (shfrytëzim i klasës 200%)
3. Mungon sistemi qendror i ngrohjes
4. Mungon sistemi i ventilimit
5. Shkolla me rikonstruksion jo të plotë
6. Oborret e shkollave të pashtruara
7. Mungesa e mjaftueshme e luleve

Eglantina Bardhi, Shekulli

Friday, March 19, 2010

Skandali, 1.5 mln euro, botuesit "vjedhin" librat

Një skandal me fondet e buxhetit të shtetit, këtë herë në fushën e librit. Kështu ka rezultuar nisma e qeverisë për pasurimin e bibliotekave të shkollave të mesme e 9-vjeçare në të gjithë Shqipërinë. Një fond që arrin shifrën e afro 1 .5 milionë euro ka përfunduar në xhepat e një grupi botuesish fare pranë qeverisë.

Botues të prekur nga ky skandal pohojnë se procesin e tenderimit e kanë zotëruar parregullsitë, manipulimet dhe klientelizmi. Investigimi i ‘Gazetës Shqiptare’ nxjerr në dritë shumë prej këtyre shkeljeve.

Bibliotekat
Që në gusht të 2008, kryeministri Berisha e shpalli prioritet ngritjen e rrjetit të bibliotekave dhe pasurimin e tyre në çdo shkollë të vendit, duke ju drejtuar ministrit të Arsimit që të bashkëpunonte me Bibliotekën Kombëtare, duke u konsultuar dhe me grupet e interesit, shkrimtarët, botuesit, që të hartohej një platformë me të cilët qeveria të shënojë një kthesë rrënjësore të qëndrimit indiferent zyrtar ndaj librit.
Pas kësaj thirrjeje, vetëm 6 muaj më vonë, në janar të vitit të kaluar, kryeministri Berisha iu rikthye sërish kësaj teme.
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të 14 janarit 2009, Berisha deklaroi se, “në dy vitet e kaluara, Ministria e Arsimit ka pasur një fond për blerjen e librave. Por, ne do të shtojmë fondet për librin dhe do të ngremë biblioteka moderne në çdo shkollë”. Sipas tij, duhej bërë një përzgjedhje e titujve më të mirë të letërsisë shqipe dhe asaj botërore.
“Një çështje e rëndësishme, - tha Berisha, - është edhe përzgjedhja e fondit të librave, pasi ato blihen me paratë e taksapaguesve. Natyrisht, është e domosdoshme që librat më të vlerësuar, librat më të shitur të letërsisë shqipe dhe asaj botërore të gjenden në bibliotekat e shkollave.

Por, a u ndoq më pas kjo praktikë mjaft e vlefshme, e këshilluar nga kryeministri?
Deri në këtë moment gjithçka dukej se po shkonte si s’ka më mirë. Në Ministrinë e Arsimit u ngritën borde për të hartuar listat me titujt më të vlefshëm që do u propozoheshin drejtorive arsimore. E, në bazë të këtyre listave, këto drejtori duhet të bënin përzgjedhjen e titujve. Publikimi i këtyre listave ngjalli mjaft optimizëm. Njohësit më të mirë të fushave të historisë, filozofisë, letërsisë, etj, kishin propozuar botimet më të mira që janë në treg. Deri në fund të verës së 2009-ës, askush nuk e dinte se në xhepat e kujt do të përfundonte ky fond, më i madhi i akorduar ndonjëherë për pasurimin e bibliotekave të shkollave.

Reagimet e para
Në muajt shtator–tetor të 2009 u shënua pjesa më e madhe e tenderave të mbajtur për blerjen e librave artistikë. Në sitin zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve Publike, gjatë këtyre dy muajve, bien në sy shumë njoftime tenderash për blerje të botimeve nga Drejtoritë Arsimore të të gjitha qarqeve të vendit. Një pjesë e njoftimeve lajmërojnë edhe fituesit e tenderave së bashku me shumën e akorduar për blerjen e titujve të librave, të cilat shkojnë deri në 2.5 milionë lekë të reja si në rastin e Shkodrës, dhe kjo vetëm arsimin 9-vjeçar, pasi për arsimin e mesëm për Shkodrën janë lëvruar edhe 999.250 lekë të reja. Menjëherë pas kësaj, drejtoritë arsimore kanë nisur furnizimin me libra të këtyre bibliotekave, si për shkollat e mesme edhe ato 9-vjeçare. Dhe bashkë me nisjen e këtij aksioni, mbërritën dhe reagimet e para. Sipas hulumtimeve të korrespodentëve të ‘GSH’-së në të gjitha rrethet e vendit, bie në sy se blerjet janë bërë vetëm në titujt e një rrethi të ngushtë botuesish, si “Uegen”, “55”, “Plejad”, “CDE”, “EDU Alba”, “EDFA” etj.

Këtij hulumtimi i bashkëngjitet edhe reagimi i një varg botuesish të rëndësishëm në vend, titujt e të cilëve, ose janë përfshirë dy apo tre, ose mungojnë tërësisht. Sipas tyre, në këtë rast janë favorizuar botues të cilët kanë interesa të caktuara ose njihen si mbështetës të qeverisë, si në rastin e botuesit të “55”, Fahri Balliu, “Uegen”, Xhevahir Lleshi, “Plejad”, Ndriçim Kulla, apo botuesi i “CDE” dhe “EDU Alba”, Bardhyl Musai, i cili është edhe këshilltar për arsimin i kryeministrit Berisha.

Admirina Peçi, Fatmira Nikolli G. Shqiptare

Monday, March 1, 2010

Në cilën moshë duhet të përdorin fëmijët celularin, kompjuterin dhe internetin

Gjithkush e di se fëmijët ecin këmbadoras para se të mësojnë të ecin, dhe tricikli vjen para biçikletës. Por në cilën moshë duhet të mbajë një fëmijë celularin e tij të parë, laptopin apo të njihet me persona virtuale?

Këto janë pyetje të cilat i bëjnë prindërit e shekullit XXI, dhe këtu nuk ka dijë nga brezat e parë. “New York Times” ka publikuar një artikull ku tregon këto probleme me të cilat ndeshën sot prindërit. Ju nuk mund t'i thonë fëmijëve tuaj tashmë adoleshentë, "Kur unë isha djalë, unë nuk mund të shkruaja mesazhe po limit derisa shkova në shkollën e lartë."

Disa prindër i ekspozojnë fëmijët e tyre para teknologjisë së avancuar që në moshë të re, duke i dhënë atyre celular, videogame, kompjuter, etj. Por çdo gjë ka kohën e vet, dhe një veprim i tillë mund të jetë i dëmshëm për fëmijën tuaj.

Nga mosha 0 deri në 2 vjeç as nuk mund të lëvizin mausin apo komandën e televizorit, fazë të cilën një studiues, Piaget, e quan faza "sensoromotore", ku një fëmijë vetëm duke parë, prekur, dëgjuar njihet me botën që e rrethon.

Fëmijët e moshës 3-5 vjeç në ditët e sotme mund të hasen shpesh duke luajtur me telefonat e prindërve të tyre. Edhe pse kjo nuk duket aspak veprim i dëmshëm këtu fillojnë defektet në sjelljen e fëmijës tuaj.

Nga mosha 6-11 vjeç fëmijët mund të ecin me biçikletë, mund të jenë të aftë të hyjnë në botën e internetit, t'i drejtohen kompjuterit për të zgjeruar njohuritë e tyre, por në çdo moment duhet të jenë të kontrolluar nga prindërit. Këtë stad Piaget e quan "operacionet konkrete" sepse deri më tani fëmijët kanë qenë plot me ide abstrakte.

Pas moshës 10-vjeçare disa fëmijë fillojnë të redaktojnë video dhe programe softueri si M.I.T Scratch, program pa pagesë në Windows. Scratch i ndihmon fëmijët të kërkojnë dhe të grumbullojnë disa rregulla edhe nga loja me bashkime pjesëzash të figurave të ndryshme.

Mosha 12 vjeç e lart edhe pse bëhen më "përtacë" për t'u çuar, në shkollën e mesme dhe të lartë ata pasurojnë ndjesinë e të qenit i rritur. Në këtë moshë adoleshentët dëshirojnë të bëjnë veprimet e një të rrituri dhe të sillen si të tillë. Ata hyjnë në atë moshë që Piaget e quan "operacioni formal", të aftë për të zhbiruar në botën e kompjuterit, internetit, telefonit, celularit, lojërat MP3 dhe laptopin personal. Kjo ndikon fuqishëm në komunikimin e tyre në shoqëri.
Në fakt celularët janë më shumë apo më pak të detyrueshëm për fëmijët në këtë moshë. Përveç se tregojnë avantazhin social, celularët mund të reduktojnë stresin, lejojnë që fëmijët dhe adoleshentët të komunikojnë me njëri-tjetrin për detyra të ndryshme, etj.

T'i japësh një fëmijë gati për të kaluar në kolegj një laptop, do të bënte që ai t'i largohej lojërave MP3, para se të arrinte çastin për t'iu drejtuar universitetit, duke u futur në botën e kompjuterit. Kështu ata mund të krijojnë dosje të veçanta në Google Page Creator për të parë gjithçka ata kanë dëshirë dhe nevojë, informacione pa fund dhe të bëhen ndërmarrës të ardhshëm.
Nëse ai do të ishte gjallë sot Piaget patjetër që do t'i këshillonte prindërit se për fëmijët e vegjël çdo gjë, edhe nëse ka bateri apo jo, është një zbulim që pritet të ndodhë çdo ditë. Por lodrat funksionojnë më mirë kur ato janë të organizuara sipas nivelit të zhvillimit të fëmijës.

Rreziku i dëmtimit nga rrezet e celularëve
Shumë Organizata përfshirë industrinë e telefonave celularë zvogëlonin rrezikun e dëmtimit nga rrezet e celularëve. Rezultate studimi në terma të shkurtër janë përdorur për të bindur konsumatorët se përdorimi i një telefoni celular nuk është i shoqëruar me një tumor në tru ose kancer, që zhvillohen vetëm dhjetë vjet pas ekspozimit. Për të qenë të plotë, asnjë nuk e njeh ekzaktësisht sa dëme mund të provokojë një telefon celular. Studimi tregon sa i rrezikshëm është rrezatimi i celularëve. Personat duhet të evitojnë përdorimin e tyre. Edhe pse deri tani asnjë nuk ka provuar që rrezatimi i celularëve mund të provokojë diçka të tillë. Tek fëmijët duhet të ndalohet përdorimi i celularit sepse truri i tyre është akoma duke u rritur dhe është veçanërisht truri i tyre që dëmtohet më shumë nga rrezatimi i celularëve. Të përdorësh një telefon celular për më shumë se dhjetë vjet rrit në mënyrë të ndjeshme rrezikun për t'u prekur nga tumori në kokë, tregojnë studimet më të fundit të bëra në këtë fushë. Pavarësisht "garancive" që japin kompanitë e prodhimit se ata nuk e dëmtojnë shëndetin, të përdorësh një telefon celular për më shumë se dhjetë vjet rrit në mënyrë të ndjeshme rrezikun për t'u prekur nga tumori në kokë. Shkencëtarët që u morën me këtë studim arritën në përfundimin se përdorimi i telefonit për një orë në ditë është më se e mjaftueshme për të rritur rrezikun, ndërsa standardet ndërkombëtare të përdorura deri më tani për të mbrojtur përdoruesit nga rrezatimet nuk janë të sakta e duhen rishikuar patjetër. Pas një sërë studimesh të hollësishme, ata kërkuan të tregonin se "duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përdorim në mënyrë të limituar telefonat celularë. Sëmundje si artroza apo herni diskale janë shkaku i dytë i dhimbjeve të qafës, por që të dyja situatat mund të jenë aktive njëkohësisht. Kush vuan nga këto sëmundje mundohet t'i shmangë rrotullimet e kokës dhe lëvizjet e shpatullave pikërisht për dhimbjen që i shkakton kjo.

Rrezatimi i celularit mbi njeriun
Për sistemin GSM (sistemi i sotëm e telefonisë celulare), dihet se frekuenca bartëse është 900MHz, por në të vërtetë ajo shtrihet ndërmjet 890MHz dhe 915MHz. Brenda kësaj bande, baza celulare i atribuon çdo përdoruesi një bandë më të ngushtë prej 0.2 Mhz për çdo bisedë. Kjo bandë ndryshon kur abonenti lëviz nga një vend në një tjetër, pasi në këtë rast edhe banda lëviz. Brenda çdo bandë vëmë re se informacioni transmetohet me impulse ku një impuls është rreth 576µs dhe përsëritet për çdo 4.6 ms. Pra raporti ciklik është 1/8 dhe përsëritja çdo 217Hz. Kjo bën që banda e frekuencave të përdoret nga 8 përdorues të ndryshëm. Një pasojë e këtij fraksionimi kohor, referuar bashkëveprimit me përdoruesit, është një zvogëlim proporcional i fuqisë mesatare Pmes, në krahasim me fuqinë maksimale, Pmax që është 2 W. Gati 40% e energjisë së mësipërme që rrezatohet nga celulari absorbohet nga koka. Po të konsiderojmë se pesha e kokës është afërsisht 3 kg arrijmë në konkluzionin se debiti i absorbimit specifik është 0.03 W/kg. Ndërkaq, thithja e energjisë në kokë nuk është homogjen pasi 70% energjisë së absorbuar shtrihet në një kub me brinje 5cm me një peshë prej 125gr. SAR lokal është më i lartë në këtë zone dhe arrin në nivelin 0.6 W/kg. Pra si përfundim, rrezatimi i celularit në kokë me një intensitet të SAR ose DAS nga 0.3 në 0.6 W/kg që tregon se madhësia e SAR është akoma më i madh në brendësinë e lëkurës. Ne vitin 1968 është arritur në konkluzionin se efektet negative në radiofrekuencë nisin në dozën prej 4 W/kg e lart dhe mbi këtë bazë është vendosur një faktor sigurie 10 herë më të vogël, duke pranuar kështu dozën kufi prej 0.4 W/kg. Disa vite më parë, kjo doze për qëllime sigurie është ulur me tej në 0.08 W/kg për ekspozimin e publikut, pra 50 herë më pak.

Tirana. O.

Monday, February 22, 2010

Skandali i radhës, Kosova nuk figuron në tekstet shkollore

"Maqedonia në pjesën veriore të saj kufizohet vetëm me Serbinë", kështu shkruan në tekstin e lëndës së Shoqërisë për klasën e katërt të shkollës fillore.

Në këtë tekst shkollor të botuar në vitin 2009, Kosova nuk figuron si fqinj i Maqedonisë, edhe pse ajo është pranuar nga Maqedonia si shtet në vitin 2008. Nga Byroja për zhvillim të arsimit, e pranojnë gabimin e bërë, por thonë se faji për këtë është i shërbimit pedagogjik të Ministrisë.

"Nuk jam kompetente për botimin e librave, pasi ato bëhen në shërbimin pedagogjik, që është pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, pra është institucion tjetër që merret me botimin e librave".

"Unë nuk mund ta di nëse është harruar me qëllim ose jo, megjithatë mendoj se duhet të kihet kujdes i veçantë, pasi ne nuk mund ta anashkalojmë Kosovën si shtet fqinj të Maqedonisë", thotë Ajshe Selmani, zëvendësdrejtore e Byrosë për zhvillimin e arsimit.

Por, e pyetur se cilat janë kompetencat e Byrosë në këtë sferë, Selmani pranon se programet e teksteve shkollore përgatiten nga Byroja për zhvillimin e arsimit.

"Byroja për zhvillimin e arsimit përgatit programet dhe në bazë të atyre programeve, botohen librat. Por, sipas të gjitha gjasave, ai libër ka mbetur i pandryshuar, ka mbetur me po atë program para se Kosova të pranohet shtet, pra mund të jetë një lëshim", shprehet zonja Selmani dhe shton se në programet e reja do të evitohen të gjitha lëshimet që janë bërë në tekstet shkollore.

Mirëpo, ky lëshim ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë thotë se bëhet fjalë për një gabim të madh, që duhet të përmirësohet patjetër.

"Patjetër duhet të përmirësohen gabimet, apo lëshimet në tekstet shkollore. Dikush do të thotë se ndoshta një lëshim në një faqe, apo dy, është një lëshim i vogël, por ne vlerësojmë se janë lëshime shumë të mëdha dhe patjetër se duhet të përmirësohen".

"Ne, edhe në tribuna kemi kërkuar që të gjitha tekstet shkollore që janë në gjuhën shqipe, të kenë autorë recensentë shqiptarë. T'i kontrollojnë ata dhe pastaj të lejohen për shtyp", vlerëson Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH-it.

Profesoresha në Fakultetin Pedagogjik në Shkup, Gjylymsere Kasapi, njëherësh drejtuese e Komisionit për arsim të partisë Demokracia e Re, vlerëson se gabimi është katastrofal.

Sipas saj, ky gabim, jo vetëm që tenton ta fshehë të vërtetën, por edhe krijon huti të panevojshme në mesin e nxënësve. Zonja Kasapi thotë se ky tekst, urgjentisht duhet të tërhiqet nga përdorimi.

"Këtu është bërë një gabim katastrofal. Ai tekst, urgjentisht duhet të tërhiqet, për arsye se është botuar në vitin 2009, kurse Kosova është pranuar nga Maqedonia në vitin 2008".

"Është keq, nuk është e natyrshme, nuk është e arsyeshme që fëmijët, qofshin ata maqedonas, apo shqiptarë, të mos e dinë se një nga shtetet fqinje më të afërta është edhe Republika e Kosovës. Mendoj se kjo është bërë me qëllim, por nëse është bërë ndonjë gabim, libri duhet të tërhiqet menjëherë", thotë Kasapi.

Lëshime në tekstet shkollore nuk janë bërë vetëm në raport me Kosovën, por ka edhe shumë gabime tjera, përfshirë ato me toponimet shqiptare brenda Maqedonisë.
Shekulli

Saturday, February 6, 2010

Thesare shqiptare në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit

Biblioteka Apostolike e Vatikanit është një ndër bibliotekat më të pasura në botë për historinë e krishterimit, dhe ndoshta më e pasura në botë për sa i përket historisë së trojeve shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të sotëm politik-administrativë.

Në të gjenden të gjitha veprat monumentale që ndihmojnë për të shkruar një histori të plotë të trojeve shqiptare, dhe pothuajse të gjitha librat e shkruar për krishterimin e këtyre trojeve. Nuk e teprojmë aspak po të themi që nuk ka vend tjetër në botë, ku të gjitha veprat monumentale të shkruara që nga shek. XV-të e deri më sot, të gjenden të gjitha në një vend dhe në rafte të hapura për përdorim të lirshëm për studiuesin, dhe nuk ka kënaqësi më të madhe për një studiues që të punojë i papenguar nga burokracitë institucionale me një material të tillë burimor dhe sekondar, pa llogaritur pastaj kënaqësinë që mbart me vete zbulimi i një dorëshkrimi apo inkunabule të shfrytëzuar pjesërisht ose të pashfrytëzuar që mund të dhurojë puna me dorëshkrimet që ruhen në këtë bibliotekë. Deri më 1 janar të vitit 1996, Biblioteka Apostolike e Vatikanit zotëronte 1, 600.000 libra të botuar, 8.300 inkunabula (nga të cilat 65 janë të shtypur në vellum, pergamen), 150.000 vëllime dorëshkrimesh, 100.000 shtypshkrime dhe gravura, 300.000 monedha dhe medalje, dhe rreth 20.000 objekte arti.

Si u grumbullua kjo pasuri e paçmuar në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit?

Koleksione librash në Romë ose Vatikan kanë ekzistuar që prej antikitetit, por ato përdoreshin ekskluzivisht nga papët dhe nga Kuria, dhe ishin të mbyllura për publikun e gjerë. Në përgjithësi, ekzistenca e këtyre koleksioneve është bërë e njohur nga referenca të gjendura aty-këtu. Megjithatë, biblioteka e papës Bonifaci VIII (Benedetto Caetani, 1294-1303), katalogu i të cilit u hartua në vitin 1295, është mjaft e famshme, ashtu siç është edhe biblioteka e Avinjonit, e cila pjesërisht u transferua në Romë nga Gregori XI (Pietro Roger de Beaufort, 1370-1378) në vitin 1377.
Papa Nikolla V (Tommaso Parentucelli, 1447-1455), humanist dhe pronar i një koleksioni jashtëzakonisht të madh, ishte i pari që duke përdorur edhe koleksionin e tij privat vendosi të hapte një bibliotekë publike në Vatikan. Biblioteka filloi me 350 dorëshkrime latine, që deri në atë kohë ishin përdorur kryesisht për nevojat e Kurisë Papnore, të cilave iu shtua dhe biblioteka personale e papës, në të cilën përfshiheshin shumë vëllime që ai kishte blerë, kopjuar apo dhuruar. Madhështia e kësaj sipërmarrjeje mund të shihet nga inventari i përpiluar me rastin e vdekjes së këtij pape, ku janë regjistruar rreth 1.500 kodikë.
Iniciativa e Nikollës V, u përkrah nga pasardhësit e tij, dhe veçanërisht nga papa Siksti IV (Francesco della Rovere, 1471-1484), i cili i dha bibliotekës formën juridike me bulën Ad decorem militantis ecclesiae të 15 qershorit 1475. Ai gjithashtu bëri një zgjerim të bibliotekës dhe caktoi një fond të ardhurash fikse për të. Në të njëjtën bulë, ai emëroi edhe bibliotekarin e parë, i cili ishte Bartolomeo Patina, gjithashtu edhe prefekt i bibliotekës. Si ndihmës iu dhanë tre asistentë dhe një libralidhës. Vendi i tyre i punës i kishte dritaret mbi oborrin e Belvederes, dhe përbëhej nga katër dhoma të zbukuruara me afreske të pasur. Këtu ruheshin edhe dorëshkrimet greke, latine dhe shumë nga kodikët më të çmuar. Në atë kohë ishte e mundur që librat të huazoheshin dhe për këtë dëshmojnë regjistrat e ruajtura nga vitet 1475-1547. Brenda një kohe shumë të shkurtër, nga viti 1475-1481, numri i dorëshkrimeve u rrit aq shumë (nga 2.527 në 3.500) saqë lindi nevoja për hapësira të reja për to, dhe këto hapësira u dhuruan nga papa Gjulio II (Giulianno della Rovere, 1503-1513). Megjithatë shpejt pas kësaj ndodhi fatkeqësia e madhe e plaçkitjes së Romës (1527) dhe koleksionet e Vatikanit u dëmtuan shumë nga kjo plaçkitje, ndërsa duhet theksuarkëtu se një pjesë tepër e madhe dorëshkrimesh dhe librash qoftë në gjuhën shqipe, qoftë që kishin të bënin me Shqipërinë dhe shqiptarët u zhdukën përgjithmonë.

Midis viteve 1587-1589, papa Siksti V (1585-1590) porositi Domenik Fontanën të ndërtonte Sallonin Sistina, ku vëllimet e ruajtura në kabinete posaçërisht të ndërtuar për to, ndenjën deri në kohën e papa Leonit XIII (1878-1903). Salloni Sistina është një sallë e madhe 70 m e gjatë e 15 m e gjerë, e zbukuruar me afreske te shumta dhe me dy nishe. Kabinetet e mbështetura në mur dhe rreth e rrotull shtyllave, në të cilat ruheshin dorëshkrimet, mund të shihen edhe sot e kësaj dite, megjithëse kjo sallë tani i përket muzeut të Vatikanit.
Në kohën e Palit V (Camillo Borghese, 1605-1621), u vendos që dokumentet arkivore të bibliotekës të ruheshin në një vend të veçantë, por fqinj. Në këtë mënyrë u krijua edhe Arkivi Sekret i Vatikanit. Duhet theksuar që sot Arkivi i Vatikanit (Arkivi Sekret) është një institucion i ndarë dhe i pavarur nga biblioteka, me prefektin dhe stafin e tij.
Në shek. XVI, Biblioteka e Vatikanit, e cila në atë kohë ishte më e madhja bibliotekë e botës perëndimore, vazhdoi të rriste koleksionin e saj të dorëshkrimeve, falë shumë blerjeve dhe dhurimeve. Rreth fundit të shekullit, kardinali Guiglielmo Sirleto, i dhuroi koleksionin personal bibliotekës, dhe gjesti i tij u ndoq nga kardinali Antonio Carafa në vitin 1591. Pas kësaj, karakteri humanist i bibliotekës, u pasurua me kalimin e shekujve nga shumë dhurime të rëndësishme si p.sh. Biblioteka Palatine e Heidelbergut (1623), dorëshkrimet e dukës së Urbinit (1657), dorëshkrimet e mbretëreshës Kristina të Suedisë (1690). Papa shqiptar Klementi XI (Giovanni Francesco Albani, 1700-1721) iu drejtua kryesisht lindjes për të pasuruar bibliotekën në fjalë, dhe themeloi një koleksion të pasur oriental, kryesisht me vëllime të sjella nga Siria dhe Palestina, por edhe Shqipëria.
Ai u përpoq që të mblidhte edhe dorëshkrimet shqiptare dhe t’i ruante në këtë bibliotekë, por për fat të keq kjo iniciativë e tij u shoqërua me një fatkeqësi të madhe për ato dorëshkrime, të cilat nuk arritën kurrë të shkonin në Itali, ngase në forma të ndryshme ato u penguan për të arritur në destinacionin e duhur. Psh. një pjesë e mirë e tyre u shit, një pjesë tjetër humbi pa gjurmë, siç ishte rasti me një qerre të mbushur plot me dokumenta dhe dorëshkrime origjinale që u mbyt në lumin Drin, etj. etj.

Në shek. XVIII, koleksionet e Markezit Alessandro Giorgio Capponi (1746) dhe papa Aleksandri VIII (Pietro Ottoboni, 1689-1691) shtuan koleksionit me emrin e familjes Ottoboni (1748). Gjatë kësaj periudhe, filloi edhe një projekt për të publikuar një katalog të plotë të koleksioneve të dorëshkrimeve. Nuk ishte mbaruar akoma, kur një zjarr në vitin 1768 shkatërroi variantin e punës së vëllimit të katërt dhe kopjet e tre vëllimeve të parë, ku ndër të tjera, pothuajse ishin indeksuar të gjitha dorëshkrimet që kishin të bënin me Shqipërinë ngase katalogu kishte renditje alfabetike.
Në vitin 1797 dhe 1809, trupat e Republikës Franceze, dhe më vonë ato të Napoleonit, e transferuan një pjesë të madhe të dorëshkrimeve dhe pasurive të tjera të bibliotekës në Paris, të cilat u kthyen pas Kongresit të Vjenës (1815), por me shumë dëme dhe humbje. Koleksionet e librave të botuar u pasuruan në vitin 1855 nga koleksionet Cicognara, që kryesisht përfshinte libra mbi artin dhe antikitetin. Nga viti 1891 e tutje, duke filluar me dorëshkrimet Borghese, bibliotekës iu shtuan shumë koleksione të tjera kryesisht dorëshkrimesh si fondi Barberini (1902), Chigi (1923), Ferrajoli (1926), arkivat Rospigliosi (1926) dhe Caetani (1935), si dhe arkivat e Kapitullit të Shën Pjetrit (1940) dhe koleksioni Patetta (1945). Vitet e fundit janë shtuar edhe koleksionet persiane dhe etiopiane të Cerulli-t, dhe koleksioni etiopian Raineri.
Në kohën e Leonit XIII (Gioacchino Pecci, 1878-1903), filloi një proces modernizimi. I filluar tashmë nga Kardinali Jean-Batist Pitra, i udhërit të Benediktinëve, puna u udhëhoq nga prefekti (më vonë Kardinali bibliotekar) Franc Ehrle S. J., i cili hapi sallën e sotme të leximit, për librat e shtypur (Sala Leonina) dhe luajti një rol vendimtar për adaptimin e rregullave të detajuara për katalogizimin e botuar të dorëshkrimeve, që akoma është në përdorim sot. Janë rreth 400 vëllime vetem me katalogë librash.
Katalogu i librave të botuar u kodifikua shpejt pas luftës me titullin “Norme per il catalogo degli stampati” i cili është ribotuar disa herë dhe është përkthyer edhe në gjuhë të ndryshme.

Sot Biblioteka e Vatikanit është një bibliotekë kërkimesh shkencore, me koleksione të mëdha të famshme në të gjithë botën, veçanërisht përsa i përket fushës së shkencave humane dhe shoqërore, por edhe të tjerave. Të gjithë librat, duke filluar që nga ato të shek. XVI-të janë në rafte të hapura për përdorim të lirshëm nga ana e studiuesve, dhe janë të organizuara kryesisht sipas emrave të shteteve, dmth. rendit alfabetik dhe brenda për brenda tyre edhe sipas provincave apo sipas subjekteve më të rëndësishme. Përveç këtyre janë edhe ndarjet e mëdha sipas fushës, ndër të cilat më të rëndësishmet janë seksionet e paleografisë dhe papirologjisë, heraldikës e epigrafisë, artit e arkitekturës, hagjeografisë e vjetarëve pontifikë, biografive e bibliografive, e së drejtës kanonike dhe e së drejtës civile, seksionet e koncileve, urdhërave fetarë, patrologjisë e shkrimeve të shenjta, historisë kishtare, por edhe historisë së përgjithshme, teogjisë e filozofisë, studimeve të ipeshkvive, manastireve, papëve e kardinalëve, orientit e bizantit, letërsisë greke e latine, mesjetare e paramoderne etj. etj.
Sigurisht që nuk mungojnë as leksikonet, enciklopeditë, dhe fjalorët më me emër të të gjitha kohërave, në të gjithë vëllimet e tyre seriale, si Fjalori historiko-eklesiastik i Moronit (nga vitet 1840-1861), Enciclopedie d’Islam, Enciclopedia Dantesca, Lexicon des Mittelalters, etj. etj. dhe deri tek botimi i vitit 2003 i The Neë Catholic Encyclopedia. Ndër fjalorët e të gjitha vendeve dhe kohërave, një vend mjaft të rëndësishëm zënë edhe ato të gjuhëve orientale.
Brenda përbrenda këtyre gjenden koleksione që rrallë mund të gjenden në ndonjë vend tjetër në formë kaq të plotë. Kështu seri të tilla monumentale si: Acta Praedicatorum, Acta Salmanticensia, Acta Sanctorum, Annales de Literature, Annales Ecclesiastici, Annales Ecclesiastique, Basilicon, Bullarium Franciscanorum, Bullarium Praedicatorum, Bullarium Romanorum, Codex Diplomaticus, Codex Theodosianus, Codicem Juris Canonici Orientalis.Corpus Juris Canonici, Du Cange, Fontes Pontificia Commissio ad redigendum,Illiricum Sacrum, Lequin, Monumenta Germaniae, Monumenta Ragusina, Monumenta Slavorum, Muratori, Patrologia Latina dhe Patrologia Graeca, Tabula Peuntigeriana,Theiner, etj. etj. të gjitha janë të plota dhe në rafte të hapura, për përdorim të lirë, ku ndër të tjera, pjesa dërmuese ka të dhëna për shqiptarët dhe Shqipërinë.
Ndër librat që janë ekskluzivisht për historinë e Shqipërisë, janë veprat e Barletit; 25 vëllimet e Valentinit (Acta Albaniae Veneta), përveç Acta Albaniae Juridica, dhe Saggio di un Regesto Storico dell’Albania, të punuar bashkë me Fulvio Cordignano, veprat e Thalloczy-t, Jirecek-ut, Theineri-t, Ughello-s dhe Šufflay-t: Acta e Diplomata Res Albaniae illustrantis, si dhe studimet e tyre në Illyrisch-albanische Forshungen, Studimet e Borgia-s, të Hahn-it, të Petrott-ës, të Almagia-s, të Fulvio-s, të Tacchella-s, etj. etj.
Në serinë Studi e Testi që sponsorizohet dhe botohet nga vetë Biblioteka Apostolike e Vatikanit, botohen herë pas here edhe studime që kanë lidhje me Shqipërinë si psh. studimi i Matteo Sciambrës për doktrinën e krishterë të përkthyer nga Lukë Matranga, apo ribotimi dhe transkriptimi i Mesharit të Buzukut nga Namik Resuli. Po ashtu është edhe përmbledhja me dokumente latine Acta Albaniae Vaticana i Igantius Parrinos, etj.
Salla e periodikëve përfshin të gjithë periodikët më me zë në botë, duke filluar që nga periodikët e vjetër të École Française de Rome si: Acta orientalia, Analecta Bollandiana, Archivio storico della Calabria, Archivio Storico per la Dalmazia, Ars islamica, Beihefte zur mittelateinischen Jahrbuch, Biblioteca orientalis, Bibliotheque de l’ecole de Chartes, Oriens Christianus, Rivista degli studi orientali, Bolletino di studi latini, Bulletin du Cange, Revue du Moyen age latin, Byzantinische Archiv, Byzantinische Forschungen, Byzantinische Zeitschrift, Civilta Cattolica Archiv für literatur und Kirchengeschichte des Mittelalters,Civilta classica e Cristiana, Classica et mediaevalia, Croatica Christiana periodica, Medieval and renaissance studies, Mélanges d’archéologie et d’histoire, Melanges de l’ecole francaise, Mitteilungen zur geschichte der Medizin, Oientalia Christiana analecta, Orientalia christiana periodica, Revue d’Histoire ecclesiastique, Rivista di studi bizantini e slavi, Rivista Storica Calabrese, Studien und mitteilungen aus dem Benedictiner und dem Cisterciensen Orden,The journal of medieval latin, Zeitschrift für slavische Philologie, e shumë e shumë të tjerë, ku ka me mijëra studime e artikuj që kanë lidhje të drejtpërdrejtë ose indirekte me Shqipërinë.

Ndër perlat e vërteta të kulturës shqiptare në sallën e periodikëve mund të konsiderohen pa frikë: Lajmtari i Zemers s’Jezu Krishtit, që filloi të botohet në vitin 1891, në Shkodër; Shejzat po ashtu janë të ruajtura kompletë në dy seri, në këtë bibliotekë; Shpirti Shqiptar që ka filluar të botohet që nga viti 1954; Rivista d’Albania, e drejtuar nga Francesco Ercole dhe e botuar në Milano që nga viti 1940 deri në vitin 1943 dhe shumë revsita të tjera.

Katalogu i librave të botuar mund të kontrollohet edhe online që nga viti 1985, kurse katalogët e botuar dhe ribotuar, indekset e shtypur dhe inventarët me shkrim dore mund të kontrollohen vetëm duke qenë prezent në bibliotekë dhe në dhomat përkatëse të saj.

Dr. Musa Ahmeti/ Dr. Etleva Lala, G. Shqiptare

Thursday, January 28, 2010

Revolta e shqiptarëve: Shkupi na pengon arsimin

Arsimi shqip në Maqedoni përfundon në kaos.

Në fillim të semestrit të dytë shkollor shqiptarëve u mungojnë hapësirat për të dhënë mësim, ndërsa autoritetet po u rezistojnë kërkesave për hapjen e paraleleve në këtë gjuhë, njoftoi agjencia e lajmeve INA në Shkup.


Ndarjet e krijuara në shkollat e mesme të Strugës dhe kushtet e papërshtatshme për mësim në shkollat e mesme shqipe në Kumanovë; moslejimi i hapjes së paraleleve shtesë në shkollën e mesme të mjekësisë në Shkup, si dhe mungesa e hapësirave për nxënësit shqiptarë në shkolla të mesme e fillore, janë problemet që po krijojnë pengesa për arsimimin e nxënësve shqiptarë. Përballë kësaj gjendjeje problematike, shoqatat qytetare shqiptare kërkuan dje publikisht dorëheqjen e ministrit të Arsimit, Nikolla Todorov. "Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të ministrit Todorov, për arsye të deklaratës së tij diskriminuese se mësimi i gjuhës së tretë që nga klasa e parë fillore do të ishte ngarkesë për fëmijët maqedonas, dhe jo edhe për ata fëmijë shqiptarë të së njëjtës moshë, si dhe për rritjen e tensioneve ndëretnike tani dhe gjatë regjistrimit të nxënësve shqiptarë në shkollat e mesme", - thanë përfaqësuesit e shoqatave shqiptare. Politikanët shqiptarë në Maqedoni ende nuk kanë reaguar lidhur me këtë lëvizje të fundit të shoqatave shqiptare. Por, eksperti shqiptar për çështje arsimore dhe pedagogjike, Xheladin Murati tha se "duhet të përcaktohet një axhendë për zgjidhjen e problemeve tashmë të hapura dhe që po krijojnë pasoja për nxënësit dhe studentët shqiptarë". "Është fakt se në arsimin shqip mungojnë shumë gjëra. Ministria e Arsimit nuk ka ndjeshmëri për të marrë vendime të prera lidhur me këto probleme të grumbulluara që kërkojnë zgjidhje.

Problemi i fundit i shkaktuar nga Ministria e Arsimit është imponimi i saj që nxënësit shqiptarë të shkollës shqiptarë të mësojnë gjuhën maqedonase nga klasa e parë. Kjo vetëm i thellon problemet në arsimin shqip", - theksoi profesor Murati. Sipas tij, në këtë rast qeveria duhet të kërkojë përgjegjësi të plotë për këtë vendim nga ministri i Arsimit. Probleme evidente në arsim ka regjistruar edhe Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) në Kumanovë e Likovë, e cila ka bërë thirrje për t'i ardhur në ndihmë arsimit shqip në Kumanovë. "Urgjentisht duhet të bëhet ndërhyrja institucionale për të evituar problemet dhe kaosin që ka mbretëruar arsimin shqip në Kumanovë. Pas sa viteve kemi probleme me mungesën e lokaleve për nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme shqipe, kemi probleme në çështjen e hapësirave për nxënësit e shkollave fillore, mungesa e kushteve për ndjekjen e trendëve arsimore si dhe shumë probleme të tjera që po i pësojnë fëmijët tanë", - ka theksuar kryetari i LASH-it, Etem Xheladini.

G. Shqiptare

Tuesday, January 12, 2010

Edukimi i njeriut, i vështirë por i domosdoshëm…

Në shoqërinë shqiptare janë shtuar shqetësimet sociale, ankesat individuale, zërat e njerëzve, të grupeve sociale dhe institucioneve të edukimit. Sidomos të alarmuar janë ata, që janë rritur në sistem tjetër social, që janë edukuar me parime ideologjike të jetës super-sociale dhe edukatës kolektiviste, kur përballen me dukuritë dhe problemet e komplikuara edukative me të cilat po përballet shoqëria dhe qytetërimi ynë, i konceptuar dhe të ndërtuar përfundimisht mbi parime të qytetërimit liberal.


Mua më ndodh shpesh, që njerëz që lexojnë artikujt e mi me temë sociale, apo që shikojnë emisionet me tematikë edukative në televizion, më takojnë, më shkruajnë, me telefonojnë të shqetësuar për interpretimet që kam bërë për shoqërinë moderne dhe dukuritë komplekse të qytetërimit liberal shqiptar. Shqetësimi që ndihet, më shumë është e lidhur me disa pyetje që bëjnë shumica e tyre:

A është qytetërimi ynë më shkatërrues se më parë, a është bërë njeriu një qënie fare e shthurur, pa norma dhe rregulla sociale ? Ç’duhet të bëjmë me ta ?

Natyrisht nuk është e lehtë t’u japësh përgjigje të prera njerëzve për këtë situatë sociale kaotike, në të cilën ndodhet jo vetëm shoqëria jonë, por përgjithësisht shoqëria moderne universalisht. Gjithë problemi është si mund të sigurojmë ndërtimin e një qytetërimi, në të cilin të bashkëjetojë harmonikisht njeriu i lirë dhe shoqëria e tij, si mund të kombonojnë objektivat e tyre, si mund të “disiplinohet” sjellja e njeriut në kushtet e shoqërisë së lirë, pa detyrime dhe “penalitete shtetërore”, si mund të edukojmë njeriun përmes vënies në funksion edukativ të makinerisë gjigante dhe moderne të edukimit qytetar, në mënyrë që zgjerimi i autonomisë personale të mos pengojë detyrën e koordinimit social të njeriut me shoqërinë tonë ?
Në c’ mënyrë duhet vepruar për edukimin e njeriut, në kushtet kur nga ana tjetër në këto dy dekada të demokracisë, ka rënë shumë “mendjemadhësia e makinës sonë të edukimit të dikurshëm” ? Kush e zëvendëson atë në shoqërinë tonë, dhe si mund të realizohet procesi i edukimit qytetar ?

Nuk ka dyshim që në shoqërinë tonë janë dobësuar lidhjet e njeriut me institucionet e edukimit, por edhe këto të fundit duke ndjerë pafuqinë e tyre, kanë filluar të zbehin punën, madje të braktisin detyrimin e tyre social-edukativ. Nuk është në situatë të mirë edukative familja, shkolla, shoqëria civile. “Mikropushteti edukativ” i tyre ka humbur pjesë të ndjeshme të autoritetit, madje ky “pushtet” ka rënë moralisht. Impakti pozitiv i tyre është në erozion të thellë. Edukimi është kthyer në një proces më shumë spontan e kaotik, pa rregulla, objektiva dhe synime sociale. Lidhjet e njeriut me kulturën qytetare si fondament i formimit liberal, janë dobësuar. Është zgjeruar, madje liberalizuar deri në ekstrem “sistemi i lirive”, por ndërkaq shoqëria jonë duket sikur nuk ka më “sistem” pengesash sociale dhe “penalitete edukative” të vogla, si ndjenja që formohen me fëmijët në familje, me nxënësit në shkollë, me ushtarët në ushtri, me pacientët në spital, më qytetarët në komunitet, me fqinjët në pallat, etj. Një proces ky shumë i domosdoshëm për t’u rindërtuar në shoqërinë tonë, për të formuar njerëz përmes edukimit kulturor dhe qytetar. Institucionet e edukimit social kanë filluar të ndihen keq, dhe përballë vështirësive, anarkisë dhe kaosit edukativ liberal, ato të duken sikur janë në gjendje nogdauni, të kapitulluara, të paafta për të “rimarrë territorin” e duhur të ekskluzivitetit të ndikimit të domosdoshëm edukativ.
Nuk është demokracia e gjerë dhe liberalizmi social, shkak për të justifikuar këtë anomali edukative që ka shoqëria shqiptare sot. E keqja duhet gjetur atje ku ajo qëndron. Prandaj në vend që të gjejmë rrugë të shkurtra të qëndrimit konservator edukativ, më mirë është të kërkojmë dhe të gjejmë të vërtetën e kësaj situate sociale. Sipas meje, në se ka ndonjë defekt që në pamje të parë duket sikur është pasojë e liberalizimit të jetës në shoqërinë shqiptare, ajo nuk është prania e “lirisë së tepërt” shoqërore, por mungesa e eficencës së pushteteve të vogla të institucioneve të edukimit, të atyre që kanë forcë të vendosin “pushtetin e normës sociale” të qytetërimit tonë, që janë kode të domosdoshme të bashkëjetesës sociale të pranuara të sjelljes së individit në familje, në shkollë, në jetën komunitare, në spital, në ushtri, në komunitet e kudo ku ka jetë sociale.

Ky është një shqetësim i madh për shoqërinë tonë. Sepse po krijohet nja aliazh i keq social, që vjen si rezultat i shpërpjesëtimeve strukturore të roleve tradicionale të pushtetit edukativ, midis zgjerimit të lirisë personale, zmadhimit të hapësirës së autonomisë individuale nga njëra anë, dhe kufizimin e natyrshëm të “fuqisë penale” të shtetit kur është fjala jo për krime, por për çështjet e sjelljes së vogël anti-edukative të njeriut. Kjo ka bërë që të duken shfaqje të anarkisë së sjelljes sociale, si rezultat i neglizhimit të padrejtë, të pamerituar, jo qytetar të rolit dhe forcës së institucioneve të sigurisë morale dhe të edukimit. Jeta sociale e shoqërisë sonë po dëmtohet nga që ajo nuk ka dhe nuk mund të ketë kuptim, pa praninë e “normave sociale” të caktuara konsensualisht për sjelljen njerëzore individuale.
Padyshim ka një rregull universal të funksionimit të shoqërisë së lirisë, sipas të cilit sa më shumë të dobësohet pushteti dhe kontrolli i shtetit mbi individin e lirë, aq më shumë duhet të forcohet dhe kompensohet pushteti natyral i edukimit, të shoqërisë civile dhe institucioneve sociale, aq më shumë duhet të rritet fuqia ndikuese e “mikropushtetit edukativ” të tyre, pa të cilën liria mund të degjenerojë në anarki. Pushteti i shoqërisë civile dhe institucioneve sociale, nuk është frenues dhe penalizues, por është siç thotë Mishel Fuko, obsional dhe efektiv.

Padyshim një shoqëri sado e lirë që të jetë ka nevojë që të ketë në funksion dhe në eficencë të plotë “makinerinë e edukimit” qytetar, që është ajo tërësi e institucioneve që shoqëria jonë praktikisht dhe fizikisht i ka, por efektiviteti i tyre është zbehur keq. Kjo do të thotë se në kushtet e lirisë, ato që kanë më shumë përgjegjësi të veçantë edukative në shoqërinë shqiptare, më shumë se në kohën e “rolit edukativ” të shtetit totalitar, sepse ato janë dhe mbeten institucionet e vetme themelore të edukimit dhe disiplinimit qytetar të njeriut të lirë, modern, duke filluar nga familja, shkolla, ushtria, komuniteti pse jo në një masë indirekte edhe shteti. Sepse shteti nuk mund të jetë indiferent përballë përgjegjësisë që ai ka për të vlerësuar, ndihmuar dhe përmirësuar cilësinë e funksionimit të këtyre institucioneve.
Nuk është mirë për nivelin e qytetërimit tonë që të bëjmë gabime fatale, duke menduar se liria qytetare ka si ekuivalent të saj ekzistencial, jo vetëm largimin e pushtetit të shtetit por edhe braktisjen e institucioneve të edukimit. Kjo ka bërë që të jemi në një situatë sociale shqetësuese, jo të mire dhe aspak dinjitoze për standardet e qytetërimit tonë.
Duhet të merremi të gjithë, gjithnjë e më shumë me problemet e thella që po ndeshim përditë, që kanë të bëjnë me mosfunksionimin si duhet të mekanizmave të makinës sociale të edukimit që kemi në dispozicion, duke filluar nga familja, shkolla, spitalet, ushtria, komuniteti dhe institucione të tjera ku rrjedh e përbashkët jeta publike e njeriut. Të jetosh në liri, do të thotë të njohësh dhe zbatosh “normat sociale”, kulturën e jetesës së përbashkët, të lirë por të qytetëruar, e cila nuk i jepet njeriut si “paketë edukative” dhuratë nga shteti, por është një art i vështirë që mësohet pikërisht në këto institucione edukative, që i kemi në shoqërinë tonë, të cilat jo vetëm nuk duhet t’i braktisim, por t’i perfeksionojmë më tej. Nuk ka shoqëri të lirë pa praninë konsensuale dhe qytetare të disa “limiteve të sjelljes sociale”, në të cilat duhet të rrjedhë jeta jonë e përbashkët. Po kush i vë këto limite në shoqërinë tonë ? Shteti vendos ligje dhe ka detyrë të kërkojë zbatimin e tyre, kundrejt penaliteteve për shkelësit e tyre, të cilat janë gjithnjë përgjegjësi individuale. Por nuk është fjala këtu, është fjala për disa limite të tjera që janë me natyrë sociale dhe edukative, që duhet të bëhen organike për të gjithë ne si qytetarë, të paktën për të ndërtuar “bazën dhe themelin” e qytetërimit në nivel mesatar.

Ne jemi të shqetësuar sepse në shoqërinë shqiptare jo vetëm po shtohen ata që shkelin ligjet e shtetit dhe që janë dënuar penalisht (të cilët janë shtuar shumë), por sidomos për ata që kanë difekte të rënda të shfaqura në mungesën e dinjitetit qytetar, në mungesa të normave të sjelljes, deformime dhe shformime të personalitetit social, që nuk njohin dhe nuk zbatojnë “rregullat e lojës” qytetare, të lirisë, të qytetërimit, të bashkëjetesës komunitare. Pasoja e njohura këto, të lidhura me difektet e dobësisë së shoqërisë civile dhe ineficiencës së institucioneve të edukimit në Shqipëri. Në radhë të parë të familjes dhe shkollës, ku merren bazat e edukimit qytetar, ku mësohen rregullat e lojës së të jetesës në shoqërinë e lirë. Më së pari, sipas mendimit tim përgjegjësi të veçantë ka shkolla si institucion i kulturës, disiplinës dhe edukimit qytetar, në të cilën të rinjtë në moshën e formimit të personalitetit mësojnë bazat e kulturës së qytetërimit liberal, bazat e sjelljes komunitare, të respektimit të dinjitetit personal të “vetes” dhe të “tjetrit”, që janë kusht ekzistencial i domosdoshëm për të hyrë në “shoqërinë e lirisë”, me dinjitet personal të formuar dhe aftësi të integruara të komportimit social. Ne duhet të pranojmë, që në se shkolla jonë ka arritje të mira në formimin intelektual të të rinjve, dhe kjo nuk duhet mohuar. Por në të njëjtën kohë, duket ka shkolla ka probleme serioze në punën e dobët edukative që bëhet dhe që ka pasoja në formimin e gjymtuar qytetar të të rinjve. Difektet e saj, bashkë me neglizhimet e njohura të një pjese të konsiderueshme të familjeve shqiptare, kanë krijuar këtë situatë që përjetojmë në vendin tonë.
Nuk e kanë gabim sociologët që thonë se …kultura e fituar përmes arsimit është prona dhe investimi më i rëndësishëm i njeriut, sepse ajo i jep qasje qytetare në të gjithë sferat e tjera të jetës. Në kontekst, filozofi i shquar Ernest Gëllner, si mjeshtër i anatomisë dhe rolit modern të institucioneve edukative, mendon se “Identiteti i tij më i fshehtë (i njeriut-shënimi im) nuk është i përcaktuar nga bilanci i tij bankar, as nga farefisi dhe as nga statusi i tij, por nga kultura e tij shkollore”. (E. Gëllner, “Konditat e lirisë” f. 179)

Si përfundim, duke dashur që të kthej një përgjigje për miqtë e mi që më kanë bërë pyetje, më duhet të them sinqerisht i bindur, se nuk ka faj shoqëria liberale për situatën tonë social-edukative, sepse këto mungesa të evidentuara janë pasoja të punës dhe dobësive të “makinerisë edukative”, nga e cila po krijohen njerëz, shtresa dhe grupe sociale që jetojnë në periferi të shoqërisë, që shfaqen të vetmuar, asocialë, patologjikë, brutalë, kriminelë, vrasës, paranojakë, të droguar, bastardë me familjen dhe prindërit, të dhunshëm deri në sadizëm me gratë dhe fëmijët, anarkistë, që nuk njohin dhe nuk respektojnë rregullat e bashkëjetesës sociale të shoqërisë tonë, të cilët padyshim që janë shqetësim i madh social, por që nuk vijnë nga liberalizimi i jetës shoqërore, por nga mangësitë e procesit të deformuar të edukimit qytetar, dhe që mund të zgjidhen po përmes intensifikimit dhe modernizimit të punës dhe vënies në punë me kapacitet të plotë të “makinerisë edukative” të shoqërisë tonë.

Në kjo “makineri” nuk punon si duhet ose punon me difekte, atëherë doemos që liria do të degjenerojë në anarki sociale, që shoqërisë tonë di t’i shtohen njerëzit anormalë, të cilët në se shtohen me këto ritme, atëherë me siguri që do të përbëjnë rrezik për mbrojtjen sociale të shoqërisë tonë. Ndaj duhet të merremi me edukimin e vetes dhe të shoqërisë tone, duke “rindezur” dhe vënë në eficencë sociale të gjithë institucionet e edukimit, për të punuar duke shmangur dy të këqija të mëdha të kohës sonë: edukimin primitiv, të lodhur të institucioneve që imitojnë “mendjemadhësinë edukative” kolektiviste të komunizmit dhe neglizhencën e spontanitetit të “vetedukimit liberal”.

Na duhet edukim që njëherësh formon njeriun në vetvete si qytetar dhe që nga ana tjetër e mëson atë të veprojë sinkron me bashkësinë. Ky është qytetërimi liberal që duhet të synojmë…

Gëzim Tushi, T. Observer

Monday, January 4, 2010

Prodhimi i greqizimit

Në fshatrat e Himarës në fund të Tetorit e në Nëntor disa banorë festuan sundimin kalimtar të Shqipërisë jugore nga ushtria greke.
Ky është prodhimi i greqizimit të shkollave private greke dhe të “punës fetare” të prifterinjëve greke, të cilët me ndihmën e qeverive shqiptare nga 1992 pushtojnë kishën ortodokse shqiptare.


Lë të shikojmë së bashku


Ne te tokajone.com besojmë që çdo njeri duhet të ketë të drejtën të veprojë si të dojë sipas ligjeve. Por këto “mbledhje” nuk janë projekte e një minoriteti të vërtetë grekofon, por projekte të një grupi artificial të krijuar nga fondet e shtetit grek. Paga mujore në Shqipëri është rreth 300 euro. 300 euro është dhe “pensioni” mujor që jepë shteti grek të çdo shqiptar që quan vetveten “grek”.

Në të njëjtën kohë shkolla private greke të paligjshme hapen në Shqipëri. Le të shikojmë ç’thuhet te faqja zyrtare e shkollës (private) greke të Himarës.

Νë një pjesë të kësaj faqe mund të lexojmë për “çlirimin e epirit të veriut nga ushtria greke”.

Në një pjesë tjetër mund të lexojmë për ndihmën të madhe që dha Anastasios Janullatos, kryepeshkopi grek i kishës ortodokse shqiptare dhe Vasil Bollano, ekstremisti grekofon shqiptar për hapjen e saj.

Gjithashtu ditën e hapjes së kësaj shkolle, u bë ceremoni fetare ortodokse nga prifterinjë grekë, sigurisht në greqisht.




Redaktorët e tokajone.com kanë një pyetje për qeveritarët shqiptarë:

Është e ligjshme një shkollë private e cila :

1. Përkrah copëtimin e Shqipërisë
2. Përkrah dhunën kundër popullit shqiptar
3. Bën propagandë fetare

Sot mësove, nesër çdo bësh ?

tokajone.com

Wednesday, December 30, 2009

Arsimi i mesëm, pas 2013 i detyruar

Arsimi i mesëm, do të bëhet i detyruar vetëm pas vitit 2013. Kreu i arsimit Myqerem Tafaj, u shpreh se gjatë këtyre viteve duhët të studiohen kapacitetet, si nga ambjentet po ashtu dhe nga burimet njerëzore. Tafaj u shpreh se do të ndiqen dhe modedelet që kane vendet e rajonit.



“Deri në vitin 2013 detyra jonë është të përgatisim kapacitetet. Pastaj do shohim si do të reagoje publiku shqiptar. A do të jetë gati publiku shqiptar që të merret ky vendim politik që nuk do të jetë një vendim i lehtë, por një vendim i rëndësishëm dhe shumë afatgjatë” tha Tafaj.

Por ajo cka eshte e rendesishme per arsimin jane ndryshimet qe do te behen ne arsimin e larte. Tafaj ka deklaruar se do te kete nje ndryshim te ligjit te arsimit, cka do te pasoje me nje ndryshim te sistemit te diplomimit te studenteve. “Do të kemi një sistem shumë të thjeshtë, sistemi bachelor, master dhe doktoratë. Niveli i masterit do të ketë mastera profesionalë, por ne do të heqim masterin e nivelit të dytë. Është një nivel i cili ka shkaktuar një problem në sistemin e arsimit të lartë” tha Tafaj.

Keto deklarata kreu i Arsimit i beri gjate konferences se fund vitit. Ai ka deklaruar dhe nisma te tjera te ministrise qe drejton, ku ne veçanti eshte dhe ajo per ndryshimet qe do te behen ne reformen e latertekstit. Tashme nuk do te kete nje konkurrim mes shtëpive botuese, por mes autoreve te teksteve, ku gjithshka do te jete transparente.

Edlira Sulejmani, Alsat

Saturday, December 12, 2009

Emigrantët: Jo 300 abetare, por shkolla !

Gjuha shqipe, një gjuhë e vdekur, por edhe një sfidë për shtetin shqiptar.

Kryeministri Sali Berisha jo pak herë ka marrë angazhimin në hapjen e shkollave shqipe në Greqi, por deri më sot angazhimi mbetet vetëm një premtim, por me gjithë kërkesat e njëpasnjëshme të komunitetit shqiptar drejtuar edhe ministrit të Arsimit dhe ministrit të Jashtëm nuk ka asnjë përgjigje konkrete.

Qeveria Berisha duhet ta kuptojë se, humbja e gjuhës shqipe tek fëmijët e emigrantëve është një përgjegjësi kombëtare.

Është detyrë e shtetit shqiptar dhe jo një dhuratë politike për zgjidhjen e problemit të mësimit të gjuhës shqipe të fëmijëve në emigracion.
Hapja e shkollave apo të kurseve në gjuhën shqipe në rrugë shtetërore sjell padyshim edhe hapjen e shkollave të tjera kudo, pasi shqiptarët tashmë kanë vite që po emigrojnë në Greqi, Itali, Angli apo Amerikë, por fatkeqësisht gjuhës shqipe i është lënë spontanitetit dhe kontributit individual vullnetar, rutinës dhe premtimeve. Fjalëve të shumta nga ana e politikës shqiptare, si dhe të disa kurseve dhe asgjë më shumë.
Në gjithë diasporën emigrantët të vetëm e të përbuzur me mundësitë që u jepet, bëjnë të pamundurën për mësimin e gjuhës shqipe. Kjo në mënyrë vullnetare nuk do të ishte një zgjidhje e plotë pa kontributin e shtetit shqiptar, që vazhdon akoma të ëndërrojë se kjo zgjidhje mund të bëhet nga dikush tjetër. Mendimi i gabuar se shteti e mbaron detyrimin e tij kundrejt dhënies falas të 300 abetareve për komunitetin shqiptar në Greqi, tregon qartë indiferentizmin në këtë drejtim.
Po kush mund ta zgjidhë më mirë këtë problem se sa vetë shteti? Cila është kostoja e politikës shqiptare që ngurron për të firmosur marrëveshjen me Greqinë ? Gjithsesi, është e pajustifikueshme vonesa e tejzgjatur e ministrive tona të Arsimit e të Jashtme, për të kërkuar nga qeveritë e vendeve ku kemi një numër masiv emigrantësh shqiptarë.
Greqia, si çdo vend tjetër i BE-së, e ka për detyrë të krijojë kushtet për të mundësuar mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Nga ana tjetër “Qeveria Berisha" s’ka bërë asgjë, ndërsa mburret se po i fryn financat nga viti në vit, megjithëse ka premtuar se do të realizojë hapjen e shkollave shqipe jashtë vendit tonë.
Synimi është që shteti dhe shoqëria të shqetësohen dhe të bashkohen sot, për ta ngadalësuar e kufizuar sa më shumë që të jetë e mundur këtë hemorragji kombëtare, sepse nesër do të jetë shumë vonë. Për këtë shqetësim shteti duhet te ndërgjegjësohet për interes të kombit.
Edhe pse mungon dëshira dhe mbështetja zyrtare e qeveritare nga të dy anët e kufirit, edhe pse idetë dhe nismat për këtë qëllim keqinterpretohen e sulmohen, nga lart e nga poshtë, me paragjykime dhe veprime paralizuese dhe ndëshkuese, përsëri nuk kanë munguar lëvizjet sfiduese. Janë emigrantët që marrin vetë iniciativa dhe vënë përpara shtetin që të bëjë detyrën që i takon. Kështu me punë vullnetare është bërë e mundur që sistemi i shkollave plotësuese në gjuhën shqipe pati shtrirje më të gjerë në disa qytete të mëdha në Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Austri, Suedi, Finlandë, Francë, SHBA, Australi etj.
Problemi i mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigranteve është prekur jo pak herë, kjo më shumë bën fjalë për shtetin fqinjë helenë. Ky vend nga ana e tij e ka zgjidhur këtë problem këtu e 30 vite më parë, duke filluar nga Evropa, Afrika, Azia e deri në Alaskë. Asnjëherë nuk e pa mësimin e gjuhës greke në diasporë si një zgjidhje të “kontributit vullnetar” apo si një biznes, siç pretendon një pjesë e politikës shqiptare. Në Greqi funksionojnë shkolla të ciklit të ulët dhe të mesëm nga vendet e Polonisë, Bullgarisë, nga vendet aziatike dhe ato afrikane, arabe, etj. Këto shkolla nuk janë ngritur me kontribut vullnetar, por janë hapur me rrugë ligjore nga vetë shtetet e tyre përkatëse. Ambasada shqiptare 3-4 vitet e fundit është mjaftuar vetëm me shpërndarjen e 300 abetareve të dhëna nga MASH, si dhe nga z. Fatmir Toçi. Por a mjafton kjo?

Ndiqet penalisht sepse përkrahu gjuhën shqipe.

Një fjalë e urtë na mëson se: “Çelësi i burgut i popujve të robëruar është gjuha”, si dhe “Çdo gjuhë është një dritare për ta parë dhe njohur më mirë jetën”. Por? Ish drejtoresha e shkollës fillore nr. 132 në Athinë znj.Stela Protonotariu ndiqet penalisht sepse përkrahu mësimin e gjuhës shqipe, ku në këtë shkollë fëmijët e huaj përbënin 75 për qind të numrit të përgjithshëm. Një veprim racist që pa dyshim diskriminon edhe fëmijët shqiptar në mësimin e gjuhës amtare. Jepet një dënim para syve të fëmijëve të dëshpëruar dhe të indinjuar. Një realitet që indinjon çdo njeri të epokës së sotme, përball një sistemit mesjetar. Një realitet që ndodh në vendin fqinjë, në djepin ku lindi demokracia, arti dhe kultura. Një realitet që tregon shumë e që lë për të dëshiruar, kur mëson se një drejtoreshë shkolle ndiqet penalisht në një vend të BE, pasi krimi që kishte bërë ishte se pas mësimit u kishte dhënë klasa fëmijëve të emigrantëve shqiptarë të mësonin gjuhën e tyre. Veprimi i saj human dhe njerëzor u ndesh përball sistemit të sotëm të shtetit grek, që e pushon nga puna dhe e penalizon para organit të drejtësisë. Sot kjo mësuese apo nënë, paguan ndershmërinë dhe dinjitetin e saj përball shovinizmit. Ishte një krim që duhej dënuar, apo një vlerësim që duhej dhënë nga qeveria greke. Ky fenomen tregon qartë se Greqia nuk është e gatshme për një shkollë shumëkulturshe, por është e gatshme vetëm për një shkollë nacionale, për një shoqëri të ndarë në shtresa. Penalizimi i drejtoreshës tregon edhe një herë se në politikën vendase sundon nacionalizmi dhe shovinizmi i tepruar grek. Tregoi se mësimi shumë kulturor mund të mësohet dhe mbetet vetëm në letër vetëm me anën e ligjit nr. 2413 të 1996, ku bën fjalë për dhënie ambientesh dhe mikpritjen e mësimit të gjuhës. Gjithashtu parashikimet e ligjit për mësimin e gjuhës amtare për fëmijët e emigrantëve mbeten vetëm teori dhe premtime, kur asnjëherë nuk u zbatuan. Nga ana tjetër, Greqia, ashtu si çdo vend tjetër i Bashkimit Evropian, e ka për detyrë të krijojë kushtet për të mundësuar mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e qytetarëve shqiptarë. Shteti shqiptar sot më shumë se kurrë, duhet te ndërgjegjësohet për interes të kombit. Kërkesat për mësimin e gjuhës shqipe janë edhe për fëmijët që jetojnë në Itali dhe Angli.
Emigrantët, në përgjithësi, gjetën në këtë vend një popull me një arsimim më të ulët se vetë ata, si dhe një vend tepër fanatik të besimit fetar, ku një grek i vërtetë është vetëm ai i fesë së besimit ortodoks dhe askush tjetër. Ky nivel i ulët arsimor luajti një rol të rëndësishëm në mbarë politikën greke. Izolimi nga mësimi i gjuhës shqipe bën një gabim taktik e politik të rëndë, që në thelb dëmton fëmijët e një kombi të huaj që të integrohen normalisht në jetën shoqërore të vendit pritës.

Rilindësit e sotëm në emigracion

Komuniteti shqiptar në Greqi prej shumë vitesh nga politika shqiptare shkolla dëgjon dhe shkolla nuk po shikon. Por, atë qe nuk bën shteti e bëjnë rilindësit e rinj në emigracion. Janë disa shoqata që prej vitesh bëjnë të pamundurën në të mundur, pasi gjatë këtyre viteve shteti shqiptar ka qenë prezencë vetëm në premtime boshe. Mungesa e tij në këtë drejtim ka dhënë shembullin më të keq në krahasim me komunitetet e tjera, edhe pse komuniteti shqiptar përbën 65.4% të gjithë emigracionit në Greqi, ai mbetet bishti i emigracionit në këtë vend. Për nëntë vjet radhazi Shoqata “Iliria” në Volos ka hapur falas kurse për mësimin e gjuhës shqipe, ndërsa në Athinë për mësimin plotësues të gjuhës shqipe kanë filluar në 7 mars të 1998 nga z. Jovan Mëhilli. Në këtë kohë rreth 2 mijë fëmijë shqiptarë nuk shkonin në shkolla. Këmbëngulja e këtij rilindësi bëri që gjerat të marrin rrugën e duhur për momentit. Pati reagime nga komuniteti shqiptar, ku më pas shteti ynë detyrohet të nënshkruajë një marrëveshje nga ish ministri Et’hem Ruka, ku Ministria e arsimit të Greqisë do të bënte përpjekje dhe të krijonte mundësi fëmijëve tanë që mbas mësimit në shkollat greke, të mësoni gjuhën shqipe. Por kjo marrëveshje mbeti e tillë vetëm në dosjet e ministrive përkatëse, pasi më pas asgjë nuk u bë. Dihet që Greqia me anën e dikasterit përkatës ka bërë të mundur hapjen e një numri të madh të shkollave greke, ndërsa për mësimin e gjuhës shqipe sipas marrëveshjes duket qartë se nuk ka më asnjë angazhim. Por, atje ku ka jetë ka dhe shpresa, por ka edhe. Përfaqësia e shtetit ka qëndruar më pas nga iniciativat e emigrantëve, pasi edhe diplomati kulturor (si ndonjë militant partie apo biznesmen) nuk kishte ndonjë kulturë të veçantë në këtë drejtim, përball punës së dobishme vullnetare të 136 mësuesve dhe 68 mijë nxënësve shqiptarë, që “shkolla dëgjojnë dhe shkolla nuk shikojnë”. E drejta e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë për të mësuar gjuhën amtare, ndikon tek disa politikanë greke dhe shqiptarë që të reagojnë në mënyra të papëlqyera. Deri më sot askush nuk përgjigjet haptazi. Përse fëmijët tanë nuk kanë të drejtë të mësojnë gjuhën e vendit të tyre? Shteti grek ende nuk premton për ngritjen e shkollave shqiptare pasi këtë e sheh si një të pamundur nga ana politike, pasi kjo ka një lidhje të pamohueshme me të kaluarën. Historia e këtij vendi ka në rrënjët e saj edhe kontributin e arvanitasve. Dihet që, kurrë një popull nuk mbijeton në rast se humbet gjuhën e tij, por kjo mund të ndodh në Greqi në një kohë që vazhdojmë ta lëmë në harresë këtë problem aq delikat për Kombin tone. Nëse shqiptarët shkollohen në gjuhën e tyre patjetër do ndikojnë dhe në rritjen e nivelit shoqëror, ku do ta mbështesin më mirë shtetin grek, sepse interesat shtetërore do të jenë edhe interesat e tyre, sepse siguria dhe ardhmëria e një shteti bazohet në mbështetjen dashamirëse të qytetarëve të vetë dhe jo në bindjen e verbër të tyre dhe në nënshtrimin e tyre ndaj shtetit. Ky i fundit kur funksionon në mënyrë të drejtë për të gjithë qytetarët e vet, nuk duhet të ketë frikë ndërmjet grekëve dhe shqiptarëve, por, nëse nuk ka barazi, atëherë mund të ndodhin më të këqijat, ku këto duhet t’i parandalojnë drejtuesit politikë, duke u kujdesur që shteti të funksionojë në rregull pa dallim feje dhe kombësie. Grekërit janë shumë patriotë dhe fanatikë të mëdhenj ndaj gjuhës së tyre, por janë edhe shumë konservatorë në futjen e fjalëve të huaja. Organizimi i kurseve për mësimin e gjuhës shqipe, kërkon mbi të gjitha mirëkuptimin e gjithsecilit prind, familje, individ etj. Një mirëkuptim që kërkohet gjithandej. Problemi nuk është vetëm shoqëror, por është mbarë kombëtar.

Marrëveshjet dhe premtimet

Në 2007, Presidenti Topi kërkoi nga parlamentarët grekë që shteti helen të lehtësojë procedurat për emigrantët shqiptarë me hapjen e shkollave shqipe për fëmijët shqiptarë.
Nëntor 1998, nënshkruhet një akt-marrëveshje ndërmjet dy ministrive përkatëse të Greqisë dhe Shqipërisë, ku përfshin mësimin e gjuhës shqipe.
Janar 2001, ish-kryeministri Ilir Meta u premton emigrantëve 300 abetare dhe asgjë më shumë.
Më 2004, ish-ministri Luan Memushi justifikohet se për shkollat shqipe në diasporë shteti ynë nuk ka fuqi financiare për të investuar njëlloj si vendet e tjera.
Më 2005, ish-ministri i Arsimit Genc Pollo pat theksuar se:“Fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi do të kenë mundësi të mësojnë në gjuhën shqipe. Jemi në tratativa për të krijuar mundësinë e hapjes së shkollave shqipe aty ku përqendrimi i shqiptarëve është më i madh, si Athina, Selaniku, Volo Patra etj. Synimi është që shkollat që çelen në vitin 2006. Kjo pagesë duhet bërë nga buxheti i vendit ku derdhin taksat emigrantët. Ne synojmë që këto shkolla të jenë publike, pra të paguhen nga buxheti ku derdhin taksa edhe emigrantët. Ne kemi mundësi që të ofrojmë tekste. Ne librat e arsimit të detyrueshëm në Shqipëri i japim falas. Edhe komunitetet e emigrantëve, ku në disa vende janë të mirorganizuar, mund të kontribuojnë, por ndonjëherë kanë nevojë për koordinim, kërkojnë ndihmën e shtetit”.
Opozita mundohet të bëjë opozitë në kurriz të këtij problemi, duke harruar se edhe kjo pat qenë në qeverisje para 5 vjetësh.
Më 2006, ish-kryebashkiak i Athinës Dora Bakojanis në një takim me përfaqësues emigrantësh pat deklaruar se :
"Askush nuk ju ndalon të hapni shkolla shqiptare në Greqi. Duhet që vetë shteti juaj të ketë një interes në këtë drejtim. Ne ju ndihmojmë me ambientet (shkolla), ndërsa ju duhet të siguroni librat dhe mësuesit".

Maj 2008, ish-ministri i Jashtëm Lulëzim Basha u ka premtuar më 7 maj se, emigrantëve shqiptarë në Greqi se do të kenë mbështetje nga qeveria. Duke takuar përfaqësues të tyre në Tiranë, Basha theksoi se qeveria pret që të arrijë së shpejti një marrëveshje me autoritetet e Athinës lidhur me sigurimin shoqëror dhe pensionet për emigrantët shqiptarë në Greqi. Përparësi të tjera janë mësimi i gjuhës shqipe në shkollat anembanë Greqisë dhe liberalizimi i vizave.
Shtator të 2008, ambasadori Vili Minarolli gjatë një interviste pat theksuar ka deklaruar se: Nga kjo eksperiencë trevjeçare dhe duke jetuar çdo çast me dëshirën për ta futur problemin në rrugën e zgjidhjes, mund të them që në radhën e faktorëve që e kanë penguar vënien në rrugën e zgjidhjes të këtij problemi, faktori politik duhej të zinte vendin e fundit. MASH-i duhet të ndihmojë me librat e shkollës dhe me bazë materiale të domosdoshme për mësimdhënien, mundësisht falas, të ndërtojë programe të integruara për këto kurse.

Dade: Berisha të kërkojë hapjen e shkollave shqipe në Greqi

Ish-ministrja e Jashtme në qeverisjen socialiste, Arta Dade, nëpërmjet gazetës “Shqip” i ka kërkuar kryeministrit Berisha hapjen e shkollave shqipe në Greqi, duke zbuluar se në qeveri ka mbërritur një letër nga një grup arsimtarësh shqiptarë, emigrantë që informojnë për gjendjen aktuale dhe kërkojnë nga autoritetet shqiptarë që të ndërhyjnë. Të mbështesë hapjen e shkollave dhe kurseve të gjuhës shqipe, duke inkurajuar këta mësues që edhe vullnetarisht kanë qenë gati t‘u mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe. Është për të ardhur keq që fëmijët e emigrantëve e kanë vështirë të flasin gjuhën shqipe. Nuk është faji i fëmijëve, por i shtetit shqiptar që në Greqi nuk krijon dhe zbaton qofshin edhe marrëveshje që kemi pasur me palën greke. I takon shtetit shqiptar që të krijojë kushtet që fëmijët atje të mësojnë gjuhën



Shkollat dhe kurset e mësimit në gjuhës shqipe

Athinë, Shkolla Shqiptare e Athinës, Rruga Feron nr.15, kati 3. Tel. 2105203179 – Cel. 693 7187695.
E-mail: info@bestxpert.com dhe shkolla.shqiptare@gamil.com
Selanik, Shoqata Shqiptarët e Selanikut
Dashmir Zace, në internet: shoq_nene_tereza@yahoo.com - 6972 466 475 dhe Mimoza Demollari në internet: demolbar@yahoo.gr - 6944 05 44 61
Nea Redhesto të bashkisë së Thermit, në Selanik
Korinth, Marinela Duri + 3027480523 në internet: mduri@atenet.gr – Korinth - +3027480523
Volos, shoqata Iliria, Esmeralda Kasaj – 6944102400 dhe 6945823586; Zëri i emigrantit në Radio me valë 1431 AM, emision në gjuhën shqipe, çdo të Μartë ora 19:00, në internet: www.1431am.org
Në Kretë, Shoqata Shqiptare me z. Astrit Jolla ka bërë të mundur që të hapë katër kurse.

Tirana Observer

Friday, November 13, 2009

Heqja e kryqit në shkollat italiane, reagon kisha greke

Gjykata Europiane e Të Drejtave të Njeriut në Strasburg vendosi javën e shkuar që në gjithë klasat në Itali të hiqet kryqi në mure, pasi kjo dhunon të drejtat e nxënësve të feve të tjera, dhe në përgjthësi shkel të drejtën për liri fetare.

Kisha ortodokse greke ka frikë se vendimi për Italinë do të krijojë një precedent që kryqi të hiqet edhe në shtete të tjera me popullsi katolike. Kisha greke ka thirrur një takim të Sinodit të shenjtë javën që vjen për të përpiluar një plan veprimi në lidhje me vendimin e fundit të gjykatës.



Pavarësisht se kisha ortodokse greke ka qënë në armiqësi me katolicizmin roman për 1000 vjet, kërcënimi gjyqësor ndaj simboleve kristiane bëhet një forcë bashkuese për dy fetë. Kisha greke deklaron se Gjykata e Strasburgut injoron rolin e kristianizmit në formimin e identitetit europian. Kisha gjithashtu argumenton se nëse hiqen simbolet fetare, atëherë të rinjtë nuk do kenë më simbole t’i frymëzojnë e ti mbrojnë pasi idhujt e futbollit apo të muzikës nuk mund ti zëvendësojnë dot simbolet fetare.

Reagimi i kishës ortodokse është bërë pas një ankese të një gruaje greke, djali i së cilës studion në Itali. Por një organizatë si Helsniki Monitor po kërkon që vendimi i Strasburgut për Italinë të zbatohet edhe në Greqi.

(Eva Kushova,BalkanWeb)

Kush janë armiqtë e shqipes, shqiptarisë ?

Këto ditë pamë përhapjen e greqizimit në Boboshticë, një fshat të Korçës, nëpërmjet shkollës private greke Omiros, e cila pagon banorët e fshatit për të derguar femijët e tyre në shkollën greke.

Video në YT : http://www.youtube.com/watch?v=5l9TIn5lh8k


Por kush i hap këto shkolla?


Le të shikojmë…



Greqizimi

Kjo fotografi u nxorr në hapjen e shkollës greke “Omiros”, e cila është një shkollë private. E “çuditshme” është që në hapjen e një shkolle private morrën pjesë ministrja greke e arsimit Marieta Janakou, zv.ministri grek i arsimit Evripidis Stilianidis, Anastasios Janullatos, kryepeshkop i kishës ortodokse shqiptare, Vangjel Dule, kryetar i partisë PBDNJ e cila prezanton minoritetin grekofon dhe disa deputetë greke si Konstandinos Gjioulekas. Pra në hapjen formale e një shkolle private greke morrën pjesë organe të shtetit grek, politikanë të cilët i shërbejnë interesave greke, dhe Anastasios Janullatos, një grek i cili është kryepeshkop i kishës shqiptare!

Në kemi vetëm një pyetje.
Është kjo një shkollë private pa qellime politike, apo është një organ i shtetit grek për greqizimin e jugut Shqiptar?

Sot mësove greqisht, nesër çdo bësh?


TokaJone

Wednesday, November 11, 2009

Studentët e Bujqësorit bllokojnë mësimin

Sot në mëngjes studentët protestues nuk kanë lejuar pedagogët dhe studentët e tjerë të hyjnë në mësim duke bllokuar derën e fakultetit. Studentët e Agrobiznesit janë prej disa ditësh në protestë dhe disa prej tyre edhe në grevë urie, kundër vendimit të dekanatit për të aplikuar notë mesatare për pranimin në master.



Studentët protestues thanë se do të bëjnë gjithçka që zëri i tyre të dëgjohet. Sipas tyre është absurde që të mos lejohen të ndjekin studimet e larta, kur zbatohet sistemi i Bolonjës 3+2 dhe dyvjeçari në çdo fakultetet të vendit është pa mesatare.

Ndërkohë gjendja e 15 shokëve të tyre të futur në grevë urie sa vjen e rëndohet. Sot është dita e tetë e grevës së studentëve të fakultetit të Ekonomi-Agrobiznesit dhe të rinjtë janë të vendosur në kërkesën për Diplomën e Nivelit të Dytë, pavarësisht mesatares. Protesta përkrahet dhe nga prindërit e të rinjve.

Studentët e grevës së urisë nuk kanë mesataren e kërkuar nga fakulteti, e cila duhet të jetë mbi 7, ndërkohë që në bazë të sistemit të Bolonjës, ata kanë plotësuar kuotën e 180 krediteve për të ndjekur ciklin dyvjeçar. Por, këta studentë nuk i pengon vetëm mesatarja e ulët, por edhe kuotat e pakta që janë dhënë për ciklin e dytë të studimeve.

Shekulli

Të nderuar studentë, mos e shikoni tragjedinë e kolegve tuaj si të huaj, sepse nesër do të jeni ju që do të përballeni me një padrejtësi të tillë

Thursday, November 5, 2009

Nxënësit: Mësuesit nuk duhet të pranojnë ryshfet

Mësuesit nuk duhet të pranojnë dhurata apo ryshfete me synim rritjen e rezultatit të nxënësve..."



"Mësuesit dhe nxënësit nuk duhet të pranojnë të bëjnë kurse jashtë mësimit kundrejt pagesës me synim rritjen e të ardhurave të mësuesit"...

Duket sikur ky është një urdhër i ardhur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Por, në fakt është një kod etike i hartuar nga vetë nxënësit. Ata kanë marrë situatën në dorë. Duan që mësuesit të jenë së pari model për ta. Në fakt, sipërmarrja e re ka ardhur nga nxënësit e shkollës "Qemal Stafa", të cilët një vit më parë hartuan një kod etike të nxënësit. Tani ata vetë kanë marrë përsipër të hartojnë dhe më tej, të përçojnë këtë kod etike për mësuesit.

Rëndësia e këtij kodi
Shoqëria jonë e ka të domosdoshme etikën e gjithanshme, pasi vetëm kështu ne mund t'i hapim rrugën botës perëndimore. Ditët e fundit mori jetë nisma e një viti më parë nga mësuesit dhe nxënësit e shkollës "Qemal Stafa", për të pasur një kod etike në shkollë. Njohja më kodin e etikës në shkolla të ndryshme të vendit u mbështet nga Fondacioni "Soros". Ky kod është shumë i rëndësishëm për të gjitha shkollat, pasi një institucion arsimor që fal dituri nuk mund të ekzistojë pa pasaportën e tij hyrëse. Kodi etik është një kusht paraprak dhe i domosdoshëm për një shoqëri dinamike, demokratike, që anëtarët e saj të njihen me vlera të caktuara demokratike dhe t'i mbështesin ato. Çdo brez i ri ka nevojë të mësojë vlerat e pjesëmarrjes në proceset demokratike dhe vlerësimin e rregullave që drejtojnë sektorë të ndryshëm të shoqërisë sonë. Ky kod nuk ka si qëllim të vendosë nxënësin në një kornizë për të kufizuar individualitetin, personalitetin dhe karakterin përkatës të tij, por të përcaktojë raportet e nxënësit me të gjithë faktorët që bashkëpunojnë.

Përmbajtja
Disa nga rregullat e projektligjit të nxënësve janë: mësuesit nuk duhet të pranojnë dhurata apo ryshfete me synim rritjen e rezultatit të nxënësve. Mësuesit dhe nxënësit nuk duhet të pranojnë të bëjnë kurse jashtë mësimit kundrejt pagesës me synim rritjen e të ardhurave të mësuesit. Mësuesit duhet të gëzojnë një imazh dhe reputacion të mirë edhe jashtë ambienteve të shkollës. Ata duhet të përfaqësojnë modelin e shembullit për brezin e ri, dhe jo vetëm. Mësuesit duhet të kenë një sjellje të shëndoshë me komunitetin dhe të jenë shembull për komunitetin. Parandalimi i sjelljeve instinktive, kërcënuese të nxënësit. Respektimi i karakterit laik të shkollës, etj.

Qëllimi i kodit
Synimi primar i këtij kodi është sulmimi i atij fenomenit tejet negativ që ne të gjithë e njohim, korrupsionit, vendosja e disa rregullave etike që kanë të bëjnë me sjelljen e nxënësve në orarin mësimor, me marrëdhëniet që ata krijojnë me njëri-tjetrin si edhe marrëdhëniet që krijojnë me mësuesit e tyre; me higjienën personale dhe normat e përgjithshme që kanë të bëjnë me sjelljen e tyre. Rritja e performancës së nxënësve dhe përgjegjshmërisë së tyre për përfitimin e modeleve më të mira të sjelljes, është qëllimi kryesor i këtij kodi. Gjithashtu, duhet theksuar se si objekt i këtij kodi është përcaktimi i rregullave të sjelljes midis nxënësve me njëri-tjetrin dhe binomit mësues-nxënës. Drejtoria e gjimnazit "Qemal Stafa", e ndërgjegjshme për rëndësinë e vendosjes në zbatim të këtij kodi etik, ka hartuar edhe rregulloren e brendshme të shkollës në përputhje me disa nga nenet këtij kodi.




Etika e Nxënësit
Një vit më parë mori rrugë kodi i etikës për nxënësit, çka ishte edhe një fillim i mirë nga vetë gjimnazistët e që ka çuar sot në kërkesën e llogarisë të tyre ndaj mësuesve. Synimi i 'kodit të nxënësve' është vendosja e disa rregullave etike që kanë të bëjnë me sulmimin e fenomenit të korrupsionit të vogël në shkolla, sjelljen e nxënësve në orarin e mësimit, marrëdhëniet që këta të fundit krijojnë me njëri-tjetrin ose me mësuesit, me higjienën e tyre dhe norma të përgjithshme që kanë të bëjnë me sjelljen e tyre. Qëllimi i këtij kodi është të rrisë performancën e nxënësve, përgjegjshmërinë e tyre dhe të përfitimit të modeleve më të mira të sjelljes dhe të nxisë komunikimin e përditshëm. Objekti i këtij kodi është përcaktimi i rregullave të sjelljes midis nxënësve me njëri-tjetrin dhe raportit nxënës-mësues. Duke zbatuar kodin etik, nxënësi arrin të kuptojë së paku ç'është e drejtë apo e gabuar, ç'është e lejueshme dhe çfarë jo në mjedisin shkollor dhe më gjerë.

Aktiviteti
Të gjithë e njohim mirë atë fenomen, i cili dita-ditës po kthehet në një kërcënim për mbarë shoqërinë shqiptare, korrupsionin. Kush më pak e kush më shumë, pak rëndësi ka, ajo që ka rëndësi është përballja me këtë fenomen që na përket të gjithëve. Gjimnazi "Qemal Stafa" ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një promotor vlerash që ndihmojnë për mbarëvajtjen e njëpasnjëshme të brezave, prandaj ashtu si çdo herë tjetër ndërmori vitin e kaluar një barrë jo të lehtë mbi shpatulla, e cila lidhej ngushtësisht me hartimin e një kodi etike për mësuesit dhe nxënësit. Edhe pse i vetëm në pikën e nisjes, gjatë rrugës ai tërhoqi pranë vetes edhe shumë prej gjimnazeve të tjera të kryeqytetit, të cilët e përqafuan me shumë përzemërsi nismën e kësaj shkolle. Në përmbyllje të të gjithë asaj veprimtarie sensibilizuese të realizuar plot përkushtim gjatë një viti, tre prej gjimnazeve të kryeqytetit "Qemal Stafa", "Partizani" dhe "Andon Zako Çajupi" në bashkëpunim me Fondacionin 'Soros' realizuan të premten që lamë pas një takim festiv në të cilin u ndanë çmime për nxënësit që me punimet e tyre në letërsi dhe pikturë ndihmuan në përçimin sa më të qartë të këtij mesazhi. Tema për të cilën shkruan ese shumë prej gjimnazistëve të kryeqytetit lidhej me ekzistencën e korrupsionit të vogël nëpër shkolla. Në fakt, duket sikur e gjithë kjo që në fillim kishte si synim të vetëm sensibilizimin e nxënësve dhe mësuesve për t'i thënë 'Jo' korrupsionit, në fund mori ngjyrimet e një kompeticioni të rëndësishëm, për të cilin pati edhe çmime të vlerësueshme. Duke qenë se numri i nxënësve pjesëmarrës ishte shumë i madh dhe niveli i konkurrimit ishte tepër i lartë, drejtuesit e këtij konkursi ishin në mes të një përzgjedhjeje dilematike, por në fund arritën me shumë vështirësi të sillte edhe fituesit e tij. Në mbyllje të takimit, përfaqësuesja e Fondacionit 'Soros' falenderoi në mënyrë të veçantë drejtoreshën e gjimnazit "Qemal Stafa", e cila mesa duket ka dhënë një kontribut të paçmueshëm në realizimin me përpikëri të këtij projekti. Në mbyllje të ceremonisë u shtrua një koktej për mësuesit e nxënësit pjesëmarrës. Kokteji, i zhvilluar nën notat e këndshme të muzikës të realizuar prej DJ-it të ftuar posaçërisht, zgjati rreth një orë. Përfaqësuesit e Fondacionit 'Soros' së bashku me përfaqësuesit e shkollave pjesëmarrëse, patën mundësinë të takoheshin me nxënësit pjesëmarrës duke i inkurajuar ata për të vazhduar më tej, pasi vetëm eksperienca garanton sukses.

Eraldo Rexho, G. Shqiptare