Sunday, June 6, 2010

SH Q I P T A R Ë T

Drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje ose arsye në sallat e diplomacisë.

Djali jem, ti nuk e di se me sa pak mëshirë qeveriset bota.
Tiranë - Shtypshkronja “Dielli” - 1934



Parathënie e botimit të parë


E gjeta të vlefshme përkthimin e këtyre rreshtave mbasi këto përmbajnë gjykimin e një të huaji mbi Shqipërinë, i cili e formoi këtë vetgjykim duke qenë vetë në kontakt me Shqiptarët e duke shikuar me sytë e vet çdo gjë që ka shkruar. Përveç kësaj, ky shkrimtar është i një shteti të cilit nuk i intersonte ose i interesonte shumë pak gjendja politike e Shqipërisë e për këtë çdo fjalë që shkruan ky njeri është e sigurtë se e shkruan siç ia ndien ndërgjegjeja e vet e jo pse ashtu ia lyp pozita diplomatike. Për shembull, në Kreun IV tek nënartikulli “Europa përkrah sundimin turk” do të shikoni se San Xhuljano, Ministër i Jashtëm i Italisë, nga pozita e tij diplomatike shkruan të kundërtën e asaj që ndjen në shpirtin e tij. Por që shkrimtari i jonë shkruan ashtu si e ndien, do ta vini re po të këndoni me kujdes Kreun III “Rënia e Qeverisë së Vidit”. Aty do të formoni një vetgjykim se sjelljet e tij në këtë mënyrë proshqiptare ndoshta u bënë shkak që ai të shtrëngohesh me dhënë dorëheqjen nga pozita e tij në Europë.

Xhorxh Fred Uilliams më 1914 ishte Ministri i Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi dhe vëzhgues i Komisionit Ndërkombëtar në Durrës, komision i cili do të udhëhiqte dhe do të bashkëpunonte me qeverinë e Vidit. (shikoni një karikaturë të vitit 1913 prej tij http://www.facebook.com/NdalPaditurise?v=photos#!/photo.php?pid=12829051&id=135633570353
Por zoti Uilliams duke e pa të pamundur bashkëpunimin në mes tyre dhe duke e pa se punët po shkonin mbrapsht pse marrëveshja e Londrës e kishte mbjellë shumë ters farën, e ma tepër pse marrëveshja e Londrës caktonte një princ kurse Vidi erdhi me titullin mbret, mbas shumë mundimesh për marrëveshje sa me kryengritësit e Shqipërisë së mesme, sa me ata të Jugut, u bind se këto punë ishin të kota dhe vendosi të marrë një masë të fundit. Shkoi në Shqipërinë e Jugut ku pruri në marrëveshje “epirotët” kryengritës me vlonjatët që të bashkoheshin e të shpallnin pavarësinë e tyre, gjithmonë me qëllim që sapo të zhdukej qeveria e Vidit e cila doemos nuk kishte jetë të gjatë, t’i bashkonte kësaj pavarësie edhe pjesën e sipërme të Shqipërisë. Mirëpo, posa muarën vesh këtë gjë diplomatët e Europës me të shpejtë dërguan në Vlorë dy luftanije që përmbanin anëtarë të komisionit të Durrësit, të cilët nën hijen e topave të fuqive të mëdha të Europës e ndaluan këtë bashkim që ky zotni me shumë mund e bëri.

Atëhere zoti Uillliams u bind krejtësisht që veprat e fuqive të mëdha me marrëveshjen e Londrës nuk patën për qëllim ta bëjnë këtë shtet të lirë, por të gjejnë shkaqë se si me e shtypur ma tepër, e duke patur në dorë këtë dhe tjera fakte ky vendosi me e lënë këtë skenë mëkatesh, por njëherit me ngritur perden e me paraqitur komedinë tragjike dhe shpirtin e zi të diplomacisë Europiane. I dhanë rastin Shqipërisë në Mbledhjen e Londrës për ta provuar nëse Shqiptarët janë të zotët apo jo përsa paradëshirojnë. Por me mënyrën që ata i kishin hartuar planet e tyre mund t’i hidhnin hi syve të gjithë botës duke e bërë me e quajtur të zezën të bardhë, e prandaj Shqipëria lëkundej atë kohë në djepin e fatit herë mbi dhe, herë jasht gropës së zezë të tmerrshme e të helmatisur. Gjindej ky djep pikërsisht mbi gropën e pafund, kur përfaqësuesit kryesorë të diplomacisë Europiane, të mbuluar me maska fytyrë-njeriu, kishin vu tehët e bajonetave të tyre mbi litarët që varesh ky djep për t’i pre e për ta lëshuar fatin e Shqipërisë në këtë gropë vdekjeje që të mos mund të ngrihesh kurrë.

Për të qenë korrekt ndaj pikpamjes njerëzore, këta zotërinj kishin filluar me përhapë fjalën se ua dhamë provën e lirisë Shqiptarëve por nuk po janë të zotët me e mbajtur dhe për fakt tregonin me gisht kryengritjet e brendshme, shkaktarët e të cilave ishin ata vetë. Pikërisht në këtë kohë të duhur e të rrezikshme për Shqipërinë, zoti Uilliams heq maskat që iu japin pamje njerëzore këtyre diplomatëve dhe nxjerr në shesh fytyrat e tyre të lyera me gjak të pafajshëm e ia tregon me gisht botës duke deklaruar se të fshehtat e kësaj diplomacie janë shkaku i kaq gjakderdhjeve dhe deklaron pafajsinë dhe vujtjet e Shqiptarëve e mundimet e tyre për liri. Ai shpreh hapur se Shqiptarët nuk janë të egër e të rrezikshem, siç e thonë diplomatët Europës, porse Shqiptarët jane fisnike, janë trima, janë të ndershëm, jane liridashes dhe kanë mikpritjen më të madhe në botë. Këto deklarata zoti Uilliams ia bëri më tepër popullit të vet Amerikan duke iu lutur që të ndërhyje sa më parë për t’i ndihmuar ketij populli në të drejtat trashëgimore që kërkon dhe në varfërinë e tij, shkakun e së cilës ia ngarkon fuqive të mëdha të Europës.

Përkthyesi Shaban Balla Tiranë, 20 Mars 1934


Parathënie e botimit të dytë


Kur m’u tregua ky libër i vockël e lexova menjëherë dhe pa vonesë, e rishtypa dhe e redaktova duke ruajtur përkthimin origjinal. Libri është shkruar para 90 vjetësh, përkthyer e botuar në Shqip para 70 vjetësh dhe ribotohet për herë të dytë tani. Falenderoj me këtë rast përkthyesin Shaban Balla që e kaloi në Shqip veprën e respektuar të Xhorxh Fred Uilliamsit dhe dajën tim Qazim Kuqashin që kishte ruajtur një botim të tillë 70 vjeçar.

Së pari botimi apo ribotimi i një libri të tillë është një gjë shumë e mirë, sepse shpreh respektin për një njeri shpirtmadh e shpirtdrejtë si Xhorxh Fred Uilliamsi, për edukimin e shkollimin e tij dhe respektin për vlerat që përcjell pena e tij. Nga ana tjetër, është për të ardhur keq që ajo histori e dhimshme e Shqipërisë e fillimit të Shekullit XX, në vend që të ishte për arshivë, vazhdon poshtërsisht të nëpërkëmbet edhe në kohën e tanishme. Libri pohon thënien popullore se të huajt, akoma më shumë armiqtë, kur gjejnë shesh bëjnë përshesh. Libri tregon sa tragjike kanë qenë (dhëmsurisht edhe janë) ndaj shqiptarëve përçarjet e shkaktuara nga armiqtë. I vetquajturi mbret Princ Vidi qëndroi në Shqipëri në periudhën 7 Mars – 3 Shtator 1914. Siç edhe shkruan Xhorxh Fred Uilliamsi, nga ajo rrëmujë mizore e Luftës I Botërore shqiptarët vetëm e pësonin. Pena e Xhorxh Fred Uilliamsit përcjell rëndësinë e vlerave njerzore që duhet të kenë udhëheqësit që organizojnë, drejtojnë apo udhëheqin shtetet. Vetëm njerëzit me mirësjellje, me shpirtmadhësi, fisnikërisht të respektuar, të palodhur në punë, me vullnet dhe trimëri janë ato që kanë shkaktuar dhe udhëhequr përparimin e popujve.


Xhorxh Fred Uilliams (1852-1932) lindi në Dedham të Masaçusetsit. U arsimua në degën e ligjeve në Masaçusets më 1872 dhe pas studimeve të tjera u bë avokat. Gjatë viteve 1880-1887 kreu redaktime të botimeve të rëndësishme ligjore në vitet. Më 1889, ishte anëtar i legjislaturës së Masaçusetsit dhe gjatë viteve 1891-1993 ishte anëtar demokrat i Kongresit Amerikan. Gjate viteve 1913-1914 ishte Ambasador i SHBA në Greqi dhe Mal të Zi.

Saimir Lolja Tiranë, 19 Tetor 2004



SH Q I P T A R Ë T - T O K A DH E B A N O R Ë T


Tokë e Shiqipërisë lemë të hedh sytë e mij,

Mbi ty, O nanë e mjerë e njerëzve primitivë.


- Bajroni tek “Udhëtimi i Çajlld Heroldit”


“Bah! Shikoni këto barbarë!" ka thirrur çdo tiran që ka shtyrë në fatkeqësi viktimën e vet, kur më në fund e ka pa të pamundshme me e bërë skllav.
Ngjarja e dhimshme e Shqipërisë nuk i është treguar popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo ka qenë zhdukur në vendin e vet të Bajronit dhe të shteteve të mëdha, të cilët kanë vendosur të zhdukin nga faqja e dheut këtë popull heroik. Në sallat e errta të diplomacisë Europiane për shekuj me radhë ka qenë mbyllur e munduar fati i Shqipërisë. Edhe tani, me lot ndër sy dhe krejt e dobësuar nga robërija dhe padrejtësia e shekujve, ajo po nxjerr përpara duart thatanike për të kërkuar drejtësi dhe liri; por akoma më kot. Po, shpërblimi i mëkateve është vdekja dhe kujdesi i drejtë i Perëndisë nxjerr përpara faktin se gjendja e keqe e sotme e Europës rrjedh drejtpërsëdrejti po nga ajo politikë që e përdori për Shqipërinë. Megjithëse ka shumë për të thënë, dal përpara ta them unë këtë ndodhi, të përshkruaj tokën, origjinën, gjuhën, zakonet dhe historinë e këtij populli, intrigat e Europës për ta mbajte këtë popull skllav të Turqisë, mundimet dhe kërkesat e drejta të tij për liri dhe pavarësi, dhe më në fund se si Amerika mund ta ndihmojë duke i prirë këtij populli në të drejtat e veta.

Toka e Shqiptarëve

Valona ishte një pjesë e vogël e kësaj toke prej së cilës ata që shkelën Shqipërinë krijuan emrin Albania në shekullin XI. Emri i vërtetë i kësaj toke është Shqipëri dhe i popullit Shqiptar që domethënë toka dhe bijt e Shqipes. Shqipëria, në mes të Malit të Zi dhe të Austrisë kah Veriu, le Serbinë kah Lindja dhe Greqinë kah Jugu, dhe shtrihet 390km përgjate bregut Lindor të Adriatikut. Ajo është shumë afër bregut Italian ku qytetet dhe portet prej Brindisi deri në Venedik duket sikur duan me thënë se janë kryenaltë me përparimin dhe lumturinë e tyre përpara anës tjetër të shkretë të detit të fqinjës së vet. Si në Jug ashtu edhe në Veri të Shqipërisë ka porte të bukur dhe liqenj të mëdhenj e të mrekullueshëm. Buza e Drinit dhe liqeni i Shkodrës, të cilët janë tani pothuaj të pavozitshëm, duhet që nëpërmjet tyre t’u zhvillonte një tregti e madhe e përgjithme. Katër porte të tjerë përgjatë bregut Shqiptar janë pa mole dhe pa farë përmirësimi. Lumenjt janë të mbushur e të pavozitshëm, ndërsa pyje të mëdhenj po kalben në balta e moçale. Fusha të mëdha e pjellore shërbejnë vetëm si një kullote e dobët për tufat e dhenve të një race shumë të dobët; i vetmi plug është parmenda e drunjtë e Romës së lashtë. Minierat e punuara prej Romakëve dhe Venecianëve janë zhdukur nga pamja dhe s’dihet fare ku janë. Përveç rrugës Egnatia, një tregues i pushtimit Romak, s’ka rrugë dhe fuqi të mëdha ujrash shkojnë kot, sepse s’ka asnjë central elektrik. Nuk ka bankë dhe ka shumë pak të holla; nuk ka një zyrë postare të vendit veç atyre të të huajve. Ka shumë pak gazeta dhe libra; shumë rrallë lëviz ndonjë lloj maqine dhe madje s’ka as qeveri të vendit.

Ministri i Punëve të Jashtme të Italise, i shquari San Xhuljano, bëri një përshkrim se si mbërriti nga bregu i detit deri në Shkoder, qyteti kryesor, hypur mbi kalë, nëpër fusha, moçale, ferrishte e baltra, mbi një rrugë të verbët, ndërsa gjatë rrugës së tij në njërin krah kalonte i bukuri lumë pengues dhe i pavozitshem, i cili me pak shpenzime mund të bëhet që të kalojnë nëpër të prej qytetit deri në det vaporë prej më se tre mijë tonelatash. E pamundur! Në zemër të Europës të ndodhet një shkretirë kësi soji, por qe një fakt. Në të vërtetë kjo rrjedh nga se ky vend ka mundësira përparimi më të mëdha se çdo shtet tjeter i Ballkanit por që Europa e ka pa të arësyeshme me e bërë këtë vend të mjerë e të shkretë. Ky vend zë pozitën gjeografike më të mire në Europe; ai është çelsi i tregtisë së Ballkanit dhe porta e kalimit për në Lindje. Me gjithë këtë, sot nuk ka asnjë udhë hekuri që t’i përshkojë Ballkanet prej Adriatiku në atë mënyrë që kjo të jetë një vijim i linjës Austriake.

Faksimili i origjinalit të librit“Shqiptarët“

Kur Princ Vidi dhe përfaqësuesit e gjashtë fuqive të mëdha e bënë Durrësin kryeqytet të Mbretërisë, ata sot zunë një vend të keq, një katund të qelbët, porse Durrësin nën emrin Epidamus siç quhej në kohët e vjetra Ciceroni dy mije vjet përpara e përshkroi si një vend të bukur, të madh e të lulëzuar. Në atë kohë ishte një qendër e madhe tregtie, por sot sikurse edhe fqinji i tij Tivari në Veri, qëndrojnë si njëmendore e mëkatit të shkatërrimit turk. Në tokën e Epirit ku sot 600’000 frymë rrojnë mjerisht, nën Pax Romana rronin 4’000’000 në lumturi. Do të shohim më vonë se jo natyra por arti i zi e zbriti këtë vend nga lumturia e hershme në gjendjen e dhimshme e të mjeruar të sotme. Kjo u qeth e u shkurtua në traktatin e Berlinit, në ndarjen e Ballkanit dhe në marrëveshjen e Londrës, saqë askush s’mund të dije sot sipërfaqen dhe popullsinë e saj. Mund të jetë e madhe sa shtetet Konektikat dhe Masaçuset bashkë dhe popullata mund të çmohet nga 500’000 në 1’500’000, por mesatarisht mund të jetë 750’000 shpirt. Shkodra ka 40’000 banorë dhe me pak përjashtime ky vend përbëhet prej katundesh.


Origjina e Shqiptarëve


Mbrapa në kohët parahistorike, para se poetët e Homerit të këndonin për perënditë e tyre dhe heronjtë e përrallave, përpara se të shkruhej gjuha greke, rronte një popull i qujtur Pellazg. Herodoti (484-425 p.e.s.) iu vesh Pellazgëve historinë e cila këto i përmend shumë më parë se sa qytetërimin e grekërve; punimi i ashpër që mbulon anët e Panteonit në Athine akoma quhet Pellazgjik. Këta ndërtuan mure të mëdhenj që quhen ciklopike dhe për të cilët Prof. Pokok thotë që qenë ndërtuar shumë më përpara se të egzistonin grekërit e Homerit. Prej kësaj race të fortë parahistorike mbetën vetëm Shqiptarët. Vetëm në kohë të vona u shkoqit se Pellazgët qenë Ilirianët e vjetër, e para degë Indo-Europiane, perandoria e të cilëve shtrihesh që nga Azia e Vogël deri në Adriatik dhe nga Veriu deri në Danub. Nga studimet e shkrimtarëve të rinj, si Prof. Maks Myller dhe Prof. Pot, në gjuhën Shqipe u bë e qëndrueshme kjo origjine. Këto Ilirianë, që rrojnë akoma në Shqipëri si Toskë, u shpërndanë edhe në Itali dhe njihen si Toskë, Toskanë, Etruskë.

Është e kotë të kërkohet për perënditë e Greqisë në etimologjinë e gjuhës së saj. Në gjuhën Shqipe këto janë shumë të qarta dhe domethëniet e tyre shumë të drejta. Për shembull, Kaos është hapsi, hapësira; Erebus, biri i Kaosit, është er-het-os, me e bërë të errët; Uranos është I-Vran-os, domethënë zana e reve, vranët; Zeus, Zaa, Zee, Zoot-Zot, zë rrufe; Athena është E thëna, me thënë fjalën; Nemesis, nemës, domethënë nam, thirrje e djallit; Muse, Mosois, është mësuesi; Afërdita domethënë afër ditës, agimi. Kur do të jetë studiuar mirë gjuha Shqipe dhe kur do të jenë zhvarrosur gojëdhanat e saj, atëhere shumë nga veprat e Homerit do të rishkohen dhe ca nga ato do të jetë nevoja edhe të korigjohen. Herodoti nuk e pati ditë që emrat e heronjve të veprës së Homerit ishin fare qartë në gjuhen Pellazgjike. E deri edhe emri i vet i Homerit mund të gjurmohet në gjuhën Shqipe: I mirë, dhe në formën Imiros do të thotë poezia e mirë.


Flamuri kombëtar


Në gjuhën Shqipe është Agamemnon, Ai-ge-mendon, ai që mendon; Ajaks, ai gjaksi, gjakderdhës; Priamos, Bir-i-amës, biri i amës e me kuptim ironik Biri i tokës, i vendit; Akili, i qiellit, një i zbritur nga qielli; Odiseu, i udhës, udhëtari, aji që shëtit; Ithaka, i thak, idhnak; Droilos, Droili(os), ai që druhet, frigac. Shumë të tjera mund t’i shtohen kësaj liste. Nuk është çudi në se njerëzit që kanë studiuar gjuhën Shqipe të thonë se kjo është gjuha origjnale e Homerit dhe që grekërit e morën nga poetët Pellazgjike të shumtën e këngëve të trimërive dhe ato heroike. Sa dituri e madhe e pret arkeologun kur toka Shqiptare do të hapi thesarin e historisë Pellzagjike! Këta dhe shumë rrjedhime të tjera provojnë që Shqiptarët sot janë mbi tokën e të parëve dhe flasin gjuhën e stërgjyshëve të tyre. Edhe përpara se dega helene të njifej në malet e Thesalisë, Shkodra, qyteti kryesor i Shqipërisë, qe pa dyshim kryeqyteti i mbretërisë madhështore të Ilirisë. Shqipja qe gjuha amtare e Aleksandrit të Madh që pushtoi botën dhe e Pirros së Epirit, një nga gjeneralët më të mëdhenj që përmend historia dhe përballues i fundit i ushtrive pushtuese Romake.
Një tragjedi, përtej përfytyrimit të tragjedistit, është kjo që një racë e vjetër dhe e fortë erdhi në një gjendje kaq të keqe dhe mizore, gjë e cila shikohet si skandal i qytetërimit Europian. Nuk është për çudi që otomanët nuk lejuan ndonjë gërmim në tokën Shqiptare, sepse ajo mund t’i sillte ndërmend këtij populli lulëzimin e parë.


Vendasit e Shqipërisë


Nuk janë turq sikurse shumë e mendojnë; përpara kanë qenë të gjithë të krishterë, por gjatë shekujsh pjesa më e madhe është kthyer në besimin mohamedan. Shumë prej malsorëve janë katolikë, ndërsa në Shqipërinë e Jugut pothuajse kisha greke është krejtësisht e pranueshme përveç mohamedanëve. Gjuha shqipe është aq e dallueshme nga gjuhët tjera të Europës sikurse është gjuha Kelte dhe Baske. Ata s’kanë literaturë veçse pak libra të priftërinjve katolikë; as alfabet të qëndrueshëm nuk kanë akoma. Në shkollat e pakta turqit nuk kanë lejuar që të mësohet gjuha e tyre dhe nuk janë shumë ata që dijnë me shkruajtur e me lexuar. Historia e Shqipërisë është një shënim i gjatë shkeljesh, plaçkitjesh dhe gjakderdhjesh. Këngët e tyre tregojnë, theksojnë, vetëm lufta e trimërira. Të gjitha shkeljet e Europës mizore e kanë përshirë këtë vend me zjarrm e shpatë.


Mbasi vdiq heroi Gjergj Kastrioti që mbajti larg nga Shqipëria për 24 vjet ushtritë e sulltanit duke i zhdukur nga faqja e dheut njërën mbas tjetrës, otomanët mundën ta pushtojnë Shqipërinë dhe e mbajtën nën zgjedhë për më se 450 vjet. Përveç popullit të fushave, të cilët i ka vrarë më shumë zgjedha e robërisë, përgjithësisht Shqiptarët janë trima e luftetarë të fortë. Malësori nuk del kurrë prej shtëpisë së tij i pa armatosur, e deri bariu mban tufën e vet i armatosur deri në dhëmbë.
Lufta ka qenë i vetmi besim i tyre; biles ata thonë: aty ku është shpata aty është besimi.
Djali rritet pa farë edukate ose disipline përveç se përdorimit të armëve. Në ushtrinë turke ai mësoi se si me vjedhë e me grabitë; në shtëpinë dhe vendin e vet zyrtarët dhe tagrambledhësit e pengonin në kursimet, punimet dhe industritë. I rritur në një atmosferë dhune dhe vjedhje, edhe urija shpesh here e ka shtërnguar të fitojë rrojtjen e tij si të mundet, qofte edhe prej armikut që i ka shkelë në votër. Nuk duhet shikuar për çudi pse vjedhja që i bënin turqve quhesh patriotizëm i lartë. Pa dyshim këta malësorë janë të egër dhe të pamëshirshëm në mësymje ose në mbrojtje. Që këta kanë edhe zakone të këqija s’ka nevojë për vërtetim, porse janë rritur në një atmosferë pesimiste.


Një popull fisnik


Ky popull është shembulli më i madh i të mbajturit të moralit dhe meritave të trashëguara, për fisnikërinë dhe për kapacitetin e tij që, megjithëse për shekuj me rradhë ka qenë nën ndikimin tiranik dhe zhvleftësues, e mban prap kryet lart, nuk i ka humbur shpresat e veta dhe gjithnjë thotë se jam Shqiptar, qoftë edhe në mes të zjarrmit. Dhe për këtë ky meriton të gradohet me një listë të gjatë virtytesh të pastërta e shembullore. San Xhiljano thotë se Shqiptarët janë egoista të radhës së parë. Sigurisht ata nuk janë një racë që shtrohen dhe kërrusen nga frika. Trimërija e tyre s’ka kufi; ata e përballojnë vdekjen dhe fatkeqsinë e tyre pa u trembur. Fjala e besës për ta është shumë më e shenjtë se sa bëmat e mëdha të popujve të qytetëruar dhe mikpritja e tyre vijon deri sa mos t’u mbetet më kurrgjë. Virtytet e grave të tyre janë të trashëguara dhe vdekja është dënimi i zakonshëm dhe i shpejtë në rast tradhëtie ose imoraliteti. Ndjeshmëria e tyre në çnderime dhe fëmijë është shumë më i madh se sa në rrena e shpifje dhe këto raste mbarojnë gjithmonë në gjakmarrje.
Në asnjë vend tjetër të botës nuk është ma e sigurte gruaja nga fyerjet se sa në Shqipëri; ai qe vret një grua bie nga vlefta dhe e humb emrin e famën. Bajroni e nderon në këtë mënyrë besnikërinë e Shqiptarëve nga përvoja vetjake që pati prane tyre:

T’ashpër janë djemtë e Shqipërisë,

e me gjithë këtë nuk u mungojnë virtytet,

të ishin ato virtyte më të pjekur;

Ku është armiku që ua ka pa shpinën e shtegun ta lirojnë?

Fortesat e shtëpitë e tyre nuk janë më të sigurta kurrë,

sa ata vetë në kohëra turbullimi e në rast nevoje;

Sa e rëndë është mërija e tyre,

por kur ta falin, miqësia është fare e sigurtë;

Kur mirënjohja ose fisnikëria me derdh gjakun i thërret,

të patrembur shkojnë përpara kudo që t’i çojë udhëheqësi i vet.



Kaq tepër e admironte Bajroni këtë popull saqë Shelli e thërriste atë me emrin përkëdhelës ALBI. Malësori dallohet nga qytetari. Veshja përgjithësisht është si veshja kombëtare e Greqisë. Fustanella, një fustan i bardhë që mbërrin deri ke gjuri, çorape të bardha mbulojne puplat e këmbëve, këpuce me maja të kthyeme e me tufa mbi ta, rrypi i mesit i mbushur me armë, xhamadani me mëngë të lëshuara mbrapa dhe qeleshe. (Xhorxh Fred Uilliams ka vizituar vetëm bregun e jugor të Shqipërisë, prandaj përshkruan kostumin popullor jugor Shqiptar – shën. përkth.). Ky popull rron në formën prindërore, domethënë plaku i shtëpisë nderohet dhe shquhet përmbi të tjerët dhe të gjithë e dëgjojnë. Vajzat nderojnë dhe ndigjojnë nanën. Iu mbarohet më parë çdo dëshirë prindëve e pastaj të tjerëve.
Tek ky popull nderimi për moshën është një tipar i veçantë. Janë shumë zemër mirë për njëri tjetrin, ndihmojnë shoqi shoqin në rast rreziku apo nevoje, kanë respekt për eprorët e tyre dhe e mbajnë besën me drejtësi e me ndërgjegje të pastër. Në mes të tyre flasin një gjuhë të zbukuruar, përdorin shprehje të pastra dhe të prishurit e gojës shpaguhet pa vonesë e ngadonjëherë shumë rëndë. As me qeshje nuk përdoret gjuhë përdhosëse.

Mikpritja është në kulmin e saj në Shqipëri. Një sulm po t’i bëhet mikut në çdo mënyrë qoftë, është një çnderim i madh për të zotin e shtëpisë e për gjithë fisin e tij. Ai që grabit ose vjedh mikun, sipas zakonit të vendit dënohet shumë rëndë, ose me vdekje ose nxirret jashtë fisit.
Burrat janë të gjatë, Gegët në Veri janë më të gjatë se Toskët në Jug; gjithashtu më të fortë dhe më të rreptë. Një shkrimtar e përshkruan lëvizjen e malësorëve të Veriut si të dhive të egra që i ngjiten majave e shkëmbinjëve më të mprehtë dhe zbresin pa pikë frike nga këto vende, që kur i sheh thua se asgjë e gjalle s’mund të shpëtoje nga ato.
Besa është tradita më e shenjtë;
kur njëri ka besën e një personi të mirë të njërit fis, çnderimi më i madh e pret thyesin e saj prej personit të atij fisi. Besa e Shqiptarit jo vetëm që mbahet dhe mbrohet me vullnetin më të mirë, por Shqiptari po të jetë nevoja jep edhe jetën për të mbajtur besën e dhënë. Një udhëtar nën fjalën e besës është nën mbrojtje të shenjtë.

Zakone gjakmarrje

Gjakmarrja është një traditë e Shqiptarëve, por e rregulluar mbas ca ligjeve dhe zakoneve të vendit që caktojnë kur, kush dhe si është e drejtë një gjakmarrje. Në këto raste qeveria nuk përzihet, edhe në qoftë se ndërhyn do të ndjekë zakonin e vendit më tepër se ligjin. Ky “lex talionis”, rregull që jep të drejtë që të shpaguhet një dëm i ndërsjelltë ose si i thonë, një sy për një sy e kokë për kokë, jo vetëm që hyri nëpër ligje gjatë shekujve, por edhe nëpër besime. Gjykohej se shpirti i të vrarit nuk ka qetësi deri sa të vritet gjaksori. Në Shqipëri familjes ose trashëgimtarve nuk u mbetet gjakmarrja vetëm për vrasje, por edhe për çeshtje nderi grash. Gjaqet shpesh herë shtrihen deri në bajraqe, fise, dhe shpagime gjaqesh shumë herë kanë kapërcyer katunde e krahina. Ligjet turke në këtë vend nuk jepnin ndonjë farë drejtësie; madje i nxitnin këto zakone pasi ato shkaktonin përçarje, grindje dhe armiqsira të mbrendshme ndërmejt Shqiptarëve, gjëra që i lehtesojnin barrën Turqisë për të zbatuar më tepër tiraninë dhe robërinë. Me ardhjen në fuqi të ligjit të krimeve, ky zakon ndoshta do to zhduket me kohë sikurse në rastin e Malit të Zi.


Gratë Shqiptare


Ndërsa, si dhe në shtetet tjera të Ballkanit, gruaja bën të gjitha punët, si në fushë ashtu edhe në shtëpi, ajo shikohet më me respekt dhe zë një pozitë më të lartë se gruaja e Lindjes.
Një grua mund të shëtisi prej një ane të Shqipërisë në tjetrën pa farë dyshimi, bile edhe një burrë që mund të ndodhet me të, nga shkaku i gruas është i sigurtë. Në qoftë se një vajzë e fejuar le të fejuarin e vet, ajo e ngarkon familjen e saj me një gjak të cilin e ka të drejtë i fejuari i saj. Përveç atyre të qytetit, nusja nuk merr pajë nga ati i saj, përkundrazi dhëndri i paguan një shumë të hollash të atit të vajzës; për gratë e veja paguhet gjysma. Ndër gratë Shqiptare dashuria dhe bukuria nuk luajnë një rol me rëndësi. Ç’ka ia shton rëndësinë gruas pranë burrit është të pjellurit; dukë shtuar femijët, shtohet edhe pozita. Nuk egzistojnë gjëkundi gra më të virtytshme se në Shqipëri.


Brez i fuqishëm


Gjaku i Shqiptarëve është gjak burrërie. Shqiptari i ka dhënë Turqisë gjeneralët dhe ministrat më të mirë. Vëllezërit e tyre në Itali, Toskanët, vunë themelet e vertetë të madhështisë së Romës. Pesë perandorë të Romës qenë bij malësorësh Ilirianë; ata e forcuan racën Italiane. Në grykat dhe në malet e Atikës gjuha Shqipe është në përdorim edhe sot. Në përpjekjet e Greqisë për liri, Shqiptarët lanë emra fame. Ata trazohen me të tjerët, por në trazim nuk bashkohen, domethënë nuk i përziejnë gjakun dhe zakonet e tyre. Të ruajturit e gjuhës dhe të zakoneve të veta nën thembrën dhe tiraninë e shekujve tregon mundësitë e një race të fortë e të pamundëshme. Do të shohim se si Europa e përdori këtë çelës të Ballkaneve për të mbajtur mbyllur dyert e mëshirës e të dritës mbi një popull, i cili tani po lutet për pavarësi e liri.


Ngatërresat e fuqive të mëdha


Djali im, ti nuk e di se me sa pak mëshirë qeveriset bota.

Uksensherna, kryeministër i Suedisë, 1612

Shqipëria, një vend kaq i vogël e i prapambetur, pa kurrfarë qytetërimi, pse luan një rol kaq të madh në politikën e Europës? Është e nevojshme që t’i pergjigjem këtu kësaj pyetje, përgjigjia e së cilës trajton përmbajtjen e ndërlikuar të diplomacisë Europiane. Përgjigjia e shkurtër është se situata gjeografike e Shqipërisë paraqet probleme politike edhe më të gjëra se ato të parashtruara prej shteteve të tjerë të Ballkanit. Gjendja e Shqipërisë është një faktor kryesor i problemit të Lindjes, mbasi kjo është udha natyrale e kalimit prej Adriatikut në Lindje. Përveç kësaj është edhe pikërisht vendi për daljen e tregtisë së Ballkanit dhe së fundi ajo ka në dorë komandën e hyrjes në Aariatik në ngushticën e Otrantos. Portet e saja, me portin në detin Egje të Selanikut dhe të Bosforit, janë çelsat e dyerve të Europës Lindore për në detin Mesdhe. Për të marrë në dorë këta çelsa diplomacia e Europës ka punuar për dy shekuj rresht.


Përjashtimi i Rusisë nga deti Mesdhe


Përmbi të gjitha del e dukshme figura e Rusisë, qëllimi kryesoer politik i së cilës ka qenë me patur kalim të lirë në detin Mesdhe. Për këtë qëllim ajo e pa të arsyeshme shkatërrimin e Turqisë. Në vitin 1711, Pjetri i Madh thirri në ndihmë shtetet sllave të Serbisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Bosnjës, Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi për t’u bashkuar me të në një luftë fetare e racore për të liruar të krishterët ortodoksë dhe gjithë popujt që flasin gjuhën sllave nga zgjedha otomane. Që prej asaj kohe, Rusia dhe Turqia kanë qenë në një ndeshje të përhershme dhe Rusia është bërë mbrojtësja dhe ndihmësja e shteteve sllave. Këto kondita iu paraqitën parlamentit prej Sir Eduard Greit (Ministër i Jashtëm i Britanisë), parlament i cili ishte vendi i zakonoshem i diplomacisë Europiane në të kaluarën. Është për t’u shënuar se shtetet që emëroi Cari i Madh, bashkë me Hungarinë dhe Poloninë, formonin një rreth të fortë popujsh sllave kundrejt Austrisë Gjermane. Ëndrra për t’i bashkuar këta popuj në një perandori sllave qe një lumturi për Rusinë dhe Serbinë, por një tmerr për popujt Gjermane dhe për të gjithë Europën Perendimore. Nga frika e kësaj fantazme të një perandorie sllave, fuqitë e Europës kanë ndenjur të bashkuara për të mos e lënë Rusinë e as aleatët e saj sllave me zënë vend ose me krijuar ndonjë kalim për në detin Mesdhe.


Por fakti kryesor që i takon Shqipërisë është se fuqitë Enropiane e përkrahën sundimin turk në Europë dhe e mbrojtën atë kundra Rusisë për të vetmen arsye se zhdukja e Turqisë nga Adriatiku deri në Stamboll do të shkaktonte ndarjen e këtyre vendeve fqinjëve të tjerë, dhe në këtë menyre do të hapej çeshtja e madhe e sllavëve për të dalë në detin Mesdhe. Lufta Krimesë u bë prej Anglisë dhe Francës për të mbrojtur Turqinë kundra Rusisë dhe përfundoi me traktatin e Parisit në të cilin pavarësia e Turqisë u garantua dhe u sigurua. Ajo u pranua që të marrë pjesë në marreveshjet e fuqive Europiane, kurse popujt e krishterë të Lindjes u lanë nën mëshirën e dobët të Sulltanit. Ishte përpara kësaj lufte kur Car Nikolla parashtroi që perandoria turke të mos njihej nga ana e Rusisë dhe Anglisë, por kjo e fundit nuk e pranoi këtë kërkesë.


Traktati i Berlinit


Në vitin 1878, Rusia pushtoi Turqinë dhe ndaloi në dyert e Stambollit. Traktati i Shën Stefanit u bë në mes të dy ndërluftuesve dhe me të cilin mjeshtërisht Rusia për të mirën dhe përdorimin e vet krijoi një shtet të madh Bullgar, që nga ana Jugore do të shtrihej deri në detin Egje duke përfshirë edhe portin e Selanikut. Kjo shkaktoi mbledhjen e shpejtë të fuqive Europiane të cilat bënë traktatin e Berlinit. Ky traktat ndaloi formimin e shtetit Bullgar të projektuar dhe vuri në heshtje kërkesat e Rusisë për të pasë një port në detin Mesdhe. Serbia, Rumania dhe Mali i Zi u shpallën shtete të pavarura. Një hartë e kohës së fundit do të tregoje se traktati e la një copë të Ballkanit akoma nën sundimin turk, e cila shtrihej prej Adriatikut deri në Stamboll dhe përmblidhte Bosforin, Selanikun, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Shtetet sllave të Bosnjes dhe Hercegovinës në Adriatik iu dhane Austrisë. Qe një këmbëngulje e vendosur për Europën që të mos lejonte shtet sllav të kishte një dalje në detin Mesdhe. Skllavëria dhe robëria e të shkretës Shqipëri nuk u bisedua; kjo ishte viktima e parimit të kësaj diplomacie të Europës.


Kongresi i Berlinit - Qershor 1878


Kërkesat e Serbisë në Adriatik


Lufta Ballkanike më 1912 nuk u prit me sy të mirë nga fuqitë Europiane. Historia e saj është e njohur por nuk është kuptuar krejtësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se dy gjërat më me rëndësi të kësaj lufte ishin marrja e portit të Selanikut dhe të porteve të Shqipërisë. Këta ishin vend-daljet natyrale të tregtisë së Ballkanit dhe vend-shkarkimet e hekuradhave të ardhshme. Edhe Austria priste me padurim ndonjë rast për të shtirë në dorë portin e Selanikut, por shteti serb kërkonte mbi gjithë të tjerat një port për lëvizjen tregtare të tij. Ajo ishte e mbyllur dhe e izoluar larg detit dhe në qoftë se shkeljes së tokave të huaja i jepte të drejtë, Serbia pa turp mund të kërkojë një vend-dalje në det. Grindja e shteteve të Ballkanit në mes tyre u bë shkak që gjashtë fuqitë e mëdha të Europës të marrin në dorë frenat dukë ndërhyrë që t’i pushonin këto grindje.


Austria dhe Italia rivale


Në këtë kohë duhet përmendur edhe një fazë tjetër trazimesh në Shqipëri. Austria dhe Italia urdhërojnë ose komandojnë detin Adriatik përveç ballit të Shqipërisë. Këta dy shtete kanë pritur me padurim vite me rradhë rastet për të shtirë në dorë portet e këtij vendi. Ata kanë shpenzuar të holla duke mbajtur në Shqipëri agjentë dhe shkolla për të shtuar ndikimin e tyre mbi këtë popull. Të dy këto kanë pritur ditën kur “i sëmuri i Lindjes” do t’u varrosej në anën tjetër të detit Egje. Mbi dy pika Austria dhe Italia qenë posaçërsisht në marrëveshje: e para, që asnjëra prej tyre të mos sundonte Shqipërinë dhe e dyta që asnjë fuqi tjetër të mos vendosej në Adriatik. Nga pikpamja diplomatike e përgjithshme, kjo nuk qe një gjë shume e pa arsyeshme. Pse, po të kish nën sundimin e vet Austria Shqipërinë, ajo do të gjendej vetëm 74 km larg bregut Italian në mës të Vlorës dhe Otrantos. Dhe, po të bëhej Italia sunduese e Shqipërisë, do ta kthente Adriatikun në një gji të Italisë duke e bërë “il mare nostra”, sikurse italianëve u pëlqen ta thonë. Në anën tjeter, çdo fuqi detare me zotërimin e Shqipërisë do të ishte një kërcënim e kanosje për të dyja, Austrinë dhe Italinë.


Perandoria sllave


Plani për një perandori sllave ushqehesh më tepër prej Serbisë nën emrin e krijuar “Serbia e Madhe”. Edhe Mali i Zi është bashkuar me këtë plan; që të dy duke qenë nën kujdesin e Rusisë, mbrojtëses së tyre të betuar. Me një perandori të tillë, provincat sllave, Bosnja, Hercegovina dhe Dalmacia, më lejen ose hapjen e Austrisë, do të bënin të mundur daljen e Malit të Zi dhe të Serbisë në Adriatik. Shumë u zemëruan këto shtete kur më 1908 Austro-Hungaria zgjeroi sundimin e vet mbi Bosnjen dhe Hercegovinën dhe i bëri kryekëput të vetat. Kur të gjashtë fuqitë e mëdha e patën mbaruar Konferencën e Londrës mbi ndarjen Ballkanike, ato ndoqën po ata parimet e vjetra për të mos lejuar shtetet sllave me takuar detin Mesdhe. Turqia pothuaj se qe terhequr nga Ballkani dhe një problem i madh gjendej mbi tryezën e fuqive Europiane. Këto e zhvilluan këtë duke i dhënë portin e Selanikut Greqisë dhe duke krijuar shtetin e pavarur të Shqipqrisë. Në këtë mënyrë varroseshin shpresat e Serbisë, e cila në këtë kohe është çuar në këmbe dhe ka shkelur Shqipërinë ndërsa Mali i Zi ka pushtuar Shkodrën.


Shqipëria dhe lufta botërore


Në këtë plan veprimesh Austria dhe Italia ishin pa kundërshtim fuqitë lëvizëse dhe princi trashëgimtar Franz Ferdinandi i Austro-Hungarisë shikohej si kujdestar i parimit të tyre. Serbia mjaft e zemëruar që prej vitit 1908, tani u tërbua dhe pa dyshim demonstratat e saja kundër Austro-Hungarisë qenë të rrepta dhe kërcëuese për hakmarrje. Qellimi i gjallë i Europës për të përjashtuar Rusinë dhe aleatët e saj nga deti Mesdhe shihet edhe nga fakti se kur Austro-Hungaria mori Bosnjen dhe Hercegovinën për pak qe duke u shkaktuar një luftë Europiane dhe vepra e krijimit të shtetit të pavarur Shqiptar sigurisht qe duke ndezur një ndeshje të përgjithshme. Mëria e madhe kundra Austro-Hungarisë natyrisht iu drejtua princit trashëgimtar dhe vrasja e tij në Sarajevë keqësoi pa masë marrëdhëniet midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë. Mbas kësaj, ngjarjet rrodhën shumë shpejt. Austro-Hungaria i diktoi ultimatum Serbisë dhe me kundërshtimin e tij i shpalli luftë. Rusia qiti zërin se kjo ishte puna e saj dhe brenda pak diteve pesë prej fuqive të mëdha u gjendën në ndeshje të vazhdueshme. Po të kish përmbushur Europa dëshirat e Serbisë për një skelë në Shqipëri, kjo klimë e tmerrshme nuk do të vinte. Zotërimi ose sundimi mbi Shqipëri qe pa dyshim shkaku që u shkaktua kjo luftë që po përfshin kontinentin e Europës. Kjo është historia e diplomacisë Europiane në Ballkan, me gjithë se shumë shkurt është përshkruar. Prandaj përshtatet posaçërisht titulli "Ngatërresat e Fuqive të Mëdha".


Shqipëria etnike


Faji i diplomacisë Europiane



Në qoftë se me të vërtetë bashkimi sllav është një kanosje për qytetërimin Perendimor, sigurisht historia e diplomacisë përkundrazi ndryshon kur Rusia të ketë siguruar aleatë të fuqishëm në Perëndim për shkatërrimin e Gjermanisë, pengesën më të madhe të triumfit të saj. Por në qoftë se ky bashkim është vetëm një përrallë e shpikur ose një arsyetim jo i vërtetë, atëhere diplomacia Europiane duhet të quhet fajtore ndaj krimit që bën duke mbajtur Ballkanet nën zgjedhën e dobët të Turqisë. Në njërën anë prej këtyre dy çengelave, që janë përgjigjia e këtij problemi, duhet të varet kjo lloj diplomacie. Edhe në qoftë e vërtetë se kanosja sllave qe një pretendim dhe që shtetet e mëdha deshën vetëm me gjetur shkak për të mbajtur Rusinë larg nga deti Mesdhe, vuajtjet dhe fatkeqësirat e Shqipërisë varen mbi dyart e tyre sepse Shqipëria vuajti vetëm prej fajit të tyre. Me të vërtetë me sa pak mëshirë qeveriset bota! Po to kish prishur Europa një shekull më parë sundimin otoman në Europë, patjetër faqja e qytetërimit tonë do të ishte ndryshe. Shtetet e Ballkanit do të kishin tashmë një shekull vjetërsi në lirinë e tyre dhe mundet që në rrugën e paqes do të ishin më të përparuar në pasuri, në edukatë, në tregti dhe industri. Përkundrejt të sotmes që janë të varfër e të shkatërruar prej luftash të vijueshme, të cilat janë shkaktuar vetëm e vetëm pse kërkonin të liroheshin nga zgjedha. Shqipëria tani do të mund të ishte një shtet i lulëzuar e i përparuar. Ndoshta kur diplomacia e zezë, që ka rrënjët në shekujt e errët e që bën çdo shtet të shihet me tjetrin me një armiqësi të madhe, të jetë zhdukur dhe ndonjë mënyrë simpatie njerzore dhe vllazërore të përdoret, atëhere do të kujtojme faktin që suksesi i një populli nuk është nevoja të bëhet me humbjen e një tjetri. Atëhere sllavet, gjermanët, anglezet, turqit dhe Shqiptaret mund të përfitojnë shumë më mirë nga përparimi, lulëzimi dhe lumturia e njëri-tjetrit.


Diplomacia e shastisur e Europës


Ndërkaq Shqipëria, viktima kryesore e kësaj diplomacie, mbetet e lodhur, e kërrusur dhe e zhytur në gjak sepse, edhe mbas lirimit të shteteve tjera të Ballkanit nga zgjedha, kjo u la akoma nën Turqi. Bashkë me Shqipërinë mbeti nën zgjedhë edhe Maqedonia. Po të kishte mbetur ndopak simpati njerëzore në politikën e Europës dhe ndonjë ndjenjë për të shpaguar mëkatet që ka bërë gjatë shekujve, këto fuqi do t’u kishin dhënë rastin Shqiptarëve për të formuar një qeveri dhe për të zbatuar nje statut të vetin. Edhe një dhenzë e truve të kalit do të kishte menduar që një popull trim dhe luftëtar si ky nuk do të pranonte një zgjedhë tiranie të re në vendin e së parës. Por diplomacia e shastisur vendosi të zbatojë forcën dhe tiraninë për të sunduar këtë popull; por ky vendim doemos do të binte poshtë sikurse u pa. Shtetet e Europës kanë bërtitur dhe kanë shpallur se Shqiptarët janë popull i pabindur, i egër e barbar. Por në anën tjetër deshën të krijojnë mbi ta një qeveri pa pyetur dëshirat e tyre, pa iu siguruar ndonjë farë lirie ose të drejta trashëgimore dhe biles pa asnjë këmbë ushtari për të vënë në zbatim programin e tyre: sollën vetëm disa oficerë, kurse ushtarë jo. Por, po të ishin të vërteta deklaratat e tyre, ata do të kishin sjellur fuqi të madhe të armatosur për të perkulur Shqiptarët; por këto të bërtitura ishin vetëm për të justifikuar sjelljet e tyre. Ata prenë copa me rëndësi nga toka Shqiptare dhe ia dhanë fqinjëve në Veri, në Jugë dhe në Lindje, duke shkaktuar kështu ngatërresa dhe luftëra të përditshme në mes të këtyre shteteve. Copën që mbeti nga gërshëra e tyre e quajtën shteti i pavarur i Shqipërisë. Gabimin më të madh të planeve të tyre do ta përshkruaj në kreun që vijon.

Shqipëria është bërë lëmi i ndikimeve të shumëllojshme qe e tërheqin në drejtime të ndryshme. S’ka vullnet, s’ka program e as autoritet të njohur në këtë tokë. Propaganda, intriga dhe shpifjet e fshehin të vërtetën.

Këtë e raporton Dr. Dillone nga Durrësi.


Kur gjashtë fuqitë e mëdha hartuan një plan qeverimi për Shqipërinë, vepra e tyre tregoi një pazotësi të çuditshme, sepse ai qe një plan që i nuk përshtatesh një shteti si ky. Marrëveshja e Londrës përmbante nenet:

(1) Një principatë autonome, sovrane, me të drejtë trashëgimi të fronit nga të paslindurit dhe nën sigurimin e gjashtë fuqive të mëdha.

(4) Kontrollimi i administratave qytetare dhe i financave i jepet një komisioni ndërkombëtar të përbërë prej delegatësh të gjashtë fuqive të mëdha dhe një delegati të Shqipërisë.

(7) Emërimi i princit, formimi i një qeverie kombëtare përfundimtare, funksionet e autoriteve të vendit që ndodhen si dhe qetësija e popullit i lihen në dorë komisionit në fjalë.

(Cool Sigurimi i popullit dhe rregulli do të bëhet prej një organizate xhandarmërie e policie ndërkombëtare, që do të jetë në dorë të oficerëve të huaj të cilët do të kenë në dorë komandën vepruese dhe eprore të policisë e të xhandarmërisë, dhe të gjithë elementëve të nevojshëm për të siguruar qetësinë e popullit.


I lutem lexuesit me i studiuar këto pika që të formojë një vetgjykim se si mund të formohet një shtet mbi një plan si ky? Tre funksionet e një shteti janë: egzekutimi, legjislatura dhe administrimi i gjyqit. Shihet se dy të fundit nuk janë përmendur veçse si një lloj autoriteti i lënë komisionit ndërkombëtar për të formuar një qeveri kombëtare me autoritet. Funksioni egzekutiv natyrisht përfshin një kryetar egzekutues që do të ketë kontrollimin e administratave qytetare dhe të sigurimit të popullit. Marrëveshja (e Londrës) përmban një princ, por ia dha komisionit ndërkombëtar kontrollimin e administratave qytetare dhe të financave. Dhe në njërën anë e vendos sigurimin e popullit nën komisionin ndërkombetar, kurse në anën tjetër thotë: “komanda vepruese dhe eprore për të mbajtur qetësinë e popullit i jepet një organizatë ndërkombtare të kryesuar prej oficerësh të huaj”. Se çfar fuqirash i mbeten princit nuk kuptohet, kurse administratat, financat dhe sigurimi i popullit iu dhanë duarve të tjera. Sipas vendimit të marrëveshjes (së Londrës), princi do të zgjidhesh pa pyetur dëshirat e popullit dhe funksionet e autoriteteve të vendit e sigurimi i popullit u hoqën nga duart e popullit. Nuk qe vënë përpara ndonjë statut në bazë të cilit të qeverisej ky popull dhe asnjë premtim nuk i qe bërë për një liri të plotë ose për të ushtruar të drejtat tradicionale. Këtu qe vetëm një sundim tiranik dhe një despotizëm të deklaruar me urgjencë. Me sa gjykohet, kjo qe një anarki për të shkaktuar kryengritje. Po të mos ngrihesh populli Shqiptar në formën e quajtur rebelizëm, për Shqiptarët nuk do të besohej mjaft dhe do të thuhej se këta nuk kanë ide mbi lirinë që kërkojnë. Nga kjo marrëveshje e Londrës doli një ngatarresë sa nuk bëhesh më e madhe dhe më e keqe. Fuqitë e mëdha pastaj vijuan programin e tyre duke zgjedhur për antarë të komisionit gjashtë persona me pozita konsujsh. Pa e fyer këtë pozitë diplomatike, kjo vepër qe një punë e keqe sepse lëshimi i një shteti në duar të tilla nuk qe në duar të njerëzve me përvoje diplomatike. Sigurisht, që formimi i një shteti nuk u vendos në duar të përshtatshme tregohet nga fruti i veprës së tyre.


Lexo të plotë --->www.syri3.com/pdf_fajl
lat/George%20Fred%20Williams%20SHQIPTARET.pdf

Nga : George Fred Williams

Përkthyer nga anglishtja prej Shaban Ballës

NASA: Nuk ka Apokalips

Shpërthime vullkanike të mëdha, stuhi magnetike, rrezatime nga hapësira etj...

Pas vetëm dy vjetësh në Tokë do të mbretërojë ferri ose të paktën, sipas Laurenc Josef, fizikan nga SHBA dhe autori i librit "Apokalipsi 2012".



Bindjet e tij bazohen në një fakt: më 12 dhjetor të vitit 2012 do të përfundojë cikli i kalendarit Maja, qytetërimi misterioz që banoi në Amerikën Qendrore nga viti 1800 përpara Krishtit deri në vitin 1450 pas Krishtit.


Për më shumë, të nesërmen e asaj dite do të ndodhë solstici dimëror dhe Dielli do të pozicionohet në qendrën e Rrugës së Qumështit për herë të parë pas 26 mijë vjetësh...a duhet të shqetësohemi?


Pozicionimi astronomik nuk do të jetë i rrezikshëm, të paktën sipas shkencëtarëve që e mbikëqyrin hapësirën në vazhdimësi. Për shembull, në vitin 2002 pesë planete u pozicionuan në një vijë të drejtë në harkun e 33 gradëve pa shkaktuar asnjë pasojë në kozmos. Ndërsa, kultura Maja ishte një nga më komplekset në botë dhe shquhej për diturinë në fushën e matematikës dhe astronomisë. Por, e gjitha kjo po krijon një klimë ankthi në lidhje me vitin 2012, që kujton pak a shumë atë të vitit 2000. Kur sipas raporteve në të gjithë botën u shpenzuan rreth 300 miliardë dollarë për të ndërhyrë në sistemet informatike dhe për të parandaluar katastrofën e madhe.


E gjithë bota është futur në një ankth të madh dhe histeri kolektive, për shkak të kësaj teorie tragjike, por çfarë mendon NASA rreth kësaj çështjeje?


Bota nuk do të marrë fund më 21 dhjetor të vitit 2012, insiston Agjencia Amerikane e Gjithësisë në kuadër të një fushate të rrallë për të zhvleftësuar pohimet e përhapura, të nxitura nga interneti dhe filmi hollywoodian 2012, i cili përveç fundit të botës, na shfaq edhe një version modern të Arkës së Noas të mbushur me kafshë dhe njerëz të përzgjedhur nga elita botërore për të nisur ciklin e ri të jetës nga e para.


Filmi më i fundit, "2012", që bëri bujë duke u shfaqur në të gjitha kinematë botërore dhe, duke shfrytëzuar "famën e momentit" të nxitur nga teoritë konspirative të apokalipsit, paraqiti një produksion 200-milionë dollarësh rreth fundit të botës, që bazohet në mitet e mbështetura nga kalendari i Majave.


Skenari apokaliptik rrotullohet rreth pohimeve se fundi i botës do të vijë kur Planeti X - apo Nibiru - do të përplaset me Tokën. Planeti misterioz thuhet se është zbuluar nga sumerët, sipas pohimeve të pseudo-shkencëtarëve, entuziastët e aktiviteteve paranormale dhe teoricienët në internet.


Disa faqe në internet e akuzojnë NASA-n se është duke e fshehur të vërtetën rreth ekzistencës së planetit, mirëpo Agjencia Amerikane e Gjithësisë i ka hedhur poshtë këto pohime, duke i quajtur "Mashtrime në internet".


"Nuk ka bazë faktike në këto pohime", kanë thënë përfaqësuesit e NASA-s". "Po të kishte ndonjë të vërtetë në përplasjen e tillë, astronomët do ta kishin përcjellë së paku gjatë dekadës së kaluar dhe deri më tani ai planet do të mund të shihej nga të gjithë", kanë thënë astronomët. "Është evidente se ai planet nuk ekziston".


"Shkencëtarët e besueshëm në tërë botën e dinë se nuk ekziston ndonjë kërcënim i lidhur me vitin 2012", ka shtuar NASA.


Ekziston një planet tjetër, Eris, që është duke lëvizur në hapësirë. Megjithatë, ky planet i vogël, i ngjashëm me Plutonin, do të mbetet në pjesën e jashtme të sistemit diellor dhe nuk mund të afrohet më shumë se 6.4 kilometra me Tokën, sipas NASA-s. NASA ka insistuar se kalendari i Majave në të vërtetë nuk merr fund më 21 dhjetor të vitit 2012, pasi që një periudhë tjetër fillon menjëherë pas tij.


Një teori tjetër, të cilën NASA e ka zhvleftësuar janë stuhitë gjeo-magnetike, ndërrimi i poleve apo jostabiliteti i pllakave të Tokës. Për shembull, disa mite pohojnë se rotacioni i Tokës dhe polariteti magnetik janë të lidhura me një ndërrim polesh që ndodh çdo 400.000 vjet.

"Me sa e dimë ne, një ndërrim i tillë magnetik nuk ka ndikim në jetën në Tokë" dhe ndërrimi i rotacionit të Tokës është "i pamundur", ka siguruar NASA.


Po ashtu, edhe pse kometat dhe asteroidet gjithnjë e kanë goditur Tokën, "goditjet e mëdha janë shumë të rralla", ka theksuar NASA. Goditja e fundit e madhe besohet se kishte ndodhur 65 milionë vjet më parë, duke shkaktuar fundin e periudhës së dinozaurëve.
"Tashmë e kemi parë se nuk ka asteroide aq të mëdhenj sa ai që vrau dinozaurët", ka thënë Agjencia e Gjithësisë.


G. Express

Misteret e dëshirës seksuale femërore

Një marrëdhënie është më e kënaqshme në moshë të re apo madhore?

Si ndikojnë ndryshimet e trupit mbi erosin?


Transformimi i jetës në shtrat në moshën 20, 30, 40, 50 dhe 60-vjeçare. Zbulimi i sekreteve të cilat nuk i njohim dhe arritja e kënaqësisë në çdo moshë.

Mendoni se seksi më i zjarrtë bëhet kur jeni të rinj dhe trupi është në periudhën e tij më të mirë?

Të dashura gra, gaboheni nëse mendoni kështu. Nëse në moshën 20-vjeçare, marrëdhënia është më pasionante, kjo nuk do të thotë se me kalimin e viteve, ajo zbehet, sepse fuqia bie dhe nuk ndihet më e njëjta kënaqësi.

Trupi në moshën 20-vjeçare

Në këtë moshë, trupi është “i përkryer”.
Cikli i menstruacioneve është stabilizuar dhe gjatë ovulimit “libido” është në maksimumin e vet: dëshira seksuale rritet falë estrogjeneve dhe androgjeneve. Në këtë moshë rritet po ashtu eksitimi dhe sekretimi, për këtë arsye, është më e lehtë të arrihet orgazma. Megjithatë mosha 20-vjeçare nuk është e lidhur domosdoshmërisht me “shpejtësinë seksuale”. Shumë vajza i kalojnë problemet që lidhen me imazhin e tyre dhe eksitimin e shpeshtë të trupit. Në vitet kur ato kërkojnë stabilitet në jetë, si në atë profesionale dhe sentimentale, seksi është më shumë eksperiment sesa shijim. Ankthi është gjithnjë i pranishëm në jetën e tyre.

Në moshën 30-vjeçare

Në këtë moshë, trupi nuk është më aq perfekt, fillon dalëngadalë ndryshimet e para.
Testosteroni, që në moshën 20-vjeçare është në nivelin maksimal, fillon gradualisht të pakësohet. Por mos u dëshpëroni. Lajmi i mirë është se në këtë moshë, numri i orgazmave shtohen. Nëse kur ishit 20 vjeçe, nuk kishit mësuar ta vlerësonit trupin tuaj, bëjeni tani dhe mos humbisni më kohë. Si pasojë, edhe seksi bëhet më argëtues: nuk keni më nevojë të bëni performanca para partnerit, apo t’i magjepsni me gjestet tuaja. Është momenti i duhur për të mos i paragjykuar më femrat e tjera dhe të përqendroheni te vetja e te nevojat tuaja. Fakti që jeni në garë me gratë e tjera nuk sjell gjë tjetër veçse pakënaqësi, dhe kjo gjë nuk është aspak e mirë për ju. Bukuria e femrave të tjera nuk ju bën ju të dukeni më pak e bukur. Mos e nënvlerësoni rininë tuaj, vetëm sepse mendoni se pjekuria është më e rëndësishme, sidomos në shtrat. Bukuria dhe rinia janë po aq të rëndësishme sa pjekuria në shtrat.

Në moshën 40-vjeçare

Nga studimet dhe sondazhet e ndryshme rezulton që në moshën 40-vjeçare, femrat duan të bëjnë më shpesh seks sesa kur janë të reja.
Por problemi është se në këtë moshë vagina fillon të humbasë elasticitetin dhe si pasojë të dobësohet. Edhe eksitimi mund të bëhet më i vështirë për t’u arritur. Por nuk ka asgjë që nuk shkon tek ju. Mund të përdoren xhelëra lubrifikues për të arritur më lehtë orgazmën. Megjithatë edhe kjo fazë e jetës ka avantazhet e saj. Femrat fitojnë më shumë siguri në vetvete dhe shumë prej tyre zbulojnë se janë me të vërtetë tërheqëse. Bëni një eksperiment: merrni një fotografi të gjyshes dhe nënës suaj kur kanë qenë sa ju: ajo që ju bie menjëherë në sy është fakti se ju jeni më të reja se ato. Kur jeni 20 vjeçe kërkoni gjithmonë vëmendjen e të tjerëve. Por sensualiteti juaj nuk duhet të bazohet vetëm mbi mendimin që të tjerët kanë për ju, por si e shihni ju veten me sytë tuaj. Seksi mund të mos jetë më aq i zjarrtë sa në fillim, por sërish ju bën të ndiheni mirë dhe ju kënaq.

Në moshën 50-vjeçare

Në këtë moshë është koha e menopauzës, edhe pse ajo mund të mos jetë shfaqur ende. Një nga problemet që sjell kjo moshë është tharja vaginale, muret e saj janë më të holla dhe më pak elastike. Bie dëshira për të bërë seks, femrat e kanë të vështirë të eksitohen, ndiejnë ankth, depresion dhe vuajnë nga humori i keq që shkaktohet nga një trup i cili vazhdon të ndryshojë (për keq). Por jo të gjitha këto shqetësime janë të pranishme te 50-vjeçaret. Shumë femra e përjetojnë mungesën e menstruacioneve si një çlirim dhe janë më të gatshme ndaj eksperimenteve seksuale. Seksi mund të jetë si vera: sa më shumë të rrijë, aq më e këndshme bëhet. Edhe me femrat ndodh e njëjta gjë: me kalimin e viteve bëhen më të mira. Për to, fakti që bëhen më egoiste në shtrat është avantazh. Nëse në moshën 20 dhe 30-vjeçare janë të gatshme të shtiren që gjoja arrijnë orgazmën për të mos lënduar partnerin, kur janë 50 vjeçe “bëjnë gjimnastikë në shtrat” jo për të vënë në lëvizje muskujt, por për të ndier kënaqësi. Kështu në këtë moshë, ndonjëra prej tyre mund të bëjë gjëra të cilat nuk ka guxuar t’i provojë kur ishte e re, sepse tani ndihet më e sigurt në vetvete. Problemi është se nuk mund të bësh seks kur ke pak vetëvlerësim.


Trupi në moshën 60-vjeçare

Disa sëmundje që lidhen me moshën janë armiket e erosit. Artriti, reumatizma, diabeti dhe pirja e disa ilaçeve mund të ndikojnë negativisht në nivelin hormonal. Megjithatë ulja e nivelit të “libidos” mund të jetë normale. Një jetë seksuale e kënaqshme nuk është e lidhur me rininë, por vazhdon të zgjasë edhe në pleqëri. Për këtë arsye është e rëndësishme të mbani në formë trupin me ushtrimet e duhura. Duhet të adaptoni një stil jetese të shëndetshëm dhe ta pranoni trupin tuaj ashtu siç është: seksi në moshën 60-vjeçare mund të jetë më i kënaqshëm se në moshën 30 dhe 40-vjeçare, falë përvojës së madhe në jetë.


G. Shqip

Fotoja e mëposhtëme është vetëm për humor.

"Borxhlinjtë elitarë"

Kushdo që ka hapur një biznes në Shqipërinë tonë, sigurisht që e njeh fare mirë fenomenin e borxhit. Nuk ka biznese të cilëve klientët e tyre nuk i kanë para borxh, për produktet që kanë konsumuar.

Por sot nuk do diskutojmë rreth borxhlinjve që mbushin listat dhe fletoret e shënimeve të borxheve nëpër ushqimore. Nuk do flasim për borxhlinjtë, që marrin borxh sepse nuk kanë para për të shtyrë fundin e muajit, por për një kategori shumë të veçantë borxhlinjsh.

Borxhlinjtë për të cilën do të diskutojmë, janë borxhlinj elitarë. Ata vishen bukur, kanë pasuri, truall, shtëpi, makinë, mund të mbajnë dhe ushqejnë edhe kafshë shtëpiake, jetojnë në luks, por gjithashtu mund edhe të mos punojnë fare. Ata ju kërkojnë para borxh në mënyrë urgjente edhe pa iu njohur mirë, duke ju prekur në sedër e duke aktruar. Janë artistë të vërtetë, mjeshtra, profesionistë të aktrimit.

Nga pamja e parë ju lënë idenë e disa njerëzve të një shtrese të lartë, njerëz seriozë dhe me moral, të cilët fare rastësisht atë ditë gjenden pa para. Mund t'iu joshin duke ju premtuar edhe përqindje marramendëse për paratë që i duhen. Nëse keni para me vete, është pothuajse e pamundur ti rezistoni. Ata ju marrin borxh shuma të mëdha dhe j'ua kthejnë brenda afatit apo edhe më herët disa herë rrjesht, sa të fitojnë besimin tuaj. Imponimi dhe siguria e tyre është gjithashtu profesionale, sepse borxhin ata e kanë profesion dhe art bashkë. Kjo është mënyra se si ata jetojnë, madje në një komoditet për tu patur zili...

Duke përfituar nga dhembshuria dhe keqardhja jonë, ata mashtrojnë çdo ditë njerëz të të gjitha shtresave. Pasi gllabërojnë individë dhe biznese të ndryshme përmes mashtrimit, ata gjithmonë shpërngulen pa lënë nam e farë.

Dikush do të pyeste :"Po si dreqin e bëjnë gjumin e natës, me gjithë ato borxhe në të cilat futen..."? dhe përgjigja do të ishte: "Si kokrra e mollës" dhe shumë më të qetë se njerëzit të cilëve u kanë marrë para borxh.

Ndodh që ndonjë kokëshkretë e xhepshkretë iu vihet nga pas, për të marrë paratë e veta dhe këtu nis akti i dytë i komedisë.
Ata të prekin në sedër sërish, krijojnë me imagjinatën e tyre gjithshfarë labirintesh për t'u justifikuar. Eshtë shumë e vështirë ti kapësh mat, sepse të masin pulsin me provokime të të gjitha llojeve, nga më të paimagjinueshmet dhe jo rrallë herë njerëzit që shkojnë për ti marrë paratë që iu kanë borxh përfundojnë ti japin përsëri të tjera para.

E megjithatë këta njerëz janë frikacakë edhe pse janë të sigurt që vlejnë më tepër gjallë se sa vdekur. Ju bëj një thirrje të gjithëve, të mos jepni para borxh në asnjë formë me shuma të mëdha dhe tek njerëz jo shumë të njohur. Dhembshuria dhe dashuria për njeriun është virtyti mbi të cilin këta njerëz parazitojnë.

Ndërkohë pyes veten, çfarë mund ti kishin dhënë shoqërisë këta njerëz nëse aftësitë e tyre do ti vinin në shërbim të saj...?

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Gaza, aktivisti shqiptar tregon për incidentin e rëndë në anije

Sead Ramadani, shqiptar i Maqedonisë, është një nga aktivistët që gjendej në anijen qe u sulmua ne Gaza nje jave me pare.

BBC: Si do ta përshkruani misionin ku bënit pjesë edhe ju?


Z. Ramadani: Ai udhëtim për ne ishte shumë historik, ishte një kompleks kombesh të bashkuara, pjesëtarë të 70 shteteve përmes organizatave joqeveritare, normalisht, në misionin humanitar për ta thyer embargon e hekurt prej kaq vitesh ndaj popullit palestinez në Gaza.

Pse vendosët të ndërmerrnit një mision të tillë humanitar, çfarë ju shtyu?


Ramadani:Ajo që më shtyu jo vetëm mua, por të gjithë shokët tanë është se kemi bërë llogari të pastërta për një popull i cili pas luftës është mbyllë në embargo. Imagjinoni jetën e fëmijve në atë rajon sesi mund të jetë dhe, sigurisht, që të gjithë fëmijët e asaj zone kanë bërë thirrje për ndihmesë dhe asaj thirrjeje iu janë përgjigjur, fatmirësisht, shumë shtete të botës në këtë anije.

Domethënë, kjo situatë është e mjaftueshme që të shtyjë edhe një shqiptar të Maqedonisë për të qenë aktiv ose humanist për të drejtat e një populli tjetër?


Ramadani: Fatkeqësisht tek ne mungojnë këto ndjenja edhe pse shqiptarët janë shumë humanë, mirëpo në këto iniciativa ndërkombëtare jemi pak të vonuar, për mendimin tim.

Zoti Ramadani, ju ishit pjesë e karvanit të anijeve që ishin nisur drejt rripit të Gazës ndaj të cilit pati një ndërhyrje nga ushtria izraelite. A mund të përshkruani situatën? Ku ndodheshit ju në ato momente?


Ishim në anije bashkarisht me gjithë të tjerët. Kushtet në anije ishin shumë të mira dhe ishte një harmoni shumë e mirë, por atë harmoni e prishën, nuk mund të them ushtria izraelite sepse nuk do quhej e tillë me sjellje të tilla, ata mund të jenë vetëm një grup kusarësh të cilët ndërhynë në mënyrë mjaft të parregullt ndaj njerëzve civilë, edhe ata me qëllime humanitare. Ata ndërhynë jo në ujërat e Izraelit, por 100 km jashtë kufirit të Izraelit.

Ju dhe bashkëudhëtarët e tjerë, sidomos shtetasit e tjerë nga Maqedonia, nuk pësuat gjë nga kjo ndërhyrje. A e patë situatën atje, çfarë ndodhi konkretisht?


Ramadani: Në anije kishte të krishterë, hebrenj dhe myslimanë. Ishte mëngjes herët dhe myslimanët po faleshin. Ishte një sulm i papritur dhe shumë i panjohur për ne, për shkak se ne nuk dinim kush po na sulmonte dhe përse po na sulmonte dhe, normalisht, duhet të mbroheshim me mundësitë që kishim duke mos i lënë të futeshin në anije. Mirëpo ne nuk ishim në dijeni se ato ishin të organizuar me helikopterë e me anije luftarake të mëdha e të vogla.

Zoti Ramadani, familjarët tuaj këtu në Maqedoni u ankuan dhe për keqtrajtimin tuaj nga autoritetet izraelite për sa kohë ju mbajtët atje?


Ramadani: Për 24 orë rresht na mbajtën me duar të lidhura, duke i kryer të gjitha nevojat personale me duar të lidhura, pa ngrënë gjatë atyre 24 orëve. U trajtuam sikur të mos ishim organizata humanitare, por sikur të ishim terroristë.

A do të kishit ndërmarrë përsëri një inisiativë të tillë humanitare pas gjithë asaj që kaluat?


Ramadani: Po, pa asnjë lloj dyshimi sepse këto janë iniciativa humanitare.

Shekulli

Friday, June 4, 2010

Kodi i Shqipes

Kodi i shqipes apo çelsi i shqipes, që zbërthen çdo fjalë të gjuhës shqipe, si dhe të gjuhëve të kultivuara të botës.


Fjalët në gjuhën shqipe dhe ndër gjuhë të huaja janë zhvilluar sipas skemës :

Vargjet I.yll (al, el, il, ol, ul, la, le, li, lo, lu ; po kështu, bl, fl, vl)

- II ar (ar, er, ir, or, ur, ra, re, ri, ro, ru)

- III jam (am, an, em, en, im, in,om, on, um, un, ma, na, me, ne, mi, ni, mo, no, mu, nu ; as, es, is, os, us, sa, se, si, so, su ; ash, esh, ish, osh, ush, sha, she, shi, sho, shu; az, ez, iz, oz, uz, za, ze, zi, zo, zu, azh, ezh, izh, ozh, uzh, zha, zhe, zhi, zho, zhu).

Rrënjët e thjeshta të shqipes, janë zhvillime të këtyre vargjeve sipas formulave:

x * (j)am
x * yll;
x * ar;


Kështu ne kemi :

foljen them sipas formulës x * (j)am ku x = t, d, th, dh :
(tam, tan, tem, ten, tim, tin, tom, ton, tum, tun, mat, nat, met, net, mit, nit, mot, not, mut, nut; tas, tes, tis, tos, tus, sat, set, sit, sot, sut).

Të vargut me rrënjë them janë dhe ta, te, ti, to, tu, at, et, it, ot, ut.
Po kështu kemi : dam, dan, dem, den, dim, din, dom, don, dum, dun, mad, nad, med, ned, mid, nid, mod, nod, mud, nud; das, des, dis, dos, dus, sad, sed, sid, sod, sud; tham, than, them, then, thim, thin, thom, thon, thum, thun, math, nath, meth, neth, mith, nith, moth, noth, muth, nuth; thas, thes, this, thos, thus, sath, seth, sith, soth, suth ; tha, the, thi, tho, thu, ath, eth, ith, oth, uth ; dham, dhan, dhem, dhen, dhim, dhin, dhom, dhon, dhum, dhun, madh, nadh, medh, nedh, midh, nidh, modh, nodh, mudh, nudh; dhas, dhes, dhis, dhos, dhus, sadh, sedh, sidh, sodh, sudh ; dha, dhe, dhi, dho, dhu, adh, edh, idh, odh, udh.

Folja kam (ca, ce, ci, co, cu, cam, cem, cim, com, cum, ka, ke, ki, ko, ku, kam, kem, kim, kom, kum, mak, mek, mik, mok, muk, mag, meg, mig, mog, mug etj.) është një zhvillim i foljes jam nga togfjalëshi q’jam.

Nga x*yll ku x = c, ch, h, j, k, g, gj, q, qu, y
kemi cal, cel, cil, col, cul, lac, lec, lic, loc, luc, cla, cle, cli, clo, clu ; chal, chel, chil etj.
.
Nga x* yll ku x = t, d, th, dh
kemi :
dal (dal, del, dil, dol, dul, lad, led, lid, lod, lud; dla, dle, dli, dlo, dlu; tal, tel, til, tol, tul, lat, let, lit, lot, lut; tla, tle, tli, tlo, tlu; thal, thel, thil, thol, thul, lath, leth, lith, loth, luth; thla, thle, thli, thlo, thlu; dhal, dhel, dhil, dhol, dhul, ladh, ledh, lidh, lodh, ludh; dhla, dhle, dhli, dhlo, dhlu;)

Nga x* yll ku x = b, f, m, p, v etj.
kemi: mal, mel, mil etj. (të cilat vijnë në fakt nga një (a)mal, jam al, yll; emel, emil, emul etj.). Edhe rrënja shqipe mall (dëshirë) rrjedh në këtë rrugë. Më tej kemi pal, pel, pil, pol, pul, pla, ple, pli, plo, plu; val, vel, vil, vol, vul, lav, lev, liv, lov, luv e kështu me rradhë bal, fal etj.

Nga x*ar ku x = c, ch, k, j, g, sh, x
kemi :
Kre, krye car, cer, cir, cor, cur, cra, cre, cri, cro, cru ; char, cher, chir, chor, chur, kar(a), ker, kir, kor, kur … gar, ger, gir, gor, gur, gra, gre, gro, gru etj.

Nga x*ar ku x = t, d, th, dh
kemi :
thërras tar, ter, tir, tor, tur, rat, ret, rit, rot, rut; tra, tre, tri, tro, tru; dar, der, dir, dor, dur, rad, red, rid, rod, rud; dra, dre, dri, dro, dru; thar, ther, thir, thor, thur, rath, reth, rith, roth, ruth; thra, thre, thri, thro, thru; dhar, dher, dhir, dhor, dhur, radh, redh, ridh, rodh, rudh; dhra, dhre, dhri, dhro, dhru;

Në zbërthimin etimologjik të shqipes dhe të gjuhëve të tjera vlen të veçohet blloku i rëndësishëm fjalëformues i shqipes: togfjalëshi “që + jam”, që merr trajta të shumta sipas formulës x * (j)am ku x = c, ch, ç, h, k, j, g, gj, qu, y.
Kështu p.sh. shqipja gjysh dhe gjermanishtja Kiste janë e njëjta fjalë e shkruar në dy mënyra të ndryshme. Gjysh vjen nga babagjysh, “ay ay q’ish” dhe Kiste vjen nga një “ar + kishte”. Siç kuptohet dhe nga këto dy shembuj shumë fjalë në përdorim sot në shqip dhe në gjuhë të huaj nuk shprehin gjë të madhe. Kuptimi i tyre rrjedh nga fjalë më të plota pjesë e të cilave kanë qenë në rastin tonë gjysh dhe Kiste. Edhe it. gusto don të thotë thjesht: “që ishte”. Ajo sot ka kuptimin e shijes, por etimologjikisht është një fjalë pa kuptim në qoftë se ne nuk e lidhim këtë togfjalësh të ngurtësuar me Augustin dhe periudhën e tij, ashtu si dhe vetë Augustin me një Aegjeas grek.

Tek greqishtja shumë fjalëve u këputet filli, por jo etimologjia e tyre shqipe. Që ky fill të rilidhet dhe historia të rindërtohet, që etimologjia e gjuhëve të ngjitet më lart në kohë e të përvijohet sipas rrjedhës së vet të natyrshme kërkohet dhe ndihma e munguar e shumë bibliotekave të botës, të cilat duhet të bëjnë publike shumë nga dorëshkrimet, që presin ende të shohin dritën e diellit. Pa dorëshkrime të vjetra të shqipes nuk ka qenë e mundur të zhvillohet asnjë gjuhë e kultivuar në botë, pasi të gjithë gjuhët e vjetra e nisin startin e tyre nga një pikë shumë e lartë zhvillimi mendor e intelektual (leksikor, morfologjik, sintaksor e semantik).
Ekzistenca e dorëshkrimeve dhe zhvillimi i kulturave greke, latine etj. është teorikisht i pakuptueshëm dhe praktikisht i pamundur, po qe se ne nuk pranojmë apriori një trashëgimi relativisht po aq të lartë zhvillimi të gjuhës shqipe dhe të dorëshkrimeve të saj, tek të cilat është vjelur lënda e parë leksikore dhe morfologjike, që ka çuar në shkrimin e sintaksave të reja të greqishtes së vjetër, latinishtes etj.
Po aq i rëndësishëm sa togfjalëshi “që + jam”, në punën etimologjike të gjithësejcilit është e domosdoshme të njihet dhe të kuptohet ndërvarja kuptimore mes rrënjëve të tilla primordiale të shqipes si yll, au (ai, ay), ar, kreu, një(shi), parë (i), majë, qiell, pjell etj.

Një ndërvarje të tillë mes rrënjëve Yll dhe Ay, kanë patur parasysh shkencëtarët izraelitë kur kuptuan dhe arritën të zbërthenin një mbishkrim kohët e fundit të relikeve arkeologjike të kreut të mijëvjeçarit të parë para Krishtit, që lidhen me fjalën Golgotha.

Me vargjet e mësipërme dhe me rrënjët elementare të shqipes si bëj, di, fus, gjej, men(d), mes, ngjaj, heq, kap, pe, pa, rris, shoh, shkoj, them, thirr, vij, uj(ë) etj. janë ndërtuar shumica e lëndës leksikore të gjitha gjuhëve.
Në punën etimologjike hasen edhe kapërcime të zhdërvjellta e zëvendësime të befasishme mes rrënjëve të hershme të shqipes si p.sh. mes yll, ai, ay, dhe pasthirrmës i!, mes foljeve bëj dhe vij, mes foljeve di dhe thi (them), mes ta (tha) dhe ndaj, mes del, tel dhe ter, tir (thërras).
Mjaft prej tyre janë kalime të natyrshme dhe i përkasin kohës kur rrënjët e tilla nisën të ndaheshin e të dalloheshin kuptimisht qartë njëra nga tjetra, apo edhe ngatërroheshin lehtë nga dijetarë të huaj joshqipfolës, kombinimet e tjera janë frut i punës krijuese të leksikografëve dhe dijetarëve, të cilët për arsye të ndryshme kanë preferuar të largojnë termin e ri të krijuar prej tyre nga rrënjët e mëparshme duke errësuar kështu etimologjinë e fjalës. Këtu mund të përmendim p.sh. prapashtesën tel të sllavishtes, e cila në mjaft raste duhet lexuar ter (thërras, quaj).

Përpjekja e çdo studiuesi në fushë të etimologjisë është që të sjellë fjalën – objekt të studimit të tij në atë trajtë që të jetë e zbërthyeshme në rrënjë elementare shqipe, që formojnë një fjalë me kuptim në gjuhën shqipe. Ky është një rregull i përgjithshëm për çdo gjuhë tjetër jo shqipe.

Kjo arrihet duke hulumtuar në thesarin e madh të gjuhëve të ndryshme deri sa të gjendet ajo fjalë kyç nga e cila ka dalë fjala, që ne kërkojmë të zbërthejmë.

Edhe në periudhat më të errëta të njerëzimit, dija njerëzore është zhvilluar në vijimësi. Ajo kurrë s’ka patur shkëputje. E reja, novatorja nuk mund të jetë një zhvillim, një kërcim nga hiçi. Ky kod i shqipes që po ju parashtrojmë, ka qenë një gjë e re për mua, dhe unë në çdo hap kam ndjerë gëzimin e krijimit, pasi s’kam patur një udhëheqës që të më drejtonte në punën time. Megjithatë, ne mendojmë se ky kod i shqipes ka ekzistuar, ai ka qenë i ditur në rrethe të ngushta dijetarësh, pasi terminologjia e gjërë dhe e shumëanshme shkencore në të gjitha fushat e dijes, nga botanika deri te atomistika, nga neologjizmat e vjetra deri te ato të reja, nuk do të mund të konceptoheshin e as të krijoheshin pa ditur mirë shqipen.

Kodi është mbajtur i fshehur për shkaqe të natyrave që s’kanë të bëjnë me Dijen, por me Padijen si Mohim i së drejtës themelore të çdo individi për të patur shanse të barabarta në fushën e arsimit dhe të informacionit.

Njohja e kodit të shqipes, studimi i shqipes së vjetër dhe të re, si dhe i pasurisë gjuhësore të popujve të tjerë, tej kufizimeve ideologjike, do t’i jepte etimologjisë një forcë të re. Një dritare e re do të hapej përpara dhe askush nuk do të dilte i humbur. Do të lidheshin mes tyre gjëra që deri më sot janë trajtuar të shkëputura, marrëdhëniet mes popujve dhe kulturave do të merrnin një dimension të ri, që do të kontribuonte në forcimin e miqësisë mes tyre.

Çlirim Xhunga
Tiranë, 21 nëntor 2005

Ja pse Princesha Lady Diana mund të jetë vrarë

Mansfield: Lady D. do bënte publike përfshirjen e Britanisë në tregtinë e minave.


Juristi britanik deklaron se princesha e Uellsit është eliminuar me paramendim.
Princesha e Uellsit, Lady Diana, mund të jetë vrarë pasi ajo planifikonte të publikonte fakte se disa zyrtarë të lartë britanikë ishin të përfshirë në tregtinë e minave.

Kjo pistë e re rreth vrasjes së saj është hedhur nga njëri prej juristëve më me emër në Britaninë e Madhe i quajtura Michael Mansfield QC. Avokati Mansfield i cili mbrojti Mohamed al-Fayed, babain e të dashurit të princeshës, Dodi al-Fayed, gjatë hetimit për vrasjen ka deklaruar për herë të parë se Diana kishte një ditar në të cilin ishin shkruar të dhëna për njerëz të përfshirë në prodhimin e minave tokësore. “Të gjithë mbajnë mend që Diana ishte një aktiviste për çminimin e zonave tç nxehta. Po ashtu të gjithë ne e dimë rolin e Britanisë në tregtinë e armëve, në veçanti atë të minave. Për këtë çështje princesha kishte planifikuar një udhëtim në Kamboxhia pas atij në Angola dhe ngritjen e një instituti për këtë çështje”, ka deklaruar Michael Mansfield.

Duke treguar detaje te reja të panjohura deri më tani, Michael Mansfield, thotë se një numër i madh minash prodhohen në Britani dhe se një person shumë afër Dianës i ka treguar atij se ajo po përgatitej t’i ekspozonte ata të cilët ishin të përfshirë në këtë tregti. Gjithashtu ai deklaroi gjatë një festivali në Uells se një kuti me dokumente që përmbante informacione të rëndësishme është zhdukur. Sipas avokatit Mansfield ai nuk e di se çfarë kishte në atë kuti, por i është treguar se brenda saj ndodhej ditari me të dhëna rreth tregtisë së armëve apo korrespondenca mes saj dhe familjes mbretërore. Duke përfunduar deklaratën e tij, Mansfield tha se ai besonte që aksidenti i Parisit ku mbetën të vdekur Pirncesha Diana dhe Dodi al Fayed ishe më shumë se një aksident i thjeshtë.


Një princeshë e gjallë
Britanikët kanë ditur gjithnjë të heshtin, në drekat familjare ku hahet në heshtje dhe në emocionet e forta, shprehur me një dorë në sup, por, më 6 shtator 1997, ata e tejkaluan veten. Londra, kryeqyteti i madh, ra në heshtje teksa më shumë se një milion vajtues të Dianës qëndruan në heshtje gjatë rrugës për në varreza. Tashmë, më shumë se një dekadë pas vdekjes së Dianës, më 31 gusht 1997, është kthyer në diçka më të zakonshme se festivali i vajtimit të saj, i cili kulminoi në funeralin e saj të jashtëzakonshëm, që shënoi një transformim momenti kur virtytet e vjetra britanike dhe vuajtja në heshtje e “s’duhet qarë” dhe “mund të ishte më keq” i liruan rrugë katarsisit të shprehur publikisht. “Njerëzit e Princeshës” ç’kyçën zemrat, rivendosën vlerat, vendosën triumfin e inteligjencës emocionale mbi intelektin e ftohtë, mallëngjimin mbi traditën.Në këtë tetor do të rifillojë nga gjykata britanike hetimi për vdekjen e saj, hetimi i tretë që do të ekzaminojë aksidentin fatal në Paris. Pas më shumë se dhjetë vitesh, Diana është akoma britanikja më e famshme në botë, por disa prej patriotëve të saj mendojnë se ajo nuk ka bërë më shumë sesa ka ndërruar fustanet e markave të ndryshme dhe është zhvendosur nga një tabloid në tjetrin. Këtu hyjnë në lojë disa fakte të pakundërshtueshme.Diana “shkundi” monarkinë britanike dhe shpejtoi modernizimin e saj. Ajo ndihmoi në reduktimin e paragjykimeve ndaj të sëmurëve me SIDA. Ajo shkoi në vendet e minuara. Këto janë arritje mjaft të mëdha për një grua jo shumë të arsimuar, e cila tallej me veten e saj duke u shprehur se ishte “e trashë si një dërrasë”. Shtoji kësaj dhe arritjet e një lloji më të dyshimtë, manipulim mjeshtëror të imazhit mediatik dhe kjo duhet thënë drejt, një dekadë pas vdekjes së saj, Diana mbetet një prezencë e pashmangshme në jetën britanike, një fantazmë e shqetësuar dhe joshëse. Ka ardhur koha për t’u zhytur më thellë, aty ku ajo jeton ende.


Një jetë që preku
Kur Diana 19-vjeçare e pyeti Çarlsin nëse ai e dashuronte, i fejuari i saj i vrazhdë u përgjigj “them se po”.

Mbretërorët kujtonin se e njihnin dashurinë. U ngjante me patriotizmin. Ishte plot respekt dhe valëviste flamuj. Nuk ngashërehej rrugëve apo të ulërinte si një vajzë adoleshente teksa shkulte flokët para këngëtarit të saj të adhuruar. Dhembshuria e heshtur e britanikëve për Elizabetën II, zor se është lëkundur në mbretërimin e saj 54-vjeçar. Kishte një zbaticë nga viti 1998, në kohën kur Diana gëzonte kulmin e vëmendjes, por dhe atëherë popullariteti i mbretëreshës nuk shkonte poshtë 66 për qind. Tani ky popullaritet është 85 për qind.Padyshim që gjithnjë ka pasur mospajtime. 18 për qind e britanikëve kanë kërkuar heqjen e monarkisë që prej vitit 1969. Kjo shifër s’ndryshoi ndonjëherë, njësoj si sensi i modës së Mbretëreshës. Më pas Diana vdiq dhe për një javë numri i republikanëve u shtua. Mbretëresha nuk jep kurrë intervista, një politikë e mençur që ka ndihmuar në ruajtjen e mistikës së potershme të anëtarëve të familjes mbretërore. Por, ndërsa nënshtetasit e saj vajtonin rrugëve, mbi lulet e vyshkura dhe trotuareve, mungesa e Mbretëreshës u duk ose i papjekur ose i akullt. Dickie Arbiter, ish-sekretari i zyrës së shtypit të Mbretëreshës, Çarlsit dhe Dianës, u shpreh se nuk bëhej fjalë as për zemërngushtësi dhe as për papjekuri. “Mbretëresha sigurisht që do ta nderonte kujtimin e Dianës. Por ajo vendosi që në fillim që të mbante fjalimin e saj menjëherë para funeralit. Gjithë ky shpërthim erdhi për shkakun se ajo ishte në Balmoral (kështjella në Skoci) në atë kohë dhe jo me turmën që vajtonte në Londër. Por Ulliami dhe Herri (djemtë e Dianës) kishin nevojë për të më shumë se mijëra njerëz që po “i bënin xhiro” Klineksit (markë pecetash)”.

Emri i plotë: Diana Frances Spencer
1 korrik 1961 – 31 gusht 1997

Titulli: Diana, Princesha e Uellsit
Bashkëshorti: Çarlsi, Princi i Uellsit
Fëmijë: Ulliam dhe Herri

- Diana u shkollua në “Silvield School”, më pas në “Riddlesworth Hall”, një shkollë speciale për djem dhe vajza, ku ajo konsiderohej si një nxënëse me performancë të dobët në mësime.
- Në vitin 1977, në moshën 16 vjeçare ajo ndoqi Institutin “Alpin Videmanette” në Zvicër. Në atë kohë ajo takoi për herë të parë bashkëshortin e saj të ardhshëm, i cili në atë kohë shoqërohej me motrën e saj, Lady Sarah.
- Diana shkëlqente në not dhe zhytje dhe dëshironte të bëhej balerinë, por nuk e ndoqi dot pasionin e saj për arsye të gjatësisë trupore.
- Diana dhe Çarlsi u fejuan zyrtarisht më 24 shkurt, 1981 dhe u martuan më katedralen e Shën Palit më 29 korrik, 1981.
- Pas shumë problemeve që vinin si pasojë e spekulimeve se Çarlsi kishte filluar sërish të frekuentonte dashurinë e tij të vjetër Kamilën dhe skandaleve të Dianës, ata u divorcuan më 28 gusht, 1996.
- Diana përfitoi një shumë prej 17 milionë sterlinash së bashku me një urdhër zyrtar që nuk e lejonte të bënte publik asnjë detaj të familjes mbretërore dhe atyre që kishin ndodhur aty.
- Diana filloi të shoqërohej me Dodi Al-Fajed, me të cilin ajo u shfaq u hapur në publik dhe u mendua se më në fund kishte gjetur dashurinë e vërtetë.
- Më 31 gusht, 1997, Diana dhe Dodi Al-Fajed humbën jetën pas një aksidenti tragjik në Paris.

Blendina Cara, T. Observer

Meksika, mes krimit dhe shenjtorëve

Udhëtim në vendin latino-amerikan, i mbijetuar nga varfëria dhe dhuna, në pritje të një jetë të re teksa përulen para figurave religjioze aspak ortodokse.

I dënuari i quajtur El Nino, (fëmija) hyn për t’u rehabilituar në qeli, në një burg në qendër të Meksikës Perëndimore, edhe pse është vetëm 19 vjeç. Në fytyrën e tij duket qartazi një buzëqeshje qesëndisëse, pas fytyrës së “kriminelit” ngelet sërish një fëmijë, edhe pse ka gjasa që mund të dalë nga kangjellat me flokë të thinjur.

I braktisur nga familja 7 vjet më parë, El Nino u rrit nga gjyshi dhe ende pa mbushur të 19-at, shkrehu një karikator fishekësh mbi një burrë. Miku i tij i ngushtë, Antoni, një tip i veshur mirë, qëndron në qelinë përbri, i akuzuar për të njëjtin krim. “Ne jemi miq për kokë”, - shpjegon ai, ndërsa tjetri konfirmon duke tundur kokën. Nuk dihet se kur El Nino do të dalë nga burgu, por ai beson se kjo do të ndodhë shpejt, është i bindur se e mbron dikush...!

“Nuk ke për ta besuar, armët ishin para syve të policisë, por ata as që i panë...”, - shpjegon El Nino.

E gjithë kjo për shkak të një fryme të mbinatyrshme që e ndihmoi duke zbritur në tokë kur armiqtë ishin afër, konfirmon Antonio, i bindur se miku i tij është mbrojtur pikërisht nga “dikushi”, që pak më vonë mësojmë se është Santa Muerte.

A duhet ta besojmë këtë histori adoleshentësh?


Santa Morte është një ndër disa figura gati tokësore, të cilat sipas meksikanëve, ndikojnë direkt në jetën e tyre. Ata janë të bindur se ndikimi që shenjtorët kanë tek jetët e tyre është i padiskutueshëm, nga krizat ekonomike, epidemitë, pse jo edhe krimet e rëndomta të rrugëve që ndodhin në pak minuta në të gjithë Meksikën.

Të mendosh që në Meksiko, numri i vetëvrasjeve është po aq sa edhe ai i krimeve të tjera, të bën të besosh se shenjtët nuk ekzistojnë. Por, gabohemi.

Të mendosh që edhe krerët e mafies besojnë në shenjtorët e tyre që “i përkëdhelin” fatin kur janë në rrezik, kjo mund të përkthehet padyshim si një pakt që ata kanë firmosur me djallin, edhe pse këmbëngulin, se ata janë shenjtorë të mirë. Çdokush do të vinte duart në kokë, teksa dëgjon një histori të tillë: shenjtorët që favorizojnë kriminelë, narkomanë dhe përdhunues.

“Presioni emotiv dhe tensioni që po përjetojnë në këtë epokë krize qytetarët, i shtyn ata që të kërkojnë në jetën e tyre figura simbolike që mund t’i ndihmojnë, qoftë edhe për një periudhë”, - thotë Jose Luis Gonzalez, docent i besimit popullor.
Mes figurave bien në sy shenjtorët e ardhur nga ndikimi afro-kuban, duke kthyer disa të jashtëligjshëm në figura mitike, kjo në sajë të mrekullive që ata kanë bërë.

Jesus Malverde është një bandit mitik në Meksikën Qendrore, i cili ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e qytetarëve, të cilët i luten pikërisht atij, sikur të kishte qenë një personazh i ardhur nga Dhiata e Re.

Në këtë univers të përshpirtjes espanike, kulti i Shën Vdekjes, një skelet i veshur me petk të bardhë, është ndoshta shenjti që duan më shumë meksikanët. "Nga një këndvështrim mund të konsiderohet si një vend, i cili gjatë dekadës së fundit ka pasur një familjaritet të dukshëm me vdekjen”, - shpjegon Gonzalez. "Është e dukshme që ky skelet është një simbol i qartë i situatës aktuale”.

Për të kujtuar atë që përfaqëson vdekja, kjo figurë shpesh e panjohur nga meksikanët deri para pak kohësh, është shumë ndryshe nga lodra skelet që shfaqet ditën e të vdekurve. Sot, në altarin e nderit për Shën Vdekjen janë të pranishëm në të gjithë Meksikën, nga cepat e lagjeve më të varfra deri tek zonat e pasura, në qendër të qytetit të Meksikës. Pikërisht këtu, në një lagje të zhurmshme dhe rebele, çdo fillim muaji, Enriqueta Romero udhëheq një seri lutjesh që i dedikohen këtij skeleti. Gruaja e bëshme është ndër apostujt më të bindur të këtij kulti, që duket se ka lindur në Gjirin e Meksikës, por tani është përhapur në të gjithë vendin. Madje, edhe në Kaliforni dhe vende të tjera të Amerikës Qendrore, mund të shohësh të rinj që pranojnë të nderojnë Shën Vdekjen, duke gdhendur edhe tatuazhe mbi lëkurën e tyre. Më pak se një vit më parë, Ministria e Brendshme e përfshiu këtë kult në listën e besimeve të njohura zyrtarisht në Meksikë, madje e gjithë kjo u shoqërua me video, ku qytetarët mësoheshin se si të luteshin, aq sa edhe intelektualët më “chic” nisën ta konsideronin Shën Vdekjen si një kult “muy autentic” (shumë autentik).

Askush nuk do të kishte dyshim që në kryeqytetin botëror të narkotrafiqeve, qytetarët e këtij vendi të kërkojnë mbrojtje nga një personazh si Jesus Malverde, banditi dhe narko-shenjtori, që ka lindur pikërisht nga trafiku i drogës. E gjithë kjo duket një histori e frikshme, kur e gjithë popullata e këtij vendi ka qenë e lidhur pas kishës katolike që nga origjina.

***

Daniel Bucio iu dedikua Shën Judës 15 vjet më parë përmes lutjes, pasi shenjtori kishte arritur të shëronte të ëmën nga një sëmundje e gjatë dhe e dhimbshme. Tani, ai shkon rregullisht në kishëzën e vogël vendosur buzë rrugës nacionale, për të bërë lutje dhe dhurata për shtatoren e tij. Ky shenjtor duket se ka lindur si për koencidencë nga trafikantët kolumbianë, Medelin, të njohur si tej mase të përkushtuar ndaj Judës. Dita zyrtare është 28 tetori, por besnikët që kërkojnë mbrojtje e bëjnë këtë ritual pothuajse çdo ditë.

At Jesus Garcia, një prift trupvogël dhe i qeshur i përfshirë në urdhrin Clarettiani, pranon se ofrohen shumë nderë për Shën Judën, madje është i bindur në faktin se shumë nga ata që përulen para statujës gjejnë zgjidhje.

Por a nuk mund t’i duket e gjithë kjo një prifti paksa kundër rrymës?
“Paksa. Një ditë më parë pashë një politikan të njohur që më kërkoi ndihmë që të lutem për të, me qëllim që të fitonte në zgjedhje”.

Duket paksa e paqëndrueshme kjo hipotezë, e gjithë kjo siç edhe thamë se Shën Juda, është një narko-shenjtor. “Flitet se statuja i vizatua për herë të parë mbi shkopin e një trafikanti droge, por them se është një ndër të pavërtetat që tregojnë”, - këmbëngul At Gracia.

Në fakt, trafikantët meksikanë janë të vetmit që e kanë ushqyer këtë besim dhe kanë arritur që ta përhapin atë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Historia lidhet me popullin e një fshati të vogël që shtrihej rreth 480 kilometra larg kufirit të SHBA-së, që njihej për trafikun e drogës dhe atë klandestin. Pas një aksioni të policisë, aty arritën të kapen vetëm disa “peshq” të vegjël, ndërsa kapot u lanë të lirë për të vazhduar biznesin e tyre. Sipas legjendës, Malverde ishte një bandit i cili vidhte për t’u dhënë më pas ato që kishte grabitur të varfërve. Por, pas vdekjes së tij, nisën të numëroheshin dhjetëra mrekulli nga ata që preknin, apo faleshin tek varri i banditit.

Sot statuja e shenjtë e Malverde është vendosur para pallatit të qeverisë, ndërsa paretet e saj janë të mbuluara brenda e jashtë nga letra të shkruara nga besimtarët. Në disa foto ku edhe shfaqet ikona e Malverde është e rrethuar nga gjethet e marijuanës si dhe një bri dhie, që simbolizon kallashnikovin. Askush nuk e vë në dyshim statusin e padronit të shenjtë të narko-trafikantit, që është kthyer në udhëheqësin shpirtëror të një kombi të tërë.

Në qytetin e Meksikos drejtori i përgjithshëm i burgjeve mohon që brenda mureve bëhet propagandë, edhe pse në muret e brendshme të qelive mund të shohësh ikona, qirinj që fiken dhe burra të fortë që luten pareshtur. Pikërisht këtu, Antonio miku i ngushtë i El Nino nis edhe rrëfehet ngadalë para një ikone të vogël, ndoshta për t’i shpëtuar dënimit për vrasjen që ka kryer. Edhe Antonio lutet para Shën Vdekjes teksa shtrëngon duart fort pas hekurave të ftohta të qelisë së tij, karshi së cilës duket hija e përkulur e mikut të rij, El Nino. Adoleshenti gdhend në mur mesazhin e shpresës “Vdekja të qëndron pranë”.

Gjyshja e djaloshit duket e lumtur. “Ai i ka premtuar Shën Vdekjes një lule të bardhë dhe nuk ia dhuroi, kjo e bën të ndihet keq”, - thotë ajo duke qarë. El Nino dhe Antonio nuk duan të flasin shumë për shenjtin e tyre, por duan të luten, kjo është mënyra më e mirë që ato të dëgjohen, e vetmja mënyrë për të shlyer premtimin, një lule të bardhë që e kishte premtuar, por që nuk mundi ta çonte, pasi ishte i shtrënguar fort me pranga dhe jeta e këtij adoleshenti kishte marrë një tjetër drejtim.

Mbi fytyrën e tij ka një dritëz shprese edhe pse është i bindur se pas asaj që ka bërë është i bindur se edhe sikur të dalë, ka shumë mundësi që ta heqin qafe. I shtrëngoj dorën dhe ajo nuk e heq nga fytyra atë buzëqeshje engjëllore, i bindur se edhe aty brenda kangjellave ka shpresë!

G. Standart

Thursday, June 3, 2010

Më pak patriotë

Më pak patriotë Jam patriot, por e pështyj këtë tokë.

Jam patriot, por hedh plehrat ku më do qejfi. Jam patriot, por jam bërë i pasur duke trafikuar vajza shqiptare. Jam patriot, por kam vënë lekë duke bërë tendera të pandershëm. Jam patriot, por bëj pazare me ilaçet e spitaleve. Jam patriot, por blej një kostum sa rroga e 4 muajve e një mësuese filloreje. Jam patriot, por nuk paguaj taksa. J

Jam patriot, por mbështeta kryeministrin në fushatë dhe ai më bën favore.

Jam patriot, po vjedh punën e tjetrit. Jam patriot, por punët për ristrukturimin e shkollës i bëra me materiale skarco. Jam patriot, por u bëra i pasur duke fryrë kostot e ndërtimit të rrugëve shqiptare. Jam patriot, por trafikoj çdo gjë. Jam patriot, por materialet e fabrikës time i hedh te lumi i Ishmit. Jam patriot, por nuk e kam problem t’u jap çfarë të kërkojnë grekërit.

Jam patriot, por nuk më intereson se çfarë ndodh jashtë shtëpisë time. Shqipëria është apartamenti im 200 metra katrorë në këtë shumëkatëshin në qendër të Tiranës.
Patriotë të çuditshëm ne shqiptarët, të edukuar me një shije të mbrapshtë e një admirim të çka na dëmton.

Shumë punë i kemi bërë keq të gjithë e pa na u dridhur syri të parët ngrihemi e flasim për patriotizëm, ne, vendi me natyrë kaq të bukur në Evropë, e kaq i keqtrajtuar. Do të jemi vërtetë patriotë kur të mos kemi nevojë ta themi, por ta tregojmë me punën tonë.


Alba Maltezi, Balkanweb.com

Pëllumb Xhufi: Regjistrimi i pronave të minoritetit, tjetër pazar i qeverisë me

Historiani i njohur e konsideron iniciativën greke rrjedhojë e marrëveshjeve të dyshimta ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij helen.

Inventarizimi i pronave të minoritetit grek në bregdetin shqiptar është një ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit shqiptar. Kështu e ka konsideruar Pëllumb Xhufi deklaratën e ministrit të Jashtëm grek dy ditë më parë.


Sipas historianit, iniciativa greke për të regjistruar pronat e minoritet grek në jug të vendit vjen si rrjedhojë e marrëveshjeve të dyshimta të nënshkruara deri më tani mes shtetit shqiptar dhe atij grek.


Z. Xhufi, dy ditë më parë, ministri i Jashtëm grek ka deklaruar se qeveria ky ai bën pjesë është e interesuar për krijimin e një inventari të pronave të minoritetit grekë në Shqipëri. A është kjo një nismë e cila bie ndesh me legjitimitetin e institucioneve shqiptare?

Është pak e çuditshme, të paktën për mua, ajo deklaratë e dhënë publikisht nga ministri i Jashtëm grek ku bëhet më dije synimi më i fundit i qeverisë grekë.


Unë s'e prisja që pas lëshimeve që i ka bërë qeveria shqiptare kërkesave greke me sfond nacionalist, si ai i regjistrimit të popullsisë në bazë të deklarimit etnik dhe fetar, ai i ngritjes së një memoriali për ushtarët e rënë në Luftën e Dytë Botërore, sot vjen një tjetër kërkesë që justifikohet për hir të përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ky lajm i "mirë", që gjithmonë jepet nga Athina, nga sa u tha paska dhe asistimin e OSBE-së.


Ndaj për mendimin tim, kjo nismë e qeverisë greke që në emër të të ashtuquajturës përmirësim të marrëdhënieve mes dy popujve, edhe kur është vetëm në kuadrin e një deklarate, ka kaluar çdo masë të respektimit të marrëdhënieve ndërkombëtare.


Përsa kohë që gjithçka që ka të bëjë më mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, me sigurinë e tyre, me sigurinë e pronave të tyre është përgjegjësi ekskluzive e shtetit shqiptar dhe me regjistrimin e pasurisë ka insitucione të legjitimuara kjo nismë e qeverisë greke mua më duket se është një tentativë për ta trajtuar sërish Shqipërinë si një zgjatim të terrorit grek. Sa do që në thelb kjo deklaratë është qesharake jam i çuditur dhe nga heshtja e qeverisë shqiptare.


Qeveria e shtetit shqiptar duhet të bëhet më e ndërgjegjshme, të marrë kurajo dhe të kujtohet më në fund se është aty për të mbrojtur interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptare, natyrisht dhe të dinjitetit të vendit që është nëpërkëmbur, dhe të ndërhyjë në hallkat përkatëse për të sqaruar këtë çështje.


Madje strukturat e shtetit shqiptar duhet të ndërhyjnë edhe në OSBE e cila qenka përfshirë në këtë iniciativë të regjistrimit të pasurive të shtetasve shqiptarë. Sqarimi i kësaj çështjeje është shumë e rëndësishme ku në rastin më të mirë një deklaratë e tillë mund të konsiderohet si një helm mes marrëdhënieve shqiptaro-greke .


Z. Xhufi për mendimin tuaj, kjo deklaratë është thjesht poltike apo si hap i parë i konkretizimit të një nisme që është diskutuar gjatë në strukturat e qeverisë greke?


Unë jam krejtësisht i bindur që ky zv/ministër i jashtëm i qeverisë greke e ka bërë publike një çështje të tillë pasi është diskutuar me përfaqësues të qeverisë shqiptare.


Për të kuptuar këtë le të kujtojmë atë që ndodhi me marrëveshjen e kufirit apo atë të ngritjes së memorialit të ushtarëve grekë të rënë në luftën e Dytë Botërore dhe më bën të mendoj që edhe ky rast është i ngjashëm me marrëveshjet e realizuara me këtë qeveri të shtetit shqiptar.


Pra gjërat bëhen në mungëse të plotë transparence, arrihet në një marrëveshje e cila bëhet e njohur nga pala greke. Të gjitha këto prapaskena bëhen objekte të marrëveshjeve dypalëshe. Ndaj, nëse këtë radhë qeveria shqiptare nuk është e përfshirë në ndonjë aferë duhet të reagojë publikisht ndaj kësaj deklarate.

Z. Xhufi mendoni se kjo deklaratë duhet të shkaktojë dhe reagimin e opinionit publik në Shqipëri?

Sigurisht që po dhe unë gjej rastin të përgëzoj gazetën tuaj që sa herë ka patur incidente të tilla me shtetin fqinj nuk kanë kaluar pa vëmendjen e saj duke i trajtuar dhe thelluar publikimin e skandaleve të tilla. Por natyrisht kjo duhet të jetë punë e intelektualëve, profesorëve, akademikëve dhe e shoqërisë civile. Dhe në mungesë të seriozitetit të institucioneve shtetërore reagimi i kësaj klase duhet të jetë shumë i ashpër.


Kështu që unë do të inkurajoja njerëzit që merren me këtë çështje, por edhe njerëzit që paguhen për punën që kryejnë, duke filluar që nga administrata civile dhe ato që merren me çështjen e pronave, të shprehen dhe të bëhen pjesë e një debati, i cili me sa duket do të përfundojë me një marrëveshje si ajo e kufijve që doli jashtë kontrollit të qeverisë.

Shekulli

Gjithashtu edhe Sabri Godo është shprehur me forcë kundra këtij vendimi, të cilin e quan ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit shqiptar dhe kjo vjen si rrjedhojë e marrëveshjeve të dyshimta të nënshkruara deri më tani mes shtetit shqiptar dhe atij grek. http://www.shekulli.com.al/2010/06/03/historianet-kunder-inventarizimit-te-pronave-pazar-me-greqine.html