Friday, February 25, 2011

Dënohet i fundmit i Haklajve. Historia e familjes tropojane e njohur për armiqësinë me Sali Berishën

TIRANË- Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, iu deshën 25 seanca gjyqësore për t'u bindur se i pandehuri në mungesë Hamdi Haklaj, që tashmë ka fituar azilin politik në Suedi, është fajtor për tre vrasje të kryera në rrethin e Tropojës për "hasmëri".


Ishte treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha, të cilët pasi shqyrtuan dosjen penale të ardhur nga Tropoja për t'u gjykuar në kryeqytet për arsye sigurie, vendosi që të deklarojë fajtorë të pandehurin Haklaj për akuzën e "vrasjes me paramendim" ndaj tre shtetasve, vëllezërve Demaj dhe Hoxhës. Për kryerjen e këtyre krimeve, sipas gjykatës, për të pandehurin Haklaj jepet dënimi maksimal ai i "burgimit të përjetshëm", por për shkak të shqyrtimit të çështjes në aplikim të gjykimit të shkurtuar, të pandehurit i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 25 vite heqje lirie. Këtë masë dënimi, sipas vendimit të togave të zeza, e ka kërkuar edhe vetë prokurori i çështjes i ardhur nga Tropoja, i cili për të provuar akuzat ndaj të pandehurit në mungesë kishte urdhëruar zhvarrimin pas 18 viteve të dy vëllezërve Demaj, të cilët janë ekzekutuar më 7 gusht 1993. Ndërsa, përfaqësuesi i mbrojtjes, në parashtrimin e pretendimeve të tija mbrojtëse, kërkoi nga gjykata që klienti i tij të shpallet i pafajshëm për shkak të mungesës së provave. Treshja gjykuese, pasi dëgjoi palët, vendosi që i pandehuri tashmë 73-vjeçar Hamdi Haklaj, në aplikim të gjykimit të shkurtuar të dënohet përfundimisht me 25 vite burg.
Hamdi Haklaj është hetuar dhe gjykuar në mungesë. Në familjen Haklaj, i pandehuri është djali i madh i Muharrem Haklajt, i cili në janar të vitit 2008 fitoi statusin e azilantit politik në Suedi për shkak vrasjeve dhe hasmërive që kanë në Shqipëri. Vendimi për këtë status, është marrë nga Gjykata e Goteborgut në Suedi. Sipas këtij vendimi, autoritetet e drejtësisë suedeze argumentojnë faktin se e kaluara e hidhur e Hamdi Haklajt (dhe familjes së tij), si dhe akuzat e shumta politike të hedhura në drejtim të tij dhe familjes janë arsye të forta që dëshmojnë se drejtësia shqiptare, nuk mund ta gjykojë në mënyrë të paanshme të pandehurin Haklaj, për të cilin shteti shqiptar kërkoi ekstradimin.
********
1
Berisha-Haklaj, ja teksti i audio-kasetës që ndezi hasmërinë

Incidenti më i rëndë mes Berishës dhe Haklajve ka ndodhur më 22 qershor 1997. Prej kësaj date për 10 vjet rresht Sali Berisha nuk shkeli më në Tropojë. Pas çdo ngjarje të rëndë në Tropojë lideri i opozitës fajësonte Haklajt dhe njerëzit e tyre. Ndërsa për Haklajt, pas çdo familjari apo të afërmi të vrarë, qëndronin njerëzit e Berishës.
Fatmir Haklaj botoi në një të përditshme një letër të hapur për akuzat e bëra ndaj tij nga opozita dhe lideri i saj Berisha. Haklaj fajësoi Berishën se ishte urdhëruesi i atentateve ndaj tij dhe vëllezërve të vrarë. Ai e akuzoi ish-presidentin se ishte përgjegjës dhe për vrasjen e Azem Hajdarit. Prova ku Fatmir Haklaj mbështeste akuzat e tij ishte një kasetë e rregjistruar pikërisht gjatë mitingut të PD-së më 22 qershor 1997 në Bajram Curri.
Një ditë para këtij mitingu mbeti i vrarë ndihmësgjyqtari Sokol Haklaj, djali i xhaxhait i Fatmirit. Përpara se të niste mitingu në sheshin „Kosova" të Bajram Currit, ku pritej prezantimi i dy kandidatëve të PD-së për Tropojën, liderit të dhjetorit Azem Hajdari dhe Xhevdet Mehmetit, ndodhi një incident që e acaroi sëtepërmi situatën. Vëllai i vogël Haklajve, Ylli, qëlloi me kallashnikov impiantin e fonisë nga ku do të fliste presidenti Berisha, duke e nxjerrë atë krejtësisht jashtë përdorimit. Presidenti Berisha hyri në Bajram Curri me masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga dhjetëra trupa të Gardës dhe mbështetës të PD-së.

KASETA
Gjatë fjalimit të tij pati një tjetër incident, këtë radhë me Shkëlqim Haklajn, i cili lëshoi drejt Berishës sharje dhe fyerje personale. Gjatë këtyre momenteve fjala e Berishës është ndërprerë disa herë dhe në kasetën e rregjistruar dëgjohet biseda e tij me shoqëruesit. Presidenti është irrituar sëtepërmi kur ka parë një reagim të tillë ndaj vizitës së tij pikërisht në vendlindje, në Tropojë. Këtë kasetë, Fatmir Haklaj e ka shtënë në dorë nga persona të stafit të presidencës gjatë kohës që erdhën në pushtet socialistët. Fatmiri bëri lidhjen mes fjalëve të Berishës në mitingun e 22 qershorit 1997, ku dëgjohet që ai kërkon patjetër arrestimin e Shkëlqim Haklajt nga Garda e Republikës si dhe vrasjes së 5 janarit 1998, në Qafë Luzhës, ku mbeti i vrarë në pritë, pikërisht Shkëlqimi. Kjo kasetë i është dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme nga plaku i Haklajve, Muharrem Haklaj. Madje një kopje të saj e ka marrë dhe prokurorja norvegjeze e çështjes „Hajdari", Siri Frigard. Prokuroria nuk ka hetuar kurrë nëse kjo kasetë përbën një provë ligjore apo nëse biseda që dëgjohet në të, shërbeu më pas si zanafilla e asaj që sot quhet „Dosja Tropoja".
***
Kaseta e inçizuar me fjalën që presidenti Berisha mbajti në Bajram Curri më 22 qershor 1997, ra në duart e Fatmir Haklajt në rrethana ende të pasqaruara. Në kasetë dëgjohet disa që presidenti u jep urdhër shoqëruesve të tij të arrestojnë patjetër një person që nuk përcaktohet me emër. Por të gjithë pjesëmarrësit në këtë miting e mbajnë mend shumë mirë se gjatë fjalës së Berishës, Shkëlqim Haklaj i është kundërpërgjigjur duke e sharë vazhdimisht personalisht. Trupat e Gardës nuk mundën ta arrestonin Haklajn atë ditë, por ai u vra gjashtë muaj më vonë në një pritë të organizuar në Qafën e Luzhës, duke u kthyer në zanafilla e tragjedisë që përgjaku Tropojën. Më poshtë po botojmë të plotë transkiptimin e fjalimit të Berishës. Gjatë fjalimit Shkëlqim Haklaj, ia ndërpret fjalën vazhdimisht dhe e shan. Për këtë arsye mes fjalimit, Berisha shkëputet herë pas here dhe u flet truprojave..

"Ju falenderoj dhe ju jap fjalën se më datën 29(qershor 1997) e mbrapa, bandat dhe banditët, kriminelët dhe fundrrinat do të marrin vendin që u përket...
Do t'i them dy fjalë atij deputetit socialist. Në qoftë se mendon se do të marrë vota me kriminelë, jap fjalën para jush, se s'do ta gëzojë asnjë ditë, asnjë ditë, asnjë ditë!
Ju të jeni të sigurtë se ne do fitojmë, se ne do rivendosim Shqipërinë atje ku është. Le të qëllojnë sot, edhe tetë ditë kanë afat, edhe tetë ditë. Pas tetë ditësh kanë fundin e turpit, fundin e historisë, fundrrina siç janë.... "Merrni masa për atë që u thashë. E dua me vete atë unë, e dua me vete atë unë. Ai do vijë direkt me ne ..." - urdhëron Berisha truprojat dhe oficerët e Gardës për Shkëlqim Haklajn, që nuk ndalon së shari Berishën.
Vëllezër e motra... "Merr Saliun, me të gjithë tani. Unë e dua, e dua të gjallë atë unë" - urdhëron serish Berisha truprojat dhe oficerët e Gardës.
Vëllezër dhe motra, 29 qershori do të ndajë Shqipërinë nga rrebelimi, do të ndajë Shqipërinë nga e shkuara, do të rivendosë demokracinë, do të vendos dinjitetin, do të vendosë integritetin, do të vendosë unitetin kombëtar.
Tropojas, tropojas, Fatos Nano dhe Din Selimi ju vinë juve me horra, por ne do tju tregojmë vendin të gjithëve. Ju jap fjalën e nderit, do marrin vendin që meritojnë... Vëllezër, unë kam besim të madh te ju, asnjë votë serbit, asnje votë serbit, votat demokracisë, votat Shqipërisë. "Nisi njerëzit ëëë. Nisi njerëzit që tani, se ajo është kategorike. Nuk dal nga Tropoja pa e marrë me vete atë unë" - urdhëron serish eskortën e tij Berisha. Gjatë kësaj kohe Shkëlqim Haklajt i janë bashkuar dhe 4-5 persona të tjerë që shajnë bashkë me të Berishën nga salla).
Vëllezër dhe motra, unë kam ardh sot te ju për të paraqit Xhevdet Mehmetin, një nga demokratët e parë të Partisë Demokratike në Tropojë. Une jap fjalën se, unë jap fjalën se të dy deputetët tuaj do të punojnë pa u lodhur për të realizue të gjithë projektet që u ndërprenë nga rrebelimi në Tropojë. Para sëgjithash për të zhdukur bandat e ndyra, hajdutë e banditë, terroristë të shitur te sërbi. Dhe pastaj do të sjellim te ju energjinë elektrike, shkollat dhe të gjitha. Rendin e çfarë ju nevojitet ju. Edhe njëherë, edhe njëherë ju falenderoj nga zemra për këtë pritje madhështore...etj
Pas këtij mitingu ish-presidenti Berisha, tani kryeministër i Shqipërisë, nuk ka shkuar më në Tropojë për 10 vite rresht.
2
28 nëntori i 2000 në Tropojë dhe ndalimi i Berishës

Paraditen e 28 nëntorit 2000, dega lokale e Partisë Demokratike në Tropojë organizoi një protestë për vjedhjen e votave që i ishte bërë opozitës sipas Berishës në zgjedhjet për pushtetin vendorë. Përveç trupave të policisë vendase, atë ditë në Bajram Curri ndodheshin dhe dy grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Kukësit, që morën detyrë të siguronin godinën e gjykatës dhe prokurorisë së rrethit. Protestuesit pasi bën një xhiro në shëtitoren kryesore të qytetit, iu drejtuan godinës së gjykatës dhe prokurorisë. Ata kërkuan largimin e forcave të FNSH-së nga Tropoja. Të vënë nën presion, trupat e FNSH-së nuk bën asnjë përpjekje për tu përballur me turmën, nga radhët e së cilës u shfaqen një grup personash të armatosur që hapën zjarr mbi muret e godinës. Brenda pak minutash trupat e FNSH-së i zuri paniku. Për të shpëtuar kokën nga breshëritë e armëve që godisnin muret e gjykatës, ata u detyruan të linin objektin në mëshirë të fatit dhe të shpërndaheshin pa nam e nishan nëpër banesat e qytetarëve.
Shefi i komisariatit të Tropojës Ali Gjoni nuk mund tu vinte në ndihmë, për shkak se ishte njoftuar që pasi të pushtohej gjykata, personat e armatosur do mësynin drejt komisariatit. Në të vërtetë ashtu ndodhi.
Dhjetëra militantë të opozitës u përdorën si një mburojë njerëzore nga personat e armatosur për tiu afruar sa më shumë të ishte e mundur godinës së policisë. Pjesa dërrmuese e efektivit të policisë, kur mësuan se çfarë pritej të ndodhte, braktisën detyrën. Një përfaqësi e protestuesve kontaktoi më drejtuesit e komisariatit duke u kërkuar atyre lirimin e të burgosurve politikë. Në të vërtetë në qelitë e paraburgimit të Tropojës kishte vetëm të burgosur ordinerë dhe vrasës të rrezikshëm. Duke qenë se situata kishte dalë jashtë kontrollit, policia u detyrua ti lironte të gjithë të paraburgosurit, pavarsisht motivit për të cilin ishin arrestuar. Mes tyre ishte dhe Pëllumb Ndrevata, një personazh që kreu një seri vrasjesh pas lirimit më 28 nëntor 2000, deri sa u ekzekutua në vitin 2006.
Pasi korrën fitoren e parë, negociatorët e protestuesve u rikthyen serish në komisariat duke kërkuar që policia ta braktiste objektin, në të kundërt do të sulmohej me mitrolozë dhe armë kundërtanke. Kur hasën në rezistencën e drejtuesve të policisë, personat e armatosur, hapën zjarr mbi komisariatin e Bajram Currit. Përballja mes të dy palëve ishte e ashpër. Personat e armatosur u pozicionuan në disa pallate dykatëshe që ndodhen përballë komisariatit. Një grup prej tyre sulmoi me zjarr hyrjen e komisariatit ku qëndronte oficeri i rojës. Drejtuesit e komisariatit dhe disa efektivë të policisë që vendosën të mos e lëshonin objektin, u kundërpërgjigjen duke hapur zjarr në ajër e më pas edhe mbi pozicionet nga qëlloheshin me armë automatike. Kur e panë se komisariati nuk po dorëzohej, personat e armatosur u detyruan të përdornin edhe armë kundërtanke mbi godinën e policisë. Disa prej tyre mundën të futeshin dy herë deri në shkallët e katit të dytë të godinës, por u sprapsën nga policia duke patur dhe të plagosur.


Syl Lusha, njëri nga personat e akuzuar për trazirat e 14 shtatorit 1998 në Tiranë, i cili kishte vetëm pak muaj që ishte liruar nga burgu, mbeti i vrarë në hyrje të komisariatit, sapo kaloi zyrën e informacionit. Pas tij pati dhe të paktën 4 të plagosur nga radhët e personave të armatosur që sulmuan komisariatin. Në momentet më kritike, shefit të komisariatit Ali Gjoni, i erdhi një telefonatë me numër fiks nga Hamdi Haklaj. Hamdiu i tha komisarit të Tropojës se nëse kishte nevojë për ndihmë, ai ishte gati të zbriste me njerëzit e tij nga Kërnaja. Por Gjoni u shpreh se po e përballonte situatën, dhe nëse e shihte keq punën do ti drejtohej Haklajve për ndihmë. Rezistenca e trupave të policisë që kishin mbetur brenda objektit dhe përhapja e lajmit se në ndihmë të komisariatit ishte nisur Hamdi Haklaj dhe njerëzit e tij, ndikuan në uljen e moralit te autorët e sulmit. Rreth orës 15.00 të 28 nëntorit, ata u detyruan të tërhiqen pa e pushtuar komisariatin.
Deklaratat e kryeministrit Meta dhe shoqërimi i Berishës në Komisariat

Në Tiranë, kryeministri Meta akuzoi liderin e opozitës Berisha dhe mbështetësit e tij në Tropojë, se kishin tentuar të kryenin një grusht shteti të armatosur për të rrëzuar me forcë qeverinë socialiste. Meta tha se personat që sulmuan komisariatin e Tropojës do të ndëshkoheshin, ndërsa siguroi policinë lokale se po i niste menjëherë përforcime. SHIK-u paraqiti informacione se grushti i shtetit i 28 nëntorit kishte dështuar. Sipas shërbimit inteligjent shqiptar, organizatorët e grushtit të shtetit kishin planifikuar të merrnin sëpari institucionet kryesore dhe komisariatin e Tropojës, nëpërmjet një grupi personash të armatosur. Më pas duke shfrytëzuar efektin domino, të pushtonin njëri pas tjetrit të gjitha komisariatet, nga veriu drejt kryeqytetit. Rezistenca e komisariatit të Bajram Currit bëri që ky plan të dështonte. Opozita dhe lideri i saj Berisha, akuzuan policinë e Tropojës dhe qeverinë Meta se përdorën armë zjarri dhe granata luftarake mbi protestuesit dhe militantët e Partisë Demokratike në Bajram Curri. Kryeministri Meta u cilësua si fashist, ndërsa viktimat e 28 nëntorit në Tropojë u shpallën Martirë të Demokracisë.
Shefi i Partisë Demokratike nuk harroi të akuzonte as këtë radhë Haklajt dhe njerëzit e tyre. Në një njoftim të botuar në mediat e kontrolluara nga PD pas ngjarjes, më datë 2 dhjetor 2000, thuhej se në bandën që u thirr në mbrojtje të komisariatit të Bajram Currit ishin Hamdi e Ylli Haklaj, miku i tyre Petrit Braha, Zeqir Braha etj. Në të njoftim thuhej se "Ylli Haklaj, vëllai i vrasësit të Deputetit Demokrat Azem Hajdari, ishte parë i armatosur mbi autoblindat e policisë duke lëvizur në rrugët e Bajram Currit". Haklajt nuk e pranuan këtë akuzë, por s'e fshehën faktin se u treguan të gatshëm ti ofronin ndihmë policisë së Tropojës.
Po atë mbrëmje, forcat speciale shoqëruan për disa orë në ambjentet e izolimit të policisë së Tiranës, liderin e opozitës Sali Berisha. Nëpërmjet këtij veprimi, kryeministri socialist Ilir Meta, i dha një mesazh të fortë rivalit të tij politik. Por pavarsisht hetimeve dhe procesit gjyqësor për këtë ngjarje, organizatorët dhe personat përgjegjës nuk u ndëshkuan.
3
TAKIMI
Paraditen e 2 shtatorit 1998, Muharrem Haklaj kishte ardhur në Tiranë për punët e veta. Azem Hajdari ndodhej në zyrë, kur u njoftua nga një bashkëpunëtor i tij, se Muharrem Haklajn e kishin parë pranë godinës së PD-së. Ai vendosi të shfrytëzonte këtë rast për ta takuar plakun e Haklajve. Një i njohur i Azemit, ish-shefi i SHIK-ut në Tropojë gjatë qeverisjes së PD-së, u dërgua prej tij për ta ftuar plakun e Haklajve ta takonte në godinën e Partisë Demokratike. Muharrem Haklaj nuk e refuzoi ftesën, përkundrazi u ngjit në zyrën e Azemit, në katin e dytë të godinës së PD-së. Takimi u zhvillua kokë për kokë pa prezencën e askujt tjetër. Por, ngjitja e plakut të Haklajve në zyrat e PD-së, nga ku djemtë e tij ishin akuzuar për shumë ngjarje të rënda krijoi padyshim një habi dhe kureshtje të madhe. Biseda mbeti e panjohur deri në vitin 2000, kur Muharrem Haklaj e bëri publike për median. Sipas plakut të Haklajve, Azemi e kishte sqaruar në lidhje me vrasjen e djalit, Shkëlqimit në Qafën e Luzhës. "Unë nuk kam gisht në vrasjen e djalit tënd. Ai është vrarë prej këtu", i ka thënë deputeti Hajdari, Muharrem Haklajt.
10 ditë më vonë Azem Hajdari u vra.


BERISHA

Shefi i opozitës Sali Berisha doli në një konferencë shtypi vetëm pak minuta pas atentatit. ndaj Azem Hajdarit. Ai akuzoi për autorësinë e krimit struktura shtetërore të qeverisë Nano, dhe direkt me emër shefin e rendit të Tropojës Jaho Salihi. Nuk dihet se për çfarë arsye Berisha vendosi të etiketonte Jahon me mbiemrin Salihi dhe jo me mbiemrin e tij, Mulosmani. Berisha nuk e përmendi fare vrasësin e vërtetë, Fatmir Haklaj dhe nuk do ta bënte një gjë të tillë publikisht asnjëherë deri në momentin që ai u vra një vit më vonë.

14 SHTATORI
Jo më pak i informuar për vrasësit e vërtetë të Hajdarit, ishte dhe shefi i opozitës, Berisha. Por, ai e shfrytëzoi politikisht ngjarjen për të asgjesuar kundërshtarët e tij socialistë. Funerali i Hajdarit ku merrnin pjesë dhjetëra mijëra vetë nga e gjithë Shqipëria, u kthye në një revoltë, pas së cilës një mëndje e etur për pushtet, kishte ideuar një grusht shteti të armatosur. Arkivoli i Hajdarit u çua përpara kryeministrisë, dhe më të në duar turma e irrituar pushtoi dhe dogji brenda pak minutash të gjitha institucionet më të rëndësishme të shtetit. Qeveria socialiste doli krejtësisht jashtë funksionit. Ndërsa kryeministri Nano, për të shpëtuar kokën e kaloi kufirin shtetëror drejt Maqedonisë, përpara se arkivolin e Azemit tia sillnin te zyra e tij. Tanket e Gardës së Republikës që u nxorrën për të trembur militantët e armatosur në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", u morën pa as më të voglën rezistencë, sikur të ishin pajtona me kuaj.
Marrja e godinës së Radio-Televizionit Shtetëror nga njerëz të armatosur dhe shfaqja në ekranin e tij e disa eksponentëve të opozitës që deklaronin se qeveria Nano ishte përmbysur, e kompletoi kuadrin e një grushti shteti. Kamerat e disa televizioneve private që e transmetonin drejtpërdrejt atë që po ndodhte, fiksuan në objektivin e tyre kush ishin organizatorët që orientonin personat e armatosur të qëllonin mbi kryeministrinë dhe Kuvendin. Pjesa më e madhe e tyre ishin eksponentë të njohur për publikun, si ish-truproja apo mbështetës të flaktë të liderit të opozitës. Një tjetër detaj jo i parëndësishëm, ishte fakti se mes turmës u panë dhe persona me uniforma të UÇK-së. Pas ngjarjes u identifikuan se ishin rekrutë të njësive ushtarake të FARK-ut, (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës) që financoheshin nga kryeministri i qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi, një aleat i deklaruar i Berishës.
Në momentet që militantët e opozitës po festonin përmbysjen e qeverisë Nano, u desh ndërhyrja diplomatike e pothuaj të gjitha shteteve perëndimore që kishin ambasada në Tiranë, për të rikthyer normalitetin. Mjaftoi një urdhër verbal që militantët e armatosur të opozitës të lëshonin institucionet e pushtuara dhe të largoheshin si me sustë nga rrugët e Tiranës.


HAMDI HAKLAJ MESAZH BERISHËS, I VRET MIKUN
Emri i Hamdi Haklajt gati ishte harruar fare deri më 10 qershor 2004, kur ai u rishfaq serish për të treguar se ishte ende gjallë. Vëllai i madh i Haklajve, Hamdiu, u hakmorr për vrasjen e vëllait të vogël të tij, Ylli Haklajt. Ngjarja ndodhi rreth orës 09.45 në vendin e quajtur Qafa e Rumikut, pranë lagjes Hoxhaj të fshatit Kërnajë. Viktimë e kësaj prite ishte Ram Hasan Hoxha, ndërkohë që u plagos rëndë me një plumb në kokë, mbesa e tij, Fatmira Zenel Hoxha, e cila vdiq tre ditë më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Disa orë më vonë u shpall në kërkim Hamdi Haklaj. Ram Hoxha kishte lidhje farefisnore me Rasim Lumneshin, i ekzekutuar gjatë atentatit të kryer nga motra e vogël e Haklajve. Me vrasjen e Hoxhës, Hamdiu i kishte çuar një mesazh ish-presidentit Berisha, pasi viktima ishte njëkohësisht dhe mik i familjes së tij. Qysh nga kjo ngjarje silueta e Hamdi Haklajt nuk u shfaq më, deri më 12 mars 2007 kur u arrestua nga agjentët e Interpolit në Goteborg të Suedisë. Urdhëri i arrestit në mungesë për Hamdiun, u lëshua nga gjykata vetëm më 17 maj 2005, gati një vit pas vrasjes së Qafës së Rumikut. Drejtësia suedeze ka refuzuar kërkesën për ekstradim të Hamdi Haklajt të bërë nga shteti shqiptar me motivin se atij i rrezikohet jeta nëse kthehet në atdhe, sepse është akuzuar politikisht pa u cilësuar fajtor nga gjykata.


KËRCËNIMI

Ndërrimi i pushtetit më 3 korrik 2005 dhe ardhja në krye të vendit e opozitës që drejtohej nga ish-presidenti Berisha, u kthye në një ogur të keq për të mbijetuarët e Haklajve. Muharrem Haklaj e kishte akuzuar vazhdimisht Berishën si njeriun që qëndronte pas komandove vrasëse të djemëve të tij.
Më 19 shtator 2005, vetëm katër ditë pasi qeveria Berisha bëri betimin para presidentit Alfred Moisiu, Muharrem Haklaj nxitoi të merrte arratinë për tu larguar sëbashku me familjen nga kulla e fortifikuar në fshatin Kërnajë të Tropojës. Pavarsisht moshës së thyer, afër të 80-tave dhe sëmundjes së bashkëshortes së tij, plaku i Haklajve mori nipat dhe mbesat jetimë të djemëve të tij të vrarë dhe iku një orë e më parë prej Shqipërisë. Ai e motivoi këtë largim, të detyruar, për ti mbijetuar eleminimit fizik që i kërcënohej jo vetëm atij por dhe fëmijëve të familjes.
Ngjarjet që rrodhën pas largimit të Haklajve nga Shqipëria i dhanë plotësisht të drejtë për zgjidhjen që kishte bërë. Plaku i familjes Haklaj tha për median se u largua menjëherë pas formimit të qeverisë Berisha në messhtatorin e vitit 2005. "E dija se çfarë më priste, jo vetëm mua për të gjithë, deri dhe nipat e mbesat e vogla, jetimët e djemëve të vrarë. Duke mos parë rrugëzgjidhje tjetër, vendosa ta braktisja kullën në pleqëri".


*Të dhënat arkivore janë marrë nga dosieri mbi Haklajt dhe vrasjet e Tropojës i gazetarit Artan Hoxha

Të jetosh në taraf

Si duhet të jetë të jetosh në taraf? Si të jetosh në ishull? Jo, duhet të jetë më mirë, se të jetosh në ishull nënkupton vetmi, izolim, kurse tarafet tona pushtojnë gjithë ç’gjejnë përpara, ato janë vetë jeta, një mënyrë të menduari dhe të vepruari e shoqërisë shqiptare.


Që jeta jonë politike-ekonomike drejtohet në bazë tarafesh, kjo nuk përbën asnjë të re, pasi klanet apo tarafet kanë mbizotëruar dhe drejtuar shtetin shqiptar qyshse atë e morën në dorë të fortët, që do të thotë se kështu ka ndodhur në këtë vend në pjesën dërrmuese të ekzistencës së tij. Ndërsa që tarafet të shtrihen e të predominojnë edhe në kulturë, ky më duket se është fenomen tipik i këtyre viteve të fundit, i përshkallëzuar tani së voni e, meqë kemi të bëjmë me kulturën, me jetën shpirtërore të një vendi, është bërë në të vërtetë i padurueshëm.

Vetë nuk jetoj dot në taraf. Shumë më kollaj do të kisha jetuar në ishull, madje Robinson Kruzoja ka qenë një nga idhujt e fëminisë sime. Të ngresh nga hiçi kasollen tënde, ekonominë e vogël shtëpiake, kopenë tënde, vreshtin tënd, varkën tënde me vela, Premtin tënd, e ku ka gjë më të bukur kur bota të ka braktisur. Kurse tarafin kulturor e mendova të pamundur qysh ditën e parë që fillova të merrem me letërsinë, me përkthimin e me gjuhësinë. Sepse si mund të lidhesh në klan me të tjerë në fusha ku vlen vetëm suksesi individual? E shumta mund të shkruash bashkë me një shok një libër, por më tepër? Natyrisht nuk është keq edhe ta kesh një mik, një koleg, një njeri që të respekton diku në poste me rëndësi vendimmarrëse. Por të kesh një thurimë miqsh për të zënë pikat kyçe në fushë të kulturës, që të ecësh vite të tëra tok me ta, si të thuash në skaljon, për të siguruar suksesin vetjak duke shtypur të tjerët, kjo është tejet e prapshtë dhe e patolerueshme. Por ja që ndodh.

Kemi vite që i ndiejmë do grupime të japin e marrin me njëri-tjetrin, të ngrejnë njëri-tjetrin, të japin e marrin me shtetin, me të huajt që hynë e dalin në Shqipëri, por s’e kemi ngritur zërin, duke bashkëjetuar me to si me një bezdi të pashmangshme në punën tonë. Fundja disi arrijmë të punojmë, disi arrijmë deri te lexuesi, diku na i blejnë librat, diku na përshëndesin dhe falënderojnë për këtë punë. Të tjerë ndihen më të dobët, kanë nevojë për njëri-tjetrin, e sidomos kanë shumë nevojë për shtetin. Le të ngrenë njëri-tjetrin, le të mjelin nga shteti. Ama vjen një pikë ku kupa mbushet.

Do të kisha heshtur edhe këtë vit pas ndarjes së çmimeve të Ministrisë së Kulturës, sikur të mos ishte përmendur emri im 3-4 javë më parë si i zgjedhur në „listën e ngushtë“ për të marrë çmimin „Fan Noli“ të përkthyesit më të mirë, me Veprën e plotë të Franc Kafkës në prozën e shkurtër. Në të vërtetë e ndjeva menjëherë që emri im dhe vepra e Franc Kafkës po përdoreshin veç për të bërë fasadën e një zgjedhjeje të drejtë, pasi juria ishte po ajo, e përjetshmja, me zonjën Asllani, e zotin Tufa, e zotin Muçi, prej të cilëve gëzoj një kolegjialitet të respektueshëm për së largu por natyrisht kurrë ndonjë lajm të mirë, mos flasim pastaj për ithtarët e hershëm të doktorit si z. Londo që duhet të kenë alergji nga emri im. Përkthyese më e mirë u shpall në fundjanari Saverina Pasho, për mua emër i padëgjuar, për përkthimin e romanit të shkrimtarit frëng Mishel Ulëbek (Houellebecq) gjithashtu i padëgjuar për mua (o sa turp, sepse pastaj pashë në kopertinë që ishte shkrimtari i dytë më i madh i Francës pas Alber Kamysë – si është kjo madhësia e shkrimtarit, në ç’peshore peshohet?). E shfletova pak, krejt rastësisht e hapa pastaj në fq. 129 ku lexoj: „...duke parë pjesën fundore të vitheve të saj ndjeva një turbullirë, desh i laga pantallonat. E arrita, e pushtova me krahë duke u ngjitur pas saj. „Open the door...“, tha duke fërkuar si pa mendje vithet pas pallës sime. U binda, por pa hyrë mirë u rrasa prapë pas saj; ajo u ul në gjunjë mbi një qilim të vogël aty pranë, duke vënë duart në tokë. Zbërtheva pantallonat dhe e depërtova (sa bukur, e depërtova, më shqip do të kishte qenë: e shkova në hell, A.K.) por për fat të keq rrugës në makinë ish përndezur aq shumë saqë mbarova punë menjëherë“ (si?! e depërtoi, pastaj shkoi me të të depërtuar rrugës në makinë? nuk e kuptoj, A.K.). Tani ky fragment s’mund të flasë kurrsesi për gjithë librin, vetëm se ai na tregon që kemi të bëjmë me përshkrime të thjeshta situatash njerëzore, siç është akti i depërtimit që e gjejmë të riprodhuar me qindra mijëra herë në letërsi; po ta krahasojmë një hop me Franc Kafkën, ku nuk mund të gjesh kurrsesi një skenë të tillë 1:1, vëmë re se te ky shkrimtar kemi të bëjmë me përshkrime të ndërlikuara, ose edhe të thjeshta në dukje, situatash të jashtëzakonshme që shprehen me një tension të jashtëzakonshëm të stilit. Duhet të dalë këndej se përkthimi im është shumë më i vështirë dhe impenjues se përkthimi i znj. Pasho? Larg qoftë që këtë punë ta gjykoj unë, vetëm se mund të them me bindjen e plotë se asnjë nga anëtarët e jurisë nuk ishte në gjendje të vlerësonte punën time me origjinalin gjermanisht. Siç mund të them se redaktore e librit të Ulëbekut është, sikundër e shoh në fq. 4 të librit, anëtarja e jurisë znj. Asllani.

Kam të paktën prej vitit 2007 e këndej që i kam dhënë publikut shqiptar çdo vit së paku nga një vepër të rëndësishme për pasurimin e kulturës sonë: më 2007 krahas veprës 700-faqëshe „Arbëria venedike“, antologjinë „Tregimtarë të gjuhës gjermane pas 1945-s“ ku kam përkthyer rreth 300 faqe; më 2008 krahas „Skënderbeut“ 550-faqësh „Tregimtarë të gjuhës gjermane 1900-1945“, ku kam përkthyer prej këtyre klasikëve modernë përsëri mbi 300 faqe; më 2009 „Ali Tepelenën“ të François Pouqueville-it, afër 600 faqe, një nga përkthimet më impenjuese të jetës sime; më 2010 veç Veprës së plotë të Franc Kafkës edhe Veprën e plotë të Georg Byhnerit. As dhe një herë s’jam marrë në konsideratë nga juritë tona shtetërore.

Unë nuk di sa dhjetë ose njëzetë lexues ka patur deri tani Ulëbeku, sepse duket bash roman i vështirë për t’u lexuar me kapërcimet e tij tekanjoze. Ndërsa për Veprën e plotë të Kafkës, mund të them se në krye të dy javëve, qysh gjatë panairit të librit në nëntor, u detyrova të shtyp një tirazh të dytë. Publiku e vlerësoi një vepër përpara se ta vlerësonin jurorët e ministrisë.

Në të vërtetë nuk kam pritur kurrë për punët e mia ndonjë çmim nga ministria e Kulturës. Është gati e natyrshme në Shqipëri që shteti të hakmerret ndaj njerëzve që ngrenë zërin kundër padrejtësive në këtë vend, kundër importit të plehrave, kundër shkatërrimit të Gjirit të Vlorës, kundër teksteve mediokre të shkollave, që shkruajnë libra si „Katastrofa e Gërdecit“. Atëherë ç’kanë që përmendin emrin tim në listat „e ngushta“ honorarmarrësit e ministrisë? Le ta përjashtojnë zyrtarisht à priori atë bashkë me emra të tjerë nga mundësitë e përzgjedhjes. Dhe në qoftë se nuk e përjashtojnë, atëherë le të marrin në konsideratë së pari „Katastrofën e Gërdecit“ dhe të mos e prekin një libër si Kafkën, për të cilin nuk janë në gjendje të gjykojnë gjersa askush aty nuk ka emër si njohës i gjermanishtes.

Që ndonjë lexues të mos thotë se arsye për këto radhë është prekja personale, po shënoj se ajo ekziston vërtet, por nuk qe arsyeja, vetëm u bë shkas për të konstatuar se sa është shtrirë tarafi, më saktë tarikati në punët e kulturës në Shqipëri. Po shikoja këto ditë në blogun e Ardian Vehbiut www.xhaxhai.wordpress.com në një debat mbi temën e çmimeve fakte që mund t’i lexojë kushdo. Dhe ato fakte flasin vetë. Anëtarë të përhershëm të jurive janë Mark Marku, Agron Tufa, Aurel Plasari, Perseida Asllani, Dhurata Shehri-Marku kurse fitues të çmimeve janë Agron Tufa, Aurel Plasari (ose e bija), Dhurata Shehri-Marku etj. etj. Aq shumë duhen me njëri-tjetrin Gentian Çoçoli, Arjan Leka, Agron Tufa, sa i kushtojnë vargje dhe i japin çmime njëri-tjetrit. Pak vjet më parë ishte kryetar jurie z. Plasari që i jep ndër të tjera znj. Shehri çmimin „Faik Konica“, vjet ishte kryetar jurie i shoqi i znj. Shehri, z. Marku, i cili i jep vajzës së Plasarit çmimin e talentit të ri më të mirë dhe z. Tufa „Pendën e Artë“ për librin „Thembra e Akcilit“. Kurse z. Tufa sivjet çmimin e poetit më të mirë ia dha z. Arian Leka, të romancierit më të mirë z. Ramiz Gjini për „Bibollasit“, ky ende jo pjesëtar i karuselit juror-çmimfitues, meqë jeton në SHBA, por pas gjithë gjasash shumë i afërt me kryetarin e jurisë, i cili shkruan recensione për të, e ka origjinën nga e njëjta krahinë etj. etj. 

Afrinë me pushtetin të këtij tarikati e provon jo vetëm ekzistenca si bosht qendror i tij e deputetit të PD Mark Marku (meqë ra fjala person që fare pak ka të bëjë me krijimtarinë letrare, në përgjithësi me kulturën), por edhe prania e përhershme në të e botuesit 55 që mund ta quajmë krahu Hamas i pushtetit, p.sh. vjet me „Malin magjik“ të Thomas Mannit (një vepër që njerëzit nuk e blejnë ngaqë kushton 4.800 lekë) sivjet me veprën kritike të Sabri Hamitit, fitues i „Pendës së artë“ (për një vepër që kishte marrë në një pjesë të mirë të saj po nga ministria më 2006 çmimin e kritikës letrare).

Juritë janë jo vetëm qeveri-korrekte por edhe Kadare-korrekte, sepse edhe ky është një tipar i qëndrueshmërisë dhe konsistencës së tyre: për vit nderohet një përkthyes i veprës së Kadaresë në gjuhë të huaj: përkthyesi në spanjisht, pastaj ai në rumanisht, sivjet ai në gjermanisht.

Po të ishte çështja vetëm te një juri dhe disa çmime, do mund dhe të thonim: hë mo lëri, le t’i gëzojnë ato çmime (se fundja përshesh po hanë, si thotë ajo historia). Edhe pse jemi të mendimit se disa çmime kombëtare, që janë shtetërore dmth. publike kanë rëndësi të veçantë për mirëfunksionimin e jetës letrare të një vendi, prapë nuk do ta ngrenim zërin shumë – sikur tarikati të mos shtrihej edhe në fusha të tjera si zotërime katedrash, konferencash, bordesh teatri e bordesh kinemaje, dhe sidomos hartime tekstesh shkollore. Klikoni ku të dëshironi në këto që rreshtova, do të takoni po të njëjtët emra. Që ndjekin ndaj të tjerëve, ndaj individëve pa ndonjë pushtet e pa ndonjë taraf, po të njëjtat qëndrime përjashtuese. Vetë jam njeri që e dëshiron bashkëpunimin dhe disa herë u jam drejtuar për bashkëpunim z. Tufa dhe zonjave Asllani e Shehri, që drejtojnë katedra përkatëse letërsie në UT. Reagimet janë të ftohta, në mos po refraktare. Disa herë u kam propozuar të bëjmë diskutime mbi antologjitë që ka botuar shoqata „Robert Schwartz“, qoftë të letërsisë gjermane, qoftë të letërsisë shqiptare, u kam shprehur dëshirën për t’u dhuruar studentëve të tyre nga librat që botoj. Është shumë interesant refuzimi i znj. Shehri-Asllani, sipas e-maileve që disponoj, ku jo vetëm nuk pranojnë një diskutim të antologjive të prozës bashkëkohore shqiptare (dy janë botuar deri tani „Shqipëria kujton 1945-1991“ dhe „Shqipëria tregon. 1991-2010“), jo vetëm nuk pranojnë që unë t’u dhuroj nga këta libra studentëve, por më shkruajnë se dhurata është e mundshme vetëm në një ditë të caktuar prilli që quhet Dita e dyerve të hapura, kur edhe botues të tjerë lejohen të dhurojnë...

Kërkoj ndjesë që përdor eksperiencën personale për të provuar tarikatin, por më mirë kështu, me dëshmi të sigurta. Para pak muajsh ngrita në shtyp çështjen e një skandali që e diktova te një libër letërsie i vajzës sime, klasa e 10. Aty autorja Dhurata Shehri kishte futur edhe një tekst që jo vetëm godet dhe përbalt Skënderbeun e Oliver Schmittit (kundër të cilit ka dalë me një libërth edhe i shoqi), pa i dhënë këtij asnjë mundësi të mbrohet faqe nxënësve, por e nxjerr edhe përkthyesin e botuesin Ardian Klosi një delenxhi që e ngriti gjithë stuhinë me Skënderbeun për të shitur librin e vet. Ja gjer ku arrin tarikati, si i nxjerr ai kthetrat për të gërricur armiqtë që i shqetësojnë paqen dhe përsheshin.

Në përgjigjen e tij te blogu në fjalë, z. Tufa me të drejtë kërkon që të mos paragjykohen veprimet e jurisë pa njohur më parë veprat që janë nderuar me çmime. Për veprën e tij „Thembra e Akcilit“ e them me siguri të plotë se nuk e meritonte aspak vjet „Pendën e madhe të Artë“; është një përmbledhje esesh e skeçesh, fejtonesh e grimcash, siç i gjen të shumta në shtypin tonë. Pata jo pak vështirësi për të zgjedhur dy pjesë sosh për antologjinë „Shqipëria tregon“, pikërisht pse nuk qe ndonjë prozë e shënuar. Jehona e pakët ose e mosqenë në publik për një emër aq të madh, „Pena e artë“, dëshmon se ka qenë një çmim miku.

Mora këto ditë të lexoj fituesin e çmimit të madh të sivjetëm për romanin "Bibollasit“.

Duhet të shënoj paraprakisht se kam një eksperiencë të gjatë nga shtëpia botuese „Naim Frashëri“ me lexime dorëshkrimesh gjithfarë, nga ato që na i dërgonin me dhjetëra në redaksinë e tregimit. Atë kohë më kujtoi menjëherë romani „Bibollasit“. Farsa nga kreu në fund, skeçe që nuk arrijnë dot të bëhen letërsi. Po shënoj thjesht se si quhen personazhet në të: Zav Tarrota, Mazllum Qederi (nëpunësi i gjendjes civile), Filip Zhuli (shefi i policisë), Bardhok Skuqi (furrxhiu), kryebanditi Bik Bau (dmth. i bën pistoleta bau), polici Krroq Murdari, pasagjeri Aqif Qira, kryetari Xhabir Kaçorri, komunisti Qelesh Granica etj. etj. Ja dhe një dialog:


- Për cilin Fil e ke fjalën, o shoku Brahim?... Fil Kaleshi? – deshi ta ndihmonte Zavi.

- Ncëk, - rrahu gjuhën nënkryetari i bashkisë, ndërsa luajti njëherë nga vendi.

- Fil Kariçi?

- Ncëk, ncëk, - ia bëri sërish Brahimi dhe largoi me dorë një mizë, që i pati ndaluar në hundë.

- Fil Karuci?

- Jo, pra, jo!

- Fil Karoshi? – qiti për herë të katërt Zavi me shpresë, që kësaj here nuk do t’i dilte huq.

- Bah, si nuk... Kjo mizë na u bë havale... – tha Brahimi gjithë inat.

- Fil Dermeku? – ia pat Zavi.

- Phu! – pështyu Brahimi. – E habitshme! E kam mu në gojë dhe s’e them dot. Phu!... Fil..., Fil..., Fil... Po kujtomu more kopil...

- Fil Gërdupi, - ia pat përnjëherësh Zavi me zë të lartë


(dhe kështu vazhdon edhe dy faqe të tjera)


- Fil..., Fil..., Fil... Po kujtomu more kopil...!

Kur Zavi pa, që tjetri vazhdonte ta vuante kaq shumë harresën e mbiemrit të atij Filit, i dha vetes kurajo, kërceu përpjetë e shumi i sigurtë, tha:

- Ka qenë Fil Murdari. Dhe mos u lodh më o shoku Brahim. Po, Po, Fil Murdari ka qenë.


Pastaj sa të duash nga këto batuta vulgare pa kripë:


- A e hape komplet rubinetin? Sepse nganjëherë...

- Komplet e hapa, o shoku Brahim, komplet. Bile, për t’u siguruar i futa edhe gishtin, por as gishti nuk u lag.


Po e mbyll me një fragment nga faqja 19 që mendoj se mjafton për t’ia hapur barkun përfundimisht lexuesit:


... nëpunësi Mazllum e mori sërish penën në dorën e majtë, ndërsa hante thonjtë e dorës së djathtë. Pastaj, ai kaloi penën në dorën e djathtë dhe nisi të hante thonjtë e dorës së majtë. Gjatë gjithë kësaj kohe, boja e penës iu tha katër herë. Dhe çdo herë, ai e ngjeu sërish penën në shishen e bojës duke nxjerrë ofshama dëshpërimi të thellë. Herë pas here, ai shante: „Eh, piqkën e s’ëmës! Eh, piqkën e s’ëmës... Sa kohë po na merr harresa...!“

... „Tani po konstatoj, që ti, Zav, - tha ai, - qenke me të vërtetë hajvan, një kafshë e sëmurë grazhdi“. Unë ia ktheva trimërisht „Hajvani i sat ëme, Naslies“. Atëherë ai, bëri një hap para dhe: phu, më hodhi një gëlboqe fytyrës....

„...Mua mos më pështy, sepse, edhe pse na qenke intelektual, njeri me kulturë, me shkollë, të bëj atë që s’ta pret mendja“. „Ti më rruan leshin e boleve“, - tha intelektuali Mazllum.


Tani, sikurse thotë Mark Tuejni tek ajo skenë e „Aventurave të Tom Sojerit“, kur heroi i tij ka dalë para banorëve të fshatit të tij, gjoja si më i dituri, si më i kënduari në Bibël, dhe pyetjes se kush ishin dy dishepujt e parë, i përgjigjet: Davidi dhe Goliathi:

Le të ulim mbi këtë skenë perden e mëshirës.

Ardian Klosi: ResPublica.AL

Hajde ta bëjmë Salep Sulltanin president!

Një parodi e dëmshme për Kosovën: pazari i Partisë Demokratike me postin e presidentit e fëlliq fund e krye njërin prej funksioneve më të rëndësishme të shtetit. Protagonist i kësaj loje të neveritshme, përveç Hashim Thaçit, është bërë edhe Behgjet Pacolli, i cili në Kosovë gëzon më pak mbështetje se Hosni Mubarak në Egjipt

  
Në poezinë “Kënga e Salep Sulltanit” Fan Noli e përshkruan me ironi pështjellimin politik në Shqipëri pas largimit të tij nga pushteti. Duke iu drejtuar miletit Noli tallet me Ahmet Zogun: Ç’është ky sheqer-kësmet? / Hallvaxhin’ e pamë mbret.
– Peshkopi shqiptar s’kishte ndonjë përvojë politike, madje nga shumë historianë qeverisja e tij e shkurtër në vitin 1924 shikohet si tepër problematike, por si Homme de lettres, si njeri i letrave, ai kishte shije të hollë për elegancën e shtetit, për funksionet e larta dhe dinjitetin e zyrtarëve. Noli s’dëshironte ta shihte politikanin shqiptar të ngjashëm me zyrtarët barkmëdhenj otomanë, të cilët pinë salep e limonadë, hanë hallvë dhe bakllava derisa kuvendojnë për çështje të rëndësishme të vendit. Noli ishte ëndërrimtar në politikë. Të tillët nuk kanë jetë të gjatë në këtë sferë, por pa ta s’bën!
Historia përsëritet për ata që s’i mësojnë leksionet e saj. Këto ditë jemi dëshmitarë të kësaj përsëritjeje në Kosovë, disa decenie pas poezisë së Nolit dhe rrafsh tri vite pas shpalljes së mëvetësisë. Krerë të Partisë Demokratike (PDK) janë shndërruar në tyxharë pazari, që shesin jo vetëm salep e hallvë, bajame e lajthi, por edhe poste të rëndësishme politike, siç është funksioni i presidentit të shtetit. Nën dritat e kamerave liderë të PDK-së vrapojnë natën (sidomos natën!) dhe ditën në takime, të cilat kryesisht zhvillohen në shtëpi private, restorante dhe qymeze, atje ku ngrihen kurthe dhe ndërtohen prapaskena. Një temë, një pyetje mbizotëron këto muhabete: kush do të bëhet president? Duke e futur në pazar kusuritjesh për koalicion këtë funksion PDK është bërë shkatërrimtare e institucionit të presidentit. Nëse ekziston një post që duhet të ruhet nga çdo stërpikje prej moçalit politik, atëherë ky është posti i presidentit. Megjithëse ndonjë hallvaxhiu politik s’i intereson fare Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është me rëndësi që këtu të sjellim në vëmendje të publikut nenin 83, i cili thotë: “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës“. Udhëheqësit e PDK-së nëse mendojnë ndonjëherë përtej interesave personale e dinë se unitetin e popullit s’mund ta përfaqësojë Behgjet Pacolli, i cili në Kosovë gëzon më pak mbështetje se Hosni Mubaraku në Egjipt apo Ben Aliu në Tunizi. (Krahasimi i këtushëm i Pacollit ka të bëjë vetëm më përkrahjen nga shoqëria, jo me mënyrën se si kanë sunduar këta dy autokratë). Sikur të mos kishte mbështetjen e ndonjë shverceri politik kosovar në të ashtuquajturat zgjedhje parlamentare Pacolli dhe partia e tij ndoshta nuk do ta kishin kaluar as pragun zgjedhor.

Liri dhe tagji
Në një nen tjetër të Kushtetutës së Kosovës thuhet se kryetari i shtetit “garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë”. Pyetja që duhet t’ia shtrojnë vetes prijësit e PDK-së është se a mund ta bëjë këtë një biznesmen që me vite të tëra ka qenë nën hetime nga drejtësia në Zvicër dhe i ka shpëtuar procesit gjyqësor për shkak se drejtësia në Rusi ka refuzuar bashkëpunimin. Zakonisht thuhet se në politikë nuk ka moral. Duhet të ketë! Prandaj, liderët e PDK-së duhet të pyesin veten: a është moralisht e pranueshme që një tyxhar politik si Pacolli të bëhet Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK)? Historia përsëritet për ata që s’i mësojnë leksionet e saj: Dihet se në mars të vitit 1998 Pacolli ka ardhur si korrier i Rusisë dhe i Serbisë në Prishtinë dhe është përpjekur të bind klasën politike të Kosovës të pranojë negociata me Slobodan Milosheviqin – pa ndërmjetësim ndërkombëtar, pa amerikanë dhe europianë perëndimorë! (Këtë e thonë edhe mediat me prestigjioze në Europë). Qëllimi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë ndërkombëtarizimi edhe më i madh i çështjes së Kosovës dhe sigurimi i mbështetjes perëndimore për idenë e çlirimit nga terrori serb. Tani komandant suprem i FSK-së, pra i trupës pasardhëse të UÇK-së ka gjasa të bëhet personi që para hiç më larg se 13 vitesh – me apo pa vetëdije, me qëllim apo nga naiviteti – erdhi të sabotojë luftën e UÇK-së dhe politikën shtetformuese të Ibrahim Rugovës. Janë disa hallvaxhinj në Partinë Demokratike që për këtë s’bëhen merak fare; ata para syve të popullit të Kosovës e kanë dëshmuar se nuk kanë luftuar për liri, por për tagji, s’kanë luftuar për çlirim, por për fitim. Mbetet të shihet nëse ndonjëri nga deputetët e PDK-së në Kuvendin e ri të Kosovës do të ketë guxim të votojë sipas ndërgjegjes dhe jo sipas direktivave partiake, të cilat kënaqin vetëm apetitet për pushtet të një tarafi.
Behgjet Pacolli s’e fsheh dot zemërimin irracional ndaj atyre që e kritikojnë dhe përherë arsyetohet se s’i paskësh bërë gjë të keqe askujt. Kjo retorikë vetëm shpalos mungesën e përvojës që ai ka në arenën politike. Shpesh ndërton konspiracione, duke akuzuar kritikët e tij se po i bashkërendojnë aktivitetet e tyre “me media beogradase”. Kjo është një metodë e ulët e fyerjes së kritikëve në mungesë të argumenteve bindëse. Pacolli nuk arrin të kuptojë se është ai vetë që e ka diskualifikuar veten për çdo post të rëndësishëm politik në Kosovë. I rrethuar shpesh me gazetarë të blerë, të cilët duke përtypur narezakë të importuar i thurin elozhe, pretendenti për president të Kosovës nuk ka arritur të kuptojë se faktet s’rrëzohen duke sharë lajmësit.

Shpalosja vullnetare
Disa prej këtyre fakteve po i përmendim këtu. Përveç Pacollit në vitet e fundit nuk ekziston ndonjë figurë nga jeta publike e Kosovës që ka dhënë intervista dhe deklarata aq problematike për mediat serbe. Dhe çdoherë kur këto muhabete të tij janë ribotuar në mediat e Kosovës Pacolli është munduar t’i demantojë. Të përmendim këtu intervistën për gazetën serbe “Nedeljni Telegraf”, botuar më 4 janar 2006. Aty Pacolli citohet të ketë thënë se “fati i rajonit është në duart e Beogradit”, se “Kosova s’mundet pa Serbinë” (“Kosovo ne može bez Srbije”), se “është koha që ai (presidenti Ibrahim Rugova, v.j.) të tërhiqet”, se përgjegjës për gjakderdhjen dhe luftërat në Ballkan është Richard Holbrooke. Menjëherë pas botimit Pacolli është ngutur t’i përgënjeshtrojë të gjitha këto, por vetëm në një gazetë të Prishtinës, jo në “Nedeljni Telegraf”. Si është e mundur që fund e krye gazetarët serbë ta citojnë keq personin, i cili i kishte pritur ata në Lugano të Zvicrës (gazetarët bile thonë se i kishte gostitur në shtëpi, ndërsa Pacolli thotë se është takuar me ta në një apartament të “hotelit tim në Lugano”)? Si është e mundshme që Pacolli t’i jap intervistë bash një gazete bulevardeske dhe senzacionaliste serbe si “Nedeljni Telegraf”? Madje intervista është ilustruar edhe me shumë fotografi nga jeta e bujshme e Pacollit, mes tyre edhe një fotografi me këtë legjendë: “Selim Broshai i Pacoli u prištinskom restoranu Dora, 1981”. Fjala është për Selim Broshën, një punëtor veteran i shërbimeve sekrete jugosllave dhe serbe dhe, thënë më së buti, mbikëqyrës i veprimtarive të emigracionit shqiptar në Europë. Selim Brosha është vrarë pas luftës së fundit. Vrasësi i vetëdeklaruar Nazim Bllaca lidhur me këtë rast ka thënë: “Sa i përket Selim Broshës, më kanë çuar mua ta shoh në (restorantin v.j.) ‘Dubrovnik’. E kam përcjellë, ka qenë një person i shëndoshë, shtatshkurtër dhe atë e kemi përcjellë deri në momentin, në ditën e ekzekutimit. Nuk kam marrë pjesë në ditën e ekzekutimit të tij, por kam marrë pjesë në parapërgatitjen e vrasjes së tij. Selim Brosha e ka pasur banesën prapa ‘Qafës’ dhe aty unë kam qëndruar një muaj duke shitur cigare pas orarit të punës kinse po shesim cigare, jemi tregtarë, ndërsa është përcjellë Selim Brosha, i cili në atë kohë ka pasur një Golf 2 të bardhë”.

Skandal pas skandali
Në fund të dhjetorit 2010 Pacolli i dha një intervistë skandaloze gazetës serbe “Politika”. Ende pa filluar negociatat, siç po thuhet, “teknike” ai paralajmëron kapitullimin preventiv të Kosovës, kur thotë: “Veriu (i Kosovës, v.j.) do të kishte autonomi ekonomike”. Nëse si palë negociatore Prishtina tregon që tani se me çka pajtohet, atëherë për palën tjetër hapet rruga të kërkojë diçka tjetër, për shembull autonomi politike. Këtu ekziston edhe një dallim me disa krerë të PDK-së, të cilët kanë premtuar se veriu s’do të jetë çështje e bisedimeve me Serbinë, kurse Pacolli mendon krejt diçka tjetër. Deklarata tjetër skandaloze e Pacollit ka të bëjë me premtimin se do t’i kthejë “të gjithë serbët e përndjekur në Kosovë”. Së pari: Nuk janë të gjithë të përndjekur, një pjesë e madhe e tyre janë vendosur në Serbi në mungesë të perspektivës ekonomike në Kosovë ose pasi i kanë humbur privilegjet e fituara nga politika e terrorit. Së dyti: Shifrat e serbëve të Kosovës janë manipuluar shpesh nga Beogradi, prandaj pa një regjistrim të popullsisë s’mund të flitet kuturu. Së treti: Një pjesë e madhe e serbëve të Kosovës tashmë i kanë shitur pronat e tyre. Si do t’i kthejë këta Pacolli? Edhe kjo intervistë për “Politikën” e Beogradit tregon se ai ose është naiv ose qëllimkeq në politikë. Ende pa u bërë president ai tashmë i jep autonomi ekonomike veriut. E kur të bëhet kryetar?
Në vazhdim një shembull tjetër: Pak para zgjedhjeve të vitit 2007 Pacolli i dha një intervistë “Zërit të Amerikës” ku akuzoi bashkësinë ndërkombëtare pse i kishte zhvilluar negociatat për Kosovën në “Vjenë e Londër”. Këto negociata, sipas tij, është dashur të zhvillohen “në Beograd, Kragujevc, në Prishtinë, Prizren”. Ai kishte kërkuar që bisedimet të bëhen pa përkthyes, sepse “secili prej nesh e njeh gjuhën, mentalitetin (serb, v.j.)”. I pari që hiçgjë s’merr vesh nga serbishtja është Hashim Thaçi. Dhe shumë të tjerë. Një propozim tjetër i Pacollit është po ashtu qesharak: Bisedimet me Serbinë, thoshte ai, duhet të zhvillohen “diku në mes, oficiale dhe jo oficiale”. Si të kuptohet kjo përveç se si apel bashkësisë ndërkombëtare: ne mund të merremi vesh vetë me serbët, sepse dimë serbisht dhe takohemi me ta diku tinëz. Me këtë ide Pacolli kishte ardhur edhe në vitin 1998 në Prishtinë, me mandat të Kremlinit. Në intervistën për “Zërin e Amerikës” Pacolli flet edhe për mundësinë që Kosova të shpallë “njëanshëm” pavarësinë. Ky është tamam vokabulari i diplomacisë serbe – “jednostrano proglašena nezavisnost Kosova”. E vërteta është se Kosova e ka shpallur pavarësinë në koordinim me shtetet më me ndikim në perëndim, jo njëanshëm. Sikur të ishte njëanshëm, atëherë as shtatë shtete s’do ta kishin pranuar Kosovën deri më tani.
“E kam parë Titon cullak”
Para disa muajsh Pacolli i dha intervistë revistës kroate “Globus”. Citohej të ketë thënë se dëshiron të jetë Tito i Kosovës. Sikur në rastin e “Nedeljni Telegrafit” edhe kësaj radhe ai u ngut ta demantojë këtë, por jo në “Globus”; e dërgoi një reagim te “Koha Ditore”; me gjasë nuk e kishte shkruar vetë. Sa i përket Titos deklaratat e Pacollit vërtet janë zbavitëse. Në një shkrim të botuar në nëntor 2007 në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” Pacolli e kishte lënë gojëhapur gazetarin kur i kishte thënë se në vitet 70-të kishte punuar shumë afër Titos. Në pyetjen se a e kishte parë ndonjëherë personalisht liderin jugosllav, Pacolli ishte përgjigjur: “Po, madje edhe cullak”. Dhe vazhdon: “Unë kam qenë adjutant i tij. I kam ndihmuar në gardërobë dhe ia kam bartur valixhet”. Sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung” Pacolli nuk është orator i mirë, se për herë të parë në historinë e Kosovës e ka thyer një tabu, duke bërë aleancë me dinjitarë myslimanë. Kjo po shihet edhe tani, kur mashtrues me maskë të fesë islame dalin dhe thonë: “Është sevap të votosh për Pacollin dhe haram për Albin Kurtin”. Gazeta gjermane ka zbuluar po ashtu se shumë projekte me të cilat krenohet Pacolli nuk ekzistojnë fare, se në Zvicër firma e tij pothuaj nuk është e njohur, se informata se gjoja ka realizuar me sukses disa projekte për ndërtimin e ambasadave në Berlin është e rrejshme. Lidhur me misionin e tij si ndërmjetësues për interesa të Moskës dhe Beogradit në vitin 1998 Pacolli më vonë ishte arsyetuar se e kishte takuar Milosheviqin vetëm për t’ia blerë atij Kosovën për “dy miliardë dollarë”. Në mars të vitit 2006 në një intervistë me gazetën “Zëri” Pacolli kishte thënë se Rusia nuk do ta pengojë rrugën e Kosovës drejt pavarësisë. Realiteti rezultoi krejt ndryshe. Para të ashtuquajturave zgjedhje të 12 dhjetorit ish-valixhebartësi i Titos tha se Kosova në shtator të vitit të ardhshëm (2011) do të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Dhe premtoi se do ta bashkojë Kosovën me Shqipërinë brenda “10-15 viteve”. Gjuha është prej tuli dhe shkon ngado. Thonë se në fushata elektorale bëhen premtime të mëdha. Por, edhe politikanët më të paskrupullt nuk do të duhej t’i lejonin vetes të plasonin të pavërteta kaq të mëdha.
Çfarë presidenti i duhet Kosovës? Si shtet Kosovës s’i ka mbetur të krahasohet me dikë tjetër përveç se me vende sikur Shqipëria. Por, sa i përket presidentëve madje edhe në Tiranë punët qëndrojnë më mirë. Tre presidentët e fundit – Rexhep Mejdani, Alfred Mojsiu dhe Bamir Topi – kanë përfaqësuar, përkundër disa të metave, unitetin e popullit. Edhe në vende me demokraci stabile si Gjermania përherë ekzistojnë përpjekje që në postin e presidentit të zgjidhen figura që qëndrojnë mbi përditshmërinë politike. Në vitin 2004 dhe 2009 kandidate e Partisë Socialdemokrate për postin e presidentes ka qenë Gesine Schwan, një profesoreshë e respektuar e shkencave politike. Kandidati fitues ishte Horst Köhler, një ekonomist i njohur dhe ish-drejtor i Fondit Monetar Ndërkombëtar. A nuk do ishte e udhës që në këtë situatë të rëndë politike Kosova të kishte një president nga bota akademike, universitare, një personalitet që ka qëndruar larg moçalit politik dhe që reflekton dinjitet mendor dhe moral? Jehona e zgjedhjes së Behgjet Pacollit në mediat ndërkombëtare do të jetë kjo: “Kuvendi i Kosovës zgjodhi president të vendit një biznesmen, i cili dyshohet të ketë korruptuar klanin e Jelcinit gjatë viteve 90-të”. Mandati i presidentit zgjat 5 vjet. Është një periudhë vendimtare për Kosovën. Gjatë këtyre viteve do të dihet a bëhet Kosova shtet funksional apo dovlet i dështuar. Kushtetuta e Kosovës parasheh shkarkimin e presidentit vetëm në rast se ai shkel rëndë Kushtetutën, nëse dënohet për krim të rëndë dhe nëse s’mund të ushtrojë funksionin për shkak të sëmundjes. Lehtë është të zgjidhet një kandidat i padenjë për këtë post, por vështirë të hiqet pastaj. Por, me këto çështje nuk merret gati askush në PDK, me rëndësi tani është që të ndahet kulaçi i pushtetit, të vazhdojë manipulimi i tenderëve dhe firmat e njëjta, të lidhura me ministra, të ndërtojnë objekte shtetërore, pastaj fitimi të ndahet përpjesëtimisht. Me këtë mendësi vazhdojmë të jetojmë si në vaktin e Salep Sulltanit.
robelli@bluewin.ch

Nga Enver Robelli, G. Tema

Sot, në 3 vjetorin e Kosovës

Sot është trevjetori i pavarësisë së Kosovës. Ajo që pritet të ndodhë sot në Tiranë është që liderat tanë kryesorë do të përshëndesin këtë pavarësi, duke përdorur po të njëjtat shprehje që kanë përdorur dy herët e kaluara: njohjet e reja për Kosovën, rruga e Kosovës drejt integrimit në BE, etj.
Do të jenë deklaratat standarde në ditën e pavarësisë së Kosovës dhe kaq. Duket sikur 17 shkurti është kthyer në ditën kur flitet për Kosovën në Shqipëri.
Pra, kemi nga një ditë në vit për çështje të ndryshme dhe ajo që ndodh rëndom është që kujtohemi të flasim për çështjet në fjalë vetëm atë ditë, pavarësisht se për shumicën e tyre duhet folur e VEPRUAR gjatë gjithë vitit. Fatkeqësisht duket sikur kjo po ndodh dhe me Kosovën. Bëhet ndonjë deklaratë sipërfaqësore dhe bajate në ditën e pavarësisë, u bënë përgëzimet pas vendimit të GjND-së, dhe do bëhet dhe ndonjë përgëzim kur të formohet qeveria e ardhshme.
Për këtë të fundit përgëzimet e politikanëve të Shqipërisë do të jenë ndoshta më të ndjerat e të sinqertat, duke marrë parasysh se do të jenë përgëzime për pazaret që u bënë për formimin e qeverisë së ardhshme, dhe jo për ndonjë program apo objektiv të mundshëm të kësaj qeverie për të mirën e popullit të Kosovës. Pra, fatkeqësisht politika jonë duket sikur e trajton Kosovën, ose marrëdhënien me Kosovën, vetëm në nivel deklaratash në ndonjë sezon të veçantë. Sot është një ndër ditët e këtij "sezoni patriotik".
Për të mos lënë ndonjë gjë mangët duhet thënë se janë bërë dhe disa vizita turistike të politikanëve tanë me qëllimin e njohjes së Kosovës. Por, duket sikur njohjet e fundit të Kosovës janë bërë më shumë nga shtete të cilat kanë dashur të njihen vetë duke njohur Kosovën. Sepse sot, më 17 shkurt 2011, Kosovën nuk e kanë njohur ende pesë shtete të Bashkimit Europian, Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja.

Madje ministrat e jashtëm të Spanjës e Sllovakisë e kanë deklaruar që nuk do ta njohin Kosovën gjatë deklaratave të përbashkëta për shtyp me ministrat tanë të jashtëm, mu në mes të Tiranës. Por në këto raste, kur duhet mbajtur vërtet një qëndrim politik në interes të kombit, politika shqiptare nuk është më patriote, është thjesht vasale.
Patriotizmi sezonal, përveç të qenit sezonal, është edhe komplet i rastësishëm, i pabazuar në asnjë strategji, në asnjë program, në asnjë analizë, vetëm në reagimet emocionale apo hipokrite të njërit apo tjetrit politikan, të njërës apo tjetrës palë. Rasti më i shkëlqyer i këtij lloj patriotizmi ishte ai i raportit të Dik Martit.

Për rreth dy javë, përfaqësues të shumtë të politikës zyrtare dolën dhe shprehën revoltën e tyre ndaj këtij raporti, sepse "ne si shqiptarë ishim fyer", etj etj. Por ndërsa gjetën kohë të merreshin edhe me detajet se si mund të kryhej një transplant veshkash, nuk gjetën kohë të bënin një analizë më të thellë se pse u bë ky raport i cili nuk u përgatit në një ditë të vetme, por kishte kohë që përgatitej, se pse u publikua ky raport menjëherë pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit në Kosovë, dhe ç'është më e rëndësishmja, po sikur të ketë raporte të tjera të ngjashme, si do të reagojë politika shqiptare.
A nuk do të ishte më mirë që në vend se të dilnin me vrap nëpër media për të treguar se kush ishte më patriot dhe se kush e do Kosovën më shumë, të analizonin dhe të punonin për të qenë të përgatitur që raporte të tilla nuk do dalin në të ardhmen, por dhe që reagimet e politikës zyrtare në Shqipëri nuk mund të jenë më vetëm emocionale, sepse në fakt nuk është aspak emocionale politika serbe në raport me Kosovën. Sot nuk flitet më për raportin e Dik Martit.

Politika zyrtare e Shqipërisë, me atë mori deklaratash patriotike duket se e lau ndërgjegjen për ca kohë. Ka kohë sa të dalë një raport tjetër për të shprehur edhe njëherë patriotizmin sezonal.
Pritet që së shpejti qeveria e Kosovës të fillojë negociatat me Serbinë. Të paktën kështu është deklaruar para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 12 dhjetorit në Kosovë, e kështu dhe pas tyre. Në këto negociata Serbia do të hyjë duke mos e njohur pavarësinë e Kosovës, duke pasur ende në kushtetutë shprehjen që Kosova është pjesë e Serbisë, etj.
Vetëm para pak ditësh, zëdhënësja e Ketrin Eshtonit, komisioneres së BE për marrëdhëniet me jashtë, deklaroi se nuk siguron nëse statusi i Kosovës nuk do të jetë pjesë e bisedimeve të Kosovës me Serbinë. Sepse, në fakt janë pesë shtete të BE që nuk e njohin Kosovën.
Politika zyrtare e Shqipërisë nuk ka shprehur asgjë mbi këto negociata, dhe dyshimet e mia janë që as do të shprehet përveç se me ndonjë deklaratë standarde. Dhe kjo vjen sepse të flasësh për këtë çështje do të thotë të jesh i përgatitur, do të thotë të kesh analizuar se çfarë ka ndodhur dhe të përgatitesh për çfarë do të ndodhë, do të thotë të mos jesh "patriot sezonal" por të bësh politikë në interes të kombit.
E për politikën tonë zyrtare, çështja do të ishte shumë herë më e thjeshtë nëse do të digjej ndonjë flamur shqiptar nga ndonjë tifoz serb. Në këto raste është kaq e thjeshtë të bëhesh patriot e ta duash kombin.

Mjafton të dalësh në ndonjë media e të bësh ndonjë deklaratë të bukur.  
Është kaq e thjeshtë të reagosh mbasi ngjarja ka ndodhur e të merresh me detaje, duke anashkaluar analizën dhe thelbin. Sepse kjo e fundit kërkon analizë dhe punë, kërkon të bësh politikanin, e jo patriotin sipas rasteve.

Ermira Danaj, G. Shekulli

Puthja e parë vret adoleshenten

Një adoleshente nga Uellsi ra përtokë e vdekur për shkak të të ashtuquajturës sindroma e vdekjes së papritur tek të rriturit (SADS), pak minuta pasi përjetoi puthjen e parë në jetën e saj.

Jemma Benjamin, 18 vjeçe, sapo takoi buzët me një shok të universitetit, Daniel Ross, 21 vjeç, në shtëpinë e tij, pasi kishin kaluar natën jashtë së bashku, ra përdhe e vdekur në sytë e të dashurit të saj.


Në fakt, ngjarja ka ndodhur para 20 muajsh, por hetimet në lidhje me vdekjen kanë përfunduar vetëm ditët e fundit, duke bërë me dije se vajza ishte goditur nga sindroma në fjalë, SADS, një sëmundje e rrallë, që në Britaninë e Madhe merr rreth 500 jetë gjatë një viti.


Djali dhe vajza në fjalë njiheshin prej rreth 3 muajsh dhe në momentin e ngjarjes, ai bëri të pamundurën për ta shpëtuar. Por nga hetimet e mëtejshme doli se nuk mund të bëhej asgjë për 18-vjeçaren, të cilën mjekët e përshkruan si simbolin e shëndetit të përkryer.


I dashuri i saj i tha policisë se ata njiheshin prej tre muajsh, por kjo kishte qenë për ta puthja e parë. "Lidhja jonë nuk ishte akoma seksuale, por ne takoheshim 2-3 herë në javë. Po shkonim në një bar së bashku dhe u kthyem pasi unë kisha harruar kartën e kreditit. Po flisnim së bashku dhe përfunduam duke u puthur në korridor, para derës hyrëse. Më pas, shkuam në dhomën e ndenjes, ku Jemma u shemb në kolltuk".


Gjithashtu, babai i djalit është shprehur se mendonte se i biri dhe vajza ishin thjesht shokë, duke shtuar se Jemma ishte shumë e ndrojtur, ndërsa nëna e saj ka deklaruar se ajo ishte notare e distancave të gjata, lojtare e mirë hokeji dhe gjithashtu gëzonte një shëndet të shkëlqyer.
Shekulli

Monday, February 14, 2011

Saçi

Ishte fundviti, 1993!
Ne ishim fëmijë e si gjithë fëmijtë e tjerë, të lumtur. Mbase edhe më tepër se fëmijët e tjerë. Ishim të barabartë dhe ajo që na dallonte ishte veçse imagjinata për të krijuar lojëra artizanale.
E adhuronim atë dritare që quhej televizor edhe pse Televizioni Shqiptar, i cili hapej pas orës 18:00 dhe filma jepte në ditët çift ( të martë, të enjte, të shtunë e të dielë).
Majmunin Hirko, Arush Dudushin, Aventurat e Çufos e Tipit, Lolën e Lelën, Ujku e Kaun, Nilsin e Tao Taon etj, i kishim parë si të babzitur, por ajo bota jonë kureshtare fëminore nuk kishte të ngopur.

Ishin përhapur zëra se do të vendosej një antenë e madhe satelitore që do të mbulonte me valë transmetimi të gjithë qytetin tonë të vogël, nga ku do të na shfaqej në televizor një kanal i ri televiziv. Nga forma që këta transmetues kishin, ishim pagëzuar me emrin SAÇ, sepse kishin pikërisht formën e saçit që piqte bukë.
Bisedonim shpesh rreth këtij argumenti, herë trillonim herë thurrnim thashetheme të mira, herë vendosnim data dhe herë i zëvendësonim me data të reja ku pritej që saçi gjigand do vinte në qytetin tonë.
Kështu ëndrra jonë ndaj saçit filloi të bëhej edhe më e besueshme kur pamë konstruksionin prej betoni që po ngrihej posaçërisht për të mbajtur gjigandin tonë. U ndërtua tek muzeumi i qytetit, deri në atë kohë i pasur e plot vizitorë, pika edhe më e lartë e qytetit, rrethuar me pisha me gjelbërim "non stop".
Emocioni që përjetuam kur mbi të u vendos saçi ynë magjik ishte i papërshkrueshëm. Fluturat përplaseshin lehtazi në bark, vendi nuk na mbante nga gëzimi. Një gëzim që lexohej aq lehtë tek sytë tanë. Një gëzim si i një fëmije që sapo ka marrë një mace shtëpiake, mezi pret të kthehet nga mësimi, për t'u kthyerr në shtëpi tek macja e tij. Një gëzim i një fëmijë që shkëmbehet me një bashkëmoshatare bukuroshe, ndaj së cilës nuk ka asnjë fjalë guxim të thotë. Një gëzim që vetëm fëmijët e kuptojnë.
Vraponin e luanim rreth monumentit të saçit. Edhe me djemtë e lagjeve me të cilat shpesh kishim jo vetëm rivalitet, por edhe përplasje të herëpashershme, ardhja e saçit në të njëjtin gëzim në paqe na kishte bashkuar.

Dhe ja, duke kontrrolluar në televizorët tanë u shfaq kanali i ëndërruar prej të gjithëve, ITALIA UNO. Të nesërmen në shkollë u informuan edhe ata të painformuarit dhe magjia e tërheqja ndaj kësaj dritareje të re, u bë kolektive.

U mahnitëm, u ngjitëm pashmangërisht ndaj tij, drejt atij horizonti të ri plot ngjyra, që na ftoi të preknim virtualisht një botë krejt të re, ku si të verbër u dashuruam me shikim të parë, për ta eksploruar në çdo qelizë.

Pa kaluar as viti, ishin jashtëzakonisht të rrallë fëmijët që tashmë nuk flisnin apo shkruanin italisht. Filmat vizatimorë, e jo veç, ishin kthyer në oksigjenin tonë të përditshëm. Ndiqnim çdo film, çdo emision, çdo spektakël madje edhe reklamat i kishim mësuar përmendësh. Kur shkonim për peshk e pasi hanim si në tryezën e rrumbullakët të Arturit fetat tona me gjalp e domate, këndonim në kor të gjitha këngët e filmave tanë vizatimorë. Përfitoj nga rasti të kujtoj "Lupen-in" tim të preferuar dhe "Storie Incredibile" të S. Splieberg-ut, në orën 22:00. Dita niste me "Tiger Sharks", i cili përfundonte pikërisht në 07:30, në kohën e duhur për t'u nisur për në shkollë. Dhe në shkollë çdo film që shihnim kthehej në një forum debati, Nëse një film gjumi nuk të kishte lejuar t'a shikoje, ishin padyshim disa shokë të palodhur, të gatshëm për të t'a ritreguar.
Kjo magji sigurisht që kishte filluar të shkaktonte edhe bezdi tek prindërit tanë, jo veç pse harxhonim energjinë elektrike tërë ditën përballë televizorit, jo veç pse "Il Principe Di Bell'Air" niste pikërisht në një orar me edicionin e lajmeve të orës 20:00, jo veç pse ne qeshnim e prindërit tanë rrinin të gufatur, jo veç se ne fëmijët bisedonim me njëri-tjetrin në italisht që prindërit të mos na kuptonin, por mbi të gjitha se ne po rriteshim me një botëkuptim të ri, shumë të ndryshëm nga prindërit tanë dhe identik me atë të fëmijëve përtej Adriatikut.

Tek saçi ynë shkonim si në një formë pelegrinazhi, për tu kujdesur e falenderuar për gjithçka na dhuronte.
 Ne tashmë mendonim, visheshim, silleshim si fëmijët e gjithë botës së qytetëruar. Të një bote që e kishim nuhatur që kur shoferëve të mauneve tranzit u thërrisnim "Guma-guma" dhe me çamçakëzët e çokollatat që na hidhnin, ia ndjemë shijen.
Dhe kjo bashkëjetesë vazhdoi për disa vite në mënyrë të mrekullueshme, derisa një mars të vitit 1997, krejt papritur një kapitull i ri u hap përpara nesh. Një kapitull filmash, por këtë herë real. Lodrat tona u bënë armët.
Lodra që shpuan me 3 vrima saçin tonë, të cilit i vodhën kokën, ashtu siç shkretuan edhe muzeumin, rajonin e policisë, bibliotekën, librarinë, shtëpinë e kulturës dhe atë të pionerit, bashkinë, depot,  dyqanet e gjithçka që pronar ishim ne të gjithë.

Dhe ishte vërtetë një koeçidencë e hidhur, që pasi saçi ynë u shkatërrua, ne filluam të blinim thasë mielli dhe një pjesë e madhe u rikthye të pjekë bukë, sërish me S A Ç.

Shkroi : Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Ndihem i trishtuar

(Letër e hapur drejtuar qytetarit shqiptar)
Kam njëzet vjet që ndihem i trishtuar. Në të vërtetë, duhej të ndodhte e kundërta. Duhej të isha një njeri i lumtur. Duke konsideruar propagandën e pafund për liri, demokraci e shtet ligjor, do të duhej të rinohesha çdo ditë, në kundërshtim me ligjet e natyrës.


Por, jo! Ndihem i trishtuar.
Edhe pse ushqehem më mirë, edhe pse vishem më bukur, edhe pse lëviz më lirshëm, edhe pse ndodhem larg kaosit shqiptar, përsëri ndjehem i trishtuar.
Ndoqa nga larg ngjarjet e 21 janarit 2011 dhe u trishtova. Unë isha përkrah teje i nderuar demonstrues. Unë kam qenë moralisht pranë teje edhe në 1990 kur demonstrojë paqësisht, edhe në 1996, 1997, 2001, 2009 apo sot.
Por, unë u ktheva kundër teje kur të pashë që godisje me gurë policët apo kur iu vije zjarrin makinave në bulevard. Kështu kam qenë kundër prej 20 vitesh. Unë u vura menjëherë në krah të policëve që goditeshin me gurë dhe jam edhe sot moralisht pranë policit që ndodhet ende në spital. Do të isha kundër teje edhe po të godisje me gurë një qytetar tjetër që kalonte rrugës.
Disa nga ju gabuat kur, zemërimin e ligjshëm u përpoqët ta shfryni ndaj ruajtësve të rendit. Ti kishe një mijë arsye për të protestuar, por asnjë arsye për t'iu vërsulur policit.
Ty të kanë lënë pa punë, por jo policia. Të kanë lënë fëmijët pa shkollë, por jo policia. Të kanë detyruar të mbyllesh brenda nga gjakmarrja, por jo policia. Të kërkojnë pesë mijë euro për një vend pune si mësues, por jo policia. Të bëjnë operacion vetëm për të të marrë paratë ose për të të hequr një organ të shëndoshë e për t'ia venë dikujt tjetër kundrejt parave, por jo policia. Të kanë marrë tokën dhe ua kanë ligjëruar grabitjen, por jo policia. Të kanë përmbytur e nuk të dëmshpërblejnë, por jo policia.
As Tragjedinë e Gërdecit nuk e kanë shkaktuar policët. Nuk janë policët ata që kanë shpërdoruar treqind milionë euro nga buxheti i shtetit (që janë paratë tua e të mijat) për të ndërtuar një rrugë që mund të ndërtohej më lirë. As ai që premtonte shtatëqind mijë euro nga buxheti i shtetit për një tender, nuk ishte polic. Nuk janë policët ata që kanë grabitur toka në bregdet apo që kanë ndërtuar hotele në emër të miqve e shokëve. Asnjë polici nuk i ka vajtur ndonjëherë në mend t'i "falë" pjesë të detit shqiptar fqinjëve, në këmbim të favoreve politike që i zgjasin jetën pushtetit të tij. Sepse polici as ka pushtet, dhe as mund ta bëjë atë.
Është e vërtetë që ka policë të korruptuar, që të kërkojnë paratë në rrugë apo që bashkëpunojnë me kontrabandistët e ndryshëm. Dhe, unë, së bashku me ty, jam kundër tyre. Por, mos harro! Shumica e policëve janë si ti e unë, janë unë e ti.
Mos harro!
Gjatë 20 viteve janë vrarë 200 policë dhe oficerë policie, ndërsa nuk është vrarë për motive të pastra politike asnjë prej atyre që kanë bërë ato "reforma" që të kanë sjellë ty padrejtësitë e lartpërmendura.  
Atëhere, përse i bije "Samarit" në vend që të rrahësh "Gomarin"?
 Duke goditur policin, ti mund të shfrysh dufin por jo të largosh shkakun e të këqijave që të kanë shkaktuar.

Të pashë që godisje me gurë ndërtesën e Kryeministrisë. Ajo nuk të ka bërë asgjë të keqe. Ajo është edhe e jotja, dhe e imja. Kur "Cakalli" të ka ngrënë tufën, mos iu vërsul strofullës, pasi nuk zgjidh asgjë.
Më pas, pashë se të vranë, ndërsa ishe me duar në xhepa. Unë u bëra me ty përsëri. Dhe me ty jam. Pasi të vranë, thanë se ishe kriminel sepse Ai tha se "Garda bëri dallimin midis popullit dhe kriminelëve...".
Pastaj, Ai tha se ti po bëje grusht shteti duke qenë i armatosur me çadra dhe me bishta pankartash. Kjo i gajasi të huajt që ndiqnin situatën, dhe thanë se me ato "armë" mund të bëhet Puc vetëm në filmat për fëmijë (cartoons). Kur Prokuroria tha se të dyshuarit duheshin ndaluar, Ai tha së këta duheshin shpërblyer financiarisht, dhe ashtu bëri.



Po, kush ishte Ai?
Ai është kryeministri i vendit tënd. Është ai, dalja në skenën politike të të cilit në vitin 1990 u shoqërua me djegien e 4-5 qyteteve kryesore të Shqipërisë, ashtu si hyrja e gjermanëve në këtë vend nisi me djegien e Borovës. Është ai që ka djegur katër herë vetëm Shkodrën dhe atëhere gazetat gjermane e quajtën "një ordiner i rrezikshëm".
Është ai, sundimin e parë të të cilit, gazetat angleze e patën quajtur "regjimi i gangsterëve". Jo vetëm kaq. Ai pati udhëhequr në 1998 një turmë njerëzish të armatosur me të gjithë kalibrat e armëve të ushtrisë për të zaptuar ministritë, kryeministrinë dhe RTV. Dhe e arriti këtë. Pastaj nxori në TV-në e zaptuar kryesuesin e radhës së koalicionit të tij për të njoftuar se "E morëm pushtetin".
Kur të huajt i thanë se kishte hyre gabim atje, iku dhe u ngujua në selinë e partisë së tij së bashku me njerëzit e armatosur. Më pas tha se ai nuk ishte grusht shteti por një reagim i ligjshëm i njerëzve të revoltuar nga vrasja e një njeriu të cilin e kishte dënuar dy herë më parë si ordiner. Pra, mbetet që grushtet e shtetit bëhen me duar në xhepa.
Ai është njeriu që dikur bënte presion në rrugë e parlament që oficeret e policisë të ngjarjes së 2 Prillit 1991 të arrestoheshin. Kur prokurorët i thoshin se ata janë të pafajshëm, ai ( tashmë në pushtet) urdhëronte dënimin e tyre.
Më pas, ai urdhëronte edhe ndërrimet e akuzave, ashtu si edhe ndërrimin e trupit gjykues, pasi i caktuari kishte gjasa ligjore t'i shpallte të pafajshëm. Tani që prokuroria e tij i thotë se ka persona të dyshuar si fajtorë, ai thotë se ata duhen shpërblyer. Atëherë "të revoltuarit" ishin të tij, ndërsa sot janë kundër tij.
Atëhere ai dekoroi 72 vetë nga ata që ushtruan dhunën dhe dogjën disa ndërtesa , ndërsa sot ai arrestoi 140 vetë prej atyre që mbanin çadra në duar.
Atëhere u protestua kundër zgjedhjeve të pranuara si të ligjshme prej ndërkombëtarëve dhe prej Atij vetë, ndërsa ti protestove kundër qeverisë që thotë se është e ligjshme por që nuk pranon ta vërtetojë ligjshmërinë e saj. Ti e di se fëmija legjitim iu tregohet gjithë "mysafirëve" ndërsa ilegjitimi iu fshihet të gjithëve. Ti dhe unë e dimë se fëmija, nëna e të cilit ka fjetur 30% te kohës me "jaranin", i duhet nënshtruar analizave të ADN-se për të përcaktuar atësinë, kurse ai thotë se fletët e votimit të keqnumëruara (në të vërtetë të falsifikuara) në masën 30% nuk mund të verifikohen.
Ti e dije se Ai është po Ai që ka qenë gjatë këtyre 20 viteve, prandaj edhe protestove.
  Ata të vranë. Ti protestove sepse fëmijët e tu ishin pa bukë. Ai i la tani edhe pa baba. Në të vërtetë, vrasja jote ka kohë që ka filluar. Ajo ditë ishte vetëm epilogu, vrasja jote fizike. Ty, por edhe mua, na kanë vrarë çdo ditë nga pak. Dhe, jo vetëm Ai. Ai nuk do të mund të bënte asgjë po të mos ishin edhe Ata.

Po, kush janë Ata?
Ata janë disa si unë dhe ti, por ndryshe nga ne të dy. Janë ata që gjatë 20 viteve kanë bërë çmos që, herë ta paraqesin Atë si shpëtimtari i kombit e herë të tjera si rrënuesi i kombit, ne varësi të plotësimit të nevojave të tyre. Ndërsa Ai ka qenë gjithmonë i njëjti.

A e ke vënë re numrin e pafund të priftërinjve, hoxhallarëve, dervishëve dhe imamëve që, me kokëfortësi dhe pa pushim bëjnë apologjinë e krimeve të tij dhe duan ta shesin si Bamirës e Shpëtimtar? Po numri, pambarimisht i madh, i "Burrave të Dheut" që, për shumë vjet u ndanë prej Tij, e mallkuan dhe e damkosën si Tradhtar dhe më vonë, për një kockë, u ulën në tavolinë me të, a të ka rënë në sy?  
Po Klanet dhe 55-at a i njeh, që, për çdo ditë dhe pa pushim, e hymnizojnë Atë dhe veprat e tij të turpshme?
Ti, edhe pasi të vranë, duhet ta kesh dëgjuar një Lehës të Ministrisë së Turizmit që tha se Ai ishte i vetmi burrë shteti sot në Shqipëri. Po, po, kështu tha. Këtë e tha ai, të cilit në vitin 1997 i pati djegur redaksinë e gazetës dhe i la sakat njërin prej gazetarëve të tij. Me gazetën e tij, ky Lehësi, për gati dhjetë vjet, u përpoq të na bindte mua dhe ty se Ai ishte një Monstër dhe Rrezik Kombëtar. Tani, na del që Monstra është Burrë Shteti.
Tani, na del se burrë shteti është Ai që kurrë nuk krijoi shtet, që shteti iu shkërmoq për 24 orë në vitin 1997 dhe që veten e konsideron Kryeministër, President, Parlament, Prokurori, Gjykatë, SHISH e gjithçka tjetër. Burrë shteti, pra, na qenka Ai, për të cilin, në vitin 1998, gazetat gjermane thanë se, " Si kryetar shteti, Ai rezultoi të ishte një katastrofë".
Sipas gjithë Lehësve, burri i shtetit është Ai që iu fal fqinjëve pjesë të territorit kombëtar, që ka pranuar Vetë se ka bërë kontrabandë armësh dhe nafte dhe që, me kundërshtarët politikë, komunikon me gjuhën e pastrueses më të pakulturuar të Tiranës. Ky, pra , është koncepti katundaresk dhe mesjetar për burrështetësinë.

Shumë kohë para se të të vrisnin ty, ti ke parë edhe një "kundërshtar" të tij politik që i ka dalë në krah Atij pak ditë para se të bëheshin zgjedhje në Shqipëri. Edhe pse e kishte burgosur dhe damkosur dikur si hajdut, kundërshtari iu gjend në ditë të vështira. Po pse, veç ai? Po një ministër që, dikur i pati thyer dhëmbët, a e pe tani si mori shpatën në mbrojtje të tij, ndërsa dikur kishte hipur në tank kundër tij?
Ty dhe mua na vrasin edhe ata komisionerët e votimeve që shiten për "dyzet aspra". Po të mos shiteshin ata dhe po të mos kishte me tepri Ristaner në të gjitha hallkat e drejtësisë, ne nuk do të vriteshim, as do te kishim nevojë për gurë, e, aq më pak për armë.
Po. Ti dhe unë i kemi parë të gjitha këto. Dhe ti mund të thuash se kjo punë qenka e ngatërruar, për besë.
Në të vërtetë, kjo punë tregon se nga çfarë bataku moral jemi të rrethuar unë dhe ti.  
Të gjithë këta që përmenda dhe shumë të tjerë, përbëjnë ushtrinë e atyre që duan të na vrasin mua dhe ty. Të vrasin mendjen tonë. Por, edhe shpirtin tonë. Sigurisht, kundrejt shpërblimit.
Duke na vrarë mendjen tonë, ata duan të na bëjnë të mendojmë siç duan ata. Dhe kur në të mendojmë në atë mënyrë, ata do të na sundojnë me pëlqimin tonë. Dhe, nëse ne ankohemi, ata do të shfajësohen duke thënë se ky është pëlqimi juaj, ky është vullneti juaj, ky është sundimi juaj, ose i sovranit, siç iu pëlqen atyre të na quajnë.
Me paratë tona, të grabitura në buxhetin e shtetit, ata shpëlajnë trurin tonë, në mënyrë që të vazhdojnë pambarimisht grabitjen. Ata kanë shpikur tenderin si çelësin e artë të vjedhjes së parave tona në mënyrë "të ligjshme". Parajsën e tyre e paraqesin si fatlumturinë tonë. Meqenëse, na e kanë hequr mundësinë të sigurojmë të drejtat tona në vendin tonë, duke na privuar nga drejtësia dhe siguria, ata na ofrojnë ikjen si arritjen e tyre më të madhe dhe dhuratën më të vyer që na bëjnë. Ikja jonë u shërben atyre, sepse kështu do të mund të sundojnë më lehtë të pamundurit.

Po, çfarë të bëjmë atëherë?
Me së pari duhet të ndryshojmë unë dhe ti. Pa ndryshuar ne, nuk ndryshon Shqipëria. Kur të ndryshojmë ne, do të ndryshojnë edhe ata, që në dërgojmë të na përfaqësojnë në shtet. Për aq kohë sa të votojmë njerëz që, të gjithë së bashku, kanë vlerë sa një zero dhe që marrin vlerë vetëm kur vihen pas njëshit, punët nuk do të shkojnë mirë. Ata që e votuan Atë për President në vitin 1997, në Gjendjen e Jashtëzakonshme, pa asnjë kundërshtim, ata që flasin me gojën e tyre por me mendjen e Atij, ata që ia miratuan Atij unanimisht planin për dhënien e detit fqinjëve, nuk janë ata që na duhen mua dhe ty.

Por, kujdes!
Kur ta kesh përcaktuar Djallin në njërën anë, mos mendo me naivitet se, automatikisht, në anën tjetër ndodhen Engjëjt. Mos ia jep votën Të Keqit. E Drejta dhe e Vërteta nuk janë as të majta dhe as të djathta. Të tilla janë vetëm rrugët që mendohet se të çojnë drejt se mirës së përgjithshme. Zgjidh njeriun nëse do të kesh shtet në shërbimin tënd, përndryshe do të biesh nga një e keqe në tjetrën. Mos beso se do t'i zgjidhin hallet të huajt. Rrugën tënde nuk mund ta tregojnë ata që, më shumë rëndësi i kushtojnë të drejtës së një qytetari shqiptar për të përdorur si të dojë prapanicën e tij se sa të drejtës së një milion shqiptarëve për të verifikuar votat e tyre. As ata që të këshillojnë të mos protestosh për bukën e gojës, kur në vendet e tyre protestohet edhe për qejfin e bythës.
Edhe ti, drejtues i opozitës! Kur të thërrasësh njerëzit në "dasmë", qëndro në krye të vendit. Përndryshe, nuk mund të jesh dhe as të bëhesh zot shtëpie.
Mos bëj marrëveshje me Të Pabesin, se pastaj zhgënjehesh. Duket qartë se nuk e ke besuar atë që At Fishta thoshte para gati një shekulli për Europën. Këta të sotmit janë bijtë e Saj. Duket se e ke ngatërruar shkëlqimin material të Europës me pastërtinë e saj shpirtërore. Përndryshe, nuk do të darkojë tek Krokodili dhe të ktheheshe siç kthehen të gjithë ata që ndeshin në krokodilë. Ajo që ata të premtuan se do të bëhej atje, do të ishte bërë më lehtë dhe pa shpenzimet e tyre në Tiranë.
Dhe, mos u mjafto me deklamimin e asaj që është bërë keq, por tregoje qartë se si do ta bëje mirë. Mos fol me njerëzit sikur ndodhesh para studentëve të Akademisë së Arteve, por mëso edhe artin e komunikimit me fshatarin e Dukagjinit apo të Lunxhërisë apo me minatorin e Bulqizës.

Për ty, oficerin e Gardës, kam shumë besim që nuk e ke dashur kurrë vrasjen e njerëzve. Besoj, apriori, edhe në pafajësinë tënde. Por, ti duhet të shkosh tek drejtësia dhe ta provosh këtë. Mos dëgjo Atë që, për 20 vjet, i ka shkelur pothuajse të gjitha nenet e Kodit Penal dhe e ka injoruar Drejtësinë, edhe kur është thirrur si dëshmitar. Ai i përket së shkuarës, madje asaj mesjetare. Pushteti nuk e ka bërë të arsyeshëm, por,përkundrazi, arrogant dhe prepotent.
Ti duhet të jesh fisnik.
Unë vazhdoj të ndjehem i trishtuar.

Nga Viktor MALAJ

"Unë dua një Shqipëri me shqiptarë në krye"

Shqipëria duket qartë se gjendet në presë të thikës së fateve.
E shoh këtë rrezik edhe në interpretimin e anshëm me versionet e cytura prej e përtej politikës së kulisave. A mund ta mbash një popull për dekada të tëra nën presione dhe rrena që nuk kapërdihen(?), e të gjitha këto drejtuar nga një retorikë e shëmtuar e cila proklamon shkëlqime me thelb të ndryshkur, dhe në madhësinë e qëllimit të vet mbron interesa të mëdha ekonomike të shtresëzuara nga mundi e djersa popullore?

Në 50 vjet, e ndarë në dy kampe, xhelatër e viktima, shoqëria shqiptare ende e trashëgon këtë rend si një tumor ndjellakeq të shpërhapur kudo në trup të saj.
Po të njëjtët aktorë politikë që nga Noli e këtej, njerëz të ndershëm e kokulur, punëtorë e pronarë të mëdhenj tani janë veç nëpunës e papunës prej kësaj simbioze vrastare.
Teknikat e përsosura të propagandës së trilleve që prej përkthimit monstruoz e bolshevik të Don Kishotit të Servantesit e gjer tek fytyra gënjeshtare e televizioneve pro pushtetare, e kanë trandur e mbufatur gjithë vetëdijen e një populli që s'po e merr kurrë lirinë: Lirinë e të protestuarit kundër të vërtetës së egër të korrupsionit dhe neokomunizmit që synon dita ditës ta kërrmillëzojë rrugën për progres, revoltën qytetare të penguar, të përdorur e të manipuluar për ta mbajtur pushtetin pafundësisht. Këtë interpreton, sajon dhe paraqet televizioni.
E shfaqin si një realitet të shtirur, e përdorin tërbimin dhe skamjen për ta institucionalizuar e zgjanuar një të vërtetë të thjeshtë dhe të zgjidhshme pa ndihmë komisionesh e ndihmash të tjera policore jashtështetërore, dhe këtë e bëjnë vetëm e vetëm që të përjetësojnë jetëgjatësinë e "menderes së ngrohtë" të karriges djallëzore.

Unë e dua Shqipërinë pa televizione gënjeshtare, pa gazeta e gazetarë fantazma.
Rasti më i keq i gazetarisë së shkruar është ai zotëria me mbiemrin Çupi, që tenton të rrënojë gjenerata të tëra profesionalistësh, duke treguar një fytyrë Janusi negativ, pa qëndrueshmëri e pa vizion. Njeri pa personalitet! Rasti më fatkeq i gazetarisë televizive është gazetari fort i trumbetuar klanist, pronar e pasunar, B.Fevziu.
Këtë e thotë edhe Idro Montanelli, që nëse një gazetar është i pasur, ai kurrë nuk mund ta mbajë më këtë status. Këta dhe disa të tjerë janë një trukoturp mediatik!

Jam i revoltuar për çdo gjë që ndodh në këtë vend që përveç goditjes që merr prej lobingjeve të fuqishme sllavo-greke, syrgjynoset e nëpërkëmbet edhe prej drejtuesve të vet.







Unë dua një shtet me shqiptarë në krye!


Nizam Përdrini, Shekulli

Maqedoni, kisha mbi Kala, përleshen shqiptarë e maqedonas

SHKUP-Një përleshje mes shqiptarëve dhe maqedonasve ka ndodhur sot në Shkup për shkak të ndërtimit të një kishe mbi Kalanë e Shkupit.
Përleshja ka nisur pas një proteste që ishte lajmëruar nga 19 organizata joqeveritare shqiptare që do të organizohej në Shkup kundër ndërtimit të kishës në ambientet e Kalasë. Korrepospondentja nga Shkupi për TVNeës24, Zerjeta Hajro bën të ditur se protestues maqedonas të një organizate joqeveritare u përleshën me protestuesit shqiptarë. Personat kanë hedhur sende të forta si gurë dhe shkopinj në drejtim të njëri-tjetrit dhe si pasojë raportohet dhe për disa të lënduar.
Në vendgjarje kanë shkuar dhe deputetë të partive shqiptare të cilët u përpoqën të qetësojnë situatën.

ProtestaKa qënë Lëvizja qytetare “ZGJOHU!” që kishte njoftuar sot se do të mbante protestë kundër ndërtimit të kishës në Kalanë e Shkupit, ndërkohë një iniciativë qytetare maqedonase gjithashtu kishte thirrur një protestë në mbrojtje të kësaj kishe.
Lëvizja “ZGJOHU!” nisi protestën në lokalitetin ku po ndërtohet kisha. Në njoftimin e Lëvizjes theksohet se qytetarët duhet ti bashkëngjiten kësaj revolte për ti dhënë fund “falsifikimit të historisë dhe përvetësimit të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore shqiptare nëpërmjet ndërtimit të kishës ortodokse në Kala dhe përpjekjeve për të shkatërruar shtëpinë e lindjes së nobelistes shqiptare Goxhe Bojaxhiu”.

Në përkrahje të lëvizjes “ZGJOHU!” u bashkuan dhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni si dhe 18 shoqata të tjera joqeveritare.
Nga ana tjetër, iniciativa qytetare maqedonase ftuan maqedonasit që të tubohen po sot rreth mesdites për të mbrojtur kishën që po ndërtohet në Kalanë e Shkupit.
Në njoftimin e këtij grupi iniciator bëhet thirrje që qytetarët maqedonas pa dallime partiake të ngrenë zërin për kishën dhe dëmin që i ishte bërë si dhe nevojën që ajo të mbrohet siç thuhet me “mure të gjallë”. Kane mjaftuar thirrjet e e te dyja paleve qe protestusit te mos ruanin gjakftohtesine dhe te nisin acarimet deri ne eksalim te situates duke goditur mes tyre me mjete te forta.

Ndërtimi i Kishës
Reagimet për ndërtimin e kishës u shtuan kur punëtorë të një kompanie ndërtimore u hetuan të martën në mbrëmje duke kryer punimet në objektin e kishës, edhe pse ishte arritur një marrëveshje qeveritare për ndërprerjen e punimeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje që objekti në ndërtim të tërhiqet ose të shndërrohet në objekt tjetër. Drejtoria për mbrojtjen trashëgimore e Ministrisë së Kulturës bëri të ditur se po ndërtohet një muze për ekspozimin e artefakteve të gjetura nga gjurmimet arkeologjike në Kala, ndërsa gjithashtu ky objekt mund të shfrytëzohej edhe për kryerjen e riteve fetare ortodokse, pasi që në këtë lokalitet ka ekzistuar kishë që datonte nga shekulli 13.
(d.b/BalkanWeb)

Shikoni videon e kësaj ngjarjeje - Stop letargjisë e nëpërkëmbjes kombëtare - Ndal Paditurisë.

http://www.youtube.com/watch?v=n8iGvOWzeRw

Rastet Gejxh-Ikonomu, shqiptarët të mos pranojnë regjistrimin e popullsisë që kërkon Greqia

Diplomacia shqiptare është sa anemike dhe e përgjunjur, aq dhe antikombëtare; sepse i shërben pushtetit, jo shtetit.
Kjo u pa dhe u kuptua edhe njëherë nga deklarimet e Ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto dhe nga heshtja fobike e Kryeministrit, Sali Berisha.

Disa muaj më parë, Ministri i Inovacionit dhe i Teknologjisë, Genc Pollo, në një panel televiziv, krahasonte sjelljet e mundshme të dy “Kasemëve” nga Librazhdi, për probabilitetin e ndryshimit nga ata të kombësisë dhe regjistrimit të tyre si grekë.  
Njëri fshatar i varfër, i joshur nga “favoret”greke për ndryshimin e kombësisë; tjetri emigrant ekonomik i pakënaqur nga qëndrimi në Greqi, ku ka ndërruar emër dhe fe dhe që tani me siguri kërkon të kthehet dhe nuk joshet të kthejë kombësinë.
Genc Pollo i ngarkuar nga Kryeministri për të ndjekur problematikën e regjistrimit të popullsisë, si pasardhës i një familjeje, që ka precedencë kolaboracioni me grekët, i ka shërbyer dhe po i shërben kauzës greke; që sa më shumë shqiptarë të regjistrohen si grekë.
Veprimtari dhe lobisti greko-amerikan, i inkriminuar me qëndrimet e tij politike në dëm të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, shovinisti i fandaksur panhelenist Nikolas Gejxh (Nikos Gaxhojanis), si bir shpirtëror i superkriminelit genocidist, Napoleon Zerva, e ka kthyer Jugun e Shqipërisë, në shtëpi të dytë; ku hyn e del sa herë t’i dojë qejfi dhe flet pa dorashka kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Kohët e fundit në takimin me veprimtarë minoritarë të një partie të re të themeluar prej tyre, ai propagandoi njohjen e Protokollit famëkeq të Korfuzit dhe një Vorio-Epir të fortë. Ky një pretendim maniakal shekullor grek, që nga koha e “Megaliidhesë” e shpallur nga kryeministri grek Joanis Koletis në vitin 1844.

Siç dihet tashmë, Greqia, megjithëse vend anëtar i BE, ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, për të ashtuquajturin Vorio-Epir. Greqia kërkon t’a aneksojë ketë tokë shqiptare, pa patur asnjë bazë historike dhe etnogjenetike, deri tani duke shkelur e dhunuar ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve fqinje që kanë kontestime territoriale.
Shpëtim Idrizi e ka karakterizuar mirë me argumente Gejxhin, si një antishqiptar që propagandon barazimin e viktimës me kriminelin, madje duke e treguar viktimën si kriminel; dhe si një trumbetues i hapur i aneksimit të Shqipërisë së Jugut nga Greqia, pikërisht në shekullin e 21-të!
Konsullit defiçient grek, Theodhoros Ikonomu, i duhet thënë me forcë, para se të mund të shpallet “person non grata”; çka qeveritarët dhe kryeqeveritari shqiptar tremben shumë t’a shpallin, se vllehët nuk janë grekë. Gjithashtu i duhet thënë se mbishkrimet në gjuhën greke mbi varret e shqiptarëve ortodoksë në Korçë e gjetkë; nuk tregojnë kurrsesi që të vdekurit shqiptarë kanë qenë grekë dhe se Korça (Korica sipas grekëve) nuk është qytet i Vorio-Epirit grek.
Ka qenë një rregull në Perandorinë Osmane, ku mbi varret e ortodoksëve mbishkrimet ishin greqisht; ndërsa mbi varret e muslimanëve mbishkrimet ishin osmanishte (ndasia sipas mileteve).

Reagimi i intelektualëve shqiptarë, ka qenë i pamjaftueshëm, si në kontekst, ashtu dhe në numër ndaj këtij provokimi iritant grek, prej një konsulli ordiner grek në Korçë; i cili nuk përfaqësoka qëndrimin zyrtar të Athinës, për shpifjet e ndyra që deklaroi. Kjo duket qartë edhe nga reagimi zyrtar grek ndaj deklarimeve të Gejxh dhe Ikonomu; por edhe nga reagimi i Qeverisë Shqiptare. Nuk dihet se çfarë do të shohim e dëgjojmë nga pala greke për këtë incident, që përsëritet shpesh prej shumë kohësh, sa që nuk mbahen mend.
Paralajmërimi dhe reagimi i shoqëruar me argumente bindëse i Nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Kreshnik Spahiu, lidhur me vendimet arbitrare të Gjykatave Shqiptare për ndryshimin pa baza ligjore të kombësisë së shqiptarëve vetëm me deklarimin e tyre si grekë; është një akt i rëndë antiligjor, i cili cënon thelbësisht sovranitetin e Shtetit Shqiptar. Prandaj nuk është jashtë logjikës së ligjeve ndërkombëtare dhe të vendit, kërkesa për anulimin e të gjithë vendimeve të pabaza të gjykatave në Gjirokastër, Përmet, Korçë e gjetkë për ndryshimin e kombësisë së shqiptarëve; në rrethana që tashmë dihen.
Mund të shikohet e të trajtohet edhe ndalimi me ligj i ndryshimit të kombësisë;sepse deklarimi grek i shqiptarëve kërkohet nga politika e politikanët e një shteti shovinist, i cili për vete nuk njeh asnjë minoritet në tokën e vet dhe kërkon të helenizojë, si njëqindepesëdhjetë vjet më parë, kombësitë jo greke në territorin e Greqisë dhe në territoret e vendeve fqinje me të; në zbatim të synimit efemer helenik për “ekspansion territorial grek”.

Nga Orhan ZARSHATI