Showing posts with label Ekonomi. Show all posts
Showing posts with label Ekonomi. Show all posts

Tuesday, June 29, 2010

Kriza, “Guardian”: Greqia nxjerr në shitje ishujt

ATHINE- E përditshmja angleze “Guardian” zbardh planin e Greqisë për të shlyer borxhet e për të dalë nga kriza. Sipas asaj që shkruhet në artikullin kushtuar Greqisë, shteti helen ka vendosur të nxjerrë në shitje disa nga ishujt e saj më të bukur në mënyrë që të shlyejë borxhet e mëdha ndaj Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.


E përditshmja britanike nënvizon se në planin e shitjes është edhe një pjesë e konsiderueshme e ishullit Mykonos, i cili është një ndër destinacionit kryesore të turistëve të huaj dhe vendas.

Territori i cili është në pronësi të shtetit duket se do ti jepet për shfrytëzim një manjati të huaj që ka planifikuar ndërtimin e një resorti turistik mahnitës.
Territore të tjera që do të nxirren në shitje gjenden në ishullin e Rodit. Sipas gazetës angleze, edhe Roman Abramovich, pronari i skudrës së Chelsit, është i interesuar për të blerë njërin nga ishujt grekë.

Greqia ka në tërësi 6000 ishuj, pjesa më e madhe e të cilave janë shumë të vegjël dhe të pabanuar nga njerëzit. Ndërkohë vetëm 227 ishuj shfrytëzohen për turizëm dhe janë territore të banuara.

Sipas “Guardian” disa ishuj kushtojnë vetëm 2 milionë euro, aq sa kushton një shtëpi në lagjet e qytetit të Londrës.
(e.n/guardian/BalkanWeb)

Friday, May 21, 2010

Qeveria shet 14 makina për 6.23 milionë lekë

Qeveria shet me më pak se 4 mijë euro makinën luksoze të tipit “Benz ML”, në një kohë që vlera e saj reale në treg është 12 mijë euro.

Të 14 makinat në pronësi të Këshillit të Ministrave, të vëna në shërbim të këshilltarëve të kryeministrit dhe të punonjësve të departamenteve të këtij institucioni, janë shitur në ankandin e zhvilluar në 26 prill të këtij viti. Vlera totale e shitjes shkon në 6.213.500 lekë të reja për 14 automjete. Për makinën luksoze tip “Benz ML”, fuoristradë, qeveria kishte caktuar si çmim fillestar shumën prej 125.000 lekësh të reja.

Një shifër qesharake po të mendosh se vlera e saj në tregun e makinave shkon më shumë se sa dhjetëfishi i saj. Për këtë makinë ka pasur pesë oferta të ndryshme, ku fitues, sipas vendimit të Komisionit rezultoi Xhovan Saraçi, duke e blerë automjetin në shumën 520 mijë lekë të reja.

Makina “Land Rover Discovery” me targa qeveritare 0026 Z, është blerë nga Petrit Bici në vlerën prej 690.500 lekësh.

“Opel Omega”, simbol i makinave qeveritare për këshilltarët, ka arritur çmimin më të madh të shitjes në 15 milionë lekë të vjetra, më shumë se sa Benzi luksoz.

Kujtim Didi ka bërë ofertën për blerjen e kësaj makine, çka rezulton dhe oferta më e lartë për 7 automjetet e tjera të kësaj marke.

Drejtori i Informacionit dhe Dokumentacionit në Kryeministri, Qemal Sakajeva të njëjtën markë makine e ka blerë në vlerën 130 mijë lekë të reja, në një kohë që shifra fillestare e vendosur në tenderim ishte 125.000 lekë.

Në këtë ankand blerjeje të 14 makinave më i fituar ka qenë Xhovan Saraçi, i cili ka përvetësuar kundrejt shumave të ndryshme tri automjeteve të llojeve të ndryshme; “Hynday”, “Benz ML” dhe “Opel Frontera”.

Për makinën “Hynday Terracan” në garë ka qenë edhe këshilltari politik i kryeministrit, Glori Hysi. Oferta e tij prej 400 mijë lekësh ka rezultuar jo bindëse për komisionin e Vlerësimit të Ofertave. Makina e tipit “Volsvagen Golf” është e dyta që ka pasur shitjen më të madhe prej 950.000 lekësh të reja. Vlera fillestare e vënë ka qenë 75 mijë lekë, ndërsa janë depozituar 3 kërkesa.

Për 14 makinat ka pasur gjithsej 39 ofertues. Persona të njëjtë kanë marrë pjesë në disa tenderime për blerje makinash.

Qeveria më parë nxori projektligj për heqjen e makinave të zyrtarëve të të gjitha niveleve në administratën shtetërore. Ky vendim prekte dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe gjyqtarët. Një vendim i tillë u argumentua me faktin e uljes së shpenzimeve të tepërta që shteti përdorte për transportin e zyrtarëve. Ligji më pas u votua nga Kuvendi, i cili u hoqi automjetet deputetëve, duke u dhënë bonuse në lekë për lëvizjet e tyre me makina.

Por një ligj i tillë u kontestua nga ana e shoqatës së Gjyqtarëve, i cili u ankimua në Gjykatën Kushtetuese.

Bledar Hoti, G. Shqiptare

Kjo është një tallje në qiell të hapur, sepse sigurisht në ankand marrin pjesë njerëz të përzgjedhur që i marrin makinat për dy lekë. Përse ky ankand të mos ishte i lirë për të gjithë qytetarët dhe kështu edhe arka e shtetit do të përfitonte më tepër?
Sigurisht që ky quhet dhurim dhe jo shitje në ankand, por një tjetër pyetje të lind rishtazi : A e paguan këta zotërinj taksën e re të ndërrimit të pronësisë? (S.I)

Monday, May 17, 2010

Fatura e energjisë në Shqipëri merr 27% të buxhetit të një familjeje

Çmimi i energjisë, 50% më i lartë se në të gjithë rajonin.

Çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri është 50 për qind më i shtrenjtë se mesatarja e zonave të rajonit. Fatura e dritave u kushton shqiptarëve 27 për qind të të ardhurave bruto të një familje.

Në Shqipëri, një kilovat orë energji kushton 13 lekë ndërsa në Kosovë, e cila e importon pothuajse të gjithë energjinë nga vendi ynë një kilovat orë energji kushton 0.0033 cent ose 0. 33 lekë. Në Maqedoni, një kilovat energji kushton 6.7 lekë ose 64 për qind më lirë se në vendin tonë. Fatura e energjisë që paguajnë familjet shqiptare është pothuajse e barabartë me atë që paguan një familje në Angli edhe pse kjo e fundit ka të ardhurat për frymë mbi dhjetë herë më të larta se një familje shqiptare.


Faturat
Shqiptarët paguajnë faturën më të shtrenjtë për energji elektrike se gjithë vendet me ekonomi të ngjashme. Kështu, fatura e energjisë në vendin tonë është 64 për qind më e shtrenjtë se në Maqedoni. Çmimi mestar i energjisë elektrike në Maqedoni është 6.7 lekë për kilovat orë. Në Shqipëri një kilovat orë energji elektrike kushton 13 lekë. Çmimi i energjisë elektrike që paguhet nga familjet shqiptare është jo vetëm më i larti në të gjithë rajonin, por edhe shpenzimet për energjinë në Shqipëri zënë peshën me të madhe në krahasim me të ardhurat mujore. Nëse do të krahasohet me Maqedoninë paga mesatare neto për një punonjës maqedonas është 20240 dinarë dhe fatura e energjisë për konsumin sipas një fature është sa 15 për qind e pagës mesatare të një punonjësi. Ndërkohë që e njëjta sasi konsumi për një familje shqiptare zë 27 për qind të pagës bruto. Nëse do të llogariteshin edhe taksat e pagës që në Shqipëri janë ndër më të lartat në rajon fatura e energjisë do zinte mbi 30 për qind të pagës. Tarifat e energjisë në vendin tonë janë disa herë më të larta se vendet me standarde më të larta jetese jo vetëm në rajon por edhe në krahasim me vendet më të zhvilluara të botës.


Rritja e çmimit
Nga 1 janari çmimi i energjisë elektrike është rritur me 13 për qind. Enti Rregullator, vendosi rritjen e çmimit të energjisë për të tre operatorët në treg, prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen. Enti vendosi që çmimi me të cilin KESH tregton energjinë e prodhuar, të rritet nga 1.61 lekë për kilovat në 2.03 lekë për kilovat. Rritja është me 0.42 lekë, ose 25.5 për qind. Enti vendosi që edhe OST, për transmetimin e energjisë elektrike të përfitojë nga 0.5 lekë për kilovat, 0.6 lekë për kilovat. Pra 0.1 lek për kilovat, ose 20 për qind. Ndërkohë që tarifa mesatare e energjisë që tregtohet nga OSSH, është rritur nga 8.45 në 9,53 lekë/kilovat. Rritja është 1.08 lekë për kilovat ose 13 për qind. KESH dhe OST ja shesin energjinë OSSH, e cila e faturon te konsumatorët. Nga vendimi i djeshëm i Entit Rregullator, nga 1.01 lekë që i është bërë çmimit mesatar të energjisë, 0.52 lekë do shkojnë në favor të KESH dhe OST. Pra, gati gjysma e çmimit të miratuar dje nga ERE, shkon për të përmbushur kërkesat e kompanive që administrohen nga qeveria. Duket, pak kontradiktore, por janë kompanitë shtetërore që kanë diktuar rritjen e çmim


Faturat
Si të mos mjaftonte çmimi i lartë që familjet shqiptare duhet të paguajnë për një kilovat orë energji të shpenzuar në tre muajt e parë të viti janë regjistruar abuzime në shifra të lartë kryesisht ndaj abonentëve familjar. Madje operatori i shpërndarjes së energjisë ka kërkuar një tjetër rritje të energjisë pasi pretendon se kostoja e shpërndarjes është e lartë për shkak të rrjetit të amortizuar. Në fillim të vitit ankesat kanë arritur nga 50 deri në 70 raste në ditë. Këto raste në pjesën më të madhe të tyre kanë të bëjnë me problemin e mbifaturimit të energjisë elektrike pasi kjo shkelje jo vetëm që nuk reduktohet nga OSSH por sa vjen edhe thellohet. Qytetarët që kërkojnë zgjidhjen e problemit me mbifaturimit e energjisë elektrike deklaronin se nuk mund të gjenin as zyrën për të bërë ankesat e faturave.

Eksportet e energjisë, shifra rekord
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare parashikon të fitojë nga shitja e energjisë për vitin 2010 rreth 5 herë më shumë se një vit më parë. Burime nga KESH bëjnë të ditur se për këtë vit fitimi nga eksporti do të shkojë deri në 100 milionë euro, ndërkohë që në vitin 2009 të ardhurat rezultonin në 22 milionë euro. Sipas të njëjtave burime mësohet se gjatë këtij vitit janë arritur rekordet e prodhimit dhe të eksportimit të energjisë. Ndërkohë parashikohet se parashikohet që brenda 2 ditësh të rinis reshjet masive dhe si rrjedhojë do të ketë rritje të niveleve ujore në hidrocentrale. Aktualisht nivelet ujore janë në pikat maksimale dhe rikthimi i reshjeve do të sjellë detyrimisht nevojën për shkarkim të ujit nga hidrocentralet. Vitin e kaluar, KESH ka pasur të ardhura prej rreth 7.8 miliardë lekësh (rreth 57 milionë euro), gjë që do të thotë se këtë vit, korporata nën pronësi publike mund të shijojë dyfishim të xhiros vjetore. Energjia elektrike po eksportohet përkundrejt çmimit mesatar prej 40 eurosh për MWh, por Shqipëria duket se gjatë këtij viti do të importojë drita përkundrejt çmimit prej 50 eurosh për MWh. Megjithatë, e rëndësishme është që pjesa dërrmuese e kostos së energjisë së importuar, do të mbulohet nga eksportet. Pavarësisht eksporteve të stërmëdha, sipas Stojkut, situata energjetike e vendit mbetet në kushte optimale

Fatura për 300 kilovat
ISHTE

300 kv/orë x 7 lek
2100 lekë
TVSH 20 për qind
2520 lekë në muaj
BËHET
300 kv/orë x 7.7 lekë
2310 lekë
TVSH 20 për qind
2720 lekë në muaj
NDRYSHIMI
250 lekë më shumë

Fatura për 400 kilovat
ISHTE

300 kv/orë x 7 lekë
2100 lekë
100 kv/orë x 12 lekë
1200 lekë
Në total 3300 lekë
TVSH 20 për qind
3960 lekë në muaj
BËHET
300 kv/orë x 7.7 lekë
2310 lekë
100 kv/orë x 13.5 lekë
1350 lekë
Në total 3600 lekë
TVSH 20 për qind
4392 lekë në muaj
NDRYSHIMI
432 lekë më shumë

Çmimi i energjisë
Kosova 0.33 lekë për kilovat orë
Maqedonia 6.7 lekë për kilovat orë
Gjermania 0.55 lekë për kilovat orë


G. Sot

Thursday, May 13, 2010

Shqipëria, ndër 30 vendet me borxhe më të mëdha në botë

Shqipëria renditet e 30-ta në botë për borxhin më të madh publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, sipas një raporti të fundit të CIA-s amerikane. Ky raport u referohet shifrave të vitit 2009, kur, sikurse është pranuar tashmë zyrtarisht, niveli i borxhit të përgjithshëm të shtetit shqiptar ndodhet në kuotën e 60 përqindëve.

Viti 2009 u mbyll me një nivel borxhi total publik prej 680 miliardë lekësh (rreth 60% e PBB-së), ndërkohë që edhe në 2010-n do të kemi sërish rritje, që Financat e parashikojnë në 744 miliardë lekë, ose 59.91 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, në rast se ky PBB do të shënojë rritjen e planifikuar.
Shërbimet për borxhin kanë ardhur duke u rritur, sidomos në dy vitet e fundit, ku në 2009-n kemi paguar rreth 42 miliardë lekë për interesa dhe kredi.

Për borxhin e brendshëm, vitin e kaluar kemi paguar rreth 31.4 miliardë lekë, kurse për të huajin, afro 5 miliardë lekë.
Shërbimet e borxhit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto kanë qenë mesatarisht 3.3 për qind, ndërsa në 2009-n pësuan rritje në 3.6 për qind. Borxhi i jashtëm në fund të vitit 2009 krahasuar me 2008-n, vlerësohet në rritje, nga 32 për qind në 39 për qind (37.5 për qind pa ndikimin e kursit të këmbimit) në raport ndaj totalit, duke qenë kështu në përputhje me parashikimet e strategjisë 2009-2011. Huamarrja e brendshme realizohet nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë të qeverisë; bono thesari me maturim 3, 6 dhe 12-mujor, si dhe obligacione me maturim 2, 3, 5 dhe 7-vjeçar. Në fund të vitit 2009 ka rritje të portofolit të borxhit të brendshëm afatgjatë në përqindje ndaj totalit, nga 36.6 për qind për vitin 2008, në 37.4 për qind në vitin 2009.

Borxhi i brendshëm afatshkurtër (deri në bono 12-mujore) ka ardhur në vite duke u reduktuar, nga 273 miliardë lekë që ishte në vitin 2006, në 256 miliardë lekë, ndërsa afatgjati, nga 75 miliardë lekë në 2006, në 153 miliardë lekë në vitin 2009, duke ndryshuar raportin (78-22 në vitin 2006, 62-38 në vitin 2009).

Genc Kondi, G. Shqiptare

Monday, May 10, 2010

Kushtoi 450 mijë USD, magazina e patateve nuk vihet në punë

Janë instaluar të gjitha pajisjet, por prej tre vjetësh nuk është përcaktuar se kush do ta menaxhojë, ndërsa fermerëve u prishet prodhimi.


Kukës - Kanë kaluar rreth tre vite nga përfundimi i ndërtimit të magazinës e cila ishte planifikuar që të ruajë, pastrojë, seleksionojë dhe paketojë patatet të cilat prodhuesit e saj do i sillnin aty dhe ajo ende nuk është vënë në funksionin për të cilin është ndërtuar. Kjo magazinë është pjesë e një projekti të paraqitur në fillim të vitit 2006 nga GTZ, bashkia dhe ministria e bujqësisë ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit projekt që parashikonte ndërtimin e tregut të fruta-perimeve si dhe atë të magazinës së grumbullimit dhe përpunimit të pjesshëm të patates.

Shkak për këtë mos vënie në punë të magazinës nuk është infrastruktura por mungesa e menaxhimit sepse aty janë instaluar pjesa më e madhe e pajisjeve por nuk është caktuar mënyra dhe personi apo institucioni që do e menaxhojë. Sipas prodhuesve dhe tregtuesve të këtij produkti bujqësor, që në qarkun e Kukësit është karakteristik, mos funksionimi i magazinës sjell një dëm ekonomik pasi po të sistemoheshin aty prodhimet e tyre nuk do të kalbeshin, siç ndodh rëndom për çdo vit.

“Unë dhe familja ime merremi me prodhimin e patates pasi toka jonë vetëm këtë kulturë bujqësore rrit. Si çdo vit tjetër edhe këtë vit mua më janë kalbur të gjitha patatet pasi nuk kemi pasur një vend të duhur për ti ruajtur. Bëhet fjalë për 25 ton prodhim të cilin e kisha futur në gropa por dëbora e madhe që ka rënë ka bërë që ato të kalben. Na patën thënë tre vite më parë që do i qonim patatet në një magazinë por unë se kam parë asnjëherë dhe askush nga zona ime, e Shishtavecit, nuk ka dërguar produktin në fjalë atje” shprehet ky banorë nga komuna e Shishtavecit e cila është e njohur për prodhimin e patates. Ndërsa një tregëtar i cili merret me shitjen e patates thotë se të gjithë fermerëve i janë kalbur patatet dhe tani kur i kanë nxjerrë nga gropat kanë parë që i gjithë prodhimi u është kalbur. “Po të nisesh e të shkosh nga qyteti i Kukësit nëpër të gjitha zonat ku patatja prodhohet sheh se fermerët kanë pësuar një dëm ekonomik si pasojë e kalbjes së prodhimit. Ndaj them që vënia në punë e kësaj magazine është një domosdoshmëri për vetë prodhimin dhe ndihmën që mund tu jepet bujqve që e kultivojnë këtë produkt. Por ajo do na vlente edhe ne sepse kur të shisnim nuk do e mbanim pataten në thasë por në kushte shumë më të mira” vijon më pas ai.

Për ndërtimin e kësaj magazine janë dhënë 450 mijë dollarë, shumë që përbën një investim të madh për një qytet të vogël si Kukësi. Burime konfidenciale të Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Kukës tregojnë se magazina e patateve “hesht” jo për parametra teknikë por për menaxhim, pra nuk është caktuar ende se kush dhe si do ta menaxhojë. Kjo magazinë e ndërtuar në përputhje me kërkesat e tregut të Bashkimit Evropian, ka një kapacitet prej mëse 5 mijë tonësh dhe është llogaritur të furnizojë disa qytete të Shqipërisë dhe një pjesë të Kosovës.

Flutura TOTA, G. Korrieri

Monday, April 12, 2010

20 deputetë, biznesmenët më të fuqishëm në vend

Të merresh me politikë medoemos duhet të jesh dhe i pasur ekonomikisht. Më së miri kjo vërtetohet në Parlamentin shqiptar, ku 20 prej të zgjedhurve janë nga bota e biznesit madje me një fuqi ekonomike mjaft të madhe. Fuqia ekonomike e deputetëve biznesmenë mund të krahasohej fare mirë me buxhetin e shtetit shqiptar.


Partia Socialiste ka në gjirin e saj numrin më të madh të biznesmenëve në politikë, duke humbur thuajse totalisht identitetin e saj si një parti e shtresave të mesme dhe të varfra të shoqërisë. Deri para pak kohësh biznesmenët qëndronin pranë partive duke i financuar ato, por dhe duke përfituar nga pushteti i tyre në periudha të ndryshme. Kryeministri Berisha me ardhjen në pushtet në vitin 2005, deklaroi me të madhe se do të thyente monopolet që biznesmenë të ndryshëm kishin krijuar në ekonominë e vendit, por ajo që vihet re tashëm është shumë prej syresh ndodhen në tempullin e demokracisë siç është Parlamenti.

E majta me 13 deputetë biznesmenë
13 nga 64 të zgjedhurit e PS-së janë biznesmenë nga më të fuqishmit në vend. Edi Rama në zgjedhjet e kaluara vendosi që shumë prej njerëzve të komunitetit të biznesit, të ishin përfaqësues kandidatë të opozitës për të bindur popullin. Disa nga emrat e njohur të biznesit që u kandiduan nga Partia Socialiste janë Sadri Abazi, Fidel Ylli, Hazir Gashi, Tom Doshi, etj. Edhe pse parti e majtë, Partia Socialiste vitet e fundit thuajse është bërë një strehë e një shtrese mjaft të pasur të shoqërisë. Qysh prej kohës së Fatos Nanos, biznesi kishte marrëdhënie mjaft të mira me këtë parti. Një nga pikat të cilat Sali Berisha si kryetar i opozitës kritikoi mjaft ashpër, ishte praktika e Nanos për afruar biznesmenë rreth partisë. Me ardhjen e Edi Ramës kjo strategji nuk u ndryshua fare, pasi jo vetëm që u mbajtën biznesmenë afër, por ata u shtuan dhe më tepër. Demokratët në pushtet aktualisht, në një nga pikat që e sulmojnë opozitën është fakti që në këtë parti ndodhen shumë biznesmenë të njohur të cilët paralelisht me biznesin e tyre merren dhe me politikë.

Biznesi rreth të djathtës
Ndryshe nga Partia Socialiste, të djathtët në pushtet, nuk kanë numër shumë të madh të biznesmenëve në Parlament, por një mënyrë tjetër është marrëdhënia e saj me biznesin. Shumë emra të biznesit edhe pse nuk janë në Grupin Parlamentar të PD-së, ata ndodhen afër me këtë parti duke financuar dhe fushatën elektorale të kësaj partie. Mazhoranca ka në grupin parlamentar biznesmenë të njohur si, Gjok Uldedaj, Rrahim Çota, Lefter Koka, Gëzim Dibra apo dhe Paulin Sterkaj. Në ideologji, Partia Demokratike është në të drejtën e vet që të jetë afër me shtresën e pasur, por kjo në asnjë rast nuk duhet që të kalojë në abuzim për të ndihmuar disa njerëz, të cilët për faktin se të ndihmojnë financiarisht, t’u krijosh lehtësi në kurriz të disa të tjerëve.

Gjok Uldedaj, PD
Është deputet në qarkun e Shkodrës. Ai është anëtar në disa forume ekonomike kombëtare dhe ndërkombëtare dhe autor i tre librave universitare dhe pasuniversitare në fushën e Marketingut dhe Tregut të Produkteve. Biznesmen i suksesshëm në fushën e karburanteve. Uldedaj përpara se të zgjidhej deputet mbante postin e kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Sadri Abazi, PS
Është deputet në qarkun e Dibrës. Abazi është një ndër emrat më të njohur të komunitetit të biznesit. Është për të dytën herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Pasuria e tij është vendosur gjatë viteve të tranzicionit dhe është vijuar të shtohet edhe gjatë viteve të fundit.

Hazir Gashi
Një tjetër deputet biznesmen i njohur është dhe Hazir Gashi, i cili në zgjedhjet e fundit u kandidua nga Partia Socialsite. Gashi është i njohur në fushën e ndërtimeve në zonën e Durrësit. Ashtu si dhe të tjerë, Hazir Gashi është ndër emrat e njohur të komunitetit të biznesit.

Fidel Ylli, PS
Një tjetër biznesmen i njohur dhe mjaft i suksesshëm në Partinë Socialiste të Edi Ramës është dhe Fidel Ylli. Aktiviteti i tij është i shpërndarë në disa fusha të ekonomisë dhe cilësohet si një ndër biznesmenët potentë në Shqipëri. Ylli është deputet i qarkut të Beratit dhe në zgjedhjet e fundit arriti që bastionin e Ilir Metës siç është Çorovoda, ta kthejë në shumicë për PS-në.

Biznesmnet

Gjok Uldedaj, PD
Ardian Kollozi, PD
Rrahim Çota, PD
Gëzim Dibra, PD
Paulin Sterkaj, PD
Xhemal Qefalia, PS
Dashamir Peza, PS
Artan Gaçi, PS
Sadri Abazi, PS
Hazir Gashi, PS
Skënder Hasa, PS
Vangjel Tavo, PS
Gjovalin Kadeli, PS
Armando Prenga, PS
Tom Doshi, PS
Ndue Kola, PS
Fidel Ylli, PS
Fatmir Toçi, PS
Lefter Koka, LSI
Dashamir Tahiri, PDU



T. Observer

Friday, March 12, 2010

Edhe qytetarët deklarim pasurie

Në fund të vitit çdo qytetar do të plotësojë një deklaratë mbi të ardhurat personale dhe shpenzimet që ai kryen gjatë vitit.

Mbi bazen e ketyre te dhenave tatimet do te llogarisin edhe detyrimet.Ndryshimet ne ligj i paraqiti ne menyre te pergjithshme ne mbledhjen e qeverise kryeministri Berisha, sipas te cilit deklarata personale e te ardhurave per te gjithe qytetaret vendoset ne perputhje me kerkesat e praktikes europiane dhe Komisionit Europian.

“Ky dokument, qe do ta quaja dokumenti i transparences universale per te ardhurat e qytetareve shton shume detyrimet e Ministrise se Financave dhe financave te vendit ne teresi ndaj qytetareve. Mbi bazen e tij, ato do te detyrohen t’u paguajne qytetareve ne fund te vitit, te gjitha taksat e teperta qe kane paguar, pasi qytetaret paguajne taksa ne çdo gje qe blejne. Ata do te mbledhin faturat dhe ne fund do te kene te drejte, ne perputhje me te ardhurat e tyre, te marrin detyrimet qe kane paguar me teprice. Sot, ky eshte i pandjeshem.
Qytetaret hyjne ne dyqan dhe mendojne se nuk paguajne taksa, por, ne te vertete, paguajne edhe ne çdo gote uji. Kete e kam thene kur kam qene ne opozite dhe do ta them dy here, tani qe jam ne qeveri. Ndaj ne po fusin deklaraten, nje praktike kjo moderne europiane, por e vonuar tek ne”, u shpreh Berisha.

Gjate mbledhjes se qeverise, kryeministri Sali Berisha tha se eshte marre edhe nje vendim per rritjen e pagave, por nuk dha detaje te tjera.

“Ka dhe nje vendim per pagat, per te cilat me duhet te theksoj se do te rriten. Gjithashtu edhe pensionet do te rriten. Qytetaret shqiptare duhet ta kene shume te qarte zotimin para tyre. Sa te na votojne do te kene rritje rrogash dhe pensionesh. Kjo eshte nje kontrate te ciles ne i qendrojme”, theksoi Berisha.

T. Channel

Wednesday, March 10, 2010

Shqiptarët të 'fiksuar' pas celularit, 50 miliard lekë në 2009

Shqiptarët kanë shpenzuar për të komunikuar rreth 50 miliardë lekë gjatë vitit 2009. Të dhënat më të fundit të Autoriteti të Komunikimeve Elektronike dhe Postare bëjnë fjalë për një rritje të konsiderueshme të abonentëve të kompanive të telefonisë së levizshme gjatë dy viteve të fundit.

Madje AKEP raporton se kjo shifër është tre për qind më e ulët se ajo e vitit të kaluar, por përkundrazi numri i abonentëve ka pësuar një rritje mjaft të lartë me rreth 1.2 milionë përdorues vetëm gjatë vitit 2009. Numri i abonentëve që janë të regjistruar në të treja kompanitë celulare në vend arrin në 4.1 milionë përdorues.

Kurba e rritjes së përdoruesve të telefonisë celulare në vend ka ardhur në rritje duke filluar nga vitit 2000. Gjatë këtij viti numri total i përdoruesve të telefonisë së levizshme varionte në rreth 29 mijë abonentë, një vit më pas arrihet në 352 mijë abonentë. Në vitin 2007 ky numër arrin në 2.3 milionë, ndërsa rritjen më të lartë të abonentëve telefonia celulare do ta njihte në vitin 2009 me plot 4.16 milionë përdorues.

Sipas të dhënave që pasqyrohen në raportin vjetor të AKEP-it, pjesa dërrmuese e abonentëve të telefonisë së levizshme, rreth 94 për qind e tyre janë janë përdorues të paketave tarifore me parapagim, ndërkohë vetëm 6 për qind janë përdorues të numrave me kontratë. Për shkak të ofertave të ndryshme që kanë bërë kompanitë gjatë vitit të shkuar, vërehet një rritje e ndjeshme e thirrjeve brenda rrjetit. Kështu, rritja e numrit të përdoruesve të celularëve ka shtuar konsumin për abonent. Nëse gjatë vitit 2008 mesatarisht çdo abonent ka konsumuar në muaj rreth 30 minuta bisedë, gjatë 2009 kjo shifër është dyfishuar.

Shqipëria ka nivele penetrimi të telefonisë celulare më të lartë krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Sipas AKEP gjatë vitit 2009 numri i përdoruesve për 100 banorë arriti në 129 për qind krahasuar me 119 për qind të është mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. Ky tregues pasqyron faktin se një përdorues mund të jetë njëkohësisht abonent i dy apo të tre kompanive që operojnë sot në tregun shqiptar. "Numri i përdoruesve celularë i referohet kartave SIM ndërkohë që normat e larta të përdoruesve për 100 banorë shpjegohen nga mbajtja prej një individi e më shumë se një karte të tillë", - shpjegon AKEP.
Telefonatat ndërkombëtare, më lirë se brenda vendit...

Rritjen e numrit të përdoruesve të telefonisë së levizshme si dhe të minutave të bisedës për çdo abonent AKEP e lidh me hapjen e tregut dhe rritjen e konkurrencës midis kompanive.

Ndërkaq, ndryshe nga ajo celulare, telefonia e levizshme ka një shtrirje shumë më të ulët. Gjatë vitit 2009 numri i abonentëve fiks arriti në 363 mijë duke pësuar një rritje me rreth 40 mijë krahasuar me një vit me parë.

Në Shqipëri ofrojnë shërbimin e telefonisë fiks rreth 74 operatorë, ndërsa 18 të tjerë ofrojnë shërbimin e thirrjeve me kartë të parapaguar. Edhe pse ka një numër të madh operatorësh të telefonisë fikse sipërfaqja e që mbulohet me shërbim nuk e kalon 12 për qindshin.

Emirjon Senja, Shekulli

Bashkojuni protestës së 17 Prillit, për të fikur për 8 orë telefonin celular, kundra çmimeve abuzive të kompanive celulare në Shqipëri. Mediat e shkruara apo vizive nuk e ngrenë dot zërin kundra kuçedrave AMC, VODAFON dhe EAGLE MOBILE, sepse me reklamat e tyre mbajnë gjallë bizneset e tyre. Gjithashtu edhe vetë shteti dhe politika shqiptare është komplet e pafuqishme, ose në rastin më të keq, e blerë. Eshtë detyra jonë si qytetarë të protestojmë, të mblidhemi kundra kësaj vjedhjeje që i bëhet popullit shqiptar. Populli më i varfër - Tarifa më të shtrenjta.
Stop Injorancës- Ndal Paditurisë

Thursday, February 11, 2010

Eksodi shqiptar

Shqipërinë e kanë braktisur për shkaqe ekonomike mbi një milion qytetarë. Shteti shqiptar as nuk ka mundësi ekonomike, as dëshirë, as nuk e ka plan të bëjë ndonjë hap për t´i kthyer këta njerëz.

Jashtë vendit nuk gjenden vetëm ata që kërkojnë punë të rëndomta, por edhe shkrimtare e shkrimtarë, profesorë nëpër universitete perëndimore, gazetarë, kameramanë, sportiste e sportistë, këngëtare e këngëtarë, artiste e artistë, poete e poetë, madje edhe ish-politikane e politikanë.

Këta emra, apo më mirë, këta emra e mbiemra, që i lexojmë sot, pas disa dekadave do të shuhen dhe fëmijët e tyre do të asimilohen, mu siç janë asimiluar edhe ata, që patën ikur në fillim të shekullit të kaluar.

Shumë emra të mëdhenj, me të cilët ne mburremi sot, nuk kanë lënë pasardhës shqiptarë si vetja; jo se jo për nga fama profesionale apo angazhimi kombëtar, por as nga vetëdija kombëtare.

Për këtë dukuri ka një shpjegim shkencor: thuhet se fëmija diku rreth tridhjetë për qind të edukatës e merr nga familja, diku mbi tridhjetë nga shkolla dhe mbi tridhjetë nga shokët.

Nga kjo mund të konstatohet se fëmijët tanë mbeten diku 30 % shqiptarë, nëse martesat janë të përziera, atëherë teorikisht kjo përqindje përgjysmohet. Kjo përqindje tkurret akoma më shumë, kur të martohen fëmijët e mërgimtarëve të sotëm. Më së largu në brezin e tretë, shkrirja në kombin tjetër përmbyllet.

Arsyeja logjike: në vendet e huaja nuk prodhohen shqiptarët, por shqiptarët asimilohen! Këtë duhet ta ketë të qartë klasa politike në Shqipëri.

Sipas mbiemrit, edhe pas disa dekadave, mund t´i zbulojmë, por ata nuk do të ndjehen shqiptarë, siç nuk e ndjejnë veten ata në Turqi apo shqiptarë e lashtë në Greqi. Shteti shqiptar nuk brengoset për shkollimin e tyre. Detyra më të madhe që i ka caktuar vetes ky shtet është: anulimi i vizave brenda BE-së (!). Ta zëmë se ndodhi dikur.

Do të ketë dyndje të re: bashkëngjitja e familjeve, martesat, punësimi etj. Politikanët tanë, këtë ndodhi nuk e perceptojnë si alarmuese, por si progres.

Ata me emigrimin ndjehen të lehtësuar, sepse kështu zvogëlojnë papunësinë dhe qytetarinë sigurisht. (ata që emigrojnë janë kryesisht ata që duan ndryshimin e shpejtë, pra pjesa më qytetare dhe më kritike e një vendi).

Nëse përfundon kështu, në horizont nuk shihet asgjë që mund ta evitojë këtë ecuri, atëherë shumë shpejt mund ta dimë numrin përfundimtar të shqiptarëve! Me kësi ritmesh Shqipëria do të bëhet shpejt më e vogël se Maqedonia e sotme.

Dikur braktisëm vendin nga trysnia e pushtuesve, më vonë ikëm nga komunizmi, sot braktisim vendin nga qeveritarët e paaftë që i kemi. Kur shteti nuk është i aftë t´i mbajë njerëzit brenda, është e njëllojtë si kur prindi nuk mund t´i ushqejë dhe mbajë fëmijët në shtëpi. Prindi mund të arsyetohet, por pushtetarët jo. Ata paguhen për t´i ndryshuar rrethanat.

Dallimi në mes diktaturës me karakter të fortë dhe demokracisë pa karakter është ky: Elita komuniste vdiq apo gjallon e varfër, mendonte se kishte zbuluar çelësin e universit dhe bazohej në ideale. Populli ishte i varfër, por në mënyrë modeste jetonin edhe "udhëheqësit". Ata jetuan shumë më keq se sa elita e sotme.

Ata nuk u lanë fëmijëve të tyre pasuri përrallore, siç do t´u lënë sot "politikanët e rinj" shqiptarë. Ata të dikurshmit flisnin për popullin dhe në emër të popullit dhe jetonin edhe vetë me iluzione.

Sot edhe këta flasin për popullin dhe në emër të tij, por nuk janë idealistë, por materialist tej për tej. Sot, këta, ëndrrat ia shesin vetëm qytetarëve të vetë, ama kur vjen puna te vetja, ata fitojnë mirë nga shitja e shpresave.

Praktikisht pasurohen vetë! Elita "demokratike" e këtyre viteve e ka siguruar jetën, madje jo aq sa zgjat një jetë njeriu, por edhe më tepër.
Si në Shqipëri, ashtu ndodh edhe në Kosovë. Ky shtet i ri nuk dinë as sa qytetarë ka jashtë vendit
.

Dikur pat dëbuar shqiptarët Serbia e kralit, pastaj Serbia komuniste, sot nuk çanë kokën për shqiptarët qeveria kosovare, që drejtohet nga patriotët e djeshëm!
Ky shtet ka mërgatë të madhe në Zvicër, në Gjermani, Belgjikë dhe vende të tjera. Në mërgim nuk krijohen shqiptarët, por asimilohen! Kosova e dinë mirë se çka ndodhur me shqiptarët në Turqi! Miliona shqiptarë janë shkrirë në turq.

Edhe ky vend, si Shqipëria, është në zbrazje e sipër. Tridhjetëmijë të rinj çdo vit paraqiten në tregun e punës, me mijëra, çdo vit ilegalisht braktisin vendin.

Lexohen diku 25 mijë gazeta në ditë dhe kjo tregon shumë për gjendjen ekonomike të vendit. Shqiptarët nga ky vend, ku miklohen për çdo ditë serbët, për kafshatën e gojës, kanë arritur edhe në Haiti.

Numri i emigrantëve nuk dihet, por mund të thuhet se diku pesëqind deri në shtatëqind mijë jetojnë jashtë shtetit. Pas disa dekadave, disa mijëra kthehen si pensionistë dhe fëmijët mbeten.

Nëse ai numër mund të merret si i saktë, atëherë domethënë se në Kosovë jetojnë diku një milion e treqind mijë apo në rastin ideal një milion e pesëqind mijë qytetarë. Nëse janë dhjetë për qind pakica, atëherë ky numër zbret edhe një herë dhe Kosova dalëngadalë, por sigurt nga numri i banorëve shqiptarë do t´i afrohet Malit të Zi.

Në kohën e kralit serb numri i shqiptarëve zvogëlohej, në kohën e Rankoviçit numri i shqiptarëve zvogëlohej, në kohën e Milosheviçit numri i shqiptarëve zvogëlohej. Numri i shqiptarëve brenda zvogëlohet edhe në kohën e politikanëve shqiptarë.

Dje pasuroheshin serbet në kurriz të shqiptarëve, sot pasurohen disa shqiptarë në kurriz të shqiptarëve e në Shqipëri ka edhe serbë që thonë se këto vetëm në dy vjet i paskan bërë 50 milionë euro pasuri në saj të miqësisë me kryeministrin e Tiranës!

Rezultati, mirëpo, është i njëjtë: me kral apo pa kral, me Rankoviç apo pa Rankovic, me Tito apo pa Tito, me Enver apo pa Enver, me qeveri demokratike në Shqipëri apo pa të, me Millosheviç apo pa Millosheviçin, me politikanë shqiptarë apo serb në Kosovë, me shqiptarë në qeverinë maqedonase apo pa shqiptarë, me parti politike shqiptare në Serbi apo pa to, me politikanë shqiptar në Mal të Zi apo pa ta, shqiptarët kanë fatin e njëjtë: varfërinë ose emigrimin! Përgjysmimin e familjeve dhe vuajtjen nga mungesa e kontakteve sociale.

Çdo shtet tjetër në Europë do të alarmohej, kur sheh se populli dhe inteligjencia po lëshon vendin. Çdo shtet tjetër në Europë do të alarmohej kur vëren se kombi po braktis vendin, mirëpo nuk brengosen qeveritarët shqiptarë.

Nëse nuk dinë se çka duhet të bëjnë për ta mbajtur kombin brenda, e si ta mbajnë, nëse nuk kanë fuqi dhe dituri për ta ndryshuar gjendjen ekonomike, nëse nuk kanë ide e aftësi, atëherë puna më e madhe patriotike, që mund të bëjnë në dobi të kombit, natyrisht nëse e duan kombin e vet siç çirren, do të ishte të tërhiqen nga politika dhe t´i lënë vendin idealistëve, atyre që nuk pasurohen vet, por që mundohen ta çojnë vendin para!

Nuk mund të pranohet gjendja faktike dhe nuk duhet pajtuar me këtë se shqiptari ka vetëm dy alternativa: varfëri ose emigrim! Ka ardhur koha të luftohet për të tretën: jeta me dinjitet në atdhe!

Qeveritarët e sotëm e kanë dëshmuar se nuk dinë ta bëjnë!
Të shkruash një artikull mbi sjelljet e papërgjegjshme të politikanëve shqiptarë, domethënë ta hedhësh veten në depresion dhe sapo ta mbarosh shkrimin, të kridhesh në vaj.

Ne kemi shkrimtarë me famë botërore, por politikanë të vegjël, shumë të potershëm. Ne kemi humanist me famë botërore, por politikan picërr, shamataxhi. Ne patëm trima të fortë dhe kemi politikan shumë të dobët.

Ne kemi qeveritarë të pasur dhe popull të varfër! Kemi shkencëtarë të njohur edhe në botë, por politikanë që lum ato shtete që nuk i kanë! Lum ato shtete që nuk i kanë politikanët tanë!

Konkluzion: Planet e Çubrilloviçit nuk mundi t´i realizojë Serbia, do t´i përfundojnë me sukses mosefikasitetit, padituria dhe plogështia e klasës politike shqiptare!


Naser Aliu, Shekulli

Saturday, February 6, 2010

Rritet numri i fukarenjve në listat e dyqaneve

Varfëria po rritet çdo ditë e më shumë jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë vendin. Kjo gjë duket shumë qartë që nga fakti se njerëzit duhet të konsumojnë më pak ushqime. Tavolinat e shqiptarëve çdo ditë e më tepër po varfërohen.

Rritja e varfërisë në kryeqytet tregohet më së miri me shtimin e emrave të familjarëve që blejnë me lista nëpër dyqanet e lagjeve. Sipas pronarit të një dyqani pranë rrugës "Jordan Misja", varfëria po rritet çdo ditë e më shumë, gjë që duket dhe te numri i madh i njerëzve që marrin me listë. Jo vetëm se jemi në sezonin e dimrit, por për shkak të varfërisë fasulet janë ende produkti ushqimor më i kërkuar i familjeve shqiptare. Varfëria që ka ngërthyer gjithë vendin, ka bërë që fasulet të jenë ende një ndër pjatat më të shpeshta që konsumohet. Sipas shitësve, në listat e familjeve që marrin me listë, veç fasuleve shumicën e vlerës e zënë buka, djathi dhe vezët.

Listat
Në çdo pikë shitjesh në kryeqytet janë shtuar emrat e familjeve që blejnë me listë. Kjo gjë konfirmohet nga vetë shitësit, të cilët thonë se dy muajit e fundit janë shtuar shumë emrat e personave që marrin ushqime dhe lekët i paguajnë më vonë. "Ka shumë familje në këtë lagje që bëjnë blerje pa paguar lekët; lënë emrat shënim dhe i paguajnë më vonë paratë që na detyrohen. Normalisht që ne u japim atyre familjeve që i njohim, se kemi disa vite që e kemi hapur dyqanin. Por nuk ndodh vetëm në këtë lagje, pothuajse çdo dyqan jep ushqime me listë", - tregon Sazani, pronar i një dyqani ushqimor në Kombinat. Ndërkohë nga ana e tyre familjarët tregojnë se të ardhurat mujore nuk u mjaftojnë për të blerë ushqimet që mund t'i duhen një familjeje për një muaj.
"Çmimet e ushqimeve po rriten përditë, ndërsa rrogat tona në vendnumëro.
Marrim, si unë dhe burri së bashku 50 mijë lekë sepse punojmë në shtet. Nuk kemi çfarë të bëjmë më parë me këto lekë. Kemi fëmijët në shkollë, duhet të paguajmë taksat, ujin e dritat çdo muaj dhe normalisht detyrohemi që të blejmë ushqime duke iu thënë shitësve se do t'ua japim lekët pesëmbëdhjetëditëshin tjetër ose muajin pasardhës. Na vjen dhe turp kur e bëjmë këtë gjë, por nuk kemi çfarë të bëjmë, vetëm të vdesim", - tregon Jetmira, nëna e tre fëmijëve. Çdo ditë e më shumë po shtrenjtohen çmimet e produkteve ushqimore. Një kilogram oriz ka shkuar 170 lekë, fasulet 200 lekë, vaj 180 lekë, miell 100 lekë.

Gjithashtu, çmime të larta kanë edhe frutat e perimet, të cilat janë edhe produktet më të kërkuara. Shitësit tregojnë se nuk është faji i tyre për këto çmime, pasi dhe ata vetë po i marrin artikujt gjithmonë e më shtrenjtë nga pikat e shumicës.

G. Shqiptare

Tuesday, February 2, 2010

Dyfishohet çmimi i ujit për konsumatorët familjarë

Rritje të ndjeshme parashikohen edhe për bizneset. Uji nuk shtrenjotohet për furrat e bukës. Ujësjellësi: Tirana ka çmimim më të ulët, do të kryejmë investime për përmirësimin e rrjetit.

Pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike konsumatorët do të përballen së shpejti edhe me shtrenjtimin e ujit të pijshëm. Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve për Tiranën ka aplikuar ditët e fundit pranë Entit Rregulator të Ujit për rritje të çmimit me arsyetimin se tarifat aktuale nuk justifikojnë koston por edhe nuk japin mundësi për investime të mëtejshme. Bëhet fjalë për konsumatorët e bashkisë së Tiranës, asaj të Kamzës dhe të komunave, Kashar, Yzberisht, Bërxullë, Prezë, Zallbastar, Shëngjergj, Bërzhitë, Farkë, Petrelë, Baldushk dhe Krrabë.
Referuar kërkesës drejtuar Entit të Ujit, ujësjellësi i Tiranës pretendon një rritje dyfish krahasuar me çmimin aktual për sa i përket konsumatorëve familjarë. Deri më tani, një metër kub ujë keta të fundit e kanë paguar me 20 lekë, ndërkohë që pas miratimit të propozimit të Ndërmarrjes së Ujësjellësit e njëjtja sasi uji do të paguhet me 40 lekë.

Krahas familjarëve, rritje çmimi pritet të aplikohet edhe për konsumatorët e tjerë. Nga 75 lekë për metër kub që e kanë paguar deri më tani, Entet Buxhetore do ta paguajnë atë me 120 lekë. Një rritje pak më e moderuar parashikohet për bizneset dhe kompanitë private. Deri më tani bizneset janë tarifuar 95 lekë për metër kub ndërkohë sipas propozimeve të ndërrmarjes, çmimi pritet të pësojë një rritje prej 25 lekësh duke arritur në 120 lekë. Ndërkohë, kompanitët të cilat për shkak të produktit që prodhojnë kanë nëvojë për sasi të mëdha uji parashikohet të paguajnë më shumë. Të tilla janë kompanitë e prodhimit të pijeve alkoolike, atyre freskuese, ujit, etj. Nga 95 lekë për metër kub, pas rritjes që pritet të miratohet nga Enti Rregullator i Ujit, çmimi për këto kompani pritet të shkoje në 150 lekë. Ndërkaq, njëlloj siç ndodhi edhe me çmimin e energjisë elektrike, prodhuesit e bukës do të vazhdojnë të jenë të favorizuar edhe këtu. Çmimi për këto të fundit nuk pritet të pësojë asnjë rritje duke mbetur në nivelin e 95 lekëve për metër kub ujë.

Me të ardhurat që do të përfitohen nga rritja e çmimit kjo ndërmarrje parashikon të kryejë një serë investimesh përgjatë muajve në vijim. Kështu përgjatë këtij viti kjo e fundit ka planifikuar të kryejë disa invetime në ndërtimin e linjave të reja të transmetimit, me qëllim eliminimin e lidhjeve te paligjshme dhe miradministrimin e burimeve te ujit. Po ashtu, pjesë e projekteve që pritet të realizohen brenda këtij viti janë edhe ndërtimi i një depoje të re për mbledhjen e ujit dhe rikunstruktimi i një pjese të rrjetit të brëndshëm të Tiranës. Një ndër investimet e parashikuara për t'u realizuar gjatë këtij viti ështe edhe vendosja e 20 mijë matësave duke kompletuar të gjitha bizneset dhe institucionet shtetërore.

Është --------- Bëhet

Familjarë 20 lekë/m³ - 40 lekë/m³
Ente Buxhetore 75 " - 120 "
Biznese 95 " - 120 "
Prodhim pije alkoolik,freskuese, ujë, pishina, etj 95 " - 150 "
Furra Buke 95 " 95 "
Shitje uji me shumicë 6 " - 10 "

Shekulli
Armata e depozitave...

Nuk kam dijenë të plotë nëse në Tiranë ka ndonjë zonë, ku uji i pijshëm mund të pihet, por ajo që është logjike dhe e thjeshtë, të thotë se së shpejti do të paguajmë dyfish ujin e pijshëm, që lutemi të na mbushë depozitat. Na ka marrë malli të bëjmë njëherë dush me presion... Ndal Paditurisë.

Wednesday, December 30, 2009

Kujdes nga prodhimet serbe, mos i përdor!

Gati të gjitha lëngjet e LaVita, Takovo, Hello, Fruvita, Verde, si dhe Nectar, janë të dëmshme për shëndetin. Këto lëngje, që prodhohen në Serbi, vet shteti serb, ka urdhëruar qytetarët që të mos i blejnë. Njëkohësisht është kërkuar heqja komplete e tyre nga shitja, transmetojnë mediat e Serbisë.

Që të gjitha këto lloje të lëngjeve, janë prezentë edhe në treguan e Kosovës dhe kanë nivel të lartë të shitjes. Pas kontrollit të kualitetit të këtyre lëngjeve që u është bërë nga institucionet e Serbisë, Organizata për Konsumatorë, që nga data 10 dhjetor ka kërkuar nga ministria e Bujqësisë së Serbisë, ajo e Tregtisë dhe Shërbimeve, si dhe nga Insektoriati i Tregjeve, që të ndaloj rreptësisht shitjen e këtyre produkteve në Serbi.

Kjo organizatë, bazuar në analizat laboratorike, ka konstatuar se pirja e këtyre lëngjeve dëmton rëndë shëndetin, për shkak të mospërmbushjes elementare të kritereve për ushqim.


Bashkë me kërkesën e tyre, siç transmetojnë mediat e Serbisë, kjo organizatë ka deponuar të gjitha analizat e bëra laboratorike, që kanë rezultuar tepër negative. Këto lëngje është kërkuar që të tërhiqen urgjentisht nga tregu, për të mos pësuar qytetarët. Në ndërkohë, gati të gjitha marketet e Kosovës, kanë plotë e përplot rafte të mbushura me këto lloj lëngjesh.

Derisa në vendin ku prodhohen këto lloj lëngjesh, urdhërohet që të mos përdoren, ato patjetër se duhet të mos blihen edhe në Kosovë, ku rreziku është edhe më i madh, pasi imortet nga Serbia në Kosovë, gjithëherë janë të kualitetit edhe më të dobët se sa prodhimet e ngjajshme që serviren atje.

U ndalen apo jo në Serbi, në Kosovë shitja e këtyre lloj lëngjeve, duhet stopuar menjëherë. Ky shembull duhet të shërbejë për institucionet përgjegjëse për kontrollim të kualitetit të ushqimit në Kosovë, për të shtuar masat e përgjithmshme rreth mallërave ushqimore, me theks te veçantë, për importet gjithëherë të dyshimta që vijnë nga Serbia.

Shëndeti i qytetarëve të vet, është parësor në për çdo vend, e kështu duhet të jetë edhe në Shqipëri dhe Kosovë.

Telegrafi

Si shpjegohet paradoksi që sapo Top Channel jep lajmet mbi produktet "LaVita", të cilat janë shumë të rrezikshme për shëndetin dhe janë ndaluar në Serbi dhe fill pas mbarimit të lajmeve, e nis publicitetin me reklamën e produktit LaVita... !!!

Sunday, December 20, 2009

Zyrtarët që nuk paguajnë taksat

Në listën e borxhlinjve edhe emrat e ministrave Olldashi, Basha, Tafaj, Nishani, Vasili


Zv.ministri i Punëve të Brendshme dhe anëtari i këshillit Bashkiak, Ferinand Pone, prej tre vitesh nuk paguan detyrimet.


Mospagimi i detyrimeve ndaj komunitetit duket së është kthyer në modë nga funksionarët që drejtojnë shtetin. Me sa duket, reformat dhe përpjekjet për t'u anëtarësuar në familjen e madhe Evropiane, u hanë shumë kohë dhe energji sa nuk mund të gjejnë një hapësirë kohore (se lekët nuk u mungojnë) për të paguar detyrimet ndaj familjes së vogël, qytetit ku jetojnë.



Bashkia e Tiranës, tashmë prej disa vitesh, në fund të vitit publikon listën e zezë të debitorëve të pushtetit lokal në kryeqytet. Në krahasim me vitin e kaluar, lista e 2009-ës është më e reduktuar, megjithatë e mbushur me emra të rëndësishëm.


Në krye të listës së emrave publikë, borxhlinj ndaj pushtetit lokal, është emri i zv.ministrit të Punëve të Brendshme dhe Pushtetit Lokal. Pone, njëkohësisht kryetar i grupit të djathtë në këshillin bashkiak të Tiranës, është i pari që çirret dhe bën moral në sallën ku vendoset për kryeqytetin, për nivelin e ulët të vjeljes së tarifave dhe taksave vendore nga pushteti lokal.


Është e habitshme se si Pone, i cili në sallën e Këshillit Bashkiak do të zgjidhë çdo detaj, në të vërtetë ka harruar tre vite me radhë që të paguajë taksën vendore. Zoti Pone, nuk paguan taksat vendore që nga viti 2007, ndërkohë që edhe dy javë duhen që të kalojmë zyrtarisht në vitin kalendarik 2010. Por, Pone nuk është i vetmi që ka lënë pas dore detyrimet e tij si qytetar i Tiranës.

Në listë është edhe emri i Ministrit të Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, ish-kandidati për karrigen e kreut të Bashkisë në vitin 2007. Vetë Olldashi që pretendonte të drejtonte punët e gjithë kryeqytetit rezulton se nuk ka paguar taksën e ndërtesës, pastrimit dhe gjelbërimit që nga viti 2008-të.




Ai nuk është i vetmi ministër, që nuk ka pasur kohë të paguajë taksat, me tej në listën e zezë të bashkisë, figurojnë edhe emrat e ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, si dhe ministrit të Shëndetësisëm Petrit Vasili. Që të katër këta ministra duket se nuk i binden ligjit për herë të parë, pasi në vitet e mëparshme kanë shlyer çdo detyrim.


Mungesa e korrektësisë në pagimin në kohë të taksave vendore, ose mospagimi në tërësi i tyre, vihet re edhe te niveli i dytë i pushtetit ekzekutiv, e thënë ndryshe tek ofiqet e zv.ministrave. Krahas zv.ministrit të Punëve të Brendshme dhe të Pushtetit Lokal, Ferdinand Pone, debitorë ndaj pushtetit lokal, janë edhe kolegë të tij që mbajnë numrin 2 në dikastere.


Ashtu si Pone. edhe Edit Harxhi, zv.ministre e Jashtme, Iva Zajmi, zv.ministre e Brendshme dhe Eno Bozdo, zv.ministrër i Ekonomisë dhe Energjetikës, që prej 2007 nuk paguajnë detyrimet e tyre si qytetarë të Tiranës.


Taksat vendore, që duhet të shlyejnë qytetarët, dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as ata që kanë funksione shtetërore, janë tre; taksa e ndërtesës, e pastrimit dhe e gjelbërimit. Afati i parë i shlyerjes së detyrimeve është muaji shtator.


Pas muajit shtator, aplikohet sanksioni ligjor. Nëse një qytetar nuk ka paguar taksat vendore në përfundim të muajit të nëntë të vitit kalendarik, nuk mund të përfitojë shërbime në administratën lokale, nuk mund të marrë qoftë edhe një certifikatë, e jo më të kryejë veprime të tjera ligjore.

Lista e funksionarëve shtetërorë që janë debitor në Bashki


Lulëzim Basha, ministër i Brendshëm
Bujar Nishani, ministër i Drejtësisë
Sokol Olldashi, ministër i Punëve Publike
Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit dhe Shkencës
Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë
Ferdinand Pone, zv.ministër i Punëve të Brendshme
Edit Harxhi, zv.ministre e Jashtme
Iva Zajmi, zv.ministre e Brendshme
Zana Xhuka, zv.ministre e Mbrojtjes
Jorida Tabaku, zv.ministre e Integrimit
Nezir Haldeda, zv.ministër i Financave
Alfred Rushaj, zv.ministër i Financave
Neritan Alibali, zv.ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës
Eno Bozdo, zv.ministër i Ekonomisë Energjetikës
Edmond Haxhinasto, zv.ministër i Punëve Publike



Shekulli

Ky është shembulli ku projektohen masa, por me ndryshimin e vetëm që masat ndëshkohen...(S.I)

Sunday, December 13, 2009

Nafta; Shqipëria në ethet e “arit të zi”, shpresa për miliarda dollarë

Nafta shqiptare rrethohet nga një histori misteri, ku mjaft kompani janë tërhequr dhe afërsisht 600 milionë dollarë janë harxhuar në këto 18 vite vetëm për kërkimin e arit të zi të territorin shqiptar.


Këto miliona dollarë, sipas Ministrisë së Ekonomisë, kanë shkuar kot.



Të dhënat zyrtare flasin se Shqipëria deri më sot ka shfrytëzuar afërsisht 50 milionë tonë naftë. Këto të dhëna flasin se në fushat naftënxjerrëse në Patoz-Marinxë dhe rrotull tyre ka ende 380 milionë tonë naftë të cilat tashmë janë duke u shfrytëzuar. Kjo sasi nafte, në rast se konvertohet në para, do të thotë rreth mbi 10 miliardë dollarë. Por nuk mjafton këtu, pasi nëntoka premton shumë. Studimet flasim për miliarda tonë naftë dhe gaz të cilat vlejnë qindra miliarda dollarë, çka do e kthenin Shqipërinë, ndoshta një nga vendet më të pasura të rajonit. Këto pasuri, në rast se gjenden, do të bënin që Shqipëria të kishte një pozitë më të fortë politike.

Për shqiptarët e ardhmja premton. Tashmë nuk përbën lajm fakti se shqiptarët jetojnë në nëntokën më të pasur të rajonit. Nafta dhe gazi shqiptar, hidrokarburet, rrethohen nga një histori misterioze, e mbushur me optimizëm dhe dështim, por kërkimet për “arin e zi” në Shqipëri nuk po rreshtin. Në Shqipëri operojnë disa kompani të cilat kanë shprehur bindjen e tyre për sukses. Po harxhohen miliona dollarë për të hapur puse mbi 4 mijë metra të thella.


Zbulimet

Rezervat e naftës dhe gazit në vendin tonë janë shumë më të mëdha nga sa mendohej më parë. Vetëm pak kohë më parë në mediat shqiptare u publikua një studim i kompanisë amerikane Gustavson Associates LLC e cila studioi zonën e Shqipërisë së Mesme dhe atë të Veriut duke konkluduar se në këto zona ekziston një rezervë nafte prej gati 3 miliardë fuçish. Gustavson Associates LLC, një kompani e njohur në studimet 3-dimensoniale, arriti në përfundimin se në nëntokën e kësaj zone ekzistojnë edhe 3 trilionë rezerva gazi natyror. Ky studim u bë në bashkëpunim me zviceranët e Manas Petrolium të cilët fituan të drejtën e kërkimeve në Shqipërinë për ar të zi. Studimi prekte vetëm 4 mijë kilometra katrorë dhe shkrihej nga Durrësi deri në Shkodër. Vlera e kësaj nafte, duke e llogaritur me çmimin e bursës e cila është aktualisht 40 dollarë për fuçi, do të shkonte rreth 120 miliardë dollarë. Kjo shifër mund të rritet për shkak të vlerës në lëvizje të arit të zi, që sipas ekspertëve ndërkombëtarë, nafta do të rritet përsëri. Nga ana tjetër, vlera e 3 trilionë gazi natyror të zbuluar në këtë zonë, do të shtonte vlerën në qindra miliarda dollarë të tjerë.

Gustavson Associates, në studimin e saj shkruan se Shqipëria këtë sasi e ka në thellësi prej 3500 metrash, të mbështjellë nga një shtresë e karbonizuar, çka e bën të vështirë kërkimin, por jo në rast se përdor teknologjinë e fundit. Gjithsesi, ende kjo sasi është duke u kërkuar dhe ende nuk dihet cilësia e kësaj nafte. Përgjithësisht nafta shqiptare ka qenë e cilësisë më të ulët dhe ajo e zonës së Patozit ka përmbajtje të lartë bitumi. Pavarësisht kësaj, përpunimi i naftës sot ka arritur kulmin sa madje edhe kompania shqiptare ARMO, e cila përpunon këtë naftë, me gjithë teknologjinë e saj të viteve ‘70 kineze, arrin të nxjerrë edhe benzinë vergine, të cilësinë së parë dhe shumë të kërkuar.


Zviceranët: Do t’ia dalim

Zbulimin e amerikanëve po kërkon të vërë në jetë kompania zvicerane Manas Petrolium. Kjo kompania nisi muaj më parë një projekt prej 10 milionë dollarësh, për nxjerrjen e kësaj sasie nafte dhe gazi nga nëntoka shqiptare. Duke filluar nga mesi i tetorit të vitit 2008, kjo kompani ka nisur nga puna. Siç a bërë me dije edhe vete, projekti i tyre po nis fillimisht nga seksioni D dhe ka nisur një bashkëpunim me kompani të tjera. Ata janë mbështetur nga Instituti i Gjeofizikës së Izraelit, i cili u ka konfirmuar se kjo sasi ekziston. Madje ky institut gjatë këtij viti, do t’i ndihmojë zviceranët për krijimin e një databasi për zona të tjera.

Njëkohësisht Manas Petrolium do të nisë brenda këtij një bashkëpunim me kompaninë kroate CROSCO si dhe ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me kompaninë ruse JSC "SPC" NEDRA. Kroatët e CROSCO-s do të bëjnë kërkime në një zonë të caktuar, ndërsa rusët do të sjellin ekspertët më të mirë të gazit. Manas Petroleum Corporation fitoi në dhjetor të 2007-ës koncesionin qeveritar për aktivitetet e eksplorimit, zhvillimit dhe prodhimit të hidrokarbureve falë akordit midis Ministrisë se Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë përfaqësuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe DWM Petroleum AG, pjesë e Manas Petroleum Corporation. Studimi është kryer mbi një terren që përhapet mbi 4000 kilometra katrore duke nisur nga Durrësi deri në Shkodër: në blloqet A-B e D-E, zona jugore e Tiranës që ka një naftë shumë të ngjashme më atë të Cakranit dhe zona veriore e Tiranës që përhapet nëpër blloqet B, D dhe E.

Gustavson Associates, LLC, e cila bëri studimin, është shprehur optimiste për sukses. Sipas saj, situata është e ngjashme si zbulimi i miliona tonëve gaz që u bë vite më parë në Itali. “Zbulimi i parë ka nxjerrë në pah struktura të forta karboni të njëjta me ato që janë zbuluar në vitin 1990 në Apenine të Italisë. Probabiliteti i suksesit është kompleks për shkak të fortësisë nën të cilën gjendet struktura naftëmbajtëse”, - ka njoftuar kjo kompani.


Kërkimet

Pas rënies të komunizmit në Shqipëri, të parët që e vizituan atë, ishin bosët e kompanive të naftës. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, që nga viti 1990, në Shqipëri kanë ardhur mbi 15 kompani të huaja të cilat kanë harxhuar afërsisht 600 milionë dollarë vetëm për kërkime nafte. Këto kompani kanë pasur harta të shumta për kërkim nafte madje kishin të gatshme edhe studime shqiptare që ishin bëtë nga ish-Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve.

Sot mund të cilësohet si fatkeqësi fakti se vendi importon gati 80 për qind të naftës, ndërkohë që para vitit 1990, Shqipëria ishte një vend eksportues. Banka Botërore ka publikuar një studim për këtë çështje dhe ka vërejtur se në Shqipëri janë kryer shpime në 4 666 puse nafte, nga të cilat 3 123 janë operative, ndërsa 981 të tjera janë mbyllur dhe braktisur. Historia flet se niveli më i lartë i prodhimit të naftës u bë në vitin 1974 me rreth 2,448,227 tonë dhe prodhimi i gazit në vitin 1982 me rreth 937 milion Nm3/vit. Nga viti në vit, numri i puseve ka ardhur në ulje. Njëkohësisht edhe shërbimi ndaj puseve ka rënë ndjeshëm.

Një kërkim i bujshëm nafte u bë nga kompania amerikane Shell Oil dhe Corporex para vitit 1997. Pasi shpenzoi 25 milionë dollarë për kërkime, ajo u dorëzua dhe ngjarjet e 97-ës e larguan atë nga vendi duke ndërprerë kërkimet në mes. Amerikanët e Shell Oil mendonin se në Shqipëri mund të gjenin mbi 800 milionë fuçi nafte.

Aktualisht, kompania kanadeze Bankers Petroleum po nxjerr naftë në zonën e Patoz-Marinxës dhe të gjithë prodhimin po e eksporton. Italia është vendi që po blen më shumë këtë naftë bruto.

Çudia qëndron në faktin se në Shqipëri ka edhe shumë kompani të tjera koncensionare, por ato nuk po veprojnë, me përjashtim të kanadezëve dhe zviceranëve. Ministria e Ekonomisë ka dhënë leje gjatë 18 viteve për dhjetëra kompani amerikane, austriake, kroate, kanadeze, suedeze madje edhe greke.

Kërkime nisën edhe kompani të tjera si ajo amerikane Occidental, OMW, kompania shqiptare AlbPetrol, kompania INA, Premier Oil si dhe Coparex por që në fakt kanë njohur dështim dhe janë larguar nga vendi.


Studimet e reja

Qeveria shqiptare krijoi pak kohë më parë Agjencinë Kombëtare të Burimeve të Reja. Nëpërmjet një ligji të ri, tashmë çdo kompani e huaj që dëshiron të operojë në vendin tonë, e ka më të lehtë. Kjo agjenci po bën edhe studime të reja për zona të tjera për të cilat nuk mendohej se mund të kishin naftë apo gaz. Në këtë agjenci po punohet për përgatitjen e dokumentacioneve përkatëse për zonat e caktuara studimore për t'i dhënë ato me marrëveshje hidrokarbure, sikurse është përcaktuar edhe në ligjin përkatës.

Tashmë ka nisur studimi në mjaft blloqe të lira, kryesisht në gjithë zonën juglindore të vendit. Një tjetër zonë që po studiohet është edhe ajo në rrethet e Vlorës, Gjirokastrës, Delvinës, Sarandës, Lushnjës, Fierit dhe të Mallakastrës.


Optimizmi

Mjaft ekspertë shqiptarë janë shprehur optimistë për rezultat. Vendi ynë është ndër të paktët në rajon që ka rezerva të konsiderueshme nafte. Ekspertët e konsiderojnë këtë si një avantazh krahasues që Shqipëria ka ndaj vendeve të rajonit, shumica e të cilave nuk disponojnë rezerva nafte. Në rast se vendi arrin t’i shfrytëzojë këto burime të zbuluara, do të përfitohen mjaft të ardhura, vendi do të pavarësohet nga energjia si dhe shteti do të fitojë një pozitë tjetër dhe më të fortë politike në rajon.

Ky optimizëm i ekspertëve, veçanërisht të inxhinierëve të naftës dhe gjeologëve shqiptarë, buron nga fakti se në kohët e sotme gjysma e rritjes se rezervave në vendet kryesore prodhuese të naftës, ka ardhur nga rivlerësimi i tyre duke marrë në konsideratë zhvillimet teknologjike, kostot e zhvillimit dhe të gjetjes së rezervave dhe çmimet e tregut.

Rritja e teknologjisë shihet si avantazh. Nga ana tjetër, mjaft ekspertë e shohin këtë vonesë të nxjerrjes së naftës edhe si avantazh. Nafta po shtrenjtohet, burimet në botë parashikohet të pakësohen dhe deri në vitin 2080 pritet që nafta të përfundojë në tokë. Atëherë në këtë situatë, nafta shqiptare do të shitej me çmime tepër të larta. Sondat moderne arrijnë deri në 8 mijë metra, ndoshta më tepër, të depërtojnë në koren e tokës, ndërkohë që studimet flasin se nafta shqiptare ndodhet vetëm 3500 metra poshtë nën tokë. Gjithsesi, hapja e një pusi nafte kërkon afërsisht mbi 20 milionë dollarë shpenzime. Hapja e rezervave të kësaj nafte do të niste një epokë të re për Shqipërinë.


Kompanitë që kanë dështuar

Shell Oil & Corporex
Oçidental
OMË
AlbPetrol
INA
Premier Oil
Coparex


Hartat gjeologjike të Shqipërisë.



Hartat gjeologjike të Shqipërisë kanë filluar të hartohen nga studiues të huaj qysh prej shekullit XIX.

Hartat që përfshijnë gjithë territorin e Shqipërisë, nga shkalla 1:2 000 000 deri në 1:200 000 janë 15, nga të cilat 6 në dorëshkrim, ndërsa të tjerat janë botuar në vende të ndryshme.

Të parët që ndërmorën një studim gjeologjik në Shqipëri ishin dy francezë, natyralisti A. Boue dhe gjeologu A. Vuquesnel që krijuan hartat e para gjeologjike në vitet 1828-1879.

Më pas vitit 1903, shumë gjeologë të tjerë të huaj filluan studimet gjeologjike në territorin e Shqipërisë.

Kështu, A. Marteli gjatë viteve 1903-1912 kreu studime në krahinën e Vlorës dhe rezultat i këtyre ishte një hartë gjeologjike në shkallë 1:200000 botuar në Romë më 1912. F. Nopsca pas studimesh shumë vjeçare botoi në Budapest hartën gjeologjike 1:200000 të Shqipërisë së Veriut.

Gjithashtu, harta gjeologjike të rajoneve të ndryshme të Shqipërisë përpunuan e botuan gjeologe të ndryshëm si Weters, Hammer, Roth, Telegt, Goebel.

E rëndësishme ishte harta 1:200000 botuar nga J. Bourcart në Paris më 1921, titulluar “Harta Gjeologjike e Shqipërisë Juglindore”.

Për herë të parë një hartë e plotë e Shqipërisë u publikua në Salzburg më 1929 nga Ernst Nowack, gjeolog austriak i kontraktuar nga qeveria shqiptare për këtë qëllim. Harta ishte frut i punës së mirëfilltë të Nowack dhe përpunim e korelim i kësaj pune me harta të botuara dhe më parë.

Ne 1943 S. Zuber ka përgatitur, në dorëshkrim, hartën gjeologjike 1:200000 të Shqipërisë.

Më 1950, E.A. Stankeev. Z. A. Mishunina dhe E. A. Ivanova përgatitën hartën gjeologjike të Shqipërisë 1:200.000 për përdorim në industrinë e naftës bashkë me shënimet sqaruese e cila u botua më 1957, në Leningrad në tirazh të kufizuar.

Një grup gjeologësh shqiptarë (T. Biçoku etj.) duke u mbështetur në rilevimet gjeologjike të bëra gjatë 1950-1965 dhe në vrojtimet e punimeve të redaktim revizionimeve të bëra nga grupi gjatë 4 vjetëve (1963-1964), përpiluan dhe botuan, më 1967 në Tiranë, në shqip e frëngjisht, hartën gjeologjike të Shqipërisë në shkallën 1:200000 bashkë me tekstet shpjeguese (1970, 1971).

Pas 19 vjetësh u botua edhe harta e tretë gjeologjike e emërtuar “Harta Gjeologjike e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” shkalla 1:200000, hartuar nga një grup gjeologësh (R. Shehu etj.) dhe tekstin shpjegues (1990).

Në vitin 2000 nën koordinimin e A. Xhomos etj. ka përfunduar në dorëshkrim, për ribotim harta gjeologjike 1:200000 e Shqipërisë. Harta u botua në vitin 2002 dhe emërtohet “Harta Gjeologjike e Shqipërisë”. Kjo hartë është frut i bashkëpunimit mes Institutit të Kërkimeve Gjeologjike, Institutit të Naftës dhe Gazit dhe Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave.

Të gjitha hartat janë shoqëruar me tekste shoqëruese shpjeguese.

Përveç hartave gjeologjike të shkallës 1:200000, janë hartuar edhe harta të shkallëve të ndryshme të cilat kanë mbetur të papublikuara dhe gjenden në Fondin Qendror të Gjeologjisë dhe atë të Instituti të Kërkimeve Gjeologjike. Prej vitit 1997, ka filluar edhe botimi i serisë së hartave gjeologjike në shkallë 1:25000 në bazë të plansheteve topografike (gjithsej 101 planshete). Gjithashtu ka pasur edhe botim të hartave gjeologjike në shkallë 1:50000 të masivëve ultrabazikë Shebenik, Bulqizë e Tropojë të realizuara në vitet ‘90. Gjithashtu, është punuar nga departamenti i Gjeologjisë Krahinore dhe Kartografimit të IKGJ për botimin e hartave ndërkufitare Greqi-Shqipëri, Maqedoni-Shqipëri, Mali i Zi-Shqipëri dhe Kosovë-Shqipëri, në bashkëpunim me Shërbimet Gjeologjike të vendeve respektive.
Botimi i hartave gjeologjike po vazhdon me qëllim që i gjithë informacioni i mbledhur t’i bëhet prezent botës shkencore dhe publikut.
Përveç kësaj, nga Drejtoria e Gjeoinformacionit pranë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, po punohet për dixhitalizimin dhe kalimin në formë elektronike të këtyre hartave duke krijuar harta interaktive shumëqëllimore dixhitale, të cilat nëpërmjet Sistemeve Gjeografike të Informacionit GIS të jenë të gatshme për përdorim online nga përdoruesit periferikë të çdo lloj moshe e profesioni, duke qenë kështu të afta të plotësojnë të gjitha kërkesat që shoqëria shtron para shkencës gjeologjike.
Gjithashtu, janë botuar edhe Harta Hidrogjeologjike, Metalogjenike, Gjeofizike të shkallës 1:200000.


Burimi: Drejtoria e Shërbimit Gjeologjik

Monday, November 23, 2009

“Ekonomia e vendit ka arritur nivelin kritik, kriza na ka dobësuar”

Banka e Shqipërisë ka dhënë alarmin se ekonomia e vendit ndodhet në një situatë kritike, pavarësisht masave të herë pas hershme që janë marrë si nga qeveria ashtu dhe nga vet Institucioni Bankar Qendror.

Këtë lajm e ka dhënë disa ditë më parë vet kreu i BSH-së, Guvernatori Ardian Fullani, i cili ka qenë i pranishëm në forumin e 6-të Ekonomik të Vjenës, ku ka dhënë opinionet e veta dhe masat që ka marrë institucioni më i lartë mbikëqyrës në vend për të përballuar efektet e krizës në Shqipëri. Deklarata e Fullnit ka ardhur në një kohë kur situata jo vetëm në tregun bankar shqiptar por në të gjithë ekonominë e vendit po precipiton me shpejtësi. Për herë të parë BSH-ja po vëren se si portofoli i kredive me probleme po i afrohet kufirit maksimal prej 10 për qindësh. Po ashtu BSH-ja nuk po arin të zhbllokojë as situatën e vështirë të moskreditimit të ekonomisë vendase nga bankat private, si dhe nuk po frenon dot nga ana tjetër as rënien e shpejtë të vlerës së monedhës vendase përballë valutave të huaja. Fullani ka informuar gjatë këtij forumi ndërkombëtar se BSH-ja ka arritur të furnizojë tregun me sasinë e nevojshme të likuiditetit gjatë periudhës së krizës, por sërish rezultatet kanë qenë jo pozitive. Gjithsesi, sipas tij, duke konsideruar pamundësinë e Bankës Qendrore Evropiane, për të shërbyer si ofrues likuiditeti, hapësirat që ka pasur në dispozicion BSH-ja në kuadrin e aspektit ligjor e rregullativ aktual janë ezauruar gjithmonë nga këndvështrimi i likuiditetit.



Deklarata

“Do të thosha kemi arritur një nivel kritik, poshtë të cilit nuk ka më hapësirë për veprim. Kriza nxori në evidencë shumë nga ‘defektet’ e përafrimit të shpejtë apo siç njihet ndryshe ‘catching up process’. Analiza duhet të shkojë më tej sesa pranimi i marrë si i mirëqenë i këtij procesi”, - tha në fjalën e tij Guvernatori Fullani.

Sipas tij, BSH-ja, në mënyrë të ngjashme me BQE-në dhe bankat e rajonit, ka arritur të furnizojmë tregun me likuiditet të bollshëm, duke kombinuar një shumëllojshmëri instrumentesh dhe taktikash operacionale. “Kuptohet, që më të lehtë e kemi me likuiditetin në monedhë kombëtare. Ndërkohë, që për atë në monedhë të huaj, të paktën në rastin e BSH-së, në asnjë rast nuk kemi menduar që të marrim rolin e burimit të fundit të financimit të sistemit bankar me mjete financiare valutore”, - tha Fullani. BSH-ja e gjykoi të domosdoshme monitorimin e situatës, duke ndërmarrë një sërë veprimesh që zbutën trysninë mbi sistemin bankar. Fullani nënvizoi krijimin e një grupi “task-force” për ndjekjen ditore të situatës për çdo bankë të veçantë. “Konkluzioni ynë ishte se analiza duhej të zbriste në nivel mikro, në çdo qelizë të sistemit dhe në çdo tregues të veçantë. U adoptuan një sërë lehtësirash për furnizimin pa ndërprerje të sistemit me likuiditetin e duhur. U ndryshua tipi i ankandit kryesor të injektimit në ankand me çmim fiks, u zgjerua baza e kolateralit për marrëveshjet repo, u rrit norma e përdorimit të rezervës së detyruar nga 20 në 40 për qind dhe u zvogëlua diferenca midis normës bazë të interesit të BSH-së dhe kredisë njëditore, nga 175 pikë në 75 pikë”, - tha Fullani. Kësaj i shërbeu edhe kërkesa për rritjen e kapitalizimit të veprimtarisë bankare, si një garanci më shumë për shëndetin financiar.

Situata e lekut

Ekspertët thonë se në rast se Banka e Shqipërisë e tërheq stimulin monetar të dhënë gjatë këtij viti dhe nuk e rrit blerjen e borxhit të qeverisë, atëherë ka gjasa që leku të forcohet gjatë muajve të ardhshëm. Por kërkesa e qeverisë për borxhe në këtë pikë merr një rol vendimtar. Vetë qeveria ka dhënë pak shpresa në këtë drejtim. Në tetor, sasia e borxhit publik të blerë nga BSH u rrit më tej dhe Ministria e Financave njoftoi se për vitin e ardhshëm ka ndër mend të kërkojë një sasi të konsiderueshme borxhi të ri për të financuar shpenzimet e buxhetit. Qeveria bëri të ditur se mund t‘i drejtohet tregut ndërkombëtar për borxhe, në rast se tregu i brendshëm nuk ka likuiditete ta blejë të gjithë shumën. Vlera e lekut përballë valutave është përcaktuar në mënyrë domethënëse gjatë dekadës së fundit nga politikat monetare e fiskale. Leku filloi të forcohej ndjeshëm që nga viti 2003 e më pas kryesisht si pasojë e një politike të shtrënguar monetare. Vlera e lekut arriti kulmin në vitin 2008.

BSH: Depozitat bankare rikthehen në nivelin e tetorit 2008

Rikthehen në nivelin e një viti më parë depozitat bankare. Sipas buletinit statistikor të publikuar prej Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit në bankat që operojnë në vendin tonë ishin 641.1 miliardë lekë depozita, në monedhën vendase apo në valutë të huaj. Kjo është e njëjta shifër, saktësisht me atë të totalit të depozitave në muajin tetor 2008. Prirja e shqiptarëve për të tërhequr paratë e depozituara, filluar në shtator-tetor të vitit të kaluar, shënoi kulmin e saj rënës në mars të vitit në vazhdim, kur totali arriti në 604 miliardë lekë. Gradualisht, pas këtij muaji duket se është rikthyer besimi i ndrojtur në institucionet bankare, për të arritur në 611 miliardë lekë depozita në korrik, 637 miliardë në gusht, e për të shkuar në mbi 640 miliardë lekë në fund të shtatorit. Në rikthimin e depozitave ndikoi edhe rritja e shumës së garantuar nga shteti. Pas miratimit të një ligji lidhur me rritjen e nivelit të garantimit të depozitave bankare, shqiptarët mund të jenë më të qetë lidhur me paratë që depozitojnë në banka. Kjo, pasi ky ligj ka detyruar tani rritjen në 25.000 euro, ose ekuivalentin e saj në lekë apo valuta të tjera të kufirit të shumës, që garantohet nga shteti shqiptar në rast falimentimi të një banke të nivelit të dytë. Ligji ishte një kundërmasë si pasojë e "hemorragjisë" së depozitave. Një tërheqje e depozitave në masën rreth 240 milionë euro, ndodhi vjet në muajt tetor e nëntor, kur u përhapën njoftimet e para se kriza globale kishte filluar pikërisht në sektorin bankar. Por, gjatë muajve të parë të vitit 2009, ndonëse frika nuk u eliminua asnjëherë, tregu është qetësuar dhe një pjesë e parave të tërhequra është rihedhur në depozitat bankare.

Referenca për produktet e importit rrit çmimin e ushqimeve

Çmimet e referencës për shumicën e produkteve bujqësore të importit janë më të larta sesa çmimet e blerjes. Tregtarët importues thonë se në doganë nuk u njihen faturat me çmimet reale të blerjes, edhe pse këto veprime i kryejnë nëpërmjet bankave. Vendosja e çmimeve të referencës rrit gati dyfish a më shumë vlerën e produkteve që zhdoganohen, gjë që pasqyrohet direkt në treg. Sipas tregtarëve, praktika e ndjekur nga qeveria për rritje të çmimit të referencave, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendas, nuk ka pse të kalojë në kurriz të importuesve. Një shembull konkret është çmimi i referencës për rrushin. Në një kohë kur në treg nuk ka më prodhim vendas, çmimi i referencës për këtë produkt vazhdon të jetë i njëjtë me atë të muajit korrik 1,015 euro. Importuesit i kërkojnë qeverisë të ndërhyjë dhe të përcaktojë çmime reale të përcaktuara dhe sipas sezoneve për produktet bujqësore. Një tjetër problem që sipas importuesve u hapet në dogana në momentin e zhdoganimit, është kontrollimi i mallit duke e zbritur të gjithin jashtë kamionëve, pa pasur kushtet e nevojshme frigoriferike për magazinim, duke sjellë kështu dëmtim të cilësisë.

Reaksioni: Aksioni blic, Tatimet u vendosin 400 milionë lekë gjoba karburanteve.

Një aksion i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ka përfshirë pothuajse gjithë kompanitë e karburanteve që tregtojnë me shumicë në rang vendi. Bëhet fjalë për verifikimin e aktivitetit në përputhje me legjislacionin tatimor, nga ku rezulton se pjesa dërrmuese nuk kishin respektuar udhëzimet e lëshuara nga Ministria e Financave. Masa e gjobave që u është vendosur shumë subjekteve i ka kaluar të 400 milionë lekët ose rreth 5 milionë dollarë, ndërsa mësohet se janë mbyllur dhe 15 pika të shitjes së karburantit me pakicë. Aksioni për verifikimin e zbatimit të udhëzimit për shitjen e naftës me çmimin e shumicës, sikurse e kërkoi ministri Ridvan Bode, duket se nuk është respektuar nga të gjitha subjektet. Megjithatë, këta të fundit pretendojnë se përgjegjësia bie mbi pikat e pakicës, të cilat nuk kanë zbatuar siç duhet kontratat. Goditja më e madhe është lëshuar ndaj grosistëve, të cilët duhet të lidhnin kontratat me shitësit e vegjël në funksion të kontrollit të çmimit. Ministria e Financave miratoi vitin e kaluar disa udhëzime rresht, që përcaktonin në thelb kontrollin e çmimit që nga importuesi. Pra, vetë kompanitë “sh.a.” (shumica) duhet të binin në konsensus me “sh.p.k.”-të (pakicën) në vendosjen e çmimit. Ndarja e fitimit mes tyre do të bëhej në varësi të komisionit, kurse qeveria do ta kishte më kollaj t‘i vilte të ardhurat që tek importuesit.

Ervin Koçi, G. Albania

Sunday, November 22, 2009

Çfarë po i bëni vendit tim?!

Situata 1: Gjendja Energjitike… dhe vetvrasja e nje shteti modern.

Titulli i nje lajmi: “Gara mes ENEL dhe RWE per TEC-in”:

Plani i qeverise per fillimin e negociatave konkrete me njeren nga kompanite eshte per t’u mbyllur ne fillim te vitit. Mendohet qe ndertimi i termocentralit do te kerkoje kater vjet, me vlere investimi mbi 1 miliard euro. Sasia e energjise qe do te prodhohet konsiderohet teper e larte, pertej nevojave te vendit tone, per pasoje eshte menduar qe gjysma te mbetet ne Shqiperi dhe diferenca te eksportohet.

Dihet ka vite qe Shqiperia po vuan per infrastrukturen kryesore te nje shoqerie te civilizuar si Energjia Elektrike (shkurt dritat), uji, rruget etj.

20 vjet qe pas ekspozimit ndaj botes se qyteteruar pas izolimit komunist dhe pak eshte bere ne kete drejtim. Fajtor jane te gjithe politikanet per mungese vizioni, por dhe te gjithe intelektualet qe kishin nje te drejte fjale dhe nuk e thane dot. Megjithate po kthehem tek zhvillimet e fundit.

Kur degjova per projektet ne Vlore per ndertimin e TEC-eve u ndjeva mire ne fakt. Pavaresisht se kishte nje grup njerezish qe dilnin ne protesta dhe ne ditet me te cuditshme, thelle e ndjeja qe Shqiperise i duhet nje revolucion ekonomik. I duhet nje infrastrukture energjitike qe te mbeshteste ekonomine ne rritje apo te ndihmone ne investime ne zona strategjike sic ishte zona portuale e Vlores. Nje TEC atje do te thoshte “drite” per te gjithe zonen e Vlores, me shume pune per qytetaret e Vlores, per inxhinjeret qe po mbarojne shkolla ne Shqiperi dhe duan te jetojne vetem ne Tirane duke braktisur provincat shqiptare. Ai TEC do te thoshte levizje ne nje ekonomik te vdekur dhe te pashprese.

Por TEC-et kane dhe disa faktore negative ne vetvete. Nje nderto eshte ndotja qe krijohet ne ambientin perreth. Kjo ndotje eshte e kushtueshme drejtperdrejt ne natyre dhe ne para! Kostoja e pare ne natyre eshte deri diku e pashmangshme per nje shoqeri qe deshiron te jetoje prane kompjuterit, prane drites dhe faktore te tjere qe shprehin mireqenien ne kohet tona. Gjithmone per te balancuar koston natyrore jane krijuar parqe te gjelber dhe eshte e llogjikshme qe te tille te krijoheshin dhe ne Shqiperi.

Kostoja e dyte eshte e shprehur ne vlere monetare te drejtperdrejte!

“United Nations Framework Convention on Climate Change” eshte nje organizim qe merret drejtperdrejt me kontrollin e gazrave te emetuara nga cdo shtet ne bote. Qellimi i kesaj konvente eshte ulja e gazrave te emetuara ne hapesire duke aplikuar rregulla te ndryshem.

Bazuar mbi kete konvente, nje marreveshje e quajtur “The Kyoto Protocol” thekson qe:

Vendet e angazhuara nën Protokollit të Kiotos duhet të përmbushin objektivat e tyre për të kufizuar apo reduktuar emetimet e gazit kryesisht përmes masave kombëtare. Si një mjet shtesë të takimit të këtyre synimeve, Protokolli i Kiotos futi tre bazuar në mekanizmat e tregut, duke krijuar atë që njihet tani si treg “karbonit.”

Tregu i Karbonit funksionon ne kete menyre. Nje shtet me shume ndotje karboni eshte i detyruar te mos kaloje nje limit te caktuar. Nese ky shtet e ka te pashmangshme tejkalimin e emetimit te karbonit, atehere mund te tregetoje tepricen e tij me nje shtet i cili ka emeton me pak ndotje ne atmosfere.

Ne nje situate te tille, nje shtet X teper i industrializuar mund te kete interes qe t’i paguaje nje vendi pa industri si psh Shqiperia 10tra milion euro ne vit per te balancuar emetimet e tij te gazit. Vendi me pak i zhvilluar si psh Shqiperia do perfitonte nga nje situate e tille per te investuar keto para ne nje energji te paster!?!

A perfiton Shqiperia nga nje situate e tille? Pse duhet te krijojme nje TEC ne Porto Romano i cili gjeneron me shume energji sec kemi nevoje, per te cilin shqiptaret do te paguajne njesoj energjine (cmim kosto plus humbje te tjera si shtet). Pse duhet te ndertohet nje TEC qe do te shkaterroje ambientin perreth Porto Romanos, do ndikoje faunen ne ate zone dhe do te varferoje shtetin shqiptar vazhdimisht pasi dikush po perfiton me shume?


Situata 2: Varferimi i vendit tim … dhe pergjigja e nje përse-je

Ti besh dem disa brezave te tere me njerez duhet te jesh ose shume injorant, ose shume i korruptuar.

… Por, ndoshta më e zakonshme është se ne identifikojmë një vend që ka burime të lakmuara nga korporatat tona, si naftë, dhe pastaj sajojmë një hua të madhe në atë vend nga Banka Botërore (World Bank) ose ajo e një prej organizatave motra. Por në fakt paratë nuk shkojnë në vend, paraja shkon në korporatat tona të mëdha për të ndërtuar projektet e infrastrukturës në atë vend. Termocentralet, parqe industriale, porte … gjëra që përfitojnë disa njerëz të pasur në atë vend dhe korporatat tona. Keto investime nuk do të ndihmojmë në të vërtetë një shumicë të njerëzve në të atë vend. Megjithatë, te gjithe ata njerëz, i gjithë vendin është zhytur ne një borxh të madh.

Citimi me siper eshte shkeputur nga John Perkins, nje nga ata njerez qe negocionin keto marreveshje korruptive me pushtetaret e disa vendeve. Te njejtat marreveshje qe shkaterronin te ardhmen e nje populli dhe rrisnin pasurite e disa korporatave boterore. Ne historine e tij, John Perkins vazhdon duke dhene dhe disa shembuj real te 40-60 viteve me pare, por qe po perseriten dhe sot ne Shqiperi.

Shembujt e tij kane te bejne me menyren se si u ndikuan politikat e shtetit te Guatemales (1954), te Ekuadorit (1981), Panamase, Venezueles e shume shembuj te tjere.

Nje nderkompanite e permendura nga ai ne keto konfesione permendin dhe emrin e kompanise Bechtel ne trazirat ne Bolivi ne vitin 1999. Sic duhet Bechtel eshte nje nder kompanite me aktive ne investimet e medha te Shqiperise. Pikerisht ato investime qe jane nisur me borxhe te medha nga World Bank dhe pjese e disa skandaleve ne Shqiperi.

Megjithate nuk po perqendrohem tek Bechtel, por po kufizohem tek Borxhi i Jashtem i Shqiperise. Grafi me poshte tregon rritjen e ketij borxhi nga Qeveria Shqiptare nga viti 2000-2008.

Borxhi i Jashtem i Shqiperise: Burimi: Banka e Shqiperise




Parashikimi?

Ne vitin 2007, Banka Boterore klasifikonte Islanden si vendin e 3te me te pasur ne bote per person. Sot Islanda eshte vendi i pare i zhvilluar qe falimenton, pikerisht per shkak te politikave ekonomike te ndermarra ne dem te tij, dhe te toleruara nga udheheqesit e saj.

Do doja qe te beheshim sa me te ndergjegjshem per rrezikun qe po i kanoset dhe vendit tone nen injorancen dhe lajmet idiote ne televizion. Shqetesimi kryesor i yni duhet te jete ekonomia, arsimi dhe perparimi i vendit, dhe jo shfaqjet politike.

Nese dikush deshiron te bashkepunoje ne nje projekt me te gjere nen kete vizion, eshte i mirepritur te kontaktoje.

Perse?



Po shkruaj sepse u lodha me indiferencen dhe injorancen e gjithckaje perreth. U lodha nga buzeqeshjet dhe turet mashtruese. U lodha dhe nga ulerimat barbare per hapjen e kutive. U lodha nga shkollat e rrenuara ne fshatrat e Shqiperise. Mbi te gjitha ndjehem i shkaterruar kur shoh qe po behet cmos qe e ardhmja e njerezve qe do jetojne ne Shqiperi do te jete e zeze.

Burimi: http://armandbrahaj.blog.al/2009/11/22/cfare-po-i-beni-vendit-tim/

Tuesday, November 17, 2009

Korrupsioni: Shqipëria më keq se Uganda dhe Ruanda - (TIA)

Shqipëria renditet ndër vendet me nivel të lartë korrupsioni, madje më keq se një vit më parë.

Sipas raportit të 'Transparency International Albania' për indeksin e korrupsionit, vendi ynë kap pozicionin e 95-të, duke u klasifikuar më keq se vendet e pazhvilluara si Uganda dhe Ruanda.

Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka zbritur 10 vende në listë, duke u pozicionuar ndër vendet e fundit ne Europë.



Sipas Endri Shabanit që ka folur gjatë publikimit të raportit në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2009, vendet e rajonit kanë probleme serioze me nivelin e korrupsionit.

Ai ka theksuar se në krye të listës renditen Zelanda e re, Danimarka, Singapori dhe Maljazia.

"Të gjithë shtetet e rajonit kanë marrë një notë më pak se 5 (nga 10 pikë të mundshme) duke treguar se ato përballen me një perceptim të lartë mbi korrupsionin në sektorin publik"- thuhet në raport.

Sipas tij, Shqipëria shënon 3.2 pikë në indeksin e perceptimit të Korrupsionit për vitin 2009, nga 3.4 që ishte për vitin 2008, me gjashtë burime të dhënash me standardin e devijimit 0.3 (minimumi 2.8 dhe maksimumi 3.6).

Në zonën e Euro- Azisë, Shqipëria renditet e teta mes 20 vendeve. Në rajonin e Europës Jug lindore, lë prapa Bosnje - Hercegovinën. Vendin e parë në rajon e ka Turqia me 4.4 pikë e pasuar nga Kroacia 4.1.

Shekulli

Saturday, November 14, 2009

Mjaft ! Notë proteste ndaj rritjes së çmimit të energjisë

Pretendimi i kompanisë “CEZ Albania” paraqitet absurd kur Shqiptarët sakaq e paguajnë energjinë elektrike rreth 400% më shumë se cmimi i prodhimit dhe tansmetimit të saj. Për sa kohë kompania në fjalë e ka të pamundur të nxjerrë një kosto reale të energjisë elektrike për shkak të humbjeve të pajustifikuara në rrjet; të 72 000 konsumatorë me faturim aforfe dhe të tjerëve të paidentifikuar. Për më tepër, kjo kompani nuk ka arritur të kryeje asnjë nga investimet e parashikuara në marrëveshjen kontraktuale të bërë një vit më parë me Shtetin Shqiptar.





NOTE PROTESTE

Drejtuar: Ministrisë së Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës

Qeverisë Shqiptare

Mediave të pavarura

Qytetarëve Shqiptarë


Lëvizja MJAFT! vëren me shqetësim dorëzimin e Qeverisë Shqiptare dhe përkatësisht të Ministrisë së Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjetikës, përpara kërkesës së pajustikueshme për rritjen e cmimit të energjisë elektrike nga kompania private “CEZ Albania”, e cila drejton Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike në masën 31% përkthehet në një rritje të papërballueshme për ata konsumatorë familjarë që deri më tani mbroheshin nga fasha e parë e konsumit prej 300 kwh. Energjia elektrike tashmë në të gjitha vendet e industrializuara konsiderohet një domosdoshmëri jetike, pikërisht për kete arsye Lëvizja Mjaft! e shikon të papranueshme që Qeveria Shqiptare e cila pretendon aderimin në Bashkimin Europian të mos sigurojë mbrojtje për më të varfërit mes nesh.

Duhet patur parasysh që sot pas 19 viteve tranzicion, Shqipëria e vërtetë nuk është ai vend që Qeveritë i propagandojnë Europës. Ajo renditet si vendi më i varfër në Ballkan dhe me të ardhurat për frymë dhjetë herë më të ulta se sa mestarja e standarteve Europiane.

Shqipëria e vërtetë është ajo e të paktën:

* 393 085 qytetarëve që jetojnë me më pak se 5000 Lekë/muaj;
* 38 040 qytetarëve që jetojnë në varfëri ekstreme me më pak se 200 Lekë/ ditë;
* 141 499 të papunëve të regjistruar;
* 33 555 familjeve që jetojnë me 3 746 Lekë/muaj ndihmë të plotë ekonomike;
* 60 579 familjeve që jetojnë me 3114 Lekë/muaj ndihmë të pjesëshme ekonomike;
* 524 000 pensionistëve me të ardhura mesatare 7240 Lekë/muaj;



Pretendimi i kompanisë “CEZ Albania” paraqitet absurd kur Shqiptarët sakaq e paguajnë energjinë elektrike rreth 400% më shumë se cmimi i prodhimit dhe tansmetimit të saj. Për sa kohë kompania në fjalë e ka të pamundur të nxjerrë një kosto reale të energjisë elektrike për shkak të humbjeve të pajustifikuara në rrjet; të 72 000 konsumatorë me faturim aforfe dhe të tjerëve të paidentifikuar. Për më tepër, kjo kompani nuk ka arritur të kryeje asnjë nga investimet e parashikuara në marrëveshjen kontraktuale të bërë një vit më parë me Shtetin Shqiptar. Përmasat e këtij absurdi rriten edhe më shumë me qëndrimin që Ministri i Energjetikës mbajti pak ditë më parë, duke deklaruar publikisht mundesinë e pranimit të kësaj kërkese. Deklaratë kjo, e cila u kërkon të gjithë qytetarëve që sipas të ardhurave renditen në kategoritë e mësipërme në nevojë, të paguajnë të paktën 3300 Lekë/muaj vetëm për energjinë elektrike.

Qeveria Shqiptare nuk duhet të tentojë të fshehë raportet nderkombëtare që shfaqin vështirësitë ekonomike të vendit, por duhet të njohë problemet dhe të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë.

Levizja Mjaft! e konsideron marrjen parasysh nga Qeveria Shqiptare të kërkesave të “CEZ Albania” një papërgjegjshmëri sociale, ndaj i bën thirrje Qeverisë të rrefuzojë kërkesat e paraqitura nga kjo kompani si të pa justifikuara dhe të tregojë vëmendje ndaj mbrotjes së qytetarëve të saj, vecanërisht të atyre që jetojnë në kufijtë e varfërisë.

Blendi Salaj, Peshkupauje