Showing posts with label Ndërgjegjësim. Show all posts
Showing posts with label Ndërgjegjësim. Show all posts

Thursday, January 10, 2013

Puritanët virtualë


Ditën e Gjykimit, Ditën e Qametit apo ditën e Fundit të Botës në 21 dhjetor 2012-tës, postova për paksa shaka, një foto provokuese me një gjysëm orgji erotike në një shesh publik të populluar, duke pyetur se çfarë do t'iu mbeste peng në rast se vjen realisht fundi i botës.

Sigurisht që fotoja u prit me humor ashtu siç ishte edhe qëllimi, e nuk munguan as komentet "puritane", pavarësisht se faqja jonë nuk mund të vizitohet nga minorenë.
Si pasojë e raportimeve të moralistëve ndaj asaj fotoje (me siguri e kanë raportuar sikur iu ka nxjerrë dikush fytyrën pa i kërkuar leje) fotoja fshihet dhe profili im bllokohet për 3 ditë.

Ajo që më bën përshtypje është sesi vallë kanë guxim këta pseudomoralistë të ankohen, të raportojnë imazhe me përmbajtje erotike, kur vetë janë persona të rritur që lundrojnë në internet me dëshirën e tyre?
Duan të tregojnë që kanë moral mbi të tjerët, apo duan të tregojnë që nuk kanë parë kurrë imazhe erotike më parë?

Eshtë interesante se një Studim i Fundit tregon se vetëm faqja e njohur Youporn, ka marrë 93 miliardë klikime në 6 vitet e fundit. Me 7 miliardë njerëz që ka bota, i bie që një njeri i vetëm (pavarësisht gjinisë) ka parë plot 14 video.

Dhe kjo, vetëm në faqen Youporn, duke mos përfshirë faqet e tjera.

Shkroi: Stop Injorancës !

Monday, December 17, 2012

Ju të rriturit ta shpifni

Janë bërë gjithmonë e më të shpeshtë zërat cinikë e thirrjet tallëse të të rriturve që thonë se Babagjyshi i Vitit të Ri nuk ekziston vërtetë, por qenka një sajesë.

Pikërisht këtu merr shkas hartimi im, në emër të gjithë bashkëmoshatarëve të mi anembanë botës, të lënduar keqazi prej këtyre sjelljeve harbute të të rriturve.


Babagjyshi i Vitit të Ri ka mijëra vjet që ekziston dhe shpërndan dhuratat e tij tek fëmijët e gjithë botës. Por padyshim nuk ka sesi babagjyshi t'iu japë dhurata ju të rriturve që gjatë gjithë vitit mundoheni ti nxini vitet njëri-tjetrit. Nuk ju mbetet asgjë tjetër veçse ta urreni dhe ta mohoni Babagjyshin e Vitit të Ri.
Por përsëri ne fëmijët as nuk iu lusim ta besoni Babagjyshin, as nuk ju detyrojmë të faleni çdo ditë para Pemës së Vitit të Ri, as nuk ju tallim e nuk ju mallkojmë që t'iu shkelin drerët me këmbë dhe as nuk trokasim në dyert tuaja me libra mbi Babagjyshin nëpër duar.
Ju e nisni edukimin ndaj nesh me gënjeshtra që kur jemi të vegjël duke na vendosur një biberon fals në gojë për ta mbajtur atë burimin tonë të qumështit, për veten tuaj.

Ju quajnë të rritur, ju quajnë të maturuar, por as një Babagjysh nuk e di pse-në!

Ne fëmijët kur zihemi të nesërmen kemi harruar e jemi pajtuar, ndërsa ju kur ziheni arrini deri në çmendurira.
Jeni aq perversë sa herën e parë kur na shikoni na pyetni se kujt i ngjajmë, por fiskojeni njëherë e mirë që ne i ngjajmë vetëm vetes sonë.
Po sa të ligë duhet të jeni kur pyetjen e parë që na bëni është se cilin prej prindërve duam më shumë?!
Ne fëmijët shpërndajmë letra urimesh e miqësie me të gjithë fëmijët anembanë botës, kur ju të rriturit nuk flisni me komshiun, me kolegun e punës, me motrën apo vëllain tuaj.
Ju na mësoni se si lodrat mos ti ndajmë me shokët, ju na mësoni se si atij që na godet, t'ia kthejmë 2-fish pas dhe të mos kemi besim asnjëherë tek askush. Na kërkoni t'iu rrëfejmë gjithçka dhe nga ana tjetër flisni fshehurazi nesh nëpër shtëpi nga frika se mos ju dëgjojmë, sepse ne nuk kemi turp ti themi të gjitha ato që mendojmë dhe ashtu siç i mendojmë, ndërsa ju ballë për ballë takoheni e përqafoheni e pas krahëve shaheni e mallkoheni.

Ne fëmijët gjejmë gjithmonë diçka me çfarë të merremi, ndërsa ju të rriturit zakonisht ju sheh me këmbë përmbi këmbë. Ne nuk dorëzohemi kur e duam diçka, paçka se detyrohemi të shtrihemi edhe përdhe duke qarë për të. Ju i gjeni 1000 arsye pse nuk mundeni, para se të guxoni. Ne jemi gjithmonë të qeshur, juve ju shqetësojnë qeshjet e njëri-tjetrit.
Ne nuk pijmë alkool, duhan apo drogë, por dehemi në çokollata, akullore e limonata.
Ne fëmijët edhe pse luajmë gjithë ditën me njëri-tjetrin kurrë nuk na shkon mendja tek budallëqet. Ju të rriturit mjafton t'iu shikosh kur ngjisheni nëpër urbanë.
Shikoni gjithë ditën në televizor lajme nga bota që ju mërzisin dhe ndiqni deklaratat e njerëzve që nuk i doni. Ne fëmijët shikojmë vetëm filmat që na pëlqejnë.

Futeni në mendje njëherë e mirë se nuk mund të na kultivojë dashurinë një edukatore që nuk na përkëdhel asnjëherë me dorë.
Nuk mund të na mësojë korrektësinë një mësues/e që kur mungon mungon pa arsye dhe kur vjen në mësim është gjithmonë me vonesë.
Nuk mund të jetë një prind i dytë për ne fëmijët një mësuese që bën një shpjegim të çalë me qëllim që ne të rregjistrohemi në kurset private të saj.
Nuk mund të na tregojë bashkëbisedimin një baba nevrik që ndërpret e nuk i le rradhë të flasë as gruas së tij e aq më pak të na mësojë si të organizojmë kohën një mama që ditën e kalon në parukeri e netët i gdhin në internet.
Mjaft u munduat të na impononi ne fëmijëve atë botën tuaj të kalbur e të krimbur. Ne jemi e ardhmja, e ju e shkuara!

Dhe mjaft u ankuat se punoni për ne, që të na siguroni një shtëpi përrallash. Ne duam vetëm një shtëpi ku jetojnë njerëz.

Nuk ju kërkuam të na sillni në jetë, ndaj na lini të jetojmë fëmijërinë tonë, si fëmijë.
Babagjyshi është i vërtetë. Ju ta shpifni!


Shkroi: Stop Injorancës !
http://youtu.be/0kRAKXFrYQ4

Zoti urren homoseksualët


Eshtë interesante se si Kisha, Jezusi, Bibla dhe besimtarët e krishterë dalin në protesta kundra homoseksualëve dhe martesave mes tyre duke i quajtur imorale, në të njëjtën kohë kur sipas biblës tradicionale:


a.) Lejohet martesa e një gruaje me djalin e saj
Gjeneza 4.1 Adami dhe Eva kishin dy bij, Kainin dhe Abelin. Fëmijët e tjerë erdhën pasi Eva Joshi Kainin, pra djalin e saj.

b.) Lejohet martesa e një burri me vajzën e tij si dhe me vajzën e vajzës së tij.
Gjeneza 16.3 Abrahami u martua me Sarën ,motrën e tij dhe gjithashtu u martua edhe me çupën e tyre.

c.) Lejohet të martohesh me femrën që do përdhunosh.
Ligji i përtëritjes 22:28 – 29 Kur një burrë përdhunon një virgjëreshë të pamartuar, dënimi për të është martesa mes tyre.

https://www.circleofmoms.com/debating-mums/debate-statement-of-fact-bible-based-mariage-661211#_

Përgatiti: Stop Injorancës !

Friday, November 30, 2012

Mos kini frikë, zotëri…


Pas shpalljes së Pavarsisë, më 1912, një gazetar anglez e pyeti Heroin e Popullit Ismail Qemali:

- Si do t'i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut me myslimanët e Shqipërisë së Mesme me ortodoksët e Jugut?


Dhe Ismail Qemali ia priti:

- Mos kini frikë, zotëri. Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh, përmes kultit të të njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh përpara se t'i sillnin të huajt këto besime!


Materiale nga arkiva në prag të 100 vjetorit të pavarësisë
Burimi i informacionit

Wednesday, November 7, 2012

Ndryshimi fillon nga ti


Leonard Dedej është 36 vjeç. Është me origjinë nga Kavaja. Që në fëmijëri ka emigruar drejt Amerikës. Kujton se atë kohë ishte 13 vjeç. Vitet kaluan, ai u arsimua dhe edukua në Londër. Studioi Menaxhim Biznesi dhe dalëngadalë ndjeu nevojën të kthehej në vendlindje. Kur u rikthye pas shumë vitesh e pati shumë të vështirë të ambientohej. Ishin dy realitete të ndryshme dhe Leonardi e kishte të vështirë të gjente veten në këtë mes. Por ajo që i bëri shumë përshtypje ishte varfëria e shumë familjeve, të cilat mundi t’i vizitonte. Kuptoi që ndryshimin duhej ta fillonte ai.E fillova nga vetja, unë mund të bëj diçka për këto familje të cilat nuk kanë mundësi të ushqehen”. Në Londër kishte takuar njerëz të varfër, por këtu janë ekstremisht të varfër. “Njerëz që nuk kanë ç’të hanë, nuk i dërgojnë dot fëmijët në shkollë, flenë në të njëjtën çati me bagëtinë... Këtu është një jetë shumë e vështirë”, - shprehet ai. Kjo e nxiti Leonardin të merrte një mision në vetvete, vetë ai do të ndryshojë diçka, për këtë qëllim punon prej tre vjetësh. Ndihmon njerëzit që kanë nevojë, njerëzit, të cilët kanë humbur shpresat për një jetë më të mirë. Aktualisht kujdeset për 15 raste të ndryshme me të cilët është takuar rastësisht apo thjesht është njohur me problemin e tyre nëpërmjet medieve vizive apo të shkruara. “Rasti i parë të cilin e kam ndihmuar e kam parë në një kronikë në televizor. Ishte një vajzë 17 vjeçe, e cila i kishte veshkat e bllokuara. Familja e saj ishte në gjendje shumë të vështirë ekonomike. Ajo ishte nga malësia e Gramshit dhe tre herë në javë i duhej të vinte në Tiranë për të bërë hemodializën. E vetmja gjë që më vajti në mendje ishte t’i dhuroja makinën time dhe ashtu bëra. Nga ana ime ishte një akt human, por që asaj i shërbeu për të kryer transportin”,- kujton rastin e parë që ka ndihmuar, i cili ka lënë gjurmë tek ai. Është ndjerë i lumtur që ka mundur të tregojë se di dhe mundte të jetë human. Leonardi udhëton vazhdimisht në qytete të ndryshme të Shqipërisë për të takuar personazhet e tij. “Kam parë raste nga më të ndryshmet. Njerëzit vërtetë vuajnë shumë, për gjërat më elementare. Ajo që bëj unë është diçka që më jep forcë dhe më bën të ndihem mirë, e bëj në kuadrin humanitar dhe njerëzor. E dyta ne kemi nevojë të shikojmë akte humanitare dhe pozitive në shoqërinë tonë që fatkeqësisht për shkak të politikave anti-sociale jemi kthyer në një shoqëri ku dominon anti-vlera. Shqiptarët mbartin shumë vlera në vetvete dhe ka ardhur koha t’i tregojmë këto vlera, sepse jetesa është bërë shumë e vështirë dhe është e domosdoshme t’i zgjasim dorën njëri-tjetrit”,- shprehet personazhi ynë. Në fakt Leonardi nuk është pjesë e asnjë shoqate humanitare. Çdo gjë e bën me iniciativën e tij dhe duke shfrytëzuar të ardhurat personale. Ato që ai ka mundur të fitojë ndër vite i shpenzon duke ndihmuar ata që kanë nevojë. Aktualisht kujdeset për 15 raste në tërësi, të cilat kanë probleme të ndryshme. Një ndër rastet e tij është edhe një vajzë vetëm 7 vjeçe e cila vuan nga leucemia. “Ndoshta unë nuk mund të bëj shumë, por bëj aq sa mundem. U blej ilaçe atyre që janë të sëmurë, dhuroj ushqime dhe aty ku është e domosdoshme edhe një sasi parash. Nuk e bëj se jam i pasur, por sepse e ndjej se kjo është gjëja e duhur”. Projektet e Leonardit janë të shumta dhe janë kryesisht në fushën e sensibilizimit dhe humanizmit. Ndërsa kur e pyesim për projektin më të madh të tij ai përgjigjet: “Të ndryshojmë Shqipërinë për më mirë”. Kërkon që njerëzit të jenë më të kujdesshëm ndaj atyre që kanë nevojë por edhe të ngrënë zërin kur të drejtat e tyre shkelen. Të jenë aktiv, në mënyrë të veçantë të rinjtë pasi ata janë e ardhmja e vendit
Çast i vështirë
Një nga rastet që Leonardit i ka ngelur në mendje është një familje në Mat. Familja përbëhej nga katër pjesëtarë, fëmijët ishin të vegjël, 8 dhe 10 vjeç. “Do më mbetet gjatë në mendje kjo familje për kushtet katastrofike në të cilat jetonte. Me shumë vështirësi hanin një vakt bukë në ditë dhe shtëpia e tyre ishte gati për t’u rrëzuar për shkak të amortizimit. Por më e keqja ishte se këta fëmijë jetonin dhe flinin bashkë me bagëtitë, në të njëjtën dhomë... Çfarë të të them , nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë”. Pikërisht momente të tilla e bëjnë Leonardin të ndihet i pafuqishëm, sepse kjo familje ka nevojë për shpi, për punë... dhe ai nuk mund t’ia plotësoj. “Mund ta ndihmoj me një shumë para, por kjo nuk e zgjidh gjendje e tyre përfundimisht”.  Shekulli Leonard Dedej është momentalisht Drejtori ekzekutiv i forumit “Rinia Aktive”http://www.riniaaktive.org/

Sunday, October 7, 2012

Siria dhe bota e qytetëruar

16 mijë të vrarë është balanci i viktimave gjatë 16 muajve të fundit nga lufta civile në Siri.

Turqia nxjerr dhëmbët,
Gjermania gëlltitet,
Kina mbyll sytë,
Kosova dërgon ndihma,
Amerika ngre supet,
Rusia ngërdheshet,
fëmijët masakrohen...


Shkroi: Stop Injorancës !

Tuesday, August 14, 2012

Urë për kafshët

Në foto do të dalloni një autostradë dhe një tunel, që ka çarë një kodër të lehtë e të gjelbëruar.

Në fillim të bën përshtypje fakti se si kur kanë ndërtuar gjithë atë autostradë nuk e kanë sheshur atë kodër të ulët, kur rrugën sipër saj nuk e kanë shfrytëzuar për një segment tjetër automobilistik.
Por ajo është një kodër artificiale.
Një kodër e ndërtuar enkas si rrugë kalimi për kafshët e egra, të cilat në pamundësi të kalojnë rrugët që i presin tej për tej territoret e tyre, aksidentohet e për pasojë ngordhin, duke rrezikuar kështu ekosistemin e tyre.

Në Shqipëri rrallë mund të ndodhë që të dalin prej pyjeve e të të ndërpresin rrugët kafshët e egra (duke qenë se janë transferuar të gjitha në politikë), por edhe vrasjet aksidentale të të ashtëquajturave kafshë rrugaçe nëpër rrugët e Shqipërisë, janë një makabritet që duhet të ndalë.

Veç faktit se ngordhja e një kafshe përbën fillimisht krim ndaj faunës shqiptare, këto aksidente nuk janë të rrezikshme vetëm për 4 këmbshat.
Shkroi: Stop Injorancës

Sunday, May 27, 2012

Injorancë përmes dhembshurisë

Kjo vajzë e vogël ka lindur me një sëmundje shumë të rrallë dhe ajo nuk mund të jetojë as edhe një sekondë, nëse i ndërpritet energjia elektrike, pajisjes që e mban atë në jetë.
Kura që ajo po e ndjek është shumë e shtrenjtë dhe prindërit e saj shumë të varfër, prandaj nëse dëshironi të ndihmoni këtë vajzë të vogël dhe të pafat, ju lutem shpërndajeni këtë foto tek të gjithë miqtë tuaj, që në llogarinë e kësaj vajze të shtohen disa "cent".

Këto shkrime përmalluese shoqërohen me foto të ndonjë fëmije të shpërfytyruar dhe miliona e miliona idiotë nëpër Facebook, shpërndajnë foton, që ti shtojnë "centët" në llogari vogëlushes...

Stop Injorancës

Monday, January 30, 2012

3 rrugë rinore

Me ligjërimin e prostitucionit intelektual, që kreu Berisha - Meta, përfiton së fundmi edhe çifti Rama - Nano.

 Rinisë në këtë situatë i kanë mbetur vetëm 3 rrugë:

 a). Të shtrëngojë dhëmbët fort për të kafshuar këtë plakë të ligë që ka privatizuar shtetin shqiptar e   të ardhmen e tij.
 b). Të shtrëngojë të pasmet fort e të marrë rrugën e shtegtimit.
 c). Të shtrëngojë fort jastëkun dhe të vazhdojë gjumin e saj letargjik.


Shkroi: Stop Injorancës

Thursday, January 19, 2012

Ndoshta po, ndoshta jo...



Një burrë i vjetër kishte një kalë hamshor, i cili e ndihmonte në të gjitha punët e shtëpisë. Një ditë prej ditësh, kali nuk kthehet më në shtëpi.
Atëherë komshinjtë të prekur nga kjo ngjarje, shkojnë për ta ngushëlluar plakun në shtëpinë e tij. "Nuk ka njeri më të pafat se ti" i thonë ata duke i qarë hallin dhe plaku i kthehet "Ndoshta po, ndoshta jo".

Pas disa ditësh hamshori kthehet me 20 pela të tjera nga pas. I gjithë fshati u gëzua për fatin e madh dhe shkon ta urojë plakun në shtëpi. "Nuk ka njeri me fat më të madh se ti" - i thonë dhe plaku i menduar sërisht ia kthen "Ndoshta po, ndoshta jo.

Pa kaluar shumë ditë, djali i tij i vetëm me të cilin jetonte, duke kalëruar mbi hamshorin e madh rrëzohet dhe shkelet prej disa pelave rrjesht, saqë përfundimisht humbi aftësinë për të lëvizur me këmbët e veta.
Të gjithë të njohurit e plakut u hidhëruan pa masë nga kjo gjëmë dhe iu gjendën pranë plakut të gjorë. "Nuk ka njeri më të pafat se ti" - thanë plakut të gjorë që qëndronte me kokën ulur e plaku ia kthen "Ndoshta po, ndoshta jo".

Pas pak kohësh fillon lufta dhe të gjithë djemtë e fshatit, me përjashtim të djalit të paralizuar të plakut, merren me forcë në ushtri dhe asnjëri prej tyre nuk kthehet më, i gjallë, prej luftës.

Të gjithë fshatarët i gëzohen fatit të plakut të mençur, i cili mbeti i vetmi që e kishte djalin gjallë dhe shkojnë për ti thënë fjalët e tyre të mira, por plaku sërish këmbëngul "Ndoshta po, ndoshta jo"...

Pavarësisht mënyrës, Jeta të gjithëve na çon diku. Çdo përballje e ka arsyen e saj përse duhet të ndodhë. E rëndësishme mbetet të dimë ta gëzojmë udhëtimin.

Stop Injorancës

Ata që çdo mëngjes ia djeg qulli, gjithë ditën i fryjnë kosit


Aleanca Kuq e Zi në 17 Janar organizon një tubim madhështor në Qytetin historik të Krujës në përkujtim të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Aleanca Kuq e Zi ve ne dispozicjon autobuzë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Lezha dhe Laci. Regjistrohuni online më poshtë.

http://www.aleancakuqezi.al/aktivitete/?regevent_action=register&event_id=1&name_of_event=17+Janar+-+Kruje

Më 17 Janar do të jemi në Krujë. Do të përkujtojmë vdekjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut, ashtu si nuk është përkujtuar kurrë më parë, ashtu si Aleanca KuqeZi di të nderojë figurat historike të kombit shqiptar. Më 17 Janar eja dhe ti, mos eja vetem, merr kë të mundesh.

- Disa prej qytetarëve shqiptarë nuk mund të vijnë në këtë tubim, pasi nuk e dinë ku i keni gjetur lekët për të paguar autobusët.
- Disa prej qytetarëve shqiptarë nuk mund të festojnë me ju, sepse kanë frikë se K. Spahiu nuk quhet Albin Kurti dhe Aleanca Kuq e zi nuk quhet Vetvendosje.
- Disa prej qytetarëve shqiptarë nuk do t'iu bashkohen pasi kanë frikë se ju do hyni në politikë, për ti mbrojtur aty, interesat e tyre.
- Disa prej qytetarëve shqiptarë nuk do jenë me ju, sepse kanë frikë se Spahiu po tenton të marrë pushtetin e Berishës.
- Disa prej qytetarëve shqiptarë nuk vijnë sepse me paratë e shpenzuara për flamurin madhëshor, mund t'ua jepnit të pangrënëve e me arsyetimin e tyre ne nuk kemi të drejtë të festojmë asgjë.
- Disa prej qytetarëve shqiptarë ju kundërshtojnë sepse gjykatat janë të korruptuara dhe zbuluan që fajin e ka K. Spahiu.
- Disa prej qytetarëve shqiptarë do ligështohen sepse edhe PDIU-ja ia nisi me deklarata patriotike, por mbeti nën hundën e shtrembër të pushtetit që shet Shqipërinë.
- Disa prej qytetarëve shqiptarë me zor po prisnin që të krijohej kjo Aleanca që ta akuzonin për gjithçka nuk ka shkuar mirë në këtë vend dhe për ti veshur si detyrë gjithçka nxjerr oreksi i tyre.

- Disa prej qytetarëve shqiptarë, po ashtu si disa prej qytetarëve të gjithë botës, janë kundra për çdo gjë dhe në çdo kohë, prandaj le të bashkohemi në këtë përkujtim që Gjergj Kastriotit i mungon prej më shumë se 5 shekujsh!

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Prindërit - Mos harro



Kur ishe 8 vjeç babai të bleu një akullore dhe ti e falenderove duke bërë pis pantallonat e tij, ngaqë të pikonte akullorja.
Kur ishe 9 vjeç, ai pagoi për kursin tënd të pianos dhe ti e falenderove duke mos mësuar instrumentin.
Kur ishe 10 vjec, ai të bëri shëtitje rreth e rrotull qytetit, të çoi nga stërvitja e futbollit tek ditëlindja e një shoku etj,,, dhe ti e falenderove duke dalë nga makina dhe kurrë nuk e ktheve kokën prapa.
Kur ishe 11 vjeç, ai të çoi ty me shokët e tu në kinema, për të parë filmin që pëlqeje dhe ti e falenderove duke i thënë që të ulej në një vend larg teje.
Kur ishe 13 vjeç, të sugjeroi se si ti prisje flokët dhe ti e falenderove duke i thënë se s'kishte shije për këto punë.
Kur ishe 14-të ai të pagoi një eksursion një-mujorsh dhe ti e falenderove duke mos i dërguar asnjë letër, ndërsa ishe larg.
Kur ishe 15 vjeç, ai erdhi nga puna dhe kërkonte një përqafim tëndin. Dhe ti e falenderove duke mbyllur derën e dhomës tënde me çelës.
Kur ishe 16-të ai të mësoi makinën dhe ti e falenderove duke i marrë makinën përherë.
Kur ishe 17-të ai priste një telefonatë të rëndësishme dhe ti e falenderove duke ndenjur gjithë ditën dhe natën në telefon.
Kur ishe 18 vjeç ai qau kur ti u diplomove ndërsa ti e falenderove duke festuar me shokët e tu.
Kur ishe 19-të ai të pagoi universitetin dhe solli valixhet e tua në dhomë, ndërsa ti e falenderove duke i thënë "mirupafshim", por me frikën se mos turpëroheshe në sytë e shokëve të tu.
Kur ishe 25 vjeç, ai pagoi dasmën tënde dhe ti ia shpërbleve duke ikur nga qyteti bashkë me gruan tënde.
Kur ishe 50 vjeç ai u sëmur dhe kërkoi ndihmën tënde. Dhe ti e falenderove duke menduar se ai ishte një barrë për ty.
E pastaj, një dite ai VDIQ.
Dhe vdekja e tij ra si një rrufe në zemrën tënde. U pendove për të gjitha gjërat që s'kishe bërë.

Duajini prindërit, sepse ata të falën jetën dhe bënë që të bëhesh DIKUSHI në jetë!

Tuesday, December 20, 2011

Zbulim i rrallë në malet e Krrabës

Siç ka ndodhur edhe në dhjetra raste të tjera në Shqipërinë e cila po përjeton bumin më të madh të betonizimit që mund të ketë patur ndonjëherë, edhe në punimet që po kryhen për hapjen e tunelit në Krrabë, ka dalë në dritë një zbulim arkeologjik i mahnitshëm.
Aq i mahnitshëm, saqë jo vetëm ka lënë sot çdo shqiptar pa fjalë, por zbulimi kalon edhe kufinjtë tanë gjeografikë dhe të dërgon në zemër të qytetërimit human.
Njësoj si edhe Njutoni, që fare rastësisht, vetëm prej rënies së lirë të një kokrre molle prej pemës, zbuloi ligjin e gravitacionit, po aq rastësisht ndodhi edhe zbulimi ynë mbresëlënës.
Ishte ora 14:30 e mesditës, kur inxhinerët e punëtorët kishin marrë pushimin e drekës dhe duke u kthyer nga fronti i punës, po shkelnin të gjithë me rradhë diçka të dalë nga thellësia e tokës, duke mos i kushtuar kurrfarë rëndësie. I tillë do të ishte fati i zbulimit tonë, nëse nuk do të ishte për rojen e turnit të parë të fjetinës, Z. Xhemal, i cili kishte mbaruar edhe studimet në fakultetin e Histori-Filologjisë, që e nuhati thesarin duke e ngritur me kujdes prej tokës dhe duke e pastruar me kujdes prej baltës.
Nuk do të duhej shumë kohë që ai të kuptonte që vlera e këtij papirusi do të ishte marramendëse, pasi në të mund të lexohej një shkrim dore, që dëmtimi e kishte bërë të padeshifrueshëm.

Papirusi u dërgua me emergjencë në Vjenë, në një qendër studimi të profesionalizuar e specializuar për datimin e gjetjeve arkeologjike, ku njëkohësisht kryhej edhe deshifrimi i linearit të përdorur në të.

Përgjigja që erdhi në fund të javës së shkuar ishte emocionuese.

Papirusi i takonte mijëvjeçarit të shkuar dhe ndryshe nga zakonisht, zbulimi arkeologjik nuk i përkiste as kulturës së Greqisë së Lashtë, as kulturës Romake, por kishte një vulë, pastërtisht shqiptare.

Pas restaurimit të pjesëve të dëmtuara të papirusit, i cili ishte autentik, aty mund të dalloheshin tashmë me lehtësi disa simbole shumë të lashta të shkrimit shqip të përdorura prej të parëve tanë. E tillë ishte një zanore që shkruhej si zanorja "e", por mbante 2 pika sipër, si edhe një bashkëtingëllore që shkruhej si shkronja "c", por që kishte një si gjysëm 5-e, të varur nga poshtë.
Teksti niste me 3 bashtingëllore "DRG" dhe përfundonte me nënshkrimin Kolon... 88'.

Papirusi ishte një kartolinë e vitit 1988-ë dhe një tirans ia dërgonte familjarisht një mikut të tij, në Kolonjë.

Ajo që e bënte zbulimin unik dhe që bënte një kthesë të fortë në historiografinë zyrtare, ishte fakti se dikur shqiptarët shkruanin kartolina me dorë dhe uronin pastërtisht njëri-tjetrin në mijëvjeçarin e shkuar. Ata duheshin dhe kujtoheshin mes tyre. Kjo na çon logjikisht në argumentin logjik, që shqiptarët ishin miq, bënin dhe mbanin miq.

Urojmë që ky zbulim të shërbejë realisht për një rikthim të fortë në drejtim të këtyre vlerave të identitetit tonë mijëravjeçar.

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Wednesday, November 2, 2011

Nasa dhe Afrika

NASA ka dërguar në shkurt të 2010-tës satelitin "Solar Dynamics Observatory", i cili për 5 vjet rrjesht do të studiojë aktivitetin e sipërfaqes së Diellit. Projekti kushtoi 865 miliardë dollarë.

http://www.nasa.gov/mission_pages/sdo/main/index.html
Kjo ishte një prej pamjeve të marra prej satelitetit...

 
STOP INJORANCES http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Europa drejt gropës, Shqipëria pas saj...

Komisionieri i zhvillimit, Stefan Fyle, dje më datë 12.10.2011-të, përcolli përpara eurodeputetëve të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Evropian, progres raportin për Shqipërinë, ku sipas këtij raporti, shteti shqiptar nuk i ka plotësuar 12 prioritetet e caktuara nga Bashkimi Europian dhe rrjedhimisht dështon për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE.

Progresi është ndalur nga ngërçi politik, bojkoti, mungesa e dialogut mes forcave politike...

Dje të gjithë mbajtën veshët tek Parlamenti Europian për mrekullinë, që shqiptarët, fizikisht europianë, të fitonin të drejtën ligjore të lejoheshin të ishin pjesë, e Europës së Bashkuar.

Disa pyetje të lindin rishtaz:
- A e dinte ndokush se cilat ishin këto 12 prioritetet e vendosura prej BE-së?
- A nuk e dinin këta zotërinj pushtetarë shqiptarë, nëse i kishin realizuar apo jo këto 12 kushte të shenjta, për të pritur përgjigjen e 12 tetorit e për t'ia nisur sërish të gjenin fajtorin?



Ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sekui, ministri i jashtëm grek, Stavros Lambrinidis si edhe ministri i jashtëm italian Franco Frattini shprehen njëzëri se çështja e integrimit në Bashkimin Europian (luga e vetme me të cilin na kanë joshur këto 2 dekada) duhet parë nga populli shqiptar si ÇESHTJE KOMBETARE!

Për një moment le të supozojmë se forcat tona politike në Shqipëri (përfaqësuesit e të cilave janë tashmë europianë, me paga, kushte dhe prioritete që mbase edhe politikanë europianë do ti kishin zili) do të kishin patur dialog mes tyre dhe do të kishin votuar ligjet e reformat ligjore, që kërkon Bashkimi Europian...

Çështje kombëtare I N T E G R I M I, po me mjerimin, me kushtet e vështira sociale, kapjen e drejtësinë, shembjen e demokracinë, mungesën e meritokracisë, korrupsionin galopant në çdo nyje të shoqërisë, me monopolizimin e tregut, me degradimin e sistemit arsimor, me mbrotjen e natyrës, monumenteve të kulturës e të natyrës, KUSH DO MERRET?

Nga kush pret populli shqiptar që ti vijë mirëqenia e tij, nga integrimi në Bashkimin Europian, apo nga ndërtimi i shtetit demokratik e të së drejtës?!

Shkroi: Stop Injorancës !
http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Friday, April 8, 2011

Tragjedia e Otrantos, vijon dhimbja 14-vjeçare për 81 viktimat

Familjarët e viktimave i kanë kërkuar shtetit shqiptar të kthejë anijen e tregjedisë së 1997-s

VLORË - Familjarët e tragjedisë së Otrantos nëpërmjet një konference për shtyp i kanë bërë thirrje qeverisë për t'i mbështetur dhe për të ndërhyrë, pasi seancat gjyqësore të zhvilluara në shtetin fqinj italian janë shtyrë dhe, sipas tyre, kjo gjë nuk vë në vend drejtësinë. Familjarët janë shprehur se "tragjedia është 14-vjeçare dhe e quajmë të tillë sepse kjo tragjedi ka 14 vjet që vazhdon.

Siç e shikoni këta prindër që humbën fëmijët e tyre në 28 mars 1997, vazhdojnë dhe zvarriten në proceset gjyqësore duke kaluar mbi trupin dhe gjakun e fëmijëve të tyre, dhe kjo është tragjedi".
Më pas, familjarët e tragjedisë së Otrantos kanë bërë me dije kërkesat e tyre drejtuar qeverisë për t'i ndihmuar me një përfaqësues në çështjet gjyqësore. Ndërsa nuk kanë lënë pa akuzuar dhe avokaten Natasha Shehu që, sipas familjarëve të tragjedisë së Otrantos, ka përfituar nga fatkeqësia e tyre.
Shehu është cilësuar si avokatja mbrojtëse e palës shqiptare, por ajo sipas familjarëve jo vetëm që nuk i ka mbrojtur, por ka përvetësuar dëmshpërblimin e familjarëve, edhe pse është e dënuar nga shteti italian, pasi vendimi i saj është ende i paekzekutuar.

Ndërsa pika e tretë në kërkesën e familjarëve të tragjedisë së Otrantos është që anija e kësaj tragjedie, e cila ndodhet në brigjet e Brindizit, të vijë në Shqipëri, t'i caktohet vendi dhe të jetë monument kulture që kjo tragjedi të përkujtohet gjithmonë, ku familjarët të kenë një vend për t'i përkujtuar të afërmit e tyre.
Nëse kjo pikë nuk realizohet, atëherë për familjarët e tragjedisë së Otrantos mund të cilësohet si një tragjedi e dytë.

"Kemi rreth 14 vjet që rropatemi rrugëve e gjyqeve të Italisë për të kërkuar një të drejtë tonën dhe i kërkojmë shtetit shqiptar e qeveritarëve që të na ndihmojnë në këtë kauz, të na ndihmojnë me përfaqësues ligjor e avokat të cilët të jenë palë me ne në gjyqet që kemi hapur kundër qeverisë italiane për mbytjen e fëmijëve e të afërmëve tanë.
I bëjmë thirrje shtetit shqiptar që të na ndihmojë dhe t'i bëjë kërkesë shtetit italian që të mos prishë anijen e tragjedisë së familjarëve tanë, por të vijë në Shqipëri e të vendoset në një vend në bregdetin e Vlorës për ta bërë më pas muze ku ne si familjarë të vemi e të vendosim fotografi e familjarëve tanë të mbytur e të zhdukur në detin e Otrantos, ku të kemi si familjarë një vend ku të qajmë e të bëjmë homazhe".

81 viktimat e tragjedis së Otrantos do të përkujtohen sot në orën 10:00 në shenjë respekti ndaj familjarëve të cilët humbën jetën në këtë tragjedi, do të hidhen buqeta me lule në det.

Shekulli

Wednesday, March 2, 2011

Indiferentët

I urrej indiferentët e besoj, si Friedrich Hebbel, që « të jetosh, do të thotë të jesh partizan» e që njerëzit e ndarë nga qytetërimi nuk mund të ekzistojnë.
Kush jeton me të vërtetë nuk mundet të mos ketë qytetari dhe as të veçohet. Indiferenca është plogështi, parazitizëm e mungesë burrërie. Indiferenca nuk është jetë e për këtë unë i përbuz indiferentët.

Indiferenca është pesha e vdekur e Historisë, është goditje plumbi për novatorin, është materia inerte që fundos shpesh entuziazmet më të ndritura në moçalet e kufomave të qytetërimit të vjetër, të cilin e ruan më mirë se sa muret e fortesave, më mirë se sa gjoksi i luftëtarëve të saj, mbasi ajo gëlltit trimat në thellësitë e tokës së etur, i dekurajon dhe ndonjeherë i bën edhe të tërhiqen nga ndërmarrja e tyre heroike. Indiferenca vepron fuqishëm në Histori.
Ajo vepron në mënyre pasive, por ajo vepron. Ajo është fataliteti. Ajo është e tillë që të lë pa mbështetje. Ajo është e tillë, që të ç' organizon programet, t'i përmbys planet e ndërtuara më së miri; është materia e papërpunuar që rebelohet me inteligjencën dhe e ndrydh atë.
E keqja më e madhe që buron prej saj është se në vënd që të ketë përfitim nga një akt me vlera të mëdha për njerëzimin, ka humbje, për shkak të indiferencës së një grupi qe vepron me mospjesëmarrjen e tij, me mungesën e tij numerike ...
Ajo çfarë ndodh, nuk ndodh për shkak të një numri njerëzish që shpreson që kjo të ndodhë, por për shkak të kësaj mase që ligështohet e heq dorë nga vullneti, që veçohet e i lë gjërat në dorë të fatit, që tërhiqet dhe lejon të lidhen të tilla nyje, që vetëm shpata mund ti shbëjë, që lejon shpalljen e ligjeve që mund t'i shfuqizojë vetëm rebelimi, që lejon të mbrrijnë në pushtet të tillë njerëz që vetëm një kryengritje mund t'i përmbysë.
Fataliteti që duket sikur dominon Historinë, nuk është asgjë tjetër vetëm se pamja e gënjeshtërt e kësaj indiference, e kësaj mungese.
Shumë prapaskena gatuhen në hije. Një numër i vogël njerëzish mund të veprojë jashtë normave të kontrollit, duke ndryshuar strukturën e jetës së komunitetit, në nje kohë që masa tjetër e injoron këtë veprim dhe as që e vret mëndjen të lodhet për një gjë të tillë.
Fatet e një brezi mund të manipulohen për shkak të vizioneve dhe koncepteve të kufizuara, qëllimeve të çastit apo ambicieve dhe pasioneve vetiake të një grupi të vogël njerëzish, në një kohë që masa tjetër i injoron ato e as do t'ja dijë për pasojat.
Por e keqja është se faktet dalin në skenë pasi janë pjekur dhe vetëm atëhere, kur pëlhura e endur në hije është përfunduar... e pastaj duket sikur është fataliteti ai që shkatërron gjithçka dhe të gjithë, duket sikur Historia nuk është gjë tjetër përveç se një fenomen i jashtëzakonshëm natyror brënda të cilit ne jemi të gjithë viktima, dashje pa dashje, me ose pa dëshirën tonë, me ose pa dijeninë tonë, edhe nëse kemi vepruar apo kemi qënë indiferentë.
Dhe së fundi, kjo masë njerëzish inatoset, dëshëron të shpëtojë nga pasojat, duke kërkuar se kush është fajtori e duke i larguar përgjegjësitë nga vetvetja.
Disa madje ankohen me devocion, të tjerë mallkojnë në mënyrë të turpshme, por asnjëri prej tyre nuk i bën pyetjen vetes: nëqoftëse do ta kisha kryer edhe unë detyrën time apo nëqoftëse do të kisha provuar ta pohoja dëshirën time, këshillën time, a do të kishte ndodhur vallë kjo që ndodhi ?
Por askush ose pak njerëz mund të fajësojnë veten se kjo ndodhi për shkak të indiferencës së tyre, skepticizmit të tyre, apo pse ata nuk ja dhanë ndihmën në kohën e duhur atij grupi me ndjenjë të lartë qytetarie që, me të drejtë, për të eviruar të keqen propozoi të luftonte për të fituar drejtësia.
Pjesa më e madhe e tyre, përkundrazi, preferojnë të flasin për dështimin e idealeve, të programeve të shkatrruara përgjithmonë e banaliteteve të tjera të ngjashme me to. Ata rifillojnë kështu, t'i shmangen plotësisht përgjegjësisë. Dhe kjo nuk ndodh vetëm se ata nuk i shohin qartë gjërat ose nuk janë në gjendje të gjejnë zgjidhje për problemet më urgjente.

Problemi është se këto zgjidhje mbesin gjithnjë shterpe dhe se kontributi i tyre në jetën e komunitetit nuk animohet nga asnjë ndjenjë morale ; ai është produkt i kuriozitetit intelektual dhe aspak një ndjenjë e fortë përgjegjësije historike, e cila duhet të na përfshijë të gjithëve e që nuk pranon as agnosticizëm e as indiferencë, e cilitdo lloji qoftë.
Unë i përbuz indiferentët edhe për arsyen se ankesat qaramane të këtyre « inocentëve të përjetshëm » më bezdisin.
I kërkoj llogari sejcilit prej tyre për mënyrën se si e ka kryer detyrën ndaj jetës për atë që ajo i ka falur e i fal çdo ditë, për atë që kanë bërë e për atë që nuk kanë bërë. Dhe e ndjej për detyrë të mos kem mëshirë për ta e të mos i ndaj lotët e mija me të tyret.
Unë jam partizan ; jetoj e ndihem burrëror në ndërgjegjen time, mbasi luftoj për lumturinë e së ardhmes, të cilën e ndërton e gjithë qënia ime.
Dhe brënda saj, zinxhiri social nuk bazohet në një numër të vogël elementesh; brënda saj, asgjë që ndodh nuk është rastësi apo fatalitetit, por është vepra inteligjente e një qytetari.
Ndergjegja ime nuk mund të pranojë asnjë njeri që qëndron në dritare e bën sehir gjatë kohës që një numër i vogël njerëzish sakrifikohen e derdhin gjakun në këtë sakrificë.
Atë që mbetet në dritare vetëm për të parë, që e ka mbushur jetën vetëm me atë pak gjë që mund t'i ketë ofruar aktiviteti i tij personal dhe që e zbraz zhgënjimin e tij duke poshtëruar të sakrifikuarin, atë që është përgjakur, vetëm pse sakrifica e tjetrit nuk ja ka përmbushur synimet e tij, - atë nuk mund ta pranoj. Unë jetoj. Unë jam një partizan, një mbështetës. Për këtë arsye, i përbuz të gjithë ata që nuk marrin pjesë.
Pra, i urrej indiferentët.

*Këto fjalë të Antonio Gramshit, filozofit të shquar italian me origjinë shqiptare u lexuan në Festivalin e Sanremos.

Përktheu: Edlira Dedja Shekulli

Intervistë me Federik Pistono – koordinator i Lëvizjes Zeitgeist Italia

Ripërcaktimi i Kulturës dhe i Shpirtit të Kohës
Arkitektura kulturore e shoqërisë së sotme është kthyer në mënyrë paradoksale në atë të një shoqërie të sëmurë e të shformuar deri në vlerat e saj etike më intime.  
Çekuilibri në të cilin jemi zhytur – qoftë në nivel individual ashtu edhe kolektiv – përceptohet në garën për të kapur dhe kontrolluar përfitimin ekonomik, në krijimin e konkurrencës për të krijuar skarcitet burimesh dhe shtresëzimin e shoqërisë. Por në Teoritë e Sistemeve të avancuara, Kultura është kyçi i ndërveprimit në të cilën e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e shoqërisë gjen arsye për të egzistuar, për të bashkëvepruar dhe për të patur një vazhdimësi.

Prej një kohe të gjatë, Kultura, ka luajtur vetëm rolin e nje faktori botëformues të një mase homogjene mendimi. Në shumë raste, politika ka përvetsuar ekuivalencën e zakonshme të “Kulturës” duke e përdorur atë banalisht dhe në mënyre instrumentalizuese: si rrjedhojë ajo ka ndjekur një cilësi të reduktuar të diskursit civil, politik, ndër-gjeneracional, të sensit kritik të rinisë dhe të ardhmërisë së gjeneratave të reja. Nëse sot, gabimisht, koncepti i “Kulturës” është i lidhur me atë të “Biznesit” ashtu si ai i “Kapitalit” i është bashkangjitur atij “Njerëzor”, ndoshta fëmijët tanë nuk do të kenë në drejtim të Kulturës, të Njeriut dhe Jetës, të njëjtën ide dhe respekt që ne ruajmë ende. Me Lëvizjen Zeitgeist duam ti ri-japim Kulturës atë vlerë ideale – përtej tundimeve njerzore – të ciles i përkiste fillimisht.

Brunilda Ternova: Federik, më lejo të filloj këtë intervistë me një pyetje të thjeshtë: Çfarë është Lëvizja Zeitgeist, si ka lindur dhe si është zhvilluar?
Federik Pistono: Lëvizja është themeluar në vitin 2009 nga regjizori amerikan Peter Joseph, me daljen e filmit ‘Zeitgeist Addendum’, dhe shumë shpejt mori përmasa ndërkombëtare. Kjo është një lëvizje sociale, jo-fitimprurëse që kërkon një ndryshim vlerash në një shkallë globale. Qëllimi është ngritja e Shpirtit të Kohës (gjer. Zeitgeist), pra e shpirtit kulturor të shoqërisë, në një nivel më human e të shëndetshëm, të bazuar në burimet e planetit, në njohuritë tona shkencore dhe teknologjike, në çlirimin e njerzve – me qëllim që të kuptojnë përfundimisht potencialin e tyre duke respektuar natyrën.
Brenda harkut kohor të një viti, Lëvizja ka arritur të kapë gjysëm milion anëtarë në mbarë botën, ka prodhuar dy filma, ka publikuar libra të ndryshëm, ka qindra grupe aktivistësh të shpërndare në 100 vende të botës që përkthejnë materiale në më shumë se 30 gjuhë, ka organizuar konferenca, shfaqje, diskutime, podcast, artikuj, muzikë, art, etj. Të gjitha këto të realizuara dhe të shpërndara falas nga vullnetarët në internet nëpërmjet Creative Commons. Egziston një projekt i quajtur ‘Zeitgeist Media Project’ – dedikuar artistëve të cilët krijojnë në ambiente 3D qytetet e së ardhmes, pjesë muzikore, piktura, video origjinale e remix, shkrime, etj.
Brunilda Ternova: Peter Joseph – përveçse është themelues i Lëvizjes Zeitgeist – ka shkruar,  drejtuar, prodhuar, dhe realizuar tre dokumentarë të rëndësishëm:Zeitgeist The Movie’ në vitin 2007, Zeitgeist Addendum në 2008 e Zeitgeist Moving Forward në 2011. A mund ti shpjegojmë lexuesit shqiptar se çfarë tematikash trajtojnë këta dokumentarë?

Federik Pistono: Fillimisht, Zeitgeist The Movie, nuk ishte një dokumentar, por ishte pjesë e një shfaqeje multimediale vaudeviliane (zhanër teatral) me muzikë, instrumenta dhe video drejtëpersedrejti. Shfaqja u dha për 6 netë rresht në Nju Jork e pastaj u publikua në internet. Ky realizim nuk u konceptua si një dokumentar në kuptimin tradicional, por si një shprehje krijuese, provokuese dhe emocionalisht stimuluese, me përmbajtje artistike të stilizuar. Megjithatë, pasi u publikua në internet, filloi të ngjallë një interes të madh e të papritur e në pak muaj arriti në më shumë se 100 milion shikues. Papritmas shfaqja “Zeitgeist” u kthye në “Zeitgeist The Movie”, dokumentari më i shikuar në historinë e internetit.  Ndërkohë, Jacque Fresco vihet në kontakt me Peter Joseph, dhe i shprehet këtij të fundit pak a shumë kështu: “Shumë interesante, por nuk ke bërë gjë tjetër veçse ke nxjerrë në dritë probleme. Më sakt, a je i interesuar në gjetjen e zgjidhjeve të tyre?”.
Nëpërmjet Zeitgeist Addendum’ lind idea e një shoqërie me të vërtetë të qëndrueshme nëpërmjet përdorimit të mençur të shkencës dhe ndryshimit të vlerave në shkallë të gjërë. Në këtë mënyrë u krijua një lëvizje globale paqësore, racionale, njerzore dhe e pandalshme. Dokumentarët Zeitgeist, pavarësisht se ishin një frymëzim për Lëvizjen – me të cilën ndan të njejtin emer -, nuk duhet të ngatërrohen me përmbajtjen dhe vizionet e kësaj të fundit e cila është në thelb një lëvizje shoqëroro-sociale. Edhe pse dokumentarët janë gjithmon e më shumë duke lëvizur në drejtim të promovimit të Lëvizjes, ata mbeten akoma një analizë intelektualo – artistike.
Dokumentari ‘Zeitgeist Moving Forward’ është një punim dokumentues i plotë që përshkruan nevojën për një tranzicion përtej modelit të tanishëm që qeveris shoqërinë monetare botërore. Në dokumentar, morën pjesë ekspertë në fushën e shëndetit publik, antropologjisë, neurobiologjisë, ekonomisë, energjisë, teknologjisë, shkencave sociale e të fushave të tjera të rëndësishme që ndikojnë në funksionimin e shoqërisë dhe kulturës. Temat kryesore kanë të bëjnë me sjelljen njerzore, ekonominë monetare dhe shkencat e aplikuara. Nëse i gërshetojmë këto tematika, kemi krijuar një model për të kuptuar paradigmën e tanishme sociale dhe arsyet e rëndësishme, pse duhet që të dalim jashtë saj. Aplikimi i një përqasje të re sociale praktike, të bazuar në njohuritë e përparuara, do të zgjidhte problemet e rënda sociale me të cilat ballafaqohet bota sot.

Brunilda Ternova: Në dokumentarin Zeitgeist Addendum’, një pjesë të mirë e zë Projekti Venus (ang. Venus Project), krijuar nga inxhinieri social dhe projektuesi industrial, Jacque Fresco. Çfarë pozicioni ka Projekti Venus brenda Lëvizjes?

Federik Pistono: Propozimet e Lëvizjes Zeitgeist çojnë në mënyrë të paevitueshme drejt realizimit të asaj që synon Projekti Venus, ose më saktë drejt një Ekonomie të Bazuar në Burime (ang. Resource Based Economy) në shkallë globale. Projekti Venus përkrah ndryshimin dhe dallimet në mes njerëzve, duke e identifikuar shoqërinë si një organizëm në zhvillim dhe si një sistem emergjent që duhet të përshtatet. I vetmi model ekonomik që mund të ketë sukses në çdo qytetërim duhet të jetë i bazuar në menaxhimin dhe ruajtjen e burimeve, dhe jo tek paratë. Sistemi aktual i tregut nuk është i bazuar në menaxhimin inteligjent të burimeve të kufizuara të planetit, por në shfrytëzimin dhe përdorimin e vazhdueshëm të tyre për arsye përfitimi. Rritje e pafundme dhe burime të kufizuara: herët a vonë, njërës ose tjetrës detyrimisht do ti vijë fundi. Lëvizja Zeitgeist, është për nga vet përkufizimi i saj Jo-Utopike, ndërsa bindja, se sistemi aktual i tregut të bazuar tek përfitimi mund të ketë një jetë të gjatë, është shumë më utopike. E vetmja mënyrë realiste për të ecur përpara është rritja e kulturës dhe edukimi i njerëzve, dhe është pikërisht kjo gjë që ne si Lëvizje po bëjmë. Ajo që ka rëndësi është se po ndryshojmë kulturën dhe vlerat tona për t’i bërë ato më njerëzore dhe të qëndrueshme.

Brunilda Ternova: Cilat janë aspektet efektive të metodave dhe modeleve të reja të edukimit dhe si mendon se ka për të ndryshuar bota në vitet e ardhshme?

Federik Pistono: Mendoj se ne kemi dy mundësi.
Mundësia Zero: duke vazhduar gabimisht në situatën e tanishme. Nga studimi i së kaluarës mund të themi se ka për të egzistuar një oligopol korporatash që do kontrollojnë gjithshka: do të kenë kontrollin e patentave mbi idetë, mbi shpikjet, mbi teknologjitë, mbi mjekësinë dhe mbi vetë Jetën. Teknologjia do të rritet në një shkallë të tillë që njeriu mesatar nuk do të jetë në gjendje të kuptojë se çfarë po ndodh. Hendeku midis zhvillimit teknologjik dhe kulturës së përgjithshme të njerzve, do të rritet në mënyrë dramatike, duke na bërë të pafuqishëm për të ndikuar mbi ngjarjet në botë. Brenda 20 vjetëve, do të kemi mikroçipa të madhësisë së një qelize, nanoteknologji të avancuara dhe aftësi për të ndryshuar materjen në nivel molekular. Problemi është: Kush e kontrollon këtë teknologji? Një pjesë e vogël korporatash multinacionale dhe ushtarakësh, qëllimi i të cilëve është fitimi? Në shkencën e mirë të gjitha njohuritë janë të përdorura bashkarisht, në të kundërt, ajo është një shkencë e keqe, është një lloj tiranie. Pushteti i centralizuar, burimet e shkatërruara, mendjet e dëmtuara, çdo gjë e diktuar nga llogjika e fitimit dhe mungesa e perspektivës për atë që është me të vërtetë e rëndësishme. Së fundi, rrezikojmë zhdukjen e mundshme të rraces njerzore nga paaftësia për të jetuar në ekuilibër dinamik me mjedisin. Kjo mundësi nuk ështe aspak joshëse.
Mundësia numër një: duhet të fillojmë një proces evolucioni kulturor të përshtatshëm për njohuritë teknologjike. Duhet të aplikojmë metoda shkencore e të braktisim gradualisht bestynitë dhe dogmat paralizuese, duhet të riformojmë aktivitetet tona në bazë të asaj që planeti mund të ofrojë e jo në bazë të asaj që ne duam të marrim. Të gjitha njohuritë janë të përbashkëta, çdo gjë është transparente, të gjithë kanë të drejtë të kenë qasje në burimet e informacionit: open source, përqasje ndaj njohurive falas, njerëz të informuar, burime të bollshme, planet të shëndetshëm, edukim i cilësisë së lartë, standarte të larta jetese për të gjithë pa përjashtim. Fizikisht është e pamundur të parandalosh luftrat, terrorizmin, krimet, nëse nuk ndryshohen kushtet që i gjenerojnë ato. Personalisht jam optimist për të ardhmen. Së pari, sepse nuk shoh mundësi të tjera; së dyti, për sa më takon, e vetmja mundësi e vlefshme është ajo numër një. Jam optimist, për shkak se ruaj në kujtesë gjithshka që më rrethon si dhe ndryshimet sociale që kanë ndodhur.
Brunilda Ternova: Konkretisht, në ç’mënyrë realizohet integrimi midis teknologjisë dhe didaktikës?

Federik Pistono: Le të bëjmë një hap prapa në kohë. Paramendoni se unë kthehem tek profesori im i ekonomisë, një anglez, Simon Foley, 8 vjet më parë, duke i thënë: “Profesor, kam një ide të jashtëzakonshme për një model të ri ekonomik. Funksionon në këtë mënyrë: njerëzit në mbarë botën që kryejnë një punë të kualifikuar, janë të gatshëm ta kryejnë falas dhe vullnetarisht, 20 ose 30 orë në javë. Krijimet e tyre ja dhurojnë botës, në vend që ti shesin. Do të jetë një gjë që do të ketë sukses!” Profesori do më kishte vështruar me skepticizëm e do të kishte menduar se unë isha një i çmendur.
E megjithatë, sot ne kemi sisteme operative falas si Linux, Apache e BSD (angl. Berkeley Software Distribution) me të cilët punojnë shumica e server-ave në botë; Wikipedia është enciklopedia më e madhe në historinë njerëzore – madje më skrupoloze se enciklopedia britanike dhe Microsoft Encarta – gjithmon e azhornuar dhe e shkruar në qindra gjuhë. Pse gjithë këta njerëz, shumë të aftë dhe të përgatitur teknikisht, janë duke kryer një gjë të tillë? Këta njerëz që kanë një punë të tyren – dhe janë punë të sofistikuara e teknike -, gjatë kohës së tyre të lirë kryejnë një aktivitet të dytë – akoma edhe më të vështirë dhe të sofistikuar – jo për klientët e tyre ose për përfitim, por për të tjerët dhe për më shumë, falas! Kjo është një sjellje kulturore dhe ekonomike e veçantë por novatore. Gjithshka shpërndahet falas nga vullnetarët dhe është e gatëshme në internet.
Atëherë, ajo bindja e vjetër që njerëzit punojnë vetëm për fitimin, dhe se pa një nxitje ekonomike askush nuk kryen asgjë, ndoshta nuk është e vërtetë. ?shtë e vështirë të shkëputesh nga bindjet e vjetra me të cilat jemi mësuar, sepse jemi të burgosur nga mendimi praktik. Nuk është e lehtë të dallosh  diçka të cilën e konsiderojmë të dhëne, dhe arsyeja është pikërisht se e konsiderojmë të tillë. Jemi mësuar gabimisht të besojmë se jeta ka kuptim vetëm kur ke një punë dhe dhe kur fiton para, që disa njerëz lindin të këqinj ose konkurrues, dhe se është në natyrën e njeriut lufta ndër mes veti.
Unë mendoj se nuk është e vërtetë, dhe këtë e them edhe për shkak të studimeve të fundit shkencore të cilat nxjerrin të njëjtin përfundim. Në trurin tonë kemi neuronet-pasqyrë dhe ne përjetojmë emocione dhe stres empatik në përgjigje të asaj që shohim tek të tjerët. Kjo është pjesë e biologjisë sonë. Jemi të programuar nga seleksionimi natyror të jemi empatik, bashkëpunues, kurioz dhe jo konkurrues, shkatërrues dhe dembel. Por thjesht e kemi harruar. Duhet të zgjerojmë ndjenjën tonë të identitetit, duke e shtrirë tek të gjithë njerëzit dhe krijesat e tjera – që janë pjesë e familjes sonë evolutive -, dhe tek biosfera si pjesë të komunitetit tonë. Dua të përdor fjalët e astronomit Karl Sagan, i cili thoshte se: ne jemi një planet.
Ajo çfarë duhet të festojmë është dhurata e imagjinatës njerzore, aftësia për të imagjinuar një të ardhme të ndryshme. Dhe ashtu siç është shprehur Sir Ken Robinson, duhet të jemi të kujdesshëm e ta përdorim këtë dhuratë me mençuri për të shmangur pikërisht skenarët që përmendëm më parë. Do mund ti realizojmë vetëm atëherë, kur do arrijmë ti shohim kapacitetet tona krijuese për atë pasuri që janë efektivisht. Nëse ne jemi me të vërtetë një shoqëri empatike, le të nxjerrim në pah natyrën tonë të vërtetë. Nëse ja dalim mbanë të mos shtypim krijimtarinë tonë nga sistemi arsimor dhe nga institucionet, mund të fillojmë vërtet një dialog duke reflektuar mbi rolin e species njerzore në këtë planet. Një shoqëri bashkëpunuese është më shumë efikase se një shoqëri konkurruese, e së bashku  mund të vendosim themelet për një qytetërim empatik, të qëndrueshëm, në zhvillim njerzor.

Brunilda Ternova: Në krahasim me politikën e sotme, çfarë alternative reale ofron Lëvizja?

Federik Pistono: Nuk më pëlqejnë sloganet prandaj do të përgjigjem duke qëndruar me këmbë në tokë. Politika, ashtu siç e njohim ne sot, nuk ofron asgjë dhe nuk mund të ofrojë asgjë, për vet formën sesi është ndërtuar. Detyra e ‘Res Pubblica’ (Shteti) është gjetja e zgjidhjeve të problemeve, por politikanët nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë. Merrni dhe pyetni një deputet, se në ç’mënyrë duhet të reduktohet dhuna dhe krimi nëpër rrugë. Ai do t’ju tregojë se si do të vepronte me pasojat e dhunës, por jo sesi do ta parandalonte atë. Pyeteni se si strukturohet një sistem prodhimi që të mos krijojë   mbeturina dhe ku çdo gjë është e riciklueshme, si ndërtohet një shtëpi që të përballojë tërmetet, si duhet rregulluar transporti në një qytet për të mos krijuar kaos dhe ndotje, si prodhohet ushqimi pa shkatërruar arat me herbicide dhe insekticide, si duhet ruajtur uji, si duhen zgjidhur problemet e varfërisë dhe te urisë etj. Politikanët nuk e dine dhe nuk i’a kanë as idenë më të vogël, sepse ata nuk janë edukuar për të kërkuar zgjidhje. Politika shërben për të bërë ligje të cilat i anojnë problemet, ndërsa Lëvizja Zeitgeist ofron zgjidhje duke nisur nga rrënjet e problemeve.

Brunilda Ternova: Le të ndalemi e të flasim për një moment në lidhje me ty. Kush është Federik Pistono, si i je afruar ambientit Zeitgeist e më vonë Lëvizjes – duke u bërë koordinator i saj për Italinë?

Federik Pistono: Punoj në një kompani në Verona që merret me mediat në internet. Aktivitetet e mia janë të ndryshme: menaxhim projektesh, regjizor dhe skenarist, programim dhe strategji komunikimi, etj, dhe kam një formim akademik si shkencëtar dhe informatik. Kam qënë gjithmonë i interesuar mbi tematikat shoqërore, dhe që fëmijë, kur shihja diçka që nuk funksiononte, në vënd që të ankohesha pyesja veten se si ta vija në funksionim. Prej shumë vitesh merrem me aktivizëm dhe kam qënë pjesëmarrës në grupe të panumërta paqësore, kam themeluar një shoqatë vullnetare, kam fituar një konkurs ndërkombëtar për Blogging dhe gazetari në lidhje me ndryshimet klimatike. Afrimi me Lëvizjen ishte një rrjedhojë e natyrshme. Kënaqësitë më të mëdha të jetës sime i kam në këtë Lëvizje të mrekullueshme, sepse kam mësuar se gëzimi i vërtetë është të ndihmosh të tjerët. Lëvizja synon të përmirësojë jetën e të gjithë njerëzve, dhe jo vetëm të një pakice të vogël. Për sa kohë që ne nuk jemi të gjithë mirë, nuk do të jemi me të vërtetë të lirë.

Brunilda Ternova: Çfarë ka realizuar Levizja Italiane Zeitgeist deri më sot dhe çfarë projektesh keni për të ardhmen?

Federik Pistono: Lëvizja italiane egziston prej më shumë se një viti – ajo ka 3 000 anëtarë të regjistruar në uebsit-in e saj dhe mbi 30 000 kontakte në Facebook, Twitter dhe YouTube -, duke shënuar vazhdimisht një rritje konstante. Projekti Zeitgeist ështe i ri në vetvete dhe ritmi i rritjes së tij ka qënë i pabesueshëm, dhe shëmbull konkret për këtë është Levizja jonë në Itali. Kur organizuam takimin kombëtar për aktivistët, më 6 shkurt 2010 në Bolonja, shumë njerëz nuk e kishin të qartë akoma se me çfarë do të merrej Lëvizja – njerzit flisnin për politikë, komplote dhe aspekte ezoterike. Tani të gjith merremi me argumente më konkrete që kanë të bëjnë me kulturën, njerzimin, qëndrueshmërinë, teknologjinë e aplikuar për zhvillimin social, etj. Kemi 5 Grupe Pune, që merren me përkthimin në italisht të materialeve, me krijimin e videove dhe grafikës, me programim, me vënien në kontakt me personalitete dhe artistë të ndjeshëm ndaj argumenteve tona. Çdo dy të diela në orën 21:30 zhvillojmë një podcast ku diskutojmë artikuj, libra dhe projekte. Regjistrimi i tyre mund të shkarkohet falas nga uebsiti ynë i internetit (http://www.zeitgeistitalia.org/podcast). Hapi i ardhshëm do të jetë decentralizimi total i strukturës, ku qëndrat qytetare mund të veprojnë të pavarura duke organizuar konferencat e tyre. Kjo do të arrihet me më shumë kulturë dhe impenjim.
Më 13 mars do të zhvillohet në nivel botëror Zeitgeist Day – dedikuar promovimit të ideve të Lëvizjes – organizuar nga aktivistët dhe përkrahësit e saj. Grupet Qytetare janë e ardhmja jonë reale, dhe në Itali kemi me dhjetra të tilla. Ato që janë më shumë aktive ndodhen në Milano, Romë, Firence, Bari, Verona, Napoli, etj., dhe kemi si qëllim mbulimin e mbarë vendit. Më pas do të kemi edhe takimin kombëtar për aktivistët, plus takimeve të shumta me anë të Teamspeak (biseda audio në internet), ku  mund ti japim zë fjalëve tona në mënyrë efektive. Kemi në projekt një eveniment të madh për të ardhmen, me artistë, muzikantë, ekspertë të psikologjise, teknologjise, të shoqërisë etj, të cilin do ta realizojmë në një nga qytetet kryesore italiane.
Brunilda Ternova: Çfarë mesazhi do t’i jipje shqiptarëve që lexojnë këtë intervistë?

Federik Pistono: Për momentin, më rezulton se nuk ka ende një Lëvizje Zeitgeist në Shqipëri. Nëse  duam të shohim një ndryshimin social, duhet ti marrim ne frenat e fatit tonë në dore dhe të fillojmë e të punojmë.  

Djem dhe vajza shqiptare, bota ka nevojë edhe për ju!

Intervistoi : Brunilda Tërnova

Burimi: http://www.gazetaonline.net/2011/interviste-me-federik-pistono-koordinator-i-levizjes-zeitgeist-italia.html

Sunday, December 26, 2010

Qëlloi të atin me thikë, adoleshentja: Më ka nxirë jetën

Dhuna në familje, 10-fishim/ Kryefamiljari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Fierit

FIER - Gjendja shëndetësore e 58-vjeçarit nga Fieri pas plagosjes me mjete të mprehta nga vajza e tij 14-vjeçare, sipas mjekëve të spitalit rajonal është e rëndë. "Ka qenë një operacion i ndërlikuar dhe i vështirë, - shprehen mjekët kirurgë të këtj spitali. - Ishin katër plagë të shkaktura nga një thikë, ku njëra prej tyre, ajo e pjesës mbi kërthizë, ishte e thellë".
Gjithsesi, tashmë 58-vjeçari, banor i lagjes "8 Shkurti" në Fier, ndodhet në sallën e reanimacionit dhe është nën mbikëqyrjen e personelit mjekësor. Krahas kujdesit që po tregohet nga mjekët, pranë shtratit të të plagosurit, të cilit po i jepet oksigjen për frymërmarrje, qëndron vajza e tij e madhe. Ndërsa vëllai i 58-vjeçarit nuk dëshironte të prononcohej lidhur me këtë ngjarje. Kjo, sipas tij, është një çështje personale familjare midis vajzës dhe babait të saj.

Është drejtësia ajo që do të zbardhë plotësisht këtë ngjarje.
Ndërkaq 14-vjeçarja, edhe pse e tronditur, është marrë në pyetje nga oficerë të policisë gjyqësore në prani të një psikologeje. Vajza ka dëshmuar se babai i saj e keqtrajtonte gjithnjë dhe sidomos kur pinte.
"Babai më ka nxirë jetën", mësohet të jetë shprehur adoleshentja, e cila lidhur me ditën e ngjarjes dhe me mungesën dy ditë rresht në shkollë, ka deklaruar: "Nuk kam shkuar në shkollë dy ditë pasi kisha shenja në fytyrë dhe më vinte turp nga shoqet".
Problemet me të atin duket se kanë qenë shumë të thella, pasi vajza është shprehur se nuk ka dashur ta shikojë më të atin gjatë gjithë jetës së vet. 14-vjeçarja është arrestuar paraditen e djeshme dhe është shoqëruar për në qytetin e Vlorës për t'u gjykuar nga Gjykata e të Miturve.
Ngjarja e ndodhur mesditën e së martës është një tjetër rast dhune që i shtohet statistikave të rënda në qarkun e Fierit për vitin 2010. Ato tregojnë njëkohësisht dhe tendencën në rritje që ka ky lloj krimi brenda familjes.
Shefi i sektorit kundër dhunës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, Flamur Molla, ditë më parë në një takim kushtuar dhunës në familje në Qarkun e Fierit publikoi statistikat e dhunës kryesisht brenda familjes, ku objekt është femra.
"Ky vit ka qenë një vit i një pune intensive për të evidentuar rastet e dhunës kryesisht ndaj grave (brenda familjes), pasi të gjithë e dimë që në familjen shqiptare, gruaja shqiptare mbart rezerva për ta bërë publike dhunën brenda familjes, edhe pse ajo mund të jetë objekt i sulmeve të vazhdueshme dhe me pasoja fatale.
Gjatë vitit 2010 ne kemi të arkivuara dhe kemi trajtuar 85 raste që duke i krahasuar me dy vitet e kaluara, shënojnë qartë një ndryshim shumë të madh.
Në vitin 2009 kemi pasur 9 raste të dhunës brenda familjes dhe në vitin 2008 vetëm 5 të tilla",- u shpreh në takim shefi i sektorit kundër dhunës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, Flamur Molla, teksa vijoi se "nëse do të duam që të luftojmë dhunën, nuk besoj se mjafton vetëm dëshira e mirë.
Duhet që të zbatohet ligji që tashmë ka hyrë në fuqi që në vitin 2008 apo burimet njerëzore, por në radhë të parë kërkohet bashkëpunimi ndërinstitucional, një fond posaçërisht për këto raste dhe një strukturë (staf) e specializuar dhe një qendër enkas për trajtimin e këtyre rasteve".

Rastet e dhunës së trajtuar në qarkun e Fierit
Viti 2010 - 85 raste
Viti 2009 - 9 raste
Viti 2008 - 5 raste 

Shekulli