Showing posts with label Poezi. Show all posts
Showing posts with label Poezi. Show all posts

Monday, February 25, 2013

Shpërfaqje

U rishfaqe shtjellës së rrugëtimit tim,
ikonë e pluhurosur,
kryqëzuar
në trungun e lëkundur
të harresës.

Mu përplasën fytyrës
flladi i ndjesisë
që e pata strukur
ndër peliçe resh,
e malli i rreshkur
si bukë e ardhur keqas,
për t'i bërë më të përtypshme
ditët.

E feksën në pyllin e mendimeve
ledhat,puthjet,psherëtimat,premtimet
edhe lotët djegës
nga ethe ikjesh.
Nëpër hundët e kujtimit
mu ngjit aroma e tonës stinë,
si një vjeshtë paqësore,
gjethet e ëndrrave për t'i shkundur.
Ta dish,
shpesh mjegulluar më ka
si avull alkooli,
një kureshtje ngacmuese,
pa atë aromë,
të bësh si ke mundur?!

Diku aty thellë brenda meje,
ngrefosen e platiten
bindur në heshtje
si tek një liman i fshehur
të shkumëzuarat e kryeneçet valë,
e therin gozhdë ngulur thatë në parzëm,
të shtypura,
të ndrydhura,
të pathëna
fjalë... .
Gezim Murajza

Recitali i Malësorit

Oh, si nuk kam një grusht të fortë
t'i bij mu në zemër malit që s'bëzanë,
ta dij dhe ai se ç'domethanë i dobët -
n'agoni të përdihet si vigan i vramë.


Unë lugat si hij' e trazueme,
trashigimtar i vuejtjes dhe i durimit,
endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme
dhe me klithma të pakënaqura t'instinktit.


Mali hesht. Edhe pse përditë
mbi lëkurë të tij, në lojë varrimtare,
kërkoj me gjetë një kafshatë ma të mirë...
Por më rren shaka, shpresa gënjeshtare.


Mali hesht, dhe në heshtje qesh.
E unë vuej, dhe në vuejtje vdes.
Po unë, kur? heu! kur kam për t'u qesh?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?


0, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht' i paligjshëm...
E unë të kënaqem, të kënaqem tu' u qesh.
Migjeni

Monday, February 4, 2013

Kahmos

Kahmos vazhdoj të shoh njerëz të përvuajtur

Nëpër rrugë, stacione, mejhane...kahmos.

Dua t'i përqafoj, t'ua puth duart me kallo,

Pse jo, t'ua mbaj unë thesin me halle..

Mëdyshem. Ndrydhem.

Kam frikë mos më injorojnë e më marrin për të çmendur.

Kështu dhembshuria ime merr trajtë hipokrite:

Vë syzet e errëta dhe qaj.. Qaj,

Aq sa edhe zëri përligjës i ndërgjegjes ungjillore

më vjen si fishkëllimë nga fundi i pusit.


Arti Lushi

Thursday, January 24, 2013

Takim sekret "Hashim HAXHI Thaçi - Rexhep TAHIP Erdogani"


Me shumë gjasa, nisur nga gjendja e tensionuar e krijuar në Preshevë, Kryeministri i Kosovës Z. H. Thaçi ka kryer një vizitë zyrtare një ditore në Ankara, ku është pritur nga Kryeministri i Republikës së Turqisë, Recep TAHIP Erdogan dhe takimi ka zgjatur rreth dy orë duke u mbyllur pa deklarata për gazetarët.

Nuk e di pse kur pashë foton e takimit, më erdhi ndërmend vetvetiu poezia "Shqipëtar" e Andon Zako Çajupit... (S.I)

Shqipërin' e mori turku,
i vu zjarr!

Shqipëtar, mos rri, po duku,
shqipëtar!

Mjaft punove për të tjerë,
o fatkeq!
Kujto vendin tek ke lerë
dhe tek heq.

Të ka bërë perëndia
luftëtar,
si s'të lodhi robëria,
shqipëtar!

Erdhi dita të ngresh kokë,
të kërkosh
lirinë, bashkë me shokë
të lëftosh!

Mos bëni si keni bërë
gjer më dje,
por të lëftoni të tërë
për Atdhe.

Pesëqind vjet kemi rruar
me pahir,
Lidhurë me kemn' e duar
me zinxhir!...

Myslyman' e të krishterë
jemi keq!
Të ngrihemi që të tërë,
djem e pleq!

Të ngrihemi të dëftojmë
trimëri;
ja te vdesim ja të rrojmë
për liri!

O moj Shqipëriz' e dashur,
mëmëdhe,
Të shoh me buzë të plasur,
si më sheh.

U shkretove anembanë,
Shqipëri,
se shqiptaret s'kanë
dashuri.

Gjithë djemtë që ke qarë
dhe mban zi,
për Morenë janë vrarë,
për Turqi!

Zhvish rrobat e robërisë,
mëmëdhe,
vish armët e trimërisë
se ke ne!

Tuesday, January 15, 2013

ATA QË MA SHANË ATDHEUN


Ma shanë atdheun, ma shanë nga nëna,
Në një bar, mbushur me të bardhë e negër...
Shtrëngova dhëmbët të mos më çahej zëmra,
E mbi ta të lëshohej si bishë e egër...

Ma shanë atdheun buzë detit Egje.
Si m'u mbyll goja e nuk volla mallkime!?
Po për kë t'i shaja!? Ata s'kishin atdhe...
Ma shanë atdheun, në gjuhën time.

Poezi nga Sokrat Habilaj

Friday, November 30, 2012

Sadopak për t’u dashur... (Pjesë nga një poemë e gjatë...)


... Lajmëtarët janë mbledhur në një kënd
Ata janë netë të pagjuma
Me petka mendimesh të vjetra
E udhët e shpëtimit
Janë një zhveshje lakmitare
Për te fituar liri të përveçme
E për të mos u kthyer në ngrehinat e ftohta
Që kohë pas kohe
Po i bëjnë qelat e grrucjes edhe më të lëmuara

Lajmësat në  një kënd rrinë
E mbledhin lajmësa të tjerë
E të tjerë
E të tjerë,
E duart i kanë bosh
Se lajmi nuk bëhet dashuri
Që t’i shpëtojë
Ose dhe dashuria
Nuk bëhet lajm
Që t’i plasë muret.

Ani çka…
Do vijë e do fryjë një erë e çmendur
E do pështjellë gjithsej prej zgripit të qenies
E ka për t’u dëgjuar
Veç ulërima e thatë dhe e gjatë
E gruas që e zbraz shpirtin
Me shpinë në mur
E duar në faqe.

Lutu sa të duash
në stol të përjashtimores,
rrëfeji me mërmërimë
dëshirat e tua të athëta
të bëra thana mendimesh në ngjërimin tim
të kuqe, të kuqe përndezëse
rrokull vetes…

E ka frymuar kush këtë mëngjes?
Pse vallë e rijetoj çdo të diel
Si të qe një gjallesë duarlidhur
E me sy lutës për t’u hedhur tejanë pragut…

Kujdes derën
Ajo është çelë sapak
Që të mbërrish më tej
në një deriçkë të vërtetash
ku thellësia e ninëzës
ka një lakuriqësi ndjenje në fund
e veç buza jote mund ta lexojë
si një shqisë e pangjashme
që udhëtuar më ka
nëpër shpirt…
e ndër duar më ka lënë
sapak relativitetin
e kohës e të botës
po mshelur ma mban
gjithsej tjetër,
Pse m’i mban mshelur?
Dorështrënguari im
Me rrathë uji
Në fytyrën e shkruar
me vështrime të kithta dëshirimi të bjerrë
në çka unë mund të jem
Bëhem, jam…

Fjalët, fjalët na kanë vrarë
Ka shekuj që hidhen mbi ne
Mbi mua e ty
si një ushtri heshtarësh
me mburojë letre…
Fjalët na kanë ndërsyer
ndaj njëri-tjetrit
të varfrat fjalë
të këqijat mercenare
që nuk dinë të mbrojnë
bukuritë tona të amshuara me shpirtlëkundje
prelud të një tërmeti qeniebërës…

Fshihi, fshihi…
Mbaji, mbaji  drynat e qiellit tënd të mshelë
E mos m’u kënaq duke më kundruar teksa vërtitem
Të dal,
Të rrëmbej veten tënde…

Qenie lodërtare
Që më zhbiron me sytë e tu lojcakë
Unë kam dritaret e mia që
S’i mbyll dot kush
E kam krahë përfytyrimi
Që mbërrijnë
Edhe vetë renë
kur i kalon bri kullës tënde me frëngji gjahtarësh
e nënqeshje çarku në prag…

Të krahasueshëm ose jo
I shkërmoqim mendimet njëri-tjetrit
Si misër për urinë e ndjenjave
E ca i ruajmë si gurë të fituar shahu
Sadopak për t’u përballë,
Sadopak për t’u dashur...  

Erina Pavle Çoku

Thursday, November 15, 2012

Lamia Crusade - Poezi

Më rëndojnë testikujt e tu mbi vetulla,
nuk e prek dot hundën me gjuhë.

Gjithçka di të bëjë ishte në gjenet e mia:
Të ngre vetullen e majtë
dhe ti vesh emocione jo paraekzistente,

...meqë ra fjala.


Më rendojnë testikujt e tu mbi vetulla
si përsiatje pasionante
për të shtypur me kufij lirinë time,
si përpjekje poshtëruese
për tv zhvlersuar
bolet e mia metaforike
me bolet e tua biologjike,
pa e kuptuar
se meritë janë bolet e fituara.
Ato të trashëguara janë veçse
nje ypsilon i rastësishëm.

Pa e kuptuat
se pushtetin nuk e ke ti
sepse ke penis
por unë që kam pushtet mbi penisin tuaj
me shikimet e mia dinake
dhe butësite lakuese,
me fryrjet nën lëkurë...
Plagjaturë...
testikujsh!


Mi shtyp vetullat
për të vënë kufij
që ti dhunosh më vonë:
Kapërcimi i kufijve
shpëton nga tmerri që ngjall vdekja.


Sa ëmbel është
të rrish duke përkëdhelur dëshirën rrëmbyese
pa e rrëmbyer.


Kërkon në mua
thyerjen,
po aq sa përpiqesh për të kundërtën:
Ti shpëtosh asaj.

Luhatje e dykuptimtë
që nuk prehet asnjë çast.


E unë vazhdoj të mendoj
se testikujt mbi vetulla janë të negociueshëm,
se vetulla ime e majtë
nuk mund të jetë kurrë
një muskul më i fuqishëm se gjuha,
por kurrë më pak e rrezikshme.


E ngre testikulin tënd me vetull,
tjetri le të varet
në ditën kur i forti bëhet i dobët,
dhe mëson.


Me mirë teë vdes dëshira,
se të shuhemi ne vetë.


Shkroi: Lamia Crusade

Stop Injorancës - Një Kep Shprese!

Një copë kaltërsie, që mendimet përlyen,
një strumbull i athtë, për zbrazëtinë e pa shuar,
një brisk i mprehtë drite, për sytë e lidhur,
muzikë pa nota, për veshë mbyllur me duar.


Na u shfaq papritur, si vizatim i një fëmije,
një dëshirë e pafajshme, ngjizur s'di prej kujt,
kërkon me thonj të çjerrë horizonte,
prej leckash zhvesh, idealistë-imoralë
të gjithëkujt.

Shkund avokatë, të djallit plak,
e miq fals, të diturisë së re,
pa tentuar vetë, kurrgjë të fitojë,
në emrin tim e nën emrin tënd, për të demaskuar
ata që gjakun, na kthyen në bojë.

Si një pikë elektriciteti, për mendje të errëta,
bën lumin të rrjedhë, në syrin e një gjilpëre,
gurë i një mozaiku, të shpërndarë s'di se ku.
Copëzat fluturojnë bashkë, copëzat mblidhen,
mozaiku bëhet i dukshëm, këtu bashkë me ju.

Pasaportë e mbushur, me vula drite,
e ashpër për oborrin e mendjeve plot tabu.
Të jesh mirënjohës!
Të jesh mirënjohëse!
Ta dha urinë e së vërtetës,
cifël e ndarë nga një sharrë që s'pret dru.

Drita rritet, ndrit e ngroh ngadalë, si flokët tanë,
e injoranca, si thonjtë e duarve të ngjyera pret.
S'ka botë të mbrojtur që ta gëzojmë!
Merrni virtytet e këtij vizatimi fëminor,
E ata që mund të marrin, së dhëni nuk do pushojnë !


Shkroi: Pranvera Prendi

Khalil Gibran - Poezi

Fëmijët e tu,nuk janë të tutë.
Janë fëmijët e vetë jetës.
Ti i sjell në botë, por nuk i krijon.
Janë afër teje, por nuk janë prona jote.

Mundesh t'iu japësh atyre gjithë dashurinë tënde,
por jo idetë e tua!
Sepse ata kanë idetë e tyre.
Ti mund ti japësh strehë trupit të tyre,
por jo shpirtit.
Sepse shpirti i tyre banon në shtëpinë e së ardhmes,
ku ty nuk të është e lejuar të hysh, as në ëndrra.

Mund të përpiqesh t'iu ngjash atyre,
po mos kërko që ata të të ngjajnë ty.
Sepse jeta nuk kthehet mbrapsh,
nuk ndalet tek e djeshmja.

Ti je harku që i hedh ata drejt së nesërmes.


Khalil Gibran
http://www.katsandogz.com/onchildren.html

Dërguar nga M. Saliu
http://www.facebook.com/photo.php?fbid=454565634581583&set=o.220909724602709&type=3&src=https%3A%2F%2Ffbcdn-sphotos-g-a.akamaihd.net%2Fhphotos-ak-ash4%2F395114_454565634581583_720089550_n.jpg&size=480%2C319

Në foto: Mariana, motra e Khalilit, pikturuar prej tij.

Thursday, October 18, 2012

Niko Stylos: NJE POEZI SHQIPE të paktën 3.600 vjet e vjetër


Të egrit ujk, të drobitur e të uritur
iu zgjidh kërthiza duke pyetur
kur lihte egërsisht
dhe kur angullinte pa përfillur kohën.

Cjap i lartë me lesh të rrallë
gjuhën duke kthyer, me të kënduar si egërsirë
i thirri atij: ç'dashke tjetër, ndale ulërimën
dhe përmbaje zemërimin.

Si kërcimtar gjuhë kërce
zgjidhu dhe thirr tingëllimat
ato që zbuloi i egri
i bërë i madh.


Kjo poezi është shkruar në njërën anë të diskut të njohur me emrin Disku i Festos ose Faistos.
Ky disk, që sot ndodhet në Muzeun Arkeologjik të Heraklionit të Kretës, u gjet nga arkeologu italian Luigi Pernier, më 3.7.1908, gjatë gërmimeve në pallatin e vjetër të Festos, i cili llogaritet se ishte në përdorim në periudhën kohore 1850 - 1600 p.e.s. Është një disk qeramike me diametër 158-165 dhe trashësi 16-21 milimetra dhe konsiderohet, nga vendi ku u gjet, se ruhej në arkivin e këtij pallati.

Për Feston, shkurt do të them, se ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Kretës minoike gjatë mijëvjeçarit të dytë p.e.s. dhe sot është qendër (hapësirë) e shkëlqyer arkeologjike.

Për emrin e tij, që konsiderohet paragrek dhe nuk ekziston asnjë shpjegim. Unë besoj se e ka marrë nga hyu Ifestos (Ιfaistos, Ήφαιστος) me lënien jashtë (rënien) të germës nistore I (Η).
Historiani Diodor Siqelioti apo Diodori nga Sicilia (5,78), themelues të Festos konsideron Minosin dhe te Homeri emrin e tij e gjejmë te Iliada (Kënga 2, vargu 648) dhe te Odisea (Kënga 3, vargu 296).

Sipas arkeologëve, epoka minoike fillon më 2.600 p.e.s. dhe pallati parë i Festos u ndërtua rreth vitit 2.000 p.e.s. me argolitodomi (αργολιθοδομή1), siç e quajnë, domethënë me ndërtim muresh prej gurësh pa asnjë përpunim.

Niko Stillo Gazeta Shqip

Lexoni këtu të plotë materialin në formatin PDF

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/uploads/2012/10/Nje-poezi-shqipe-Niko-Stylos.pdf

Tuesday, August 14, 2012

Së paku atë!

Nuk po ndjeja asgjë,
pastaj ndjeva diçka:
thithkat e mia.
I lashë ato të shkruanin për mua.

Urrej të shkruaj,
por më pëlqen të kem shkruar.
Urrej meshkujt,
që guxojnë të ekzistojnë jashtë meje.

Së paku, mund ti zhvesh ata,
deri në deshpirtëzim!
Varri im, qoftë paqja ime!
Le të zhvishemi sa jemi gjallë!

Nuk kisha kurrë mjaftueshëm,
pastaj u mjaftova me diçka:
Pamjaftueshmëria është njësi
dhe etalon i përkohshmërisë sime.

Sakrilegji i vërtetë
jam unë dhe liria ime.
Kur shpirti është i lirë,
shënjestër bëhet trupi!

Së paku, mund te zhvishem.

Nuk mundesha t'a ngrohja zemrën
në cep të gjuhës,
pastaj ngroha diçka
dhe thitha shpirtin jashtë teje,
...me ngadhënjim!

Së paku atë!

Lamia Crusade

Dua Nënën!



Të gjithë qeshin dhe gëzojnë
të gjithë lozin dhe lodrojnë
ndërsa mua më përzënë
"Ik" - më thonë se ti s'ke nënë.

Dua nënën dua nënën
dua edhe unë një nënë
nënën time s'e mbaj mend,
nuk e di ku ka zënë vend.

Dhe pa duar le të isha,
sytë e bukur të mos i kisha
dhe pa këmbë të kisha qënë
veç të kisha unë një nënë.

Dhe tek varri kur ti shkoj
një tufë lule do t'i çoj,
do ti them ngrihu moj nënë,
më shiko se sa jam bërë.

Dua nënën dua nënën
dua edhe unë një nënë
nënën time s'e mbaj mend,
nuk e di ku ka zënë vend.

Kush është autori i këtyre vargjeve?
http://www.youtube.com/watch?v=AvBjzmDfw4c

Meshkuj të jetës sime...

Meshkuj të jetës sime
shkërdhimtarë fisnikë,
stacione, e jo më shumë,
por shumë më tepër!

E di se nuk do të vdes vetëm
por do të vdes në vetmi,
por së paku unë kam bërë dashuri,
me shumë njerëz,
ndërsa e vetmja që ka bërë dashuri
me ju,
jam unë.

Meshkuj të jetës sime
e vërteta duket e thjeshtë,
por nuk është e vështirë.

Padrejtësia nuk mund të jetë
ekskluziviteti juaj që prej zanafille.
Kryqëzoni gënjeshtrat dhe tradhëtitë,
jo sepse i urreni, por mbi to doni të keni
monopolin, sikurse orgazmat mekanike.
Gjykomëni,
në sforcime thatanike.
dhe mësoni:
"Fitimtari nuk gjykohet! Dashuria duket e thjeshtë,
por nuk është e vështirë.

Unë kam bërë dashuri
në çdo stacion të praruar
me meshkuj
që kurrë nuk kam takuar.
Quamëni femër primitive
a shpirt-kurvë,
vetëm quamëni!
Quamëni gjithçfarë, gjithëherë,
mos rreshtni së më quajturi kurrë!
Sepse të jetosh duket e thjeshtë
por nuk është e vështirë.
Sepse të jetosh nuk është
e rëndësishme,
e domosdoshme është të lundrohet.

Lundromëni!
Që vulva e ngazëllyer të lotojë,
dhe lëndomeni që të ndjej aq thellë sa të jetoj.
Masakromëni, me prekje...
të tronditem në penetrime
përdëllyese,
ti brohoras dashurisë sublime,
drejt përjetësisë të bëheni pasaporta ime.
Të mposht frikën e të qenit e harruar
e së fundi t'iu tymos
pa ju mëshiruar.

Nuk është faji juaj
që nuk mund të ndjeni kështu. Fitimtari nuk gjykohet!
E vërteta mund të jetë e lakuriqtë,
por jo për këtë,
mund të përdhunohet.
Falmëni nëse ju kam përdorur,
por betohem ju kam përdorur sinqerisht!
Falmëni nëse ju kam dashuruar
dhe ju dashuroj posesivisht,
por besomëni,
dashuroj narcistikisht!
Ju dashuroj-asgjë personale!
Meshkuj të jetës sime, mos ulni kokën!
Mos më ktheni shpinën!
Unë nuk e kam bërë,veçse në shtrat.


Sepse të jesh femër duket e thjeshtë,
por nuk është e vështirë.
Sepse të jem femër nuk do të thotë të pretendoj respekt
dhe tolerancë,
lërmëni ti meritoj!

Meshkuj të jetës sime,
të fortë dhe të vërtetë,
mos më denoni pse ndjeheni të dobët para meje.
Ajo që në dukje është një betejë e
pashpallur,
është mënyrë imja e të dashuruarit
e jo më shumë,
por shumë më tepër.

Sepse të dashurosh
nuk është e vështirë,
por është kryevepër.

Lundromëni dhe do t'ju krijoj!

Lamia Crusade

Thursday, July 12, 2012

Epitaf për veten

"Do të të hedh si dele mes ujqërve"
më pëshpëriti ëmbël dikush
teksa bëja gjumin e zhagitur nëntëmujor
në liqenin lotur me ëndrra heshtjeje.



Endrra që s'njohën kurrë fatin e tyre; fatin e pamjaftë.
Duke i tjerrë dritën hënës u rrita,
me fjalën e Tij ujdhëse me vete
pashë, takova dhe gjeta vetëm:
kaproj fluturues, hije të përgjakura shelgjesh,
bjerakohës të pashpresë; shpresë të tredhur qysh në embrion,
nimfa mbarsur me kollë pershkatarësh,
mjellma pa kokë, Diellin me thikë në dorë,
psikologë që masturbonin ndërgjegjet njerëzore,
xhakondat kërthizëdala me pirsing,
metropolin e kopshtit zoologjik apo.., ndjesë,

kopshtin zoologjik të metropolit,
murgesha kryeadministratore bordellosh,

dashuri  coftinë si korridore spitalesh,
Njeriun me shenjë, Njeriu në Hënë, Njeriun që qesh,
Tik-Takun e Babilonisë,  vejushën e Kaukazit,
cicëvyshkurat kurtizane me fytyra meduzash,
inçestet e pafundme politike,  rrugën 'MOS KALO SOT!',
Niçen si kryetar sindikate, Uajlldin në burgun e Peqinit,
patkoj fildishi në pajën e nuses shterpë,
vogëlushin që ndjek sonambul ëndrrën e tij blu,
siçilianen e verbër duke mbledhur portokaj,
Olimpin plot me agjentë burse e sekserë,
bulkthin dehur nga zezonat e natës,
njerkën buzëpërvjelur kur bërtet: 'vëri llozin derës tutkun'
mitingje, skamje, silikon me shumicë,
gjithçka dhe asgjë, gjithçka për asgje,  por vetëm ujqër jo...

Ah Zot, të lutem më thuaj, ç'faj kam unë që s'm'u zbardh lëkura rrugës?!

Arti Lushi

Wednesday, June 27, 2012

F A L E M I N D E R I T !!!

Kur erdhe ti në botë
fitova një botë të dytë,
kur më shtrëngove gishtin
u ktheva robi yt.


Kur tënden të qarë
dëgjoi ky babi yt,
zemrën ndjeu fort,
plot i mbushi sytë.

E kur të shoh tek fle
mrekullohem, më fal,
kur ti bindesh e ha
zemrën ma bën mal.

Kur ti i qesh botës
ajo, hmm kaq e dlirë,
kur ti më përqafon,
unë, njeriu më i mirë.

Kur me kica kafshon
jam preha më e lehtë,
kur "ba-ba" belbëzon
ndjehem mbret, mbi retë.

Kur ngrite e hodhe
hapin tënd të parë,
pranova se bota
hyri në rrugë të mbarë.

Kur mbërrij në punë
gjithmonë me vonesë,
se sa dal nga shtëpia
ti qan me dënesë.

Kur s'të kushtoj vëmendje
më tërheq prej mënge,
e kur luaj me ty
më çjerr nëpër sy.

Më imiton nga pas
sa herë kur të flas,
më sheh e habitur
nervoz kur bërtas.

Kur të puth mamanë
ti vjen e na ndan,
kur të lëmë pak vetëm
ty vendi s'të mban.

Kur hyre mes nesh
na more prej vëmendjes e përkushtimit,
por të jesh e sigurt se TI
je barka jonë e shpëtimit.

Shkroi: Stop Injorancës


Tuesday, June 26, 2012

Unë jam Arti!

Unë qëndroj në këtë korije
vetëm me shtatë cigare
dhe këmishën time të kaltër.

Prej këtu unë sundoj universin.
Nuk jam as perëndi, as perandor, as prift.
Gjithçka merr trajtë ashtu siç dua unë
dhe sa herë që dua unë.

Depërtoj në thelbin e çdo sendi e dukurie
dhe mbjell aty farën e pjekur të dashurisë.
Nuk jam as perëndi, as perandor, as prift
E, ndoshta, as poet!

Unë jam lumi, shtrati dhe rrjedha e tij.
Jam syri që sheh syrin, që dëgjon rrahjet e zemrës
në kraharorin e kukullës krahëshqyer.
Gjithë virtytet dhe mirësitë e kësaj bote
i kam në këtë pagure, ku pij sa herë që qan një violinë
dhe freskoj qafën me të sa herë që hingëllima e njëbrirëshit më thërret të mbledhim yje.

Unë jam epilog i shkruar në paqëndrueshmërinë qiellore
dhe ky rrap pellazg është kulla ime e Babelit.
Unë jam kopsa e mesit e këmishës sime,
e cila m'a largon të keqen me mirësjellje zambaku.
Unë e end frymën në muzgjet muzikore
dhe i telefonoj portorikanes Egnula:
'Shpirt, ma gatuaj diellin si vezë syskë'.
Unë jam 50-lekeshi i rigjetur në xhepat e pantallonave fëminore
Por nuk jam as perëndi, as perandor, as prift.
Foto nga Arif Lushi
Poet?
S'bëhet fjalë!
Unë jam jonxha që hanë bagëtitë e humbura,
unë jam shishe parfumi e derdhur mbi partiturë.
Unë bëj dashuri ashtu sç bën korriku me pjeshkët;
(Zonjezat  thonë pa ndroje se jam një Pan i shëndetshëm,
ndërsa bijëzat e tyre mendojnë se e kam buzëqeshjen
më të ëmbël se një shi i vonuar.
Unë jam Humus.
Unë jam Kabbalah brenda dhe jashtë; në kockë e në mish.
Unë jam zëri brenda të drejtit që nuk resht së thëni:
'Duro edhe pak, duro edhe pak, qoftë edhe një përjetësi'.
Unë nuk jam perëndi, por Ai më drejtohet gjithmonë në emër.
Unë jam gjiri i majtë i çdo nëne.
Unë nuk rroj për lavdi, prandaj në thembër kam gurin e Davidit,
sa për zemrën: e kam më të madhe se hija e Akilit.
Unë jam tërmeti që shkundi botën, ditën kur u ngjiza.
Unë jam flutura që doli nga goja e perandorit poet
dhe agjëroi mbi kryqin e kripur nga lutjet nokturne,
por as prift nuk jam, përkundrazi:

Unë jam Biri i Babës tim,
unë jam Çasti Blu,
Unë jam Arti.                                                                                                                                                                                                     
Arti Lushi

Friday, March 9, 2012

...është thjesht, e gabuar!





Janë disa njerëz që do urrenin farën e tyre
për ti treguar botës që s'janë racistë,
janë disa njerëz që do refuzonin të hanin mishin
për ti treguar botës që i duan kafshët,
janë disa njerëz që do merreshin me bamirësi
për ti treguar botës që s'janë diktatorë,
janë disa njerëz që do i jepnin çdokujt lëmoshë
për ti treguar botës që s'janë mizorë.

Janë disa njerëz që do harronin gjuhën e tyre
për ti treguar botës sa shumë të ditur janë,
janë disa njerëz që do pështynin mbi kulturën e vet
për ti treguar botës, që veç qytetarë të saj janë,
janë disa njerëz që do refuzonin çdo kënaqësi fizike
për ti treguar botës që s'janë materialistë,
janë disa njerëz që edhe njerëz do të vrisnin
për ti treguar botës, besnikërinë ndaj Perëndisë.

Janë disa njerëz që do shoqëronin çdo homoseksual
për ti treguar botës që s'janë diskriminues,
janë disa njerëz që do urrenin gjithçka mashkullore
për ti treguar botës që luftën për të drejtat e gruas,
janë disa njerëz që do të hiqnin dorë prej seksit
për ti treguar botës që ata kanë ndjenja,
janë disa njerëz që do duronin çdo përdhosje dinjiteti
për ti treguar botës që janë kundra dhunës.

Janë disa njerëz që do duartrokisnin çdo sistem
për ti treguar botës që e duan paqen,
janë disa njerëz që do provonin çdo perversitet
për ti treguar botës që janë të lirë,
janë disa njerëz që do mbyllnin edhe sytë
për ti treguar botës që janë besnikë,
janë disa njerëz që do të puthnin edhe këmbët
për të treguar që kanë dhe ndjejnë respekt.

Janë disa njerëz që do silleshin arrogantë
për ti treguar botës që s'janë të vobektë,
janë disa njerëz që do mbanin forcërisht një partner
për ti treguar botës që s'janë të vetëm,
janë disa njerëz që do vishnin çdo batutë të modës
për ti treguar botës që janë njerëz të kohës,
janë disa njerëz që do të thyenin çdo zemër
për ti treguar botës, që janë të aftë.

Janë disa njerëz që do qëndronin vetëm të vrenjtur
për ti treguar botës që s'janë qesharakë,
janë disa njerëz që shkatërronin çdo iniciativë
për ti treguar botës që s'janë dështakë,
janë disa njerëz që do bënin gjithçka e gjithmonë
vetëm e vetëm botës për t'ia treguar...

...por janë të tjerë njerëz që e bëjnë këtë botë më të mirë,
pa u treguar asnjëherë të tillë.


Shkroi: Stop Injorancës  https://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Tuesday, February 28, 2012

Të kam gënjyer

Nesë të kam thënë "Të dua",
të kam gënjyer si i marrë.
Me forcën që të dua tani,
s'të kam dashur kurrë më parë.




Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Friday, November 18, 2011

F A L M Ë !



Diku në humbëtirë
marrëdhënia jonë ka ngrirë,
gjithçka ishte e pastër, e bardhë,
sot, pëlhurë e nxirë.

Ndoshta unë, ndoshta hormonet
më bënë pak rebel e shumë teveqel,
por krejt i pandreqshëm
gjithmonë nuk dot të ngel...

Nuk janë më përkëdheljet,
përqafimet kanë shkuar,
një shtrëngim akullnajor duarsh
shuan mallin, në të takuar.

Nuk di ku, sa kam gabuar,
nuk e di sa, si të kam trazuar,
nuk e di si lejuam të shkretën kohë,
...për të na transformuar.

Dua të di a të mungon
i pafajshmi me sytë plot dritë,
dritë që e humbet shkëlqimin
çdo orë, çdo ditë...

Po qeshjet, hargalisjet, zhurmat
e vonesat e orëve të vona,
shqetësimet që të kam dhuruar
a nuk të kanë munguar?

A të kujtohet kur përdore dilnim bashkë
e hapat e tu nuk i arrija dot
të detyrohem atë që jam
e nuk di sa me krenari e sheh sot.

Jam ndjerë i huaj
hipur mbi shtratin tim
në shtëpinë ku hodha hapat,
ku ia mësova, zogjve melodinë.

Zemra më pikëllohet
se ende ju dua sot,
ju, e gjithçka ka shkuar,
aq fort, më fort se fort.

Dua të ulëras, të tërbohem
të shqyej gjithçka kam
por s'më lejon ky frikacaku
që fshihet pas letrash, gam-gam.

Pas letrash ku bën shenjtorin
e djallit syrin i shkel,
pas një bote të marrë,
që vëmendjen prej teje i merr.

Shikoj dorën time
e sa shumë çdo ditë me tënden
më ngjason,  dorë babaxhane,
që dikur flokët më pushpuriste.

Unë nuk e dija që kjo largësi,
kaq shumë do më vriste.

Jepja një dackë djalit,
atë dackë që në vite
në fjalë ia ke këmbyer
ndoshta kështu kthjellohet
të rishohë ç'ka është e vyer.

Të kuptojë se jeta juaj,
më tepër se kurrë,
tani ka nevojë për të,
sot që është bërë burrë.

E ty, gjysh, si të ka shndërruar,
dhe me lodhjen, mundimet,
në vitet kur ka qenë i mitur,
sot ka kuptuar çdo gjë që s'ka ditur.

"Tani që ndjej se as fëmija im
s'do të më dojë dot, sa e dua,
pranojeni faljen time,
nuk JU kisha kuptuar...!"

Shkroi: Stop Injorancës !
http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Wednesday, May 11, 2011

Reja



Unë jam reja,
pikturoj qiellin,
mjegulloj hënën
e maskoj diellin.


Vërtitem mbi ju

atje lart
pluhurin tuaj


mbi vete mbart


shpirtrat e lirë përqafoj
...dëshmitare në paranojë.




Në ngjyrë të purpurt valëvitem,
në pafundësi formash venitem,
nënë të ngrohtin e të ftohtin baba
motër rrufenë e rrebeshin vëlla.


Konturet e tua të brishta njom
e aromën në ajër të ndjell
e trishtë, e vetme s'je kurrë
kur lotët e mia në faqe të sjell.


Më urre, më duaj
më krijo, më shuaj
m'u afro e mos u druaj
bashkë me mua luaj.

Edhe pse s'mund të më prekësh
nuk jam e huaj.....

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2