Ç’kuptojnë shqiptarët me demokraci? Është interesante
se ndryshimi politik i vitit 1991, prej shumëkujt përshkruhet si
“ardhja e demokracisë”, por perceptimi i përmirësimeve në vend është i
vogël, dhe akoma më e vogël është ndikimi i shqiptarëve në mënyrën sesi
qeveriset vendi.
Nga Seera Marston*
Shqipëria është një vend ku meshkujt vërdallisen nëpër qoshet e
rrugëve, madje edhe në palcën e të ftohtit të dimrit. Ata mund t’i
shohësh në qytezat e vogla, në Tiranë, në sheshet e qyteteve, nëpër
kryqëzime e kudo gjetkë, nëpër kafenetë e panumërta. Duket sikur vendi
është përplot me to. Edhe hotelet kanë kafene; kësi lokalesh i has kudo
nëpër rrugë, të frekuentuara gati ekskluzivisht nga burrat dhe përgjatë
gjithë ditës.
Gjatë ditëve të mia të para në atdheun e tyre, unë çuditesha
sesi mbijetonin në biznes kaq shumë lokale shqiptare të të njëjtit
profil, por ato dukeshin plot me klientë shumicën e kohës; meshkuj të
përkulur mbi filxhanin e kafesë, gotën e rakisë e pijeve të tjera,
teksa digjnin jetët e tyre me tymin e cigares. Rrallë e tek
sheh femra nëpër kafene apo duke u sjellë rrugëve, me përjashtim të pak
lypëseve. Edhe burrat lypin, ose shesin karta celulari dhe çikërrima
të tjera, edhe në këtë rast më të shumtë se femrat. Gratë punojnë në
shtëpi, nëpër zyra dhe biznese të vogla; i gjen gjithashtu duke blerë a
shitur nëpër tregje. Fëmijë nuk të zë syri shumë, edhe pse këndet e
lojërave janë aty.
Përveç kafeneve, vendi gëlon nga pikat e këmbimit valutor, që jo
rrallë i gjen edhe çdo 50 metra larg njëra-tjetrës. I pikas kollaj dhe
kësisoj, këmbimi i parave nuk është aspak problem, një tregues i qartë
ky i një shoqërie që ende varet në masë të madhe nga emigracioni. Sepse
numri i kufizuar i turistëve të huaj nuk e justifikon dot praninë kaq
të madhe të kambistëve. Ka gjithashtu me mijëra filiale bankash, degë
të pafundme të një numri jo të vogël bankash europiane e të tjera, të
cilat kanë instaluar një shumicë të dukshme bankomatesh. Duke çuar në
mendje katastrofën e firmave piramidale në fund të viteve 90-të, dikush
mund të pyesë veten se sa leverdi dhe ç’volum pune kanë këto banka.
Gjasat janë që shqiptari mesatar me fitime pak mbi modesten, t’i
shpenzojë të ardhurat e veta për të jetuar, t’i investojë diku (me
gjënë e gjallë në fshat apo ndonjë shtëpi në qytet) apo t’i mbajë
poshtë dyshekut. Tingëllon një zgjedhje e mençur, pas atyre që kanë
hequr. Por ndërkaq harroj edhe numrin po kaq të madh të lokaleve të
bixhozit apo basteve sportive që kam hasur, të llojeve të larmishme:
Nga cepat e vegjël të rrugëve dytësore, tek hapësirat “luksoze” të
kumarit, që afrojnë më shumë me kazinotë.
Hoqa dorë nga ushqimi në një restorant, kur pashë se pranë tavolinave ishin vendosur edhe makina elektronike.
Në radhën e mjediseve që frekuentohen më shumë janë supermarketet, të
vogla apo më të mëdha, mes të cilave fiksova të quajturin Euromax, apo
Conad-in italian. Më thanë edhe për një Carrefour në periferi të
Tiranës, por ende nuk kam shkuar. Sa për vendasit, ata më vënë në dukje
praninë po kaq të shpeshtë të farmacive; por unë pikasa edhe disa
librari apo kafe-librari, një dukuri kjo që në shumë vende të tjera
është goxha më e rrallë. Është diçka e këndshme të shohësh kaq shumë
rafte me libra, ku qartësisht mbizotërues janë autorët e mëdhenj
botërorë. Duke qenë se shqipja ime është zero, nuk munda ta shtjelloj më
gjatë se çfarë lexojnë aktualisht shqiptarët.
Kinezët këtu kanë mbërritur me kohë. Eca përgjatë një rruge të
ngjeshur me dyqane që shisnin zbukurime të Krishtlindjeve edhe mallra të
tjera të lira, si lule e lodra plastike, veshje burrash, grash e
fëmijësh por edhe pajisje elektronike e orendi kuzhine. Të gjitha
prodhim kinez, në dyqane të zotëruara nga kinezë. Në një zonë tjetër të
Tiranës pashë se të njëjtat prodhime shiteshin nga shqiptarët.
Nëse në ndonjë vend tjetër të Ballkanit varfëria nuk është kaq e dukshme, në Shqipëri ajo të përplaset në fytyrë. Dhe
nuk është dhe aq tek blloqet e apartamenteve pak e shumë të lodhura
nga epoka e mëparshme socialiste, shumë prej të cilave janë rilyer me
bojëra për t’u dukur më pak të trishta. Aq më pak është tek disa rrugë
të gjera me ndërtesa moderne xham e çelik, plot me zyra, dyqane,
markete e apartamente banimi që tash kanë mbirë gjithandej. Fukarallëku
duket tek fakti që kudo, njerëzit në grupe të vogla apo më të mëdha,
shesin prodhimet e bahçes së tyre, bimë aromatike, mallra të përdorura,
kryesisht veshje; apo tek gratë që të ulura në qoshe rrugësh, shesin
çorape e sende të tjera të punuara me dorë.
Nëse keni patur
ndonjë dyshim se ku shkojnë gjithë ato mallra që ne ua dhurojmë
qendrave të bamirësisë apo organizatave të tjera, ato do t’i gjeni në
masë të madhe këtu, tek shiten nëpër rrugë, por edhe në dyqane, disa
syresh të renditura bukur dhe me shije, pasi janë larë. Pata
përshtypjen se në shumë pjesë të Tiranës dhe qyteteve të tjera që
vizitova, edhe dyqanet “serioze” më shumë shisnin mallra të dorës së
dytë sesa rroba të reja. Pranë tregjeve të zë syri radhë burrash të
ulur mbi kuti apo arka, që ekspozojnë ato pak perime e fruta, bimë të
thara mjekësore e shumëçka tjetër. Po ashtu atmosfera e përgjithshme
bie era varfëri, me përshtypjen që ta përforcon mbushja e çdo trotuari
apo hapësire të lirë, me njerëz që diçka shesin.
Prodhim vendas dhe mallrat mikro-artizanale luajnë një rol të
rëndësishëm në tregtinë lokale; mjalti, kompostot e turshitë, frutat e
thata, djathi dhe lloje të ndryshme verërash etj, gjenden në tregjet e
hapëta e dyqane, ku i sjellin prodhuesit e vegjël; vetëm pak syresh kanë
etiketë. Dyqanet janë qartazi rajonale, me bulmetet dhe mishrat që
reklamojnë origjinën e fshatit apo zonës.
Edhe pse diku tek 70% e popullsisë thuhet të jetë myslimane (besimi fetar nuk ishte një pyetje e detyrueshme në censusin e fundit)
, Krishtlindjet festohen gjerësisht. Por kur i pyes njerëzit, më thonë se të gjitha dekorimet e zbukurimet, pemët e babagjyshat e Krishtlindjeve etj, janë për…
Vitin e Ri!
Paçka se pemët dekorative janë stolisur me fashat e gjera ku lexohet
“Gëzuar Krishtlindjet” dhe kanë topat e zakonshëm shumëngjyrësh e
dritat e rastit. I sheh kudo: Në dyqane, hotele, në sheshet e qyteteve e
fshatrave. Të ndriçuara gjatë gjithë natës, të bien në sy dekorimet e
bulevardit qendror të Tiranës, me disa dekoracione abstrakte të stilit
Krishtlindas. Sheshi qendror tani është tërësisht i ndezur gjatë natës,
me pemët e vërteta të veshura me shirita dritash dhe një pemë gjigande
Krishtlindjesh; Pamja të krijon një ndjesi lezeti dhe gëzimi, ndoshta
akoma më i nevojshëm për të hequr mendjen nga varfëria. Edhe pse
broshurat udhëzuese për Shqipërinë më paralajmëronin për mungesën e
energjisë elektrike, ky problem mesa duket nuk ishte kaq i ndjeshëm sa
dikur, por sërish kjo varet nga standardet me të cilat mësohesh.
Disi e vështirë të vlerësosh rolin e fesë. Si një
vend dikur zyrtarisht ateist, përshtypja e parë është ajo e një populli
jo dhe aq fetar, paçka se plot fonde janë shpenzuar për xhami e kisha
të mëdha nëpër gjithë territorin- shumica e tyre të reja, sepse të
vjetrat janë shkatërruar gjatë regjimit të kaluar. Disa gjëra të bëjnë
çudi:
Qendra kryesore e veriut, Shkodra, që është edhe vatra
kryesore e katolicizmit, ka një xhami masive të sapondërtuar mu në
qendër të qytetit (e financuar nga sauditët, thonë). Por nëse
objektet fetare të kultit nuk mungojnë, të çdo besimi, sa frekuentohen
ato? Nga ajo pak përvojë që mblodha, duket se
janë kryer e kryhen shumë martesa të përziera dhe feja nuk ka pasur asnjë rol frenues në këtë rast: Unë shpresoj që kjo të jetë pikërisht kështu, duke pasur parasysh se ç’dramë ka pasur ish Jugosllavia fqinje në këtë lëmë.
Peizazhet rurale janë të bukura, sidomos me borën e parë që ka veshur
majat e maleve dhe kodrave. Lumenjtë rrjedhin me ngjyrat e gjelbra e
të kaltra, pemët kanë ende disa gjethe të vonuara ngjyrë kafe e të
verdha, pa harruar pishat me jeshilen e tyre të errët, ndërsa fushat
janë të mbuluara me brymën dimërore. Bagëtia e imët gëlon në tufa me
tingëllimat e zileve që kthehen nga jehona e maleve, e më pak janë
gjedhët. Në zonat e largëta, kuajt e gomerët përdoren ende për
transport e udhëtim, me fshatarët që sjellin prodhimet e tyre në qytet.
Nëpër gjithë vendin, syri të zë mjaft ndërtime të braktisura e të
rrënuara të epokës socialiste, shumica hangarë e stalla të gjata. Disa
syresh janë privatizuar dhe përdoren nga fermerët në bizneset e tyre të
vogla. Por pjesa tjetër mbeten aty, duke u shkërmoqur dita-ditës dhe
të dukshme që larg. Shoh se ca janë ndërtuar me gur të mirë, dhe
habitem përse nuk e kanë marrë për të ndërtuar shtëpi të reja. Edhe pse
në disa vende të ngjashme i kam hasur edhe më tepër se këtu, këto
gërmadha mbeten një kujtim i gjallë i sistemit të vjetër.
A kanë mall për atë regjim njerëzit sot? Zor ta thuash. Afërmendsh, mënyra sesi flasin disa prej tyre, lë të kuptohet se për disa gjëra nga ai sistem,
kanë mall.
Është interesante se ndryshimi politik i vitit 1991, prej shumëkujt
përshkruhet si “ardhja e demokracisë”, por perceptimi i përmirësimeve
në vend është i vogël, dhe akoma më i vogël është ndikimi i shqiptarëve
në mënyrën sesi qeveriset vendi.
Çfarë kuptojnë shqiptarët me demokraci? Kjo pyetje nuk vlen vetëm për Shqipërinë.
Unë ja dola të shijoj diellin dhe borën në dy ditë rresht njëra pas
tjetrës, duke ecur nëpër gjysmë metri borë për të arritur tek një fshat i
largët, pasi makina jonë nuk kishte zinxhirë; dhe ditën tjetër duke
parë panoramën totalisht mahnitëse mbi liqenin e Shkodrës, nën diellin e
dimrit. Rrugët janë një përzierje e infrastrukturës së vjetër, me ish
asfalt të shkalafitur e plot gropa, dhe rrugëve të reja, përfshi dhe
autostradat me dy korsi e ndarje betoni, segmente të cilat ende janë në
ndërtim aty-këtu. Për vizitorin që e ka sefte, udhëtimi nëpër Shqipëri
përfshin kalimin nga njëri ekstrem tek tjetri, ku faktori i
paparashikueshmërisë është i lartë. Por progresi që është bërë me
ndërtimet, nënkupton që gjërat gradualisht po përmirësohen.
Për një vend me veç 3 milionë banorë, ekzistojnë katër rrjete telefonie celulare!
Çuditem sesi arrijnë të fitojnë, dhe lidere e sektorit është Vodafone.
Emrat e tjerë nuk të lënë të kuptosh se ç’origjinë kanë, nëse nuk
kërkon shpjegime; rrjeti Eagle mund të jetë vendas, meqë shqiponja
është simboli i flamurit. Dhe sidomos në këtë vit 100 vjetori të
Pavarësisë së vendit, flamujt i sheh gjithandej. Mbase është një mënyrë
paqëtimi e qetësimi i një populli me 100 vjet histori të trazuar
shtetërore. Nuk mungojnë as flamujt e BE-së dhe SHBA-së, nëpër
ballkone, lokale e rrugë. Supozohet që kjo të reflektojë dëshirën për
t’u anëtarësuar në BE, që në fakt nuk po kalon ditë të mirë këto kohë, e
megjithatë perceptohet si gjë e mirë nga shumica e njerëzve. Disa
fonde para-anëtarësimi po mbërrijnë, shumica e tyre me destinacion
përafrimin e prodhimeve bujqësore në standardet europiane. Por rruga
përpara është e gjatë…
Përse flamuri amerikan gjendet gjithandej, është diçka që nuk ja dola ta kuptoj në këtë udhëtim të shkurtër.
Përfundimisht,
pavarësisht nga fama që ka marrë ky vend për qeverisjen e keqe,
korrupsionin dhe trafiqet mafioze, për një vizitor afatshkurtër aspekti
më goditës është sesa miqësorë, mikpritës e ndihmues janë njerëzit,
dhe sa e këndshme është atmosfera, edhe kur mysafiri nuk nxjerr dot nga
goja as fjalët më të thjeshta në shqip.
*Nga OpenDemocracy. Botuar nga Revista Klan