Sunday, December 26, 2010

Qëlloi të atin me thikë, adoleshentja: Më ka nxirë jetën

Dhuna në familje, 10-fishim/ Kryefamiljari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Fierit

FIER - Gjendja shëndetësore e 58-vjeçarit nga Fieri pas plagosjes me mjete të mprehta nga vajza e tij 14-vjeçare, sipas mjekëve të spitalit rajonal është e rëndë. "Ka qenë një operacion i ndërlikuar dhe i vështirë, - shprehen mjekët kirurgë të këtj spitali. - Ishin katër plagë të shkaktura nga një thikë, ku njëra prej tyre, ajo e pjesës mbi kërthizë, ishte e thellë".
Gjithsesi, tashmë 58-vjeçari, banor i lagjes "8 Shkurti" në Fier, ndodhet në sallën e reanimacionit dhe është nën mbikëqyrjen e personelit mjekësor. Krahas kujdesit që po tregohet nga mjekët, pranë shtratit të të plagosurit, të cilit po i jepet oksigjen për frymërmarrje, qëndron vajza e tij e madhe. Ndërsa vëllai i 58-vjeçarit nuk dëshironte të prononcohej lidhur me këtë ngjarje. Kjo, sipas tij, është një çështje personale familjare midis vajzës dhe babait të saj.

Është drejtësia ajo që do të zbardhë plotësisht këtë ngjarje.
Ndërkaq 14-vjeçarja, edhe pse e tronditur, është marrë në pyetje nga oficerë të policisë gjyqësore në prani të një psikologeje. Vajza ka dëshmuar se babai i saj e keqtrajtonte gjithnjë dhe sidomos kur pinte.
"Babai më ka nxirë jetën", mësohet të jetë shprehur adoleshentja, e cila lidhur me ditën e ngjarjes dhe me mungesën dy ditë rresht në shkollë, ka deklaruar: "Nuk kam shkuar në shkollë dy ditë pasi kisha shenja në fytyrë dhe më vinte turp nga shoqet".
Problemet me të atin duket se kanë qenë shumë të thella, pasi vajza është shprehur se nuk ka dashur ta shikojë më të atin gjatë gjithë jetës së vet. 14-vjeçarja është arrestuar paraditen e djeshme dhe është shoqëruar për në qytetin e Vlorës për t'u gjykuar nga Gjykata e të Miturve.
Ngjarja e ndodhur mesditën e së martës është një tjetër rast dhune që i shtohet statistikave të rënda në qarkun e Fierit për vitin 2010. Ato tregojnë njëkohësisht dhe tendencën në rritje që ka ky lloj krimi brenda familjes.
Shefi i sektorit kundër dhunës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, Flamur Molla, ditë më parë në një takim kushtuar dhunës në familje në Qarkun e Fierit publikoi statistikat e dhunës kryesisht brenda familjes, ku objekt është femra.
"Ky vit ka qenë një vit i një pune intensive për të evidentuar rastet e dhunës kryesisht ndaj grave (brenda familjes), pasi të gjithë e dimë që në familjen shqiptare, gruaja shqiptare mbart rezerva për ta bërë publike dhunën brenda familjes, edhe pse ajo mund të jetë objekt i sulmeve të vazhdueshme dhe me pasoja fatale.
Gjatë vitit 2010 ne kemi të arkivuara dhe kemi trajtuar 85 raste që duke i krahasuar me dy vitet e kaluara, shënojnë qartë një ndryshim shumë të madh.
Në vitin 2009 kemi pasur 9 raste të dhunës brenda familjes dhe në vitin 2008 vetëm 5 të tilla",- u shpreh në takim shefi i sektorit kundër dhunës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, Flamur Molla, teksa vijoi se "nëse do të duam që të luftojmë dhunën, nuk besoj se mjafton vetëm dëshira e mirë.
Duhet që të zbatohet ligji që tashmë ka hyrë në fuqi që në vitin 2008 apo burimet njerëzore, por në radhë të parë kërkohet bashkëpunimi ndërinstitucional, një fond posaçërisht për këto raste dhe një strukturë (staf) e specializuar dhe një qendër enkas për trajtimin e këtyre rasteve".

Rastet e dhunës së trajtuar në qarkun e Fierit
Viti 2010 - 85 raste
Viti 2009 - 9 raste
Viti 2008 - 5 raste 

Shekulli

Shqiptarët e mirë dhe serbët e këqinj

SHQIPNI TAVOLINASH
Përpara se të ulesha të shkruaj për punë të akuzave ndaj Thaçit, u përpoqa të kuptoj më qartë akuzat që i varen në qafë: trafik organesh, armësh dhe droge.
Për këtë punën e trafikut të organeve, fola me një mjek nëse ishte e mundur t’i merren organet një fatziu jashtë kushteve klinike. Doktori e mori me të qeshur pyetjen time dhe më shpjegoi se një gjë e tillë është absolutisht e pamundur, pasi vetë procedura qoftë e operacionit e qoftë procedura e konservimit të organeve, kërkon kushte klinike shumë speciale. Me një fjalë, të pretendosh që një operacion i tillë bëhet majë maleve në shtëpinë e një fshatari, është si të pretendosh të krijosh bombën atomike në Teqenë e Krujës, apo të studiosh vrimat e zeza të universit nga kisha e Shna Nout të Laçit.

Sa i takon akuzës për trafik armësh, zor të mendohet që në Kosovë u bë një Luftë që zgjati me vite, pa pasur trafik armësh, se lufta me dyfekë bëhet e jo me hunj gardhi, kështu që kjo punë nuk më duket ndonjë qamet i madh.

Ndërsa për punë të akuzës për trafik droge, zor të gjesh qeveritar të kësaj ane të Ballkanit që nuk është marrë me këto punë, apo që më e pakta nuk ka qenë akuzuar për punë drogërash.

Por kjo çështja e akuzave dhe përgojimit, ka edhe një qasje tjetër. Ne tani të gjithë u sulëm të akuzojmë të përjetshmet qarqe që nuk na duan të mirën, se po vazhdojnë të mos na duan të mirën dhe të na prishin reputacionin e llagartë të qeveritarit shqiptar.

Mirëpo si i bëhet që ka 200 vjet që akuzojmë të tjerët se nuk na duan të mirën dhe nuk u ulëm njëherë e të bëjmë edhe ne punën tonë, që të mos ngjitë llafi i tyre, por toni?
Më kujtohet nja 100 vjet të shkuara, kur serbët mbushën kancelaritë e Europës me sharje për ne, sharje që shkuan deri aty sa të thonë se shqiptarët kanë bisht. Aq shumë e thanë e aq shumë i mobilizuan mjetet e tyre të propagandës e diplomacisë, të shkencës e të gazetave, sa një pjesë e madhe e opinionit europian aso kohe, zuri ta besojë për të vërtetë këtë punën e bishtit. Sa të sqarohej puna se shqipot s’kishin bisht, serbët mbaruan punët e tyre dhe morën ç’mundën nga trojet shqiptare.

Edhe kësaj radhe reagimi ynë jo vetëm erdhi kur plasën akuzat, por edhe atëherë qe sa për të thënë. Meta u gjend në Beograd pikërisht në ditët kur vlonin akuzat kundër Thaçit dhe jo vetëm kundër tij, por edhe kundër vetë vendit të Metës, pasi Raporti thosh se ofiçina e organeve ishte në Shqipëri.
As që bëri gëk e mëk ministri ynë, për gjithë këto akuza. Kreu i opozitës i ra shkurt, duke thënë se akuzonjësi (që është edhe deputet i Këshillit të Europës) na qenka i marrë.
Për rrjedhojë i bie që edhe Këshilli që miratoi një ditë më pas raportin e të marrit qenkan shokët e të marrit. Dhe pastaj presim që ata të flasin mirë për ne.
Ministri i Brendshëm na del tani që, në vitin 2004 na paskësh qenë përkthyes i ekspertit që sot po na bën gjëmën. Vetë përfaqësuesit shqiptarë të Këshillit të Europës, të majtë e të djathtë, as nuk begenisën të ngrihen e të shkojnë në seancën ku do miratohej raporti.
Njëri syresh tha në televizor se nuk shkuan se Jozefina nuk ju jep paratë e dietave. Tjetra ikte me vrap kur shihte kamerat se nuk donte të prononcohej.  

Merre me mend kur çështja kombëtare e shqiptarëve, paska mbetur në dorë të Jozefinës që nuk jep dietat dhe të Lailasë që përton të shkojë edhe me dieta.
Më fantastiku nga të gjithë del ministri ynë i Jashtëm, që thërret ambasadoren e Zvicrës dhe i kërkon llogari. Demek, sepse Karla del Ponte është zvicerane! Me këtë mendje, duhet t’i kërkojmë llogari Arvizut për bombat atomike në Hiroshima, sepse edhe ky ka lindur në një bazë amerikane në Japoni.
Në mes të gjithë këtyre reagimeve foshnjarake, askush nuk vret mendjen të kuptojë se pse paska ngjitur propaganda e Serbisë dhe jo e vërteta jonë.

Përgjigjja është e thjeshtë, sepse serbët kanë shtet dhe janë seriozë edhe kur gënjejnë, ndërsa ne jemi kalamaj dhe s’na merr njeri seriozisht edhe kur themi të vërteta.

Serbët kanë ngritur një platformë akademike kundër nesh që prej më shumë se një shekulli dhe vazhdojnë t’i përmbahen e ta zbatojnë me të njëjtin impenjim. Ne edhe atë copë Akademi që na la Enveri e shpartalluam dhe tani nuk i ka mbetur më as nam e as nishan. Serbët kanë zbulim e kundërzbulim, kanë organe inteligjence, ndërsa ne kemi dy vjet që e vetmja gjë që merremi është të bëjmë komplote se si t’i presim fondet SHISH-it dhe t’i bëjmë puç për ta hequr, Kryetarin e Shërbimit tonë Inteligjent. Serbët kanë diplomatë e diplomaci, bëjnë lobing e pajtojnë edhe ekspertë perëndimorë për këtë punë, ndërsa ne as dymijë euro për të pirë nga një birrë për Festën e Flamurit nëpër ambasada nuk e kemi. Sepse serbët kanë e ç’nuk kanë, ndërsa ne nuk kemi atë kryesoren, shtetin prej vërteti.

Kur ndodhi ajo që ndodhi në Gërdec, sipas të njëjtit skenar, nxorëm edhe teorinë se depot na i shpërthyen serbët për të na destabilizuar. Prapë fajin e kishte i ligu që na do të ligën dhe jo ne që e dimë se kë kemi fqinj dhe s’dimë të mbrohemi. Klasa politike serbe është e nderuar para popullit të vet.
Ç’prej Kongresit të Berlinit të vitit 1878 e deri më sot, ajo klasë politike e ka përmbushur dhe vazhdon ta përmbushë misionin e vet para popullit të vet. Edhe kur ja doli t’i mbushte mendjen botës që të merrte trojet shqiptare që sot janë Serbi e Jugut, edhe kur ja doli të merrte Kosovën dhe ta mbante për një shekull, edhe kur për pak ja dolën ta bënin edhe Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë, edhe kur i shkombëtarizuan dhe përzunë në Turqi një gjysmë milioni shqiptarë, edhe kur po detyrojnë ende botën mbarë të merret me hallin e dy manastireve të tyre që gjenden në Kosovë.

Po ne, ne ç’kemi bërë?
J'ua them unë se ç’kemi bërë.
Mjafton të kujtoj këtu se në këta njëqind e tridhjetë vjet, asnjëherë serbët nuk na i kanë bërë të keqen me serbë, por me shqiptarë të pa din e iman.

Shqiptarë ishin ata që bënin kryengritje në Mirditë kundër Shqipërisë më 1921 të paguar nga Serbia, shqiptarë ishin ata që përmbysën qeverinë e Tiranës në dhjetor të 1924 të nisur nga Serbia, shqiptarë ishin ata që thërrisnin për Titon në ‘45-ën, shqiptarë ishin ata që furnizuan me naftë Serbinë në ‘94-ën, shqiptarë ishin ata që dolën kundër UÇK-së në Rambuje, shqiptarë janë edhe këta të sotmit që bëjnë nga këto pelivanllëqet që pamë të bëjnë këto ditë.  
Fazlliç në tryezën e shtetit shqiptar
Sa për kujtesë, shqiptarë do të jenë edhe ata të nesërmit e të pasnesërmit, që do bëjnë pazaret e radhës me Serbinë, sa herë t’ua dojë xhepi i xhaketës së tyre apo interesi i karriges së tyre. Vazhdoni ju tani të thoni e të shani serbin, që s’na dashka të mirën, që ne vetë s’ia duam vetes.

Artan Lame, Shqip

Patriotizmi dhe vlerat e harruara të kombit

A është patriotizmi diçka e tejkaluar nga zhvillimet globale, anëtarësimi në NATO dhe ai i pritshëm në BE?
Djegia e flamurit në Itali dhe heshtja e Tiranës



Për shumë shqipfolës, drejtues forumesh e politikanë, patriotizmi shihet si një anakronizëm që duhet lënë pas në emër të një integrimi shpeshherë thjesht demagogjik dhe duke harruar që ajo pjesë e botës apo Europës në të cilën dëshirojmë të hyjmë është edhe një botë vlerash dhe normash, të cilat popujt e tjerë i kanë dhe i ushqejnë me xhelozi, është një botë e përbashkët diversitetesh.

Patriotizmi përbën ende një tërësi vlerash të pamohueshme dhe gjithëpërfshirëse që jo vetëm duhen ruajtur, por duhen vënë në zhvillim të konsolidimit të ndërgjegjes shoqërore dhe kombëtare, në funksion të zhvillimit.
Dikur, në një diskutim, në forume të shkencave politike, analizova ngjarjet e 1997-s dhe shkatërrimin e shtetit shqiptar. Një ndër pyetjet që m’u drejtua ishte edhe ajo mbi faktorin e mundshëm të kohezionit (domosdoshmëri për çdo grup, komunitet dhe shoqëri) që duhet të nxitet në Shqipëri. Dhe përgjigjja ime ishte patriotizmi, dashuria e natyrshme për kombin dhe vendin tënd dhe jo ksenofobia ose shovinizmi. Këtë e argumentova dhe i qëndroj ende sot me arsyetimin se në Shqipëri një pjesë e vlerave dhe kulturës tradicionale u shkatërrua nga periudha e regjimit komunist, i cili dështoi nga ana e tij në krijimin e një strukture universalisht të pranueshme vlerash dhe normash morale (“njeriu i ri”) që së bashku me dëmtimin e rëndë që iu shkaktua institucioneve të fesë, idealeve atdhetare (nëpërmjet krijimit të binomit artificial atdhe – parti) si dhe moskrijimit të institucioneve (institucion në kuptimin më të gjerë të fjalës dhe jo thjesht një bashkësi zyrash dhe punonjësish) shtetërore të fuqishme dhe të respektuara nga populli, çoi në një defragmentizim të rrezikshëm të shoqërisë shqiptare dhe në ngjarje si ato të viteve ‘97 kur shteti edhe një herë u konsiderua si diçka abstrakte dhe e huaj, si një armik që duhej luftuar, duke harruar që çdo shtet është më i mirë se mungesa e tij.
Të gjitha këto sigurisht vijnë edhe si rrjedhojë e fateve të këqija historike që na kanë ndjekur në shekuj. Por a i duhet lënë çdo faj fatit? Më shumë se te fati apo te pozita e favorshme gjeografike (një nocion që na është përsëritur pambarimisht si shkak për pushtimet e pafund që kemi pësuar), faji duhet kërkuar te ne vetë që në shumicën dërrmuese të rasteve kemi zgjedhur në “krye të vendit” për të na drejtuar njerëz më së pakti të paaftë, por shumë shpesh të paskrupullt që në të gjithë jetën e tyre kanë ndjekur vetëm e vetëm interesa personale dhe meskine.
Djegia e flamurit në Rusi dhe heshtja e Tiranës
Ndryshe nuk ka si shpjegohet që ende në shekullin XXI, Shqipëria nuk ka një strategji kombëtare, nuk ka një politikë të jashtme të qëndrueshme, nuk ka objektiva afatgjatë apo afatmesëm, nuk ka një strategji të mbrojtjes kombëtare etj., për të mos përmendur raste flagrante kur në poste drejtuese të shtetit, deri në ministra dhe zëvendësministra, ka elementë me dosje ende të pambyllura penale, me dosje të hapura për spiunazh, pa arsimin përkatës, me dokumente të falsifikuara, me nivel të lartë  imoraliteti…
Çdo grupim ka nevojë për një fill përshkues, të fortë dhe të pranuar nga të gjithë që t’i lidhë individët me shoqërinë.
Në rastin e Shqipërisë këtë rol nuk mundet ta luajë feja (pasi shqiptarët nuk kanë qenë ndonjëherë të lidhur vërtet me të dhe aq më tepër janë të ndarë në disa syresh), as tradita (e cila u dëmtua ndjeshëm në vitet e komunizmit dhe sot, edhe kur ndihet, është e deformuar), as norma morale dhe shoqërore të krijuara në vazhdën e historisë, sepse fatkeqësisht historia jonë përbëhet më së shumti nga pushtime dhe ndërrime pushtimesh të ndryshme, ushtarake, politike apo ideologjike.
Ajo që mbetet nuk është veçse ideja e patriotizmit, e njësimit të individit me kombin, e krijimit dhe nxitjes së një sërë idealesh patriotike që do të krijonin pikërisht atë amalgamë – faktor koheziv që sot i mungon së tepërmi shoqërisë shqiptare.
Për fat të keq, roli që duhet të luajnë institucionet shtetërore dhe klasa politike në përgjithësi, në këtë drejtim, është jo vetëm poshtë niveleve minimale të pranueshme por shpeshherë përbëhet thuajse ekskluzivisht nga shembuj negativë. Në institucionet tona shpeshherë mungon flamuri kombëtar.
Edhe në ato raste që duket nga jashtë, është në gjendje të mjerueshme dhe pothuaj në të gjithë rastet i vendosur në një dru jo më shumë se 1.5 metër. A thua se vuan shteti për disa shtylla metalike prej 5 apo 10 metrash ku të vendosen flamuj aq të mëdhenj sa të paktën të dallohen nga blloku përballë i banesave! Edhe një iniciativë e ministrit të atëhershëm të Arsimit, Z. Genc Pollo, për të vendosur këndimin e himnit kombëtar në shkolla, sikur u harrua dhe nuk shihet më të zbatohet. Patriotizmi shqiptar sot mund të shihet vetëm në raste ndeshjesh të kombëtares (ku një pjesë e tifozëve e këndojnë himnin – por ka shumë nga ata që nuk e hapin gojën, sepse nuk e dinë atë…).
Dhe çfarë modelesh na ofrojnë “udhëheqësit tanë”?!
Ne kemi sot zyrtarë të lartë të shtetit me nënshtetësi jo shqiptare, ne paguajmë sot ambasadorë dhe punonjës ambasadash që kanë flakur pasaportën shqiptare dhe e kanë zëvendësuar atë me të ndonjë shteti tjetër, ne kemi dhjetëra përfaqësues të lartë të shtetit dhe të politikës që dinë pak ose aspak për historinë e popullit të cilin përfaqësojnë në arenën ndërkombëtare dhe që i bëjnë bisht çdo bisede apo akuze për Ballkanin, Shqipërinë dhe historinë, sepse thjesht nuk dinë asgjë çfarë të thonë.
Rënia e Kostandinopojës dhe Kostandini ilir me shqiponjën dy krenare!
Ne sot u japim të menaxhojnë paratë tona të taksave, arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë, një tufe imoralësh të nivelit më të rëndomtë që në horizontin e aspiratave të tyre kanë një dashnore, një makinë super të shtrenjtë dhe disa milionë euro në bankë (ndërsa interesat kombëtare, përkushtimi për punën, profesionalizmi nuk dihet se në ç’arkivë të mendjes së tyre është pluhurosur).

Dhe ironia kthehet në sarkazëm kur këta “baballarë të kombit”, edhe në fjalimet e tyre (zakonisht të përgatitura nga të tretë), edhe në fjalët e tyre (që gjithmonë i merr era) nuk dinë dhe nuk duan t’i japin këtij populli të çoroditur një drejtim patriotik, të fillojnë të paktën me fjalë të krijojnë atë strukturë normash morale, politike e sociale që të shërbente si bazë solide dhe e patjetërsueshme e kombit shqiptar dhe, pse jo, e strategjisë kombëtare.
Por këtë, ajme, nuk mund ta bëjnë ata që vlerat i kanë humbur e shkelur me kohë, ata që njohin vetëm aromë gruaje, tip makine dhe fëshfërimë euroje.
Realiteti shqiptar sot paraqitet deri diku i zvetënuar dhe shumë pak po bëhet që shqiptarëve t’u kthehet krenaria e të qenët shqiptar dhe që brezat e rinj të identifikohen së pari me të qenët pjesë e një kombi dhe jo të mendojnë që në moshë të njomë si të kenë një makinë, si të arrijnë një post sa më të lartë dhe si të bëjnë korrupsion e të pasurohen brenda një viti, pavarësisht së çfarë do t’ju duhet të sakrifikojnë: emrin, fenë, kombësinë, nderin apo moralin.
* * *

Duke dëgjuar muzikë shqiptare në youtube ndesha edhe në disa këngë të mrekullueshme për Çamërinë e për Kosovën. Dhe sinqerisht u emocionova. U entuziazmova edhe nga qindra e mijëra komente të shqiptarëve nga e gjithë bota që tregojnë patriotizëm. Që tregojnë që kombi shqiptar ende ruan vlera atdhetare, vlera për të cilat ka me se të krenohet.
Ai popull që harron gabon sërish; dhe ne, shqiptarët, e kemi provuar më së miri këtë.
Krijimi i ndërgjegjes kombëtare, konsolidimi i saj dhe përdorimi në kah pozitiv mund të bëhen përparësi e inteligjencies shqiptare, e pjesës më të shëndoshë të politikës dhe të mbarë atyre që ende krenohen me emrin shqiptar.

Elisabeta Kafia, G. Shqip

Dëshmitari: Më ofruan 100 mijë euro që të pohoja “shtëpinë e verdhë”

Radio Televizioni i Kosovës sjell rrëfimin ekskluziv të dëshmitarit të cilit i ishin ofruar shuma të mëdha parash në këmbim të deklaratës për të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë”. E dëgjuar vetëm në prokurori, dëshmia e tij sjell detaje të takimeve me Igor Jucinacin, i dyshuar dhe i arrestuar në qershor të 2009-tës, dhe i liruar në shkurt të këtij viti nga një gjyqtar ndërkombëtar.
Shtëpia e verdhë e qorrave Bardh e Zi
Një dëshmitar ka thënë për RTK se Igor Juçinac, i ka ofruar shuma të mëdha të parave që të deklarojë rrejshëm ndaj rastit “shtëpia e verdhë”, të cilën ofertë nuk e ka pranuar dhe se e ka paraqitur në polici. Dëshmitari ka thënë se dëshmia e tij kurrë nuk është marrë parasysh nga prokuroria.
Policia e Kosovës kishte arrestuar vitin e kaluar Igor Juçinac  shtetas i Kosovës (1976), Milutin Radanoviç shtetas i Serbisë (1957), Predrag Zheljkoviç, shtetas i Serbisë (1976) , nën dyshimin se kanë kryer vepra kriminale, duke ofruar shuma të mëdha parash, më shumë se 100 mijë euro për të gjithë ata që bëhen dëshmitarë të aferës rreth marrjes dhe trafikimit të organeve njerëzore nga ushtarët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.  
Por të arrestuarit, janë liruar gjatë vitit 2010 nga një gjykatës ndërkombëtar, me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme në akuzën ndaj të dyshuarve.

Dëshmitari i RTK-së deklaroi se në takim Igori i ka thënë se ”kanë të bëjnë me një biznes që do të përfitojnë shumë, dhe e ka pyetur se për çfarë biznesi bëhet fjalë, Igori i është përgjigjur se vinë disa persona nga Beogradi, që të kërkojnë një deklaratë nga ai, dhe duhet të thotë atë që të thonë ata, pamarre parasysh nëse di diçka apo nuk di, dhe i ka përmendur “shtëpinë e verdhë”, të cilën fjalë thotë se e ka dëgjuar për herë të parë nga ai”.
Dëshmitari pohoi se së pari i ka ofruar 30 mijë euro për deklaratën e rrejshme, herën e dytë 70 mijë dhe herën e tretë 100 mijë euro, të cilat para nuk i ka pranuar.
**** Marty

Albert Dumont, Në malet shqiptare, duke kërkuar zakonet homerike…

Në vitin 1988,Ismail Kadare botonte në Tiranë romanin e tij “Një dosje për Homerin”, apo Dossier H, e botuar më pas në Francë. Ishte historia e udhëtimit të ethshëm të dy irlandezëve të New York-ut nëpër malet shqiptare në vitet ‘30, që vinin të kërkonin përqasjet e botës homerike me atë të jetës së atyre maleve, ku këngët dhe ritet, pesha e gjakut, tragjikja e llahtarisur, mbartnin ende një ngarkesë të përngjashme me atë të tregimeve të Homerit të verbër në Iliadë-n dhe Odise-un e tij.
Romani i Kadaresë nisej në fakt, nga një ngjarje që kishte ndodhur vërtetë në Shqipërinë veriore të atyre viteve. Por gati një shekull më parë se ata, kishte qënë në fakt një francez, i cili kishte bredhur në malet shqiptare në kërkim të këtij prushi, të cilin ai e preku realisht. Ky ishte Albert Dumont, një nga studiuesit më me emër të Francës mbi antikitetin dhe Ballkanin.




Ç’kishte ndodhur atëherë?
Në mëngjesin e 23 dhjetorit të vitit 1871, Albert Dumont (Charles-Albert-Auguste-Eugène Dumont) linte portin e Kotorrit. Në bllokun e tij të shënimeve, ai nuk harronte të shënonte për natyrën e atyre brigjeve ku “Në breg orkestra e regjimentit austriak luan muzikë”. Anija “Miramar”, e shoqërisë “Lloyd”, e cila kishte vite që rrihte brigjet e Adriatikut, ndaloi në Tivar, ku atij tashmë i duhet të shkojë me kuaj nga Tivari për në Shkodër. Koha ëshë e ftohtë dhe qielli larg gjëmon. “Rruga gjer në Shkodër shkon shtatë, pesëmbëdhjetë apo njëzetë orë, sipas stinës, shirave ose ujit nëpër shtigje” - shënon ai. Rruga në fakt është plot ngjitje e zbritje, mes shkëmbenjve, ku padyshim, pamjet madhështore e habisin çdo udhëtar të huaj që zbret në këto anë, siç do ta mrekulluonin disa vite më pas, Pierre Loti-n. Nga Leqet e Hotit ata zbrisnin drejt Shkodrës, por sapo hyjnë në rrugën që zgjatet drejt qytetit, atje rrëzë kështjellës, ai shikon dyqanet, ku siç shkruan ai “Në pazarin e Shkodrës, një nga më të rëndësishmit e Turqisë, vijnë nga të gjitha malet e pashallikut si dhe nga Mali i Zi. Por çdo vit, uji përmbyt dyqanet e tij.” Tri muaj më parë, për Shkodrën, atij i kishte folur miku i tij, etnografi dhe kartografi i njohur francez Guillaume Lejean, i cili për herë të dytë e kishte vizituar Shqipërinë. Ai e kishte takuar në Maqedoni, gjatë një udhëtimi. “E takova në Filipopolis, ku ishte sëmurë nga ethet, pas gjithë atyre lodhjeve të mëdha…” - shkruante ai. Biseda për Shqipërinë ishte e nevojshme për të, pasi Dumont përgatiste udhëtimin e tij drejt atyre viseve që fare pak njerëz i kishin shkelur. Dhe ja tani, ai vëzhgonte tokën shqiptare, njerëzit, sjelljet e tyre, takohej me konsullin francez në Shkodër dhe fillonte të frekuentonte kafenetë e këtij qyteti, të njohur për kështjellën e tij, takonte malësorë dhë shpejt merr udhën e maleve.

Greqia homerike në malet shqiptare

Albert Dumont, i cili prej disa vitesh ishte marrë me mbishkrimet e vjetra, ishte nisur me një qëllim të caktuar: të gjente përafërsitë e antikitetit grek me shqiptarët e maleve veriore.
Kur shkruan për tributë, ai thotë se “ata jetojnë të izoluar, por kanë një kryeplak, i cili vendos për kohën e kullotave, ndarjen e tyre, kohën e shtegtimit, kur ka ankesa të një fqinji për tjetrin, etj. Në Greqinë antike, qeveritarët e çdo tribuje quheshin “pleq”. Ishin ata që bënin drejtësi, ashtu të ulur mbi gurë, në formë rrethi, siç tregohet dhe në mburojën e Akilit.
Kur prijësit shqiptarë mblidhen po kështu për të vendosur, ata formojnë atë që quhet “rrethi i gjakut” (la ronde du sang), çka sagat e vjetra e quajnë “gerichtsring”.
Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, nga veriu në jug, idea e Dumont merr një formë solide: ai është i bindur se prushi i dikurshëm homerik është ende i ndezur në malet shqiptare.
Një shekull më pas, po të ishte gjallë, ai do të gëzohej, nëse do të merrte vesh se një udhëtim të tillë kishin bërë studjues të tjerë, kësaj rradhe nga një botë më e qytetëruar. Milman Parry, ishte një nga ata që kishte studiuar traditën gojore të Jugosllavisë në vitet 1933 dhe 1934. Në një nga udhëtimet e tij në Novi Pazar, ai kishte regjistruar disa rapsodë shqiptarë, të cilët këndonin në dy gjuhët: serbisht dhe shqip të njëjtat këngë të “Eposit shqiptar të Veriut”, ose “Ciklit të Kreshnikëve”, siç do ta quajmë atë. Në Evropë ishte koha e vlerësimit apo e “Kultit të epopesë homerike”, meqë letrarët e kontinentit të Vjetër po i riktheheshin legjendave dhe bëmave homerike. Pasi kishte mësuar shqipen në Dubrovnik, Parry udhëtoi nëpër fshtatrat e Malësisë së Madhe e në Dukagjin, duke rrahur shtigjet e Bogës, duke iu ngjitur Thethit, Tropojës e Kukësit.
Në vitin 1938, ai mblodhi pothuaj njëqind këngë rapsodike, mes të cilave këngët e Gjeto Basho Mujës, Ago Ymerit apo Gjergj Elez Alisë. Në udhëtimet e mëpasme Parry u shoqërua edhe nga Albert Lord, profesor i gjuhëve sllave në Universitetin e Harvardit. Vallë a e dinin ata se një studjues i njohur francez, kishte qenë një pararendës i udhëtimeve të tyre dhe se ata ecnin tani në gjurmët e tij? Ndoshta!...
- “Hyjmë në një shtëpi të vjetër që shërben dhe si bakall, - shkruante atëherë Dumont, në librin që do të botonte nën titullin “Ballkani dhe Adriatiku”. - Ishte një lloj dyqani ku shiten erëza, verë, likere dhe gjithçka e nevojshme për këtë popull që ka pak nevoja. Një grua rreth të pesëdhjetave është ulur në një cep: ka gjashtë javë që nuk e ka lëshuar atë vënd. Ditën e kalon duke qarë e duke klithur: “Ah, ata që vranë tim bir!” Djali i viktimës pret klientët dhe duket i ngushëlluar. Ai na shpjegon se një nga fqinjët erdhi aty, një grindje plasi, thikat u nxorrën dhe ati i tij u vra e ra i vdekur. “Ishte vërtet një trim! – na thanë ata përreth. – Cili, i vrari apo vrasësi? – Oh, që të dy. Kështu është këtu. Ishte zemërimi i Zotit që solli të keqen! Dhe fajtori ia kishte mbathur nga frika e hakmarrjes të të afërmve të viktimës. Por askush nuk mendon ta qortojë atë moralisht. Madje dhe kjo nënë që nuk mund të ngushëllohet dot e as vrasësi i mallkuar, i cili nuk beson se vrasja është një krim kaq i madh…
Ky lloj shpagimi, i gjakut për gjak, apo i dëmshpërblimit të gjakut të derdhur, ishte harruar në Evropë. E megjithatë, në malet e thella shqiptare dhe ato të Malit të Zi, ky shpagim kishte krijuar mekanizmin e vet, i cili lëvizte, diku pengohej, ndalohej e pastaj vihej përsëri në lëvizje, me një jehonë të vazhdueshme krismash që nuk ndalonin. Dhe kjo, Dumont-it i rikujtonte Antikitetin grek, të cilin shtatë vjet më parë e kishte studjuar në Shkollën Franceze të Athinës.
“Streha që i jepej një njeriu, - vazhdon ai, - që kishte bërë vrasje në shoqërinë antike greke, shpjegohet nga këto mendësi e vrasje.
Shqiptari është mikpritës për vrasësin që fshihet dhe që nuk është i klanit të tij. Ai e mirëpret dhe i siguron atij mbrojtjen. Vetëm familja e të vrarit ka të drejtë të shpagohet ndaj tij. Dhe kuptohet lehtë ajo që ata kuptojnë me njeri të mirë apo të keq, çka e gjejmë në shprehjet e vjetra homerike. Ai që është i mirë, nuk është shqiptari i virtytit, që e zotëron vetveten dhe pasionet e tij, por është njeriu i fortë, ai që imponohet nga fjala dhe veprimet e tij, është ai, para të cilit duhet të nënshtrohesh, ai që vërtet është zot i të tjerëve. I keq është i dobëti, i ndrojturi.
Shqiptari tregon me krenari që i vodhi delet e tribusë fqinje. Ai e ka kapur atë në befasi, e ka mashtruar dhe e ka vrarë armikun e tij, pasi askush nuk është më dinak se ai. Askush tjetër nuk e bën më shumë viktimën të vuajë se sa ai. Kështu dhe i mënçuri Nestor mburrej në kuvendin e grekëve për barbarinë e kohës së rinisë së tij. Po kështu, Uliksi pati meritën të citohej si shëmbull midis njerëzve të kohës së tij, duke kujtuar me krenari gjyshin nga e ëma, Antlykos, një grabitës me emër, i cili mbrohej nga hyjnitë, veçanërisht nga Hermes.
Deri në epokën historike, në kohën e Tuqididhit dhe Platonit, pirateria do të mbetej jo vetëm një profesion i nderuar, por ajo do të meritonte respektin popullor. Ne sot nuk e nderojmë një të ftuar po t’i themi: “A jeni pirat?... Por grekët e Homerit e thonin këtë. Dhe shqiptari e pyet gjaksin që fshihet he që do të bëhet miku i tij: “Sa kokë ke prerë?”
Albert Dumont, (1842-1884), gjatë këtij udhëtimi ishte një djalosh 29 vjeçar nga Scey-sur-Saône, i fuqishëm e me kurajo të madhe. Ai di t’i përballojë rrebeshet dhe stuhitë e atyre maleve. Kërshëria për të njohur këtë popull, e shtyn gjithnjë drejt të panjohurës, drejt asaj që fshihet brënda atyre kullave të rënda e të ftohta, por me një shpirt mikpritës, ku miku ishte i barabartë me Hyjnitë.
Ashtu si në kohë antike, edhe këtu ai gjen “taksën e gjakut”. Ai pikas, siç shkruan në shënimet e tij, se gjatë shekujve, pagesa me bagëti kaloi në pagesën me para. “Për shqiptarët, një vrasje vlen 750 piastra. Tarifa e princave “merovingines”(frankët e shekujve V-VIII, L.R.) nuk ishte më e lartë se kaq. Zakoni i pagimit në raste të tilla u zhduk shpejt tek helenët. Në “skenën e gjykimit” që e shohim në mburojën e Akilit, të dyja palët kundërshtare diskutojnë rreth çmimit që duhet paguar për një të vrarë. Grekët përdornin fjalën që më vonë nënkuptonte ndëshkimin. Ndërsa pena, peine, tregon një pagesë, nga fjala latine pendere, poenam. Tacite shkruan se ishte koha e gjatë e gjakmarrjes që bëri të lindë kompensimi. “Duhet ndarë urrejtja ndër të afërmit dhe miqtë e babait të tij. Këto urrejtje nuk janë të pamëshirshme. Madje dhe vrasja pagohet, pësohet, përmes dhënies së një numri kafshësh. Atëherë gjithë familja është e kënaqur”. Kjo frazë zbatohet tek shqiptarët dhe gjermanët”.

Gratë e rrëmbyera si në tregimet antike
- “Jeta shqiptare është tepër e thjeshtë. Ata nuk janë bujq dhe i përbuzin punët e mundimshme. Ata i çojnë bagëtitë në kullota, siç bënin heronjtë grekë, të cilët të gjithë ishin barinj. Nëse stina është shumë e keqe, ata djegin dru dhe bëjnë qymyr. Kjo padyshim është industria primitive që historia mund të ketë… ”  
Atij i bën përshtypje jeta e shqiptarëve nëpër kasolle, por megjithatë habitet që gjen atje thesare të vërteta. Jo vetëm armë të bukura e të punuara në filigran, por dhe varëse ari, bixhuteri të jashtëzakonshme dhe zbukurime të tjera që malësorët i transmetojnë brez pas brezi.

“Si vallë këto xhevahire kanë ardhur deri në këto male? - Askush nuk e di”. Shqiptarët më të respektuar, ata që quhen “plak” dhe që shikohen si nderi i racës së tyre, bëjnë punë dhe nga më të rëndomtat. Gjatë kohës që i biri u prin buajve në arë, si Menelas, i ati ndërton shtëpinë, ashtu si Uliksi. Për darkë, kur ju pret si mik: ai e therr delen vetë, ashtu siç bënte Akili.
Ulemi në tokë në mes enëve më të zakonëshme dhe ju përcillni dorë më dorë, një tas të marrë nga miqtë e tyre të civilizuar. Gratë shërbejnë. Kur darka mbaron, plaku merr lahutën dhe luan vetë, ndërkohë që të rinjtë bëjnë gara ose bashkohen të kapur për qafe, në një valle të vjetër; burrat kapen nga duart dhe bëjnë gjoja si viktimat në labirinthin e Kretës.
Kështu, gjithçka të sjell kujtimin e përshkrimeve homerike…
Aristoti tregon se kërkesa që i fejuari tu paguajë prikë prindërve të nuses është një nga karakteristikat e shoqërisë primitive. Shqiptari e bën këtë pagesë. Kjo shumë e paguar nga burri, në ligjet lombarde quhet “mund” dhe është objekt i shumë diskutimeve. Kodi i Ethelbert përcakton numrin e kafshëve që burri do t’i japë prindërve të gruas së ardhshme. Në të njëjtin kuptim, Homeri shkruan se gratë e bukura vlejnë shumë buaj. Kjo fjalë tek grekët është si “mundinen” tek gjermanët. Në disa tribu, martesa bëhet me të grabitur. Çdokush do të martohet duke grabitur gruan e tribusë armike. Në Orosh, në qendër të Mirditës, pothuaj gjithë gratë janë të grabitura. Princi i zonës, meqë para disa vitesh mbeti i ve, ai grabiti bijën e një beu të Krujës. Dhe kjo është e përgjithshme në këto male… Burri do që askush mos ta prekë atë. Ai është i ëmbël me të, e trajton si fëmijë që kërkon ta përkëdhelin dhe që i ati ia jep. I shtyrë nga instiktet, edhe pse jo nga ndjesi sensuale, shqiptari, krah gruas së tij merr dhe një tjetër. Kisha katolike ka qenë mjaft e ashpër ndaj kësaj praktike, por poligamia nuk është e rrallë tek kristianët dhe muslimanët e këtyre maleve. Prifti nuk i njeh këto lidhje, ndërsa shqiptari nuk i sheh ato si fajtore, edhe pse gruaja legale ka një lloj superioriteti. Tjetra qëndron në një pozitë inferiore, njësoj si tek mbretërit grekë të antikitetit, ku robinat mbushnin shtëpitë e tyre…”
Në çdo vend që ndalonte Dumont, gjente gjurmë të një jete të lashtë, si të thuash gjurmë homerike, atë çka prej shekujsh ishte shuar në tokat parahelene dhe që këtu ishin ende të gjalla.
- “Habitesh ndonjëherë të shohësh ligjet e vjetra në Itali dhe Greqi, ku gruaja përjashtohet nga trashëgimia… Në Shqipëri, vejusha nuk ka asnjë lloj trashëgimie në pronat e burrit të vdekur. Janë të bijtë që marrin tokën dhe bagëtitë. Nëse nëna nuk martohet, ajo konsiderohet si pasuri e lënë nga burri i vdekur, ose më shpesh ato i mbajnë pranë tyre. Shumë herë gruaja kthehet në familjen e prindërve të saj vetëm me gjërat e përdorimit që i japin gjatë fejesës. Zakonet antike tregojnë se në shumë vende, vejusha mund të martohej dhe pa dëshirën e saj me burrat e familjes së burrit të vdekur. Ky zakon është tek shqiptarët dhe ne s’kemi asnjë vështirësi për ta konstatuar atë. Gruaja është më shumë një plaçkë, një objekt, sesa një njeri. Ai konstatoi me habi që në disa qytete, kur vajzat kalonin moshën e adoleshencës, ato i mbanin të mbyllura në shtëpi deri sa ato martoheshin.
- “Ato që janë kristiane dalin një herë në vit për të shkuar në meshën që bëhet posaçërisht për to, gjatë natës së Krishtlindjes. Me përjashtim të kësaj feste, ato shohin veçse njerëzit e familjes dhe priftin që u vjen tu mësojë katekizmin… Udhëtarët e kanë thënë shpesh se një burrë mund të udhëtonte në të gjithë Shqipërinë nën mbrojtjen e një gruaje. Në këto vënde, prekja e nderit të gruas është diçka shumë e rrallë”.
Po. Gjaksi mund të udhëtonte krah një gruaje pa patur frikë se rrugës mund ta vrisnin. Kjo histori i kishte ndodhur dhe një gazetareje franceze, Paule Fercoq de Leslay, e cila ashtu si irlandezët Parry dhe Lord, udhëtonte me kuaj në të njëjtën kohë me ta nëpër malet shqiptare. Një djalosh që kishte bërë një vrasje, kur dëgjoi se ajo kalonte në ato anë, shkoi me të, meqë ajo do merrte udhën drejt kullës së prindërve të tij dhe ai ishte i sigurt se gjatë atij udhëtimi, askush nuk do guxonte të qëllonte, sepse mund të vriste një grua, dhe për më tepër një të huaj…
Gjatë atij rrugëtimi të vështirë, (dimri qënkej vërtet i egër në ato male), Dumont shënonte gjithçka: rite, zakone, tipa socialë, besytni popullore… - “S’ka popull që të mos u ketë besuar shpirtrave. Por ka diçka që ka mbetur e veçantë tek shqiptarët: funeralet dhe banketi për të vdekurit. Kur një shqiptar vdes, mblidhet e gjithë familja: ata shkulin flokët dhe çjerrin faqet, të cilat shpesh mbulohen me gjak. Ai i gris dhe teshat e trupit. Secili nga familja duhet t’i flasë të vdekurit, duke lëvduar dhuntitë e tij: improvizimet e tyre që zgjasin me orë, ndërpriten nga klithma dhe të qara. Kur ke parë një skenë të tillë, kjo s’mund të harrohet…”

Rrush, shegë apo verë për të vdekurit
Rikthimi i traditës pagane në Lezhë, në festën e Shegës!
Një lloj vajtimi tjetër, apo ceremoniali funeral, Dumont ndesh tashmë në jug të Shqipërisë, në Gjirokastër para se të ndërmerrte udhën drejt Epirit të banuara nga shqiptarët ortodoksë : “Rasti e solli që atë ditë të kaloja para një shtëpie ku qanin të vdekurin. Klithmat filluan para se të agonte dhe nuk u ndërprenë veç një çast në mesditë, për të vazhduar pastaj gjer në mbrëmje. Dhe ato dëgjoheshin në tërë lagjen. Ato të qara të vajtueshme, të përzjera me ulurima, nuk i kishin shteruar forcat e vajtojcave, të cilat të nesërmen, gjëndeshin në të njëjtin vënd për të vazhduar vajin. Gjatë gjithë vitit, dy apo tri herë në javë, gratë vijnë për të qarë atë që nuk është më në këtë botë. Praktika të tilla nënkuptojnë impresione të dhunshme që u japin këtyre grave forca të atilla që nuk njihen në vëndet tona. Ka në to një brutalitet të dhimbjes që ne nuk arrijmë ta kuptojmë e çka spektakli i tyre është për ne i padurueshëm.  
Skena është totalisht antike.
Atë e gjejmë tek poetët e parë grekë. Monumentet figurative e tregojnë shpesh këtë, veçanërisht në epokat e para të artit. Ne kemi në muzeumet tona vazo me piktura të zeza dhe tablo prej balte të pjekur, ku gjen ilustrime besnike si të ceremonive shqiptare. Eshtë e vërtetë që në progresin e bërë të kulturës helenike, artistët iu janë shmangur këtyre subjekteve. Zakonet zbuten, skenat funebre bëhen më të qeta… Grekët e shekullit të V dhe të kohërave edhe më të vjetra, afrohen me shqiptarët e sotëm”.
Po kështu, Dymont pikas se në praktikën funerare, të vdekurit i çohen në varr rrush, shegë apo verë, çka “është një nga zakonet e çuditshme që ne gjejmë në gadishullin ballkanik”…- shkruan ai. - Ato i jepen të vdekurit që të gjejë forcat, sepse në varr ai i ruan ende ndjenjat e oreksit dhe kërkesat e tjera të jetës tokësore. Nëse këto ushqime mungojnë, hija e tij reale dhe e dukshme, do ta humbiste forcën që i ka mbetur. Ky besim është po aq i vjetër sa dhe grekët. E gjejmë tek Homeri. Në shekujt e bukur të poetëve, flisnin fare pak për këtë, por ne e shohim se ajo ekzistonte. Ajo ka frymëzuar një seri bazorelievesh. Kristianizmi e luftoi, por nuk e shkatërroi… Por kjo praktikë vazhdon ende në Shqipëri…”

S’ka popull më të vjetër se shqiptarët
Muji dhe Halili
Pikëtakimet e Albert Dumont me shqiptarët janë të shumta dhe tipi i tyre atij i pëlqen dhe është tepër i veçantë me popujt që e rrethojnë. - “Shqiptari dallohet në mënyrë shumë të qartë: një kokë e vogël, një hundë e hollë, këmbë të gjata dhe nervoze, çka të kujton grekërit e hershëm, ashtu siç është paraqitur në një statujë arkaike mbi mermerin e Eginës.
Ecja e tij është elegante dhe ai kënaqet me qëndrimin e tij, megjithë padurimin që të tregojë se ka ndjenjën e së bukurës dhe të harmonisë”. Madje, më pas, duke studjuar për racën shqiptare, ai do të shkruante në librin e tij se “Nuk ka në Evropë popull më të vjetër se ajo e shqiptarëve”, edhe pse ai e di se asnjë dëshmi nuk flet për kohën se kur ata u shfaqën në Ballkan. “Padyshim që shumë e shumë shekuj më parë, ata ishin vendosur aty… - përgjigjet ai.

- Ndër shqiptarët e sotëm, të cilët dikur zotëronin sipërfaqe shumë të mëdha, gjënden emra qytetesh që i përkasin gjuhës së tyre në zona ku shihen veçse serbë e bullgarë.

Ata me siguri që kanë qenë të fundit që i përkisnin kësaj popullsie primitive të lashtë. Ata flasin një gjuhë, karakteristikat themelore të së cilës kanë filluar të njihen mirë në sajë të studimeve të Ksylander, Johan von Hahn, Reinhold dhe së fundi nga Franz Bopp”. Ai shkruan për Ksilander, (Xylander), që kishte qënë një mjek i flotës greke dhe që studioi shqipen e banorëve të Hidrës e Specaj, të marinarëve, me të cilët jetoi shumë vite. Madje dhe librin e tij, ai ua kushtoi këtyre marinarëve. Dhe Dumont mbështet tezën e tij: “Shqipja është një gjuhë indoevropiane që i afrohet më shumë gjuhës latine se sa greke, (shiko veprën Nuits pelasgiques ose Noctes Pelasgica, vepra kushtuar atyre “marinarëve pellazgë”, (nautae pelasgici).”
Albert Dumont na jep shumë të dhëna për gjendjen e shoqërisë shqiptare të asaj periudhe, veçanërisht gjendjen e Kishës katolike në Shqipëri dhe ndarjen ekleziastike, e cila në aktet e Vatikanit shënohej në dosjen Albania turcica, (Shqipëria turke). Ai e kupton se shqiptari nuk është besimtar, “ose më mirë nuk mendon për fenë”, - shkruan ai.
“Nëse për zakon ai praktikon fenë katolike, ai thotë gjithashtu: “Edhe Zoti i Muhametit është i madh”. Ndërsa muslimanët shkojnë tek prifti kristian për festën e Shën Gjergjit e veçanërisht për Krishtlindjet, ku ndezin qirinj për Shën Kollin, (Saint Nicolas)…
Sipas tyre, Zotat mund të jenë shumë. Kjo shpjegon dhe indiferencën e tyre, çka të habit aq shumë në Shqipëri, ku shpesh është e vështirë të dallosh nëse një banor është kristian apo musliman. Një fshat, pranë Shkodrës, sapo e ka mohuar fenë katolike. Ishte një grindje që ishte krijuar mes tyre dhe priftit në mëngjesin e pashkëve rreth orës që duhej të mbante mesha. Por françeskani nuk donte të tërhiqej nga fjala e tij. Pleqtë shkuan dhe takuan pashain. Dhe që atë ditë ata janë bërë muslimanë.”
Dumont na jep gjithashtu të dhëna dhe për gjendjen e gruas shqiptare.
Madje ai ishte habitur nga një fakt i veçantë që kishte dëgjuar në konsullatën franceze në Shkodër. I ishte e dukur e pabesueshme, por njëkohësisht kuptimplote: “Në Shkodër, haremllëku nuk i mbron gratë. Pas konsullatës së Francës ka një përrua të vogël ku brenda një muaji, më 1871, janë gjetur dymbëdhjetë kadavra foshnjesh. Udhëtari francez na informon njëkohësisht se në kohën që ai udhëtonte në trevat shqiptare, pra në vitin 1871, pesë peshkopët në Shqipëri ishin italianë dhe i gjashti ishte një polak. Në Shkodër, prej disa vitesh, është ngritur për të rinjtë një kolezh, të cilët pastaj shkojnë të vazhdojnë studimet në Romë. Ndërsa në dioqezën e Lezhës me 17.000 banorë, “vetëm 50 prej tyre dinin të lexonin dhe dhjetë dinin ta shkruajnë emrin e tyre… Françeskanët pak shqetësohen për arsimimin e tyre…”
Në librin e tij, Dumont vë në pah racën e pastërt shqiptare veçanërisht tek mirditasit, këlmendasit, kastratët, etj, ai thekson në mënyrë të veçantë traditat luftarake të shqiptarëve.
Shqiptarët ishin në betejën e Fornovas, në Itali, shkruan ai, “duke nga kujtuar stratiotët e mëdhenj shqiptarët të ardhur nga Morea e Shqipëria dhe që depërtuan nëpër Evropë, duke shërbyer, siç e thekson me të drejtë ai, në Angli, në Francë e Gjermani, në ushtrinë e mbretit Henry VIII, në atë të perandor Maximilien të Gjermanisë apo të mbretit francez François I”.
Jo pak kohë më parë, ai kishte lexuar dhe një botim të një letrari grek, Zoti Sathas, që siç shkruan ai, “sapo ka botuar një histori të stratiotëve shqiptarë, për njërin prej tyre, Mërkur Bua, e shkruar në greqisht dhe në vargje nga Koronaios i Zantes. Ushtritë e kësaj kohe nuk kishin ushtarë më të mirë se këta stratiotë, këta zviceranë të Orientit. Nëse ata luftojnë si heronjtë homerikë, duke e kthyer strategjinë në dinakëri, në një forcë që lëshohet pa urdhër mbi armikun, ata dinë po ashtu ta pranojnë disiplinën dhe të ndjekin rregullat e tjera të luftës.
E kemi parë në Egjipt në kohën e Mehmet Ali Pashës. E shohim sot në ushtrinë e Portës së Lartë. Kur kanë patur rastin të marrin detet, ata kanë qenë marinarë të shkëlqyer. Porti i Ulqinit, gjatë shekullit XVII, ka patur flotë të rëndësishme gjer me 500 anije tregëtare që lundronin në të gjithë Mesdheun. Janë ata që i kanë dhënë Sulltanit elitën e flotës osmane.
Por dimë gjithashtu se ç’kanë bërë për Pavarësinë greke shqiptarët e Hidrës dhe të Spezaj. Heronj, që poetët i kanë kënduar ashtu sikur pasardhësit e Themistokles dhe të Leonidhas të ishin bij të shqiptarëve të panjohur”.
Duke lëvduar kështu historinë shqiptare, më së fundi Albert Dumont arrin në konkluzionin e tij historik rreth lashtësisë së këtij populli, çka ishte diçka që mbështetej dhe nga disa studjues të tjerë të botës antike, veçanërisht nga tezat e Louis Benloew, autorit të veprës “Greqia para grekërve”. - “Ky popull kaq i panjohur – do të shkruajë Dumont, - i cili ruan imazhin më të saktë të asaj çka ishin etërit e racës greke e latine, meriton gjithnjë interesin e historianit. Ky popull do të mbetet si dëshmitar i gjallë i një të kaluare që shpesh besojnë se është zhdukur. Asnjë vend në Evropë nuk ka zakone më të lashta. Dhe kjo shpjegon habinë e dijetarëve të vërtetë dhe studjuesve të këtyre tribuve, që besonin se ata janë ajo çfarë ka mbetur nga ajo racë misterioze: e pellazgëve që ne gjejmë në gjenezën e dy qytetërimeve më të bukura të botës së vjetër. ”

Drejt Epirit e Moresë, në gjurmë të Bua Shpatës
Në librin e tij, Dumont do të tregojë dhe vazhdimin e udhëtimit të tij në jug të Shqipërisë, duke kapërcyer së pari lumin e Vjosës. “Ne e ndoqëm atë udhë gjatë pesë ditëve, nga Vlora gjer në Janinë, një nga zonat më të bukura të kësaj krahine. Lumi rrjedh midis dy vargmalesh: herë ai rrjedh i qetë e i pastërt, e herë duke gjëmuar, i mbushur me shkumë, duke u hedhur si një përrua… Eshtë e vërtetë që Epiri ka lëndina të bukura si ato të Paramithisë. Ndonjëherë qytetet ngrihen mes ullishtave si Vlora në veri, Preveza në jug, duke fshehur në kopshte minaretë e tyre dhe muranat e vjetra të shkatërruara. Qyteti i Pargës ka humbur mes pemëve me limona… ”
Në Shqipërinë e jugut, në Epir dhe në Greqi, jeta homerike kishte vdekur me kohë. Ajo gjendej veçse në mermeret e monumenteve antike, shumica ende nën dhé, mbuluar nga tërmetet dhe stuhitë. Atje, gjithçka kishte ngrirë shumë e shumë shekuj më parë. Ndërsa larg, në veriun shqiptar, në ato male të vështira për t’i ngjitur, rrethuar nga bora, prushi homerik ishte ende i ngrohtë, digjte, jetonte në këngët e gjata të rapsodëve, por dhe në ritet njerëzore, tragjeditë e dhimbshme të dashurisë dhe të gjakut, të rrëmbimit të grave dhe të kalimit të të gjallëve në botën e përtejme…

Luan Rama, G. Shqiptare

Karoatrecët, miliona dhe konflikt interesi

TIRANE-Një autoveturë "Mercedez- Benz", me targa të Tiranës, zbarkoi si shumë të tjera të martën në mesditë në pikën e bllokimit të automjeteve në Unazën e Re, e cila përdoret nga Policia Rrugore për ndëshkimin e automjeteve kondravajtëse që bllokohen nga policia rrugore e Tiranës kur konstatohen të vendosura në mënyrë të kundra ligjshme, apo kanë mungesë dokumentacioni.

Sipërfaqja prej më tepër se 6 mijë metrash katrorë numëron me qindra mjete, por vend ka ende. Herë pas here vjen ndonjë person që merr dokumentet në kruskotin e veturës së tij. Në një kabinë ndodhet punonjësi që administron fletët e gjobave të prera nga policia dhe proces- verbalet e hyrjes apo të daljes së mjeteve."Targën e mjetit, ju lutem, -të thotë zotëria nga brenda kabinës. Pronari i mjetit nga jashtë sportelit i jep të dhënat, punonjësi i dorëzon ca dokumente kërkuesit që largohet. Një tjetër person ndërsa ka paguar detyrimet e tij ndaj policisë, troket për të marrë automjetin e tij. Nëpunësi i kujton se veç detyrimit që ka për gjobën e policisë dhe transportin me karoatrec, pagesa e parkimit është një tjetër pagesë që duhet shlyer.


Kjo është pamja që të ofrohet në pikën e bllokimit të automjeteve të Policisë së Shtetit e cila, administrohet nga një shoqëri private e përzgjedhur me tender publik, në vitin 2009.
Hije dyshimi për një histori abuzive nisën të bien mbi këtë tenderim, thuajse një vit më parë, kur në ambientet e vetë policisë nisi të përflitej se përzgjedhja e subjektit ishte kryer në favor të një zyrtari të Ministrisë së Brendshme.
Z.Ramë Oruçi, ish- drejtuesi i Qendrës së Administrimit të Automjeteve, më parë ka qenë pronar i disa automjeteve karoatrecë që punonin rrugëve të Tiranës, për tërheqjen e automjeteve. Ai ishte një nga shumë të tjerë që kishin karoatrecët e tyre duke i vënë në shërbim të policisë kundrejt një pagese prej 3 mijë lekësh të reja të vënë si çmim "aforfe".
Vetë z.Oruçi, ka mohuar në një intervistë për "Shekullin", të ketë lidhje apo të jetë përfshirë në këtë procedurë, pasi, siç shprehet, nuk ka pasur mundësi për të ndërhyrë apo ndikuar.

Për më tepër sipas tij, subjekti që kryen këtë veprimtari është në pronësi të një italiani, të cilin "ai e njeh dhe ka punuar për të, por vetëm kaq".
Quhet "Edilizia Dossetti", subjekti italian që është fituesi i procedurës. Administratori është kunati i z.Oruçi dhe quhet Elvis Spartaku. "Nuk kam asnjë lloj lidhjeje me asnjë prej personave të punësuar, apo me administratorin e këtij subjekti,- tha Oruçi, gjatë intervistës për "Shekullin".
Por ky tender që merret me një aktivitet me mjaft ndikim në jetën e qytetarëve të kryeqytetit, megjithëse i zhvilluar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës, ka tërhequr vëmendje të madhe nga Agjencia e Prokurorimit Publik, nga Avokati i Prokurimeve.

Ata kanë qenë të interesuar për të ndërhyrë në mënyrë energjike për të anulluar procedurën e zhvilluar në qershor të vitit 2009.
Tenderi i zhvilluar për herë të parë u fitua nga subjekti Bogova sh.p.k, por u anullua për motivacionin e mungesës së shërbimeve të ngjashme, nga subjekti fitues. Në procedurën e dytë kjo kërkesë nuk u pa e arsyeshme të vendosej.

Specialistë të Policisë rrugore e cilësojnë abuzive anullimin e kësaj procedure dhe përzgjedhjen e firmës Edilizia Dossetti si fituese. Pas anullimit të procedurës së muajit qershor 2009, tenderi me objekt "Ruajtje parking dhe transport me karoatrec", për automjetet e bllokuara nga Policia Rrugore e Tiranës, u zhvillua në shtator të vitit të kaluar. Komisioni i vlerësimit të ofertave që herën e parë kishte shpallur fitues subjektin "Bogova sh,pk", për një vlerë prej rreth 13 milionë lekësh të vjetra, herën e dytë shpalli "Edilizia Dossetti"- n, pronar i së cilës është identifikuar italiani Fulvio Doseti (Fulvio Dossetti).

Administrator i subjekti, është Elvis Spartaku, vëllai i gruas së ish- Drejtorit të Parkut të Ministrisë së Brendshme, Ramë Oruçi. Deri para pak javësh z.Oruçi ishte drejtor i Parkut të Automjeteve të Ministrisë së Brendshme. Përpara se të emërohej në krye të Parkut të Mirëmbajtjes së Automjeteve të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, Oruçi ishte bashkëpronar i subjektit Oruçi sh.p.k, që ai pohon se e ka administruar me të vëllanë. (referuar deklaratës së pasurisë). Veç kësaj, gjatë viteve 2006 e 2007, ai ka pasur në pronësi edhe disa kamionë karoatrecë, të cilët punonin në varësi të nevojave të Policisë Rrugore të Tiranës. Ish-oficerë të policisërrugore hedhin dyshime mbi këtë të fundit se kishte ngritur një sistem biznesi të marrjes së mjeteve me karoatrec, duke bashkëpunuar me policët. Edhe këtë fakt Oruçi e ka mohuar gjatë intervistës së dhënë për "Shekullin".

Institucionet e prokurimeve, lojë me "shërbimet e ngjashme" Ideja e krijimit të një pike të posaçme për automjetet e bllokuara nga Policia Rrugore zë fill që në vitin 2006. Në atë kohë ish- shefi i Policisë Rrugore të Tiranës, Shkëlzen Alia, e pa oborrin e Policisë rrugore të Tiranës si të pamjaftueshëm për të përballuar fluksin e automjeteve që bllokoheshin. Ai ua propozoi idenë eprorëve dhe u bë gati një projekt urdhër i përbashkët i Ministrisë së Brendshme dhe të Financave për tarifat e mjeteve të bllokuara që gjendeshin me kundravajtje të ndryshme.

Ky projekt u bë urdhër ndërsa më parë, ish- Ministri i Brendshëm Sokol Olldashi kishte përcaktuar edhe procedurën që do të ndiqej me mjetet e bllokuara. Në vitin 2009, baza ligjore si urdhrat përkatës si dhe lista e çmimeve e miratuar nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Financave, ishin gati bashkë me disa urdhra të tjerë të nevojshëm. Për disa muaj rresht, strukturat e Policisë së Qarkut të Tiranës, punuan për të përgatitur mënyrën se si do të realizohej dhe organizohej pika e bllokimit, duke përpunuar kërkesat dhe specifikimet teknike që duhet të plotësonte një pikë bllokimi dhe një subjekt që do
të fitonte të drejtën për të administruar atë. Në maj të vitit 2009, Drejtoria e Policisë së Tiranës hapi procedurën për realizimin e tenderit të mësipërm, me objekt ofrimin e shërbimit me objekt "ruajtje dhe parkim automjetesh transport me karoatrec", me një vlerë prej 16 milionë e 666 mijë lekësh pa TVSH.

Në procedurën e parë, të zhvilluar me 3 qershor, u paraqitën subjektet "Nari", sh.p.k, Xhast sh.p.k, Klindi sh.p.k, "Vëllezërit Sallaku", "Edilizia Dosseti", dhe "Bogova sh.p.k". Komisioni i Vlerësimit të Ofertave shpalli fitues subjektin "Bogova" sh.p.k, në pronësi të Agron Meçes, i u cili njëkohësisht kishte një aktivitet ndërtues. Oferta e tij u cilësua më
e ulëta dhe ekonomikja, krahasuar me atë të subjektit "Vëllezërit Sallaku", me qendër në Vorë, ndërsa "Edilizia Dosseti" u rendit në këtë procedurë e treta, nisur nga çmimi i realizuar.
Afësisht 133 milionë lekë ishte oferta e paraqitur nga Bogova sh.p.k. Subjektet e tjera, "Klindi", "Xhast" dhe "Nari", sh.p.k, u skualifikuan për arsye të ndryshme. Më tej dy firmat e tjera "Vëllezërit Sallaku", dhe "Edilizzia Dossetti", u renditën më poshtë,për shkak se çmimi i tyre ishte më i ulët. Agron Meçe, pronari "Bogova sh.p.k", gjatë një bisede me "Shekullin" në kuadër të këtij vëzhgimi, pranoi se oferta e tij ishte më e mira, për komisionin dhe se ai duhej të kishte lidhur kontratën, por Agjencia e Prokurimit Publik (APP), si dhe Avokati i Prokurimeve, pretenduan se procedura kishte pasur mungesë në drejtim të kryerjes së shërbimeve të ngjashme. Subjektet që u skualifikuan, ose që nuk u shpallën fituese kishin ankimuar përzgjedhjen në Agjencinë e Prokurimit Publik, si dhe pranë Avokatit të Prokurimeve.

Kjo është procedura e parë tenderuese e kësaj natyre dhe askush më parë nuk ka pasur një kontratë të ngjashme. Duke qenë se të gjithë subjektet konkurente ishin vendosur në pozita të barabarta, u rekomandua anullimi i procedurës, duke vënë Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës përballë një fakti të kryer.
Ky pretendim bie ndesh me kërkesat dhe specifikimet teknike të miratuara për këtë rast nga vetë APPP, duke qenë se një procedurë e tillë, realizohej për herë të parë në llojin e saj, gjatë procedurës së dytë të këtij tenderi të zhvilluar në muajin shtator po gjatë vitit të kaluar (2009).

Stresi i një karro-tërheqësi , ankthi ynë i përditshëm

Dy të rinj ecin të shkujdesur buzë rrugës drejt vendit ku kanë parkuar makinën. Por çdo hap që hedhin në fytyrë u stampohet një hije e hidhur dyshimi. Makina nuk duket aty ku e kishin lënë dy orë më parë. Pronari i makinës vendos dorën në xhep dhe kërkon për çelësin. Ai ndodhet aty. Në mendje i kalon një ide e frikshme:makinën ia kanë vjedhur. Tërë frikë nxjerr telefonin nga xhepi dhe shtyp 129. Nga ana tjetër e telefonit vjen përgjigjja: Alo, policia. I trembur pronari i makinës i shpjegon se nuk po gjen mjetin në vendin ku e kishte lënë. Polici i 129-ës është i qetë. E këshillon të
pyesë në policinë rrugore në numrin 126. Në telefonatën e dytë, polici i dytë merr të dhënat e makinës. Dhe kthen përgjigjen: Makinën ta kanë marrë me karroatrec. Mund të shkosh e ta gjesh tek parkimi i madh që është tek Unaza e Re.
Pronarit të makinës i vjen ngjyra e fytyrës. Për ca sekonda është edhe i lumtur që mjetin ia kanë marrë me karroatrec. Ai duket të paguajë rreth gjashtë mijë lekë të reja, por kjo nuk i duket asgjë, përballë ankthit që mund t'ia kishin vjedhur.

Pronari i mjetit siguron paratë e kërkuara, gjen taksinë e parë dhe niset për tek pika e bllokimit. Pas rreth një ore udhëtim në trafikun e Tiranës dhe një mijë lekëve të reja të paguara tek taksisti, pronari i mjetit sheh makinën e tij të hedhur në mënyrë të çuditshme në mes të një fushe të madhe me baltë. Roja e parkimit të sheh me një buzëqeshje në fytyrë dhe të jep në dorë disa letra. "Janë fleta e gjobës, paratë e karroatrecit dhe disa gjëra të tjera. Të lutem merr dokumentet e makinës dhe shko paguaje gjobën tek komisariati i policisë rrugore që ndodhet në anën tjetër të qytetit",- i thotë roja e parkingut.
Ai i shpjegon se gjoba nuk mund të paguhet aty por domosdoshmërisht duhet të shkojë tek policia rrugore për të marrë një letër ku shkruhet se ka paguar të gjitha gjobat e vjetra.
Sërish më shumë se një orë udhëtim në trafik dhe sërish një mijë lekë të reja të paguara taksisë së dytë dhe pronari i makinës gjendet përpara sportelit të policisë: Një zonjë e sjellshme i thotë: Shko bëj një fotokopje dokumenteve të
makinës, fletës së gjobës dhe gjithçkaje tjetër dhe më pas shko tek zyra postare për të paguar paratë.
Fatmirësishtfotokopjet nuk janë shumë larg komisariatit të policisë dhe pronarit të makinës nuk i duhet të marrë sërish taksi.
Pasi ka mbaruar punë me fotokopjet pronari i makinës paraqitet këtë herë tek zyra postare. Të teta orët e punës së kësaj zyre postare mbushen vetëm me njerëz që duan të nxjerrin makinat e bllokuara dhe sportelistja është ndoshta një nga ekspertet më të mira të përpilimit të dokumenteve. Për 90 sekonda ajo të jep letrat në dorë dhe i thotë: "5800 lekë zotëri. 4000 lekë bën shërbimi i karroatrecit, 1000 lekë është gjoba që të ka vendosur polici rrugor për parkim të gabuar, 800 lekë është parkimi i makinës në vendparkimin e karroatrecëve".

Me faturën e postës në dorë, pronari i makinës paraqitet edhe një herë në sportelin e policisë. Gruaja e sjellshme i jep në dorë një letër ku tregohet se ai ka shlyer të gjitha detyrimet. Sapo del nga sporteli i policisë pronar i makinës sheh një taksist që ia bën me dorë: Eja se të shpie unë atje. Do të të marr vetëm 500 lekë. Taksisti e di shumë mirë se ku do shkojë ai njeriu që doli nga sporteli i policisë. Si ai ka shpënë edhe tre persona të tjerë brenda ditës. Ora është ende 13.00, ndoshta ka për të dërguar edhe ndonjë klient tjetër përpara orës 15.00. Këtë herë trafiku është më i rënduar
dhe udhëtimi i kalon ndjeshëm 60 minutat. Më në fund "odiseja" e pronarit të makinës ka përfunduar. Ai ka marrë sërish mjetin e tij. Kur gjithçka është kthjelluar ai kujtohet të pyesë: po përse ma morën makinën me karroatrec, aty nuk kishte asnjë tabelë dhe unë nuk isha i vetmi që kisha parkuar në atë vend?

Roja i parkingut duket shumë i gatshëm që ta ndihmojë. "Ndodh që këta të policisë gabojnë. Nëse mendon se ke të drejtë unë them ta hedhësh në gjyq. Por të fitosh gjyqin, këta të firmës të japin paratë mbrapsht",- është këshilla e tij. Të hapësh padi civile, të marrësh avokat, të paraqitesh disa herë në gjykatë, të "gjesh" provat dhe të shpenzosh
orë të tëra për 5800 lekë.
Pronari i makinës tund kokën dhe largohet me një buzëqeshje të hidhur në fytyrë. Nuk ia vlen! 

G. Shekulli

Duke qenë se ky është një problem që prek e dëmton padrejtësisht kryeqytetasit, për këtë fenomen kanë shkruar shpeshherë dhe ende nuk është marrë asnjë masë. Lexoni edhe një artikull të shkruar nga ne:
Mafia shtetërore e karrotrecave !
http://stopinjorances.blogspot.com/2010/03/mafia-shteterore-e-karrotrecave.html

dhe një tjetër nga Elsa Ballauri
Ndal Karrotrec !
http://stopinjorances.blogspot.com/2009/10/ndal-karrotrec.html

Monday, December 20, 2010

Tirana bën gati ftesën për Tadiç. Presidenti serb: Mezi po e pres

Haxhinasto: Kemi rënë dakord në parim për vizitën

Shikoni servilizmin dhe inferioritetit e Z. Meta në përqafimin e duarve, që i bën Z. Tadiç! Stop Injorancës
Boris Tadiç, Presidenti i Serbisë, do të vizitojë Tiranën zyrtare në fillim të vitit 2011, ndërkohë që data pritet të përcaktohet nga qarqet diplomatike të dy palëve në ditët e para të vitit që vjen. Lajmi është përhapur dje nga Beogradi, pas takimeve që numri dy i qeverisë shqiptare, Ilir Meta, ka zhvilluar me zyrtarët më të lartë të qeverisë së Beogradit, duke përfshirë Kryeministrin Mirko Cvetkoviç dhe zëvendësit e tij, Bozhidar Gjeliç dhe Ivica Daciç.

Meta ka vizituar Beogradin pasi ka marrë pjesë në Kongresin e Partisë Demokratike të Serbisë, lideri i së cilës është vetë Presidenti Boris Tadiç. Kreu i Beogradit, i cili pritet që të operohet në këmbë, ka bërë të ditur se gjëja e parë që do të bëjë pasi të bëhet mirë, është vizita në Tiranë.
Në fakt, këtë e kanë deklaruar për “Shqip” si shefi i diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto, ashtu edhe ambasadori i Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç.
Ministri i Jashtëm deklaroi se, “është rënë dakord në parim për një vizitë të tillë dhe së shpejti do të dërgohet ftesa në rrugë diplomatike”. Ndërkaq, ambasadori serb në Tiranë, duke folur nëpërmjet telefonit, theksoi se, “ka një vullnet për zhvillimin e kësaj vizite, por data konkrete i takon autoriteteve shqiptare që ta caktojnë”.

Në fakt, vizita e Presidentit serb në Tiranë ka një histori paksa të komplikuar që merr jetë nga një deklaratë e Kryeministrit Berisha, disa kohë më parë, i cili theksoi se i është bërë ftesë Tadiçit për të ardhur në Shqipëri. Mirëpo, nuk kaloi shumë kohë dhe një deklaratë e tillë është “korrigjuar” nga kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, i cili në një intervistë të dhënë për “BBC”-në në fillim të nëntorit theksoi se, ende nuk ka një ftesë zyrtare për Presidentin e Serbisë.

Por, në fillim të javës së shkuar ka qenë vetë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ka bërë të ditur se vizita e Tadiçit tashmë ka marrë viston e të gjitha institucioneve të Shqipërisë. Në një fjalim të mbajtur gjatë diplomimit të studentëve të shkollës politike të Këshillit të Europës, kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, deklaroi se, “si Shqipëri kemi realizuar takime bilaterale me të gjithë. Shumë shpejt ne do të realizojmë dhe takime të nivelit të lartë edhe me funksionarët më të lartë të Serbisë, për t’u dhënë një impuls të ri marrëdhënieve miqësore. Sigurisht, dihet botërisht që disa gjëra na ndajnë në mënyrë të dukshme: pozicionet për sa i përket çështjes së Kosovës janë shumë larg, por kjo nuk duhet të na frenojë që të bashkëpunojmë për shumë çështje të tjera”.
Ja sërish i gatshëm për të zgjatur i pari dorën...
Vizita e Tadiçit në Shqipëri pritet të zhvillohet në një ambient mjaft të tronditur nga raporti i anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dik Marti, i cili akuzon Kosovën dhe Shqipërinë për dijeni dhe pjesëmarrje në krime të tmerrshme, siç janë trafiku i organeve dhe trafiku i drogës dhe i armëve.

Në fakt, këto janë as më shumë e as më pak, por akuzat e Prokurorisë së Serbisë, e cila një vit më parë hetoi dhe në Shqipëri dhe nxori përfundimin se në vendin tonë janë kryer këto krime. Por gjithashtu, një aksion i rëndësishëm diplomatik është dialogu Serbi-Kosovë për përcaktimin e marrëveshjeve mbi veriun e vendit, i cili mbahet peng nga Beogradi.
Mirëpo, me rilançimin e akuzave të zyrtarizuara nga Marti, Beogradi vjen me një ofensivë diplomatike, pra do të kërkojë sa më shumë sanksione, ndërsa Tirana duket se është në difensivë.
Meta në Preshevën shqiptare, atje ku banorëve nuk iu lejua përdorimi i flamurit shqiptar dhe që zotëria e kaloi me buzëqeshje.
Gjithsesi, vizita në Tiranë e Presidentit serb është një eveniment i rëndësishëm, e cila pret në vetvete realizimin për të bërë analiza më të qarta politike.

G. Shqip


Meta ishte gjithashtu mbinjeriu që krijoi nga hiçi minoritetin serb, duke kundërshtuar hapur kështu të gjithë historiografinë dhe historianët shqiptarë. Falë tij sot, veç Qatareve, Kolegjeve turke e greke, u shtuan edhe 2 shkolla serbe, një në Shkodër dhe një në Fier, me të njëjtim mision, shkombtarizimin në masë të shqiptarëve !
Stop Injorancës !

Priftërinjtë, formularë në mbështetje të Janullatosit

Në mënyrë gati klandestine, prej disa ditësh ka nisur të qarkullojë mes besimtarëve të komunitetit ortodoks një formular, i cili kërkon firma në mbështetje të qëndrimit të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, në debatin e hapur mes tij dhe historianit të njohur shqiptar, Prof.Kristo Frashëri.

Mbështetësit e Fortlumturisë së tij Janullatos, ndër të cilët edhe njerëz me veladon, kanë nisur tanimë të vihen në lëvizje dhe në kërkim të kësaj mbështetjeje. Për të përmbushur këtë qëllim në qytetet dhe fshatrat e Jugut të Shqipërisë, si edhe në zonat ku banon minoriteti etnik grek, besimtarëve ortodoksë po u dorëzohet në mënyrë “konfidenciale” dhe në emër të shpëtimit të fesë të krishterë, formulari që duhet të plotësojnë.

Të gjithëve u kërkohet të shprehen vetëm në versionin se janë në mbështetje të Janullatosit.
Mësohet se janë përgatitur disa mijëra kopje të formularit, në mënyrë që në debatin Janullatos-Frashëri të përfshihen sa më shumë besimtarë ortodoksë. Nuk është e rastit që qëllimi i anketimit është rigorozisht i përcaktuar, pasi në kokën e formularit, të përgatitur në dy gjuhë, shqiptare dhe greke shkruhet qartazi se “Mbështesim Kryepiskopin Anastas me mirënjohje dhe besim të palëkundur”.
Qëllimi i shpërndarjes së anketës dhe se cilat janë kërkesat për plotësimin e tij sqarohen konkretisht kështu: “Në muajt e fundit, disa qarqe, të cilat në vitet e persekutimit të fesë shijonin pozita dhe komoditete dhe që gjatë njëzetë viteve të demokracisë nuk kanë ofruar absolutisht asgjë në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ndërmarrin të shkruajnë, me mënyrën e tyre, historinë e saj dhe të na mësojnë të drejtën kanonike dhe theologjinë e Orthodhoksisë”.

Sipas formuluesve të tekstit që është pjesë e formularit, ata (kundërshtarët e Fortlumturisë së Tij Janullatos, duke aluduar kësisoj për historianin Kristo Frashëri) “dalin në përfundime për tema të cilët nuk janë të specializuar, duke kërkuar gjoja të na mbrojnë nga armiq imagjinarë”.

Më tej shkruhet se “në lidhje me këto çështje që kanë prekur, tashmë kanë marrë përgjigje të sakta dhe me përgjegjësi nga tre tekste të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit”.

Në vijim formula është më se e qartë se kërkohet mbështetje standarde nga “ortodoksët e bashkuar” në anën e Janullatos, kur shprehen se: “Ne, të krishterët orthodhoksë, që nënshkruajmë, e njohim prej shumë vitesh udhëheqësin tonë shpirtëror, i cili duke pasur njohuri të thellë theologjike dhe vetësakrifikim, e udhëheq Kishën tonë me fjalë gjithmonë paqësore dhe me vepër krijuese. E mbështesim me gjithë shpirt, me mirënjohje dhe besim të palëkundur”. Poshtë këtij teksti vijnë kolonat e veçanta që kërkojnë mbushjen e gjeneraliteteve të tilla, si: emri e mbiemri, profesioni, vendbanimi dhe firma. Nuk dihet ende se sa prej formularëve të përgatitur kanë shkuar tek mbështetësit e kërkuar ndaj “udhëheqësit shpirtëror” Janullatos. 

G. Shqiptare

Sunday, December 19, 2010

Unë, shqiptari!

Unë jam ai. Shqiptari i heshtur e piktoresk. Çudia e të gjithëve që më kanë njohur. Vullkan, gjithë histori. Më vijnë rrotull, më afrohen, ndonjëherë bëjnë ndonjë hap më shumë, për të më prekur. Më pas largohen. Për të ardhur sërish. Sërish e sërish. Ma njohin aq mirë historinë. Dhe pse e njohin aq mirë, prapë se kuptojnë. Si ka mundësi pyesin veten trishtueshëm. E se gjejnë dot.

Unë nuk kam emër. S'më njeh askush.
E megjithatë jam miliona, shpërndarë anë e mbanë. Miliona që s'po bëjnë kurrë një. Të vetëm. Sepse unë jam i heshtur dhe askush se di ç'më ka prapa koka.
Se ngre kurrë zërin.
Edhe kur duhet ulërirë. Shkoj udhës i qetë dhe askush se di ç'kam në zemër. Unë nuk flas kur shoh mjerimin që më rrethon. Kur shoh të tjerët që vdesin urie. Që sorollaten gjithë ditën si unë. E duart i kanë bosh, kur kthehen në shtëpi. Askush se di se çmendoj. Njerëzit më shohin buzagaz edhe kur shpresës sime ka kohë që i ka mbirë bari. Nuk jepem. Nuk tregoj ç'bluaj në mendjen time, kur takoj të ngjashmit e mijë. E as se ç'ndjej kur dhembja do të shkrinte dhe tokën. Por natën, kur errësira bie, qaj me dënesë si fëmijë. Për gjithë ç'kam parë e dëgjuar.
Si gjithë të tjerët, të ngjashmit e mi, unë mendoj ndryshe nga ajo çka dëgjojmë të gjithë. Por, me të tjerët, flas njësoj. Njësoj si ajo që dëgjojmë të gjithë. Kur jam pa punë, unë do të doja një të tillë. Kur punoj, unë nuk dua ta humb atë. Prandaj jam i tillë. Prej qindra e qindra vitesh. Koha, njerëzit, të dashurit e mi, më kanë mësuar kështu. Dhe vetë e kam kuptuar: nëse dua të mbijetoj. Më mirë të hesht. Kurdo dhe për çdo gjë. Të hesht kur fatkeqësia bie mbi tjetrin dhe e fundos pa pikën e mëshirës. Dhe s'ka gjë që ta shpëtoj. Të hesht apo të them, fjalët e duhura, më të lodhshmet mbi këtë botë, kur shoh të tjerët që vriten në rrugët e këtij vendi, nga njerëzit apo mjetet. Kur humbin çdo ditë, në adresa e drejtime që askush s'i njeh. Kur pushohen, tallen, urrehen, vdesin.
Por ç'të presësh nga unë? Që hesht kur këto më ndodhin edhe mua?

Natën, ama, kur errësira bie dhe unë jam i vetëm, nis e flas me veten si kurrë kam folur me njeri mbi këtë tokë...
Mos shko larg, për të më gjetur. Unë nuk jam askund. Mos më kërko ndër libra e fletushka. Në ato radhët e gjata të shkrimeve pa fund. E as në foto. Të bukura e me ngjyra shumë. Nuk jam më as ai që do të gjesh në ato fotot e zverdhura nga koha. Duke rrokur topin për gryke. Apo duke tretur vështrimin larg, ndërsa thëllimi më tund në erë, mustaqet e gjata e të përthyera si mendimet e mëdha. Jam gjithandej, por i padukshëm. Për kë nuk do të më gjejë. Jam, në fakt, kudo.
Hapi sytë e vështromë. Më gjen në trotuar shtrirë sa gjatë e gjerë duke të pritur të më hedhësh, pak mëshirë nga dora jote. Por mund të më gjesh, duke u zvarritur në dete të çuditshëm e të pisët. Me buzët të thara, për një pikë ujë. Mund të më shohësh tek ec, si një grua gjithë krenari, rrugës vjeshtake, por me sy të nxirë nga dhuna, nën syze të moshës së fundme. Por mund të jem dhe një i ri që shkoj në shkollë, për të mësuar historinë time, që politika ma ndryshon, nga klasa në klasë. Një gazetar, që në ekran buroj veç dritë dhe pavarësi, ndërsa në ditëlindjen e shefit politik, dy ditë më parë, isha kamarieri më i zellshëm. Kërkomë po deshe në administratë. Aty do të jem. Me rroba e ritëm rinor. Veçse i zbehtë, me lëkurën që ka ngjyrën e frikës. Por mund të më gjesh, një çilimi që shkrihem e qesh gjithë ditën e ditës, në vendin e një mijë e një privimeve. Si të moshuar, që kanë frikë të kujtojnë.
Askush s'ma di emrin. Por kam pas meje një histori të tërë.
Mbijetesë, ndaj gjithë halleve që njohu njerëzimi. I shpëtova luftërave e pushtimeve nga të gjitha anët që më erdhën. Por i mbijetova edhe malarieve, kolerave, tuberkulozëve. U mbijetova edhe njerëzve të mi. Që jo rrallë, më sulmuan për arsyet më të paimagjinueshme të kësaj bote. Herë më burgosën e vranë si të krishterë e herë si mysliman. Herë si demokrat e herë si komunist. Një histori e gjatë. Herë-herë e çuditshme. Herë-herë e pakuptueshme. Herë-herë, mizore. Por çdo herë e madhe. Sepse mbijetova. Sot kam frikë të kthej kokën. As vet se besoj si kam mundur. Jam krenar për të. Por dhe s'dua ta kujtoj. Se historia të nxit. Dhe kjo s'më pëlqen. Sot, kur lodhja dhe varfëria, më kanë kërrusur aq shumë, sa shikimi im nuk mund të shoh më larg. Se toka ku hedh hapat e mi. Të vegjël. E të ngadalshëm.

Hapat e mi të varfër.
Në trotuaret gjithë dritë dhe zhurmë. Ku ndriçon pasuria. Dhe ku skamja të verbon. Në trotuaret dhe rrugët e zhvillimit të çmendur të këtij vendi, të cilin kurrkush si unë e desh. Që kurrkush si mua, lodhi e sakatoi. Në një dashuri të mundimshme.
Unë jam i varfër. Por mbaj Shqipërinë mbi shpinë.
Këtë Shqipëri ku kanë lindur të parët dhe të tretët e mi. As të parët e as të tretët, në një jetë të qetë e të lumtur. E as unë.
Dhe njësoj si ata. I nëpërkëmbur, i tallur. Nga komunizmi që s'ishte komunizëm. Nga kapitalizmi që s'është kapitalizëm. Nga sisteme që s'u bënë kurrë sisteme. Por, mbi të gjitha, nga njerëz që morën në dorë fatin tim. Gjithmonë! Pa ia dhënë unë. Pa më pyetur kurrë. Kudo ku të isha, në punë ose jo, në shkollë ose jo, i varfër ose jo, i pasur ose jo, i gjallë a duke vdekur. Dhe jo për faj të tyre. Kudo ku isha, unë nuk isha. Aty ku duhej. Aty kur duhej. Kur vendimet merreshin për mua. Dhe në emrin tim. Pra, nga unë.
Edhe pse kam qenë gjithmonë këtu, në këtë truall. i ngulur thellë e i palëvizshëm nga koha dhe hallet.

Edhe të sotmes do t'ia hedh. Me heshtje. Për gjithçka e ndaj gjithçkaje. Që më verbon, kur e shoh. Që më shurdhon, kur e dëgjoj. Që më djeg, kur e prek.
Por, kujt t'ia them? Mundimin tim? Të gjithë e dinë. Dhe kurrkush, s'do që ta dijë. Ta dëgjojë ditën për diell, sepse ka frikë nga nata. Kur ajo vjen dhe qetësia bëhet e plotë, dhe vetmia e sigurt, dhe frikërat ikin, dhe vuajtja bëhet e pashmangshme.
Prandaj, unë hesht. Dhe vazhdoj të hesht. Duke i habitur kështu të gjithë. Të gjithë atë që më kanë njohur. Që më kanë takuar. Mua dhe historinë time, mijëravjeçare. Tek më shohin kështu. Gjithë kuriozitet e habi. Të vogël, të heshtur, të kërrusur, të mbyllur, pa zë, pa zhurmë. Pa jetë. Tamam si një vullkan. Që duket i shuar. Prej kohësh. Prej nga s'mbahet mend. 

Igli Totozani, G. Shekulli

Etimologji: Mihal, Michelangelo

Për këdo që kërkon të futet në aventurën e bukur të etimologjisë, rruga më e shkurtër, ku dhe arrihen rezultatet të menjëhershme janë onomastika dhe toponomastika, pra, fusha e gjuhësisë që merret me emrat e përveçëm të njerëzve dh ajo e emrave të vendeve, detrave e lumenjve, fusha e maleve etj.
Nga këto fusha ne ju kemi dhënë e do t'ju japin edhe në të ardhmen shembuj për të kuptuar se si emrat kalojnë nga një gjuhë në tjetrën duke zbatuar vetëm ligjet fjalëformuese të shqipes. Këto ligje a rregulla mund t'i nxjerrë cilido, ato do t'i shërbejnë gjatë punës së tij. Etimologjia është dije për të gjithë, askush s'ka pse i druhet kësaj aventurë aspak të vështirë.

Le të marrim sot në shqyrtim emrin: Mihal. Duke kërkuar te sitet e shumta në internet, që merren me shpjegimin e "prejardhjes" dhe "kuptimit" të emrave, si p.sh.

http://www.thinkbabynames.com/search.php?s=michael&g=1&t=1

mësojmë se:

Mihal, anglisht Michael vikërka nga hebraishtja dhe don të thotë "që i ngjan zotit".

Pa të shohim se nga vjen në të vërtetë ky emër, nga hebraishtja apo nga shqipja!

Ne kemi Mihal, Michael, Mike dhe Mick në anglisht, Michel në frëngjisht, Michele apo Michelangelo në italisht, Miguel në spanjisht, Michiel në hollandisht, Mikell, Mikkel në gjuhët skandinave, Michail, Mikhail në rusisht, Michal në polonisht. Në gjuhët sllave kemi Miko, në kinematografi kemi personazhin e Mickey, Miki = Miu në shqip.
Mihal është dhe emri i parë që mban skulptori italian i "Rilindjes së Rreme" Michelangelo.
Ashtu si te Kirkilisse në turqisht ku Kirk = Kilisse = Kishë dhe te Michelangelo kemi Michel = Angelo = turqishten Melek, pra, medemek engjëll. Ta shikojmë edhe më afër këtë punë faqezezë të atyre që i kanë krijuar e interpretuar këto emra. Mihal është baraz me Qemal. Shikoni të nderuar zotërinj këto:

Mi + ck, ch, g, h, k = q shqipe + al, el, il

Këto Mihale janë të barabartë etimologjikisht me Qemalët, Hamil(ton)ët, Kamalët, Kim Il-ët për të cilët ju kemi folur ditë më parë etj.:

Mi + c, ck, g, h, k, q + al
Q + em + al
Q + am + il etj.

Por, kjo histori s'mbyllet me kaq. Këto Mihalët, Qamilët janë të barabartë me Samuelët, Shmailët hebraisht, me Selamët, Salemët, Sulejmanët, Islamët dhe Muslimët. Të gjitha këto emra dhe shumë e shumë të tjerë përbëhen vetëm nga tre rrënjë të shqipes: "q'+ yll + jam".

Pra, s'është e vërtetë që Mihal vjen nga hebraishtja, dhe se ai dashka të thotë "që i ngjan zotit", sepse Mihal, Qemal, Selim, Hamil(ton), Halim, etj. duan të thonë se "jam ylli", pra, zoti, dielli, vetë.

Te Michelangelo ne kemi michel = angelo

Mi + ch + el
dhe
An + g + el

Këtu kemi trajtat e foljes jam "mi" dhe "an", lidhëzën q (c, ch, g, k) dhe rrënjën shqipe yll (al, el, il).

Sa për Miki-n, ky rimon me Nikin, fitimtarin e grekërve. Këto Miki dhe Niki ndahen në:
Mi, Miu qe dhe Ni, Një, Njishi qe!
Pra, Miu është fitimtar, dhe për çudi në kinematografi, të tillë na e paraqesin amerikanët Miun gjithmonë, ai fiton gjithmonë me maçokun?!

Po kush është në të vërtetë Miu, dhe cili Maçoku?

Për t'u argëtuar ju mund të ndiqni vetë (mua tashmë më vjen krupë nga i tëri ky pisllëk aristokratiko - fetar) kuptimet që ka marrë togfjalëshi i shqipes "q' jam yll" në tërë këto gjuhë të botës, deri në Kore dhe do të kuptoni njërin nga truket, që është përdorur për të krijuar gjuhët e reja në fundin e shekullit të 15-të dhe në fillimin e shekullit të 16-të.

Ne shqiptarëve na ka ardhur dita të marrim hak për 500 vjetët e kaluara në robëri dhe për të gjitha mjerimet që ne po vuajmë tani nga pinjollët bastardë të atyre bastardëve, që i kthyen me kohë kurrizin racës së vet e që ende shpresojnë e ëndërrojnë se do të shpëtojnë paq?! 

Çlirim Xhunga