TIRANË-
Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, iu deshën 25 seanca gjyqësore për t'u bindur se i pandehuri në mungesë Hamdi Haklaj, që tashmë ka fituar azilin politik në Suedi, është fajtor për tre vrasje të kryera në rrethin e Tropojës për "hasmëri".
Ishte treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha, të cilët pasi shqyrtuan dosjen penale të ardhur nga Tropoja për t'u gjykuar në kryeqytet për arsye sigurie, vendosi që të deklarojë fajtorë të pandehurin Haklaj për akuzën e "vrasjes me paramendim" ndaj tre shtetasve, vëllezërve Demaj dhe Hoxhës. Për kryerjen e këtyre krimeve, sipas gjykatës, për të pandehurin Haklaj jepet dënimi maksimal ai i "burgimit të përjetshëm", por për shkak të shqyrtimit të çështjes në aplikim të gjykimit të shkurtuar, të pandehurit i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 25 vite heqje lirie. Këtë masë dënimi, sipas vendimit të togave të zeza, e ka kërkuar edhe vetë prokurori i çështjes i ardhur nga Tropoja, i cili për të provuar akuzat ndaj të pandehurit në mungesë kishte urdhëruar zhvarrimin pas 18 viteve të dy vëllezërve Demaj, të cilët janë ekzekutuar më 7 gusht 1993. Ndërsa, përfaqësuesi i mbrojtjes, në parashtrimin e pretendimeve të tija mbrojtëse, kërkoi nga gjykata që klienti i tij të shpallet i pafajshëm për shkak të mungesës së provave. Treshja gjykuese, pasi dëgjoi palët, vendosi që i pandehuri tashmë 73-vjeçar Hamdi Haklaj, në aplikim të gjykimit të shkurtuar të dënohet përfundimisht me 25 vite burg.
Hamdi Haklaj është hetuar dhe gjykuar në mungesë. Në familjen Haklaj, i pandehuri është djali i madh i Muharrem Haklajt, i cili në janar të vitit 2008 fitoi statusin e azilantit politik në Suedi për shkak vrasjeve dhe hasmërive që kanë në Shqipëri. Vendimi për këtë status, është marrë nga Gjykata e Goteborgut në Suedi. Sipas këtij vendimi, autoritetet e drejtësisë suedeze argumentojnë faktin se e kaluara e hidhur e Hamdi Haklajt (dhe familjes së tij), si dhe akuzat e shumta politike të hedhura në drejtim të tij dhe familjes janë arsye të forta që dëshmojnë se drejtësia shqiptare, nuk mund ta gjykojë në mënyrë të paanshme të pandehurin Haklaj, për të cilin shteti shqiptar kërkoi ekstradimin.
********
1
Berisha-Haklaj, ja teksti i audio-kasetës që ndezi hasmërinë
Incidenti më i rëndë mes Berishës dhe Haklajve ka ndodhur më 22 qershor 1997. Prej kësaj date për 10 vjet rresht Sali Berisha nuk shkeli më në Tropojë. Pas çdo ngjarje të rëndë në Tropojë lideri i opozitës fajësonte Haklajt dhe njerëzit e tyre. Ndërsa për Haklajt, pas çdo familjari apo të afërmi të vrarë, qëndronin njerëzit e Berishës.
Fatmir Haklaj botoi në një të përditshme një letër të hapur për akuzat e bëra ndaj tij nga opozita dhe lideri i saj Berisha. Haklaj fajësoi Berishën se ishte urdhëruesi i atentateve ndaj tij dhe vëllezërve të vrarë. Ai e akuzoi ish-presidentin se ishte përgjegjës dhe për vrasjen e Azem Hajdarit. Prova ku Fatmir Haklaj mbështeste akuzat e tij ishte një kasetë e rregjistruar pikërisht gjatë mitingut të PD-së më 22 qershor 1997 në Bajram Curri.
Një ditë para këtij mitingu mbeti i vrarë ndihmësgjyqtari Sokol Haklaj, djali i xhaxhait i Fatmirit. Përpara se të niste mitingu në sheshin „Kosova" të Bajram Currit, ku pritej prezantimi i dy kandidatëve të PD-së për Tropojën, liderit të dhjetorit Azem Hajdari dhe Xhevdet Mehmetit, ndodhi një incident që e acaroi sëtepërmi situatën. Vëllai i vogël Haklajve, Ylli, qëlloi me kallashnikov impiantin e fonisë nga ku do të fliste presidenti Berisha, duke e nxjerrë atë krejtësisht jashtë përdorimit. Presidenti Berisha hyri në Bajram Curri me masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga dhjetëra trupa të Gardës dhe mbështetës të PD-së.
KASETA
Gjatë fjalimit të tij pati një tjetër incident, këtë radhë me Shkëlqim Haklajn, i cili lëshoi drejt Berishës sharje dhe fyerje personale. Gjatë këtyre momenteve fjala e Berishës është ndërprerë disa herë dhe në kasetën e rregjistruar dëgjohet biseda e tij me shoqëruesit. Presidenti është irrituar sëtepërmi kur ka parë një reagim të tillë ndaj vizitës së tij pikërisht në vendlindje, në Tropojë. Këtë kasetë, Fatmir Haklaj e ka shtënë në dorë nga persona të stafit të presidencës gjatë kohës që erdhën në pushtet socialistët. Fatmiri bëri lidhjen mes fjalëve të Berishës në mitingun e 22 qershorit 1997, ku dëgjohet që ai kërkon patjetër arrestimin e Shkëlqim Haklajt nga Garda e Republikës si dhe vrasjes së 5 janarit 1998, në Qafë Luzhës, ku mbeti i vrarë në pritë, pikërisht Shkëlqimi. Kjo kasetë i është dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme nga plaku i Haklajve, Muharrem Haklaj. Madje një kopje të saj e ka marrë dhe prokurorja norvegjeze e çështjes „Hajdari", Siri Frigard. Prokuroria nuk ka hetuar kurrë nëse kjo kasetë përbën një provë ligjore apo nëse biseda që dëgjohet në të, shërbeu më pas si zanafilla e asaj që sot quhet „
Dosja Tropoja".
***
Kaseta e inçizuar me fjalën që presidenti Berisha mbajti në Bajram Curri më 22 qershor 1997, ra në duart e Fatmir Haklajt në rrethana ende të pasqaruara. Në kasetë dëgjohet disa që presidenti u jep urdhër shoqëruesve të tij të arrestojnë patjetër një person që nuk përcaktohet me emër. Por të gjithë pjesëmarrësit në këtë miting e mbajnë mend shumë mirë se gjatë fjalës së Berishës, Shkëlqim Haklaj i është kundërpërgjigjur duke e sharë vazhdimisht personalisht. Trupat e Gardës nuk mundën ta arrestonin Haklajn atë ditë, por ai u vra gjashtë muaj më vonë në një pritë të organizuar në Qafën e Luzhës, duke u kthyer në zanafilla e tragjedisë që përgjaku Tropojën. Më poshtë po botojmë të plotë transkiptimin e fjalimit të Berishës. Gjatë fjalimit Shkëlqim Haklaj, ia ndërpret fjalën vazhdimisht dhe e shan. Për këtë arsye mes fjalimit, Berisha shkëputet herë pas here dhe u flet truprojave..
"Ju falenderoj dhe ju jap fjalën se më datën 29(qershor 1997) e mbrapa, bandat dhe banditët, kriminelët dhe fundrrinat do të marrin vendin që u përket...
Do t'i them dy fjalë atij deputetit socialist. Në qoftë se mendon se do të marrë vota me kriminelë, jap fjalën para jush, se s'do ta gëzojë asnjë ditë, asnjë ditë, asnjë ditë!
Ju të jeni të sigurtë se ne do fitojmë, se ne do rivendosim Shqipërinë atje ku është. Le të qëllojnë sot, edhe tetë ditë kanë afat, edhe tetë ditë. Pas tetë ditësh kanë fundin e turpit, fundin e historisë, fundrrina siç janë....
"Merrni masa për atë që u thashë. E dua me vete atë unë, e dua me vete atë unë. Ai do vijë direkt me ne ..." - urdhëron Berisha truprojat dhe oficerët e Gardës për Shkëlqim Haklajn, që nuk ndalon së shari Berishën.
Vëllezër e motra...
"Merr Saliun, me të gjithë tani. Unë e dua, e dua të gjallë atë unë" - urdhëron serish Berisha truprojat dhe oficerët e Gardës.
Vëllezër dhe motra, 29 qershori do të ndajë Shqipërinë nga rrebelimi, do të ndajë Shqipërinë nga e shkuara, do të rivendosë demokracinë, do të vendos dinjitetin, do të vendosë integritetin, do të vendosë unitetin kombëtar.
Tropojas, tropojas, Fatos Nano dhe Din Selimi ju vinë juve me horra, por ne do tju tregojmë vendin të gjithëve. Ju jap fjalën e nderit, do marrin vendin që meritojnë... Vëllezër, unë kam besim të madh te ju, asnjë votë serbit, asnje votë serbit, votat demokracisë, votat Shqipërisë. "
Nisi njerëzit ëëë. Nisi njerëzit që tani, se ajo është kategorike. Nuk dal nga Tropoja pa e marrë me vete atë unë" - urdhëron serish eskortën e tij Berisha. Gjatë kësaj kohe Shkëlqim Haklajt i janë bashkuar dhe 4-5 persona të tjerë që shajnë bashkë me të Berishën nga salla).
Vëllezër dhe motra, unë kam ardh sot te ju për të paraqit Xhevdet Mehmetin, një nga demokratët e parë të Partisë Demokratike në Tropojë. Une jap fjalën se, unë jap fjalën se të dy deputetët tuaj do të punojnë pa u lodhur për të realizue të gjithë projektet që u ndërprenë nga rrebelimi në Tropojë. Para sëgjithash për të zhdukur bandat e ndyra, hajdutë e banditë, terroristë të shitur te sërbi. Dhe pastaj do të sjellim te ju energjinë elektrike, shkollat dhe të gjitha. Rendin e çfarë ju nevojitet ju. Edhe njëherë, edhe njëherë ju falenderoj nga zemra për këtë pritje madhështore...etj
Pas këtij mitingu ish-presidenti Berisha, tani kryeministër i Shqipërisë, nuk ka shkuar më në Tropojë për 10 vite rresht.
2
28 nëntori i 2000 në Tropojë dhe ndalimi i Berishës
Paraditen e 28 nëntorit 2000, dega lokale e Partisë Demokratike në Tropojë organizoi një protestë për vjedhjen e votave që i ishte bërë opozitës sipas Berishës në zgjedhjet për pushtetin vendorë. Përveç trupave të policisë vendase, atë ditë në Bajram Curri ndodheshin dhe dy grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Kukësit, që morën detyrë të siguronin godinën e gjykatës dhe prokurorisë së rrethit. Protestuesit pasi bën një xhiro në shëtitoren kryesore të qytetit, iu drejtuan godinës së gjykatës dhe prokurorisë. Ata kërkuan largimin e forcave të FNSH-së nga Tropoja. Të vënë nën presion, trupat e FNSH-së nuk bën asnjë përpjekje për tu përballur me turmën, nga radhët e së cilës u shfaqen një grup personash të armatosur që hapën zjarr mbi muret e godinës. Brenda pak minutash trupat e FNSH-së i zuri paniku. Për të shpëtuar kokën nga breshëritë e armëve që godisnin muret e gjykatës, ata u detyruan të linin objektin në mëshirë të fatit dhe të shpërndaheshin pa nam e nishan nëpër banesat e qytetarëve.
Shefi i komisariatit të Tropojës Ali Gjoni nuk mund tu vinte në ndihmë, për shkak se ishte njoftuar që pasi të pushtohej gjykata, personat e armatosur do mësynin drejt komisariatit. Në të vërtetë ashtu ndodhi.
Dhjetëra militantë të opozitës u përdorën si një mburojë njerëzore nga personat e armatosur për tiu afruar sa më shumë të ishte e mundur godinës së policisë. Pjesa dërrmuese e efektivit të policisë, kur mësuan se çfarë pritej të ndodhte, braktisën detyrën. Një përfaqësi e protestuesve kontaktoi më drejtuesit e komisariatit duke u kërkuar atyre lirimin e të burgosurve politikë. Në të vërtetë në qelitë e paraburgimit të Tropojës kishte vetëm të burgosur ordinerë dhe vrasës të rrezikshëm. Duke qenë se situata kishte dalë jashtë kontrollit, policia u detyrua ti lironte të gjithë të paraburgosurit, pavarsisht motivit për të cilin ishin arrestuar. Mes tyre ishte dhe Pëllumb Ndrevata, një personazh që kreu një seri vrasjesh pas lirimit më 28 nëntor 2000, deri sa u ekzekutua në vitin 2006.
Pasi korrën fitoren e parë, negociatorët e protestuesve u rikthyen serish në komisariat duke kërkuar që policia ta braktiste objektin, në të kundërt do të sulmohej me mitrolozë dhe armë kundërtanke. Kur hasën në rezistencën e drejtuesve të policisë, personat e armatosur, hapën zjarr mbi komisariatin e Bajram Currit. Përballja mes të dy palëve ishte e ashpër. Personat e armatosur u pozicionuan në disa pallate dykatëshe që ndodhen përballë komisariatit. Një grup prej tyre sulmoi me zjarr hyrjen e komisariatit ku qëndronte oficeri i rojës. Drejtuesit e komisariatit dhe disa efektivë të policisë që vendosën të mos e lëshonin objektin, u kundërpërgjigjen duke hapur zjarr në ajër e më pas edhe mbi pozicionet nga qëlloheshin me armë automatike. Kur e panë se komisariati nuk po dorëzohej, personat e armatosur u detyruan të përdornin edhe armë kundërtanke mbi godinën e policisë. Disa prej tyre mundën të futeshin dy herë deri në shkallët e katit të dytë të godinës, por u sprapsën nga policia duke patur dhe të plagosur.
Syl Lusha, njëri nga personat e akuzuar për trazirat e 14 shtatorit 1998 në Tiranë, i cili kishte vetëm pak muaj që ishte liruar nga burgu, mbeti i vrarë në hyrje të komisariatit, sapo kaloi zyrën e informacionit. Pas tij pati dhe të paktën 4 të plagosur nga radhët e personave të armatosur që sulmuan komisariatin. Në momentet më kritike, shefit të komisariatit Ali Gjoni, i erdhi një telefonatë me numër fiks nga Hamdi Haklaj. Hamdiu i tha komisarit të Tropojës se nëse kishte nevojë për ndihmë, ai ishte gati të zbriste me njerëzit e tij nga Kërnaja. Por Gjoni u shpreh se po e përballonte situatën, dhe nëse e shihte keq punën do ti drejtohej Haklajve për ndihmë. Rezistenca e trupave të policisë që kishin mbetur brenda objektit dhe përhapja e lajmit se në ndihmë të komisariatit ishte nisur Hamdi Haklaj dhe njerëzit e tij, ndikuan në uljen e moralit te autorët e sulmit. Rreth orës 15.00 të 28 nëntorit, ata u detyruan të tërhiqen pa e pushtuar komisariatin.
Deklaratat e kryeministrit Meta dhe shoqërimi i Berishës në Komisariat
Në Tiranë, kryeministri Meta akuzoi liderin e opozitës Berisha dhe mbështetësit e tij në Tropojë, se kishin tentuar të kryenin një grusht shteti të armatosur për të rrëzuar me forcë qeverinë socialiste. Meta tha se personat që sulmuan komisariatin e Tropojës do të ndëshkoheshin, ndërsa siguroi policinë lokale se po i niste menjëherë përforcime. SHIK-u paraqiti informacione se grushti i shtetit i 28 nëntorit kishte dështuar. Sipas shërbimit inteligjent shqiptar, organizatorët e grushtit të shtetit kishin planifikuar të merrnin sëpari institucionet kryesore dhe komisariatin e Tropojës, nëpërmjet një grupi personash të armatosur. Më pas duke shfrytëzuar efektin domino, të pushtonin njëri pas tjetrit të gjitha komisariatet, nga veriu drejt kryeqytetit. Rezistenca e komisariatit të Bajram Currit bëri që ky plan të dështonte. Opozita dhe lideri i saj Berisha, akuzuan policinë e Tropojës dhe qeverinë Meta se përdorën armë zjarri dhe granata luftarake mbi protestuesit dhe militantët e Partisë Demokratike në Bajram Curri. Kryeministri Meta u cilësua si fashist, ndërsa viktimat e 28 nëntorit në Tropojë u shpallën Martirë të Demokracisë.
Shefi i Partisë Demokratike nuk harroi të akuzonte as këtë radhë Haklajt dhe njerëzit e tyre. Në një njoftim të botuar në mediat e kontrolluara nga PD pas ngjarjes, më datë 2 dhjetor 2000, thuhej se në bandën që u thirr në mbrojtje të komisariatit të Bajram Currit ishin Hamdi e Ylli Haklaj, miku i tyre Petrit Braha, Zeqir Braha etj. Në të njoftim thuhej se "Ylli Haklaj, vëllai i vrasësit të Deputetit Demokrat Azem Hajdari, ishte parë i armatosur mbi autoblindat e policisë duke lëvizur në rrugët e Bajram Currit". Haklajt nuk e pranuan këtë akuzë, por s'e fshehën faktin se u treguan të gatshëm ti ofronin ndihmë policisë së Tropojës.
Po atë mbrëmje, forcat speciale shoqëruan për disa orë në ambjentet e izolimit të policisë së Tiranës, liderin e opozitës Sali Berisha. Nëpërmjet këtij veprimi, kryeministri socialist Ilir Meta, i dha një mesazh të fortë rivalit të tij politik. Por pavarsisht hetimeve dhe procesit gjyqësor për këtë ngjarje, organizatorët dhe personat përgjegjës nuk u ndëshkuan.
3
TAKIMI
Paraditen e 2 shtatorit 1998, Muharrem Haklaj kishte ardhur në Tiranë për punët e veta. Azem Hajdari ndodhej në zyrë, kur u njoftua nga një bashkëpunëtor i tij, se Muharrem Haklajn e kishin parë pranë godinës së PD-së. Ai vendosi të shfrytëzonte këtë rast për ta takuar plakun e Haklajve. Një i njohur i Azemit, ish-shefi i SHIK-ut në Tropojë gjatë qeverisjes së PD-së, u dërgua prej tij për ta ftuar plakun e Haklajve ta takonte në godinën e Partisë Demokratike. Muharrem Haklaj nuk e refuzoi ftesën, përkundrazi u ngjit në zyrën e Azemit, në katin e dytë të godinës së PD-së. Takimi u zhvillua kokë për kokë pa prezencën e askujt tjetër. Por, ngjitja e plakut të Haklajve në zyrat e PD-së, nga ku djemtë e tij ishin akuzuar për shumë ngjarje të rënda krijoi padyshim një habi dhe kureshtje të madhe. Biseda mbeti e panjohur deri në vitin 2000, kur Muharrem Haklaj e bëri publike për median. Sipas plakut të Haklajve, Azemi e kishte sqaruar në lidhje me vrasjen e djalit, Shkëlqimit në Qafën e Luzhës.
"Unë nuk kam gisht në vrasjen e djalit tënd. Ai është vrarë prej këtu", i ka thënë deputeti Hajdari, Muharrem Haklajt.
10 ditë më vonë Azem Hajdari u vra.
BERISHA
Shefi i opozitës Sali Berisha doli në një konferencë shtypi vetëm pak minuta pas atentatit. ndaj Azem Hajdarit. Ai akuzoi për autorësinë e krimit struktura shtetërore të qeverisë Nano, dhe direkt me emër shefin e rendit të Tropojës Jaho Salihi. Nuk dihet se për çfarë arsye Berisha vendosi të etiketonte Jahon me mbiemrin Salihi dhe jo me mbiemrin e tij, Mulosmani. Berisha nuk e përmendi fare vrasësin e vërtetë, Fatmir Haklaj dhe nuk do ta bënte një gjë të tillë publikisht asnjëherë deri në momentin që ai u vra një vit më vonë.
14 SHTATORI
Jo më pak i informuar për vrasësit e vërtetë të Hajdarit, ishte dhe shefi i opozitës, Berisha. Por, ai e shfrytëzoi politikisht ngjarjen për të asgjesuar kundërshtarët e tij socialistë. Funerali i Hajdarit ku merrnin pjesë dhjetëra mijëra vetë nga e gjithë Shqipëria, u kthye në një revoltë, pas së cilës një mëndje e etur për pushtet, kishte ideuar një grusht shteti të armatosur. Arkivoli i Hajdarit u çua përpara kryeministrisë, dhe më të në duar turma e irrituar pushtoi dhe dogji brenda pak minutash të gjitha institucionet më të rëndësishme të shtetit. Qeveria socialiste doli krejtësisht jashtë funksionit. Ndërsa kryeministri Nano, për të shpëtuar kokën e kaloi kufirin shtetëror drejt Maqedonisë, përpara se arkivolin e Azemit tia sillnin te zyra e tij. Tanket e Gardës së Republikës që u nxorrën për të trembur militantët e armatosur në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", u morën pa as më të voglën rezistencë, sikur të ishin pajtona me kuaj.
Marrja e godinës së Radio-Televizionit Shtetëror nga njerëz të armatosur dhe shfaqja në ekranin e tij e disa eksponentëve të opozitës që deklaronin se qeveria Nano ishte përmbysur, e kompletoi kuadrin e një grushti shteti. Kamerat e disa televizioneve private që e transmetonin drejtpërdrejt atë që po ndodhte, fiksuan në objektivin e tyre kush ishin organizatorët që orientonin personat e armatosur të qëllonin mbi kryeministrinë dhe Kuvendin. Pjesa më e madhe e tyre ishin eksponentë të njohur për publikun, si ish-truproja apo mbështetës të flaktë të liderit të opozitës. Një tjetër detaj jo i parëndësishëm, ishte fakti se mes turmës u panë dhe persona me uniforma të UÇK-së. Pas ngjarjes u identifikuan se ishin rekrutë të njësive ushtarake të FARK-ut, (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës) që financoheshin nga kryeministri i qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi, një aleat i deklaruar i Berishës.
Në momentet që militantët e opozitës po festonin përmbysjen e qeverisë Nano, u desh ndërhyrja diplomatike e pothuaj të gjitha shteteve perëndimore që kishin ambasada në Tiranë, për të rikthyer normalitetin. Mjaftoi një urdhër verbal që militantët e armatosur të opozitës të lëshonin institucionet e pushtuara dhe të largoheshin si me sustë nga rrugët e Tiranës.
HAMDI HAKLAJ MESAZH BERISHËS, I VRET MIKUN
Emri i Hamdi Haklajt gati ishte harruar fare deri më 10 qershor 2004, kur ai u rishfaq serish për të treguar se ishte ende gjallë. Vëllai i madh i Haklajve, Hamdiu, u hakmorr për vrasjen e vëllait të vogël të tij, Ylli Haklajt. Ngjarja ndodhi rreth orës 09.45 në vendin e quajtur Qafa e Rumikut, pranë lagjes Hoxhaj të fshatit Kërnajë. Viktimë e kësaj prite ishte Ram Hasan Hoxha, ndërkohë që u plagos rëndë me një plumb në kokë, mbesa e tij, Fatmira Zenel Hoxha, e cila vdiq tre ditë më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Disa orë më vonë u shpall në kërkim Hamdi Haklaj. Ram Hoxha kishte lidhje farefisnore me Rasim Lumneshin, i ekzekutuar gjatë atentatit të kryer nga motra e vogël e Haklajve. Me vrasjen e Hoxhës, Hamdiu i kishte çuar një mesazh ish-presidentit Berisha, pasi viktima ishte njëkohësisht dhe mik i familjes së tij. Qysh nga kjo ngjarje silueta e Hamdi Haklajt nuk u shfaq më, deri më 12 mars 2007 kur u arrestua nga agjentët e Interpolit në Goteborg të Suedisë. Urdhëri i arrestit në mungesë për Hamdiun, u lëshua nga gjykata vetëm më 17 maj 2005, gati një vit pas vrasjes së Qafës së Rumikut. Drejtësia suedeze ka refuzuar kërkesën për ekstradim të Hamdi Haklajt të bërë nga shteti shqiptar me motivin se atij i rrezikohet jeta nëse kthehet në atdhe, sepse është akuzuar politikisht pa u cilësuar fajtor nga gjykata.
KËRCËNIMI
Ndërrimi i pushtetit më 3 korrik 2005 dhe ardhja në krye të vendit e opozitës që drejtohej nga ish-presidenti Berisha, u kthye në një ogur të keq për të mbijetuarët e Haklajve. Muharrem Haklaj e kishte akuzuar vazhdimisht Berishën si njeriun që qëndronte pas komandove vrasëse të djemëve të tij.
Më 19 shtator 2005, vetëm katër ditë pasi qeveria Berisha bëri betimin para presidentit Alfred Moisiu, Muharrem Haklaj nxitoi të merrte arratinë për tu larguar sëbashku me familjen nga kulla e fortifikuar në fshatin Kërnajë të Tropojës. Pavarsisht moshës së thyer, afër të 80-tave dhe sëmundjes së bashkëshortes së tij, plaku i Haklajve mori nipat dhe mbesat jetimë të djemëve të tij të vrarë dhe iku një orë e më parë prej Shqipërisë. Ai e motivoi këtë largim, të detyruar, për ti mbijetuar eleminimit fizik që i kërcënohej jo vetëm atij por dhe fëmijëve të familjes.
Ngjarjet që rrodhën pas largimit të Haklajve nga Shqipëria i dhanë plotësisht të drejtë për zgjidhjen që kishte bërë. Plaku i familjes Haklaj tha për median se u largua menjëherë pas formimit të qeverisë Berisha në messhtatorin e vitit 2005. "E dija se çfarë më priste, jo vetëm mua për të gjithë, deri dhe nipat e mbesat e vogla, jetimët e djemëve të vrarë. Duke mos parë rrugëzgjidhje tjetër, vendosa ta braktisja kullën në pleqëri".
*Të dhënat arkivore janë marrë nga dosieri mbi Haklajt dhe vrasjet e Tropojës i gazetarit Artan Hoxha