Rilindja
shqiptare e shekullit të nëntëmbëdhjetë u karakterizua nga një forcim i
fuqishëm i ndjenjës së identitetit kombëtar, ndjenjë e cila u mbështet
dhe me daljen në dritë asokohe të mjaft të dhënave të reja shkencore të
karakterit historik dhe gjuhësor mbi origjinën e kombit shqiptar.
Kontribut të veçantë në këtë fushë kanë dhënë studiues të njohur të
asaj kohe si Thunmann, Hahn e të tjerë të cilët evidentuan origjinën
ilire të popullit shqiptar si dhe origjinalitetin e gjuhës shqipe duke u
bazuar në radhë të parë në studimet mbi këtë gjuhë, si dhe në
rizbulimin e shkrimeve të historianëve të antikitetit si Polibi apo
Ptolemeu.
PowerPoint Presentation
Pas
shpalljes së pavarësisë në vitin 1912, studimet e mëtejshme gjuhësore
dhe albanologjike të studiuesve shqiptarë dhe të huaj si Shuflaj,
Xhuvani, Çabej, Demiraj e të tjerë pasuruan të dhënat shkencore mbi
origjinën autoktone të popullit shqiptar, por gjithmonë duke u bazuar në
metodat klasike siç janë studimet gjuhësore apo gjetjet arkeologjike.
Por origjina indoeuropiane e shumicës së gjuhëve të kontinentit
europian e bën deri diku të vështirë identifikimin e qartë të
origjinalitetit të një gjuhe të veçantë duke pasur parasysh prejardhjen
e largët të përbashkët të tyre. Po kështu, mungesa e dokumentimit të
shkruar të gjuhës shqipe para shekullit të pesëmbëdhjetë vështirëson
identifikimin e vazhdueshmërisë historike të saj.
Me gjithë kontributin historik të rilindësve tanë, si dhe të
albanologëve të shquar vendas dhe të huaj, nuk kanë munguar studiues të
tjerë, si Georgiev, Russu apo Shramm, të cilët bazuar në argumente të
tjera gjuhësore dhe historike kanë hedhur teza mbi një migrim të
vonshëm të shqiptarëve në trojet ku ata jetojnë aktualisht. Në këtë
kontekst paraqitet nevoja e evidentimit të fakteve dhe metodave të reja
shkencore, të cilat do të shërbenin si argumente shtesë për vërtetimin
e autoktonisë së popullit shqiptar në trojet e tij.
Studimi i origjinës së idiomave gjuhësore, duke përdorur programe
kompjuterike të modeluara sipas metodologjisë të studimeve gjenetike ka
bërë të mundur që duke u nisur nga krahasimi i një numri prej të
paktën 200 fjalësh bazë nga çdo gjuhë, të mund të përcaktohet pema e
diferencimit të gjuhëve indoeuropiane. Ky punim, i botuar nga Atkinson
dhe Gray në revistën e njohur shkencore
“Nature” në vitin 2003 arriti të evidentojë trungjet e përbashkët dhe degëzimet e veçanta të gjuhëve indoeuropiane dhe
e
ka përcaktuar gjuhën shqipe si një degë e veçantë në trungun e gjuhëve
indoeuropiane, e cila është ndarë nga gjuhët e tjera të paktën 4000
vjet përpara. Studimi vërteton origjinalitetin e gjuhës
shqipe, por nuk rrëzon dot përfundimisht tezat e mohuesve të
autoktonisë shqiptare që përpiqen të argumentojnë një migrim të vonshëm
të shqiptarëve në trojet e tyre duke bartur me vete dhe gjuhën e tyre.
Në këtë aspekt, studimet e fundit imunogjenetike të kryer nga autorë
shqiptarë mbi krahasimin e shumëllojshmërisë së gjeneve të sistemit
gjenetik HLA midis popullatave shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe
popullatave të tjera europiane (Sulcebe et al, në: International
Journal of Immunogenetics, gusht 2009 dhe qershor 2012) kanë nxjerrë në
pah
fakte origjinale, të cilat hedhin një dritë të re mbi autoktoninë e popullit shqiptar në trojet e tij.
Sistemi HLA është një sistem gjenesh, të cilat
drejtojnë përgjigjen imunitare të organizmit dhe që karakterizohen nga
një shumëllojshmëri e madhe brenda species njerëzore në mënyrë të
ngjashme me grupet e gjakut, por me një ndryshueshmëri qindra herë më
të madhe. Kjo shumëllojshmëri është specifike për çdo popullatë, por
njëkohësisht paraqet karakteristika të përbashkëta për rajone
gjeografike të veçantë. Të dhënat e mbledhura mbi shumëllojshmërinë e
sistemit HLA në popullata të ndryshme janë të shumta, pasi ato kryhen
dhe për qëllime studimore në fushën e transplantove, gjë që përbën një
avantazh të këtij sistemi në krahasim me sisteme të tjera gjenetike për
të cilat të dhënat janë më pak të plota. Ato kanë bërë të mundur që
nëpërmjet krahasimit të variabilitetit të shpeshtësive të gjeneve të
sistemit HLA në popullata të ndryshme të llogariten dhe distancat
gjenetike midis këtyre popullatave. Duke u nisur nga këto distanca
është bërë i mundur krijimi i hartave gjenetike për të gjithë
kontinentet dhe rajonet gjeografike të përfshira në ta.
Projekti HLA-NET në kuadrin e programit COST të Bashkimit Europian,
ku marrin pjesë dhe kërkues nga vendi ynë, ka hartuar së fundmi harta
të tilla për të gjitha rajonet e botës dhe në veçanti të Europës. Një
karakteristikë e veçantë e këtyre hartave është fakti se distancat
gjenetike midis popullatave janë përgjithësisht në përpjesëtim të
drejtë me distancat gjeografike. Kjo duket qartë në Europë ku
evidentohet një gradient vektorial i distancave gjenetike me drejtim
veri-perëndim/juglindje, si dhe një dallim gjenetik i popullatave që
kanë migruar nga Azia në Europë në veri të Alpeve nga ato poshtë Alpeve
europiane. Del gjithashtu në pah fakti se si rregull, popullatat
fqinje kanë afërsi më të madhe gjenetike në krahasim me ato më larg
gjeografikisht. Kjo vjen jo vetëm për arsye të përzierjeve gjenetike të
zakonshme midis popujve të afërt, kushteve të përbashkëta klimatike
dhe epidemiologjike, por dhe të historisë së përbashkët të migrimit dhe
të formimit të kombeve fqinje. Këtu diferencohet populli bask i cili
është më larg gjenetikisht në krahasim me popujte tjerë fqinj gjë që i
dedikohet historisë autoktone shumë të lashtë dhe jo indoeuropiane të
tij.
Nga studimi i kryer me gjenet e sistemit HLA në popullatat shqiptare
në Shqipëri dhe Kosovë, të krahasuara këto me popullatat e tjera
europiane dhe ballkanike mund të nxirren shkurtimisht disa konkluzione
interesante:
Së pari, distanca gjenetike midis dy popullsive shqiptare,
asaj në Shqipëri dhe në Kosovë është e papërfillshme, provë kjo e
unitetit gjenetik të popullit shqiptar kudo ku ai jeton.
Së dyti, në rajonin ballkanik diferencohen dy grupe popullatash kryesore:
një
grup i përbërë nga popullatat greke, shqiptare, bullgare dhe
maqedonase, si dhe një grup tjetër ku marrin pjesë popullatat serbe,
boshnjake dhe kroate. Popullatat që bëjnë pjesë në secilin nga
këto dy grupe kryesore kanë një ngjashmëri shumë më të madhe brenda
grupit se me çdo popullatë të grupit tjetër. Është interesant fakti se
këto ndryshime të konstatuara në gadishullin ballkanik janë më të
spikatura në krahasim me rajonet e tjera të Europës Qendrore, Veriore
ose Veriperëndimore ku nuk vihen re diferencime të tilla megjithëse
këto rajone shtrihen në sipërfaqe më të gjëra se rajoni ballkanik.
Së treti, midis popullatës shqiptare kosovare nga njëra anë dhe
popullatës serbe nga ana tjetër, ndryshimet në distancat gjenetike janë
të dukshme dhe statistikisht sinjifikative. Kjo shkon në kundërshtim
me rregullin e përgjithshëm të lidhjes së ngushtë të distancave
gjenetike me ato gjeografike siç vihet re dhe në hartën e Europës
Qendrore dhe Juglindore ku tregohen distancat gjenetike të popujve të
kësaj zone nga popullata kosovare që është përdorur si pikënisje në
llogaritjen e këtyre distancave. Ndërsa pema filogjenetike e popujve të
këtij rajoni e llogaritur nga distancat gjenetike midis tyre është
hartuar nëpërmjet programit “
Neighbor-Joining” në mënyrë të
ngjashme kjo me programet kompjuterike të lartpërmendura që studiojnë
diferencimin e gjuhëve duke i nisur nga ndryshimet midis fjalëve me të
njëjtin kuptim të tyre.
Këto fakte shkencore të bazuara në studime gjenetike të kryera në
ADN-në e popullatave aktuale mbështesin tezën e autoktonisë së
shqiptarëve të ngritur fort nga të parët tanë rilindës. Lind pyetja
legjitime:
Mos vallë historia e pellazgëve si një popull i lashtë parahistorik në trevat ballkanike ka një bazë të vërtetë?
Kemi të drejtë të ngremë hipotezën se ndryshimet aktuale
gjuhësore, kulturore apo fetare midis popullatave shqiptare, maqedonase
dhe bullgare janë thjesht shtresëzime të mëvonshme dhe këto popuj kanë
një substrat të lashtë të përbashkët gjenetik iliro-trakas? Ndoshta
jo më kot si Maqedonia e Aleksandrit të Madh ashtu dhe Epiri i Pirros
janë konsideruar nga të parët tanë si troje të paraardhësve të
shqiptarëve të sotëm.
Nga ana tjetër, afërsia gjenetike e popullatave shqiptare me ato
greke konfirmon autoktoninë e lashtë të këtyre dy popujve fqinjë në
këto troje. Në qoftë se teoritë e “mohuesve të autoktonisë” mbi
migrimin e vonshëm të shqiptarëve do të ishin të vërteta atëherë midis
popullatave shqiptare dhe atyre greke ndryshimet gjenetike do të ishin
të dukshme, ashtu siç ndodh me popullatën serbe.
Është interesant fakti se të dhënat e studiuesve shqiptarë janë
konfirmuar së fundmi dhe nga një studim i kryer nga gjenetistë
amerikanë ( Ralph dhe Coop, Universiteti i Kalifornisë, korrik 2012).
Këta
studiues, duke përdorur gjithashtu metoda të biologjisë molekulare (të
ndryshme nga sistemi HLA), kanë arritur në konkluzione të ngjashme me
studiuesit shqiptarë.
Një impakt direkt dhe praktik i këtyre gjetjeve të reja është dobia e
krijimit të regjistrave kombëtarë dhe ndërkombëtarë të dhuruesve të
qelizave bazë gjakformuese, (staminale) si dhe të organeve për rajonin
ballkanik. Duke pasur parasysh afërsinë gjenetike të popujve që banojnë
në këtë rajon, këta regjistra do të ishin shumë te vlefshëm për të vënë
në dispozicion të të sëmurëve që kanë nevojë për transplante, dhurues
pa lidhje gjaku me ta, por të përshtatshëm nga ana imunogjenetike.
Ndërsa nga këndvështrimi i origjinës gjenetike të popullatave mund
të themi pa hezitim se këto fakte të reja shkencore, të bazuara në
metodologjitë moderne të biologjisë molekulare, si dhe në përdorimin e
programeve të sofistikuara kompjuterikë konfirmojnë tashmë vërtetësinë e
“
thirrjes së të parëve” tanë rilindës mbi lashtësinë e gjuhës shqipe, si dhe autoktoninë e popullit shqiptar në trojet e tij.
Prof. Genc Sulçebe