Sunday, June 5, 2011

Pasardhësi i Skënderbeut, pas gjysmë shekulli në Shqipëri: Ne ekzistojmë

Giorgio Maria Castriota Scanderbeg ka shkelur për herë të parë pas 55 vjetësh tokën shqiptare. Është pasardhës i heroit kombëtar nga linja e Napolit. Jeton në Kazerta, afër Napolit së bashku me gruan, Stefania dhe dy djemtë. Ka mbërritur dje në portin e Durrësit, aty ku 500 vjet të shkuara u largua familja e Skënderbeut e ka udhëtuar më pas drejt Krujës. 

Giorgio Maria Castriota Scanderbeg ka shkelur për herë të parë pas 55 vjetësh tokën shqiptare. Emri e lidh pashmangshëm me Skënderbeun. Është pasardhës i heroit kombëtar nga linja e Napolit. Zyrtarisht njihet edhe linja e Leçes, ndërsa ka shumë të tjerë që abuzojnë me këtë emër. Jeton në Kazerta, afër Napolit së bashku me gruan, Stefania dhe dy djemtë. Ka mbërritur dje në portin e Durrësit, aty ku 500 vjet të shkuara u largua familja e Skënderbeut. Me ftesë të drejtorit të Institutit Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Jashtme, z. Roland Bimo, do të njohë nga afër vendin e të parëve. Ka mbërritur rreth orës 10.00 në Tiranë dhe pak më pas ka udhëtuar drejt Krujës. Nuk i përshkruante dot emocionet e kësaj vizite të parë. Sot do të udhëtojë drejt Peshkopisë, ku me mbështetjen e kryetarit të bashkisë, Ilir Korsit dhe kryetarit të qarkut, Naim Gazidede, do të zhvillohen edhe festimet kryesore pranë shtatores së Skënderbeut në këtë qytet, realizuar dy vjet më parë nga artisti Sadik Spahiu me mbështetjen e Zaim Krosit. Një udhëtim në fshatin e vendlindjes së paraardhësve në Sinë dhe pastaj udhëtimi drejt Dibrës së Madhe, ku do t’i presë kryetari i bashkisë, Argëtim Fida. Aktivitetet do të vazhdojnë me një pritje të ministrit të Jashtëm, z. Haxhinasto e më tej Giorgio (Xhorxho) do të shkojë në Arkivin e Shtetit për të dorëzuar dokumentin e pemës gjenealogjike të familjes marrë nga Arkivat e Këshillit të Konsultës Araldike. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Giorgio Maria Castriota Scanderbeg tregon historinë e tij dhe të familjes.

Kjo është hera e parë që ju vizitoni Shqipërinë. Cilat janë ndjesitë apo mendimet që ju vijnë?
Hera e parë është një ndjesi shumë e veçantë. E pres këtë moment prej më shumë se 55 vjetësh. Emocionet janë të pafundme. Kam jetuar me to gati një muaj më parë, kur Ylli Polovina, me të cilin jam njohur më herët në Itali, më tha se mund të ishte mundësia të udhëtoja drejt Shqipërisë me një ftesë zyrtare. Kjo më nderoi shumë. Shpresoj të jem në lartësinë e duhur të përfaqësoj denjësisht familjen time Kastrioti Skënderbe në vendin nga i cili u nisëm 500 vjet më parë. Shqipëria do të ishte i vetmi vend ku nuk do të vija këmbë nëse nuk do të kisha pasur ftesë zyrtare, dhe kjo jo për të fituar një lavdi të kotë. Ne na dallon nga të tjerët fakti që kemi pasur fatin të lindim Kastrioti Skënderbe dhe duhet ta prezantojmë denjësisht figurën e tij. Mundësinë për të ardhur zyrtarisht në Shqipëri ne e kemi pasur. Familja është përfaqësuar nga xhaxhi im, i cili së bashku me kushërirën time, Maria Luisa kanë ardhur me Urdhrin e Maltës për të sjellë ndihma në ditët e vështirat të vitit 1997. Kjo i paraprinte një vizite zyrtare. Unë ecja me pasaportën në xhep në pritje që të dilte çasti i duhur për të ardhur e për të parë tokën tonë. Janë çështjet historike që na kanë detyruar të mos vijmë. Duhet ta pranoj se këtu Skënderbeu është një hero kombëtar, por në Itali është keqtrajtuar figura e tij. Unë mendoja se ishte e drejtë të fillonim të bënim një emigracion nga e kundërta. Kjo do të thotë se është Skënderbeu që rikthehet në shtëpi dhe kthehem së bashku me gruan time Stefania. Të vegjël mendonim se nuk do të mund ta vizitonim kurrë këtë vend. Na dukej se ishte i ndaluar për njerëz normalë, e jo më pastaj për ne që mbanim këtë mbiemër. Ndiheshim si në ekzil, por tani ndihem si në shtëpinë time. Unë vij nga një familje që nuk ka kërkuar asnjëherë të shpërfaqet. Ne nuk duam gjë tjetër, veçse të themi se ekzistojmë.

Për të gjithë lexuesit, a mund të na sqaroni degën familjare përmes së cilës ju jeni pasardhës i Skënderbeut? 
Pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468, familja (Gjoni me të ëmën Donikën) u transferua në Mbretërinë e Napolit. Falë marrëdhënieve të mira dhe ndihmës që Skënderbeu i kishte dhënë kësaj mbretërie, mbreti Ferdinand i Aragonës i ktheu respektin familjes. Si në çdo familje tjetër, në vitet që pasuan lindën shumë fëmijë, disa prej të cilëve zgjodhën rrugën e tyre për të mos qëndruar në Napoli. Ne jemi trashëgimtarë nga Achille Scanderbegh (Akilit). Ne jemi linja e Napolit. Ekziston edhe linja tjetër trashëgimtare e Leçes me Alessandro Scanderbegh (Aleksandër Skënderbe) nga Pardo. Ne nuk e mohojmë. Të dy jemi Kastrioti Skënderbe, të dy jemi krenarë që jemi përfaqësues të heroit të madh. Nuk kemi marrëdhënie të ngushta me ta, por s’ka vend as për aludime të tjera. Më duket e parëndësishme të thuash që unë jam trashëgimtar direkt e tjetri indirekt. Sipas dokumenteve që ne zotërojmë, të thuash që unë jam direkt apo indirekt më duket e parëndësishme. Por për të shpjeguar këtë rast, po marr një shembull të thjeshtë. Unë kam dy djem: Filipo Maria Kastrioti Skënderbe dhe Aleksandro Maria Skënderbe. Nëse djali i madh, Filipo nuk do të mundet të ketë fëmijë ose nuk do të ketë fëmijë meshkuj, të drejtën e pasardhësit do ta gëzojë Aleksandri. Ne rrjedhim nga një familje së cilës më 1945, me vdekjen e trashëgimtarit direkt Françesko, i kaloi nderi për të përfaqësuar Skënderbeun. Në këtë linjë, unë jam i fundit trashëgimtar deri sa kjo t’i kalojë djalit tim, Françeskos. Të gjitha këto që po them janë të dokumentuara në Arkivat e Romës, lehtësisht të verifikueshme.

Gjatë këtyre viteve ka pasur shumë persona që kanë pretenduar apo e kanë shpallur veten pasardhës të familjes së heroit kombëtar. Jeni në dijeni edhe ju?
Përmes internetit fillova të lexoja pasaktësi për sa i përket  familjes Kastrioti Skënderbe dhe fillova të rebelohesha. Ne nuk kërkojmë asgjë, por historia duhet të respektohet. Unë përfaqësoj  trashëgiminë aktuale direkte të heroit shqiptar. Shpresoj që vetëm në nivel emri të jemi të nderuar që i përkasim atij dhe të tregojmë se i përkasim. Ndaj kam sjellë me vete një broshurë që përmban tre dokumente: Janë pemët gjenealogjike të familjes, njëra prej tyre e njohur më 1910 edhe nga Arkivi i Këshillit të Konsultës Araldike (familjet fisnike), të cilat do t’i dorëzohen Arkivit Qendror Shtetëror.

Ju thatë se Skënderbeu është i keqtrajtuar në Itali. E thoni këtë krahasuar me kontributin e tij për këtë vend?
Kultura italiane ndaj figurës së Skënderbeut është indiferente. Ai është një hero që i ka dhënë shumë jo vetëm Shqipërisë, por gjithë Europës, por fatkeqësisht nuk është i vlerësuar ashtu si në vendin tuaj, madje më lejoni të them, në atdheun tonë. Në Itali, ne të familjes Kastrioti Skënderbe jemi njerëz normalë, ashtu siç është e drejtë të jemi: punëtorë dhe prindër. Roma ka sheshin “Albania” me monumentin e Skënderbeut, po aty është edhe pallati i famshëm me emrin e tij, i cili duhet të ishte një vend ku të tregoheshin marrëdhënien e shkëlqyera italo-shqiptare, por për fat të keq atje është muzeu i makaronave. Është i pashpjegueshëm për mua fakti pse nuk ka njohje për figurën, njeriun dhe historinë e Skënderbeut. Kjo ndoshta vjen edhe për faktin se politikani i vërtetë sot në Itali ndoshta nuk ekziston, sepse politikani historik kulturalisht ishte shumë i përgatitur. Unë vet ndjehem i papërgatitur përballë Skënderbeut nga i cili rrjedh, imagjinoje ai që nuk ka asnjë lidhje, çfarë mund të dijë për të. Historia e një heroi që ka punuar shumë për Europën sot nuk njihet, përveçse nga arbëreshët apo nga ata me origjinë arbëreshe. Sigurisht që nëse takoni djalin tim, ai do t’u përgjigjet.

E meqenëse flasim për arbëreshët, ata janë ende dëshmi e gjallë e asaj që ndodhi në vitet ‘500. Si janë raportet tuaja me ta?
Arbëreshët përfaqësojnë historinë dhe traditat që sipas meje, nuk gjenden më këtu, edhe pse nuk mund të flas me siguri për Shqipërinë. Ata flasin ende shqipen e vjetër, janë krenarë, të mrekullueshëm dhe kanë gjak shqiptar, që rrjedh në mënyrë të vrullshme. Kontaktin e parë që kam pasur me arbëreshët ka qenë vitin e shkuar. Patëm nderin të ftoheshim nga Portocannone (Porkanun) në një festë të përvitshme, ku na trajtuan shumë mirë. Do të ishim edhe këtë vit, po të mos kishim marrë ftesën për në Shqipëri, në të cilën nuk mund të mungoja. Doja të sillja edhe djemtë, por do të ishte e ekzagjeruar.

Do të udhëtoni në Krujë, në Peshkopi, në Dibër të Madhe. Çfarë prisni të gjeni në këto qytete?
Krujën e konsideroj si qytetin tim. Një vizatim i saj qëndron përballë tryezës sime të punës së bashku me një flamur shqiptar dhe shqiponjën. Do të më duhet t’i vizitoj më parë e pastaj të flas.

A trashëgoni objekte me vlerë historike nga familja, libra apo dokumente?
Ruaj ende një pikturë të shkëlqyer të Skënderbeut. Në fakt është e vendosur te shtëpia e Nënës në Napoli, por më përket mua. Ruaj po ashtu edhe një pikturë që motra e gjyshit tim Ferdinandos donte ta sillte si dhuratë në dasmën e Mbretit Zog. Më kanë treguar se Mbreti Zog kishte pasur mundësinë të martohej me një pasardhëse të Skënderbeut që ishte halla ime, Matilda. Kjo lidhje nuk u bë, nuk e di as se pse dhe nuk dua të ngatërrohem. Por Matilda, kur u martua Mbreti Zog, kishte ndërmend t’i dërgonte një pikturë që përfaqësonte Skënderbeun si luftëtar. Nuk pati guximin ta dërgonte, sepse kishte thënë se e kishte realizuar vetë, por në fakt ishte e një piktori tjetër. Janë gjëra të vogla të familjes. Janë edhe disa tekste të 1800-s që dëshmojnë për vazhdimësinë e dinastisë Skënderbe.

Çfarë angazhimi keni ju në jetën e përditshme?
Një ditë e zakonshme e jona, nëse nuk do të ishim në Tiranë, do të na gjente më Napoli ose Kazertë ku jetojmë. Në idenë e vjetër, princat jetonin në një botë ekstravagante, plot me luks. E jona është një jetë normale. Unë jam drejtor i një banke, ndoshta jam më mirë se të tjerët, por ka edhe më të mirë se unë. Bashkëshortja ime Stefania është e zonja e shtëpisë dhe administron familjen. Të premten, deri në orën 14:00, kam punuar në bankë duke paguar çeqe, mora skuterin (është kali im) dhe u ktheva në shtëpi. Psikologjikisht u përgatita të marr një tjetër pozicion dhe shpresoj të përfaqësoj denjësisht familjen time.

Çfarë do të merrni me vete kur të ktheheni?
Gjithçka, mendoj se nuk do më mjaftojnë lekët (Qesh). Do marr me vete kujtimin më të mirë. Sapo arrita, më njoftuam se do të kem takime të ndryshme dhe aktivitete që në njëfarë mënyre do të përcillen mediatikisht, duke e bërë më të njohur familjen time. Unë dua që të gjithë të kuptojnë që nuk kam ardhur të bëj asgjë, veçse të prek me këmbët e mia territorin shqiptar, qytetin tim Krujën, fshatin e origjinës Sinën dhe është lumturi e pashpjegueshme. Kush nuk quhet si unë, nuk mund ta kuptojë.

Olivert Lila, G. Shqip

Friday, June 3, 2011

“RoboDet” – detektori i minave “made in Kosova”

Prej tetorit të vitit të kaluar, katër studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të UP-së kanë punuar në jetësimin e idesë së tyre. Një detyrë shkollore që ata e kishin propozuar ishte krijimi i një roboti që do të detektonte mina.

Njësoj si te filmi “The Hurt Locker”, i regjisores Kathryn Bigalow, që në vitin 2010 ishte shpërblyer me gjashtë “Oscar”, ku vendndodhja e minave detektohet nga një robot në formë tanku, Besnik Gashi, Valon Gojani, Kenan Hyseni dhe Drilon Bunjaku, nën udhëheqjen e profesorit të tyre Shaban Buza, kanë krijuar një të tillë.

Prezantimi i tij është bërë mesditën e së mërkurës, në amfiteatrin e këtij fakulteti, të stërmbushur nga kureshtarët. “RoboDet” është emri që ata i kanë dhënë krijesës së tyre. Profesor Buza ka thënë se jo rastësisht lansimi i tij është bërë më 1 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
“Për të treguar se lindi një ‘fëmijë’”, ka thënë Buza, teksa ka treguar se pagëzimi i tij ka kuptimin e një roboti që detekton.

Një tepih i gjelbër që paraqet fushën, i vendosur mbi tavolinë të rrethuar me paralajmërimet se aty “ka” mina, ishte simulimi që ishte bërë prezantimit. Rreth 90 centimetra gjerësi, aq sa është hapësira që ekipet dominuese krijojnë kur futen në fushë për të çminuar, është vënë në dispozicion. Ai dirigjohet nga distanca dhe reagon në metal në 10 centimetra largësi.
Mbeturina të ndryshme mekanike do t’u hynin në punë pesëshes krijuese. Zinxhirë të biçikletës, të shoqëruar me goma të prera e të përshtatura kanë shërbyer për të mundësuar lëvizjen e “tankut”, që mundohet nga tre motorë, që janë bateri të fuqisë 12- voltësh.
Secili nga studentët ka prezantuar nga një pjesë të punimit të tyre, teksa kanë folur edhe për sfidat që kanë pasur. Ndër kryesoret ka qenë kostoja financiare. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike ka pasur mundësi të ndajë vetëm 500 euro për këtë prodhim. Shaban Buza ka thënë se e ka të vështirë të përcaktojë koston e shpenzimeve për të bërë robotin në gjendjen çfarë u prezantua.
“Shumë pjesë kemi gjetur në place të ndryshme të mbeturinave mekanike, ndërsa pjesë që na janë dashur t’i blejmë i kemi marrë me më pak se gjysmë çmimi nga miqtë tanë”, ka thënë Buza.
Studenti Valon Gojani ka thënë se puna 8- mujore për krijimin e “RoboDetit” ka qenë plot sfida.
“Kemi pasur mirëkuptim mes vete dhe përkrahje nga profesori”, ka thënë Gojani.
Buza ka treguar se kjo ide ka lindur bashkërisht, teksa kanë parë se në 12 vjet të pasluftës në Kosovë minat kanë marrë 114 jetë të qytetarëve dhe nga to kanë mbetur të lënduar 449 të tjerë. Megjithatë “RoboDet” ende nuk është i denjë për të dal në terren.

“Nëse duhet të përdoret nga trupat që bëjnë çminimin e fushave në Kosovë, i duhet të sofistikohet edhe pak”, ka thënë Buza.
Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Musli Bajraktari, është shprehur krenar që studentët e fakultetit që drejton kanë prodhuar një robot.

“E kanë prodhuar vetë nga pjesa e parë deri te kjo gjendje në të cilin po e shohim. Çdo pjesë e tij pothuajse është nxjerrë nga mbeturinat”, ka thënë Bajraktari. /kd/

Wednesday, June 1, 2011

ÇUDIA/ Të gjitha krimet e Berishës ndodhin… “1 herë në 100 vjet”



Në këto 20 vite nuk kam dëgjuar në asnjë rast që SALI BERISHA të pranoj dhe të jap përgjigje të sinqerta e konkrete pranuese për ndonjë gabim, skandal ose krim që ndodh në pushtetin e tij. “Tradita” e SALIUT është kjo: Ose hesht, ose anashkalon faktin, ose justifikohet me “pakujdesi të procesit”, ose mashtron publikisht, ose thotë “nuk di asgjë, sot po e dëgjoj”, ose i konsideron krimet “dukuri natyrore dhe çudira hyjnore, të cilat ndodhin rrallë në këtë botë”.
Por, nëse i referohesh fakteve e autorëve të këtyre ngjarjeve, “çuditërisht” të gjitha ndodhin vetëm në pushtetin dhe politikën e SALI BERISHËS! Këto ditë, kam shfletuar disa shënime për ngjarje kryesore që kanë ndodhur në Shqipëri dhe kam konstatuar këtë çudi: Të gjitha krimet e pushtetit dhe politikës “SALI”,na është thënë se “nuk janë përgjegjësi e pushtetit, por janë fenomene, dukuri e rastësi që ndodhin përherë vetëm nga 1 herë në 100 vjet”. Po flasim konkretisht, sipas deklarimeve të bëra prej SALI BERISHËS dhe “përforcuesve” të tij politikanë e ministra.

Firmat piramidale: “Ndodhin 1 herë në 100 vjet”

SALI BERISHA: Kjo që ndodhi në Shqipëri me firmat piramidale është një katastrofë kombëtare në aspektin financiar të familjeve të shqiptarëve dhe në aspektin shoqëror konsiderohet humbje e koshiencës qytetare si komb. Kjo u ka ndodhur dhe kombeve të tjerë, por siç e dimë nga të dhënat që kemi, kjo është një dukuri, që ndodh 1 herë në 100 vjet. Edhe vetë lulëzimi i firmave piramidale nuk është proces qeverisës, por është një ç’ekuilibrim i pa vullnetshëm, që çdo shteti i ndodh 1 herë në 100 vjet.


TRITAN SHEHU: Kjo katastrofë që ndodhi ndaj vendit e mes shqiptarësh, nuk ishte thjesht një dramë kombëtare, por një dukuri shoqërore me zanafillë tek historia e formimit njerëzor e cila ka vërtetuar se vetë-shpërthime të tilla kundër vetes ndodhin 1 herë në 100 e 200 vjet në të gjithë popujt e vendeve në zhvillim.

RITVAN BODE: Kjo ishte një çmenduri popullore. Nuk ishte çështje humbjeje e lekëve të shqiptarëve në piramidat, por një humbje e kontrollit të logjikës qytetare, e daljes jashtë arsyes, fenomen ky që ndodh rrallë, me probabilitet të këtyre rasteve me shfaqje 1 herë, në 100 vjet.
GENC POLLO: Me sa e njoh unë historinë e popujve të 100 viteve të fundit, ky zemërim popullor me pasojë shkatërrimin e vetvetes, nuk cilësohet reagim logjik i komunitetit, por dukuri shoqërore që ndodh 1 herë në 100 vjet. Për këtë arsye, shqiptarët nuk mund të bënin përjashtim nga kjo dukuri njerëzore.

JOZEFINA TOPALLI: Puna e piramidave rentiere ka ndodhur edhe në Maqedoni, Bulgari, Rumani, Itali e deri në SHBA. Ndodhi edhe tek ne, por një gjë duhet mbajt parasysh e duhet ta dinë shqiptarët: Nuk ishte punë qeverie, por një fenomen njerëzor që ndodh 1 herë në 100 vjet.


Shpërthimi i Gërdecit: “Ndodh 1 herë, në 100 vjet”

SALI BERISHA: Ju them sinqerisht, që unë nuk dija gjë fare për Gërdecin nëse ekzistonte ose jo si qendër demontimi municionesh. Por sa e mësova ngjarjen, u konsultova me ekspertët më të mirë të qeverisë time e ata të vendeve fqinje dhe ata më thanë se është një moment teknik i paparashikueshëm, që ndodh 1 herë në 100 vjet. Sipas të dhënave, kjo ka ndodhur dhe në disa vende të tjera me teknikë e ushtri të avancuar, por që ciklin e rastësisë për t’u përsëritur e ka 1 herë, në çdo 100 vjet.

FATMIR MEDIU: Gjeneralët ushtarakë të NATO dhe ekspertët e fushës së demontimeve me të cilët kam kontaktuar, konfirmojnë se shpërthime të tilla të municioneve vijnë prej krijimit të temperaturës konservuese të trupave të lëndëve municion. Këto kanë ndodhur dhe në bazat demontuese e bazat stërvitore ushtarake të botës, por janë raste që përsëriten vetëm 1 herë, në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Askush nuk e dëshironte të ndodhte kjo tragjedi, por sipas ekspertëve të municioneve, kjo nuk ndalej sepse nuk parashikohej. Jo vetëm qeveria e Sali Berishës, por edhe qeveria e çdo vendi tjetër më modern, dorëzohet përpara fenomeneve të tilla, pothuajse apokaliptike, që ndodhin 1 herë në 100 vjet e që nuk dihet se kur dhe ku ndodhin. Këtë nuk e them as unë, as Sali Berisha, as Fatmir Mediu e asnjeri prej deputetëve të mazhorancës, por e konfirmojnë studiuesit dhe ekspertët e fushës së demontimeve.

ARBEN IMAMI: Kjo që ndodhi në Gërdec, nuk është vepër e qeverisë Berisha, as e Ministrit të Mbrojtjes, zotit Mediu, por është vetëm një gabim njerëzor që nuk është çudi të përsëritet prapë pas 100 vjetësh, sepse historia ka treguar, që edhe pushka mbushet vetë 1 herë në 100 vjet. Kështu edhe shpërthimi i municionit në Gërdec.


Vrasja e Trebickës: “Rasti ndodh 1 herë, në 100 vjet”

SALI BERISHA: Me sa kam dëgjuar dhe me sa jam njohur këto ditë nga ekspertët, për raste të tilla aksidentesh, një spostim i tillë i trupit të viktimës me afro 100 metër nga makina, ka lidhje me forcën shtytëse që i ka dhënë trupit mjeti gjatë rrotullimeve. Sipas ekspertëve të fushës, kjo cilësohet si fenomen tepër i rrallë në historinë e aksidenteve rrugore, mbasi ndodh pothuajse 1 herë në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Ky është aksident si gjithë aksidentet e tjerë rrugorë, por që ka si veçanti faktin, se ka një dukuri e cila nuk ndeshet shpesh në aksidentet e zakonshëm që ndodhin. Distanca e spostimit të trupit të viktimës aq larg mjetit me të cilin udhëtonte, nuk përbën shkas për dyshime për krim, mbasi sipas specialistëve dhe ekspertëve, kjo ka ndodhur dhe në vende e raste të tjera të botës, pavarësisht se ndodh shumë rrallë, për të mos thënë se aksidente të tillë të çuditshëm ndodhin 1 herë, në 100 vjet.

BUJAR NISHANI: Ekspertët po merren me këqyrjen e aksidentit në fjalë. Por sipas kontakteve të para me ekspertët e linjës, rezulton se kjo është një mospërputhje e rrallë mes trupit të viktimës dhe vendit të ndodhjes së mjetit të aksidentit. Janë raste të rralla, por historia e aksidenteve në botë, tregon dhe konfirmon se këto ndodhin vetëm 1 herë, në 100 vjet.


Përmbytja e Parë e Shkodrës: “Hëna, kishte pozicionin e saj 100 vjeçar”

SALI BERISHA: Përmbytja e Shkodrës nuk ka lidhje me ato që thotë opozita për hapje digash e mungesë investimesh në lumin Drin dhe Bunë. Por ju garantoj, se e gjithë kjo tragjedi është natyrore dhe ka lidhje vetëm me Hënën. Sipas studimeve, ditën që uji vërshoi dhe përmbyti Shkodrën, rezultoi se Hëna kishte pozicionin agresiv ndaj lumenjve, pra kishte ciklin e saj hënor 100 vjeçar. Pozicioni i Hënës ishte i tillë, që provokon shpërthime ujërash përmbytje ujore katastrofike. Sipas kalendarit hënor, kjo ndodh 1 herë në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Përmbytjen e Shkodrës nuk e bëri qeveria e Sali Berishës, por një dukuri natyrore që ka lidhje me pozicionin dhe veprimin eklipsor të hënës. Siç thonë specialistët dhe faktet nga historia e njerëzore e përmbytjeve, Hëna gjendet në pozicion të disfavorshëm me tokën, vetëm 1 herë në 100 vjet dhe ky pozicion nxit vërshime lumenjsh, që krijojnë përmbytjet.


Përmbytja e dytë e Shkodrës: “Kjo ka ndodhur edhe 100 vjet më parë”

SALI BERISHA: Nuk është mungesë e kujdesit të qeverisë time, për të frenuar e disiplinuar lumenjtë e digat e hidrocentraleve, se atë e kemi bërë me kujdesin më të madh. Ky është një fenomen natyror i pa parashikueshëm. Një banor i vjetër i Shkodrës, më dërgoi sot një mesazh, ku më thoshte: “Zoti kryeministër, nuk na përmbyti qeveria juaj, por fenomeni natyror, sepse Shkodra është përmbytur edhe në vitin 1913”. Pra, kjo është punë e Zotit, ne jemi të detyruar të nënshtrohemi përballë fuqisë dhe vullnetit të tij.

JOZEFINA TOPALLI: Çdo familje shkodrane, ka në kujtesë historinë marrëdhënieve të qytetit më Bunën e Drinin. Digat e hidrocentraleve nuk kanë asnjë lidhje me këtë situatë, sepse ato janë menaxhuar me kujdes dhe eficencë. Ky qytet është përmbytur edhe 100 vite më parë nga lumenjtë. Fotografitë dhe rrëfimet e shkodranëve, flasin se kjo përmbytje ndodh vetëm 1 herë, në 100 vjet.


21 Janari: “Rikoshetat plumb-trung peme, ndodhin 1 herë në 100 vjet”

SALI BERISHA: Ekspertët po bëjnë punën e tyre. Nga informacionet e para të laboratorit të ekspertimit të predhave të gjetura në trupat e viktimave, rezulton se ata janë vrarë pasi plumbat kanë bërë rikoshetë në trungjet e pemëve përballë të cilave ata qëndronin. Unë nuk jam ekspert që të them se si ndodh kjo rikoshetë, por specialistët më kanë konfirmuar me prova shkencore e historike se rikosheta e plumbit nuk ndodh vetëm në gurë, beton e metal, por 1 herë në 100 vjet ndodh edhe në trungjet e pemëve.

JOZEFINA TOPALLI: Analizat balistike të armëve dhe ekspertiza e plumbave tregon se viktimat janë shkaktuar nga vrasjet nëpërmjet rikoshetës së plumbave. Pasi kanë dalë nga armët, plumbat kanë ndeshur në trungjet e pemëve përballë Kryeministrisë e Kryesisë së Kuvendit dhe kanë përfunduar në trupat e viktimave. Kjo nuk është shpikja jonë. Sipas fakteve historike të kriminalistikës botërore dhe sipas mendimit të specialistëve, kjo ndodh 1 herë në 100 vjet.

LULËZIM BASHA: E gjitha është shkaktuar jo nga shënjestrat e policëve të Gardës së Republikës e të policisë së shtetit, por nga rikoshetat e plumbave me pemët, të cilët janë rikthyer e kanë goditur viktimat. Kjo ka ndodhur dhe në raste të tjera në botë. Sipas ekspertëve, një rikoshetë e tillë specifike ndodh 1 herë në 100 vjet.


Rezultati me 10 vota diferencë: “Ndodh 1 herë, në 100 vjet”

SALI BERISHA: Ky rezultat i ngushtë në garën elektorale mes dy kandidatëve, mund të quhet çudi, por ja që është fakt dhe ne jemi të detyruar ta pranojmë edhe po të ishte fitore për rivalin. Në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Studiuesit dhe ekspertët thonë, se kjo ndodh rrallë, pra vetëm 1 herë në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Kjo fitore e zotit Basha me rezultat kaq të ngushtë në 250 mijë vota, mund të quhet rast historik. Pas interesimit tim për këtë rast unikal konkurrence zgjedhore, mësova se një fenomen i tillë ka ndodhur dhe në vende te tjera, por mundësia është, që kjo dukuri të ndodh vetëm 1 herë, në 100 vjet.

Nga Kledian Lula, kledianlula@yahoo.com

G. Tema

Monday, May 23, 2011

Më shumë se 100 vajza nga Shqipëria janë martuar në Serbi

Momir Kovaçeviq, përfaqësues i shoqatës “Stara Rashka”, ka theksuar se më shumë se 100 vajza nga Shqipëria katër vitet e fundit janë martuar në Serbi, në Novi Pazar, Sjenicë, Tutin dhe Nova Varosh, transmeton njoftimin e medieve INA.

“Ky aksion mund të vlerësohet si shumë i suksesshëm, pasi kemi të bëjmë me martesa të lumtura, është parandaluar vdekja e shumë fshatrave” ka thënë Kovaçeviq, i cili shton se vajzat nga Shqipëria nuk hezitojnë të martohen me djemtë e kësaj ane.

Me djelmoshat e pamartuar në vendet fshatare të këtyre vendeve martohen kryesisht vajza që vijnë nga veriu i Shqipërisë, kryesisht nga rrethi i Shkodrës.

Sanxhaku është rajoni në jugperëndim të vendit, në kufi me Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën, me popullsi prej 420 mijë banorësh, dhe që dominohet nga shumica boshnjake dhe pikërisht sepse nuk janë serbë kanë katandisur ndër zonat më të varfra dhe më të prapambetura ekonomikisht të Serbisë.

Monday, May 16, 2011

Vidhet faqja Stop Injorancës

Më datë 13.05.2011 kanë vjedhur fjalëkalimin e profilit Ndal Paditurisë, i cili ishte edhe drejtuesi që krijoi dhe administronte faqen Stop Injorancës në facebook, e cila në prag të 2-vjetorit nga krijimi i saj (18.05.2009) sapo kishte kaluar 50 mijë anëtarë të rregjistruar, prej të cilëve mbi 30 mijë ishin çdo ditë aktivë.

Ndërkohë që jemi ende duke punuar për të rikthyer atë faqe tek i zoti i saj, me anë të ndihmës së anëtarëve, por edhe sipas kallëzimit penal që kemi bërë, i lutemi anëtarëve të rregjistrohen paraprakisht tek faqja jonë e re http://www.facebook.com/NdalPaditurise2 derisa të marrim një vendim përfundimtar.

Ju kërkojmë ndjesë për këtë amulli dhe ju sigurojmë që do ta vazhdojmë edhe më fort nismën tonë. Të vjedhësh punën, mundin, identitetin e dikujt tjetër, nuk është veçse një krim moral, por edhe ligjor dhe hajduti që zotëron ende atë faqe, duke e bastarduar nivelin e saj me mënyrën e paskrupullt siç shkruan, duhet të dijë shumë mirë që herët a vonë do të zbulohet dhe do të marrë dënimin e merituar.

Pistat e arsyes të sulmit janë të ndryshme dhe lidhen pashmangërisht me çështje bindjesh politiko-fetare.


Faleminderit për mbështetjen, të gjithë anëtarëve tanë të nderuar! Me respekt: Stafi i Stop Injorancës!
 http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Wednesday, May 11, 2011

Reja



Unë jam reja,
pikturoj qiellin,
mjegulloj hënën
e maskoj diellin.


Vërtitem mbi ju

atje lart
pluhurin tuaj


mbi vete mbart


shpirtrat e lirë përqafoj
...dëshmitare në paranojë.




Në ngjyrë të purpurt valëvitem,
në pafundësi formash venitem,
nënë të ngrohtin e të ftohtin baba
motër rrufenë e rrebeshin vëlla.


Konturet e tua të brishta njom
e aromën në ajër të ndjell
e trishtë, e vetme s'je kurrë
kur lotët e mia në faqe të sjell.


Më urre, më duaj
më krijo, më shuaj
m'u afro e mos u druaj
bashkë me mua luaj.

Edhe pse s'mund të më prekësh
nuk jam e huaj.....

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Thursday, May 5, 2011

Perëndia im, nuk perëndon...

E kujtoj si sot muzgun e asaj pasdite, kur vështroja përmes xhamit të dritares shokët e mi, të luanin plot gaz e gumëzhima në lulishten poshtë palltatit.
T'u luta të bashkohesha me ta, por këpucët e vogla i kisha lidhur pisk, siç dhe i kisha hequr prej këmbëve dhe nuk po mundja ti vishja.
Do të dalësh vetëm nëse i zgidh, por mos u vono, sepse po u err nuk ke më ku të dalësh - më the.
Nxitoja ti zgidhja e jashtë errësira dukej sikur nxitonte më tepër se unë. Po djersija nga marazi, që lidhëset e këpucës ngatërroheshin edhe më keq e nuk pranonin ti dorëzoheshin doçkave të pasprovuara. Isha gati të qaja, kur ti more këpucët e mia duke i zgidhur ato lidhëse "të mallkuara" me një lëvizje vetëtimthi të dorës dhe me tjerën më godite të pasmet duke më thënë : "Shko tani e luaj me shokët".

Ka kaluar shumë kohë, afro një çerek shekulli prej kësaj dite dhe yt bir tashmë është bërë burrë, e fiton vetë jetesën, larg teje, i gatshëm për të qenë dhe vetë baba, e përpara teje ende ndjehem ai fëmija i vogël dhe i pafuqishëm.

Gjithmonë, e akoma më shumë sot, kam e kam patur nevojë për përkrahje.
Kam nevojë të më mbështesësh, të më udhëzosh ende në rrugën e drejtë, të më qortosh kur gaboj dhe të më japësh kurajo kur dorëzohem.
Kam nevojë të më hapësh shtigje të reja, të më ndezësh dritën kur befas ndodhem i humbur në errësirë. Kam nevojë të më godasësh tek shpatullat kur pëpiqem, kam nevojë për atë fjalën tënde të mirë.

Në këtë botë prerjesh drejtëzash të padrejta, kam nevojë ende për ty babai im.
U linda dhe u rrita me baba, ky nuk është faji im, por sot po të shoh ty, të dorëzuar para jetës. Rrudhat të kanë mbuluar fytyrën, ato pak flokë që nga mbetur nga kaçurrelat e tua tashmë pothuajse janë zbardhur. Nuk lexon dot më pa syze, ushqimin nuk e shijon më me dhëmbët e tua. Lëvizjet të bëhen gjithmonë e më të ngadalta dhe gjumi yt, gjithmonë dhe më i shkurtër.
Dhe sikur të mos mjaftonte as mplakja e parakohshme e qindra mijërave betejave të guximshme që ke përballuar, presioni i lartë i gjakut, shkaktuar nga qindra shqetësime që ende mban mbi supe, ta goditi fort zemrën bujare dhe një pjesë të trurit, duke e vdekur përfundimisht atë.

Zemrën tënde nuk mundi të ta mposhtë dot ai tension i lartë, por zemrën time e theri aq fort, sa ndjeva botën të më shkërmoqej para syve. Djersë të ftohta më mbuluan.

Si mund të ishte goditur kështjella ime, si mund të rrëzohej im atë?
Përse kaq fuqishëm e papritur ky tërmet?



Nuk e di si e mbajta veten kur neurologu me një ftohtësi vrasësi profesionist fliste rreth babait tim, se truri i ishte atrofizuar nga stresi, se gjysma e trupit mund ti paralizohej dhe kjo ishte vetëm një minë me sahat e pa ç'montueshme, për të cilën duhej të përgatisnim veten nga çasti në çast, të dëgjonim shpërthimin.
Ndoshta ishte shpresa e pavetëdijshme se kjo ishte gjithçka një gabim. Kurrë një njeri i maturuar nuk mund të flasë për dhimbjen e dikujt tjetër në rolin e një mospërfillsi gaztor. Ndoshta ishte pafuqia ime, ndoshta ishte ideja se po ai doktor mund të ishte shpëtimi im, e gjithsesi ia doli mbanë të dalë i pashpërfytyruar nga ajo bisedë vrastare, madje duke marrë edhe paratë që kërkoi.

Nuk isha më unë.
Mes meje dhe botës u kris arsyeja, u zhubros jeta.
Si i marrë i dhashë makinës të të gjendesha me një frymë, sa më parë tek ti. Sapo më pe tek dera e reanimacionit, buzëqeshe forcërisht, por nuk munde të fshihje dot atë shikimin e trembur e të trishtë, atë shikimin e atyre syve që më kanë shpjeguar shkëlqimin, që më shumë se kurrë ishin fshehur përmes fytyrës tënde të bërë zjarr. U orvate të çoheshe në këmbë, me tubat e serumit varur nëpër krahë.

Ti kishe nevojë të më gënjeje, unë akoma më shumë të të besoja, por zëri yt kishte humbur atë kumtimin krenar, dora forcën për atë shtrëngimin unik at-bir.
Unë, borxhliu i përjetshëm, larg teje, një skllav metropoli, që puna për të fituar bukën e gojës e ka burgosur dhe nuk më lejon të të jem pranë, ti lidh e zgidh këpucët, babait tim....

Ti ishe, je dhe do të jesh gjithmonë.
PERENDIA IM, NUK PERENDON...!

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Tuesday, May 3, 2011

Bukuroshes së bukuroshes sime!

Po te presim...

Dukesh e lumtur!
Ti si një peshk në botën magjike ujore, bën kollotumba në barkun e nënës tënde. Kur të flas e të pyes nëse të pëlqen emri që do të të vemë, ti shkelmon me këmbë apo duartroket me duar , sikur do të më thuash: "Babi, mos u tall me mua..."

Numërojmë ditët e orët që kanë mbetur, orë e çast. Jemi lidhur aq shumë pas teje, saqë çdo bisedë përfundon gjithmonë tek ti. Të kemi ruajtur edhe testin e shtatëzanisë, çdo fotografi ekoje dhe kemi filmuar çdo seancë gjinekologjike, ku duket sikur me doçka na përshëndet. Nuk kisha parë kurrë kaq nëna shtatëzëna e fëmijë në karroca më parë. Gjithçka në televizor e radio duket sikur flet vetëm për fëmijët.

Nuk e përfytyrojmë dot si do të jesh. Cilit do ti marrësh buzët, e cilit syrin.
Të duam pa e ditur si do të jesh, si do të bëhesh. Ti je kurorëzim i dashurisë sonë dhe duhet të na besosh që je ngjizur në një prej netëve më të pasionante që kemi kaluar.

Nëna jote nuk ndërmerr më udhëtime të gjata. Në hidhërime nuk ka shkuar e në gëzime shumë pak ka kërcyer. Në banjë e nëpër shkallë, kalon gjithmonë me kujdes. Gjithë dyqanet e Tiranës kemi kërkuar për qershi në dimër dhe akoma sillemi rrotull për gjithçka nënës tënde i shkon ndërmend.
Ajo nuk po pi më as kafe në ato pasditet tona të përkushtimit ndaj njëri-tjetrit dhe as një cigare për qejf nuk po e ndez. As darkave gotën e verës, që ka ndezur shpeshherë netët tona, nuk po e troket. Pasditeve bën apelin e të gjitha familjeve të pallatit, çfarë ka gatuar njëra e çfarë ka gatuar tjetra.


Ndoshta shumë netë do të na lësh pa gjumë, ndoshta shumë herë zemrën sa majtas-djathtas do të na e rrotullosh, por ajo e qara jote do të jetë sigurisht tingulli më i ëmbël në këtë botë.
Një tingull i ri, fryt i dashurisë sonë.
Je ti në qendër dhe ne të dy që të rrotullohemi si satelitë.

Eh...! Sa do të donte babai yt që të të priste me gjithë të mirat e botës! Të të rregullonte një krevat princesash, në një shtëpi plot diell...

Por ja që jeta është kaq e padrejtë, kaq e vështirë dhe kjo bota jashtë e egër, bukuroshja ime e pafajshme. Aq e egër sa dhe pjesa më e madhe e prindërve nuk mbushen plot gëzim, kur sjellin në jetë vajza, në botën djallëzore të profetëve-meshkuj.

Nuk do të të edukoj për një botë ideale e të përfundosh thjeshtë një viktimë e njerëzve të pakulturuar, ashtu si u edukuam dhe e pësuam ne. Jo, asnjëherë. Ti do të jesh tmerri i hipokritëve, pseudomoralistëve e gjithçkaje të pështirë mban kjo botë gri. ngjyra ime...

Jemi zotuar të bëjmë çmos që edhe ti të rritesh si gjithë fëmijët e tjerë. Nuk e dimë sa të aftë do jemi, por do jemi bashkë të tre.

Ne si të marrosur po të presim, ti vetëm hajde shëndoshë e mirë.
Shkroi : Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Wednesday, April 27, 2011

Dhe ylli i ri i Gjermanisë është një… shqiptar

Ardian Bujupi, 18 vjeçari nga Kosova, pritet të shpallet fitues në spektaklin e njohur “Gjermania kërkon një yll”.
Ardian Bujupi Das Erstellen von Bildergalerien ist verboten! Verwendung der Bilder für Online-Medien ausschließlich mit folgender Verlinkung: "Alle Infos zu "Deutschland sucht den Superstar" im Special bei RTL.de: www.rtl.de/cms/unterhaltung/superstar.html
Edhe pse gara finale është më 7 maj, gazeta Bild thotë se shanset për të fituar i ka Bujupi, kosovari simpatik.
Nga gara në garë, ai po rritet ndjeshëm dhe shanset janë që të fitojë në fund pasi ka fituar shumë pikë sidomos mes grave të moshuara.

Historia e Bujupit gjithashtu ka prekur shumë gjermanët.
Ardiani thotë se fëmijëria e tij ka qenë shumë e vështirë. Ai bashkë me nënën duhej të arratisej nga Kosova. Ardiani jetonte në Prishtinë në kohën kur Kosova ishte pjesë e Serbisë. Babai i tij ishte drejtues në universitet dhe ishte këshilluar nga një afërm të arratisej pasi ishte në listën e zezë të shërbimeve sekrete serbe. Babai i arratis dhe Ardiani, që në atë kohë ishte 1 vjeç, dhe nëna shtatzënë mbetën pas.

Vetëm pas lindjes, ata u arratisën nga Kosova drejt Gjermanisë.

Tema
Duke i uruar suksesi këtij ambasadori të shqiptarisë, ju ftojmë të ndiqni një video të talentit shqiptar : http://www.youtube.com/watch?v=1jkfwqOPaE0

A kemi fuqi ta refuzojmë të keqen?

“Nëse harrojmë gabimet e së shkuarës, jemi të dënuar t’i përsërisim ato”, ka thënë George Santayana.
Apo mund ta kenë thënë të tjerë përpara tij?Ndoshta.
Në fakt, është një nga ato fraza, të cilën nuk ka mundësi t’mos e ketë thënë dikush tjetër përpara. Historia e njerëzimit ka lindur tok me gabimin e me harresën, e prandaj gjithëherën duhet të ketë qenë dikush që mund të ketë thënë përpara dikujt, se “kush harron një gabim të bërë, do ta përsërisë se s’bën atë”. Madje, është një frazë, që do duhej të thuhej më së pari nga ndonjë banor i vendit të shqipeve. Në çdo kohë. Sidomos sot. Dhe me këtë kam dalë aty ku doja.

Viti 2011. Anno domini. Shqipëria qeveriset nga Sali Berisha.
Kush është ky?
Mos është ai që në vitin 1992 erdhi në pushtet me premtimin për demokraci, e që më pas nuk lejoi opozitën të dilte të manifestonte në sheshe, burgosi udhëheqësin e opozitës, ndërtoi një shtet, institucionet e të cilit, që të gjitha, i kontrollonte ai vetë, përndoqi gazetarët, vodhi votat, lejoi dhe inkurajoi krijimin e piramidave financiare, i bëri karshillëk zemërimit popullor prej humbjes së kursimeve në këto piramida, hapi depot e armëve dhe rrëzoi shtetin për të krijuar konfuzionin e madh, mes të cilit mund të humbte gjurmët e krimeve të kryera e mund të mbrohej prej protestave? Mos është ai që, tok me karriken e pushtetit, la pas dhe nja 2-3 mijë të vrarë në konfuzionin që mbolli? Po, mor po, ai është. Shqiptarëve iu deshën tetë vjet për të harruar se kush ishte, e për ta risjellë në pushtet. Me Votë. Sic!

Pasi ritentoi pa sukses për tetë vjet me radhë (1997-2005), në stilin e tij të njohur e të frikshëm (me këtë stil ua bënte të lehtë shqiptarëve harraqë që të mos e harronin se kush ish), të rimerrte pushtetin e humbur, ai i dha karar të merrte një tabletë a një porcion nga ilaçi i Stevenson-it, dhe fap, u shndërrua, për një copë herë, nga i frikshëm në babaxhan e shpirt njeriu, dmth nga Mr. Hyde në Dr. Jekyll. Por le t’u ikim paraleleve me personazhe fiction. E le të hyjmë drejt e në temë.
Më kujtohet, se atëmot (2005) ishte dikush që, teksa dëgjonte ca të tjerë që thoshin, se “Sali Berisha është ai që është, nuk ndryshon kurrë, por nuk duhet ta kemi frikë, pasi tani kemi institucionet në rolin e gardianëve”, doli e tha: “ju po na thoni që bisha është bishë, por nuk ka pse të shqetësohemi, pasi kemi kafazin e institucioneve”?
Ky dikush (F.Ç) sot i lëpin bythën Berishës.
Si është e mundur? Ka harruar ç’ka thënë? Ka harruar se kush është “bisha”?
Jo, jo, s’është soji i atyre që harrojnë. Përkundrazi, është nga një soj tjetër, ndoshta më i madhi në tribunë e shqiptarëve, nga soji i atyre që për ideal kanë të mos kenë ideal. Dhe nuk është vetëm ky. Një e nga një kaluan pothuaj të gjithë në kampin e Sali Berishës. Dhe këtu nuk e kam fjalën për njerëz si Lulzim Basha e të tjerë që dolën nga hiçi, e të cilët, sidoqë të shkojnë gjërat, e kanë të hazërtë në çdo kohë justifikimin: “po unë s’dija gjë; unë thjesht zbatoja urdhërat”.
E kam fjalën për të tjerë që ca gjëra i dinë mirë, ja, si puna e F.Ç-së.
Cilët janë këta?
Janë shumë. Të zë frika kur mendon sa shumë janë. Doni t’ju them ca? Po ja, A.I, G.R, G.P, B.F, A.F, F.Xh, A.Zh, A.H, N.C, N.L, e deri tek këta të ditëve të fundit, si Y.M, K.Ç, etj. Nuk është se më dalin nga mendja të tjerë, që sot janë me opozitën; dhe as që më shkon në mendje t’i përligj në kërcimet e tyre sa andej, këtej; por të jesh në opozitë është kokëçarje e telash, ndërsa këtu po flas për atë pjesë të intelligentsia-s, që nuk po lë gjë pa bërë në mbështetje të regjimit që, si të gjitha regjimet, ka në dorë të ofrojë mbrojtje, komfort, status, pushtet, ndikim, favore, pará, prona. Kanë arritur deri atje sa kanë nënshkruar peticione (në stilin e peticioneve të kolektivave punonjëse në kapërcyell të vitit 1990) në mbështetje të regjimit, që po e mbrojtka rendin publik e kushtetues nga opozita. Së fundi kanë ngritur grupe e skuadra elektorale në mbështetje të kandidatit të tyre për kreun e bashkisë së Tiranës.

Kam “zbuluar” një gjë që i dallon të gjithë këta: Sa më shumë Berisha e trash zullumin, aq më shumë këta i falin mbështetje. Këta janë sot me Berishën më të vendosur se sa kanë qënë në vitin 2005. E kanë motivuar qysh në krye të herës këtë sjellje me faktin, që në krahun tjetër na qënka Edi Rama. “Ai është më i keq se Berisha”, kanë recituar e recitojnë, ngaqë u hyn në punë, një patologji të vjetër të F.L-së, si të ishte arsyetimi më i sofistikuar e më solid mbi faqe të dheut.
-Ndodhi ploja e Gërdecit (mbetën të vdekur gati 30 vetë) për shkak të një afere korruptive, në qendër të së cilës ishte djali i Sali Berishës (të gjithë e dinë që është kështu), por edhe pas kësaj ata vijuan të thonë, se “dakord, Berisha është i korruptuar, por Rama është më keq”.
-Pamë të gjithë në programin Fiks Fare, se si Ilir Meta, zëvendësi i Berishës, fliste për tangjente të marra e të dhëna, por reagimi i të këtillëve ishte po ai: “dakord, korrupsioni s’ka qënë kurrë në këto nivele, por Rama është më keq”.
-Ndodhi 21 janari, u vranë katër vetë krejt të pafajshëm, të paarmatosur, të parrezikshëm, por në vend të tronditeshin e të ngrinin zërin në kupë të qiellit, ata zunë të thoshin: “ka faj ai që i vrau, por ka faj dhe ai që i çoi përpara kryeministrisë (!!!); rrjedhimisht, Berisha është vrasës, por Rama është më keq”.
-Erdhi post-21 janari, dhe dëgjuam të na hidhen në surrat çmendurira të padëgjuara, si “protestuesit janë vrarë nga vetë protestuesit, se këta të fundit kanë bërë stërvitje diku afër Tiranës për të përmbysur me dhunë një pushtet të ardhur me votë, etj, etj”, por prapë nuk doli asnjë të thosh: unë nuk dua të jem pjesë e këtij zhgani.

Kudo e kurdo që një regjim vret, dalin dy a tre nga brenda regjimit, dy a tre më pak cipëtrashë se sa të tjerët, dy a tre që kanë, megjithatë, një minimum dinjiteti e ndërgjegjeje, e thonë stop, deri këtu jo, jo, jo.  
Para dy a tri ditësh edhe në Siri dolën dy deputetë e një klerik, dhe thanë se jemi kundër regjimit të Bashar al-Assad-it, që po vret njerëz të pafajshëm, ndërsa në Tiranë nuk doli qoftë dhe një nga kampi i maxhorancës të thosh: qysh nga ky moment unë jam në opozitë me këtë pushtet.
Përkundrazi, doli njëri syresh, ministër (A.I), që iu tha deputetëve të opozitës, se “ju jeni të gjithë Ziverë” (!!!).


Ndërsa të tjerët vijuan t’i bien të njëjtit avaz: dakord, por Rama është më keq.






Ou, po si qënka kjo punë kështu? Sa i keq na qënka ky Rama?
Po le të na thonë, se çfarë tjetër duhet të bëjë Berisha, që ata vetë të mos e kenë mendjen tek përbindëshi Rama? Mos duhet që Berisha të përdhunojë nja tridhjetë vajza të shkollave tetëvjeçare të Kamzës? Apo duhet të nxjerrë snajperat majë kryeministrisë me detyrën për të vrarë të gjitha kalimtarët atypari në një ditë të zakonshme? Apo duhet të vërë cluster bombs në tubimet elektorale të opozitës, e ta pranojë më pas, se “i vuri ai”? Apo duhet të lidhë një marrëveshje të re mbi regjimin ndërkufitar me Greqinë, me anë të së cilës kufirin greko-shqiptar ta vendosë në Tomorricë të Skraparit? Apo duhet të marrë Fazlliçin e ta bëjë anëtar të Këshillit të Ministrave të Republikës sonë? Apo duhet t’i thotë kryeprokurores “lavire bulevardi”? Apo duhet të dalë e të thotë se “protestuesit më 21 janar kishin ardhur të armatosur me thika me helm e me stilolapsa pistoletë”?
Ah, më falni, më duket se këto të fundit i ka thënë.

Epo çfarë dreqin duhet të bëjë? Le të na e thonë. Ta dimë.
E dini çfarë?
Unë po pres të humbë Edi Rama. Mezi po pres. Jo vetëm po pres, por edhe po lutem.

Ta marrë Berisha dhe Tiranën, ta marrë dhe Durrësin, dhe Elbasanin, dhe inshallah Korçën, Gjirokastrën, Lushnjën, Fierin, deri dhe Vlorën, e kështu të qërojmë hesapet me Edi Ramën, ta qërojmë nga politika, pa dhembje fare ta qërojmë. Dhe kështu këta nuk do kenë më alibi?
Hm, puna është se gjithmonë do ta kenë një alibi. Sepse ata në të vërtetë nuk kanë asgjë kundër Ramës. Puna është se ata janë me pushtetin. Do jenë dhe me Ramën nesër (kuptohet, nëse lutja ime shkon për lesh, dhe Rama vjen në pushtet). Do t’i trokasin në derë, dhe Rama ka për t’ua hapur katërkanatash. Me ta do t’i bëjë punët. Dhe zullumet. Por jo krimet, e vrasjet, e çmendurirat e markës Berisha. Apo ju do më thoni, se kush futet në rrugën e zullumeve, do të kalojë se s’bën nga stacioni i krimeve? Edhe mundet, edhe mundet. Por ç’del nga kjo? Që jemi mirë me këtë regjim që vret, e prêt? Qofshi ju që jeni! Pa Edi Ramën. Me Sali Berishën. Sa të jetë jeta. Amen!

Po tallem?
Jo, asnjë çikë. E di që është cinizëm i pashoq, por do t’i gëzohesha një fitoreje të Berishës në këto zgjedhje, bash si ata që e votojnë atë. Ndoshta ngaqë pres një konfermë të fundit të faktit, se në këtë vend të gjitha të këqijat ndodhin ngaqë duam ne të ndodhin. Ose ndoshta, ngaqë dua që Berisha t’i marrë praktikisht të gjitha njësitë e pushtetit e institucionet e shtetit, dua që ai të marrë mot dhe postin e kryeprokurores, dhe atë të presidentit, dhe atë të kreut të shërbimeve sekrete, dua që ai ta blejë dhe News 24-ën, dhe Top-channel-in, dhe Shekullin, dhe Vizion Plus-in, dua që të bëhen tok me intellighentsia-n që është vënë në mbështetje të tij edhe ca që kanë rezistuar deri më sot, në mënyrë që…. në mënyrë që çfarë? Në mënyrë që të merret vesh se hesapet i kemi me një regjim. Apo kush e ka marrë e ka marrë, kush s’e ka marrë s’mund ta marrë? Nuk e di. Ndoshta mund ta di pas 8 majit.
Mustafa Nano

Urrej të majtën!

Urrej të majtën sepse çdo ditë e më shumë dëshmon pafuqinë e vet përballë të djathtës fashiste. Urrej të majtën që ka shndërruar 21 janarin në shifrën kalendarike të një kohe të largët, në histori që nuk na përket dhe që nuk mund të na shkaktojë më shumë se një ndjesi melankonike, në shoqërinë e një gote konjaku dekadent.Urrej të majtën që bëri të dukej Gërdeci një histori në një dimension tjetër, në një botë paralele me botën tonë gazmore, paçka dridhjeve jo natyrale tokës që tronditën këmbët e tiranasve pellazgë.
Urrej të majtën e deklaratave për shtyp, e deklaratave-dëshmi të aftësive recituese, profesionalisht të trajnuar të deputetit apo aspirantit të rradhës, që nuk e trembin fare të djathtën abuzive në pushtet. Urrej të majtën që përzgjedh fjalët për të qenë në rregull me çdo raport pa ngjyrë ndërkombëtarësh të ushqyer mirë. Urrej të majtën që mendon në anglisht përballë problemeve që dalin përpara përditë si barrikada njerëzore. Urrej elegancën e tyre, sjelljen politikisht korrekte, kohën e harxhuar me bon ton.
 Urrej të majtën që garon me të djathtën për të fituar biznesmenët, në një vend ku biznesmenët po bëjnë ligjin, duke e destinuar në letër me vlerë të ndonjë kohe ende të paardhur.
Urrej marrëveshjet e të majtës që kultivojnë impotencën. Urrej kohën që shpërdoron në rolin e viktimës përballë vëzhguesve të huaj, duke i vënë një kryq sipër forcës së madhe që ka brenda vetes.
Urrej të majtën që e ka lënë Shqipërinë pa asnjë peshë politike, të populluar nga individë që reagojnë si në mpirje kolektive. “U vetëvra djali i protestuesit të vrarë në 21 janar”. “Po po, e lexova tek Ballkanëeb”. “Berisha gënjeu për dëmshpërblimet e Gërdecit”. “Po po, e pashë tek TCh”. “Presidenti qenkësh puçist”. “Po po, e di”. “Meta po vidhte bashkë me Priftin”. “Po po, e pashë”.
Individë indiferentë që ekzistencën e tyre e përjetojnë përmes dëshmive mediatike. Indiferencë që në të vërtetë ulërin, se e majta në Shqipëri po hesht. Se e majta e deklaratave për shtyp nuk është dhe nuk flet për njerëzit. Se 80% e deklaratave thashethemnajë, nuk mund të mjaftojnë për të përfaqësuar popullin e majtë të shtetit më të varfër në Europë, shtetin më pak të përgatitur për të nesërmen, por që prej 20 vjetësh përjeton dejavu-në e një të sotmeje të errët e të pa shpresë. Shtetin që nuk lexon më. Shtetin që prodhon ekskluzivisht ekonomiksa dhe juridiksa më stampën e analfabetit.
Urrej të majtën që përkujdeset për të dalë bukur në foto plazhi, pavarësisht se muskujt glutealë ende nuk përbëjnë vlerë prioritare në Bathore, Patos, apo te 21-shi.
Urrej të majtën që nuk di të jetë opozitë, të majtën e tërhequr në pritje, me qetësinë e kujt ka luksin të presë. Urrej të majtën e 10 deputetëve më të pasur në Parlament, të PS-istëve me kohë shtesë. “Çfarë të bëjmë Ando, duhen lekë për të mbajtur Partinë” është refreni shkrefës për kë akoma beson se diçka do të ndryshojë, ndërkohë që biznesmenët luajnë me intuitë për të zgjedhur kahet. Sepse biznesmenët kanë gjithmonë kohë.
Urrej të majtën që për t’u zgjedhur, ka zgjedhur t’u bashkangjitet zgjidhjeve të djathta në një sfond qesharak që çdo ditë rrokulliset në kufijtë e tragjikes.
Urrej të majtën që ushqen besimin se ende ka garë mendimi mes dy partive.
Urrej të majtën që ka relativizuar fjalën aq sa asgjë që thuhet nuk ka më peshë. Urrej të majtën që kurrë nuk i qëndroi fjalës së dhënë. Të majtën që u përqëndrua për të arritur një imazh sa më qesharak të vetes. Të majtën që doli nga greva e urisë sepse ashtu iu tek Brukselit. Që në darkën me mëlçi pate hodhi në erë 20 ditët pa ushqim. Të majtën që 22 janar doli për të tradhëtuar atë për të cilën luftoi në 21 janar. Të majtën që braktisi viktimat në maskaradën e kriminelëve të djathtë. Të asaj të djathte që sot po del me program në dorë. Të djathtës që ndërkohë që vjedh në ditën me diell, premton të heqë 60 nga 85 taksa vendore.
Urrej të majtën që ende ngulmon t’i ngjajë të djathtës në logorencë, të majtën që na destinon në çoroditje, pa forcën e fjalës, që na mbyll në vetvete si autistë të pashpresë.
Të majtën që nuk më jep arsye për ta votuar dhe që më bën të dua të jem patetik.


  • Andi Kananaj

Një pirg me gënjeshtra

Një arsye e fortë për t'u rihapur dosja hetimore e mbyllur për vonesa në procedurën e hetimit
Pas një presioni të pazakontë nga media Lulëzim Basha u përgjigj dje për një nga katër akuzat me të cilat ai po përballet për fshehje të pasurisë dhe lënien e shtetësisë shqiptare prej gruas së tij. Në një njoftim të shpërndarë nga zëdhënësja e tij, thuhet se në dokumentin e noterisë është bërë një lapsus dhe pasaporta e tij shqiptare është quajtur amerikane. Sqarimi është nervoz dhe plot mllef, ndërkohë që ai po përpiqet të shpërndaj buzëqeshje ku të mund të rrugëve të Tiranës.

Është nervoz dhe shumë i vonuar, pas 48 orësh, pasi janë botuar në medie dokumentet që flasin se ai është paraqitur para noterit me një pasaportë amerikane. Por mbi të gjitha është shumë fyes si sqarim.
Përfytyroni një noter holandez të cilit i janë vënë përpara dy pasaporta shqiptare, të dyja besoj në atë vit ngjyrë kafe, dhe noteri njërën e quan amerikane dhe tjetrën shqiptare.
Por e lëmë mënjanë lajthitjen e noterit dhe të merremi me "ndershmërinë" e qytetarit tonë Lulëzim Basha.




Të gjithë e dimë sa rëndësi ka një akt i tillë noterial, pasi me këtë akt noterial Lulëzim Basha është paraqitur edhe në Post Bank një nga bankat më serioze të Holandës, ku ka marrë kredi për këtë shtëpi, sipas tij. E më pas në Kadastër, etj.

Përfytyroni tani një shqiptar që ka blerë shtëpi, ka në dorë aktin noterial të blerjes, shikon aty që pasaporta i është shënuar amerikane dhe nuk tenton ta korrigjoj dokumentin, duke bërë në të vërtet të falsifikuar gjithë procedurën.  
Nëse deri në atë që Basha e quan gabim noteri kemi një lapsus, në vazhdimin e praktikës nga Basha kemi një akt falsifikimi të paramenduar.

Ish shtëpia e çiftit Basha në Holandë

Së dyti ky "lapsus" sepse më sjell në mendje intervistën e avokatit të tij politik Sabri Godo i cili ishte këshilluar të thoshte se Aurela Isufi e flaku shtetësinë shqiptare pasi nuk blinte dot shtëpi në Holandë me pasaportë shqiptare. Sipas sqarimit të djeshëm të Lulëzim Bashës, ai dhe gruaja e tij kanë blerë të dy shtëpi në vitin 2001 me pasaportë shqiptare.!!!

Duke besuar se zoti Godo ka thënë atë çfarë i ka thënë Lulëzim Basha, atëherë na rezulton se njëri nga dy blerësit mund të jetë paraqitur me pasaportë amerikane para noterit për të shpëtuar taksat dhe procedurën e një ekstrakomunitari për të blerë shtëpi në Holandë. Nëse është e vërtetë që mund të blihet shtëpi me pasaporta shqiptare siç po i thotë publikut shtabi i Lulëzim Bashës, spiralja e gënjeshtrës e fut zotin Basha në një humnerë të pafundme të mungesës së personalitetit, të cilën duhet tua sqaroj shqiptarëve, pasi rikthen dyshimet e forta përse gruaja e tij flaku shtetësinë shqiptare dhe nuk denjon akoma ta rimarrë.
Në sqarimin e djeshëm zoti Basha siç thamë nuk i përgjigjet akuzave të tjera që kanë të bëjnë me vitin 2007, kur ai shfaqet në sistemin e policisë me tri pasaporta diplomatike të tria të vlefshme në të njëjtën kohë.  
As trafikantët kolumbianë të drogës nuk marrin kaq shumë masa për pasaporta rezervë sa ç'ka marrë Ministri ynë i Jashtëm në vitin 2007.

Ai po ashtu nuk po sqaron falsifikimin që ka bërë me deklarimin e shitjes së apartamentit në Holandë para kohe.
Me këtë veprim zoti Basha ka pastruar historinë e 200 mijë eurove, duke deklaruar se i kanë ardhur nga shitja e apartamentit në Holandë, ndërkohë që apartamentin sipas dokumenteve e ka shitur një vit më vonë.
Të gjithë e dimë se në vitin 2007 në duart e Lulëzim Bashës kaluan 1 miliard dollarë për ndërtimin e një rruge 54 kilometër, dhe siç thotë shefi i tij, nuk përjashtohet mundësia që ndonjë stërkalë nga gjithë ai lumë të ketë përfunduar dhe në xhep të tij.
Nxitimi për të deklaruar pare të fituara nga shitja e shtëpisë në vitin 2007, është një fakt i ri i cili mund t'i shërbej prokurores Ina Rama për ta rihapur dosjen e rrugës Rrëshen Kalimash të djegur për procedurë. Tani e ka më të lehtë pasi zoti Basha nuk ka as imunitet. Prokuroria e ka të gatshme dosjen që e merr të pandehur zotin Basha, dhe meqë për t'i rihapur dosjen kur "digjet për procedure" duhet një fakt i ri që lidhet me të, unë mendoj se fakt më të fortë se sa të kapësh të dyshuarin për hajdut me 200 mijë euro të padeklaruara në xhep nuk ka.

U bën shumë gënjeshtra.
Lulëzim Basha duhet t'ia kishte kursyer vetes përforcimin e identitetit të tij si gënjeshtar në këtë fushatë. Mund të kishte marrë disa masa para fushatës dhe të kishte shmangur këtë situatë banale që po i krijohet duke gënjyer për çdo gjë.

Por nuk është aq e lehtë, kur duhet të gënjesh për çdo gjë.

Ai ka nisur të gënjej për çdo detaj të jetës së tij qysh në vitin 1992 kur deklaroi se ishte vëzhgues zgjedhjesh në KQZ e 2 Marsit, (në moshën 17 vjeçare), që më kujton rrëfimin e Sabri Godos që kish qenë partizan në moshën 13 vjeçare.

I është dashur të gënjej për studimet dhe për njeriun që ja ka paguar studimet, i është dashur të gënjej sponsorin e studimeve deri sa i shkaktoi traumë që i përshpejtoi vdekjen në vitin 2005, i është dashur të gënjej si është njohur me gruan dhe kur janë martuar, i është dashur të gënjej, kur kanë blerë shtëpi dhe ku i kanë gjetur lekët, i është dashur të gënjej ku ka punuar dhe çfarë pune ka bërë, i është dashur të gënjej për hapjen e dosjeve për trafik organesh nga UÇK në Shqipëri, i është dashur të gënjej përse gruaja e tij flaku pasaportën shqiptare dhe bashkë me vajzën e saj janë qytetare holandeze, (pra dy e treta e familjes së tij janë holandezë), i është dashur të gënjej kush e përfshiu në skemën e rikthimit në Shqipëri me katapultë nga UNMIK në qeverinë Berisha, i është dashur të gënjej për raportet me vajzën e kryeministrit, i është dashur të gënjej për fondet e rrugës Rrëshen Kalimash, i është dashur të gënjej për faljen e ujërave Greqisë...

... dhe në fund po i duhet të laj duart nga gjaku i katër të vrarëve më 21 janar.
Kaq shumë gënjeshtra askujt nuk i ka rënë në jetë t'i justifikoj. Është një pirg i madh, një mullar gjigant gënjeshtrash që për të qëndruar të stivosura e duan një hu të fort në mes qe t'i mbaj te lidhura. Lulëzim Basha është boll i gjatë, për të shërbyer si i tillë, por prapë ato nuk qëndrojnë dot të gjitha njëra mbi tjetrën.
Është i dënuar të rropatet gjithë jetën mes tyre.

Shekulli

Zgjedhjet, qeveria lejon tabelat maqedonase

POGRADEC-Dy javë përpara zgjedhjeve lokale të 8 majit, komuna Pustec mbushet me tabela me emra rrugësh dhe sheshesh në gjuhën maqedonase.
Komuna që dikur mbante emrin Liqenas ka përfshirë dhe zyrtarë të komunës Gazi Baba të Maqedonisë, duke bërë fushatë edhe për kandidatin zyrtar të koalicionit qeveritar të drejtuar nga PD-ja, Edmond Temelko, i cili mban postin e kryetarit të Partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian.

E perditshmja Gazeta Shqiptare zbulon se tabelat e rrugëve janë vendosur në dy gjuhë, shqipe dhe atë sllavo-maqedonase, dy janë në alfabetin latin dhe atë cirilik. Shenja të institucioneve dhe rrugëve në gjuhën sllavo-maqedonase në 9 fshatrat të komunës Liqenas, e emëruar në Pustec, të prefekturës së Korçës u vendosën me datën 14 prill ku të pranishëm ishin kryetari i komunës Gazi Baba, Tony Trajkovski, Teodor Petrov, presidenti i kongresit botëror të Maqedonisë dhe Tashko Ivanov, kryetar i shoqatës së Maqedonasve të Egjeut.
Ne artikullin e shkruar e perditshmja Gazeta Shqiptare zbulon personin qe ka lejuar vendosjen e tabelave, ndersa sjell ne vemendje se në Maqedoninë fqinjë, në përbërje me popullsi shqiptare etnike të konsiderueshme, mungojnë emrat e rrugëve në gjuhën shqipe, duke mos respektuar marrëveshjen e Ohrit si dhe rastin Bollano me tabelat greke në Vlorë. 

(d.b/BalkanWeb)

Jam emigrant, shqiptar, zot e krenar...

Për një jetë më të mirë. A thua vallë kaq egoist të jem?! Për një jetë më të mirë, vura jetën time në shërbim të një vëndi tjetër. Vura jetën, përbërjen e frymarrjëve që mbushin e zbrasin kasollen e shpirtit tim mall.

Jam shqiptar...Zot dhe Krenar, do kish' thënë dikush që varri iu gdhend përtej detit të pa kombësi. Përtej qiellit që ndrit shqip, përtej pasthirmës së mëmës kokëbardhe...përtej Shqipërise.


Jam emigrant dhe bota moderne bashkëkohore, më mësoi që një zdrukthtar i mirë i ndjenjave të mia të behem. T'i zbus lëkurën dinjitetit psikopat, që më patjetër donte të ish i ndershëm. -I marri, me mullinjtë e erës moderne donte vallë të luftonte?! 
Zdrukthtar, profesion i një arti të rrugës, mësuar dhe provuar mbi lëkurë të trupit tënd. Deomos!-Gjithcka nis nga vetja por sinjalet që unë perçoj drejt shoqërisë së vibrimit mental dhe shkundjeve qënësore janë të dobëta, janë gudulisje nën sqetull të Europes Plakë. Të papërfillshëm, si unë para syrit dyshues që më vështron.

A thua jam i shëmtuar? Apo mbaj erë jo të këndshme? -I pastër kam qënë gjithnjë...Nëna m'ë lante e më fërkonte këmbët me një gur të zi të madh, që në raste të tjera përdorej të mbanim derën hapur të kasolles tonë qerpiç.

-Eh ç'fllad shqiptar freskonte atë shtëpi të pastër, me gruan më të bukur në tesha shtëpie, parë ndonjëhere nga syri i fëmijes përrallë.

Kam venë re , të pëlqejnë syrin tim zeshkan, mes dritash therëse të një klubi nate. Të më afrohet gjini e kundërt sikur vërtetë do të njohë prejardhjen time shqiponjë. Por jo nuk shkon kurrë aq thellë. Gjinia e kundërt(përse t'a mohoj, joshëse) kthen gotën e kristaltë me fund dhe nga fundi i saj më hedh një sy , nga ai vështrimi i xham-të që kurrë nuk merr shkëlqimet e thërmosura të një diamanti.

Hap sytë, në shtratin tim të ngushtë, pushoi për një natë të tërë sërisht, shpirti im i gjerë. Dita duhet të ketë zbardhur, por në tunelin tim, dielli është denuar. Po çohem, drejtë errësirës të djeg dhe një ditë në kërkim të dritës ne fundin e tunelit tim.

Ndonëse i dëshpëruar nga malli, larg atdheut e njerzve të mi më të dashur, do të doja të isha më i lumtur sonte, e sytë e mi të vezullonin në vendin tim, atje ku jehona e shqipes më thërret .
Jam emigrant, shqiptar, zot e krenar.                                                                                                                      
Shkroi: Dy udhëtarët

Blasfemi

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s'iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.
Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme...
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke...
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme...
0 pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!
Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve
0, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!
Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë-simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëmdueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna.


Millosh Gjergj Nikolla
Millosh Gjergj Nikolla poet dhe prozator i njohur si Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër.Me një realizëm të thellë, të panjohur deri atëherë në letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, sidomos të shtresave të varfëra të qytetit e fshatit, duke demaskuar sistemin e prapambetur shoqëror si dhe fashizmin që po kërcënonte Evropën. Migjeni futi në letërsinë tonë një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndërrën për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndan veprën e tij. Mbetet, përfaqësuesi absolut i realizmit kritik në letërsinë shqipe.Vlen për tu përmendur prania e tij si përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Beratit më 1922. Ndërroi jetë më 26 Gusht 1938 në Torino të Italisë.

Studentit shqiptar... nga Faik Konica

Shqipëria ka pasur edhe në kohërat e shkuara studentë. Po ata mësimin e tyre, të mbaruar a gjysmak, e vunë në shërbim të një qeverie të huaj. Vendi i tyre nuk ishte i lirë që t’i falnin djersën dhe trurin.
Sot puna ndryshoi. Kemi sot një Shqipëri më vete, nënë të të gjithë bijve të saj edhe njerkë t’asnjërit. Ajo do t’i presë me krahë të hapura djemtë e saj që kthehen në shtëpi nga shkolla, - po duhet dhe këta diç t’i shpien nënës nga kurbeti.

Nuk është mjaft, nuk është gjë prej gjëje. O studentë në i shpufshi Shqipërisë një dipllomë vetmë, duhet t’i shpini edhe një mendim. Dhe ay mendim duhet të jetë aq’ i fuqishmë sa t’i shërojë trupin nga çdo sëmundje dhe t’i japë Zonjës së brengosur shëndetin dhe forcën për të qeverisur shtëpinë si nikoqire. 

Mendimi që duhet të shpini, i vjetër në botë po i ri në vënt tonë, është mendimi i KANUNIT si të vetëmit rregullonjës të jetës sociale paskëtaj, në kundërshtim me VIOLENCEN, që ka mbretëruar gjer tani.

Ky mendim i ri, që të mos mbetet një fjalë n’erë po të punojë në gjak me forcën e një bari shpëtimtar, duhet jo vetëm të aplikohet si një formalitet zyre dhe gjyqi, po të hyjë në shpirt të ç’do njeriu si një gjë e shëntëruar, mprojtëse e paanëshme dhe e drejtë e Shoqërisë. Në një fjalë duhet të bëhet feja, ideali i Shqipërisë moderne. Dhe në paçi ju vetë, o studentë, një besim të patundur në këtë ideal, në këtë fe, ahere vetëm do të mundtni të bëheni apostujt e mendimit të ri.


Shtator 1921, Revista Studenti, Boston, SHBA

22 prilli, Dita e Tokës

Dita e Tokës bashkon sot 114 vende, të udhëhequra nga SHBA-ja dhe Idia. Në të njëjtën ditë të vitit 1970, 20 milionë qytetarë amerikanë iu përgjigjën apelit të senatorit demokrat Gaylord Nelson, duke u mbledhur në një manifestim në mbrojtje të planetit. 

Sivjet për organizimin e këtij eventi ka menduar Earth Day Network, i cili për edicionin e 2011-s ka caktuar një objektiv ambicioz: mbledhjen e një milliard "veprimeve ambientale" para samitit të OKB-së të parashikuar për vitin e ardhshëm në Rio de Janeiro.

 Për të arritur këtë objektiv, disa kanë vendosur të mos përdorin ujin që blihet me shishe, ndërsa të tjerë kanë braktisur makinën për biçikletën. Për të gjithë, parulla është e njëjtë: Një veprim në dobi të shëndetit të planetit.

shekullio

Filmi “Ballkan Bazar”, reagime të forta në Greqi

ATHINE- Reagimet e para kanë lindur në Greqi nga filmi i ri i Edmond Budinës “Ballkan Bazar”.
Ndërkohë që filmi po shfaqet në kinematë shqiptare, menjeherë u cilësua në mediat greke si “një tjetër sfidë të turpshme kundër helenizmit dhe komunitetit ortodoks”.
Sipas një shkrimi të botuar në disa agjenci mediatike, filmi që është produksion shqiptaro-italian, jo rastësisht po shfaqet në prag të festës ortodokse të Pashkëve.

Autorët e shkrimit, thonë se “filmi bazohet në trillimet e medias shqiptare dhe qendrave të tjera që lidhen me zhvarrosjen e eshtrave në Kosinë, për t’u paraqitur më pas si eshtrat e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke 1940-41”.

Po sipas tyre, “qëllimi i këtij filmi është zhvlerësimi dhe tallja e njërës prej faqeve më të ndritura historisë së Greqisë moderne dhe rezistencës së gjithë popujve të Evropës kundër fashizmit”.

Shkrimi denoncon faktin që filmi në pjesën më të madhe është xhiruar brenda Kulteve Ortodokse duke bërë në këtë mënyrë sakrilegj, ndërkohë që shumë prej skenave cilësohen të pahijshme.

Shkrimi thekson se “është i gabuar përdorimi i Kishës së Labovës së Kryqit, i cili është një monument, dhe jo vetëm për arsye shpirtërore, është e ndaluar të përdoret për qëllime të tjera”.
“Instituti i Monumenteve të Shqipërisë është i detyruar të japë një shpjegim për faktin që lehtësitë që iu ka krijuar autorëve të filmit” – thuhet në shkrim.
Mënyra se si ky film trajton personalitetin e një prifti ortodoks cilësohet si një “imitim i keq i propagandës ateiste në vitet e persekutimit komunist të besimit, një kopje e keqe e metodës, të cilën regjimi e përdorte për të kthyer opinionin publik kundër Klerit dhe Kishës”.

Sipas shkrimit, “filmi në thelb ushqen urrejtjen fetare dhe racizmit në një kohë që arti duhet të shërbejë për të kundërtën”. Edhe perpjekja e mediave shqiptare për të reklamuar filmin, futet në kuadër të kësaj klime.

I njohur me këto komente regjisori i filmit tha për News24 se “filmi nuk është sfidë kundër ortodoksisë, por ndaj abuzimit që bëhet nga njerëz të vecantë me të dhe sigurisht që është sfidë kundër gjithë nacionalizmave të vogla që përcajnë njerëzit! Në film mesazhi më i fortë është ai i bashkëjetesës në harmoni dhe respekt për njëri-tjetrin!”

Balkanweb

Anoreksi shpirtërore

Sa gjatë mund të adhurojmë dikë? Se fundja psikika jonë ushqen ç'do motivim e lëvizje të së vërtetes tonë...

Jeton dhe ushqen qënien tënde me pjella të psikikës...Ti do dikë, diçka apo adhuron për atë që të bën të ndjesh? A thua valle? Apo ti stimulon , ti aktron dhe ti vendos të marrësh "intravenozen" dhe botën përreth saj bashkë me individin?

Ti nuk beson që adhuron vazhdimisht dhe përhere të njejtat "burime" që të eksitojne organizmin fizik dhe mendor...

Mbase ti nuk beson më në mrekulli? Ndoshta...por ndjen që ke filluar të furnizosh përceptorët me shumë pak...anoreksi shpirtërore.

                                                                                                                                                  
Çfarë e karakterizon  veprimtarinë tënde, qëllimi apo mposhtja.

Cili është qëllimi yt?

Për disa të pazhvilluar, qëllimet janë kënaqësitë e çastit;të ngrënit, te pirët, shumë shumë të gogësiturit. Për disa pak më të zhvilluar është lumturia që nuk ka rëndësi se si;ne ç'rrugë, të ndershme apo jo. Për disa të tjerë lumturia e ndershme...ndërsa për ata më të epërmit është liria, jeta dhe shuarja anoreksike shpirtërore.Liria e merituar përmes sakrificave, jeta e gëzuar nën britmat e njerzve më të dashur, shuarja anoreksike shpirtërore për të qënë i lirë.

I ngujuar në mendime, në eufori zotash, materiale, ide, në luftë për mbijetesë të ndërgjegjes tënde ti ke anoreksi shpirtërore.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                          
Shkroi: Dy udhëtarët

Punëtorët francezë hidhen në grevë: Pronari ynë flet vetëm anglisht

Punëtorët francezë të një fabrike janë ngritur në një protestë duke u ankuar për atë që e quajnë “imperializmi anglo- sakson”. 184 punonjësit e Thermal Ceramics, një kompani angleze e vendosur në Francë, protestojnë çdo ditë për shkak se bisedimet që mbajnë për rritje rrogash nuk realizohen pasi ngecin tek përkthimi.
Një përfaqësues i punonjësve tha se komunikimi ndalon pasi ata thonë “Hello”. “Dialogu mes nesh është shumë i vështirë, në mos i pamundur,” tha ai.

Franca ka një forcë punëtore me nam të madh si nacionaliste, e cila ankohet vazhdimisht për anglikanizmin e praktikave të punës në një ekonomi globale. 
                                                                                          Tema.Al

Në Tiranë greqisht, tek arbëreshët shqip

Nëse në kishat e vjetra bizantine të katundeve arbëreshe shenjtorët i lexon të gjithë në një shqipe të pastër, në kishën e të njëjtit besim në Tiranë, jo.
 Për disa arsye, siç shpjegojnë klerikë aty, por pasoja është se besimtarët ortodoksë shqiptarë në këtë aspekt nuk shërbehen në gjuhën e tyre mëmë.

Nëse ke bërë këmbë e je lutur në kishat e arbëreshëve në Kalabri e ke të pamundur të ndjesh të njëjtin përjetim kur kthehesh dhe përsërit të njëjtin 'rit' në Tiranë. Saktësisht, kur futesh tek Katedralja Ortodokse kryeqytetase, aty ku mblidhen tok turma besimtarësh praktikantë ortodoksë në raste festash, sa kohë nuk ka përfunduar katedralja e re dhe e
madhe në qendër.


Mbishkrimet në shqip që ruajnë ende arbëreshët përsipër çdo ikone bizantine, edhe pas 500 vjetësh, të mprehin edhe më shumë sensin e të dalluarit, se sa në miniaturë apo munguese janë ato në shqip në kishën e kryeqytetit shqiptar sot.


Greqishtja tek Katedralja Ortodokse
Të dymbëdhjetë shenjtorët në ikonostasin qendror prej druri ku shkojnë, luten dhe puthin gjithë besimtarët shqiptarë, për vite të tëra, kanë vetëm mbishkrime në gjuhën greke bizantine dhe jo në dy gjuhë, siç duhet të ishte ligjërisht dhe normale për çdo shqiptar. E nëse je shqiptar, qoftë edhe ortodoks, nuk kupton gjë prej gjëje. Pikërisht tek ikonostaset më ballore, më të mëdhatë dhe më të dukshmet.

As shenjtorit që je duke puthur, lavdëruar apo lutur, nuk di se kush është, se me ç'emër t'i drejtohesh. Di që është një shenjt, që duhet dhe ndjen se së fundi do ta puthësh dhe kaq. Përsipër tyre, shumë lart, edhe pse mezi, i shquan ama disa ikona të ngjashme, në përmasa të vogla krahasuar me ato poshtë tyre, ku duke shqyer sytë i dallon disa mbishkrime shqip si; 'lindja e Krishtit', 'ngjallja e Llazarit', 'ngritja e Krishtit në qiell' etj.


Në rreth dyzet piktura me mbishkrime sipër tyre, që gjenden në të gjithë kishën, 1/3 janë edhe në shqip, edhe greqisht. Ato më të voglat, ndërsa vetëm dy të mëdha varur në muret anësore dhe jo ballore; Shën Kozmai dhe Shën Spiridhoni. Një shkrim i dukshëm në shqip është edhe ai tek një fron ballor: "Mësoni prej meje se jam i butë, edhe i unjtë ndë zëmërët".

Por dymbëdhjetë shenjtorët ballorë jo. Dhe të tjerë anësorë jo.
E si mund të ndihesh?
E jo vetëm për një ditë, një javë, një muaj apo një vit, por për disa vjet.
Edhe pse, siç përmend Dhimitër Beduli në librin "Gjuha shqipe në kishë", botimi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në 1997, "apostujt e shpërndanë ungjillin e Zotit për çdo popull në gjuhën e tij" apo teksa citon apostull Pavlin se: "Në Kishë dëshiroj më mirë të them pesë fjalë të kuptueshme, që të mësoj dhe të tjerët, se sa dhjetë mijë fjalë në gjuhë të pafrymtë."

Siç përmend edhe Efsevi, ati i historisë kishtare që ka jetuar në shek.IV: 'pas ardhjes së Krishtit, gjithë kombeve iu dha e drejta të përdorin gjuhët e ndryshme që ka çdo komb". Me gërma shqipe, të cilat i shpiku vetë, e shkroi 'Dhjatën e Re' Grigor Konstandinidhi, ish-nxënës në Akademinë e Voskopojës, sikurse na citon bashkëkohësi i tij, J.Zavira. Dhe këtë përpjekje e pasuan emra të mëdhenj të ortodoksisë, por dhe atdhetarisë shqiptare.

E sipas nenit 3 të Statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, që nga viti 1929 gjuha e saj zyrtare është ajo shqipe. "Gërmat shqip, të shqitura nga puthjet" "Shërbesat bëhen në shqip, botimet tona janë në shqip. Që në 2 gusht të 1992, Fortlumturia e Tij, imzot Anastasi, në ditën e fronëzimit të tij shtroi si urgjente nevojën e botimeve kishtare në gjuhën shqipe dhe kjo sot është arritur", shpjegon at Anastas Bendo, prift i Katedrales Ortodokse në Tiranë.

Dhe vërtet botimet u shumëfishuan këto vite në shqip, shërbesat bëhen po në shqip, por pikturat e shenjtorëve nuk lexohen dhe adhurohen në shqip. Dhe kjo nuk është pak, pasi është kontakti i parë pamor me besimtarët. "Këto ikonostase në greqishten bizantine kanë qenë dhuratë nga një grup murgeshash në Greqi në vitet e
para pas '90-ës.

Kur kisha ende nuk ishte formësuar mirë dhe në një kohë kur në Shqipëri nuk kishte piktorë shqiptarë në këtë fushë", shton at Anastas Bendo. Ndërsa ato më të voglat me mbishkrime në shqip janë shtuar më pas, kur në Shqipëri u specializuan restaurues të ikonografisë, si studentë të vetë një shkolle që çeli Kisha Ortodokse për këtë profil.
'Tek ikonostaset e sjella kohë më parë s'mund të ndërhyhej, por ama poshtë tyre u ngjitën shirita me emrat përkatës në shqip, të cilat besimtarët duke i puthur, i shqitën", shpjegon at Anastasi. Por që pavarësisht kësaj, prej vitesh ato nuk u ngjitën më apo nuk u gjet një zgjidhje e mundshme.

Për rrjedhojë çdo ditë besimtarët, pavarësisht shkaqeve, në këtë detaj të rëndësishëm nuk janë shërbyer dhe nuk shërbehen në shqip sipas statutit dhe siç e lyp të qenit shqiptar. Ndërkohë që rëndom çdo kishë, e kujtdo riti qoftë, në çdo vend qoftë, normalisht lipset t'i përmbajë të dy gjuhët.
Thua harresë e paqëllimshme apo e qëllimshme?
"Jo. Jemi ne ortodoksët shqiptarë që kemi vënë themelet e gjuhës shqipe që me Vangjel Meksin, i cili përktheu në shqip Biblën në shek. XVIII-të, me Naum Veqilharxhin, Fan Nolin, Thimi Mitkon, Mihal Gramenon etj.



Dhe vetë Skënderbeu ishte një princ i bizantizmit", përmbledh shpejt e shpejt disa kontribute kulmore të historisë at Anastasi. Të historisë që nuk duhet të mbetet vetëm tek historia. Dhe, a mos përsëritet e njëjta gjë tek mbishkrimet në katedralen më të re ortodokse, që po duket afër përfundimit të ndërtimit të saj në qendër të Tiranës?





Në përgjithësi ata që hyjnë e dalin përditë në oborrin e kishës aktuale shprehen se nuk dinë ende gjë, pasi është ende herët e ndoshta nuk është ky për ta shqetësimi kryesor. Dikush thotë se 'punë e madhe nëse janë edhe me gërma greke, në fund të fundit ajo ka qenë gjuha zyrtare në çdo vend që u përhap Bizanti". "Patjetër që do të jetë
në edhe shqip, domethënë në dy gjuhë. Është normë që do të respektohet medoemos", përgjigjet at Anastasi.








Por megjithatë, na mbetet të presim dhe shohim...

Magdalena Allla, Shekulli

Sindroma “PARTY”!!! Ja arsyet që i pengojnë nxënësit të marrin pjesë në festa

Hej!! Bëhesh për party të premten?
-Jo. Do iki të shtunën. Më kanë thënë se do bëhet bukur.
-Ok atëherë. Do vij edhe unë me ty. Do mendosh ti për tavolinën?
-Pa merak.

Kam shok njërin nga organizatorët.
Nuk është një bisedë që nxënësit e 'Qemal Stafës' bëjnë çdo ditë, por sigurisht, nuk është as e pamundur për t'u hasur në korridoret e shkollës. Cilësohet me të drejtë si një shkollë me potencial të lartë në arritjet mësimore falë një numri të madh nxënësish, të cilët kanë njohuri të shumta.

Po siç e përmendëm edhe në fillim, medalja jonë ka dy anë. Po sa i pranishëm është aspekti "Party" në jetën e gjimnazistëve? A mundet që dikush të jetë pjesë e këtyre dy anëve të medaljes? 

Vlen për t'u përmendur fakti që organizime të tilla e bëjnë më të bukur jetën e një gjimnazisti. Ai në një 'party' ndihet më i lirë, ka mundësinë për të qenë me njerëzit që do, e të kërcejë nën ritmin e muzikës më të fundit. Është një nga opsionet që ofron në fundjavë Tirana e zhurmshme për të shkarkuar të gjithë stresin e akumuluar në një javë të ngjeshur shkollë. Është senati ai që merret kryesisht me organizimin e këtyre festive, por ndodh që të jenë vetë gjimnazistët organizatorë të një 'party'.

Të gjithë janë të ftuar. Mjafton të blesh biletën dhe pastaj...vetëm argëtim. Por ndoshta nuk janë të shumtë ata që e kanë 'party'-n një ritual të përjavshëm, por gjithsesi mund të themi se të rinjtë e sotëm kanë pak elemente të një "Addicted to Party" ose të paktën, kështu duan të jenë.


Kjo ndodh pasi për momentin nuk u është dhënë një alternativë tjetër më e mirë. 
Por kjo nuk do të thotë që në shkollë ka një ndarje të prerë: nxënësit që mësojnë dhe "Party-stët". Janë të shumtë ata që i plotësojnë këto dy karakteristika më së miri pa ndonjë vështirësi. Dinë të ndajnë prioritetet dhe kohën e tyre në një mënyrë që, përveç arritjeve mësimore të kenë edhe një hapësirë të konsiderueshme për argëtimin dhe kënaqësinë e tyre.

Ka nxënës, të cilët me ose pa dëshirën e tyre i shmangin të tilla evente. Arsye për këtë, përveç frikës së prindërve, bëhet edhe fakti që ata besojnë se aty nuk do të gjejnë vetveten apo se rrëmuja do të jetë e madhe dhe e papërshtatshme. Gjithashtu ekziston edhe frika e konsumimit të alkoolit apo substancave të tjera të dëmshme. Megjithatë, konsumimi apo jo i alkoolit varet nga i riu dhe zgjedhjet e tij personale. Është plotësisht në dorën e tij vendimi për të konsumuar apo jo një pije me përmbajtje alkoolike.

Ekziston mundësia për të porositur një pije energjike apo një koktejl me fruta. Së fundi mund të themi se efekti "Party" nuk përfundon domosdoshmërisht me përfundimin e eventit. Një pjesë e vazhdojnë festimin diku tjetër me shoqërinë e tyre, ndërsa të tjerë zgjedhin të largohen të lodhur në shtëpi. Ndodh që të fillojnë hedhjen e fotove të 'party'-t në profilin e tyre në 'Facebook'. Atëherë vërshojnë komentet në "Facebook" për fotot e hedhura.

Mbetet vetëm që të planifikohet 'party' i ardhshëm dhe të presësh nëse do ia kalosh bukur edhe atje. 

Xhuljana Xhika/ Klasa XI-2:gazeta shqiptare

Wikileaks, zbulohet dokumenti i klasifikuar i Ambasadës Amerikane

Wikilekas zbulon atë që mund të quhet si kabllogrami i parë me rëndësi që ka të bëjë me Ambasadën Amerikane në Tiranë. Kabllogrami mban datën shtator 2009 dhe i referohet emaileve mes Ambasadorit Uithers dhe Ndihmëssekretarit Stjuart. 


Dokumenti i klasifikuar mund të hapej vetëm pas vitit 2019. Në komunikimin mes Ambasadës së Tiranës dhe DASH-it, ky i fundit kërkon që të kontaktohet urgjent qeveria shqiptare dhe ti thuhet të mos pranojë dy marrëveshje që sapo i janë propozuar qeverisë shqiptare nga ajo iraniane, nëpërmjet një takimi mes ambasadorit iranian në Tiranë dhe zv.kryeministrit dhe ministrit të jashtëm Meta.

Interesant është që sapo ka ndodhur takimi, zv.ministrja Harxhi ka shkuar ka dhënë informacion në Ambasadën Amerikane mbi atë që ambasadori iranian i ka kërkuar ministrit shqiptar. Pas këtij informacioni ka patur me sa kuptohet shkëmbim e-mailesh mes ambasadorit Uithers dhe z.Stjuart. Pas kësaj, ka ardhur udhëzimi i mëposhtëm i DASH-it për Ambasadën ku i thuhet çfarë duhet t'i kërkohet në mënyrë të menjëhershme qeverisë shqiptare.

Në udhëzim pika e parë është kujdesi që të ketë një falënderim që Ambasadës iu kaluan paraprakisht të dhënat për takimin Meta-Ambasador Iranian dhe më pas jepen qëndrimet që duhen mbajtur, që marrëveshja të mos realizohet. 
Përkthimi i plotë i kabllogramit dërguar nga DASH, Ambasadës Amerikane në Tiranë



E.O. 12958: DECL: 11/09/2019 (data kur mund te hapej si dokument)
TAGS: PGOV PREL PM EAIR IR AL
SUBJECT: DEMARCHE URGING GOA NOT TO SIGN IRAN AGREEMENTS 
REF: ËITHERS-JONES 11-9-09 EMAIL
"E klasifikuar" - Nga akti i ndihmës-sekretarit Stuart Jones për arsyet 1.4 (b) dhe (d)

Departamenti i kërkon Ambasadës së Tiranës të protestojë tek zyrtarët e GOA (Qeveria e Shqipërisë) në mënyrë urgjente, duke i kërkuar fuqimisht qeverisë shqiptare që të refuzojë propozimet e qeverisë iraniane për të nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë dhe shkëmbimit kulturor sipas marrëveshjes me Iranin dhe vendosjen e një qendre ajrore iraniane në Shqipëri. Ju lutem shikoni paragrafin 4 për pikat kyçe.


Sfondi
Departamenti kupton se zëvendësministrja e Jashtme Edith Harxhi i ka thënë Post-it se "ambasadori iranian në Tiranë, kohët e fundit i ka dorëzuar dy draft marrëveshje ministrit të Jashtëm Meta gjatë një bisede kortezie.

Meta është habitur kur ambasadori iranian i ka dorëzuar marrëveshjen e tregtisë së lirë dhe një dokument tjetër që do të vendosë një marrëveshje kulturore dhe një program shkëmbimi studentësh mes këtyre dy vendeve. Në një kohë kur interesi iranian për të diskutuar këto dy çështje duket të jetë afatgjatë, Haxhi tha se iranianët po insistojnë në nënshkrimin e marrëveshjeve.

Përveç kësaj, Departamenti kupton se sipas Harxhit, Agjencisë së Aviacionit Civil Shqiptar i është kërkuar nga Albanian Airlines të lehtësojë fluturimet nga Teherani për në Tiranë.

Harxhi ka thënë se drejtori i Albania Airlines ka programuar një udhëtim për në Tehran, në të ardhmen e afërt, për t'u takuar me homologët e tij në Iran. Harxhi tha se Teherani kërkon të përdorë qendrën ajrore shqiptare si një linjë për charterë privatë në mënyrë që të shmangë Gjirin.


Pikat:
Departamenti është dakord me mendimet e Post-it se propozimet e qeverisë iraniane janë të motivuara shumë më pak nga arsye ekonomike dhe më shumë nga dëshira e Teheranit për të ndërtuar lidhje politike me Shqipërinë. Post-it i kërkohet të nxjerrë në protestën e tij pikat e mëposhtme:

- Të falënderojë qeverinë e Shqipërisë për faktin që ia dha të dhënat SHBA-së për marrëveshjet e propozuara nga Irani. (informacioni i Harxhit - shën red.)

- Propozimet e Iranit për Shqipërinë janë përpjekje për të krijuar përshtypjen e bashkëpunimit politik dhe ekonomik në mënyrë që të tërheqin vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar nga shqetësimet rreth programit bërthamor të Iranit.

- Zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik duke vendosur linja direkt fluturimi Tiranë-Teheran dhe anasjelltas, do të forconte besimin e Iranit se rruga e tanishme është e pranueshme nga komuniteti ndërkombëtar dhe se Irani nuk ka asnjë arsye që të rregullojë sjelljen e tij për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare.

- Forcimi i lidhjeve të Shqipërisë me Iranin do të ishte në kundërshtim me dëshirën shqiptare për integrim Euro-Atlantik. Teksa vendet e tjera kanë marrëdhënie tregtare me Iranin, tregu relativisht i vogël i Shqipërisë do të japë përshtypjen se ato pak fluturime që nisen ose përfundojnë në Tiranë, kanë një impakt shumë të madh në Shqipëri, veçanërisht nëse Shqipëria do të niste një zgjerim dramatik të lidhjeve të saj ajrore në këto kohë.

- Irani po përpiqet në mënyrë aktive që ti shmanget sanksioneve që i ka vendosur komuniteti ndërkombëtar, gjë të cilën e ka bërë prej dekadash. Këto përpjekje përfshijnë gjetjen e vendeve të reja për të bërë biznes. Shqipëria duhet të shmangë riskun e prodhuar nga hapja e saj për ti shërbyer një linje të tillë biznesi.

Për më tepër, nisja e udhëtimeve direkt mes Tiranës dhe Tehranit dhe përdorja e Tiranës si një linjë iraniane, do ta ekspozojë Shqipërinë ndaj rrezikut të kontributit të padëshiruar të shtimit dhe/ose mbështetjes së aktiviteteve terroriste.


Më specifikisht:
Irani ka treguar në mënyrë të përsëritur se është i gatshëm të përdorë rrjetet e transportit ndërkombëtar ajror, tokësor dhe detar për të transportuar dërgesa që janë në thyerje të rregullores të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara 1737, 1747 dhe 1803. (rregullore që kanë të bëjnë me tregtinë e armëve dhe materialeve radioaktive që përdoren në industrinë bërthamore. Shën.red)

Në vitin 2007, në kohën kur Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara po vinte në zbatim rregulloren 1747, Irani tentoi të eksportonte ngarkesa me municione në Siri duke kaluar përmes Turqisë. Ngarkesa e ndaluar u zbulua vetëm kur treni u nxor nga shinat nga një sulm terrorist.

Në vitin 2008, Rezoluta 1803 e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara vendosi se "Iran Air Cargo" dhe Linjat e Transportit të Republikës Islamike të Iranit (IRISL ang.) janë subjekte, ngarkesat e të cilave "nga" dhe "për në" Iran duhet të jenë subjekt inspektimi nga vendet anëtare, portet dhe aeroportet kanë baza të forta për të besuar se po transportohen të mira të ndaluara. Rregullorja e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara u krijua pas njohjes me rreziqet serioze se Irani po përdorte transportin tregtar për të shtuar ngarkesat shqetësuese.

Vetëm këtë vit, tre ngarkesa të ndaluara eksportesh iraniane armësh, ose materialesh të lidhura me to, të vendosura në anije tregtare të shteteve të tjera (me flamur qipriot M/V ONCHEGORSK, flamur gjerman M/V HANSA INDIA dhe flamur nga Antigua M/V FRANCOP) janë ndaluar vetëm në sajë të vigjilencës së shteteve ndaj tentativave të dyshimta iraniane të transportit.

Çdo lloj zgjerimi i linjave ajrore shqiptare me Iranin sjell rrezikun që ngarkesat që mbajnë flamurin territorial shqiptar të përdoren për eksporte të paligjshme iraniane. Irani ka treguar në mënyrë të përsëritur dëshirën për të përdorur transportuese që mbajnë flamuj të shteteve të tjera, përveç atyre me flamurin e vet, për të transportuar ngarkesa të ndaluara.
- Ju lutem përcillni rezultatet e protestës në Departament.
CLINTON                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                             Shekulli