Monday, February 14, 2011

Filozofisë së Dashurisë

Je në inetervalë të përjetshme, je!

Para teje zhvishem, vishem, mbërthehem të ngrohem, dhe ngroh që të zhvesh. Para teje mposhtem por gjithnjë duke mos pranuar vërtetësinë e qënësisë tënde.Dua të të kundërshtoj, dua mos t’i jap jetë reaksioneve kimike të natyrës mëmë, kur ti me petkun tënd sytë mi zë. Në dallgët e tua unë mbytem dhe shuaj etjen, rrëmbehem dhe lihem detit tënd të trazuar…

Brënda meje , sipër meje , jashtë cdo përkufizimi letrar dhe fizik, qëndron ti më e madhe se mua...

Ironike… të krijosh një të mbinatyrshme dhe t’a ushqesh me të natyrshmen tënde, të vdekshmen. Je dialogu im, kryengritja ime ndaj pyetjeve të tua retorike. Je komunikim, je përcjelles dëpërtues i buzëve që meken para oratorisë së rrahjeve të zemres. Je e brishtë, ateherë kur s’duhet dhe ky fakt më çmënd! Jep jetë iluzioneve pamore dhe për ketë jam i ndërgjegjshëm. Dua të bukurën që ti më bën të shoh, urrej gjithçka që ty larg meje do të mbante.

Je oreksi im, per ty vuaj në uri...

Je e këndshme ...po po e këndshme se si vuajtjen tek mua penetron, aq embël aq vuajtshëm aq pa përmasa , aq të shpërbërë. Dhe unë  i mjeruari , lojës-vuatje i jap formë, e mbledh , i jap jetë , e bëj të bëlbëzojë deri diku dhe të ulërasë, teksa fundi mua të shpërbërë të më përpijë. Je e njohur, ke një fytyrë, ndihen lëvizjet e tua , ndjehet veprimi yt, por mbetesh në formatin anonim kur çështja shtrihet me përballimin. Nuk të përballoj dot, nuk di ç’fund më pret kur vërtetë të ndjej pranë, mbase brënda meje.

Përemri i vetëm që më vjen në qënie kur të ndjej zotërimin është;e bukur... Dhe më pas cuditshëm më vjen të lutem:Lërmë të vuaj...!

Lind e zgjuar brënda meje sikur natë ti të mos kesh pasur kurrë! Vjen e  fresket , ti vesë petali të spërkatësh sytë, që vetë rrjetën këtyre syve naiv ti  ja ende në heshtje. Vjen heshtur , e mbytur , e mekur, ti gjurmë nuk le kur vjen, më pas ti nis e shkel,  gjurmëzon , ngatërron , çjerrë shpon  skutat e skuqura nën kraharor. Ngjyrën ia rrëmben, më të përlyesh gazmore ti e kuqja  e jetës sime…!


Je intervalë të përjetshme je! Lërmë të sinkronizoj frymarrjet me jetëgjatësinë e intervalëve të tua.

Argita .Lleshi



Topi-Ina Rama refuzojnë komisionin hetimor: Çështja është nën hetim

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka refuzuar zyrtarisht thirrjen për të dëshmuar në komisionin hetimor, duke e cilësuar atë një shkelje të ligjit.

“Presidenti i ushtron kompetencat në bazë të Kushtetutës. Në bazë të nenit 92, presidenti është ai që kërkon informacion nga institucionet për aktivitetet e tyre. Kërkesa në fjalë e komisionit hetimor, që përmban elementë që pengojnë kthimin e një përgjigjeje, është e pakuptimtë për aq kohë sa thërret presidentin për ta marrë në pyetje në orën 17:00 të datës 3 shkurt. Presidenti, në respekt të institucioneve, i përgjigjet negativisht kësaj kërkese”, ka deklaruar këshilltari ligjor i kreut të shtetit, Spiro Peci.

Presidenti e ka konsideruar si ilegjitime edhe kërkesën për hetimin e tabulatëve telefonikë të të gjithë personave të cituar nga komisioni, përfshirë edhe ata të gazetarëve. Për presidentin, kjo është një kompetencë vetëm e prokurorisë.

“Kjo kërkesë është një kapërcim i kompetencave dhe përbën shkelje ligji. Duke shprehur gatishmërinë për të dëshmuar në respekt të ligjit, presidenti do caktojë kohën dhe mënyrën e vetë për t’u përgjigjur. Kërkesa të kësaj natyre mund të paraqesë vetëm prokuroria”, ka theksuar Peci.

Prokurorja e përgjithshme Ina Rama ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të komisionit parlamentar mbi ngjarjet e 21 janarit.

Në fjalën që i është dhënë në fillim të seancës dëgjimore, Rama ka argumentuar se në bazë të ligjit, prokuroria nuk mund të japë informacione mbi proceset që janë në hetim e sipër.

“Prokuroria është një organ i pavarur. Prokuroria i nënshtrohet vetëm ligjit. Cdo ngjarje kriminale e 21 janarit është objekt i hetimit të prokurorisë dhe vetëm pas hetimit prokuroria do ketë një përfundim. Hetimi i komisionit është i lidhur në mënyrë integrale me hetimet që bën prokuroria. Unë nuk mund t’i përgjigjem pyetjeve tuaja. Unë i qëndroj vetëm ligjit”, ka deklaruar Rama.

“Prokurori i përgjithshëm, kur po bëhet një hetim, nuk mund t’i nënshtrohet një seance marrjeje në pyetje”, ka theksuar ajo, duke u larguar.

Veprimi në fjalë ka acaruar drejtuesin e komisionit hetimor parlamentar, Eduart Halimi, i cili e ka cilësuar atë si një refuzim për bashkëpunim nga institucioni i akuzës.

“Do ta marr këtë veprim si mungesë e bashkëpunimit tuaj me komisionin parlamentar. Do ta shohim si mungesë respekti ndaj organit më të lartë kushtetues, që është Parlamenti”, ka deklaruar Halimi.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe anëtari tjetër i komisionit, deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili ka theksuar se veprimi i zonjës Rama përbën një “refuzim flagrant”.

“Asnjë nga anëtarët e komisionit nuk ka dashur e as dëshiron të pyesë për cështje dhe rrethana që kanë të bëjnë me aspektin penal. Ky është një hetim parlamentar dhe këtë duhet ta kuptonte edhe kryeprokurorja. Largimin e saj e konceptoj si një refuzim flagrant ndaj një institucioni kushtetues”, ka pohuar Alibeaj.


Top Channel

Kampionia kosovare e xhudos do garojë për Azerbajxhanin

Majlinda Kelmendi është një nga emrat më të njohur në botë sa i përket sportit të xhudos.
Synimet e saj janë fitimi i medaljes së artë në Lojërat Olimpike të vitit 2012.
Por ajo thotë se ka pranuar një ofertë për të garuar nën flamurin e Azerbajxhanit. Ky shtet i ka premtuar asaj një pagë mujore prej 5 mijë eurosh dhe në rast se fiton medaljen e artë, ajo do marrë 2 milion euro.

Paga e saj prej 500 eurosh nuk është e mjaftueshme dhe duket se Kelmendi është joshur nga oferta bujare.

Më përpara Kelmendi ka garuar me flamurin e Shqipërisë.

G. Tema

R. Qose: Populli të largojë me mosbindje civile gënjeshtarin Sali Berisha

Gënjeshtra dhe qytetërimi Mund të jetë Dekarti, mund të jetë Spinoza, mund të jetë Kanti e mund të jetë Klod Levi Strosi, nuk më kujtohet tash se cili prej tyre, ka thënë, sigurisht jo pikë për pikë siç po e paraqes unë thënien e tij, se njerëzimi ka hyrë në një epokë të re, më të lartë, të zhvillimit kulturor dhe, në përgjithësi, qytetërues, atëherë kur ka filluar ta shikojë e ta dënojë gënjeshtrën si një krim të rëndë.
Dhe, kështu, njerëzimi është shkëputur prej gjendjes parake në të cilën ndodhej kur ka filluar të dënojë gënjeshtarin, që bënte të keqen, e jo atë që i thoshte gënjeshtarit gënjeshtar.
Nuk e di sa e si është dënuar gënjeshtra me ligje në shtetin shqiptar prej se është krijuar ai: nuk e di sa e si është dënuar gënjeshtra gjatë të ashtuquajturës periudhë të peripecive menjëherë pas krijimit të këtij shteti, as gjatë gjashtë muajve të qeverisjes së Fan Nolit me ministrat e tij intelektualë të shquar, as gjatë mbretërisë së Ahmet Zogut, as gjatë totalitarizmit të Enver Hoxhës. E di, ndërkaq, se populli shqiptar në kohën kur nuk kishte arritur ta dënonte me ligje, e dënonte gënjeshtrën moralisht. Sipas traditës popullore, mashtruesi, gënjeshtari, ishte njeri i mallkuar, i përqeshur dhe i përbuzur e, në raste të veçanta, edhe i veçuar.
A e dënojmë ne gënjeshtrën sot me ligje?
A e dënojmë ne sot gënjeshtrën moralisht?
Jo.
Nuk më ka takuar të dëgjoj për gënjeshtar të dënuar ligjërisht dhe nuk më ka takuar të shoh në mediat elektronike gënjeshtar të dënuar moralisht në jetën tonë sot!
Dhe, pikërisht pse gënjeshtari nuk dënohet as ligjërisht, as moralisht, gënjeshtra është bërë mjet i politikës dhe mjet për sukses në jetën tonë.
Mjet i moskulturës në jetën tonë.
Gënjejnë intelektualë! Gënjejnë shkrimtarë! Gënjejnë krijues të fushave të ndryshme të arteve! Gënjejnë shkencëtarë! Gënjejnë politikanë, zyrtarë, shtetarë!
Askush më shumë, askush më rëndë, askush më gjithanshëm nuk gënjen se njerëzit e politikës - në mënyrë të veçantë ata të partisë në pushtet - të Partisë së Sali Berishës.
Zëzëllimat e tyre janë bërë të padurueshme.
Mund të them se e njoh mirë historinë e popullit shqiptar dhe mund të them kështu - se e njoh mirë, në radhë të parë sepse e njoh prej përbrenda: e njoh kulturën e tij, e njoh jetën e tij kulturore, shoqërore dhe politike. Njohuritë që kam për historinë e popullit shqiptar, për jetëshkrimet e krijuesve të ndryshëm të kohëve të ndryshme dhe për jetëshkrimet e shqiptarëve që kanë vepruar në politikën e atdheut a të pushtuesit të tij prej fillimeve të Rilindjes Kombëtare, madje, prej kohës së Skënderbeut e deri sot - këto njohuri historike që kam më bëjnë të mundshme të them: në historinë politike dhe në historinë kulturore të popullit shqiptar nuk ka pasur dhe nuk ka njeri publik, politikan a intelektual, që ka gënjyer sa dhe si gënjen ish-kryetari i Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i tashëm i Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryetari 20-vjeçar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha. Me të, me Sali Berishën, nuk mund të krahasohet asnjë gënjeshtar i yni historik, madje, as pretenduesi i rrejshëm për fronin shqiptar, gënjeshtari spanjoll, Gjin Aleadro Kastrioti!

Gënjeshtarët ontologjikë
Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, gënjen kurdo dhe kudo: në çdo kohë dhe në çdo vend. Dhe, gënjen i harlisur. Ai gënjen në mbledhjet e zakonshme dhe në kuvendet kombëtare të Partisë së tij të quajtur demokratike; në akademi të ndryshme me të cilat përkujtohen vetje politike a kulturore apo me të cilat shënohen përvjetorë shtetërorë a partiakë; në mitingje; në fushata zgjedhore; në mbledhje të Qeverisë së Shqipërisë; në mbledhje të Kuvendit të Shqipërisë; në takime zyrtare a gjysmëzyrtare me bashkështetarë; në takime me politikanë e diplomatë ndërkombëtarë; në biseda në mediat dhe në konferenca me gazetarë; në takime me studentë dhe në takime me pedagogë e shkencëtarë!
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gënjen aq shpesh, aq mjeshtërisht dhe aq naivisht, aq djallëzisht dhe aq primitivisht, aq sofistikueshëm dhe aq hapur, aq premtueshëm e aq kërcënueshëm, saqë të gjitha këto ngjyresa të gënjeshtrave të tij publike bëjnë të mundshme, madje, të domosdoshme, të thuhet se gënjeshtra është thelbi i tij, substanca e tij mendore e shpirtërore, qenia e tij, ashtu siç është servilizmi thelbi, substanca mendore e shpirtërore, qenja e Ismail Kadaresë.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është gënjeshtar ontologjik; dhe antologjik, ashtu siç është Ismail Kadare servis intelektual i diktaturës komuniste dje dhe servis intelektual i despotizmit tribalist të Sali Berishës sot.
Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, si gënjeshtar nuk dua ta krahasoj me gënjeshtarët dhe me mashtruesit e njohur botërorë në shekujt e kaluar, siç ishin Xhon Lo, D'Eon, Nojhof, Kalostro, Plaku Trenk, e të tjerë dhe nuk dua ta krahasoj me ta sepse mashtrimet dhe gënjeshtrat e tyre, që ndodhin në fushë të politikës, nuk prodhojnë për të tjerët, por vetëm për ta, pasojat që prodhojnë gënjeshtrat e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për shqiptarët.
Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, nuk dua ta krahasoj as me gënjeshtarët e mëdhenj shtetarë, siç ishin Musolini dhe Stalini, dhe nuk dua ta krahasoj me ta sepse ata, të dy, edhe Musolini, edhe Stalini, ishin gënjeshtarë me stil të lartë, që gënjenin për qëllime të larta ideologjike dhe strategjike.
Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, ndërkaq, gënjen për çështje të rëndësishme dhe për çështje të vogla, kur e kur banale.
Ai gënjen kur flet për një urë të vogël dhe kur flet për një tunel të madh, kur flet për pajisjen e shkollave me kompjuterë dhe kur flet për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Shqipërisë, kur flet për vitin e kompjuterizimit vetjak dhe kur flet për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, kur flet për historinë e kohës së Skënderbeut e të kohës së komunizmit dhe kur flet për historinë e letërsisë shqipe, kur flet për bllokmenët e vjetër e bllokmenët e rinj dhe për vendin që ka ai ndër të parët dhe ndër të dytë, kur flet për figura intelektualësh dhe kur flet për figura politikanësh.
Në gënjeshtrat e tij rol posaçërisht të madh luajnë numrat dhe krahasimet. Numrat - kur e paraqet zhvillimin e fushave të ndryshme të ekonomisë, të arsimit e të shëndetësisë në Shqipëri dhe krahasimet - kur këtë zhvillim të Shqipërisë e përqas me zhvillimin e vendeve të tjera në Evropë e në botë. Në propagandën e rrejshme komuniste gënjeshtra kurrë nuk ishte aq e çmendur sa në propagandën gënjeshtare, delirante të Sali Berishës.
Vargu i gënjeshtrave
E keni parë dhe e keni dëgjuar çka thoshte dikur për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Fatos Nano. Pjesëtar i klubeve të bixhozit në qendra të ndryshme evropiane; pronar ndërtesash dhe firmash; përfitues nga trafikimi i qenieve njerëzore; pastrues parash; padrino i klaneve mafioze; vrasës i qytetarit në hyrje të Durrësit. E të tjera. Zi e më zi! Dhe, këtë "kryekriminel" i cili, po të ishin të vërteta ato që thoshte atëherë, kur Fatos Nano ishte kryeministër, do të duhej të ishte ende në burg, pas një kohe, kur ai do të bjerë nga politika, do ta shpallë mik të çmuar me të cilin do të përpiqet të ndërrojë gjendjen kuadrore në Partinë Socialiste!
E keni dëgjuar çka thoshte dikur, në Qeveri, në Kuvend, në biseda në televizione për kryetarin e Partisë Socialiste për Integrim, Ilir Metën?
I thoshte të gjitha ato që i thoshte për Fatos Nanon plus disa zeza të tjera më të zeza se ato me të cilat e katranoste të parin! Lëshojeni xhirimin e dhënë në emisionin Fiks-fare mbi ato çka thoshte Sali Berisha për Ilir Metën dhe do të krijoni përfytyrimin e përafërt se sa e përshtrirë dhe se sa e përthelluar ishte veprimtaria kriminale e Ilir Metës! Sikur të ishin të vërteta ato që thoshte atëherë kryeministri i tashëm i Shqipërisë, Sali Berisha, për zëvendëskryeministrin e tij mandej shumë të dashur, Dritan Prifti nuk do të kishte pasur nevojë që t'i xhironte fshehurazi bisedat e tij me shefin e partisë në të cilën ishte, sepse Ilir Meta do të ishte i dënuar me shumë vite burg!
E keni dëgjuar çka flet kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në bisedat televizive, në konferencat me gazetarët , në Qeverinë e Shqipërisë, në Kuvendin e Shqipërisë për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe për zyrtarë të tjerë të kësaj partie?
Besoj se e keni dëgjuar- shumica; dhe shumë herë. Ato fjalë i kemi dëgjuar ne, shikuesit e zakonshëm, dhe ato fjalë do t'i dëgjojnë edhe pasardhësit tanë, që do të merren me patologjinë e jetës sonë të sotme politike. Për këtë arsye nuk e quaj të nevojshme t'i përsëris në këtë shkrim.
Po, me kaq nuk merr fund përmbledhja e deklaratave, e fjalimeve, e bisedave, e vetërrëfimeve, e lavdërimeve dhe e kërcënimeve përplot rrena të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Sali Berisha. Ajo është përmbledhje shumë e vëllimshme dhe vazhdon të plotësohet dita ditës dhe nata natës.
E dëgjuat sa gënjeu dhe si gënjeu kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, më 21, 22, 23, 24 janar dhe sa e si vazhdon të gënjejë për demonstratën e 21 janarit të Partisë Socialiste dhe të qytetarëve të tjerë që nuk janë anëtarë partish?
Së pari tha se tre të vrarët në demonstratë u vranë prej demonstruesve të tjerë dhe u vranë me pistoleta të kalibrit të vogël. Dhe, u vranë, shtoi ai, me qëllim që të akuzohej pushteti për vrasjen e tyre!
Nuk kishte nevojë të ishte mjekoligjor as ekspert balistik për të ditur se kjo ishte gënjeshtër e gënjeshtarit të dehur prej urrejtjes.
Mandej, pas disa orësh apo një dite - nuk e di sigurt, kur u përgënjeshtrua prej xhirimeve që kishin bërë kamera a celularë të gazetarëve a të qytetarëve dhe prej deklaratave të atyre që i kishin çuar deri në autoambulanca të vrarët, që dëshmonin se vrasjet u bënë prej gardistëve të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha e ndërroi pllakën dhe tha: gardistët kanë mbrojtur Kryeministrinë. Domethënë: kanë bërë vrasjen duke mbrojtur Sali Berishën (e parrezikuar prej askujt). Dhe, shtoi: me të gjitha këto do të merret prokuroria.
Dhe, kur Prokurorja e Përgjithshme e filloi hetimin për vrasjen e demonstruesve të paarmatosur dhe mori vendimin për arrestimin e gjashtë oficerëve të gardës, kryeministri e mohoi ç'tha më parë sepse e mohoi të drejtën e prokurorisë që të merret "me të gjitha këto". Dhe, kështu, edhe gënjeu prapë para opinionit shqiptar, edhe e shkeli Kushtetutën!
Por, për çështjen e hetimit të krimit të bërë prej gardës republikane më 21 janar, kryeministri i Shqipërisë do të gënjejë prapë, e prapë e prapë. Ndërmjetësuesit të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Katrin Eshton, në konfliktin e tashëm në Shqipëri - në konfliktin e tretë ndërmjet dy palëve kundërshtimore në politikën dhe në jetën shqiptare prej se Sali Berisha e sundon Shqipërinë, Mirosllav Llajçak, ai i tha: qeveria shqiptare do të përkrahë hulumtimin e pavarur të vrasjeve. Dhe, kështu, për të njëjtën çështje për tri ditë, gënjeu tri herë.
Përpos këtyre gënjeshtrave për të njëjtën çështje - për çështjen e hetimit të vrasjeve në demonstratën e 21 janarit, kryeministri shqiptar, Sali Berisha, bëri edhe tri gënjeshtra të tjera - tani për qëllimin e demonstratës së 21 janarit.

Cilat janë këto tri gënjeshtra të tjera?
E para, e shpalli demonstratën puç (që bëhet me çadra), që kishte për qëllim marrjen e pushtetit.
E dyta, e shpalli Prokuroren e Përgjithshme bashkëpjesëmarrëse të puçit (pa treguar nëse ishte në shtabin puçist apo demonstruese e thjeshtë); dhe,
E treta, e shpalli bashkëpjesëmarrës të puçit edhe Shërbimin Informativ Shtetëror!
Dhe, dëshmi e tij se demonstrata ishte puç nuk ishin as xhirimet e demonstratës, as deklaratat e demonstruesve, as informatat e shërbimit kombëtar, por, siç e theksoi vetë, informata të shërbimeve të jashtme, të huaja (ndoshta serbe, ndoshta malazeze, ndoshta maqedonase, ndoshta greke, e ndoshta italiane). Informata të shërbimeve amerikane, angleze dhe gjermane ato nuk mund të ishin sepse shërbimet informative amerikane, angleze dhe gjermane gjithsesi nuk do të merrnin pjesë në gënjeshtrat tragjikomike që bën kryeministri i Shqipërisë.

Zyrtarizimi i gënjeshtrave
Nuk ka dyshim se gënjeshtrat që bën kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, prej se fati fatal i Shqipërisë e ka nxjerrë në skenën politike shqiptare, e sollën Shqipërinë ku ishte në vitin 1997; ku ishte në vitin 1998 dhe ku është sot, në vitin 2011!

E ku është sot Shqipëria e sunduar prej tij?
Është në krizë të rëndë, të gjatë, të vazhdueshme, në të vërtetë në krizë të përgjithshme politike, shoqërore, shpirtërore, morale, që shprehet: me urrejtje të madhe njëzetvjeçare ndërmjet dy anëve politike, që nuk janë të liruara prej mendësish krahinore, dialektore dhe, ndoshta, fetare; me shpërthime të kohëpaskohshme të dhunës në demonstrata të qytetarëve; me largimin e pandërprerë të shqiptarëve prej atdheut të vet - në Itali, në Greqi, në vende të tjera evropiane, në SHBA, në Kanada, në Australi, në Zelandë të Re; me krimet gjithnjë e më të shpeshta në familje; me prostitucion; me drogë; me vetëvrasje; me fatkeqësi të jashtëzakonshme në trafik, në rastet më të shpeshta, të shkaktuara prej shpejtësisë dhe prej përdorimit të pijeve alkoolike; me shpërfytyrim moral që tregohet qoftë edhe me një indiferencë të pakuptueshme ndaj padrejtësisë e ndaj gënjeshtrës, duke përfshirë këtu, sidomos, gënjeshtrat që bën kryeministri me pretorianët e tij partiakë. E të tjera. E të tjera.
Pse Sali Berisha në vazhdimësi gënjen si individ, domethënë pse si individ në vazhdimësi dëshmohet gënjeshtar ontologjik - kjo edhe mund të durohet.
Por, pse Sali Berisha në vazhdimësi gënjen si kryeministër i Shqipërisë, domethënë pse si zyrtar i lartë shtetëror dëshmohet pandërprerë gënjeshtar ontologjik - e kjo nuk durohet, kjo nuk mund të durohet, kjo nuk duhet të durohet.
Mund të thuhet kështu, në radhë të parë për shkak se gënjeshtrat e tij janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen gënjeshtra partiake, gënjeshtra të një partie të madhe, gjithsesi të partisë së dytë për nga numri i anëtarëve në Shqipëri. Si gënjeshtra të ndërtuara dhe të shqiptuara prej kryeministrit dhe kryetarit të Partisë ato bëhen më lehtë gënjeshtra kolektive dhe zyrtare: gënjeshtra të zyrtarëve më të lartë partiakë në institucionet e shtetit: gënjeshtra të kryetares së Kuvendit, gënjeshtra të deputetëve, gënjeshtra të zëvendës-kryeministrave, gënjeshtra të ministrave, gënjeshtra të zëdhënësve dhe zëdhënëseve të partisë në institucionet partiake e shtetërore, gënjeshtra të diplomatëve anëtarë a përkrahës të PD-së, gënjeshtra të pronarëve, drejtorëve, kryeredaktorëve, gazetarëve të medieve elektronike e të tjera që janë anëtarë të PD-së apo përkrahës të saj.  
Dhe, kështu me radhë. Dhe, kështu me radhë e pa radhë. Të gjithë këta pretorianë partiakë, politikë dhe profesionalë, jo vetëm se i shqiptojnë gënjeshtrat e kryeministrit, por, kur e kur, i zmadhojnë, i plotësojnë, i drakulizojnë.
E dëgjuat çka tha njëri nga këta pretorianë partiakë, që është i shpërblyer me post ministror për rolin e treguar në popullarizimin e gënjeshtrave të kryeministrit? Ai tha duke shqelmuar logjikën dhe gramatikën për ç'arsye po e parafrazoj thënien e tij për "barutin plot barut": ajo vetura me të cilën banda e demonstruesve iu vërsul derës së rrethojës së kryeministrisë ishte plot me eksploziv!
Kjo gënjeshtër ishte aq e marrë, aq e çmendur, saqë nuk kuturisi ta shqiptonte as kryeministri, i cili nuk stepet as nga gënjeshtrat më fantastike.
Duke u bërë gënjeshtra kolektive, partiake, zyrtare, gënjeshtrat e kryeministrit të Shqipërisë janë bërë aq më të rrezikshme, aq më kërcënuese sepse kanë fuqi më të madhe përshtrirëse dhe fuqi më të madhe shkatërruese në organizimin e shtetit dhe në përbashkësinë e Kombit.

Gënjeshtrat dhe demokracia
Për shkak të ndikimit të tillë shpërbërës, shkatërrues, shpërfytyrues në shtetin e në jetën shoqërore në përgjithësi të gënjeshtrave që mund të shqiptojnë zyrtarët, popujt me tradita shtetërore dhe politike i dënojnë rëndë gënjeshtarët politikë e shtetërorë dhe i ndëshkojnë rëndë gënjeshtrat e shqiptuara prej tyre. Në botën demokratike, politikani, shtetari, zyrtari, që bën qoftë edhe një gënjeshtër e lëre më më shumë, detyrohet të japë dorëheqje vetë apo shkarkohet nga pozita. Varësisht prej peshës së gënjeshtrës dhe pasojave të saj ai mund të dënohet për krim. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fjala vjen, për herë të parë në historinë e tyre e kanë shkarkuar një kryetar - e kanë shkarkuar nga pozita e kryetarit të SHBA-ve, Riçard Niksonin, jo pse kishte ndodhur afera Uotergejt, por pse kishte deklaruar se nuk kishte ditur se po ndodhte kjo aferë.
Njëri prej kryetarëve më të popullarizuar amerikan, Bill Klinton, ishte gjetur në prag të shkarkimit nga pozita jo pse kishte vënë marrëdhënie të palejuara në Shtëpinë e Bardhë me një nëpunëse të administratës presidenciale, por pse në fillim kishte mohuar se kishte pasur lidhje me të. Ishte mirëkuptuar kur kishte kërkuar falje prej amerikanëve pse nuk e kishte thënë të vërtetën.
E ne, ç'bëjmë ne?
Ne jo vetëm se nuk dënojmë me ligje gënjeshtrat 20-vjeçare të ish-kryetarit të Shqipërisë, të kryeministrit të tashëm të Shqipërisë, të kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, që ka sjellë mendësinë lindore despotike dhe gënjeshtare në jetën politike e shtetërore shqiptare, por nuk i dënojmë ato as moralisht. Përkundrazi: ndodh të bëhemi përkrahës dhe popullarizues të tyre. Jo vetëm kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, jo vetëm zëvendës-kryeministri, jo vetëm ministrat, jo vetëm deputetët, jo vetëm diplomatët, jo vetëm zyrtarët e sektorëve të ndryshëm pushtetorë, jo vetëm drejtorë, kryeredaktorë, redaktorë, gazetarë, po edhe intelektualë mund të shihen e mund të dëgjohen e mund të lexohen duke u shërbyer me gojë e me shkrim gënjeshtrave të kryeministrit të Shqipërisë! Prej drojës! Për leverdi!
Po, t'i kthehem asaj fjalisë me të cilën e fillova këtë sprovë mbi gënjeshtarin ontologjik kampion ndër gënjeshtarët në historinë politike dhe kulturore shqiptare.
Në qoftë se është e vërtetë se njerëzimi është shkoqur nga gjendja parake dhe është ngritur në shkallë më të lartë të zhvillimit kulturor dhe, në përgjithësi, qytetërues, atëherë kur ka filluar ta shikojë dhe ta dënojë si krim të rëndë gënjeshtrën, mos do të thotë kjo se politika e Sali Berishës, në të cilën është e mbajtur gënjeshtra si thelb, kuptim dhe mjet i saj, tregon se ne në atë shkallë ende nuk jemi ngritur?
Nuk dua të besoj në këtë mundësi.

Ndëshkimi i gënjeshtarit
Gënjeshtrat e vazhdueshme, zyrtare, të Sali Berishës dhe të pretorianëve të tij partiakë, që kanë pushtuar institucionet e shtetit shqiptar, jo vetëm se sjellin dëmet, kërcënimet, rreziqet që po shohim këto ditë, por edhe e fyejnë rëndë popullin shqiptar. Nuk thuhet kot në botë: popullin nuk ka të drejtë ta gënjejë asnjë njeri politik. Dhe, askush.
Populli shqiptar do ta rikthejë dinjitetin e përulur, të fyer rëndë prej gënjeshtrave të Sali Berishës dhe pretorianëve të tij politikë e shtetërorë vetëm në një mënyrë: duke e larguar Sali Berishën prej pushtetit dhe, pas largimit prej pushtetit, duke kërkuar hetimin e pasojave të gënjeshtrave të tij në jetën kombëtare dhe në sigurinë e qytetarëve. Dhe, kjo mund të arrihet jo me fjalimet poetike e përshtypjelënëse të Edi Ramës, por (në qoftë se nuk pranohen zgjedhjet e parakohshme) me lëvizje popullore dhe mosbindje qytetare.
Jam thellësisht i bindur se vetëm duke e larguar Sali Berishën prej pushtetit dhe duke e nxjerrë në gjyq për pasojat kriminale të politikës së tij sidomos më 1997, 1998 dhe, tani, më 2011 Shqipëria do ta kthejë rendin, paqen, drejtësinë dhe qëndrueshmërinë.
Dhe, ç'është me rëndësi tepër të madhe: do ta ndalë rënien shpirtërore dhe morale që po e shkallmon.
Prishtinë 29.1.2011

G. Shqiptare

Tuesday, February 1, 2011

Berisha: Topi, plan për eliminimin tim

Deklaratë shokuese e Kryeministrit në komisionin hetimor
Në cilësinë e dëshmitarit të parë për të raportuar mbi “grushtin e shtetit”, Kryeministri Sali Berisha tha dje përpara komisionit hetimor se Garda e Republikës e kishte informuar për ekzistencën e një plani për eliminimin fizik të tij dhe sipas tij, nëse kjo dështonte, do të ngrihej një grup i gatshëm për hetim kundër tij. “Ishte përgatitur grup i gatshëm se në rast se Kryeministri nuk eliminohet gjatë puçit, atëherë do të ngrihet hetim ndaj tij. Nga garda më informojnë se ky ishte urdhër i prokurorisë në bashkëpunim me kreun e shtetit”, tha Kryeministri Berisha. Deklarata shokuese e kreut të ekzekutivit çon vite dritë larg paqen mes institucioneve dhe pritet ta agravojë edhe më shumë situatën.

Seanca dëgjimore
Kreu i ekzekutivit, Sali Berisha, në lumin e akuzave dyorëshe për të ashtuquajturin “puç shteti”, nuk paraqiti asnjë fakt konkret të bazuar në deklaratat e tij.
Lexoi 17 përkufizime, të cilat i kishte zbuluar nga literatura e huaj mbi grushtin e shtetit, por nuk dha prova se ku i bazonte fjalët që nxori nga goja për 120 minuta dje pasdite, nga ora 17:30 deri në orën 19:30. Vlen të theksohet se seanca dëgjimore dyorëshe e Kryeministrit Berisha ngjante me ngritjen në mësim të nxënësit më të preferuar të mësueses kujdestare. Tri pyetjet që nuk iu bën me hatër Kryeministrit ishin të deputetit Dashnor Sula:
“A jeni në gjendje të paraqisni prova për të ashtuquajturin grusht shteti?
Duke pasur gjithë këto prova të pakundërshtueshme të paraqitura nga ju, përse Policia e Shtetit nuk i ndalon nxitësit për këtë grusht shteti?
A mendoni se prokuroria do ta marrë parasysh këtë raport që do t’i dorëzohet Parlamentit dhe a do të bëjë të mundur hetimin e këtij raporti?”.
Në përgjigje, Kryeministri lëshoi akuza për heshtjen dhe mosveprimin e institucioneve të shtetit, por nuk dha sqarime pse policia nuk arreston ‘puçistët’ për të cilët ai thotë se disponon fakte.

Sulmi institucional
Kryeministri Berisha bëri me dije se më 16 janar, SHISH kishte raportuar tek ai se nuk kishte fakte dhe prova për tensionim të situatës. “Informacionin për 21 janarin e mora nga burimet e mia dhe nga diplomatët e huaj”, tha Berisha. “Nuk e mora vesh se cili ia kishte shkruar kreut të shtetit komunikatën e 21 janarit. Çfarë ia lidhën sytë atij”, u shpreh Kryeministri. “Ministri më thotë të nesërmen se kam takim në orën 10:00 me Presidentin. Gjithçka kombinohet mes prokurores dhe tij. Po shko, - i thashë, mos e anulo takimin, por kur të shkosh bëj një pyetje. Prej pesë orësh është sulmuar Kryeministria, çfarë do thuash, pyete. Përgjigjja e tij ishte se ‘Opozita ka vetëm fjalë’”, u shpreh Berisha.
“Provat” e Kryeministrit
“Një pjesë e protestuesve kanë ardhur me armë të veçanta, pistoleta, çadra-pistoletë, stilolapsa-pistoletë. Por pjesa më e rëndësishme e kësaj ngjarjeje ishte në bunkerin e Fidelit, ku ndodhej Rama me Ruçin dhe Gjinushin, si dhe me eksponentët e tjerë të mafies dhe të ashtuquajturit gazetarë, që do të publikonin lajmet se, Berisha u arratis dhe se kërkoi strehim në ambasadën serbe. Por të gjitha janë dokumentuara”, tha Berisha. Ai ka shtuar më tej se mercenarët janë paguar deri në 300 dollarë për dhunën nga bosët e krimit të organizuar në krye të PS, që sipas tij janë Fidel Ylli, Sadri Abazi, Tom Doshi, Artan Dulaku dhe Koço Kokëdhima. “Ata dhanë 500 dollarë për transportin dhe 200-300 dollarë për dhunën. Janë shpërndarë 1.3 milionë euro, të tjerat janë në rezervë. Janë siguruar armë kallashnikov, tritol”, tha Berisha.
Më pas Kryeministri ka treguar disa porosi që sipas tij, kryetari i PS-së u urdhëronte mercenarëve nga Kullat Binjake.

G. Shqip

Perëndesha e dhimbjes sonë

Nëse do të mundnim ta përmblidhnim gjithë atë që ka ndodhur në këtë javë, pra nga vrasja makabre e tre protestuesve deri te dita e djeshme, te marshim në funebër dhe paqësor, i dhimbshëm dhe dinjitoz i popullit të zemëruar, do të mjaftonte vetëm fotoja e botuar dje në faqen e parë të gazetës "Shekulli", e shkrepur nga fotografja dhe artistja Jutta Benzenberg.

Në atë portret të vajzës 11-vjeçare të Ziver Veizit dukej se koha ishte ndalur dhe nuk lëvisten më. Pika e lotit që i rridhte në faqe, buzët e shtrënguara me elegancë dhe lehtë, një dritë natyrale që i bie nga sipër.. Zot!

Nëse mund ta përfytyrojmë dhimbjen e vërtetë, pra nëse do të kërkojmë të dimë se ç'pamje ka ajo, ç'fytyrë ka - ose nëse ndonjë ditë, pas shumë vjetësh, do të kërkojmë dhe do të pyesim se çfarë ndodhi më 21 janar - ajo foto do të na i tregojë të gjitha. Siç thotë Bart, fotoja është një mit, një histori.

Ana, pret drejtësi

Është koha e ndalur në mes. Dhe duke e parë atë foto ti bindesh se gjithë Shqipëria është ndalur në atë çast në portretin e vajzës së Ziver Veizit, në lotin që i rrëshket mbi faqe dhe në buzët e mbledhura si një perëndeshë e dhimbjes.

Ilir Yzeiri, Shekulli

Shekuj histori po zhduken

Zhdukja e monumenteve të rralla të kulturës dhe neglizhenca totale e autoriteteve për ruajtjen e tyre u trajtua nga reportazhi i “Stand Up”, gjatë edicionit qëndror të lajmeve.


Kudo në Shqipëri, kultura e shkatërrimit është kthyer në një mënyrë jetese, e cila e bashkuar me neglizhencën, harresën dhe korrupsionin, po shuan në menyrë të pakthyeshme simbolet më të rëndësishme historike në vend.

Edhe ne Fier, si kudo, monumentet e kultures të konsideruara si thesare të historisë së kombit kanë marrë rrugën e pakthyeshme të zhdukjes. Me këtë ritëm, prej tyre shumë shpejt do të mbeten vetëm pak rreshta ndër libra e enciklopedi.

Ndalesa e parë e kamerave tona ishte Kurjani, fshati në hyrje të të cilit gjendet kisha mesjetare e Shën Nikollës, e ngritur me një stil bizantin diku rreth fund shekullit të XIII dhe fillimit të shekullit të XIV .
Kisha e Kurjanit gëzon statusin monument kulture i kategorisë së parë që prej vitit 1963 dhe konsiderohet si një urë lidhëse mes qytetërimit mesjetar dhe atij bashkëkohor.

Megjithatë, përtej historisë dhe vlerave shekullore që mbart mbi shpinë, kisha sot ofron një realitet të zymtë e të dërrmuar nga braktisja.

Nga afresket e punuara prej djalit të piktorit të madh Onufri, nuk ka mbetur thuajse asgjë. Gjithçka eshte dëmtuar dhe vazhdon të dëmtohet në mënyrë brutale. Pllakat e gdhendura janë thyer, ndërsa dyshemeja është germuar në çdo cep të saj nga njerëz të vënë në kërkim të thesareve të fshehura.

Udhëtimi nga kisha e Shën Nikollës në Kurjan drejt kishës së Shën e Premtes pranë fshatit Sop është sfidues, si pasojë e mungesës së tabelave orientuese. Në mbërritje, pamja që të ofrohet është veçanërisht zhgënjyese, me kishën e shekullit XIII që është shndërruar e gjitha në një rënojë.

Objekti i ndërtuar 800 vjet më parë me gurë të Apollonisë antike është duke u shuar i gjithi. Muret e krrusur nga harresa po bien me shpejtësi në peshën e tyre.
Një tjetër objekt unik është diga 2 mijë vjeçare e Krapsit, pranë fshatit me të njëjtin emër. Ajo mendohet të jetë ndërtuar mbi lumin Gjanicë gjatë dinastisë romake të antoninëve.

Sipas studiuesve dhe historianëve, në llojin e saj ajo është më e lashta në të gjithë territorin e vendit. Fatkeqësisht, nga diga dikur 90 metra e gjatë dhe 8 metra e lartë kanë mbetur vetëm një pirg gurësh të mbuluar nga bimësia dhe ferrat.

Gurët e digës që dikur shërbente për vaditjen e tre qyteteve të lashta, Apolonisë, Margëlliçit dhe Gurëzezës, mund t’i gjesh sot të shperndarë ndër themelet e shtëpive të reja të ndërtuara në vitet e paskomunizmit. 20 shekuj u zhdukën në 20 vjet.

Pikërisht në këtë zonë, në fshatin Plyk, ndodheshin edhe themelet e një vile fshatare të kohës romake që me shumë gjasa, sipas studiuesve ka qenë një latifund, pra një pronë me përmasa toke shumë të mëdha, edhe kjo e zhdukur pa meshirë nga banoret e zonës.

Fshati Strum, diku në të djathtë të rrugës nacionale Fier–Berat, ka në të një perlë të rrallë, kishën e Shën Gjergjit, të ndërtuar në vitin 1782. Pavarësisht se ajo është shumë më e re, fati i saj nuk është i ndryshëm.

Kisha që ka më shumë se 50 vjet me statusin monument kulture është kthyer në një plevicë. Muret kanë nisur të çahen, ndërsa dritaret janë mbuluar nga ferrat, që tashmë kanë hedhur degë edhe brenda saj.

Muret e çjerre, shkarravitur, pllakat e shkulura, pluhuri e dheu qe kane mbuluar gjithçka i kanë dhënë kishës një pamje të shkalafitur e të mjeruar.

Afresket e piktuara nga mjeshtërit e familjes ikonografike Çetiri, janë te gjitha te demtuara, ndërsa pjesa tjeter është kthyer në fole për merimangat e lakuriqet e nates.

E njëjtë është gjendja edhe në shtëpinë e Longarëve, një ndërtese dy-katëshe, monument etnografik i rrallë në qytetin e Fierit, monument kulture që prej vitit 1963.

Për të mos përmendur kalanë e Margëlliçit e dhjetëra e dhjetëra monumenteve të tjera që dergjen sot në grahmat e fundit te tyre.

Një histori që po zhduket, që po shpërbëhet duke u mbuluar me pluhurin e harreses e shpërfilljes. E me këtë ritëm, shumë shpejt rezultati i dhimbshem do të jetë një komb që perveç premtimeve të politikes, inflacionit të deklaratave, fondeve që zhduken e projekteve që zënë pluhur në arkiva, nuk do të ketë më asgjë tjetër për të kujtuar.
T. Channel

Dielli i dytë për Tokën

Fjalët se Ylli i Betelges është pranë shpërthimit dhe se në qiellin tonë do të shfaqet një diell i dytë qarkullojnë prej muajsh tashmë, por një pedagog i universitetit të South Queensland, në Australi, është cituar së fundmi të thotë se eventi do të ndodhë vitin që vjen, pra në vitin 2012.
Betelges, një yll i kuq gjigand në krahun e djathtë të konstelacionit të Orionit mund të shihet pa shumë vështirësi natën në këtë periudhë të vitit. Ai është i dukshëm në lindje, menjëherë pas perëndimit të Diellit si një yll i shndritshëm i kuq.

Shumë shkencëtarë dhe astronomë të tjerë besojnë se shpërthimi i tij në supernova mund të ndodhë në çdo kohë.

Është e ditur tashmë që jeta e këtij ylli mund të përfundojë, por për ekspertët nuk ka asgjë të përcaktuar saktë. Shpërthimi mund të vijë nesër apo pas mijëra vjetësh.

Por, çfarë do të ndodhë nëqoftëse Betelges shpërthen vërtet?

Astronomët parashikojnë se ai nuk do të rrezatojë kaq shumë sa Dielli, por do të jetë më i ndritshëm se hëna e plotë dhe do të shihet edhe gjatë ditës. Por, “Discovery News” thotë se nuk ka arsye për panik. Ylli gjigand është 640 vite dritë larg Tokës dhe shpërthimi i tij nuk paraqet ndonjë rrezik.

Supernova ndodh me yjet masive në fund të jetës së tyre. Ato krijohen nga yjet përmes fuzionit bërthamor duke e kthyer hidrogjenin në helium dhe pastaj heliumin në karbon dhe elementë të rëndë.

Dielli nuk do të jetë në gjendje të gjenerojë një supernova në fundin e jetës së tij për shkak se nuk ka masën e duhur.

T. Channel


Në shqip sot kemi ka fjalë shumë të ngjashme, që tregojnë kuptime të ndryshme dhe pikërisht:
Diell
Diel
Djalë
Djall
...
Nëse do hyjmë të zbërthejmë e kuptojmë se çdo të thotë realisht fjala DIELL, nuk duhet të habitemi që ajo nënkupton thjesht : Dy Yje, (Di) (El), pra pikërisht dy diej. Stop Injorancës

Përgjimet, zbardhet plani për ekzekutimin e Ramës

Zbardhet plani për vrasjen e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Prokuroria e Tiranës tha dje se Luan Rami, Fatos Rami dhe Afrim Kica, nga Burreli, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë, po siguronin kushtet dhe mjetet materiale me qëllim për të realizuar eliminimin fizik të shtetasit, Edi Kristaq Rama.
Me 28 janar, Rama doli në bulevard i rrethuar nga një shpurë me truproja duke "shpërfillur" rrezikun që i kanosej për jetën.
Sipas prokurorisë, informacioni i referuar nga Shërbimit Informativ Shtetëror bëri që të ndërhyhej në kohë dhe të parandalohej vrasja e kryetarit të PS-së. Tre të dyshuarit, dy kushërinjtë Rami dhe miku i tyre Kica u përballën dje me gjykatësin e gatshëm Ardian Kalia për t'u njohur zyrtarisht me akuzat e rënda. Luan Rami, ish-drejtori i ndërmarrjes së Elektrikut në Burrel, pranoi se i kishte dërguar mesazh në telefon kreut të socialistëve Rama, duke i kërkuar t'i zhdëmtonte makinën që iu shkrumbua në demonstratën e 21 janarit.
Asnjëri prej tre të dyshuarve nuk pranoi të kishin bërë plan për vrasjen e kryebashkiakut të Tiranës. Të dyshuarit, Luan e Fatos Rami dhe Afrim Kica, do të qëndrojnë në qeli për një muaj dhe nëse prokuroria nuk gjen prova për implikimin e tyre, atëherë të dyshuarit do të rifitojnë lirinë. Në seancën me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor, prokurori ka zbardhur nofkat e tre personave, "Taku", "Tani" dhe "Tiku", të cilët dyshohet të kenë qenë pjesë e grupit, që do të vepronte për të ekzekutuar Ramën. Këta persona janë në kërkim nga policia. Pikërisht për të identifikuar këta tre persona dhe për të gjetur lokalin në Linzë, ku dyshohet të jetë thurur plani kriminal, prokuroria kërkoi 30 ditë kohë. Avokati, Alfred Duka debatoi me prokurorin Tominaj, të cilin e pyeti se cilën provë kërkon të marrësh, për sa kohë kërkon arrest me burg me afat për dy kushërinjtë Rami. "Të identifikojë tre personat", - i përgjigjet prokurori, çka përbën shkak për një debat të fortë mes tyre. ndërsa pyetjes nëse ishte i vlefshëm arrestimi në flagrancë, prokurori i përgjigjet se është "parandaluar një krim të jashtëzakonshëm dhe është shpëtuar jeta e Edi Ramës".

Procesi

Një material i referuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror, ku dyshohej se një grup kriminal po përgatiste kryerjen e akteve terroriste ka alarmuar Prokurorinë e Tiranës. Kanë mjaftuar disa verifikime, që organi i akuzës të regjistronte një procedim penal ndaj disa të dyshuarve të cilët po përgatisnin terrenin për kryerjen e një vrasje. Për aktet me qëllime terroriste prokuroria kishte shpallur mos kompetencën. Në shënjestër të këtij plani ishte vënë kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili në tubimin- homazh të 28 janarit lëvizi nën masa të rrepta sigurie.
Pas kërcënimit Shërbimi Informativ Shtetëror i kishte vënë në përgjim tre të dyshuarit, Luan e Fatos Rami, si dhe Afrim Kicen dhe informoi policinë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin po krijonin kushte për eliminimin fizik të kreut të opozitës.
I gjithë plani kriminal u zbulua dje nga prokuroria, kur tre të dyshuarit, mbërritën në gjykatën e Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë. Luan Rami, i dyshuari kryesor, u shpreh në gjykatë se i kishte bërë mesazh në telefon kryesocialistit Edi Rama. "Unë i kam bë sms me emër dhe mbiemër dhe i kam kërkuar të më zhdëmtojë makinën", - mësohet t'i ketë thënë gjykatësit i dyshuari. Bëhet fjalë për një makinë tip "Fuoristradë" që është parë të qarkullojë përgjatë gjithë kohës së demonstratës së dhunshme. Kushëriri i tij, Fatos Rami, është shprehur se ka qenë në gjumë, kur i janë vënë prangat, duke kundërshtuar prokurorin, i cili deklaroi se ishte bërë një arrestim parandalues duke u shpëtuar kështu kreu i opozitës. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor dhe sallën e gjyqit e lanë edhe dy deputetë socialistë që ndodheshin të pranishëm.  
Foto nga Godo Godaj

Ndërsa, jashtë dyerve të gjykatës ndodheshin familjarët e miq të të dyshuarve, mes tyre dhe Sali Lusha, ish-truproja e kryeministrit Sali Berisha. Zenel Rami, i ati i Luan Ramit, tha se i biri nuk ka pasur asnjë qëllim, të ekzekutojë Edi Ramën. 

Klodiana Lala, G. Shqiptare

Kombi grek dhe roli i arvanitëve

Lidhur me etnicitetin e kombit modern grek ka shumë të dhëna dhe teori kontradiktore.
Mbreti Pirro i Epirit
Në antikitet Greqia ka qenë e banuar nga disa fise që janë quajtur helene, por me gjuhë apo dialekte të veçanta, që askush sot nuk i di se çfarë gjuhe kanë qenë, pasi nuk janë të përkthyera.

Dialekti jonik i Athinës është po aq mister sa edhe gjuhët e vjetra të padeshifruara, pasi sot askush nuk ka mundur t'a përkthejë atë. As gjuha e vjetër greke dhe aq më pak e reja nuk mund të përkthejnë gjuhën origjinale të popullsisë së vjetër helene, pra atë gjuhë që kanë folur jonët, akejt, dorët.

Pse? A nuk janë grekë?
Gjuhët që nuk janë përkthyer në antikitet janë lënë pa emër, pra nuk janë të askujt. Ndërsa në Greqi ndodh e kundërta. Gjuha e vjetër që kanë folur grekët nuk përkthehet as nga greqishtja e vjetër dhe as nga greqishtja e re dhe sërish vazhdon quhet gjuhë greke. Madje disa shkojnë edhe më larg duke e quajtur edhe gjuhën e Mikenës greke, disa të tjerë akoma edhe më larg dhe e quajnë gjuhën greke të themeluar në vitet 2000 p.k.
Do t'a quaja një nga lajthitjet më të mëdha në fushën e historisë, e cila duhet korigjuar sa më shpejt.
Se si kanë arritur t'a bëjnë këtë, kjo është një çështje më vete. Nuk shihen fare këto fakte, thjeshtë i quajnë grekë edhe pse greqishtja e vjetër nuk i përkthen këto dialekte, asnjë historian nuk vret mendjen për të gjetur të vërtetën.

Thjeshtë greqishtja nuk përthen dialektet e vjetra të folura në territorin, që sot është quajtur grek. Por dihet tashmë që etniciteti i grekëve të lashtë ishte pellazgë dhe shqipja e sotme është nëna që zbërthen fjalë shumë të rëndësishme të gjuhës homerike dhe dialekteve antike, madje edhe tek ajo gjuhë që quhet greqishtja e vjetër, ka shumë fjalë shqipe.
 Greqishtja e vjetër mendohet të mos ketë qenë gjuha që ka folur populli vendas, por gjuhë administrate. Populli duhet të ketë folur një gjuhë që nuk ngjan as me greqishten e vjetër dhe as me atë të re, por pellazgjishten, apo nj dialekt të saj.
Ashtu si edhe për Illirinë, edhe për Greqinë nuk flitet për disa shekuj që nga shekujt VII deri në XI, XII dhe në këto shekuj nuk dihet asgjë për ballkanin nga pikëpamja etnike.
Në shekujt XII-XII-të dalin të dhënat e para për Greqinë, por aty nuk del një popullsi greke, por një popullsi shqiptare që fliste gjuhën arvanite, që është një shqipe e pastër e dialektet toskë.
Të gjithë prisnin që në këtë tokë të shihnin grekë, por në vend të tyre dilnin disa shqiptarë luftëtarë.


Meqë në Greqi nuk ka grekë, studiuesit filluan të hidhnin ide se grekët u zhdukën nga sllavët dhe se shqiptarët ishin ata që zhdukën sllavët që aty dhe e bënë të tyrin atë territor. Madje disa studiues dalin edhe me idetë se grekët u asimiluan nga shqiptarët. Duke ndenjur shumë me shqiptarët që erdhën nga Shqipëria, ata harruan gjuhën e tyre dhe u bënë shqiptarë.
Mbreti Oto, në veshje tradicionale shqiptare
Problemi është pra, ku janë grekët?
Tashmë kjo ndoshta nuk disktuohet aq shumë, por në shek. XiX-të, Evropa u shokua nga zbulimi që bëri, se në territorin e Greqisë Antike nuk kishte popull grek, por kryesisht shqiptar. Duke marrë parasysh të dhënat që japin autorët antikë, mesjetarë dhe modernë arrihet në një konkluzion se:
Grekët e vjetër ishin pellazgë dhe se grekët e rinj në territoret historike të fiseve helene ishin shqiptarë.
Pra, kombi i ri grek në pjesën më të madhe të tij, ishte i përbërë prej shqiptarësh. Disa historioanë grekë e kundërshtojnë këtë me arsyen se shqiptarët kanë ardhur në Greqi në shek. XIV-XV-të. Mirëpo të dhënat e ndryshme, dëshmojnë se shqiptarët kanë qenë në ato troje, shumë para asaj periudhe.

E dhëna e parë që për një prezencë të një gjuhe të huaj, pra jo greqisht në Athinë, jepet në vitin 1180 dhe është dëshmia e një metropoliti të Athinës, i quajtur Mihal Akominatos, i cili cilëson vendosjen e tij në Athinë, si një lloj ndëshkimi.
Ai thotë se:
"Athinejt që kanë banuar në Atikë dhe fshatarët, kryesisht flasin një gjuhë barbare. (Le grande chronique de Holland, Zeland, fq 28)
Kjo do të thotë se ata flisnin një gjuhë jo greke dhe kjo gjuhë ka qenë shqipja, pasi Athina ka folur historikisht shqipen, madje deri në ditët e sotme. Nëse kjo gjuhë do të ishte greqishtja, sigurisht që mitropoliti do e kuptonte, pasi ajo ishte gjuha e kishës.
Gjatë kësaj kohe në Greqi udhëheqësit që spikatin janë arbëreshë dhe populli që këta udhëhiqnin ka qenë arbëresh dhe ka folur këtë gjuhë barbare që ai nuk e kupton.

Kështu është Princi i Nafplios, Luan Zguro, që luftoi kundër frakëve. (A. Kola , Arvanitasit fq 149) Në mesinë po në këtë kohë sundonin Vranajt.

Në 1207-ën, në ishujt e Egjeut sundonte arbëreshi Marino Sanuto. Vëllezërit Andrea dhe Jeremina Giza, që ishin udhëheqësit e Mikonit dhe Jakob Boroci I-rë, që u vendos në krye të Santorinit.
Pra, prania e arvanitëve në Greqi është përpara se disa shqiptarë epirotë të emigronin në këto territore dhe është ajo popullsi që edhe qeverisi mbi një popull që nuk flet greqisht.

Në shekujt XIV-XV ka dhe një valë zbritjesh të arbëreshëve në Greqi. Arbëreshët u ftuan për t'u vendosur atje me vulë të artë të Perandorëve Bizantinë, të cilët në bazë të disa studimeve dukeshin se ishim me origjinë arbëreshe.

Në vitin 1295 vendosen arbëreshët e parë në Thesali, e cila në atë kohë ishte e pushtuar nga tufat e dhenve të vllehëve, por që në pak vite Thesalia u kthye në një fushë shqiptare duke i detyruar vllehët të tërhiqen në malet e Pindit. Më pas në Thesali dhe akarnani vijnë arbëreshë të tjerë, rreth 12 mijë, nga despotati i Epirit, që në atë kohë, ishte shkatërruar.
Në kohën e Johan Katakuzhinit, despoti i Mistrisit, Manuil Kadakuzhini thërret 10 mijë shqiptarë me familjet e tyre të popullojnë Peloponezin, që ishte dobësuar nga sulmet e frankëve dhe turqve. Pas disa vjetësh një despot tjetër i Mistrisit, Teodori, i biri Joanit të V-të Paleolog, thërret edhe 10 mijë të tjerë.
Vëllai i tij e falenderon e lavdëron për këtë veprim të tij dhe thotë: "Rreth 10 mijë ilirë i solle bashkë me fëmijët dhe gratë, ata e kaluan ismin dhe më pas u zgjeruan. Ata vetë ishin ëngjëj dhe nuk është se ishin të papërvojë, por kishin luftuar shumë."
Zbritja e parë në More u krye në 1348-ën dhe e dyta më 1405-ën.
Arbëreshët zbritën në Beoti dhe Lokrida më 1383-in, me thirrjen dhe lejen e Zotit të tebës, Ramon De Vilanova dhe me lejen që mori nga mbreti i tij Petro IV.
Që nga 31.12.1382, arbëreshët marrin leje të banojnë në Atikë, ku zunë fshatrat dhe rrëzat e Akropolit.
Venedikasit i thirrën arbëreshët që të banonin në ishullin e madh Eube, duke filluar nga viti 1402.

Pra arbëreshët i ftuan në Greqi vetë sundimtarët e këtij vendi, të cilat në të shumtën e rasteve ishin nga arbëreshët e tjerë, vendas.

Ata erdhën për të mbrojtur principatat e këtyre sundimtarëve, pra, si ushtarakë. Arbëreshët ishin ata që luftuan në vitet e fundit të Perandorisë Biazantine krahas perandorëve bizantinë, të cilët kishin gjithashtu origjinë arbëreshe.
ishte Pejtër Bue Sklepa i Arkadhisë, ai që u ngrit të ndalonte që perandori i fundit ti dorëzohej Turqve. Ai së bashku me arbëreshët e tjerë shpallin perandor të Bizantit një Kataguzhin, në vend të Paleologut të fundit. ishin ata që luftuan për të mbrojtur atë territor prej turqve. Pas tradhëtisë së tyre nga Paleologët, të cilët e dorëzuan Peloponezin, një pjesë e arvanitëve filloi të emigrojë drejt italisë, pra pas rënies së Kostandinopojës më 1453. Ata u vendosën në Siçili, Kalabri dhe Napoli.
Në këngën: "Moj e bukura More", ata e quajnë Morenë e Peloponezit, jo si Greqi, por si Arbëri.

Kjo do të thotë se shqiptarët e kanë parë territorin e Greqisë së sotme si atdheun e tyre dhe për ta nuk ka patur ekzistuar ndonjë koncept apo term i quajtur grek.
vazhdon...

Shkëputur nga libri: Roli Pellazgo-ilir në formimin e kombeve dhe gjuhëve europiane - Elena Koxaqi

Shkroi: Stop injorancës