Showing posts with label Poezi. Show all posts
Showing posts with label Poezi. Show all posts

Thursday, January 13, 2011

Dua

Dua të pij, të dehem,
të trazoj bishën brenda meje
të çaj maskën e saj,
e të dëfrehem.

Dua të ngre një dolli për frikacakët,
një dolli për matrapazët
e me fund, një tjetër për moralistët e padritë.
Pastaj të çohem në këmbë dhe të ulëras:
" H I P O K R I T E"



E ti shikoj njerëzit e gjorë,
në sytë e tyre të vobektë
kur frikën me të cilën ushqehen
t'a përthyejnë në respekt.

E dua të zvarritem si i marrë
mbi të gjorin trotuar
të zhgërryhem nëpër baltë
si një derr krye-qytetar.

Do të përmbys koshin e plehrave,
plehrat e kalbura nga vetmia,
ti pyes një e nga një
në pranojnë miq, nga Italia.

Dua të lahem me rroba
dhe të jetoj lakuriq.
Në jetë mbi të gjitha,
virtytet dua ti kem miq.

Dua të qesh me të madhe kur shkëmbehem,
me kalimtarë të vrenjtur
dua të përshëndes me ironi ata,
që vellon e indiferencës keq mbajnë veshur.

Dua ti rrah (pa u lënë shenja) femrat e mbuluara
që me sy më shohin trupin, jo mendjen
e dua ti shqyej bluzat e shkurtra,
atyre që i ulin ato me dorë,
për të tërhequr vëmendjen.

Dua ti puth duart çdo femre
që ka gatuar të paktën një ëmbëlsirë.
Dua të përqafoj çdo njeri
që ndjen pendesë e mëshirë.

Dua të përqafoj fëmijët
për të madhërishmen pafajsi
kafshët, pemët pa gjethe
e zogjtë e trembur në liri.

Dua të kap pleqtë e rrudhur
e ti akuzoj për tradhëti,
të zgjoj djemtë rinihumbur
dhe ti ftoj për përgjegjësi.

Dua ti kap njerëzit në rrugë
e për leckash ti shkund,
t'ua ndez zemrat e ngrira
e nga gjumi ti tund.

Në mes të dheut të begatë
po vuajmë bukën e gojës
ju shpirtrobër mendjeskllevër
duartrokisni "Kalin e Trojës".

Mjaft me idhuj e perëndi
mjaft me dogma, ideologji
mjaft me militantë, verbëri,
vegla, skllevër e varfëri.

Dua të kap mjekë e infermierë
që sëmundje tregtojnë
dhe të ftoj këtë popull të drobitur
të mësojë ti operojë.

Dua t'u dal përpara gazetarëve
dhe t'i pyes se ç'është një V.I.P,
për inatin e gjithë intelektualëve
dua t'iu flas veçse në shqip.

Dua të kap politikanë,
politucë e pushtetarë,
ti detyroj të puthin, falen para flamurit
që të parët tanë, me gjak kanë larë.

Të luftojmë për drejtësi,
të hetohet kush na ka shkelur
të zbardhen netët nëpër gjyqe
të dënohet kush ka vjedhur.

Kush ka korruptuar, e kush ka sharë
Kush ka vjedhur, kush ka vrarë,
kush na ka shitur e mashtruar
kush u pasurua, kur u varfëruam.

Vetëm kështu do shohim para
ashtu si dua, ashtu si duam,
vetëm kështu do vëmë një tullë
mbi kalanë që keq  rrënuam.

Unë besoj tek ajo energji
që kaq negativisht kemi ngarkuar
unë besoj se mund t'a shndërrojmë
në forcë të madhe, për të ndryshuar.

Një dolli për TY e dua,
një dolli për çdo shqiptar,
një thirrje për dinjitet,
një urim për Bashkim Kombëtar.

Të bëhemi krah-përkrah njëri-tjetrit
në këtë vëllazëri të RE
dhe një ditë mund ti tregojmë botës
pse populli Hyjnor, ishim NE.



Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Anës lumenjve

Arratisur, syrgjynosur,
Rraskapitur dhe katosur,
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.

Ku e lam’ e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.


Se ç’e shempnë derbederët,
Mercenarët dhe bejlerët,
Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës.


Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall’, as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Pres me vjet’ e pres me ditë,
Se ç’u tera, se ç’u mpaka,
Se ç’u çora, se ç’u mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.


Dhe një zë vengon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!


Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.


Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.

Fan Noli

Saturday, January 8, 2011

Bishtpëllumbes tonë!

Moj bukuroshe bishtpëllumbe
që shpesh thua:
"Për askënd në botë
t'ia di, nuk dua"!

Dhe e thua
me zë të lartë ,
me arrogancë e krenari
mes miqve e mikeshave të tua.

Me sa mend në kokë
e në ballë, me sa sy,
pret që thirrje të tilla
të ftojnë ndokënd, t'ia dijë për ty?!

Ne të gjithë për njëri-tjetrin
duhet t'ia dimë gjithmonë
dhe realisht të gjithë ia dimë
me apo pa hipokrizi,
si ti...bishtpëllumbja jonë.




Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Saturday, December 11, 2010

Të Dua !

Ti
shpeshherë je bosh,
shpeshherë ndjehesh
"ashtu si kot".
Ballin
zakonisht të vrenjtur,
buzët,
përgjithsisht të shtrembëruara.

Të dhemb koka,
shpina e stomaku,
ti gjithmonë ke diçka
për t'u ankuar.

Ti gjithmonë pret,
çdo sjellje jotja është pasojë
sepse ti kurrë diçka
vetë nuk e ke nisur.

Ti nuk pyet,
e kur heshtjen vret
këto janë rastet e vetme
kur kërkon pak "muhabet".

Kur është për të ardhur keq
e përjeton shumë, më shumë,
kur është për të qeshur,
pak e më pak.

Ti gjithmonë kujtohesh
kur është tepër vonë,
kërkon të pamundurën,
por e do edhe në sekondë.

Nuk kursen asnjë fjalë
për të thënë fjalët e liga të tua
në ato pak fjalë,
që gjithmonë me zë të lartë thua.

Kur flet për veten
i drejtohesh gjithmonë në emër,
kur flet për të tjerët
u vendos epitete.

Thua "më fal"
kur padashur më shkel këmbën,
por nuk ul hundën kurrë
kur më shkel zemrën.

Përballë teje edhe koha dorëzohet
kur je e ngurtë,
me ty gjithçka e kurdoherë
nuk është e sigurtë.

E kupton botën, njerëzit,
pikërisht në çastet kur shfryn,
ti je nëna e hiperbolës
dhe mbesa e përgjithsimit.

Ti gërric ore e çast
herë pa takt e herë pa shkak,
urren monotoninë,
por prej teje  edhe ajo ndjehet xheloze.

Imagjinon dhe inskenon në variantet më perverse
për ndodhitë më të pafajshmet,
plot konspiracione e komplote
që të vërtiten veç ty nga pas.

Di të mbash inat
e t'a shumëfishosh atë rrezikshëm.
Kur ndjen dhimbje
dyfish e shfaq
kur ndjen kënaqësi,
i fsheh si amatore.

Ti ke alergjitë madhe
të të imitojnë,
por nuk ndjen fare keqardhje
kur si karikaturë shpjegon.


Në seks,
e turpshme si gjithmonë
përkëdhelesh në qindra sponde
vetëm për të mos treguar sa e dëshiron.




Kjo je ti,
në atë gjysmën s'e njeh, s'e thua,
e imagjinon tani sa e plotë je,
që unë përsëri e më fort
TE DUA ?!


Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Friday, November 5, 2010

...atë natë 4 nëntori

Si do mundem t'a harroj
Atë natë 4-nëntori
Kur vetmia lë
ngoi

E nje klithmë mortore kumboi...

Si do mundem ti harroj duart e tua

Tentakula shpirtgllabëruese

Që një çast e përgjithmonë

Më joshën mua.

E buzët e tua që me aq ëndje i vëreja

Pranë tyre dridhesha i tëri

Por të ftohtin nuk e ndjeja.

Dhe te dy u perqafuam

Si dy trumcake te trembur

Te etur, te lire e te bashkuar.

Une tashme isha alkoolizuar

Ndersa ti droga ime,

Une rendja si i marre

Per tek ti, mberritja ime intime.

Si do mundem vallë

Të harroj natën tonë të parë

Përpëlitje hormonesh deri në agim

Kur buzët tona kishim çarë.


Si do mundem ti harroj

Lotet e pafajshem feminore te tua

Une isha shkaktari

E ato me druheshin mua

Si ti harroj netet kur ti

Rropateshe aq shume

Qe parajsa qe me ofroje

te mos me prehte ne gjume

harroje se ti ishe paqja

e paketuar ne nje doze valium

tejet emocion apokalipt

per nje djale si une

ndonese ndizeshim ne seks

sepse per njeri-tjetrin

kishim cmendurisht oreks

e une shkrihesha tek ty

dhe epshi rinor

na dehte qe te dy.


Si mund te harroj

sa eger ishe xheloze

pse une qeshja ne shoqeri vajzash

ty te bente fort nervoze

por valle harrohet

ajo aftesi qe kishe ti

kur une te pyesja i shqetesuar

ti zgjidhje te vuaje ne fshehtesi

edhe pse syte te tradhetonin

apo tregonin ciltersi

s'te bindej as zeri

qe dridhej gjithe kersheri

e pas cdo debati

gjeje kurajo ne ndonje mesazh te ri

nje akustike qe u shnderrua

ne miken e neteve-larg

te mallit, te pasionit.



Me një shqipe emocionalisht të gjymtuar

Më the : "TE DUA"

Kjo frazë që rend mes mijëvjeçarësh

Ndali botën për mua.
Kur ti ktheje goten e veres

te blere me para hua

Me aq delikatese

Keto caste nuk i zhduk dot

Nuk mund ti zhyt ne harrese


Hej, ti më bëre

Duhanin ta le

Dhe unë të bëra

Ta nisësh atë.
 

Te shtrire ne gjelberim

Prane insekteve qe kishe fobi

Yjet veshtronim

E kalimtaret jo perhere te rastesishem

Me xhelozi na shikonin

Se nga larg gjithcka duket magjike

Por nga prane me magjike

Ne te dy e jetonim

Kur ti prekje trupin tim

Bota rritej e tkurrej tek ne

Koha humbiste sens e logjike

Dhe si e marre nxitonte

Priste te ndaheshim per takimin e rradhes

E te c'lodhej te perfitonte.


Nje meteor une pashe

Dhe shpreha fshetaz per ty nje deshire

Je nje vajze fantastike

Meriton dicka me te mire

Dhe une ta urova

Kur ti quaje mekat

te shuhej kjo histori

une cuditshem mekatova

vrava lotet e mi

qe per here te pare

per ne te dy u derdhen

i injorova

dhe ata me urrejne

qetesi nuk gjejne

emocionet me rrembejne

kur kujtoj si ledhatoja

lekuren tend qe renqethej

e pushtoja

per buzeqeshjen tende

ne zemer renkoja

ti më do

dhe unë kam frikë të të dua

sepse të dua

e çdo gjë që dua më largohet

e imagjinoja

te dy te perqafuar me zerin qe na dridhej

jo nuk doja...

E lotet tona u bene zjarr

fjalet tona magjike

te putha dhe njehere

e kerkova te me mbetesh mike

se s'mund ta perballoj

te te humb plotesisht

ndaj dy fjale te mekura

le ti ndajme shoqerisht.

sepse une dua

ate qe me ben te vuaj

sepse lumturia deri me sot

per mua ka qene fjale e huaj

dhe unë jam një frikacak

që kam frikë të jem dy

që kam frikë të ta them në sy

që kam frikë që të dua

"Vetem ty"!



Kjo poezi është shkruar në vitin 2002, dedikuar datës 4 nëntor, kur një puthje e rrëmbyer pa rezistencë më dhuroi mikeshën e jetës, në krahë.
Uroj të gjithë njerëzit që me nëntorin i lidh diçka dhe të shpresojmë që pas 4 ditësh Europa do vendosë të lejojë qytetarë shqiptarë të lëvizin lirshëm në Europën e tyre.

Shkroi: Stop Injorancës - Ndal Paditurisë http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Thursday, October 21, 2010

Pellazgët-shqipëtarët

Ishte një ditë,
Që Pellazgitë
Posi një dritë
Mbuluan dhenë;

Duall ng' Asia
Si mizëria
Dhe me ania
E hodhë denë.
 Pas pakë herë,
Duke përzjerë,
Ca me të tjerë
Bënë Elinët; (helenët)

Dhe duke ndarë
Syresh nje farë,
Si ka të ngjarë,
Bëri Llatinët.

Edhe të tjerët,
E më të ndjerët,
Të papërzjerët,
Pellazginj mbenë;

Maqedhoninjtë,
E Ilirinjtë,
E Mollosinjtë,
Gjith' ata qenë.

Dhe ata janë
Prindërtë tanë,
Pastaj na thanë
Na Shqipëtarë;

Mundim të themi
Ne ata jemi,
Atë gjak kemi,
Si dhe Shqiptarë.

Thot' Herodhoti,
Në Tomor Zoti
Shtëpi qëmoti
Kishte Dhodhonë;

Është m'e vjetër
Ngaha çdo tjetër,
Shumë më tepër,
Kjo gjuha jonë.

Ne kurdoherë
Burra të ndjerë
Edhe të vlerë
Jemi treguar;

Me Grekërinë,
Dhe me Persinë,
Me gjith Asinë,
Kemi lëftuar.

Me Lekën vamë,(Aleksandrin e Madh)
Muntmë Daranë,
Datën i dhamë
Gjithë Asisë;

Burr' u dëftyem,
Të gjith i thyem,
Përmbys e kthyem
Fron' e Persisë.

Të tërë dhenë,
Den' e sterenë,
Sa kombe qenë
Në këmb' i vumë;

Dhe mbretëruam
Kudo që shkuam,
Tekdo lëftuam,
Vëndin e zumë.

Me Pirron vamë
Romës i ramë,
Llatint' i vramë
E i tmeruam;

Me Skanderbenë
Turqve sa qenë
U dhamë dhenë,
Edhe i dbuam.

Kush i goditi
Posi petriti,
E i cfiliti Turqit,
barbarët?

Bota s'kuxonte,
Që t'u qëndronte,
Po kush lëftonte? -
Ne Shqipëtarët.

Pastaj u ndruam,
Se s'kupëtuam,
Dhe nuk e çquam
Të mirën tonë;

Gjaknë për botë
E derthmë kotë,
Njeri ç'të thotë? -
Nuk' ishte thënë!

Mbajtmë Turqinë,
Ngjallmë Greqinë,
Ndihm' Italinë,
Po SHQIPËRINË?

Pse s'u munduam?
Për kë lëftuam?
Neve ç'fituam?
Ç'kemi taninë?
* Botuar për herë të parë në Rev. "Albania", Bruksel, 1897, nr.4, f.50. 

Friday, October 8, 2010

Zgjodha buzët, nuk më zhgënjyen !

Shumë fjalë dua të them
për buzët e tua,
të plota, të nxehta,
të etura per mua.
Për takimin përqafues,
për hyjnoren heshtje
të buzëve të tua
për ngjyrat që shpirtin imitojnë
apo shpirti pasqyron në mua.

Ato që puthjet lindin
e plajmi që i ndjell
arma më paqësore,
kafshatë që jep oksigjen,
të urta në debat
të pamposhtura në beteja përrallore.

Buzët e tua tradhëtojnë
qoftë kur ujin pijnë
dua ti kem në zgjim
ti fsheh tek një përqafim.

Ato janë betuar për mua
shumë biseda kemi këmbyer
akoma më shumë kemi të themi
natën më zgjojnë...
që në ëndërr të vazhdojmë të jemi.

Buzët e tua janë zjarr
pas një buzeqeshjeje të ftohtë
a është vallë rastësi
që sytë mbyllen si në ëndrra
kur buzët afron TI ???

Era ndalet mbi lulet
që dielli sapo ngrohu
bota të kthehet në shok
skllevër kthehen gishtat e mi,
lëndinë shndërrohet gremina
...kur buzët afron ti.

Një përpjekje e dështuar
të përpiqesh të rezistosh
buzë mbi buzë
duke mos dashur as të triumfosh.

Buzë që përqafojnë buzë
mbi një urë,
dy trupa tani bëjnë një
pas buzësh që urdhërojne sy e veshë
buzë që si lëkurë dua të vesh..
Jam mbret mes buzëve të tua
janë kaq ftuese, I DUA !


Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Friday, October 1, 2010

Mbreteresha

Të kam quajtur mbretëreshë.
Ato janë me të gjata se ti, më të gjata,
Ato janë më të pastra se ti, më të pastra.
Ato janë me të dashura se ti, më të dashura.
Por ti je mbretëresha.

Kur ti shkon nëpër rrugë
Askush nuk të njeh.
Askush nuk ta sheh kurorën e kristaltë, askush s’sheh
Në qilimin prej floriri të kuq
Që ti shkel kur kalon,
Qilimin e paqënë.

Por kur ti shfaqesh
Gjithë lumenjtë dëgjohen
Në trupin tim, këmbanat
Tundin qiellin,
Dhe një himn mbush botën.

Vetëm ti dhe unë,
Vetëm ti dhe unë, e dashura ime,
Vëri veshin kësaj.


Pablo Neruda

Monday, September 27, 2010

Përmirësoni paragjykimet tuaja!

Një vajzë e mashtruar nuk është kurvë,
një djalë i sjellshëm, nuk është homoseksual.
Një njeri me duart kallo, nuk është injorant,
një njeri me syze nuk është patjetër intelektual.
Një njeri muskuloz, nuk është i fortë
një njeri që nuk qesh, nuk është serioz.
Një njeri i paditur, nuk është i pafajshëm
një njeri që di të qeshë, nuk është karagjoz.

Një njeri egoist, mund të jetë altruist
një njeri tolerant nuk është i dobët.
Një njeri altruist mund të jetë egoist
një njeri që fal, nuk ka botë të vogël.

Një njeri i ndjeshëm, nuk pret vetëm dhimbje,
një njeri i vrazhdë, nuk pret ëmbëlsi.
Një njeri i tradhëtuar, nuk është pa faj
një njeri i dashuruar, nuk është në verbëri.

Një njeri ateist nuk është detyrimisht komunist,
një njeri besimtar nuk është domosdoshmërisht trutharë.
Një njeri verbërisht militant, edhe mund të vetënumërohet si qytetar,
një njeri pa interes rreth politikës,  edhe mund të vetëndjehet atdhetar.


Një njeri i urtë, nuk është i humbur,
një njeri që shpejt humb durimin, është i padurueshëm.
Një njeri llafazan, nuk është i fituar
një njeri i mendjengushtë, është i pashërueshëm.

Një njeri i sinqertë, nuk jeton i shqetësuar
një njeri i vetmuar, nuk mund të jetë i zgjuar.
Një paragjykim, është gjykimi ynë i parë,
një gjykim i parë, nuk mund të jetë detyrimisht i gabuar. 




Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2


Vdes ngadalë

Vdes ngadalë
ai që nuk udhëton,
ai që nuk lexon,
ai që muzikë s'dëgjon,
ai që nuk arrin të gjejë hijeshi me sytë e tij. 

Vdes ngadalë
ai që behet skllav i së zakonshmes,
duke shkelur përditë në të njëjtën rrugë,
ai që s'ndërron kurrë zakonet,
që s'ndërron kurrë as ngjyrat e rrobave,
që nuk i flet kurrë një të panjohuri.


Vdes ngadalë
ai që shmang pasionin
dhe dallgët e emocioneve,
ato që syve u japin dritë
e jetë zemrave të plagosura.

Vdes ngadalë
ai që s'ndërron kurrë udhë
kur fati i keq atë e zë Në punë a në dashuri.
Ai që nuk rrezikon
për të realizuar ëndrrat.
Ai që asnjëherë në jetë
s'u shmanget as këshillave me vlerë
Vdes ngadalë
ai që nuk përmbys tryezën,
që është i pakënaqur nga puna,
që nuk rrezikon sigurinë nga pasiguria për të ndjekur një ëndërr,
që nuk i lejon vetes asnjëherë në jetë të thyejë rregullat e vendosura.

Vdes ngadalë  
 ai që shpërfill krenarinë e tij,
që nuk i lë të tjerët ta ndihmojnë,
që i kalon ditët duke u qarë për fatin e tij të keq,
që ankohet për shiun që nuk pushon.

Vdes ngadalë 
ai që i shmanget projektit para se të fillojë,
që nuk pyet për gjërat që nuk i di,
dhe që nuk përgjigjet për gjërat që di.


E shmangim vdekjen me doza të vogla,
duke kujtuar gjithmonë se të jesh gjallë
kërkon një përpjekje shumë më të madhe
se thjeshtë fakti që marrim frymë.

Vetëm durimi i paepur do të na bëjë të arrijmë lumturinë më të madhe. 

Atëherë jeto!

Rreziko sot,
Vepro shpejt,
Mos e lër veten të vdesësh ngadalë,
Mos e privo veten të ndihesh i lumtur …


Palbo Neruda

Monday, September 13, 2010

Zot

Ndalu pak, të lutem,i kam dy fjalë me Ty
dhe, tri pyetje të pakëndshme,
që të zënë ngushtë,
nëse je ashtu si besohet 

Pse përmbyte Pakistanin e lodhur?
Dhe, Pse nuk kurseve xhamitë e reja krenare?
Pse mu ata që të përkulen shumë
Ata që edhe bombën atomike,
vrastare pagëzuan "Islamic Bomb"?

Zemërimi jot la pa frymë edhe fëmijët,
edhe foshnjat
Kufomat e vockla notuan mbi ujin e turbullt,
që dërgove Ti

Pse te drejtohem Ty ?
Kur dërgove dallgët për ta mbytur New Orelans-in e mjerë
Një koleg arab vikati i ngazëllyer:"Allahu po dënon Amerikën!"

Të lutem, vëre gishtin pak në kokë
Dhe mos u mburr me vrasje dhe shkatërrime:
Me ujë të pistë apo pa të
Me dridhje toke apo pa to
Me bomba apo pa to
Me avion apo pa ta
Ne do të vijmë Atje
Ne pyetje janë vetëm disa mikrosekonda hyjnor
Dhe, disa vite tokësor
Jo me shumë!
Prandaj, pak durim të lutem,
dhe, na lerë rehat,
se mjaft vrave!

Naser Aliu

Ç'do të thotë patriot?

Ç'do të thotë patriot

sot për sot në Shqipëri?

Një tuf' ah e një tuf lotë,

një njeri i pa njeri!

Jo, jo! Burri i bën ball'

do buçit si val' mbi zall,

Sa më zi edhe më zi

sido qoftë pun' e tij,

copë-cop' i bënet buza

po aspak s'i falet shpuza.


Sikurse një gur stërrall,

në gji zjarrin e ka ngjall,

qoft në lum' e qoft' në det

zjarr' i tija nuk humbet!




Ali Asllani, ( 28 nëntor, 1882 - 20 dhjetor, 1966), ishte poet, atdhetar dhe diplomat shqiptar.


Thursday, August 26, 2010

Nirvana

I.                                                
I cliruar nga roberia e kujteses,
Korba, sorra, hardhicka dhe qyqe
Dhembecojne shtigje stinashte jetes,
Per te torturuar Fakirin ne gjyqe,
U avulluan, duk’ me shkarkuar
Si bari prej veses se renduar,
Kur e ngroh dielli i agimit te ri,
Behem mik i beses,
Ikin si dallandyshe: endrrat me shpresen,
Ne eter te Nirvanes gjej prehje e qetesi,

Vullnet, vendim, vendim me fuqi.

II.
Cliruar angushise qe bie vdekja,
Endet ne hapesire Perkatesi i Kohes S’ardhshme,
pa gjetur identitetin e tij,
I vdekuri nuk ka vdekur,
Se vdekja e Zotit te mistikeve
Eshte vetem mungese e perkohshme.
Vetem ketu gjeti kuptim Perpjekja.

III.
Ne naten e pakohe,universale,
Kundershtohen feneret e se shkuares,
Dritat e vogla perpiqen te ndricojne Udhet qe erdhen,
udhet nga do shkojne,
Drejtime te rinj si nje parandjenje e frikshme
Per nje agim te panjohur te tmerrshem.
Besa i thote shpirtit: pse je i kujdesshem?
Ti je i pavdekshem.

IV.
Erresira q’eshte gjithnje kureshtare,
Nga frika se po i afrohet agimi,
Fshihet ne intuitat e hidhura
Te Shopenhaurit, Sartrit, Heidegerit,
Q’afrohen e largohen ne kerkesa qorre,
Ulerijne: bota eshte nje aktivitet
Absurd i mendjes pa kuptim,
Enderr e etit te deshires se paperkufizuar,
Nje boshesi pa themel,
Hyn atje tek nuk del,
Pingul nje tunel,
Pa qellim, pa ligje, pa dimensione,
Si qenia dhe te qenet n’ekzistence te qorruar,
Nuk e kupton, kush nuk e ka provuar
Absurditetin e saj te denuar.

V.
Idete qe jane te pavdekshme,
Rrjedhin burimesh mendonjesish te panjohur,
Si ajri qe nga dielli nuk merr te ngrohur,
Po nuk ia ktheu nxehtesine planeti.
Idete, po nuk gjeten balle te pranueshem,
Rrjedhin kot, burimet qe lumi i shpie detit,
Pa nderlidhje ne mes te tyre,
Si nxehtesia irreversibile,
Si uji, magneti,
Elektriku dhe deti
Vazhdojne udhetimin jashte hapesires dhe kohes,
Pertej drites, pertej erresires,
Duke shpresuar nje dite te shkelqejne,
Atje ku s’pritet as pandehet,
Pertej se liges, pertej se mires.

Fatalisht nje dite,
Papandehur, paprite,
Shkeputet egersisht zinxhiri i tyre,
Kjo boshesi behet mungese
E nje kuptimi te sigurte,
Qe te shnderrohet magneti ne drite.
Kjo eshte tortura e te gjithe dramit,
E interpretoi Karvanxhiu i shkretise
Ne udhen qe i la Martiri i Kalvarit.

VI.
Jane te pakte e te rralle Enderronjesit,
Sa humbasin gjate udhetimit,
Prandaj kurre s’i kuptoi njerezimi,
I mungon BUSULLA per te gjetur drejtimet,
Ata qe s’mesojne, s’i gezojne dot kujtimet,
Qe jane lule te thjeshta Te jetes mes gazit dhe lotit,
Te syrit te zjarrte qe sheh pertej kohes,
Ku fshihet misteriozisht e drejta,
Kuriozin e etuar e sulmojne dyshimet.
Eshte aq e tmerrshme sa e hidhur E VERTETA.

VII.
Ndoshta nje dite shume te larget
Bota do ta kuptoje veten,
Nga nisja ne perfundimet,
Nga eksperienca e ashper,
Nga agimet ne perendimet,
Do munde ta shpetoje veten,
Magneti misterioz do te zmadhohet,
Ne drite te kuptueshme
Do t’i zbertheje ekuacionet e qiellit,
Do t’i hape panxhat e dyerve te Misterit.
Duke gerrmuar, duke zbuluar,
duke gjetur Driten e fillimit,
shkakun e mbarimit,
Njerezimi do gjeje udhen e vertete.
Ndoshta ai do te jete Rigjallerimi
Qe thane shenjtore e profete
T’imagjinates mistike.
Do te pagezohen, do te kuptohen,
Do te perqafohen
Shtegtaret e yjeve.

Fatkeqesisht per keta do te jete shume vone.

S’eshte me koh’e tyre, s’eshte me koha jone.
Ashtu lind, jeton, vuan dhe vdes
Ideja martire.

I.Luzaj

Monday, July 26, 2010

Kush je ti, kush je?

Kush je ti, Kush je ?

Duke menduar, duke pleksur hije në vetminë e thellë.

Edhe ti je larg, oh, më larg se të gjithë.

Duke menduar, duke çliruar zogj, duke zhdukur imazhe,

duke varrosur drita.




Këmbanore mjegullash, kaq të largëta, atje në lartësi !

Duke mbytur rënkime, duke thërmuar shpresa të errëta,

mullis i heshtur,

Nata bie si kafshatë në këmbët e tua,

larg nga qyteti.

Prania jote më është e huaj, kureshtare si një objekt.


Mendoj, ec gjatë, jeta ime para teje.

Jeta ime para të gjithëve, jeta ime e ashpër.

Britma përballë detit, mes guriçkave,

që vrapon e lirë, e marrë nëpër avullin e detit.

Tërbimi i trishtë, britma, vetmia e detit.

Bleronjëse, e ashpër, nderë drejt qiellit.

Ti, çfarë ishe aty, ç’përthyerje, ç’purtekë

të asaj freskoreje të pamatë? 


Ishe larg si tani.

Zjarr në pyll !

Përvëlon në kryqe kaltëroshe.

Përvëlon, zhurit, përflak, përshkëndit në pemë drite.

Lëshohet, brambullit.

Zjarr, Zjarr.

E shpirti im i plagosur vallëzon prej bujashkave të zjarrta.


Kush thërret?

Ç’qetësi e populluar jehonash?



Çast i mallit, çast i gëzimit, çast i vetmisë,

çast imi mes të gjithave!

Guackë në të cilën era kalon duke kënduar.

Kaq pasion vaji mbërthyer pas trupit tim.

Tronditje e të gjitha rrënjëve,

Sulm i të gjitha dallgëve !

Endej, i gëzuar, i trishtuar, i pambarim, shpirti im.

Duke menduar, duke varrosur dritën në vetminë e thellë.

Kush je ti, kush je?

Pablo Neruda

Friday, May 28, 2010

Eshtë...

Eshtë kaq e turpshme, dikujt,
t'ia shprehësh që e dëshiron,
është kaq e poshtër, dikujt që e do,
ti thuash, "S'më bëhet vonë".



Eshtë kaq krenari ...kthetrat,
muskujt, dhëmbët të tregosh,
është po kaq e lodhshme
respekt të kultivosh.

Eshtë kaq për të qeshur
kur dikujt pantallonat i shqyhen,
është kaq e dhimbshme
xhepat bosh të gërryesh.

Eshtë kaq e trishtë
kur humbet një garë,
Eshtë kaq absurde
të dhurosh për të marrë

Eshtë kaq naive
të besosh çfarë dëgjon
është kaq djallëzore
të dyshosh gjithçka, gjithmonë.

Eshtë kaq arrogante
të dobtin të shkelmosh
është kaq hipokrite
arrogantin ta respektosh.

Eshtë kaq qesharake
të qeshësh pas krahësh
është kaq absurde
pas tjetrit të mbahesh.

Eshtë e dhimbshme,
e trishtë, absurde të mos tentosh,
TE JESH ... E TE JETOSH !


Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

O Moj Shqypni, e mjera Shqypni...

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush të ka qitë me krye n'hi?


Ti ke pas kene nje zoje e rande,
Burrat e dheut te thirrshin nane.
Ke pase shume t'mira e begati,
Me varza t'bukura e me djelm t'ri,
Gja e vend shume, ara e bashtina,
Me arme te bardha, me pushke ltina,
Me burra trima, me gra te dlira;
Ti nder gjith shoqet ke qene ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmone i zoti
Ke qene per lufte e n'lufte ka dekun
E dhune mbrapa kurr s'i mbetun.
Kur ka lidhe besen burri i Shqypnise,
I ka shti dridhen gjithe Rumelise;
Nder lufta t'rrebta gjithekund ka ra,
Me faqe t'bardhe gjithmone asht da.

Por sot, Shqypni, pa m'thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem perdhe,

Shkon bota sipri, me kambe, te shklet
E nji fjale t'ambel askush s'ta flet.
Si mal me bore, si fushe me lule
Ke pas qene veshun, sot je me crule,
E s'te ka mbetun as em'n as bese;
Vet e ke prishun per faqe t'zeze.

Shqyptar', me vllazen jeni tuj u vra,
Nder nji qind ceta jeni shpernda;
Sa thone kam fe sa thone kam din;
Njeni:" jam turk", tjetri:"latin"
Do thone: " Jam grek", "shkje"-disa tjere,
Por jemi vllazen t'gjith more t'mjere!
Priftnit e hoxhet ju kane hutue,
Per me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n'voter,
Me ju turpnue me grue e moter,
E per sa pare qi do t'fitoni,
Besen e t'pareve t'gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t'huej,
Qi nuk ka gjuhen dhe gjakun tuej.


Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog nder leqe!
Qani ju trima bashke me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n'dhe!
E s'i ka mbetun as buke as mish,
As zjarm ne voter, as drite, as pishe;
As gjak ne faqe, as nder nder shoke,
Por asht rrexue e bamun troke!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M'ata sy t'bukur q'dini me qa,
Eni t'vajtojme Shqypnine e mjere,
Qi mbet' e shkrete pa em'n, pa nder;
Ka mbet e veje si grue pa burre,
Ka mbet si nane, qi s'pat djale kurre!
Kujt i ban zemra m'e e lan' me deke
Ket fare trimneshe, qi sot asht meke?

Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?


Nuk, nuk! Kete marre askush s'e do
Kete faqe t'zeze gjithkush e dro!
Para se t'hupet keshtu Shqypnia,
Me pushke n'dore le t'dese trimnia!

Coniu, shqyptarë,prej gjumit coniu,
Të gjithë si vllazen n'nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!


Qysh prej Tivarit deri n'Preveze,
Gjithkund lshon dielli vap'edhe rreze,
Asht tok' e jona, prind na e kane lane
Kush mos na e preki, se desim t'tane
Te desim si burrat qe vdiqne motit
Edhe mos marrohna perpara zotit.

Pashko Vasa

Sunday, May 16, 2010

Dërguesi në kërkim të marrësit...

Ndoshta ndjehem dobët
ndoshta mirësia dështoi.
Do ta zhvesh me thonj mirësjelljen,
po më pengon të reagoj.


Më vjen për të qeshur
kur më duhet të kacafytem
gajasem kur shoh njerëz që në konfuzion
kot më kot zhyten.

Ndoshta kjo botë është kaq qesharake
dhe mërzia jonë kaq pakuptim,
ndoshta pjekuria e vërtetë
është ndërgjegjia që të nxit në reagim.


U lodha duke toleruar
u ngopa duke mirëkuptuar
e më dolën trutë për të gjetur
përherë një justifikim, një arsye, një ngushëllim.

Ndoshta erdhi koha
të pranoj që virtytet po ftojnë në mallkim,
të pranoj që urtësia
tani po përbën një krim.

Po e pranoj, është e vërtetë
që jam rrebel ndonjëherë
por e respektoj mendimin tënd
dhe kur ai s'përcjell asnjë vlerë.


Jo, sot dua të shpërthej
dua të them gjithçka me forcë,
me arrogancë dhe krenari,
dua t'ua kthej plumbin me plumb
forcën me forcën e vërtetë
injorimin me përballje
ironinë, në shigjetë të drejtëpërdrejtë.

Ju nuk e meritoni drejtësinë,
lirinë, demokracinë,
janë koncepte që nuk i njihni,
janë fjalë që nuk kuptoni
janë të drejta që ju vrasin
e ju shtyjnë të keqkuptoni,
duke ju zhytur me thellë në atë mjerim
që me kaq forcë e fantizëm mbroni.

Keni mësuar të kundërshtoni
pa mësuar më parë të kuptoni
pandehni se për të shkruar
s'është nevoja as që të lexoni.


Krijoni bindje, duke kundërshtuar
ato që mendojnë e peshojnë të tjerë
fitoni simpati dhe vëmendje
kur jeni kundra për çdo gjë e për çdoherë.

Fjalori juaj është i ndyrë,
logjika ju nxit gjithçka banale
ndërgjegja juaj një pus i errët
mbushur me mendime me natyrë anale.


E ndjeni veten të fortë
e ndjeni veten të ditur,
por vitet i përkasin trupit
jo atij trurit tuaj të mitur,
ku i vetmi kanal i thellë
që e përshkon atë rrafshnaltë
është kanali juaj i injorancës,
që ndan njerëz në lindje-perëndim
të majtë të djathtë
të përçarë tragjisht pa kuptim.


Urrejtja është gjuha juaj
prandaj sot shpresoj të më kuptoni
arroganca dhe fodullëku stili juaj
por ju s'mund ta privatizoni.

Sot do të bie në nivelin tuaj
duke shpresuar të jem më i qartë
o ju xhelozë, ziliqarë, intrigues
e gjithçka të zezë shpirti ju mbart.


Bashkë tok, jeni të fortë në çdo komb
se zhuli derrin e mban ngrohtë
sepse copat e pluhurit bashkohen
e ngjiten lart e më lart sot.

Ju kokëboshë manipulues mosmirënjohës,
defiçentë hundëpërpjetë,
krimba, thithëlopa, shushunja, gomerë
që ekzistoni vetëm për të qenë barrierë.

Ju farë e keqe kakzozash të verbëra,
që mbini pas çdo qëllimi human,
ju perversë impotentë
që gjallëroheni anembanë.
mësoni sot diçka të re me vlerë:
"Kush nuk është i aftë
të bëjë diçka të drejtë e të mirë
edhe kur ndërmerr qëllime shtazarake
niveli i tij është për mëshirë.



Shkroi : Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Saturday, May 15, 2010

Fati

Arbëreshi i parë iku nga pushtuesi turk
Shqiptari i dytë nga diktatura staliniste

I treti nga “barazia” titiste
I katërti nga demokracia shqiptare
I pesti nga diktatura serbe
I gjashti nga demokracia kosovare
I shtati stërvitet për t´i braktisur pampersdemokracitë tona
T´i bashkëngjitet arbëreshit të parë, shqiptarit të dytë, të tretë, të katërt, të pestë dhe të gjashtë!

Për gjashtë ditë Zoti krijoi universin
Të shtatën pushoi
Për gjashtë ditë vendi gate zbrazet
Edhe të shtatën shqiptari me strajcë në dorë!


* Në librin “Me shqiptarët e Turqisë”, Fatmir Selimi. studiuesi shqiptar nga Kosova, pas dhjetë vjetëve kërkime në Turqi, konstaton se atje jetojnë 10-15 milion shqiptarë...
Lufta e Kosovës dëshmoi se ata nuk ndjehen më shqiptarë...

Sikur Turqia të na kishte dashur më pak, do t´ishim mbi 15 milion shqiptarë në Ballkan: Lufta e Kosovës nuk do të kishte ndodhur kurrë dhe shteti Shqiptar, do t´ishte ndoshta më i madhi në Ballkan...


Naser Aliu

Saturday, May 1, 2010

Burra shteti, zgjohuni...

Eshtë më se e vërtetë ,
se s'kemi zgjedhur burra shteti,
por faji s'është shumë i tyre,
faji në xhep na mbeti.


Pse vëllezer kush na e ka ne fajin,
që ata bëjnë me ne çfarë duan,
kur ata s'janë burra shteti,
pse atëherë i votuam?

Mos u nxito ti o i krahut tjetër,
të thuash unë s'votova për ta,
se kanë kaluar shumë vite,
që burra shteti për ne s'ka.

Ne o vëllezer e kemi fajin,
ju vemë mbrapa nëpër tribuna,
pavaresisht ç'të krahu jemi.
ishim dhe mbesim thjesht 'turma'.


Pra fajin se ka politikani,
ne e dimë mirë se personalitet ai s'ka,
atëhere pse s'votojmë për BURRA shteti,
vërtete janë të pakët, por të tillë ka.

Ironia më e madhe e fatit,
kur ne zihemi si të majtë ose të djathtë,
ata me njëri tjetrin zgërdhihen,
thone me këtë popull kemi shumë fat.

Pra faji për mua s'është i tyre,
faji është i 'turmës"që i mbështet
dhe pastaj bërtasim me të madhe,
këtu tek ne nuk ka shtet.

C'shtet kërkon o fatzi.
kur ne krye vë këta politikanë,
këta s'mendojnë kurrë për ty ,
këta për para vrasin babanë.

Vallë kurrë kjo 'turmë'do të zgjohet
të mos mendojë kurrë për të majtë a të djathtë,
por të zgjedhë BURRA shteti,
që të shohim dhe ne një ditë të bardhë?!


Shkroi: Anila Dedaj
Sugjeroi: Engjell Zylyftari

Saturday, April 24, 2010

Si po prishet gjuha shqype ?

Gjyshat tonë, eh paçin dritë!
Njerz koktrashë, kurgja s'kanë dijtë:
Jan kenë t'hutuemun!
Ata t'mjerët s'kan dijtë athera,
as buon giorno, as kali spera,
as sabah sherif teheir-ollsun!


Na sot jem për t'u lavdue,
dijmë me folë, me bisedue
nga mendja jem holluemun!
Çojmë n'dhe t'huej djalin m'u msue,
kombin tonë m'e përparue,
dhen tonë m'e nderuemun;
rri n'shkollë djali pesë - gjashtë vjet,
kur vjen n'Shkodër, shqyp nuk flet,
Shqypen ka harruemun!!!!

Kur flet shqyp, asht çud m'e ndi
Gjys-për-gjys tue e përzi
me fjalt t'gjuhve t'hueja!

Thotë: me thanë la verita
ktu në Shkodër sot diçka
j an civilizuemun

La gioventu ka studiue
di me folë, me ragionue
po m'vjen mirë: bravissimo!
Veramente, n'shkolla t'hueja
me kenë me studiue dhe grueja,
kish me u ndritë il popolo,
Se n'dhe t'huej asht rispettata,
grueja asht emancipata,
nuk asht schiava e burrave!

Dhe kah ana e Toskenis
ku janë shkollat e Greqis,
çud asht me i ndigjuemun;
atje Toskat t'thotë gjithehera:
mirëmbrëma, kali mera
si ta kam, kalla mu ise?!

Thuej: ç'po bahet nga Greqija?
T'thotë: atje është elefterija,
bota është e gëzuarë!!!
Nga Jakova e nga Pesrendi,
n'Stara Serbia(?!) ku i kishteni
msohet n'shkolla t'serbëve,
tue folë shqyp t'thotë me pahir:
si ja brate, nadja e mirë,
dobro itro, kakoti?

E kshtu gjuha po shëmtohet,
dhe kshtu kombi po mjerohet
.......... nga shkollat e hueja!

Filip Shiroka ne vitin 1889.

Marrë nga Aulona Çapaj

Përse sot, 121 vjet më pas, thirrjet e rilindasve shqiptarë, janë ende kaq aktuale...? (S.I)