Monday, October 22, 2012

Duke pritur shoqërinë civile


Kur duhet shoqëria civile, duket se mungon në takim.
Kjo ka ndodhur çdo herë që reflektimi qytetar ka qenë i domosdoshëm.
Në facebook, në komentet e pafiltruara në faqet on line të gazetave, thirrja është unanime, plebishitare, gjithëpërfshirëse: duam shoqërinë civile të na drejtojë! Kjo ndodh sa herë që digjet një ish-i përndjekur, sa herë pritet një kokë vajze 18 vjeç, sa herë kemi frikë nga shteti. Kjo ndodh edhe për situata më personale, kur ngelemi si në mesjetë pa drita, kur qeveria nuk llogarit pensionet, kur paraplegjikët injorohen në tmerrin e tyre. Refreni është njëlloj. Kur policia sulmon tifozët, kur na vjedhin në autobus, kur s’na pëlqejnë këngët e festivalit, kur humbasim një tender, apo nuk na japin çertifikatën, duam shoqërinë civile të tregojë veten. E duam ditën, apo dhe natën, sa herë zoti në qiell nuk na zgjidh lutjet, shoqëria qoftë dhe pak civile duhet të bëjë magjinë. Raporti midis nesh dhe saj është në nivele WuDu-je, me zgjidhje gati si me një kafe turke të kthyer mbrapsht. Shoqëria civile thotë se ke një rrugë të largët. Një siklet që ke ktë javë do të zgjidhet nga një person që i fillon emri me M. Ke dikë që nuk të do, po nuk ka se çfarë të bën. Ti ke shoqërinë civile.
Një ditë përpara se të kuptohet se korrupsioni i sistemit të drejtësisë nuk është histori abstrakte me piratë, por një histori që herët a vonë na ka palë, nuk mendohet se shoqëria civile ekziston. Kur jeton në Gërdec në 14 mars të 2008, nuk di se ka projekte, se duhet shteti, se njerëzit që flasin kanë dhe një funksion publik. Por një ditë më pas ne kuptojmë se bota që kishim është fshirë. Shteti nuk mjaftoi dhe duhet shoqëria civile.

Shoqëria civile që presim, në fakt jemi ne. Ndërgjegja kolektive është ajo që krijon mundësinë për të pasur dhe një reagim civil si shoqëri. Në një shoqëri të trembur si e jona, kur themi “shoqëri civile”, i bëjmë apel NIPT-eve të regjistruara në gjykatë. Duket sikur në këtë moment dikush që i është drejtuar gjykatës dhe ka kërkuar të regjistrohet, ka një nivel më të lartë arsyetimi se të tjerët. E pazakontë që një popullsi i kërkon të regjistruarve të vetë në tatime të ngrihen me forcë kundër shtetit.
Shoqëria civile, si shumësi subjektesh të regjistruar, ekziston pikërisht që të jetë si valvul sigurie e sistemit. Këto subjekte konsumojnë bindjet e përgjithshme dhe këtë veprim e quajnë sensibilizim. Në momentet kur situata është e keqe, OJF-të duhet të tregojnë edhe një herë atë që të gjithë e dinë. Kjo krijon efektin e “shfryrjes” në kuadrin e lirisë së shprehjes, dhe rrit artificialisht iluzionin se të paktën në zgjedhjet e tjera ata që kanë vesh do të kenë kuptuar.
Shoqëria civile, hiq shoqatat e gjahtarëve, nuk ka armë dhe si e tillë nuk mund të trembë seriozisht. Shoqëria civile e regjistruar në gjykatë si OJF tregon se pjesëmarrja në këtë lloj organizimi është tejet e fragmentarizuar, në grupe me nga tre deri në pesë vetë. Shoqatat shkojnë nga 20 deri në 30 vetë. Pamundësia për t’u organizuar është po në nivelet e shoqërisë civile të paregjistruar nëse kjo do tentonte të organizohej mbi baza familjesh. Në këtë rast thirrja e një kryetari shoqate do ishte po aq kaotike sa ajo një kryetari familje normale. Burrë, grua, e një fëmijë.
Në shoqërinë civile punojnë njerëz të zakonshëm që mund të punonin në të njëjtat kushte dhe në një bankë të nivelit të dytë. Po askush asnjëherë nuk ka kërkuar të organizohet në një protestë nga punonjësit e bankave. Nuk ka evidenca statusesh me trishtimin se “tellerat” e bankës po i lënë në baltë qëllimet e një bote më të mirë. Rasti i vetëm i një revolte të imagjinuar nga një punonjës i tillë do të ishte Marlin Manson. Po sidoqoftë nuk do të bënte ndryshim të madh në një shoqëri që digjet, një këngëtar që provokon me cica fallco.
Statuset e shoqatave flasin për organizime për mbrojte të ariut Panda, të peshkut të kuq të liqenit artificial, të grupit të shqetësuar për politikat në BE, dhe të juristëve që zbërthejnë ligje nga një qofte trajnimesh tek tjetra.
Nga cila prej këtyre kategorive presim që të dalë në krye të mërzitjes popullore? Që ta bëjë atë të arsyeshme aq sa të mbrojë më të dobëtit e vet? Nuk besoj te “Grupi i bimëve medicinale”, as te “Mbrojtësit e traditës së fshatit Ploçë” në jug të Shqipërisë.
Po përse presim nga “Organizata për sushi cilësor” që të jetë më e ndjeshmja në të përditshmen tonë?

Skizofrenia që tregohet në facebook po bëhet shqetësuese dhe në një farë mënyrë e mirë organizuar. Kërkohet nga një qenie e paqenë, organizimi i të gjithëve, dhe kjo nuk është e rastësishme. Mërzia duhet të shprehet në mënyrë të paorganizuar, se vetëm në këtë mënyrë dhe vetë dhimbja bëhet qesharake. Pas të qeshurës së hidhur vjen gjithmonë ekzaltimi i më të fortëve, njerëzve të pushtetit. Monotonisht, pafundësisht.
Duket sikur shoqëria është aq sadiste sa ndjen kënaqësi nga dhimbja e më të dobtëve të saj. Kjo mund të jetë dhe e vërtetë, por nëse është kështu nuk ka shpëtim

Berishës i duhet që protestat kundër tij të jenë jo politike. Kjo jo se njeriu më apolitik i këtyre 22 viteve ka ndonjë reflektim për mënyrën dështake me të cilën bëri politikat e këtij këtij vendi. Por me mënyrën e tij perverse ai shfrytëzon kompleksin e njerëzve të ndershëm në Shqipëri, atyre që meqë nuk e ndalojnë dot të keqen, u mbetet veç të mos behën palë me të. Ai shfrytëzon siluetën e pavërtetë të një shoqërie civile fantazëm për të shmangur opozitën nga lufta, për të pakësuar mundësinë e një fronti unik, ndaj një Kryeministri që të le të digjesh. Nuk të përfill në protesta edhe nëse flijohesh. Një Kryeministër që brutalisht i heq thelbin demokracisë, e që me zhdërvjelltësi akuzon ish-të persekutuarit politikë se po bëjnë politikë, duhet sulmuar politikisht. Me armën më te fortë që kemi: OPOZITËN. Shoqëria civile që ne presim nuk do të vijë kurrë, por ne mund të vazhdojmë ta presim duke qenë se justifikimi i pritjes është i pranueshëm estetikisht.  Andi Kananaj

No comments: