Sunday, October 7, 2012

Kjo është e frikshme


Në një rrëfim tronditës për numrin e sapodalë të revistës Java, Fatos Klosi ‘rrëfehet’ që pas sulmit ndaj Kryeministrisë më 1998 dhe pas varrosjes së A. Hajdarit, me një urdhër gjykate është përgjuar për disa ditë telefoni i zyrës së Sali Berishës dhe transkriptet gjenden të dokumentuara në dosjen përkatëse. Ish-kreu i Shish pohon: “Po, e kemi përgjuar Berishën! Pak ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit dhe revoltës së armatosur në Tiranë, një shqiptaro-malazez e urdhëron nga Teksasi që ta ‘mbyllë atë muhabet’. Dhe e mbylli”. Biseda ka ndodhur 3-4 ditë pas 14 shtatorit, dhe zhvillohej në anglisht, por verifikimet e analizat e shërbimit sekret arritën në konkluzionin se ‘urdhëruesi’ duhej të ishte një shqiptaro-malazez (në atë kohë Mali i Zi ishte ende pjesë e federatës me Serbinë). Klosi sjell faktin se nga ai telefon është biseduar dhe “për të gjetur 300-400 burra të armatosur kundër qeverisë së komunistave të Tiranës”.
Në lidhje me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar që spiunojnë për llogari të shteteve të huaja, Klosi pohon i sigurt: “Po, ka! Por çfarë rëndësie ka kjo? Situata është shumë herë më e rëndë se kaq! Klasa politike i ka hequr brekët me kohë. Tani madje nuk konsiderohet më turp, përkundrazi është nder që të konsiderohet se njëri apo tjetri është konfident më këtë apo atë fuqi të huaj”.
Dhe ‘spiunlliku’ ynë nuk bëhet si nëpër filma. “Bëhet fjalë për anëtarë qeverie të cilët, varësisht pasioneve e afërsive të tyre personale, bëhen zëdhënës të interesave të huaja në vend. Për shembull, të interesave ekonomike…” thotë Klosi. Ai kujton fjalët e një përfaqësuesi të një shërbimi mik: “të gjithë ministrat janë të afërt me Ambasadat, vijnë vetë këtu e komentojnë gjithça ndodh”.
Ky është rregull, për të tërë krahët politikë, siç thotë Klosi.
Dhe kjo është e frikshme.Burimi:http://respublica.al/artikuj/2012/10/06/fatos-klosi-nje-shqiptaro-malazez-urdheroi-ne-telefon-berishen-pas-shtatorit-1998

No comments: