Showing posts with label Ndërgjegjësim. Show all posts
Showing posts with label Ndërgjegjësim. Show all posts

Thursday, December 9, 2010

'Azil politik sapo të hiqen vizat'

100 ish-të persekutuar paralajmërojnë nisjen kolektive dhe veprimin ekstrem pas heqjes së vizave. Protestë me zinxhirë te Parlamenti Europian. Udhetimin e pazakonte e paguan biznesmeni Beqir Caushi


Thonë se u ka sosur durimi. Deri në atë pikë sa, sapo të hiqen vizat do të nisen ta kërkojnë shpëtimin dhe fatin drejt Brukselit.




E jo thjesht me ndonjë takim protokollar me krerët më të lartë drejtues të Europës së ëndërruar edhe kur shumë shqiptarë të tjerë e përbuznin. Por do të shpërthejnë shpirtin që iu vlon kaherë pa shpëtim në vendin e tyre, ku as dikur, as tash nuk po e gjejnë veten. Dhe do shprehen vërtetësisht, ashtu siç ndiejnë. Me një grevë të paqtë e njëkohësisht tronditëse urie, mu përpara Parlamentit Europian. Duke kërkuar deri azil politik, e jo në kohët e Shqipërisë komuniste, por paradoksalisht të asaj postkomuniste.
"Do të kërkojmë azil politik, do të futemi në grevë urie, që ta dijë Europa se në ç'gjendje i ka katandisur ish-të burgosurit politikë shqiptarë atdheu i tyre, në të cilin as ka pasur, as ka demokraci dhe drejtësi. Një vend ku fitojnë e janë ende në pushtet ata që na vranë e persektuan. Një vend ku ndihesh i huaj, pasi fitojnë vetëm hajdutët, imoralët, kontrabandistët, servilët, spiunët", shprehet për 'Shekullin' Gjergj Ndreca, sekretar i Shoqatës së Rehabilitimit për Drejtësi dhe Dinjitet të ish-të persekutuarve politikë, e cila numëron 450 anëtarë. Dhe jo thjesht me fjalë, por me vepra për këtë qëllim janë mbledhur 100 ish-të burgosur të komunizmit, të cilët fill pas 16 dhjetorit, ditës kur s'do të ketë më viza, do ta kenë të afërt ditën e nisjes për rrugë drejt Brukselit. Në këta 100 të parë, 15 janë anëtarët e kryesisë së shoqatës, si për shembull kryetari 82-vjeçar i shoqatës, Xhaferr Agaraj, Fatmir Lamaj, Bedri Blloshmi, Edmond Halimi, Haxhi Baxhinovski, Gjon Kola, Mëhill Gjini etj.

Ndërkohë që në kryeqendrën e institucioneve europiane, Bruksel, i presin edhe 50 ish-të burgosur të tjerë, të cilët do të mblidhen aty posaçërisht nga diaspora. "Shpenzimet e rrugëtimit tonë kolektiv do t'i marrë përsipër biznesmeni i njohur shqiptar në SHBA, Beqir Çaushi, nipi i Hysen Haxhisë, i cili ka bërë 16 vjet nëpër burgjet komuniste", thotë Ndreca. Dhe jo vetëm grevë urie. Si simbolikë të protestës në Bruksel janë blerë edhe 220 metra vargonj hekuri, nga ai që përdoret për të lidhur makinat në dëborë, dhe me të do të rrethojnë simbolikisht Parlamentin Europian. "Disa njerëz të qeverisë, të cilët e kanë marrë vesh gjithë sa u tha më sipër, për të na zmbrapsur na pëshpërisin se po të shkojmë atje do na rrahin policët e BE-së. Por ne do kërkojmë të drejtat tona paqësisht. Edhe po na rrahën, neve na kanë rrahur komunistët në Qafë të Barit, Spaç, Burrel. Na e kanë thyer kurrizin, kështu që nuk kemi frikë. Jemi të frymëzuar që të çojmë në vend amanetin e bashkëvuajtësve tanë", thotë ish-i përndjekuri politik, anëtar i shoqatës, Fatmir Lamaj.


Dëshmshpërblimet, arsyeja që i shtyn ish-të persekutuarit drejt protestës
Greva e paralajmëruar: Në Shqipëri ka aparteid politik
Çfarë i detyroi të futeshin pak muaj më parë në grevë urie në Tiranë e tani drejt grevës së paparë të urisë në Bruksel? Ja si u shprehën pak ditë më parë për "Shekullin' disa prej ish-të persekutuarve, që tani kanë vendosur pa kthim realizimin e kauzës së tyre dhe jo vetëm të tyres:
Gjergj Ndreca:
"Kërkojmë të dëmshpërblehemi sipas ligjeve dhe Kushtetutës. Ne sot kemi humbur statusin e qytetarëve normalë. Nuk jemi as qytetarë të dorës së tretë apo të katërt dhe ky është përsëri një aparteid politik. Ne nuk duam lëmoshë, por rehabilitim, integrim dhe drejtësi me dinjitet. Ka katër ligje në fuqi për dëmshpërblimet dhe për ne është miratuar ligji që jep vlerën më të vogël, që llogarit punën e detyruar në burg, por jo dhunën, torturat, mungesën e lirisë dhe dinjitetit.
Është dëmshpërblyer më shumë Fatos Nano e të tjerë byroistë këto kohë, se sa ne që kemi bërë burg në kohë më të vështira. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, na premtoi që çdo një muaj do të dilnin një mijë emra dhe një listë e saktë e të persekutuarve, por kanë kaluar 3 muaj nuk është bërë asgjë. Ne kemi shokët tanë që kanë bërë nga 30 vjet burg e kanë me dhjetëra të pushkatuar në familje dhe nuk kanë marrë kokërr leku e janë duke vdekur në mjerim. Ndërsa gjithë fëmijët e ish-byroistëve si pasardhësit e Feçor Shehut, Mehmet Shehut etj. kanë marrë. Në këtë vend mjafton të jesh ish-komunist spiun, servil dhe gojëkyçur dhe të hapen dyert. Ndërsa kur vdes një nga ne gëzojnë se thonë: 'vdiq dhe një armik'.  

Fatmir Lamaj
- Ne duam ta marrim brenda vitit dëmshpërblimin që na takon, jo në tetë vjet, sepse jemi specie në zhdukje.
Kemi qenë rreth 6000 ish-të përndjekur në vitin '90, sot kemi mbetur 1800. Të tjerët kanë vdekur. Dhe imagjinoni, ka tre vjet që ka dalë ligji dhe nuk ka mbaruar së dhëni akoma kësti i parë.
Po marrin inkuzitorët tanë nga 30.000 lekë pension. Merr ish-prokurori famëkeq Aranit Çela pension të posaçëm prej afërsisht 75.000 lekë në muaj. Ndërsa ne, të vuajturit edhe në pseudodemokraci marrim nga 15.000 lekë/muaj. Më mirë të kërkojmë strehim politik në Korenë e Veriut, se sa në një neokomunizëm hipokrit si ky shqiptar. Ne gjendemi vazhdimisht nën opiumin e gënjeshtrave të qeverisë në pushtet. Nëse hapet toka e këtij vendi nga Saranda në Tropojë gjen kockat tona. Por ne nuk morëm asgjë që meritonim.


 Na drejtojnë akoma vrasësit tanë. Nuk është e habitshme që në çdo zyrë të shtetit shqiptar janë ose ish-zyrtarët e kohës ose pinjollët e tyre. Nuk është habi që edhe ata pak ish-të persekutuar që punësoi zoti Berisha në fillim të ardhjes në pushtet për imazhin e tij, tani janë pushuar nga puna në administratën e lartë
Magdalena Alla, G. Shekulli

Wednesday, December 1, 2010

Nëna e infektuar: Pengu i jetës sime, lindja e fëmijës me SIDA

Numri i personave të infektuar me virusin HIV/AIDS po vjen gjithnjë në rritje në vendin tonë. Tashmë numërohen zyrtarisht 406 persona të infektuar me këtë virus dhe 41 raste u zbuluan gjatë vitit 2010.

Kjo u bë e ditur dje në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë nga drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Enver Roshi, i cili bëri analizën epidemiologjike të virusit në vendin tonë. Ndërkohë, përfaqësuesja e Shoqatës së Personave me Virusin HIV/AIDS bëri me dije problematikat që ndeshin çdo ditë këta persona.
Ndërkohë specialistët bëjnë me dije edhe hartën e personave të infektuar me këtë virus, ku kryeson Tirana e ndjekur nga Durrësi dhe Lushnja.
Pikërisht në ditën Botërore kundra virusit HIV/AIDS komisioni i Shëndetësisë ka vendosur të dëgjojë grupet e interesit me rastin e ditës Botërore Kundra Virusit HIV/AIDS. "Dua të theksoj se numri më i madh i të infektuarve është në zonat urbane dhe pikërisht 73 për qind e të infektuarve i përkasin këtyre zonave. Tashmë, numri i të infektuarve ka arritur në 406 persona, por numri i tyre mendohet të jetë më i lartë, sepse jo të gjithë të infektuarit janë diagnostikuar", - thekson Roshi.

Sipas shpërndarjes gjeografike,
54% e rasteve i përkasin rrethit Tiranë,
6,2% i përkasin rrethit Durrës,
5.6% i përkasin rrethit Lushnjë,
3.9% në rrethet Fier dhe Elbasan,
3.6% në rrethet Shkodër
dhe Vlorë, 3%
në rrethin e Laçit,
2.4% në rrethin Berat
dhe në një përqindje më të vogël në rrethet e tjera (më pak se 1%).

Ndërkohë, sa i takon transmetimit, rruga seksuale vazhdon të mbetet mbizotëruese, me 90% të rasteve (80% heteroseksuale dhe 10% homo-biseksuale). Ndërsa rastet dhe më fatkeqe janë kur virusi është transmetuar nga nëna tek fëmija dhe në këto raste kemi konkretisht 5% të rasteve, ku infeksioni është transmetuar nga nëna e infektuar të fëmija dhe në 4% nëpërmjet gjakut dhe në 1% te përdoruesit intravenozë të drogës.



Një nënë e infektuar me virusin HIV/AIDS rrëfen historinë e saj në përballje me virusin. Të gjithë më mohuan
"Pengu i jetës sime është se lindja fëmijën me SIDA"
Pengu më i madh i jetës së saj është se solli në jetë një fëmijë me virusin HIV/AIDS. As sëmundja e rëndë nuk do ta vriste më shumë se fakti që edhe fëmija e saj do të vuajë këtë sëmundje. Në një intervistë për "Shekullin", një nënë e infektuar me virusin HIV rrëfen historinë e saj.


Si e përjetuat marrjen e një përgjigje pozitive të testit për HIV?
Efekti i parë është shokues. Nuk është e lehtë të marrësh një përgjigje pozitive të testit të HIV-it. Mendimi i parë që më shkoi në mendje ishte se do të vdisja shumë shpejt. Dhe nëse bota, njerëzit vërtiteshin rreth meje, gjithë mendja fokusohej tek gjërat me të cilat jam e lidhur më shumë shpirtërisht dhe që do të vuanin pasojat nga ikja ime nga kjo botë. Dhe për një prind mendimi i parë janë fëmijët. Kush do të m'i rrisë fëmijët? Kush...? Si e keni ndjerë veten pas ballafaqimit me faktin e të qenit një person HIV pozitiv? Isha një grua relativisht e brishtë. Një grua e lumtur, me një jetë normale si gjithë të tjerët, ku familja përbënte thelbin e ekzistencës sime. Nuk e kisha menduar kurrë që do mund të përballesha me diçka të tille dhe që "supet" e mia do të mbanin gjithë këtë peshë. Mund t'ju rrëfej se të tjerët ma bënë jetën shumë më të rëndë. Unë i përkisja asaj kategorie që janë të bindur se kanë miq, të afërm dhe se po të kesh një problem, një hall askush nuk do të braktiste. Por, ndodhi ndryshe. Fakti i braktisjes së tyre më lëndoi shumë edhe pse nuk ishte jetik. Frika dhe vuajtja që kam brenda meje më bënë më të guximshme. Nuk pretendoj të jem dikush në këtë botë, por për një gjë jam e sigurt që me jetën time po sjell një ndryshim edhe pse fare të vogël... Në fillim mendja ime analizonte çdo sjellje, veprim, apo reagim të njerëzve karshi meje. Më vonë e kuptova se nuk do të më vinte asgjë pozitive nga kjo, asgjë e mirë dhe hoqa dorë, u bëra indiferente dhe shpesh i anashkaloja.

Ju jeni një nënë që i keni dhuruar jetën fëmijës, por bashkë me këtë dhuratë i keni transmetuar dhe virusin HIV. A përbën kjo pjesën më të vështirë?
Brejtja më e madhe shpirtërore është kjo. Fëmija është gjëja më shtrenjtë dhe më e shenjtë në botë dhe ky fakt që përmendët është gjëja, për të cilën shpirti më dhemb më shumë. Kjo është një lloj dhimbjeje që pavarësisht se nuk shfaqet në jetën time të përditshme më vret shpirtërisht nga brenda. Ashtu si pika e ujit gërryen gurin, ashtu dalëngadalë gërryhet dhe shpirti im. Sepse sa herë që ti e sheh fëmijën tënd, e përkëdhel, e puth, shkëmben dashurinë me të është e pashmangshme të mos të të kalojë vetëtimthi në kokë mendimi që bashkë me jetën i ke dhënë dhe këtë virus.


Cila është dëshira juaj më e madhe?
Të arrij të jetoj momentin kur virusi HIV të mos jetë më një "mysafiri i përhershëm" në familjen time dhe ta shikoj fëmijën tim të shëndetshëm.


"Diskriminohen nga shoqëria dhe personeli shëndetësor"
Jemi të diskriminuar jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga institucionet shtetërore. Kështu u shpreh kryetarja e Shoqatës së Peronave të Infektuar me virusin HIV/AIDS, e cila renditi një sërë problemesh të këtyre personave. "Duhet të dini se personat me virusin HIV/AIDS shpesh iu mungojnë antiretroviralët dhe kjo është fatale për ta, sepse jeta e tyre varet pikërisht nga trajtimi mjekësor", - thekson ajo, duke shtuar se nuk mundohen çdo ditë të edukojnë peronat me SIDA të jenë korrekt në trajtimin, por ky trajtim nuk u bëhet e mundur. Ndërkohë, ajo thekson se ndihen të diskriminuar nga shoqëria dhe vetë personeli mjekësor, pasi këta të fundit ka pasur raste që nuk kanë ofruar ndihmë mjekësore për personat me virusin HIV/AIDS. "Ajo çka është e rëndësishme është fati se ligji kundra SIDA-s është miratuar para dy vjetësh dhe nuk zbatohet. Bëjmë ecejake nëpër institucione dhe nuk gjejmë përkrahje", - thekson ajo. Ndërkohë, ajo thekson se duhet të rritet numri i shërbimeve sociale dhe shëndetësor për këtë kategori pacientësh.



Zonat më të prekura
54% e rasteve i përkasin rrethit Tiranë
6,2% e rasteve i përkasin rrethit Durrës
5.6% e rasteve i përkasin rrethit Lushnjë
3.9% e rasteve në rrethet Fier dhe Elbasan
3.6% e rasteve në rrethet Shkodër e Vlorë
3% e rasteve i përkasin rrethit të Laçit
2.4% e rasteve i përkasin rrethit Berat


Ja moshat më të prekura
Grupmosha më e prekur nga virusi HI/AIDS është 25-45 vjeç që është grupmosha seksualisht aktive dhe përbëjnë 65 % të rasteve. "Duhet të dini se kjo grupmoshë është më e prekura edhe në vendet e tjera, pasi janë mosha më aktive", - pohojnë specialistët. Ndërsa, sa i takon fëmijëve në vendin tonë, numërohen 21 fëmijë, 15 prej të cilëve janë infektuar nëpërmjet transmetimit vertikal nga nëna tek fëmija dhe 6 nëpërmjet transfuzionit të gjakut ose nënprodukteve të tij. Ndërkohë, bëhet me dije se gjatë këtij viti ka një rritje të përqindjes së femrave të që shkon deri në 34%.


Përdoruesit e drogave, një shiringë e përdorin 5 persona
Përdoruesit e drogave janë një kontingjent i rrezikuar nga virusi HIV/AIDS. Shkak për këtë është përdorimi i një shiringe nga shumë përdorues. Kështu u shprehen specialistët e qendrës "Stop AIDS", të cilët theksuan se rritja e numrit të përdoruesve të drogës rrit edhe rrezikshmërinë për rritjen e numrit të infektuarve me virusin vdekjeprurës. Kjo është edhe arsyeja që misioni i tyre është që të shpërndajnë falas shiringa përdoruesve të drogës, në mënyrë që rreziku të minimizohet disi. "Nga puna që bëjmë në terren, vëmë re që shumë përdorues përdorin të njëjtat shiringa.

Madje, ka raste që një shiringë mund të përdoret në më shumë se 5 persona.
Detyra jonë është që jo vetëm t'i këshillojmë përdoruesit e drogave, por edhe t'u japim atyre shiringa falas", - pohojnë specialistët e "Stop AIDS".

Eglantina Bardhi, G. Shekulli

Friday, October 29, 2010

Nga rruga me drita të kuqe te Amsterdami që lufton kundër prostitucionit ilegal

Për pjesën më të madhe të njerëzve që vizitojnë Amsterdamin, në program bën pjesë edhe një vizitë në lagjen e famshme me drita të kuqe.

Tërheqja i bën turistët që gjatë shëtitjes nëpër dyqane të hedhin një sy në vitrinat ku tregohen gra të veshura lehtë që ofrojnë shërbimet e tyre. Në Holandë prostitucioni është legal. Por krahas prostitucionit legal ka filluar të futet edhe prostitucioni ilegal me minorene.

Pa rënë nata, fillon gjallërimi i jetës nëpër rrugicat rreth kanaleve të Amsterdamit.
Tabelat me drita joshin klientët me show seksi dhe me të rejat e fundit nga bota e erotikës. Mes tyre gra me shumë pak veshje përsipër ofrohen në vitrina. Kjo është lagjja “De Wallen”, lagjja me drita të kuqe të Amsterdamit.

Në Holandë prostitucioni është i njohur si profesion.
Gratë që punojnë këtu, mund të fitojnë mirë, një pjesë deri në 10 mijë euro në muaj. Por për shumë prej tyre ardhja këtu nuk ka qenë me dëshirën e lirë. Ajo që ndodh pas vitrinave, në apartamentet private ose në makina ka më shumë të bëjë me shfrytëzimin sesa me kënaqësinë.
Samantha ka punuar në Amsterdam katër vjet në prostitucion. Sot ajo është 15 vjeç. Me 11, ende fëmijë ajo u detyrua për herë të parë të bënte seks, me një të ashtuquajtur Loverboy.
Loverboys janë djem në moshën rreth të 20 -ave dhe janë specializuar për të fituar minorenet. Ata u premtojnë vajzave të reja dashuri dhe pavarësi dhe i tërheqin gjithnjë e më shumë në llumin e prostitucionit, shpesh me ndihmën e drogave.
"Ty të krijohet përshtypja se nuk ke zgjidhje tjetër. Ai më jepte drogë dhe unë nuk isha më në gjendje të mendoja. Gjithnjë më thoshte se mua më pëlqen kjo që bëja. Unë rrija aty për shkak të Loverboy-it. Unë kisha frikë të isha vetëm",- thotë vajza sot.
Ajo ka ikur prej andej dhe jeton në një fshat të vogël në afërsi të Amsterdamit, në fondacionin “Stop Loverboys Nu“, që do të thotë “Ndalni Loverboys tani!“.
Themeluesja e fondacionit kujdeset prej tre vjetësh për vajza si Samantha. Edhe e bija e saj, u bë viktimë e një Loverboy dhe sot 20 vjeç, vazhdon të punojë në prostitucion.

Anita de Wit e di sa e vështirë është të çlirosh vajzat nga kthetrat e burrave. "Kjo është një punë që kërkon shumë ndjenja dhe shumë dashuri. Vajzave u mungon kujdesi dhe ngrohtësia. Burrat janë psikologë dhe e dinë shumë mirë si mund t`i bëjnë vajzat që të bëjnë atë që duan ata. Shpesh unë e krahasoj këtë me një bashkëshorte, që rrihet prej të shoqit. Kur burri i thotë gruas se e do gruan dhe nuk do që t`i shkaktojë dhimbje, atëherë gruaja nuk e denoncon. Edhe tek vajzat mekanizmi është i njëjtë".
Përveç kësaj, burrat i kërcënojnë vajzat se do t’u rrëmbejnë, për shembull, motrën ose vëllanë, ose se do tregojnë fotografitë ku ato duken lakuriq në shkollë.
Është e vështirë të thuash sa minorene bien viktimë. Tek Anita de Wit vijnë 20 vajza në vit që kërkojnë të largohen nga prostitucioni.
Edhe qyteti i Amsterdamit e ka kuptuar problemin e prostitucionit ilegal dhe kërkon të rrisë kufirin e moshës minimale për prostitutat nga 21 në 23 vjeç.
Sepse kur vajzat arrijnë moshën e rritur, as prindërit as Anita de Wit, as zyrat për të rinjtë nuk kanë të drejtë t`i ndajnë vajzat nga kodoshët. Anëtari i këshillit të qytetit, Lodwijk Asscher, kërkon që këtu të bëhen ndryshime: "Shumica e viktimave të tregtisë me mishin e bardhë janë më të reja se 23 vjeç. Prandaj ne duam të fusim këtë moshë, si kufi të moshës së rritur. Në Holandë duhet të kesh mbushur moshën 21 vjeç për t`i dhënë autobusit. Kurse për prostitucion nuk ka kufi të tillë, megjithëse gratë e reja janë delikate dhe e kanë të vështirë të mbrohen."
Në këtë mënyrë Asscher kërkon të përmirësojë edhe imazhin e qytetit. Kriminaliteti, thotë ai, është shumë i lartë në lagjen me drita të kuqe. Ndalim-qarkullimi natën mund të ndihmojë për uljen e tij. Përveç kësaj, ata që kanë marrë me qira vitrinat duhet të kontrollohen më shumë.
Për Samanthën këto masa janë të vonuara. Ajo e ka humbur rininë e saj në prostitucion. Edhe ndryshimet e ligjit i sheh me skepticizëm. "Klientët e dinin që unë nuk punoja vullnetarisht, që unë isha minorene. Por kjo nuk u interesonte. Sa më e vogël një vajzë aq më mirë."
Ajo nuk do të kthehet më kurrë në lagjen me drita të kuqe. Fondacioni ka gjetur për të një vend në jug të Francës, ku ajo mund të jetojë nën kujdestari. Atje ajo do të mbledhë forcat, në mënyrë që kur të kthehet në Holandë të mos kthehet sërish tek Loverboys.

G. Standart

Thursday, October 21, 2010

Dora mbi gruan, PRITET !

Në një vend ku kronikat e mbushura me rrëfenja rozë të disa Vip-ave kanë tashmë lirinë e skajshme mediatike, kronikat e zeza do të ndihen më ngushtë. Qe një e kaluar e viteve nëntëdhjetë kur nëpër gazeta e televizione me këto rubrika të fundit shpërdoroheshin hapësira e kohë në përmasa të mëdha, deri në errësim të realitetit. Porse me sa dukej kjo bënte pjesë dhe shkonte sadopak me humorin tonë ato mote ende jo fort ngazëllues. Tani që pak nga pak po mëkëmbemi, na ndodh natyrshëm të përmbytemi edhe nga një gjendje shpirtërore më e mirë dhe për pasojë edhe nga kulti i jetës së trëndafiltë.

Kështu ngjarja tronditëse e ditëve të fundit, kur një burrë Gjelosh ia vuri thikën në fyt një gruaje Mimoza, kaloi si t’ia merrte vrapit. Policia e ndali vrasësin, ne të tjerët, pra shoqëria, nuk mundëm ta bëjmë këtë me ngjarjen.




Ndodhinë kriminalisht shumë makabre e lamë t’ia mbathte, sepse e kuptuam si kronikë, kurse në të vërtetë ishte problem, madje tepër i madh.

Pothuaj asnjë elitë sociologësh apo të specializuarish për raportet brenda familjes, trupë gjyqtarësh apo grup legjislatorësh dhe nëpunësish të lartë të administratës shtetërore, shoqata feministe apo bashkësi që merren me trajtimin e fëmijëve, gazetarë apo në fund të fundit edhe këngëtarë e poetë, pra njerëz që kanë mendje dhe ndjenja të holla, nuk u mblodhën për ta analizuar.

Ata që kaq shumë herë manifestojnë protagonizëm debati deri në zënkë për tema nga më të larmet, jo rrallë aspak më urgjentet, dëshmuan apati, pothuaj si të kishin rënë në dremitje. Foli vetëm Gjelosh trimi, i cili shpjegoi çfarë e shtyu në krimin e tij ndaj një femre, saktësisht gruas së vet tridhjetedyvjeçare, me të cilën kishte dy fëmijë. Kështu patëm rastin të merrnim vesh sado përcipërisht çfarë shtyse të vërtetë kishte pasur.
Sigurisht nuk qe krizë nervore. Ishte pasojë e një krize mendësie. Nuk kishte pasur traumë psikologjike, por humbellë e zbrazësi të thellë në formimin e tij shoqëror. Nuk vuante prej xhelozisë mashkullore, por prej arrogancës dhe dhunës së saj. Nuk paraqiste shenja të kulturës së më të fortit fizikisht, por atë të sundimit mbi një qenie tjetër njerëzore. Iu lut së shoqes, shkuar tashmë në shtëpinë e të vëllait, të merrte pjesë në katërvjetorin e lindjes së vajzës së tyre dhe pastaj e vrau atë në sy të saj.
Patologjikja në pohimin e tij para gjykatësit se “Mimoza thërriste fort për ndihmë, ndërkohë që unë ngulja pa pushim thikën në trupin e saj. Kjo zgjati derisa tehu i thikës u shkëput nga bishti... Vëllai i saj është shurdhmemec. Unë e dija këtë dhe isha i bindur se ai nuk e dëgjonte zhurmën...”, është pjesa më e dalë mendsh e krimit, por gjithaq edhe më tunduesja për të na futur në grackën e interpretimeve se kemi të bëjmë me një njeri të bërë zap nga të meta psikike.

Gjeloshi jo si rasti më i fundit dhe as i pari në dhunën gjer në jetëmarrje të një femre e ka mendjen të mbushur se gjithçka që kreu erdhi për pasojë e një debati me të shoqen dhe pas një vendimi të Mimozës për t’u divorcuar. “Kjo më tmerroi”, ka pohuar. Mirëpo ajo i kishte thënë disa herë se nuk e duronte dot jetën me të, jo sepse nuk kishin përputhje temperamentesh apo karakteresh, se ai e tradhtonte apo sepse qe pijanec, se kishte ndonjë sëmundje ngjitëse a merrej me drogë. Asgjë të tillë nuk kishte Gjeloshi. Sipas vetë atij Mimoza po divorcohej, sepse “prej tij kishin frikë fëmijët dhe ajo vetë”.
Pra ajo me prishjen e martesës po i largohej një rreziku fizik, jo thjesht një parehatie shpirtërore. Nuk po i shmangej ndonjë fjale të rëndë apo edhe ndonjë shpulle emotive, nga ato që ende kemi rëndom, por po ikte nga një kërcënim për t’iu marrë jeta. Martesa dhe bashkëjetesa me burrin i qe shndërruar në një qeli, ku priste me ditë dhe orë ekzekutimin e dënimit me vdekje.
Sipas asaj të cilën burri i paburrë Gjeloshi para gjykatësit e pohoi si një shkak apo arsye, për vrasjen e kryer kishte qenë edhe gjendja e varfërisë. Atij mund t’i jetë dukur edhe kështu, por në të vërtetë pasi ka gënjyer veten nuk ka përse të na mashtrojë ne. Varfëria është e keqe dhe mjaft poshtëruese, burim konfliktesh, shpesh e tillë sa disa njerëz i bjerr moralisht dhe i shtrëngon të marrin rrugë të keqe, por kjo ndodh me fare pak të dobët.
Shumica, pra ata që nuk jepen, bëjnë gjithçka të pranueshme për të mbijetuar. Kanë kapërcyer kufijtë kur të vriste kufitari, kanë sulmuar ambasadat kur nuk dihej si kokëkrisja do të përfundonte, kanë hipur nëpër gomone me skafistë që nëpër terrin e natës dhe pa asnjë busull kalonin detin e trazuar për t’u zbarkuar në bregun fqinj vetëm me rrobat e trupit. Janë të varfër, me qindra, ata që edhe në mes të Tiranës, qytetit shqiptar më të mirëqenë, zënë radhën e hidhur në sheshin te “Partizani i Panjohur” në pritje kush i merr për ndonjë punë disaorëshe. Apo ata pothuaj fëmijë që me një kuti të kartontë enden nëpër buzëtrotuare dhe bare duke shitur ndonjë paketë cigare, kartë telefonike apo çakmak.
I gjithë “kodi” që shpjegon gjestin makabër të “burrit” të mësipërm, të cilit si për të dhënë kuptimin e një simboli kapardisës (gjel) ndaj një tjetër simboli plot jetë të brishtë (lule mimoza), është një dhe vetëm një: gruaja si një hiçgjë.
E shumta një plaçkë, një send. Ajo mund të përdoret, madje edhe për të krijuar familje, por familja nuk është e saj. Mund të ngrejë edhe shtëpi, ta mbajë pastër dhe plot rregull, por as muret e saj nuk i takojnë. Mund të lindë edhe fëmijë, t’i ushqejë e veshë, t’i shoqërojë për në shkollë dhe kur kanë temperaturë të mos bëjë një sy gjumë, por as fëmijët nuk i përkasin asaj. Në rastet kur do të marrë diçka nga familja e vet atë do ta vendosë burri. Ky sigurisht nuk është më bashkëshort, pra njeriu që ndan barabar fatin me një grua, aspak shok jete me një nënë të fëmijëve të vet, madje nuk është as burrë. Ai është thjesht një mashkull, i cili epërsinë fizike, pra masën më të madhe të muskujve, një favor thjesht biologjik, e ka kuptuar dhe e përdor siç bëjnë vetëm disa kafshë të egra, por edhe këto rrallë.
Gruaja dhe nëna që tashmë nuk jeton më, u vra në mënyrë aq të dhunshme, sepse qe femër. As në këtë krim ajo nuk u trajtua sikur të qe mashkull. U ther si një pulë. Gjeloshi dhe çdo rast tjetër i tillë, edhe pse para gjykatës do të marrë masën e merituar të ndëshkimit ligjor, nuk mund të tolerohet dhe mbyllet pa një reflektim të të gjithë opinionit tonë publik. Jo sepse ky është dakord me çfarë ndodhi. Ndoqëm reagimin e qindrave prej bashkëkombësve në bloge të ndryshme të internetit dhe zemërimi ndaj vrasësit qe shumë i madh. Thërritnin “Mallkuar qofshin ata burra që lënë fëmijët pa nënë!”, “Mallkuar qofshin të gjithë meshkujt që përdorin forcën në vend të fjalës dhe dialogut!”, “Ngelshin në jetë të jetëve skllevër të mjerë të egoizmit, inferioritetit dhe injorancës pa kufi!”, “Zoti i bekoftë femrat, janë si shpirt të mira!”...
Asnjë fjalë më tej nuk do të shkruanim për të kujtuar sentencat e filozofëve për rolin e gruas në një shoqëri. Për shqiptarët do të mjaftonte vetëm çfarë ka shkruar Naim Frashëri. Nuk do ta çonim më tutje këtë shkrim edhe duke iu rikthyer një teme tjetër: kontributit të madh të femrës në vetë një qytetërim. Apo në jetën e një kombi, në identitetin e një populli,
Ne shqiptarët, të cilët për arsye shumë të ndryshme akoma mes nesh, por edhe thellë mendësive tona, kemi një moskuptim të rolit të plotë të femrës ndoshta tani për tani, sa ta kapërcejmë këtë handikap, do të bënim mirë ta mbushëmendnim veten se bashkëshortet tona nuk janë gjysma jonë, por më tepër se kaq. Pra në rast se hë për hë ka një më pak se gjysmë, kjo është dhe mbetet në anën tonë.
Namik Hoti, një shqiptar i çuditshëm që theku edhe ca pasion në politikë, e përdorte shumë citimin e urtësisë popullore. Ai e kishte zakon që sa herë shkruante emrin-mbiemrin e tij ta shoqëronte atë edhe me emrat e të dy prindërve: të nënës Fadile dhe pastaj të të atit Vehbi. Gjë shumë e mençur sikur të bëhet ligj. Eh sikur edhe femra në një lidhje martesore ta ruante mbiemrin e prindërve të vet dhe në historinë e ndërlikuar të trashëgimeve pronësore, por edhe thjesht “pemëve” gjenealogjike, biografive të të parëve, titujve...
Në shekullin e trembëdhjetë perandori gjerman Conrad III, pasi kishte rrethuar armikun e tij të paepur, dukën e Bavarisë Gelphe, para se të masakronte mbrojtësit meshkuj pati lejuar të dilnin nga kështjella vetëm gratë. Nuk do t’u prekej gjithçka që mund të merrnin me vete, duke e mbajtur fizikisht në krahë. Kur për të dalë turma e tyre bëri ballë në portën e madhe të kështjellës perandori mbeti i shtangur nga pamja. Të gjitha gratë kishin vënë mbi supe jo vetëm fëmijët, por edhe burrat e tyre. Qe sigurisht një përpjekje mjaft e mundimshme, një pamundësi reale për fizikun e tyre të brishtë, për ato më pak muskuj që kanë, por e kishin një mesazh për të dhënë. Conrad III u mahnit dhe po aq u prek në zemër. Kështu i fali dhe i la të lirë të gjithë.

A ka ndodhur e kundërta, pra burra që mbajnë në krahë gratë e tyre për t’u shpëtuar jetën e ruajtur të bashkuar familjen? Me gjithë respektin që ne “burrat” kemi për vete, deri tani kronika e botës as në formë legjende apo përralle nuk thotë gjë.


Ylli Polovina, G. Shqip

Thursday, October 14, 2010

Mblidhen me Facebook, të rinjtë grisin e djegin flamurin serb në Tiranë

TIRANE- Në mungesë të një reagimi zyrtar nga Shqipëria mbi djegien e flamurit kombëtar mbrëmjen e djeshme nga tifozët ultarnacionalistë në Itali, dhjetra të rinj shqiptarë janë mbledhur përpara Ambasadës serbe në Tiranë duke protestuar.
Te rinj duke djegur flamurin serb dje ne mbremje ne Tirane
Te rinjte kane djegur flamurin serb. Ata u futen me pas ne zonen e Bllokut, ku vrapuan dhe hodhen parulla duke bllokuar per disa minuta qarkullimin ne kete zone shume te populluar ne oret e mbremjes.


Një organizim që ishte thirrur nëpërmjet rrjetit social Facebook mblodhi dhjetra të rinj, të cilët në përgjigje të tifozëve serb hodhën parrulla "Kosova është Shqipëri" dhe "Shqipëri etnike"

Ky manifestim i paralajmëruar u shoqërua nga forca te shumta policie për të shmangur cdo incident të mundshëm.  

Serbia i kërkuar falje dje Italisë, për atë që ndodhi gjate ndeshjes, ndërsa gjesti që fyen shqiptarët është kaluar nga të gjithë në heshtje.


Shekullli 


Këtu keni edhe videon: http://www.youtube.com/watch?v=5An4VwNBavo

Sunday, September 19, 2010

Varësia ndaj teknologjisë ndikon tek shëndeti

Duke nënvizuar seriozitetin e rritjes së rasteve të cilat kanë lidhje me përdorimin e aparaturave teknologjike gjatë tre viteve të fundit, Prof.Dr. Mansur Beyazyurek nga spitali Rum u shpreh me këta fjalë: "përhapja e kësaj vartësie veçanërisht tek të rinjtë përbën një problem tepër serioz për shoqërinë’.
Duke pohuar se viteve të fundit fjalët më të përdorura nga familjarët e të sëmurëve janë ‘ulet para televizorit apo kompjuterit dhe nuk di të ngrihet’  Beyazyurek u shpreh kështu :  "numri i personave të cilët nuk ngrihen për orë të tëra nga kompjuteri apo tv dhe që e harxhojnë kohen në këtë mënyrë sa vjen e rritet me kalimin e kohës. Lidhen shumë me kompjuterin apo televizorin. Ndërsa ato që nuk e lëshojnë telefonin nga dora , bëjnë fotografi apo hyjnë në internet shfaqin vartësi në lëvizje.

"Shumicën e rasteve e përbëjnë vartësia ndaj lojërave të kompjuterit dhe internetit. Duke theksuar se shoqëria jonë është e prirur dhe  e hapur ndaj ndryshimeve teknologjike prof. Dr. Beyazyurek pohoi se pajisjet teknologjike përdoren  shpejt dhe pa informacion. ‘

P.sh të gjithë kanë televizor në shtëpi. Televizorin mund ta gjeni edhe në shtëpinë e atyre personave me probleme ekonomike dhe të shtresave të varfra. Nuk mund të mendohet një shtëpi pa televizor. Unë kam jetuar ca kohë në Paris dhe kam parë profesorë që nuk kishin tv në shtëpinë e tyre. Persona të tillë nuk kanë nevojë për tv. Ato e kalojnë jetën me gjëra të tjera dhe TV i duket i panevojshëm dhe i tepërt’ – u shpreh Beyazyurek.

Beyazyurek nënvizon rëndësinë e edukimit dhe arsimimit të fëmijëve , brezit të ardhshëm sa më larg aparaturave teknologjike si kompjuteri, PlayStation, telefoni celular . Ai theksoi se vartësia ndaj produkteve teknologjike lidhet me edukimin dhe ndikon negativisht tek ai dhe përveç kësaj i pengon të jenë persona të lumtur kur të rriten.  
Beyazyurek pohoi se terapia që aplikohet për përdoruesit e tepërt të teknologjisë është e ngjashme me terapinë e aplikuar tek përdoruesit e drogës.




aa/ZAMAN - G. Start

Të vrasësh në emër të "nderit"

Gjenocidi i fundit ndaj grave dhe vajzave që nuk kanë asnjë të drejtë në Irak
Në vështrim të parë, Shawbo Ali Rauf duket sikur po dremit në barin e gjelbër. Kaçurrelat e saj të errëta i krijojnë një kornizë të bukur fytyrës së zbehtë. Fundi veror që ka veshur është paksa i hallakatur mbi trup. Gjithçka deri në këtë pikë duket normale, veç pozicionit të çuditshëm të gjymtyrëve të saja në të cilat vihen re shenjat e gjakut.

Në fakt bëhet fjalë për një skenë të tmerrshme krimi. Irakiania 19-vjeçare, sipas fjalëve të të atit, u vra nga njerëzit e të fejuarit e saj. Ata e ftuan për një piknik në një zonë piktoreske të qytetit dhe kur u gjendën në mes të pyllit e qëlluan shtatë herë rresht në kokë.

"Krimi" i saj i vetëm ishte se në celular kishte pasur një numër telefoni të panjohur.

"Vrasja e nderit" e kësaj vajze të re irakiane është vetëm një nga historitë e dhimbshme që dëgjon në Irakun e sotëm, ku sipas disa aktivistëve po ndodh një gjenocid i vërtetë dhe i dhunshëm e për më tepër masiv ndaj grave dhe vajzave.

Kryesisht vrasjet në emër të vendosjes së nderit në vend vihen re në zonat rurale të vendit, aty ku edhe fanatizmi është në ekstrem. Të gjitha krimet e kësaj natyre bëhen në emër të fesë dhe të nderit që predikon ajo.
Në një nga rastet e fundit të kësaj natyre, një tjetër vajzë, këtë herë në moshën 17-vjeçare ishte mbytur për vdekje nga i ati. Shkaku: Sipas disa dëshmitarëve meshkuj ajo na ishte ngatërruar me një ushtar britanik të trupave që shërbejnë në Irak. Vetëm në Basra, policia ka të dhëna që brenda muajit prill janë vrarë 20 femra për thyerje të kodeve të islamizmit, kryesisht të kodeve të veshjes.
Por ndërkohë shifrat, sipas disa organizatave ndërkombëtare në vend, janë shumë më të mëdha e si pasojë shumë shqetësuese. Dhuna kundër grave është në shpërthim e sipër.
Numri i këtyre vrasjeve po shtohet paralelisht me shtimin e vrasjeve e akteve terroriste nga ana e militantëve të ndryshëm të sekteve fetare. Prerje kokësh, përdhunime, rrahje për vdekje, vetëvrasje për shkak të moralizimit të ashpër që i bëhet në familje dhe në shoqëri, dëmtimeve të organeve gjenitale, trafikim, abuzim me të miturit dhe martesa shumë të hershme të vajzave thuajse të mitura me meshkuj shumë më të mëdhenj në moshë. Të gjitha këto dukuri janë në shtim e sipër dhe me përmasa të frikshme.

Du‘a Khali Asëard, 17 vjeç nga Nineveh, u ekzekutua pas qëllimeve të egra me gurë në të gjithë trupin, kryesisht në kokë nga një turmë e përbërë prej rreth 2000 meshkujsh.
Shkaku është si gjithmonë dashuria.
Vajza ra në dashuri me një djalë të një sekti tjetër fetar, ndaj dënimi për të nuk mund të ishte veçse ai kapital. Fotot e trupit të saj të shkatërruar fizikisht janë transmetuar në internet dhe kjo ka bërë që të nisë një lloj ndërgjegjësimi për mobilizim të ndërkombëtarëve dhe për reforma në vend. Babai i vajzës që vdiq nga goditjet me gurë, duke folur një vit pas ngjarjes tragjike që ndodhi prillin e kaluar, deklaroi se asnjë nga përgjegjësit për krimin makabër nuk është vënë para drejtësisë. Dhe familja e tij, përveç fatkeqësisë që pësoi, mbetet e mënjanuar edhe nga i gjithë fisi. "Ime bijë nuk bëri asgjë të gabuar. Ajo u dashurua me një mysliman dhe për këtë nuk mund të jetë fajtore, pasi nuk ka asgjë të keqe të biesh në dashuri, pavarësisht nëse personi nuk është i besimit tënd fetar. Unë ndihem keq, sepse nuk mund ta mbroja. Im vëlla më kërcënoi se nëse do ta bëja një gjë të tillë atëherë fatin e sime bije do ta pësonte e gjithë familja ime. Pasi e masakruan sikur të ishte një kafshë, pjesët e trupit të saj u hodhën në plehra".

Ndiqni videon e tmerrshme të ekzekutimit të saj në publik: http://www.youtube.com/watch?v=dIZJNrc8sKw

E parekomandueshme për personat me ndjeshmëri të lartë
Babai i kësaj vajze kërkon vendosjen e drejtësisë në vend, kërkon shpagim për këtë veprim të paprecedentë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë lloj dënimi të fajtorëve, apo qoftë edhe ndërmarrjen e ndonjë akti të ligjshëm kundër tyre. Pavarësisht këtyre tmerreve, thirrjet e fundit nga ana e parlamentarit kurd Narmin Osman për të nxjerrë të jashtëligjshme vrasjet në emër të nderit e fesë, që i pësojnë gjithnjë gratë dhe vajzat, janë bllokuar nga fondamentalistët. "Vrasjet e nderit nuk përbëjnë krim në sytë e qeverisë", deklaron një vajzë, e cila rrezikoi të vritej për një rast të ngjashëm me atë të shoqeve të saj fatkeqe, por që arriti gjithsesi të shpëtonte për mrekulli.
Që nga ajo kohë, ajo ka bërë një peticion kundër ligjeve të sheriatit në Kurdistan. Sipas saj, nëse në rastin e Sadamit vendi kishte një diktator të vetëm që i persekutonte njerëzit, aktualisht thuajse të gjithë meshkujt janë shndërruar në persekutues të femrave. "Gjatë 5 viteve të fundit kanë ndodhur krimet më makabre të imagjinueshme dhe e keqja më e madhe është se ato nuk ka shans që të bëhen publike. Është e tmerrshme që të përshkruash se sa e vështirë është që të jetosh nën kushte të tilla, kur për një gjë fare të vogël mund të ekzekutohesh pa mëdyshje", thotë një tjetër irakiane.

Edhe për shumë të tjera, gjërat në vend që të ndreqeshin kanë shkuar më për ters, dhe e gjithë shoqëria, veçanërisht gratë, janë futur në një epokë të errët të denjë për periudhën më gjakatare të mesjetës.  
Grave u pritet koka në rast se heqin shaminë nga koka, apo fytyra.
Vetëvrasjet janë gjithnjë e në rritje nga femrat të cilat e ndjejnë veten në kurth dhe nuk gjejnë rrugë tjetër shpëtimi. Nuk ekziston asnjë lloj organizmi qeveritar apo institucion që t‘u dalë në mbrojtje grave të pafajshme. Ligji i Sherihatit po i dhunon gratë, duke u mohuar atyre të drejtat më themelore dhe të drejtat bazë. Në gushtin e vitit të kaluar, trupi i një 11-vjeçareje u gjet diku në Kurdistan, pasi vajza kishte vdekur nga goditjet me gurë. Në fillim të këtij muaji, dy vëllezër dhe një motër u grabitën nga shtëpitë e tyre në Kirkuk nga disa persona të armatosur me veshje si të trupave të policisë. Vëllezërit u rrahën për vdekje, ndërsa gruaja u la në kushte shumë të rënda shëndetësore pas disa goditjesh në organet jetësore. Një javë më parë, një gazetare irakiane u vra në shtëpinë e saj në Abril të Kurdistanit. Vrasja u krye nga i shoqi, sipas të cilit, gruaja e tij nuk kishte më të drejtë të jetonte duke qenë se kishte rënë në dashuri me një person tjetër.

Kushtetuta e re e Irakut është një masë konfuze nenesh dhe ligjesh, në të cilën nuk thuhet asnjë fjalë për të drejtat e grave. Edhe pse në të theksohet që burrat dhe gratë janë të barabartë njëherazi, i jepet legjitimitet edhe ligjit të Sheriatit, sipas të cilit femra është qenia më e persekutuar.


Revista Jonë, veriu.com

Friday, June 25, 2010

Homoseksuali Klodi i dërgon letër të hapur Berishës dhe Ramës

Sot dy ditë pas fjalimit të Hillary Clinton për të drejtat e LGBT, Klodian Çela, personazhi i Big Brother i cili deklaroi hapur homoseksualitetin tij i dërgon një letër të hapur kryeministrit z. Sali Berisha dhe kryetarit të opozites, z. Edi Rama. Letra e plotë më poshtë:

LETER E HAPUR


Drejtuar: Z. Sali Berisha
Kryeministër i Shqipërisë dhe Kryetar i Partisë Demokratike

Z. Edi Rama
Kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryetar i Bashkisë Tiranë

I nderuar zoti Kryeministër,


I nderuar zoti Kryetar i Opozitës!

Po ju drejtohem me këtë letër të hapur për të ndarë me ju shqetësime që nuk janë vetëm të miat personalisht, por besoj edhe të atyre njerëzve të cilët kanë një orientim seksual të ndryshëm nga të tjerët.

Por fillimisht dua t'ju falenderoj publikisht për disa nga kontributet tuaja në lidhje me të drejtat e njeriut në Shqipëri:

Z. Kryeministër!

Më lejoni t'ju falenderoj që si sot një vit më parë ju guxuat të flisnit publikisht për të drejtat e komunitetit LGBT (lezbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë). Kontributi juaj publik ka qenë një shtysë për t'i dhënë fund diskriminimit në Shqipëri, shoqëria jonë po përgatitet të hyjë në rrugën e pakthyeshme të emancipimit.

Si Kryetar i maxhorancës, më lejoni t'ju falenderoj që në Shkurt të këtij viti ju personalisht dhe maxhoranca që ju drejtoni morët përsipër të aprovoni për herë të parë në Shqipëri një ligj ambicioz kundër diskriminimit.

Z. Kryetar i opozitës!

Jam në dijeni të përpjekjeve tuaja të dikurshme, por edhe aktuale për të emancipuar shoqërinë shqiptare. E kam ndjekur me vëmendje aktivitetin tuaj të mëparshëm publicistik dhe shumë shpesh jam frymëzuar nga kurajoja që ju ka karakterizuar për të shkruar në shtyp për të drejtat e njeriut e për të kërkuar mbrojtjen e barabartë të tyre. Më lejoni t'ju falenderoj për këtë.

Zotërinj!

Sot ndihem i mbështetur në të drejtën time për të jetuar i barabartë mes të barabartëve dhe i respektuar nga mesazhi i datës 22 qershor kur Sekretarja e Departamentit të Shtetit znj. Hillary Clinton më inkurajoi personalisht për hapin që kisha ndërmarrë, ashtu sikurse komuniteti ndërkombëtar dhe një pjesë e mirë e shoqërisë civile në Shqipëri.

Megjithatë nuk mund të mos përcjell publikisht realitetin me të cilin unë dhe familja ime, njerëzit e mi më të dashur, që nga dita kur unë kam dalë nga Big Brother, po përballemi me një realitet të cilin dëshiroj ta ndaj me ju, pasi unë besoj se politikanët e vendit tim duhet të shërbejnë si model për të gjithë shoqërinë.

Prej 45 ditësh unë ndodhem jashtë shtëpisë së "Big Brother". Që prej 45 ditësh, unë, familjarët e mi dhe njerëzit e mi më të afërm, po përballemi me një realitet tepër të vështirë. Familjarët e mi sot po vuajnë për bukën e gojës. Të drejtat e tyre po shkelen ditë pas dite nga fryma e urrejtjes dhe diskriminimit, për shkak të orientimit tim seksual.

Nuk e doja veten ditën kur pashë Policinë e Durrësit të ushtronin dhunë psikologjike ndaj nënës sime duke i kërkuar me prepotencën që ta jep uniforma të largonte një tezgë të vogël shitjeje me të cilën siguron bukën e gojës. Unë nuk kërkoj të shkelet ligji, por dua që njerëzit të kuptojnë se ajo tezgë është e vetmja mënyrë të ardhurash për familjen time që punon për të mbijetuar, jo për të jetuar, e që tashmë nuk guxon as të ketë një jetë sociale nga frika se njerëzit do t'i tregojnë me gisht.

Që ditën e parë kur unë dola nga Big Brother nisa të kërkoj një vend pune, por ajo që po gjej, në vend të punës, është vetëm urrejtje, homofobi dhe bezdisje e pakuptimtë.

Në vitin 2010 unë ndihem i internuar në vendin tim.

Në këtë situatë në të cilën unë dhe familja ime ndodhemi sot mund të ndodhen edhe familjet e qindra mijëra të rinjve dhe të rejave në të gjithë Shqipërinë. Cdo shoqëri e hapur dhe demokratike ka për detyrë që ti ofrojë të gjithë anëtarëve të saj mundësi të barabarta për të jetuar të respektuar dhe me dinjitet. Unë besoj se është detyra juaj si politikanë që të promovoni këto vlera në shoqërinë shqiptare.

Cdo individ lind i lirë dhe i barabartë në të drejtat dhe dinjitetin e tij.

I nderuar z. Kryeministër, I nderuar Kryetar i opozitës

Unë vendosa të qëndroj në Shqipëri, ndryshe nga shumë vetë që kishin besuar se do t'ia mbathja nga sytë këmbët, vetëm sepse kisha guxuar të thyeja një tabu. Unë vendosa të qëndroj në këtë vend t'u përballur me dinjitet me të gjitha sfidat që ka shoqëria shqiptare. Unë pres që mesazhet e mbështetjes të mos më vinë mua apo kujtdo tjetër që është pjesë e komunitetit LGBT, vetëm nga ndërkombëtarët.

Unë pres që politikanë si ju të tregojnë publikisht se mirëqënia sociale, fizike, e shpirtërore e të gjithë anëtarëve të shoqërisë, pa dallim, është realisht e mundshme.

Tani është koha për fjalën tuaj dhe më shumë se kaq për veprimin tuaj.


Sinqerisht, Klodian Çela

Shekulli

Thursday, June 24, 2010

Edhe Hillari Klinton në mbrojtje të Klodit..

Që Klodi i Big Brother do ishte një temë e nxehtë bisede në Shqipëri, kjo ishte e dukshme dhe e qartë, por që emri i djalit nga Lezha do përmendej edhe nga vetë Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, këtë pakkujt ia priste mendja.



"Në Shqipëri, një djalë i ri, me emrin Klodian Çela, u shfaq në ekran në një program televiziv popullor të quajtur Big Brother. Shumë shpejt pas kësaj, ambasadori ynë John Ëithers, ishte në television për të shprehur publikisht mbështetjen për këtë djalë.


Ai vizitoi qytetin e tij të lindjes dhe e ftoi atë në Ambasadën tonë, për tu shprehur gjithë shqiptarëve se Shtetet e Bashkuara mbështesin të drejtat e tij dhe respektojnë kurajon e tij" - tha znj.Klinton gjatë një fjalimi ne lidhje me rastet e homofobisë.

Versioni ne anglisht i pjeses se fjalimit:

Hillary Clinton: "In Albania, a young man named Klodian Cela recently came out on a popular television program called Big Brother. Soon after, our ambassador, John Ëithers, ëent on television to publicly express support for this man. He visited his hometoën and he invited him to an event at our Embassy, conveying to all Albanians that the United States supports his rights and respects his courage".

Linku zyrtar per tekstin e plote te ketij fjalimi:

http://www.state.gov/secretary/rm/2010/06/143517.htm

Linku per versionin e plote video te fjalimit:

http://link.brightcove.com/services/player/bcpid1857622883?bctid=97867356001

*********


'Fenomeni Klodi', reagon edhe BE-ja: Jemi kundër diskriminimit seksual


14 prill 2010


Pas protestave të Lezhës, kundër fenomenit "Klodi" në Big Brother, Bashkimi Europian i kujton vendit tonë respektimin e të drejtave të njeriut si kusht për integrimin në familjet evropiane.


Përmes një deklarate për mediat, BE rikujton traktatet për të drejtat e njeriut duke theksuar se respektimi i të drejtave të njeriut dhe trajtimi i barabartë janë ndër kushtet thelbësore për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.


"Bashkimi Europian shpreh shqetësimin e tij për rastet e fundit të homofobisë dhe diskriminimit bazuar në orientimin seksual. Ngjarjet në Lezhë si dhe debati publik bënë që BE-ja të rikujtojë se Traktatet e BE-së ndalojnë çdo lloj diskriminimi bazuar në orientimin seksual dhe se parimet e trajtimit të barabartë si dhe fuqizimi i grave janë vlera themelore të BE-së. Implementimi efektiv i këtyre vlerave në Shqipëri është thelbësor për realizimin e perspektivës së saj Europiane, ashtu siç deklarohet në Raportin e Progresit të Komisionit të BE-së për Shqipërinë." theksohet në deklaratën e BE.


Vetem pak kohe me pare,diplomatët e huaj, ambasadori amerikan John Withers dhe ambasadori gjerman Bernd Bochardt udhëtuan drejt Lezhës në mbrojtje të familjes Çela e cila pretendon diskriminim pas deklarimit të Klodit në BB si homoseksual.
Ata kujtuan se shqiptarët shquhen për bashkëjetesë fetare dhe kjo duhet të vlejë si kurajo edhe për bashkëjetesen me pakicat ku përfshihen edhe pakicat seksuale.
Vizita e tyre është shkaktuar nga një sinjalizim i familjarëve të Klodit.

Afro 400 qytetarë lezhjanë kanë organizuar një tjetër protestë në 12 prill rrugët e qytetit të Lezhës, duke apeluar "Lezha është e pastër, nuk ka homoseksualë".
Një protestë e tillë u zhvillua edhe me 5 mars kundër "fenomenit Klodi" që erdhi si rezultat i dëshmisë së bërë nga Klodi, ku ai deklaroi që ishte homoseksual dhe për këtë gjë i kërkoi mirëkuptim të gjithëve, veçanërisht nënës së tij.

Qytetarët lezhjanë kanë vijuar protestat e tyre, duke filluar nga sheshi administrativ i qytetit, si edhe përgjatë bulevardit "Gjergj Fishta" me thirrjet "Hiqe, hiqe Klodin!".


Pas protestës së zhvilluar Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT (lesbike, gay, bisexual, është shprehur: " Në vend që të dilnin rrugëve medemek të fyer në krenarinë mashkullore, do të ishte mirë që ata të rinj të mendonin seriozisht se si do t'ia bëjnë kur pas pak muajsh, atëherë kur do udhëtojnë lirisht në Europë, do të ndeshin rrugëve të botës me njerëz që e jetojnë pa komplekse seksualitetin e tyre".

Shekulli

Wednesday, June 9, 2010

"Droga s'më la të jem nënë e mirë, vajza më kritikon"

Në intervistën për "Shekullin", 27-vjeçarja rrëfen jetën e saj si përdoruese droge prej 10 vitesh. Vajza 5-vjeçare i di të gjitha.


Nuk gjen forcë për të mposhtur pendimin për atë që ka bërë kur ishte shumë e re. Tashmë ndihet akoma më fëmijë se vajza e saj 5-vjeçare, për të cilën thekson se është i vetmi motiv që ende jeton. B. D., është 27 vjeçe dhe prej 10-vitesh është përdoruese heroine.


Ajo tregon për gazetën "Shekulli" historinë se si përfundoi në botën e drogës, momentet e vështira kur u bë nënë, edhe pse ishte përdoruese droge, përballja me familjarët e saj dhe problemet që ka pasur me policinë, duke mos i kursyer goditjet edhe kur ishte shtatzënë.

Sa vjeçe jeni?

Jam 27 vjeçe.

Mbani mend si e keni filluar drogën për herë të parë?

Po mbaj mend diçka. Në fakt e mbaj mend këtë situatë pothuajse të gjithën, pasi nuk do më hiqet kurrë nga mendja.

Si ndodhi?

Jetoja afër "Shkollës së Bashkuar". Isha vetëm 17 vjeçe dhe u lidha me një djalë që ishte 2 vjet më i madh se unë. Unë e kisha pikë të dobët atë djalë dhe kur e kuptova që ishte përdorues ishte shumë vonë...

Më thoni ju si e filluat, a ndikoi i dashuri juaj që të filloni drogën?

Jo, ai nuk ka dashur kurrë që unë të bëhesha përdoruese. Unë u shtyva nga kurioziteti dhe ia dhashë lekët shokut të tij që të ma siguronte. Kjo gjë ndodhi me foli (varak) që herën e parë.

Po më pas, çfarë ndodhi?

Fillova të bëhesha më keq, pasi u bëra vartëse.

Ku i gjenit lekët për të siguruar heroinën?

Në fillim mi jepnin ata atë të shtëpisë, pasi nuk e dinin se isha përdoruese dhe më besonin. Iu thosha se më duhet të shkoj në ndonjë ditëlindje apo në aktivitet me shokët dhe më jepnin lekë. Kështu bëja disi, pasi heroina, kur e kam filluar unë, nuk ka qenë kaq shtrenjtë.

Më pas prindërit e kuptuan se isha përdoruese dhe reaguan shumë keq. Lek as nuk bëhej fjalë të më jepnin. U lënduan shumë kur e zbuluan këtë fatkeqësi.

Po kur mbetet shtatzënë, sa vjeç ishe dhe a vazhdoje të përdorje drogë?

Isha 22 vjeçe dhe sigurisht që vazhdoja të isha përdoruese.

Po babi i fëmijës ishte përdorues?

Jo, ai nuk ishte. U mundua shumë të më hiqte nga ajo rrugë, por për fatin tim të keq nuk ia doli. Kjo më kushtoi shumë, pasi u ndava nga bashkëshorti dhe vajzën e mora në shtëpinë time. U mundua të më rikthente në shtëpi, por unë e dija se do të vuante edhe ai për këtë shkak, ndaj vendosa të mos kthehem.

Fakti që je përdoruese droge prej 10-vitesh, ka pasur probleme me drejtësinë?

Shumë probleme. Duke ditur se jam përdoruese droge më kanë kapur disa herë pa asnjë arsye. Madje, edhe më kanë ofenduar dhe më kanë keqtrajtuar. Momentin më të vështirë e kam pasur kur isha shtatzënë 4-muajsh dhe më mbajtën në rajon rreth 12 orë pa asnjë arsye.

Thatë se keni një vajzë 5-vjeçare, e keni vështirë për ta rritur dhe edukuar atë?

Në fakt, e kanë rritur më shumë prindërit e mi. Ju nuk e besoni, por ajo mund të jetë më e rritur se unë, pasi është shumë e zgjuar. I dëgjon të gjitha debatet në shtëpi dhe përveç qortimeve që më bëjnë prindërit, mundohet edhe ajo të më kritikojë për vesin që kam. I di të gjitha për drogën, metadonin, trajtimin.

Më pyet shpesh se ku do të shkoj dhe nëse jam e rregullt në trajtimin me metadon. Më vjen keq që nuk mund të jem një nënë më e mirë për të, por gjithsesi ende do mundohem.

Si do mundoheni?

Të lë drogën, tani që jam në metadon. Do ta bëj së pari për vajzën time. Shpresoj që do t'ia dal, sepse e kam motiv të fortë fëmijën tim për ta lënë.

Jeni penduar që keni përfunduar kështu?

Jam penduar shumë dhe nuk gjej dot forcë për të mposhtur këtë pendim. Droga më ka shkatërruar dhe i vetmi motiv që jetoj tashmë është fëmija im. Nëse nuk do të isha bërë përdoruese droge, tashmë do të kisha mbaruar shkollën e lartë, sepse kam qenë nxënëse shumë e mirë dhe do të kisha një punë të mirë, ku të mundesha të rrisja vajzën time si gjithë të tjerët me nder dhe përkushtim.

Psikologia e Qendrës Aksion Plus, Ngjelina, shpjegon se prindërit duhet të tregojnë kujdes me adoleshentët


Psikologia:

Vajza 5-vjeçare, motivi kryesor që pacientja të lërë drogën



Prindërit duhet t'u rrinë sa më afër fëmijëve adoleshentë, në të kundërt mund të përfundojnë në rrugë të gabuara që mund t'u kushtojë gjithë jetën. Kështu shprehet psikolgia pranë Qendrës Aksion Plus, Enkelejda Ngjelina, e cila punon me përdoruesit e drogës prej 7-vitesh.


Ndërkohë, ajo shpjegon edhe rastin e 27-vjeçares B.D., sipas të cilës historia e saj ka nisur që në moshën 17-vjeçare. Ka qenë e lidhur me një djalë përdorues heroine. Sipas psikologes, është nga të vetmet raste, ku pacientja nuk ka filluar me hashash, por ka kaluar direkt në heroinë.


"Ky rast vjen nga një familje normale dhe me një ekonomi familjare normale, pasi prindërit e saj gëzojnë një biznes, por pasojat e sjelljes antisociale që pëson vajza vjen edhe si moskontroll i prindërve apo interesimi të tyre karshi vajzës, duke qenë se mosha e adoleshencës është një moshë shumë e vështirë dhe mosinteresimi i të afërmve e dërgon atë drejt heroinës", pohon psikologia Ngjelina, duke shtuar se edhe jeta e saj me një përdorues intravenozë ka bërë që ajo të shkojë drejt kësaj rruge.


Ndërkohë, ajo thekson se duke mos pasur informacionin e mjaftueshëm, si në shkollë si në familje, apo nga grupi shoqëror, të gjitha këto bënë që në fillim vajza të nisë heroinën dhe më pas të lindë edhe një fëmijë, ndërsa ajo ishte përdoruese droge dhe e papërgjegjshme për veprimet e saj. "Sigurisht që është me e vështirë të punosh me prindër përdorues droge.


Kjo edhe për arsye se një person që merr drogë apo është në terapinë e metadonit duhet të ketë një motiv shumë të fortë për ta lënë drogën, pasi duhet të jetë i përqendruar. Rasti në fjalë ka një motiv më të fortë për të hyrë në terapi, pasi fëmija i saj është motivi kryesor për ta lënë drogën.


Duhet të dini se personi kur merr terapinë nuk duhet të marrë droga të tjera. Rasti në fjalë është hera e dytë që futet në metadon", pohon psikologia, duke shtuar se vajzën kanë filluar ta aktivizojnë edhe me punë, për ta bërë që të ndihet më e vlerësuar dhe e motivuar për të hequr dorë nga përdorimi i drogës.


Eglantina Bardhi, G. Shekulli

Friday, May 28, 2010

Rrahja e grave

Raporti i "Amnesty International", shpreh se 1 në 3 gra në Shqipëri rrihen.

Se rrihen gratë shqiptare nga shqiptarët dihet, por nuk mund të mendohej se çdo e treta femër merr një trajtim të tillë barbar.




Ne kemi katedra të sociologjisë e të psikologjisë dhe në vend se të informohemi nga brenda për perversionet tona, na informojnë nga jashtë. Si duket katedrat tona kanë punë me teorinë dhe nuk janë në shërbim të shoqërisë, por të vetvetes. Ata lexojnë anketa të huaja, thua se nuk kanë shoqëri të veten!

Çdo e treta grua rrihet!
Kjo domethënë se një e treta e familjeve shqiptare jetojnë në dëshpërim dhe në keqtrajtim permanent. Në një gjendje të jashtëzakonshme! Një e treta e familjeve shqiptare gjendet në një përleshje qytetare brenda mureve. Kjo ndikon keq edhe në edukatën e fëmijëve dhe nga kjo gjendje ata mësojnë se rrahja dhe nënshtrimi zgjidh problemet! Kështu mendonte edhe diktatura!

Për sociologët dhe psikologët ka shumë punë. Ata mund të bëjnë anketa dhe të dalin me një numër gjithëpërfshirës duke zbardhur edhe karakteristikat tjera, që janë të rëndësishme, në mënyrë që shteti të nisë parandalimin dhe motivimin e grave për denoncimin e talebanëve shtëpiak.

Do të ishte me rëndësi të shihej niveli arsimor i rrahësve, profesioni i tyre, gjendja ekonomike dhe niveli arsimor i grave të rrahura. Me rëndësi është edhe të merret vesh çka deklarojnë gratë te mjeku: se janë rrëzuar shkalleve, se i kanë rënë derës me kokë, me faqe apo me ballë.

Nëse vërtet rrihet një e treta e popullsisë, atëherë gjendja është alarmante dhe shteti duhet të investojë në ndërtimin e shtëpive të grave. Me këtë numër të madh, nëse nuk reagon shteti, atëherë nuk kemi shtet, por një qeveri e administratë, që përpiqet të shtiret si shtet.

Në një anketë eventuale duhet gjithashtu pyetur edhe për gjësendet që përdorë rrahësi. Me çka shkakton ai dhimbje, me çka shkakton shenja trupore dhe si arrin te dominimi i synuar: sa për qind qëllohen me shkopinj dhe sa herë u shkaktojnë dhembje gjatë një seance nënshtrimi.

-Sa nëna dhe motra shqiptare goditen nga shqiptarët me pëllëmbë dhe sa herë u shkaktojnë dhembje gjatë një sesioni përbuzjeje?

-Sa për qind të nënave dhe vashave shqiptare goditen me grusht dhe ku goditen prej shqiptarëve: në hundë, në bark apo në nofulla. Sa dhëmbë thyhen, sa gjak derdhet dhe kush e fshinë gjakun, kush i mbledh dhëmbët?

-Sa për qind rrihen me thupër, sa herë u bien dhe mesatarisht sa shenja i kanë nënat dhe vajzat shqiptare nga shqiptarët dhe sa zgjatë kjo seancë traumatizuese?

-Sa për qind rrihen me rrip dhe sa herë fshikullohen mesatarisht gjatë një trajtimi?

-Sa për qind të nënave dhe bijave shqiptare goditen me shqelma, pse goditen dhe sa herë?

-Sa për qind të nënave rrihen me pëllëmbë dhe sa herë u shkaktojnë dhembje?

-A u lejohet edhe shprehja e mllefit, ofshamës apo i rrahin duke u bërtitur: "Mos të dëgjohet zëri, se ta këpusë kokën si të pulës."?

-Sa për qind rrihen shumë. Sa për qind rrihen tepër. Sa për qind rrihen rëndë. Sa për qind rrihen për vdekje?

Kur t´i kemi këto detaje, atëherë mund t´i tregojmë vendit se sa njerëz mizogjin (urrejtës të grave) ka kombi jonë krenar!

Sa kriminel gjenden në shtëpi, e jo në burg!




Është me rëndësi të kuptohet edhe gjendja shpirtërore e rrahësit:
shtypja e gjakut, pulsi dhe t´i analizohet gjaku dhe vërehet se cilat hormone ndikojnë në sjelljen e tij instiktive, si në kohën kur në një degë luhatej majmuni, e në tjetrën njeriu! Duhet të kuptohet edhe kjo: a tregon shenja kënaqësie gjatë rrahjes dhe si sillet pas shkatërrimit të dinjitetit të njeriut.

Kur të kihen krejt këto të dhëna mund të dilet para nxënësve dhe t´u mësohen atyre të drejtat e fëmijës dhe të drejtat e gruas. Nëse veprohet kështu, parandalohet dhuna qysh në shkollë dhe brenda njëzet viteve kemi një gjeneratë të edukuar dhe të ekuilibruar.

Nuk është e preferueshme t´i veshim rrobat e para 100 viteve, as nuk është e parapëlqyeshme në kohë e revolucionit digjital e shkencor të jetohet me mendësinë e kohë së para qindra viteve. Nuk është e mirë dhe humane të ndahet kombi në rrahës dhe të rrahur.

Ata që nuk ndryshojnë, do të kenë probleme, sepse sot jetojnë me idetë djeshme, të skaduara!

Jeton i lumtur ai që jeton me kohën, jo kundër kohës!

Me celular në xhep, të sillemi si kur tërhiqnim apo ngarkonim gomarin, është vërtetë interesante, tepër interesante për sociologjinë dhe patologjinë!

Me kompjuter në shtëpi, të sillemi si në kohën kur rrinim rreth oxhakut me një llambë gazi, është vërtetë interesante për sociologjinë, psikologjinë dhe për patologjinë.

Kush rreh?
Ai që trishtohet nga liria dhe barazia e gruas. Ai që ka komplekse. Ai që si fëmijë ka parë rrahje në shtëpi.

Ai që është shumë pak burrë. Rrahja dhe nënshtrimi i shërben si erzac për ta plotësuar boshësinë e vet mashkullore. Ai ka frikë ta demonstrojë trimërinë e guximin jashtë, prandaj e praktikon atë në shtëpi.

Meshkuj që rrahin duhen dërguar te psikologu dhe të tregojnë pse trishtohen nga barazia e njeriut me njeriun.

Nëse nuk u ndihmon ai, atëherë mund të ndihmojë psikiatri. Me rendësi të shërohen! Pse psikologu e psikiatri? Sepse gruaja shqiptare nuk është e përdalë, por e përdalë është fantazia dhe imagjinata e disa shqiptarëve mizogin.

Për t´i kuptuar motivet e barbarizmit, anketa duhet bërë njëkohësisht në Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë.

Të shihet sa ka ndikuar në shpirtin e shqiptarit hard-diktatura në Shqipëri. Si ka ndikuar pushtimi në psikikën e shqiptarit jashtë kufirit dhe pse disa shqiptarë kanë një mosbesim dhe urrejtje patologjike ndaj grave.

Kjo duhet të zbardhet nga katedrat tona, sepse e një e treta e grave, nënave dhe motrave tona rrihen! Sepse popujt që keqtrajtojnë dhe dominojnë të dobëtin, nuk mund të quhen as trima, as krenarë e as qytetarë të ndërgjegjshëm e as qytetar të civilizuar!


Naser Aliu

Thursday, May 20, 2010

Një foshnjë gjendet e vdekur në spital dhe zëri i femrës shqiptare...

Para disa ditësh në maternitetin e spitalit të Pogradecit poshtë dritares së reanimacionit gjendet e vdekur një foshnjë.

Foshnja u gjet nga personeli i spitalit dhe gjithashtu konfirmohet lajmi se foshnja nuk ka lindur në maternitet, por me shumë gjasa në ambjente shtëpiake. Kjo foshnjë mund të jetë braktisur nga nëna e saj, me shpresën që infermieret ta gjenin dhe të përkujdeseshin për të. Por fatkeqësisht fëmija nuk është gjendur në kohën e duhur dhe kjo braktisje ndaj saj i ka kushtuar jetën krijesës së pafajshme.

Një foshnjë vdes, anonime.

Njëkohësisht mu kujtua antimitingu i disa shoqatave të grave, të drejtuara nga kryetarja e parlamentit, Zonja Jozefina Topalli. Thirrjet e tyre i drejtoheshin E. Ramës, duke e akuzuar atë drejtëpërdrejtë, se ai po përdor dhe gratë ndaj kauzës së tij.

Pak ditë më parë edhe e nderuara, Rajmonda Bulku, në një konferencë për shtyp i ishte drejtuar liderit socialist me fjalët:
"Zoti Rama të futësh në grevë urie nëna me foshnje, gra me përgjegjësi familjare do thotë se në qënien tënde nuk ekziston asnjë ndjesi njerëzore. Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat e familjes e fëmijëve. Po të mendosh se çfarë terrori psikologjik krijon tek fëmijët duke i mbyllur nënat në vetëflijim, kjo krijon një dramë, që nuk shërohet". Ndërsa i kërkoi atij ti nxjerrë sa më parë ato nga greva e urisë."

Pra, këto gra si kurrë ndonjëherë, ishin prekur në sedrën e tyre, për ato gra që merrnin pjesë në grevën e urisë.

Si qytetar i këtij vendi, më bën përshtypje fakti se femrat shqiptare e paskan fituar aftësinë të mblidhen e të protestojnë për të mbrojtur dinjitetin e tyre.


Ku është zëri i grave ku sipas statistikave 1 në 4 gra në Shqipëri dhunohen? Ku është zëri i grave kur qindra fëmijë dhunohen, abuzohen, përdoren në rrugë, kur mbi 100 mijë telefonata fëmijët i kryejnë tek numrat ku denoncojnë dhunën? http://www.facebook.com/note.php?note_id=392617416299

Ku është zëri i femrës shqiptare kur 20% e fëmijëve ende rrugëve duke braktisur arsimin e detyrueshëm?

Ku është zëri i këtyre grave, kur në Pogradec një nënë që ka ushqyer fëmijën e saj në bark për 9 muaj, për arsye të ndryshme (pamundësie) detyrohet ta braktisë fëmijën e saj?

Vetëm gratë mund ta kuptojnë pse një nënë braktis fëmijën e saj pas lindjes...

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Saturday, May 1, 2010

Burra shteti, zgjohuni...

Eshtë më se e vërtetë ,
se s'kemi zgjedhur burra shteti,
por faji s'është shumë i tyre,
faji në xhep na mbeti.


Pse vëllezer kush na e ka ne fajin,
që ata bëjnë me ne çfarë duan,
kur ata s'janë burra shteti,
pse atëherë i votuam?

Mos u nxito ti o i krahut tjetër,
të thuash unë s'votova për ta,
se kanë kaluar shumë vite,
që burra shteti për ne s'ka.

Ne o vëllezer e kemi fajin,
ju vemë mbrapa nëpër tribuna,
pavaresisht ç'të krahu jemi.
ishim dhe mbesim thjesht 'turma'.


Pra fajin se ka politikani,
ne e dimë mirë se personalitet ai s'ka,
atëhere pse s'votojmë për BURRA shteti,
vërtete janë të pakët, por të tillë ka.

Ironia më e madhe e fatit,
kur ne zihemi si të majtë ose të djathtë,
ata me njëri tjetrin zgërdhihen,
thone me këtë popull kemi shumë fat.

Pra faji për mua s'është i tyre,
faji është i 'turmës"që i mbështet
dhe pastaj bërtasim me të madhe,
këtu tek ne nuk ka shtet.

C'shtet kërkon o fatzi.
kur ne krye vë këta politikanë,
këta s'mendojnë kurrë për ty ,
këta për para vrasin babanë.

Vallë kurrë kjo 'turmë'do të zgjohet
të mos mendojë kurrë për të majtë a të djathtë,
por të zgjedhë BURRA shteti,
që të shohim dhe ne një ditë të bardhë?!


Shkroi: Anila Dedaj
Sugjeroi: Engjell Zylyftari

Tuesday, April 20, 2010

Të mashtrohesh online

"...B.D., nga Rahoveci është humbësi i 45 mijë eurove. Pagesën prej 45 mijë eurove ky person e kishte bërë në adresë të disa personave, që përmes internetit i kishin thënë se ka fituar 500 mijë funta në një lotari britanike. Më vonë, ai kishte kuptuar se ishte mashtruar..." (Kronikë nga shtypi i Prishtinës)



"...Biznesmeni tiranas i mobilieve R.N., 50 vjeç është njoftuar nëpërmjet internetit se kishte fituar një lotari 1 milionë sterlina në Kenia. Pas disa komunikimeve me telefon dhe E-mail me kompaninë e lotarisë, ka marrë rrugën e gjatë drejt Afrikës. Prej dy muajsh ndodhet në Kenia. Në vend të kthehej "me paratë e rëna nga qielli", deri tani familja e tij i ka dërguar 150 mijë euro dhe nuk po mundet të kthehet mbrapa në Shqipëri..." (Kronikë nga shtypi i Tiranës)

Të gjitha shqisat, të gjitha ndjesitë të shtyjnë drejt "Western Unionit" apo bankës më të afërt për të dërguar pagesën për të shpejtuar e legalizuar procesin. E çfarë janë 1000- 2000 apo edhe 10 000 dollarë amerikanë përballë 14 000 000 eurove .... Vetëm qindarka... Vetëm ... asgjë. Një hiç. Shpejto!? Shpejto se po ta marrin të tjerët.... Minutat deri aty të duken orë të tëra. Mezi pret të nisesh qindarkat për milionat e rëna nga qielli. Menjëherë kryhen veprimet dhe nisen kacidhet e papërfillshme përballë malit të milionave. Brenda disa sekondash llogaria bankare ose portofoli juaj është zbrazur me disa kacidhe për t'u mbufatur shumë shpejt, për t'u shqyer edhe valixhet me milionat e rëna nga qielli.

Po aq shpejt veprohet edhe në krahun tjetër nga ana e marrësit bamirës. Brenda sekondave ata marrin "kacidhet" e tua e shumë të tjerëve dhe nuk vonojnë. Të thërrasin në telefon për të falënderuar dhe uruar edhe shumë herë për fatin tënd të madh(!?). Nganjëherë këtë e bëjnë edhe pas dy - tre ditësh për t'u treguar moskokëçarës për "kacidhet" e tua.
Nuk e lënë kurrë të kalojë java për të kërkuar edhe një shumë fare simbolike prej 1000 - 2000 dollarësh të tjerë për disa veprime bankare shtesë në krahasim me fatin tënd të madh dhe brenda një muaji kjo "shumë fare e vogël" që ata të kërkojnë i kalon të pesë mijë dollarët e djersës dhe mundit tënd... Ne fund të fundit çfarë janë këto 5000 dollarë para 14 000 000 eurove që po vijnë nga qielli me... "posten e Hazirit".

"Posta a Hazirit" dhe " Posta e Floririt" ( ! )

Ka qenë një postier në një fshat në Tropojë. Quhej Hazir... Çdo ditë ai dilte në Kolgecaj, emri i qytetit të Alpeve para se të merrte emrin e plakut të maleve, heroit Bajram Curri. Dilte. Kryente punët e tij. Takonte miq, shokë e të njohur. Hante edhe ndonjë petull a byrek të nxehtë me pagën që i jepte Këshilli i fshatit. Ndonjëherë i dilte edhe ndonjë bozë a akullore qyl nga ndonjë mik i veti. Kthehej. Kur e pyesnin bashkëfshatarët për ndonjë letër a lajm, ai u jepte haberet e krejt qytetit, por jo letra... Një muaj, dy muaj... një vit. Derisa një dite e zbuluan se Haziri çdo gjë bënte përveç marrjes se postës për çka ai paguhej. Kështu lindi shprehja "Posta e Hazirit" për gjithçka nisej me postë, por që nuk mbërrinte kurrë.
Sidoqoftë, posta e Hazirit ishte shumë më e mirë se posta e "El Dorados" "Floririt". Nuk sillte zarfe e letra, por të paktën nuk të zhvaste para më shumë vlerë. E posta e "El Dorados" e çekut fatsjellës nëse shkon me ëndrra në diell të merr edhe centin e fundit, pa të sjellë mbrapa jo milionat, por asnjë qindarkë kurrë.

Dardha e ka bishtin mbrapa...
Qysh prej dhjetë vitesh autori i këtij shkrimi dhe qindra mijëra shqiptarë dhe jo shqiptarë këtu në Amerikë, por edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e në mbarë botën mund të kemi marrë mbi dhjetë zarfe me "lajmin mrekullues" të fitimit të lotarive, e me qindra kërkesa në internet për "investime gjigante nga trashëgimtari i Mbretit të Nigerisë në fushat e naftës " ..., nga djali i Sulltanit të Svazilendit për zbulimin e minierave më të mëdha të diamanteve në botë ... E ç'nuk kemi marrë.
Janë me mijëra shqiptarët që kanë rënë viktima të këtyre mega - mashtruesve të pafytyrë. Bëhet fjalë për grupe mafioze nga me primitivet e deri tek më të sofistikuarat që duke përdorë të dhëna personale të marra nga interneti, nga numëratorë telefonikë, nga burime pafund që ka krijuar ky shekull i informacionit, nuk lënë rrugë e mjet pa përdorë për të grabitur mundin e djersën, pasurinë dhe paratë e të tjerëve.

Mijëra viktima, miliarda dollarë...
Njoh profesorë universiteti, njoh doktorë të nderuar, njoh ekonomistë të zotë, njoh pleq fisnikë e të rinj të shkolluar, ... njoh edhe njerëz nga më të zakonshmit që kanë rënë pre e këtyre hajnave të paskrupuj. Dikush 1000, dikush 2000, dikush 5 000 por edhe dikush ka hedhur në erë deri në 10 000 dollarë amerikanë ose vlera të njëjta në Lekë, Euro, Sterlina për të marrë "çekun fatsjellës".

Mënyra që përdoret është aq sa primitive edhe e sofistikuar. Ata shfrytëzojnë ndjesinë e natyrshme të çdo qenieje njerëzore për para, për pasuri, për një jetë më të mirë si dhe prirjen e njeriut për t'i siguruar ato me sa më kollaj. Ata keqpërdorin dobësinë njerëzore për të fituar sa më shumë me sa më pak mundim e djersë. Ato gjuajnë qorollepsjen e njeriut pas parëse, pas fitimit me çdo kusht. Njoh mijëra shqiptarë të Amerikës e Shqipërisë, të Kosovës e Malit të Zi, të Maqedonisë, në Europën Perëndimore, në Australi e në mbarë botën që kanë rënë viktima të këtyre hajnave të pafytyrë. Dikush më pak e dikush më shumë, por së bashku kanë humbur miliona dollarë, e po të shtojmë edhe "piramidat"... mbi dy miliardë dollarë....

Ilaçi i shpirtit, por jo i xhepit( !? )
Pas një hetimi trevjeçar, muajin e fundit Byroja Federale Hetimeve, FBI- ja amerikane zbuloi dhe goditi një rrjet gjigant të tillë shumëkombësh mashtrimi. Mbi 3 milionë amerikanë dhe nga shtete të tjera kishin rënë viktima të këtyre grupeve mafioze që përfshinin me mijëra mashtrues të kombësive dhe racave të ndryshme në pesë kontinentet. Mbi 5 miliardë dollarë u janë zhvatur viktimave amerikane dhe jo amerikane brenda dhe jashtë territorit të Amerikës nga kjo shumëkombëshe e krimit të organizuar.
Krimi nuk ka dallim race, feje, ideje, kombësie, shtetësie, ideologjie, sistemi. Krimi është krim dhe i tillë mbetet deri edhe përtej varrit. Mbi 1000 prej këtyre mashtruesve kanë përfunduar në pranga dhe qelitë e ftohta e të pista të burgjeve. Mijëra të tjerë janë pas në atë rrugë të palavdi. Por, shanset për gjetjen e rikthimin e parave e pasurive të grabitura me këto mashtrime të ndyra janë shumë të vogla për të mos thënë nuk ekzistojnë.
Zbulimi, arrestimi dhe ndëshkimi i regjisorëve dhe autorëve të këtyre mega - hajdutëve lehtëson shpirtin, por jo xhepin e viktimave, që aq shume ua kanë lehtësuar krimin me mendjelehtësinë e treguar ndaj mundit dhe djersës së vet.

Mendjelehtësia e cjapit tek kasapi ...
Mendjelehtësi vrastare për mundin e djersën, për pasurinë dhe prokopinë e miliona njerëzve. Kjo mendjelehtësi mban vetëm një emër: "të shkosh si cjapi tek kasapi" (!?) Në vend që të hapnim sytë dhe t'u drejtoheshim organeve ligjore për të denoncuar këto vampirë të pangopur tek shteti dhe qeveria përkatëse, mbyllnim sytë dhe gojën se mos na e merrte fatin tjetri duke mbjellë fatkeqësinë tonë me duart e mendjen tonë të trullosur. Mendjelehtësi vrastare, jo vetëm për xhepin, por edhe për shpirtin...
Të shkosh me këmbët e tua duke vrapuar. Të shkosh me duart e tua plot me paratë e djersës dhe mundit tënd duke rendur si në garë! Të vrasësh veten dhe pasurinë tënde me mendjen tënde të qorollepsur nga "El Doradoja" famëkeq! Çfarë emri tjetër mund t'i vesh veç mendjelehtësi vrastare. Edhe më keq mendjelehtësi vetëvrasëse!
Shteti luan rolin e vet. Qeveria bën punën e saj. Ligji është ligj dhe do veprojë herët a vonë. Por, të mos harrojmë shprehjen lapidare të ish-Presidentit legjendë të Amerikës, Xhon Kenedi: "Mos shiko se çfarë shteti bën për ty, por shko se çfarë bën ti për shtetin". Një shprehje dhe këshillë e artë për çdo njeri në botën e sotme.

"It's too good to believe (! )"
Detyra e parë si qytetarë është të hapim sytë dhe të mbajmë trurin e freskët si në të mirë edhe në të keq, si në kulmin e pasurisë edhe në greminën e varfërisë. Pse? Mat njëqind herë e prit një herë, thotë mençuria shekullore e popullit tonë. Pse? Shumë thjesht.
Si mund të fitosh një lotari multimilionëshe si "El Gordo" ose "La Primtiva", si "Powerball" ose "Megamillion", si milonadollarëshe apo njëdollarësh kur nuk e ke luajtur kurrë e për më tepër kur je mijëra kilometra larg saj (!?) Kurrën e kurrës.

Kur trumbeton miliarda dollarë thesare e pasuri "trashëgimtari i mbretit të Nigerisë" apo "djali i 202 me gruan e 305 i Sulltanit të Svazilendit" ku vdesin nga uria e sëmundjet qindra mijëra afrikanë të mjerë, pse paska nevojë për 1000 apo për 1, për 2 apo 3000 dollarë, euro ose lekët tuaja (!? ) Për më tepër për t'i investuar në fusha si ajo e naftës apo minierat e diamanteve, ku fitimi shumëfish është më se i garantuar ...
Ndaj...Syçeltësi vëllezër ...syçeltësi !


Shekulli

Tiranë, zbulohen “sms”-të e llotarive mashtruese në celularë

EKSKLUZIVE - Zbulohen mesazhet telefonike të shpërndara nga llotaritë fantazmë që tentuan të mashtrojnë qytetarët shqiptarë gjatë dy

muajve të fundit.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në Tiranë, paralajmëroi pak javë më parë qytetarët duke kërkuar që të bënin kujdes dhe të mos binin pre e llotarive të tilla mashtruese, të cilat premtojnë fitimin e shumave të mëdha të parave duke vënë si parakusht per pjesemarrje ne keto shorte, derdhjen në llogarinë e tyre të shumave deri në 10 mijë euro.
Sipas hetimeve të policisë shqiptare për të paktën katër nga këto raste, ka rezultuar se qytetarët kanë derdhur shumën e parave në llogarinë e dhënë dhe më pas kanë humur kontaktet me personat që organizojnë lotaritë false të cilët janë zhdukur pasi kanë përfituar shumën e paradhënies.
Nga burime zyrtare të policisë shqiptare, agjencia “LajmiFundit” mësoi përmbajtjen teksuale të mesazheve që janë shpërndarë në e-maile dhe telefona celularë.
SMS-të kanë mbërritur tek qindra qytetarë të cilëve u premtohej pjesëmarrja në llotari ku do të fitonin deri në 500 mijë paund.

SMS anglish:
“Congratulation, your cell phone has Won 500.000 pound in the ongoing Nokia Uk Promo. For Claims: Call+44...or E-mail: Coordinator.nokiaprom@live.com This e-mail address is being protected from spambots.

SMS Albanian
“Urime, telefoni juaj celular ka fituar 500.000 paund nga Nokia Uk Promo. Per hollesi, telefononi ne nr. +44...ose shkruani ne E-mail: Coordinator.nokiaprom@live.com This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it .
Kjo eshte permbajtja e mesazhit te paraqitur ne polici nga shtetasi nga Tirana i cili ka bere denoncimin. Ai u ka thene hetuesve se kishte dyshuar qe ne fillim, pasi telefoni i tij nuk ishte i markes Nokia.
Policia shqiptare ka pohuar se të paktën 15 qytetarë shqiptarë kanë telefonuar menjëherë sapo kanë marrë këtë mesazh dhe pasi kanë komunikuar me operatorin, kanë kryer derdhjen e shumës paradhënie që u është kërkuar.
Më pas ata kanë tentuar të lidhen me personat në fjalë për të marrë pjesë në lotari por gjithçka ka rezultuar një mashtrim.
Për shkak se personat që kryejnë këtë aktivitet mashtrues dyshohet se qëndrojnë jashtë Shqipërisë, policia tha se po bashkëpunon me autoritetet e policive homologe me qëllim zbulimin e abuzuesve. (lajmifundit.com)

Friday, April 16, 2010

Gjimnazistët, konsumimi i hashashit në modë

Është ulur mosha e fillimit të drogës si dhe është rritur numri i atyre që e përdorin atë prej vitesh. Alarmi është dhënë nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, të cilët thonë se një tjetër fenomen shqetësues është shifra gjithnjë e në rritje e përdoruesve intravenozë, pra që e marrin me shiringë.

Ndërkohë që ata theksojnë se shifrat e përdoruesve kanë pësuar rritje, sidomos në qytetet e vogla. Specialistët e ISHP-së shprehen se, aktualisht nuk ka shifra të sakta për përdoruesit e drogës në përgjithësi dhe të adoleshentëve në veçanti, por për këta të fundit specialistët bëjnë të ditur se konsumimi i hashashit tashmë është kthyer në modë. Të tymosësh një cigare hashash në shkollat e vendit tonë, sipas specialistes Jonida Haxhiu, nga të rinjtë nuk shikohet si një tabu, por po ndodh e kundërta, shikohet si diçka normale dhe e modës. Sipas saj, shifrat që u përkasin përdoruesve të drogës janë gjithnjë e më shumë alarmante, ku vitet e fundit është ulur mosha e fillit të përdorimit.

Si ka ndryshuar numri i përdoruesve të drogës në vendin tonë?
Duhet pranuar se është një fenomen në rritje. Nga viti në vit vihet re se numri i përdoruesve është rritur dhe mosha e atyre që konsumojnë drogë është ulur, pra e fillojnë në një moshë më të re 12-13 vjeç. Numri i përdoruesve të hashashit është rritur ndjeshëm, problemi qëndron se e konsiderojnë si diçka normale.

Po nëpër shkolla, si është situata?
Nga kontaktet e mija të vazhdueshme me nxënës dhe mësues, rezulton që ka ulje të moshës, pra përdorimi i drogave të lehta nis në mosha gjithmonë e më të vogla. Këto droga të lehta që quhen, nuk mund të konsiderohen plotësisht të tilla pasi dhe ato kanë efekte po aq të rënda për shëndetin si dhe drogat e rënda. Gjithashtu, ato mund të konsiderohen si një portë për të kaluar tek drogat e rënda. Ka një lidhje të pranimit si diçka normale të përdorimit të këtyre drogave, pra ka arritur një ulje të moshës dhe një rritje të "popullaritetit". Tashmë përdorimi i hashashit konsiderohet si diçka e modës.

A janë të ndërgjegjshëm për problemet që sjellin drogat?
Ndoshta në këtë aspekt ndikojnë mitet, ato thëniet e pavërteta që ekzistojnë dhe qarkullojnë ndër përdoruesit e këtyre drogave. Një ndër to është: "Unë e kam gjithçka nën kontroll dhe mund të ndaloj kur dua", por kjo është e pavërtetë, pasi hashashi është një drogë që krijon varësi tek përdoruesit dhe sjell dhe probleme të shumta shëndetësore.

Në gjimnaze, ka më shumë përdorues vajza apo djem?
Përgjithësisht janë meshkujt ata që janë më kuriozë për të eksperimentuar me drogat, por në gjimnazet e Tiranës është mjaft i madh dhe numri i përdorueseve femra.

Është vetëm Tirana që ka më shumë probleme?
Jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha rrethet ka probleme të përdorimit të drogës. Moshat e reja janë problematike në të gjitha rrethet, pasi është përhapur miti i gabuar që hashashi është diçka e lehtë dhe e mirë në të njëjtën kohë.

Ata që përdorin hashashin, janë dhe konsumatorë të cigares?
Përgjithësisht janë persona që kanë konsumuar cigaren dhe numri i adoleshentëve që e konsumojnë është rritur në këto vitet e fundit. Pra, ka një lidhje me përdorimin e substancave të tjera, pra një njeri që përdor cigare është më i prirur të përdorë më vonë dhe hashash. Drogat janë të lidhura më njëra - tjetrën, pra dikush që ka përdorur hashash, është më i prirur që më pas të bëhet përdorues i drogave më të forta si heroina apo kokaina, në krahasim me dikë që nuk e ka përdorur atë.

A ka raste në gjimnaze që kanë kaluar fazën e përdorimit të hashashit dhe kanë kaluar në droga më të rënda?
Nuk është se ka shumë përdorues tek adoleshentët, pasi akoma nuk e kanë kaluar fazën e përdorimit të hashashit dhe janë në fazat e para të përdorimit. Por ka disa, kryesisht përdorues të heroinës, janë mbi moshën e gjimnazit që është moshë më problematike 20-30 vjeçarët. Megjithëse nuk përjashtohen dhe raste të pakta ndër adoleshentët që mund të jenë përdorues të heroinës.

Çfarë duhet të bëhet kundër rritjes së numrit të përdoruesve të drogave?
Ajo që është e nevojshme, është sensibilizim dhe bashkëpunim shumësektorial. Për këtë problem është e domosdoshme që të bashkëpunojnë të gjithë që nga familjet, shkollat dhe komuniteti. Ka prindër që nuk janë të interesuar për këtë problem, pasi kanë fëmijë të rregullt, por ata duhet të dinë që dhe fëmijët e tyre janë të rrezikuar në një komunitet ku ka përdorues droge.
Kështu që të gjithë duhet të bashkëpunojmë.

Ermelinda Hoxhaj, G. Shqiptare

Friday, April 9, 2010

Pushkatimi i qen(i)eve të deklasuara.

Prej vitesh në Shqipëri, por sidomos në Tiranë ka nisur një gjueti marramendëse dhe keq ndjell-lënëse ndaj qenëve të ashtuquajtur rrugaç, duke harruar se ata nuk kanë asgjë mangut nga qeniet njerëzore, përkundrazi gëzojnë vetira dhe instikte, që njeriut të sotëm homo sapiens të shekullit të ri edhe i mungojnë.

Dhe për këto virtute, sikundër dhe brirët e elefantit, njeriu i sotëm, sidomos tek Ne, në vendin tonë po hakmerret në mënyrë të pa shembullt, duke i vrarë netëve me hënë dhe pa hënë, me hir dhe pahir deri në me arsye e pa arsye.
Harrojmë se edhe ai ka shpirt, merr frymë, ndjen, nuhat, të shërben nëse e edukon, të dëgjon nëse e mëson, madje më shumë se fëmijët e sotëm. Dhe vjen një ditë, kur ti e vret, e tërheq zvarrë e flak dhe e vërvit në një gropë lerë.

Më vjen ndërment një episod, në një nga filmat amerikan, ku dikush nga aktorët i drejtohesh një kolegu të vet, që të lutem ma largo pak atë kafshën (për një qen), që mbante me vehte. Dhe ai i përgjigjej: Të lutem shumë, mos i thuaj kafshë qenushit tim, sepse ai është qenie e arsyeshme, neve mund të na thërrasësh si të duash.

Dhe me të vërtet, vëreni me kujdes qentë tanë, megjithëse në kushte rrugaçërie, të pa arsimuar, të pa afruar, kur vete tek makina jote në mëngjes, ai të brof në këmbë qetësisht, pa zë të hap rrugën, po qe se e përshëndet, ai të përkëdhelet, sikur don të urojë punë të mbarë, që këtë sjellje pothuajse kurrë s`ta falin fëmijët modern.
Vëreni me kujdes kur i ushqen, madje jo vetëm ata, por edhe kafshët e tjera, sa kujdes që bëjnë. Megjithëse në kushte shpesh urie, ata hanë sa kanë nevojë. Ata nuk fryhen. Edhe kur ngopen, ndryshe nga njeriu i sotëm, që i flak ushqimet duke ndotur mjedisin, ata e marrin ushqimin dhe e mblojnë si rezerve për nesër, duke mos shterur potencialet dhe burimet natyrore.
Kam patur rastin për një moment të caktuar të ushqej katër mace në madhësi të ndryshme dhe vërejta me çudi, se si çdonjëra prej tyre hante, aq sa i duhej dhe ikte, duke lenë madhësinë e përshtatshme të granulës thërime për më të voglin, derisa e fundit, një kotele fshinte dhe pllakat.

Po kjo lloj sofre është karakteristikë dhe për kafshë të tjera.
P.sh. mbasi luani ther një zebër, ka shumë mundësi, që të nesërmen mund të mos gjesh as gjurmët në mjedisin e tavolinës së luanit, pasi ushqehen me dhjetra klasë qëniesh të botës së gjallë, që asgjësojnë çdo granul të ushqimit deri tek korba me gjakun e mpiksur të kafshës viktimë, ndërsa tek tavolina e qënies njeri nuk gjen vetëm thërime, por mbetje deri në pjesë ushqimesh të lëna e të braktisura, në mëshirën dhe në dëm të mjedisit. Ata kanë arritur të jetojnë deri në përsosmërinë e sotme me miliona vjet, ndërsa njeriu mezi arrin të mbijetojë duke i bërë gropën vehtes për 2-3 mijë vjet.

Të dashur njerëz, a gjeni dot një qen apo kafshë, çfarë do qoftë ajo, të shëndoshë, mbi peshë, trashaluq, budall, që të shkelin keqas dhe rendë mjedisin?

Këto janë terma, që kanë lindur me dhe për njeriun. Vëreni me kujdes, se sa lehtë ecin ato mbi faqe të dheut, sa hijshëm rendin, në sa harmoni dhe miqësi me mjedisin dhe i krahasoni me hapat e rënda e barbare të njeriut, që kur kalon dhe pushton më tepër shkel e shkatërron.

Vëreni me kujdes çfarë shembulli japin kafshët dhe për rrjedhojë dhe qentë në jetën seksuale. Asnjëherë nuk ndodh që femra e tij, mbasi arrin të rrjeshtojë me dhjetra meshkuj të zgjedhë më të dobëtin ose atë nën vete apo të zgjedhë 1-2 njëhersh, sikundër ndodh jo rrallë tek qënia, gjoja i thënçin homosapiens, që i vret. Në kuptimin e mirë, qentë e sotëm edhe ashtu si janë rrugaç apo jo rrugaç, ata janë shpërndarë aq uniformisht dhe kanë ndarë territoret aq perfekt, sa shpesh luajnë dhe një rol mbrojtës ndaj dukurive shpifarake të natës për blloqet apo pallatet, që kanë marrë përsipër. Por ama, raste mësymje, bastisje, plagësh njihen nga qeniet njerëzore ndaj qenieve njerëzore, se sa nga këto qenie megjithëse mjerane.

Në kuptimin më të keq, qentë le të themi rrugaç mund të konsiderohen dhe të lënë, të hedhur, të mbetur, pra si mbetje. Por, mbetja nuk asgjësohet në vend, sikundër dhe shpesh bëjmë me plehërat, por ajo mblidhet, grumbullohet dhe trajtohet. Po kështu duhet bërë dhe me ta, dhe një farë takse për mirëmbatjen e tyre iu merret familjeve, që mbajnë qen në kushte shtëpie.

Por është një e keqe tjetër, që njeriu i sotëm, sidomos ai shqiptar kërkon t`i zhduk ata. Xhelozia, që ata janë të dashur me njerëzit edhe pse këta të fundit shpesh i takojnë ata me shqelm. Sidomos, sjellja miqësore e qenieve të gjalla (kafshëve) me mjedisin e ka tërbuar fare qenien njerëzore me gjoja arsye, duke i bërë këta të fundit të hakmerren, duke ngritur klube gjuetarësh me leje dhe pa leje.
A nuk të duket paradoksale, që ti o njeri mbasi ther një mori kafshësh e ushqehesh me to, mbasandaj i vret me klube gjuetarësh.
Por tek ne, ata qentë vriten dhe me leje dhe pa leje. Mjafton një urdhër bashkiak, pa gjyq, si në kohëra të diktatorëve dhe pam-pum, qindra qen tejshpohen me saçma plumb, në vend se të mblidhen dhe të sistemohen në një rezervat, ku të jetojnë jetën e vet të dhuruar nga zoti.

A nuk të duket sikur pas disa qindra vjetësh, një gjeneratë tjetër njerëzore, në emër të një civilizimi më të lartë të hakmerret, duke na vrarë ne të sotmit?
A nuk të duket, sikur ne, raca e sotme po i zgjidhim problemet me qëniet e gjalla, duke i vrarë, duke përbërë kështu një rast të keq apo të “ndyrë” edukimi për brezat e rinj?
A nuk është më tepër problem për shëndetin dhe mjedisin pushkatimi i tyre, duke hedhur në erë dhe shpërndarë pjesë të organeve të tyre nëpër rrugë?
A nuk të duket, se ato kafshët një ditë mund të “hakmerren” në forma të ndryshme ndaj qënieve njerëzore?

A nuk të duket, që fjala vrasje të zëvëndëson kështu dashurinë njerëzore ndaj botës së gjallë?

Kësisoj, nuk mund të zotërosh një dhembshuri për shoqërinë civile, nëse nuk i shfaq ato më parë dhe njësoj edhe për qëniet e gjalla, si në ato bimore dhe në ato të botës së kafshëve.

A e dini se është vertetuar se edhe bimët varin kokën, kur njeriu lë zyrën apo ambientin, ku i mban ato.

Megjithatë, vjen një ditë kur ky i fundit, më parë nuk mbjell një pemë, pastaj shkel një bimë, pastaj godet me shqelm një qen, mandej e vret atë, mandej shtyn një njeri, pastaj e fyen, derisa më në fund e vret edhe atë.

Dhe kur mendon se kjo gjueti shtrigash kryhet nga shteti, vendimmarrësi, një pështjellim i vorbullt të rrok shpirtin, një ndjenjë revanshi, por njerëzor dhe demokratik të vjen për t`u përplasur me shtetin dhe qytetarinë e kombit tënd. Një zgjidhje e thjeshtë, sikundër dhe bota të shtyn t`i kujtosh vendimmarrësit dhe popullit tënd, se me një taksë sado e vogël, ata (qentë) mund të sistemohen në rezervate natyrorë dhe të jetojnë, sic i ka hije një qenie të gjallë, fisnike, besnike, që më së shumti, janë të pajisur më tepër me virtute se sa me vese.

Dhe me këtë rast nuk mund t`i lihet pa i kujtuar, si pushkatarit dhe vendimmarrësit, se një ditë ai do të përballet me efektin psiqik të këtij efekti. Dihet se çdo qenie e gjallë zotëron një fushë të caktuar elektromanjetike dhe në momentin, që dikush merr një hap shkatërimtar për të, ajo shkëmben me gjaksin ose lëshon në kushte të vetëmbrojtjes rreze α, β, dhe γ, që ndërhyjnë në mendjen e njeriut, duke lënë gjurmë negative mbetëse në trurin e tij. Kjo i ndodh vrastarit për çdo pushkatim dhe në pamje të parë duket se e përballon këtë manjetizëm mbetës, por vjen një ditë, që ai e shpagon me sëmundje të thella psiqike të mendjes së vet.
Në një farë mënyre, po kjo ndjenjë kap dhe vendimmarrësin, që ashtu sikundër një diktator, vuan në pleqërinë e vet brutalitetin e kohës së lavdisë së tij. Por, ajo që e shpejton më shumë këtë dukuri, që sapo shpjeguam është arësyeja se qentë vriten natën. Në këto rrethana, raporti seratoninë/melatoninë përmbyset tek njeriu, ç'ka bën që të turbullohet dhe të degradohet psiqika e tij, si tek ai që vret dhe tek ata që dëgjojnë vrasjen, sepse në kësi rastesh nuk sekretohet ky lëng (melatoninë), që sjell paqen, prehjen, shlodhjen, përtëritjen mendore gjatë gjumit të natës. Kjo është një ndër arsyet ndoshta më kryesoret, pse nuk duhen vrarë qentë as ditën dhe aq më keq natën.

Pra, me dëshirën e madhe, që kjo dukuri makabre ndaj qen(i)eve me shpirt të marrë fund sa më shpejt, i bëjmë thirrje ambientalistëve, natyralistëve, biologëve të vegjël e të mëdhenj, shoqërisë civile shqiptare, pushkatarëve dhe së fundi shtresës së vendimmarrësve të ndalojnë këtë pushkatim pa gjyq, këtë masakër të pashembullt e të përnatshme. Imagjinoni sikur 4 shkurti i Tiranës të ndodhte për natë. A duhet të ketë ndryshim një masakër në njerëz nga ato në kafshë, kur si njeri dhe tjetri përbëjnë qenie të gjalla e me shpirt, dhe pse?



Sazan Guri