Monday, December 20, 2010

Priftërinjtë, formularë në mbështetje të Janullatosit

Në mënyrë gati klandestine, prej disa ditësh ka nisur të qarkullojë mes besimtarëve të komunitetit ortodoks një formular, i cili kërkon firma në mbështetje të qëndrimit të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, në debatin e hapur mes tij dhe historianit të njohur shqiptar, Prof.Kristo Frashëri.

Mbështetësit e Fortlumturisë së tij Janullatos, ndër të cilët edhe njerëz me veladon, kanë nisur tanimë të vihen në lëvizje dhe në kërkim të kësaj mbështetjeje. Për të përmbushur këtë qëllim në qytetet dhe fshatrat e Jugut të Shqipërisë, si edhe në zonat ku banon minoriteti etnik grek, besimtarëve ortodoksë po u dorëzohet në mënyrë “konfidenciale” dhe në emër të shpëtimit të fesë të krishterë, formulari që duhet të plotësojnë.

Të gjithëve u kërkohet të shprehen vetëm në versionin se janë në mbështetje të Janullatosit.
Mësohet se janë përgatitur disa mijëra kopje të formularit, në mënyrë që në debatin Janullatos-Frashëri të përfshihen sa më shumë besimtarë ortodoksë. Nuk është e rastit që qëllimi i anketimit është rigorozisht i përcaktuar, pasi në kokën e formularit, të përgatitur në dy gjuhë, shqiptare dhe greke shkruhet qartazi se “Mbështesim Kryepiskopin Anastas me mirënjohje dhe besim të palëkundur”.
Qëllimi i shpërndarjes së anketës dhe se cilat janë kërkesat për plotësimin e tij sqarohen konkretisht kështu: “Në muajt e fundit, disa qarqe, të cilat në vitet e persekutimit të fesë shijonin pozita dhe komoditete dhe që gjatë njëzetë viteve të demokracisë nuk kanë ofruar absolutisht asgjë në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ndërmarrin të shkruajnë, me mënyrën e tyre, historinë e saj dhe të na mësojnë të drejtën kanonike dhe theologjinë e Orthodhoksisë”.

Sipas formuluesve të tekstit që është pjesë e formularit, ata (kundërshtarët e Fortlumturisë së Tij Janullatos, duke aluduar kësisoj për historianin Kristo Frashëri) “dalin në përfundime për tema të cilët nuk janë të specializuar, duke kërkuar gjoja të na mbrojnë nga armiq imagjinarë”.

Më tej shkruhet se “në lidhje me këto çështje që kanë prekur, tashmë kanë marrë përgjigje të sakta dhe me përgjegjësi nga tre tekste të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit”.

Në vijim formula është më se e qartë se kërkohet mbështetje standarde nga “ortodoksët e bashkuar” në anën e Janullatos, kur shprehen se: “Ne, të krishterët orthodhoksë, që nënshkruajmë, e njohim prej shumë vitesh udhëheqësin tonë shpirtëror, i cili duke pasur njohuri të thellë theologjike dhe vetësakrifikim, e udhëheq Kishën tonë me fjalë gjithmonë paqësore dhe me vepër krijuese. E mbështesim me gjithë shpirt, me mirënjohje dhe besim të palëkundur”. Poshtë këtij teksti vijnë kolonat e veçanta që kërkojnë mbushjen e gjeneraliteteve të tilla, si: emri e mbiemri, profesioni, vendbanimi dhe firma. Nuk dihet ende se sa prej formularëve të përgatitur kanë shkuar tek mbështetësit e kërkuar ndaj “udhëheqësit shpirtëror” Janullatos. 

G. Shqiptare

Sunday, December 19, 2010

Unë, shqiptari!

Unë jam ai. Shqiptari i heshtur e piktoresk. Çudia e të gjithëve që më kanë njohur. Vullkan, gjithë histori. Më vijnë rrotull, më afrohen, ndonjëherë bëjnë ndonjë hap më shumë, për të më prekur. Më pas largohen. Për të ardhur sërish. Sërish e sërish. Ma njohin aq mirë historinë. Dhe pse e njohin aq mirë, prapë se kuptojnë. Si ka mundësi pyesin veten trishtueshëm. E se gjejnë dot.

Unë nuk kam emër. S'më njeh askush.
E megjithatë jam miliona, shpërndarë anë e mbanë. Miliona që s'po bëjnë kurrë një. Të vetëm. Sepse unë jam i heshtur dhe askush se di ç'më ka prapa koka.
Se ngre kurrë zërin.
Edhe kur duhet ulërirë. Shkoj udhës i qetë dhe askush se di ç'kam në zemër. Unë nuk flas kur shoh mjerimin që më rrethon. Kur shoh të tjerët që vdesin urie. Që sorollaten gjithë ditën si unë. E duart i kanë bosh, kur kthehen në shtëpi. Askush se di se çmendoj. Njerëzit më shohin buzagaz edhe kur shpresës sime ka kohë që i ka mbirë bari. Nuk jepem. Nuk tregoj ç'bluaj në mendjen time, kur takoj të ngjashmit e mijë. E as se ç'ndjej kur dhembja do të shkrinte dhe tokën. Por natën, kur errësira bie, qaj me dënesë si fëmijë. Për gjithë ç'kam parë e dëgjuar.
Si gjithë të tjerët, të ngjashmit e mi, unë mendoj ndryshe nga ajo çka dëgjojmë të gjithë. Por, me të tjerët, flas njësoj. Njësoj si ajo që dëgjojmë të gjithë. Kur jam pa punë, unë do të doja një të tillë. Kur punoj, unë nuk dua ta humb atë. Prandaj jam i tillë. Prej qindra e qindra vitesh. Koha, njerëzit, të dashurit e mi, më kanë mësuar kështu. Dhe vetë e kam kuptuar: nëse dua të mbijetoj. Më mirë të hesht. Kurdo dhe për çdo gjë. Të hesht kur fatkeqësia bie mbi tjetrin dhe e fundos pa pikën e mëshirës. Dhe s'ka gjë që ta shpëtoj. Të hesht apo të them, fjalët e duhura, më të lodhshmet mbi këtë botë, kur shoh të tjerët që vriten në rrugët e këtij vendi, nga njerëzit apo mjetet. Kur humbin çdo ditë, në adresa e drejtime që askush s'i njeh. Kur pushohen, tallen, urrehen, vdesin.
Por ç'të presësh nga unë? Që hesht kur këto më ndodhin edhe mua?

Natën, ama, kur errësira bie dhe unë jam i vetëm, nis e flas me veten si kurrë kam folur me njeri mbi këtë tokë...
Mos shko larg, për të më gjetur. Unë nuk jam askund. Mos më kërko ndër libra e fletushka. Në ato radhët e gjata të shkrimeve pa fund. E as në foto. Të bukura e me ngjyra shumë. Nuk jam më as ai që do të gjesh në ato fotot e zverdhura nga koha. Duke rrokur topin për gryke. Apo duke tretur vështrimin larg, ndërsa thëllimi më tund në erë, mustaqet e gjata e të përthyera si mendimet e mëdha. Jam gjithandej, por i padukshëm. Për kë nuk do të më gjejë. Jam, në fakt, kudo.
Hapi sytë e vështromë. Më gjen në trotuar shtrirë sa gjatë e gjerë duke të pritur të më hedhësh, pak mëshirë nga dora jote. Por mund të më gjesh, duke u zvarritur në dete të çuditshëm e të pisët. Me buzët të thara, për një pikë ujë. Mund të më shohësh tek ec, si një grua gjithë krenari, rrugës vjeshtake, por me sy të nxirë nga dhuna, nën syze të moshës së fundme. Por mund të jem dhe një i ri që shkoj në shkollë, për të mësuar historinë time, që politika ma ndryshon, nga klasa në klasë. Një gazetar, që në ekran buroj veç dritë dhe pavarësi, ndërsa në ditëlindjen e shefit politik, dy ditë më parë, isha kamarieri më i zellshëm. Kërkomë po deshe në administratë. Aty do të jem. Me rroba e ritëm rinor. Veçse i zbehtë, me lëkurën që ka ngjyrën e frikës. Por mund të më gjesh, një çilimi që shkrihem e qesh gjithë ditën e ditës, në vendin e një mijë e një privimeve. Si të moshuar, që kanë frikë të kujtojnë.
Askush s'ma di emrin. Por kam pas meje një histori të tërë.
Mbijetesë, ndaj gjithë halleve që njohu njerëzimi. I shpëtova luftërave e pushtimeve nga të gjitha anët që më erdhën. Por i mbijetova edhe malarieve, kolerave, tuberkulozëve. U mbijetova edhe njerëzve të mi. Që jo rrallë, më sulmuan për arsyet më të paimagjinueshme të kësaj bote. Herë më burgosën e vranë si të krishterë e herë si mysliman. Herë si demokrat e herë si komunist. Një histori e gjatë. Herë-herë e çuditshme. Herë-herë e pakuptueshme. Herë-herë, mizore. Por çdo herë e madhe. Sepse mbijetova. Sot kam frikë të kthej kokën. As vet se besoj si kam mundur. Jam krenar për të. Por dhe s'dua ta kujtoj. Se historia të nxit. Dhe kjo s'më pëlqen. Sot, kur lodhja dhe varfëria, më kanë kërrusur aq shumë, sa shikimi im nuk mund të shoh më larg. Se toka ku hedh hapat e mi. Të vegjël. E të ngadalshëm.

Hapat e mi të varfër.
Në trotuaret gjithë dritë dhe zhurmë. Ku ndriçon pasuria. Dhe ku skamja të verbon. Në trotuaret dhe rrugët e zhvillimit të çmendur të këtij vendi, të cilin kurrkush si unë e desh. Që kurrkush si mua, lodhi e sakatoi. Në një dashuri të mundimshme.
Unë jam i varfër. Por mbaj Shqipërinë mbi shpinë.
Këtë Shqipëri ku kanë lindur të parët dhe të tretët e mi. As të parët e as të tretët, në një jetë të qetë e të lumtur. E as unë.
Dhe njësoj si ata. I nëpërkëmbur, i tallur. Nga komunizmi që s'ishte komunizëm. Nga kapitalizmi që s'është kapitalizëm. Nga sisteme që s'u bënë kurrë sisteme. Por, mbi të gjitha, nga njerëz që morën në dorë fatin tim. Gjithmonë! Pa ia dhënë unë. Pa më pyetur kurrë. Kudo ku të isha, në punë ose jo, në shkollë ose jo, i varfër ose jo, i pasur ose jo, i gjallë a duke vdekur. Dhe jo për faj të tyre. Kudo ku isha, unë nuk isha. Aty ku duhej. Aty kur duhej. Kur vendimet merreshin për mua. Dhe në emrin tim. Pra, nga unë.
Edhe pse kam qenë gjithmonë këtu, në këtë truall. i ngulur thellë e i palëvizshëm nga koha dhe hallet.

Edhe të sotmes do t'ia hedh. Me heshtje. Për gjithçka e ndaj gjithçkaje. Që më verbon, kur e shoh. Që më shurdhon, kur e dëgjoj. Që më djeg, kur e prek.
Por, kujt t'ia them? Mundimin tim? Të gjithë e dinë. Dhe kurrkush, s'do që ta dijë. Ta dëgjojë ditën për diell, sepse ka frikë nga nata. Kur ajo vjen dhe qetësia bëhet e plotë, dhe vetmia e sigurt, dhe frikërat ikin, dhe vuajtja bëhet e pashmangshme.
Prandaj, unë hesht. Dhe vazhdoj të hesht. Duke i habitur kështu të gjithë. Të gjithë atë që më kanë njohur. Që më kanë takuar. Mua dhe historinë time, mijëravjeçare. Tek më shohin kështu. Gjithë kuriozitet e habi. Të vogël, të heshtur, të kërrusur, të mbyllur, pa zë, pa zhurmë. Pa jetë. Tamam si një vullkan. Që duket i shuar. Prej kohësh. Prej nga s'mbahet mend. 

Igli Totozani, G. Shekulli

Etimologji: Mihal, Michelangelo

Për këdo që kërkon të futet në aventurën e bukur të etimologjisë, rruga më e shkurtër, ku dhe arrihen rezultatet të menjëhershme janë onomastika dhe toponomastika, pra, fusha e gjuhësisë që merret me emrat e përveçëm të njerëzve dh ajo e emrave të vendeve, detrave e lumenjve, fusha e maleve etj.
Nga këto fusha ne ju kemi dhënë e do t'ju japin edhe në të ardhmen shembuj për të kuptuar se si emrat kalojnë nga një gjuhë në tjetrën duke zbatuar vetëm ligjet fjalëformuese të shqipes. Këto ligje a rregulla mund t'i nxjerrë cilido, ato do t'i shërbejnë gjatë punës së tij. Etimologjia është dije për të gjithë, askush s'ka pse i druhet kësaj aventurë aspak të vështirë.

Le të marrim sot në shqyrtim emrin: Mihal. Duke kërkuar te sitet e shumta në internet, që merren me shpjegimin e "prejardhjes" dhe "kuptimit" të emrave, si p.sh.

http://www.thinkbabynames.com/search.php?s=michael&g=1&t=1

mësojmë se:

Mihal, anglisht Michael vikërka nga hebraishtja dhe don të thotë "që i ngjan zotit".

Pa të shohim se nga vjen në të vërtetë ky emër, nga hebraishtja apo nga shqipja!

Ne kemi Mihal, Michael, Mike dhe Mick në anglisht, Michel në frëngjisht, Michele apo Michelangelo në italisht, Miguel në spanjisht, Michiel në hollandisht, Mikell, Mikkel në gjuhët skandinave, Michail, Mikhail në rusisht, Michal në polonisht. Në gjuhët sllave kemi Miko, në kinematografi kemi personazhin e Mickey, Miki = Miu në shqip.
Mihal është dhe emri i parë që mban skulptori italian i "Rilindjes së Rreme" Michelangelo.
Ashtu si te Kirkilisse në turqisht ku Kirk = Kilisse = Kishë dhe te Michelangelo kemi Michel = Angelo = turqishten Melek, pra, medemek engjëll. Ta shikojmë edhe më afër këtë punë faqezezë të atyre që i kanë krijuar e interpretuar këto emra. Mihal është baraz me Qemal. Shikoni të nderuar zotërinj këto:

Mi + ck, ch, g, h, k = q shqipe + al, el, il

Këto Mihale janë të barabartë etimologjikisht me Qemalët, Hamil(ton)ët, Kamalët, Kim Il-ët për të cilët ju kemi folur ditë më parë etj.:

Mi + c, ck, g, h, k, q + al
Q + em + al
Q + am + il etj.

Por, kjo histori s'mbyllet me kaq. Këto Mihalët, Qamilët janë të barabartë me Samuelët, Shmailët hebraisht, me Selamët, Salemët, Sulejmanët, Islamët dhe Muslimët. Të gjitha këto emra dhe shumë e shumë të tjerë përbëhen vetëm nga tre rrënjë të shqipes: "q'+ yll + jam".

Pra, s'është e vërtetë që Mihal vjen nga hebraishtja, dhe se ai dashka të thotë "që i ngjan zotit", sepse Mihal, Qemal, Selim, Hamil(ton), Halim, etj. duan të thonë se "jam ylli", pra, zoti, dielli, vetë.

Te Michelangelo ne kemi michel = angelo

Mi + ch + el
dhe
An + g + el

Këtu kemi trajtat e foljes jam "mi" dhe "an", lidhëzën q (c, ch, g, k) dhe rrënjën shqipe yll (al, el, il).

Sa për Miki-n, ky rimon me Nikin, fitimtarin e grekërve. Këto Miki dhe Niki ndahen në:
Mi, Miu qe dhe Ni, Një, Njishi qe!
Pra, Miu është fitimtar, dhe për çudi në kinematografi, të tillë na e paraqesin amerikanët Miun gjithmonë, ai fiton gjithmonë me maçokun?!

Po kush është në të vërtetë Miu, dhe cili Maçoku?

Për t'u argëtuar ju mund të ndiqni vetë (mua tashmë më vjen krupë nga i tëri ky pisllëk aristokratiko - fetar) kuptimet që ka marrë togfjalëshi i shqipes "q' jam yll" në tërë këto gjuhë të botës, deri në Kore dhe do të kuptoni njërin nga truket, që është përdorur për të krijuar gjuhët e reja në fundin e shekullit të 15-të dhe në fillimin e shekullit të 16-të.

Ne shqiptarëve na ka ardhur dita të marrim hak për 500 vjetët e kaluara në robëri dhe për të gjitha mjerimet që ne po vuajmë tani nga pinjollët bastardë të atyre bastardëve, që i kthyen me kohë kurrizin racës së vet e që ende shpresojnë e ëndërrojnë se do të shpëtojnë paq?! 

Çlirim Xhunga

Rrahja e Mero Bazes, Taçi i pafajshëm. Gjobë, 700 mijë lekë dy bodigardëve

 Biznesmeni Rezart Taçi shpallet i pafajshëm për "rrahjen" e gazetarit Mero Baze, ndërsa dënohen me gjobë me nga 350 mijë lekë sicili nga dy badigardët e biznesmenit.
Ky ka qenë vendimi i djeshëm, i dhënë nga gjyqtari i vetëm i çështjes, Petrit Çomo, pas shqyrtimit të dosjes në 20 seanca gjyqësore. Kohë kjo, ku janë pyetur disa dëshmitarë të akuzës, mbrojtjes dhe vetë i dëmtuari dhe të pandehurit e këtij procesi gjyqësor. Në përfundim të këtij shqyrtimi, gjyqtari Çomo krijoi bindjen e tij se i pandehuri Rezart Taçi është i pafajshëm dhe nuk ka marrë pjesë në "goditjen" e gazetarit Baze.


Rrahje kjo, sipas vendimit, e kryer nga dy shoqëruesit e biznesmenit, të pandehurit Bledar Lilo dhe Irgen Selfo të cilët kanë konsumuar veprën penale të "kundërvajtjes penale dhe dëmtime të tjera me dashje" të kryer në bashkëpunim.

Ky vendim u njoftua dje edhe nga vetë zëdhënësja e Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, si në asnjë rast tjetër më parë. Ndërkaq, pak ditë më parë, ishte prokurori i çështjes, Gjergji Tako, i cili në leximin e konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga togat e zeza dënimin e biznesmenit Taçi me 3 muaj burg. Po kjo masë dënimi u kërkua nga prokurori edhe për të pandehurit Bledar Lilo dhe Irgen Selfo. Avokatët mbrojtës, gjatë fjalës së tyre përfundimtare kërkuan nga gjyqtari Çomo të deklarojë të pafajshëm të pandehurit e akuzuar për rrahjen e gazetarit Mero Baze.


Sipas mbrojtjes, gazetari Baze i ka provokuar, fyer dhe sharë e ofenduar biznesmenin Taçi dhe shoqëruesit e tij.

Sipas vendimit, gjithçka ka ndodhur mbrëmjen e 2 nëntorit 2009, aty rreth orës 23:00 të darkës, ku në një lokal në ish-zonën e bllokut ndodhej biznesmeni Taçi dhe dy shoqëruesit e tij. Në atë lokal dhe po në atë orë ka hyrë edhe gazetari Baze për t'u bashkuar me dy kolegë të tij. Me të hyrë Baze, biznesmeni Taçi ka vendosur të largohet, por, në momentin që janë afruar pranë tavolinës së Bazes mes tyre kanë filluar replikat. Debate këto që kanë përfunduar në përleshje fizike, ku gazetari Baze ka pësuar dëmtime të lehta në trup. Vetë gazetari Baze ka akuzuar biznesmenin Taçi dhe shoqëruesit e tij për dhunën e ushtruar.
Akuza këto që janë mohuar nga biznesmeni i naftës, Taçi.

Flamur Vezaj, G. Shekulli

Gazeta Albania - Konica

"Te Albania e vitit 1901 (vëllimi G, faqe 141) kemi riprodhuar sipas Memorial diplomatique të Parisit mendimin e një diplomati austro-hungarez mbi shqiptarët dhe çështjen shqiptare. Kush të dojë mund ta lexojë përsëri atë artikull që me shkurtësi, qartësi dhe njohuri të pakrahasueshme, i vendos gjërat në vendin e tyre të vërtetë.
Dhe ja që edhe një diplomat italian, zoti Silvestrelli, ministër në Athinë, e ka menduar të thotë disa të vërteta të vogëla për çështjet e mësipërme. Si shpirt kritik zoti Silvestrelli nuk ka arritur të kënaqet nga opinionet e rëndomta. Atij vendi ku ai ndodhej, ai ka dashur t'i studjonte etnografinë dhe gjendjen dhe përfundimi i kërkimeve të tij ka qënë një promemorie që është botuar te Buletini i Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Italisë dhe që përmblidhet në rreth 150 faqe.

Në këtë promemorie tërheqin më shumë vëmendjen dy pika, ku zoti Silvestrelli vëren:
1. Që banorët e sotëm të Greqisë nuk vijnë nga grekët e lashtë, por janë përfundim i një përzierje të sllavëve, shqiptarëve dhe latinëve;
2. Që Greqia ka për kufi në veri, Shqipërinë.

Këta dy konstatime të diplomatit të ditur kanë ngritur në Greqi zëmërim dhe protesta të forta, nga të cilat një i huaj e ka të vështirë të formojë një mendim të saktë. Qeveria italiane ka menduar se duhej të tërhiqej përpara këtij shpërthimi qesharak popullor, por për të vënë më mirë në dukje faktin se ajo e vlerëson përfaqësuesin e saj të shquar në Athinë, e ngriti zotin Silvestrelli në rang ambasadori dhe e akreditoi me atë detyrë pranë oborrit të Madridit.
Nga dy pikat që shtron diplomati italian, unë do të komentoj vetëm  të dytën.
E para, ajo që ka të bëjë me prejardhjen e grekëve të sotëm tashmë është pranuar si e vërtetë e pakundërshtueshme.

Ata që, pas monumentit klasik të Fallnerayerit dhe aq veprave të tjera të kritikës historike vazhdojnë të besojnë në ……. Të grekëve të sotëm, mund të kenë të gjitha pretendimet, me përjashtim të atij që janë të aftë të gjykojnë.  
Që në Greqi banon një grumbull sllavësh, shqiptarësh, latinësh por edhe - ndonëse në sasi të vogla - gjermanësh, keltësh, normandësh (kryqëzatat) dhe çifutësh (shekulli i I-rë dhe i II-të pas krishtit) nuk ka vend për as më të voglin dyshim.
Veçse grekët nuk kanë pse ta ndjejnë veten të turpëruar për këto prejardhje. Një përzierje racash nuk është domosdoshmërisht e keqe. Përkundrazi, dhe mjafton të kujtojmë se populli më artist dhe më i njerëzishëm që ka ekzistuar ndonjëherë, populli francez, është një konglomerat i të paktën tri racave. Përveç kësaj, për grekët është më mirë që e vërteta të dihet. Kjo është më e favorshme për ta. Si pasardhës të grekëve të lashtë ata shfaqen të bastarduar, përkundrazi, si përzierje relativisht e vonshme e shumë racave ata janë një popull i ri, dhe, si i tillë, kanë të drejtën për një kredi të gjatë përpara se të tregojnë vlerën e tyre. Nga ana tjetër, ata jetojnë në Greqi, dhe u është besuar gjuha e grekëve dhe pavarësisht nga çdo gjë tjetër për këtë arsye të dyfishtë duhet të quhen grekë; por që kuptohet vetvetiu që kjo fjalë nuk ka për premisë logjike vazhdimësinë etnike."

Le të vimë te pika e dytë e zotit Silvestrelli. Grekëve u ka vajtur në mendje t'i japin Shqipërisë së Poshtëme emrin e saj të vjetër të Epirit, dhe nëpërmjet kësaj, me marifet, lënë të kuptohet që ky vend ka qënë i banuar nga grekët dhe një ditë duhet të bëjë pjesë në Greqi, dhe se kështu Greqia nuk është ngjitur me Shqipërinë. Për grekët ka vërtet një Shqipëri të Veriut por jo një Shqipëri të Jugut; Shqipëria është si të thuash një distik që ka vetëm një varg ose një aleksandrin që ka një gjysmëvarg.
Mirpo, të gjitha këto pretendime janë qesharake dhe të ndyra.
1. Straboni na mëson se epirotët nuk flisnin greqisht, ata ishin të huaj. Po citoj fjalë e tij: (fjalët e Strabonit në greqisht) Kjo është shumë e qartë apo jo. Straboni na thotë se kombet epirotas ishin barbarë domethënë të huaj për racën dhe gjuhën greke (Veprat e Strabonit, VII, 6-13, faqe 267. Botim i Dübner Müller);

2. Para se shqiptarët të jenë vendosur në një Epir grek, janë grekët ata që kanë vajtur - një numër i vogël sigurisht - në një Epir shqiptar.

3. Shqipja është quajtur gjithmonë gjuhë epirotike. Dictionarium latino-epirotikum; F.Bardhit (Romë, 1635) është një provë e kësaj. Nuk ka as dyzet vjet që Rossi botoi përsëri në Romë një Vocabolario italiano-epirotico që nuk është gjë tjetër veçse një fjalor shqiptar;

4. Në të gjitha shkrimet e mëparshme mbi dredhitë greke, njëjtësia midis fjalëve Epir dhe Shqipëri e Poshtëme është e plotë.

5. E njëjta gjë është edhe në hartat gjeografike. Unë do të kënaqesha vetëm me një shembull: Në 1827, admiraliati anglez ka botuar një hartë zyrtare të bregdetit të Shqipërisë, hartë e përgatitur nga një komision hartografësh anglezë, austriakë dhe napolitanë: në të përfshihet i gjithë bregdeti i Epirit.1

6. Rusët, francezët dhe anglezët kanë patur me radhë në ishujt jonianë një regjiment që ata e quanin zyrtarisht regjimenti shqiptar: të gjithë ushtarët e këtij regjimenti ishin rekrutuar në Epir, të gjithë të së njëjtës fe si grekët, dhe megjithatë të gjithë i thoshin vetes shqiptarë dhe flisnin shqip. Një nga oficerët e regjimentit franko-shqiptar2 ishte Marko Boçari, i cili në atë kohë, me kërkesën e Pukëvilit, ka shkruar edhe një fjalorth dorëshkrimi i të cilit gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Parisit (Fondit shqiptar nr.1): ju kujtohet që ne e kemi vënë në plan botimin e këtij fjalorthi. Po ai Boçar shkëlqeu në luftën për pavarësi, duke kujtuar, i gjori, se bëhej fjalë për të krijuar një mbretëri shqiptaro-greke. Nipërit e tij, që mbajnë ende mbiemrin e Boçarëve, tani e quajnë veten helenë dhe pasardhës të Themistokliut: Përshëndetje pasardhësve të Themistokliut! Ju e shikoni që, që të gjithë helenët janë po aq të vërtetë sa nipërit e Boçarit tonë. Përveç kësaj, në Athinë ka djem të Bavarnave të vendosur në Greqi në kohën e Otomit, që edhe ata e quajnë veten helenë, sigurisht pasardhës të Perikliut: Përshëndetje pasardhëve të Perikliut!

7. Tradita diplomatike e të gjitha fuqive evropiane ka njohur pakufizim njëjtësinë e Epirit dhe të Shqipërisë së Poshtëme. Qysh prej një muaji kam në dorë qindra dokumente të pabotuara që kanë të bëjnë me Shqipërinë, dhe, në të gjitha njëjtësia midis Epirit dhe Shqipërisë së Poshtëme është aq e plotë sa ajo midis Lytesë dhe Parisit ose Ali Hoxhës dhe Hoxhë Aliut.


8. Më në fund, i huaji që përgatit një studim mbi Shqipërinë dhe ka dyshime mbi çështjen e të qënit të Epirit Shqipëri le të udhëtojë ca ditë nga Elbasani në Pargë dhe nga Vlora në Janinë, domethënë le të përshkojë si turist Epirin nga Veriu në Jug dhe nga Perëndimi në Lindje, për së gjati e për së gjeri, duke i rënë kryq e tërthor në mënyrë të tillë që të vizitojë sa më shumë fshatra që të jetë e mundur - pastaj të vijë dhe të na kundërshtojë.

Tani po u bëj një pyetje grekëve të zgjuar dhe që dinë të mendojnë: A besojnë ata vërtet se këto dredhi foshnjarake i shërbejnë interesave të Greqisë?

Citimi nga libri i Edvin Zhak mbi shqiptarët:

Nga "Shqiptaret ...""Pellazgët erdhën në Ballkan në kohët parahistorike para ilirëve dhe quhen nga Korkuti "paleoindoevropianë".
Ata ishin pararendës të ilirëve, që më pas u bënë pararendës të shqiptarëve. Sipas shkrimtarëve të hershëm, pellazgët banonin të shpërndarë në rajonin Ballkano-Egjeas, duke përfshirë këtu të gjithë Ballkanin, bregdetin Egje të Azisë së Vogël dhe Kretën. Gjuha e tyre pellazge cilësohej si "barbare", dmth jogreke.

Studimet gjuhësore tregojnë se ky popull la gjurmët e tij në Ballkan nëpërmjet terminologjisë paragreke të emrave të njerëzve, vendeve dhe hyjnive - emra, që nuk kanë asnjë lidhje me greqishten, por që mund të shpjegohen nëpërmjet ilirishtes dhe shqipes.

" Edwin Jacques "SHQIPTARET Historia e popullit shqiptar nga lashtesia deri ne ditet e sotme" fq. 44
"… bashkëpërkimi i përgjithshëm i mendimeve shkencore është se populli shqiptar dhe gjuha shqipe janë pasardhësit modernë më të afërt të ilirëve, pellazgëve dhe fillesave indoevropiane. Kjo e bën edhe më të qartë arsyen përse ky popull i vjetër është mbajtur i patundur pas gjuhës dhe kulturës së tij të lashtë. Ndonëse atdheu i tyre është pushtuar shpesh nga grekët, romakët, sllavët e turqit dhe ndonëse ata shpesh kanë përdorur gjuhëra tregtie, të importuara gjetkë, njerëzit, që sot njihen si shqiptarë, kanë ruajtur me vendosmëri e sukses gjuhën, zakonet, traditat dhe identitetin e tyre të lashtë, pellazg e ilir."

Edwin Jacques "SHQIPTARET Historia e popullit shqiptar nga lashtesia deri ne ditet e sotme" fq. 50
"Të gjitha trevat, që më vonë u quajtën Greqi, fillimisht quheshin Pellazgjia Këta pellazgë jetonin në Samotrakë, një ishull në veri të Trojës, para se të vinin në Atikë. Në veriperëndim të Peloponezit jonët "popullonin trevat që sot quhen Akea dhe, sipas përshkrimeve greke quheshin Aegialean Pelasgi, ose Pellazgë të Bregdetit më vonë ata u quajtën jonë. Banorët e ishullit… ishin një racë pellazge, që më vonë morën emrin jonë.
Edhe eolët më parë quheshin pellazgë. Gjuha e tyre ishte e ndryshme nga greqishtja. Athinasit e parë ishin pellazgë, që flisnin gjuhën "barbare" pellazge. (Herodoti)

" Edwin Jacques "SHQIPTARET
Historia e popullit shqiptar nga lashtesia deri ne ditet e sotme" fq. 53-54
"Mëse njëherë vëmë re se historianët, gjeografët dhe shkrimtarët grekë ngulin këmbë në dallimin midis pellazgëve të parë dhe rivalëve të tyre, grekëve helenë, të ardhur më vonë. Një ditë historia tradicionale "greke" mund të rishkruhet sërish…"
Edwin Jacques "SHQIPTARET Historia e popullit shqiptar nga lashtesia deri ne ditet e sotme" fq. 54
"Mirëpo çuditërisht edhe protagonistët e tjerë të dramës trojane ishin gjithashtu pellazgë.
Helena e bukur, e rrëmbyer nga Parisi, ishte faktikisht Helena e Argosit pellazg, gruaja e Menelaut, mbretit të Spartës pellazge. Kryekomandanti i ekspeditës ishte Agamemnoni, mbreti i Mikenës, e përmendur shpesh së bashku me Argosin fqinj. Në ushtrinë e Agamemnonit shërbenin dy vëllezër të Helenës, familja e të cilëve e kishte origjinën nga Lakedemoni, qytet i fuqishëm ushtarak pellazg, i quajtur edhe Sparta.
Pastaj vinte Akili legjendar, mbreti i Mirmidonëve të Thesalisë, bir i prijësit të madh e të hershëm Pellazg Peleut.
Eolët, jonët dhe dorët nuk përmenden kurrë nga Homeri; trupave rrethues ai u drejtohej si akej, argivë ose danaj.
Cilët ishin këta?
Akea ishte një provincë në kufirin verior të Mikenës pellazge. Arqivët ishin banorë vendas të Argosit pellazg. Danajt e kishin marrë emrin nga Danai, mbreti i hershëm i Argosit. Ndonëse disa aleatë të trojanëve flisnin gjuhë të ndryshme, duket se heronjtë klasikë brenda dhe jashtë mureve të Trojës ishin pellazgë e jo grekë. Ata bisedonin pa vështirësi në një gjuhë të përbashkët, adhuronin të njëjtët heronj, ishin njëlloj të zotët për rritjen dhe stërvitjen e kuajve, kishin fatrrëfyes të përbashkët që këshilloheshin me perëndi të përbashkëta, praktikonin të njëjtat rite e lutje fetare, si edhe ndiqnin të njëjtat tradita e zakone të përbashkëta, si p.sh, zakonin e varrimit.
Dikush është shprehur se: "Homeri përjetësoi homogjenitetin e gjuhës dhe të kulturës së tyre. Brenda dhe jashtë mureve, këta heronj të luftës së Trojës ishin të gjithë pellazgë e jo grekë".

Edwin Jacques "SHQIPTARET Historia e popullit shqiptar nga lashtesia deri ne ditet e sotme" fq. 60
"Interesimi i dukshëm i Homerit për origjinën pellazge të heronjve të tij mund të mbështesë fare mirë tezën e Strabonit rreth prejardhjes pellazge të vetë poetit të verbër. Sigurisht, studiuesit janë të një mendjeje se, ndonëse këto poema epike kanë mbërritur te ne nëpërmjet gjuhës greke, teksti përmbante shumë shprehje e konstrukte të çuditshme, që e kishin zanafillën në gjuhën më të hershme pellazge.
Në fakt, në librin e tij "Hyrje në indoevropianishte", Gounaris hedh tezën se emri Homer e ka prejardhjen nga shprehja pellazge e keqardhjes për një të verbër: "Ho i mjerë!"

Edwin Jacques "SHQIPTARET Historia e popullit shqiptar nga lashtesia deri ne ditet e sotme" fq. 60
"Fushata ushtarake dhjetëvjeçare e Trojës nuk ishte një luftë greke, por një konflikt ndërfisnor pellazg. Të gjithë ata flisnin një gjuhë pellazge "barbare" e jo greke." Gjatë periudhës së mëvonshme të kolonizimit grek, pellazgë të tjerë të pakënaqur u shpërndanë në të gjithë pellgun e Mesdheut. Pra, në një mënyrë ose në një tjetër, me anë të dëbimit, të shpërnguljes, të asimilimit ose të shpërbërjes, prania pellazge në Greqinë e Vjetër u zvogëlua. Përqëndrimi i tyre në trevat e epërme të Gadishullit Ballkanik, veçanërisht në Epir, Maqedoni dhe Iliri, bëri të mundur që të ruanin identitetin, gjuhën, kulturën dhe traditat pellazge."

Edwin Jacques "SHQIPTARET Historia e popullit shqiptar nga lashtesia deri ne ditet e sotme" fq. 65
"Tuqididi na siguron se akropoli më i njohur i botës, ai i Athinës fqinje, nuk u ndërtua nga grekët, por nga këta pellazgë."

Edwin Jacques "SHQIPTARET Historia e popullit shqiptar nga lashtesia deri ne ditet e sotme" fq. 67
"Herodoti deklaronte se grekët vetëm disa prej perëndive të tyre i huazuan nga Egjipti, pasi shumicën e morën nga pellazgët.
Studiuesit shqiptarë, midis të cilëve edhe Dako, pohojnë se emrat e këtyre perëndive nuk mund të kenë rrjedhur nga greqishtja, pasi ajo nuk shfaq asnjë lidhje të dukshme me to, gjë që vërehet në gjuhën shqipe.
Për shembull, emri Zeus vjen nga shqipja "zë", që shënon gjëmimin e rrufesë në malet e Akrokerauneve ose shushurimën e erës që fëshfërit në gjethet e lisave të shenjtë në tempullin e Dodonës. Zeusi u martua me perëndeshën Mentis (mënt=mend) dhe lindi Athinanë (e thëna), shprehjen e diturisë.
Hera në shqip është era. Afërdita ose Venusi, "ylli i mëngjesit" që shfaqet në lindje pak para zbardhjes së ditës, e ka burimin nga shqipja: "afër dita".
Marsi, perëndia e luftës, qortohej shpesh nga perënditë e tjera pasi nxiste grindje dhe provokonte luftëra midis njerëzve; emri i tij mund të ketë lidhje me fjalën shqipe "i marrë".
Kurse Tetisi, perëndesha e detit, e mori emrin e saj nga "deti"."

Edwin Jacques "SHQIPTARET Historia e popullit shqiptar nga lashtesia deri ne ditet e sotme" fq. 75
"Përkushtimi i ditëve të javës. Për të kujtuar dhe nderuar hyjnitë kryesore, secilit prej tyre i përkushtohej një ditë e javës. Emrat e tyre pellazgë janë përjetësuar në fjalët shqipe.
E diela është dita e "diellit";
e hëna është dita e "hënës";
e marta dita e "marsit";
e mërkura dita e "mërkurit".
Prejardhja e fjalëve e "e enjte" dhe e "premte" nuk dihet me siguri,
kurse e shtuna është dita e "saturnit"."
"Mirëpo, duke iu referuar një tradite edhe më të hershme të adhurimit të natyrës nga stërgjyshërit pellazgë, fshatarët shqiptarë shpesh përdorin shprehjen (që ndoshta nuk ndeshet në asnjë vend tjetër të botës) "për këtë gur", duke marrë në dorë një gur ose duke treguar një gur diku pranë…

Betimi më solemn që mund të bëjë një shqiptar nuk është për Krishtin apo për Muhamedin, por "për këtë gur". …

Nganjëherë betimi "për këtë gur" zëvendësohej me "për këtë peshë" ose "për këtë dhe".
Atëherë mendohej se betimet, mallkimet ose bekimet që kishin lidhje me diellin ndikonin te njerëzit për mirë ose për keq. Të tilla ishin: "Për këtë rreze dielli!", ose "Të vraftë rrezja e diellit!".

Edhe sot e kësaj dite është më se e zakonshme beja e vjetër pellazge "për kokën time!" apo "për kokën e mëmës!".

Edwin Jacques "SHQIPTARET Historia e popullit shqiptar nga lashtesia deri ne ditet e sotme" fq. 77
"… qendra e adhurimit pellazg, tempulli i njohur i Zeusit, ndodhej në Dodona, mbi një mal në juglindje të Janinës, pranë fshatit të sotëm grek të Kastricës. Rruga për të vajtur atje përshkruhet nga Eskili
"Në ultësirën molose arrin duke dalë pas Dodonës, ku ndodhet vendi i orakullit të Zeusit tesprot, lisat që flasin, një mrekulli që imagjinata s'mund ta rrokë. Që në shekullin VIII p.e.s. Hesiodi poeti fshatar nga Sparta, e quajti Dodonën si "qendër të pellazgëve", kurse Herodoti e quajti të gjithë krahinën e Dodonës "Pellazgji".

Straboni vinte në dukje se qindra vjet para lindjes së Jupiterit tempulli i Dodonës ishte quajtur "Jovi i gjithëpushtetshëm dodon pellazg". Prej andej, nga malet e Akrokerauneve, ai gjuante me rrufe, të cilat binin në detin Adriatik, në Himarë, pak poshtë Vlorës. Po atje, ai pëshpëriste urtësinë e tij përmes shushurimës së gjetheve të lisave të shenjtë.

Me Dodonën lidheshin dy simbole.
I pari ishte shqiponja. Në gërmimet që u bënë në Dodona më 1875 nga Karapanos, në gurin e tempullit u gjet e skalitur një shqiponjë dykrenare, e cila për njerëzit e lashtë përfaqësonte lajmëtarin e Zeusit.

Simboli tjetër që lidhej me Dodonën ishte lisi i shenjtë, i cili gjendej me shumicë aty; përmes shushurimës së gjetheve të tij Zeusi shprehte vullnetin e vet.

Cilët janë Shqiptarët? - Nga Edvin Zhak
http://stopinjorances.blogspot.com/2010/11/cilet-jane-shqiptaret-nga-edvin-zhak.html
Kush ishte Edvin Zhak?
http://wikibin.org/articles/edwin-e.-jacques.html

Shkupi riboton enciklopedinë e vjetër

Dy akademikë shqiptarë "braktisin" hartimin e enciklopedisë maqedonase.

Pas largimit të akademikut Ramiz Avdyli dje është larguar edhe akademiku tjetër shqiptar në Akademinë e Maqedonisë, Alajdin Abazi. Largimi i dy akademikëve shqiptarë njëri pas tjetrit ka ardhur pas nxjerrjes në treg të Enciklopedisë së vjetër plot me skandale ndaj shqiptare, që padyshim do të nxiti urrejtjen e vjetër ndaj shqiptare.
Profesor Ali Aliu ka thënë për "Gazetën Shqiptare" se "tashmë akademikët maqedonas mund të bëjnë çfarë të duan me enciklopedinë". Në një mbledhje që është organizuar dje për leksikologjinë prof. Ali Aliu ka deklaruar se "akademikët maqedonas duhet të pranojnë se ky helm dhe kjo urrejtje është një projekt fatkeq edhe për popullin maqedonas që do të sjelli të çara të pariparueshme"

"As si krijues dhe as si përfaqësues i një kulture dhe një populli që përfaqësoj me një traditë të lashtë dhe histori tashmë nuk më intereson se çfarë shkruajnë maqedonasit për historinë kulturën dhe vërtetësinë e popullit tim. Edhe miratimi i redaksisë së re si rezultat edhe presionit të madh edhe ndërkombëtar ka qenë një truk formal përderisa sa maqedonasit nuk e tërhoqën asnjëherë nga tregu enciklopedinë e vjetër me tërë ato skandale e fyerje ndaj shqiptare.
Dje prof Alajdin Abazi pasi ka braktisur Redaksinë e re deklaroi se "ishte larguar pasi nuk donte të binte në kurthin e një skandali që shitet enciklopedia e vjetër e më pas të hartohet një e re".
"Ky është një truk maqedonas dhe kjo enciklopedi e re e pastruar nga fyerjet për shqiptarët nuk ka për t`u botuar kurrë, prandaj u distancova prej saj", - theksoi profesor Alajdin Abazi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i lëvizjes qytetare "Zgjohu", e cila e quajtur ribotimin e enciklopedisë së vjetër dhe hedhjen e saj në treg si një skandal të pariparueshëm që do të ketë një kosto të pariparueshme që do të shkaktojë tensione ndëretnike me pasoja të rënda

"Rikthimi i enciklopedisë së vjetër do të thotë: përpjekje për të provokuar krijimin e ndasive ndëretnike midis shqiptarëve e maqedonasve theksuan përfaqësuesit e saj.
Lëvizja qytetare "Zgjohu" do t'i bëjë thirrje Komunitetit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare mediave mbarë shqiptare kundër kësaj politike denigruese të akademikëve destruktivë maqedonas që hedhin baltë mbi historinë e kulturën shqiptare.

Bardhyl Berberi, G. Shqiptare

Wednesday, December 15, 2010

'Guardian', raport shokues: Hashim Thaçi, kontroll të dhunshëm të tregut të heroinës

Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, i cili ka akuzuar liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se në vitin 1999 kanë organizuar rrëmbimin e njerëzve, të cilëve në Shqipëri u janë marrë organet për trafikim.

Në deklaratën e qeverisë thuhet se "pretendimet e botuara në "The Guardian" janë hetuar disa herë nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare dhe në të gjitha rastet është konstatuar që deklarimet e tilla kanë qenë të pabazuara në fakte dhe të konstruktuara me qëllim të dëmtimit të imazhit të Kosovës dhe të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës".
Më tej në reagimin zyrtar të qeverisë së Kosovës thuhet se "është e papranueshme që shpifjet e një anëtari të Asamblesë Parlamentare të Këshilit të Evropës të paraqiten si opinione të vetë institucionit, i cili nuk ka të bëjë me raportin e cituar".


Ndërkohë qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi, do t'i ndërmarrin të gjithë hapat dhe veprimet e nevojshme për t'i kundërshtuar shpifjet e Dik Martit, duke përfshirë edhe rrugët ligjore dhe politike.


Qeveria e Kosovës u ka bërë gjithashtu thirrje të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që ta kundërshtojnë fuqishëm këtë raport shpifës dhe tendencioz dhe të mos rreshtohen në anën e atyre që me çdo kusht duan ta pengojnë stabilitetin, progresin dhe qeverisjen e mirë në Republikën e Kosovës


Gazeta londineze: Kryeministri i Kosovës, në krye të një grupi mafioz

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, qëndron në krye të një grupi mafioz shqiptar përgjegjës për kontrabandën e armëve, drogës dhe trafikut të organeve në të gjithë Europën Lindore, sipas një raporti të Këshillit të Europës mbi krimin e organizuar.
Britanikja "The Guardian" raporton se Hashim Thaçi është identifikuar si "bosi" i një rrjeti që ka filluar aktivitetin kriminal në prag të luftës në Kosovë në vitin 1999, ndërsa vetë Thaçi ka qëndruar "i fortë me qeverinë e tij që nga ai vit", - sipas gazetës prestigjioze londineze.
Raporti i hetimit citon burime nga FBI dhe shërbime të tjera inteligjence. Emra si Thaçi kanë pasur ndikim të fortë në dekadën e fundit dhe "kontroll të dhunshëm" të tregut të heroinës, shkruhet në raport.
Të tjerë afër Thaçit janë akuzuar për tregti të organeve njerëzore.
Më tej, në artikull shkruhet se një proces ligjor filloi dje në Prishtinë, ku po shqyrtohen raste të trafikut të organeve, të zbuluara nga policia në vitin 2008.
E përditshmja britanike shkruan se ky raport vjen në një periudhë vendimtare për Kosovën, e cila të dielën zhvilloi zgjedhjet e saj të parë që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008. Thaçi deklaroi fitoren në zgjedhjet dhe ka kërkuar për të formuar një koalicion me partitë e opozitës.

Emri i tij flet shumë, jo pak...
Hartuesi i raportit, Dick Marty, një investigues i të drejtave të njeriut, do të paraqesë këtë raport para diplomatëve europianë nga 47 shtete anëtare, në një takim në Paris këtë të enjte. Raporti i Marty tregon lidhjet e Thaçit me krimin e organizuar për më shumë se një dekadë, ku besnikët e "Grupit të Drenicës", - u bënë fraksioni dominant brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Raporti thotë se supremacia e grupit të tyre ndaj grupeve të tjera më të vogla guerile, u mundësoi atyre që në 1998 ta kishin të lehtë të merrnin nën kontroll organizatat e mëdha kriminale, në të cilat kosovarët kanë qenë të përfshirë në jug të kufirit, në Shqipëri.
Raporti vazhdon më tej dhe tregon se gjatë konfliktit në Kosovë trupat e Sllobodan Millosheviçit, i përgjigjeshin sulmeve nga ana e UÇK-së, duke orkestruar një fushatë të tmerrshme të spastrimit kundër shqiptarëve etnik në këtë territor. Vlerësohen më shumë se 10.000 të vrarë nga serbët


Ndërsa janë kritikuar krimet serbe, Marty thotë se bashkësia ndërkombëtare ka zgjedhur të injorojë krimet e dyshuara të luftës që kryheshin nga UÇK-ja, duke vendosur një çmim, për të arritur një farë stabiliteti në terma afatshkurtra me armikun.
Ai arrin në përfundimin se gjatë luftës në Kosovë dhe për thuajse një vit më pas, forcat e Thaçit, u hakmorën kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve, të cilët akuzoheshin se kishin bashkëpunuar me armikun.
Thaçi dhe katër anëtarë të tjerë të "Grupit të Drenicës" janë përmendur në raport, si realizues të vrasjeve, arrestimeve, rrahjeve dhe marrjes në pyetje. Kjo vijë e ashpër e UÇK-së ka mbajtur pushtetin në një periudhë të konsiderueshme në Kosovë gjatë gjithë dekadës së fundit, me mbështetjen e fuqive perëndimore të etur për të siguruar stabilitet në shtetin e ri.


Raporti paraqet një pamje të përgjithshme të komandantëve të ish - UÇK-së, dhe rolin vendimtar që ata kanë luajtur në veprimtarinë kriminale të rajonit në dekadën e fundit.
Ai thotë: "Në raportet konfidenciale që përfshijnë më shumë se një dekadë, agjencitë e përkushtuara për luftimin e kontrabandës e drogës në të paktën pesë vende e kanë quajtur Hashim Thaçin dhe anëtarët e tjerë të "Grupit të Drenicës" se kanë ushtruar kontrolle të dhunshme mbi tregtinë e heroinës dhe substancave të tjera narkotike.
Marty shton më tej se Thaçi dhe të tjerët e grupit të Drenicës janë quajtur vazhdimisht si "lojtarët kyç" në raportet e shërbimit të fshehtë për krimit e organizuar.
Hetimi i tij ishte porositur pas deklarimeve të ish prokurores së Hagës për krimet e luftës Carla del Ponte, se ajo ishte penguar për të hetuar zyrtarët e lartë të UÇK-së. Kërkesa më shokuese e saj , nëpërmjet së cilës ajo kërkonte hetim të mëtejshëm të UÇK-së, përfshinte kontrabandën e robërve serbë përtej kufirit në Shqipëri, ku u merreshin organet.
Raporti, thekson se ky nuk është një hetim penal, dhe nuk mund të shprehë gjykime për fajësi apo pafajësi, por i jep disi të drejtë pretendimeve të Carla del Pontes.
Ai thotë se UÇK-ja ka mbajtur shumë robër serbë nëpërmjet një rrjeti të fshehtë në gjashtë vende të paraburgimit në Shqipëri. Grupi i Thaçit i quajtur "Grupi i Drenicës" mban përgjegjësinë më të madhe për burgjet ad-hoc dhe fatin e atyre që janë mbajtur në to. Mendohet se të burgosurit janë transferuar në një burg të Tiranës, nga ku u janë marrë dhe veshkat e tyre, - sipas "The Guardian".


Marti në raport arrin në përfundimin se shenjat e një marrëveshjeje të fshehtë mes një klase kriminale dhe institucioneve dhe figurave të larta politike janë të shumta dhe serioze për t'u injoruar. "Kjo është një e drejtë themelore e qytetarëve të Kosovës për të ditur të vërtetën, dhe gjithashtu një kusht i domosdoshëm për bashkëjetesën mes komuniteteve për një të ardhme të begatë të vendit", - pohon Marty. Në qoftë se ndodh ashtu siç pritet që raporti të miratohet zyrtarisht nga Komisioni këtë javë, rezultatet do të shkojnë në asamblenë parlamentare vitin që vjen.

Linku ku është shkrimi
http://www.guardian.co.uk/world/2010/dec/14/kosovo-prime-minister-llike-mafia-boss 


Shekulli

Kush është Albin Kurti?

Albin Kurti, i lindur në Prishtinë më 24 mars 1975. Shkollën fillore dhe gjimnazin "Xhevdet Doda" i ka mbaruar në Prishtinë, kurse Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës.









Në verën e vitit 1997 u inkuadrua në Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP). Ka qenë edhe anëtar i Këshillit Organizativ të protestave paqësore dhe të padhunushme studentore për lirimin e objekteve universitare të uzurpuara me dhunë nga Serbia, që udhëhiqej prej regjimit të Milosheviçit. Mund të thuhet, se që prej atëherë, ka nisur veprimtaria tij politike.

Në gusht të vitit 1998 ka filluar punën në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçit, si sekretar i zyrës.  
Me 2 mars 1999 ka dhënë dorëheqje, meqë nuk është pajtuar me dokumentin e Rambujesë.
Gjatë bombardimeve të NATO-s ka qëndruar në Prishtinë.
Më 27 prill 1999 u arrestua nga policia serbe.
Me 10 qershor, me tërheqjen e forcave serbe në Serbi, së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë, është transferuar në burgjet serbe.
Më 13 mars 2000, në Nish, u dënua me 15 vjet burg nën akuzën e rrezikimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë.
Si rezultat i presionit ndërkombëtar dhe i përpjekjes së Koshtunicës (i cili asokohe ishte kryetar i RFJ-së) për ta ndrequr imazhin para ndërkombëtarëve në kontrast me Milosheviçit u lirua më 7 dhjetor 2001.
Në fakt, ka qenë në burg një vit e pesë muaj gjatë periudhës së Milosheviçit dhe një vit e dy muaj gjatë asaj të Koshtunicës. Prandaj, Albin Kurti shpesh herë u thotë gazetarëve të huaj, se Koshtuniça ishte për nja tre muaj më i mirë se Milosheviçi.
VETVENDOSJEN e themeloi për shume arsye pozitive, për popullatën dhe padrejtësitë, që po i bëheshin popullit kosovar të përvuajtur. Albini thotë, se kjo është dëshmi se Kosova nuk ka një qeverisje vetjake e sovrane, se . kjo është dëshmi se UNMIK-u vazhdon të sundojë në Kosovën, duke e bërë pavarësinë (e shpallur e të njohur) pa substancë, pa përmbajtje.
Zgjedhjet parakohshme, sapo të zhvilluara në Kosovë, edhe pse shënuan ndonjë incident të vogël (vlen të thuhet se edhe në demokracitë më të zhvilluara në Perëndim ka probleme të vogla) ato u vlerësuan pozitivisht edhe nga autoritetet ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian. Sipas këtij të fundit këto zgjedhje ishin të pranueshme dhe të punohet sa më shpejt për formimin e qeverisë së re.

Shikoni një video ku denoncohet hapur manipulimi i votave:
http://www.youtube.com/watch?v=l22kD9SbmoY


Nga këto zgjidhje mendoj, se para së gjithash, fitoi populli i Kosovës si dhe Albin Kurti. Fitoi populli i Kosovës, sepse kosovarët, pas një ëndrre shekullore, më në fund ia arritën ditës që të votojnë për shtetin e tyre. Gjithashtu, fitoi politika e Albin Kurtit, sepse hyri në politikë duke e shitur të vetmen shtëpi që kishte dhe nuk hyri në politikë për të blerë një shtëpi më shumë. Ashtu, siç kanë bërë rëndomtë shumë politikanë të ndryshëm në Ballkan. Mjafton të përmendim faktin më të fundit, se ish Kryeministri i Kroacisë u arrestua për korrupsion.
Akti i Albin Kurtit është një leksion për të gjithë politikanët e Ballkanit, të cilët me natyrën e tyre despotike kanë qeverisur duke abuzuar mbi interesat e qytetarëve. Edhe sot, në disa vende të Ballkanit, ka liderë që vazhdojnë të qeverisin me despotizëm, duke abuzuar mbi qytetarët e tyre.
Rasti i Albin Kurtit, ndoshta është i vetmi në rajon, sepse e filloi politikën nga poshtë dhe me punë, guxim, dashuri për vendin e qytetarët e tij, arriti të dal në zgjedhjet e fundit në vendin e tretë. Në fillim, ndoshta shumë njerëz menduan, se Albin Kurti është një person që humb kohën kot.
Kështu ndodh gjithmonë me njerëzit që janë përpara kohës. Ai është i tillë, ai është një lider i vërtetë, sepse jo vetëm vepron pasi ndodh diçka, por me intuitën e tij politike është një gjendje ta paraprijë para se të ndodh.  
Ai u tregoi të gjithë skeptikëve, se kur dikush ka ide për të bërë politikë dhe guxim për t'i realizuar, atëherë shpresa kthehet në realitet dhe ëndrra në konkretizim.
Albin Kurti ka deklaruar se nëse "Vetëvendosja" do të vij në pushtet, do të shfuqizojë pakon e Ahtisarit mbi bazën e së cilës Kosova shpalli Pavarësinë. Sipas tij, kushtetuta e Kosovës duhet të ndryshohet dhe të bëhet në pajtim me vullnetin e popullit, për t'i dhënë mundësi vendit që të ketë ushtrinë e tij dhe të bashkohet me Shqipërinë.
Gjithashtu, për vite me radhë në rolin e liderit të "Vetëvendosjes" i ka kundërshtuar institucionet e Kosovës. "Jo pse ato ishin institucione, por, sepse nuk ishin të Kosovës"-është shprehur ai.
Me zgjedhjet e fundit, Albin Kurti edhe pse nuk arriti të zër vendin e parë në zgjedhje, ai doli fitues, sepse për herë të parë mori pjesë në një garë politike dhe arriti të merrte vendin e tretë. Gjithashtu, me rezultatet paraprake që kanë dalë, duket qartë se partia e Thaçit edhe pse ka dalë e para për nga numri i votave, nuk i ka numrat për të qeverisur e vetme. Ajo, patjetër duhet të formoi koalicione me parti të tjera, që i kanë numrat e nevojshëm për krijimin e qeverisë.

Pra, Albin Kurti dhe "Vetëvendosja" duhet të hyjnë koalicion dhe do të kenë një rol mjaft të rëndësishëm në qeverinë e re, që do të krijohet. Për këtë arsye, Albin Kurti, do të ketë më në fund të gjitha kartat në dorë për të filluar nga zbatimi i të gjitha politikave, që i ka pasur në programin politik të lëvizjes së "Vendosjes".

Një ndër pikat e tij të forta është respektimi i vullnetit të popullit.
Ai, për shumë gjëra edhe pse ndoshta nuk e ka kopjuar, mendon dhe vepron sipas presidenti Willson. Të dy vlerësojnë vullnetin e një populli jo vetëm për të qenë demokratik, por edhe për të vendosur për fatin e tij. Tani kosovarët kanë shtetin e tyre të pavarur, dhe nëse vendosin me vullnetin e tyre të bashkohen edhe me Shqipëri, atëherë, le të ndodh një gjë e tillë, sepse pasqyron vullnetin e tyre.
Mendoj, se tani, pas zgjedhjeve Albin Kurti, i ka të gjitha kartat për të punuar që të realizoi të gjithë strategjitë e tij politike. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse, të bëhemi dëshmitar të kohës, nëse me të vërtetë do të arrij t'i bëj realitet. Një pjesë e madhe e kosovarëve i kanë besuar fatin e tyre, tani nuk mbetet gjë tjetër, veçse besimin e tyre Albin Kurti t'ua kthej në mbështetje, duke përfaqësuar vullnetin dhe zërin e tyre.


Gjithashtu, edhe politika që ai ka kundrejt Serbisë dhe serbëve mendoj se është krejtësisht i drejtë.
Ai thotë, se: "Serbia duhet t'i kërkoi falje Kosovës dhe popullit shqiptar për të gjitha krimet e kryera përgjatë shekullit të 20. Serbia duhet të dorëzoi kriminelët e luftës për gjykim, të paguaj dëmet e luftës". Vetëm pasi të ketë bërë këto Serbia, atëherë, ne mund të besojmë, se ajo ka ndryshuar dhe ndoshta plotëson kushtet për të hyrë në bisedime.


Tashmë, që Albin Kurti hyri në garën elektorale dhe doli forca e tretë, do të jetë një zë i fuqishëm në bisedimet që do të zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë.

Albini Kurti, do të jetë një risi jo vetëm për Kosovën, ku do të jap një kontribut të fuqishëm për demokratizimin dhe integrimin e saj në BE dhe NATO, por edhe për disa despotë ballkanas, që akoma me "pantallona nëpër këmbë", mundohen me çdo kusht e mjet ta mbajnë deri në vdekje pushtetin, pak rëndësi ka nëse është demokratik apo jo.
Dr. Alban Daçi, G. Shekulli

Ligji i ri nga MASH, asnjë simbol fetar në shkolla

Mbyllet me ligj beteja e famshme e shamive
Ministria e Arsimit dhe Shkencës vendos ti japë fund polemikave të herëpashershme për mbajtjen apo përdorimin e simboleve fetare në institucionet arsimore publike, të paktën në ato të arsimit parauniversitar.
Në projektligjin e ri për arsimin parauniversitar, Ministria e Arsimit parashikon qartë që asnjë nxënës nuk duhet të paraqitet në shkollë publike me simbole fetare.

Ky përcaktim kategorik në ligj, të paktën përsa i përket arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm, duket se do të sheshojë “betejën” mes fesë kryesisht myslimane dhe arsimit, të cilat janë përplasur jo pak herë gjatë këtyre viteve për nxënës apo nxënëse që kërkojnë të vishen me veshje të cilat ua kërkon besimi dhe feja në të cilën ata ose ato aderojnë.

Përplasje të tilla ku nxënësit me mjekër dhe nxënëset me shami apo ferexhe nuk janë lejuar të futen në mësim, ka pasur jo vetëm në Tiranë, por dhe në qytete të tjera si Burrel, Durrës etj. Vetëm gjatë 8 viteve të fundit ka pasur 5 raste kur nxënës janë përjashtuar nga shkolla ose nuk janë lejuar që të hyjnë në mësim për shkak të mjekrës dhe të ferexhesë. Në deklarata publike, Ministria e Arsimit ka qenë kategorike në vendimin për të mos lejuar asnjë nxënës që të hyjnë në ambiente arsimore publike me veshje të tilla, por në të gjitha rastet e kontestuara, nxënësit janë lejuar të rikthehen në shkollë vetëm pas reagimit të Komunitetit Mysliman dhe vendimeve të gjykatave, që gjithnjë kanë qenë në të drejtë të tyre. Problematika e ligjeve për arsimin publik të cilat në këtë pikë kanë pasur vend për diskutim, duket se deri më tani, të paktën për njërën palë ka gjetur zgjidhje nga Kushtetuta, e cila edhe pse është ligji themeltar i shtetit, duket se edhe ajo vetë nuk e qartëson konkretisht se deri ku arrijnë të drejtat dhe detyrimet për ushtrimin e fesë në institucionet arsimore publike.

Çfarë parashikon Kushtetuta?Kushtetua e Shqipërisë përcakton në nenin 24 të saj se liria e fesë është e garantuar dhe secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t'i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve. Gjithashtu, në këtë nen përcaktohet qartë se askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.

Ligji i vjetër i arsimit parauniversitarNë ligjin nr.7952, datë 21.06.1995 për sistemin arsimor parauniversitar, në nenin 5, specifikohet se Ministria e Arsimit dhe e Shkencës përgjigjet për realizimin e politikës shtetërore të arsimimit laik, të miratuar nga Këshilli i Ministrave.

Ndërsa në nenin 7 sanksionohet se arsimi parauniversitar publik ka karakter laik. Më tej thuhet se në institucionet arsimore publike ndalohet indoktrinimi ideologjik e fetar".

Ligji i ri për arsimin parauniversitar

Në nenin 36 të projektligjit për arsimin parauniversitar përcaktohet qartë se në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake dhe/ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre.
Gjithashtu, sipas këtij projektligji, në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve. Ndërkaq, ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake dhe/ose fetare ose në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të institucionit. Ndërsa risia e këtij ligji është ka të bëjë pikërisht me faktin se në ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare.
Kushtetuta

Neni 24
1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar.
2. Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t'i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.
3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.

Ligji i vjetër i arsimit parauniversitar
Neni 5
Ministria e Arsimit dhe Shkences përgjigjet për realizimin e politikës shtetërore të arsimimit laik, të miratuar nga Këshilli I Ministrave.
Neni 7
6.1. Arsimi parauniversitar publik ka karakter laik.
6.2. Në institucionet arsimore publike ndalohet indoktrinimi ideologjik e fetar.

Ligji i ri për arsimin parauniversitar
Neni 5
Laiciteti i arsimit parauniversitar
1. Arsimi parauniversitar publik ka karakter laik.
2. Në institucionet arsimore është i ndaluar indoktrinimi fetar.
Neni 36  
1. Në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake dhe/ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre.
2. Në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve.
3. Ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake dhe/ose fetare ose në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të institucionit.
4. Ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare.

G. Sot

Tuesday, December 14, 2010

Zbardhet skandali, Shqipëria baza e trafikut të armëve drejt Serbisë dhe Jemenit

Wikileaks: Ministria e Mbrojtjes i shiti Slobodan Tesiç 100 milionë dollarë armë dhe municione
Shqipëria rezulton të jetë e përfshirë thellë në një skandal tronditës të trafikut të armëve nga Serbia drejt Jemenit.
Një dokument i Ambasadave Amerikane në një nga vendet e Ballkanit, i cili disponohet nga Wikileaks, hedh dritë mbi trafikun e armëve në disa shtete përfshi edhe Shqipërinë. Dokumentet e Wikileaks flasin për shtetasin Slobodan Tesiç, emri i të cilit ndodhet në listëne zezë të Shteteve të Bashkuara, që drejtonte trafikun e armëve nga Serbia.

Ky emër, është i njohur edhe për autoritetet shqiptare, pasi Tesiç dhe kompania e tij ishin homologe të kompanisë shtetërore për importin dhe eksportin e armëve MEICO, ndërmarrje në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, e cila ka nënshkruar kontrata në emër të qeverisë shqiptare.
Një agjenci italiane publikon një shkresë, ku i kërkohet drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë në atë kohë, Albert Dervishit që të pajisë me vizë për hyrje në aeroportin e Rinasit shtetasin e huaj, Slobodan Tesiç i cili do të qëndronte nga data 11.04.2006 deri në datën 12.04.2006.
Ky shtetas do të vinte për bisedime me përfaqësues të firmës Melvale, në vijim të kontakteve që kishte MEICO me firma të huaja. Shtetasi Slobodan Tesiç mbante pasaportën me Nr. 004812551.

Bazuar në informacionet e shërbimeve sekrete bullgare, diplomatët amerikanë zbuluan se në datat 14 dhjetor 2009 dhe 15 janar 2010 një ngarkesë kontrabandë me armë që kapte vlerën e 95 milionë dollarëve erdhi në Shqipëri nga Serbia dhe përmes portit të Durrësit u nis drejt Jemenit dhe kaloi në një pjesë të itinerarit të saj tranzit nga porti i Durrësit. Marrëveshja u nënshkrua për kalimin e ngarkesës, me Qeverinë e Shqipërisë në tetor 2009, kurse municioni është eksportuar nga Serbia në janar 2010.
Sipas këtyre të dhënave, Shqipëria ka shërbyer si tranzit në trafikun e armëve nga Serbia në drejtim të Lindjes së Mesme. Në këto dokumente është përmendur edhe një partner i Tesiç, i quajtur edhe Messuri Sharenach Nenad, i cili gjithashtu ka gëzuar pasaportë si një qytetar britanik, por nuk ka licencë të lëshuar nga Qeveria britanike për tregtinë e armëve.
Për të vepruar si një ndërmjetës, Slobodan Tesiç krijoi kompaninë Melvale Corporation LTD, një kompani e regjistruar në disa vende, duke përfshirë edhe Beogradin, Zvicrën dhe Qipron për ti përdorur si ndërmjetëse në marrëveshjet e firmosur me shtetet që kalonte tranzit trafikimi i armëve. Në dokumentet amerikane ishte fshirë emri i kompanisë, por investigimi ishte në gjendje të identifikojë kompaninë dhe të sigurojë dokumentacion të gjerë mbi këtë shoqëri.

SHBA, luftë për frenimin e armëve

Po ashtu, emri i Slobodan Tesiç përmendet edhe në disa dokumente të tjera të publikuar nga Wikileaks, ku theksohet se kompania me bazë në Qipro është e lidhur me Slobodan Tesiç, një serb emri i të cilit ndodhet në listën e ndaluarve të Këshillit të Kombeve të Bashkuara të sigurisë së udhëtimit. Ky dokument bazohet në kabllogramin e ambasadës amerikane në Sana dhe i përket dhjetorit të vitit 2009. Ndërkaq materiali vijon me publikimin e fakteve që SHBA vijon luftën dhe betejën e saj për të frenuar rrjedhjen e armëve nga Evropa Lindore për grupet terroriste dhe regjimeve të paqëndrueshme në Lindjen e Mesme. Zyrtarët amerikanë janë përpjekur për të ndërhyrë në më shumë se një duzinë marrëveshjesh ndërkombëtare të armëve, në të cilat përfshihen vende si Ukraina, Bullgaria, Armenia dhe Kina për shitjen e armëve për konsumatorët në Iran, Irak, Jemen dhe në jug të Sudanit.
Në një marrëveshje të hollësishme në kabllogramet e fundit të vitit të kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Jemenit ka blerë 100 milionë dollarë armë, ku përfshihen edhe municion të rëndë artilerie, si pushkë snajper, armë anti-ajrore nga kompania e një tregtari serb i cili ishte i paligjshëm në shitjen e armëve.


G. Sot

Njëzet vjet jetë dhe tri luftëra

Dhe tash, kur aq shumë kemi pritur, vallë a kemi faj që “kemi shpirtin në fyt”?
A kemi faj që vuajmë nga ankthi?
Që kemi frikë se mund të ndodhë diçka?
Që kemi frikë të protestojmë, sepse i barazojmë me luftën? 

Sulmet e ushtrisë maqedonase mbi fshatrat shqiptare
Jo, jo, ne nuk kemi faj. Jemi studentë që mësuam “psikologjinë e turmës” në shkollë fillore

Ne ishim gjenerata e pritjes. Kaluam njëzet vjet jetë dhe përjetuam tri luftëra. Si shumë për një jetë njeriu.Jemi gjeneratë e pritjes. Rini me “shpirt në fyt”, me frymëmarrje atipike, me takikardi ose bradikardi.

Pse jemi gjaknxehtë për gjëra të pavlera? Pse presim në ankth? Pse një krismë e zakonshme barasvlerësohet me një luftë?

Jemi rritur nga prindër që flisnin për ikanakë nga Bosnja, për një luftë që mund të vinte padiktueshëm. Ishim të vegjël për të kuptuar gjëra të mëdhenjsh. Por, kemi ndjerë një dorë amnore, të dridhshme, teksa na ushqente. Kemi ndjerë frikë nëne, teksa zhvendoste shikimin nga dritarja në pritje të burrit, e frikësuar nga ndonjë martesë e befasishme me ndonjë vejushë fatkeqe boshnjake, burri i së cilës mund të kishte mbetur nën rrënoja lufte. Kemi dëgjuar gjyshen si përpiqej t’u mësonte ca fjalë shqipe të ardhurve nga larg, dhe kemi pyetur më naivitet fëmije: “Gjyshe, pse ajo nuk flet si ne?” Dhe, kemi marrë përgjigje: “Shpirti gjyshes, ajo nuk është nga këtu, jeton diku larg nesh dhe ti shpirt i vogël s’e kupton dot”.
Ushtarët e UÇK-së
S’e kemi kuptuar çka ishte lufta, por e kemi ditur çka ishte frika. E kemi parë në sytë e mamasë dhe babait, nuk fshihej dot. Ne menduam se u rritëm, por sërish kemi parë të njëjtën hije frike në sy nënash e baballarësh. Dhe sërish qemë të vegjël për të kuptuar.E tash? Ikën tetot që nuk dinin shqipen? Nejse, disa mbetën, por shumica shkuan? – kemi bërë këtë pyetje me kureshtje fëmije dhe na është sugjeruar të shkonim në dhomat tona, teksa prindërit ngujoheshin pranë ekraneve TV për të ndjekur edicionet qendrore informative.
Dhe, mund të jemi fshehur e të kemi dëgjuar lajme, siç kam bërë dhe unë. “Babi, a nuk është folësja e lajmeve të RTP-së?”“Po”   “E ç’bën në TVSH”? “Në Kosovë ka luftë”.“Konflikt”, “konflikt”. Një fjalë e shumëfishuar. Mësuesja na kishte thënë se ka konflikt kur dy palë nuk shkojnë mirë. Hmmm!
Me kënd nuk shkonin mirë këto njerëz që vinin nga Kosova?

Ne ishim të vegjël që të na sqaronin, por ishim aq të mëdhenj që të kuptonim se rregulli qe prishur.Unë bëra një shoqe nga Prishtina, që dëgjonte lajme, sepse babanë e kish në luftë. Pastaj ngujohesha pranë ekranit se mos dëgjoja diç për babain e saj. Dhe, pastaj një kujë gjysheje nga Kosova: “Është djali im!” “Do Zoti, ai është dëshmor”. Nga përgjigja e së ëmës e dija se dikush kishte vdekur. Në Kosovë vriteshin njerëz dhe dëboheshin nga shtëpia, njëjtë sikur mua dhe prindërit të na dëbonin. Sa kohë kaloi duke dëgjuar fshehtas biseda xhaxhallarësh, që thoshin: “Ndoshta pas tri ditësh”, “Ndoshta pas një jave” do të përfundoj gjithçka...
Dhe erdhi ajo ditë. Më iku shoqja. Unë qaja, kurse e ëma më thoshte se duhej të gëzohesha se ajo kthehej në shtëpinë e saj. Kur isha në klasë të shtatë, papritur rinisën krismat. Dhe, sugjerimet e prindërve për lëvizje të kujdesshme.Tash e dija çka është lufta, por lutesha të mos vinte tek ne. Pastaj lutje për shpëtimin tonë.  
Të strukur në bodrum nuk dinim shumë gjëra, por e dinim se drita duhej fikur, se nuk duhej lëvizur pa një lajmërim. Aty mësuam fjalë të reja: “granatë”, “kallash”, “bunker”, ‘plumb qorr”.
S’dija ç’ishte plumbi që kërcet dy herë, derisa nuk më plasi pas shpine, sapo hoqa këmbën. Ra aty ku kisha lënë gjurmë. S’e dinim çka ishte “punkt policor”, “orë policore”, por e mësuam. Pas disa muajsh mësuam edhe për “armëpushimin”. “Baba, përse s’kërcasin plumbat, a u harxhuan plumbat aaa ???!!!
Kuptova se kishte ardhur një xhaxha që e quanin Solana dhe qenkan marrë vesh që të mos ketë luftë. Uraaa! Sa mirë, do shkonim në shkollë në shtator. Por ne sërish fshehtas kishim mësuar në shkollë, se do të mësonin edhe për Skënderbeun dhe jo vetëm për Dame Gruevin. Do të mësonim ABC pastaj ABV. Më nuk do t’i thoshin ndonjë xhaxhai në komunë që emrat Vlora, Donika, Arbër, Shkodran t’i zëvendësonin me emra të tjerë. Ne kishim dëgjuar se lufta ishte bërë për të drejta. Ne pritnim të ndryshonin shumë gjëra.
Ne të shkretët ishim gjenerata e pritjeve: që pritëm tetot që nuk flisnin shqip, që pritëm shoqet që s’dallonin gj dhe xh (sa qeshnim me ato), kurse tash prisnim të ndryshonin shumë gjëra.  
Dhe, tash kur aq shumë kemi pritur, vallë a kemi faj që “kemi shpirtin në fyt”? A kemi faj që vuajmë nga ankthi? Që kemi frikë se mund të ndodhë diçka? Që kemi frikë të protestojmë, sepse i barazojmë me luftën? Jo, jo, ne nuk kemi faj. Jemi studentë që mësuam “psikologjinë e turmës” në shkollë fillore. Atëherë e dinim si do të reagonin xhaxhallarët e tetot tona, kurse tash duam të mësojmë çka është elitë.
A mund të jenë pjesa e saj disa nga ne? Apo do bëhemi pjesë e turmës dhe do analizojmë psikologjinë tonë nga brenda? Sa mund të analizohet një situatë derisa je brenda saj?
Më mirë të mos e them... Që të mos i dëshpëroj edhe më shumë bashkëmoshatarët e mi. Dhe, të presim ende, të paktën ndoshta rrezikon ndonjëri... ehhh ku i dihet, pra...


Elmedina SHAFI, Koha e Re

Punoj për një histori pa falsifikime

Sapo promovuat librin “Çështja shqiptare nga këndvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro-Hungarisë 1699-1918”. Na flisni diçka më shumë rreth përmbajtjes së tij.
Heroina franceze e shek XV-të, e provuar botërisht si një falsifikim i ndyrë

Shën Zhoan falsifikim http://www.dailygalaxy.com/my_weblog/2007/04/joan_of_arc_rel.html
Prof. Zenelaj: Libri “Çështja shqiptare nga këndvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro-Hungarisë 1699-1918”, libër i cili përfshin një periudhë mjaft të gjatë që nga viti 1699-1918. Është fjala për të drejtën e kultprotektoratit ndaj shqiptarëve dhe të Shqipërisë që lind që me traktatin e Karlovcit, në vitin 1699 në nenin 13 të tij me të cilin traktat Austria e fiton të drejtën e kultprotektoratit mbi të krishterët në Perandorinë Osmane e që shqiptarët atëherë ishin me shumicë të krishterë. Kjo e drejtë u vërtetua pastaj me luftërat dhe fitoret tjera të Austrisë ndaj Perandorisë Osmane qoftë me Traktatit e Sistoves, Beogradit etj. Dhe jo rastësisht më 1913 ishte Austro–Hungaria ajo që sponsorizoi dhe mbështeti fuqishëm themelimin e një shteti të pavarur në Ballkan në Konferencën e Ambasadorëve, gjë që ky shtet shqiptar i vitit 1913 në të gjitha dokumentet gjermanofone edhe quhet si:”Shteti fëmijë i Austro-Hungarisë”.
E veçanta kryesore në këtë periudhë dhe kaq të gjatë, është se për ta botuar këtë libër janë shpenzuar gjithsej 6 vjet kohë, si dhe janë shfrytëzuar dhe hulumtuar gjithsej 14 arkivat më kryesore në Evropë, që ka libri rreth 200 deri në 300 dokumente kryesore autentike të vjetra, materiale, skica, faksimile, traktate, memorandume etj.

“Bota sot”: Në përgjithësi veprat tuaja trajtojnë historinë, por që këto nuk përdoren në tekstet shkollore. Ju e shihni si mangësi këtë dukuri?
Prof. Zenelaj: Duhet të theksoj se në vitin 1956-57 kur ishte koha e Aleksandër Rankoviçit e deri në hapjen e Universitetit të Kosovës, po të gjendej një abetare në një familje shqiptare në Kosovë, ai person do të dënohej si armik i shtetit jugosllav dhe do dënohej si për një armë pa leje. Në Kosovë ka vepruar ish-sistemi jugosllav shtypës, ndërsa në Shqipëri ka ekzistuar diktatura komuniste, ndër më të ashprat në Evropë, andaj shqiptarët që shkolloheshin në Perëndim nga shteti komunist trajtoheshin dhe quheshin si të infektuar me ideologjinë mikroborgjeze ose spiunë të Perëndimit. Andaj në historinë tonë kombëtare të vërtetën e origjinës dhe të autoktonisë sonë si iliro-pellazge e zbuluan pikërisht që nga shek.15 gjermanofolësit duke filluar nga Lajbnitzi e deri Georg von Hahn më 1856. Por duhet theksuar se të gjithë arkivat e botës edhe sot e kësaj dite i mbajnë ato të vërteta arkivore mbi historinë e një populli autokton, e një populli pasardhës të iliro-pellazgëve, pra të Shqipërisë dhe të shqiptareve.

E pikërisht kjo është ajo që më ka shtyrë që të përkushtohem me mision shkencor dhe historik duke kaluar edhe pasion timin. Unë kam gjatë punimeve të mia dhe publikimit të tyre si edhe të këtij libri vazhdimisht kam përdorur gjithmonë dhe do përdor vetëm burime të vjetra e autentike arkivore të arkivave të vjetër perëndimorë. Sepse për mua historia e mesjetës lidhur me shqiptarët dhe trojet e tyre akoma përshkruhet me të meta, dobësi dhe me falsifikime, pra kjo histori mund të shpjegohet edhe më mirë e më qartë dhe të debatohet.
“Bota sot”: Sa e vështirë ishte qasja e juaj ndaj këtyre arkivave botërorë dhe ku u përqendruat konkretisht?
 Prof. Zenelaj: Në fillim, natyrisht, që kam hasur në vështirësi, sepse më është dashur të mësoj gjuhën gjermane dhe disa gjuhë të tjera dhe të mësohet mënyra profesionale e qasjes në këta arkiva, kërkohet edhe licencimi, pastaj të mësohet edhe kaligrafia. Unë kam frekuentuar deri sivjet gjithsej 14 arkiva të vjetër, ndërsa këtë vit isha 35 ditë edhe në Arkivin e Londrës që përbën tani arkivin e 15-të.

Libri që është promovua para ca ditësh, është publikimi i dytë imi gjatë hulumtimit 14-vjeçar, ndërsa në vazhdim kam edhe dy libra të tjerë në dorëshkrim. Njëri nder ta quhet: “Gjenerali shqiptar i Dinastisë së Habsburgëve” në kohen e Rudolfit II-Gjergj Dhimitër Bashta”, i cili ka qenë një kryestrateg i Evropës, janë shkruar 15 libra për të, ishte edhe guvernator i Hungarisë(Siebengürgen) dhe Rumanisë (Vllahise), i cili edhe ka folur shqip.





Projekti i fundit imi që është bërë në këta 14 vjet është “Gjenealogjia e familjes Vlora” që nga Sinan Pashë Shqiptari e deri te Babai i Pavarësisë së Shqipërisë (1912) Ismail Bej Vlora, në të cilin do të jem bashkautor me pinjollin e familjes Vlora dhe stërnipin e Ismail Qemalit, z.Darling Ismail Vlora.
Intervistoi: Bruna Merko Intervistë me prof. Eqrem Zenelajn “Bota sot”:

Zhvillimi i luftës italo-greke i vjeshtës së vitit 1940 në kufirin Shqipëri-Greqi

Përgatitja e pushtimit të Greqisë nga ana e Italisë fashiste
Në dritën e sukseseve të Hitlerit në rajone të tjera Mussolini formoi edhe më tej bindjen se lavdia perandorake italiane kërkonte ndërhyrje në Ballkan. Roli i Cianos, ashtu si për pushtimin e Shqipërisë, duket se ka qenë vendimtar për këtë.
Mirëpo, ndonëse veprimi në Ballkan përputhej me ambiciet e përgjithshme të Duçes, përcaktimi i kohës dhe drejtimi i sulmit të tij mbetej i vagullt. Duket se vetë Musolini e kishte shumë të vështirë të merrte vendime dhe Ciano ka ndikuar së tepërmi që ai të merrte vendime fatkeqe.

Aty nga prilli 1940, duket se Ciano filloi të mendonte seriozisht për një sulm ndaj Greqisë. Nisur nga konsiderata politike, veçanërisht nën trysninë gjermane, Ciano vendosi se Kosova dhe Jugosllavia duhej të prisnin ende. Ngjarjet u zhvilluan në mënyrë të ngjashme si edhe në rastin e pushtimit të Shqipërisë. Pa pritur ndonjë fjalë prej Mussolinit, Ciano nisi të mblidhte informacione, duke hedhur bazat e nevojshme dhe duke krijuar skenarët e ndryshëm të mundshëm. Gjatë vizitës së tij në Tiranë në maj të vitit 1940, Ciano përfitoi nga rasti për të pyetur gjeneralin që komandonte forcat italiane në Shqipëri, gjeneral Carlo Geloso, se sa trupa do të duheshin për të pushtuar Greqinë. Geloso, i cili vlerësonte se kjo gjë do të kërkonte dhjetë ose njëmbëdhjetë divizione dhe shfaqte pak entuziazëm rreth një projekti të tillë, u largua menjëherë nga detyra dhe u zëvendësua me Sebastiano Visconti Prascan, i cili nuk do ta bënte të njëjtin gabim. Visconti Prasca tregoi një emtuziazëm pa kufi për këtë projekt dhe nuk e vrau shumë mendjen për të mbledhur ushtrinë e nevojshme për realizimin e tij.
Besimi i Cianos u shtua edhe më kur Jacomoni i raportoi rreth shpirtit tejet luftarak të milicisë fashiste shqiptare si dhe rreth dëshirës së saj të paduruar për zgjerimin e Shqipërisë dhe të perandorisë italiane.
Por i gjithë ky raport nuk shkoi më tej sesa kaq për momentin, pasi Mussolini ishte natyrisht më i preokupuar prej shpalljes së luftës Aleatëve si dhe lëkundjeve të tij të zakonshme se ku duhej të godiste më parë. Ndërkaq entuziazmi i Cianos u dhjetëfishua kur i ra në dorë një mesazh grek i kapur nga italianët, në të cilin gjenerali Metaxa, njeriu i fortë i Greqisë, bënte fjalë për “sjelljen brutale dhe harbute” të Cianos.
Më 10 gusht, Ciano i paraqiti Duçes versionin italian të vrasjes së patriotit shqiptar nga Çamëria Daut Hoxha dhe të nesërmen Mussolini kërkoi të dhëna rreth Çamërisë si dhe i dha urdhër agjencisë italiane të lajmeve “Stefani” të niste transmetime agjitative për këtë çështje.
Brenda ditës shtypi italo-shqiptar botoi artikuj të pafund me tituj me shkronja të mëdha, që kritikonin ashpër shtypjen greke mbi popullin e Çamërisë.
Më 12 gusht 1940 Mussolini i deklaroi Cianos, Jacomonit dhe Prascas se kur Korfuzi dhe Çamëria të mos i dorëzoheshin Italisë pa luftim “Italia do të kapërcente pragun”. Lufta u afrua edhe një hap më shumë kur një nëndetëse italiane fundosi kryqëzorin e vjetër grek “Helli” në ujërat greke, në datën 15 gusht. Edhe pse kundërshtimet gjermane e patën bindur përkohësisht Mussolinin të pezullonte planet e pushtimit të Greqisë, aksioni gjerman në Rumani e nxiti atë të hidhej menjëherë në veprim. Kur, më 12 tetor 1940, trupat gjermane hynë në Rumani, Mussolini u bë si i tërbuar dhe i deklaroi Cianos se “Hitleri më vë gjithnjë përpara faktit të kryer. Kësaj radhe kam vendosur ta paguaj me të njëjtën monedhë. Ka për ta marrë vesh prej gazetave se unë kam pushtuar Greqinë.”

Lajmet nga Shqipëria ishin të gjitha pozitive. Jacomoni njoftonte se shqiptarët e Çamërisë i përkrahnin italianët dhe po gatiteshin t’i ndihmonin ata.
Jacomoni shkoi deri aty sa të deklaronte se të gjithë patriotët dhe trupat shqiptare po digjeshin nga dëshira për të çliruar Epirin njëherë e përgjithmonë.
Me gjithë këto raporte të shkëlqyera, të cilave u shtohej edhe zemërimi ndaj gjermanëve, më datën 13 tetor Mussolini caktoi 26 tetorin si datën e fillimit të pushtimit. Ndonëse ky veprim përbënte një gjë të re- në të kaluarën ai kishte vetëm direktiva- më 15 tetor Mussolini mblodhi këshillin e luftës për t’ishpallur vendimin e tij si dhe për të dëgjuar raportet e drejtpërdrejta prej ministrave dhe gjeneralëve. Ishin të pranishëm Ciano, Visconti Prasca, Jacomoni, Badoglio dhe gjeneral Mario Roatta, zëvendësshef i shtatmadhërisë italiane. Binte dukshëm në sy mungesa e përfaqësuesve të forcave detare dhe ajrore. Nga pikëpamja ushtarake Mussolini mori sigurinë se gjithçka ishe gati. Visconti Prasca njoftoi se ai e kishte përgatitur operacionin ushtarak të pushtimit në detajet më të vogla, me një përsosmëri që s’kishte se ku të vinte më, si dhe e njoftoi Mussolinin në konfidencë se grekët nuk mund të mobilizonin një ushtri më të madhe se 30.000 vetë (faktikisht kjo forcë rezultoi të ishte dhjetë herë më e lartë), forcë kjo që do të goditej dhe do të asgjësohej me disa veprime shumë të shpejta luftarake nga italianët.
Më 22 tetor,Ciano përgatiti një ultimatum që do t’i paraqitej Metaxasë. Ultimatumi në fjalë i ngjante ultimatumit që ai i kishte përgatitur edhe Mbretit Zog një vit më parë dhe në të nuk i lihej rrugëdalje tjetër Greqisë, ose pushtim ose luftë.
Greqisë i kërkohej të pranonte menjëherë pushtimin italian të disa bazave strategjike. Por kryeministri grek, Metaxaja, pa u këshilluar aspak me qeverinë e tij, dha menjëherë përgjigjen e tij të famshme “jo”. Në këto kushte mbetej vetëm fillimi i luftës...

Sulmi i ushtrisë italiane për pushtimin e Greqisë
Më 28 tetor, me tetë divizione - rreth 140.000 vetë - nën një shi të furishëm italianët shkelën Greqinë gjatë një fronti të gjatë rreth 200 km. Operacioni i këtij sulmi të parë ushtarak ishte tepër i çorganizuar, pa pika të qarta mbi atë se cilat pika të rëndësishme do të pushtoheshin, pa kurrfarë përpjekjeje për të pushtuar Korfuzin ose për të bombarduar pikat jetike të veprimtarisë ushtarake dhe administrative të Greqisë.
Megjithatë, në veprimet luftarake në bregdet italianët arritën një sukses të konsiderueshëm, duke depërtuar më 9 nëntor deri në 15 km në territorin grek. Por në qendër, përparimi i Visconti Prasca u frenua shumë shpejt. Forcat italiane që morën pjesë në këtë sulm ishin të përgatitura me nxitim, të stërvitura keq dhe të drejtuara prej oficerësh jokompetentë e me mendjen tek hierarkia. Ciano, duke e ndjerë veten keq, mbërriti në Tiranë me avion për t’u dhënë zemër gjeneralëve italianë. Frika e tij u fashit disi përkohësisht si rrjedhojë e optimizmit të vazhdueshëm të Visconti Prascas, i cili raportonte se pavarësisht prej vështirësive, trupat e tij po qëndronin mirë, madje edhe batalionet e milicisë këmishëzezë shqiptare kishin moral të lartë.
Në të vërtetë, gjendja luftarake e trupave italiane u keqësua shumë shpejt. Më 6 nëntor Ciano pranoi se iniciativa kishte kaluar në kampin e grekëve. Grekët kishin kundërsulmuar në frontin e Maqedonisë perëndimore, duke u shkaktuar disfatë pjesës më të mirë të trupave italo-shqiptare, konkretisht batalionit prej një mijë vetësh “Tomori”.
Badoglio dha urdhër që të dërgoheshin përforcime, por më kot. Beteja e Meçovës, e zhvilluar më 11 nëntor, shërbeu si model për të gjitha fitoret e tjera të njëpasnjëshme greke. Një ngjarje e veçantë që e meriton të nënvizohet për pasojat e saj negative që pati mbi popullatën shqiptare të Çamërisë në atë kohë dhe sidomos në vitet e mëvonshme ishte shpallja me dekret mbretëror në dt. 10 nëntor 1940 e ligjit 2636 për gjendjen e luftës me Italinë dhe Shqipërinë.
Ky ligj i sekuestroi pronat rreth 800 familje shqiptare të Çamërisë, duke i mbajtur në sekuestro konservative për 6 dekada me radhë, nën pretekstin qesharak se ata gjoja ishin bashkëpunëtorë të pushtuesve...
Më 14 nëntor, gjenerali Aleksandror Papagos, shef i shtatmadhorisë së ushtrisë greke, nisi kundërofensivën me një numër forcash disi më të mëdha sesa forcat italiane. Trupat e tij, të pajisura më mirë, të furnizuara më mirë si dhe të motivuara më mirë, jo vetëm që i detyruan italianët që të tërhiqeshin nga territori grek, por shumë shpejt vunë nën kontroll një pjesë të mirë të territorit shqiptar.
Korça, qyteti i tretë i Shqipërisë për nga madhësia, ra në duart e grekëve më 22 nëntor, gjë që përbënte një goditje të rëndë për prestigjin italian si dhe një ngritje të rëndësishme të moralit në radhët e ushtrisë greke. Vetëm në këtë betejë italianët patën 2000 robër, 35 topa që ranë në duatë e grekëve si dhe 600 mitraloza. Visconti Prasca, i cili fajësonte gjithkënd me përjashtim të vetes, u zëvendësua në detyrë, ndërsa Badoglio dha dorëheqjen, por pavarësisht prej këtyre lëvizjeve disfatat e italianëve ndoqën njëra-tjetrën.
Në dhjetor grekët morën Gjirokastrën,Pogradecin, Sarandën, si dhe gati 25% të territorit shqiptar. Udhëheqja italiane u kaplua nga paniku. Gjenerali Ubaldo Soddu, i cili pati zëvendësuar Visconti Prascan në detyrë, arriti në përfundimin se ky operacion ushtarak ishte i pamundur dhe se gjendja e krijuar mund të trajtohej përmes një ndërhyrjeje politike. Ciano në ditarin e tij citon Mussolinin, i cili në kulmin e poshtërimit pranoi se: “Nuk mbetet gjë tjetër për të bërë. Është groteske dhe absurde, por është fakt. Duhet të kërkojmë një armëpushim nëpërmjet Hitlerit”.
Duçja i shpëtoi poshtërimit të mëtejshëm vetëm falë motit, i cili e pengoi ofensivën greke duke e paralizuar thuajse krejt. Nga fundi i muajit dhjetor, Soddu u zëvendësua për paaftësi të përgjithshme, dhe më pas Mussolini zbuloi se ai i kalonte orët e mbrëmjes duke kompozuar muzikë filmash. Me qëllim që të rikthente moralin e humbur, në janar 1941 Mussolini u dha urdhër ministrave, zyrtarëve të lartë të Partisë dhe anëtarëve të Dhomës së Fashove dhe Korporatave që të gjithë ata që ishin nën moshën dyzet e pesë vjeç të shkonin në front në Shqipëri.
Elita fashiste, e hutuar dhe e zemëruar nga ky urdhër, u dërgua në këtë mënyrë që të luftonte në baltën, shiun dhe dëborën e maleve të Shqipërisë pa shërbyes dhe pa valixhe.
Më në fund, më 9 mars italianët, në praninë e vetë Mussolinit, nisën një kundërofensivë të fuqishme, me pjesëmarrjen e njëzet e tetë divizioneve me rreth 300.000 ushtarë, gati një e treta e krejt ushtrisë italiane.
Me gjithë epërsinë në numër e me organizim më të mirë, kjo ofensivë nuk solli ndonjë rezultat të ndjeshëm, ndaj u dha urdhri që ajo të ndalej pas pesë ditësh. Qysh prej atij çasti morali luftarak i trupave italiane u dëmtua në mënyrë të pandreqshme dhe Mussolini tashmë i ktheu sytë nga gjermanët për shpëtimin e tij. Humbjet e italianëve ishin mjaft të mëdha, 14.000 të vrarë, mbi 25.000 të humbur dhe mbi të gjitha 12.000 vetë të tjerë të ngrirë dhe gjymtuar prej acarit të dimrit.
Faji për këtë disfatë u shpërnda gjerësisht mbi të gjithë. Zenone Benini dhe Mussolini në bisedat e tij me Hitlerin ua hodhi fajin shqiptarëve.
Në të vërtetë, pavarësisht prej shpresave të mëdha të pabaza që ushqente Ciano, Jacomoni dhe Visconti Prasca, shqiptarët shfaqën një mungesë të theksuar entuziazmi qoftë për italianët qoftë për grekët.  
Forcat e armatosura shqiptare luajtën një rol fare të vogël në mbështetje të italianëve.
Mussolini pretendonte në deklaratat e tij se divizioneve italiane që pushtuan Greqinë fillimisht u ishin atashuar secilit nga dy batalione shqiptare. Ndonëse një gjë e tillë është e ekzagjeruar, të paktën dy batalione të milicisë fashiste shqiptare, “Tomori” dhe “Taraboshi”, morën pjesë në operacionet ushtarake që u zhvilluan kundër grekëve në rajonin e Korçës.
Mussolini shënonte më vonë se gjatë marsit 1941 ishin vrarë në luftime pesëdhjetë e nëntë shqiptarë dhe ishin plagosur shtatëdhjetë e tetë. Bashkëpunimi i rastësishëm i shqiptarëve me italianët ishte edhe ky mjaft i kufizuar. Megjithatë shumat e mëdha që Jacomoni shpenzoi për qëllime politike, rezultati ishte larg atij që pritej. Vërtet pati disa sabotime, veçanërisht në ndërprerjen e linjave telefonike dhe shërbimit telegrafik ushtarak grek, të kryera nga agjentë shqiptarë të paguar nga italianët, por kjo veprimtari nuk mundi të shkojë më tepër se kaq .
Gjithashtu pavarësisht prej pretendimeve të historiografisë socialiste shqiptare, e cila e vë theksin tek ndihma e madhe e popullit shqiptar për atë grek gjatë kësaj lufte, e vërteta është se shqiptarët i ndihmuan fare pak grekët gjatë kësaj lufte. Shumica e atyre veprimeve divesioniste në prapavijat e ushtrisë italiane si prerja e kabllove telefonike, rrëmbime municionesh, dhënie informatash për ushtrinë greke, etj u kryen kryesisht prej pakicës greke në jug të vendit, e cila e priti ngrohtësisht mbërritjen e trupave greke ne jug të vendit, mbështetja e pakët që shqiptarët treguan ndaj grekëve mund të kuptohet lehtësisht nga një numër qëndrimesh politike të mbajtura nga ana e qeverisë greke, të cilat ishin në vazhdën e qëndrimeve të njohura konfliktuale me shqiptarët.

Menjëherë sapo grekët kishin filluar t’i zmbrapsnin italianët drejt territorit shqiptar, gjenerali Metaxa shpalli se forcat greke po luftonin për çlirimin e Shqipërisë, por ai nuk tha asgjë për pavarësinë e Shqipërisë.
Ambasadori britanik në Athinë raportonte në Londër se “Ata (qeveria greke) nuk kanë deklaruar kurrë me saktësi se çfarë kanë ndër mend, por unë jam thuajse i bindur se i kanë drejtuar sytë nga Epiri i Veriut. Nuk e di se çfarë vije kufitare kanë ndër mend të përcaktojnë saktësisht...” Gjithashtu BBC, në një transmetim në gjuhën shqipe ditën e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1940, thoshte se “grekët nuk po kërkojnë ekspansion në kurrizin tonë ose të dikujt tjetër”.
Pearson Dixon, shef i seksionit shqiptar në Departamentin e Evropës Jugore në Foreign Office, i tërbuar nga inati u shpreh se BBC-ja duhej të tregohej vigjilente ndaj propagandës së vendeve të Boshtit. Frika u shtua edhe me tej kur grekët krijuan në Korçë një këshill bashkiak në përbërje të të cilit kishte njëmbëdhjetë grekë dhe katër shqiptarë.
Gjithashtu grekët nuk i pranuan ofertat e ndryshme të shqiptarëve për ndihmë dhe bashkëpunim. Nga ana tjetër italianët, përveç akuzimit të shqiptarëve si fajtorë për humbjet e tyre, ia hidhnin fajin gjithashtu edhe njëri-tjetrit. Mussolini akuzonte si këshilltarët e tij politikë ashtu edhe ata ushtarakë dhe natyrisht kishte të drejtë, por në fund të fundit ai i kishte zgjedhur vetë këshilltarët të paaftë. Për Visconti Prascan, Mussolini arriti në përfundimin e mëposhtëm: “Çdo njeri e bën gabimin e tij fatal në jetë; gabimi im fatal është se dërgova Visconti Prascan... Materiali njerëzor me të cilin unë jam i detyruar të punoj, është i papërdorshëm, i pavlefshëm”.

Nën goditje u vendos gjithashtu edhe Ciano, duke u akuzuar se kishte përhapur dezinformim, aq sa mund të mendohet se Ciano do ta kishte humbur pozitën e tij nëse trupat italiane do të ishin flakur në det.  
Një nga shkaqet kryesorë të humbjeve që pësoi ushtria italiane ishte edhe mospërgatitja.
Mund të duket e pabesueshme, por dy javë para pushtimit Mussolini, pa u këshilluar fare me komandantin e shtatmadhorisë, urdhëroi një çmobilizim në shkallë të gjerë, duke dërguar rreth 600 000 ushtarë të stërvitur, ose gjysmën e ushtrisë në shtëpi. Ky proces do të vazhdonte deri në nëntor, kështu që të gjithë ata që morën pjesë në sulm ishin të sapo thirrur nën armë dhe krejtësisht të pastërvitur. Ndërkohë Badoglio i pranoi të metat e ushtrisë dhe vlerësimi që i bëri ai problemit ishte në thelb i drejtë, sido që nuk i doli ballazi Mussolinit. Ciano citon fjalët e tij vetëm pak kohë para dhënies së dorëheqjes: “Nuk ka dyshim se Jacomoni dhe Prasca kanë një pjesë të madhe përgjegjësie në çështjen shqiptare, por faji i vërtetë duhet kërkuar gjetiu. Ai gjendet krejtësisht te komandimi i Duçes”.
Ndërkaq, gjermanët e shihnin disfatën italiane në Shqipëri me acarim dhe alarm, pjesërisht, ndoshta, sepse ata mund të kishin qenë në gjendje ta ndalonin atë. Nga Tirana, përfaqësuesi gjerman Pannwitzi njoftonte me telegram se shpresat e italiane që shqiptarët t’i ndihmonin ishin kryesisht pa bazë dhe të paqena. Gjenerali Enno von Rinteln, atasheu ushtarak gjerman në Itali, i cili i ra kryq e tërthor Shqipërisë në fund të nëntorit 1940, shtoi shkaqe të tjera rreth dështimit italian. Në raportin e tij ai përfundonte se italianët ishin krejtësisht të papërgatitur për këtë sulm. Ai nënvizonte problemin e transportit për të cilin nuk shihte ndonjë zgjidhje të shpejtë. Ai komentonte se furnizimi me municione dhe ushqime i frontit ishte i pamjaftueshëm, ku një nga arsyet mund të ishte edhe korrupsioni në prapavija... Pas kërkimit të ndihmës, gjermanët u përpoqën t’i dilnin të keqes përpara si ushtarakisht ashtu edhe diplomatikisht. Deri në 9 dhjetor, 50 aeroplanë Junker 52S u transferuan në Romë dhe kryenin fluturimet nga Foggia në Shqipëri.

Njëkohësisht, gjermanët panë edhe mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike në formën e një paqeje të posaçme vetëm mes Italisë dhe Greqisë, ku parashikohej që Greqisë t’i jepeshin disa territore shqiptare. Por pas puçit të organizuar në 27 mars në Jugosllavi dhe rrëzimit të regjentit, princit Pavël nga froni, të gjitha planet e gjermanëve ndryshuan tërësisht.  
Më në fund, italianët u shpëtuan nga gjermanët në prill të vitit 1941 nëpërmjet sulmit të armatosur gjerman dhe disfatës së shpejtë të Jugosllavisë dhe Greqisë. Grekët përballë sulmit gjerman pësuan disfatë të menjëhershme, u dorëzuan dhe kështu Greqia u pushtua nga trupat gjermane dhe ato italiane.


Petrit Kaziu, G. Standart