Showing posts with label Ese. Show all posts
Showing posts with label Ese. Show all posts

Monday, December 17, 2012

Ju të rriturit ta shpifni

Janë bërë gjithmonë e më të shpeshtë zërat cinikë e thirrjet tallëse të të rriturve që thonë se Babagjyshi i Vitit të Ri nuk ekziston vërtetë, por qenka një sajesë.

Pikërisht këtu merr shkas hartimi im, në emër të gjithë bashkëmoshatarëve të mi anembanë botës, të lënduar keqazi prej këtyre sjelljeve harbute të të rriturve.


Babagjyshi i Vitit të Ri ka mijëra vjet që ekziston dhe shpërndan dhuratat e tij tek fëmijët e gjithë botës. Por padyshim nuk ka sesi babagjyshi t'iu japë dhurata ju të rriturve që gjatë gjithë vitit mundoheni ti nxini vitet njëri-tjetrit. Nuk ju mbetet asgjë tjetër veçse ta urreni dhe ta mohoni Babagjyshin e Vitit të Ri.
Por përsëri ne fëmijët as nuk iu lusim ta besoni Babagjyshin, as nuk ju detyrojmë të faleni çdo ditë para Pemës së Vitit të Ri, as nuk ju tallim e nuk ju mallkojmë që t'iu shkelin drerët me këmbë dhe as nuk trokasim në dyert tuaja me libra mbi Babagjyshin nëpër duar.
Ju e nisni edukimin ndaj nesh me gënjeshtra që kur jemi të vegjël duke na vendosur një biberon fals në gojë për ta mbajtur atë burimin tonë të qumështit, për veten tuaj.

Ju quajnë të rritur, ju quajnë të maturuar, por as një Babagjysh nuk e di pse-në!

Ne fëmijët kur zihemi të nesërmen kemi harruar e jemi pajtuar, ndërsa ju kur ziheni arrini deri në çmendurira.
Jeni aq perversë sa herën e parë kur na shikoni na pyetni se kujt i ngjajmë, por fiskojeni njëherë e mirë që ne i ngjajmë vetëm vetes sonë.
Po sa të ligë duhet të jeni kur pyetjen e parë që na bëni është se cilin prej prindërve duam më shumë?!
Ne fëmijët shpërndajmë letra urimesh e miqësie me të gjithë fëmijët anembanë botës, kur ju të rriturit nuk flisni me komshiun, me kolegun e punës, me motrën apo vëllain tuaj.
Ju na mësoni se si lodrat mos ti ndajmë me shokët, ju na mësoni se si atij që na godet, t'ia kthejmë 2-fish pas dhe të mos kemi besim asnjëherë tek askush. Na kërkoni t'iu rrëfejmë gjithçka dhe nga ana tjetër flisni fshehurazi nesh nëpër shtëpi nga frika se mos ju dëgjojmë, sepse ne nuk kemi turp ti themi të gjitha ato që mendojmë dhe ashtu siç i mendojmë, ndërsa ju ballë për ballë takoheni e përqafoheni e pas krahëve shaheni e mallkoheni.

Ne fëmijët gjejmë gjithmonë diçka me çfarë të merremi, ndërsa ju të rriturit zakonisht ju sheh me këmbë përmbi këmbë. Ne nuk dorëzohemi kur e duam diçka, paçka se detyrohemi të shtrihemi edhe përdhe duke qarë për të. Ju i gjeni 1000 arsye pse nuk mundeni, para se të guxoni. Ne jemi gjithmonë të qeshur, juve ju shqetësojnë qeshjet e njëri-tjetrit.
Ne nuk pijmë alkool, duhan apo drogë, por dehemi në çokollata, akullore e limonata.
Ne fëmijët edhe pse luajmë gjithë ditën me njëri-tjetrin kurrë nuk na shkon mendja tek budallëqet. Ju të rriturit mjafton t'iu shikosh kur ngjisheni nëpër urbanë.
Shikoni gjithë ditën në televizor lajme nga bota që ju mërzisin dhe ndiqni deklaratat e njerëzve që nuk i doni. Ne fëmijët shikojmë vetëm filmat që na pëlqejnë.

Futeni në mendje njëherë e mirë se nuk mund të na kultivojë dashurinë një edukatore që nuk na përkëdhel asnjëherë me dorë.
Nuk mund të na mësojë korrektësinë një mësues/e që kur mungon mungon pa arsye dhe kur vjen në mësim është gjithmonë me vonesë.
Nuk mund të jetë një prind i dytë për ne fëmijët një mësuese që bën një shpjegim të çalë me qëllim që ne të rregjistrohemi në kurset private të saj.
Nuk mund të na tregojë bashkëbisedimin një baba nevrik që ndërpret e nuk i le rradhë të flasë as gruas së tij e aq më pak të na mësojë si të organizojmë kohën një mama që ditën e kalon në parukeri e netët i gdhin në internet.
Mjaft u munduat të na impononi ne fëmijëve atë botën tuaj të kalbur e të krimbur. Ne jemi e ardhmja, e ju e shkuara!

Dhe mjaft u ankuat se punoni për ne, që të na siguroni një shtëpi përrallash. Ne duam vetëm një shtëpi ku jetojnë njerëz.

Nuk ju kërkuam të na sillni në jetë, ndaj na lini të jetojmë fëmijërinë tonë, si fëmijë.
Babagjyshi është i vërtetë. Ju ta shpifni!


Shkroi: Stop Injorancës !
http://youtu.be/0kRAKXFrYQ4

"Dita ime e parë"


Sapo dal nga dera e shtëpisë përballem në hyrje të pallatit me administratorin, të cilit nuk i kisha bërë pagesën e ashensorit dhe ai bëri sikur nuk më pa. Mora frymë lirisht dhe vazhdova rrugën me duar në xhepa kur shoh tek gomat e një makine një kotele të vogël që m'u dhimbs pasi po dridhej prej ftohtit dhe afrohem ta përkëdhel. Ajo nuk luajti vendit, por as përkëdheljet e mia
nuk e qetësonin. Një çast u pamë në sy dhe ajo e lebetitur klithi dhe ia futi me të katra si e marrë. E gjora - mendova me vete, kushedi sa shumë e kanë dhunuar që i ka kaq shumë frikë 2 këmbshat.

Aty në një kthesë të rrugicës shkëmbehem me një bukuroshe, e cila mi mangetizoi sytë sa nuk e di as vetë sa u hutova dhe e hëngra me sy, por ajo nuk e vuri aspak ujin në zjarr dhe vazhdoi atë ecjen e vet të shkujdesur pa e fshehur atë buzëqeshje ëngjëllore e krenare që i dallohej për së largu.
Hipi në urban dhe njerëzit ishin ngjeshur aq shumë saqë një grua ishte e detyruar të më hidhte krahët në qafë për t'u mbajtur tek doreza sipër kokës time. Kalon faturinoja dhe unë ashtu me siklet të madh i nxjerr qindarkat e mia dhe ia drejtoj. Ai jo vetëm që nuk më dha biletë, por madje as nuk mi mori fare paratë. Pashë njëherë nëse po më shikonte apo jo njeri, pastaj si me lezet i rrëshkas lekët dalëndalë në xhepin tim.
Fillova të ndjehem mirë. Dita më kishte nisur kaq mbarë.
Ndërkohë urbani ndalon dhe ashtu përmes shtyrjesh mes njerëzish zbres. Kalimtarët si gjithmonë indiferentë kalonin shkujdesur drejt meje, saqë pothuajse në çdo rast më duhej të shmangesha unë që të mos përplaseshim. Pas 3-4 tentativash shmangieje vendosa edhe unë të eci njëherë drejt që të detyroja dikënd tjetër të shmangej, por ishte e kotë. Ata vinin gjithmonë drejtë dhe më acaruan aq shumë saqë njëri i ulërita: "Hapi sytë o qorr", por edhe këtij nuk i bëri përshtypje dhe vazhdoi rrugën e tij. Sytë më kapin një dyqan këpucësh që kishte afishuar një reklamë të madhe ofertash fundviti në reklamën e saj. Hyj brenda dhe i buzëqesh lehtazi shitëses së re dhe ndryshe nga çdo herë tjetër ajo nuk hodhi sytë të më shikonte nga këpucët, siç më ndodh zakonisht dhe më bëri të ndjehem goxha komod. Një komoditet që m'u zhubrosh shpejt sapo nisa të lexoja çmimet në euro të këpucëve. Para se të dilja e përshëndes shitësen dhe i kërkoj ndjesë për shqetësimin, por ajo nuk reagoi abolutisht dhe vazhdonte të shkruante mbi tastierën e kompjuterit të saj. Nga përfshirja që e kishte kapluar, padyshim do ishte duke diskutuar në internet. S'ka faj e shkreta - mendova me vete. Paguhet me rrogë bazë qesharake e ndonjë përqindje akoma më për të qeshur, prandaj dhe ia justifikoj disi këtë mungesë etike.
Më pas ndaloj tek Muzeu Kombëtar dhe kujtohem se aty prehen përkohësisht armët e Gjergj Kastriotit. Shkoj të paguaj biletën, por ajo gruaja që priste biletat po më injoronte e të gjithë po hynin pa rradhë. Prita sa prita dhe më humbi durimi sa hyra pa paguar fare biletë. Një dyndje e madhe njerëzish e njëkohësisht muzeu dukej bosh. Të gjithë ishin ngjeshur aty pranë armëve të Skënderbeut, a thua se objektet e tjera në muze nuk kishin asnjë lloj vlere. U bezdisa dhe vendosa të dal sërish.
Isha tashmë në qendër dhe po më bëhej ujët e hollë. Ku dreqin të shkoja përveçse në ndonjë lokal e të porosisja vetëm një ujë pa gaz - dhe kështu bëra. Prit se po vjen kamarieri, e kamarieri hiç. Unë bëj me shenjë, ai e pinte a nuk e pinte rehat atë kafen shoqëruar me cigare në banak. Po kulmi ishte kur erdhi dhe mu ul në tavolinë një çift, madje ai burri do më ulej në prehër nëse nuk do kisha ndërruar karrigen në kohë. Në fillim më bëri vërtetë habi, po pastaj mendova "Njerëz të gjallë jemi, kemi nevojë për shoqëri, kemi nevojë për njëri-tjetrin për t'u socializuar" paçka se nuk më morën fare leje të uleshin me mua.
Përfitoj nga rasti të dal në tualet dhe pasi u çlirova hap rubinetit nga uji i ngrohtë që nxirrte ujë të ftohtë të laja duart dhe sytë më shkuan nga pasqyra. U lebetita dhe ulërita me sa kisha në kokë. Në pasqyrë nuk isha, nuk shikoja veten, por pllakat e banjës pas meje...

Shkëputur nga Ditari i një Fantazme me titull "Dita ime e parë"

Shkroi: Stop Injorancës !

Kursimi është kulturë


Kursimi është kulturë
 
Më kujtohet se kur isha i vogël shumë rastësisht lexoj në kopertinën e një reviste shkencore titullin" Çdo pikë uji që shpërdoroni nga çezma juaj, do të mungojë në Afrikë".
Nuk u rreka ta kuptoja më thellë arsyetimin e mësipërm, por di që pikërisht ajo fjali mu ngulit aq fort në mendje, saqë prej asaj dite me ujin e pijshëm fillova të tregohesha "koprac".
Aq koprac sa thuajs

e asnjëherë kur laja duart nuk e hapja rubinetin e çezmës me presion. Madje, nëse më ndjeni, edhe pasi bëja ndonjë urinim të shpejtë, mësova sesi atë shkarkuesin e bidesë ta shtypja ngadalë, në mënyrë që nga depozita e bidesë të mos shkarkohej kot, i gjithë uji.
Jo rrallë ndodh që prindërit të mbesin ditët e fundit të muajit me më pak lekë sesa kanë grumbulluar me qindarka fëmijët e tyre nëpër arka e kursimit.
Ky është kursimi.
Po sigurisht që kursimi është një koncept shumë më i gjerë, i cili nuk lidhet vetëm me ujin e pijshëm, por as vetëm me të bërit ekonomi, pasi momentalisht më erdhi ndërmend edhe një batutë e një filmi komik, ku një prind i varfër çohej natën dhe i hiqte baterinë orës, me arsyen se nuk kishte pse harxhohej kot bateria, kur askush nuk mund ta shihte orën natën.

Kursimi mbi të gjitha është përgjegjshmëri!

Ashtu si shumë prej jush edhe mua jeta më ka përplasur me shumë njerëz të kalibrave të ndryshëm, me të cilët kam ndarë një çati, një tryezë, një ngjarje apo qoftë një bisedë.
Dhe mua më kanë bërë jashtë mase përshtypje një çezëm e lënë hapur ndërkohë që ti sheh televizor, apo një dritë ndezur që nuk fiket as ditë as natë. Dy dalje në tualet me të cilat e mbaron komplet letrën higjenike. Një shampo flokësh që shkon në fund me 3 larje. 50 mililitra parfum të konsumuara me 3 të dala jashtë. Një karikues telefoni që nuk hiqet kurrë nga priza. Një derë frigoriferi që qëndron 30 minuta hapur. Frigoriferë në dietë, por dollapë rrobash në mbipeshë.
Një gjysëm buke që s'ka mbushur as gjysëm dite marrë nga furra e që si pa të keq fluturon në kosh.
Të brendshme e çorape që hidhen, për të mos u larë. Porosi pijesh të shtrenjta, që kurrë nuk i ke pirë, kur të qerasin të tjerë.
Vozitje e makinës si i tërbuar përmes trafikut për të fituar atë kohë që do ta shpenzosh ulur këmbë mbi këmbë në kafene.

Dhe shoh e numëroj hipur në urbanin 100 vendsh të unazës, të bllokuar nga qindra automjete që ndosin, shpenzojnë e të marrin kohën, 100 automjete me vetëm nga një person brenda tyre.

Të kursesh, në anglisht përkthehet "saving", fjalë që i hap horizontin këtij koncepti në ruajtjen e shpëtimin e të përbashkëtës.


Vetëm mbeturinat ushqimore që prodhon Amerika brenda një dite, do mjaftonin që të zhdukej përkohësisht uria në botë.

Ndoshta të qenit kaq i shkujdesur është një komoditet më vete, por duke e parë botën e pasuritë e saj si një të tërë, kjo papërgjegjshmëri ushqen më tepër shpërdorimin, babëzinë, pabarazinë, mungesën e respektit ndaj natyrës, ndaj njeriut apo vetë jetës.


Shkroi: Stop Injorancës !

Friday, November 30, 2012

Ne shqiptarët i duam gjërat origjinale, të huaja.


Rrugës për në shtëpi më kap syri një tabelë publicitare në trotuar, me një sy të madh të pikturuar, ku shkruhej:
HYGEIA

"Klinika e syrit
vërtetë gjermane"


Në moment po mendoja:"Kaq keq të ketë shkuar situata vallë sa edhe një Spital si Hygeia bën "be" që e ka klinikën 100% gjermane"?!
Po një klinikë me shaka gjermane, ç'problem do kishte vallë?
Po për një shikim 50% gjerman e 50% shqiptar, a mund të ketë ndonjë ulje çmimi?

E në fakt më erdhi në mendje që kam parë një dyqan rrobash ku shkruhej "Veshje amerikane 100%", këpucë "Greke", Jumbo në TEG ku gjithçka është origjinale kineze, syzet 2000 lekshe origjinale Luis Vuiton, apo edhe një dërr reklame mbi një faqe pallati ku për 3000 euro gratë mund të zmadhonin gjoksin gjermanisht.
Në "Voice of Albania", aty ku pretendohet të përzgjidhet zëri më i bukur shqiptar, është e ndaluar kënga shqipe.

Jo ore jo nuk kanë faj.
Ne shqiptarët i duam gjërat origjinale, të huaja.


E çuditshme shumë, gjithçka që na rrethon, sa më e huaj të jetë, aq më e dashur na duket!

Shkroi: Stop Injorancës !

Monday, October 22, 2012

Jeta na pallon të gjithëve


Kur ishim të vegjël ishim të gjithë pothuajse një moshë, pothuajse kishim një gjatësi. Mbanim të njëjtat rrecka veshur. Vishnim të njëjtin botëkuptim, qëndisnim të njëjtat dëshira, ngazëlleheshim prej të njëjtit gëzim. Jetonim të njëjtat ëndrra.

E tek takohesh pas dekadash me shokë e shoqe fëmijërie, sheh me habi se si disa prej tyre janë trashur, disa janë shkurtuar, disa janë plakur, disa janë
shëmtuar, më pak të tjerë rinuar e zbukuruar.
Disa kanë rritur një tufë fëmijësh, disa janë të pa martuar ende.

Disa kanë ecur aq para në jetë saqë as nuk iu bie mendja të kujtojnë shokët e fëmijërisë, disa të tjerë momentet e fëmijërisë kujtojnë si më të bukurat.

Disa, aq fatalisht kanë ikur nga kjo jetë për të mos u kthyer më kurrë.

Disa jeta i ka përplasur në kontinente të ndryshme dhe ju ende ruani kontakte, disa të tjerë rastësisht i ke përsëri aq pranë pallatit tënd të ri, por për ty janë të huaj, më shumë se gjithë të tjerët.
Dikush është bërë eprori yt dhe këmba e tij është më e rënda, dikush të telefon e të bezdis sa herë ia ka ënda.
Dikë e respekton aq pastërtisht si fëmijë edhe pse nuk i kujton dot më emrin, dikë, emri i së cilit nuk të shkulet prej mendje, i devijon rrugën.

Dikush që ti e ke marrë me shpulla në fëmijëri dhe që qante sa herë shikonte gjakun, sot lëviz me truproja. Dikush që ti nuk i ke kushtuar asnjëherë vëmendje, sot sfilon si top modele.
Ai djali i turpshëm me syze që ulej në bangën e dytë u bë Show Man dhe nxënësja më e dalluar e klasës përfundoi e droguar.

Dhe ty, bashkë me të gjithë, jeta ju ka trajtuar, ju ka shndërruar me lecka të ndryshme, mbi botëkuptime të kithta, drejt dëshirash të kundërta, mbushur me gëzime të pabarabarta, mes ëndrrash të bukura dhe mes netësh të ankthshme.

Jeta ju ka ndarë për të mos qenë kurrë më, aq të bashkuar!

Shkroi: Stop Injorancës !

Saturday, September 8, 2012

Futja vrapit mos ndalo!


Ndokush prej jush me të drejtë do pyesë veten: "Po pse të gjitha këto historitë interesante, këtij Adminit të Stop Injorancës do ti ndodhin?", por më mirë lexojeni njëherë historinë e sotme dhe në fund do t'a kuptoni edhe pse-në.

Sapo dola nga puna ndalova të blej një paketë duhani pa pullë tek shitësja ambulante në rrugë që edhe pse nuk paguan kurrfarë takse, ma shet gjithmonë më shtrenjtë se kudo. Çmimet e bllokut,- ma kthen ajo buzagaz me dhëmbët që i tregojnë aq vuajtje.
E hapa paketën dhe plasmasin dhe letrën e xivanit i shtrëngova në dorë duke kërkuar me sy ndonjë kosh, ku në tentativë për ti bërë ndonjë 3-pikësh, do ti hidhja aty poshtë tij si zakonisht. Asnjë kosh nuk dha sinjal në fushëpamjen time 360 gradëshe e 4 dimensionale, por sytë më mbetën padashur tek një mesoburrë që po më hante me shikimin e tij dhe me dorën që e mbante para gojës si për të mos u diktuar, mërmëriste me 3 burra civilë që kishte aty pranë, 2 prej të cilëve ishin dukshëm trupa të bëshëm, qerosë kokërruar, qëndrim-sertë dhe me sy të mbuluara prej syzesh të errëta pis.
Nuk i kushtova vëmendje më gjatë, por brofa në makinë duke flakur instiktivisht nga xhami i hapur, mbeturinat që kisha në dorë. Në pasqyrën e kabinës dalloj sesi të 4 burrat hipën nxitimthi në një automjet të parkuar tek këmbët e tyre. Ishte një BMW e zezë sportive me xhama të errët komplet dhe me targa Tirane B, të cilat bënë Muuu që ishin false. Në çastin që ndez makinën xhiroj gomat në formën e një presioni ndërthurur me mospërfillje. Një kalimtare, një grua që po kalonte me foshnjën e saj aty pranë vizave të mia të zeza dhe shumë larg vizave të saj të bardha më këputi një arsenal bërthamor mallkimesh dhe të sharash, saqë më erdhi të dilja nga makina e t'a bëja edhe atë për karrocë, por u mjaftova me një të sharë që më depërtoi prej shpirti.
Si përherë, pa lidhur as rripin e sigurimit dhe pa ndezur as dritat, nisem të futem në vallen ku kërcejnë automjetet e tjera.
Makina e burrave enigmatikë, niset direkt pas meje. Filloj manovrimin sa majtas e djathtas, mes njerëzish, automjetesh e biçikletash, shoqëruar me dorën shtrënguar mbi buri.
Diku një grua si pa të keq hap derën e makinës dhe më detyron të hipi mbi trotuar. Një vajzë që e sjell një benz aty të lypë çdo paradite, i bëri sytë poç, por unë e rifuta makinën në rrugë.
Hedh sytë përsëri në pasqyrë dhe shoh që BMW-ja më ndiqte nga pas si e tërbuar. Skenë filmi, ç'të të them, veçse tani nuk më bënin duart të hapja as atë dreq tastiere të celularit. Provoj ti bie numrit të vëllait dhe ai ma mbylli që të më merrte vetë, meqenëse e mban gjithmonë me ofertë. I bie përsëri, numri del i zënë. Nervat kaçurrel me adrenalinën. Unë bjer numrit të tij, ai bjeri numrit tim. Ç'të bëja që na ka bërë një nënë...
Përpara me del semafori i kuq, por unë shkel gazin. BMW-ja nga pas, gjithashtu.
Sytë më kapin ngjyrën jeshile fosforishente të policit të qarkullimit që me dorën lart si flamur dhe bilbilin në gojë si mbrojtës kundra ndotjes së gazrave e pluhurit, iu bënte shenjë automjeteve të qarkullonin sa më shpejt për zbutur trafikun. Ç'ta marr kot në qafë të shkretin mendova me vete, ai për 30 mijë lekë në muaj rrezikon çdo ditë jetën e tij...!
Ata nuk dukeshin as si kriminelë amatorë dhe të mendosh sa fëmijë policash kanë mbetur jetimë pa asnjë kacidhe ndihmë nga shteti, është e tmerrshme vërtetë.
Në të qindëtat e sekondës dhe njëkohësisht duke ecur si i marrë, nis një analizë urgjente për të kuptuar se ç'ishin këta që më ndiqnin apo kush mund ti kishte dërguar.
Në fillim më shkoi mendja tek një tregtar që ka një lokal aty buzë rrugës dhe ka privatizuar parkingun publik. Para 2 javësh ma zhgarraviti makinën rreth e qark me çels dhe unë pa i rënë në sy i theva pasqyrën e majtë të fuoristradës. Por prapë diçka nuk më bindte. Ne u barazuam.
Aty për aty mu kujtua se afro para 3 muajsh, andej nga fillimi i verës, një natë kur vajza ime nuk po gjente qetësi në gjumë, lokali poshtë pallatit kishte ngritur në ajër për disa barbonë një muzikë tallava dhe unë nga pamundësia për ti kërkuar të ulnin zërin, i lëshoj një shishe qelqi Santal. Ata u ngritën në këmbë nga veranda ku ishin ulur dhe gajaseshin përmes barsaletash me organe gjenitale dhe filluan në kor kërcënimet.
Ndoshta, ndoshta këta ndjekës kanë të bëjnë me aktivitetin tim virtual, barrikadën që ne kërkojmë të bëjmë kundra bizeseve serbe në Shqipëri? Apo mos vallë janë agjentë grekë që peticioni ynë kundra marrëveshjes detare iu ka prekur interesin fort? Por mund të jenë gjithashtu edhe ndonjë grup mafioz nga këta që kanë hapur universitete private dhe janë ndjerë të ofenduar nga shakatë tona të sinqerta...
Apo mos vallë janë radikalë fetarë që duan të na bindin se feja e tyre është feja e paqes e tolerancës? As kjo s'më bindte.
A mos vallë është vetë dora e shtetit që kërkon t'iu bëj presion atyre që flasin "më tepër se ç'duhet"? Po shteti ynë s'di ku është as vetë. Ata burrat tek ajo BMW-ja kishin një arsye shumë më të fortë. Urrejtjen mund t'ia dalloje edhe mbi syzet e errëta. Mendimin ma ndërpret një motorr "Made in Albania" si ky këtu http://www.facebook.com/photo.php?fbid=224544547572560&set=a.222036807823334.75632.220909724602709&type=3&permPage=1, që më doli pa pandehur para dhe unë u detyrova ta godas tek goma e pasme, duke e përplasur fort pas një shtylle. Romi zeshkan që ngiste motorrin kur pa se iu derdh nga motorri pjesa më e madhe e ngarkesës kontrabandë të kanaçeve të mbledhura nëpër plehra u tërbua fare, por mua sytë më shkuan tek djali i tij, që kishte moshën për të qenë në çerdhe apo në kopësht, i cili dridhej dhe qante pa zë njëkohësisht.
Me trishtimin mbetur në grykë i jap gaz përsëri.
Po sikur ata të më kenë ngatërruar me ndokënd tjetër dhe e gjithë kjo ndjekje të jetë një keqkuptim?
Duke dashur të besoj këtë variant ndaloj pranë lokalit të një mikut tim. Parkoj makinën dyshe dhe futem direkt në lokal. Aty për t'u ç'tensionuar ndez direkt një cigare dhe porosis një gotë alkool.

Një prej atyre burrave hyri brenda duke ecur ngadalë. Sapo m'u afrua belbëzoi: Task-Forcë, aksioni Anti-duhan. Ju do të gjobiteni me 50 mijë lekë të reja.
Buzëqesha. Në fakt pastaj fillova të qesh me të madhe. Merri edhe çunat të pijnë nga një gotë iu thashë, se m'a bëtë gjakun ujë.

Shkroi: Stop Injorancës !

Tuesday, August 14, 2012

Stacioni


Nuk e di në ju ka qëlluar të shikoni një palë sy shumë ndryshe, të vendosur në një fytyrë çuditërisht të njohur, të  një njeriu krejtësisht të panjohur!
Një fytyrë që ndoshta e ke vizatur vetë në imagjinatën tënde, ose e ke parë në një jetë tjetër diku. Ose më thjeshtë akoma,  mund të jetë një përputhje perfekte e asaj çfarë shqisat e tua kanë përllogaritur si etalon dhe ia paraqesin këtë trurit, tashmë si komandë dhe kështu krijohet një si fushë magnetike e pa rezistueshme.
Dhe nuk mund ta përshkruash si më të bukurën fytyrë,  megjithëse përgjithësisht kështu e përshkruajmë, gabimisht. Eshtë një farë diçkaje që e kërkonit pa ditur se ju mungonte, por kur e gjeni  nuk keni as më të voglin dyshim që është pikërisht ajo ... Ajo cfarë? As kësaj pyetje nuk e besoj ti jepni përgjigje.
Ishte Qershori i vitit 1986..
Kapëm, disi pa humor, trenin në Sukth, një qytezë afër Durrësit,  pasi arsyeja e këtij udhëtimi ishte një dështim më vete. Unë dhe një shoku im po ecnim përgjatë vagonit të parë pa e ditur përse-në, pasi ai ishte pothuajse bosh dhe mund të uleshim ku të donim.  Jo shumë veprime kanë arsyetim dhe një nga këta, ishte edhe ky. Shoku  im po vazhdonte përpara dhe unë disi në distancë, më prapa, sapo u futa në vagonin e tretë, në fund të tij, pashë pikërisht atë që përshkrova pak më lart. Ata sy, atë buzëqeshje, atë që nuk e di se ç'është dhe nuk mundem  e as që dua ta di. Di vetëm që doja ti ndjeja pranë ata sy. Doja ti ti shikoja nga shumë afër, ti shijoja. Dhe s'mund të them se kishte ndonjë përkufizim të caktuar ajo fjala “shijim”. Ndoshta të përzjerë me ngrohtësinë e frymëmarrjes, apo me aromën e trupit.  Ose thjeshtë për të matur thellësine e tyre, teksa më vështronin…
Nuk pata mëdyshje, asnjë mëdyshje e  çuditërisht as emocione. Isha shumë i qartë sa kurrë më, sidomos sidomos kur bëhet fjalë për një femër.  Ato 7-8 metrat e fundit deri afër saj, patëm një shkëmbim shikimesh, te cilin se përcaktoj dot sa zgjati, por ishte i mjaftueshëm për të më thënë që e njihja mire, kisha një jetë që e njihja. E kisha humbur diku në këtë apo atë botë dhe ja ku e gjeta . Po më priste në atë fund vagoni në shoqërine e një grupi prej 12 vetash. Se di përse në ato çaste m’u krijua ideja, që edhe po të shkoja e ta puthja direct atë femër të panjohur, me ata sy dhe atë veshtrim shumë të njohur, pa shkëmbyer asnjëfjalë, apo përshëndetje, ky do të ishte veprimi i duhur, ose ai që pritej e duhej të ndodhte. Ai  veprim që ajo kishte kohë që e priste. Megjithatë nuk ishte ky veprimi që bera, por ishte pikërisht mbështetja në anen tjetër të derës së fundit të vagonit, nga ku qëndronte ajo edhe njerëzit me të.
Pra, siç e thamë, ishte viti 1986 dhe komunikimi me një vajzë kërkonte etiketën dhe mënyrën e duhur. Kërkonte hapësiren e duhur , që s'ishte e lehtë të kapërcehej si pasojë e shumë e shumë pengesave. Ndër to, së pari morali, i cili kishte një përkufizim të papërkufizueshëm. Ishte njëfarë përgjegjësie ndjenje apo pozicioni ndaj shoqërisë, familjes. Së dyti, mentaliteti i trashëguar. Së treti  edhe paragjykimi i njerëzve kur shikonin një vajzë të fliste me një teë panjohur. Veç kësaj edhe ai grup aq i huaj për mua, ishte një tjetër barrier dhe besoj se të gjithë e dini se ç’po them.
Pa një pa dy u bëra pjesëtar i bisedës së grupit, pa m’u kujtuar as se si  e se qysh dhe s’kishte rëndësi  ky detajsepse asgjë në fakt s'kishte rëndësi, përveç se shkurtimit të distancës së stërgjatë nga njeri krah i derës në krahun tjetër..Mes nesh ishin të paktën 4-vetë të vendosur në mënyrën më të papërshtatshme për afrimin tim drejt saj, ose të pasjes së asaj linje të lirë, ku mund të hasesha natyrshëm me vështrimin e saj. Doja ta kapërceja atë distancë, sa më shpejt . Nuk kisha kohë dhe nuk doja ti jepja kohë aspak . Nxitoja! Gjithçka ishte e elektrizuar; unë, ambjenti  ndoshta edhe vetë treni apo hapësira që ai përshkruante me atë shpejtesi.
Biseda shumë shpejt mbyllej me të qeshura dhe siç arrita të kuptoj, kisha ndikuar edhe unë aty. Këtë e vura re, pasi për pak kohë isha si në qendër  të vëmendjes, gjë që më pengonte më shume sesa më ndihmonte.
Emri i saj ishte Mirela.
Dhe pasi e dëgjova ti therrisnin kështu, mendova që ishte emri i përshtatshëm. Ishte ai që unë kisha në mend për të. Ç'po flas?! Më mirë të themi, unë s'kisha as edhe një emër në mendje për të në fakt, por kisha një lloj vije melodike, një diçka që duhet të rridhte këndshëm dhe të bashkëngjitej në fund me zërin dhe figurën e saj..Dhe për mua kjo u arrit, pa asnjë stonim.
Supet tona më në fund u bashkuan nga tronditja e trenit. Një përplasje e butë e ëmbë! Jo jo, aspak e ëmbël, therëse, torturuese, elektrizuese, sa më pengonte të merrja frymëlirisht dhe një lloj dridhje tek gjunjët u bë shqetësuese dhe filloi të më shpërndahej pa një pa dy tek të gjitha gjymtyrët. Në fund më kapi edhe nofullat, kordën e zërit..S'kishte si bëhej më keq!
Tani bisedat dhe të qeshurat nuk po mundesha më ti deshifroja. Kishin marrë formën e një murmëritje, të përzierë me mjaullitje,  të cilat besoj ishin ato të cilat pak kohë përpara, quheshin të qeshura!
Po kërkoja të mblidhja veten, të merrja frymë thellë dhe të qetësoja si fillim frymëmarrjen. Këtë më thoshte një pjesë e mendjes dhe s’jam i sigurt se cila pjesë, pasi tjetra ishte e fokusuar tek supi. Ajo pjesa tjetër e asaj, që do ta quaja mendim, po llogarsite kohëzgjatjen e takimit të supeve gjatë tronditjes së trenit dhe ishte aq e preokupuar në këtë ekuacion tronditje-prekje, sa nuk kishte forcë të bënte ushtrimin më elementar, atë të frymëmarrjes së rregullt. Ushtrim ky që daton që në fëmijërinë e hershme, si tek çdo qënie besoj.
Esht ë shumë i çuditshëm njeriu, lexon, mëson, edukohet, por kurrë asnjëra nga këto nuk mund të na shpjegojë ose drejtojë në gjërat më të rëndësishme të jetës. Të gjitha këto në fakt janë një garniturë e nevojshme, por jo më thelbësorja.
Nuk e di nëse ju ka qëlluar rasti të përjetoni formulën tronditje-prekje, në tren, autobus apo ku e di unë se ku. Nëse jo , mund t’iu them që më vjen keq, por nuk mund t'iu them ta provoni, sepse nuk është me të thënë, është me moment… Eshtë një lloj përllogaritje e kohës së prekjes pas një tronditje. Eshtënjë përllogaritje matematikore që mund ta bësh edhe pa pasur idenë se ç’është matematika dhe numrat.
Siç e dime, çdo tronditje na jep një lloj lëkundjeje dhe kjo lëkundje ka një distancë dhe kohë të caktuar që të risjell në pozicionin fillestar. Pra, duket  thjesht distancë-kohëzgjatje. Kjo është e tëra…
Por në fakt është më shumëse kaq, shumë më shumë.
Tani takap-tukap-i i trenit mbi shina kishte marrë një tjetër emër, quhej ritëm, ose më saktë një sfond muzikor në atë lojë nervash, emocionesh, kalkulimesh fëminore, sa të pavlera në një kohë dhe vend tjetër.
Isha mëse i përqëndruar pikërisht në atë kohëzgjatje-prekjesh dhe kur mendon që ishte vetëm një prekje supi dhe asgjë më shumë, të duket idiotizem qoftë edhe ideja e përshkrimit të tij. Por jo në atë çast. Nuk kaloi shumë kohë dhe supi i saj e rriti ndjeshëm prekjen me supin tim, po gjithashtu dhe kohë-qëndrimin pas tronditjes. Pra diçka kishte humbur në ritmin e tronditjes së trenit dhe ishte krijuar një ritëm tjetër, ritmi ynë.
Nëse s’do të ishim në këmbë të mbështetur pas një anë të derës, do të medoja që po dremiste, ose ose mendja e saj kishte humbur diku, shumë larg atij nga treni. Dhe pikërisht këtë doja të dija, kishte humbur diku, apo kishte nevojë si edhe unë për atë prekje? Kishte edhe ajo atë ndjenjë të çmendur që kap njeriun që do të penetrojë brenda lëkurës së tjetrit, ose më saktë, brenda tjetrit, diku në shpirt.
Për  të vërtetuar këtë, fillova të largohem nga pak dhe s'di të them me milimetra apo centimetra, por rezultati gjithmonë ishte nëfavorin tim, ose tonin, në mund ta quaj kështu.
Më kapi një ide e çmendur dhe doja ta puthja. Aty në atë çast, por ngeli vetëm ide.
Treni tashmë kishte ndaluar dhe ne respektuam gati çdo njeri, duke i lejuar atyre të zbrisnin para nesh, perveç dy shoqeve të saj, që tashmë e panë të arsyeshme që duhet edhe ti fusnin krahun Mirelës, pavarësisht se nuk ishte i përshtatshëm as vendi dhe as hapësira..
Më përshëndetën dhe u larguan.
E gjitha që munda të bëja në ato momente ishte ti urreja ato shoqet e saj, një nga një dhe së bashku. Këtë mendova dhe fillova të qeshja me vete.
Jashtë në platformë po më priste shoku im, natyrisht i mërzitur ngaqë unë e lashë vetëm, apo nga ajo rrugë e gjatë, e lodhshme dhe shumë e pa vlerë, për të natyrisht!
I thashë shkurt se më duhej të ikja diku dhe ishte hera e parë që "diku-ja" s'kishte shpjegime të hollësishme dhe as kërkës për shoqërim. U shtang natyrisht dhe pamja e dëshpëruar e pak momenteve më parë mori pamjen e habitur dhe 100-pyetjeve që i erdhën në mend në atë moment nuk i dhashëmundësinë të merrnin as më të voglën përgjigje.
Ajo tashmë ishte larguar dhe e pashë tek po dilte nga dalja e stacionit të trenit, e rrethuar, në fakt  e arrestuar do të ishte fjala e saktë, nga dy shoqet e saj. M’u desh të përshpejtoja hapat deri nëvrapim, nga frika se do ta humbja.
Ku po shkoja? Përse?
Tek sa e shikoja nga distanca duke qeshur dhe ecur me një ritëm prej të vonuare dhe duke mos kthyer kokën më as majtas, as djathtas, më dha idenë që gjithë ç’ kisha përjetuar në atë udhëtim, ishte një nga ato shakatë që truri bën me njeriun ndonjëherë për ti gjeneruar pak adrenalinë të nevojshme.
Megjithatë isha i vendosur ta ndiqja, qoftë edhe këto mendime që më vinin në mendje ishin shumë më mirë se pa mendime. Të paktën kështu mendoja dhe kështu mendoj.
Pra edhe nëse mendimet janë torturuese, në shume raste janë shumë m ëmire se pa to. Pa ato në fakt, është një humbëtirë dhe çuditem se si ka qenie që preferojnë atë lloj humbëtire duke gjoja kursyer veten nga dhimbjet… Nëse kursehemi nga dhimbjet, në fakt s'kemi bërë gjë tjetër, vetëm se kemi vënë një mur ndaj gëzimeve, shijimit të momenteve, çasteve që lënë gjurmë, qëna bëjnë ne ata që jemi. Tashmë kishim arritur pranë stadiumit "Dinamo", ku ndodheshin disa pallate me tulla të kuqe rreth 4-katëshe dhe natyrish po i vinte fundi edhe shpresave të mia. Ato "shoqet" mund të ishin edhe motrat, apo kushërirat.
Si ti përshkruaj këto lloj "shoqesh"?
Janë ca si pilivesa që "të mbrojne" dhe të duan të "mirën". Por në fakt gjithmonë më kanë dhënë përshtypjen e atyre njerëzve, që nuk kanë një jetë të tyren. Jeta e tyre është jeta e të tjerëve dhe e mbushur me historira dhe ngjarje nga jeta e të tjerëve  dhe nese nuk e dini për ç’po flas, jeni ju ata.
Pallati në të cilën morën kthesën i kishte hyrjet nga përpara dhe kur arrita atje, pasi isha në distancë, nuk munda dot me te merrja vesh se cila nga këto hyrje ishte e saj, apo e tyre.
Pranë ndodhej një kinkaleri dhe në kinkaleri ndosheshin cigaret, aq të dëshirueshme në ato çaste.Teksa po kërkoja për para në xhepat e mi, të mësuar dhe tërregjur me mospatje parash, çuditerisht gjeta një 5-leksh që ishte fshehur për fatin tim të mire, lart mbi xhep. Mund të them pa frikë, që më trembi, sepse kurrë nuk mendoja se mund te isha në ato caste, një pronar legjitim i një 5-lekshi.
Kështu fillova ti lutem shitësit që të mi bënte cigare të hapura, por ai bënte sikur ishte e pamundur që ta bënte dicka të tillë dhe natyrisht m’u desh të luaj lojen e tij, lutju, mundohu ta bësh për të qeshur, komplimentoje..Eh, isha përkulur tashmë dhe po i flisja nga ajo dritare e stërvogël në të cilën shisnin dhe dëgjova zërin e një gruaje nga pas, që tha:
-O djalë, mund të më lëshosh rrugën të mar nëna një paketë, se më duhet të iki në spital?
Në këtë kohë, më  në fund edhe "kështjella" e shitësit ra,  dhe ai më kishte futur në dorë, 5-cigaret "Partizan". E falenderova dhe lëviza, që ti lëroj vendin nënës që kisha në krahë dhe padashje shkela njërin në këmbë..
-Më fal i thashë, duke kthyer kokën.
Ishte ajo.
U shtanga. 5 cigaret "Partizan" tani u rënduan dhe u bënë plumb. Nuk kisha si ti fshihja dhe me to nuk kisha si të fshihja mesazhin e tyre të qartë mbi gjendjen time financiare. Ndjeva që u skuqa në fakt.
E kisha shumë afër dhe përballë. Buzëqeshi pak. Buzëqeshje që se deshifrova dot nëse ishte për mirësjellje, për mëshirë, apo sepse isha skuqur. Një sfidë më kapi që dilte mbi llogjikën dhe i thashë:
-Do më pëlqente të bisedoja me ty dhe se di në është mundësia…
-Nuk është - më tha ajo dhe mori një pamje serioze.
-Atëherë, vazhdova -  shtëpia ime ndodhet (dhe nuk ishte e vështirë t’a pëshkruja. Jetoja në një pallat pranë një shkollë, në hyrjen e parë, në katin e fundit dhe kur hipje, dera majtas)
-Do doja shumë të vije dhe të pres rreth orës 10-të. (Orë, në të cilën isha i sigurt që shtëpia ishte e tëra e imja)Arsyeja që po të lë orë, është sepse do të pres deri në 10:15 dhe pas kësaj e di që është e kotë.
(Që të sqarohemi. Një kërkesë e tillë nuk ishte aspak normale dhe në fakt ishte e parealizueshme sepse në vitin 1986 ishte thjeshtë e parealizushme, sa edhe kërkesa për një Ipad që s’ishte shpikur akoma).
Se di nëse dëgjoi apo bëri sikur nuk e dëgjoj. Ajo bleu diçka dhe u largua pa më përshëndetur. Nuk e ndoqa më me sy, vetëm i kërkova shitësit edhe një shkrepse sa ta ndizja një nga cigaret që kishte marrë pak lagështi, nga djersa e e sikletit tim. Pasi e ndeza vazhdova rrugën për në shtëpi. Isha i kënaqur me veten për sa kisha thënë, për mënyren se si e kisha thënë. K jo sepse për mua ishte nje farë justifikimi i asaj se përse ajo nuk do të vinte dhe njëkohësisht i asaj se përse unë nuk duhet të prisja.
Eshtë i çuditshëm njeriu dhe shpresa!
E keni vënë re që edhe nëse s'keni vënë asnjë numër llotarie, përsëri keni një emocion a shpresë se do ta fitoni ju lotarinë, kur numrat e saj fillojnë e shfaqen në ekran?
Ponçi ka qenë një pije interesante në ate kohë, sepse vinte si i ëmbël dhe të linte një shije paksa moderne në gojë duke i lënë rradhën alkoolit të vinte natyrshëm dhe të të merrte mendjen. Por përsëri mund të them që edhe dehjen e kishte sensual, deri sa nëse e tejkaloje, mund të thoje me tërë kuptimin e fjalës që të përdhunonte. Të krijonte një gjendje që luteshe mos ta kishe takuar në jetë të jetëve.
Hapa shishen dhe nuk e di se si ajo shishe e pa hapur qëndronte në bufenë tonë dhe as sa kohë kishte atje. Hodha në një gotë një sasi të mjaftueshme për të bërë kombinimin estetik ponç-madhësi gote dhe vendosa të tallem pak me vetveten. Filloja ta pija fiks kur akrepat kapnin 10-tën. Pra, për çudinë time unë ndodhesha në shtëpi të nesërmen e asaj dite, për të përjetuar ankthin e pritjes.

Nuk duhet në fakt të qahemi shumë nga ky ankth. E di që është i padurueshem, por mendoj që të gjithë kështu themi, por ama e durojmë me guxim.
Në orën 10:15 fiks, dëgjova hapa në shkallë. S’po u besoja veshëve. Hapat u bënë më të afërta dhe arritën në sheshpushimin tim. Prisja trokitjen e derës dhe ajo erdhi, por jo tek dera ime.
Kafe a diçka u kërkua nga një komshie. Dera m’u duk sikur u mbyll dhe imja ra. Nuk kisha kafe, por edhe sikur të kisha edhe për ta hedhur, nuk do ti jepja as edhe një kokërr. dera ra sërisht edhe më fort. U çova dhe dola me qëllim të tallesha pak, duke qenë se s’po më mbanin më nervat në atë monolog të gjatë.
Hap derën dhe shoh Mirelën…
Nuk e mbaj mend në fola, por di që ajo kaloi para meje, u fut brenda, e drejtova tek dera e dhomës që ishte e hapur dhe vura duart në fytyrë për të mbledhur veten për disa hapa rrjesht. Ndjeva duart e saj rreth meje dhe koka e saj më ata flokë të mëndafshtë qëu mbeshtet tek unë ,po i merrte erë qafes time.
Pastaj..?
Di të them që kishte forma të rrumbullakosora. Vetëm kaq di të them për të. Pjesa tjetër ishte fytyra e saj, syte e saj , frymëmarrja e saj e rënduar me atë gojë të mrekullueshme që doja edhe t’ia puthja edhe t’ia shikoja njëkohësisht. Gjithçka pas kësaj ishin momente të fotografuara në mënyrë perfekte në celuloidin e trurit tim. Djersët që i rridhnin fytyrës, fjokët e djersitur që formonin një korrnizë të pashpjegueshme që smund të ndahej nëse ishin kornzia apo edhe piktura.
Tentativa për tu futur tërësisht tek njëri-tjeri, për t’u bërëtamam një trup, nuk po funksiononte, por kjo nuk do të thoshte aspak që ne po dorëzoheshim. Nuk e di sa kohë kaluam ashtu. Nuk kishim folur, ndoshta asnjë fjalë. Dera trokiti. Pas saj dëgjova zërin e mamasë tek po fliste me tim atë.
U shtanga, se në fakt ata duhet të vinin në shtëpi jo para orës 4. Por ora tregonte 4-20 minuta.
Mirela më kishte ngulur shikimin e saj , dukej e tmerruar dhe mëshikonte sa mua edhe orën dhe dorën e kishte vënë tek goja e saj e rrumbullakosur nga habia.
-Mos u shqetëso, i pëshpërita, një minutë.
Rrugën nga dhoma tek dera e shoqëruan të bërtiturat nga jashtë dhe trokitjet akoma më të rënda të derës, që ishin kthyer tashmë në goditje.
U vesha përgjatë asaj rruge,  hapa derën paksa dhe iu luta me pëshpërimë që të shonin diku, pasi isha duke bërë diçka.
-Cfarë po bën? -tha mamaja me një ton të egërsuar dhe kërkonte të shtynte derën. Une vura gishtin treguez tek buzët si për t’i thënë që të ulte tonin, por që çuditërisht e nxiti për të kundërtën.
-Po të pyes çfarë po bën. Vijmë të lodhur nga puna dhe lëri filmat, por na lër të kalojmë-vazhdoj ajo.
-Ejani pas një apo dy orësh- i thashë unë me një ton tashmë shumë të prerë. (S’e kishin dëgjuar ndoshta kurrë nga dikush dhe më jo nga unë, në shtëpinë e tyre).
Babai më pa dhe i tha mamasë: -Eja të vemi diku, është shumë vapë. Po më pihet një birrë apo dçka dhe po më hahet shumë. S’kam nerva për të pritur për gatim.
Lanë çantat dhe vështrimin kërcënues të mamasë dhe zbritën shkallët.
U mbështeta pas derës dhe mora frymë thellë. Kur shkova në dhomë ajo s'ishte aty dhe dëgjova ujin në banjë të bënte zhurmën e zakonshme që bën, kur dikush lahet.
U shtriva në divan dhe s'po i besoja asgjëje që kishte ndodhur në këtë ditë të çmendur, teksa sytë i kisha mbërthyer tek ngjyra e bukur e ponçit të pa pirë. Dera e banjos u hap dhe unë u ngrita të freskohesha. U takuam në korridorin e errët mes dy ambjenteve. Më hodhi krahët përsëri dhe përsëri mbështetin kokën tek gjoksi im, tashmë i zhveshur. Pastaj ngriti kokën dhe mbështeti faqen e saj në timen dhe se di sa qëndruam ashtu. Më kishte mbërthyer në një farë mase, më kishte pushtuar, ashtu si donte ajo dhe ndjehesha shumë mire. Mund të rrija ashtu për shumë kohë , për gjithë kohën ndoshta. Këtë po mendoja kur ndjeva nxehtësi në faqe dhe më pas në gjoks. Pastaj ndjeva gjoksin e saj dhe frymëmarrjen e ç’rregullt dhe e mora me mend që po qante.
E largova pak nga vetja dhe fillova ta puthja në faqe dhe kudo, kudo , kudo...
-Martohem këtë të dielë, - më tha dhe largohem nga Shqipëria.
Ula duart dhe u mbështeta në murin e korridorit. Dera u hap dhe flokët e saj i mori një puhizë e lehtë që u shkatërrua nga rryma e ajrit. Dera u mbyll dhe hapat u dëgjuan teksa zbrisnin shkallët dhe çuditërisht tingëllonin më të forta, sa më larg shkonin.
Si mundet? Si mundet? Çfarë ishte kjo që ndodhi?
Shëtita për shumë kohë nga stadiumi "Dinamo" edhe paketën m’u bë ves ta bleja atje për shumë kohë , pavarësisht se ishte rreth 30-40 minuta nga shtepia ime.
Londër  1995
Puna me Xhawat,(emri i pronarit - ky me origjinë nga Irani) ishte e rëndë dhe ai paguante shumë shumë pak. Kisha një ide të qartë në kokë, por më duhej vetëm të mesoja se si funksiononte ky mut vendi dhe kjo me qetesonte.
Rruga për në punë ishte shumëe gjatë. Më duhej të ndërroja dy trena për të shkuar atje ku jetoja.
Sapo kishim mbaruar një freksion të njëmakine, na kishte marrë shpirtin duke e hequr, pasi ishte djegur plotësisht dhe pluhuri i zi i ferrotës sësaj m’i kishte nxirë duar e rroba dhe është një lloj pluhuri që të futet në pore dhe nuk është e lehteë t’a largosh. Kështu që vendosa të lahesha kur të mbërrija në banesë.
“Sa do të më duhej ta mësoja këtë dreq anglishteje dhe për sa kohë do të më duhet të punoj për këtë fytyrë të qelbur”.
Këto ishin mendimet që më zaptonin kokën gati gjatë të gjithë kohës dhe pikërisht me këto mendime isha teksa po prisja trenin në platformen e stacionit të "Golders Green".
Treni erdhi pa një pa dy. U futa i kërrusur nga lodhja dhe mërzia dhe doja të gjeja një vend të qetë, ku të filloja të këndoja në formë mërmëritje ndonjë nga këngët e adoleshencës dhe ta mbysja zhurmën e neveritshme të trenit. Teksa po ecja në kërkim të kësaj “qosheje” pashë atë ngritje floku dhe ata flokë.  Nuk ishin nën kornizën e derës së shtëpisë sime, por ishin aty,  ulur në një nga sedilet e 4-vendesheje.
Se di në u nxitova apo e mora me ngadalë, por u ula pikërisht përballë saj.
Jo. S'ishte ajo, por ishte vërtet një femër e bukur. Shumë e bukur. Sa për ti ngjajtur asaj. Se unë doja që ajo të ngjante pak me të.
Më buzëqeshi dhe i buzëqesha. Natyrisht buzëqeshja e saj ishte më e mirë se qëndrimi në një cep dhe këndimi i atyre këngëve të stërkënduara me veten.
Ajo rrinte-rrinte, më shikonte dhe buzëqeshte me një shikim shumë miqësor.  Të jepte përshtypjen e një femre inteligjente dhe sensual, çka e bënte akoma më seski . Nuk dija se ç'ti thoja për t’u futur në bisedë, për  ti  dëgjuar zërin a diçka. Në një farë mase më kishte intriguar si karakter, por përtoja të mendoja, kështu që vetëm e sodisja, natyrisht pa e shqetësuar dhe buzëqeshjet e saj gjithmonë që hasnin vështrimin tim nuk mungonin.
Më në fund erdhi stacioni i saj. Ajo u çua, më buzëqeshi përsëri dhe në këtë çast vendosa ti flas.
-Nëse do, mund të më japësh numrin e telefonit - i thashë dhe mund të pijmë një kafe ndonjë ditë...
-Një herë tjetër - më tha dhe u largua.
Pas saj vinte stacioni im dhe më në fund arrita në banesë. Më kishte lënë një shije të mirë shumë ajo, pasi më kishte risjellë në kujtesë një përjetim emocionues dhe teksa ngjisja shkallët që më çonin tek dhoma ime pyeta veten në do doja ta takoja përsëri Mirelën…
Çuditërisht përgjigja ishte :Jo kurrë më, le të ngelet e bukur, e largët. Hapa derën , ndeza dritën dhe u mbështeta tek lavamani , në pasyrën e tij, në cep, kisha foton e vetme të vajzes...
Kur u hasa me pasqyrën,fillova të qeshja. Qesha me të madhe. Në fakt u shtriva duke qeshur..
Fytyra ime ishte një objekt i zi, tërësisht e zezë dhe vetëm sytë dalloheshin si në një maskë tmerri..!

Shkroi: Amarildo Pregapuca                                                                                                                                                                                                       Redaktoi: Stop Injorancës                                                                                                                                                                                                       
http://www.facebook.com/photo.php?fbid=439951139360970&set=o.220909724602709&type=3

Shqipëria dhe Kosova s’janë shtete fqinje


Sondazhet në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni tregojnë që shumica dërrmuese e popullit është për bashkim kombëtar të shqiptarëve në një shtet. Mirëpo, shumica dërrmuese e subjekteve politike shqiptare nuk e kanë bashkimin kombëtar shqiptar as në program dhe as në ligjërimin publik. Kjo kauzë, pra, mbetet e papërfaqësuar institucionalisht. Aq shumë është bashkimi kombëtar i vetëcensuruar nga politikanët, saqë do të mund të thuhej se vetëcensura politikisht është bashkim kombëtar.
Shqiptaria si fe e shqiptarëve (Pashko Vasa) edhe në shekullin 21 mbetet pa kishë e pa xhami të saj. Mbetet frymë pa institucion. Shtetet shqiptare duhet të jenë kishë e xhami për shqiptarinë. Kjo frymë shqiptarie gjithsesi është shumë e fuqishme teksa arrin të mbijetojë pa institucionet që do ta mirëmbanin e do ta riprodhonin.
Aq shumë shqiptarëve u kanë faj të tjerët pse mbetën të ndarë, e megjithatë kur e përmendim bashkimin kombëtar, ata flasin disi me faj. Jo pak shqiptarë, sidomos zyrtarët shetërorë, na pëshpërisin se si bashkimin kombëtar duhet ta realizojmë tinëz e me dinakëri. Mirëpo, asisoj, ne e kriminalizojmë kauzën e bashkimit kombëtar. Bashkimi kombëtar duhet të jetë çështje publike dhe shoqërore.
Jo pëshpëritje, por thirrje. Jo monolog, por dialog. Dhe, dialog i brendshëm i yni për atë që duam ne, në vend se dialog me shovinistët fqinjë të kombit tonë për atë çfarë duan ata prej nesh. Pra, jo negociata me Serbinë, Greqinë, Malin e Zi e Maqedoninë për aspiratat e tyre, por dialog i brendshëm ku shprehemi para njëri-tjetrit e me njëri-tjetrin për të ardhur në shprehje kolektivi ynë.
Bashkimi kombëtar i shqiptarëve as nuk e përjashton bashkimin evropian dhe as nuk mund të zëvendësohet prej tij. Në këtë aspekt, duhet pasur kujdes që ky bashkimi i ardhshëm, që unë besoj është edhe i domosdoshëm edhe i pashmangshëm, të mos jetë i brishtë sikurse pavarësia e Kosovës.
Ne rrezikohemi nga një bashkim kombëtar i kufizuar në simbole me ca territor të shtuar, por pa Ulqinin, Mitrovicën, Bujanocin e Shkupin, pa ushtri çfarë kanë shtetet normale dhe me një valë të re të privatizimit, ku ndoshta e marrim vesh që kemi pasur edhe naftë, por këtë e kuptojmë vetëm në momentin kur shitet ajo shumë lirë.
Bashkimi kombëtar s’duhet të jetë i kufizuar vetëm në kulturë, por të shtrihet edhe në ekonomi dhe shtet të përbashkët. Bllokimi i patates së Kosovës nga Shqipëria dhe bllokimi i çimentos së Shqipërisë nga Kosova, tregon që nevojitet të kemi strategji të përbashkët ekonomike.
Një komb në dy shtete sjell më shumë probleme. Shteti është entitet partikular që thekson veçantinë e vet edhe në dëm të së përbashkëtës së kombit. Edhe shteti i Shqipërisë, edhe shteti i Kosovës janë bërë në emër të kombit e përmes kombit, prandaj ato kanë për borxh t’i shërbejnë kombit, përfshirë këtu edhe bashkimin e shteteve tona.
Mbrëmë, derisa bisedoja me z. Ali Ahmetin, i theksova tri gjëra të nevojshme për shqiptarët jashtë Shqipërisë e Kosovës dhe subjektet e tyre politike: 1) Të jenë radikalë brenda institucioneve por edhe të bëjnë aktivitete jashtinstitucionale të padhunshme; 2) Kombi si formacion socio-historik modern duhet të forcohet sepse ai është, përveçse vlerë, edhe armë e fuqishme që na ka emancipuar edhe kundrejt feudalizmit, edhe kundrejt religjionit; 3) Shqiptarët jashtë Kosovës edhe Shqipërisë duhet të kritikojnë dhe të ankohen për çdo ditë te Tirana dhe Prishtina për të kërkuar mbështetjen dhe ndihmën e tyre të vazhdueshme.
Shqipëria dhe Kosova për mua nuk janë shtete fqinje. Këtu, forma dhe përmbajtja ndodhen në një marrëdhënie të tensionuar. Fqinjësia e mirë nënkupton që secili duhet të jetë mirë me njëri-tjetrin, ama në shtëpinë e vet. Kur unë vij në Shqipëri, nuk ndjehem si mysafir dhe nuk më presin si mysafir, dhe sa mirë që është kështu.
Ky kontrast midis formës dhe përmbajtjes duhet të eliminohet ose përmes ndryshimit të formës shtetërore, ose përmes ndryshimit të përmbajtjes kombëtare. E, unë jam për shtet të ri për kombin shqiptar dhe jo për komb të ri për shtetin e Kosovës.
Edhe një gjë të mos e harroj në fund: këtu mbase do të duhej të kishim, p.sh. ujë “Rugove” dhe ujë “Tepelene”, në vend të kësaj që kemi.
*Fjala e mbajtur në forumin “Fqinjët e Shqipërisë”, organizuar në Tiranë                                                                                                                      Albin Kurti

Thursday, July 12, 2012

Një përgjigje për Pirro Dhimën

Pirro ta duash Greqinë, por ne s‘të kemi asnjë borxh, përkundrazi. Në Shqipëri qave e qeshe për herë të parë, u rrite u bëre i famshëm. Mos i hiq vetes pjesën më të bukur të fëmijërisë dhe rinisë. Mos harro! Shqipëria të lau me flori, nuk ishin pak 15 medaljet e arta si peshëngritës, të bëri Mjeshtër Europe.
Ndjehem i detyruar t’i përgjigjem Pirro Dhimës, ndoshta për një arsye të thjeshtë njohjeje, si mjek sportiv, ku ai kaloi disa herë për tu vizituar dhe analizuar si sportist. Prej teje Pirro ruaj kujtime të mira. Ti ishe peshëngritës i madh i Shqipërisë. Kur kohët ndryshuan dhe ti u përpoqe për një jetë më të mirë, u shndërrove si ajo bima që transportohet në kubikë. Pra ishe formuar këtu, në vendlindje. Mos harro se ke marrë 15 medalje ari për Shqipërinë, disa prej të cilave atje në Greqi. Ke zënë vendin e katërt në Europë për të rritur dhe u bëre Mjeshtër i Europës, për peshëngritjen shqiptare.
Në Litohoro (Piereias) 25 km. nga Katerini, në këmbët e malit Olimp u njohe edhe me shoqen e jetës, Anastasinë. Lindët 4 fëmijë, vajzën tani 17 vjeçe, djalin 14, vajzën 12 dhe të voglin e pleqërisë 3 vjeç. Në këtë drejtim je treguar shqiptar i vërtetë.
Ty Pirro nuk të ngatërron asnjë këtu tek ne me minoritarin, sepse ti je himarjot i lindur në Tiranë dhe po të gërmosh historinë, do të gjesh në Himarë emrat e veriut të Shqipërisë, të njëjtat zakone këngë dhe valle. Himarjotët para se të mësonin greqisht dinin shumë mirë latinisht dhe italisht të paktën kështu thotë historia.
Në një shkollë “Lykeio” Litohoro, mundet nga viti 1997, kur ishe kthyer një peshëngritës i famshëm i Greqisë, “si nga fshati i gruas” u përpoqe të nxish çdo realitet tonin.
- “Unë Pirro Dimas nuk kisha të haja në Shqipëri se isha grek” . Kështu pate thënë në atë shkollë, fjalët pezmatuan jo vetëm shqiptarët, arvanitasit por edhe grekët vetë. Unë që njoh mirë mensën e “KS 17 Nëntori”, e di se sa mirë ju kanë mbajtur me ushqime, megjithëse vendi ishte në krizë. Sepse vendet Pirro kalojnë kriza siç po kalon dhe Greqia tani. Ganimetin, “Momën kuzhinjeren” shpirtmirë ti nuk e harrove, i solle një “dhoro” të vogël, të cilën ajo e tregonte me lot në sy, duke kujtuar me shumë mall Pirron e saj, çamarokun.
- Unë Pirro Dimas nuk më jepnin shkollë se isha grek.
Jo mor Pirro, në kohën që kam përfunduar “Fakultetin e Mjekësisë” ka patur disa djem të mrekullueshëm të minoritetit që janë bërë mjek të zotë. Ti personalisht nuk je shquar në mësime, megjithëse po ta them siç e kam thënë kudo, se gabuan me ty, duke mos të pranuar në ILKF “Vojo Kushi”. Ti mund të zemërohesh me disa shqiptarë, por kjo nuk të lejon të zemërohesh me të gjithë Shqipërinë.
Në stacionin televiziv “Mega”, në vitin 1992, të panë shumë shqiptarë, të cilët kuptuan se truku grek kërkonte që trajnerin tënd, Zef Kovaci ta bënte trajner italian. Në vend të vëllait tënd për të përkthyer, kishte ardhur një grek që dinte italisht për ta përforcuar gënjeshtrën. Kaq inat na paskan, sa dhe emrin e Shqipërisë nuk duan ta dëgjojnë? Çudi!!! S`dimë tu kemi bërë ndonjë të keqe kujt.
Pirro ti ke emrin e madh të Pirro Burrit, Pirros tonë të Epirit, Shqiptarit të madh, por ti gabon kur kërkon të bësh histori, sepse ti, kur flet për Epirin flet për atë politik ndërsa në të vërtetë duhet folur për Epirin gjeografik. Edhe Skënderbeu ynë është quajtur Princi i Epirotëve. Shko e shikoje në Vjenë, armaturën e Heroit tonë Kombëtar. Nëse Greqisë ti i kujton Vorio Epirin, që kërkojnë disa qarqe greke ta sjellin në vëmendje, e ke gabim. Po të kujtoj se në kohën e Perikliut të madh, Greqia ka qenë më pak se 1/3 e asaj të sotmes. Ne, fqinjëve tanë grek mund t’i kujtojmë Revolucionin për Pavarësinë dhe filantropët e mëdhenj shqiptarë, Çamërinë tonë, popullin e saj të shumëvuajtur dhe heroik, marrëveshjen e Fanarit, mallkimet e gjuhës shqipe, çkishërimet, helmimet e misionarëve të gjuhës shqipe dhe të kishës sonë etj. Këtë duhet ta dëgjojnë të gjithë, se kështu shtypet e keqja dhe ruhet fqinjësia e mirë që dëshirojmë. Historia e Greqisë është e bukur, por më e shumta është mitike ndërsa ne shqiptarët kemi histori me të vërtetë heroike. 
Mos të harrojmë Vangjel Zhapën rilindasin e “Lojërave Olimpike”, që grekët e tu e duan shumë, por harrojnë që ai është shqiptari që ka ndërtuar kisha, manastire, xhami e tyrbe. Pa më thuaj Pirro a ka ndonjë grek që bën xhami? Nga ana tjetër çe shtyu këtë njeri të rilindë Lojërat Olimpike? A mos ish thirrja e të parëve tanë ilirë? T’ja lëmë këtë historisë se ka shumë për të thënë për ne shqiptarët.Kur erdha në Greqi në vitin 1992 me Ylli Shehun për një ndërhyrje kirurgjikale në gju, ti na prite si miq. Më shumë anoje nga ne, se nga grekët të paktën këtë përshtypje më krijove. Kishe vuajtur, na the, në atë shtëpi bodrumi, ku tubat e ujërave të zeza i kishe gati mbi kokë dhe që shkarkoheshin me zhurmë kohë pa kohë. Na fole për punën e rëndë në ndërtim dhe llaçin që gatuaje me shumë mundime. Për të gjitha këto sakrifica dhe atë vendosmëri të palëkundur për të arritur diçka në sport, u krenova me ty, të admirova.
Por për tu habitur, me kalimin e kohës ti njeri kaq i mirë dhe i famshëm, u bëre i çuditshëm dhe i pakuptueshëm. Mendon se duhet të bësh politikë të tillë, që të jesh deputet i mirë për Greqinë? Por ti s’ke qenë kurrë politikan dhe propozimin për deputet duhet ta kuptosh mirë. Në këto momente krize, politikanët grek janë thuajse të urryer nga populli i tyre. Elektorati thotë më mirë Pirron, që megjithëse nuk njeh politikën, do të jetë i drejtë dhe i mirë me ne, Pirron peshëngritësin e shekullit, Pirron që e kujton Londra me një stacion të metros, nga ku do të hyhet në sallën e peshëngritjes, në Olimpiadën, Londër 2012. Edhe Greqia duhet të të bëj monument dhe e meriton, se në fund të fundit nga monumentet e lavdishëm është bërë dhe vetë ajo. Prit Pirro, prit i qetë dhe mos na “vringëlli armët”. A nuk e kupton se të ka ardhur koha e dilemës më të ligë në jetën tënde? Pjesa më e “keqe” e Greqisë, nuk të duan për të ngritur pesha sepse e dinë që ti nuk mundesh dot tani, por të duan që të jesh i besuar në melodinë Vorio-Epiriote sepse ka shumë grekër që nuk e besojnë më këtë propagandë të dalë - boje. Prandaj kur kërkon të flasësh duke u kthyer nga ne, është mirë tu drejtohesh atyre. Ne e dimë se çfarë është Vorio Epiri. Kjo daulle e çarë, e riparuar shumë herë vazhdon të bjerë duke lodhur më kot daullexhinjtë.
Pirro desha të kujtoj se dhe në ato kohë kur nuk kishim shtet dhe Greqia mund të na uzurponte lehtë, ne shqiptarët e kishin nga një pushkë në shtëpi. Kur duhet shqiptari nuk e turpëron veten për trimëri.
Pra të paktit grekë të duan për të turpëruar. Nuk ka as një shpjegim tjetër, duhet t’i kthesh me turp ato që ke marrë me djersë.
Tani meqë ke kohë që je larguar nga Shqipëria po të shkruaj një vjershë të Petro Nini Luarasit, të freskohesh pak, të bësh politika më të mira dhe me minoritarin, të kuptosh më mirë se kush jemi, kemi qenë e do të mbetemi ne shqiptarët.

                                                                                                                                                          Thonë s‘ditka Krishti shqipDhe shqip - fjale s‘pret prej nesh,
Vetëm në gjuhë greqisht
Të dëgjon e të mban vesh.

Po dhe Krishti ndë na thëntë
Se- “Jam grek, jakni pas meje”,
Do t‘I themi: - Pa mblidh mëntë,
Se Shqiptari s‘vjen pas teje!

Gjuhënë e kemi tënë
Të vjetërë dhe të vlyer
Nga perëndia ish thënë
Që ta ruajm të çkëlqyer.

Ironia e Petro Nini Luarasit në poezinë “Kundër mallkimit të gjuhës shqipe

Nga Prof. Dr. Lluka Heqimi

Tuesday, June 26, 2012

Tragjedia

"Raca njerëzore është e parëndësishme, është vetvetja, me parimet e bindjet tuaja, ajo që nuk duhet tradhëtuar asnjëherë"

E marr me mend që dikush prej jush për të më kundërshtuar me ironi do të më thojë "As Hitleri nuk e tradhëtoi veten e tij..."!

Po, ke të drejtë. Ai nuk e tradhëtoi veten e tij, nuk i tradhëtoi bindjet e veta. Ishin miliona gjermanë, ata që tradhëtuan veten e tyre.

KJO ESHTE TRAGJEDIA !

Jo që një njeri i vetëm kishte guximin për të shpalosur, me gjithë forcën e mundshme, ligësinë e tij, por që miliona e miliona njerëz të tjerë nuk gjetën kurajon për të qenë të drejtë, nuk gjetën kurajon për të ndalur marrëzinë. (John Fowles)

Kushtuar popullit shqiptar, fryrë e ngjeshur me kultin e individit, që sot shpesh e kërkon fajin tek një individ i vetëm, po ashtu siç zgjodhi që për periudhën diktatoriale, të pastronte ndërgjegjen, duke ia ngeshur të gjitha padrejtësitë, një zëri të vetëm. (Stop Injorancës)

Xhim Morrison mbi frikën

“Njerëzit kanë frikë nga vetvetja, nga realiteti i tyre dhe nga ndjenjat, mbi të gjitha. Njerëzit flasin rreth dashurisë, rreth mrekullisë e madhështisë së saj, por këto s'janë gjë tjetër, veçse dëngla.  Ta themi troç, dashuria lëndon dhe ndjenjat janë rropatëse.  Njerëzit janë mësuar ta trajtojnë dhimbjen si diçka të keqe dhe të rrezikshme.  Por si mund të kuptoni dashurinë, nëse jeni kaq të frikësuar për të ndjerë?  Dhimbja është krijuar për të na zgjuar, ndërsa njerëzit mundohen ta fshehin atë. Kjo është kaq e gabuar. Dhimbja është diçka për të cilën duhet të përkujdesesh, ashtu si për një radio. Ju njiheni me forcën tuaj të brendshme, pikërisht gjatë përvojës së dhimbjes. Gjithçka varet nga mënyra se si kujdeseni për të. Eshtë ajo që ka rëndësi.  Dhimbja është ndjenjë. Ndjenjat e tua janë një pjesë jotja, një pjesë e realitetit tënd. Nëse ju ndjeheni të turpëruar prej tyre dhe për këtë arsye i fshihni ndjenjat, ju po lejoni shoqërinë të shkatërrojë realitetin tonë.  Duhet të ngriheni në këmbë dhe të luftoni për të fituar të drejtën për të ndjerë dhimbjen tuaj.
Xh. Morrison 
Përktheu: (Stop Injorancës)

Sunday, May 27, 2012

Njerëzit dhe ndjenjat

“Njerëzit kanë frikë nga vetvetja, nga realiteti i tyre dhe nga ndjenjat, mbi të gjitha.
Njerëzit flasin rreth dashurisë, rreth mrekullisë e madhështisë së saj, por këto s'janë gjë tjetër, veçse dëngla.

Ta themi troç, dashuria lëndon dhe ndjenjat janë rropatëse.

Njerëzit janë mësuar ta trajtojnë dhimbjen si diçka të keqe dhe të rrezikshme.

Por si mund të kuptoni dashurinë, nëse jeni kaq të frikësuar për të ndjerë?

Dhimbja është krijuar për të na zgjuar, ndërsa njerëzit mundohen ta fshehin atë. Kjo është kaq e gabuar.
Dhimbja është diçka për të cilën duhet të përkujdesesh, ashtu si për një radio. Ju njiheni me forcën tuaj të brendshme, pikërisht gjatë përvojës së dhimbjes. Gjithçka varet nga mënyra se si kujdeseni për të. Eshtë ajo që ka rëndësi.

Dhimbja është ndjenjë. Ndjenjat e tua janë një pjesë jotja, një pjesë e realitetit tënd. Nëse ju ndjeheni të turpëruar prej tyre dhe për këtë arsye i fshihni ndjenjat, ju po lejoni shoqërinë të shkatërrojë realitetin tonë.

Duhet të ngriheni në këmbë dhe të luftoni për të fituar të drejtën për të ndjerë dhimbjen tuaj.
Xh. Morrison

Përktheu: Stop Injorancës

Mos e tradhëtoni vetveten!

"Raca njerëzore është e parëndësishme, është vetvetja, me parimet e bindjet tuaja, ajo që nuk duhet tradhëtuar asnjëherë"

E marr me mend që dikush prej jush për të më kundërshtuar me ironi do të më thojë "As Hitleri nuk e tradhëtoi veten e tij..."!

Po, ke të drejtë. Ai nuk e tradhëtoi veten e tij, nuk i tradhëtoi bindjet e veta. Ishin miliona gjermanë, ata që tradhëtuan veten e tyre.

KJO ESHTE TRAGJEDIA !

Jo që një njeri i vetëm kishte guximin për të shpalosur, me gjithë forcën e mundshme, ligësinë e tij, por që miliona e miliona njerëz të tjerë nuk gjetën kurajon për të qenë të drejtë, nuk gjetën kurajon për të ndalur marrëzinë. (John Fowles)

Kushtuar popullit shqiptar, fryrë e ngjeshur me kultin e individit, që sot shpesh e kërkon fajin tek një individ i vetëm, po ashtu siç zgjodhi që për periudhën diktatoriale, të pastronte ndërgjegjen, duke ia ngeshur të gjitha padrejtësitë, një zëri të vetëm. (S.I)

Sunday, March 25, 2012

Ciniku më i madh që ka ekzistuar ndonjëherë, është REALITETI.

Realiteti nuk e humb kurrë rastin të të dekonspirojë edhe përballë disa gënjeshtrave të bardha.

Kur ti krenohesh me arritjet e tua, ai të buzëqesh lehtë tek veshi. Një buzëqeshje që tërbon djallin...
Kur ti shpërndan komplimenta pa doganë, ai si shpërblim në ditët e tua të dobësisë, të godet me çok kokës, si një çmim i taksës së hipokrizisë.
Eshtë po ai që na përplas në fytyrë të vërtetat e hidhura, pikërisht kur kemi nevojë të dëshpëruar të përkëdhelemi mes gënjeshtrash simpatike.
Realiteti nuk është i mysët, por as i lugët. Ai është një pasqyrë e pafytyrë, që s'të ndryshon as emër, as ngjyrë. Të lë kohë të flesh sa të duash, ditën edhe natën, por në fund ti llogarit si ditë të jetuara. Orët e tij më të arta dhe të hareshme janë kur krahason veten me realitetin që krijon çdokush prej nesh. Sa më pak të përputhen këto realitete, aq më tepër realiteti gajaset.

Realiteti është ai që nuk ndjen kurrë mëshirë për ne dhe gjithë kërshëri ndërzen turma histerike të hidhen kundra nesh, për disa detaje të pafajshme të së shkuarës.
E në këtë valle ku realiteti i pari tund shaminë, të kapur përdore, të gjithë dredhojmë, kush e kush të vallëzojë më bukur...

Realitet, o cinik, të kam shok, më ke armik.

Shkroi: Stop Injorancës

Thursday, January 19, 2012

Prindërit - Mos harro



Kur ishe 8 vjeç babai të bleu një akullore dhe ti e falenderove duke bërë pis pantallonat e tij, ngaqë të pikonte akullorja.
Kur ishe 9 vjeç, ai pagoi për kursin tënd të pianos dhe ti e falenderove duke mos mësuar instrumentin.
Kur ishe 10 vjec, ai të bëri shëtitje rreth e rrotull qytetit, të çoi nga stërvitja e futbollit tek ditëlindja e një shoku etj,,, dhe ti e falenderove duke dalë nga makina dhe kurrë nuk e ktheve kokën prapa.
Kur ishe 11 vjeç, ai të çoi ty me shokët e tu në kinema, për të parë filmin që pëlqeje dhe ti e falenderove duke i thënë që të ulej në një vend larg teje.
Kur ishe 13 vjeç, të sugjeroi se si ti prisje flokët dhe ti e falenderove duke i thënë se s'kishte shije për këto punë.
Kur ishe 14-të ai të pagoi një eksursion një-mujorsh dhe ti e falenderove duke mos i dërguar asnjë letër, ndërsa ishe larg.
Kur ishe 15 vjeç, ai erdhi nga puna dhe kërkonte një përqafim tëndin. Dhe ti e falenderove duke mbyllur derën e dhomës tënde me çelës.
Kur ishe 16-të ai të mësoi makinën dhe ti e falenderove duke i marrë makinën përherë.
Kur ishe 17-të ai priste një telefonatë të rëndësishme dhe ti e falenderove duke ndenjur gjithë ditën dhe natën në telefon.
Kur ishe 18 vjeç ai qau kur ti u diplomove ndërsa ti e falenderove duke festuar me shokët e tu.
Kur ishe 19-të ai të pagoi universitetin dhe solli valixhet e tua në dhomë, ndërsa ti e falenderove duke i thënë "mirupafshim", por me frikën se mos turpëroheshe në sytë e shokëve të tu.
Kur ishe 25 vjeç, ai pagoi dasmën tënde dhe ti ia shpërbleve duke ikur nga qyteti bashkë me gruan tënde.
Kur ishe 50 vjeç ai u sëmur dhe kërkoi ndihmën tënde. Dhe ti e falenderove duke menduar se ai ishte një barrë për ty.
E pastaj, një dite ai VDIQ.
Dhe vdekja e tij ra si një rrufe në zemrën tënde. U pendove për të gjitha gjërat që s'kishe bërë.

Duajini prindërit, sepse ata të falën jetën dhe bënë që të bëhesh DIKUSHI në jetë!

Monday, November 14, 2011

Na t'bijtë e Mjëvjeçarit të Ri !



 Kur u zgjova sot në mëngjes dhe u pashë para monitorit, vura re se më kishte dalë një dërr-butoni jeshil në faqe dhe e shtrydha fort me thonj.
 Provova me të majtën, me të djathtën, por mausi më kish ngrirë e shpinën e tastierës e kisha copë.
 Duke luajtur mbrëmë tërë natën një lojë "multiplayer online" po ndjej sot një dhimbje të tmerrshme Hard Disku. Përpiqem të rrotullohem në karrige, por po ndjej që këmbët i kam "Not Responding".
 Mesa duket më ka hyrë ndonjë trojan i fëlliqur, që nuk po më lejon të operoj normalisht edhe pse proçesorin e kam "Dual Core".
 Nuk po më kujtohet "Paswordi" e mbeta këtu pas derës së frigoriferit. Më mirë po shkarkoj ndonjë gjë për të ngrënë me shpresën mos më del version "Trail" ashtu si dje...

 Ku ka më bukur se të hapësh ditën duke dëgjuar "Live" Majkëllin me këngën "Earth Song"...


 Eh! Në jetë vetes i kam vendosur shumë komanda. Edhe pse jam përpjekur shpesh që të bashkoj njerëzit "Select All" për të arritur një qëllim, më shfaqen pareshtur disa "Hidden Folders" që më pengojnë qëllimet.

 Po kujt i plasi RAM-i, në fund të fundit ?!
 Unë jam njeriu "BETA"!

 Unë bëj konferenca, unë hedh regjime, unë bëj REVOLUCIONE e pasditet i kaloj në rrjete sociale. Gjykoj e kritikoj, këdo e kurdoherë. Unë ndërtoj faqe, administroj "web-e", shes "Domain-e". Ndërtoj ushtri me "copy-paste" dhe ringjallem pas çdo dështimi me "Start New Game".

 Unë urrej emrat, por dashuroj nofkat.
 Pavarësisht se gjatë rrugës nga Lap Topi e deri tek "Kafe Interneti" më i afërt nuk mi hedh qyrrat askush, unë në këtë realitet kam reputacion. Pas avatarit tim rrotullohen dhjetra "LIKE-e".

 Unë kam miq në gjithë botën, nga të gjitha racat, moshat e qëllimet, por miku im i ngushtë quhet "Google". Ne bashkë ndërtojmë kauza, mbrojmë delfinët, bëjmë donacione dhe jemi ekspertë të çdo fushe.

 Ajo që kam kuptuar nga jeta është se "CYBERSEX-i" nuk është gjithçka gjatë lundrimit në internet, pavarësisht se shumë njerëz shohin si qëllim, të bëjnë "Save As Të dashur" kurdoherë. LOL

 Ne jemi brezi "NEW EDITION"!

 P.s E meqënëse jemi këtu, doja të më bënit "Share" ndonjë këshillë a sugjerim se si mund të ngul një gozhdë në mur, sepse dua të vendos "Woofer-in" e ri aty...

 Shkroi : Stop Injorancës ! http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Wednesday, April 27, 2011

Urrej të majtën!

Urrej të majtën sepse çdo ditë e më shumë dëshmon pafuqinë e vet përballë të djathtës fashiste. Urrej të majtën që ka shndërruar 21 janarin në shifrën kalendarike të një kohe të largët, në histori që nuk na përket dhe që nuk mund të na shkaktojë më shumë se një ndjesi melankonike, në shoqërinë e një gote konjaku dekadent.Urrej të majtën që bëri të dukej Gërdeci një histori në një dimension tjetër, në një botë paralele me botën tonë gazmore, paçka dridhjeve jo natyrale tokës që tronditën këmbët e tiranasve pellazgë.
Urrej të majtën e deklaratave për shtyp, e deklaratave-dëshmi të aftësive recituese, profesionalisht të trajnuar të deputetit apo aspirantit të rradhës, që nuk e trembin fare të djathtën abuzive në pushtet. Urrej të majtën që përzgjedh fjalët për të qenë në rregull me çdo raport pa ngjyrë ndërkombëtarësh të ushqyer mirë. Urrej të majtën që mendon në anglisht përballë problemeve që dalin përpara përditë si barrikada njerëzore. Urrej elegancën e tyre, sjelljen politikisht korrekte, kohën e harxhuar me bon ton.
 Urrej të majtën që garon me të djathtën për të fituar biznesmenët, në një vend ku biznesmenët po bëjnë ligjin, duke e destinuar në letër me vlerë të ndonjë kohe ende të paardhur.
Urrej marrëveshjet e të majtës që kultivojnë impotencën. Urrej kohën që shpërdoron në rolin e viktimës përballë vëzhguesve të huaj, duke i vënë një kryq sipër forcës së madhe që ka brenda vetes.
Urrej të majtën që e ka lënë Shqipërinë pa asnjë peshë politike, të populluar nga individë që reagojnë si në mpirje kolektive. “U vetëvra djali i protestuesit të vrarë në 21 janar”. “Po po, e lexova tek Ballkanëeb”. “Berisha gënjeu për dëmshpërblimet e Gërdecit”. “Po po, e pashë tek TCh”. “Presidenti qenkësh puçist”. “Po po, e di”. “Meta po vidhte bashkë me Priftin”. “Po po, e pashë”.
Individë indiferentë që ekzistencën e tyre e përjetojnë përmes dëshmive mediatike. Indiferencë që në të vërtetë ulërin, se e majta në Shqipëri po hesht. Se e majta e deklaratave për shtyp nuk është dhe nuk flet për njerëzit. Se 80% e deklaratave thashethemnajë, nuk mund të mjaftojnë për të përfaqësuar popullin e majtë të shtetit më të varfër në Europë, shtetin më pak të përgatitur për të nesërmen, por që prej 20 vjetësh përjeton dejavu-në e një të sotmeje të errët e të pa shpresë. Shtetin që nuk lexon më. Shtetin që prodhon ekskluzivisht ekonomiksa dhe juridiksa më stampën e analfabetit.
Urrej të majtën që përkujdeset për të dalë bukur në foto plazhi, pavarësisht se muskujt glutealë ende nuk përbëjnë vlerë prioritare në Bathore, Patos, apo te 21-shi.
Urrej të majtën që nuk di të jetë opozitë, të majtën e tërhequr në pritje, me qetësinë e kujt ka luksin të presë. Urrej të majtën e 10 deputetëve më të pasur në Parlament, të PS-istëve me kohë shtesë. “Çfarë të bëjmë Ando, duhen lekë për të mbajtur Partinë” është refreni shkrefës për kë akoma beson se diçka do të ndryshojë, ndërkohë që biznesmenët luajnë me intuitë për të zgjedhur kahet. Sepse biznesmenët kanë gjithmonë kohë.
Urrej të majtën që për t’u zgjedhur, ka zgjedhur t’u bashkangjitet zgjidhjeve të djathta në një sfond qesharak që çdo ditë rrokulliset në kufijtë e tragjikes.
Urrej të majtën që ushqen besimin se ende ka garë mendimi mes dy partive.
Urrej të majtën që ka relativizuar fjalën aq sa asgjë që thuhet nuk ka më peshë. Urrej të majtën që kurrë nuk i qëndroi fjalës së dhënë. Të majtën që u përqëndrua për të arritur një imazh sa më qesharak të vetes. Të majtën që doli nga greva e urisë sepse ashtu iu tek Brukselit. Që në darkën me mëlçi pate hodhi në erë 20 ditët pa ushqim. Të majtën që 22 janar doli për të tradhëtuar atë për të cilën luftoi në 21 janar. Të majtën që braktisi viktimat në maskaradën e kriminelëve të djathtë. Të asaj të djathte që sot po del me program në dorë. Të djathtës që ndërkohë që vjedh në ditën me diell, premton të heqë 60 nga 85 taksa vendore.
Urrej të majtën që ende ngulmon t’i ngjajë të djathtës në logorencë, të majtën që na destinon në çoroditje, pa forcën e fjalës, që na mbyll në vetvete si autistë të pashpresë.
Të majtën që nuk më jep arsye për ta votuar dhe që më bën të dua të jem patetik.


  • Andi Kananaj

Jam emigrant, shqiptar, zot e krenar...

Për një jetë më të mirë. A thua vallë kaq egoist të jem?! Për një jetë më të mirë, vura jetën time në shërbim të një vëndi tjetër. Vura jetën, përbërjen e frymarrjëve që mbushin e zbrasin kasollen e shpirtit tim mall.

Jam shqiptar...Zot dhe Krenar, do kish' thënë dikush që varri iu gdhend përtej detit të pa kombësi. Përtej qiellit që ndrit shqip, përtej pasthirmës së mëmës kokëbardhe...përtej Shqipërise.


Jam emigrant dhe bota moderne bashkëkohore, më mësoi që një zdrukthtar i mirë i ndjenjave të mia të behem. T'i zbus lëkurën dinjitetit psikopat, që më patjetër donte të ish i ndershëm. -I marri, me mullinjtë e erës moderne donte vallë të luftonte?! 
Zdrukthtar, profesion i një arti të rrugës, mësuar dhe provuar mbi lëkurë të trupit tënd. Deomos!-Gjithcka nis nga vetja por sinjalet që unë perçoj drejt shoqërisë së vibrimit mental dhe shkundjeve qënësore janë të dobëta, janë gudulisje nën sqetull të Europes Plakë. Të papërfillshëm, si unë para syrit dyshues që më vështron.

A thua jam i shëmtuar? Apo mbaj erë jo të këndshme? -I pastër kam qënë gjithnjë...Nëna m'ë lante e më fërkonte këmbët me një gur të zi të madh, që në raste të tjera përdorej të mbanim derën hapur të kasolles tonë qerpiç.

-Eh ç'fllad shqiptar freskonte atë shtëpi të pastër, me gruan më të bukur në tesha shtëpie, parë ndonjëhere nga syri i fëmijes përrallë.

Kam venë re , të pëlqejnë syrin tim zeshkan, mes dritash therëse të një klubi nate. Të më afrohet gjini e kundërt sikur vërtetë do të njohë prejardhjen time shqiponjë. Por jo nuk shkon kurrë aq thellë. Gjinia e kundërt(përse t'a mohoj, joshëse) kthen gotën e kristaltë me fund dhe nga fundi i saj më hedh një sy , nga ai vështrimi i xham-të që kurrë nuk merr shkëlqimet e thërmosura të një diamanti.

Hap sytë, në shtratin tim të ngushtë, pushoi për një natë të tërë sërisht, shpirti im i gjerë. Dita duhet të ketë zbardhur, por në tunelin tim, dielli është denuar. Po çohem, drejtë errësirës të djeg dhe një ditë në kërkim të dritës ne fundin e tunelit tim.

Ndonëse i dëshpëruar nga malli, larg atdheut e njerzve të mi më të dashur, do të doja të isha më i lumtur sonte, e sytë e mi të vezullonin në vendin tim, atje ku jehona e shqipes më thërret .
Jam emigrant, shqiptar, zot e krenar.                                                                                                                      
Shkroi: Dy udhëtarët

Anoreksi shpirtërore

Sa gjatë mund të adhurojmë dikë? Se fundja psikika jonë ushqen ç'do motivim e lëvizje të së vërtetes tonë...

Jeton dhe ushqen qënien tënde me pjella të psikikës...Ti do dikë, diçka apo adhuron për atë që të bën të ndjesh? A thua valle? Apo ti stimulon , ti aktron dhe ti vendos të marrësh "intravenozen" dhe botën përreth saj bashkë me individin?

Ti nuk beson që adhuron vazhdimisht dhe përhere të njejtat "burime" që të eksitojne organizmin fizik dhe mendor...

Mbase ti nuk beson më në mrekulli? Ndoshta...por ndjen që ke filluar të furnizosh përceptorët me shumë pak...anoreksi shpirtërore.

                                                                                                                                                  
Çfarë e karakterizon  veprimtarinë tënde, qëllimi apo mposhtja.

Cili është qëllimi yt?

Për disa të pazhvilluar, qëllimet janë kënaqësitë e çastit;të ngrënit, te pirët, shumë shumë të gogësiturit. Për disa pak më të zhvilluar është lumturia që nuk ka rëndësi se si;ne ç'rrugë, të ndershme apo jo. Për disa të tjerë lumturia e ndershme...ndërsa për ata më të epërmit është liria, jeta dhe shuarja anoreksike shpirtërore.Liria e merituar përmes sakrificave, jeta e gëzuar nën britmat e njerzve më të dashur, shuarja anoreksike shpirtërore për të qënë i lirë.

I ngujuar në mendime, në eufori zotash, materiale, ide, në luftë për mbijetesë të ndërgjegjes tënde ti ke anoreksi shpirtërore.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                          
Shkroi: Dy udhëtarët

Friday, April 15, 2011

Është nxirë qielli shpirt.

Kam vujatur deri në qelizen më të brishtë...teksa numëroj vitet që ikin pa ty pranë.

Ikin vitet apo vinë vite pa ty?

-Është nxirë qielli shpirt...ti mbret i diellit në perëndim. Perëndim i kuq, përgjakur qiellit tim të vetmuar. Gjashtë vite , gjashtë lule, gjashte lotë, gjashtë herë emrin tënd thërritur mes netësh. Gjashtë rrahje të një zemre të shkalluar nga vuajtja , për mos prezencen tënde aq jetike. Gjashtë kujtime me buzëqeshjen qëndisur e stolisur më mbajne gjallë sot, teksa të shkruaj këto fjalë:

Është nxirë qielli shpirt, o rreze dritë në vëgim ndriçomë!

-Të kam thënë që më mungon? Ti o ritual ndjesor i ditëve të mija. Ti o shok , vëlla i madh, prind...çati e lartë krenare...kulmi dhe themeli im. Më ndjen pranë, errësires pushtuese o shpirti im? Mos më thuaj që ke ftohte...Unë shpirtin kam djegur ndër vite veç ty të të ngroh...sado pak. Atje thellë nën tokën plakë , nën dheun e heshtur që mban mbretërit e vertetë. Mbreti im imzot...

-Të njome më le, ende më e vogel ndjehem sa herë nata zbret e ti mbreteron errësires se jetës muzg...Të mendoj kur shtrihem...e mbaj kokën larte, por shpirtin e ndrydhur zhys nën pëlhurat e shtratit të jetimes. Dramë!-Sa e vogël ndjehem, sa brishtë para gropës së humbjes tënde.

-Shpeshherë qëndroj në buzët e shqyera të kësaj grope thithëse, vë qënien mbi to dhe premtoj të vij tek ty...Ndjej zhurmën dhe britmat e humbjes të vijnë nga poshtë. Ndjej afshin e vetmise tënde mbi flokë të mi, por asgjë nuk ndodh...Asgjë! Shtrirë mbi gojë të shqyer të gropes vrastare, pres një shenjë tënden...Ti hesht...përsëri dhe une o shpirt hodha mbi të lulen e gjashtë...

Edhe sa kopshte për ty do ç'rrenjos? Ti rrënja e qënies timë fëmijë!

"Me shpirt të gjunjëzuar dhe me sy nga qielli, të pyes o Zot a vdes ëngjëlli?"
                                                                                                                                                                               Për tim atë.                                                                                                                                                            
                                                                                                                                                              Shkroi: Argita Lleshi                                                                                             Red. Stop Injorancës