Monday, September 13, 2010

Dëshmia, Myftiu i Lushnjës: Nuk kam lidhje me 50 mijë $ nga Arabia

TIRANË - Myftiu i Lushnjës mohon çdo lloj lidhjeje të tij me sasinë e parave prej 50 mijë dollarësh që i faturohen prej studentit Fadil Bardhoshi. Gjatë qëndrimit për rreth 4 orë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, Myftiu i Lushnjës, Tomorr Boriçi, nuk ka pranuar se sasia e parave ishte për të apo e porositur prej tij dhe as që do të përdorej për rikonstruksionin e xhamisë në Lushnjë, ashtu siç ishte pretenduar nga studenti Bardhoshi në deklaratat e tij përpara agjentëve të antiterrorist.

I paraqitur dje në drejtorinë e policisë së Tiranës, myftiu Tomorr Boriçi është marrë në pyetje si deklarues pas ndalimit të studentit shqiptar që studion në një nga universitetet fetare të Medinës në Arabinë Saudite.


Dëshmia e myfitut të Lushnjës vjen pak ditë pas dëshmisë së Fadil Bardhoshit, i cili deklaroi për oficerët e zyrës së Antiterrorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë se shuma financiare që ai mbante me vete ishte për Boriçin. Ky i fundit, gjatë qëndrimit të tij për 4 orë është pyetur për pozicionin, rolin dhe njohjet me studentin shqiptar që studionte në Arabi dhe motivin e parave. Problem përbën fakti se Komuniteti Mysliman Shqiptar nuk ka pasur dijeni mbi një transfertë parash në vlerën e rreth 110 mijë rialëve, shumë afërsisht e barabartë me 50 mijë dollarë amerikanë.

Gjatë marrjes në pyetje të Bardhoshit nga hetues të Antiterrorit në Medinë, ai kishte deklaruar se paratë duheshin për rikonstruksionin e një xhamie në Lushnjë, prej ku doli edhe emri i Myftiut të Lushnjës, Fadil Boriçi. Fadil Bardhoshi është shoqëruar në muajin qershor të këtij vitit nga policia saudite, ndërsa ishte kapur në aeroport me shumën e konsiderueshme të parave të cilat ishin të padeklaruara. Kjo shumë, sipas burimeve, ishte disa herë më e lartë nga shuma maksimale që lejohet nga autoritetet saudite të mos deklarohet në pikat e kalimit të saj në kufi.

Komuniteti Mysliman pezullon Myftiun e Lushnjës
Burime zyrtare të Komunitetit Mysliman pohuan për gazetën "Shekulli" se Myftiu i Lushnjës ka pasur një takim dje me anëtarë të këtij Komuniteti, të cilët kanë zhvilluar një mbedhje të jashtëzakonshme. Ky takim është zhvilluar përpara se myftiu të paraqitej pranë zyrës së Antiterrorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Kryesia e Përgjithshme e Komunitetit Mysliman lidhur me pyetjen se çfarë masash konkrete janë marrë për Myftiun e Lushnjës, është shprehur se ka vendosur pezullimin e tij nga posti që mban. Do të jetë takimi i zhvilluar ditën e sotme rreth orës 9:30 ku do të vendoset se çfarë masash të tjera, përveç asaj të pezullimit, do t'i ngarkohen Tomorr Boriçit. Anëtarë të Komunitetit Mysliman të pyetur nga gazeta "Shekulli" se a ka pasur raste të tjera të ngjashme, janë shprehur se nuk ka pasur asnjë rast zyrtar.
Këto lloj veprimesh quhen shkelje të rënda dhe dënohen nga Komuniteti Mysliman, të cilët nuk kanë pasur asnjë lloj dijenie lidhur me këtë transfertë parash që do të bëhej në emër të myftiut të Lushnjës, Tomorr Boriçi.


Sshekulli

No comments: