Saturday, January 29, 2011

Pyetje që çdo qytetar duhet t'i bëjë vetes...

Në ngjarjen e 21 janarit, që prej thuajse një jave ka mbërthyer të gjitha debatet e shtypit të shkruar dhe atij pamor, ku humbën jetën me armë zjarri 3 demostrues, kishte gjithashtu edhe 5 të plagosur të tjerë me armë zjarri.
Një prej këtyre të plagosurve, ishte edhe Fatos Mahmutaj, gazetari i ABC NEWS, televizioni informativ i grupit të TV Klan. Ai ishte i vendosur mbi podiumin e vogël, që ishte ngritur posaçërisht për gazetarët dhe reporterët, që do të monitoronin demostratën e 21 janarit.

Në çastin, kur gazetari në fjalë, ka qenë duke reportuar direkt në televizionin ABC NEWs, nëpërmjet telefonit celular, një plumb i ka përshkruar atij dorën, shumë pak centimetra larg kokës së tij, kur një tjetër plumb preku kokën e Hekuran Dedës dhe e la të vdekur në vend.

Detyra e një gazetari është përcjellja e informacionit tek qytetarët dhe Z. Fatos, si dëshmitar okular i ngjarjes dhe për pak centimetra, një tjetër viktimë e demostratës, deklaroi se pa me sytë e tij gardistin i cili qëlloi në drejtim të protestuesve, të cilët ishin jashtë dyerve të kryeministrisë.

Sot, Fatos Mahmutaj nuk është më gazetar i ABC NEWS.

Ai dhe dorëheqjen nga kjo media e fuqishme financiarisht, e ngritur në pak muaj më parë, sepse iu kërkua të përgënjeshtronte atë që pa, atë që përjetoi, atë që deklaroi në çastet e tmerrit, që mund të ishin çastet e fundit të tij.

Cila qenka kjo media që kërkon të dizinformojë qytetarët e saj? Cila është kjo media që nuk mbron as gazetarin e saj?

Kujt i shërben një media e tillë dhe nga kush sponsorizohet?

A do të lejojmë që edhe në vitin 2011 të përdoremi dhe tallemi kaq hapur?
Jetojmë në demokraci, apo në fashizëm?

Dje, më lutet e fejuara ime, që sot të mos shkoja në kortezhin e heshtur, që do të mbahet në orën 14:00, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për të respektuar 3 të vrarët e protestës së 21 janarit. Me lutet në lot, po ashtu si m'u lut më 21 janar, edhe pse një nga arsye e forta pse shkova, ishte po ajo. Ka punuar në administratën shtetërore që prej 5 vjetësh, me arsimin përkatës, madje edhe me një master pikërisht për profilin e saj. E hoqën nga puna ndërsa ishim me pushime në korrik, kur kishim marrë të dy lejet e zakonshme. Duke thyer çdo rregull shtetëror, çdo arsye, çdo logjikë.

E hoqën nga puna pa asnjë motivim, pa asnjë arsye, pa asnjë paralajmërim. Thjeshtë e hodhën në rrugë. Ashtu si të edhe mbi 20 kolegë të saj dhe të gjithë u zëvendësuan nga miq të politikanëve dhe të njohur të familjes "mbretërore".

E ndërsa më lutej në lot, duke më thënë: "Çdo të fitosh, atje të vrasin, askush nuk mban përgjegjësi dhe nuk mund të ndryshosh asgjë. E shikon sa indiferentë janë bërë njerëzit", etj, etj, m'u kujtua një pjesë e të madhit Jeronim De Rada tek Këngët e Milosaos tek Serafina Topia 1840, ku ai shpalos konfliktin mes ndjenjës dhe arsyes, mes dashurisë së vajzës që i lutet djalit mos të shkojë në luftë dhe dëshirës së djalit për të luftuar për liri.
Nëpërmjet shkatërrimit të shpejtë të lumturisë familjare të Milosaos, shprehet ideja se nuk mund të ketë lumturi vetjake, kur atdheu është i robëruar, se detyrës së madhe të luftës për çlirim i duhet nënshtruar çdo gjë.

Po sot, a ka më qytetarë ky vend? A ka më burra? A ka më arsye, a dëgjohet më zëri i saj? A ka më ndjenjë?
Opposition supporters walk past overturned cars following clashes with police during a protest in Tirana, Albania, Friday, Jan. 21, 2011. Protesters clashed with riot police outside Albania's main government building Friday as more than 20,000 people joined an opposition rally to demand the conservative government call an early general election. (AP Photo/Visar Kryeziu)


Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Ndaloni vetshkatërrimin e Shqipërisë.

Në një moment Shqipëria është ne listen e Lonely Planet si një nga vendet që duhet vizituar, për vitin 2011, një vend anëtar i NATO-s, shtetasit e të cilit gëzuan të drejtën për të udhëtuar pa viza në Bashkimin Evropian; ndërsa më pas, Forcat e qeverisë qëllojnë dhe vrasin protestuesit në rrugë dhe Ministria e Jashtme britanike paralajmëron vizitorët të shmangin turmat e mëdha në Tiranë.

Shqipëria, e cila I shpëtoi një diktature si ajo e Koresë së Veriut në vitin 1990 , për të hyrë më pças në kolaps të dhunshëm në vitin 1997, tani gjëndet në prag të një tjetër katastrofe. 

 Nëse vendi zhytet përsëri në konflikt të brendshëm apo kthetrat rrugën e saj kthehet çështje në Evropë. Shqipëria ka qenë kohët e fundit factor paqeje në Ballkan, duke ndërtuar lidhje me armiqtë e vjetër si Serbia dhe duke udhëzuar vëllezërit e së njëjtës etni në Kosovë dhe Maqedoni drejt paqes. Trupat e armatosura të vendit qëndrojnë përkrahë ushtarëve të tjerë të NATO-s në Afganistan. Një rikthim i Shqipërisë në konflikt do të ishte i keq për Ballkanin, I keq për Evropën dhe i keq për NATO-n. 


Kriza e tanishme,megjithatë, i ka rrënjët e thella. Që prej viti 1992, asnjë prej zgjedhjeve të Shqipërisë nuk janë konsiderohen të lira dhe të ndershme nga OSBE, organi-zgjedhor i monitorimit. Në zgjedhje është luftuar sit ë ishte betejë, me ushtri që i betoheshin për besnikëri vetëm njëri-tjetrit dhe jo ndaj një procesi demokratik. Zgjedhjet janë për politikanët një mundësi për të shkatërruar kundërshtarin dhe për të pasuruar miqt.

Zgjedhjet e fundit, të qershorit 2009, nuk ishin më të ndryshme. Kreu i Partisë Socialiste në opozitë, Edi Rama, proteston kundër rezultateve duke bojkotuar parlamentin.Bojkoti është ende në fuqi, duke e privuar Shqipërinë nga një klimë e qetë, për shkak të mosmarrëveshjeve.

Ndërkohë, Kryeministri Sali Berisha ka qeverisur në një mënyrë të atillë që e ka bërë organizatën “Freedom House” ta konsiderojë vendin si "pjesërisht të lirë," status i njëjtë më atë të Abkhazisë, Gambias dhe Nagorno-Karabakh. 

Politika majë për majë, e mrpehtë dhe një rivalitet personalitetesh midis Berishës dhe Ramës ka vepruar si një thikë me dy presa, me fërkimet e të dy palëve, duke I ndarë institucionet e vendit siç çan sopata drurin.

Le të marrim çështjen e Kushtetutës së Shqipërisë të vitit 1998. Tre vjet më parë Berisha dhe Rama, ranë dakord me cinizëm për një grup gjithëpërfshirës të reformave, të cilat, sipas ish-presidentit Alfred Moisiu, e ndryshuan dokumentin brenda natës. Të dy udhëheqësit duhet të kenë menduar se do të ishin ata që do të qëndronin në pushtet e që do të përfitonin nga ndryshimet. Tani kur duket se vetëm njëri është përfituesi, pala tjetër qan me urrejtje. Modeli u përsërit me futjen e një Kodi të ri zgjedhor.

 Korrupsioni është ndoshta problemi më i madh. Shqipëria renditet në vendin e 95-të nga 180 vende në Indeksin e 2009 të “Transparency International” lidhur me perceptimin e korrupsionit . Megjithatë, Berisha ka refuzuar të shkarkojë aleatët kryesorë që përballen me padi. Një shpërthim në një depo ushtarake që vrau shumë njerëz, detyroi ish ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes, Fatmir Mediu që të jepte dorëheqjen. Ai është rizgjedhur tashmë dhe gëzon sërish imunitetin parlamentar që gëzonte para dorëheqjes (aktualisht ai është Ministër i Mjedisit në qeverinë e Berishës).

 Janë të panumërta rastet e tjera në mesin e anëtarëve të klasës politike të të gjitha palëve. Situata në media është gjithashtu e zymtë, pavarësisht nga garancitë kushtetuese të lirisë së shprehjes. Është bërë tanimë e zakonshme që mediat të konsiderohen të jenë partizane, dhe gazetarët ti nënshtrohen padive, kërcënimeve dhe sulmit fizik. Vitin e kaluar gazeta kritike, "Tema", u dëbua nga zyrat e saj pavarësisht se një urdhër i gjykatës ndalonte këtë veprim. Botuesi gazetës "Tema" u rrah edhe nga truprojat e një manjati të naftës I lidhur ngushtë me qeverinë. Pas vitesh të këtij lloj aktualiteti, nuk është çudi që institucionet shqiptare janë në kaos
.
Edhe sistemi gjyqësor është në një gjëndje kaotike. Akoma diskutohet politikisht nëse duhet të arrestohen apo jo gjashtë komandantët e gardës së republikës, të cilët akuzohen për vrasjen e protestuesve. Në vend që të ndalohen dhe të pranojnë dëmin që kanë shkaktuar, Rama dhe Berisha kanë mprehur shpatat.
Ata të dy duken se janë të gatshëm për të përdorur praktika jo-institucionale, njëri për të fituar dhe tjetri për të mbajtur pushtetin. Berisha akuzon Ramën se po përpiqet të fitojë pushtetin me force dhe se po përpiqet për të rrëzuar një qeveri të ligjshme.

Tani ai ka për qëllim të nxjerrë demostruesit e tij në rrugë. Rama, nga ana tjetër, proteston se regjimi i Berishës është jodemokratik dhe se vetëm një revolucion si ai I Tunizisë mund të sjellë një ndryshim në vend. Bashkimi Evropian ndërkohë është përqëndruar diku tjetër në Ballkan në vitet e fundit. Megjithatë, tani BE duhet të bëjë të qartë se politikanët e Shqipërisë duhet të bëjnë hapa larg përdorimit të dhunës dhe shkatërrimit të institucioneve të vendit. Në të kundërt, atëherë shqiptarët do të humbasin mundësinë e lëvizjes pa viza në Evropë dhe vendi i tyre do të humbasë mundësinë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Edhe anëtarësimi i vendit në NATO mund të jetë në rrezik. Për të treguar shqetësimin e saj, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme Catherine Ashton, përfaqësuesja, duhet të dërgojë një ndërmjetës të lartë në Shqipëri. Duhet të ngrihet një komision ish-presidentësh për të hetuar dhunën e kohëve të fundit. Bashkësia ndërkombëtare duhet të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare vitin e ardhshëm, duke dërguar një mesazh të qartë, se institucionet shqiptare nuk janë më të besueshme dhe të afta për ti organizuar vetë zgjedhjet.

Qeveria e re duhet të ketë një axhendë konkrete reformash. Kjo do të mund ti ndalojë më në fund politikanët shqiptarë që të prekin institucionet e vendit. Nqs kjo nuk ndodh, ndikimi do të ndjehet edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

 Daniel Korski, anëtarë i lartë i Këshillit të Europës për Çështjet Ndërkombëtare/ Bashkëpunëtorë i NYT.

Në Shqipëri sot ka të burgosur politikë

Prindërit e dy djemve të rinj të cilëve u është hequr prej ditësh liria, ishin mbrëmë në redaksinë e Shekullit. Këta djem quhen Ledion Muharremi dhe Markelian Saliko.


Markelianin familja e ka kërkuar me zemër në dorë, komisariat më komisariat e burg më burg për katër ditë rresht, derisa dje më në fund e gjetën ku e kishin flakur pasi e kishin zvarritur qeli më qeli. Thjesht vendoseni veten në vendin e prindërve të Markelianit.
Markeliani dhe Ledioni janë pjesë e një grupi prej rreth 40 vetësh, që vazhdojnë të mbahen në burg pas protestës së 21 janarit. Markeliani dhe Ledioni janë arrestuar, sepse kanë marrë pjesë në një aktivitet politik të opozitës. Ata sot janë të burgosur politikë.
Markeliani dhe Ledioni janë të dy 20 vjeçarë. Kanë një skedë penale të bardhë, thënë thjesht në jetën e tyre nuk kanë bërë asgjë jashtë ligjit.
NUK KANË BËRË ASGJË!
Nuk kanë bërë asgjë që të meritojnë një "korridor" policësh të vendosur në 2 rreshta të formuar nga 20 vemje me uniforma që i kanë qëlluar e pështyrë djemtë të gjithë me radhë nga i pari tek i fundit, derisa i kanë rrëzuar përtokë të gjakosur, siç paramilitarët e Arkanit trajtonin kosovarët.
Markeliani dhe Ledioni NUK KANË BËRË ASNJË KRIM!
Janë të dy nga 20 vjeç si shumë të papunë të këtij vendi. Dhe përsërisim: Në skedën e tyre penale nuk ka asgjë.

Po në kanalet e qelbura të këtij pushteti kërmash që tenton terrorin në një vend ku të gjithë njohim njëri-tjetrin çfarë ka?
Ka dhjetëra hajdutë e vrasës që po t'ua mbledhësh dosjet penale mund t'u bëhen male me letra.
Vetëm mendoni pak: prindër që vijnë nga rrethet dhe kërkojnë fëmijët e zhdukur nga policia e shtetit. Dhjetëra djem të tjerë nga Fieri e Shkodra, janë ende nëpër qeli.
Krimi i tyre?
Nuk e duan këtë hale-qeveri me një vrasës në krye.
Mes të arrestuarve ka edhe kalimtarë të rastit, njerëz që u rrëmbyen nga një bandë burracakësh që vrau pasi demonstrata kishte mbaruar. Njerëz që vijonin rutinën e tyre të përditshme. Në vend të tyre mund të ishte sot çdonjëri prej nesh. Kjo do të thotë thjesht që në këtë vend askush më nuk është i lirë!
Çdokush nga ne sot është i burgosur.
Plumbat fluturojnë.. "Kanë dalë nga kryeministria", - thonë hetimet. Një plumb nuk fluturon një metër, as dy metra e pastaj shuhet. Në qoftë se këta plumba nuk do të ishin shuar tek ata tre burra të thjeshtë do të kishin gjetur tre njerëz të tjerë. Mund të kishin arritur këdo nga ata mijëra njerëz, që merrnin pjesë në atë protestë.
Prandaj secili nga ne sot është i vrarë.

Në datën 28 janar do të zhvillohen të shtatat e tre të ndjerëve. U kemi të gjithë borxh jetën. Me dinjitet e respekt për ta dhe si sfidë e dëshmi të shpirtit tonë të lirë e demokratik ne gazetarët e "Shekullit" do të jemi përsëri në shesh. Bashkë me redaktorin tonë që ka ende hematoma në trup. Bashkë me prindërit e Markelianit dhe Ledionit. Bashkë me mijëra të tjerë. Bashkë me Shqipërinë e njerëzve të mirë.
Foto, nga Godo Godaj
Për ata që u vranë nga një pushtet kërmash, për të ardhmen tonë shpirtlirë. Është shumë afër. Të gjithë e ndiejnë. Të gjithë e dinë. E dinë edhe këta të huajt që vijnë e na flasin me arra në gojë. Por më shumë se të tjerët këtë e di ai, që urdhëroi të vriteshin me paramendim tre nga të varfrit e ndershëm të vendit të tij.

Shekulli

Wednesday, January 26, 2011

Engjëjt e regjimit!

Për tu mbajtur fort një regjim, pas shpinës së një populli, për t'ia pirë gjakun dhe për t'a kthyer në një viktimë të pafuqishme për të reaguar, të shokuar e mbase deri edhe të gëzuar në kaosin e saj, duhet të vendosë fort, disa trarë:

-Shtypi në shërbim të pushtetit për propagandë e disinformim masiv,
-shitja e dhunshme e opinioneve,
-deputetët papagaj që mund të shpifin e përhapin thashetheme pa iu dridhur qerpiku,
-pseudoanalistët e pavarur,
-zëdhënësit etj...

Shikoni shërbëtorët më të përulur të këtij regjimi sot në Shqipëri dhe tregoni nëse realisht e ndjeni veten të përfaqësuar.
Aleksandër Frangaj
Fahri Balliu
Mark Marku
Artur Zhei
Artan Hoxha
Frrok Çupi
Lytfi Dervishi
Henri Çili
Erla Mehilli




Stop Injorancës

Shpirtin e drunjtë për ty e fal e imja Shqipëri!

I lindur në një fshat të thellë në zonën e veriut nga një familje bujqish...ku dielli lind herët dhe ndriçon vetëm pak orë në ditë. Pulat këtu nuk hanë as gëzhoja, lopët bëjnë qumështin më të mirë e më pas gjiza që del është ende më e shijshme. Njerezit këtu kane disa probleme edhe pse vezët e djathi nuk na kanë munguar kurrë. Tek ne dominon një ndjenjë e turbullt per realitetin, një e folur të cilën shume herë logjika e ka braktisur, iluzion të persekutimit dhe të fatit?!

Ndoshta...


Megjithatë ne vazhdojmë te jemi luftarakë dhe besojmë se fatin njeriu e krijon vetë me forcën e tij. Ndër të tjera ne karakterizohemi për trima, besnik dhe kryeneça...duke ruajtur brez pas brezi zakonet dhe traditat tona. Nën sferen e fshehtë të ndërgjegjes tonë ne kemi vetem një "perendi" të ciles lajka nuk i bëjmë.

Kam mësuar për hipokrizinë, thonë se ka lindur dhe është krijuar aty ku shoqëritë respektohen me njëra tjetrën... edhe paqen e kemi mbjellur përmes dhunës disa herë...drejtësia ka ngelur bastarde ...aktualisht vendi im duhet të jetë kryeqendra!! Shpesh here humbas mbi atë që më perfaqëson dhe anashkaloj atë që ekziston...megjithatë ëndrra ime është që një ditë të bëhem qytetar e qytetar i mirë...e pse jo dhe nderi.

Rruga është e gjatë, situata nuk ështe aspak serioze dhe duket e pashpresë!

Lindur në një fshat o njeri, ku dielli të paktën lind, jam bërë burrë. Rritur e forcuar mes jetës se drunjtë dhe sëpatës pamëshire. Në kushte rurale u njoha dhe me hipokrizinë mondane të qyteteve plot ngjyra të zbehta. Në kushte mjerimi njoha dashurinë. Në kushte të pambrojtura bëra art me të. Në netët e heshtura këndova pranë sofrës, në ditët plot zhurmë heshta me dhimbjen. Trupin peng të punes e kam lënë, por ndjehem mire...sepse jam i drunjtë!
Për thonjtë e mbuluar në të zezë , unë piktor bardhe e zi i realitetetit tim, s'kam ç'të shtoj. Me to djersën fshij , e dhimbjen çjerr në ditët e realitetit tim!

Të kam nënë moj s'te kam njerkë!

Shpirt të drunjtë për ty  fal e imja Shqipëri! ( do bëhet më mirë)


Eluar Gjika

Vetëm hasmi dërgon “lajmës” për t’u pranuar në “kafen e mortit”

Vetëm katër orë pas ceremonisë mortore në nderim të protestuesit Hekuran Deda, vrarë nga “rojat speciale” të kryeministrit Sali Berisha në demonstratën e 21 janarit 2011, me qetësinë dhe paturpësinë e një krimineli të “stazhionuar”, dora vetë Sali Berisha tentoi të futej në shtëpinë e Dedajve për të pirë kafen e mortit me maskën e “nderimit” të viktimës të pushtetit të tij.

Familja nuk e pranoi “nderimin e kryeministrit” për mortin e Hekuranit. “Shtëpia” e Dedajve nuk ia hapi derën. E lanë atje buzë rrugës, të strukur brenda makinës luksoze me xhama të zinj, në pritje mjerane për t’u pranuar në “odën” e burrave që pinin kafen e mortit për njeriun e vrarë prej rojeve të tij në një “demonstratë buke e pune”.
Po pse Berisha dërgoi “lajmës”?
Kur dhe prej kujt dërgohet “lajmësi” për të kërkuar “pirjen e kafes së mortit”?  Përse nuk e pranoi familja Deda kryeministrin Sali Berisha në shtëpi për “kafen e mortit”?
Këtyre pyetjeve, u jep përgjigje tradita shqiptare, “plumbi qeveritar” në gjoksin e Hekuran Dedës dhe qëndrimi i kryeministrit e i deputetëve të mazhorancës për jetët e humbura.
Sali Berisha respektoi “kodin” e vrasësit, kërkoi leje për kafe

Përse Sali Berisha e “lypi” kafen e mortit në familjen Deda? Sali Berisha e di mirë si malësor se në cilat raste dhe përse dërgohet “lajmës” për t’u pranuar dikush që të pijë “kafenë e mortit” në një familje që nuk e duan, ose nuk e pranojnë. Sipas traditës shqiptare, “lajmësi” në të tilla raste dërgohet kur familja që ka mortin është në konflikt “për jetë a vdekje” me personin që “ul hundën”, ose kur e ka hasëm atë që kërkon të vijë për ta nderuar. Në rastin konkret, kryeministri Sali Berisha e ka respektuar këtë traditë, duke dërguar “lajmësin” e vet në familjen Deda, që ta pranojnë në shtëpi “për një kafe”. Nuk kishte rrugë tjetër. Fakti që është i ngarkuar me përgjegjësinë direkte të kësaj vrasjeje, Sali Berisha nuk mund të shkonte kapardisur në familjen Deda, siç futet p.sh në Sheraton, në zyrat e ministrive, në KQZ, në vilën e Fazlliçit në Serbi e në mjedise të tjera, ku i qëndrojnë të gjithë me përulje e “në shkim rreshtor”. Sali Berisha, udhëzuesi dhe urdhëruesi i vrasjes e dinte mirë që për të hyrë tek familja “Deda”, sipas “kodit zakonor” duhej marrë leje sepse “këtu e kishte çuar punën”, edhe pse në raste të tilla dyert e familjeve në fatkeqësi qëndrojnë të hapur e në to nuk trokitet për të pirë kafenë e mortit.

Ndaj dhe prej Berishës, si në të gjithë rastet e zallamahive me viktima të pafajshme të krijuara prej tij, duhej dërguar “lajmës”. Berishës dhe qeverisë së tij i ishte hequr e drejta për të hyrë në shtëpinë e Dedajve për të pirë kafen sipas zakonit. Kjo familje, gjithë lagjja, fshati, Shqipëria e bota panë me sytë e tyre, që autorët e vrasjes së Hekuranit, të Ziverit nga Gjirokastra e të Faikut nga Fieri ishin ata që mbrojtën në mënyrë të kundërligjshme me breshëri armësh jo shtetin, jo institucionet, por vetëm kolltukun e kryeministrit Sali Berisha, duke gjakosur për vdekje popullin. Për këtë e shpallën Sali Berishën me plot gojën e publikisht: “vrasës të djalit, prindit e vëllait të tyre”. Duke qenë se Sali Berisha ia njihte vetes këtë vrasje dhe e pranoi publikisht atë, si “zbatim detyre të Gardës”, sipas traditës shqiptare respektoi “kodin zakonor” duke dërguar “lajmësin” e tij për ta pranuar për kafe.

Familja Deda pranoi “lajmësin”, por jo Berishën, duke e deklaruar “vrasës”

Familja Deda priti dhe përcolli “lajmësin e kryeministrit” sipas zakonit, duke e respektuar, mbasi po sipas zakonit “lajmësi nuk preket” (siç ka thënë edhe Sali Berisha). Ndërsa kryeministrit i dërgoi lajmin se “nuk e pranonin për kafe në shtëpi”. Motivet e mbylljes së derës prej familjes Deda për Sali Berishën, janë morale e zakonore. Nëse Sali Berisha i shkel pa asnjë problem këto norma zakonore e rregulla morale, familjet shqiptare, ato që nuk mendojnë e nuk veprojnë si Sali Berisha, vazhdojnë t’i respektojnë e t’i përcjellin brez pas brezi. Përse nuk u pranua kryeministri për kafe?

Së pari, Sali Berisha nuk u pranua sepse konsiderohet bindshëm si “shefi” që ka “instruktuar” këtë vrasje. Familja Deda ka provat e plota, ashtu siç i ka dhe drejtësia, që Hekurani, Ziveri e Faiku janë vrarë prej qeverisë, dhe vrasësi sipas zakonit dhe moralit njerëzor nuk mund të jetë pjesë e funeralit, sepse kjo nuk ishte vrasje aksidentale, por e parapërgatitur në mbrojtje të interesave private të grup vrasësve.

Së dyti, Sali Berisha, edhe kur Hekurani ishte në sekondat e fundit të jetës, vazhdonte ta quante “huligan, kriminel, rrugaç, hajdut, qelbanik, vagabond, mafioz, trafikant”. Hekurani ndjesë pastë, ishte një qytetar i ndershëm, ishte një hallexhi që nuk siguronte dot kafshatën e bukës për fëmijët e tij, mbasi pushteti i Sali Berishës e kishte lënë rrugëve pa punë si mijëra shqiptarë. Ndërsa në fund të jetës e gjatë përcjelljes në banesën e fundit, Sali Berisha dhe banda e deputetëve e ministrave të tij hajdut, hodhën baltë mbi arkivolin e të ndjerit, për të mbuluar krimin e “shefit” të tyre gjakësor. A mund të konsiderohen qeverisës këto monstra?

Së treti, Sali Berisha vonoi, madje bllokoi shërbimin mjekësor, duke mos lejuar që atyre t’u jepej sa më shpejt ndihma emergjente e mbijetesës, duke i prangosur e izoluar edhe në shpirt të fundit si “kriminelë” në qelitë mjekësoro-policore të Spitalit Ushtarak. A mund të pranohet për kafe një njeri kanibal si ky?

Së katërti, Sali Berisha shkoi në Spitalin Ushtarak dhe nuk i vizitoi të plagosurit e të vrarët. Nuk tha një fjalë ngushëlluese për ata, përkundrazi i shpërfilli jetët e tyre, nuk u hodhi as sytë, tamam si Milosheviçi me shqiptarët gjatë genocidit serb. Mirë si njeri që njihet se cili është, po mjek a mund të quhet kjo specie?

Së pesti, Sali Berisha doli dhe gënjeu publikisht disa herë për vrasjen e trefishtë, duke thënë që: “i vrau Edi Rama”, “u vranë me njeri-tjetrin”, “vrasjet u bënë nga populli e jo nga Garda” e më së fundi pranoi me “hundë të ulur” por jo me pendesë, se “vrasjet i bëri Garda në mbrojtje të institucioneve”. A mund të pranohet për “kafe morti”, një njeri i tillë, i cili për të mbuluar krimin e tij, gënjen 100 herë në ditë?

Së gjashti, Sali Berisha edhe pse kryeministër i një qeverie, gjatë mandatit të të cilës vriten prej Gardës së tij policore qytetarë të thjeshtë në demonstratë, nuk mbajti as një minutë zi zyrtare për 3 të vrarët, sikur ata të ishin trafikantë, hajdutë, apo mafiozë të vrarë sit ë tillë në përleshje me policinë!? Kur në realitet të tre të vrarët në demonstratë ishin qytetarë të ndershëm, kryefamiljarë me fëmijët pa bukë në tavolina. Prej cilit kryeministër në botë, përveç diktatorëve, ndodh kjo që ka bërë e po vazhdon të bëjë Sali Berisha, duke hedhur baltë mbi funerale?

Së shtati, Sali Berisha me gjakftohtësinë dhe kënaqësinë histerike si të një krimineli të pangopur me vrasje e të pa penduar, shpërblen vrasësit e demonstruesve me dekorata e financiarisht! Për këto motive familja Deda nuk e pranoi kryeministrin Sali Berisha në familje. Për këto motive duhet të jepet alarmi për rrezikshmërinë në vazhdim të këtij huligani barabar me imunitet e mandat krye-qeverisës.

Nga Kledian Lula

"Nuk janë kriminelë"

"Dua t'i them Ilir Metës, se ata që janë arrestuar, nuk janë qafëpalarë, e kokë paqethur apo kriminelë, por njerëzit më të mirë të kësaj shoqërie".
Foto nga Godo Godaj
Kështu i përgjigjet Lindita Nikolla, kryetarit të LSI-së për komentet që bëri dje në Parlament.
Lindita Nikolla është ish-mësuese e disa prej të arrestuarve, ata kanë qenë djem të shkëlqyer që në shkolla, po ashtu edhe familjet e tyre me këtë imazh janë në vendbanimet ku jetojnë. Gëzojnë respektin maksimal. Dhe në miting kanë qenë protestues të qetë, dhe aspak pjesë e dhunës dhe janë arrestuar kur janë shkëputur prej demonstratës në zona larg bulevardit "Dëshmorët e Kombit. Kap e merr ç'të gjenin rrugës.

Njëri prej të ndaluarve, me inicialet E.S, është student për ekonomik.Lindita tregon se atij i kanë shkuar në shtëpi rreth orës 22:00 me listën në dorë, ku kanë pasur të shënuar edhe emrin e të vëllait, të cilin nuk e kanë gjetur, dhe më pas kanë arrestuar pa asnjë informacion pse po e arrestojnë aktivistin E.S., thjesht 'për verifikim'.
Ai është mbajtur 24 orë, duke u transportuar herë në Komisariatin nr. 1 e herë në Komisariatin nr. 4. 'I kanë lëvizur me pretekstin e mungesës së vendit, por në fakt e kanë bërë për t'i dhunuar psikologjikisht dhe për të mos krijuar një bazë informacioni për familjen", shpjegon Lindita. E sipas informacioneve që ajo e ka, atë e kanë liruar parmbrëmë.

Një tjetër e arrestuar ishte një grua nga Dibra, nëna e pesë fëmijëve dhe me një fëmijë në gji, e cila pa prova është mbajtur e izoluar deri mbrëmë në darkë prej datës 21 të demonstratës.
Një tjetër i izoluar është një djalë i ri, në pritje të masterit në SHBA, i cili është arrestuar nga persona pa uniformë në afërsi të qendrës tregtare ETC.
Ka pasur më shumë djem, por jo pak edhe burra të ndaluar. Mes tyre një 42-vjeçar, banor i Shkozës me familjen e së cilës Lindita ka qenë vazhdimisht në kontakt. 'Ka një familje tepër të respektuar, janë njerëz të varfër që shohin punën e tyre", thotë Nikolla.
Një tjetër rast ishte një kamarier, i cili ishte duke u kthyer nga puna dhe as kishte qenë fare në demonstratë. E kishin arrestuar, edhe pse ua kishte bërë të qartë këtë. "Por kjo situatë nuk është vetëm në njësinë tonë, por në çdo njësi të Tiranës", shton kryetarja e Njësisë.
Dhuna në komisariate
Janë keqtrajtuar pothuaj të gjithë, edhe në mungesë të provave apo filmimeve. "Të gjithë të sapoliruarit kanë dëshmuar se i kanë rrahur. I provokonin duke iu thënë: 'ty të kam parë në demonstratë, të kanë marrë deputetët e Edi Ramës'. Kur të akuzuarit e mohonin këtë, i qëllonin.", tregon Nikolla.
Vetë ajo ka mundur të shohë me sytë e saj që natën e parë pas protestës, tek Komisariati nr.1, pesë minorenë që asaj i lejuan të shihte. Njëri, 14 vjeç, i rrahur dhe gjakosur në fytyrë me bluzën gjithë gjak.

'Tek Komisariati nr.3, edhe pse shkova me dy deputetë nuk na lejuan të kontaktonim asnjë', tregon Lindita.

Dhuna mbi të ndaluarit është ushtruar edhe nga persona civilë pa uniformë.
Po dje të afërm të të arrestuarve kanë protestuar sërish përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës ndaj dhunës dhe etiketimeve që iu janë bërë fëmijëve të tyre. Asnjë prej tyre nuk ka precedent penal.
'Akuzoj për një mungesë totale informimi nga komisariatet, mungesë kontakti me avokatët dhe lëvizje nga një komisariat në tjetrin të të arrestuarve dhe përdorimin e dhunës pa prova", përfundon kryetarja e Njësisë Bashkiake nr.1.

Magdalena Alla
Na hoqën nga puna pas protestës. "Je komunist s'do punosh më tek unë"

Xhevat Balavija, është bashkëshorti i Linditës, ndërsa rrëfen se vetëm për shkak të pjesëmarrjes së të shoqes në protestë të dy ata tashmë janë pa punë. Fëmijët e tyre janë pa bukë, për të mos llogaritur që vetëm për shkak të bindjeve politike, drejtori i shkollës së fshatit ku ka jetuar, nuk pranon të bëjë transferimin e shkollës së fëmijëve të tij. Në një intervistë të shkurtër ai tregon se pas protestës së PS-së ai dhe e shoqja tashmë ndodhen në rrugë.


Xhevat si e morët vesh se gruaja juaj ishte arrestuar ?
Po atë atë ditë ishte organizuar protesta dhe mësova se gruaja kishte shkuar atje. Unë isha në punë dhe s'mund ta lija. Për fëmijët po kujdesej djali ynë i madh. Në mbrëmje u ktheva në shtëpi, por gruaja nuk ishte. Mora vesh se Garda kishte vrarë në protestë disa njerëz dhe shumë të tjerë ishin plagosur. Erdha në vendin e demonstratës, por s'kishte njerëz. Shkova nëpër spitale dhe nëpër vende të tjera ku mund të kishin shkuar të plagosurit, por nuk e gjeta. Mora vesh se pas demonstatës policia kishte arrestuar shumë njerëz pas përfundimit të saj. Shumica mora vesh nga televizionet ishin dhunuar goditur dhe rrahur nga policia. Aty nisa të mendoj se mbase e kishin arrestuar dhe ndaluar.

Më pas ku e gjetët?
Shkova në çdo komisariat, që nga komisariati nr.2,3, 4 dhe nr.1. të gjithë më thanë se nuk është pasi verifikuan emrat. Të shtunën shkova në burgun 302, por edhe aty më thanë se nuk ishte, ndërsa më pas u drejtova për në burgun 313. Atje e kam gjetur gruan të shtunën në mbrëmje.

 Çfarë ju thanë në polici, apo në burgun 313 ?
Më thanë që e kishin arrestuar se kishte marrë pjesë në protestë. Pse duhet të arrestohet një grua që merr pjesë në protestë ? Po kjo s më bën përshtypje mua më sepse unë jam mësuar me dhunën e Partisë Demokratike dhe pushtetit të saj.

 Pse ?
Kam një vit që kam ikur nga Kukësi dhe nuk më japin dokumentet e fëmijëve të shkollës. Drejtori i Shkollës në Lojm, më kërkon rryfshfet 100 mijë lekë për të marrë dokumentet. E ku t'i gjej, unë ato para ? Më ka futur një sekser Haxhi Misinin, për të bërë dokumentet dhe më ka thënë se duhet të paguaj 100 mijë lekë.

 A jeni në punë ?
Isha por nuk jam. Isha bashkë me time shoqe. Unë punoja roje në spitalin ushtarak dhe ajo në një firmë private, për t'u kujdesur për kopshtin e një pronari. Të nesërmen që ndodhi protesta më thanë që ik nga puna, ti je komunist se të kanë arrestuar gruan në protestë. Ne socialistët nuk i duam në punë.

Kush ju tha ?
Më thanë njerëzit e pronarit të firmës së policisë private. Firma me sa di unë është në pronësi të Skënder Bukçillës, dhe punojnë aty edhe Reshat Ndreu e Zylfi Marku. Këta më thanë që s' punojnë me socialistët.

Po ata nga e dinin se e arrestuara ishte gruaja juaj ?
E njihnin. Ajo më sillte çdo ditë bukën në punë. Po edhe atë e hoqën, sapo shkoi në punë pasi e liroi gjykata. Edhe asaj po kështu i thanë. Kam pesë fëmijë zotëri. Në shkollë nuk i dërgoj dot. Në Kukës, nuk po mësonin asgjë sepse nuk kishte mësues po ishin njerëz pa shkollë ata që i mësonin. Ndaj i solla në Tiranë për t'iu dhënë shkollën. Edhe të premten do të jem në protestë pikërisht për këto shkaqe. Do jem bashkë me time shoqe. Ata që arrestuan time shoqe të më arrestojnë edhe mua. Shekulli


'Po ju shkruaj për mikun tim, një prej protestuesve.'
Foto nga Godo Godaj
Njëri prej 113 të arrestuar nga policia ishte edhe Pashk Curri. Është nga Lezha, babai i 4 djemve, biznesmen, që njëra prej pasurive më me vlerë, një hotel në Rana e hedhur i është shkrumbuar mëse një vit më parë dhe ndonëse i siguruar, asnjë kacidhe nuk e ka marrë deri me sot si dëmshpërblim. Një mobilieri, mjaft e suksesshme tre katër vite me parë sot e ka thuajse të falimentuar. Ka katër djem si lulja, po gjithçka tjetër të humbur.
Politikisht vjen nga një shtresë e persekutuar, është ndër idhtarët themelues të partisë demokratike lokale në vitin '91,për rreth 15 vite z. Sali Berisha e ka pasur aq të respektuar...sa babain e vet Franin. Po me 21 kishte vendosur të dilte e të protestonte; të protestonte, kundër falimentimit, kundër varfërimit, po mbi të gjitha kundër rrudhjes së demokracisë deri në atë pikë sa nuk mbahet. Tani kundër Sali Berishës.
Foto nga Godo Godaj
Dhe shkoi në Tiranë. I bindur se nuk kish se ç'të humbte, sepse i kish humbur të gjitha pasuritë (mos o zot pasuritë njerëzore).
Por nuk u kthye, nuk u kthye në shtëpi, por fatmirësisht nuk është në listën e tre të pushkatuarve pranë kryeministrisë, por është në listën e të 113-tëve, i keqtrajtuar, thonë mizorisht nga policia e Berishës.

Frano Kulli

Tuesday, January 25, 2011

Inteligjentët jetojnë më gjatë

Njerëzit inteligjentë jetojnë më gjatë - lidhja është aq e fortë sa ç'është duhanpirja dhe vdekja e parakohshme. Por arsyeja nuk kuptohet ende plotësisht.
Përveçse bërja e zgjedhjeve të duhura në jetë, këta njerëz duket se kanë edhe trupin që punon në favor të tyre. Kërkimet e sotme mbi bletët tregojnë fakte që aftësia e të mësuarit është e lidhur me aftësi të përgjithshme për t'i bërë ballë një prej masave të rrepta të plakjes, d.m.th. stresit oksidativ.

Ian Deary, një psikolog i Universitetit të Edinburgut, propozon termin integritet i sistemit për lidhjen e mundshme biologjike mes inteligjencës dhe jetëgjatësisë. Në konceptin e tij, një sistem i lidhur mirë jo vetëm që funksionon më mirë në testet e mendjes, por është më pak i prekshëm nga sulmet mjedisore. Gro Amdam i Universitetit Shtetëror të Arizonës dhe Universitetit Norvegjez të Jetës dhe Shkencës u intrigua nga kjo ide dhe vitin e kaluar zhvilloi një mënyrë për ta testuar këtë tek bletët.

Bletët shpesh përdoren si një model neurobiologjik për të mësuarit. Ato mund të "trajnohen" duke përdorur përforcime pozitive ose negative për të mbajtur informacion. Në eksperimentin e Amdamit, disa bletë u ndanë veç, ku u mësuan të lidhnin një aromë me një ushqim. Pas dy apo tre përpjekjeve, shumë bletë mësuan të përdorin hundën e tyre në pritje të një pikëze sheqeri.Disave prej tyre iu desh më shumë kohë, njësoj si njerëzve, që disa mësojnë shpejt e të tjerë më ngadalë.
Për të simuluar plakjen, të njëjtat bletë u vendosën në tuba plastikë, të ekspozuar ndaj një ambienti me përqendrim të lartë oksigjeni. Të gjitha kafshët kanë nevojë për oksigjen, por një masë tej normales bën që qelizat të dëmtojnë radikalet e lira, të cilat prishin membranën e qelizës dhe e çojnë këtë të fundit në vetëshkatërrim, duke shkaktuar plakje të parakohshme. Bletët që mësonin më shpejt, kishin tendencën të jetonin më gjatë, një mesatare prej 58,8 orësh, ndryshe nga bletët që mësonin më ngadalë, një mesatare prej 54,6 orësh.

Amdam dyshon se ripërtëritja e stresit nervor mund të shpjegojë pse bletët që mësonin më shpejt, jetonin më gjatë. Në këto eksperimente, bletët që e përballonin stresin, ishin të afta të mësonin më shpejt që aroma lidhej me të ushqyerit dhe e njëjta ripërtëritje u lejonte këtyre bletëve të përballonin më mirë stresin e të qenit në një ambient me përqendrim të lartë oksigjeni.
Edhe për njerëzit, Amdam ngre hipotezën se aftësia për të përballuar stresin mund të jetë një përbërës i sistemit të integritetit. Një ripërtëritje e përgjithshme më e mirë e stresit mund të ndikojë në rezultate inteligjence më të larta dhe jetëgjatësi. Nëse shkencëtarët mund të zbulojnë çfarë i lidh këto ndryshime biologjike, ata mund të jenë të aftë të lehtësojnë pabarazitë pa lindur akoma. "Ekziston një mundësi për t'i ndihmuar të gjithë të jetojnë më gjatë", thotë Amdam


Shekulli

"Kryeministria e Republikës apo Kulla e Sali Berishës?"

Krejt papritur (në kohë, jo në pritshmëri) në mesin e bulevardit te Tiranës ka mbirë një Kullë Ngujimi. Që të jemi më të saktë në terma, se pastaj mbase nuk pranohet të lexohet në zyrat e shtetit, ndërtesa aty ka qenë, vetëm se i është ndërruar destinacioni nga Kryeministri në Kullë ngujimi.
Në"moshën e internetit", në kohen e wikileaks, ndërsa institucionet shtetërore kanë krijuar sitet e tyre për të bërë transparencë me qytetarët, dhe kur politikanët shkëmbejnë mesazhe në Twitter për të popullarizuar idetë e tyre, në qendër të Tiranës ndërtesat qeveritare rrethohen me gardhe hekuri, ruhen me ushtarë më armë të mbushura dhe me urdhër për të qëlluar në mish, si të ishin kështjella mesjetare.

Megjithatë kjo ndërtesë nuk do ta ketë kurrë fisnikërinë e kështjellës, por do t'i mbesë për një kohë të gjatë emri i keq i Kullës së Ngujimit, që ngjan sikur vjen nga thellësitë e Bjeshkëve të Nemuna për të hedhur hijen e saj në qendër të kryeqytetit.
Në të, ashtu si ne simotrat e saj rurale, fshihen burra të parruar e të palarë, të armatosur deri në dhëmbë, që kanë vrarë e nuk pranojnë t'i binden ligjit, por ngujohen nën mbrojtjen e kullës së gurtë. Por brenda kullës është ngujuar edhe ai që e ka bërë, duhet ta ruajë zbatimin e këtij ligji. Dhe ky është kryeministri ynë kordhëtar. Këtu peshorja e logjikes thyhet më dysh.

Po tani çfarë të bëjë qytetari i gjorë?
Ai që nuk është as i kuq as blu. Ai që shpreson që shteti është një makinë që mbledh taksa, shtyp monedhën, ruan kufijtë nga armiqtë e jashtëm dhe ruan qytetarin nga kriminelë të brendshëm!  

Si t'ia bëjmë kur gjyqtari ka frikë nga vrasësi, polici nga ushtari, populli nga qeveria?

Ja një pyetje e bukur retorike, që të gjithë ata që duan të bëjnë një jetë normale, në një vend normal duhet të ulen e t'ia bëjnë vetes papushim, pa lëvizur nga vendi deri sa të gjejnë një rrugëzgjidhje.
Kësaj radhe pa Kryeministrin tonë kordhëtar që është ngujuar me vrasësit në kryekullë. Atij e vetmja gjë pa bërë që i ka mbetur tani, është që me një copë thëngjill të dalë dhe të shkruajë në murin e kryekullës :"E xanun".
Dhe ne tiransit e vjetër e dimë fare mirë se çfarë do të thotë kjo.

Peshkupauje.com