Një
herë në vit, Këshilli i Evropës pret vizitorë në ambientet e tij të
brendshëm për gati dy javë. Turistë të shumtë, nga e gjithë bota,
mësyjnë Brukselin ato ditë, për të parë nga afër mjediset ku punojnë
drejtuesit e kontinentit plak dhe adiministrata e tyre e gjerë. Në të
vërtetë ka mjaft për të parë, duke filluar nga veprat e ndryshme të
artit në sallonet e larmishëm,
arkitektuën e brendshme të kompleksit madhështor të zyrave e sallave të
mbledhjeve (sipas niveleve) të përfaqësimit të shteteve anëtarë të BE,
sallat e konferencave të shtypit me aparaturat më bashkëkohore, kujtimi
me simbolikë kombëtare që sjell atje çdo shtet i anëtarësuar, dhuratat e
bukura artistike që bëjnë shtete të ndryshëm të botës, etj., etj..
Shkurt, ia vlen ta suportosh pa bezdi kontrollin rigoroz në hyrje për të
gjithë vizitorët. Ndarja në grupe e turistëve bëhet sipas gjuhës së
zgjedhur, me të cilën do të komunikojë ciceroni me ta.
Herën e
fundit që kam qenë atje më takoi ta bëja vizitën me një grup turistësh
kanadezë, nga Quebeku. Vetëm unë e ciceronia ishim evropianë, ose më
sakt, ballkanas. Ajo ishte një grua e re rumune, e cila kishte dy vjet e
punësuar në administratën e BE. Kanadezët ishin të interesuar
veçanërisht për veprat e artit dhe rrallë i bënin ndonjë pyetje
cicerones, e cila jepte shpjegimet e saj paraprake në çdo mjedis ku
kalohej. Kjo më krijoi mundësinë që unë t'i drejtoja pyetje asaj më
shumë nga ç'do mundja në rrethana të tjera.
- Këtu qëndrojnë
delegacionet e vendeve jo anëtare të BE, gjatë kohës që presin t'i
thërrasin, tha ciceronia, duke më shikuar me një buzëqeshje kuptimplote.
- Edhe Shqiptarët? e pyeta unë, duke deshifruar buzëqeshjen e saj.
Ajo kaloi nga buzëqeshja në qeshje dhe m'a ktheu:
- Jo, Shqiptarët jo, se... kanë kohë që nuk i thërrasin. Megjithatë do
t'ju tregoj diçka, pak më vonë, që fshikullon vendin tim, ndonëse është
anëtar i BE, shtoi me zë pak më të ulët.
Po prisja me kërshëri çfarë do të më tregonte ciceronia për vendin e saj.
Pas gjysmë ore, ndodheshim në sallën më madhështore të korpusit të
Këshillit të Evropës. Në njërin krah të saj zhvilloheshin mbledhjet e
ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të BE. Gjithçka gati
për punë. Në qendër të asaj salle luksoze zhvilloheshin takimet e
nivelit më të lartë, në rang kryetarë shtetesh, të 27 vendeve anëtare të
BE. Një ambient pune i shkëlqyer, me një sistem ndriçimi tepër të
këndshëm dhe me flamujt e secilit shtet në vendin përkatës.
Kur po i
afroheshim kreut të kësaj salle gjikante, një shikim shprehës i
cicerones më la të kuptoja se ndodheshim pranë «misterit rumun». Bash në
krye të sallës ndodhej një fotografi e madhe e gjithë kryetarëve të
shteteve anëtarë të BE. Ajo quhej «Fotografia e Miqësisë». Mbasi i
shpjegoi grupit të turistëve se kjo fotografi ndërrohej sa herë bëheshin
zgjedhje në disa prej vendeve kryesorë të Evropês (i binte afërsisht
çdo dy vjet), më pyeti mua me zë më të ulët:
- E njihni këtë burrin në fotografi, që na ka kthyer krahët?
Ndonëse e mora me mend se kush mund të ishte (edhe nga vendi që zinte në fotografi), më pëlqente ta dëgjoja nga goja e saj.
- Jo, iu përgjigja, nuk e njoh.
- Është kryeministri ynë, kryeministri i Rumanisë; shikoni çfarë injorimi!
Fotografia linte vërtet shumë për të dëshiruar. Aparati duhej të ishte
shkrepur në çastin që kryeministri rumun ishte kthyer për t'i thënë
diçka homologut që kishte në krah të djathtë. Fotografia e tregonte
kryeministrin rumun pak më të kthyer akoma nga pozicioni që ne e quajmë
«brinjas».
- Unë besoj se kjo nuk ka qenë fotografia e vetme që këta kryetarë shtetesh kanë bërë atë ditë, i thashë cicerones.
- Përkundrazi, ata bëjnë disa fotografi, se midis 27 personave mund t'i
ndodhen sytë të pulitur ndokujt prej tyre në çastin që shkrepet
aparati, apo ndonjë dukuri tjetër e papërshtatshme.
- Pse kanë zmadhuar këtë fotografi, atëherë?
- Ka të ngjarë, kastile, sepse dëgjova se kryeministri ynë kishte
insistuar të ndërrohej fotografia, kur e kishte parë, por shefi i madh
(Barroso) ia kishte kthyer i buzëqeshur: «Është më afër së vërtetës kjo
fotografi, mbasi ju kështu u keni kthyer krahët edhe reformave që ju
kemi rekomanduar ne».
Në fund të vizitës së gjatë, në një sallë
tjetër vizitorët shikonin një film rreth njëzet minuta, që ilustronte
punën e Këshillit të Evropës dhe të Parlamentit Evropian. Ai
transmetohej në të 27 gjuhët e shteteve anëtarë të BE dhe dëgjohej me
kufje prej secilit vizitor, në bazë të gjuhës së zgjedhur. Nuk vonoi
shumë dhe në ekran u shfaq Boris Tadiç, president i Serbisë në atë kohë.
Pritja e tij nga Barroso e të tjerë, sikur të ishte ndonjë superstar
Hollivudi, nuk më pëlqeu dhe i shkëputa sytë nga ekrani, derisa ai u
zhduk.
Pasi e grumbulloi grupin e saj të turistëve në një holl, pas
përfundimit të filmit, ciceronia u shpjegoi atyre sesi duhej ta
vazhdonin më tej vizitën, pa të. Në çastin e ndarjes më pyeti:
- Meqenëse banoni në Bruksel, do ta bëni të njëjtën vizitë vitin e ardhshëm?
- Jo, nuk do të vij, derisa të anëtarësohet Shqipëria apo Kosova në BE, iu përgjigja.
- Pse nuk thoni se s'paskeni ndërmend të vini më, m'a ktheu ajo, duke më zgjatur dorën.
Ndofta kishte të drejtë.
(Agim Hamiti)