Thursday, September 24, 2009

Manipulimi Monetar

Manipulimi monetar dhe efektet e tij në skllavërimin e përhershëm të gjithë sistemit është fakt sot më shumë se kurrë. Është fakt, gjithashtu, që teoria e Marksit, e cila përshkruante luftën e klasave si faktor nxitës të tregut global dhe që çon në socializëm - dhe me fitoren e klasës punëtore, nuk hyri në brendësi të manupilimit monetar, që ushtrohet nga shtetet që tashmë këtë sistem e kanë adoptuar si një sistem të themeluar dhe që progresi i tij, sipas parashikimeve, të çon në themelimin e një kartëmonedhe globale. Kjo si pjesë dhe mjet e konspiracionit “Mason”.



Pra, Marksi vetë nuk hyri në brendësi të analizës së manipulimit monetar nga shtetet që e ushtrojnë atë në dëm gjithnjë të qytetarëve dhe të planetit tokë. Por, përkundrazi, ai u përpoq të themelojë një sistem dhe teori globale që bie ndesh me natyrën dhe tregun e njeriut lokal dhe ndihmoi kështu “padashur” dëshirën e “Mbretërive globale”. Një e vërtet kjo, e pa thënë deri tani nga shkollat ekonomike, qoftë ato amerikane, qoftë ato të Frankfurtit - ndonëse pëshpëritet sa në një vesh në një tjetër. Dhe këtu ne jemi për të thënë të vërtetën, pavarësisht se sa e lëndon pushtetin kjo e vërtetë, meqenëse kjo e vërtetë nuk paguhet nga asnjë teknokrat, sikurse paguhen analizat e tjera të shumë individëve që analizojnë fenomenet sociologjikë. Për më shumë, paraja, edhe në Mesjetë është trajtuar si pengesë e çlirimit të njeriut nga pengore të padukshme – veçanërisht, nga Locke. Dhe kështu, në këtë tekst, ne do ta trajtojmë paranë, jo si pengesë lirie, por si skllavërim total të qenies njerëzore, dhe si mjet që korrupton foshnjën, që në sekondën e parë që del në jetë. Nëse keni tentakula muskulore dhe neurone trunore të qeta - mund të vazhdoni dhe ta lexoni këtë tekst që shkon në bërthamë të manipulimit monetar dhe, rrjedhimisht të viktimës qytetar. Shijojeni pra këtë tekst, me sy dhe mendje të kthjellët. Manipulimi monetar. Mesjeta e viteve 1000 deri 1500, si burim monetar dhe përpjekje për të formuar një qytet-shtet eficent, përbën edhe shkëndijën e parë të sistemit që tashmë ka marrë rrugën e një paradigme globale. Nga një periudhë e gjatë antike, ku monedhat e argjendta dhe të floririt, të cilat përbënin vlerën-bazë të shkëmbit të mallrave në treg - bota sot gjendet përballë një fenomeni të ri global: Monetarizmi kapitalist, i cili përbën ingranazhin-bazë të qarkullimit të mallrave me konsekuenca katastrofike për planetin tokë. Rrugët na çojnë pashmangshmërisht rreth viteve 1581, kur autori i disertacionit ekonomik, me mbishkrimin ‘Compendious’ (përmbledhje, shkurtër) i cili, për fat të keq, nuk mbishkruan emrin e tij në ballore; dhe kështu ky libër njihet me të njëjtin emër – publikohet, po të njëjtin vit në Francë, dhe jep kështu shkëndijën e parë të politikës Britanike për Mbretëreshën Elizabet, e cila e miraton këtë teori dhe e hedh në praktikë. Që andej, përmes qëllimeve kolonizatore, Anglia këtë teori e çon edhe në Amerikë, ku do të përbëjë edhe fillimin dhe eksperimentin e parë monetar në planetin tokë. Kështu, nga viti 1792 dollari (një fjalë gjermanike kjo që vjen nga qyteza Joachimsthal i Boimias, dhe të cilët monedhën e tyre e quanin daler) përbën edhe kartëmonedhën- bazë të shtetit të ri global, i cili vazhdon të jetë manipuluesi kryesor i sistemit të tij monetar. Po të njëjtin vit, dollari u standardizua kundrejt argjendit në vlerën 371,2 grein (njësi peshe = 0,0648 gr) ose 24, 75 grein (1,604 gr) flori. Monedhat e floririt u konfiskuan në vitin 1933 nga presidenti i sapoardhur në pushtet, Franklin Roosvelt, i cili detyroi popullin amerikan të jepnin floririn dhe të merrnin kartëmonedhën e jeshile, mbi të cilën Roosvelt shtoi edhe dy vulat historike të konspiracionit Mason. Një Ons (= 28,3 gr) flori u vlerësua arbitrarisht $20,67 dhe, direkt mbas një kohe shumë të shkurtër, qeveria ngriti çmimin e floririt nga 20,67 dollar në 35 dollar për Ons. Natyrisht, ky nuk ishte zhvlerësimi i parë nga qeveritë e atëhershme: Mbretëresha Elizabet e viteve 1544–1559 bëri po të njëjtën gjë në Angli, duke vjedhur popullin me pambuk dhe pupla. Pak më vonë, këtij manipulimi në Francë i ndodhi po e njëjta gjë: Edikti qeveritar i Shatorit të vitit 1577 themeloi floririn écu, si vlerë që zhvlerësoi të gjithë metalet e tjerë - veçanërisht argjendin - dhe themeloi kështu mbretërinë e floririt në Francë. Standardi i Masonit Roosvelt në Amerikë zgjati deri në vitin 1968, duke pasur në treg edhe dollarin, por edhe argjendin, si mjet këmbimi. Midis vitit 1968 dhe 1975 u prezantuan shumë “stabilizues” në tregun amerikan: Floriri u rivlerësua në 42,22 dollar për Ons, një zhvlerësim ky deri në këtë pikë, i dollarit ekzistues më shumë se 100% dhe mbas kësaj dollari u la i lirë, duke u konvertuar me veten. Kështu, kemi sot një kartëmonedhë, e cila konvertohet me veten, dhe jo me të mirat materiale apo me floririn e thesareve që shtetet deklarojnë. Me këtë kartëmonedhë konvertohen të gjitha të tjerat, të cilat janë në të njëjtin pozicion: pra konvertohen thjesht me ajër të pastër, i cili tashmë është kthyer edhe ai i karbonizuar. Nga viti 1975 deri më sot dollari është zhvlerësuar komplet dhe e vetmja rrugë që i ka mbetur, për mos të rënë pushteti apo gjithë sistemi global, është të zgjerojë hapësirën e tij gjeografike, duke u zëvendësuar me një kartëmonedhë të re globale, teori kjo që diskutohet shpesh në media.

Por ç’ndodh, nëse teoria e tyre realizohet? Natyrisht që teoria e tyre tashmë ka marrë rrugën e realizimit. Tregu monetar ndërkombëtar që financohet nga një bankë botërore është pjesë e kësaj teorie. Po si funksionon kjo teori në praktikë? Rruga më e mirë që të funksionojë kjo teori është përdorimi i institucioneve ndërkombëtare financiare (INF), e cila mbas një eksperimenti të gjatë në Amerikë dhe në Angli —tri dekadat e fundit; eksperiment, i cili funksionon në bazë të krijimit të huave bankare dhe riciklimit të të mirave materiale, në fjalë të tjera, ky sistem funksionon: krijim kapitali, duke shkatërruar.
Praktikisht, huat që një bankë qendrore emeton në treg për qëllim zhvillimi nuk janë për zhvillim të qëndrueshëm, por për zhvillim të paqëndrueshëm nga vetë natyra e vet. Individi apo individët që marrin një hua të tillë e marrin atë për fitim personal, dhe jo për fitim shoqëror; kjo dukuri analizohet në dy aspekte:
1. Aspekti i parë është që individi nuk ka mundësinë dhe dëshirën për të krijuar diçka të qëndrueshme, për arsye se ai jeton në një sistem që të ndjek pas dhe të shtrëngon çdo moment për kthimin e këstit mujor kundrejt bankës. Në këtë mënyrë, ligj-krijuesit kanë krijuar korporata, në të cilat zbatohen ligje mjaft shkatërrimtarë për jetën familjare të njeriut. Punëtori, që për akademitë perëndimore përbën instrument dhe komponent tregu, e themeluar kjo doktrinë me kapitalin e Marksit —për vit dhe më shumë është i detyruar të punojë më shumë orë, për të përballuar një jetë konsumatore dhe mjaft të rëndë ekonomikisht.
2. Aspekti i dytë është se tregu i lirë dhe kapitalist (në aspektin individual, sepse në këtë tekst do trajtojmë në vazhdim dy lloje kapitali: kapital individual dhe kapital shoqëror) nuk punon në bazë të së mirës së përgjithshme, por në bazë të së mirës vetjake; dhe kështu kapitali për të nuk është nevojë emergjente, që i kushtëzohet vendit ku ai aktivizohet, por paraqitet si nevojë detyruese ndaj një tregu kompetitiv, dhe si nevojë paraprake për të nxjerrë sa më shumë fitim në dëm të vet, të punëtorëve dhe mjedisit. Në dëm të vet është sepse prodhimi i tij është si rrjedhojë i shfrytëzimit maksimal të të mirave materiale që i përkasin mjedisit ku ai jeton. Koncepti dhe dinamika e tij është të eksportojë ose të shesë sa më shumë lëndë të parë, për të krijuar sa më shumë kapital për veten e vet drejt tregut; dhe kështu të mirat materiale për ditë dhe më shumë të reduktohen. Të njëjtin koncept ka edhe shteti: qëllimi i tij është të eksportojë. Dhe natyrisht në këtë pikë ngrihet një pyetje: që nga momenti kur të gjitha shtetet, korporatat, partneritetet kanë si motor drejtues eksportin, kujt mbetet t’i eksportojnë këto organizata në këtë botë? Përveç se njëri-tjetrit! Apo jo? Kështu, progresi që banka qendrore nxit tregun, duke dhënë hua (një politikë kjo që ndiqet nga të gjitha shtetet që aderojnë në tregun ndërkombëtar) nuk është si nevojë emergjente e tregut pozitiv, por si nevojë një tregu negativë. Le të qartësojmë se çfarë është tregu pozitiv, në këtë pikë. Treg pozitivë është ai treg që i ushtrohet studimit shkencor, ku në të merren parasysh të gjithë komponentët natyralë dhe ofron në këtë mënyrë jetëgjatësi të shëndetshme, në lidhje me gjeneratat pasardhëse. Në fjalë të tjera, tregu nuk duhet të krijohet për hir të konsumit treg dhe nga ky treg të mos dimë fundin e tij. P.sh, nëse një fermer kërkon hua nga banka qendrore, me të vetmin qëllim të mbarështojë, fjala vjen, lopë, me qëllim që të shesë qumësht dhe mish paralelisht në treg, dhe ky fermer, me ndihmën e bankës e krijon atë. Nëse në të njëjtën hapësirë gjeografike, me të njëjtin aktivitet merren edhe fermerë të tjerë (fenomen ky global, d.m.th., kur dikush bën diçka do ta bëj edhe unë), atëherë të gjithë bashkë do të ndeshen me shtatë ose më shumë probleme madhore:

1. Konkurrencë (që jo domosdoshmërish çon në rritjen e cilësisë)
2. Shtim i lopëve në numër (me qëllim që të rrisin sasinë e produktit, rrjedhimisht kapitalin)
3. Përkushtim më i madh kohor, sepse u shtua numri i gjedhëve
4. Shtim i numrit të punëtorëve, sepse numri i gjedhëve është më i madh
5. Do të konsumohet më shumë lëndë e parë nga natyra tokë
6. Destabilizimi i ekosistemit dhe lëndës së parë, që është vetë natyra
7. Pasiguria e shitjes së prodhimit

E gjithë kjo çon në atë që quhet qorrsokak apo në një zhargon popullor: Ku ishim, hiç gjëkundi! Çfarë bëmë, asgjë! Vetëm se në rastin tonë kemi humbur: a) energji dhe përkushtim, b) mjedisi ku operuam është pothuajse shkatërruar dhe c) mbas një viti mbetemi edhe pa bukë, sepse nuk shitëm dot produktin. Dhe e fillojmë nga e para: shkojmë në bankë dhe marrim një hua tjetër ose kërkojmë nga qeveria të na subvencionojë për dëmin që na u shkaktua. Dhe cikli i punimeve vazhdon në këtë rrugë pothuajse këtu e 200 vjet në të gjithë sektorët e shoqërisë civile. Kjo formulë është adoptuar sot nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN); kjo formulë tashmë përbën ingranazhin e dinamikës sociale. Pra, FMN-ja financon qeveritë, me të vetmin qëllim që t’i skllavërojë ato dhe qeveritë, individët. Kaq thjesht, kaq bukur! E gjithë kjo, për hir të skllavërimit. Atëherë, krijojmë kapital, duke shkatërruar çfarë? Gjithë ekosistemin.

Ylli Përmeti

http://www.gazetalibertas.com/2009/08/18/manipulimi-monetar/

No comments: