Monday, September 28, 2009

Studimi, Shqipëria ka 70 mijë të dehur

Në vendin tonë numri i personave me varësi ndaj alkoolit arrin deri në 70 mijë persona. Shifra e personave të cilët konsiderohen konsumues të tepërt të alkoolit arrin deri në 7 % të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Morina ka shpjeguar gjithashtu se shqetësues mbetet fakti se alkooli në Shqipëri konsumohet edhe nga persona nën 18 vjeç, gjë të cilën ligji e ndalon. Ndërkohë që një studim i bërë nga Instituti i Shëndetit Publik, nxjerr në drit se rreth 59% e studentëve janë konsumatorë të rregullt të pijes, e cila vazhdon të jetë rakija tradicionale. Morina ka sqaruar gjithashtu se brenda muajit korrik do të nisë nga puna edhe klinika për trajtimin spitalor të personave me varësi nga alkooli.

Klinikë për të alkoolizuarit



Në fakt kjo është një eksperiencë që praktikohet për herë të parë në vendin tonë. Kjo klinikë speciale, e cila është ndërtuar pranë spitalit nr.5 në Qendrën Universitare Spitalore "Nënë Tereza" do të rehabilitojë nga 10-12 persona në muaj, trajtim i cili përfshin kurën medikamentoze dhe trajtimin psikologjik. Ky trajtim spitalor do të menaxhohet nga një mjek dhe një punonjës social. Mbas trajtimit spitalor pacientët do t'i nënshtrohen fazës së trajtimit ambulator, e cila konsiston në vazhdimin pa ndërprerje, edhe për 11 muaj të tjerë të terapisë farmakologjike ditore me disulphiram.

Studentët



Rritja e konsumit për frymë të pijeve alkoolike në vend, por veçanërisht ulja e moshës së përdorimit të tyre, përbën një nga sfidat me të cilat përballet shëndeti publik. Të dhënat e një studimi të ndërmarrë nga specialistët e shëndetit publik treguan se prevalenca e konsumimit të pijeve alkoolike tek studentët është në shifra të larta. Kështu, 59.3 % e studentëve deklarojnë se janë konsumatorë të rregullt të pijeve alkoolike. Nisur nga kjo, specialistët rekomandojnë më shumë programe me target të rinjtë, sidomos studentët, për parandalimin e këtij fenomeni.

Studimi i ISHP-së përfshiu 400 studentë në Tiranë, me moshë mesatare prej 21 vjeç, të cilëve iu shpërnda një pyetësor për nxjerren e të dhënave të ndryshme socialdemografike. Studimi u realizua gjatë periudhës prill-maj 2009. Studentët kishin një prejardhje nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, ndërsa rreth 56 % e tyre ishin meshkuj, kundrejt 44 % femra. Bazuar në rezultatet e studimit, 75.2 % e studentëve referojnë se e përdorin për qejf alkoolin, kundrejt 11.6 % që referojnë se e përdorin atë kur mërziten. Ndërsa 10.6 % e studentëve referojnë arsye të tjera për përdorimin e alkoolit. Pjesa më e madhe e studentëve, 57.6 % e tyre, mendojnë se rakia është akoma pija kryesore në familjet shqiptare. Shoqëria mbetet mënyra më e mirë për konsumimin e pijeve alkoolike për 42.3 % të të intervistuarave. Por, shumica e tyre, 91.7 %, duket janë të ndërgjegjshëm për pasojat negative serioze të konsumimit të alkoolit. Vendi ynë ka një konsumim të lartë të pijeve alkoolike për frymë. Specialistët e ISHP-së theksojnë se pijet alkoolike paraqesin një rrezik serioz për shëndetin e të rinjve, pasi mungon vëmendja e duhur për sigurinë e pijeve alkoolike. Prevalenca në shifra të larta e konsumimit të pijeve alkoolike te studentët është problem shqetësues jo vetëm për ata dhe familjet e tyre, por për gjithë shoqërinë. Në vend konsumohet jo vetëm rakija, si pije tradicionale, por gjithmonë e më shumë konsumohen pije jotradicionale.
Burimi : G.SH

No comments: