Sunday, September 20, 2009

Nathan Thrall: Shqipëria, shteti i 51-të i Amerikës

Mëngjesin e së dielës në qytezën e vogël në veri të aeroportit ndërkombëtar të Shqipërisë, në Fushë-Krujë, mikpritja për Amerikën nuk mund të ishte më e ngrohtë.

Në katin e dytë të një ndërtese të lyer ngjyrë salmoni, një burrë i moshuar rrufit kafen dhe tymos një cigare në verandën e Bar Kafe Xhorxh Bush. Në hyrje të barit është vendosur një plllakatë e bronxtë, në të cilën shënohet vizita e ish-Presidentit Xhorxh W. Bush në qershor të vitit 2007. Një pllakatë e ngjashme ndodhet edhe në karrigen e drunjtë në të cilën u ul presidenti. Në krye të shkallëve varet një pikturë e Shtëpisë së Bardhë e disenjuar me të njëjtën ngjyrë si ajo e mureve të barit në një rozë të çelët. Mikpritja e Bushit në kombin e vogël me shumicë myslimane mund të ketë qenë më entuziastja që ai ka patur ndonjëherë. Në një kohë kur popullariteti i tij i brendshëm po i afrohej pikës më të ulët, turma njerëzish pritën me orë jashtë kafenesë për të përqafuar, shtrënguar e puthur presidentin. E gjithë turma thirrte në kor "Bush-i, Bush-i", ndërsa limuzina e tij po kalonte pranë tyre. Posta Shqiptare lëshoi tre pulla postare të ndryshme me portretin e qeshur të presidentit, ndërsa një rrugë në Tiranë, në kryeqytetin e vendit mori emrin e tij. Parlamenti votoi në mënyrë unanime projektligjin për lejimin e forcave amerikane të angazhohen në çfarëdolloj operacioni, që përfshinin edhe përdorimin e forcës me qëllim mbrojtjen e sigurisë së presidentit.

Kryeministri i Shqipërisë që nga viti 2005, Sali Berisha, e vlerësoi Bushin si "mikun më të madh dhe më të veçantë që Shqipëria ka patur në të gjitha kohërat". Megjithëse vizita e Bushit në Shqipëri ishte e para e një presidenti amerikan në detyrë, lidhjet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara kanë rrënjë të thella. Ato datojnë që nga fundi i shekullit XIX kur në Boston, një grup emigrantësh shqiptarë, shumica e të cilëve ortodoksë, krijuan një qendër me influencë për lëvizjen kombëtare shqiptare. Një anëtar i këtij komuniteti, Fan Noli arriti në Boston në vitin 1906 në moshën 24-vjeçare dhe u bë zëvendëskryeredaktor i gazetës nacionaliste "Kombi" dhe dy vjet më vonë themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare. Ai u diplomua në Harvard në vitin 1912, në vitin që Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane. Në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, Presidenti Uillson kundërshtoi me forcë ndarjen e Shqipërisë nga fqinjët e saj, një akt që kujtohet me simpati në ditët e sotme nga shqiptarët.

Genc Pollo, zëvendëskryeministri elokuent i shkolluar në Austri, i cili është doktoruar në historinë romake, citon me kujdes arsyet historike për mikpritjen madhështore të Bushit. "Wudrou Uilson pengoi ndarjen e Shqipërisë; deklarata inspiruese e Ronald Regan për perandorinë e së keqes; inkurajimi i luftës ndaj komunizmit nga Bushi Senior, bombardimi i Serbisë gjatë administratës së Presidentit Klinton në mbrojtje të popullsisë shqiptare në Kosovë dhe promovimi i pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO". Por Pollo thotë se ka gjithashtu një dimension emocional për këtë dashuri dhe mikpritje të madhe, e cila jo gjithmonë mund të shpjegohet në terma racionalë. Megjithëse mbështetja amerikane për Shqipërinë ka kaluar pothuajse totalisht pa u vënë re nga populli amerikan, ajo ka mbjellur ndjenja të mëdha vlerësimi këtu, një mirënjohje që shqiptarët mezi kanë pritur ta shprehin.
Pas ndërhyrjes së Klintonit në Kosovë, mijëra shqiptarë u vunë emrin fëmijëve të tyre Bill dhe Hilari. Shqipëria pranoi 5 ish-të burgosur ujgurë të Guantanamos, në një kohë kur asnjë vend nuk i pranoi ata. Shqipëria ishte një nga vendet e para që angazhoi trupa ushtarake në Afganistan dhe Irak. Në korrik të këtij viti, Shqipëria njoftoi se do të katërfishonte prezencën e saj në Afganistan me 120 trupa.
Kjo mund të mos duket shumë, përsa kohë nuk keni marrë parasysh reputacionin e ushtarakëve shqiptarë: Të favorizuar si rekrutë të trupave jeniçere osmane, ata përshkruhen nga një korrespondent i "London Times" në shekullin XIX, si "raca më e famshme luftëtare në Europën Jugore". Siç më thotë me krenari miku im Dori, çdo ushtar shqiptar është i barabartë me 100 ushtarë të vendeve të tjera. Deri në vitin 1985, Shqipëria sundohej nga diktatori komunist paranojak Enver Hoxha, i cili për katër dekada mizorie e ktheu vendin e tij në më të izoluarin e botës. Një admirues i Stalinit, i cili vlerësonte se vija e Krushovit nuk ishte radikale sa duhet, e konsideronte atë si "sharlatanin dhe klounin më të madh të kundërrevolucionit në botë". Diktatori mizor ndërpreu fillimisht marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, pastaj me Kinën duke mos duruar afrimin e kësaj të fundit me Niksonin. Në një përgatitje paranojake nga sulmet e sovjetikëve dhe forcat e imperializmit anglo-amerikan, diktatori komunist e mbuloi Shqipërinë me qindra mijëra bunkerë betoni, pothuajse nga një për çdo familje. Sot shumë prej tyre janë mbuluar nga myshku dhe po zhvendosen nga tanket për t'i hapur vend turizmit në brigjet e Adriatikut. Por të tjerët po përdoren si shtëpi pushimi, strehëza dashurie apo edhe restorante kapitaliste, ku veçanërisht imperialistët amerikanë janë të mirëpritur të drekojnë. Në një natë vere në qendër të Tiranës, kafenetë, restorantet dhe klubet e natës të mbushura plot rrethojnë vilën e vjetër e të errët të Byrosë Politike në zonën e njohur si Blloku, ku njëherë e një kohë pushonin zyrtarët e lartë të Partisë Komuniste. Megjithëse një nga vendet më të varfra në Europë, ku më pak se dy dekada më parë asnjë nuk kishte makinë, Shqipëria është shndërruar në vendin që ka më shumë mercedezë për frymë në raport me numrin e popullsisë.

Ligji i vetëm i vjetër i praktikuar ende është Kanuni mesjetar, një kod që rregullon hakmarrjen apo gjakmarrjen, subjekt i librit të Ismail Kadaresë në romanin "Prilli i thyer". Gjakmarrja vazhdon edhe sot e kësaj dite: një studim që citon statistikat qeveritare në vitin 2001 e klasifikon gjakmarrjen dhe hakmarrjen si motiv për 73% të vrasjeve në vend. Lufta mes fiseve në të shkuarën ishte aq e ashpër saqë kur babai dhe vëllezërit e një vajze vriteshin të gjithë, ishte në detyrën e saj që të bëhej burri i shtëpisë duke u betuar për virgjëri të përjetshme. Një virgjëreshë që mbante betimin e saj trajtohej nga bashkëfshatarët e saj si burrë. Megjithatë ky fleksibilitet në çështjet gjinore nuk kishte të bënte me pranueshmërinë e kalimit të kufijve. Shqipëria dhe Kosova ishin të vetmet vende evropiane që më pak se 10% të të anketuarve nga Gallup shprehen se vendi i tyre do të mirëpriste bashkëjetesën e homoseksualëve. Ndoshta jo për koinçidencë, vendi mysliman më tolerant është gjithashtu edhe më laik. Një sondazh i Gallup tregon se, Shqipëria ishte ndër vendet ballkanike me shumicë popullsie myslimane që kishte numrin më të vogël të atyre që mendojnë se feja ishte një pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme. Këtu ndoshta qëndron edhe një korrelacion jo kaq koinçidencial: tre vendet e Ballkanit me shumicë myslimane - Shqipëria, Bosnia-Hercegovina dhe Kosova - janë të vetmit që nuk u është garantuar lëvizja e lirë në Bashkimin Europian. Jashtë Shqipërisë, disa mund të presupozojnë se laicizmi i vendit është produkt i së kaluarës komuniste. Diktatura komuniste nxori jashtë ligji të gjitha praktikat fetare, librat dhe ikonat në vitin 1967, duke e shpallur Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë. Lufta antifetare e diktaturës komuniste ishte kaq ekstreme saqë edhe Stalini kërkoi lehtësimin e saj, duke i kujtuar në mënyrë taktike "shokut Enver" se ndjenjat fetare të njerëzve nuk duhet të fyhen". Megjithatë, Shqipëria ka qenë vendi i laicizmit shumë kohë para se Partia Komuniste të vinte në pushtet. Ajo ishte, sipas Drejtorit të Ligës Anti-Shpifje, "vendi i vetëm i pushtuar nga nazistët që kishte më tepër çifutë në fund të luftës se sa në fillim të saj". Kur sionistët britanikë udhëtuan në Shqipëri në vitin 1935, për të parë nëse vendi mund të shërbente si një vend për çifutët, një ministër i qeverisë së atëhershme i njohu ata me faktin se, "në Shqipëri intoleranca fetare është pothuajse e panjohur. Myslimanët shqiptarë nuk janë fanatikë".

Revista SLATE

No comments: