Sunday, September 20, 2009

Pse Rusia ka qenë përherë armike e betuar e kombit shqiptar ?

Përralla serbe "Kosova, djepi i Serbisë"



Përrallën e kamotshme serbe se Kosova na qenka "djepi" i Serbisë, politika ruse vjen dhe e shtjellon, e zhvillon dhe e zgjeron më tej, duke realizuar kësisoj ngulitjen, rrënjosjen në mendësinë e mbarë opinionit publik rus të një psikologjie të dëmshme që qëndron shumë larg të vërtetës historike.

Megjithatë, njëanshmëria proverbiale e politikës dhe e diplomacisë ruse në trajtimin e marrëdhënieve mes popullit serb dhe popullit shqiptar të Kosovës, nuk shpjegohet vetëm me transformimin e përrallave dhe të miteve serbe për Kosovën në të "vërteta historike të mirëqena". Arsyen e vërtetë, në këtë mes, të politikës dhe të diplomacisë ruse, e zbulojnë dy politikanë të mirënjohur rusë, të cilët bien në sy për antiamerikanizmin dhe antishqiptarizmin e tyre të ekzaltuar. Këta janë Nikollaj Rizhkov (ish-funksionar i lartë i nomenklaturës së kuqe të Moskës, i cili gjatë viteve 1982-85 ka mbajtur postin e Sekretarit të KQ të PKBS dhe atë të kryeministrit sovjetik gjatë viteve 1985-90) dhe Vjaçeslav Tetjokin, të cilët deklarojnë: "Serbia është pararoja e qytetërimit tonë. Është kjo arsyeja që palca e Ballkanit, e populluar nga sllavët e jugut, gjatë shekujve ka qenë objekt i një presioni të pandërprerë nga ana e Perëndimit" (N.I.Rizhkov, V.N.Tetjokin "Jugosllavskaja gollgofa". Moskva 2000, f.22).
Personalisht, deri tani, kam qenë i bindur që pararoja e qytetërimit sllav është Rusia. Çuditërisht dy autorë rusë, na bëkan një "zbulim" të ri, duke e zhvendosur në Serbi pararojën e këtij qytetërimi! Të deklarosh që Serbia na qenka "palca" e Ballkanit, do të thotë që kombet e tjera na qenkan "bërsitë" e këtij gadishulli. Sigurisht që kësisoj mund të gjykojnë vetëm studiues megalomanë rusë, të brumosur me ideologjinë e shovinizmit rusomadh dhe me shkencën e urrejtjes për kombet e tjera josllave. Besoj se nuk ka nevojë për komente të tepërta një deklaratë e tillë butaforike, në të cilën Serbia na paraqitet si "varfanjakja e Qabesë", që "tradicionalisht" na paska qenë "e persekutuara e madhe" e Perëndimit. ....

***Sigurisht, "Njezavisimaja gazeta" shpreh revoltën e saj për dritëshkurtësinë e politikës ruse ndaj Perëndimit për çështjen e Kosovës. Ama revoltën e vet në këtë rast ajo e manifeston "në inat e sipër" për pazotësinë e Kremlinit për t'i diktuar Perëndimit vullnetin e vet.
Dhe këtë, nënkuptohet, e bën e nisur jo nga vlerësimi objektiv i situatës në Kosovë, por nga motive inatçore. Se sikur kjo gazetë të udhëhiqej nga vlerësime objektive, atëherë ajo nuk do të shpifte në mënyrë aq shembullore për krimet në Raçak, për të cilat, në numrin e saj të datës 25 gusht të vitit 2000 do të shkruante: "... kurrfarë vrasjesh nuk ka pasur në Raçak..." (f.502). Po kështu, simotra e saj, "Rossijskaja Gazeta", në numrin e saj të datës 21 shkurt 2001, i mban avazin po së njëjtës shpifjeje, duke dalë me një deklaratë edhe më të turpshme: "Ngjarja e Raçakut ishte një provokacion i përbindshëm i shqiptarëve dhe i shërbimeve të fshehta të NATO-s, ku serbët nuk kishin fare gisht" (f.546). Duket që mekanizmi i shpifjes kundër kombit shqiptar ka qenë i kurdisur dhe vazhdon të jetë i kurdisur me shumë kujdes në të gjitha strukturat e Rusisë neocariste, që poshtë, në "bazë", deri në Kremlin.

***Së dyti, gjatë një takimi që ish-ambasadori ynë në Moskë, zoti Shaqir Vukaj, ka pasur me ambasadorin amerikan atje, ky i fundit ka bërë një vlerësim të tillë për politikën e Rusisë ndaj çështjes së Kosovës: "Ne mendojmë se në qëndrimet e Rusisë për problemin e Kosovës, që me fillimin e bombardimeve kundër Jugosllavisë, rusët kanë gabuar shumë herë. Për mendimin tonë, fajin kryesor e ka kasta ushtarake, e cila po dominon politikën e jashtme. Ne vërejmë se këtu ka mjaft politikanë realistë që në biseda private shprehen qartë dhe drejt, por që në qëndrimet zyrtare ndryshojnë krejtësisht, gjë që, sipas nesh, shpjegohet me faktin se vetëm në këtë mënyrë ata mund të mbeten në politikë, i tillë, për shembull, mund të konsiderohet edhe ministri i jashtëm, Ivanov, i cili në takime me Ollbrajtin e me të tjerë ka shprehur pikëpamje e propozime mjaft konstruktive, por në publik është shprehur ndryshe dhe kjo vetëm për të qenë në unison me ushtarakët, duke dalë nga vetja e tij e duke mos bërë figurë të mirë" (f.441). Ky pohim i ambasadorit amerikan hedh dritë mbi një të vërtetë kuptimplote për faktin që në Kremlin sundon realisht kasta ushtarake që rri në prapaskenë, çka dëshmon për një traditë të kahershme në qeverisjen e Rusisë, që nga koha e carizmit. Është pikërisht kjo arsyeja që Rusia edhe sot vazhdon të jetë e kapluar nga ethet e shovinizmit rusomadh, i cili, në mënyrën më të shkëlqyer, është
manifestuar në qëndrimin ndaj kombit shqiptar në tërësi dhe ndaj popullit shqiptar të Kosovës në veçanti.

***Së treti, ... gjatë takimit të zotit Milo me ish-ministrin e Jashtëm rus, zotin Ivanov, ish-ambasadori Vukaj i ka lënë mbresa një pyetje e çuditshme e zotit Ivanov: "Bëri përshtypje një ndërhyrje e Ivanovit në bisedë e sipër, që pyeti se a është Kosova shqiptare" (f.497).
Një pyetje e tillë mund t'i shkonte për shtat një ministri të Jashtëm të ndonjë shteti të largët të rruzullit tokësor, ... por që një pyetje të tillë ta bëjë ministri i jashtëm i një supershteti të tillë në Evropë, si Rusia, kjo të bën të dyshosh se në këtë rast kemi të bëjmë me një shpërfillje të kulluar të tij që buron nga një botëkuptim shovinist për Kosovën, se nuk mund të vihet në dyshim kurrsesi formimi i tij kulturor, intelektual.

***Së katërti, Kremlini ka pas ngulur këmbë deri në një kokëfortësi paradoksale që "të ruhet Jugosllavia, që të mos shkohet drejt ndarjes, sepse mund të ketë pasoja shumë të rrezikshme. Askujt nuk i duhen shtete lilipute në Ballkan" (f.525)... Dhe u dashka që haraçin e druajtjes së Kremlinit ta paguante Kosova.

***Së pesti, pas arrestimit të Milosheviçit dhe dërgimit të tij në Hagë, Kryetari i Dumës Shtetërore Ruse, G.Seleznjov, bëri këtë deklaratë paradoksale: "Kur flitet për gjenocid, nënkuptohet dhënia e urdhrave për të vrarë njerëz, por as Millosheviçi dhe askush tjetër nuk kanë dhënë ndonjë urdhër të tillë" (f.566). Sigurisht, duhet të jesh politikan rus që të bësh deklarata të tilla revoltuese kundër skenave tragjike që u luajtën në Kosovë, dëshmitare e të cilave ka qenë mbarë bota përmes mjeteve të informimit masiv. ... Shesheli, gjatë vizitës së tij zyrtare në Moskë, ku mbërriti më 30 tetor 1998, deklaronte publikisht se "... problemi i Kosovës mund të zgjidhet lehtë: duke vrarë një milion shqiptarë dhe duke përzënë nga Kosova një milion të tjerë?" (f.464).

Ajo që ka rënë më shumë në sy në qëndrimin e Kremlinit është histeria mbarëruse kundër mbarë kombit shqiptar edhe pas përfundimit të bombardimeve kundër Serbisë. Të gjitha mjetet e informimit masiv u vunë tërësisht në shërbim të ndezjes së urrejtjes kundër gjithë shqiptarëve në mbarë trojet e tyre etnike, me të vetmin synim që Kosova të mos shkëputet nga Serbia kurrsesi. Në shënimet e diplomatit Vukaj, të mbajtura gjatë kohës që ishte ambasador në Moskë, lexojmë edhe këto rreshta (të hedhura në letër më 12 tetor 2001): "Siç kam përsëritur shumë herë, këtu është folur e shkruar aq shumë për "terrorizmin" shqiptar, sa, kur përdoret fjala "terrorizëm", rusit të thjeshtë që ka ndjekur lajmet a ka lexuar shtypin rus gjatë këtyre viteve të fundit, menjëherë i shkon mendja te ne, shqiptarët. Shprehja "terrorizëm shqiptar" përdoret vend e pa vend. Shprehjet "terroristët shqiptar", "UÇK-ja terroriste"..., "terroristët shqiptar të Kosovës", "terroristët shqiptarë të Maqedonisë", "terroristët shqiptarë të Shqipërisë", "udhëheqësit terroristë të shqiptarëve të Kosovës" etj. etj. kanë mbushur lajmet televizive, shkrimet e gazetave e revistave aq sa rusët e thjeshtë, kur marrin vesh se jemi shqiptarë, na shohin me habi"!

Më 15 gusht 1999, ambasadori Vukaj pati dhënë një intervistë në kanalin televiziv TVC. Intervistën ia pati marrë gazetari i njohur rus A.Bovin. Të nesërmen zoti Vukaj i paska telefonuar zotit Bovin për ta pyetur për përshtypjet që kishte lënë te teleshikuesit intervista e djeshme. Gazetari Bovin i qenka përgjigjur se "asnjëherë nuk kishte pasur telefonata më shumë se mbrëmë. Shkaku ishte emisioni i djeshëm. Shumica e atyre që e kishin marrë në telefon ishin personalitete të fushave të ndryshme-politike, historike, shoqërore etj. dhe pothuajse të gjithë i kishin bërë vërejtje se përse e kishte lejuar shqiptarin të fliste siç donte ai, në kundërshtim me të vërtetën dhe përse nuk e kishte ndërprerë..." (f.461).
Ky fakt vërteton qartë se politika dhe diplomacia ruse, si edhe mjetet e informimit masiv, e kishin indoktrinuar deri në pore mbarë opinionin publik rus, duke e edukuar atë me ndjenjën e urrejtjes kundër kombit shqiptar. Dhe shprehja më e koncentruar e urrejtjes kundër kombit shqiptar përmblidhet në pak rreshta të njërit prej mesazheve anonime që asokohe i janë dërguar me faks ambasadës sonë në Moskë. Në të shkruhej: "Shqiptarë të ndyrë! Ju duheni mbyllur në Shqipëri si në kafaz dhe në rast se doni të dilni, duheni vrarë si qen të tërbuar. Gratë tuaja duhen sterilizuar, që të mos mund të lindin më si lepuj. Dhe në qoftë se ju do të vendosni të vini në Kosovën serbe, do të ngordhni. Toka do t'ju helmojë. Kombi juaj duhet zhdukur. Le t'ju marrin amerikanët atje, në Amerikë. Ngordhni sa më shpejt në Rusi. Juve do t'ju therim" (f.415). Politika dhe diplomacia e sotme ruse, si ndjekëse besnike e politikës dhe e diplomacisë cariste në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, kërkon të ruajë të paprekur pikërisht trashëgiminë e politikës dhe të diplomacisë cariste, duke e mishëruar atë në ngrirjen e copëtimit të trojeve tona etnike. Po të mos ishte e vërtetë një gjë e tillë, ministri i tanishëm i punëve të jashtme të Rusisë, Sergej Llavrov, nuk do të ngrihej e të bënte një deklaratë të tillë shoviniste: "Duhet të jetë e qartë... se... për ne ekzistojnë ca "vija të kuqe": kjo ndodh kur lind një rrezik serioz për sigurinë tonë kombëtare ose për rendin ekzistues juridik ndërkombëtar... Në listën e çështjeve të tilla përfshihen planet e vendosjes së bazave të SHBA-ve të sistemit global të mbrojtjes kundër raketave, si edhe zgjidhja e çështjes së Kosovës

(Fjalim i mbajtur në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës me rastin e fillimit të vitit të ri arsimor 3 shtator 2007). Kësisoj, sipas Lavrovit, pavarësimi i Kosovës përbëka "rrezik serioz" për sigurinë kombëtare të Rusisë, a thua se Kosova qenka një shtet fqinj me Federatën Ruse, e cila ndodhet disa mijëra kilometra larg saj.

Opinioni rus, njëlloj si 100 vjet më parë



Kam jetuar dy vjet mes rusëve si student (gusht 1959-qershor 1961) dhe, megjithëse në moshë të re, jam munduar të hyj në psikologjinë e njerëzve të thjeshtë të atij vendi të madh. Një popull me një traditë mikpritëse, si ajo e shqiptarëve, me një shpirt të gjerë dhe të qetë, si stepat e pafundme dhe si rrjedha e Vollgës ujëplotë. Kam shumë dëshirë të besoj se populli i thjeshtë rus e do dhe e respekton të vërtetën. Prandaj, sikur klasa politike ruse, sikur intelektualët rusë, sikur mjetet e informimit pamor dhe shtypi i shkruar, t'ia kishin thënë opinionit publik rus të katër të vërtetat në sy për çështjen e Kosovës, a thua se mund të mbahej ai qëndrim aq i egër ndaj kombit shqiptar, NATO-s dhe sidomos ndaj SHBA gjatë bombardimeve kundër Serbisë? A thua se afshi i dashurisë për serbët do të njihte kuota të larta si kurrë ndonjëherë? A thua se për shqiptarët do të flitej e do të shkruhej me aq urrejtje si asnjëherë?
Megjithatë, duhet pranuar se sot opinioni publik rus nuk është ai i viteve 1912-1913, kur informacionet për ngjarjet ballkanike i merrte vetëm nga shtypi rus që shtrembëronte të vërtetën për krimet e shovinizmit serbomadh dhe bullgaromadh kundër shqiptarëve dhe turqve. Sot opinioni publik rus, po të dëshirojë të mësojë të vërtetën për çështjen e Kosovës, ka shumë burime informacioni, edhe të drejtpërdrejta, përmes emisioneve televizive me lidhje satelitore. Këto burime të tjera informacioni i krijojnë atij mundësinë që të jetë i imunizuar nga ndikimi i politikës dhe i diplomacisë ruse dhe i mjeteve ruse të informimit masiv që shtrembërojnë të vërtetën për çështjen e Kosovës. Opinioni publik rus që reagoi dhe vazhdon të reagojë në një mënyrë aq armiqësore kundër kombit shqiptar në tërësi dhe kundër popullit shqiptar të Kosovës në veçanti, duhet të ketë parasysh një konstatim të vyer të Trockit të gati një shekulli më parë: "Protesta kundër dhunës ballkanike (ndaj etnisë shqiptare dhe turke – E.Y.) pastron atmosferën shoqërore brenda vendit tonë, ngre lart vetëdijen morale të vetë popullit tonë. Masat punonjëse të popullsisë së çdo vendi përfaqësojnë në vetvete edhe një vegël të mundshme të dhunimeve të përgjakshme, edhe viktimën e mundshme të tyre" (Gazeta "Lluç", 22 shkurt 1913. Citohet sipas: Vëll.6, f.277). Faktet e sipërpërmendura vërtetojnë se sot, opinioni publik rus është shndërruar në vegël të politikës dhe të diplomacisë ruse, si edhe të mjeteve ruse të informimit masiv për shtrembërimin e së vërtetës rreth çështjes së Kosovës. Madje opinioni publik rus tani është "konsumator" i rregullt i gënjeshtrave dhe i shpifjeve të Kremlinit, i politikës dhe diplomacisë së tij në qëndrimin armiqësor që kjo mban në tërësi jo vetëm ndaj çështjes së Kosovës, por edhe ndaj krejt kombit shqiptar. Lidhur me shtrembërimin e së vërtetës nga ana e shtypit rus për krimet e serbëve dhe të bullgarëve kundër etnive josllave (shqiptarëve dhe turqve –E.Y.) gjatë luftërave ballkanike të viteve 1912-1913, Trocki shkruante: "Për një situatë të tillë, të mbarsur me zhgënjime nga më të rëndat, përveç diplomacisë zyrtare dhe jozyrtare ruse, mban përgjegjësi edhe ajo pjesë e shtypit rus, i cili fletën e gazetës e ka zëvendësuar me një copë lëkure viçi, të tendosur mbi një daulle. Ndjenja e mallkuar e papërgjegjësisë po e fut pjesën dërrmuese të shtypit rus në një rrugë të tillë, të cilën nuk mund ta quash ndryshe, përveçse kriminale" (Gazeta "Kievskaja Mëjsl", 15 tetor 1912. Citohet sipas: Vëll. 6, f.167).
Dhe arsyet e shtrembërimit të asaj së vërtete, Trocki i zbulonte në një tjetër artikull. Ai shkruante: "Përderisa gazeta "Rjeç" po e shpërfill njoftimet që vijnë nga Gjermania për mizoritë bullgaro-serbe, atëherë ajo, siç jemi në dijeni, e ka një arsye të kulluar ruse, e cila është një arsye e pastër shoviniste" "(Gazeta "Lluç", 19 shkurt 1913. Citohet sipas: Vëll. 6, f.274). Traditën shoviniste të shtypit të kohës së Rusisë cariste në shtrembërimin e së vërtetës për krimet serbo-bullgare, përkatësisht kundër etnisë shqiptare dhe turke në vitet 1912-1913, po e vazhdojnë sot me të njëjtin zell shtypi dhe mjetet e informimit pamor të Rusisë neocariste, e cila, në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, nuk ka lëvizur as edhe një grimë nga piketat e shovinizmit rusomadh. Pikërisht ky shovinizmi rusomadh është ai që dashurinë përvëluese të rusëve për serbët, përmes mjeteve të komunikimit masiv, e ushqen me një urrejtje të theksuar ndaj shqiptarëve? Atëherë mos u dashka menduar që populli rus qenka i indoktrinuar deri në palcë me mëri, me urrejtje për kombin shqiptar? Një gjë e tillë mund të jetë edhe e vërtetë, se kombi shqiptar në Evropën Juglindore, në masën 90% është i besimit mysliman. Por rusët, për arsye të indoktrinimit të tyre ortodoks, marrëdhëniet e serbëve me kombin shqiptar, në shumicën dërrmuese të besimit mysliman, i vlerësojnë pikërisht nën prizmin e këtij indoktrinimi, që është përçues i urrejtjes kundër elementit mysliman në Evropën Juglindore. Ky lloj indoktrinimi ka bërë që në psikologjinë e popullit rus të lindin ca paragjykime, të cilat janë krejtësisht të huaja dhe të papranueshme për kodin filozofik të popullit shqiptar. Kështu, në gjuhën ruse haset një shprehje frazeologjike tepër domethënëse: na russkij bajram, e cila në gjuhën shqipe përkthehet: asnjëherë, kurrën e kurrës. Po cili është motivimi i kësaj shprehjeje frazeologjike? Për këtë le të shikojmë se çfarë thonë burimet shkencore të frazeologjisë së gjuhës ruse: "Bajrami, ose Fiter Bajrami, është festa e mbarimit të agjërimit në kalendarin mysliman. Shprehja është një oksimoron (një figurë stilistike – E.Y.) që bazohet mbi pamundësinë logjike të festimit nga ana e të krishterëve të një feste fetare myslimane" (A.K.Birih, V.M.Mokijenko, L.I.Stepanova. "Sllovar russkoj frazeologji. Istoriko-etimologiçeskij spravoçnjik". SanktPeterburg 2001, f.39).
Kjo shprehje frazeologjike e gjuhës ruse më bën të ndihem gjakftohtë, kur kujtoj ca ditë të qëndrimit tim në Kosovë, në nëntor të vitit 1999, kur po shoqëroja, si përkthyes, ata gazetarët rusë. Në një bisedë të lirë me ta, për gjëra nga më të ndryshmet, në hollin e "Grand Hotel"-it, ata u befasuan kur morën vesh që në varrezat e shqiptarëve prehen pranë e pranë eshtrat e myslimanëve, të katolikëve dhe të ortodoksëve. Unë, si shqiptar mysliman i paindoktrinuar, e kuptoja fare mirë befasimin e tyre, kurse ata, si ortodoksë të indoktrinuar, nuk e kuptonin dot gjakftohtësinë time. Vetëm ky fakt i thjeshtë i prehjes së eshtrave të bashkatdhetarëve të mi të besimeve të ndryshme fetare në të njëjtat varreza, tregon frymën e admirueshme të tolerancës që ka pas karakterizuar në shekuj kodin filozofik të popullit shqiptar, në këtë pikë tregon se sa fisnik është kombi shqiptar në krahasim me kombet e tjera. Toleranca proverbiale fetare e shqiptarëve është e përjetësuar bukur fare në një këngë të vjetër të Veriut të vendit tonë, në të cilën del mirë në pah se si shqiptarët e besimeve të ndryshme i festojnë bashkërisht festat fetare: "Turk Isuf e Lulash Ndré.../ Hajshin mish e pishin venë, / Nuk e njihte qeni qenë, / Cili â turk, cili â i kshtênë!" (Tahir N.Dizdari. Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe. Tiranë 2005, f.1055).

Gazetarët rus mbajnë ison e politikës

A nuk duhej vallë që ata gazetarët rusë të shkruanin dhe të flisnin me zë të lartë për tolerancën e shkëlqyer fetare që karakterizon mbarë kombin shqiptar, për t'ia bërë atë të njohur mbarë opinionit publik rus? Nuk e di se çfarë shkruan dhe çfarë folën ata gazetarë kur u kthyen në Moskë, se, siç e përmenda më lart, mua nuk më dërguan asnjë informacion, siç ma dërguan gazetarët ukrainas.
Megjithatë, përsëri kam shumë dëshirë të besoj se klasa politike ruse keqpërdor natyrën e urtë, të bindur, të duruar të popullit rus dhe, duke u mbështetur tërësisht në të dhëna të falsifikuara nga burime serbe, e keqinformon rregullisht atë për të vërtetën rreth çështjes së Kosovës. Ndryshe s'ka se si shpjegohet që një personalitet i lartë i politikës ruse, ish-ministri i jashtëm, Igor Ivanov, të shkruajë kësisoj: "Po vijnë dëshmi alarmante (me siguri nga burime serbe –E.Y.) që tregojnë se pushteti "në hije" në Kosovë, gjithnjë e më shumë po kalon në duart e grupimeve të ndryshme që janë të lidhura ngushtë me organizata kriminale ndërkombëtare, me narkobiznesin, me ekstremizmin islamik" (Igor Ivanov. "Vnjeshnjaja politika Rosii i mir. Statji i vëjstuplenjija". ROSSPEN. Moskva 2000, f.231).
Asokohe, kur Igor Ivanovi shkruante kësisoj, Kosova kishte një vit që ndodhej nën mandatin e OKB dhe as që mund të bëhej dhe as që bëhet fjalë edhe gjer më sot se atje na paska ekzistuar një tjetër pushtet, "në hije", veç atij të UNMIK-ut. Por tërë halli i Beogradit është që Kosova, përmes personaliteteve të larta të Moskës, të reklamohet në sytë e opinionit publik rus si "qendër" e ekstremizmit islamik, të cilin mund ta mbaka në zap vetëm "dajaku serb". Pra, tërë halli i Beogradit është që Kosova të mbahet sa më larg statusit të pavarësisë. Në këtë mënyrë, Igor Ivanovi, informacionin e rremë që merr nga Beogradi për çështjen e Kosovës, "ia bën dalje", ia shet mbarë opinionit publik rus për "ar të kulluar". Pikërisht ky ish-ministër i jashtëm i Rusisë, zoti Ivanov, në dhjetëditëshin e dytë të qershorit të vitit 2001, bëri një vizitë në Ballkan dhe kur u kthye në Moskë deklaroi: "Para dy ditësh isha në Kosovë dhe pashë se atje veprojnë grupe të armatosura që lëvizin lirisht. Disa prej tyre kanë veshur uniformën e ruajtësit të rendit, të tjerët të UÇK-së, por unë mendoj se këto grupe kanë lidhje të ngushta me grupet terroriste. Organizatat që veprojnë në Kosovë janë të lidhura me ato që veprojnë në Afganistan dhe në zonën e Kaukazit të Veriut. Përfaqësues të KFOR-it më thanë se kishin të dhëna për futjen e luftëtarëve çeçenë në Kosovë" (Shaqir Vukaj. Po aty, f.555).

No comments: