Monday, April 29, 2013

Ismail Kadare: Intrigat që fshihen pas sulmit ndaj Gjergj Kastriotit

*  *  *
Që Mithat Frashëri e hodhi për herë të parë e, me sa duket, të fundit, këtë dëshirë të tij teatrore, në vitet tridhjetë, dëshmonte se dy çështjet që do të përcaktonin fatin e mëtejshëm të kombit: shkollat shqipe dhe emancipimi i gruas shqiptare (të dyja të zhytura në terr prej osmanllisë) ishin ende probleme të ditës, madje do të vazhdonin të ishin të tilla në të ardhmen.
Mithat Frashëri, i fajësuar me gjithë koleksionin e akuzave, të cilat njeriu shqiptar, për fat të keq, i përdor aq bujarisht, i himnizuar me koleksionin tjetër, të kundërtin, si “gjeni i kombit”, që njeriu shqiptar, përsëri për fat të keq, i përdor aq koprracisht kur duhet, e aq pa vend kur nuk duhet, ka shfaqur disa herë parashikime me të vërtetë profetike. Sikur ta ndiente nga do t‘i vinte jo vetëm fatkeqësia e re kombit shqiptar, por atij vetë, vdekja, ishte i pari njeri në botë që gjeti një fill bashkues midis ngjarjeve të 1917-ës në Rusi dhe rebelimit proturk të Haxhi Qamilit në Shqipëri, katër vite më parë, më 1913!
Si një paralajmërim ndëshkimi për atë profeci, dy vite përpara vrasjes në Nju-Jork, armiku numër një i Frashërit, shefi i komunistëve shqiptarë, shkroi të vetmen sprovë historike, kushtuar Haxhi Qamilit, ku, në kundërshtim të plotë me gjithë mendimin shqiptar, e himnizonte të çmendurin mizor nga Sharra, që nën zhurmën e daulleve dhe ulërimave “Dum Babën!” (lexo Sulltanin) kërkonte kthimin e Shqipërisë nën sundimin osman.
Kjo kundërvënie e dy personazheve rrotull psikopatit turkofil ishte kuptimplotë. Ajo dëshmonte se sundimi osman në Shqipëri ishte më keq se një sundim ushtarak. Ajo dëshmonte synimin osman, jo thjesht për ta mbajtur të sunduar Shqipërinë, por për ta zhbërë si të tillë.
Turqizmi i popullit shqiptar ishte projekti më i lemerishëm me të cilin atij i ra fati të ndeshet. Për fat të keq, mekanizmat mbrojtës të tij nuk u treguan të aftë për të shmangur plotësisht të keqen. Për vizionin otoman, ndër popujt e Ballkanit, populli shqiptar ishte ai që ndërkaq kishte vdekur.
Ai përftohej si turk, trajtohej si i tillë, me fjalë të tjera favorizohej si turk, por, ndërkaq, nëse kërkonte identitetin e vet, ndëshkohej egërsisht si turk i pabesë.
Një pjesë e tragjedisë shqiptare ishte pikërisht interpretimi i keq i statusit të tij.
Në vjershën e dëgjuar “Jam turk, elham-dulila”, poeti Esad Mekuli e shpallte me dëshpërim këtë nyjëtim dramatik ku kishte ngecur ende si në kurth njeriu shqiptar. Shumë njerëz bënin pyetjet: përse Shqipërisë i shkojnë punët mbrapsht? Përse për të tjerët po zbardhte liria, e për Shqipërinë jo?
Rilindja shqiptare, bashkë me pararendësit dhe pasrendësit e saj, e kapi hijen e vdekjes që po i vërtitej kombit. Robëria e gjatë po pillte filozofinë e robërisë, ngadhënjimi i së cilës do të ishte shumë herë më fatal se robëria vetë. Shkrimtarët veriorë, Budi, Bardhi, Bogdani, më pas arbëreshët me De Radën në krye, e fill pas tyre vargu i vetë rilindësve, të herët a të vonë, si Naimi, Mjeda, Çajupi, Fishta e deri te Noli, u ranë gjithë kambanave që duhej të zgjonin shqiptarët, për t‘i ngritur kundër robërisë, por sidomos kundër filozofisë së saj.
Për aksionin e saj, dëshpërimisht solemn, Rilindja shqiptare solli në Shqipëri fantazmën e dëbuar, Gjergj Kastriotin, të cilin Europa, për fatin tonë, na e ruajti, jo vetëm në sheshet dhe rrugët e pagëzuara me emrin e tij, por edhe në kujtesën e saj.
Mithat Frashëri ishte njëri nga rilindësit që i jetoi të tria kohët, atë të sundimit osman, të Shqipërisë së pavarur dhe fillimin e komunizmit, asgjësuesin e tij. Koha e republikës së Nolit dhe ajo e mbretërisë së Zogut, e para mjaft e shkurtër, e dyta jo aq e gjatë sa ç‘do të duhej, ndonëse në kundërshtim me njëra-tjetrën në shumë gjëra, u bashkuan në një pikë themelore, njëmendësimin e ideve të Rilindjes shqiptare, dhe testamentin e Gjergj Kastriotit, thënë ndryshe, nxjerrjen e tyre nga statusi idealist e romantik dhe vënien në themel të institucioneve, të filozofisë, të politikës e të strategjisë shqiptare.
Për fat të keq, koha e pavarësisë ishte e shkurtër për t‘ia lënë vendin periudhës groteske të varfërisë, terrorit dhe izolimit komunist. Pyetjet: përse Shqipëria vazhdon të jetë e pafat, përse të tjerët ecin e ajo ngec, bëheshin tani, me të njëjtin pezm fatalist, ndonëse për një tjetër fatkeqësi.
Ato pyetje do të përsëriteshin më pas, atëherë ku s‘do të duhej, pas rënies së komunizmit. Ato vazhdojnë të bëhen sot, jo vetëm nga mendjet elitare, por nga shumica e shqiptarëve, gjithkund ku ata ndodhen. Përgjigjet për to janë të ndryshme dhe kjo është e kuptueshme. Pas dy robërive, aq pranë njëra-tjetrës, vizioni shqiptar i botës mbetet ende i turbullt e kaotik.
Midis përgjigjeve është njëra që gjithmonë e më shpesh përsëritet, në mënyrë ogurzezë: në Shqipëri punët do të shkojnë gjithmonë e më mbrapsht, përderisa në qendër të Tiranës nuk do të hiqet shtatorja e Skënderbeut për t‘u zëvendësuar me atë të Sulltan Muratit.
Ngjan e pabesueshme, por këto fjalë të një rimohuesi nga Shqipëria, hulumtuesit mund t‘i gjejnë jo më larg se tre muaj më parë.
Një tjetër rimohues, këtë herë nga Kosova, shkruan, e zezë mbi të bardhë, se “antishqiptari Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është protagonist kryesor i historiografisë komuniste, i futur në tekstet e historisë prej komunistëve”.
Emri i këtij rimohuesi është H. Ferraj dhe sa ç‘është e madhe habia për mashtrime të tilla, po aq, në mos më shumë, është habia tjetër se ky rimohues paska përkrahje në rrethet universitare e gjysmëzyrtare në Shqipëri. Ky, e të tjerë si ky, duke abuzuar me lirinë kaotike, shpesh karikatureske shqiptare, guxojnë të hedhin mendimin se regjimi i egër komunist shqiptar, ishte i tillë ngaqë u projektua në bazë të orientimit të rilindësve shqiptarë!
Për të mos u zgjatur me këtë barbari shembujsh, po e mbyllim me fjalët e një tjetër rimohuesi, prapë nga Kosova, që bën paralajmërimin se të kesh qëndrim mohues ndaj Perandorisë Osmane sot është njëlloj si të sulmosh miqtë tanë amerikanë, që çliruan Kosovën!
Ç‘të thuash për këtë nostalgji të ringjallur befas një shekull pas ikjes së osmanëve?
Ta quash groteske, tragjike, komike nuk mjafton. Të thuash se po t‘i përmbahej programit të Rilindjes, Shqipëria jo që s‘do të bëhej kurrë komuniste, por do të ishte prej kohësh një shtet model në Bashkimin Europian, është prapë pak.
Të thuash se i ashtuquajturi “mit” i Skënderbeut, u ngjiz shekuj më parë kur komunizmi nuk ekzistonte askund, se u sublimua prej Rilindjes dhe pastaj prej kohës së pavarësisë, prej Nolit dhe Zogut, se komunizmi jo vetëm ishte i huaj për të, por në vitet e flirtit me jugosllavët 1946-1947, emri i heroit pothuajse u zhduk nga shtypi shqiptar.
Të vazhdosh me kronikën e asaj që mund të quhet “lufta e shtatoreve”, kur më 1968, qeveria shqiptare bëri çmos që pagëzimi i sheshit “Skënderbe” në Paris, bashkë me shtatoren midis, të mos lejohej prej qeverisë franceze dhe bashkisë së Parisit?
Të vazhdosh me ngritjen e shtatores së shefit të komunistëve shqiptarë, njëzet hapa pranë shtatores së heroit, paralajmërimi i hapur, se Kastrioti do të zhvendosej së shpejti dhe sheshi i parë i Shqipërisë do t‘i përkiste këndej e tutje, patronit të ri komunist? (Brenda tre viteve, historia do të jepte një nga mësimet madhështore të saj, kur princi mesjetar do ta shihte rivalin jetëshkurtër të tij t‘i zvarritej mu përpara syve, krejtësisht në stilin e Mesjetës.)
Shumëkujt mund t‘i duket se të ngresh çështje të tilla, pra të polemizosh me të çmendurit, është kohë e humbur. Ndërkaq, të çmendurit (që në këtë rast do t‘i përligjnim po të ishin thjesht të tillë), vazhdojnë veprën shkatërruese mu në sytë tanë. Në kohën që po shkruhen këto radhë, metropoli shqiptar vlon nga polemika: ta ruajmë apo ta rrëzojmë Skënderbeun!
Vetë shtrimi i çështjes është njollë e zezë për Shqipërinë. Dihet se kush do ta fitojë këtë polemikë, por vetë fakti që ajo ndodhi, që populli shqiptar, një shekull pas osmanllisë, ende guxoi ta lejojë një pyetje të tillë, është një turp për të.
Nën këtë ndriçim të keq, do të zbulohet ndoshta më qartë ai cen që e ka shtyrë disa herë nga gabimi në gabim. Polemika vulgare dhe imorale për rilindësit dhe Skënderbeun është shenja e një sëmundjeje më të thellë, prej së cilës kombi shqiptar, nëse kërkon një të ardhme në këtë botë, duhet të shërohet.
Intelektualët që nismëtuan baltën kundër Skënderbeut dhe Rilindjes nuk janë katundarë me shallvare që i bien daulles e klithin “Dum Babën!”. E ndërkaq, mund të thuhet se janë jo vetëm më të rrezikshëm, por më vulgarë e më pa moral se ata.
Duket fyerje, natyrisht, të merresh me ta. Dhe ashtu është. Por kur ujërat e zeza vërshojnë befas, dikush duhet të merret me to. Të mësuar të nderojmë personazhe të shquar, artistë, politikanë e gra të bukura, në çastin kur ujërat e zeza shpërthejnë, ne kujtohemi për ata që përveshin mëngët e zbresin të punojnë mes tubave, veglave e territ, atje ku nuk guxon të zbresë kush.
Duke kujtuar se po ia hedhin publikut, intelektualët gjysmakë, ata që ushqehen kryesisht nga “Google”, merren me raportet mit-histori, pa kuptuar asgjë prej tyre. Pa e ditur se nocionet mit, histori, mitizim e çmitizim janë shumë më të ndërlikuara se ç‘i di mendja e tyre e ngushtë. Me nocione të tilla zakonisht, e sidomos me raportet mit-histori, është e lehtë të bëhen spekulime. Përpara se të jenë kundërthënëse, ato janë plotësuese, dy vizione të botës, njëri i dendësuar jashtë mase, e tjetri, po ashtu, jashtë mase i faktuar, që mëtojnë të njëjtën gjë: të rrëfejnë botën dhe njerëzimin.
Seriozë nuk janë provokatorët e këtij diskutimi, por serioz është, ndërkaq, problemi. Në kohën kur Shqipërisë së sotme, familja e popujve europianë i kërkon zbardhjen e së vërtetës për regjimin e saj të turpshëm, prej të cilit nuk ka as njëzet vite që ka dalë, një aksion thellësisht çoroditës kërkon ta kthejë energjinë dhe vëmendjen gjashtë shekuj pas, në një hulumtim krejtësisht të kotë.
A ka alibi për këtë çoroditje? A ka vërtet diçka serioze për të qortuar e ndrequr në atë që është quajtur “moti i madh” i shqiptarëve? Ajo epokë, si asnjë tjetër, është zbardhur e dëshmuar në mijëra libra e studime, nga Uashingtoni në Tokio, nga Tirana, Venediku e Roma në Londër, Stokholm e Shën Petërburg. Nga kjo mizëri botimesh e faktesh del një dëshmi përgjithësisht unanime: një luftë për jetë a vdekje e shqiptarëve dhe gjithë ballkanasve kundër Perandorisë Osmane.
Një thyerje me pasoja fatale: shkatërrim fizik, kulturor, moral. Për ironi të fatit, populli shqiptar, ai që besoi se po favorizohej, pësoi goditjen më të rëndë.
Ajo ishte në logjikën osmane: popullit që iu vu shenjë për t‘u turqizuar, pikërisht ai, në rast kundërshtimi, do të ndëshkohej më rëndë. U shestuan, kështu, dy projekte paralele: shkombëtarizimi, që do të ndodhte në truallin shqiptar, shpërngulja masive, gjenocidi i fshehtë, që do të përfundonte në rrafshinat e Anadollit.
Akti i fundit i kësaj shpërnguljeje do të ndodhte në shekullin XX, si rrjedhojë e pakteve të fshehta turko-jugosllave për të zbrazur një pjesë të Kosovës.
Ajo që më së shumti vërteton jo favorizimin, por diskriminimin shqiptar, është ndalimi i gjuhës së shkruar shqipe dhe ndalimi i shkollave shqiptare.
Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim. Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme.
Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin!
Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, përveç njërës: gjuhës shqipe! Dhe historia s‘mbaron me kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet! Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar.
Por rimohuesit nuk e duan këtë të vërtetë. Në vend të saj, ata duan të vendosin një tjetër histori. Siç u pa më lart, për ata pushtimi, pra, sundimi osman nuk ka qenë i keq. E keqe dhe kundërproduktive ka qenë qëndresa e Gjergj Kastriotit. Duke e sulmuar Kastriotin, më shumë se njeriun e shpatës, ata sulmojnë vizionarin e madh, princin, që, ndryshe nga të tjerët, e ktheu vështrimin drejt Europës. Në këtë mënyrë, bashkë me doktrinën e lirisë, ai nismëtoi programin më europianist shqiptar, më modernin program të këtij populli.
Është e qartë tani përse rimohuesit shqiptarë janë kundër testamentit të tij. Teza e tyre se sundimi osman s‘ka qenë i keq, e keqe ka qenë qëndresa, mund të përkthehet fare saktë: e mirë për Shqipërinë nuk është Europa, por Azia. Andej, pra, të kthehemi!
Nga ky këndvështrim, mendimi gjenial i Mithat Frashërit kur e përqasi mizorinë haxhiqamiliste me atë bolshevike, e ruan ende të plotë vlerën e vet. Rrënimi i Skënderbeut, natyrshëm shfaqet këtu si synim i përbashkët i dy armiqve kryesorë të Europës, otomanizmit dhe bolshevizmit. Rrënimi i Skënderbeut është i pandarë nga rrënimi i Shqipërisë. Gjergj Kastrioti është vënë kështu në një rrethim të dyfishtë: nëse përbaltet, siç ëndërrojnë rimohuesit, problemi mbyllet thjesht. Nëse mbetet në këmbë, siç ka ndodhur e do të ndodhë përsëri, të mbetet i tillë jo si shqiptar, por me tjetër kombësi.
Kjo do të ishte nga njëra anë zbrazja më e madhe e Shqipërisë, e nga ana tjetër mbyllja e një cikli të zi për Kosovën, kur kjo e fundit, provincë e përjetshme serbe dhe djep i Serbisë, siç ëndërrohet prej sllavëve, do ta kishte të natyrshëm, sipas tyre, një kryezot serb.
Nostalgjia e kohëve të fundit për osmanizmin, nostalgji që vetë Turqia e sotme, moderne dhe kemaliste do ta dënonte, është më shumë se shqetësuese. Çdo vonesë në zbehjen e pastaj shuarjen e saj e bën më të zezë njollën që ajo po i vë kësaj shoqërie. Raportet e një populli me lirinë janë shenja e parë identifikuese e tij. Ato janë karta e parë kredenciale, e fisme apo e pafisme, me të cilën ai shfaqet përpara familjes së popujve.
Flirtet e turbullta me robërinë dëshmojnë, as më pak, as më shumë, raportet e turbullta me lirinë. Një dëshmi e munguar për këtë të fundit, do ta vinte kombin shqiptar në bankën e turpit, si i vetmi popull në kontinent, që, duke shkelur më të epërmin ligj moral të njerëzimit, e modifikoi identitetin e vet, për t‘ia përshtatur atë robërisë.

Historia e kthyer në mit (dhe jo miti në histori) e Kastriotit ka qenë dhe mbetet një histori fund e krye pozitive, shqiptare dhe europiane. Është pjella e parë e përbashkët e Shqipërisë me Europën dhe, si e tillë, përveç që na nderon, na jep shpresë.

Burimi: http://www.revistadrini.com/?p=33407

1 comment:

Anonymous said...

Pajtohem me shumicën e asaj që ka shkrue Z.Kadare .Veç këtu kemi dhe nji problem sepse Z.Kadare ka shumë vite që jeton në kryeqytetin e Francës dhe dihet që Franca ka qenë asht dhe do të jetë "njerka" e Serbisë.Pra të jetosh në Francë dhe të shkruejshë atë që ka shkrue ,diçka nuk asht n'rregull!!!!!!