Sunday, September 20, 2009

Globalizmi i shoqërisë ?

Termi “globalizim” nënkupton një fenomen tepër kompleks (ekonomik, politik, teknologjik, kulturor) dhe një proces ndryshimi, por ky ndryshim nuk ka ndonjë terminus a quo (pikënisje), apo terminus ad quem (pikëmbërritje) të përcaktuar.

Prej këtej, natyrshëm lind pyetja: Kur ka filluar shoqëria njerëzore të globalizohet? A është globalizimi ende në stadet e parë të tij, apo ky proces ka nisur shumë kohë më parë? Nëse ka nisur shumë kohë më parë, në cilën periudhë historike mund të thuhet se ka filluar globalizimi i shoqërisë? Një pyetje tjetër është nëse do të vijë një kohë (dhe nëse po, kur?) që shoqëria njerëzore do të jetë tërësisht e globalizuar? Apo, a do të jemi ne, si shoqëri humane, gjithnjë duke u globalizuar? Me fjalë të tjera, a ka ky proces një limit, apo cila është e ardhmja e globalizimit?


Vetë shtrimi i këtyre pyetjeve flet për atë se sa e vështirë është të përkufizojmë se ç’është në të vërtetë “globalizimi”. Fjala vjen, a mund të konsiderohet “tregti globale” nëse dy qytete fqinjë (që u përkasin dy shteteve të ndryshëm) zhvillojnë tregti me njeri-tjetrin? Po nëse një biznesmen nga Amsterdami, apo nga Parisi, ha drekë në Bruksel me një mikun e tij, apo nëse dikush që udhëton me avion e “pret” biletën online, apo rezervon një dhomë hoteli në një shtet apo kontinent tjetër përmes Internetit, a mund të quhen ata “globalizues”?

Si një dukuri apo proces i pandërprerë globalizimi i ngjan më shumë fluksit të “pakuptimtë” heraklitian, sesa një trans-form-imi diskret aristotelian. Në këtë esé parashtrojmë disa nga përgjigjet që i janë dhënë deri më sot pyetjes së parë, ndërkohë që në një rast tjetër do të trajtojmë çështje të tjera që kanë të bëjnë me globalizimin.
Historianët, sociologët, ekonomistët dhe studiuesit e shkencave politike kanë mendime të ndryshme kur vjen fjala të përcaktojnë një pikënisje të procesit të globalizimit, apo, origjinën e tij. Këtë zakonisht e lidhin me ngjarje historike, politike dhe shoqërore, apo me zbulime dhe inovacione teknologjike, të cilat mendohet se kanë pasur një ndikim shumë të madh, ose vendimtar, në “zvogëlimin” e planetit tonë.
Ka autorë, të cilët mendojnë se globalizimi i shoqërisë zë fill qysh me kolonizimin helenik të Italisë së Jugut (krijimin e së ashtuquajturës Magna Grecia¯Megalê Hellas) në shekujt e 8-të dhe 7-të para Erës së Re, dhe me zgjerimin e ndikimit politik dhe kulturor helen në një zonë relativisht të gjerë gjeografike, nga bregu lindor i Detit të Zi, në bregdetin e Azisë së Vogël dhe ishujt e Detit Egje, në Italinë e jugut dhe deri në Marsejë. Ky ekspansion krijoi atë që quhet “qytetërim helenik”, i cili, veç kulturës së grekëve të lashtë, eksportoi në territoret e sipërpërmendura edhe gjuhën e tyre, greqishten e vjetër, e cila u bë gjuha “universale” e kulturës së antikitetit.
Disa mendojnë se pikënisje e vërtetë e procesit të globalizimit mund të konsiderohet viti 1439, kur Johann Gutenberg shpiku teknikën dhe makinën e parë të shtypshkrimit, rëndësia e së cilës ka qenë e jashtëzakonshme për zhvillimin kulturor dhe shkencor të njerëzimit dhe komunikimet mes kulturave të ndryshme. Autorë të tjerë mendojnë se pavarësisht impaktit kolosal, që ka luajtur shpikja e shtypshkrimit, periudha që shënoi hapin vendimtar për fillimin e procesit të globalizimit të shoqërisë ka qenë dekada 1490-1500, kur progresi në fushën e teknologjisë së lundrimit (velat, busullat dhe hartat) bënë të mundur udhëtimet dhe zbulimet e mëdha gjeografike të Kristofor Kolombit, Vasko de Gamës etj. Madje, disa mendojnë se, simbolikisht, pikënisje e procesit të globalizimit mund të konsiderohet viti 1492, kur Kolombi zbuloi Amerikën. Me këtë ngjarje, e cila ndihmoi të kuptohen përmasat “e vërteta” të planetit tonë, papritur, ky planet u bë “më i vogël”. Siç shkruante vetë Kolombi më 1503, “Bota është e vogël dhe eksperienca tashmë e ka provuar këtë”.
Ka autorë, të cilët origjinën e globalizimit e shohin në shekullin e 17-të (periudha 1600-1700), gjatë së cilët u krijuan kompanitë e para shumëkombëshe¯British East India Company (1600-1874) dhe Dutch East India Company (1602-1798), pasi me to filloi tregtia e vërtetë botërore e mallrave. Autorë të tjerë konsiderojnë si pikënisje të globalizimit periudhën 1770-1815, për shkak të efekteve globale që patën ngjarje të tilla të rëndësishme si revolucioni industrial, revolucioni amerikan, revolucioni francez si edhe eliminimi i skllavërisë (në vitet 1780-1865 në Shtetet e Bashkuara dhe në vitin 1833 në krejt territoret e Perandorisë Britanike).


Një pikëpamje e përhapur është edhe ajo, sipas së cilës, globalizimi i vërtetë i shoqërisë filloi me “anglobizimin” e planetit tonë në periudhën 1870-1913. Gjatë kësaj periudhe, Perandoria Britanike arriti shtrirjen më të gjerë territoriale të saj, 36.7 milionë km², territor ky sa një e katërta e sipërfaqes tokësore të planetit, duke u bërë perandoria më e madhe, që ka njohur historia e njerëzimit dhe duke bashkuar në një të vetëm tregje në çdo kontinent. Për shkak se territoret e saj shtriheshin në të katër anët e globit, në atë kohë u bë e përhapur shprehja: “Në Perandorinë Britanike dielli nuk perëndon kurrë” (The sun never sets on the British Empire). Në apogjeun e saj, kjo perandori kishte nën kontrollin e vet mbi 450 milionë njerëz, afërsisht një të katërtën e popullsisë së planetit në atë kohë. Ndikimi politik i saj, kultura dhe gjuha angleze u bënë thuajse universale.
Ka ndonjë autor, i cili mendon se globalizimi i vërtetë i shoqërisë mund të thuhet se ka nisur në dekadën e fundit të shekullit të 19-të me ngjarje të tilla të rëndësishme si hapja, në vitin 1892, e Ishullit Elis (Ellis Island) në New York për emigrantët evropianë, zbulimi po atë vit i telegrafisë, apo krijimi, po më 1892, i korporatës General Electric, një ndër kompanitë e para më të mëdha, e cila u shtri në të gjithë globin.
Autorë të tjerë mendojnë se globalizimi i shoqërisë ka nisur në gjysmën e dytë e shekullit të 20-të. Një pjesë e tyre marrin si pikënisje të tij dhjetëvjeçarin 1955-1965, gjatë të cilit Bashkimi Sovjetik lëshoi Sputnikun e parë në hapësirë (1957); Juri Gagarin u bë njeriu i parë që fluturoi në orbitën rreth Tokës (1961), dhe një sërë dukurish apo ngjarjesh të rëndësishme politike dhe shoqërore si, shpërbërja e sistemit kolonial dhe krijimi i “Botës së Tretë”, shtimi i korporatave shumëkombëshe, zhvillimi i turizmit ndërkombëtar, shpikja e radios me transistor, muzika Rock, përhapja e televizionit në vendet e Afrikës, krijimi i NGO-ve të para ndërkombëtare dhe i një sërë lëvizjesh sociale, të marra së bashku, krijuan imazhin e një bote që po bëhej gjithnjë e më e vogël. Kjo është periudha kur termi “Globalizim” (Globalization) u përfshi për herë të parë në Webster Dictionary (1961) dhe kur në variantin e tij frëngjisht, “Mondialization”, ky term u bë gjerësisht i përhapur në një pjesë të “Botës së Tretë”. I përdorur për herë të parë nga Wyndham Lewis në librin e tij Amerika dhe njeriu kozmik (America and Cosmic Man) më 1948, termi “fshat global” (global village) u bë në fillim të viteve 1960-të një koncept bazë në librat e njohur të filozofit kanadez Marshall McLuhan, Galaktika Gutenberg: Krijimi i njeriut tipografik (The Gutenberg Galaxy: The Making of Typographic Man), botuar më 1962 dhe Understanding Media (1964). McLuhan ishte i pari që përshkroi dhe argumentoi se si media elektronike shemb barrierat hapësinore dhe kohore në komunikimin njerëzor, duke mundësuar që njerëzit të ndërveprojnë dhe jetojnë në shkallë globale.

Nisur nga roli që luajnë imazhet televizivë (“mediascapes” dhe “ideoscapes”), të cilat krijojnë përshtypjen se po i rrafshojnë kufijtë nacionalë dhe po krijojnë identitete kolektive transnacionalë, ka autorë, të cilët mendojnë se globalizimi i vërtetë i shoqërisë ka nisur në vitet 1980-të, kur CNN filloi të transmetojë 24 orë lajme në kohën reale të ndodhjes së tyre. Autorë të tjerë vlerësojnë se, në kuptimin real të fjalës, globalizimi nisi në mes të viteve 1990-të, kur Interneti filloi të bëhej një medium publik komunikimi thuajse në të gjithë botën. Sipas tyre, dy inovacionet teknologjike që mundësuan fillimin e vërtetë të globalizimit të shoqërisë ishin www (World Wide Web) dhe GPS (Global Positioning System). Këta të fundit nuk mund të kuptohen pa atë paketë të teknologjive moderne të komunikimit (Windows, sistemet e kërkimit në Internet, softwere me burime të hapura, etj), të cilat krijuan mundësi të pashtershme për industritë e çdo lloji dhe individë nga çdo fushë e aktivitetit shoqëror. Interneti, sistemi GPS dhe krijimi i një sistemi zinxhir global prodhimi dhe furnizimi si Wal-Mart, Gap, Nike, u kanë dhanë shkas, duke filluar nga dekada e fundit e shekullit të 20-të, krijimit të një vargu termash, të cilët shprehin qartë pikërisht natyrën e shoqërisë së sotme gjithnjë e më të globalizuar, si: “Coca-colonization”, “McDonalization”, “Starbuckization”, “Wal-Mart era”, “Globalization 3.0”, “Digital planet”, etj.
Më sipër kemi dhënë një “kalendar” të disa prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e shoqërisë njerëzore të pothuajse 3000 viteve të fundit, të cilat kanë luajtur një rol shumë të madh në “zgjerimin” e shkallës sonë të njohjes për planetin në të cilin jetojmë dhe, njëherësh me këtë, në “tkurrjen” e përmasave të tij përmes një procesi të vazhdueshëm globalizimi. Ngjarje të tilla, siç theksuam më sipër, kanë qenë nga helenizimi i shoqërisë mesdhetare 800 apo 700 vjet para erës së re, te “makdonalizimi”, “dixhitalizimi” apo “starbakizimi” i saj. Një pyetje që lind është kjo: A mund të kenë të drejtë të gjithë këta autorë, kur si pikënisje të procesit të globalizimit marrin ngjarje apo episode historikë kaq të ndryshëm dhe në periudha kaq të distancuara në kohë? Me fjalë të tjera, a duhet kuptuar globalizimi i shoqërisë si një proces që kryhet me “hope”, pra që nxitet nga ngjarje historike ose zbulime të veçanta në shkencë dhe teknologji, apo ai është një proces gradual, i cili ka nisur shumë shekuj më parë dhe është intensifikuar gjithnjë e më shumë në këta dhjetëvjeçarët e fundit?


Cilado përgjigje të duket më bindëse, një gjë është e sigurt: nga Talesi te Kolombi te revolucioni industrial te revolucioni rock te sputniku i parë te CNN te Windows dhe GPS te gjigandë të tillë si Wal-Mart dhe Lockheed Martin deri te “starbakizimi” i shoqërisë (nga Alaska në Shanghai dhe në Zelandën e Re dhe nga Cape Town në Oulu të Finlandës), planeti ynë ka ardhur duke u “tkurrur” gjithnjë e më shumë në atë masë dhe në një mënyrë të tillë që një individ sot mund të qëndrojë në të njëjtin tip hoteli, të marrë të njëjtin lloj ushqimi, të shohë të njëjtët filma dhe pse jo, të gdhihet papritur i përfshirë në të njëjtën krizë ekonomiko-financiare si i gjithë globi, kudo në botë që ai mund të ndodhet. Nëse këto janë apo jo “lajme” të mira për shoqërinë, është një temë më vete. Sidoqoftë, siç ka venë në dukje Niall Ferguson, historian në Universitetin e Harvardit, globalizimi i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë kudo në botë “mallrat më të lira, njerëzit më të lirë, ekonomitë më të forta dhe kulturat më të pasura”.

• Fatos Tarifa & Romeo Gurakuqi, Panorama

No comments: