Sunday, September 20, 2009

Po ndërtojmë një shtet për mafien !

Ligjvënësit shqiptarë vënë pasuri në emër të padrejtësisë, fshehur pas petkut të imunitetit.
Punonjësit e ekzekutivit, në mënyrë të veçantë ata që administrojnë fonde publike, bëhen të pasur për një ditë, me tendera e ryshfete.



Për sa i takon sektorit të gjyqësorit, ai është më i dobëti dhe i përfolur. Gjyqtarët kanë legjitimuar pronat e mbivendosura, pronat e huaja, duke mos i dhënë të drejtë pronarit legjitim. Ata s’guxojnë të dënojnë trafikantët ose u japin dënime qesharake.
Të vjen keq që institucioni që e ka për objekt e detyrim të verifikojë zyrtarët e lartë merret me nëpunësit e vegjël. Nëse do të pranojmë se në kapitalizëm drejtësia vendoset përmes forcës së parasë, atëherë në Shqipëri e ardhmja e vendimmarrjes paraqitet e errët. Nëse do të pranojmë që “pastrimi i parave” ekziston te ne, atëherë kemi të bëjmë me praninë e botës kriminale. Institucionet ndërkombëtare, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, vlerësojnë se jo të gjitha burimet financiare gjenerohen nga puna formale.

Po t’i referohemi deklaratave zyrtare të Departamentit të Shtetit të SHBA, rezulton se në Shqipëri vetëm trafiku i drogës kap shifrën dy miliardë dollarë. Burime të mëdha financiare gjenerojnë dhe trafiku i qenieve, trafiku i armëve, mallrat monopol dhe me akciza të larta, si cigaret, alkoolet, çka do të thotë se krimi i organizuar ka kapur për fyti shtetin.

Statisticienët ndërkombëtarë pohojnë se në Shqipëri ekonomia informale arrin deri në 60% , gjë që tregon qartë pafuqinë dhe efektivitetin e ulët të qeverisë shqiptare.
Gjakmarrja si fenomen shqiptar bën kërdinë dhe drejtësia hesht. Vështirë se gjen vend në botë të ekzistojë ky fenomen. Sa analfabetë prodhon gjakmarrja, fukarallëk e plagë të tjera sociale?

Janë marrë me këtë çështje dhe njerëz nga shoqëria civile, por pa rezultat.

Po si mund të bëhet shteti pa u vendosur ligji në vend?

Shkelet ligji, i cili tashmë është bërë sundues, zaptohen trotuare e bëhen lokale mbi pronën publike, transformohen rrugë, ndotet mjedisi, bëhen shtëpi pa leje dhe këmbehen ato me një votë, legalizohen pronat e pronarëve të vërtetë pa u kompensuar, jepet toka për një euro, pra këto e të tjera si këto i quajnë drejtësi të vëna mbi padrejtësinë.
Një rol të veçantë ka dhe duhet të ketë media, që nuk duhet të pajtohet me paligjësitë që nuk mungojnë dhe në këtë fushë. Ajo duhet të denoncojë fuqishëm padrejtësitë që bëhen në emër të drejtësisë.

Ka ardhur koha t’i thërrasim ndërgjegjes dhe ta fillojmë punën nga zbatimi i ligjit. Çdo vonesë në këtë drejtim do ta transformojë Shqipërinë në një vend ku ligjin e vërtetë e bën mafia.




Nga Sadedin Çeliku

Burimi : http://www.gazetatema.net/?gjuha=0&id=6075&PHPSESSID=f7ee1bd1abc8f146d228f54b515ac2f3

No comments: