Sunday, September 20, 2009

Skandali i dhurimit të detit, shpërblehet “arkitekti”...

Shteti shqiptar shpërbleu dje arkitektin e marrëveshjes së dhurimit të ujërave territoriale në favor të Greqisë. Komandanti i Flotës Detare, Kristaq Gërveni, me dekret të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, u emërua dje me propozim të ministrit të Mbrojtjes, në pozicionin e zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm.




Ngritja në detyrë e personit që mban përgjegjësi direkte për dhurimin e rreth 225 km2 sipërfaqe ujore në favor të Athinës zyrtare, është skandali i radhës që shoqëron këtë marrëveshje të dyshimtë. Vetëm dy muaj më parë “Gazeta Shqiptare” në dhjetëra numra radhazi ka faktuar përgjegjësinë direkte të Gërvenit lidhur me këtë çështje. Në numrin e datës 1 maj 2009, GSH referuar Ministrisë së Mbrojtjes greke bëri të ditur se marrëveshja për dhurimin e ujërave territoriale të shtetit shqiptar në favor të Greqisë është projektuar në Korfuz. Negociatat sekrete janë zhvilluar ndërmjet Komandantit të Flotës Detare shqiptare, Kristaq Gërveni dhe homologut të tij grek, Jorgos Karamanliki. Ministria greke e Mbrojtjes bënte të ditur në faqen e saj zyrtare në internet, se vizita zyrtare e Gërvenit në ishullin e Korfuzit ka zgjatur tri ditë, respektivisht në datat 26, 27 dhe 28 nëntor 2008.

Pra çështja e dhurimit të rreth 225 km2 sipërfaqe ujore në favor të Athinës zyrtare është mbyllur ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.


Ndërkohë, “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë ekskluzivisht fotot nga ky takim, ku të dy autoritetet e larta ushtarake shfaqen të gëzuar për rezultatet e marrëveshjes dypalëshe të arritur. Fakti se përcaktimi i vijës së re kufitare mes dy shteteve është vendosur në Greqi, sqaronte edhe shkakun pse Komandanti i Flotës Detare shqiptare përpiqej të hidhte poshtë skandalin e zbuluar nga “Gazeta Shqiptare”, duke marrë në referencë një hartë ushtarake të shkruar në greqisht. Në 4 konferenca radhazi, “Gazeta Shqiptare” i ka kërkuar publikisht Gërvenit të bëjë publike hartat dhe distancat konkrete që Shqipëria dhe Greqia kanë nga 150 pikat e vijës së re të kufirit detar që është përcaktuar në marrëveshjen mes qeverive respektive. Përgjigja e tij ka qenë e njëjtë: “Nuk ka se ç’të duhen ty distancat e hartat. Ne garantojmë baraslargësinë nga të dy brigjet”. Madje në datën 30 prill, Gërveni i kontaktuar drejtpërdrejt nga GSH lidhur me këtë çështje është shprehur se, “eja pimë një kafe miqësore dhe ta bisedojmë shtruar këtë çështje, se po bëhet zhurmë e madhe. Nëse pranon të bisedojmë në kafe, unë do t’i jap hartat, nëse jo, s’ke për t’i marrë”, - ka qenë përgjigja e tij. Pra është “dispozicioni” i munguar i Gërvenit, arsyeja pse kjo marrëveshje e harta respektive nuk bëhet transparente dhe mbahet e fshehtë për publikun shqiptar edhe sot, 6 muaj nga nënshkrimi i saj.

Dhurimi

Qeveria shqiptare i ka dhuruar Greqisë rreth 225 km2 sipërfaqe ujore. Me ndihmën e një eksperti topograf, “Gazeta Shqiptare” ka arritur të zbardhë në muajin prill ‘09 faktin tronditës që fshihet në marrëveshjen shqiptaro-greke “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Vija e re kufitare që ndan ujërat territoriale të dy shteteve, e që përbëhet nga 150 pika, rezulton sipas ekspertit topograf se ka prirjen për t’u futur në drejtim të Karaburunit, pra në dëm të Shqipërisë, me afërsisht 11 km. “Trekëndëshi” i dhuruar palës greke fillon nga pika 120 e vijës kufitare. Sipas matjeve të kryera rezulton se pika e fundme e vijës kufitare të ujërave territoriale me numër 150 është spostuar në drejtim të ujërave shqiptare me rreth 30 km më tej ose e kthyer në milje detare, me rreth 16 milje. Marrëveshja e kontestuar ndodhet momentalisht e depozituar në Kuvend.

Tedi Blushi G.SH

No comments: