Thursday, September 24, 2009

Tirana me pluhur apo me ajër?

E thënë dhe e stërthënë nga dikush e nga gjithkush, që Tirana nuk ka më ajër me pluhur, por më mirë të themi se zotëron sot në hapësirën e vet, ndryshe nga shumë qytete të botës, madje, me përjashtim të Elbasanit edhe si asnjë qytet tjetër të vendit pluhur me ajër.

A nuk kemi të drejtë ta themi, kur 60% e pluhurit është PM10 në Tiranë dhe veç PM10 del CO, NOx, Pb, Mg, Zn, Cr, CO2, si edhe kjo PM10 në Tiranë rezulton sa 100,000 automjete me gjithë aktivitetin e ndërtimit të marrë së bashku po në Tiranë.
A nuk kemi të drejtë ta themi, kur rajoni i Tiranës është 100 herë më i ndotur se norma, dhjetë herë për nga sasia dhe dhjetë herë për nga shpeshtësia e rasteve (ditëve), aq më tepër, kur aty ka ndotës të organizuar dhe aq më tepër, kur aty ka matje për sasinë e helmeve kancerogjene dhe për sasinë e gazeve dhe grimcave helmuese.
Ndërtimi i rrugëve, i pallateve, etj., ka bërë që të përzihet si mos më keq mbetja e automjeteve (skorrjet me metalet e rënda si Zn, Pb, Cd, Cu, Co, pluhur me furane, CO2, SO2, CO, NOX) me PM10 e PM 2,5 e atyre të rrugëve, e cila ngelet në ajrin, ujin dhe tokën e Tiranës.

Sa do të thoni Ju?
Si askund tjetër në botë, sasia e pluhurit të matur nga burime të ndryshme, asnjëherë nuk rezulton nën vlerën 240 mg/m3 ajër dhe shpesh arrin edhe 440 mg/m3, dhe në pika të caktuara si tek Zogu i zi sot arrin edhe 900 mg/m3. Çdo të thotë kjo?. Pesë herë më të larta se normat e lejuara në vendin tonë (80mg/m3 ajër), por dhjetë herë më të larta se normat e lejuara të Komunitetit Evropian (40 mg/m3 ajër).


Smogu në Tiranë


Sepse, normat tona janë dy herë më të larta se normat evropiane, kjo është histori më vete. A nuk duket sikur edhe më fisniku ndër shqiptarët është llogaritur për të qenë dy herë më pak i vlefshëm se më i rëndomti ndër evropianët !
Por, ka një fakt tjetër që e bën më të trishtueshme këtë ndotje, madje tronditës. Çfarë?
Që në Evropë e në botë, normat e mësipërme, pra 40 mg/m3 ajër, lejohen për maksimum 8 raste shkelje në vit. Ndërkohë, që në qytetet tona si në Elbasan, Fier dhe veçanërisht për rastin në fjalë Tiranë, kjo lloj shkelje përsëritet sistematikisht për 360 ditë, pra dhe 45 herë të tjera më shumë nga ky drejtim.

Atëherë, pse të mos themi me plot gojë ose pse ta fshehim faktin se ajri i qytetit të Tiranës është i ndotur fiks 450 herë më shumë, e theksojmë jo bie fjala 450 herë më shumë.

Dhe e gjithë kjo, për çfarë? Për hapje rrugësh pa studime të mirëfillta mjedisore, për hapje të tyre toptan, për kritere të hapjes së tyre pa kriter, për një ç‘organizim përsosmërisht të organizuar, ku punohet jo më tepër se katër veta, ku ai që ndot nuk paguan, për një gardh mbrojtës, për një rrethim. Dhe pse? Sepse, ata nuk përballen me përgjegjësinë e duhur. Sepse, ata nuk zbatojnë më masat e duhura për mbrojtjen e mjedisit dhe sepse ata nuk paguajnë pse ndotin. Ou?! Pse-të nuk paskan të sosur. Sepse, Komuniteti i Tiranës më shumë hesht sesa flet. Sepse, institucionet e Mjedisit në Tiranë më shumë pranojnë gjendjen sesa denoncojnë, më shumë rrejnë sesa rrëfejnë. Sepse, ambientalistët e qarkut të Tiranës më shumë tërhiqen sesa sulmojnë. Sepse, intelektualët e qytetit të Tiranës më shumë fshihen sesa shfaqen dhe njerëzit e medias më shumë mbulojnë sesa zbulojnë.

Të më ndjeni, se të rënda janë këto fjalë, por më e rëndë është gjendja. Të më ndjeni, se të ashpra janë këto fjalë, por më i ashpër është ajri me pluhur me PM10 e PM2,5. Të më ndjeni, se edhe prekëse janë këto fjalë, por më prekëse është jeta dhe shëndeti njerëzor. Të më ndjeni, se edhe pak fyese mund të jenë këto fjalë, por më e fyer është natyra dhe mjedisi në Tiranë.

Sikur nuk mjaftojnë këto pasoja, Tirana nuk zotëron pavijone për sëmundje profesionale, shumë pak studime për monitorime të ajrit, shumë pak raporte për vlerësim kostosh të teknologjive, as studime se sa përfiton apo humbet shoqëria.
Pra, nëse në Shqipëri, kontrata e gjelbër me natyrën është prishur, me plot gojë mund të themi se në Tiranë, kjo kontratë është grisur, më shkoqur është djegur. Megjithëse, kontrata nuk është një copëz letër, madje nuk ka ekzistuar kurrë si e tillë, ajo përbën atë akt konstitucional midis njeriut dhe natyrës, ajo përbën atë akt shpirtëror midis qenies së gjallë në shoqërinë civile dhe asaj gjoja të “fjetur” në natyrë, (bota bimore). Por, ajo përbën atë që quhet kodik, ku marrëdhënia “respekt” njeri-natyrë është stamposur si pergamenë për çdo brez që rron e punon dhe jo si kërcënim për brezat që do të vijnë e jetojnë.
Kjo është Tirana, nga një vend që soditesh përmes ajrit të purpurt si në pëllëmbë të ciklopit, (mali i Dajtit), sot mezi shquan përmes ajrit të pluhurt deri në 100 metra, një shok që kërkon apo një fëmijë që luan. Nga një shesh me ujë të bollshëm, ku merrje fuqinë për jetën, sot është kthyer në një stres, ku ndotjet tokë, ujë, ajër rroken me ciklin e jetës dhe e bëjnë atë përshesh.
Meqë jemi tek uji. Tirana përbën të vetmin rast në vendin tonë, ku niveli i ujërave nëntokësore, jo vetëm ai freatik, por edhe ai i baseneve të qëndrueshëm ujorë në konceptin hidrogjeologjik ndodhen kaq pranë dhe kaq me shumicë pranë sipërfaqes së tokës, sikundër janë në basenet ujorë të Parisit dhe të Vjenës, por me ndryshimin se tek këta të fundit kujdesi është si drita e syrit. Në këtë kuptim, ajri i ndotur me skorrjet që përmbajnë metale të rënda si Zn, Pb, Cd, Cu, Co, pluhur me furane, CO2, SO2, CO, NOX, PM10 e PM 2,5 mbasi bredhin në gjendje suspense me orë të tëra në hapësirën ajrore të Tiranës, duke goditur direkt mushkëritë e tiranasve e mbyllin ciklin e tyre të lëvizjes, duke u sedimentuar fillimisht në tokën “soil” (zona pedologjike e zhvillimit të produkteve bujqësore), mbasandaj në ujërat nëntokësore. Por, cikli i vërtetë mbyllet, kur specia njeri e përdor këtë ujë për të vaditur prodhimet e jetës dhe që i konsumon ato gjatë jetesës, ku së bashku me ujin përpin dhe gjithë elementët e rrezikshëm të sipërpërmendur dhe sa do të thoni Ju? Jo pak, por 10-13 herë më tepër, kur i merr ato (produktet e jetës) nga bota bimore dhe më shumë akoma, kur i merr ato nga bota shtazore. E çuditshme? Si mundet të shkatërrojmë me dorën tonë, me vendimet tona, me shkencën tonë kaq mijë jetë njerëzish, kaq mijë vlera mjedisore, kaq mijë burime natyrore, që edhe nëse nuk vdesin për shkak të varfërimit dhe përkeqësimit të ciklit të jetës rrojnë pranë vdekjes, që edhe nëse nuk janë pranë saj kallen për së gjalli si të tillë.

Atëherë? Koha nuk pret më. Le të mblidhen njerëzit e duhur për të bërë gjënë e duhur. Le të mblidhen njerëzit e vlefshëm për të bërë gjënë e vlefshme. Koha po thërret. Së pari, të ngrihen qendra rajonale shkencore me departamente analitike dhe përgjithësuese, ku të ndërmerren studime vlerësimi të kostove mjedisore dhe të analizohen përfitimet sociale deri në ato individuale të rrjedhura prej aktivitetit të rrugëve, që më tepër kanosin ndotje sesa ndërtim dhe të krahasohen me dëmtimet sociale apo individuale si në shëndet, bujqësi, blegtori, etj.
Së dyti, të ngrihet një forcë monitoruese shkencore dhe të fokusohen projekte monitoruese të përbashkëta me shoqërinë civile, ku të maten nivelet e ndotjes dhe të prezantohen ato ditë e natë me semaforë. Le ta kthejmë këtë të keqe të madhe në një të mirë të madhe, jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë vendin. Le ta kthejmë këtë njollë të zezë e të vogël në një shenjë të bardhë e të madhe, jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë vendin.
• Prof. asc. Sazan GURI ,Panorama

No comments: