Monday, October 25, 2010

Gjergj Fishta

Po të kishin lexuar Fishtën shqiptarët për ato 50 vjet, do ishin më shqiptar dhe më e rëndësishmja: më njerëz - Anonim
Gjergj Fishta (1871 - 1940) lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871, shkrimtar, poet, storiograf, diplomat, pedagog, filozof e deputet.
Shumë shpejt, kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe "Ushtrimet e para poetike". Më 1893 përfundoi studimet shkëlqyeshëm.

I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u paraqitën në shekullin e njëzetë. Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në veprat e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi. Deri më 1899, Fishta shkruan me alfabetin latin të françeskanëve. Në janar 1899 ai bëhet bashkëthemelues dhe pjestar aktiv i shoqërisë "Bashkimi", të cilën e drejtoi poeti atdhetar e Abati i Mirdites Prenk Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe veprat e Fishtës të kësaj periudhe.

Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar.
Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë "Bashkimi" karshi Dom Ndre Mjedës, Mati Logorecit, Hilë Mosit dhe Luigj Gurakuqit si përfaqsues nga Shkodra. U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publiçistike që boton në revistën "Hylli i Dritës", revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën "Posta e Shypnisë" (1916-1917), më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqi, "Komisinë letrare" që kishte për qëllim formimin e gjuhës letrare kombëtare.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris ku mbâjti dhe fjalimin e tij madhështor, ndër shkaqet që delegacioni shqiptar nuk arriti të paraqesë e të mbrojë si duhet problemin shqiptar në Konferencen e Paqes në Paris, rradhiti edhe inferioritetin e përfaqsuesve tanë të cilët nuk mund të përballonin ballafaqimet me profesorët, doktorët e diplomatët sllavë dhe grekë. Pasi pranon se edhe ai vetë, sa herë ka marrë pjesë në bisedimet me delegacionet e huaja: "... të them të verteten se m'âsht dasht t'skuqesha për inferioritetin t'im", shkruan se: "Âsht e kotë të gënjehemi. N'se përjashtohet Gurakuqi qi vetëm ai ka nji kulturë të përshtatshme, ka nji atdhetari të shëndoshë dhe nji njohuni të gjânë për njerëzit dhe për sendet e Shqypnisë, asnji nga anëtarët e qeverisë, kjoftë të saj së maparshmes, kjoftë të së tanishmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht Shqypninë dhe të mbrojë siç duhet interesat e sajë". Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar zgjidhet nënkryetar. Si nënkryetar i Parlamentit kreu veprimtari të dënduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit, 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Ndërkohë, shkruan, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e veprimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i "Lahutës", (1937).

Kjo figurë e përkushtuar tërësisht zgjidhjes së problemeve të vështira, që kaloi kombi ynë në ato vite, kërkon studime të thella për të dalë në dritë tërë vlerat e tij, që krijoi edhe në fusha të ndryshme të shkencave. Konceptet e reja demokratike për vlerësimin e trashëgimisë, po të shfrytëzohen mirë, e lehtësojnë më shumë këtë punë, që domosdoshmërisht duhet bërë. Këtë e thonë dhe bashkëkohësit e tij: "E kur me kalimin e kohes, familja shqiptare, e mbledhur rreth vatres plot flakë, do të përmendë emrin e fratit poet, figura e këtij do të shkëlqejë më me forcë, sepse atëherë do të jenë zhdukur një herë e mirë dhe vogëlsirat më të kota të njerëzve. Atëherë jeta e poetit do të bëhet më interesante e më e pasur në kujtime".
Këtë përfundim e vërteton dhe fakti se dikur lihej pa u përmendur emri i tij edhe kur flitej për Kongresin e Manastirit, ku siç dihet, qé firmë e parë, pa bërë fjalë edhe për shumë e shumë raste të tjera. Dihet se Fishta, që kur qé gjalle, u nderua me medalje e tituj shkencorë të lartë.

Me rastin e 130 vjetorit të ditëlindjes së tij. Këshilli i Bashkisë se Lezhës e bëri "Qytetar Nderi". Në këtë mbledhje perkujtimore, një grup intelektualësh kërkuan nga Kryetari i Qarkut dhe Prefekti qe t'i bëhet një propozim Presidencës që t'i akordojë poetit të madh titullin e lartë "Nderi i Kombit" për merita të shquara në shërbim të Kombit Shqiptar. Kjo dëshirë u realizua nga Presidenti Alfred Moisiu me 28 Nëntor 2002.

Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën "Foenix". Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.
Padër Gjergj Fishta vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940 në spitalin civil të qytetit të Shkodrës ku ai ishte shtruar nga një sëmundje e zemrës dhe e mushkërive. Varrimi i tij u krye një ditë më vonë në kishën Françeskane të Gjuhadolit. Fjala e fundit u mbajt nga Prof. Aleksandër Xhuvani.

Histeria komuniste me valë lindore karshi kulturës përëndimore me qendër françeskanët e Shkodrës e zhvarrosi eshtrat e tij më 1967 e i hodhi në lumin Drin, ku përveçse aktit çnjerëzor shënjoj simbolikën e territ që pàu kolosi i letrave shqipe që do "bânte Shqypninë për inat t'shqyptarvet" për gjithë ato vjet. E sot duke mos pasur më atë kulturë leximi e alienizim nga gegnishtja n'sajë të Kongresit të 1972, një pjesë as nuk e kuptojnë.

Një prift i ri, kur pat takue At Meshkallën dhe i tregoi se Imz. Ernesto Çoba, i kishte mësue këtij kushtet që duhet me heshtë, Mëshkalla i tha: “Shko e thuaj Monsinjorit, me të mësue kushtet që duhet me folë, se me heshtë kemi heshtë boll!... 

No comments: