Përpara se të flasim mbi rolin dhe mbështetjen që i dha populli i trevave të Dibrës Kryetrimi Skënderbe, e shoh të nevojshme të ndalem së pari mbi origjinën e Kastriotëve. Tendenca për ti paraqitur kastriotët me origjinë jo shqiptare, pati që në shekullin e Skenderbeut nga boshnjaku Johan Toni Marknoni, i cili hodhi tezën se Skenderbeu ishte me origjinë boshnjake...
Më pas, në fillim të shëkullit 18-të , u gjet një akt i një sundimtari serb të Vlorës, hartuar në vitin 1368, të cilin e ka nënshkruar si këshilltar i Kaninës njëfarë Branilo Kastrioti.[1] Disa historian Evropian ndër të cilët: J. Marnoviç, J.ph Fallmerayer, C Hopf, J. E Pisko etj, u përpoqën edhe këtë herë për t’ia rrëmbyer kombit Shqiptar, udhëheqësin legjendar më të madh të kohës, ashtu siç bënë me Lekën e Madh dhe Pirron, duke fantazuar se gjoja ky Branilo, duhet të ketë qenë gjyshi i Skënderbeut. Mënyra se si ato u përpoqën ta argumentonin ishte mendimi se emri Branilo ishte emër serb, prandaj edhe Katriotët deshën t’i paraqesin si serb ashtu siç bënë me Millosh Kopilin në betejën e Fush- Dardanise (pra Fush-Kosovës). Ndërsa në vitin 1870 historiani grek Margaritis Dimitzas hodhi tezën se Kastriotët qenkan me origjinë Greke[2] me që sipas tij mbiemri Kastrioti (vjen nga greqishtja chastriotis ) që do të thotë banor i kështjellës. Por të dyja këto teza nuk e patën jetën e gjatë meqë nuk u gjet ndonjë shenjë që Branilo ka qenë gjyshi i Skenderbeut, ndërsa përsa i përket tezës së Margaritis, mendoj se fjala Kastriot vjen nga fjala kast + prapashtesën i’ot. Pra kast, në shqipen e vjetër ( do të thotë qëllim) këtë fjalë ne e hasim edhe sot në zona të ndryshme të vendit,si p.sh. me kast - me shkas, kast- mirë, kast-keq, kast- lig, kasti- im, ose për rastin konkret kast + iot dhe nga bashkimi është futur “r” në mes i-së dhe t-së duke u shqiptuar Kastriot. Megjithatë duhet theksuar se në lidhje me tezat greko-sllave mbi përkatësinë etnike të Kastriotëve, është për tu përshendetur kontributi i padiskutushëm që dha Fan Noli dhe Athanas Gegaj duke sjellur dëshmi të dorës së parë, pohimin e vet se Skënderbeu ishte shqiptar, pasardhës i Epiriotëve të lashtë. Pasi u zgjidh çështja e origjinës etnike të Kastriotëve, filloi diskutimi mbi origjinën e tyre krahinore. Në lidhje me këtë tezë pati mjaft sorollatje boshe dhe rruga që u zgjodh qe e gabuar, sepse shumica e historianëve rendën pas degësh dhe jo pas rrënjësh. Të çudit fakti se si disa historianë shqiptarë, së bashku me Iinstitutin e Historisë u referohen tezave të disa historianëve të huaj për të gjetur vendlindjen e Kastriotëve në Shqipëri.
Kështu ato u sorollatën lart e poshtë duke i marrë me radhë rrethet e veriut nga Mati, Shkodra, Puka, Mirdita dhe Hasi i Prizenit pa nxjerrë gjë në dritë. Meqenëse u krijua ky boshllëk secila krahinë nga këto që përmendëm, e ndjente veten krenare ta nxirrte origjinën e Kastriotëve nga gjiri i saj. Albanologu i njohur J. Von Han gjatë udhëtimt të tij nëpër Shqipëri (nga mezi i shek.18) degjoi në lidhje me vendin ku kishte lindur Skënderbeu tri fshatra të ndryshme[3], në Kastrat të Mbishkodrës, në Stelush të Matit, dhe në Ikballë të Pukës. Amin Boue thotë se kish dëgjuar se Skënderbeu kish lindur në fshatin Kastrit të Mirditës. Por këto ishin thjeshtë gojëdhëna, ku secila nga këto zona udhëhiqej nga dëshira për ta pasur Skënderbeun të vetin. Në lidhje me pretendimin për origjinën e tij nga Mati, kemi të bëjmë me përkthimin e gabuar të Marin Barletit nga latinishtja e fjalës Aemathia, e cila është emërtim i lashtë i Maqedonisë, ndërsa historianët mesjetar quanin Maqedoni edhe Shqipërinë e Mesme, jo në kuptimin Emati pra (ngaMati). Më vonë nga një njoftim i botuar në fillim të shekullit 17-të nga Boshnjaku Euseb Fermenxhin thuhet: se Kastriotët ishin nga fshati Kastriot në provincën az të Epirit. Këtu është fjala për emërtimin has nga ku disa historjan shqiptarë me në krye Prof. Aleks Budën filluan ta kërkojnë origjinën e Kastriotëve në Has të Prizenit. Një tjetër njoftim i ngjashëm me të vjen nga Petro Lukari në Analet e Rraguzës, ku përveç saj shton se fshati Kastrat ndodhet pranë lumit Drin. Këtu duket qartë se Lukari dhe Fermenxhin përsërisin njëri-tjerin, por Lukari është më afër së vertetës sepse pranë Drinit ndodhet Kastrioti. Ndersa këto emertime janë prezentë edhe sot në zonën e Qidhnës. Buzë Lumit Drin në kufi me fshatin Sinë ndodhet fshati Arr-as (As i thatë quhej në kohën e Skenderbeut pjesa Fushore e Qidhnës ku ndodhet fshati kastriot). Pra tezat e hedhura se Skënderbeu ishte nga fshatrat Kastrat i Mbishkodrës, Kastrat i Hasit dhe Kastrit të Mirditës nuk mund të pranohet sepse nga fshati Kastrat nuk mund të dalë emri i banorit Kastriot, por siç thamë më lart këto emërtime vijnë nga fjala kast plus prapashtesën sipas rastit. Ndërsa për variantin nga Ikballa e Pukës nuk kemi ndonjë të dhënë tjetër përveç rastit që përmend J.Von Han ku ndonjë banor i Ikballës mund të ketë shprehur dëshirën e tij. Këto teza që përmendëm më lart, për mendimin tim, nuk paraqisin ndonjë provë , prandaj ngelen në kuadrin e gojëdhanave, meqë edhe autorët e tyre janë të huaj. Ndërsa nga dëshmitë e shqiptarëve, më e hershmja është dëshmia e bashkëkohësit të Skënderbeut, fisnikut Gjon Muzaka i cili pas vdekjes së Skënderbeut mërgoi në Napoli, dhe me 1510, shkroi nje testament për fëmijtë e tij, ku ndër të tjera përmendet edhe një e dhënë me rëndësi për gjyshin e Skënderbeut. Ai thotë se gjyshi i zotit Skënderbe quhej zoti Pal Kastrioti dhe ky nuk kishte në përdorim më tepër se dy fshatra të quajtura Sina dhe Gardhi i poshtëm në Dibrën e Poshtme. Të dyja këto fshatra ekzistonin në shekullin e Skënderbeut. Kjo vertetohet nga defteri musafal i vitit 1467, ku të dy fshatrat janë të shënuar ashtu siç shkruan Gjon Muzaka. Në mbeshtetje të sajë një njoftm tjetër na vjen nga humanisti italian Refael Voleterrano, ku në veprën e tij me titull “Komentatorët”që u botua në fillim të shekullit 16-të, ai nuk e quan Gjonin të atin e Skënderbeut me mbiemrin Kastrioti, por Gjon Dibrani. Ndërsa për vazhdimsinë e fisit Kastrioti në këtë zonë në ndihmë na vjen edhe një dokument tjetër i kuvendit ndërkrahinor, që u mbajt në Dukagjin të Matit në vitin 1602. Këtu ka nënshkruar si përfaqsues i Qidhnës Jozef Kastrioti. Kjo provon se në harkun kohor mbi 200 vjet nga Pal Kastrioti e deri ke Kostandini, Qidhna vazhdon të ketë në gjirin e sajë fisnikët e Kastriotit. Këtyre të dhënave u shtohet edhë një argument tjetër, është fjala për një vendim të senatit të Shën Markut, me të cilin u jepet Gjergj Kastriotit dhe vëllait të tijë Stanishi Kastriotit, qytetaria e Venedikut, me 20 shkurt 1445. Vendimi i cilëson të dy vëllezërit zotër të Dibrës dhe të Matit nga që Kruja në kohën e Skënderbeut, siç shkruan Barleti bënte pjesë në krahinën e Matit. Në këtë vendim shohim se vëllezërit Kastrioti më parë ishin zotër të Dibrës dhe pasi shtinë në dorë Krujën, u bënë zotër edhe të Matit. Në mbështetje të këtyre të dhënave që përmendëm më sipër, për vendlindjen dhe vendbanimin e Kastriotëve në trevën e Dibrës së poshtme, flet qartë toponomastika historike në krahinat e Muhurrit dhe Qidhën. Në lidhje me këtë, një njohës i mirë i toponimeve dhe traditave të kësaj zone Hazis Ndreu Sqaron se: në krahinën e Murrit, toponimet nisin me dy Mazrekat: Mazreka e poshtme dhe Mazreka e Epërme ku sot gjenden shenja muresh, kisha e Shënmërisë, toponimet Palpus pusi i Palit (është fjala për P. Kastriotin ). Dy mazrekat dhe toponimet që u përmendën në anën veriore janë gjeografikisht të gërshetuara me; Gardhin e Poshtëm dhe Gardhin e Epërm, Sinën e Poshtme dhe Sinën e Epër të Qidhnës. Kjo e dhënë na bën të mendojmë se kastriotët erdhën nga Murri me mbiemrin Mazreku. Në ndihmë të këtyre toponimeve na vihet edhe një dokument i Gjonit të Aragonës ku përmendet Kostandin Mazreku Kastrioti i një gjaku me Gjergj Mazrek Kastriotin Skenderbeun. Krahas kësaj, sipas traditës popullore të kësaj zone, nuk përjashtohet mundësia që dikush nga vëllezërit Kastrioti të jetë quajtur Mazrek dhe sipas traditës janë përdorur emri i babës dhe emri i fisit. Këtë traditë e hasim në fillim të shekullit 20-të nga një pinjoll tjetër i kësaj zone Gjenerali me shajak Elez Isuf Ndreu, i cili njihet me emrin Elez Isufi (pra Isuf quhej i ati). Ndërsa për toponimet, në zonën e Qidhnës kemi; kepi i Skënderbeut , Kroi i Ton Zotit (kështu e thirrte populli Skënderbeun) Kalaja e Skënderbeut e cila u ndërtua nga Skënderbeu, Gurra e Skënderbeut, që gjendet ne qafë të Kalasë, 4 kishat e Sinës dhe të Gardhit etj. Ndërsa përsa i përket fshatit Kastriot nuk është shënuar në asnjë defter Turk, shkaku dihet, ishte vendlindja e Skënderbeut. Por në traditën gojore të popullit toponimet për Gjon Kastriotin vijnë deri në ditët tona. Fshati Kastriot është 8 km në veri të qytetit të Peshkopisë. Toponimet nisin me Përroin e Kastriotit, Kalaja e Gjonit , Kulla e Gjonit ose Kodra e gështenjës, Zabeli i Gjonit, Kopshti i Gjonit, Pusi i Gjoni të cilin e mbajnë mend me ujë dhe Guri i Luftës etj. Toponim i fshatit Kastriot flet qarë për autentitetin e fisit të kastriotëve si Dibranë, duke i marrë në lidhje të pa shkëputura që nga Mazrekët, Sinat dhe Gardhi i poshtëm. Këtë e përforcon edhe afërsia gjeografike ndërmjet tyre. Përsa i përket vendlindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbe, H.Ndreu shkruan[4]:
Janë dhjetëra tregimtarë (nga Dibra e Epër deri në Lurë) që thonë se vendlindja e Skënderbeut është Kastrioti.
Këto toponime dhe dëshmi, si ajo e Gjon Mezakës dhe e dëshmive të tjera, janë më se të mjaftueshme për të vertetuar origjinën dibrane të Kastriotëve. Krahas tyre unë desha të shtoj edhe disa prova të tjera si:
1-Ardhja e Skënderbeut nga Nishi direkt në Dibër[5]dhe jo në Has apo në ndonjë krahinë tjetër, që mund të shkurtonte mjaft kohë për të marrë Krujën, tregon se këtë detyrë madhore ai nuk mund ta kryente pa ndihmën e gjakut të vet.
2- Pritja madhështore që i bënë Skënderbeut vëllezërit dibranë dhe gadishmëria që ata treguan për tu vënë nën komandën e tij.
3-Dërgimi i komisionit nga Kruja për në Dibër me në krye Hamzan, për tu dhënë dibranëve lajmin e marrjes së Krujës.
4-Ndërtimi i kalasë së fshehtë nga Skënderbeu në zonën e Qidhnës.[6]
5-Shërbimi i Raposhit (i vëllai i Skenderbeut) si murg, deri sa vdiq në Manastirin e Qidhnës.(Noli f 25) 6-Mbajtja nga Skënderbeu krahas këshillit të shtetit edhe një këshillë tjetër siç e quan Barleti, këshilli i shokëve të tijë dibranë...(f.477)
7-Gjatë përgatitjes për betejë kundër galëve në Itali Barleti thekson: Skënderbeu rrugët që ngelën të hapura i plotësoi me dibranët e vet.(f.574)
8-Veçimi që u bën Barleti viseve të Qidhnës duke e quajtur viset e Skenderbeut. (f.695)
9-Shifrat shumë të ulëta të popullsisë në mjaft vendbanime të Dibrës sipas defterit turk i vitit 1467, ku pjesa dërrmuse e vendbanimeve nuk kanë më shumë se 10 shtëpi, ndërsa janë fare të pakta ato që kanë mbi 20 shtëpi, që tregon se Dibra kishte kishte shërbyer si baza kryesore e furnizimit me ushtarë. 10-Shfryerja e inatit të Sulltan Mehmetit ngaqë nuk arriti ta marrë dot Krujën, (Noli f.103) ku me 1 gusht 1466, u nis për tu hakmarrë drejt Qidhnës. Pasi shtiu në dorë kalanë theri pa mëshirë 8,000 burra, afro 20.000 gra, pleq, dhe fëmijë që ishin mbledhur në fushat rreth e rrotull dhe i ngopur me gjak u kthye në Stamboll. Kjo dëshmon më së miri se Skenderbeu ishte nga kjo zonë sepse rruga për në Stamboll nuk kalonte nga Qidhna, por ai e lakoi me qëllim hakmarrjeje kundër të afërmëve dhe gjakut të Skenderbeut.
Krahas këtyre dhjetë pikave e shoh të nevojshme të shkëpus edhe disa rrjeshta nga fjalimi i Skënderbeut para princave të besëlidhjes pas masakrës së Qidhnës. ( sipas Barletit.f.631) Ku ndër të tjera thekson: S.Mehmeti II, duke u larguar që këndej si ndonjë i xhindosur e krejt pa shpresë për shkak të pikëllimit e hidhërimit, pas sulmit që bëri para pak kohe me tërë ushtrinë e vet kundër meje dhe që si doli ashtu siç e priste, vrau dhe zhduku me hekur 8.000 burra nga të mitë, pa zënë në gojë gratë dhe fëmijët... Këto po të ishin gjallë dhe ti kisha unë tani, me siguri që nuk do të ishte aspak nevoja të lypja ndihmën e tjetërkujt.
Siç shohim nga këto rrjeshta që shkëputëm nga fjalimi i Skenderbeut para princave të besëlidhjes kemi dy të dhëna me interes: së pari ai i quan të vetët popullin e Qidhnës, së dyti ai na vërteton se Dibra ishte baza kryesore e furnizimit të ushtrisë me ushtarë. Duke parë të gjitha këto dëshmi e prova, duke shpresuar se ka edhe të dhëna të tjera që janë lënë në harresë, me të drejtë çdo njëri mund të pyesë:. Përse është lënë pa u deklaruar deri sot vendlindja e Heroit tonë Kombëtar?
Mos vallë historianët tanë nuk ditën?!
Unë do të thoja me plot bindje se ato e kanë ditur shumë mirë, por kanë dashur ta fshehin të vërtetën. Historianët tanë për 50 vjet kanë pasur në plan të parë ideologjinë, pa lënë pas dore edhe krahinizmat. Dhe kur historia udhëhiqet nga ideologjia, aty nuk mund të pretendohet për histori kombëtare, por për një histori partiake të tipit bolshevik. Kështu në pamundësi për ta tjetërsuar siç bënë me Ilaz Pash Dibrën (Kryetarin e Lidhjes Shqiptare të Prizenit) u përpoqën ta lënë pa origjinë. Krahas sajë ato patën edhe një hall tjetër “ të madh” sepse pikërisht, po nga kjo zonë ishin ato që i dhanë plumbin e parë komunizmit, oficerat madhorë Halil Alia e Selim Kaloshi. Po nga aty ishte edhe fisniku Gjeneral Dali Ndreu dhe për ato ishte e vështirë të deklaronin se nga kjo zonë ishte edhe Babai i kombit shqiptar. Prof. Kristo Frashëri në shkrimin: “Nga cili vend i Shqipërisë ishin Kastriotët”, në mes të tjerash thekson: “Me dy nëntor 1985, në fshatin Sinë të rrethit të Dibrës u përurua muzeu i Kastriotëve, një muze lokal me përmasa modeste, por me një përmbajtje të madhe historike. Ai i kushtohet familjes së shquar të Kastriotëve dhe vendlindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbe. Dimë se Skënderbeu lindi në vjeshtën e III-të, pra në nëntor të vitit 1405, por akoma nuk kemi ndonjë të dhënë të saktë për datën.Nuk përjashtohet mundësia që Skënderbeu të ketë kombinuar ditëlindjen e tij me ditën ë ngritjes së flamurit pra 28 nëntori, por këtu ka vend për hulumtime sidomos në arshivat osmane.
Përveç toponimeve mbi origjinën e Kastriotëve, në Dibër kemi edhe një grup tjetër toponimesh që flasin për luftratat, kalatë dhe vendqendrimet e Skënderbeut. Këto i hasim në Bulqizë, Grykën e Madhe, Gollobordë, Rekë, Koxhaxhik, Katër Grykët, Muhurr, Qidhën e deri në Lurë etj. Nëpërmjet këtyre toponimeve populli i trevave të Dibrës i ruan të gjalla betejat legjendare që zhvilloi për 24 vjet rresht në luftë kundër turqve. Nga 26-të beteja që Skënderbeu bëri kundër turqve, 17 prej tyre u zhvilluan në trevat e Dibërës, ku nuk lihet pa përmendur roli parësor që luajti populli i këtyre trevave në mbështetje të kryetrimit Skënderbe. Lavdia nuk mungoi si nga Barleti ashtu edhe nga kundërshtarët.
Ja si konfirmohet në dokumentin e një kundërshtari i cili thotë: Në qoftë se ai (Skenderbeu) fillimisht ia doli të heqë qafe pashain e Krujës, duke i treguar një ferman të rremë, marrë me forcë sekretarit të sulltanit, në të vërtetë ai në saj të Dibrës konsolidoi pushtetin e vet për tu bërë ballë gjatë 24 vjetëve ushtrive tona. Midis tij dhe gjeneralëve tonë, përfundimi varej gjithmonë nga sundimi në dy Dibrat. Atje është zemra e Shqipërisë. Skënderbeu i futi në dorë kështjellat e Petrelës, Petralbës, Tornaçi, Stellushit dhe pas pak kohe atë të Sfetigradit brenda një muaji me një shpejtësi prej furtune, që përfshin çdo gjë përpara dhe priste me padurim rastin të ndeshej me armikun. Rasti për të provuar ushtrinë e re nën udhëheqjen e Kryetrimit nuk vonoi. Sulltan Murati II dërgoi në Qeshor të vitit1444, nën komandën e Ali Pashës një ushtri prej 25.000, vetash, nga të cilët 15,000 ishin kalorës dhe 10,000 këmbësorë. Ushtritë u rreshtuan përballë njëra- tjetrës në Fushë të Dibrës. Skendërbeu e ndau ushtrinë në tri pjesë, Në krahun e djathtë la të vepronte kapedanin e tij, Moisiun e Dibrës. Në lidhje me rregullimet që bëri Moisiu me luftëtarët dibranë, Barleti shkruan[7]...daç vëre kalorës, daç këmbësorë, në vijë të parë apo të dytë, çdo gjë e ke siguruar me ta. Atyre si lajthit kurrë fati, s’u shpëton kurrë fitorja nga duart...” Ushtria shqiptare korri fitoren e parë madhështore mbi ushtrinë turke. Në vitet 1445-46 Sulltani dërgoi dy ushtri të tjera kundër Shqipërisë, por që të dyja pësuan fatin e të parës. Në korrik të vitit 1448, një ushtri e madhe osmane me në krye Sulltan Muratin e II-të rrethoi Sfetigradin. Moisi Golemi i kishte marrë të gjitha masat e furnizimit me luftëtar e ushqime. Ja se si e përshkruan Barleti këtë rast “...e gjithë roja e qytetit përbëhej nga ushtarë dibranë, të cilët Moisiu i kishte zgjedhur për këtë punë, si njerëz më luftarëk të Epirit nga gjithë popullsitë e tjeratë mbretërisë....”Ajo krahinë ka dy Dibra...Dibra e poshtme eshtë e rrethuar me fusha pjellore, që prodhon çdo gjë. Arbër dhe Epiriot banojnë në atë vend, popuj shumë trima në luftë, me armët e të cilëve në radhë të parë e shpëtoi dhe e rriti Kastrioti mbretërinë dhe i doli mbanë çdo pune të rëndë e shumë të vështirë, duke i pasur kështu si ndonjë Kolofon. [8]Qëkendejë ai pati gjatë gjithë kohës burra të shquar e fort të gatshëm të cilët i shërbyen çështjes epirote jo më pak si kapedanë sesa si ushtarë’.
Ndërsa historiani turk Kemal Peshazade shkruan: “Në atë vend ndodhej një kështjellë e fortë që ishte e njohur me emrin Koxhaxhik. Ajo ishte e mbushur plot me të rinjë trima nga vendi i Juvan-ilisë, të cilët ishin si Luanë që të shqyeni .Nga pikëpamja e fortësisë, qielli asaj nuk ia kishte parë shoqen”. Keshtu rrethimi i Sfetigradit zgjati dy muaj rrjesht dhe pa sukses. Më në fund turqit gjetën kanalin që çonte ujë në kala dhe me ndërprerjen e ujit, kalaja ra në duart e Osmanve sipas kushteve që u vendosën. Luftëtarët dibranë nën udhëheqjen e Moisiut luftuan me vetmohim të lartë duke siguruar gjithmonë fitore. Sulltani duke parë se ishte e pamundur që ta mposhte me luftë Skënderbeun, filloi provat me anë të dredhisë. Nuk kaloi shumë kohë dhe Moisiut i premtohen ndere të mëdha nga ana e Tiranit. Pas humbjes së Skenderbeut në Berat, Moisiu kaloi në anën e turqëve.[9] Kjo e dëshpëroi shumë Skënderbeun, i cili sapo e dëgjoi vajti në Dibër, por atje gjeti besnikërinë e patundshme të popullit të dibran. Ato nën udhëheqjen e vëllezërve Berisha, ishin organizuar më së miri të gatshëm për luftë. Kjo besnikëri u duk qartë kur në shkurt të vitit 1456, kur M. Golemi në krye të një ushtrie osmane vjen në Dibër. Luftëtarët dibranë dhanë prova duke luftuar më një tërbim të paparë kundër ushtrisë turke dhe e shkatërruan krejtsisht. Më pas Moisiu u kthye duke i rënë në gjunjë Skënderbeut (sipas zakonit) me brezin e lidhur në qafë. Ai e fali duke ia kthyer të gjitha privilegjet. Moisiu luftoi me besnikëri deri sa u zu rob në betejën e Vaj-kalit Bulqizë së bashku me gjeneralët e tjerë.
Meqë jemi te betejat, këtu ka vend për të diskutuar për vendzhvilimin e tyre, sepse ka edhe paqartësira. Barleti e len të pa përcaktuar vendin e saktë se ku u zhvilluan mjaft beteja e sidomos betejat e zhvilluara në dy Dibrat. Ai mjaftohet duke thënë se kjo ose ajo betejë u zhvillua në Dibrën e Sipërme apo të Poshtme. Një fenomen i tillë shfaqet që në betejën e parë, ku ai shkruan se ajo u zhvillua në Dibrën e Poshtme, 80 mijë hapa larg Krujës në një kodrine të mbuluar me ferra ose, më drejtë, pranë një pylli plot me drunj shumë të dendur[10]. Ndërsa Biemi na thotë se kjo betejë u zhvillua në fushën e Terviollit në Dibër të Sipërme. Fusha e Tervjollit e kish marrë këtë emër ngaqë ka shmë vollë[11] për rreth sepse populli e thirr edhe me një emër tjetër; Fusha e Kalasë. Siç duket emrin Fusha T’ Vollt është emër i dytë, që e mori pasi u shkatërrua nga sllavët në shekullin e 7-të, qyteti Vali[12] dhe në gërmadha e tij mbinë shumë vollë të cilat bëjnë fruta mjaft të shijshme. Ndërsa populli i Bulqizës e kujton këtë betejë nëpërmjet vargjeve të këngës: “Prej Terviollë n’Qafë Petralba, Gjith Terviolla n’gjak asht la, Me xhenaze mbush kala, Një pllamë tokë pa t’vdek nuk ka”[13] Siç shohim nga vargu i parë “prej Terviolle n’Qafë Petralba” petralba është Guri i Bardhë dhe Plani i Bardhë në Mat, ndërsa në atë kohë për hirë të qytetit është quajtur e gjithë zona Petralba, ndërsa qafë Petralba është Qafa e Bullit, e cila ndan Matin me Bulqizën. Nga këto vargje që na vijnë nëpërmjet popullit të Bulqizës, meqë Petralba dhe Bulqiza janë zona kufitare provojnë se beteja e parë u bë në këtë vend. Sipa këtyre të dhënave në bazë të një studimi të kryer nga mësuesi i popullit Selim Alliu në përkujtim të kësajë beteje është ngritur një përmendore në Bulqizë, në vendin e quajtur Ura e Qytetit. Barleti na tregon vetëm për dy beteja të zhvilluara në zonën e Bulqizës, por toponimet dhe gojëdhënat që qarkullojnë në popull dhe pozicioni gjeografik flasin për më shumë beteja të zhvilluara në këtë zonë, të cilat kërkojnë një vëmendje më të madhe dhe një studim më shkencor, sepse ky vend ishte si urë kalimi për të shkuar më shpejt në Krujë, si nga Ohri, ashtu edhe nga dy Dibrat.
Barleti e fillon me betejën e Vajkalit[14]. Në lindje të Vajkalit, në kufi me me fshatin Dragu gjenden Gurët e Skënderbeut.
Më kujtohet se kur isha i vogël dhe po kaloja aty me xhaxhain tim Arif Boba dhe me kureshtjen e një fëmije e pyeta: “Xhaxha, këto gurë Skënderbeu i ka nxjerrë nga toka?.. Jo më tha ai... dhe duke më treguar pjerrësinë e malit që bie thikë mbi rrugë. Ato janë rrëzuar prej andej për t’i hedhur kundër turqëve.
Pasi kalon Fushë-Bulqizën në veri-lindje të Fushës së Tërvjollit tek Ura e Qytetit, ngrihet thikë një mal gëlqeror i cili quhet Mali i Temlës, dhe pikërisht në majë te këtij mali, që bie thikë mbi urë, ndodhet një kala natyrore që populli e thirr Kalaja e Skënderbeut. Sipas tregimit nga të vjetërit thuhet se Skënderbeu u zuri pusi turqëve, por u diktua prej tyre dhe e rrethuan duke menduar se do t’i mbarohet ushqimi dhe do të dorëzohet. Por Skënderbeu mblodhi grurin që kishin në torba ushtarët ia dha ta hajë një pele të bardhë dhe pasi e ngopi mirë e rrëzoi nga maja e malit që bie thikë mbi rrugë. Kur i plasi stomaku kafshës turqit panë vetëm grurë dhe nga habia pyetën njeri-tjetrin çfarë është kjo, pelë apo dhi ? Nga ky rast fshati që ndodhet aty mori emrin Peladhi. Për sa i përket emrit Vajkal, një njohës i mirë i historikut të këtijë fshati, Mustafa Mira, tregonte se: Në luftë e sipër me turqit kali i Skënderbeut u godit për vdekje dhe nga që i erdhi shume keq për fatin e kalit, Skënderbeu thirri: vaj kali. Nga ky moment vendi mori emrin Vajkal. Barleti (f.608) në lidhje me këtë rast, ndër të tjera shkruan:’’... ndërsa po luftonte,(është fjala për Skënderbeun) pra, kështu ndërmjet armiqëve më të dendur, kali i tij i shpuar për vdekje nga barbarët, u përplas mbi trungun e një druri të vjetër dhe ra përdhe. Ai, gjithashtu u përplas... ‘’ Siç shohim ngarja tregohet pothuajse e njëjtë si nga gojëdhëna që na vjen nëpërmjet zotit Mira ashtu edhe nga Barleti, por këtu kemi një lajthitje të Barletit për vendndodhjen. Këtë ngjarje të njëjtë na e përshkruan edhe një bashkohas tjetër i Skenderbeut, humanisti i shquar Dhimitër Frangu, por edhe ky i fundit nuk e emërton vendin. Pra këtu del qartë se deri në këtë betejë ky vend nuk quhej Vajkal dhe populli pas vrasjes së kalit të Kryetrimit, e pagëzoi këtë vend me emrin Vajkal. Me sa duket Barleti dhe Frangu nuk e patën këtë deshmi. Kjo vjen se ato shkruajtën pas disa dekadash dhe si rrjedhim ka dhe mospërputhje, siç ndodh edhe me data dhe vendngjarje të ndryshme, të pandriçuara mirë. Por këtu, siç duket ç'orientimi i Barletit vjen edhe nga nga një fshat tjetër që ndodhet 8 kilometra në lindje të Vajkalit, në brinjë te Fushës së Tërviollit, me emrin Valikardhë. Ky fshat e mori këtë emër pasi u dogj nga sllavët gjatë dyndjes së tyre, i qytetit Vali. Pas shkatërrimit të qytetit banorët e tij u shpërndanë dhe krijuan vendbanime të reja si: Valikardhë, nga Vali-ka-ardh si banorë të ardhur nga Vali, Dushaj, Koçaj, Qyraj, Vali- i Martaneshit nga Vali-mat-an-nesh, të ardhur nga ana tjetër prandaj u quajt Martanesh etj. Me këto emra ato janë edhe sot, ndërsa fshati Dragu ka qenë i banuar më përpara. Megjithatë duhet pranuar se vepra e Barletit ka edhe paqartësira që mund të korrigjohen vetëm duke marrë librin e Barletit në dorë dhe duke i shkelur vend për vend trojet për të cilat ai flet. Kuptohet duke bërë edhe krahasime me bashkohësit e tij, që kanë shkruajtur pa lënë mënjanë edhe gojëdhënat popullore. Vetëm kështu mund të hidhet dritë mbi qoshet e pandriçuara mirë.
Duke u nisur nga këto paqartësira, disa historianë të huaj kaluan në ekstrem gjatë vlerësimit të veprës së Barletit. Mua më duket absurde të quhet vepra e Barleti “një roman” siç shkruan Karl Hopi, (Hopf) apo “e pa vlerë” siç janë shprehur disa historianë kritikë si Spondani, Yhiboni, Jorgo etj. Kjo ka ardhur për arsye se këta historianë nuk i kanë njohur aftësitë luftarake të popullit shqiptar dhe terrenin ku u zhvilluan betejat, duke e studiuar Barletin nga studiot e tyre, pa e marrë mundimin të shkelin vendngjarjet. Për këtë më bind fakti se nga mënyra se si e përshshkruan Barleti terrenin në një betejë kunder Ballaban Pash Bedrës në Vajkal-Bulqizë, (11.618-19). Meqenëse unë e njoh pëllëmbë për pëllëmbë këtë vend, ai ma sjell para syve atë terren edhe tani që ndodhem në një kontinent tjetër. Krahas do paqartësiravetë vogla që ekzistojnë, unë do të thoja se edhe kështu siç e kemi, Barleti mbetet babai i historiografisë Skënderbegiane, sepse po të mos ishte Barleti, Skënderbeu do të ishte i panjohur nga bota dhe vetëm një mit për shqiptarët.
Si rezultat i kësaj vepre, sot Skënderbeu njihet si një ndër gjeneralët më madhorë që ka njohur bota, si burrë shteti refomator, si mbrojtës i vetëm i qytetërimit evropian dhe i krishtërimit nga dy sulltanët më të egër të kohës, Muratit e Mehmetit të II-të. Francezi Robert d’ Angely në “Enigma” shkruan: “Aleksandri i Madh, Skenderbeu, Bonoparti-Kapedanë shqiptarë që imituan njëri-tjetrin. Vërtetë ashtu siç e fitoi betejën Aleksandri kundër Darit të Persisë duke e sulmuar personalisht Darin, të njëjtën gjë bënte edhe Skenderbeu kundër pashallarëve. Skënderbeu thoshte se; po u pre koka trupi bie vetë. Duke qenë se ky strateg i madh kishte një strategji luftarake të parritshme, ajo studiohet sot në Akademinë ushtarake amerikane më të njohur në botë “West Point” si lëndë e veçantë, “Arti ushtarak i Gjergj Kastriotit-Skenderbeut”. Si burrë shteti refomator, është i pari princ europian, që i hapi luftë feudalizmit. Ndryshimet që ai bëri në Shqipëri, u bënë pas tre shekujsh në Francë dhe shumë më vonë në Gjermani.
Në përfundim, në rast se Evropa dhe kristianizmi, duhet t’i jetë sadopak mirënjohës popullit shqiptar për mbrojtësin e pamposhtur që i dha Shqipëria, duhet t’ia dijë për nder Dibrës dhe Dibra Kastriotit. Prandaj meqë akoma nuk kemi rënë ndakort për origjinën dhe vendlindjen e Skënderbeut, i propozoj këtij simpoziumi dhe nëpërmjet tij Institutit të Historisë Akademivë së Shkencave në Tiranë dhe Prishtinë, të shënohet me gërma të arta se : Gjergj Kastrioti Skënderbe u lind në nëntor të vitit 1405 në Kastriot të Dibrës, ndërsa në Kastriot të ndërtohet një muze moderrn, krahas atij modest të Sinës, në nderim të vendlindjes së heroit tonë kombëtar, themeluesit të shtetit të parë, dhe Babait të kombit shqiptar Gjergj Kastrioti Skenderbeut.
Ndriçim Dika

Nga: studiuesi Agim Boba anëtari i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave New York, me 19 shkurt 2006.
Redaktoi: S.I.
2 comments:
po a nuk munde te na tregojsh se ku eshte vendlindja e skender beut ?
Zoteri krejt ne rregull, po ku lindi Gjergj Kastrioti ?
Post a Comment