Tuesday, May 11, 2010

Të meritosh emrin qytetar !

Shqiptarët rizbuluan demokracinë. Atë demokraci që stërgjyshërit e tyre kishin krijuar mijëvjeçarë më parë. Ajo sot është ende e brishtë dhe delikate. Ushqehet si një fëmijë që nuk ka dhëmbë dhe mbahet në krahët e disa prindërve joligjorë të ligjëruar.

Shqiptarët sot duken të ndarë në 3 grupime:

- Një grupim mendon se ka ardhur koha që demokracia jonë delikate të tentojë të ngrihet dhe të ecë me këmbët e veta.

- Një grupim tjetër që mendon se demokracia jonë duhet lënë të rritet edhe më shumë për të provuar pjekurinë e saj, duke evituar kështu ndonjë rrëzim të mundshëm.

- Gjithashtu ekziston një tjetër grupim që nuk e di ç'është demokracia, ç'duhet bërë me të dhe që mbi të gjitha as që i intereson fare të merret me të. Kjo pjesë e quan veten jashtë politikës dhe mendon që politika nuk ka asnjë ndikim në jetët e tyre...


Dy grupimet e para janë plotësisht të bindura rreth bindjes së tyre dhe në vetvete ndjejnë apo vethipnotizohen se kanë plotësisht të drejtë. Dhe po ti dëgjosh të dyja palët, ato, të dyja kanë të drejtë rreth kauzës së tyre. Por e drejta nuk është pronë e askujt dhe sigurisht qëndron mbi palët.

A mundet ta garantojmë demokracinë tonë pa e testuar?

E drejta prodhon zgjidhje dhe jo krizë. Demokracia nuk është mbërritje, por rruga që duhet të ndjekim.

Qeveria, e majtë, e djathtë apo e qendrës, çfarëdo qoftë, është qeveria e të gjithë shqiptarëve. E shqiptarëve të majtë, të djathtë, apo çfarëdo qofshin ata qytetarë. Qeveria është e të gjithëve dhe kjo nuk do të thotë që çdo kritikë drejtuar një keqfunksionimi të saj, në dëm të qytetarëve, duhet të shikohet detyrimisht si reagim me prapavijë politike. Kjo mendësi krijon sëmundje në shoqëri, krijon ndarje.

Nuk është qytetare dhe njëkohësisht aspak normale, të gjykosh partinë politike që simpatizon, me të njëjtën logjikë siç gjykohet psh. ekipi i preferuar i futbollit. Kur ekipi ynë i preferuar humbet një ndeshje, gabon në teknikë dhe taktikë, ne përsëri i qëndrojmë besnikë, madje edhe mundohemi të justifikojmë gabimet e tij.

Jo të nderuar qytetarë.
Jeta jonë nuk është një lojë dhe humbjet e ekipit tonë partiak nuk janë thjeshtë humbje pikësh në tabelë e renditje, por këto gabime rëndojnë drejtëpërdrejtë me pasoja reale në jetën tonë. Reflektohen menjëherë në të ardhmen dhe zhvillimin tonë të përbashkët.

Nuk mund të mbyllim një sy, një vesh apo edhe vetë mendjen përballë një gabimi, vetëm për faktin se këtë gabim e kreu partia për të cilën militojmë, partia të cilën simpatizojmë. Kjo dashuri fanatike kalb frutin e vet.

Duhet të ndjehemi qytetarë. Jemi të destinuar të jemi të tillë. Reagimi ynë kundrejt një padrejtësie, një gabimi, një papërgjegjshmërie, duhet të jetë si ndaj një fëmije të cilit ia duam të mirën. Fëmijën e ndëshkojmë kur gabon, që të rritet i shëndetshëm, i pastër, i përgjegjshëm. Fëmijën tonë, jemi ne të parët që e këshillojmë, që e kritikojmë, që e edukojmë, pikërisht sepse e duam më shumë dhe duam për të, më të mirën e mundshme.

Militantë partiakë fanatikë pa elasticitet qytetarie, krijojnë parti politike të përkëdhelura e tekanjoze, aspak serioze dhe të denja për të drejtuar një qytetërim përpara.


Jemi ne qytetarët gjykatësit më të mirë, prandaj mos lejoni të shndërroheni në vegla antidemokratike, të cilat i shërbejnë drejtëpërdrejtë infeksionit të përhapet. Largojini nga mendja idetë boshe se ju nuk keni asnjë peshë, se opinioni juaj nuk ka asnjë vlerë, se politika është e ndyrë dhe është më e denjë të qëndroni si spektator indiferent. Eshtë pikërisht kjo indiferencë që mbulon qindra e mijëra padrejtësi ndaj qytetarëve. Eshtë pikërisht kjo indiferencë, që tenton të shfaqet si bindje e sprovuar që me mosveprimin e saj, vulos në dëm të vetes. Edhe nëse ajo politikë (e cila përkthehet në motorrin e zhvillimit të vendit) është aq e ndyrë, pikërisht kjo është arsyeja themelore përse nuk duhet të qëndrojmë indiferentë. E ndoshta është aq e ndyrë, pikërisht nga mospërfillja jonë.

Ka ardhur koha që shqiptarët të mos shohin vetë blu e rozë, por në spektrin e tyre të shtojnë më tepër ngjyrat KUQ E ZI.

Shikoni arsimin shqiptar, shikoni drejtësinë shqiptare dhe thuajeni nëse kështu ndjeheheni krenarë. Me një arsim të shenjtë dhe një familje të shëndetshme shoqëria jonë do të ecë përpara.

Shkroi dhe përgatiti: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

3 comments:

aida haxhiaj said...

patjeter qe ndaj te njejten gjendje mendore dhe emocionale me ju. fanatizmi , besnikeria qorre te heqin te drejten pwr te menduar.Nuk i lejohet nje populli te lere fatin e vet ne duart e atyre qe gezojne ndere qe pjeses me te madhe i ndalohet jo vetem t'i kete , por edhe t'i enderroje. Jam pesimiste se ne Shqipe ri me te mireve iu eshte mbyllur goja pikerisht prej besnikerise qorre,injorances , fanatizmit. Kemi arritur te ushqejme njerez qe iu eshte mbushur mendja se vetem se militojne ne njeren apo tjetren parti , kane te drejte te sillen si agallare. Perso nalisht mendoj se me te miret nder ne , jane dorezuar.ose kane ikur per mos tu kthyer , ose kane zene nje cep nga ku shohin rrjedhen e ngjarjeve, pa mundur dot te bejne asgje .fanatizmi eshte jo vetem ilegjitim , por mbi te gjitha eshte vrases, jo vetem ne kuptimin figurativ.

Unknown said...

je shuuuuuuuuuuuum OK .

Unknown said...

Gjendja e krijuar ne Shqiperi eshte katastrofike