Sunday, September 20, 2009

"Filloi përsëri mashtrimi me tekstet shkollore...?!"

Është absurde që nxënësit e një shkalle në pallat, në një lagje, të së njëjtës klasë, të studiojnë dy gjeografi, dy histori apo dy tekste kimie të ndryshme. Liberalizim i tillë në ekstrem, thjesht nuk është i nevojshëm, apo më keq, jashtëzakonisht i dëmshëm për nxënësit.

Edhe pse nga specialistë të arsimit është kritikuar mënyra e hartimit dhe e shpërndarjes së tekstit shkollor, përsëri u vazhdua me të njëjtën metodë që është vepruar këto dy vitet e fundit.

Jemi dakord që të paraqiten për konkurrim lloje të ndryshme teksti mësimor, por komisioni i ngritur për këtë qëllim duhet të zgjedhë tekstin më të mirë dhe ky të marrë viston e botimit dhe të përdoret nga gjithë nxënësit e një klase të caktuar në gjithë vendin.


*Vitin e kaluar u kritikua dhe mënyra e shpërndarjes së teksteve. Duke praktikuar alter-tekstin, Ministria e Arsimit u dha të drejtën disa shtëpive botuese të botonin secila një lloj të caktuar teksti.


Në emër të ashtuquajturës "përzgjedhje" , shkollat bënë kërkesa për tekstet shkollore pa asnjë lloj kriteri shkencor apo pedagogjik, por thjeshtë duke u nisur nga preferenca personale apo qëllime fitimi. Kështu, prindërit dhe nxënësit bridhnin librari më librari, duke blerë ku dy tekste të "X" dhe ku një tekst të "Y" apo të "Z", duke bredhur e zënë radhë në gjithë libraritë e kryeqytetit.


*Është kritikuar edhe mënyra e kompensimit dhe rimbursimit të vlerës së teksteve mësimore, sidomos për nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Sipas urdhëresës së MASH-it, çdo librari duhet t'i pajisë nxënësit me faturën përkatëse për efekt rimbursimi.


Që këtu fillon hileja. Njëra librari të pajis me faturë e tjetra jo, njëra fletë është e vulosur e tjetra jo sipas rregullave të rimbursimit. Me një marifet që në fillim të duket i rastësishëm, gati gjysma e teksteve dalin jashtë rimbursimit nga librashitësit.


Fatura, nëse ta jep librashitësja, do të dërgohet në shkollat përkatëse. Këtu s'merret vesh se si ngatërrohen faturat dhe emrat e disa nxënësve nuk gjenden më.


Pra, këtu bëhet reduktimi i dytë i të famshmit rimbursim. Shkollat, pasi bëjnë seleksionimin e faturave sipas tekave të tyre, i dërgojnë ato në DAR. Këto, pasi bëjnë një llogari të pambështetur në asnjë ligj, i dërgojnë paratë e rimbursimit pranë postave.


Postat, mbasi mbajnë edhe këto një tarifë të caktuar për shërbimin e kryer, fillojnë shpërndarjen. Kokoshi është katandisur në një thelë dhe as nuk ia vlen të rrish në radhë tek sportelet e postave për 5 apo 6 mijë lekë të vjetra.


Këtë vit jo vetëm që vazhdon avazi i sorollatjes, por MASH-i nuk ka hedhur në treg ende as gjysmën e teksteve shkollore që nevojiten. Si në disa aspekte të tjera të jetës, edhe me librin shkollor, ky shtet ka qëllimin si e si të përfitojnë e pasurohen një grup i vogël njerëzish që lidhen apo janë klane të qeverisë, kurse shoqëria në përgjithësi duhet të vuajë sorollatje dhe vjedhje.


E ndërkohë në TV, në vend të kë tyre problemeve që hasim përditë politikanët i shohim vetëm të bëjnë "debate" për postet, kush i merr dhe kush i lë.



Ramazan Sherja, Shekulli

2 comments:

Anonymous said...

pretty cool stuff here thank you!!!!!!!

DIELLI said...

How do you understand Albanian language?

If u'r an albanian, writte in albanian please...

Dhe atij iu thaftë goja
qe e perbuz kete gjuhe hyjnore
e ne gjuhe te huaj kr s'eshte nevoje
flet e te veten len pas dore.