Sunday, September 20, 2009

Itali, skandal seksual mes priftërinjve


Ka ndodhur çdo mbrëmje, ndonjëherë në dhomat e fjetjes së priftërinjve, në banjë, e madje edhe në dhomat e rrëfimit.
Këtë e rrëfen një djalosh i ri, në institutin për të shurdhër të drejtuar nga kisha, Alessandro Vantini, i cili deklaroi për median italiane se priftërinjtë kanë abuzuar me të deri në atë masë sa ai kishte ndjenjën se ishte i vdekur.


Pak ditë më parë ai dhe disa dhjetëra ish-studentë të tjerë bënë atë që ishte tejet e pazakontë për Italinë: deklaruan publikisht se ishin të detyruar të kishin marrëdhënie seksuale me priftërinjtë.



Për dekada të tëra, kultura e heshtjes kishte rrethuar abuzimet nga ana e priftërinjve në Itali, ku anketat dëshmojnë se kisha konsiderohet si një prej institucioneve më të respektuara. Tani, në oborrin e Vatikanit ngadalë ka filluar të lëshojë rrënjë një lëvizje, e cila synon të çrrënjosë dhe të luftojë abuzimet nga ana e priftërinjve. Gjatë hulumtimit të bërë për një vit me radhë, agjencia 'Associated Press' ka dokumentuar 73 raste të akuzave për abuzim seksual të të miturve nga ana e priftërinjve, të cilat kanë ndodhur gjatë dekadës së kaluar në Itali, ku janë identifikuar më shumë se 235 viktima. Këto shifra në Itali ende janë tejet të vogla, nëse krahasohen me qindra raste të këtilla në SHBA dhe Irlandë. Kisha në Itali deri me tani, në emër të kompensimit për viktimat ka paguar vetëm disa qindra mijëra euro, për dallim nga 2.6 miliardë dollarë sa i janë paguar viktimave në SHBA dhe 1.1 miliardë dollarë viktimave në Irlandë. Sidoqoftë, bëhet këtu fjalë për një vend ku raportet për abuzimet seksuale nga ana e klerikëve kanë qenë pothuajse të panjohura para një dekade. Megjithatë, akuzat e fundit dëshmojnë për një gatishmëri gjithnjë e më të madhe në radhët e opinionit publik në Itali - e ngadalë edhe brenda vetë Vatikanit - për t'i hedhur shikimin kësaj tragjedie. Pasojat e abuzimeve nga ana e priftërinjve në Itali mund të jenë mjaft të mëdha: me 50.850 priftërinjtë në këtë shtet me 60 milionë banorë, Italia ka më shumë priftërinjtë se sa Amerika e Jugut dhe Afrika së bashku. Në SHBA, ku Vatikani ka numëruar 44.700 mijë priftërinjtë, që nga viti 1950 për abuzim të të miturve janë akuzuar mbi 4 mijë klerikë. Duke pasur parasysh statusin e kishës në Itali, të paktë janë ata që marrin guximin ta kritikojnë atë, përfshirë këtu edhe mediat e pavarura. "Është kjo një temë e ndaluar. Ky është provincializmi i Italisë", - thotë Jacqueline Monica Magi, e cila ka ndjekur disa raste të pedofilisë në Itali, para se të bëhej gjykatëse. Duke i dhënë fund konspiracionit të heshtjes, 67 ish-studentë të Institutit 'Antonio Provolo' për shurdhmemecë në Veronë kanë nënshkruar deklaratën, në të cilën priftërinjtë akuzohen për abuzim seksual, pedofili dhe abuzime tjera, të cilat kanë ndodhur nga viti 1950 deri në vitin 1980. Përderisa jo të gjithë kanë pranuar se kanë qenë personalisht viktima, 14 prej 67 nënshkruesve detajuan abuzimet që kanë përjetuar për vite me radhë. Ata me këtë rast përmendën me emër 24 klerikë abuzues. Edhe Vantini pranoi se ka heshtur për vite me radhë.

"Si t'i tregoja babait tim se kam pasur seks me një prift? Nuk mund t'u tregoje prindërve, ngase prifti të rrihte", - theksoi Vantini. Ai me këtë rast përmendi emrat e katër klerikëve, të cilët janë ende gjallë, por kërkoi që të mos publikohen emrat e tyre. Një ish-nxënës tjetër i shkollës, Gianni Bisoli, 60 vjeç, gjithashtu akuzoi priftërinjtë për abuzimin e tij, duke theksuar se ata e kanë detyruar të ketë seks oral me ta.

Në deklaratën e tij, Bisoli akuzoi edhe peshkopin e ndjerë të Veronës, Giuseppe Carraron, duke theksuar se ai e ka abuzuar në pesë raste gjatë kohës sa ka qenë nxënës në Provolo, shkollë kjo të cilën e ka ndjekur nga mosha 9 deri 15 vjeç. Peshkopi aktual i Veronës, Giuseppe Zenti, në janar të këtij viti fillimisht kishte akuzuar ish-nxënësit për deklarata të rreme. Por, kur njëri nga klerikët e akuzuar pranoi se ka pasur seks me nxënësit, Zenti dha urdhër për hetime të brendshme. Hetimet zbuluan se ka pasur abuzime, por jo në atë masë sa kanë pretenduar ish-nxënësit. Zenti më pas u kërkoi falje viktimave. "Solidarizohem me viktimat e abuzimeve. U kërkoj falje atyre dhe familjeve të tyre", - theksoi Zenti.

G.Sh.

No comments: