Thursday, September 24, 2009

Karamanlis: Kombësi greke për 'minoritarët' !!!

"Epiri i Veriut" bëhet pjesë e fushatës elektorale në Greqi, duke u kthyer sërish si debat politik mes së djathtës dhe së majtës në shtetin fqinj.

Karamanlis, homologu i kryeministrit Berisha dhe aleat i tij, pasi janë që të dy pjesë e organizatës së fuqishme Partitë Popullore Europiane, flet në takimet e tij elektorale për Epirin, ku kuptohet se një pjesë është për Vorio-Epirin, projektet që ka ndërmend Demokracia e Re të realizojë në mandatin e ardhshëm.

Ai gjatë një takimi në sheshin kryesor të Janinës të shtunën në darkë, premtoi ndër të tjera lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë greke nga 1 vit që është aktualisht, ta reduktojë në 3 muaj. "Në një pikë të fjalimit, Karamanlis tha se ND (Neo Demokracia-Demokracia e Re) ka "shfrytëzuar" minoritetin grek të Shqipërisë apo Vorio-epirotët, për përshpejtimin e procedurave për ta për të marrë kombësinë greke dhe për ta reduktuar shërbimin e detyrueshëm civil nga 12 muaj deri në 3 muaj", - citohet agjencia e lajmeve ANA. Po në këtë takim, duke iu referuar televizionit shtetëror ERT, Karamanlis ka folur dhe për disa projekte që janë për t'u realizuar dhe ato që janë në ndërtim në Epir, "me në krye rrugën Egnatia, që e nxjerr jashtë Epirin nga izolimi i kaluar gjeografik duke e kthyer atë në një nyje energjie. Vetëm projektet e Ministrisë së Punëve Publike kapin shifrat 3 miliardë euro". Duke mbetur te i njëjti burim informacioni, bëhet e ditur se kryeministri Karamanlis, i cili gjatë vizitës së tij në Shqipëri nuk e përmendi fare termin "Vorio-Epiri", ka folur dhe për rreth 1100 projekte që do të jenë pjesë e Programit Rajonal të Epirit, ku përveç pjesës së këtij rajoni është edhe Epiri i Veriut, që gjeografikisht i bie të jetë në Shqipëri. ERT-ja njoftoi se Karamanlis ndër të tjera ka folur dhe për marrëveshjet bilaterale mes Shqipërisë, "të cilat konsolidojnë minoritetin grek në vendin fqinj." Çështja e grekëve të Shqipërisë u bë pjesë e debatit mes qeverisë dhe opozitës së këtij vendi në 2006-ën, ku Karamanlis vendosi që t'u jepte shtetësi greke grekëve etnikë që jetojnë në Shqipëri.

Papandreu i PASOK-ut e akuzoi atëherë kryeministrin Karamanlis, se me këtë lëvizje ai kërkonte vetëm të fitonte disa vota më shumë nga minoritarët grekë në Shqipëri. Madje vendimi parashikonte që çdo shtetas shqiptar që vërteton vetëm me anë të një dokumenti të thjeshtë se është i etnisë greke, mund të marrë menjëherë shtetësinë greke. Në Shqipëri kjo gjë solli vetëm reagimin e LSI-së e Sabri Godos, të cilët e quajtën të rrezikshme dyshtetësinë. Por për çudinë e të gjithëve, kryeministri Berisha e mbështeti atëherë një vendim të tillë. "Shembullin e Greqisë duhet ta ndjekin edhe vende të tjera të Bashkimit Europian", - është shprehur ai kur është pyetur për këtë çështje.

Sa i takon rrugës Egnatia, kryeministri Berisha e ka përcaktuar si prioritet të mandatit të tij katërvjeçar për përfundimin e kësaj rruge, e cila do të lidhë edhe më shumë shqiptarët me njëri-tjetrin. Por ndërkohë kjo rrugë do të lehtësojë, ashtu siç shprehet Karamanlis, zhvillimin e zonave minoritare, të izoluara deri më tani gjeografikisht, sipas tij. Kryeministri grek zbulon edhe se financimi i kësaj rruge bëhet nga qeveria greke. Gjatë vizitës së tij në prill të 2009-ës Karamanlis dhe Berisha nënshkruan disa marrëveshje, që shtypi dhe opinioni shqiptar i konsideroi në favor të palës greke.

Ndër to përmendet marrëveshja për kufijtë detarë, ku specialistët e kësaj fushe deklaruan se Shqipëria i ka dhuruar 225 kilometra hapësirë detare Greqisë; ajo e ngritjes së dy varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri. Në këtë vizitë, as Berisha dhe as Karamanlis nuk e kanë prekur çështjen çame, popullsia e së cilës ende nuk e ka gjetur të drejtën e saj, kur ndër të tjera kërkon dhe shtetësinë e mohuar.

G.Shqiptare

No comments: