Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të veprojë menjëherë kundër ndryshimeve të klimës, pasi "situata është e rëndë".
"Po shkojmë me shpejtësi drejt humnerës",
deklaroi Ban Ki-Moon gjatë Konferencës së tretë botërore për klimën në Gjenevë.Sekretari i Përgjithshëm u bëri thirrje qeverive të botës që të veprojnë sa më parë me politika që përcaktojnë dhe kufizojnë sasinë e emetimeve të dioksidit të karbonit, programe për energjinë e ripërtëritshme, zgjidhje për shpëtimin e pyjeve dhe politika që thjeshtëzojnë transferimin e teknologjisë.
"Kemi shkaktuar pasoja të fuqishme dhe të paparashikueshme, impakti i të cilave është i dukshëm. Këtë e pashë me sytë e mi", shtoi Ban Ki-Moon, duke iu referuar udhëtimit të tij të fundit në Artik, rajoni i cili po ngrohet më shpejtë se çdo vend tjetër në Tokë.
"Fatkeqësisht ende ka ngurrim për të vepruar dhe është shënuar vetëm një progres i vogël. Nuk mund t'ia lejojmë vetes këtë situatë. Kemi nevojë për progres të shpejtë në këtë drejtim", deklaroi Ban Ki-Moon përpara shumë kryetarë shtetesh dhe qeverish nga vende të ndryshme të botës.
Konferenca në Gjenevë nuk trajton tema si reduktimi i gazrave të dëmshëm, apo tema të tjera që do të diskutohen në Kopenhagë, por ka më shumë karakter teknik. (atsh)
No comments:
Post a Comment