Sunday, September 20, 2009

Enciklopedia maqedonase fyen shqiptarët

Lëvizja Qytetare “ZGJOHU!” dhe çdo qytetar shqiptar në Maqedoni shprehen jashtëzakonisht të fyer me përmbajtjen skandaloze dhe trushpërlarëse të Enciklopedisë së parë Maqedonase, të promovuar ditë më parë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.


“Veprimet e vazhdueshme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë krijojnë përshtypjen që detyra e vetme e këtij institucioni është që të funkcionojë si laborator për përvetësimin e figurave historike shqiptare, falsifikimin e historisë, në veçanti asaj të popullit shqiptar, si dhe të shpërlajë trurin e popullit të vet. Dyshojmë që projektet e ASHAM perpilohen në Beograd dhe kanë qëllime djallëzore”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Zgjohu.


ZGJOHU! konsideron që ky institucion me agjendë politike, që propozoi ndarjen e Maqedonisë në vitin 2001, po nxit urrejtje ndërnacionale dhe po rrezikon marrëdhëniet ndëretnike në vend. ZGJOHU! kërkon nga Qeveria, si financuese e këtij projekti, të distancohet nga përmbajtja e Enciklopedisë ndërsa Akademia urgjentisht t'i kërkojë falje popullit autokton shqiptar të këtyre trojeve si dhe të përmisojë Enciklopedinë duke e tërhequr nga tregu.


Lëvizja Qytetare “ZGJOHU!” alarmon intelektualët shqiptar, akademikët shqiptarë - pjesë e këtij institucioni politik, si dhe kontribuesit shqiptar të Enciklopedisë, që të ngrejnë zërin e protëstës ditë më parë dhe të distancohen nga përmbajtja skandaloze dhe tendencioze e këtij proekti makevijalist.


“Të nderuar akademiko-politikanë, Shkupin e njeh historia botërore si kryeqendër të Dardanisë, si kryeqendër të Vilajetit të Kosovës dhe Shkupi njihet për frymën shqip tash e 3500 vjet dhe asnjë projekt ose dëshirë djallëzore e juaja nuk do ta ndalon frymëmarrjen e mushkërive shqiptare në njërën prej kryeqendrave të kombit!”, thuhet më tej në reagim.




Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) në praninë edhe të kryeministrit Nikolla Gruevski dje ka promovuar Enciklopedinë të ashtuquajtur “Maqedonase” dhe jo të “Maqedonisë”, ku përmblidhen fakte kryesisht që kanë të bëjnë çështjen sllavomaqedonase dhe duke mos përfshirë asnjë element të rëndësishëm shqiptar. Në prezantimin e kësaj vepre, kryetari i ASHAM, Georgi Stardelov ka theksuar se kjo enciklopedi nxjerrë në shesh fatin e kombit dhe popullit maqedonas dhe rrugëtimin e tij. Me fjalime të tyre rreth kësaj vepre janë paraqitur edhe akademikët Vllado Kambovski dhe Gane Todorovski.


Kryetari i Shoqatës së Historianëve në Maqedoni, prof.dr. Nebi Dervishi ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA se kjo enciklopedi është në vazhdën e projekteve fashizoide që i përgatit Bllazhe Ristevski me bashkëpunëtorë në krye me Pasko Kuzmanin.


”Ky projekt është në vazhdën e projekteve të mëparshme antishqiptare dhe për këtë çështje si shoqatë do të ngrejmë zërin dhe do të hedhim poshtë këtë projekt të tillë që është kryekëput maqedonas”, ka theksuar historiani Dervishi.


Sipas tij, përderisa nuk merr pjesë asnjë historian shqiptarë në përpilimin dhe përgatitjen e saj kjo nënkupton se është krejtësisht antishqipare. ”Kjo enciklopedi qëllimin kryesor e ka që shqiptarët t’i përjashtojë nga antikiteti deri në shekullin 17 dhe të dëshmojë se kinse shqiptarët janë të ardhur “, ka theksuar kryetari i shoqatës së historianëve, prof.dr. Nebi Dervishi, duke paralajmëruar që është momenti i fundit për një Enciklopedi paralele të shqiptarëve.


Edhe historiani prof.dr. Vebi Xhemaili ka theksuar se këto punime shkencore janë tendencioze kundër autoktonisë së shqiptarëve dhe vlerave të mirëfillta të trungut shqiptar. “Për ne shqiptarët është e papranueshme kjo enciklopedi e tyre e shkruar në mënyrë tendencioze. Prandaj, në anën tjetër, shqiptarët dhe brezi i ri asnjëherë nuk do ta përdor këtë dokument dekstruktiv dhe të rrezikshëm për të ardhmen”, ka theksuar ligjëruesi universitar në USHT, Vebi Xhemaili. ILIRIA NEWS AGENCY- INA

No comments: