Sunday, September 20, 2009

Është Shqipëria në planet amerikane për raketat ?

Të gjithë mediat ndërkombëtare kishin dje si lajm kryesor, faktin që SHBA-ja hoqi dorë nga plani për të vendosur sistemin e debatuar të mbrojtjes raketore në Poloni dhe Çeki. Një zëdhënës i Penatgonit tha se vendimi është marrë pas një rivlerësimi të informacioneve sekrete për planet iraniane për zhvillimin e raketave.


Sistemi ishte dizenjuar për t'u mbrojtur kundër një sulmi të mundshëm nga Irani me raketa me rreze të gjatë veprimi. Por tani Pentagoni thotë se Irani duket se ka ndryshuar prioritetet dhe ishte duke u përqendruar në zhvillimin e raketave me rreze të shkurtër.
Plani për t'i vendosur raketat në Poloni dhe Republikën Çeke, e kishte zemëruar edhe Rusinë që kishte premtuar të hakmerrej.


Ka patur edhe shumë zëra skeptikë në Republikën Çeke dhe Poloni që kanë qenë të shqetësuar se vendosja e elementeve të sistemit në vendet e tyre vetëm sa do të përkeqësonte marrëdhëniet me rusët.


Qeveritë në këto vende kanë investuar kapital politik për të bindur zgjedhësit e tyre për të mirat e kësaj skeme. Por tani atyre u duhet të shpjegojnë ndryshimin e planeve amerikane.


Duke folur për BBC-në, ambasadori rus në NATO, Dmitry Rogozin, tha se ky njoftim kishte hequr edhe problemin e pakuptimtë që e parandalonte SHBA-në dhe Rusinë që të punonin me njëra-tjetrën.


Por nga ana tjetër, ai tërhoqi vëmendjen se njoftimi nuk do të thoshte domosdoshmërisht edhe fund i të gjithë sistemit amerikan të mbrojtjes raketore dhe se raketat e radarët do të mund të vendoseshin në një vend tjetër.


Në shumë kanale ndërkombëtare prestigjioze lajmesh, ngrihej pyetja: Ku do ta vendosin tani sistemin e tyre raketor amerikanët? Versionet janë dy. Turqia ose Ballkani. Kur thuhet Ballkani, menjëherë të shkon mendja tek Shqipëria. Sepse vend tjetër pro-amerikan në Ballkan, nuk ma ha mendja se ka.





Ky është një problem i rëndësishëm që duhet bërë objekt debati publik. Studiot televizive të mbushura me analistë, të mos merren vetëm me thashethemet politike, por edhe me këto ngjarje madhore, vendimtare në historitë e shoqërive që prekin. Apo mos duhet të mendojmë se njohuritë e tyre analitike, nuk shkojnë përtej "diturisë" së madhe se çfarë ka thënë e çfarë tha kopili politik i radhës në baret parazite të Tiranës?

Shekulli, letër e nënshkruar nga Tani Dyrmishi

No comments: