Shkollave të tjera u janë lënë objektiva për t‘u plotësuar, në të kundërt do të mbyllen.
Inspektorati i Higjienës pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në Fier ka ushtruar kontroll në të gjitha institucionet arsimore që regjistron Rrethi i Fierit. Nga ky inspektorat bëhet e ditur se janë kontrolluar për kushte higjeno-sanitare të gjitha shkollat e sistemit nëntëvjeçar dhe të mesëm, kopshtet dhe çerdhet publike që ndodhen në qytetin dhe komunat e Rrethit të Fierit.
Shefi i këtij inspektorati, Nuredin Kallashi, është shprehur se dhjetë shkolla dhe kopshte në Rrethin e Fierit nuk do të çelin dyert këtë fillimviti arsimor, ndërkohë që edhe në shumë të tjera janë lënë objektiva për t‘u plotësuar që, në rast të kundërt, do të mbyllen. Tepër i alarmuar për gjendjen që ka konstatuar në shkollat dhe kopshtet e Rrethit të Fierit, në këtë fillimvit arsimor, shefi i Inspektoratit të Higjienës, Nuredin Kallashi, nuk ka ngurruar të shprehet se "shumë shkolla kanë kushte për të vënë duart në kokë, gjendja e kopshteve dhe e shkollave të Fierit është si në shekullin XV".
Me kushte tejet të rënda paraqiten kryesisht institucionet arsimore të zonave rurale. Por ka edhe shkolla që për nga largësia nga qendra e Fierit janë vetëm pak kilometra larg, por për nga situata që paraqesin të japin përshtypjen sikur janë në mesjetë.
"Ka shkolla që nuk kanë fare rrjet të furnizimit me ujë, si dhe kemi gjetur nga kontrollet tona edhe shkolla që kanë rrjetin e tubacionit të furnizimit me ujë, por kurrë nuk kanë parë ujë në të", ka thënë Nuredin Kallashi, shefi i Inspektorit të Higjienës.
Ai është shprehur se për katër institucione arsimore është marrë vendimi i bllokimit. "Bëhet fjalë për shkollën 9-vjeçare të fshatit Kallm i Vogël, që është përshtatur në mjediset e një lokali fshati, që ditën përdoret si shkollë dhe gjatë pasdites e mbrëmjes hiqet çarçafi i banakut dhe përdoret si lokal për banorët e zonës. Është rasti i dytë i kopshtit të fshatit Kreshpan në Komunën e Cakranit që paraqet situatë të vështirë në godinë. Në këtë kopsht mungojnë tavane dhe mure. Rasti i tretë është Shkolla e Bashkuar në fshatin Tropojë, ndërsa i katërti është shkolla e mesme në fshatin Kallm i Madh. Për të katër këto institucione arsimore është prerë urdhri i bllokimit. Janë edhe gjashtë të tjera që, nëse nuk plotësojnë kushtet deri më 10 shtator, do të bllokohen", ka pohuar shefi i Inspektoratit të Higjienës. Nuredin Kallashi ka thënë se gjatë fillimit të vitit të ri arsimor 2009-2010 do të kontrollohen sërish nëse i kanë plotësuar kushtet e kërkuara higjieno-sanitare dhe në të kundërtën, për herë të parë Inspektorati i Higjienës do të vendosë bllokimin pa kthim prapa për to.
Shqip
No comments:
Post a Comment