Thursday, September 24, 2009

Krizat dhe investimet për ujin e pijshëm

Fshije fjalën energji, në vend të saj vendos uji! Uji është i pakët, uji është jeta, uji është një temë që ka rëndësi strategjike!

Dhe plotësisht kështu është, dy të tretat e botës është e mbuluar me ujë. Janë me dhjetëra oqeane. A nuk mund ta përdorim ujin e oqeaneve ? Kam ndjekur studime dhe konferenca të ndryshme të zhvilluara në lidhje me shërbimet e ujit dhe të ardhmen e investimeve për të dhe jam ndërgjegjësuar plotësisht se në të ardhmen e afërt do të përjetohen konfliktet e ujërave në botën e epokës së shkencës.


Liqeni i Fierzës


Deri më sot kanë lindur 1300 kriza nga problemi ujit. Vetëm 37 prej tyre nuk janë zgjidhur me konflikt. 3 % e burimeve ujore të që ndodhen në globin tokësor janë me ujë të ëmbël. 2. 5 % e saj është në rajone si në Antraktidë që është e vështirë mbërritja gjeologjikisht. Për këtë arsye 6. 5 miliardë njerëz që jetojnë sot në botë janë të detyruar të përdorin dhe të ndajnë vetëm 0. 5 % të burimeve ujore!.

20 % e ujit që mund të përdoret në botë ndodhet mbi tokë, ndërsa 80% e tij ndodhet nën tokë. Uji mbi tokësor që përdoret në industri prej kohësh është ndotur. Ujërat nëntokësorë për t’i bërë të përdorshëm kërkojnë teknologji dhe investime. Në shumë vende këtë temë e diskutojnë në kuadrin "Mega water shed" - "Të rezervuarëve të mëdhenj të ujërave rrjedhëse". Sinjalet në lidhje me konfliktet ujore çdo ditë e më tepër po rriten. Për këto arsye,

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka shpallur 22 Marsin, që prej vitit 1992, si Dita Botërore e Ujit, ditë në të cilën, në shumë vende të botës organizohen aktivitete me synim ndërgjegjësimin e opinionit për mbrojtjen, ruajtjen dhe përdorimin racional të burimeve ujore. Situata në fushën e ujërave në nivel ndërkombëtar paraqitet mjaft problematike. Sipas statistikave, 18 % e popullsisë së botës, nuk kanë akses për ujë të pijshëm të pastër dhe 40 % nuk kanë akses për shërbime kanalizimesh. Deri në vitin 2030, pothuajse gjysma e popullsisë së botës do të jetojë në zona, ku do të ketë mangësi akute në furnizimin me ujë. Organizata e Kombeve të Bashkuara bënë thirrje për përmirësimin e menaxhimit të krizës, shkaktare të së cilës janë kryesisht ndryshimet klimatike dhe shtimi me ritme të shpejta i popullsisë që shoqërohet dhe me shtimin e kërkesës për energji. Këto janë vetëm disa nga faktorët që po e venë gjithmonë e më shumë në vështirësi, burimin e shtershëm me ujë të pastër të botës. Sipas raportit të OKB-së vitet e ardhshme, sidomos në vendet në zhvillim, mangësitë akute në furnizimin me ujë, do të bëhen gjithmonë e më shumë pjesë e realitetit. Raporti thotë se sfidat që shtrihen përpara janë të mëdha, por jo të pakapërcyeshme. Për këtë kërkohet marrja urgjente e masave, si investime në infrastrukturë për konservimin dhe në skemat e riciklimit të ujit.

Shqipëria, me sipërfaqen e saj të përgjithshme prej 28 748 km2, në përgjithësi është një vend malor, ku 70 % e zënë malet, kodrat, sipërfaqet e liqeneve dhe shtratet e lumenjve. Për sa i përket pasurive ujore dhe potencialit hidroenergjitik të saj ajo radhitet ndër vendet e para në Evropë. Territori hidrografik i Shqipërisë ka një sipërfaqe prej 44 000 km2 ose 57 % më shumë se territori shtetëror i vendit tonë. Lartësia mesatare e territorit hidrografik është shumë e madhe, rreth 700 metra mbi nivelin e detit. Shqipëria është një vend me reshje relativisht të shumta. Në territorin e saj hidrografik bien mesatarisht rreth 1400 m/m shi në vit. Në lartësinë mbi 1000 metra bien reshje dëbore, ku në zonat e thella malore ajo qëndron për disa muaj, duke siguruar në këtë mënyrë furnizimin me ujë të lumenjve për periudhën e pranverës dhe deri diku edhe në verë. Prurja mesatare shumëvjeçare e rrjedhjes së përgjithshme të lumenjve tanë është rreth 1. 245 m3/sek, e një rendi me lumenjtë e njohur të Evropës, që derdhen në Detin Mesdhe, si lumi PO me prurje 1. 275 m3/sek dhe lumi Ron me prurje 1. 350 m3/sek. Të gjithë lumenjtë e Shqipërisë, me përjashtim të lumit të Vermoshit e kane drejtimin e rrjedhjes nga lindja në perëndim dhe derdhen kryesisht në detin Adriatik dhe pjesërisht në detin Jon. Lumenjtë me të rëndësishëm të Shqipërisë janë:
Buna me prurje mesatare shumëvjeçare prej 652 m3/sek
Drini me 340 m3/sek, Vjosa me 210 m3/sek
Semani me 101 m3/sek
Mati me 74 m3/sek
Shkumbini me 60 m3/sek etj.
Përveç këtyre lumenjve, vendi ynë për vetë natyrën e tij të veçantë fiziko-gjeografike ndërpritet nga një rrjet i tërë lumenjsh e përrenjsh malorë, që kanë burimet ujore 500-1000 metra mbi nivelin e detit, të cilët kanë vlera të mëdha hidroenergjitike. Ndër lumenjtë malorë që kanë rezerva ujore të rendësishme dhe potencial hidroenergjitik të konsiderueshëm janë: Valbona, Curraj, Cemi, Fani i Madh e Fani i Vogel, Kiri, Gjadri, Erzeni, Osumi, Devolli, Smokthina, Bença etj. Megjithëse prurjet e këtyre lumenjve relativisht janë të vogla, ata kanë rënie të madhe dhe bëjnë që potenciali hidroenergjitik i tyre të jetë i konsiderueshëm për vendin tonë. Këto resurse e bëjnë Shqipërinë një vend të pasur në rezervat ujore . Gjatë një viti nga të gjithë lumenjtë tanë derdhen në det rreth 39 miliardë m3 ujë. Deri tani është shfrytëzuar rreth 30 % këtij potenciali, ndërsa vëllimi i liqeneve artificialë për të rregulluar prurjet e lumenjve është i barabartë me 40 % të prurjes vjetore të lumenjve që derdhen në det. Në bazë të studimit të aprovuar, potenciali i lumit Drin do të shfrytëzohet me pesë hidrocentrale: hidrocentrali i Skavicës, Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe Bushatit. Të pesë hidrocentralet e Drinit do të kenë një fuqi të vendosur prej 1. 8 milion KË dhe një prodhim mesatar të energjisë elektrike prej rreth 6. 7 miliardë KWh në vite. Për të prodhuar këtë energji elektrike me naftë do të duheshin rreth 2. 8 milionë tonë naftë në vit.

Pra siç shikohet vendi jonë ka rezerva të mëdha ujore, që shumë vende e kanë zili. Por duke qene se ato deri tani nuk janë shfrytëzuar plotësisht për furnizimin e plotë të popullatës me ujë të pishëm në Shqipëri ekziston një krizë e pa arsyeshme. Jo vetëm qytetet e mëdha por edhe në shumë fshatra mungon shtrimi i linjave të shpërndarjes dhe furnizimit me ujë të domosdoshëm familjarëve. Tirana pothuajse është dyfishuar dhe ajo vazhdon të ketë të njëjtat kapacitete furnizimi me ujë të pishëm. Kjo situatë e ka vështirësuar shumë jetesën e qytetarëve dhe ka sjellë pasoja edhe në higjienën e tyre. Shumë tubacione uji të pishëm janë kalbur ose dëmtuar dhe jo rrallë bashkohen me ujërat e zeza duke krijuar hapësirat e nevojshme të infektimit dhe marrjes së sëmundjeve ngjitëse, pa përjashtuar hepatitët që janë bërë masive.


Koman


Nëse qeveria vitet e fundit, veçanërisht ajo e zotit Berisha po investon dukshëm në infrastrukturën rrugore, në infrastrukturën e ujërave të pishëm investimet janë të papërfillshme nga gjendja përballë së cilës jetojnë qytetarët. Për këtë arsye, veçanërisht për qytetet e mëdha, me në krye Tiranën duhet të kishin filluar projekte strategjike për furnizimin me 24 orë me ujë të pishëm. Këto probleme bota i ka zgjidhur për qytete me mbi 10 milionë banorë, prandaj mos sigurimi i ujit të pishëm dhe cilësor për qytetarët është një tregues shumë i rëndësishëm i nivelit të ulët të jetesës që kemi.

Uji është një nga tre elementët kryesorë të jetës.

Pa atë nuk mund të mbi jetojë asnjë qënie e gjallë. Po ç ‘farë duhet të bëjmë ?
Për këtë duhet ngritur ‘’Këshilli i Lartë për Ujin’’ me në krye kryeministrin, siç ekziston në shumë vende. Ky këshill duhet të sqarojë dhe përcaktojë ‘vizionin kombëtar për furnizimin me ujë’. Sepse për ujin e pishëm nevojiten investime urgjente. Për këtë arsye, çdo vit në botë për ujin llogariten investime me 180 miliardë dollarë. Me këtë vlerësim duhet të bëhen edhe politikat tona qeverisëse, në të kundërt kriza e furnizimit me ujë të pishëm për qytetarët e vendit do të thellohet duke e vështirësuar seriozisht nivelin e jetesës së qytetarëve tanë. Ne rezervat e ujit i kemi. Ato duhet të planizohen dhe të drejtohen nëpërmjet investimeve të vazhdueshme për ti siguruar qytetarit 24 orë ujë gjatë gjithë stinëve të vitit. Mungesa e ujit në zonat turistike është një nga shkaqet kryesore të mos ardhjes së turistëve të huaj, e cila së bashku me mungesën elektrike e bën shumë të vështirë edhe për vetë shqiptarët.

Nga Hajro Limaj, Start

Eshtë viti 2009 dhe kryeqytetasit ende nuk kanë ujë 24 orë në banesat e tyre, pavarësisht se kur lexon lajmërimet e shitjeve dhe qerave të banesave, lexon ujë të pijshëm 24/orë. Do ishte e tepërt që të shënohej, ujë i pijshëm, madje dhe e rrezikshme për qytetarët.

No comments: