Thursday, September 24, 2009

Skandali seksual "Pango", Fiksi: Na dekonspiroi prokuroria

Drejtuesit më të lartë të emisiomit investigativ “Fiks Fare” mohojnë kategorikisht që materiali filmik i pacensuruar i skandalit seksual të ish- ministrit të Turizmit, Ylli Pango, që është publikuar së fundmi në ‘You Tube’, të ketë dalë nga zyrat e ‘Top Channel’.


Në një prononcim ata deklaruan se kaseta filmike është tashmë në duart e Prokurorisë, dhe kësisoj vetëm dy janë burimet prej nga mund të ketë dalë ajo në publik. Sipas drejtuesve të “Fiks Fare”, materiali filmik mund të jetë nxjerrë nga ekspertët ligjorë të organit të akuzës që janë marrë me hetimin e çështjes, ose nga vetë avokatët mbrojtës të Pangos.
Por, ata shtojnë se në rast se ky material ka dalë nga zyrat e organit të akuzës, atëherë kjo përbën nxjerrje të një sekreti hetimor, përgjegjësinë për të cilën duhet ta mbajë vetë Prokuroria. “Ne nuk kemi ende një informacion të saktë se kush është personi përgjegjës për publikimin e kësaj video. Dikush na sinjalizoi kohë më parë se ky material është hedhur bruto në ‘You Tube’. Ne e pamë, dhe për hir të së vërtetës u çuditëm, por kjo nuk na shqetësoi. Materiali filmik lidhur me këtë çështje është gati, ndërsa në ‘You Tube’ janë hedhur vetëm 20 minuta. Për një gjë jemi të sigurt në mënyrë kategorike që ky material nuk ka dalë nga ana jonë, sepse ai nuk ka qenë në arkivën e ‘Top Channel’, por vetëm në një kompjuter të caktuar”, - shprehen drejtuesit e “Fiks Fare”. Sa i përket përfshirjes së drejtorit të “Fiks Fare” në këtë materialin filmik bruto të skandalit seksual ‘Pango’, ata thonë që këtu nuk ka asgjë të re. “Filipi nuk e ka mohuar që është marrë me këtë çështje, përkundrazi e ka pohuar publikisht. Ndaj, kjo nuk përbën asnjë prove të re”, - shprehen drejtuesit e emisionit investigativ. Prej disa ditësh, ish- ministri i Turizmit, Ylli Pango ka publikuar në faqen e tij personale në ‘Facebook’ një video të titulluar “Gracka: E vërteta rreth pseudo- skandalit Ylli Pango”. Në këtë video paraqitet një material bruto nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, prej të cilit Pango pretendon se vërteton futjen e tij në kurth nga drejtuesit e emisionit. Kjo video prej disa ditësh qarkullon edhe në ‘You Tube’.


Skandali seksual

Qeveria Berisha u përfshi në muajin mars në një skandal seksual. Ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango u kap mat nga kamera e fshehtë e emisionit investigativ “Fiks Fare”, teksa në këmbim të një vendi pune në dikasterin që drejtonte, i ofronte shtratin një vajze të re. Kamera është realizuar në muajin shkurt të këtij viti. Në transkriptet e plota të bisedave të zhvilluara mes Pangos e vajzës së re, fillimisht në telefon, mandej në zyrën e tij e më pas në ambientet e shtëpisë së ish-ministrit, lexohet qartë presioni psikologjik që Pango ushtron ndaj saj për ta joshur seksualisht, duke i premtuar një vend të mirë pune e një rrogë të majme në Ministrinë e Kulturës. Ylli Pango ka hyrë kështu në historinë e shtetit shqiptar, si i pari zyrtar i lartë i vendit që përfshihet në një skandal seksual. Fill pas transmetimit të kamerës së fshehtë në emisionin investigativ “Fiks Fare”, kryeministri Sali Berisha e ka shkarkuar me urgjencë ministrin e Kulturës.
G.SH.

Edhe në rastin e Inis Gjonit, materiali filmik u dekonspirua, Gjoni i bëri padi Prokurorisë për Krime të Rënda,me 500 mijë euro dëmshpërblim, për videon

Videoja në YT: http://www.youtube.com/watch?v=bPnyURQZW-U

No comments: