A duhet të ketë përgjegjës dështimi i ligjit antiduhan ?
A jeni vërtetë të befasuar nga “fati i mbrapshtë” i ligjit me nr. 9636, “Për ruajtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, i hartuar, i dërguar me përparësi në sallën e parlamentit, miratuar nga ky i fundit, me 100 % të votave, në dt. 06 nëntor 2006, dhe hyrë në fuqi më 26 majin e vitit 2007.
Ky befasim më vjen nga fakti se gjithë kalvari i sipërpërmendur, deri në miratimin e ligjit, u krye me këmbënguljen e zotit kryeministër, kurse janë struktura zyrtare, brenda kuadrit administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, - pjesë e kabinetit të tij, - ato që, me koshiencë (për diskreditim politik apo lidhje politiko-klanore), për çdo ditë që kalon e stimulojnë këtë fat fatal, jo vetëm për shëndetin e shqiptarëve, por edhe për seriozitetin e prodhimit e të zbatimit të ligjeve në vendin tonë.
Për të argumentuar gjithë sa shpreha më sipër, po ju sqaroj:
Pas një vit dështimi në implementimin e këtij ligji nga struktura përgjegjëse e kabinetit Ndoka, me emërimin e ministres së re, Anila Godo, ne arritëm të realizonim një takim me këtë të fundit. Takimi u bë në dt. 18 gusht 2008, në zyrën e saj ministrore, ku i paraqitëm idenë tonë për një rifillim të ri të betejës për zbatimin e ligjit antiduhan. Në këtë kuadër propozuam mbajtjen e një tryeze të rrumbullakët, ku të ishin të ftuar të gjithë aktorët zyrtarë, të cilët ligji i ngarkon me përgjegjësi për moszbatimin e tij. Këtë propozim ministres Godo ia parashtruam, pasi më parë kishim marrë miratimin nga OBSH, e cila u tregua e gatshme ta sponsorizonte aktivitetin.
Në takimin me zonjën Godo u vendos që kjo tryezë të realizohej dhe mbajtja e saj u bë në dt. 11 shtator 2008, duke u anunçuar si një aktivitet i përbashkët i MSH-OBSH dhe shoqatës “Për Shqipëri pa duhan”... Duke gjykuar se hollësitë e zhvillimit të asaj tryeze janë të panevojshme, po Ju përmend se në esencë me gjithë këmbënguljen e shoqatës që në këtë sipërmarrje të re të ndryshoheshin prijësit e betejës së humbur, me të rinj, dhe të futej në të edhe shoqëria civile, - kjo ide u mbështet në parim, kurse në përfundim, pas këmbënguljes dhe retorikës demagogjike të drejtuesit të ISHP, Alban Ylli, gjithçka iu la në dorë po Institutit të Shëndetit Publik, më saktë drejtorit të tij, Alban Ylli, pra njeriut nën drejtimin institucional të të cilit, gjatë edicionit maj 2007 - gusht 2008, ligji pati “fatin e mbrapshtë” të dështimit.
Nga Xhovani Shyti *Kryetar i shoqatës “Për Shqipëri pa duhan”
*Përse dështoi ligji antiduhan në Shqipëri ?
*Eshtë ky një dështim i instancave shtetërore, i cili duhet të ketë përgjegjës ?
*Rivënia në "jetë" për herë të dytë e këtij ligji, (që dështoi sepse u pregatit në zyrat shtetërore, pa u diskutuar me sipërmarrësit dhe bizneset apo grupet e interesit që dëmtoheshin) a do të ishte më frytdhënës ?
Ky ligj në të vërtetë ndaloi vetëm përdorimin e tavullave të duhanit duke i zëvendësuar me pjatat e filxhanëve !
Shtetet që sot e kanë ndaluar në publik pirjen e duhanit, e kanë arritur pas një propagandë mbi 5-vjeçare duke e pregatitur terrenin për të sensibilizuar qytetarët, duke pregatitur bizneset që të rezervojnë një hapësirë të veçantë nëpër lokale për duhanpirësit. Përse në Shqipëri del një kodosh Sanço-Panço me shpatë në dorë, që siguron me garanci absolute, se ky ligj është i plotë dhe do të zbatohet në mënyrë urgjente! Personi që dështoi ligjin, duhet të përgjigjet, sepse lufta ndaj duhanit tashmë është kthyer bumerang, duke i dënuar edhe më rëndë qytetarët shqiptarë dhe duke ulur besimin tek zbatimi dhe drejtësia e ligjeve shqiptare.
No comments:
Post a Comment