Sunday, September 20, 2009

"Urë" e minuar që shpërthen sa herë i duhet Greqisë!

Deklaratat e Kryetarit të Bashkisë së Himarës Vasil Bollano, të përkrahur edhe nga ambasadori grek në Tiranë Konstandinos Kokosis për autonomi të “Vorioepirit” nuk janë të rastësishtme. Këto veprime dhe deklarata e kanë fillimin në politikën zyrtare të Athinës që kërkon aneksimin e Jugut të Shqipërisë.

* Teoria sipas të cilës ‘mërgimtarët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek që jeton në Shqipëri janë urë lidhëse midis dy vendeve” bie poshtë si e pavërtetë. Mërgimtarët shqiptarë janë pengje, urë e minuar, që shpërthen sa herë që Tirana nuk i bindet Athinës , kur kjo e fundit me fshesat e veta periodike të hekurta kthen me forcë mijëra emigrantë shqiptarë, njerëz të halleve, njerëz të bukës së gojës që nuk meren me politkë.

***

Me rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri, mijëra shqiptarë morën rrugën e mundimshme të mërgimit, duke shkuar për të punuar në Greqi, Itali, Gjermani e gjetiu.

Shumë prej këtyre njerëzve të halleve mbetën të vdekur në malet me dëborë, disa vdiqën në aksidentet nëpër vendet e punës dhe nëpër rrugët automobilistike. Shumë varre janë hapur në emigracion, por varri më i madh po hapet nga njerëzit që çirren për aneksimin e jugut të Shqipërisë. Historia e emigracionit shqiptarë në Greqi është e dhimbshme.

Në vitin 1998 del për herë të parë ligji për legalizimin e qëndrimit të të huajve që punojnë e jetojnë në Greqi. Në fillim u duk se u hap drita jeshile për mijëra mërgimtarë që punonin prej shumë vitesh ilegalë në tokën greke, por koha po tregon se edhe pas 9 vitesh mërgimtarët shqiptarë në Greqi ende mbetën me probleme për legalizim. Qeveritë greke janë tallur duke e ndërruar ligjin e legalizimit disa herë, kjo metodë e ka edhe prapaskenën e saj sepse në qoftë se që nga viti 1998 do të legalizoheshin emigrantët shqiptarë, ata sot pas kaq vitesh do të kishin të drejtën për tu pajisur me shtetësi greke, gjë që Greqia i trembet një të drejte të tillë. Prandaj shteti grek çdo vit e ndërron ligjin duke i lënë mërgimtarët shqiptarë pengje të politikës dashakeqëse ose që të jemi më të saktë mërgimtarët shqiptarë në Greqi pa i ofenduar mund të quhen ,,skllevër modernë,, që u lejohet të vizitojnë atdheun 15 ditë vetëm kur Greqia feston festat e saja fetare Krishtlindjet dhe Pashkët.

Një problem tjetër është se strukturat shtetërore greke manipulojnë me numrin e saktë të mërgimtarëve shqiptarë duke e zmadhuar numrin e tyre në 500 mijë deri në një milion. Por e vërteta është krejt ndryshe, në vitin 1998, atëherë kur shqiptarët largoheshin në masë të madhe nga Shqipëri për në Greqi zyrat e policisë greke për legalizim deklaruan se rreth 172.000 mijë shqiptarë janë pajisur me leje qëndrimi të përkohshme. Po ti shënojmë këtij numri edhe 150.000 mijë mërgimtarë ilegal, atëherë na del se në Greqi atë kohë kishim rreth 350.000 mijë. Me kalimin viteve shqiptarët janë larguar nga Greqia, nuk e shihnin të ardhmen e tyre atje tashmë, prandaj edhe numri i mërgimtarëve shqiptarë duhet të jetë edhe më i vogël në rreth 250.000 mijë.

Politika shqiptare duke qenë miope dhe dritë shkurtër, duke mos e parë realitetin e vërtetë me shifra reale i mundësoi Greqisë që të privatizojë ndërmarrjet më të mëdha frutdhënëse në Shqipëri.

Kështu grekët në Shqipëri kanë:

1. Prodhimin dhe tregtinë e duhanit (ndërmarrjet e duhanit në Korçë, Elbasan, Fier, Berat janë blerë nga grekët).

2.Kompanitë telefonike me valë (celularët).

3.Furnizimin me naftë për 24 vite (çisternat në portin e Durrësit).

4.Furnizimin me energji elektrike.

5.Funizimin primarë me çimento, tulla, tjeglla etj.

6.Mbi pesë Banka të mëdha janë në duart e grekëve.

Këto janë vetëm disa ndërrmarrje gjigande që janë privatizuar nga grekët.

Shteti grek nga frika e vërtetë për problemin e pasurive të Çamëve, rikthimin me të drejtë në tokat dhe pronat e baballarëve të tyre, nxit njerëz të ndryshëm për tu grupuar në shoqata me ide për autonomi në jug të Shqipërisë ose siç u pëlqen Automi të Vorioepirit. Shoqatat për autonomi të vorioepirit mbështeten fuqishëm zyrtarisht nga shteti grek. Që nga viti 1918 në Selanik funksionon zyra e shoqatës Vorioepiriote.

Mbas viteve 1990 u themeluan shoqatat e “Vorioepiriotëve të Gjirokastrës-Sarandës-Delvinës”, shoqata e “Çobenjëve grek vorioepiriot nga Shqipëria”, e cila u themelua dhe u drejtua nga vëllezërit e ish-deputetit Kristo Goxhi. Kryetar ishte Mihal Goxhi në vitet 2000. Këto shoqata ishin shumë aktive në drejtim të propagandës për autonomi të Vorioepirit. Shoqata e Mihal Goxhit zhvillonte aktivitete kultuore nëpër malet e Korçës për autonomi të “VORIOEPIRIT”, për ta flitet se kanë ngritur në vitin 1997-1998 flamurin grek në Korçë. Ata shpeshherë kanë dhënë intervista nëpër kanalet TV greke për autonomi të vorioepirit.

Drejtuesit e këtyre shoqatave të grekofonëve të Shqipërisë dolën hapur kundër shqiptarëve të Shqipërisë në periudhën e vështirë të luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Kur populli shqiptar i Kosovës vritej dhe digjej i gjallë dhe opinioni gjithëbotëror përkrahte dhe ndihmonte popullin e shkelur të Kosovës, shoqatat e grekofonëve protestonin duke gjuajtur me gurë dhe vezë mbi Konsullatën e Përgjithshme Shqiptare në Selanik, duke kërkuar autonominë e të ashtuquajturit “Vorioepir”. Grekofonët dhe grekofilët dolën nëpër ekranet televizive greke duke akuzuar UÇK-në si organizatë terroriste, ato dolën hapur në përkrahje të ushtrisë barbare serbe të Millosheviçit. Nuk lanë gjë pa thënë kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, duke dhënë intervista nëpër gazetat e ndryshme greke dhe në revistat që botonin organizatat e minoritarëve grek. Kështu, revista e grekofonëve të Gjirokastrës “OAZI” e dhjetor 1998 - janar 1999 që botohej në dy gjuhë greqisht-shqip botonte një shkrim keqinformues, një shkrim keqdashës e që i shërbente urrejtjes dhe injorimit të kulturës shqiptare. Në një shkrim me titull “Pozicioni i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në Ballkan” autori minoritar Pavllo Vllahos, sjell opinionin e tij për shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ai shkruante: “Shqiptarët e Kosovës, por edhe të Shqipërisë guxuan të vënë dorë në djepin e kulturës serbe, në vendlindjen e heronjëve popullorë të princave”. Ky minoritar na dilte atë periudhë mbrojtës i çështjes shoviniste të serbëve të Millosheviçit. Deklarime kundër shqiptarëve të Kosovës atë kohë kishte edhe nga organizata e grekofonëve të “OMONIAS” të cilët deklaronin se refugjatët e luftës të Kosovës nuk duhet të strehohen në qytetet e Jugut të Shqipërisë si: në Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Sarandë, Ersekë, Pogradec, Tepelenë. Pra, grekët, grekofonët u tregonin në vitin 1999 se deri ku guxojnë të vendosen shqiptarët e Shqipërisë së vërtetë, se ku duhet të strehoheshin njerëzit e ardhur nga lufta, të tmerruar nga krimet çnjerëzore të kryera nga ushtarët serbë të Millosheviçit.

2

Një enigmë ka mbetur ende, ajo e gushtit të vitit 1999 kur u vu një bomb në shtëpinë e Konsullit të Pëgjithshëm shqiptar në Selanik, dhe si pasojë u dogjë e tëra makina diplomatike shqiptare.

Në vitin 2002 nëpër rrugët e Selanikut shoqatat “Vorioepirote” shpërndanin fletushka kundër Shqipërisë dhe kërkonin ndërhyrjen e NATO-s për të “shpëtuar” rreth 80 mijë minoritar grek që jetojnë nëpër disa fshatra të Sarandës, Gjirokastrës nga gjoja “terrori” që ushtrojnë shqiptarët kundër tyre.

Në përfundim duhet të shtojmë se deklaratat e Kryetarit të Bashkisë së Himarës Vasil Bollano, të përkrahur edhe nga ambasadori grek në Tiranë Konstandinos Kokosis për autonomi të “Vorioepirit” nuk janë të rastësishtme. Këto veprime dhe deklarata e kanë fillimin në politikën zyrtare të Athinës që kërkon aneksimin e Jugut të Shqipërisë.

Fatkeqësia është se Shqipëria udhëhiqet ende nga politikanë të dobët përballë politikës dinake të Greqisë dhe grekëve. Sot populli shqiptar dhe ai grek ndodhen politikisht shumë larg njëri-tjetrit. Lufta e Kosovës tregoi se grekët janë besnik, avokat të politikës raciste serbe, janë në anën e kundërshtarëve të kombit shqiptar. Teoria sipas të cilës “mërgimtarët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek që jeton në Shqipëri janë urë lidhëse midis dy vendeve” bie poshtë si e pa vërtetë. Mërgimtarët shqiptarë janë pengje, urë e minuar që shpërthen sa herë që Tirana nuk i bindet Athinës, kur kjo e fundit me “fshesat e veta periodike të hekurta” kthen me forcë në heshtje ose me bujë mijëra njerëz të halleve, njerëz të bukës së gojës që nuk merren me politikë. Sa herë që Shqipëria do të kërkojë të drejtat e mërgimtarëve në Greqi dhe ngritjen në Forumet dhe Asambletë botërore për zgjidhjen e drejtë të çështjes Çame, atëherë Greqia me satelitët e saj minoritar do të kërkojnë autonomi të “Vorioepirit” dhe ndihmën e NATO-s për ndërhyrje ushtarake në Jug të Shqipërisë për shpëtimin e minoritetit grek.

Prof.Arben LLALLA

Arben Llalla dhe Aristidh Kola

No comments: